• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Biden Administration Launches Student Loan Forgiveness Application Website

October 20, 2022 by s p

Rafaela Prifti/

President Joe Biden officially kicked off the application process for student debt relief program on Monday.  Biden’s plan calls for $10,000 in federal student debt cancellation for those with incomes below $125,000 a year, or households that make less than $250,000 a year. The plan makes 20 million eligible to get their federal student debt erased entirely.

Accompanied by Education Secretary Miguel Cardona, President Biden said that 8 million eligible borrowers had already applied for relief at the launch period over the weekend. The federal government website studentaid.gov prompts the applicants to provide the name, date of birth, Social Security number and contact information.The Education Department will verify the information against its records to help identify applicants who are likely to exceed the income limits.  

The Biden administration said that the application process is “simple, straightforward”. 

Student debt forgiveness was an issue that Biden campaigned on as presidential candidate. Republicans and some Democrats have opposed the program calling it an unfair handout for college graduates.

On Monday President Biden defended his plan as part of the commitment he has made for a government that works to deliver for the people. He called out Republicans who have criticized the plan and have filed lawsuits in court in some Republican-led states to defeat it.

The administration says that once the Education Department starts processing the applications, eligible borrowers can expect to see their debt forgiven in four to six weeks.

The president called his program a “game-changer” for tens of millions of Americans eligible for student loan relief.

Filed Under: Fejton

Vatra e Jim Xhema shtruan darkë në nderim të Delegacionit Shqiptar nga Presheva e Bujanoci dhe Imzot Dodë Gjergjit

October 19, 2022 by s p

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Jim Xhema në shenjë nderimi, vlerësimi dhe respekti shtruan një darkë familjare për vëllezërit nga lugina e Preshevës e Bujanocit dhe Imzot Dodë Gjergjit, Ipeshkvit të Kosovës.

Në takimin e zhvilluar në Vatër, z.Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, në emër të të gjithë vatranëve garantuan se Vatra do të mbështesë me çdo kusht të drejtat e shqiptarëve në Luginë. Në këtë darkë të udhëhequr nga Vatra e Jim Xhema një veprimtar i madh i çështjes kombëtare u darkordësua për një forcim të veprimit lobues me miqtë e kombit tonë në mbrojtje të vëllezërve e motrave tona në Luginë.

Filed Under: Fejton

Shënime nga vizita ime e fundit në Shqipëri

October 17, 2022 by s p

Tasim Ruko/

Jam larguar nga Shqipëria 33 vjet më parë. Jetoj e punoj në Florida të Amerikës. Shkoj përherë në Mëmëdhe për të vizituar vendlindjen dhe njerëzit e mi të dashur. Edhe kur nuk jam në Shqipëri, ndjek me fanatizëm lajmet në rrjetet sociale, sidomos këto vitet e fundit, lexoj komentet e përshtypjet pozitive të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë. E po thashë në mëndje, sivjet dashkam të kënaqem në Mëmëdheun me tërë këto lëvdata e tërë këto ndryshime të mëdha që janë bërë. Linja e udhëtimit ishte “Austrian Airlines”. Rruga me vajti birinxhi mirë. Si gjithmonë, kur hyn në tokën shqiptare dhe shikon malet, kodrat e bukura, detin, shtëpitë si kuti shkrepse, të pushtojnë emocionet e brendshme dhe nuk ke sesi të mos përlotesh. Zbret në tokën mëmë, emocione të papara, të bëhet mishi kokrra-kokrra, të mpihet trupi e gati të zihet fryma nga malli. Kryen formalitetet sipas rregullave në hyrjen e doganës, merr vulën në pasaportë, pastaj drejtohesh tek bagazhet. I merr ato dhe bën një përshëndetje lamtumire me bashkëudhëtarët që u prezantove gjatë udhëtimit me aeroplan. Këmben dollarët me lekë shqiptare, me të holla e me të trasha, do të hyjnë në punë. Pastaj merr rrugën për në dalje, ku janë ngujuar një numër i madh njerëzish; disa presin të afërmit e tyre, të tjerët janë taksixhinj që të shohin në kokërdhok të syrit. Kësaj here nuk kisha njoftuar njeri nga të afërmit e mi të më prisnin në aeroport. Nuk doja t’i vija në siklet. As makinë me qira nuk mora. Vendosa të lëvizja me taksi deri në qendër të Tiranës. Thashë të qëndroj disa ditë në Tiranë, për t’u çlodhur dhe për ta vizituar atë.

⁃ Hajde vëllaçko, – i them taksistit që kisha më afër, deri në Tiranë në filan hotel. – E kam rezervuar në internet.

Shoferi, nj burrë zashkan, i hollë si skërfyell, rreth të 50-tave, nga dialekti dukej që ishte verior, tha:

– Po, e di ku është adresa.

Pa më pyetur vendosi cantat në bagazhin e makines, tip fjati, edhe u nisem drejt Tiranës. Trafik, vapë e madhe, gati po më zihej fryma, pavarësisht dritareve që ishin të hapura. I them shoferit:

– Zotni, nuk ju punon airkondicioneri? Po nuk ju punon më ler të zbres e të gjej ndonjë makinë tjetër që është më e kompletuar, se vdiqa nga të nxehtit.

– Prej nga po vjen or tej? – më tha.

– Nga Amerika, – iu përgjigja.

– Po mirë or tej, nuk ke pyetur para se të vije këtu?! E di ti sa ka vajtur nafta? Unë po të hap ajrin e ftohtë, dal si rruar qethur, s’më mbetet gjë për vete, makina me ftohje harxhon dyfishin!

– Aman t’u bëfsha, or mik, – i them – hape se do ta paguaj unë tepricën.

– Oo, në rregull, -tha i kënaqur Jonuzi, kështu quhej, i cili më shumë ngjante si një bujk sesa taksist.

– Nga dialekti dukesh si nga Jugu, – tha Jonuz taksisti i buzëqeshur. Ndërkohë hapi kondicionerin dhe unë pas pak u qetësova. Ndjeja kënaqësi që po kuvendoja shqip. E pyes:

– Ç’kemi këndej, si kaloni, si i keni punët?

– Keq shumë, – ma ktheu flakë për flakë, – s’ka punë, kjo qeveri është hajdute, këta janë të korruptuar. Jo, mor jo, nuk bëhet ky vend. Ju jeni me fat që ia keni mbathur, ngelëm ne qyqarët këtu.

– Ne na ra fati të ikim, ju u ra fati të jetoni këtu e ta ndërtoni këtë vend kaq të bukur, ne ndihmojmë farefisin sa mundemi – iu përgjigja.

– Jo, or jo, ky vend nuk bëhet, ka mbaruar, – filloi Jonuzi përsëri avazin.

E ndërpremë bisedën sepse kishim arritur në hyrje të hotelit. I zgjata pak më shumë të holla sesa më kërkoi. Hapi gojën vesh më vesh i kënaqur. Më ndihmoi me bagazhet gjer në dhomë. Kur u ndamë, më tha:

– Më fal shumë zotni, nuk e kuptova që ishit nga Jugu, më fal shumë, më thirr në çdo orë.

Kështu u ndava me taksistin. Hoteli ishte shumë i mirë, personeli i komunikueshëm e i respektuar, dhoma e pastër dhe dushi me ujë të ngrohtë. Bëra një dush. Të parin që mora në telefon, ishte Meti, shoku im i fëminisë i cili prej kohësh jeton në Tiranë ku ka një aktivitet privat. Nuk vonoi shumë. Erdhi menjëeherë, më mori në makinën e tij dhe shkuam në një lokal luksoz në periferi të Tiranës. Duke ngrënë darkë i them:

– Met, – i them – sa bukur është bërë Tirana, mor burrë, me duket se nuke jam në Shqipëri kur shikoj, këto gjëra të bukura, pallate, lokale të reja, hotele, njerëzit duken shumë tëe lumtur.

Meti kërceu përpjetë:

– Jo, mor mor byrazer, çdo gjë këtu është fallco, populli po vuan, s’ka punë, kjo qeveri me të gjatin në krye, është e korruptuar, janë të gjithë hajdutë. Ju jeni me fat që keni ikur, Ky vend nuk bëhet.

Çfarë t’i thoshja, edhe ky si Jonuz taksisti! Këmbyem temën e bisedës deri sa erdhi koha të shkoja tek hoteli sepse isha edhe i lodhur nga rruga.

U ula në një kolltuk të rehatshëm në hollin e hotelit, kur si hije më afrohet një djalë i ri si nja 25-30 vjeç, mbasi më përshendet me një zë si nga nënëdheu, më thotë:

– Mos do gjë ndonjë kafe?

– Shumë faleminderit, por unë s’mundem të pi kafe në këtë orë se nuk më zë gjumi.

– Jo nga ato kafe që mendon ti, – tha – kafe tjeter – dhe buzeqeshi.

– Nuk po të kuptoj, o vëlla, – i thashë dhe për momentin m’u kujtua kafja e elbit që pinim në komunizëm.

Djaloshi m’u afrua tek veshi e më thotë me zë të ulët:

– Kështu është parrulla, tek ne kafe, duhet ta kuptosh mos do ndonjë femër për sonte se me sa shoh ti je vetëm, i pashoqëruar.

– Kjo na paskish qenë kafja? Jo, or vëlla, faleminderit. Nuk jam unë për këto lloj kafesh.

– Sidoqoftë, po ndërrove mendje, mua këtu më ke, – tha djaloshi dhe nuk mora vesh se nga shkoi e ku u fut.

Të nesërmen, midis disa kushërinjve, erdhi të më takojë edhe Luljeta. E kam si motër, jemi rritur së bashku. Ajo qëndroi e fundit. E pyeta sesi e kishte gjendjen ekonomike. Ajo ia nisi me një breshëri të sharash:

– Qeveri e poshtër, hajduta të gjithë, maskarenj, ky vend nuk bëhet.

Të nesërmen u nisa për në vendlindjen time. Duhet të prisja hensin një njeri të familjes sime, nënshtetas perëndimor, i huaj, po me gjak shqiptari nga i ati. Edhe ai, vinte pëer herë të parë në Shqipëri. Ndenjëm së bashku rreth dhjetë ditë. Shërbeva edhe si përkthyes i tij ngaqë ai nuk dinte shqip. Hensit i pëlqeu shumë ai vend, malet, deti, ushqimet tradicionale, mikpritja e njerëzve! Ne të huajin e duam dhe e respektojmë shumë, tonin ta pjekim në saç. Hensi më ndiqte me vëmendje. Të afërme të mi u dhuroja lekë, më pyeti: “Ua ke pasur borxh”? Si t’ia shpjegoja? Kjo nuk ndodh në vendin e tij. Dhe më e bukura, njerëzit e mi, i merrnin me mospërfillje lekët, i futin në xhep dhe nuk thonin asnjë fjalë, as faleminderit, Kur Hensi kuptoi se lekët i lëshoja për bamirësi, tha:

– Ti paske zëmër të madhe? Nuk kam parë në ndonjë vend tjetër të ndodhë kështu.

Unë si gjithmonë u flisja dhe mundohesha t’u jepja këshilla njerëzve të mi, si shkoni në shkollë, mësoni profesion, zanate. Po nuk u pëlqu shkolla, ka shumë profesione të ndryshme, po t’i zotërosh ato bën një jetë të mirë… Më vinte shumë keq për ta, më këputej shpirti tek i shikoja ashtu, të papunë. Disa të rinj të fuqishëm e muskulozë, 25-30 vjec, bënin roje nate, këtë e quanin punë, duke mos meduar për të ardhmen e tyre? U fola aq shumëe sa m’u mërzitën. Njeri prej tyre ma ktheu i xhindosur:

– Ik ore ti, ty të paska lajthitur Amerika, dil nga këta imamët tanë se paske shkuar për lesh nga tepeleku? Na jep ndonjë dollar ti, atë punë bën se ne nuk jemi budallinj, kemi mendje më shumë nga ti, s’kemi nevojë tëe na shesësh ti. Dije, nuk bëhet ky vend.

Ngela si i shastisur për përgjigjen që më dhanë. Me ironi u kërkova falje, më falni u them, nuk do t’u lodh më menderen, ju kërkoj shumë falje.

Më tepër më bënë përshtypje njerëzit e mi më të afërt, ata që ishin prezent në atë moment e nuk reaguan fare për incidentin. Faji më mbeti mua duke u munduar të zbrazja kokën time e të mbushja kungujt e tyre. Nuk fjeta gjumë atë natë. T’u flasësh për të mirën e tyre e të të bëjnë armik?! Ç’bëhet kështu? Ku shkon kjo shoqëri pa një të ardhme? Çfarë po ndodh me këtë brez dembelësh? Si do t’i vejë halli këtij vendi?! M’u kujtuan fjalët e atyre që kisha takuar më perpara: “KY VEND NUK BEHET”. Sidoqoftë Hensi që ishte prezent në bisedë u largua shumë i kënaqur nga Shqipëria, nuk e kuptonte çfarë ndodhte. Ai nuk mund të kuptonte se grindeshim apo duheshim, se pohonim, apo kundërshtonim, sepse të gjithë flasim me zë të lartë, kështu nuk na kuptojnë te huajt. Ndërsa unë qëndrova akoma më gjatë për të shijuar pushimet.

Kisha dëgjuar për nje bujtinë me emer te madh, në zonën e Labërisë. Një ditë, me disa miq të mi, vendosa të shkoja në Nivicë. Rruga ishte e gjatë,e pa mbirëmbajtur. Arritëm atje. Unë e kisha parë në ekranet e televizioneve. U ulëm në një nga tavolinat. Na vjen kamerieri për të marrë porosinë, (ushqime tradiconale). “Kemi çfarë të doni” na tha. Mori porosinë. Ushqimi që solli nuk ishte fare i freskët. I bëmë vërejtje dhe e pyetëm “Pse kështu”? “Oo, na përgjigjet ai, ju duhet të porositni që më parë që ta keni të freskët”. Kur dëgjoi përgjigjen, një nga shoqëruesit e mi përsëriti: “Me këto mendje, nuk bëhet ky vend”. Ndoshta kishte të drejtë. Afër tavolinës sonë ishin ulur disa barinj, pinin raki dhe këndoin labçe. Gati ishin të dehur. Ata sillnin qumështin e deleve. Bujtina ishte edhe baxho. Me zhurmën që bënin me zë të lartë dhe këngët, nuk na jepnin mundësi të dëgjonim njeri-tjetrin. I themi kamarierit ankesën. Po ku donin t’ia dinin ata, vazhdonin sikur ne të mos ishim të gjallë. Meazalla se luanin nga vendi. Afër bujtinës, nga krahu tjetër kishin lidhur mushkat. Njerit nga shokët e mi i shkon ndërmend një djallëzi. I thotë një të riu aty pranë: “Të kam rixha, shko e zgjidhu mushkat këtyre çobanëve se nuk hanë pykë fare”. Ai u bind menjëherë. Barinjtë sa panë që po u iknin mushkat, u ngritën të alarmuar dhe vrapuan pas kafshëve. Kjo ishte bujtina me emër të madh që u bënte reklamë turistëve…

Njëherë tjetër takova Bajon, shokun tim të fëmijërisë. U ulëm të pinim ndonjë birrë. Kur unë u ngrita tek banaku dhe po prisja për meze, Bajua uli kokën mbi ekranin e celularit dhe po shkruante. “Kushedi, mendova, do ketë gruan xheloze dhe e lajmëron që është për drekë me mua”. E lashë të mbaronte i qetë. Pas ca, tamam kur në tavolinë na erdhi mezja, ia behën dhe tre-katër të tjerë. Të gjithë më flisnin me emër, megjithëse nuk i mbaja mend. U detyrova të porosis edhe për ata meze. I pyeta se nga e morën vesh që isha aty. “E kush nuk ta di ty namin nga që je xhyrmet e dorëlëshuar, që nga Amerika na ka ardhur lajmi, me celular”, më thanë gati në një gojë. Ah, mendova, celulari i Bajos. Porosita edhe për ta meze dhe pije.

– Ore ju çfarë pune bëni? – i pyeta. Toni ishte shofer me furgon, e dija. “Pa punë”, tha i pari. Krisi: “Punoja në rruga-ura, më hoqën këta komunistat që janë me pushtetin”. Po me çfarë rron? “Gruaja shkon për sherebel në mal, e kam shumë punëtore’’. Po ti pse nuk shkon me gruan ta ndihmosh? “Unë e shes, tha, e bëj punën time, s’e duroj dot vapën”, Po ti tjetri? “Unë, tha ai, kam ca kohë që kam dalë nga burgu, më futën për hashash, 7 vjet, më spiunuan, kisha mbjellë ca në pyll”. Ou, po ti tjetri? “Unë roje, po nuk bëhet ky vend”. Nga këta të pestë që ndenjëm atë ditë, vetëm Bajua më pelqeu, kishte një aktivitet privat së bashku me gruan. Ankohej se nuk gjente punëtorë. “Këtu kanë mbetur vetëm dembelët”, më tha.

Filed Under: Fejton Tagged With: Tasim Ruko

ËSHTË KOHA E MBJELLJES SË GRURIT ZOTI KRYEMINISTËR

October 16, 2022 by s p

Nga Agr. Abdurahim Ashiku/


KA ARDHË KOHA E MBJELLJES SË GRURIT
ZOTI RAMA,
ZONJA KRIFCA…
ZOTRINJ KUVENDARË…
Me 80 për qind të tokës djerrë nuk ka bukë, nuk ka Shqipëri të pavarur, KA VETËM KRIZË…
DHE AJO PO NA VRET…

Dhe një këshillë shoqërore për kolegët e mi në MEDIA… Është koha ta përsërisni togfjalëshin “ËSHTË KOHA E MBJELLJES SË GRURIT” nga mëngjesi në darkë, ta ndiqni me laps, aparat fotografik e kamerë televizive mbjelljen e grurit, thekrit, elbit… në  fusha, kodra e male pa u lodhur dhe me profesionalitet…  

Në vitin 1950 Shqipëria mbillte 87 mijë hektarë grurë…
Në vitin 1991 mbillte 144 mijë hektarë…
Në vitin  2020 mbillte 53.946 hektarë…
Në vitin 2020 nuk mbillej as sa mbillej në vitin 1950 por plot 33.054 hektarë më pak.
Në vitin 2013, kohë kur ju u bëtë kryeministër, sipërfaqja e mbjellë me grurë ishte 71.200 hektarë, 15.800 hektarë më pak se sa ishte mbjellë në vitin 1950 kur Shqipëria e merrte bukën me triskë…

Po, po. Është pikërisht koha. Tetori është muaji më i mirë për mbjelljen e grurit.
Po qe se nuk e din (dhe s’ke si ta dish se piktor je), pyet ndihmësit tuaj për bujqësinë, pyet ministren e bujqësisë, pyet këdo prej specialistëve (të vjetrit që kanë qenë në ballë të “fushatës së mbjelljeve” më se tri dekada më parë) por edhe të rinjtë ata që sapo kanë mbaruar universitetin, sapo kanë dhënë provimin e lëndës “Bimët e arave” apo “Fitoteknisë”, siç e quanin një herë e një kohë.
Dhe mos na tremb me gogolin e “krizës energjetike”, “krizës së bukës” e refreneve politike me “krizën-kryefjalë”.
Diku, në një dalje publike kapa një fjalë tuajën: “Shqiptarit kurrë nuk i ka munguar buka”.
Dikur, në vitin 1959, Nikita Hrushovi urdhëronte të mbjellim agrume se aq grurë sa konsumonte Shqipëria e hanin mijtë në depot ruse (!)
Nuk e dëgjuam. Disa thonë se Enveri bëri  keq, disa se bëri mirë. Nejse ombrella pas shiut të mbetet në dorë.
Që të hymë pak në të “thella” le tu drejtohemi shifrave që “s’luajnë”
Në vitin 1950 Shqipëria mbillte 87 mijë hektarë grurë…
Në vitin 1991 mbillte 144 mijë hektarë…
Në vitin  2020 mbillte 53.946 hektarë…
Në vitin 2020 nuk mbillej as sa mbillej në vitin 1950 por plot 33.054 hektarë më pak.
Në vitin 2013, kohë kur ju u bëtë kryeministër, sipërfaqja e mbjellë me grurë ishte 71.200 hektarë, 15.800 hektarë më pak se sa ishte mbjellë në vitin 1950 kur Shqipëria e merrte bukën me triskë…
Në vitin 2020 kur ju ishit kryeministër në mandatin e dytë kjo sipërfaqe zbriti në 53.946 hektarë, me një minus prej 17.300 hektarësh.
(Të dhënat janë marrë nga INSTAT dhe nga vjetarë statistikorë në bibliotekën e autorit).
Asnjë qeveri në këto tridhjetë vjet kalimi nga “diktatura” në “demokraci”, nuk mendoi të mbjellë, nuk mendoi për bukën e popullit por për “bukën e xhepit”
Nuk po hyj në “të thella”; për thekrën, misrin, orizin, tërshërën (aq e preferuar për fëmijë e të rritur për përshesh në mëngjes) e drithëra të tjerë.
Sipërfaqja e mbjellë me ta është disa herë më e vogël…
Aktualisht në Shqipëri gruri dhe drithërat e tjerë janë bërë “bimësi e kopshtarisë”, mbillen për konsum familjar, prodhimi nuk del në treg. Për mbjelljen e tyre nuk flitet nga askush, as nga qeveria, as nga ministria, as nga bashkia, as në fshat, as në familje.
Mendësia e qeverisjeve të kohës së “demokracisë” është: pse ta mbjellim kur na vjen nga Kanadaja, Ukraina, Rusia, Australia, madje-madje edhe nga fqinji më i afërt, Serbia? Bile-bile kjo e fundit na e mbillka (më mirë me thënë na e korrka) edhe për bagëti dhe na e sillka ne për bukë (!)
Është koha të mbjellim grurë. Thekrës i ka kaluar koha. Çfarë u mboll, u mboll. Thekra e ka kohën në shtator, muaji kur mbillet por edhe muaji kur korret. Ajo mbillet në zonat e larta malore, në Klenjë, Shishtavec… Dhe është edhe bukë, edhe lëndë ndërtimi, madje kërcejtë e saj përdorur në punishte artistike, të nxjerrin në treg të sigurte ndërkombëtar.
Në vitin 1950 mbillej 1000 hektarë thekër, në vitin 1990 mbilleshin 12 mijë hektarë kurse në vitin 2020 u mboll 1321 hektarë dhe kjo vetëm në rrethet Dibër (158), Elbasan (114), Korçë (644) Kukës (400) dhe Tiranë (5) hektarë.
Nuk gjej të dhëna për tërshërën. Ajo futet në thesin e vjetër (tagjira) kur mbushte torbat e qeve në zgjedhë gjatë punës në arë apo të kuajve në transport. Tani tërshëra është bërë më e kërkuara në treg dhe e ka kaluar “luksin” e fillimit, është bërë ushqim kryesor për fëmijë, madje edhe për të rritur në nivelet e larta të plutokracisë.
Gruri ka kohën më të mirë për mbjellje në zonat malore. I mbjellë në tetor ai ka kohën e vet të plotë të mbijë e të vëllazërojë, të futet në dimër dhe ti shpëtojë paq “krizës së ngricave” e të dalë në pranverë me plot vëllezër e ngjyrë jeshile të thellë, të lëshojë shtat, të nxjerrë kallëza, të piqet e të mbush hambarë.
Nuk e them unë këtë, e thotë shkenca, e thonë studimet shumëvjeçare të Institutit të Lushnjës shtrirë në të gjitha stacionet bujqësore të rretheve dhe në lartësitë nga niveli i detit në male. Sot nuk e thotë askush, thjesht se Institut nuk ka, stacione  studimore nuk ka, shtet për bujqësinë nuk ka. Koha për mbjelljen e grurit në zonat malore po kalon. Askush nuk e mat, askush nuk flet.
Për zonën e ulët bregdetare, zonë ku tradicionalisht është mbjellë gruri, Myzeqenë që ka qenë quajt “hambar i grurit” është koha e punimit të tokës dhe përgatitja për mbjellje.
Kaq do të thosha për afatet me rezerva agronomike në hollësi.
Kryeministri ynë flet për bukën, krizën e saj, rritjen e çmimit, masat lehtësuese për të vobektët zyrtarë, pensionistë e të barabartë në burime jetese si ata.
Flet nga zyra apo nga  rruga kur kalon e i turren për ti marrë ndonjë fjalë gazetarët.
Do të desha të fliste nga fusha e Myzeqesë, Thumanës, Nënshkodrës, Vlorës, Elbasanit, Beratit, Korçës…
Me bujq, me mekanizatorë, specialist të bujqësisë. Ti pyeste dhe të merrte shënime se çfarë duhet bërë për rritjen e prodhimit të drithërave, rritjen e sipërfaqes dhe të rendimenteve, punën kërkimore shkencore për bimët e arave.
Mbase nga kjo do të mësonte se është urgjente që të ngrihet përsëri Instituti i Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë,
Dhe jo vetëm ai, por edhe Instituti i Misrit dhe Orizit në Shkodër, Instituti i Perimeve dhe i Patateve në Tiranë, Instituti i foragjereve në Fushë-Krujë, Instituti vreshtave, pemëve frutore, agrumeve, ullirit…
Nuk ishin kot ato institute. Atje punuan dhe përcollën një trashëgimi të madhe shkencore në prodhimin e farërave elite të grurit, misrit e të drithërave të tjerë shkencëtarët më të mëdhenj të Shqipërisë. Hibridet e misrit prodhuar nga shkencëtarët e mëdhenj si Hysen Laçej dhe Ahmet Osja ishin certifikuar si më të mirët në shkallë botërore. Për të mos vazhduar me qindra të tjerë që ose kanë ndërruar jetë ose nuk i pyet askush për veprën e tyre.
Sot, fatkeqësisht, mbillet me farëra të degjeruara gjenetikisht, pa etiketë e pa garanci mbirëse…
Do të ishte në nderin tuaj i nderuar kryeministër që në mandatin tuaj të tretë tu jepnit hapësirë të plotë instituteve shkencore të bujqësisë. Është koha. Bota po mendon se si të shfrytëzojë shkretëtirën për mbjellën e bimëve bujqësore, si të shfrytëzojë, lumin, liqenin, detin në shërbim të plotësimit të nevojave me bukë, perime, fruta e të tjerë.
Jeta njerëzore në vështrim të parë ka bujqësinë dhe blegtorinë. Pa to nuk jetohet as edhe një dekadë ditësh.
Është koha që bujqësinë ta nxjerrim në plan të parë.
Që të realizohet kjo stimuloje fshatarin të mbjellë grurë, misër, thekër, tërshërë, elb, oriz…
Lidh kontratë me të që tani duke i paguar në dorë hakun e punës, shërbimin bujqësor nga mbjellja në korrje, duke e bërë të interesuar atë që të mbushë “hambarët” e tij me lekë e hambarët e shteti me drithë.
Shqipëria mund që në hapësirën e saj bujqësore të prodhojë “bukën në vend”, bukën për një popullsi prej 2 milionë banorësh sa japin statistikat zyrtare.
Kur në titull vura thirrjen “ËSHTË KOHA MBJELLJES SË GRURIT”, shënjestrën e kisha larg, shumë larg…

Abdurahim Ashiku

Agronom, pedagog i bimëve të arave 

Tetor 2022

   


 

Filed Under: Fejton

FALËNDERIME TË PËRZEMËRTA…

October 13, 2022 by s p

Nga Eugjen Merlika”/

Me shkrimin “Në kërkim të së vërtetës” u mbyll ribotimi I artikujve të librit “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike”, i botuar në vitin 2011, e që përmbante shkrime të botuara në gazeta të ndryshme, që nga viti 1991 deri në 2011. Qe një nder i veçantë për mua fakti që ai libër m’u kërkua për t’u ribotuar nga disa redaktorë mediash, mbas më shumë se dhjetë vitesh që kishte parë dritën e botimit.

Dëshiroj të falënderoj me gjithë zemër zotërinjtë Dashnor Kaloçi, Skënder dhe Elida Buçpapaj, Henri Çili, Reldar Dedja dhe Sokol Paja që, për muaj me rradhë, dy herë në javë i kanë rezevuar me dashamirësi ribotimit të shkrimeve të librit tim faqet e  organeve të tyre: “Memorie.al”, “Voal. ch”, “Gazeta Liberale”, dhe “Dielli”.

Po ashtu falënderimi im i sinqertë e i përzemërt i shkon dhe atyre lexuesve të shumtë a të pakët të këtyre mediave, që kanë patur mirësinë të lexojnë shkrimet e mija. Ndoshta ndonjeri apo ndonjera prej tyre mund të vërejë sepse un po shkruaj pak mbi ngjarjet e ditëve tona në jetën shqiptare e po merrem më shumë me përkthimet nga e përditëshmja më e njohur italiane “Corriere della Sera”. Kjo është një e vërtetë që ka arsyet e saj të të qënit e të cilat do të mundohem sa më shkurt t’i shpjegoj, me shpresë që të jenë të kapëshme nga lexuesit, pavarësisht nga parapëlqimet e tyre për ata lloj shkrimesh.

Interesimin tim për zhvillimin e jetës shqiptare, në të gjitha shfaqjet e saj politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, e kam shfaqur vazhdimisht nëpërmjet shkrimeve të mija të përmbledhura në pesë vëllime, të botuara gjatë viteve e të një të gjashti që ende nuk e kam dërguar për botim. Edhe se prej 32 vitesh nuk banoj rregullisht në Shqipëri, Vëndi im vazhdon të mbetet në qëndër të jetës sime intelektuale dhe shpirtërore e kontakti me të është i pandërprerë në të gjitha format e mundëshme. Në artikujt e mij jam munduar të jap mendimet e mija për rrugën 32-vjeçare të Shqipërisë mbas komuniste, në të cilën komunistët e hapur, “të kthyer” brënda një dite në një kongres në “socialistë” dhe ata të konvertuar në “demokratë”, patën rolin e violinave të para në orkestrat politike, ekonomike, shoqërore e kulturore të Vëndit tonë.

Kt fakt përcaktoi gjithë ecurinë e Shqipërisë në këta vite kalese të pafund, në të cilët ajo nuk arriti të ndërtojë një shoqëri e një Shtet me të vërtetë demokratik, por zgjodhi një sistem hibrid, të ndërmjetëm që dikush e pagëzoi “demokraturë”. Fakti më kokëfortë që vërteton saktësinë e termit është qëndrimi në majat e jetës politike dhe administrative të Vëndit të një numëri tejet të pakët njerëzish, të cilët duket se e kanë siguruar tapinë mbi godinën shqiptare “sa t’u japë ymër Perëndia”. Kjo dukuri e afron më shumë Shqipërinë me Bjellorusinë apo republikat aziatike të ish Bashkimit Sovjetik se sa me Vëndet evropiano-perëndimore.

Që Shqipëria nuk është sot Vëndi që e ëndërronin studentët e Dhjetorit 1990 dhe populli i Tiranës që, më 20 shkurt 1991, tërhoqi zvarrë nëpër rrugët e kryeqytetit shtatoren e Enver Hoxhës, më duket se është jashtë çfarëdo diskutimi. Nëse është kështu përgjegjësia i takon klasës politike që vazhdon t’a qeverisë edhe mbas 32 vitesh, duke alternuar në drejtim “të djathtët” e “të majtët”, me ndryshime aq të papërfillshëm, sa që duket se kanë qënë të gjithë në një mëndje, për t’u zënë me njëri tjetrin për t’u hedhur hi syve të shqiptarëve, e për t’u marrë vesh shumë mirë me njëri tjetrin kur i a kanë lypur interesat e tyre, me përfundimin që sot është para syve të të gjithëve.

  Ne sot duhet të jemi të kënaqur që, më së fundi, na është hapur një dritare për të filluar bisedimet për hyrjen n’Evropë, por duhet të jemi të vetëdishëm se kjo dukuri është pasojë e gjëndjes tejet të acaruar ndërkombëtare, në të cilën Rusia, një Vënd për të cilin një poet i yni dikur shkruante: “Tek Stalini, tek Rusia  t’i kenë sytë e gjithë Shqpnia”, zbuloi fytyrën e saj të vërtetë, duke mëtuar të vendosë një “rend të ri”, krejtësisht të kundërt me atë perëndimor, për të cilën, fatmirësisht të gjithë jemi n’ujdi se përfaqëson synimin që duhet t’arrijmë neve si komb.   

Në vitet e fundit kemi qënë të pranishëm në dukuri që është e vështirë t’i hasim në ndonjë vënd tjetër, edhe të botës së tretë. Tjetërsimi i rezultateve zgjedhore, braktisja e institucioneve dhe e detyrimeve kushtetuese, siç janë votimet për formimin e tyre, votime për autoritetet vendore, në të cilat marrin pjesë vetëm 18 % e votuesve e quhen si diçka e rregulltë, mosmarrëveshje të hapura ndërmjet institucioneve, ndërmjet kryesisë së Shtetit dhe parlamentit apo qeverisë, projekte për të miratuar “amnisti fiskale”, e cila kundërshtohet nga të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare, për të përmëndur vetëm disa prej tyre që i kanë dhënë Vëndit tonë më shumë pamjen e një “Republike të bananeve” se sa të një Vëndi evropian.

Përballë një gjëndjeje të tillë zhgënjyese, m’u duk e kotë dhe padobishme vazhdimi i shkrimeve, duke përsëritur vetveten mbi tema që përsëriten në realitetin shqiptar. Mendova se do t’ishte më i dobishëm përkthimi i artikujve të zgjedhur nga e përditëshmja m’e mirë e shtypit italian “Corriere della Sera”, për të dhënë ndihmesën time në paraqitjen e e problemeve të botës së sotme, nëpërmjet pendave më të shquara të publiçistikës italiane.

Desha të shtoj për lexuesit e “Përsiatje njerëzore, letrare, shoqërore, historike” përmbajtjen e një letre që qëndron e palosur mes faqeve të librit, që nga tashmë e largëta datë 7 mars 2012. Autori i saj është shkrimtari Visar Zhiti. Është një letër vetiake, në të cilën ai shpreh përshtypjet e tij nga leximi i këtij libri, e për të cilën i kërkova lejen e duhur për t’u a paraqitur lexuesve.

Ja teksti i saj:

“….. Doja të të takoja dhe u pamë, megjithëse pak dhe trishtueshëm, pranë një arkëmorti,madje sot ke dhe një shkrim në gazetë, “Nga New Yorku në Iballe”. E çmoj shumë angazhimin tënd me rrëfimet që jep, sidomos me mendimet dhe idetë, janë të vyera dhe mbushin një zbrazësirë humnerore të kujtesës dhe moralit.

E kam fjalën tani për librin e mrekullueshëm që sapo është botuar, “Përsiatje”, është një prurje në fushën e mendimit, mungonte. Mënyra se si i ke shpalosur çështjet, të përjetuarat nga ty apo që kanë tërhequr vëmëndjen tënde, edhe se nuk citojnë gjithshka të dalë në këto vite, e pamundur dhe e panevojshme, kanë kapur ato maja që japin një reliev të plotë, njerëzor, të dhembshëm, me qëndrim qytetar, me kurajo, me kulturë mbi të gjitha, se mund të kesh të drejtë, por pa kulturën e duhur ajo e drejtë mbetet brënda teje.

Ti të bind, lexuesi bëhet me ty emocionalisht dhe e ke zgjeruar angazhimin me përballjet jo vetëm me të kaluarën dhe atavizmat e saj të fuqishme sot, por dhe me Evropën, ku guxon t’i a thuash ato që do dhe duhen. Me identitet e të drejtë, pa komplekse, kujtoj letrat “Corriere della Sera”-s.

Libri “Përsiatje ka rëndësi për sot dhe jo vetëm për sot, është nga ata botime që duhen, që shtrojnë çështje, tregojnë rrugë dhe mua më duket se rëndësinë e tij nuk e ka aq të qartë, jo vetëm botuesi, por as dhe autori. Ai duhet të bëhet i njohur, libri ka profil të mirë, të parcaktuar dhe dinjitoz. Un e kam pak të vështirë të flas shumë, sepse jam trajtuar dy herë në atë, çmimi në San Feliçe Cirçeo dhe romani “Perëndia…”, të falënderoj dhe të jam mirënjohës. Si gjithshka që ke në këtë libër, ato janë shkruar me dashuri e sinqeritet, me mirësinë e rrallë, që shumë pak të tjerët e japin për të tjerët. Ti shpalos një shpirt bujar dhe shigjeta e busullës tënde drithëron vetëm në drejtim të polit manjetik të mirësisë dhe dhëmbjes.

Më vjen keq që nuk je në Tiranë, që të takoheshim për të folur më gjatë, që të të përgëzoja “dal vivo” për Veprën, por qofsh mirë me të gjitha ç’dëshiron, atje ku dëshiron të jesh dhe të fala të tuve nga ne familjarisht.

Përqafime

Visari

Falënderimeve botuesve, që janë motivi i parë shtytës i këtij shkrimi, i shtoj dhe ata më të përzemërtat shkrimtarit Visar Zhiti, me të cilin më lidhin një sërë kujtimesh, që nga zona e dytë e minierës burg të Spaçit, deri tek takimet në Romë, kur ai kryente detyrën e ministrit këshilltar për kulturën në ambasadën shqiptare në Romë.

Fjalët e kësaj letre do të mbeten gjithmonë për mua vlerësimi më i madh që përmblidhet në shprehjen: “Mua më duket se rëndësinë e tij nuk e ka aq të qartë jo vetëm  botuesi, por as dhe autori”. 

Faleminderit Visar jo vetëm për këtë gjykim për librin tim, por më shumë për Veprën tënde në dobi të kulturës e letërsisë shqipe, për të cilën të gjithë shqiptarët duhet të të jenë mirënjohës.      

Filed Under: Fejton Tagged With: Eugjen Merlika

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 78
  • 79
  • 80
  • 81
  • 82
  • …
  • 115
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT