• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Të edukosh përmes ndëshkimit…

July 16, 2022 by s p

Erion Muça/

“Gjobë për këtë e gjobë për atë…të zesh mend se kështu e do ky popull se nuk merr vesh ndryshe..”

Por a janë identifikuar, analizuar vlerësuar sa dhe si duhet të gjitha format dhe menyrat parandaluese përmes ndërgjegjësimit, sensibilizimit dhe edukimit këshillues dhe rekomandues të popullatës për të mos arritur tek ndëshkimi?!

3 janë fazat e ndryshimit të sjelljes njerëzore që instancat përkatëse kryesisht institucionet publike duhet të marrin parasysh para ndëshkimit.

1. Gatishmëria për të ndryshuar sjelljen :

A i keni burimet dhe njohuritë për të bërë një ndryshim të qëndrueshëm me sukses dhe a keni pilotuar mjaftueshëm duke përdorur metoda të ndryshme deri në kuadër shterues për të nxjerrë konkluzionin që ndëshkimi është zgjidhja?

2. Pengesa që frenojnë ndryshimin e sjelljes:

A ka ndonjë gjë që ju pengon të ndryshoni situatën a i keni identifikuar dhe analizuar ato e keni dalë në rezultate që penalizimi është shpëtimi ?

3. Arsyet që sjellin rikthim në sjelljen e mëparshme :

Çfarë mund të shkaktojë një kthim në një sjellje të mëparshme?!

A kanë ndikim faktorë të tillë si: Trajtimi i barabartë para ligjit?! Arritja e një situate ideale të funksionimit të konkurencës në treg?! Trajtimi arbitrar i paligjshmërisë, abuzimit dhe zhgënjimi nga sa më lart?! Mungesa e ndjeshmërisë sociale dhe verifikimit shterues të situatës në plan të gjere për ta kuptuar atë bazuar në më shumë sesa objektivi apo përmbushja e qëllimit individual në shpërfillje të pasojave të gjithanshme që qëndrojnë pas ?

Ndëshkimi vjen pas ezaurimit të këtyre 3 fazave..

A është kaluar dhe kalohet përmes tyre për të mbërritur tek ndëshkimi?! Unë nuk besoj se zgjidhet menyra më e lehtë për ndryshimin e sjelljes. Ndëshkimi si menyrë lë të paditur dhe me mendjen e vet shkelësin dhe mbush arkën e shtetit me para për shpenzimin e të cilave asnjëherë nuk ka patur transparencë.

Filed Under: Fejton

“Bëni pyetje të vështira”

July 15, 2022 by s p

Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim ka nxitur gazetarët e rinj të diplomuar në laboratorin e gazetarisë investigative t’i drejtojnë zyrtarëve pyetje të vështira. Ajo tha se është detyra e tyre të përgjigjen ndërsa shtoi se nëse kjo nuk ndodh kolegët e tjerë duhet të bëjnë të njëjtën pyetje derisa të marrin përgjigjen për pyetjen në fjalë. “Urime për arritjet tuaja në programin e Laboratorit të Gazetarisë Investiguese. Presidenti Biden tha së fundmi në Ditën e Lirisë së Shtypit se “shtypi i lirë nuk është armiku i njerëzve. Përkundrazi, kur atë e nxit puna për të ndriçuar dhe edukuar, dhe jo për të ndjellur zemëratë apo argëtuar, shtypi është rojtari i së vërtetës”.

Shpresoj se keni mësuar se si të jeni vëzhgues më të mirë dhe shpresoj t’ju shoh në terren duke zbatuar ato që keni mësuar – duke i kërkuar llogari autoriteteve qeveritare, duke hedhur dritë mbi informacione që disa njerëz përpiqen t’i fshehin dhe duke ofruar transparencë.

Ju nxis që të vazhdoni të mësoni, por edhe të edukoni të tjerët, përfshirë edhe zyrtarët që intervistoni, mbi dy gjëra të rëndësishme: se është detyra juaj të bëni pyetje të vështira dhe se është detyra e tyre të japin përgjigje.

Është detyra juaj profesionale dhe një shërbim publik të bëni pyetje. Është detyra e zyrtarëve, duan apo nuk duan ata, që t’iu përgjigjen pyetjeve. Nëse zyrtarët nuk u përgjigjen pyetjes tuaj, përsëriteni dhe përsëriteni sërish. Kërkojuni kolegëve tuaj të bëjnë të njëjtën pyetje derisa zyrtarët, pavarësisht se kush janë ata, të përgjigjen.

Shpresoj që të vazhdoni të punoni fort për të ndriçuar, edukuar dhe për të qenë rojtarët e së vërtetës që i duhen demokracisë së Shqipërisë” tha në fjalën e saj Ambasadorja e SHBA në Shqipëri Yuri Kim.

Filed Under: Fejton

Shqiptarët, Ballkani Perëndimor dhe e ardhmja e tyre

July 11, 2022 by s p

Zenel Çeliku/

Cilido shqiptar mundet të pyes, kush është e ardhmja e Shqipërisë dhe në tërësi e Ballkanit Perendimor ? A ka qënë dhe a është serioz Bashkimi Evropian (BE) në marëdhënie më vëndet e këtij Rajoni ? Pse BE-ja nuk i mban premtimet për këtë zonë gjeografiko-politike?

Le të fillojmë me samitin e mbajtur së fundmi të liderëve të nismës rajonale të Ballkanit të hapur në Ohër dhe me samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

BE-ja në afro 20 vite, vëndet e Ballkanit Perëndimor i ka parë me syrin e njerkës- “thonë gojët e liga”. Vërejmë se mbas pushtimit rus në Ukrainë, BE-ja shkaktoi një debat themelor, nëse do të pranojë apo jo në familjen e saj vendet e Ballkanit Perëndimor-Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjë & Hercegovinën. Nëse BE-ja është serioze për të marë vendimin për të pranuar vendet e lartpërmendura në gjirin e saj, pyetja që shtrohet është ; pse nuk vepron dhe pse orvatet tek vetoja e Bullgarisë e cila ka penguar dhe pengon hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut? A mjafton frika e luftës së agresionit rus edhe në Ballkan?

Egzakt kanë kaluar 19 vjet nga miratimi i axhendës së Selanikut (Greqi) për Ballkanin Perëndimor, që parashikonte anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Kjo axhentë ngeli vetëm në kuadrin e premtimeve për perspektivën evropiane të vëndeve të këtij Rajoni, ku BE-ja thotë se këto janë shtete shumë të rëndësishëm për vetë Europën. Asgjë, asgjë konkrete nuk ka ndodhur deri më tani në lidhje me anëtarësimin e tyre në BE. Çfar mendojnë qytetarët e vëndëve të këtij rajoni? Dekleratat dhe premtimet e BE-së për anëtarësimin e vëndeve të Ballkanit Perëndimor janë gënjeshtra, tallava gjeo-politike apo paaftesi e Europës plakë?

Në rethanat e krijuar nga agresioni rus në Ukrainë, vendimi I shpejtë i BE-së për t’i dhënë Ukrainës dhe Moldavisë statusin e kandidatit në BE, vetëm tre muaj pasi kanë dorëzuar aplikimin e tyre për anëtarësim në BE, ka ngjallur pakënaqësi dhe zhgënjim të madh nga gjashtë vëndet e Ballkanit Perëndimor. Shikojmë se BE-ja mban qëndrime me dy standarte kur ajo ka interesa madhore. Ndërsa aktualisht, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe vëndet e tjera të Ballkanit Perëndimor janë në pritje 20 vjeçare të integrimit në BE. Për fat të keq vetoja bullgare ka ndaluar pa kuptim shpresat e dy vëndeve tona, BE-ja çfar po bën?

Në këto rrethana parlamenti i Bullgarisë nën presionin ndërkombëtar, pak ditë më parë miratoi një vendim që i hap rrugë hapjes së negociatave BE – Maqedonia e Veriut ku përfiton edhe Shqipëria. Por, si është pritur dhe çfar po ndodh në vëndin fqinj-në Maqedoninë e Veriut? Sipas politikës maqedonase, zhbllokimi I vetos bullgare për t’i hapur rrugë integrimit të maqedonasve në BE, është një “Kal Troje” për Maqedoninë e Veriut. I ashtuquajtur zhblokimi I Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut që të hapë negociatat me BE-në, me frocë nuk pranohet nga opozita maqedonasë, sepse qëndrimi bullgar mohon ekzistencën e Maqedonisë së Veriut si shtet, mohon popullin e saj, mohon identitetin e saj dhe gjuhën e saj. Për politik-bërësit e Maqedonisë së Veriut, vendimi i Parlamentit të Bullgarisë, është i papranueshëm, ata thonë se vendimi bullgar në fakt imponon kushte edhe më specifike në dëm të Maqedonisë së Veriut. Qëndrimi I fundit bullgar që heq veton për hapjen e bisedimeve BE- Maqedonia e Veriut, është pritur me duartrokitje nga BE-ja dhe nga Shqipëria në veçanti si shtet I penalizuar si shkak I bllogimit të Maqedonisë së Veriut nga Bullgaria. Tashme pas vendimit te ri bullgar, sipas liderëve të BE-së, Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të shfrytëzojnë periudhën e ardhshme për të gjetur një marrëveshje kompromisi në përputhje me projektin e presidenti francez-Emmanuel Macron. Ka shumë opinionistë dhe ekspertë të politikës të Ballkanit Perëndimor që mendojnë se BE-ja vazhdimisht i shmanget qëndrimit konkret për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE. Në këto rethana, presidenti francez – Macron, ka nisur së fundmi një iniciativë për krijimin e një aleance politiko-evropiane ku përfshin edhe vendet e Ballkanit Perëndimor. Duke qenë se BE-ja është një aleancë politike, ekonomike, kulturore e bazuar në vlera, vërejmë se po krijohet një rend i ri global, por çështja është ; çfarë vendi do të zërë Ballkani Perëndimor në këtë rend të ri ???

Tashmë vendimi bullgarëve sipas projektit – Macron, ka ngjallur zemërim dhe protesta të fuqishme nga opozita në Maqedoninë e Veriut, aq sa ka rrezik për rendin politoko-shoqëror të këj vëndi. Momentalisht situata e rëndë në Maqedoninë e Veriut na bën të mendojmë dhe të dyshojmë, a do të ketë zhvillime pozitive për hapjen e nogociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë e Veriut ? Theksojmë se, edhe fati i Shqipërisë varet nga zhvillimet në Maqedoninë e Veriut sepse dy vëndet tona janë vlerësuar në bllok për hapjen e negociatave.

Me besim dhe me dorë në zemër, “dashtë Zoti” që ky moment të jetë një shrese për qytetarët e të dy vëndeve tona, por pa eksese dhe gjarje të hidhura. Ballkani Perëndimor nuk ka koh për të humbur, por edhe BE-ja duhet të nxitoi sepse interesat e saj, janë të lidhura ngushtë me Ballkanit Perëndimor.

Zenel Çeliku

TIR-Fax News Agency 11 Korrik 2022

Filed Under: Fejton Tagged With: Zenel Celiku

Festa që më kujton Nanën

July 9, 2022 by s p

Bajram Mjeku/

Sa herë ofrohet ndonjë festë apo event familjar, është e pamundur të mos e kujtosh Nanën, më saktë shenjtërinë e njerëzimit në këtë botë.

Lidhja midis Nanës dhe fëmijës mbetet gjithmonë e veçantë dhe dashurinë për nanën e ka të vështirë ta portretoj secili njeri, qoftë edhe ne që e njohim zejen e shkrimit. Vjen një moment i vështirë e thua; asnjë gjuhë amtare në botë nuk ka leksik aq të pasur për të shprehur ndjeshmërinë dhe dashurinë për nanën!

Me lexuesit e mi, dua të ndaj një episod të jetës time në prag të festës, por që nuk do të bëj ndonjë “zbulesë”, pasi secili nga brezi im i ka përjetuar këto episode siç i kam përjetuar unë.

Në prag të festave, nana ime kujdesej fort për pastërtinë e trupit të secilit nga ne fëmijët dhe sa herë më fuste në banjo, përdorte një refren që më është ngulitur fort në kujtesë:

– Nuk ia vlen të kesh vetëm shpirtin e pastërt, pa e patur edhe trupin!

Ceremonia e larjes nuk bëhej sa për të thënë, por zgjaste disa minuta dhe në prag të festave ishte edhe më e veçantë. Edhe sikur të isha larë një orë më parë, ajo e përsëriste këtë, për respekt të festës dhe për dashurinë ndaj Zotit. Në fillim me duart e saj provonte ujin mos ishte tepër i nxehtë, pastaj vazhdonte pastrimin e trupit tim me shumë pasion, ashtu siç është pasionante dora e nanës mbi trupin e fëmijës së saj.

Nana ime ishte një besimtare e devotshme, por jo “pompoze”, duke lëshuar zë që ta dëgjojnë të tjerët se i lutej Zotit. Kam ndjesinë se derisa lutej në këtë mënyrë, lutjet e saj ishin më kuptimplote dhe më të fuqishme, derisa në këtë pjesë vazhdoj ta admiroj derisa të jem gjallë.

Mbas ceremonisë së larjes, e veçantë ishte edhe ajo e veshjes. Nanat e brezit tim nuk mbanin parfime të ndryshme siç përdoren sot, por arkat e tyre ku i mbanin të palosura rrobat tona, mbanin erë mollësh dhe ftonjësh dhe këto erëza të ëmbla nuk i zëvendëson asnjë parfim i kohës sonë.

Ditën e Bajramit të Vogël, do t’ia dedikoj nanës time dhe lutjet e mia nuk do t’i bëj pompoze, ashtu siç nuk i bënte nana ime e mirë. Lutjet e mia për shpirtin e saj do t’i ndjej vetëm Zoti…

Filed Under: Fejton Tagged With: Bajram Mjeku

LA REVUE POLITIQUE ET LITTÉRAIRE (1914) / RRËFIMI I VIZITËS SË GABRIEL LOUIS-JARAY (STUDIUES FRANCEZ) NË TEQEN E BEKTASHINJVE TË ELBASANIT

July 8, 2022 by s p


Teqja e Madhe e Elbasanit (1914) – Fotografi e Hendrik Heimers – Burimi : Arkivi Digjital Shqiptar
Teqja e Madhe e Elbasanit (1914) – Fotografi e Hendrik Heimers – Burimi : Arkivi Digjital Shqiptar

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 8 Korrik 2022

“La Revue politique et littéraire” ka botuar me 25 prill 1914, rrëfimin e vizitës së Gabriel Louis-Jaray (studiues francez) asokohe në Teqen e Elbasanit, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një manastir mysliman në Shqipëri

Në Teqen e bektashinjve të Elbasanit

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

50 metra mbi luginë, në anën jugore të malit të Krrabës, Teqja e bektashinjve të Elbasanit vë në pah ndërtimet e saj në mes të pemëve të mëdha që veshin të gjitha shpatet fqinje me gjelbërim.

Dy rrugë takohen rrëzë manastirit shqiptar; njëra vjen direkt nga Elbasani, gati 3 kilometra larg; tjetra anashkalon kodrën e vogël të Krastës, e cila ngre kupolën e saj të gjelbëruar mbi rrjedhën e Shkumbinit, e devijon atë dhe përparon si një shtizë midis qytetit dhe lumit; lugina e ngushtë e burimit në dalje të maleve hapet vetëm në këtë vend për të formuar pellgun e aluvioneve nga i cili padyshim ka marrë emrin qyteti i Elbasanit.

Ndërtuesit e manastireve kanë gjithmonë orientimin e vendeve dhe shije për vende të favorshme; po ashtu pikërisht në hyrje të kësaj treve është ndërtuar Teqja; nga tarraca e saj vështrimi ndjek luginën e Shkumbinit në lindje; në jug, ai ende sheh lumin, shtrati i të cilit bën një kthesë të papritur në këmbët e manastirit, dhe në perëndim, ai shtrihet në shpatet e largëta që kufizojnë fushat me oriz, misër dhe drithëra, të cilat mbulojnë fushën e Elbasanit.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Kongresi shqiptar i Elbasanit sapo ka përfunduar, në oborrin e shtëpisë modeste ku mblidhet, drejtuesit kanë shpalosur flamurin e kuq të kapërcyer nga gjysmëhëna dhe më kanë kërkuar t’i fotografoj para tij. Pastaj njëri prej tyre më tha si për të më falënderuar: “Dua të të çoj në teqen fqinje; do të shihni, vendi është simpatik dhe atëherë do të jetë kënaqësi që ju të vizitoni varrin e nderuar të shenjtorëve tanë që prehen atje”.

Qamil beu më merr me vete; thërret një shok dhe një shërbëtor dhe së bashku dalim jashtë qytetit; së shpejti i afrohemi një lëndine; në sfond, pemët e larta prenë gjethet e tyre kundër qiellit të zbutur; pas nesh perëndimi i diellit zgjat siluetat tona fantastike dhe praron gurë të bardhë, të shumtë e të ngjeshur si një ushtri, drejt e të ngulur në tokë si mauzoleume të vogla; në rreshtin e tyre kalojnë bujqit që kthehen nga puna dhe gomerët kullosin pa nxitim në qetësinë e mbrëmjes. Qamili më tha: “Shiko, këtu janë varrezat tona; i kalojmë për të shkuar në Teqe; shikoni këtë gur të madh të bardhë që sapo është gdhendur; rreth sheshi nuk është ende i ngjeshur mirë; kjo sepse kalojmë pak nga ana ku është ngulur; një mik prehet aty prej një kohe të shkurtër ; e humba vitin e kaluar; dallohet ende varri i tij ; por së shpejti do të jetë e vështirë ta gjesh atë; të vdekurit ripërtërihen shpejt dhe “gurët u shtohen të vjetërve kudo që ka vend për të mbushur.”

Në anë të malit shfaqet një ndërtesë njëkatëshe; është manastiri; nëpërmjet një rruge të lehtë, njeriu arrin pa vështirësi dhe Qamili më prezanton me murgjit. Këta janë të paktë në numër dhe ndërtimet janë më se të mjaftueshme për ta. Teqja është vetëm një shtëpi e urdhrit bektashi, qendra fetare e të cilëve është në Koniah në Azinë e Vogël; por qendra shqiptare ishte deri tani në Kalkandelem dhe bektashinjtë e Shqipërisë përbëjnë një urdhër (rend) të vërtetë mysliman shqiptar; në radhët e tyre ka thuajse vetëm shqiptarë dhe kanë teqe në të gjithë vendin, në Pejë, Gjakovë e Prizren, në veri e sidomos shumë, me toka të konsiderueshme, në jug, te Toskët.

Murgjit e vërtetë janë dervishë; por pranë tyre bejlerët shqiptarë merren si bursarë me administrimin e përkohshëm të tokave; kështu në Kongresin e Elbasanit ishte i pranishëm në këtë cilësi një bej i Kalkandelemit, bursar i Teqes qendrore të Bektashinjve.

Është mjaft e vështirë të përcaktohet veprimi politik i urdhrit; me thënë të drejtën shfaqet mbi të gjitha si një veprim kombëtar shqiptar. Më parë, kur shqiptarët ishin të plotfuqishëm në Kostandinopojë, ministrat që rrethonin sulltanin ishin bektashinj; në mesin e shekullit të 19-të dhe që nga Sulltan Mahmudi, këto zakone u zhdukën, por nën sundimin e Abdul Hamidit bektashinjtë ishin në favor të Padishahut. Karakteri i tyre si klerikë myslimanë i mbrojti kundër xhonturqve, por këta të fundit vetëm e frenuan nacionalizmin shqiptar, rendi i të cilëve është i ngulitur; në Shqipëri janë të paprekshëm, sepse e gjithë popullsia myslimane, nga beu i pasur deri te fshatari më i varfër, ka për ta një respekt të thellë dhe një nderim pa rezerva; në çdo teqe, varret e shenjtorëve janë një vend pelegrinazhi i përditshëm; çdo besimtar shkon aty për të depozituar ofertën e tij të madhe ose modeste dhe rendi (urdhëri) jeton nga të ardhurat e tokave të tij dhe dhurimet e myslimanëve të devotshëm.

Kështu, me gjithë kundërshtimin e doktrinave fetare, format e organizimit kishtar nuk janë shumë të ndryshme mes myslimanëve dhe ortodoksëve; tek njëri apo tjetri, krahas klerit shekullor, papa ose hoxha, që jeton në mes të besimtarëve, merr pjesë në ekzistencën e përbashkët, merr një grua dhe ndërton një shtëpi, një element fetar është formuar prej shekujsh rreth faltoreve, varreve dhe kujtimeve të nderuara; murgjit jetojnë atje një jetë kontekstuale nën drejtimin e një prijësi dhe manastiri është bërë me kalimin e kohës një qendër kombëtare aq edhe fetare, shtëpia e kombësive në luftë, tempulli i gjallë i traditave dhe shpresave të një populli; në këto rajone të diskutueshme të Ballkanit, manastiri përqendron gjithçka që mbetet e gjallë në ndjenjat popullore.

Ashtu si, në mesin e ortodoksëve, murgu, ndryshe nga Papa, nuk martohet për t’ia kushtuar të gjithë veprimtarinë e tij propagandës dhe mbrojtjes së idealit të tij fetar dhe kombëtar, ashtu edhe bektashiu është dervish dhe në një ceremoni solemne, e shpall atë dhe betohet se nuk do të marrë një grua. Ekzistenca e tyre është e ndarë midis lutjeve dhe ceremonive fetare dhe punës në fusha, dhe detyra e tyre është të vëzhgojnë varrin që u është besuar. Është ai i një shenjtori të madh të rendit të tyre dhe varri i tij mbrohet nga një konstruksion guri gjashtëkëndor, i vendosur pak metra mbi ndërtesat e tjera. Murgjit më çojnë atje. Në njërën anë të ndërtesës hapet një derë e ulët dhe në anën tjetër dritare të ngushta; më lanë të hyja; pjesa e brendshme është e ndriçuar fare pak ; në dysheme shtrihet një varr prej druri; një çarçaf jeshil e mbulon pjesërisht; pranë këmbëve kanë hedhur një mbulesë të qëndisur; në krye, dërrasa e varrit mbart një kunj druri të ngulur në mënyrë të pjerrët, rreth të cilit është mbështjellë një vello me garzë. Kjo eshte e gjitha ; muret e zbardhura me gëlqere janë të zhveshura. As një mbishkrim, as një fjalë: vetëm heshtja e vdekjes.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Duke u larguar nga Teqja, pyes udhërrëfyesin (guidën) tim nëse murgjit vijnë për të medituar këtu; ai më përgjigjet thjesht: nuk kanë nevojë, pasi jetojnë në këto vende. Ishte e vështirë të shtyja më tej shkëmbimin e ideve, por doja të përshkruaj për veten time gjendjen shpirtërore të shërbimeve që më drejtuan dhe të ndjeja se si ndryshonte nga eremitët tanë në Perëndim dhe mendova: shenjtori, siç e përfytyrojnë shpirtrat tanë të krishterë, formon si ideal soditjen e Hyjnisë, të konceptuar si një person pafundësisht të përsosur, të cilin ai aspiron ta njohë dhe ta imitojë; ndërgjegjja e tij është selia e një beteje thellë brenda vetes, dhe shenjtëria e tij rezulton nga një fitore në një luftë midis virtyteve të tij pranë Zotit dhe instinkteve të tij natyrore, të cilat ai dëshiron t’i shtypë; shenjtori, duke besuar në perversitetin e natyrës, përpiqet të triumfojë mbi kufizimet e tij dhe aspiron idealin hyjnor, burimin e çdo përsosmërie; Prandaj jeta e tij është e thurur me mundime dhe është vetëm një përgatitje për vdekjen, ku fillon jeta reale.

I tillë nuk është i urti, virtytet e larta të të cilit nderohen pas vdekjes si varëse për jetën nga devotshmëria myslimane. Allahu dhe Muhamedi janë udhërrëfyesit e shpirtit të tij, por këta udhërrëfyes e urdhërojnë atë të përshtatet me natyrën dhe, nëse ai është besnik ndaj porosive të tyre, shpërblimi i tij do të jetë në parajsën e tyre të gjitha kënaqësitë tokësore të njëqindfishuara. Prandaj i urti sodit natyrën dhe gjithçka që merr pjesë në të; në çdo gjë që buron prej saj, ai sheh një flakë hyjnore dhe beson në bukurinë e saj dhe në mirësinë e saj kryesore; nëse ai shmanget nga turma e njerëzve, është për të komunikuar më mirë në natyrën e pamasë, dhe nëse ai mediton, është mbi jetën që shpërthen në gjithçka që e rrethon. Pra, ekzistenca e të urtit është një himn për natyrën dhe jetën, të cilën ai aspiron ta vazhdojë pas vdekjes ashtu siç e jetoi në gjysmë të rrugës, në paqe dhe harmoni, pa teprim apo luftë, për të shijuar kënaqësitë superiore në prehje të pafundme.

As mundimi dhe as lufta nuk shfaqen në jetën e murgjve myslimanë dhe Teqja është një strehë ku shpirti pushon. Varri i shenjtë nuk e bën hijen e tij mbi ekzistencat fqinje dhe dervishët përreth meje duket se njohin vetëm bukurinë e vendit ku i ka vendosur shija e themeluesit të Teqes. Gjithashtu, i pari prej tyre më fton të ulem nën pemët aty pranë përballë luginës ku rritet hija. Është përgatitur një tavolinë; rrushi zhytet në ujë të freskët dhe filxhanët e vegjël janë plot me kafe aromatike. Vapa e ditës po bie dhe velloja e mbrëmjes po përhapet tashmë mbi fundin e luginës, ku mbizotëron Teqja, kur një nga shoqëruesit e mi, i rrëmbyer pa dyshim nga kujtimi i ditëve të shkuara, thur një melodi krenare dhe melankolike, të cilën të tjerët e marrin në kor; është kënga shqipe e Skënderbeut.

Asgjë nuk tregon më mirë se sa shqiptari mysliman është së pari shqiptar; Skënderbeu, kujtimi i të cilit është i gjallë në mbarë Shqipërinë, është princi i fundit i Shqipërisë së pavarur që luftoi kundër turkut në të njëjtën kohë si mbrojtësi i Kryqit kundër Gjysmëhënës. Ne e dimë emrin e tij të vërtetë, Gjergj Kastrioti, me nofkën e Iskender-Bejt ose Princi Aleksandër, kur ishte rob lufte i turqve, debutoi në Azinë e Vogël; më 1443, ai la me shokë kampet turke të sulmuara nga hungarezët; në befasi ai u merr turqve qytetin që i ati qeveriste, Krujën, dhe shpall luftën e shenjtë, kryqëzatën kundër turkut; krerët e tjerë të klaneve (fiseve) e njohin atë si gjeneral dhe princ të konfederatës shqiptare, në Lezhë, dhe për një çerek shekulli i udhëheq ata në betejë kundër osmanllinjve: kryeqyteti i tij, Kruja, u rrethua dy herë nga sulltanët Murat dhe Mehmet II, por ai e zhvilloi fushatën (luftën) aq mirë sa ushtritë turke ishin të uritura, të shkëputura nga komunikimi i tyre; çetat e tyre u befasuan ; iu desh të largoheshin dhe kur ai vdiq në Lezhë, në 1467 ose 1468, pas 25 vitesh luftë të ndërprerë nga një armëpushim i vetëm, Shqipëria ishte e lirë dhe klanet (fiset) e bashkuara. Por ai vdiq, ndërsa gjeneralët e Aleksandrit ndanë Perandorinë e tij, bejtë e princit Aleksandër nuk ditën të ruanin konfederatën shqiptare dhe, si një top (vrull) i madh, pushtimi mysliman përmbyti vendin, konvertoi me forcë shumicën e banorëve dhe e mbylli për Perëndimin këtë territor që dikur kishte qenë krye urë e krishtërimit përtej Adriatikut.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Tashmë, nuk janë vetëm mirditorët dhe katolikët e veriut të Shqipërisë që ruajnë me kujdes të thellë kujtimin e heroit të krishterë; është e gjithë Shqipëria myslimane, ortodokse dhe katolike, ajo e teqeve dhe e manastireve, që ruan në kujtesën e saj figurën e mbrojtësit të fundit të Shqipërisë së pavarur. Shekujt që kanë kaluar e kanë rrethuar historinë e saj me një legjendë kaq popullore, saqë, nëse arrihet uniteti (bashkimi) i Shqipërisë, është ky kujtim që do të jetë çimentoja më e fortë. Nga e kaluara e largët e racës së tyre të lashtë, eposi i Skënderbeut është ai që mbijeton në shpirtin popullor; flamurin e tij Shqipëria autonome shkoi të gjente në kryeqytetin e tij Krujën, flamurin e kuq të zjarrtë që mbante shqiponjën e zezë me dy krerë; Ismail Qemali hoqi kryqin prej tij, Esad Pasha e kishte kapërcyer me gjysmëhënën, por secili prej tyre e mori si simbol të gjallë të kombit të ringjallur; dhe kur ai shpreh gjithë dëshirën e tij të fshehtë për liri dhe dëshiron të mishërojë besimin e tij në vetvete në një këngë, është himni i rëndë dhe dinjitoz, krenar dhe i trishtuar i Skënderbeut që merr; në të ringjallet pastaj nevoja e pavetëdijshme për të përsëritur me këto fjalë të dikurshme ndjenjat që gjallërojnë shpirtin kombëtar dhe e përgatitin për luftë:

O racë luftëtarësh

Fëmijë të Skënderbeut

Fitoni, o shqiptarë,

Lirinë e Atdheut.

Mjaft në skllavëri,

O e mjera Shqipëri,

O vëllezër merrni pushkën:

Vdekje ose liri!

Sot le të valvitim flamurin tonë,

Të shkojmë në mal;

Mbi gurë dhe shkëmbinj

Ne do ta fitojmë lirinë tonë.

Jeta për ne është një gënjeshtër,

Si gënjeshtër është skllavëria jonë.

Si mund ta lini Shqipërinë

Pa liri!

E tillë është kjo këngë, të cilës unë përpiqem të riprodhoj sa më besnikëri vargjet dhe ritmin fisnik; nga katër strofat e saj, e dyta shërben si refren dhe kështu çdo varg përfundon me thirrjen e ashpër: Vdekje apo Liri !

Jehona e luginës sapo e ka thënë sërish për të tretën herë; në këtë notë të fundit mbaroi kënga melankolike; heshtja dhe qetësia janë bërë edhe më të mëdha rreth teqes; era është shuar dhe asnjë degë nuk lëviz; akaciet dhe dafinat mbushin ajrin me aromën e tyre; rrezet e fundit të diellit ngrohin një djep hardhish në buzë të tarracës; ja ora e nisjes (largimit) ; muzgu është i shkurtër dhe duhet të jesh në Elbasan para se të bjerë nata; por, para se të kthehem në qytet me shoqëruesit e mi, unë, sipas zakonit, kam hapur derën e varrit dhe vendos, sipas zakonit shqiptar, dhuratën e mysafirit, monedhat e bakrit, në një trung të ndërtuar në mur dhe monedhat e argjendit në vetë drurin e arkivolit. Dhe ndërsa murgjit i shprehin urimet e tyre për një jetë të gjatë e të lumtur “Frankut” që ka ardhur nga përtej deteve për të parë kushërinjtë e tij në Shqipëri, i uroj atyre një Skënderbe të ri, që ringjall gjithçka që pashë tek ata aspirata, ndjenja dhe ideale gjatë atyre orëve të kaluara në Teqen e Bektashinjve.

Gabriel Louis-Jaray

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 89
  • 90
  • 91
  • 92
  • 93
  • …
  • 116
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT