• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GËNJESHTAR NGA HALLI

February 18, 2022 by s p

Tregim

Nga Ramdan Pasmaçiu

C:\Users\Agim\Desktop\Documents\foto Ramadan\tR PASMACIU 1.jpg

Që të jem i pastër me ju, e që t’ju rrëfehem siç i rrëfehen priftit në kishë,  domosdoshmërisht duhet t’ju tregoj se edhe unë, ndonëse më mbajnë për njëzet e katër karatsh, kam gënjyer një herë dikur, por nga halli veç, jo nga malli. Dhe, gënjeshtra ime, për fat, e bëri vegshin e ia vuri kësulën. Pra, nuk ndodhi këmbëshkurtër, po këmbëgjatë, më këmbëgjata që mund të gjendet. Merreni me mend, gjersa edhe tani, pas afro kaq e kaq vjetësh, nuk është zbuluar ende. Por nuk qe një gënjeshtër që mbajti kënd me shpresa të kota e premtime. Nuk i solli ndonjë të keqe a dëm kujt. Ndërsa mua më fali goxha gëzim! Dhe atij që gënjeva i dha aq entusiazëm, saqë u ngrit në këmbë e më shtrëngoi dorën fort!

Isha atëherë student i vitit të dytë i degës gjuhë – letërsi shqipe në filologji.

Qysh në fillim unë e shokët e mi kuptuam se pedagogu, që na jepte pjesën e parë të letërsisë perëndimore, ishte njohës i thellë i asaj lënde, po edhe me ndjenja të fuqishme për të, i dhënë me mish e me shpirt, me pasione vërtet të zjarrta. Për së pari herë atë vit hapej Universiteti i Tiranës. Dhe ai ndihej tepër fatlum, që kishte nderin të mbante atje leksione. Duhej të ish me moshë nën gjashtëdhjetë vjeç e me një jetë të pasur në veprimtari atdhetare. Nga ç’kishim dëgjuar e lexuar, e renditnin ndër figurat më të shquara kulturore të kohës. Dhe kur na thanë se do të ish pedagog te ne, u emocionuam.

Në orët e leksionit të parë, ai ra në një gjendje shpirtërore fort të gëzueshme. Ishte një lloj ekstaze. U shkëput nga mësimi dhe na foli për rilindasit, për Naimin, Samiun, e sa e sa të tjerë. Na foli për ëndrrat e tyre, që, më në fund, ishin plotësuar aq mirë. “Ah, Sami Frashëri, Sami Frashëri! – tha dikur me sytë gjysmëmbyllur e sikur të ishte vetëm. – Ja, edhe Gjithëmësonjëtorja jote, që doje aq shumë! E mbushur plot me djem petrita e vashëza të mençura e të bukura! Të ishe dot gjallë e t’i shihje! Kushedi se si do të të vlonte ajo zemër e përvuajtur!” Pastaj sikur u përmend, u mbush me frymë e u kthye te katedra. – Ku e lamë? – Nuk morëm vesh përse na pyeste. Nuk dinim si t’i përgjigjeshim. – Hë, diçka thamë për Lope de Vegën… – Vazhdoi edhe pak dhe nuk arriti të shtonte asnjë fjalë. Ra zilja. – Ç’është kjo!? – u habit ai. – Kaq shpejt kaloi koha!? Si është e mundur!? Po, nejse! Do të vazhdojmë në orën e ardhshme. Mirupafshim!

Por, më pas vërejtëm se pedagogut tonë i rrëshqisnin leksionet nga dora. Ai ndalej shpesh në momente të caktuara të jetës së një autori, apo të një heroi, rrëmbehej nga ato dhe hynte në hollësira të panevojshme, madjé edhe duke imituar ndonjë veprim të heroit.

“Pra, mori pushkën. Dhe ku vajti, thoni ju. Në dritare, ju them unë. Po, po, në dritare. E mbështeti në parvaz dhe qëndroi në pritje me gishtin në këmbëz. Ja, tamam kështu qëndroi! Dhe sa kohë? Hë, flisni, sa kohë? Dy minuta, tri, pesë? Jo, jo, çne! As dhjetë e as njëzet! Ai kishte një durim të përsosur, por edhe një vëmendje për t’u adhuruar, që të mos e zinte në befasi armiku. Dy orë ndenji me pushkë mbi parvazin e dritares, plot dy orë. Ja, shikomëni si ndenji! – Dhe harrohej edhe vetë te dritarja e auditorit në pozën e atij që donte të mbrohej. Herë – herë, në raste si ky, na dukej se e kaplonte gjumi. Por jo! Ngrihej papritur, çonte kokën, kthehej nga ne dhe na thoshte: – Shshsht!… Ai ka diktuar se dikush po vjen! – E ulte edhe më zërin. – Cili të jetë, vallë? Ai që meriton plumbin ballit? Pa të shohim!”

Po ne nuk shihnim dot gjë, se binte zilja. Pedagogu përsëri:

– Ç’është kjo! Kaq shpejt kaloi koha!? Si është e mundur!? Po, nejse! Do të vazhdojmë në orën e ardhshme. Mirupafshim! 

Ai zakonisht qeshte pak dhe vetëm me sy. Ish njeri i mrekullueshëm, tepër i dashur me ne studentët, sidomos me ata djem që s’pinin cigare. Nga kjo unë, megjithëqë pija më shumë se të tjerët, qeshë përpjekur dhe ia kisha arritur t’i krijoja bindjen që s’e honepsja duhanin, si diçka prej të cilit vetëm dëmtoheshim e  asgjë s’fitonim. “Në qoftë se kujtoni se duhani ju tregon burra, – na thoshte, – atëherë merrni vesh se atë nuk e ka pirë as i madhi Skënderbé! E, pra, më burrë se prijësi ynë kë, vallë, tjetër kemi njohur!? Po edhe ilirjanët s’e kanë pasë ditur duhanin!” Dhe mua më thërriste Ilirjan.

Ish profesor me kuptimin e plotë të fjalës, nga mënyra se si fliste, se si sillej, nga paraqitja e nga se punonte vullnetshmërisht me ndjenjat tona, duke dashur të na e fuste jo veç në tru, po edhe në zemër letërsinë perëndimore, me tërë ata autorë gjigandë, që ngriheshin mbi shekujt si monumente. Për diturinë e tij e respektonin të gjithë, për atdhetarizmin nëpër vite, për aq e aq përkthime me mjeshtëri. Thoshnin se kishte bërë të flisnin në shqip Shekspiri, Shileri, Molieri… Pra, ish njerëzor, atdhetar, i ditur, poliglot, veç si pedagog në shkollën e lartë sikur nuk e kishte përvojën e duhur. Ndaj edhe ne ndonjëherë, në mbarim të orëve të leksioneve i shprehnim shqetësimin se nuk kishim mundur dot t’i mbanim të plota shënimet. Ai vrenjtej, heshtte për një çast dhe na porosiste: “Ata që dinë gjermanisht, do ta gjejnë këtë leksion në filan libër, nga faqja kaq në faqen aq… Ata që dinë anglisht… Ata që dinë frëngjisht… Ka edhe një libër në italisht… Tek ai leksionin e keni… Po pse nuk shënoni numrat e faqeve, xhanëm!? Pa, dale! Sa prej jush këtu e dinë gjermanishten? Si!? Asnjë!? Po anglishten? Asnjë!? Po frëngjishten, italishten? E po, kjo është për të qarë, bijtë e mi! Studentë në universitet dhe të mos zotëroni asnjë gjuhë të huaj! Po, po, tamam për të qarë!” Ai vinte duart në tëmthat dhe e ulte kokën mbi katedër. E neve na dukej se vërtet qante, në mos me lot, me shpirt. Binte zilja, merrte çantën dhe çapitej drejt derës i lodhur, i ngathët, krahëvarur si pa pikë fuqie, fytyrëvrarë, me një dëshpërim të madh në sy. Te pragu s’harronte kurrë të ndalej, të kthehej përballë nesh e të na përshendeste me një nënqeshje të mjerë e me gjysmë zëri: “Mirupafshim!”

Disa javë përpara se të përfundonim lëndën, nën frikën e provimit që po afronte, i thamë profesorit se nuk dinim se si do të përgatiteshim, pasi leksionet s’i kishim të rregullta.  Ai brodhi sytë i qeshur në auditor dhe na u lut të mos shqetësoheshim, se kishte menduar për ne. Si të mos mendonte për djemtë petrita e vashëzat e mençura e të bukura! Paskësh përpiluar tekstin e plotë për atë pjesë të letërsisë perëndimore dhe e pati dërguar në shtypshkronjën e dispensave! Pas pak ditësh dilte. Neve do të na duhej të paguanim vetëm nga njëqind lekë secili e pjesën tjetër do ta paguante vetë.

Dhe ashtu ndodhi.

Kur leksionet mbaruan, ai i dha nga dy dispensa çdonjërit prej nesh, të cilat së bashku shkonin, me sa mbaj mend, jo më pak se shtatëqind faqe. Ju betohem se asnjëherë nuk do t’i harroj! Ishin me kapakë të verdhë, të trashë. U gëzuam që merrnim në dorë aq dituri për letërsinë perëndimore, por gëzimi ish sa një lugë ujë, sepse u drodhëm nga gishtat e këmbëve e gjer te leshrat e kokës, kur menduam se, sipas grafikut të provimeve, veç në katër ditë do të na duhej të përgatiteshim për t’u përgjigjur në gjithë ç’përmbanin. Kurse njëri nga ne nuk mendoi vetëm për vete. Duke i peshuar në të dyja pëllëmbët, tha se për ato kishim paguar vetëm nga një qindshe, e se profesori, me siguri kishte dalë me këpucë të kuqe. Patjetër i kishte lënë brenda nja dy rroga mujore. E megjithëse kjo qenkësh krejt e vërtetë, fytyra e profesorit, tek na i shihte në duar, ndrinte, se s’do mend, pati sakrifikuar për djemtë petrita e vashëzat e mençura e të bukura.

Në renditje, provimi i letërsisë perëndimore ishte i fundit, i gjashti. Në pesë të parët, tek të cilët dikush pati mbetur aty e dikush këtu, unë dola jo keq. Në asnjë provim – i kthyer dhe të gjitha notat – të cilësisë mbi mesataren. Të hyja tani edhe në atë provim dhe të paraqitesha përpara pedagogut tonë të moshuar e të nderuar shumë i dobët, si një kryqethyer? Po ku ishte, pra, respekti im për të? A nuk dihej se një përgatitje serioze e studentit është, në të njëjtën kohë, edhe respekt, madjé edhe dashuri, për personin që ta zhvillon atë lëndë? Nga ana tjetër, pse ta njollosja librezën me një notë negative, të cilën gjer atëherë s’e pata njohur? Se vetëm nën kërcënimin e asaj note isha! Ç’mund të bëja me katër ditë të mësuar? S’arrija dot as te treqind faqet, e jo më te shtatëqindat! Edhe pse është e ditur prej kohësh që asnjë lëndë nuk lihet për t’u përgatitur në ditët e provimeve, kjo gjë, si mua, si të tjerëve, na ishte privuar, ngase s’kishim leksionet. Mund të lexonim vërtet ndonjë libër të ndonjë shkrimtari, por a mjaftonte kjo në tërë atë mori analizash të veprave, e sidomos të atyre të papërkthyera?

Shokët thanë: “Të arrijmë ku të arrijmë! Oburra! Do të futemi në provim! Tàfti – bàfti! Ç’fat të kemi!” Kurse vetë thashë jo! Do të ishte thjesht një aventurë! Dhe e ndava mendjen. Gjatë pushimeve të verës do të zhytesha kokë e këmbë në letërsinë perëndimore. Mor po, do të lija gjithçka, veç me atë do të merresha. Do të kishte lezet, pra, kur t’i paraqitesha profesorit në sezonin e gushtit e kur ta lija gojëhapur. “Eh, Ilirjan, Ilirjan! – do të më thoshte. – Askush s’më është përgjigjur si ti! Të lumtë, të lumtë dhe falemnderit!”

Kështu, teksa të gjorët shokë i gdhinin ato katër net, u bëhej koka daulle nga aspirinat, u skuqeshin sytë e s’po arrinin as t’i lexonin dinspensat, unë shëtisja përmes korridorit të bankave në sallën e studimit dhe i jepja për sheqer sa njërit – tjetrit nga një dorë limontos, demek që të merrnin fuqi e për t’u nxjerrë gjumin! Dëgjoja duke qeshur të sharat e tyre nga pas shpine, pse ua kisha hedhur, dhe shkoja e flija rehat – rehat, po edhe me ndërgjegje të qetë.

Ditën e provimit ata u nisën për në fakultet të ngarkuar me ato dispensa nën sqetull, duke iu lëkundur këmbët rrugës e buzëvarur. Por, edhe mua nuk m’u ndenjtë. U nisa tok me ta, po vetëm për të parë se ç’do të bëhej, si do të dilnin, cili do të qe fati që do t’i ndihmonte.

Profesori erdhi duke buzëqeshur lehtë, si duket, për t’ua hequr atë frikë që u kishte hyrë gjer në palcë. Ai edhe i preku paksa nëpër supe një nga një, si për t’i përgëzuar. Tek futej, tha:

– Të urdhërojnë katër!

Pati një tërheqje praptazi të studentëve nga dera e auditorit, si për t’iu larguar ndonjë kafshimi. Askujt s’po ia mbante të futej. Pas një rrëmuje me zëra të ulët, hynë të parët, po jo sipas radhës në regjistër. Në mes tyre – edhe një vajzë nga Berati. Të katërve u kishte ikur gjaku nga fytyra.

Në të majtë ishte një auditor tjetër, atje kishte një derë të mbyllur, që dikur komunikonte me auditorin e provimit. Shkova me vrap dhe fillova të shihja nga të çarat midis dërrasave se ç’po ndodhte brenda. Katër studentët po prisnin disi të tërhequr, teksa gishtat e profesorit hapnin tezat e provimit mbi tryezë. Kur ai e mbaroi këtë punë, zgjati dorën vajza, të merrte tezën. Por profesori ia largoi. U ngrit në këmbë rrëmbimthi e i tha:

– Jo, të lutem, jo! Pa tezë do të përgjigjesh! – Pastaj iu kthye të tjerëve: – Ja, ç’është të jesh një vend i lirë e jo nën thundrën e të huajit! Vashëza shqiptare – në auditoret e universitetit! Sikur ta dinit, djem të mbarë, se sa gjë e madhe është kjo! – I foli rishtas vajzës: – Do të më thuash, bija ime, çfarë dëshiron! Vetëm çfarë dëshiron!

Ajo u hutua. U hodhi një vështrim të shpejtë shokëve dhe s’guxoi as të lëvizte e as të hapte gojë.

– Jam duke të pritur, posi! Fol, nuk bëj shaka, në çfarë dëshiron të përgjigjesh?

Vajza diç belbëzoi. Ai iu afrua me njërën dorë te veshi, që ta dëgjonte më mirë, e ia priti:

– Bukur, mjaft bukur! Ulu dhe përgatitu me shkrim, që të të rrjedhë goja!

Unë vura duart në kokë. “Obobo, ç’bëhet!” – thashë me vete. Sidomos kur edhe me tre të tjerët profesori u soll po njësoj. Nuk i lejoi t’i preknin tezat dhe kërkoi që të përgjigjeshin vetëm në çfarë dëshironin. S’prita më. Dola me vrap dhe i rrëmbeva një shokut nga sqetulla “Mysafirin e gurtë” të Molierit. E kisha lexuar një herë dikur. Mund ta lexoja sërishmi shpejt – shpejt. Dhe thithej. Komedi – hesapi. E gjithë – e derdhur në dialogje. Sa të përgatitej ajo e para, pa edhe sa të fliste, ehu! Kisha kohë. U tërhoqa në auditorin e zbrazët dhe ia fillova. Popo, si më futej gjithçka në tru! Sfungjer – truri, sfungjer! Do të hyja në provim! Si nuk do të hyja! Menjëherë! Sapo të dilte shoqja ime! Do t’i thosha profesorit se dëshiroja shumë të flisja pikërisht për atë vepër. Hë e hë, e mbarova. Pastaj iu afrova me nxitim të çarave të dërrasave te dera e mbyllur. Ishte çasti kur profesori i tha vajzës:

– Unë pres! Posi s’pres! Nëse ke nevojë të mendohesh më tepër, mendohu! Këtu jam. Ku do të vete!?

Ajo u skuq e u ngrit. Dhe pas nja dy minutash, si kishte filluar të fliste, ai e ndërpreu:

– Mjaft! Mjaft, se më kënaqe! Ja, ç’është të jesh një vend i lirë dhe jo nën thundrën e të huajit! Vashëza shqiptare të të flasë kaq shumë për Xhon Miltonin!

Ajo s’po u besonte veshëve. Gjithçka ish aq e papritur!

– Profesor, dëshiroj të shtoj se…

– Jo! – e ndërpreu ai. Zëri i tij tingëlloi si urdhër i rreptë. – Nuk do të shtosh asgjë! Nuk është aspak nevoja! Në sytë e tu unë shoh se ke studiuar boll. Librezën, të lutem! – Shënoi atje notën “shumë mirë”, e firmosi dhe e uroi: – Tani shko dhe gjithmonë suksese!

– Ju falemnderit! – iu përkul vajza.

U turra me një frymë për tek hyrja në auditor.

Ajo doli dhe u mbështet pas murit duke dihatur, me librezë në dorë. Të gjithë e vunë në mes të tmerruar dhe nisën t’i bënin njëqind pyetje, po asaj i qenë mbërthyer buzët.

– Tjetri! – thirri nga brenda profesori. Shokët u tronditën duke u parë sy më sy. Ai ishte halli. Kush do ta merrte guximin i pesti.

– Do futem unë! Hapuni!! – u thashë.

Profesorit i ndriti fytyra, sapo më pa tek hyrja. Ai nderi krahët anash.

– Pa shiko, pa shiko, Ilirjani! Hë, mor Ilirjan, ç’do të na thuash ti?

– Siç e dini, professor, – ia nisa unë me proçkat e mia, – letërsinë perëndimore e adhuroj, se është e ngjeshur me kollosë të së bukurës artistike, të fjalës së mençur të ngritur në lartësira të pakapshme, të…

– Pastaj, pastaj?

– Dhe mund të flas për ç’të dëshironi!

– Jo, dëshirën tënde dua të di!

– Atëherë, e vërteta është se “Mysafirin e gurtë” e kam pikë të dobët. Për atë më pëlqen të ligjëroj.

Ai u prapësua paksa e ngadalë, me pëllëmbët sipër tezave mbi tryezë, e me sytë gjysmëmbyllur. Mblodhi buzët dhe ma ktheu:

– Jooo, jooo! Nga ti, Ilirjan, dua një panoramë të të gjithë letërsisë perëndimore, që kemi zhvilluar gjer tani! Të fillosh me Xhon Miltonin e Lope de Vegën, duke na folur shkurt, shumë shkurt, për jetën e tij, të na numërosh veprat që ka shkruar… Me një fjalë, autorët dhe veprat, sipas renditjes!

M’u bë se më qëlloi me tokmak në kokë e mezi po më mbanin këmbët. Ku kujtoheshin tërë ata autorë e tërë ato vepra, palé edhe në renditje të rregullt! Nuk dija asgjë. Të paktën, t’i kisha shfletuar një herë dy dispensat e uruara!

– Të shoh që s’je i kënaqur! Pse nuk je i kënaqur!?

– Është diçka e thatë një panoramë, profesor, diçka tepër e thatë! Kurse të ligjërosh për “Mysafirin e gurtë”, do të thotë…

Ai sikur u bind.

– Ke të drejtë, ke shumë të drejtë, djalë! – më tha. – Na bëj panoramën, pastaj na ligjëro edhe për… Ja, e sheh që s’ta prish qejfin unë ty?

Mora letra të bardha, demek se do të shkruaja, dhe zura vend te një bankë. U ngrit të përgjigjej i dyti, po as që e pata mendjen. S’mora vesh si shkoi puna e tij. Madjé, s’kisha sy as ta shihja kur doli. Më qenë terratisur. Ngriva i përhumbur në hallin tim. Bobò! Kisha shkuar si breshka te nallbani! Ç’turp i madh! Si e kisha bërë atë gafë! Me ç’fytyrë do t’i dilja përpara profesorit! Ilirjani i tij qenkësh një fyçkë, një tapë, një nul e asgjë më! Palé, hëngra edhe bajga e i përrallisa se e adhuroja letërsinë perëndimore e se mund të përgjigjesha për ç’të dëshironte! Bobò, bobò! Ç’turp i madh, ç’turp! Veshët më digjnin. Tavanin sikur e mbaja mbi shpatulla. Sytë sikur i kisha me sklepa e të palarë. Kokën – të pakrehur… Medét! 

Më përmendi zhurma që nisi të bëhej jashtë, pas daljes së të dytit. Tani atje të gjithë kishin marrë vesh dhe kishin besuar për çfarë ndodhte në auditor. Profesori pyetkësh pa teza dhe linte të zgjidhte studenti! Hataja vetë! Ndaj po grindeshin për të hyrë kush e kush më parë. U duk në prag i gjashti. Shkoi drejt profesorit. Iu vu përballë i qeshur, e pa i lënë radhë, i tha:

– Unë, profesor, dëshiroj të flas për…

Ç’hajvan!

Profesorin sikur e pickuan ato fjalë.

– Ç’thua! – e ndërpreu i habitur e i fyer. – Kërkon të më dëftesh, pa lejen time, se për çfarë duhet të të pyes! Po kjo është e çuditshme! Ah, jo, jo, të lutem shumë! Jam unë që bëj ligjin këtu e asnjë tjetër! Pa pastaj, këto përse i kemi nxjerrë!? – shtoi duke i treguar tezat. – Merr një shpejt dhe shko e ulu atje në fund! Ashtu, hë, ashtu! Oj!… 

Studenti i gjashtë u pre. Mori një tezë me duar të dridhura dhe, ende pa e parë, shkoi të ulej. E ndoqa me sy. I vareshin jo veç hundët, po edhe pantallonat.

Që nga ai çast profesori e ndryshoi stilin. Të gjithëve që hynin u tregonte me nxitim rreshtat e tezave, i trembur se mos e fyenin përsëri.

Dikur më erdhi radha të përgjigjesha. Iu afrova i ngathët tryezës së profesorit, e u ula në karrigen përkarshi, i bindur se do ta befasoja, pse jo, edhe se do ta fyeja më rëndë se ai tjetri, me atë gjoja përgatitje aq të paturpshme. Ndërkohë, më foli i qetë:

–Tezën, Ilirjan! Ç’tezë kishe ti?

Kuptova në vend se s’mbante mend asgjë e u drodha. Një mendim i shpejtë shpëtimtar më erdhi në kokë.

– Mua s’më lejuat të merrja tezë, profesor!

– S’ju lejova vetë? E po kjo është tjetër punë! Më thuaj, përse ramë dakord të përgjigjesh?

I bindur se tanimë e donte me të kundërtën, ia ktheva:

– Ju më kërkuat që unë t’ju përgjigjem për “Mysafirin e gurtë”, ndërsa…

– Çfarë “ndërsa”!? – ma preu ai fjalën në mes disi i nervozuar.

U sigurova. Kishte harruar gjithçka.

– Ndërsa unë desha t’ju bëja një panoramë të të gjithë letërsisë perëndimore, që kemi zhvilluar. Të filloja me Xhon Miltonin e me Lope de Vegën dhe të vazhdoja gjer te autori i fundit. T’ju thoshja se ku dhe kur kanë lindur, në ç’rrethana historike, ç’vepra na kanë lënë. T’ju flisja për idetë e veprave, për heronjtë kryesorë, për…

Profesori shqeu sytë. U drejtua. Më vështroi rreptë.

– Dashke të na mbash deri nesër në mëngjes këtu! – më tha. – Jo! Në asnjë mënyrë! Kategorikisht! Vetëm për “Mysafirin e gurtë” dua të më flasësh dhe pikë! A jam unë që bëj ligjin në provim, mor Ilirjan, apo jeni ju studentët!?

– Ju, profesor! Dihet! – i thashë dhe më rrahu zemra fort.

– Ashtu, de! Dhe hë, fillo tani!

U mbusha me frymë dhe erdha në vete. E kundrova për një çast profesorin. Sa i afërt m’u duk! Sa tërheqës! Sa simpatik! Ia nisa dhe hajt të më mbaje! Më rridhnin fjalët. Shprehjet më dilnin aq të bukura. Subjektin e veprës e dhashë të plotë. Përjashto hollësitë! Mendimet i kisha bindëse, përshkrimet e situatave – të sakta. Individualizimin e personazheve – të qëlluar. Idetë – të zbërthyera mirë. Dhe profesori nuk më ndërpriste, veç më ndiqte i kënaqur shumë, me sy të qeshur, përkëdhelës, mbështetur lirshëm me shpinë në karrige, me krahët kryqëzuar mbi gjoks. Në fund më tha me ngrohtësi, si me zërin e babait tim:

– Bukur, Ilirjan! Bukur, or bir! Librezën, të lutem! – E teksa ishte me stilografin në dorë, gati të shënonte notën, u ndal e më pyeti: – Mos të mbeti gjë hatri, që s’të lashë ta bëje atë panoramën? Hë, mos të mbeti gjë hatri? Se, fundi i fundit, ç’të bëjmë! Po rrimë e po sakrifikojmë e po të dëgjojmë!

Iu përgjigja me zë të dridhur:

– Jo, professor! Më vjen keq! Ç’është ajo!

– Të të besoj? 

– Po, profesor!

– Ti duhet ta kuptosh, Ilirjan, se ajo do të na vononte!

– Ashtu! Veç një dëshirë ishte!

Ai sikur ra në mëdyshje. Të më linte t’ia filloja edhe panoramës, apo të mos më linte. Më hyri tmerri.

– Jo, jo! – tha befas i vendosur. –  Sot jo! Tani jemi ca të lodhur, po edhe kohë të tepërt s’kemi! Veç të dish se unë nuk ta thyej zemrën! Hajde ndonjë ditë në katedër, kur të jem i ngeshëm, dhe më ligjëro për ç’të duash e sa të duash! Të jap fjalën se do të të dëgjoj me shumë dëshirë e vëmendje! Hë, do të vish?

– Patjetër, patjetër! – ia prita i gjallëruar.

Shkruajti në librezë “shumë mirë”, ma zgjati, u ngrit në këmbë me respekt për mua, më shtrëngoi dorën fort dhe më uroi pushime të mbara. 

Filed Under: Fejton

Ndarja e një Perandorie

February 7, 2022 by s p

Astrit Lulushi/


Perandoria Romake u nda në Perandori të Lindjes dhe Perëndimit pasi nuk kishte zgjidhje tjetër, megjithëse hendeku midis Perëndimit dhe Lindjes ishte i madh. Lavdia e Lindjes ishte në Athinë, Kostandinopojë, Rodos, edhe Egjipti kishte qytetet e veta madhështore si Aleksandria e Memfis. Perandoria Perëndimore nuk ishte aq e rëndësishme ekonomikisht apo edhe politikisht. Vetëm 30% e popullsisë së Perandorisë Romake jetonte në Perëndimin Latin, nga të cilat mbi gjysma jetonte vetëm në Itali. Galicia, Britania dhe Iberia gjatë kësaj epoke ishin vetëm rajone kufitare të papopulluara të cilat u nënshtruan me sukses nga Roma për shkak se ishin afër gjeografikisht. Galicia kishte vetëm 3 milionë njerëz. Roma ishte i vetmi qytet në Perëndim i krahasueshëm për nga madhësia dhe ndikimi me qytetet e mëdha të Lindjes. Përsa i përket Londrës dhe Parisit, ato mezi regjistroheshin si qyteza e lëre më qytete.Stabiliteti dhe ruajtja e Perandorisë Romake ishin kryesisht falë pasurisë së madhe të Lindjes, e cila ishte shtëpia e 70% të popullsisë së Perandorisë. Që nga lindja e Perandorisë Auguste në shekullin e parë deri në krizën e shekullit të 3-të, perëndimi i papopulluar dhe i privuar ekonomikisht u mbështet nga Lindja.Megjithatë, ky sistem u shemb në shekullin e 3-të me ngritjen e Perandorisë Persiane Sasanide. Ndryshe nga paraardhësit e tyre parthinë, sasanidët kishin një politikë të jashtme shumë më agresive kundër romakëve. Kjo ndezi konfliktin me Perandorinë Romake në përpjekje për të pushtuar Sirinë, Palestinën, Egjiptin dhe Anadollin dhe për të rivendosur Perandorinë e Persisë nën Akamenidët. Pas krizës 50-vjeçare të shekullit të 3-të (ku në një fazë Perandoria Romake u nda në 3 entitete të veçanta politike dhe pothuajse u shemb) romakët më në fund arritën të pranonin se thjesht nuk ishte e mundur që Lindja të përdorte pasurinë e saj njëkohësisht për vete dhe për të mbështetur Perëndimin.Si pasojë, në vitin 284, Perandori Diokleciani u përball me një vendim shumë të vështirë që do të vendoste jo vetëm të ardhmen e Evropës, por edhe të botës. A do të ruante ai unitetin e Perandorisë dhe në këtë proces të rrezikonte shpërbërjen e saj, siç pothuajse ndodhi në vitin 260? Apo do të zgjaste jetëgjatësinë e Perandorisë duke e ndarë dhe në këtë proces të hiqte përgjegjësinë ekonomike të Lindjes ndaj Perëndimit?Ndryshe nga paraardhësit e tij, Diokleciani zgjodhi opsionin numër 2 dhe u bë perandori i parë që zhvendosi kryeqytetin nga Roma në Antioki. Diokleciani prezantoi një sistem të bashkë-perandorëve që do ta bënte pararendës për ndarjen e Perandorisë. Ndarja u rafinua më vonë nga perandori Kostandin (i cili e zhvendosi kryeqytetin në Kostandinopojë) dhe u nda përfundimisht nga Perandori Teodosi në vitin 395. Zhvendosja e kryeqytetit në Kostandinopojë në brigjet e Bosforit siguroi që qyteti të mund të furnizohej nga deti në rast rrethimi, dhe ndërtimi i Mureve Teodosiane e bënte atë të padepërtueshëm ndaj çdo rrethimi. Kjo, së bashku me ndarjen e perandorisë zgjati jetën e Perandorisë Romake të Lindjes me mbi një mijë vjet. Muret rrethuese i dhanë çdo pushtuesi një zmbrapsje deri në 1453 dhe ndarja e Perandorisë Romake në Lindore dhe Perëndimore nuk mund të shmangej. Ndryshe nga ajo që adhuruesit e historisë romake pëlqejnë të imagjinojnë, thjesht Perandoria nuk ishte e mundur të shpëtohej në formën e saj të bashkuar. As perandorët e mëdhenj romakë si Augusti apo Trajani po të kishin qenë gjallë nuk do të kishin mundur ta shpëtonin.Lindja u shpëtua dhe Perëndimi u braktis vetëm për t’u copëtuar nga fiset gjermane në shekullin e 5-të. Megjithatë, nuk humbi gjithçka. Mbijetesa e Perandorisë Lindore për shekujt në vijim luajti rol të thellë në historinë evropiane nëpërmjet ngritjes së një krishterimi, duke parandaluar përhapjen e Islamit në Evropë, duke nisur nga kryqëzatat dhe qëndresa arbërore e Skenderbeut, që mbolli pa dashje farat për një ringjallje në Evropën Perëndimore në formën e Rilindjes Evropiane.

Filed Under: Fejton

LUFTËRA DHE DIKTATORË vs EVROPË DHE QYTETËRIM

February 5, 2022 by s p

Dom Gjergj Meta/

Po fryjnë erëra lufte: Rusia, Ukraina, Libani etj. Po kush i nis luftërat?Luftërat i nisin njerëzit që mendojnë se janë më të mirë se të tjerët dhe se kjo gjë u jep një “epërsi”, e cila ngjan me një kështjellë rëre, të cilën ia japin të drejtën vetes ta ushtrojnë ndaj kujtdo. Po ashtu diktatorë bëhen ata njerëz që nuk janë të sigurtë në vetvete, që e kanë përtokë besimin te vetja dhe tek të tjerët e kështu ngrenë “kështjella” mbrojtëse përreth vetes, duan të kontrollojnë gjithçka e luftojnë çdo “zhurmë” kundër që i shqetëson duke u kthyer në armiqtë e demokracisë. Demokracia presupozon lirinë e cila nuk është xheloze dhe e dhunshme ndaj lirisë së tjetrit. Edhe pse e papërsosur, demokracia është sistemi më i mirë që shoqëria njerëzore ka arritur deri më tani. Kjo ka ndodhur falë Evropës se cilës demokracia i ka kushtuar shumë përgjatë historisë. Prandaj që Evropa nuk mund të jetë foleja e luftërave dhe diktatorëve, e autokratëve dhe e dhunuesve të lirisë. Ajo i ka vuajtur mbi kurriz luftërat dhe diktatorët e për këtë arsye ajo sot ka misionin e madh të jetë shembulli, përçuesja, promovuesja e demokracisë në botë. E po ashtu të jesh qytetar i saj, të jesh thjesht i qytetëruar, nuk mund të duash njëherësh edhe luftën, diktaturën, mohimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, autokracinë dhe kontrollin e pak njerëzve mbi gjithçka. O Evropën o gjithçka tjetër! O qytetërimin o gjithçka tjetër.Mbasdite të qetë! D. Gjergji

Filed Under: Fejton

TASHMË NË NJË LIBËR VEPRIMTARIA E LIGES QYTETARE SHQIPTARO- AMERIKANE DHE ISH- KONGRESISTIT JOSEPH. J DIOGUARDIT

February 1, 2022 by s p

Të gjithë bashkë le të bëjmë thirrjen për t’i ngritur një monument në Prishtinë e Tiranë për z.Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi, heronjëve të gjallë të kombit shqiptar

LEONORA LAÇI- NEW JERSEY/

Duke lënë pas motin e keq të këtyre ditëve, retë i lanë vend diellit për të shndritur edhe më fortë teksa Liga Shqiptaro-Amerikane në ambientet e RP Prime Steak and Seafood Restorant bëri promovimin e librit “The quest for albanian freedom and the end of Yugosllavia”(botuar në vitin 2021) Hon. Joseph J.DioGuardi and the Albanian American Civic League 1985-1993, një libër me dokumente historike të mbledhura dhe edituara nga dr.Faton Bislimi. Zbardhja e veprimtarisë së ish kongresistit z.Joseph J.DioGuardi dhe znj.Shirley Cloyes DioGuardi këshilltare për çeshtjet ballkanike që është konsideruar dhe si Shote Galica, nuk është e vështirë, vështirësia e këtij libri qendron tek ajo se çfarë duhet ndarë si më e rëndësishme pasi për të shkruar për Ligen Qytetare shqiptaro-amerikane mund të dalin libra vëllimor.

Ky aktivitet i kaloi përmasat e një promovim libri pasi vet prania e Senatorit të njohur amerikan Robert Menendez i shoqëruar nga bashkëshortja simpatike znj. Nadine Arslanian, si dhe Ambasadori i Misionit Shqiptar në Shtetet e Bashkuara në Nju York z.Ferit Hoxha Ambasadori i Kosovës në Uashington z.Ilir Dugolli, Ambasadori Frymzim Isufaj, historiani i njohur Jusuf Buxhovi, biznesmene, dhe anëtarë të kryesisë së Liges na dëshmuan për rendësinë që ka historia që mbanë mbi supe kjo organizatë, po ashtu u përcollë aktiviteti dhe nga gazetarë të ndryshëm.

Ish- kongresmeni z.Joseph J.DioGuardi dhe znj.Shirley Cloyes DioGuardi i uruan mirëseardhje pjesëmarrsëve duke i dhënë fjalen Senatorit Robert Menendez, pasi uroj një vit sa më të mbarë për të gjithë, ai i falenderoj organizatorët për ftesën dhe vlerësoi punën e z.Joseph DioGuaridi dhe z.Shirley Cloyes DioGuardi për çështjen e Kosovës konkretisht, por dhe për shqiptarët në përgjithësi. Senatorit Menendez iu drejtuan pyetje nga Joe DioGuardi dhe z.Agim Aliçkaj, pyetjet ishin rreth qendrimeve të përfaqësuesve special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perendimor, qartësimi i qendrimeve të tyre dhe nevoja për mbajtjen e një degjese në Kongres. Senatori Menendez vuri në pah që politika zyrtare Amerikane është e përqendruar aktualisht tek konflikti në Ukrahinë por së shpejti do merremi me çështjen e Ballkanit Perendimor  dhe do kërkohen sqarime nga  zyrtarët e  Depertamentit të Shtetit në lidhje me qendrimet e tyre.

Në fjalët e mbajtura nga të ftuarit u fol për rëndësinë e Liges Qytetare dhe se sa e rëndësishme ka qenë veprimtaria e kësaj organizate për të ndikuar në arenen ndërkombëtare. Folën dy anëtar të kryesisë të Ligës z.Faik Lita dhe z.Agim Aliçkaj. Anëtari i Kryesisë së Ligës z.Agim Aliçkaj ndër të tjera: “ Populli i Kosovës luftoi për lirinë e tij nga pushtimi serb për më shumë se një shekull. Në 30 vitet e fundit ishin tre faktorë vendimtarë që sollën lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, rezistenca paqësore e Lëvizjes Demokratike të udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova, rezistenca e armatosur e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me në krye Adem Jasharin dhe heronj të tjerë, si dhe aktiviteti lobues në Uashingtoni i udhëhequr nga Joe DioGuardi. Ndihma amerikane dhe bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë erdhën si rezultat dhe kombinim i këtyre tre faktorëve.

         Historia e pavarësisë së Kosovës do të jetë e mangët nëse një monument për Joe-n dhe Shirley-n nukë ngritet në Prishtinë. Ata nuk do të pranonin mirënjohje nga politikanë të korruptuar e të shitur. Pritet që Presidentja Osmani dhe Kryeministri Kurti ta bëjnë këtë. Ose kjo do të bëhet një ditë nga qeveritë e mëvonshme.

         Puna profesionale, e pavarur dhe e fuqishme e Ligës në Uashington do të vazhdojë  deri në mundjen përfundimtare të Serbisë kriminale. Për mua dhe miliona shqiptarë në mbarë botën, Joe dhe Shirley janë personalitete dhe heronj të vecante. Është një nder I madh që i njoh dhe punoj ngushtë me ta në të mire të kombit të jashtëzakonshëm shqiptar për më shumë se 31 vjet. Faleminderit Joe, Shirley dhe Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane!”- permbylli fjalen e tij anëtari i kryesisë z.Aliçkaj.

Ndërsa dr.Faton Beslimi u ndal tek libri i botuar dhe thelbi i këtij librit. Ky libër nuk do ishte realizuar pa mbështetjen e ngushtë me Joe dhe Shirley si dhe anëtarët e kryesisë së Ligës. Pas këtij libri do të pasojë një tjetër që do të përfshij harkun kohorë 1994-2008.

Libri fillon me historikun sesi DioGuardi filloi të punoj për çështjen shqiptare, për të vazhduar me relacionet e paraqitura para Kongresit Amerikan që na njohin me përpjekjet e z.DioGuardi për cështjen shqiptare. Libri përfshin periudhën nga viti 1985, vit kur DioGuardi u zgjodh Kongresist në USA për herë të parë dhe i pari kongresmen që u mor me çështjen shqiptare dhe përmbyllet me vitin 1993 kur filloi shpërbërja e Jugosllavisë. Një punë kolosale e paimagjinueshme për të qenë zëri i shqiptarve në Uashington, aty ku zëri i shqiptarve nuk ishte dëgjuar më parë, ose ishte mbytur si përherë nga lobet e shteteve ballkanike që e donin kombin shqiptar të përçarë që ta sundojnë më mirë. DioGuardi nuk u bë vetëm zëri i Kosovës por dhe i Shqipërisë së dalë nga një sistem diktatorial që e kishte shkatërruar dhe ndjenjën e kryengritjes, një popull që ecte pa drejtim tek e panjohura. Ky libër është vetëm maja e ajsbergut të një veprimtarie më shumë se 30-vjeçare të Liges Qytetare Shqiptaro-Amerikane që pa Joe dhe Shirley do ishte e pamundur të kishte rezultatet e deshiruara. Po ashtu pa mbështetjen e pakufishme të veprimtarve shqiptar që nuk kursyen asgjë për lirinë e Kosovës.

Filed Under: Fejton Tagged With: Leonora Laçi

Promovohet libri “Përpjekja për Lirinë Shqiptare dhe Fundi i Jugosllavisë” në New Jersey

January 31, 2022 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Në mjediset komode të restorantit RP Prime Steak and Seafood në Mahwah, New Jersey u promovua libri me titull:  “Përpjekja për Lirinë Shqiptare dhe Fundi i Jugosllavisë”.  Libri ka për autor Dr.Faton Bislimi i cili e ka shkruar në gjuhën angleze.  Libri i kushtohet Kongresistit Amerikan Shqiptarit të madh Joseph DioGuardi dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane 1985-1993.  

Aktiviteti u zhvillua me plot kulturë dhe profesionalizëm ku drejtohej nga Kongresisti Amerikan DioGuardi dhe znj.Shirley Cloyes DioGuardi presidente dhe këshilltare për cështjen e Ballkanit. Salla e mbushur plot e përplot me shqiptaro amerikanë ku në fytyrat e tyre shihej qartë se kishin ardhur të merrnin librin dhe të shprehnin mirënjohjen e pakufishme për Kongresistin Amerikan me origjinë arbëreshe Joe DioGuardi. 

Në këtë aktivitet morën pjesë disa personalitete si Ambasadori Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Kosovës në Manhattan, Prof.Isuf Buxhovi autori i librit “Kosova” në gjuhën angleze botuar në 3 vëllime, aktivistë të njohur të Diasporës etj.

Joe DioGuardi ishte kongresisti Amerikan që i kishte futur  frikën në palcë Hitlerit të Ballkanit dhe të vetmin që zuri në gojë sllobodan milloshevici në gjyqin e Hagës ishte Joe DioGuardi dhe Liga e tij.  Kur dëgjoja fjalën e Dr.Faton Bislimit këtij biri të Kosovës me edukim në Harvard në një nga universitetet më të mira në botë duke shprehur mirënjohjen rreth figurës së ndritur të DioGuardit, në mendje më vinin fjalët e Konicës për Nolin për të cilin ka thënë:

“…Dita që mëshoi për të parën herë në Kishë, është ogur i bardhë n’udhë të përparimit t’onë. Dhe as e harrojmë, as mund të lëmë të tjerët të harrojnë.”

Mirënjohja është kulturë, është mirësi, është civilizim ndaj le t’jua shprehim kush e meriton sepse veprat e tyre të vyera bëhen frymëzim dhe përparim për Kombin si në rastin në fjalë me ciftin e jashtëzakonshëm DioGuardi.  

Këtë mirënjohje të dukshme ndjeva në prezantimin e Dr.Bislimit rreth librit bazuar në dokumente origjinale dhe materiale arkivore të SHBA-ve.  Ai foli përmes dokumenteve të papublikuara më parë.

Libri flet qartë me fakte për përpjekjet e Amerikës dhe Kongresit për çlirimin dhe Pavarësinë e Kosovës, si dhe për punën per të drejtat qytetare e njerëzore të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, e Luginë të Preshevës.  Dr.Bislimi është frymëzuar nga puna e palodhur e Ligës qytetare, nga Zoti Dioguardi, me prejardhje arbëreshe i cili që në vitin 1986, për herë të parë në Kongresin Amerikan paraqet rezolutën e parë për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi.  Libri ka dëshmi të një periudhe 1985-1993 të veprimtarisë lobiste të zotit DioGuardi si Kongresmen dhe si Kryetar i Lobit Shqiptar i vetmi i regjistruar në Uashington 

Në këtë promovim mori pjesë Senatori Veteran Amerikan Robert Menendez një avokat me plot përvojë. Senatori Menendez vlerësoi mjaft punën e Kongresistit DioGuardi si dhe të zonjës DioGuardi dhe tha se ata kanë bërë një punë me plot fuqi intelektuale për cështjen e Kosovës dhe të Shqipërisë.  Senatori Robert Menendez është në krye të Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin Amerikan, dhe është ekspert i njohjes së cështjes së Kosovës dhe të Ballkanit.

Më duhet të shtoj se senatori Menendez bashkë me Eliot Engel në një letër dërguar më parë Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, kanë shprehur shqetësimin e tyre mbi qasjen e administratës ndaj Kosovës dhe Serbisë duke ushtruar trysni mbi qeverinë e Kosovës për heqjen e tarifave ndaj mallrave serbe, por nuk po ushtrojnë trysni të duhur mbi Beogradin për të ndalur fushatën e tij kundër pavarësisë së Kosovës.

Përshëndeti aktivitetin për promovimin e librit Ambasadori Ferit Hoxha, përfaqësues i përhershëm i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara.

Në këtë promovim folën me plot kompetencë dhe përvojë të madhe anëtarët e Bordit Executiv të Liges qytetare shqiptaro amerikane z.Agim Alickaj dhe Faik Lita.  

TV “Alba Life” i cili filmoi këtë aktivitet së shpejti do të sjellë kronikën e përgatitur enkas për këtë ngjarje  të rëndësishme dhe do ta transmetojë në kanalin 27 në paketën digitale “TV Alb.

Mahwah, New Jersey

30 Janar, 2022

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 96
  • 97
  • 98
  • 99
  • 100
  • …
  • 115
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”
  • Përurim i “American Dream” në Vatër
  • Një vit që ka filluar mbarë për Vatrën në Chicago
  • Kategorizimi i qyteteve shqiptare sipas Sami Frashërit në vitin 1890
  • Abas Kupi, historia, e vërteta dhe dashuria për atdheun…
  • Kur karakteri tejkalon pushtetin

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT