• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DAMKOSJA E VESEVE TONA

October 5, 2022 by s p

Adil FETAHU/

(Ibrahim Kadriu: “Njëmijë e një net /tonat/”).

Vargut të veprave të tij të shumta, në prozë, në poezi e drama, shkrimtari Ibrahim Kadriu ia shtoi edhe një vepër, së cilës vështirë t’ia caktosh zhanrin: a është roman, novela, tregime, përralla, kritika…? E ka shkrua në stilin e tregimeve arabe të “1001 netë-ve.” Ashtu edhe e ka titulluar: “Njëmijë e një net (tonat)”. Në këtë libër autori i fshikullon e damkosë sjelljet, veset, shprehitë, dukuritë negative të individëeve e të shoqërisë sonë kosovare, duke i shtjelluar në stilin e tregimeve arabe të Sheherezades, prandaj nën titullin e librit, në kllapa ka shtuar: (Sheherezada në veten e parë).

Për lexuesit e shumtë të këtij vështrimi për librin e Ibrahim Kadriut, paraprakisht  duhet të japim një sqarim të shkurtër për tregimet arabe “1001 net” dhe të personazhit të Sheherezades,  sepse jam i bindur se as një përqind e lexuesve të këtij vështrimi nuk e kanë lexuar as kanë idenë për romanin historik e voluminoz, mbi 2500 faqe, të quajtur “1001 net”.

“1001 NET “ DHE SHEHEREZADA

Romani “1001 net”, është një  koleksion, një përmbledhje me tregime, përralla, legjenda, anekdota, humoreska dhe lloje tjera të krijimtarisë më interesante nga folklori popullor arab, persinan, indidan, etj. Kryesisht është prozë, por ka edhe shumë tregime në formë  poezie.  Ka shumë dialogje e monologje.  E gjithë ajo krijimtari lidhet me dy personazhe kryesore: me  perandorin e Persisë dhe të Indisë, Shahriari dhe me vajzen e bukur Sheherezada. 

Për shkak të tradhtisë në maratesë që u kishin bërë gruaja e perandorit Shahriar dhe e vëllait të tij Shahzamanit,  perandori kishte fituar bindjen se të gjitha gratë tradhtojnë. Për t’u hakmarrë kundër tyre, kishte urdhëruar që për çdo natë t’ia sillnin nga një vajzë të re, të cilat në mëngjes i vriste. Kjo kishte zgjatur tri vjet, duke shkaktuar frikë e tmerr për vajzat dhe prindët e tyre.  Duke ditur për këtë mizori të Perandorit, e bija e vezirit, Sheherezada, një vajzë e bukur, e arsimuar, e cila kishte lexuar e mësuar shumë gjëra, kishte bërë një plan si ta ndërpriste atë kriminalitet  dhe  kishte vendosur të shkojë vullnetarisht për të kalua natën me perandorin. Sapo hyn në dhomë me Perndorin, fillon t’i tregojë një tregim interesant e të gjatë, sa që zbardhi mëngjesi pa e përfunduar tregimin në pjesën më interesante, të cilin do ta vazhdonte natën tjetër. Duke pritur me kurreshtje përfundinin e tregimit, perandori nuk e mbyti  Sheherazaden në mëngjes, siç bënte me vajzat tjera, por e la që natën tjetër ta vazhdojë tregimin. Kështu Sheherezada vazhdoi tregime të cilat e magjepsin perandorin, duke mos e përfunduar, natën e parë, të dytë, të tretë e deri sa kaluan njëmijë e një net, afro tri vjet. Në ndërkohë Sheherezada i kishte lindur tre djemë. Perandorit i kishte pëlqyer Sheherezada dhe në përfundim të natës 1001, jo se e vrau, por i fali jetën dhe e shpalli Sheherezden për grua të veten me kurorë. Edhe motren e saj, Dariazaden e mori për grua vëllai i perandori, Shahzamani.

Romani “1001 net” është përkthyer  dhe ribotuar shumë herë pothuajse në të gjitha gjuhët e botës dhe ka pasur një ndikim edhe te shkrimtarët më të njohur, si Monteskie, Dikens, Pushkin, etj.  Shumë tregime nga ajo përmbledhje janë ekranizuar e bêrë filma për fëmijë e për të rritur. Romani është radhitur në vendin e 6 (gjashtë) të librave më të lexuara në botë. Në gjuhën shqipe, prej serbishtes e ka përkthyer  profesori Hilmi Agani, ndërsa në një periudhë prej njëzet vjetëve e ka botuar “Rilindja” në 8 vëllime librash. Vëllimet janë ndarë sipas numrimit të netëve, kurse vëllimi i fundit përmbanë tregimet e Sherezades prej natës 871 – 1001.

“NJËMIJË E NJË NET (tonat)”  

Duke ndjekur imagjinatën dhe stilin e përdorur nga romani historik arab, “1001 net”, shkrimtari ynë i njohur, Ibrahim Kadriu, ka krijuar një vepër letrare të pashembëllt në letërsinë shqiptare, të cilën e ka emërtuar “Një mijë e një net (tonat)”. Por, derisa  romani “1001 net” përmbanë  imagjinata, përralla e tregime nga krijimtaria popullore arabe e persiane, libri i Ibrahim Kadriut përmbanë ngjarje, vende, objekte e subjekte, dukuri e personazhe reale bashkëkohore kosovare.

Në 69 ese a novela të shkurtëra, ka përmbledhur një kompleks gjendjesh e situatash nga përditshmëria jonë, duke kritikuar dhe ironizuar sjelljet dhe veset e qytetarëve,  veçmas  pangopësinë e njerëzve të pushtetit. Në këtë frymë, librin e hapë me poezinë e Ali Asllanit, “Maskarenjtë”:

Hani e pini e rrëmbeni,

Mbushni xhepa mbushni arka…

Të pa brekë ju gjeti dreka,

Milionerë ju gjeti darka!…

Lexuesit e gjeneratave më të vjetra e mbajnë mend, se Ibrahim Kadriu, në cilësinë e gazetarit dhe redaktorit të gazetës “Rilindje”, në vitet e shtatëdhjeta e mbante një rubrikë të emërtuar “Sheherezada”,  në të cilën botonte tregime të stilit të “1001 netëve”. Nën ato tregime nënshkruhej me pseudonimin Riukad im Rahib (që ishte angram i emrit dhe mbiemrit Ibrahim Kadriu), emër që tingëllon si emër arab. Personazhi kryesor i tregimeve në atë rubrikë ishte Sheherezada. 

Dhe, në natën e parë, të “Një mijë e një netëve”tona, po e  njëjta Sheherezade e lidhë tregimin me ato të para pesëdhjetesa vjetëve, kur thotë: “…Dhe unë shqetësimet e mija ua rrrëfeja juve, dhe ju i kishit shqetësimet e jueja, që ishin të ngjashme. Dhe, pikërisht për këtë ngjashmëri shqetësimesh më bêtë shoqëri dhe ma mbajtët vullnetin e shkrimeve. Edhe sot, në këtë kohë të vonshme të cilën e kishim pritur me shekuj, siç po thonë do të mençur, dhe e kishim bindjen se do të jemi mirë, pa dhembje koke dhe me gjumë të rehatshëm. Dhe ky mendim ishte i rrejshëm, ashtu siç janë të rrejshme aq shumë premtime, dhe ato premtime sidomos bëhen para zgjedhjeve dhe me takatin e ministrave…”

Që në rrëfimin e parë, por edhe në disa rrëfime në vazhdim,  Sheherezada tregon shqetësimin e saj dhe të popullit, për: arsimin, hapjen e universiteteve e kolegjeve që janë bërë si fabrika për prodhimin e analfabetëve, pa menduar se ku do të punësohen e çka do të punojnë gjithë ata që kryejnë me diploma të blera, e që niveli i arsimit ka rënë edhe nën nivelin e disa shteteve të Afrikës.

Në vazhdimin e tregimeve, përmes Sheherezades në veten e parë, autori kritikon e dëmkos të gjitha prapshtitë, shprehitë, veset, gënjeshtrat, premtimet,  manipulimet, hajnitë, korrupsionin, keqpërdorimet e mjeteve të buxhetit, që financojnë vepra e gjithëfarë festivale të pa vlerë e nuk ndihmojnë krijuesit e veprave të mirëfillta.  Tregon shqetësimet e pensionistëve; shqetësimin për regjistrimin joreal të popullsisë dhe rënien e natalitetit; braktisjen e fshatit dhe mospunimin e tokës; ndojtjen e ambientit; aksidentet në komunikacion,  në rrugët e prishura dhe trotoaret e zëna;  përqindjet e “vjelura” nga tenderët; paratë e diaspores të humbura pa adresë; veteranët e rrejshëm; moskujdesi i fëmijëve ndaj prindërve; ndërtimet pa leje dhe projektet e parealizuara; moskujdesi ndaj personaliteteve të merituara; mospërkrahja e krijuesve; emërtimi i rrugëve me emra personash të cilët nuk njeh mahalla e vet; shkrimi i firmave në gjuhë të hueja;  padrejtësia ndaj diaspores lidhur me sigurimin e veturave; ngatërresat politike brënda partive;  kapardisjen me vlera të shpifura në art e letërsi; vërshimi i makinave të prishura si mbeturina;  peripetitë dhe pengesat për regjistrimin e veturave; puna e Trustit të pensioneve; investime të mëdha për punë të vogla (shembulli i objektit të Rilindjes); mosrealizimi i projektit të Gërmisë; mungesa e sundimit të ligjit; problemi i vizave; ejt. etj. Të gjitha këto i shtjellon përmes monologut të Sheherezadës dhe herë-herë  edhe përmes dialogut  me ndonjë mik a mike të saj (Haruni, Ali Duli, Gjylinazja etj.), duke marrë shembuj konkret nga jeta dhe (mos)puna e organeve dhe institucioneve tona. Novelizimin e situatës në Kosovë autori e bënë në mënyrë shkëlqyeshme, me humor e satirë,  duke marrë shembuj konkret e dëmkosë sjelljet, veset dhe dukuritë negative. 

Në këtë libër autori ka përdorur gjuhë e fjalë ekzoktike, sikur ato të romanit “1001 net”, duke pëdorur fjalë, emra, mbiemra e folje, kuptimin e të cilave e di vetëm gjenerata e vjetër e lexuesve, si për shembëll: havadyze; kanagjeqe; iftijaqë; nur; jaratisë; sajgi; zijaret;  duhma; rraqe; petka; nijet; sehir; jesir; kuvet; firade; gjytyrim; shitoft;  tebdil; ymri; evlia; nafuz; çehre; kajstile;  estekfurullah; sajdisë;  sevda; tabijat; kajmekam; sejmenë; habere; gjymysh; munafik; teveqel;, hygjym;  kërname; fiqir; hisedar, e të tjera si këto. 

Kronikën e tregimeve të Sheherezadës nga “Njëmijë e një net (tonat)”, e mbyll me intervistën që Sheherezada “e zhvillon” me dijetarin, diplomatin e shkrimtarin tonë, Faik Konica, i cili edhe vet ka marrë e përkthyer disa tregime nga “1001 net:, dhe i ka përfshirë në tregimet e tij: “Nën hijen e hurmave”. Dhe Sheherezada i bënë disa pyetje Faikut për aktualitetin tonë.  Me qenë se Sheherazada e zgjatë pyetjen, Faiku i thotë: “Më trego më shpejt se çka dëshiron prej meje, e mos e zgjat si deputetët që, edhe kur nuk dinë çka thonë, i sulen foltores. Dhe Shehezada fillimisht e lutë ta thotë mendimin e tij për mjerimin e shqiptarëve, dhe ai ia thot troç: Mjerimi ishqiptarëve ka qenë në tërë kohërat të kapej pas individëve dhejo pas ideve. Historia e shqiptarëve është e mbushur fund e krye me prova të tilla të përngjashme. Të përipiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. – Në pyetjen se çka mendon Konica për individët të cilët kanë fituar oroel pa pasur ide, merr këtë përgjigje: “Zgjidhja ideale do të ishte për shqiptarët të zhdukin njëherë e mirë ndikimet orientale, duke shkëputur çdo lidhje, fetare, morale apo letrare, qoftë me bizantinët, qoftë me turqit. Mirëpo, gjë e bukur të ndodhte kjo në çast. Zgjidhja do ishte e realizueshme po qe se stërgjyshërit tanë do ta kishin përgatitur me kohë për ne; atëherë neve do të na duhet ta përgatisim këtë zgjidhje për nipat tonë të ardhshëm”. – Në pyetjen që ta thotë ndonjë mendim për shqiptarët që krenohen me veten, Faiku i jep këtë sqarim: “Shqiptarët janë një komb të cilit i pëlqen të lëvdojë veten. Si thonë gojrrumbullët tonë, kombi shqiptar është i pari nga mendja, nga sjellja e nga trimëria. Sikur shqiptarët të qenë jo kombi më i mendshmi, por thjesht një komb i mendshëm, ata do të kishin dalë me kohë nga dita e zezë ku ndodhen”. – Në pohimin e Sheherezades, se shqiptarët janë trima, Faiku i përgjigjet: “Trimëria e shqiptarit nuk është e artë, është e teneqejtë…sado e madhe  (tingllon) në vetvete, është e vogël  në shkaqet që e ndezin…Trimëria e vërtetë është ajo  që vihet në shërbim të së drejtës dhe të Atdheut, në shërbim të dobisë së përgjithshme. Të tjerat janë punë egërsie e kafshërie, jo trimërie”. 

Edhe disa pyetje të Shehrezades dhe përgjigje të Faikut për situatën aktuale dhe perspektivën tonë, si dhe shqetësimet dhe dëmkosjet e autorit të librit për dobësitë, prapësitë dhe veset tona,  do t’i mësoni poqese e lexoni librin e Ibrahim Kadriut: “Njëmijë e një net (tonat)”, libër që, përmes personazheve të imagjinuara ose atyre reale, me gjuhën figurative, jo vetëm ju zbavitë, por edhe ju shqetëson për prapësitë dhe veset e përditshmërisë sonë. 

Dhe në faqen e pasme të kopërtinës së librit, sikurse edhe te “nata e pesëdhjetegjashtë”, i përëritë edhe njëherë vargjet e Ali Asllanit:

“Hani e pini e rrëmbeni, mbushni xhepa mbushni arka…

Të pa brekë ju gjeti dreka, milionerë ju gjeti darka.

Hani, pini e rrëmbeni, është koha e çakejëve,

Hani, pini e rrëmbeni, është bota e maskarenjve…

Dallavere nëpër zyra, dallavere në pazar,

Dallavere me të huaj, dallavere me shqiptarë.

Dhe për një kërkoni – pesë, por më mirë njëzetepesë,

Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë!”

Adil FETAHU

Filed Under: Fejton

6 tetor 1995…

October 5, 2022 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Bashke me kolegun tim ne Ministrine e Shendetesise Dr. Petraq Cama ishim ne Dublin ne nje takim nderkombetar per problemet e Financimit te Kujdesit Paresor dhe Mjekut te Familjes.

Menjehere pas fillimit te sesionit te pasdites (pas drekes), ne mes te fjales se nje doktori te njohur suedez, degjohen nga jashte britma gezimi dhe dikush hap deren e salles se takimit dhe njofton me gezim te madh :

“Poeti irlandez Seamus Heaney fitoi cmimin Nobel per Letersine 1995.”

Duartrokitje frenetike nga ana e irlandezeve te shumte ne salle…

Me pas nje koleg irlandez i drejtohet podiumit, “falenderon” folesin suedez per vendimin e Akademise se vendit te tij dhe i ngazellyer nga krenaria dhe gezimi vijoi:

“Heaney, biri i nje fermeri, fiton papritur Nobelin dhe sjell ne Irlande Nobelin e katert per letersine…duke ndjekur traditen e W. B. Yeats (1923), George Bernard Shaw (1925) dhe Samuel Becket (1969)…

Keqardhje per James JOYCE, me i madhi shkrimtar irlandez qe nuk pati fatin ta merte kete cmim prestigjoz…

Jemi krenar qe nje vend me 4 milion banore ne Republiken e Irlandes, por i nje kombi me mbi 40 milion ne Ameriken e Veriut, i ka dhuruar botes shume shkrimtare dhe poete te medhenj”

Doktori suedez po degjonte qetesisht fjalen e kolegut irlandez dhe pasi ky i fundit u ul ne vendin e tij, e rimori fjalen, por ndryshoi temen e diskutimit te tij…

Po flitej tashme per letersi…dhe mendoj qe mjeket jane “dashnoret” me te medhenj te letersise.

Nuk ka se si te shpjegohet ndryshe “Armata e madhe e Cehovit”…

” Sinqerisht nuk e kam lexuar Heaney dhe nuk besoj te ishte ne listen e fituesve te mundshem, por ndonjehere fitoret kane surprizat e tyre. Sinqerisht une do te uroja fitoren e nje shkrimtari te madh, shume me te njohur se Heaney, qe vjen nga nje vend i vogel dhe qe quhet ISMAIL KADARE…”

Kuptohet permendja e emrit te Kadarese, ne dy shqiptareve ne kete takim…na ngriti ne kembe duke duartrokitur te ciles iu bashkuan edhe pjesemarres te tjere…

Sa do te deshironim qe pasneser, me 6 tetor 2022, bashkekombasit e kolegut suedez qe jane pjese e jurise se Akademise Suedeze te Nobelit te votonin per gjeniun e letrave shqipe duke korigjuar me ne fund nje gabim sistematik prej 30 vitesh…

Do te ishte edhe nje pergjigje per pyetjen retorike te gazetes se famshme franceze “Le Figaro” : “Kur do ta njohe Stokholmi kalibrin me te madh te shekullit?”

Filed Under: Fejton

NJË VËSHTRIM I SHPEJTË  MBI LIBRIN E BEQIR SINËS “ROB, NJË BIOGRAFI PËR DY KOHË”

October 3, 2022 by s p

Nga Enver Memishaj/

Zonja e nderuar Tefta Çapaj – Mersini që e kaloi jetën në internim që nga mosha dy vjeçare, më dhuroi librin e gazetarit dhe fotografit te njohur Beqir Sina, i njohur nga mua edhe nga shkrimet për kushrinjtë e mi Qemal Lepenica dhe Pullumb Lamaj, në Amerikë, shkrime që i përfshiva në monografinë, kushtuar tim kushriri. (“Qemal Lepenica…”, Tiranë 2019, f.244 – 245)  

Beqir Sina është nga Dibra, lindur në internim në Savër të Lushnjës dhe me banim në Amerikën e ëndërruar prej tij. Me këtë libër ai është nisur të tregojë biografinë e tij, por falë inteligjencës dhe përvojës jetësore  ai në fakt na ka treguar biografinë e Shqipërisë komuniste dhe kjo është vlera dhe rëndësia e këtij libri dhe për këtë arsye duhet ta lexojnë të gjithë shqipëtarët, veçanërisht të rinjtë. 

Për vendet e internimit, pra edhe për Savrën, kanë shkruar shumë, por libri i zotit Sina është një përshkrim i plotë, një analizë e plotë me fakte tronditëse të atij vendi ku vuanin pa faj familjet shqiptare.

Libri përmbledh në fakt dy libra: Jeta imë në Shqipëri dhe Jëta imë në Amerikë. Unë do të ndalem vetëm në librin e parë, çka paraqet një rëndësi të madhe për historinë e Shqipërisë, pasi jeta në Amerikë është e njohur për shqiptarët që emigruan atje pas vitit 1990.

Pas arratisjes së të atit gjyshja e Beqirit, nëna e tij me një fëmi dy vjeç dhe me Beqirin në bark u internua në Savër të Lushnjës, atje pas tre muaj do të lindte Beqiri, ndërsa vëllai tij do të vdiste në moshën 12 vjeçe nga mungesa e mjekimit dhe urija, po atje në vuajtje dhe zemërdjegur do të vdiste edhe gjyshja e tij. Atje në mjerim do të kalonte Beqir Sina 30 vjet të jetës së tij (f.129)

Tregimi i vuajtjeve dhe tmerrevë të të internuarve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës na vjen tashmë nga një dëshmitar okular që mbi familjen dhe kurrizin e tij, kaluan ato tmerre dhe vuajtje që shqiptarët nuk i kishin provuar nga asnjë pushtues i huaj edhe nga fashistët dhe nazistët, por po i provuan nga komunistët shqiptarë.  

 Mjerimin e jetës në internim, në robërinë komuniste dhe të jetës së tij si rob i komunistëve, siç na e thotë autori edhe në titull të librit e përshkruan me realizëm mbi bazën e fakteve dhe provave, e përshkruan kaq bukur e me talent sa librin po fillove ta lexosh nuk e heq dot nga dora deri sa ta përfunosh.

Janë të shumta skenat që përshkruan autori për varfërinë, që nga uria dhe vuajtja e prindërve që nuk mund t’i kënaqnin fëmijët as me bukë thatë. “Nëna ime ishtë mësuar …, i merrte fëmijët me të mirë. Në këto raste ajo u jepte atyre ndonjë lugë sheqer…”, shkruan autori.  

Sa e dhimbshme. Sot sheqeri pothuajse është falas edhe lypsit e vegjël kur të vinë në kafene dhe ti , u ofron një paket sheqeri e refuzojnë me përbuzje, ndërsa në atë kohë një lugë sheqer për fëmijët ishte gjë e madhe. 

Më kujtohet zakoni i kohës kur shkonim për vizitë ditën e Bajramit dhe e zonja e shtëpisë një lugë kafeje me sheqer, na e hidhte në pëllëmbën e dorës! 

Autori nuk ndalet vetëm në analizën dhe përshkrimin e vuajtjeve në Savër, por ai është zgjeruar në tregimet e tij, çka flet për kulturën e gjerë që ka duke treguar nëpërmjet tregimeve familjare zakonet e traditat e mira të popullit tonë, zakone dhe ligje të cilat e kanë mbajtur popullin tonë përballë invadimeve dhe presioneve të pushtuesve të huaj. 

Kështu p.sh. fejesën me Altinën ai na e tregon me emocione njerëzorë që prekin zemrën dhe mendjen e njeriut. Ndërsa na përshkruan dasën e tij që e bëri me lekë borxh ashtu si gjithë shqiptarët në atë kohë. Edhe autorit të këtij shkrimi ku erdhi dita të martohej e thirri nëna dhe i tha: “Enver vështro të keqen nëna dhe bëhu llotari që të bëjmë dasmën”. Ashtu bëra edhe unë. Llotaria ishte një shpikje e kohës bëheshin 10 vetë bashkë dhe çdo 15 ditësh që paguheshin njeri merrte rrogat e të 10 të tjerëve dhe kështu me radhë deri tek i dhjeti… Kështu veprohej në atë varfëri e mjerim të komunistëve, si në internim dhe tek ne që quheshim të lirë pasi Shqipëria ishte një burg i madh. 

Ashtu siç tregohet në libër, por edhe siç na thotë vetë autori, qëllimi i tij nuk ishte thjesht të tregonte jetën e tij, apo të familjes së tij plot mundime, vuajtje e peripeci mbreslënëse, por “kujtesa na thërret dhe asnjë që ka sakrifikuar në këto vende të tmerrshme internimi nuk duhet të harrohet…  Secili ka një emër. Secili ka një kujtesë… Vetëm kështu zemra ime do të  qetësohet sadopak” (f.125 -126)

Dhe më tutje, në këtë libër, autori na jep listën e plotë të atyre individëve, apo familjeve që vuajtën të zit e ullirit në atë vend ferri si Savra e Lushnjës. Këta individë apo familje autori i përshkruan me realizëm, me dashuri dhe respekt dhe duket se edhe sot në botën e lirë atij i dhemb zemra për ata që vuajtën, dhe për popullin  e tij. 

Kjo duket që është edhe ideja kryesore që përshkon këtë libër, aq më tepër kur autori vë përballë kësaj jete të mjerueshme ku një popull i tërë jetonte nën shtypje çnjerzore, jetën e tij në Amerikë. Në “Shqipërinë e vogël prej më pak se 3 milion banorë kishte 23 burgje dhe 48 kampe internimi për të ashtuquajturit “armiq të popullit”. (f.118). 

Ka shumë kapituj e tregime në këtë libër ku mund  të lexohen me lotë në sy, si puna e rëndë raskapitëse në bujqësi, refuzimi për të shpëtuar jetën e një fëmije 12 vjeçar, vëllai Beqirit,  duke e lënë të vdiste pa e mjekuar etj.

Një nga tmerret më të mëdha të asaj kohe ishte edhe shpikja djallëzore, çnjerzore: demaskimet publike, kur “armikun e popullit” e nxirrnin para turmës dhe turma e bindur e shan e poshtëron dhe e … pështynë. “Në Savër u bënë të paktën pesë demaskime publike publike, që ishte shumë për një kamp me rreth 500 të internuar. U demaskuan Bardhok Zefi, Lazër Radi, Vocërr Hoxha, Ahmet Laholli dhe Reshit Mulleti”. (f. 120)

Kjo ndodhte në vendin e internimit, po në Ndërmarjen e Përpunim Drurit në Vlorë në vendin e “lirë” çfarë ndodhte? Edhe atje u demaskuan publikisht Sefer Dauti megjithëse ishte anëtar partie dhe ish piloti me grua ruse Ilias Kelo, ndërsa Llazar Cekon nga Narta e pushkatuna në moshën 37 vjeçare, pasi ai kaloi kufirin dhe doli në Greqi, por u kthye me vullnet të lirë pas një muaji!

Pra ajo që ndodhte në vendin e internimit, ndodhte edhe në vendin e lirë, pasi Shqipëria ishte një burg i madhe i rrethuar me tela me gjemba.

Jeta në interin ishte jeta në Baraka, mbuluar me eternit, asbestin kanceroz, dhe jeta zhvillohej në shoqërinë e mijve.”Arat përqark ishin plotë me minj… Më ndonjë vend kur tavani ishte çarë nga shiu, miu binte nga çatia në mes të dyshemesë… Në vitin 1980, barakave iu shtua asbesti, një material kancerogjen… Në Savër kanë vdekur shumë njerës nga kanceri, por ne nuk e denim nga vinte”. (123 dhe 125)

Ky ishte komunizmi i Enver Hoxhës. Me ndihmën e Kinës në Lushnje dhe në Vlorë në krah të fabrikës së çimentoe “Vladimit Iliç Lenin”, u ndërtua fabrika e eternitit, pra dukej sikur Lenini nuk ishte kënaqur me vuajtjet dhe tmeret e Enver Hoxhës, por duhet t’u linte trashëgim shqiptarëve edhe kancerin e mushkrive.

Pas demaskimit publik një tjetër akt çnjerëzor i komunistëve, që na përshkruan z. Sina ishte përpjekjet që ata bënin që familjarët të spiunonin njeri tjetrin. Komunistët arrestuan dhe dënuan për herë të tretë Musën, xhaxhanë e Beqir Sinës. Pas arrestimit thirrën në hetuesi të shoqen e Musës, Beqirin dhe nënën e tij dhe u kërkuan të tregonin se çfarë kishte biseduar Musa me ata dhe duhet të tregoheshin të sinqertë, pasi Musa kishte treguar…

“Në këtë e sipër, një polic që rrinte në këmbë  e qëlloi gruan e xhaxhait me një shpullë të fortë… Më vonë ajo do tregonte se nga ajo anë kishte humbur dëgjimin… Nuk kaluan as pesë minuat dhe polici u rishfaq në derë me xhaxhain. Musës ia kishin lidhur duart nga prapa… Ishte i hequr në fytyrë dhe dukej i vrarë në shpirt. Nuk e kisha parë kurrë me kokë të qethur dhe kjo, me sa kuptoj, duhet të ishte një tjetër formë poshtrimi…” (f.145 – 146)

Më duhet të theksoj se në vendet demokratike edhe në Shqipëri sot, mbrojtja e karakterit dhe dinjitetit të njeriut është e sanksionuar në kushtetutë.Nuk ke detyrim dhe nuk mund të dëshmosh për njeriun e afërt. Edhe një detaj tjetër nga tregimi Beqir Sinës. Të burgosurin e poshtërojnë duke i qethur kokën. Po përse sot koka e qethur ka dalë në modë? Aq më tepër koka e rruar një shëmti dhe munges karakteri.                                                        

Një i internuar pasi lexoi librin i tha autrit të këtij shkrimi: “Sa mirë e paska ditur dhe e ka treguar historinë time Beqir Sina”

Kaq mjafton për vlerat e këtij libri i shkruar me mend dhe me zemër sa që të duket sikur Beqir Sina tregon historinë tënde. 

                                               *      *      *

Nëpërmjet jetës së tij Beqir Sina ka treguar jetën në Shqipërinë komuniste e përshkruhet me realizëm, me talent dhe zgjuarsi.

Duke treguar biografinë e tij autori thellohet në histori, në të dhëna historike, siç është rasti i historisë së Savrës çka rrit vlerat e librit dhe e bën atë më tërheqës për një masë të gjerë lexuesiht. 

Në libër tregimet e tij bëhen plotësisht të besueshme për lexuesin, pasi në shumë raste autori i drejtohet shkencës së statistikave për të provuar padrejtësinë, shkeljen brutale të të drejtave njerëzore, vuajtjet, burgjet dhe tmerret që komunistët ushtruan me dhunë mbi popullin shqiptar. 

Rëndësinë dhe vlerat e këtij libri janë evidentuar edhe nga gazetyari i njohur Ilir Ikonomi, që la bërë recensën e librit.

Treguesi i emrave në fund të librit tregon për një punë serioze të autorit dhe që kalon vlerat e një treguesi të thjeshtë.

C:\Users\User\Documents\309120448_5437887686259022_2942088794567645853_n.jpg

Dokumenti që duhet të firmosnin të internuarit. I internuari Simon Miraka ka refuzuar firmën.

C:\Users\User\AppData\Local\Microsoft\Windows\Temporary Internet Files\Content.Word\100_2302.jpg

Filed Under: Fejton

Kosova nuk mund të bëhet viktimë e (pa)parashikimeve të gabuara për luftë

October 3, 2022 by s p

Shkruan Mehmet PRISHTINA/

Se sa seriozisht do të trajtohet nga diplomacia botërore viktimizimi serb, mbetet të shihet, por Kososva nuk e ka luksin të ndjehet komode duke pretenduar se ajo dikur ishte viktimë e agresionit serb dhe kështu duhet të ngelë përgjithmonë. Rrethanat gjeopolitike mund të ndryshojnë nga çasti në çast, kurse miqtë e djeshëm jo gjithmonë mund të kenë sensin e mirëkuptimit për të gjitha ankesat e Kosovës.

Presidenti serb Vuçiçi ka zhvilluar një polemikë në distancë me të dërguarin gjerman në Këshillin e Ministrave, Manuel Saraçin duke i thënë këtij të fundit se “nuk do të ketë Kosovë të pavarur ashtu siç e planifikon Berlini”.

Kjo retorikë e Vuçiqit erdhi pas deklaratës së më hershme të diplomatit gjerman sipas të cilit “nuk do të lejohet krijimi i një “Republika Srpska e re” dhe në një moment kur janë shpeshtuar zërat në Bruksel dhe në Washington sa i përket ashpërsimit të sanksioneve ndaj Rusisë pas intervenimit në Ukrainë.

Në anën tjetër, presidenti serb e ka përsëtur qëndrimin se “Beogradi nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë sepse, sipas tij, ajo po lufton për politikën e saj”.

Ende në strukturat udhëheqëse të BE-së nuk ka një politike unike ndaj këtij qëndrimi të Beogradit, ndonëse vëzhgues e analistë të shumtë perendimorë e shohin me brengosje këtë tolerim që i bëhet Serbisë. Kjo edhe për faktin se presidenti rus, Vladimit Putin, të gjitha dështimet në frontin e luftës në Ukrainë do të mundohet t’i kompenzojë në ndonjë aventurë të re në Ballkan, ku Serbia do të ishte sateliti kryesor që do t’i përçonte valët e kësaj aventure. Sepse në Beograd aktualisht janë në pushtet politikanët të cilët dolën nga kapota ushtarake e Millosheviqit dhe ishin protagonistët kryesor të shërbërjes së dhunshme të ish-Jugollavisë, ku Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina e paguan më së shtrenjti koston e kësaj shpërbërjeje. Në rrethana të tilla kur në Serbi nuk ka opozitë, është vështirë të presim reforma politike, prandaj pushteti aktual luan në dy karta, në njërën anë e keqpërdor tolerancën e Perendimit dhe në anën tjetër flirton hapur me Putinin për realizimin e synimeve pansllaviste.

Sa i përket mundësisë së shtrirjes së konflikteve të reja në Ballkan, ku Rusia do të ishte sponzorizuesja kryesore, qëndrimet e diplomatëve dhe analistëve janë të ndara. Disa ndikimin rus e shohin vetëm në planin propagandistik, kurse disa të tjerë janë të prirur të besojnë se Ballkani ende nuk është liruar nga rreziku i përhapjes së konflikteve ushtarake, të nxitura nga Rusia.

Ditë më parë, këshilltari i lartë në Këshillin e Atlantikut, Ian Brzezinski tha në një intervistë për Zërin e Amerikës, programin në gjuhën serbe, se nga pikëpamja e tij Rusia mund të përpiqet të nxisë probleme në disa zona përreth saj ndërsa nuk përjashtoi mundësinë që presidenti rus Vladimir Putin të përpiqet të nxisë trazira dhe kriza edhe në Ballkan.

“Ka tensione në Ballkan midis grupeve të ndryshme etnike në vende të caktuara, vende të ndryshme kanë tensione me njëra-tjetrën dhe Kosova e Serbia janë një rast klasik. Pastaj ka një paqëndrueshmëri të mundshme ne Bosnjë përbrenda dhe rreth marrëdhënieve më Serbinë. Këto janë raste të dukshme ku ndërhyrja ruse mund të jetë interesante për Putinin si një mënyrë për të nxitur një lloj krize që do të shpërqendronte perëndimin”, tha zoti Brzezinski.

Në valë të njejta është edhe ambasadorja Jennifer Brush, e cila një kohë ka shërbyer në Ballkan, e cila beson se ndikimi më i madh i luftës në Ukrainë mund të shtrihet në Bosnje e Hercegovinë dhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.

“Ato popullata serbe janë nxitur aktivisht nga rusët. Janë zonat e vetme ku mund të keni një poster të Putinit dhe ku Putini ka popullaritet, madje është ndoshta më popullor në Banja Llukë sesa në Moskë”, tha zonja Brush.

Të dy ekspertët e cilësuan të dëmshëm nënshkrimin e një marrëveshjeje ndërmjet Serbisë dhe Rusisë për “konsultime” të ndërsjella mbi çështjet e politikës së jashtme. Marrëveshja që u nënshkrua në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ka shkaktuar reagime të shumta brenda Serbisë, por edhe në nivel ndërkombëtar. Disa përfaqësues evropianë madje janë shprehur se duhet të mendohet edhe për ngrirjen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë në BE.

Edhe Bashkimi Evropian ka dalur kundër një marrëveshjeje e cila e afron më tepër Serbinë dhe Rusinë. Sipas zëdhënësit të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Peter Stano, kjo marrëveshje erdhi në kohën kur Rusia po vazhdon agresionin ndaj Ukrainës dhe çdo ditë “po e shkel të drejtën ndërkombëtare, forcat e saj po kryejnë krime ndaj civilëve e në pjesë të okupuara të Ukrainës po organizon referendume ilegale”.

Ndërkaq, duke shprehur mospajtimin e saj të hapur, edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon e ka cilësuar një skandal të rëndë marrëveshjen e nënshkruar midis Rusisë dhe Serbisë për “konsultime” të ndërsjellta mbi çështjet e politikës së jashtme. Përmes një postimi në rrjetet sociale, von Cramon thotë se “në mes të luftës në Ukrainë, Serbia nënshkruan marrëveshje me agresorin. Sipas saj, ky është një sinjal për ngrirjen e bisedimeve me Serbinë, pasi hyrja në Bashkimin Evropian nuk kalon përmes Moskës”.

Serbia vazhdon të merr shuplaka edhe nga Washingtoni zyrtar, pas nënshkrimit ë kësaj marrëveshjeje me Rusinë. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha se “lajmi për këtë marrëveshje të nënshkruar me Rusinë ishte befasues dhe në kundërshtim të plotë me takimet e tjera konstruktive në Nju Jork me zyrtarët serbë. Përafrimi i mëtejshëm me Rusinë është një hap në drejtimin e gabuar dhe në kundërshtim me aspiratat evropiane të deklaruara të Serbisë”.

Sa i përket pasojave që mund të ketë ky përafrim i Serbisë me Rusinë, nuk është aq vështirë të konstatohet se Kosova vazhdon të mbetet një nga targetetet e aventurave ruso-serbe, ndonëse sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Rusia nuk synon të ketë ndikim te kosovarët ose qeveria e tyre për të përvetësuar ndjenja ose politika pro-ruse, por ndikimi saj bëhet në disa forma të tjera

“Operacionet ruse të ndikimit janë kryesisht të kufizuara te serbët e Kosovës, me lejen e Serbisë, kryesisht për të parandaluar zgjerimin e sovranitetit të Prishtinës në zonat me shumicë serbe dhe lufta më e madhe e Rusisë ndaj Kosovës është pengimi i saj për t’u njohur nga organizata ndërkombëtare”, thuhet në një raport të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS).

Këto dhe arsyet tjera kanë detyruar autoritetet në Kosovë që të njoftojnë BE-në, NATO-n dhe SHBA-të se ka sinjale që dëshmojnë për rrezikun e shtrirjes së ndikimit rus në Kosovë. Ky ndikim manifestohet në forma të ndryshme, sidomos kjo vërehet në

në veri të Kosovës, ku në katër komunat me popullatë shumicë serbe, ka organizata të regjistruara në Beograd si OJQ, të cilat angazhohen për “thellimin e bashkëpunimit humanitar dhe forcimit të marrëdhënieve kulturore me Rusinë”.

Kosova me probleme të shumta të pazgjidhura sociale e ekonomike, e ka luks të tepruar të mendojë se është imune ndaj kërcënimeve për destabilitet nga ana e Serbisë? Megjithatë, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të sigurisë nuk besojnë se mund të ketë ndonjë luftë klasike në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilën e ka paralajmëruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Në vend të luftës klasike në mes të dy shteteve, mund të ketë luftë diplomatike ose luftë hibride të Serbëve në veri, kanë vlerësuar njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Këta të fundit mendojnë se Kurti bën mirë që flet për rrezikun nga lufta, sepe me këtë mund të alarmojë Perendimin që të ndërmerr masa më të ashpra ndaj Serbisë.

“Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, ka deklaruar në një intervistë për gazetën “La Repubblica”, kryeministri Albin Kurti.

Sido që të jetë, Kosova nuk guxon të neglizhojë rrethanat që mund të prodhojnë destabilitet të ri, sidomos në veri të vendit, pasi që edhe në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare të Serbisë të vitit 2021, Kosova cilësohet si rreziku kryesor për interesat e Serbisë. Në faqen e 18-të të këtij dokumenti Kosova përshkruhet si “vend i tensionve ndëretnike, si shoqëri e myslimanëve radikalë dhe prej nga projekti i Shqipërisë së Madhe vjen si burim i destabilitetit në rajon”.

Në anën tjetër , Kosova edhe pas katërmbëdhjetë viteve nga shpallja e pavarësisë, nuk ka miratuar në Kuvend një dokument strategjik të sigurisë, ndonëse një draft-strategji e sigurisë 2022-2027, u miratua nga qeveria Kurti më 4 korrik 2022.

Në mungesë të një strategjie kombëtare, Kosova si shtet e ka vështirë të hartojë plane veprimi që determinojnë interesat vitale të shtetit.

Luftërat nuk mund të parashikohen, dhe kjo vlen edhe për Kosovën e cila nuk mund të bëhet viktimë e parashikimeve të gabuara, qoftë të politkanëve, qoftë të ekpertëve të ndyrshëm. Nga historia ka plot shembuj që tregojnë se sa të paparshikueshme janë luftërat. Madje edhe udhëheqës të kalitur botërorë nuk kanë arritur t’i ikin kurtheve që sjell mosparashikimi i luftërave. Kështu, bie fjala, më 30 shtator 1938 u nëshkrua Marrëveshja e Munichut, mes Gjermanisë së Hitlerit, Italisë së Musolinit, Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës. Kryeministri britanik Neville Chamberlain u kthye në Londër duke e njoftuar popullin që nuk do të ketë luftë. Por pak pa u mbushur një vit nga kjo marrëveshje, më 3 shtator 1939, ishte po kryeministri Chamberlain dhe kryeministri francez Édouard Daladier, që së bashku kishin vendosur firmat në Munich, ata që i shpallën luftë Gjermanisë, dy ditë pasi Adolf Hitler kishte urdhëruar invadimin e Polonisë më 1 shtatori i vitit 1939, data kur tanket gjermane kaluan kufirin dhe hynë në terrritorin polak, që në histori njihet si fillimi i Luftës së Dytë Botërore.

Kosova dhe Serbia nuk janë në luftë, por vokabulari i politikanëve nuk dallon shumë nga atmosfera dhe psikoza që luftën e ka elementin kryesor të tensionimit të situatës në terren. Nëse i referohemi rrethanave historike, lufta ka qenë produkt i mosmarrëveshjeve në mes të dy e më shumë vendeve. Në rastin e Kosovës, luftërat kishin shënuar bilancin e vdekjeve e dëmtimeve që i kishte shkaktuar Serbia që nga betejat mesjetare e deri në luftën e fundit të vititi 1999. Por në luftën e fundit, Kosova, me ndihmën e aleatëve stategjikë (NATO-SHBA) doli e fituar dhe kjo vazhdon të prodhojë frustrim të pakontrolluar në kokat e politikanëve të pareformuar serbë, të cilët me çdo kusht duan ta kthejnë situatën para vitit 1999. Kjo është edhe arsyeja pse presidenti serb Vuçiç kohëve të fundit e paraqet shtetin e tij si viktimë, duke e akuzuar Kosovën se ajo është fajtore për këtë “pozitë të mjerueshme të Serbisë”.

Se sa seriozisht do të trajtohet nga diplomacia botërore ky viktimizim serb, mbetet të shihet, por Kosova nuk e ka luksin të ndjehet komode duke pretenduar se ajo dikur ishte viktimë e agresionit serb dhe kështu duhet të ngelë përgjithmonë. Rrethanat gjeopolitike mund të ndryshojnë nga çasti në çast, kurse miqtë e djeshëm jo gjithmonë mund të kenë sensin e mirëkuptimit për të gjitha ankesat e Kosovës. Prandaj klasa jonë politike dhe shoqëria në përgjithësi duhet të lirohen nga iluzioni i gabuar se Kosova nuk ka nevojë të ketë strategji mbrojtëse pasi që për këtë po mjaftoka asistenca ushtarake e KFOR-it dhe mekanizmave ndërkombëtare të sigurisë.

Filed Under: Fejton

NË GJURMË TË POEZISË MË TË MIRË FEMËRORE

September 30, 2022 by s p

Rudolf MARKU/

Alma Jaku ka qenë, deri para disa ditësh, një Poete pothuajse e panjohur për mua. Dija se banon në Lezhë dhe është një poete e rrethit të talentuar të krijuesve të atij qyteti. Kisha lexuar dy-tre poezi të saj në FB dhe vetëm kaq, sa për të më krijuar përshtypjen e një vajze të talentuar, rebele, që synon të shkruajë një poezi lirike thellësisht femërore, të sinqertë dhe me një naivitet tashmë të humbur, që i shkon poezisë, dhe, ndonjëherë, gjykuar nga mendësitë seksiste që janë në modën e trushplarëve modernë të political correctness, një poezi skandaloze…. Këtë përshtypje ma përforcuan poezitë e këtij libri që më ra në duar disa ditë më parë.

Më vonë, mosnjohja ime u plotësua me leximin e librit të parë të Poetes. Nuk e kisha ditur se ky libër me të cilën paraqitet para lexuesëve Alma Jaku në fakt qenka libri i dytë poetik i saj. Dhe se libri i parë i Almës ka patur fatin që të botohet me një parathënje dinjitoze shkruar nga poeti dhe prozatori i mirënjohur i letersisë sonë, dhe nga miku im, Preç Zogaj.

Parathënia e Preç Zogajt në fakt nuk më lë të them shumë. Libri i ri me të cilin paraqitet përpara lexuesëve Alma Jaku është një libër shumëmë i evoluar artistikisht dhe mjeshtërisht nga libri saj i parë. Duket se Alma Jaku përkushtimin ndaj poezisë e ka një betim serioz letrar të personalitetit të vet. Këtë përkushtim e ndjen menjëherë tek lexon poezitë e këtij libri. Shumë nga poezitë i kushtohen vetë Poezisë, e cila për Alma Jakun është po aq e rëndësishme sa dhe vetë akti hyjnor i dashurisë. Poezia dhe dashuria kthehen në këtë libër në një binom natyral, në një simbiozë natyrale, aq sa vetë poetja pyet me një naivitet të sinqertë femëror: Është Poezia ajo që më solli Dashurinë/ Apo vetë Dashuria më sjell Poezi?

Poezia e Alma Jakut më bëri për vete me thjeshtësinë e vargut, me freskinë dhe natyrshmerinë, si dhe me drejtpërdrejtshmërinë e saj, me guximin e Poetes për të thënë atë që ndjen, ndonjëherë përmes një humori të lehtë triumfues, pa u fshehur në guacka metaforike a në ca pseudoeksperimente gjuhësore spekullative dhe pretencioze… Poezia e Alma Jakut më kujtoi dy poetë anglezë të shekullit të XX- W.H. Davies dhe Anna Wickham, të cilët mendonin se një pellg uji në mesin e rrugës, me pesë centimetra thellësi, që nuk mund t’ia shohësh fundin, ngase uji është i turbullt, nuk mund të jetë më i thellë se Liqeni i Ohrit, të cilit mund t’ia shohësh fundin dhe në njëzetë metra thellësi. Poezia e Alma Jakut ecën natyrshëm në gjurmët e traditës më të mirë të poezisë femërore. Dhe vetë gjurmët e të gjitha poezive të mira femërore të kësaj bote të çojnë në shtigjet e primordialitetit të Poezisë së Safos, kryepoetes së botës.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 81
  • 82
  • 83
  • 84
  • 85
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE
  • Isuf Luzaj, poeti i mbërthyer në kryqin e kundërshtive!
  • Shaban Polluzha e Mehmet Gradica, in memoriam…
  • Tefta Tashko‑Koço: Sopranoja e përjetshme e skenës shqiptare, muzikës lirike dhe identitetit kombëtar
  • Uniteti Kombëtar si Doktrinë Gjeopolitike: Shqipëria dhe Kosova në Arkitekturën e Re të Rendit Ndërkombëtar
  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT