• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Me 300 trima ndryshon Shqipëria dhe shkruhet historia

May 13, 2023 by s p

Dr. Bledar Kurti/

– Viti 1150 para Krishtit:

Gideoni, kreu i ushtrisë prej 32 mijë vetash, pyeti Zotin: si mund ta fitoj betejën? Zoti iu përgjigj: Zbrite ushtrinë te uji. Të gjithë ata që do të shtrihen barkas e do pinë ujë me gjuhë, siç lëpijnë qentë, do t’i ndash nga ata që do të pinë duke marë ujin me dorë e me sytë nga horizonti.

Dhe numri i atyre që e pinë ujin nga grushti ishte 300. Të gjithë të tjerët pinë duke u shtrirë barkazi si qen dhe Gideoni i largoi.

E kështu me ata 300 luftëtarët fisnik, beteja u fitua kundër ushtrisë armike me 135 mijë veta.

– Rreth 600 vjet më vonë – viti 480 para Krishtit:

300 spartanë, nën drejtimin e Leonidas, zmbrapsën ushtrinë persiane me mbi 100 mijë ushtarë në Betejën e Thermopoles (greqisht për “portat e nxehta.”)

Ushtria perse u përplas e mësym mbi portat e nxehta ashtu siç përplasen dallgët e oqeanit me shkëmbinjtë në breg të detit, por spartanët i zmbrapsën.

Kserksi, i frustruar nga përparimi i ngadaltë i ushtrisë së tij, dërgoi njësitë e tij të famshme, të njohura si “Të Pavdekshmit”, por as këta të pavdekshëm nuk ia dolën dot.

Pas tradhtisë së Ephialtes, për një kalim të fshehtë, Mbreti Leonidas i Spartës mori vendimin për të vazhduar e mbrojtur kalimin me 300 ushtarët e tij elitë. Burrat luftuan derisa u thyen shtizat. Pasi u thyen shtizat, ata luftuan derisa u thyen shpatat. Dhe sapo shpatat e tyre u thyen, ata përdorën mburojat e tyre si armë derisa më në fund u vranë nga mijëra shigjetat e lëshuara mbi ta.

Edhe sot arkeologët vazhdojnë të gjejnë maja shigjetash në grykën e Termopoles.

Historia është mësuesi më i mirë për çdo epokë. Nuk ka asgjë të re nën diell. 300 luftëtarët e Gideonit dhe 300 spartanët e Leonidas shkruan historinë duke u transmetuar qindra e qindra brezave të mëvonshëm mesazhin se asgjë nuk është pamundur. Se pengesat mund të kapërcehen sado të mëdha të jenë ato, se vendi mund të bëhet pavaresisht çdo vështirësie, se betejat ushtarake, elektorale, ideore, transformuese, progresive, mund të fitohen, por vetëm e vetëm me njerëz fisnik, që sytë i mbajnë nga e ardhmja e që nuk përkulen barkazi e lëpijnë si qen.

Lëpirësit, në çdo parti, institucion, organigramë shtetërore, kulturore e shoqërore, kanë humbur betejat e vendit tonë për zhvillim e begati. 300 shqiptarë me integritet do e ndryshonin dhe shkruanin historinë e këtij vendi. Ka ndodhur më parë në botë, ka ndodhur edhe te ne në të kaluarën, urojmë të ndodhë sa më shpejt edhe në të ardhmen.

Filed Under: Histori Tagged With: bledar kurti

REVOLTA ANTIKOMUNISTE NË GULAGUN SHQIPTAR TË SPAÇIT – 50-VJET MË PARË

May 12, 2023 by s p

“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!?”

Nga Frank Shkreli

“A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!”!?  Ishte kjo thirrja për solidaritet, e cila ndezi revoltën e Spaçit.  21 Maji, 2023 shënon 50-vjetorin e Revoltës Anti-Komuniste, në njërin prej burgjeve më të tmershme të regjimit komunist të Enver Hoxhës, në Spaç, një revoltë që ka filluaar (me 21 Maj, 1973) dhe zgjatur 3 ditë rrjesht. Në librin e tij, “Rrno vetëm për me tregue”, At Zef Pllumi — Frank Shkreli: At Zef Pllumi – Krenaria e Shkrelit dhe Nderi i Kombit | Gazeta Telegraf — françeskani i madh shqiptar, i cili vuajti vet dënimin në burgjet e Enver Hoxhës, përfshir Spaçin, e ka kujtuar kështu burgun e Spaçit pas revoltës anti-komuniste të burgosurve kundërshtarë të regjimit enverist: “Në kamp gjeta shumë të burgosun që i kishin pru aty mbas revoltës së Spaçit. Prej tyne mora vesht se ishin pushkatue Pal Zefi, Skënder Daja, Dervish Bejko e Hajri Pashaj. Revolta e Spaçit duhet të renditet në historinë tonë kombëtare si të gjitha revoltat e skllevërve që kërkuen lirinë, edhe pse nuk ia duelën me fitue. Këta katër dëshmorë kjenë të parët heroj që, mbas gadi dhetë vjet robnie, zgjuen e ndezën idealin e lirisë në këtë popull të shtypun që kishte humbë çdo shpresë nga kultivimi i servilizmit ndaj tiranit.”

At Zef Pllumi vazhdon tregimin se si kishte filluar revolta në Spaç, sipas të dhënave të shokëve të tij, të cilët i kishte takuar në burg: “Me 21 Maj Pal Zefi, nji i dënuem në birucë, përfitoi nga pakujdesi i policëve që e kishin lanë derën pa çelës e duel jashtë; mandej hini në kamp, u ngjit mbi tarracën e mensës, që shërbente si oborr. Dy policë u kujtuen për shkeljen e rregullores nga Pali, hinë në kamp, u ngjitën në tarracë, e kapën Palin për krahi, por ai rezistoi. Nuk donte kurrsesi me u kthye në birucë. Atëhere të dy policët filluen me e rrahë tmerrsisht, në sy të të gjithve. Pali lëshoi kushtrimin: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!” Pas asaj thirrjeje dëshpruese nga Pal Zefi për liri, demokraci dhe për dinjitet e moral njerëzor, At Zef Pllumi, ka kujtuar kështu fillimin e revoltës anti-komuniste, 50-vjetë më parë: 

“Është çue në kambë Paulin Vata dhe Paulo Popa, që të dy nga rrethinat e Shkodrës. Këta i paralizuen policët dhe morën në mbrojtje Pal Zefin. Me atë rast, të burgosurit anti-komunistë shpalosën, në terracën e burgut, një flamur të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut — pa yllin komunist — duke kënduar dhe duke hedhur parrulla kundër diktaturës enveriste. Siç mund të merret me mend, revolta u shtyp me dhunë e gjak”, ka shkruar At Zef Pllumi. 

Përfundimi tragjik i shtypjes së revoltës ishte: 4 nga të burgosurit janë dënuar me pushkatim, 8 të burgosur janë ri-dënuar me 25 vjet shtesë, 70 të tjerë janë arrestuar dhe rigjykuar. Katër prej tyre që e paguan revoltën me jetë: Skënder Daja, Pal Zefi, Dervish Bejko dhe Hajro Pashai.

Prandaj, 21 Maji, 2023, dita e revoltës anti-komuniste në Spaç – dita e vrasjeve dhe e terrorit — sigurisht që duhet të jetë për të gjithë një ditë kujtese, por edhe një ditë reflektimi për secilin. Ata u vranë në mbrojtje të dinjitetit të tyre njerëzor, njerëz të thjeshtë që dëshironin lirinë dhe të drejtat e tyre bazë të njeriut. Në këtë 50-vjetor, e gjithë shoqëria shqiptare, shteti dhe qeveria, do duhej të reflektonin seriozisht për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, për viktimat e revoltës anti-komuniste në Spaç dhe për mijëra viktima të tjera të pafajshme të regjimit komunist në kampet e përqendrimit. anë e mbanë Shqipërisë, për pothuaj gjysëm shekulli komunizëm. Dëshironi të bindeni për dështimet fatale dhe për krimet barbare të komunizmit ndër shqiptarët, në këtë 50-vjetor, shkoni në Spaç e shikoni për veten tuaj dhe reflektoni. Por jo vetëm në Spaç — Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf  –Lekë Pervizi, dëshmitari i kampit komunist të terrorit dhe vdekjes në Tepelenë.

Nostalgjikëve modestë të komunizmit të Enver Hoxhës por edhe mbështetësve të tyre ndërkombëtarë, të cilët ende dëshirojnë të na bindin se jeta e shqiptarëve nuk ishte aq e keqe nën komunizëm dhe se komunizmi ishte në anën e duhur të historisë — unë u bëjë thirrje që të shkojnë e të vizitojnë Spaçin në këtë 50-vjetor dhe para Kombit shqiptar dhe botës –  t’i përgjigjen kushtrimit të Pal Zefit nëse – “ka mbetë ndonji shqiptar gjallë që të mbrojë nderin e shqiptarit!?—duke marrë vendime dhe masa konkrete zyrtare që tregojnë se po ka ende shqiptarë që mbrojnë nderin e shqiptarit, qoftë edhe 50-vjet më vonë!

Ishte aty në Spaç, në vendin e krimeve, abuzimeve dhe vuajtjeve të tmerrshme të shkaktuara nga shqiptarët kundër shqiptarëve, ku për herë të parë u hoq ylli komunist nga flamuri kombëtar i Gjergj Kastriotit-Skenderbe. Ka shumë njerëz që thonë se shqiptarët nuk rezistuan kundër regjimit kriminal të Enver Hoxhës. Unë nuk besoj se mund të thuhet se shqiptarët nuk e rezistuan komunizmin. Dëshmojnë ndryshe, revolta e Spaçit dhe Qafë Barit, por ka pasur edhe të tjera.  Me dhjetëra mijëra revolta shqiptarësh individualë gjatë pothuaj gjysmë shekulli komunizëm, që përballoheshin me një regjim kriminal, i cili për një fjalë goje dënonte shqiptarët e pafajshëm — gjyq e pa gjyq – duke i dërguar në dhjetëra burgje e kampe të punës anë e mbanë Shqipërisë, vetëm se kundërshtonin regjimin komunist të Hoxhës dhe se aspironin një Shqipëri ndryshe, të lirë dhe demokratike, pro-perëndimore.  Burgjet dhe kampet ishin plot e përplot me shqiptarë të tillë anti-komunistë, deri në ditët e fundit të atij regjimi. 

Kështu që nuk ka munguar rezistenca dhe si pasojë as viktimat e komunizmit, heronjtë e demokracisë në Shqipëri, siç ishin ata të Spaçit. Ajo që ka munguar në këto tre dekada “post-komunizëm” është, kujtimi i vërtetë i këtyre viktimave të pafajshme të diktaturës komuniste nga mbarë klasa politike shqiptare, pa dallim, ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste evropiane. Urojmë që ky 50-vjetor i revoltës anti-komuniste të Spaçit të kujtohet me nderime dhe respekt për të gjithë heronjtë e kombit që dhanë jetën e tyre për të vërtetën historike, për një Shqipëri të lirë e demokratike, pro-perendimore. Në lidhje me këtë 50-vjetor, të pakën deri tani është njoftuar se do mbahen dy ceremoni për të kujtuar revoltën e Spaçit. Të Mbijetuarit e diktaturës, pjesmarrës të Revoltës Antikomuniste të Spaçit dhe “Unioni Mbarëkombetar i Integrimit të Burgosurve e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë”, me pjesmarrjen dhe kujdesin e Shkëlqesisë së tij Presidentit të  Republikës, Zotit Bajram Begaj do zhvillojnë ceremoninë e përkujtimit në kampin çfarosës të Spaçit me 21 Maj, 2023, ora 11:00 para dite. Ndërkohë, është njoftuar se me19 Maj, 2023 në orën 10:30 para dite, në Selinë qendrore te Partisë Demokratike, Tiranë do mbahet gjithashtu një ceremoni përkujtimore kushtuar 50- vjetorit të Revoltës në burgun e Spaçit. 

Shumë mirë që të pakën kujtohet ky përvjetor i hidhët I historisë së krimeve të komunizmit në Shqipëri.  Por duhet bërë më shumë në lidhje me denoncimin e krimeve të komunizmit, në përputhje me vendimet ish-komuniste evropiane, sot aleate të Shqipërisë në NATO. Vazhdimisht kam shprehur dyshimet e mia serioze për angazhimin e autoriteteve shqiptare për t’u përballur me të kaluarën komuniste. Edhe në qoftë se është bërë sadopak në këtë fushë, zakonisht, ka qenë rezultat i trysnisë dhe interesimit të të huajve, sidomos ambasadës gjermane dhe asaj suedeze në Tiranë dhe jo rezultat i dëshirës së klasës politike shqiptare, “post-komuniste” për të zbardhur krimet e komunizmit në Shqipëri dhe për t’u distancuar njëherë e mirë nga periudha vëllavrasëse komuniste. Faji për këtë u mbetet të dera autoriteteve shqiptare të të gjitha qeverive të këtyre 30-viteve. Thjeshtë dhe qartë, autoritetet shqiptare të periudhës së të ashtuquajtur tranzicion nuk kanë treguar asnjëherë seriozitetin e duhur dhe të nevojshëm për t’u përballur me të kaluarën komuniste dhe me krimet e atij regjimi – pasojat e të cilit shihen edhe sot kudo në jetën shoqërore dhe politike të vendit – krejt ndryshe nga ajo që ka ndodhur në shumicën e vendeve ish-komuniste të Evropës. 

Të mbijetuarit e revoltës së Spaçit, familjet e tyre dhe mbarë shoqëria shqiptare, pret në këtë 50-vjetor që shteti, qeveria dhe politika shqiptare në përgjithësi, që më në fund, t’i përgjigjet vullnet të mirë dhe me vepra, pyetjes dhe kushtrimit të Pal Zefit nga burgu i Spaçit 50-vite më parë: “A ka mbetë ndonji shqiptar gjallë, që të mbrojë nderin e shqiptarit!?” – Kjo për hir të burgosurve që humbën jetën në Spaç, por mbi të gjitha, për hir të një Shqipërie të lirë e demokratike, për të vertetën historike, për drejtësinë dhe për të drejtat bazë të njeriut, për të gjithë dhe pa dallim.  Ka ardhur koha që ashtu siç u hoq ylli komunist nga Flamuri i Gjergj Kastriotit – Skenderbe në revoltën anti-komuniste të Spaçit 50-vjet më parë, të shembet edhe “muri ideologjik i berlinit” midis shqiptarëve, njëherë e përgjithmonë. Dyert e ferrit komunist si ato të kampit të Spaçit nuk guxojnë të hapen më kurrë për shqiptarët! Pajtim e paqë midis shqiptarëve!

Frank Shkreli

Filed Under: Histori Tagged With: Frank shkreli

7 UDHËTIMET E REPORTERIT REUBEN HENRY MARKHAM NËPËR SHQIPËRI RRËFYER NË GAZETËN AMERIKANE MË 1931 — PJESA E PESTË : “NGA VLORA PËR NË SARANDË, NDALESA NË TEPELENË DHE LEGJENDAT E ALI PASHËS…”

May 10, 2023 by s p


Reuben Henry Markham (1887 – 1949)
Reuben Henry Markham (1887 – 1949)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 10 Maj 2023

“The Christian Science Monitor” ka botuar, të shtunën e 14 marsit 1931, në ballinë dhe në faqen n°5, rrëfimin e pestë të reporterit amerikan Reuben Henry Markham rreth 7 udhëtimeve që ai ka realizuar asokohe nëpër Shqipëri, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar : 

Fortesat e Shqipërisë feudale të braktisura pasi regjimi modern vendos tokën nën udhëheqjen e një sundimtari

Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 14 mars 1931, ballinë dhe faqe n°5
Burimi : The Christian Science Monitor, e shtunë, 14 mars 1931, ballinë dhe faqe n°5

Faktorët e vështirë me të cilët përballen fermerët

Zonat përgjatë detit shpesh përmbyten dhe kodrat kanë tokë pak pjellore

Nga R. H. MARKHAM

Korrespondenti i stafit të The Christian Science Monitor

Saranda, Shqipëri — Ka dy rrugë automobilistike që shkojnë nga Vlora, porti më i mirë i Shqipërisë, deri në gjirin e vogël të Sarandës në pjesën ekstreme jugore të mbretërisë.

Më e shkurtra ndjek bregun e detit për 70 milje mbi male të thepisura e të larta të mbushura me gremina të mëdha, shkëmbinj të mëdhenj të zhveshur dhe lugina të ngushta të thella dhe është një nga rrugët më piktoreske që mund të gjendet kudo në Evropën Juglindore.

Është e rrezikshme dhe e vështirë për makinat, kështu që shoferët e shmangin atë. Megjithatë, ajo përshkohet dy herë në javë në çdo drejtim me kamion postar dhe mund të fitohet një vend në sediljen pranë shoferit për 2 dollarë. Udhëtimi zgjat gjithë ditën dhe në mesditë mund të hahet (drekohet) në qytetin e Himarës, i vetmi vendpushim i mirë veror i Shqipërisë, shumë lart mbi detin Jon. Kjo është e vetmja pjesë e bregdetit shqiptar e cila është e lartë dhe pothuajse e vetmja pjesë e pyllëzuar.

Unë mora rrugën tjetër. Është 105 milje e gjatë, kalon në lindje rreth grupit shumë të lartë të maleve bregdetare dhe kalon nëpër disa qytete interesante të Shqipërisë.

Kodrat rrethojnë Vlorën

Duke u ngjitur në kodrat që rrethojnë Vlorën, ne ndjekim rrjedhën e një lumi të vogël për një rrugë dhe më pas drejtohemi në kodra të larta, të zhveshura, shkëmbore. Kjo është hera e parë në udhëtimin tonë që largohemi nga fushat shqiptare.

Nga qyteti më verior, Shkodra, në Tiranë, kryeqytet, dhe nga Tirana në portin e Vlorës, ne përshkonim tokën e sheshtë jo shumë larg detit Adriatik, duke kaluar nëpër një pjesë të madhe të asaj që konsiderohet zona më e mirë bujqësore e Shqipërisë.

Udhëtuam nëpër fusha, pamë bimësi aty-këtu, takuam njerëz që lëronin (plugonin) dhe takuam disa qerre me dy rrota dhe madje tufa gjelash deti, por këtu në male gjithçka është e zhveshur. Nuk ka as pyje, as fusha dhe rruga jonë dredha-dredha, e cila rrotullohet njëra pas tjetrës, na çon nëpër një vend të zymtë dhe steril, ku ka disa fshatra të vegjël, të gurtë, të gjithë duken të zymtë, të ngërthyer dhe të uritur.

Të rralla dhe të pakta janë pasuritë që natyra ka shpërndarë mbi këto male. Është një vend i heshtur, i lartë dhe i vetmuar. Nuk takojmë asnjë udhëtar dhe nuk parakalon asnjë. Rruga është e mirë dhe mjaft e mirëmbajtur edhe pse e rrezikshme. Megjithatë, shoferi ynë mburret se aksidentet nuk ndodhin kurrë në asnjërën prej këtyre kthesave të pambrojtura që qarkullojnë mbi humnerat që gogëzojnë. Drejtuesit shqiptarë, thotë ai, janë të gjithë të aftë, të kujdesshëm dhe të matur.

Fortesat shqiptare të braktisura nën sundimin modern

Sado i lartë, djerrë dhe i thatë të jetë ky vend, ai nuk është shumë më pak produktiv se fushat buzë detit. Dhe kjo është një prej vështirësive më të mëdha të Shqipërisë; shumë nga ato pak fusha të vogla që zotëron nuk mund të shfrytëzohen. Ato janë shumë të ulëta dhe gjithashtu, shpesh nën ujë.

Ato janë aq moçalore dhe të lagura sa nuk mund të kultivohen. Ato përmbyten aq shpesh saqë as nuk mund të banohen, prandaj ka vetëm pak fshatra fushore.

Shtëpitë e fshatarëve zakonisht vendosen në vende të larta. Kështu, shumica e maleve janë të thata dhe të shkreta, ndërsa fushat, të paktën përgjatë detit, janë të shkreta, të shkretuara, të mbushura me insekte dhe me bimësi të padobishme. Në tokë ka fuqi prodhuese, por Shqipëria duhet ta zbusë dhe ta bëjë produktive.

Pasi udhëtuam për tre orë, zbresim nga majat e malit në një lumë të madh, me rrjedhje të shpejtë dhe ndalojmë për t’u freskuar në qytetin e vogël të Tepelenës të zhveshur dhe pa pemë. Ajo ka një rrugë të shkurtër kryesore të veshur me ndërtesa të reja dykatëshe dhe disa rreshta kasollesh të vogla të improvizuara, ndërsa pranë tyre ndodhet një kështjellë gjigante e vjetër.

Ditët e shkëlqimit oriental

I gjithë vendbanimi mund të vendosej në një cep të saj. Dhe është ndërtuar nga mjeshtra. Gurët, të gjithë të latuar dhe të matur dhe të vendosur shumë kohë më parë me kujdes njëri mbi tjetrin, qëndrojnë po aq të fortë dhe të drejtë sot si kur ishin të bardhë dhe të rinj.

Ata duken të zymtë poshtë dy luginave konvergjente po aq të frikshme dhe kërcënuese sa kur hynë në detyrë për herë të parë. Sa ditë duhet të kenë tingëlluar këtu çekiçët dhe daltat para se të formoheshin të gjithë, dhe sa tufa kuajsh e gomerësh duhet të kenë zgjedhur rrugën e tyre poshtë shtigjeve malore për të mbledhur gjithë këtë material.

Sa lloj ushtrishë duhet të jenë mbledhur këtu, sa borive u janë rënë dhe sa tinguj shpatash janë dëgjuar. Me çfarë pompoziteti hynë në këtë kamp të madh të rrethuar kryekomandantët orientalë me mjekër të gjatë e byzylykë të artë. Sa roje kanë vëzhguar nga këto kulla dhe sa roje kanë ecur, vigjilentë, përgjatë këtyre mureve të gjera.

Kjo është Shqipëria e vjetër. Kjo është një mbresë e lënë nga qeveritë e djeshme, një emblemë e anarkisë, tiranisë dhe shtypjes feudale. Kjo është kështjella e Ali Pashës, dhe ky vend i vogël i mjerë është qyteti i tij i lindjes. Lugina është plot me fshatra të shpërndara, me shtëpi të vogla, të ndrojtura, fusha të punuara keq dhe fortesa gjigante, të pafytyra.

Kjo ka qenë një tokë e pashallarëve, e pronarëve grabitqarë dhe e luftës. Kjo ishte një luginë e paqëndrueshmërisë, e tradhtisë dhe e frikës. Nuk kishte rend, drejtësi, nder dhe siguri. Popullsia e varfër ishte gjithmonë viktimë e grabitësve të guximshëm, aventurierë. Dhe nga këta më i forti dhe më i keqi ishte Ali Pasha i këtij qyteti.

Legjendat e Ali Pashës

Legjendat e tij ende e mbushin luginën. Për fuqinë dhe tmerrin e tij këngëtarët ende këndojnë. Ai dikur ndihmoi për ta çuar Shkodrën shumë më në veri. Ai jetonte pranë liqenit të bukur të Janinës, në jug. Ai aspironte të krijonte një mbretëri të gjerë duke përfshirë Maqedoninë, Greqinë dhe Shqipërinë.

Ai u përgëzua një herë nga Lord Nelson, u vizitua nga Lord Bajroni dhe u shkrua për të nga Dumas; ai negocioi me Napoleonin, sfidoi Perandorinë Turke dhe ndihmoi grekët të arrinin pavarësinë. Ai komplotoi me kusarët që dikur u dërgua për t’i kapur dhe ndau plaçkitjen e tyre, duke u dhënë atyre mbrojtjen e tij.

Ai lidhi aleancë me të krishterët kundër feudalëve myslimanë dhe me myslimanët kundër të krishterëve, dhe me tradhtinë e tij të suksesshme mblodhi një grup njerëzish të shkëlqyer rreth tij. Ai jetoi shumë i vjetër dhe kaloi në folklor si një hero shqiptar.

Dhe kështjellat e tij të mëdha të vjetra janë ende në këmbë. Por ato heshtin dhe disa prej tyre po shkërmoqen. Ato janë emblema e Shqipërisë së vjetër. Ato tregojnë se nga ka ardhur Shqipëria e re. Ato u kujtojnë vizitorëve vështirësitë me të cilat duhet të përballet Shqipëria.

E gjithë Shqipëria nuk ka qenë kurrë e bashkuar nën një sundimtar deri më tani. Nuk ka pasur kurrë ligje të shkruara për të gjithë, rend të vendosur, gjykata autoritare, libra, komunikime. Ajo ka pasur fortesa. Fshatarët e saj kanë dhënë gjysmën ose tre të katërtat e të gjithë atyre që kanë mbledhur, drejtpërdrejt zotërve në fortesa.

Qeverisja me pushkë

Pasuria e shumicës së njerëzve është varur nga kapriçot e zotërinjve të fuqishëm, të cilët nuk jepnin llogari. Vetëm banorët e guximshëm malësorë guxuan të mbronin pavarësinë e tyre, prandaj drejtësia u bë sinonim i abuzimit të mirëmenaxhuar.

Pikërisht nga ky material Mbreti Zog po përpiqet të bëjë një Shqipëri të re, të shëndoshë, të rregulluar, të ndritur me qytetarë që respektojnë ligjin. Ai nuk është një Ali tjetër, nuk është një Pasha më shumë. Ai është babai i popullit të tij, në vështirësi të mëdha që përpiqet të krijojë një shtet modern. Kështjellat e vjetra refuzohen dhe hidhen poshtë, por nuk është aq e lehtë t’i zëvendësosh ato me shkolla, gjykata dhe ferma model. Kjo kërkon kohë.

Shkoj lart lumit për 30 milje, duke parë ujin blu-jeshil të pulsojë poshtë gjetheve të rrapave të artë, pastaj kthehem në perëndim drejt detit, përsëri lart kodrave dhe poshtë në portin e vogël të Sarandës, i cili me dritat e tij vezulluese përmes errësirës i ngjan një qyteti pionier të minierave të Far West-tit.

Pjesa e parë : “Arritjet e Shqipërisë nuk duhet të krahasohen me Zvicrën apo Holandën, të cilat kanë qenë të lira për shekuj, por me atë që ajo vetë ishte dje dhe pardje”

Pjesa e dytë : “Shkodra dhe lumi që “ngacmon” të gjithë zonën. Quhet Drin, por mendoj se duhet të quhet Drin Pasha, pasi u ngjan pushtuesve të egër…”

Pjesa e tretë : “Tirana është qyteti më triumfues në këtë pjesë të botës…”

Pjesa e katërt : “Durrësi antik po shndërrohet në portin kryesor të vendit. Vlora është një nga qytetet më të mira shqiptare…”

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebja

“Maqedonia, nga lashtësia në ditët tona” e Jusuf Buxhovit

May 9, 2023 by s p

Nga prof.dr. Romeo Gurakuqi/

Randësia e këtij aktiviteti promovues ka të bëjnë me personalitetin e autorit, me veprën konkrete që sot po e promovojmë në Tiranë, temën mjaft të rëndësishme të marrë në shqyrtim, shtrirjen kohore të studimit, përgjithshmërinë e subjektit të saj dhe faktin që është ndër punët e përkthyera në gjuhën angleze, një prej “vuajtjeve” më të mëdha që ka historiografia jonë, krahas defekteve të metodës së kërkimit, çlirimit nga dogmat dhe pasionet, njohjes së mangët të arritjeve të historiografisë perëndimore dhe të vendeve fqinje ballkanike, për shkak të izolimit tonë të mjeruar në diktaturë dhe nënvleftësimit me varfëri të shkollës së studimeve historike në tranzicion.

Autori i librit, profesor Buxhovi, është para së gjithash një intelektual, gazetar dhe aktivist politik, pjesë e strukturës më rilindase dhe më pro europiane që ka nxjerrë bota shqiptare e 40 viteve të fundit, e drejtuar nga shtetari i mirëfilltë shqiptar, Doktor Ibrahim Rugova.

Në karrierën e tij të gjatë si studiues Profesor Buxhovi ka arritur të shkruajë vepra kapitale për historinë e shqiptarëve në Ballkan, dhe ato punime janë shkruar në liri, janë “të çliruara” nga skemat e ngurta që u janë ofruar dhe vazhdojnë t’u ofrohen, për fat të keq edhe sot e kësaj dite, publikut në dy anët e kufirit, mes dy shteteve shqiptare në Ballkan, ndër institucionet universitare.

Ajo që duhet të them është se veprat gjeneraliste mbi Kosovën dhe kjo mbi Maqedoninë, nuk mund të shkruhen pa një njohje jetësore të arritjeve historiografike të vendeve fqinje me ne, dhe posaçërisht të historiografisë jugosllave dhe serbe.

“Maqedonia nga lashtësia në ditët tona” është një shkrim i historisë maqedonase i bërë i mundur në saje të një studimi përmanent, 20-vjeçar dhe të skedimit sistematik të çdo studimi të shkruar deri më sot për Maqedoninë, ose për vendet e tjera të Ballkanit, që lidhen me fokusin e autorit.

Është shkruar jo për shkak të një projekti zyrtar me afate, me linja të përcaktuara ideologjike dhe teza të dhëna gati nga “mbikqyrësit” dhe “koordinatorët” e akademive politike.

Asnjë krijim i mirëfilltë shkencor dhe i referueshëm ndërkombëtarisht nuk mund të shkruhet me urdhër dhe me afate, siç ndodh ende në vendin tonë, “Republikën e Çudirave”, por për shkak të misionit personal të autorit si shkencëtar dhe atdhetar europianist.

Ky libër është shkruar me saktësi shkencore, korrektesë akademike dhe ban dallim nga përpjekjet që bëhen sot në Shqipëri nga institucionet e ngarkuara, që përpiqen të shkruajnë vepra gjeneraliste përmes copëtimeve të autorësisë, duke humbur boshtin dhe rrënuar ekspertizën, duke shkelur standardet e etikës dhe korrektesës së studiuesve, deri edhe duke mos cituar, duke përvetësuar teza, etj…

Ajo çfarë vuan aktualisht bota shqiptare është mungesa e përkthimeve të veprave mbi historinë tonë në anglisht, ndërkohë që profesor Buxhovi ia ka dalë ta plotësojë këtë hapësirë të lënë bosh nga të gjitha institucionet shqiptare në dy shtetet, për studiuesit ndërkombëtarë, të cilët deri më tash kanë si version të ofruar përgjithësisht, studimet e autorëve të vendeve fqinje, por jo të autorëve shqiptarë. Dhe këtë boshllëk të veprave të autorëve shqiptarë të fushës së historisë ne e konstatojmë sa herë që punojmë në bibliotekat perëndimore. Kjo mangësi nuk duhet të mbetet kështu edhe më gjatë. Korrigjimet në këtë drejtim do të duhet të fillojnë që nga shkolla e përgatitjes së historianëve, që fakteqësisht është në mjerim, formalizëm, zaptim anti-akademik dhe mbyll hapësirat për konkurrencë.

Libri që kemi ardhur sot të promovojnë i kushtohet Maqedonisë, pikërisht asaj pjesë gjeografike të Ballkanit qendër jugor, ku nga antikiteti janë takuar “pllakat” kryesore etnike të rajonit, kulturat, religjionet dhe ku çështja e identitetit, përkatësisë është, më së shumti, e diskutueshme në historiografi dhe në politikë, deri në ditët tona.

Nga ana tjetër, në bashkëkohësi, ky rajon është vendosur në qendër të vëmendjes për shkak të arsyeve gjeopolitike dhe ekspansionit propagandistik të tre shteteve ballkanike, që të errësuar nga nacionalizmi dhe fanatizmi, janë munduar të shtrembërojnë të vërtetën mbi përkatësitë, rrjedhat historike, religjionet, kishat dhe në rastin e kombit tonë, edhe të vërtetën mbi shtrirjen e popullit shqiptar në trevat e veta lindore dhe verilindore, kanë mohuar edhe të drejtat e popullit sllavo-maqedonas, minoriteteve që banojnë në ato anë, përfshirë edhe komunitetin katolik shqiptar në Shkup, bashkësinë e Nanës Terezë, që sot rezulton i zhdukur në heshtje me kontributin e të gjithëve, edhe të shqiptarëve atje.

Ndërkohë, sllavo-maqedonasit, nga ana e tyre, në përpjekjen e ligjshme, do të thoja, për rifmormësimin identitar të veçantë në raport me bullgarët dhe serbët, kanë tejkaluar më pas “tagret e të drejtës të dhëna nga Hyu”, duke lëshuar goditjet e tyre ndaj popullit shqiptar në “Iliridë”, kanë nxitur deri vonë shtrembërimet identitare etj.. Po ashtu, politikanët tranzicionistë të këtij vendi, deri para Marrëveshjeve demokratizuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, janë munduar të krijojnë një Republikë Maqedonase të vetën, për shumicën sllave, ngjashëm me atë që krijoi Tito në vitin 1945 për nevojat zvogëlimit të ndikimit të Serbisë në Federatën Jugosllave, duke vijuar për gati një dekadë në vitet 1990, të mohojnë të drejtat e popullsisë shqiptare, duke injoruar faktin se qënia e Dibrës, Tetovës, Gostivarit, Shkupit, Strugës, etj., ndër ato anë, është produkt i dy procesve: (A) i copëtimit të trevave shqiptare në vitin 1913 dhe 1919-21, rikonfirmimit në vitin 1945 të kësaj ndarjeje të padrejtë historike; (B) si edhe i politikave denacionalizuese, kolonizuese dhe zhbimëse në pikëpamje identitare të ndjekura në Serbi para LIB, dhe në Jugosllavitë e pas LIB dhe pas LDB.

Për t’u kthyer në mënyrë të fokusuar tek libri ynë: “Maqedonia nga lashtësia në ditët tona” është përspektiva e një shkrimtari illuminist shqiptar për Maqedoninë kuptuar shumë më gjerësisht se Republika e Sotme e Maqedonisë së Veriut; është përmbledhja e dijes së tij, arritur gjatë studimit, kërkimit të vazhdueshëm arkivor dhe faktit që ai ka jetuar, në një Jugosllavi, një shtet, që për hirë të së vertetës, ka qenë më i emancipuar, më i përparuar dhe më i qytetarizuar sesa ishte Shqipëria e mbyllur dhe e dhunuar e Enver Hoxhës, Ramiz Alisë dhe e ministrave të tyre të pashpirtë të arsimit dhe shkencës.

Studimi i mikut dhe profesorit tonë është produkt i faktit që shkollat e përgatitjes së historianit e studiuesit të shkencave humane në hapësirën e Jugosllavisë, ku përfshihej Prishtina e Shkupi, kanë qenë shumë më të mira, krejtësisht të konsoliduara, më pak të ideologjizuara se në Shqipëri, vende me biblioteka shumë të pasura, me mundësi të mobilitetit akademik të shkëlqyeshme dhe një mbështetje financiare për intelektualët të ngjashme me atë që vendet perëndimore ofronin.

Edhe këto ditë kam ndej duke menduar: A mund të shkruhej një libër i tillë në Shqipëri?

Profesor i nderuar, keni ardhur ndër ne këto kohë, ndër të tjera për të na kujtuar shumë gjëra, por mbi të gjitha, se ku ndodhemi.

Ky libër mund të shkruhej nga studiues shqiptarë jashtë Shqipërie që ia kanë kushtuar jetën e tyre shkencës, por nuk mund të shkruhej në Shqipërinë e mbyllur dhe sot të hapur, por pa një bosht;

nuk mund të shkruhej në qoftë se në jetë nuk je marrë me studim, konspektim, skedim, pa u ndërprerë, me ecjen ndër disa punë të tjera paralele që nuk kanë lidhje me shkencën;

ky liber nuk mund të shkruhej pa njohjen tuaj të gjuhëve sllave, latinishtes dhe greqishtës së vjetër dhe gjuhëve perëndimore;

nuk mund të shkruhej në një vend ku nuk ka biblioteka që furnizohen përditë me libra;

ky libër nuk mund të shkruhej në qoftë se nuk ekziston një formësim metodologjik dhe filozofik prej historiani të mirëfilltë.

***

Historia e Maqedonisë e autorit Buxhovi në fakt ilustron marrëdhënien e ndërlikuar ndërmjet identitetit etnik, gjuhës dhe pavarësisë kombëtare.

Duke u mbështetur mbi të dhëna sporadike historike, gjeografike, kulturore ose gjuhësore, Serbia, Greqia dhe Bullgaria shpesh kanë avancuar pretendime ndaj Maqedonisë në aspektin e territorit dhe përkatësisë etnike me popullsinë, duke e injoruar situacionin konkret bashkëkohor, rrjedhat e ndërlikuara të 2000 viteve histori ndër këto anë dhe faktin se qenia e këtij territori nën perandorinë otomane deri në fillim të shekulllit XX, kishte ndryshuar dhe ndërlikuar gjithshka në pikëpamje të etniciteteve dhe religjioneve.

Si lektor i Historisë së Ballkanit për më shumë se 32 vite, ndër të parat përgatitje të detajuara që më asht dashur të bëj, kur fillova punën, ndërkohë që regjimi po binte, ka qenë historia moderne dhe bashkëkohore e Maqedonisë dhe me udhëzimin e profesorit tim, Thoma Murzaku, jam adresuar ne Bibliotekën Kombëtare për të gjetur librat e historisë zyrtare maqedonase në gjuhën shqipe.

Ajo çfarë kam kuptuar nga tekstet zyrtare të këtij vendi është se Shkupi zyrtar i periudhës së Jugosllavisë së Dytë kishte investuar në mënyrë strategjike dhe të jashtëzakonshme për krijimin e një Historie Zyrtare të Maqedonisë, për hartimin, nga “konglomerati dhe mishmashi i qendrës së Ballkanit”, një Histori Kombëtare Sllavo-Maqedonase, krijimin e një identiteti të posaçëm sllavo-maqedonas, në mbrojtjen e përsosur të së drejtave politike dhe kulturore për vete, të Republikës së vogël dhe të brishtë të Jugosllavisë.

Në qoftë se sot shkon në Arkivin e Maqedonisë, atje do gjesh të arkivuar, kopjet e dokumentacioneve që zotërojnë arkivat më të rëndësishme ndërkombëtare, çdo dokument që ka të bëjnë me emrin MAQEDONI. Dhe këtë ata studiues zyrtarë e kanë bërë shumë kohë para se studiuesit shqiptarë të Shqipërisë të mbërrinin me hapë dritaret e tyre të vogla dhe gjysmake, në arkivat e Stambollit, Venedikut, Raguzës, Romës etj..

Pse ka ndodhur një gjë e tillë? Shtetarët e Maqedonisë së djeshme nën Jugosllavi e kanë pasur të qartë se përkatësia etnike e maqedonasve ishte dhe është ende shumë e diskutueshme.

Më ka bërë përshtypje të posaçme fakti se si nga një kryengritje e reduktuar në kohë dhe hapësirë, si ajo e Ilindenit dhe Republika e Krushevës që e pason, nga studiuesit zytarë të atij vendi është ngritur një “Kështjellë” e Rilindjes së tyre, e Nacionalizmit, e Patriotizmit Maqedonas, që edhe sot ka reflekse në politikë dhe në mbruajtjen dhe përforcimin e tyre identitar. Normalisht historia e nacionit sllavo-maqedonas ka qenë e vështirë, mbasi bëhet fjalë për një popullsi të shpërndarë në veri dhe në jug të atij rajoni, që ka pësuar edhe shtypje, edhe zhbimje, deri edhe pas LDB, siç është rasti i shpërnguljes masive nga Maqedonia greke të forcave partizane sllave të kësaj kohe. Për rrjedhojë rikompaktësimi dhe mbrojtja në këtë pjesë, krijimi i republikës dhe shtetit, ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm i tyre dhe unë mendoj se ata ia kanë dalë, falë unitetit kulturor, religjioz dhe gjuhësor dhe sot edhe falë kuptimit që njohja e realitetit dhe e të drejtave të popullit shqiptar atje, është kusht themelor i ekzistencës, paqes dhe europianizimit në këtë anë.

Për këto arsye dhe të tjera që do përmend më poshtë, sipërmarrja e Buxhovit në fakt nuk ka qenë e lehtë mbasi caktimi i Maqedonisë në një Kombësi Ballkanike është edhe sot i komplikuar, sepse ishte një rajon me etni të përzier. Deri vonë nuk ka pasur regjistrime të besueshme, hartat e disponueshme kanë qenë kontradiktore. Bullgarët edhe sot pohojnë se maqedonasit janë bullgarë dhe ata flasin një dialekt sllav shumë të ngjashëm me bullgarishten.

Serbët pretendonin se ishin serbë sepse kishin zakone popullore si ato të Serbisë.

Grekët, te fiksuar në nocionet antike dhe në ndërlidhjet gjeografike kanë vënë përherë në dukje mbizotërimin e kishave ortodokse greke dhe praninë e grekëve në zonë që nga koha e Aleksandrit të Madh dhe argumentojnë me forcë se fshatarët e Maqedonisë ishin grekë sllavishtfolës.

Libri i profesor Buxhovit mbi Maqedoninë, sipas meje, ka veçorinë që është një histori gjenerale e këtij vendi, kuptuar në përmasë të plotë, (me përjashtim të historisë bashkëkohorë të Maqedonisë së Jugut) i shkruar pa ngarkesat nacionaliste të përmendura më sipër, jashtë komplekseve të shkrimit të tezave të paracaktuara për arsye politike dhe nevojave të mbijetesave shtetërore.

Ai është një libër i cili nuk injoron asnjë komponent etnik dhe kulturor në dy mije vite histori të kësaj ane të Ballkanit, por ndjek të vërtetën përmes shqyrtimit të rezultateve kërkimore të autorëve seriozë. Para së gjithash, ky libër ndjek faktorin iliro-dardan, arbnor dhe shqiptar në këto anë.

Ndryshe nga mënyra e studimit dhe e shkrimit të deritashëm të historive nacionale ballkanike, autori e ka shkruar historine e Maqedonisë, ashtu siç duhet, të pashkëputur nga historia rajonale e popujve të tjerë me të cilët maqedonasit kanë ndarë të njëjtin fat, brenda perandorive dhe brenda rrjedhave të historisë së marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në këtë libër ne kemi Historinë e Maqedonisë nga koha e Ilirisë dhe Romës, Bizantit, Mbretërise Bullgare dhe Serbe, Perandorisë Osmane. Gjejmë të trajtuara raportet mes Fuqive të Mëdha me perandorinë e sipërpërmendur otomane, dekadencën e kësaj perandorie në fund të shek.XIX dhe fillim të shek.XX, Gjenezën e Çështjes Lindore në tërësi dhe të krizave që kulmuan herë pas here për shkak të kësaj çështjeje të pazgjidhur të Lindjes, për Europën, që kishte të bënte me emancipimin e popujve të robëruar ballkanikë nga PO dhe shpërbërjen e saj; përpjekjet e Fuqive të Mëdha për Reforma, etj.

Shumë interesante paraqitet historia e LDB dhe e Jugosllavisë së Dytë, Periudha e viteve 1981-1991, e pavarësisë së Maqedonisë dhe e krizës së vitit 2001.

Pra, e thënë më qartë, kemi të bëjmë një studim kompleks, të gjithanshëm të atij entiteti historiko-gjeografik, parë në kuadrin e historisë së Europës Juglindore, marrëdhënieve ndërkombëtare të kohës dhe shteteve ku ai territor dhe popullsitë e kësaj ane, kanë bërë pjesë, duke përfshirë, Jugosllavinë e Parë në periudhën mes dy luftrave botërore dhe Jugosllavinë e Dytë, deri ditën kur pjesa veriore e Maqedonisë u mëvetësua si republikë e pavarur, shtet që prirej dhe priret edhe sot të europianizohet.

Duke qenë se, si pjesën e Rilindjes maqedonase dhe shqiptare, ashtu edhe pjesën e Bashkëkohësisë, më ka takuar t’i studioj, vërej se autori ecën në rrugë të ndryshme nga historiografia shqiptare, që ende është peng i fshirësve të së vërtetave dhe atyre që duan të kalojnë kohën kot.

Për profesor Buxhovin kanë rënë me kohë shabllonet e histriografisë komuniste; ai njeh krejt mirë realitetin e kësaj periudhe dhe pjesën bashkëkohore, saktësisht pas rënies së Murit të Berlinit.

Buxhovi mund të themi se ecën në një rrugë krejtësisht të vetën të rishkrimit si historian dhe si dëshmitar i proceseve në tërësi në Kosovë, Maqedoni e Jugosllavi, i çliruar nga komplekset dhe ngarkesat politike dhe duke i qëndruar besnik profesionit të historianit serioz, që nuk ngurron të thotë edhe të vërteta, që të paditurve e të fanatizuarve nuk u pëlqejnë.

Në qoftë versionet e historisë zyrtare të Maqedonisë janë përpjekje për të themeluar një histori nacionale nga interesa të veçanta të atij shteti, të trashëguar nga Jugosllavia e Dytë, libri i profesor Buxhovit është histori e Maqedonisë që nuk ecën në kahun e fshirjes së identiteteve të tjera në atë territor kaq të përzier; është një histori që nuk len në heshtje interesat e popullit shqiptar, rolin e tij si faktor paqësor shtetformues ndër këto anë.

Jusuf Buxhovi është prej historianëve shqiptarë që ia ka dale të kryejë procesin e Rishkrimit të Historisë së trojeve shqiptare në formë gjenerale, që zakonisht e bëjnë institutet. Por ai e ka bërë një gjë të tillë, i vetëm, i çliruar nga dogmat që vazhdojnë të rëndojnë mbi ne në Tiranë dhe që mbajnë lidhur në njëfare mënyre, për një mijë arsye, edhe institucionet historishkruese kosovare.

Një histori e Maqedonisë në versionin që shqiptarët atje duhet ta dinë dhe të krenohen që janë pjesë e saj, mbase për shkak të padrejtësisë së historisë, që i shkëputi nga shteti amë.

Një histori që mban nalt flamurin e Ilirisë, Dardanisë dhe Arbnisë, Rilindjes dhe të drejtave të shqiptarëve, pa shkelur të drejtat e të tjerëve dhe mbi të gjitha duke respektuar të vërtetën, historinë dhe kompleksitetin e kësaj të vërtete në rastin e kësaj hapësire ballkanike.

Filed Under: Histori

#SiSot, më 9 maj 1950, u vu gurthemeli i Bashkimit Evropian

May 9, 2023 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave/

Në këtë datë të shënuar për kontinentin, ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme të Francës, Robert Shuman, mbajti në Paris një deklaratë historike me jehonë në arenën ndërkombëtare. Shuman prezantoi idenë për një forme të re të bashkëpunimit politik në Evropë, për të hedhur pas krahëve pasojat rrënimtare të luftërave.

Bota mbante vesh thirrjen që u adresohej prej Parisit Gjermanisë, Italisë dhe vendeve të Beneluksit, (Belgjikës, Holandës dhe Luksemburgut), për krijimin e një federate europiane, që u kristalizua me themelimin e Komunitetit Europian të Qymyrit dhe të Çelikut. Më tutje, procesi i integrimit europian vijoi me ngritjen e institucioneve të përbashkëta. Kështu në vitin 1955, me Konferencën e Mesinës marrin udhë negociatat për krijimin e Komunitetit Ekonomik Europian (25 mars 1957) në Romë dhe të Komunitetit Europian për Energjinë Atomike, Euratom-it (KEEA).

Për të mbërritur në ditët tona, Komuniteti Europian (BE pas Traktatit të Mastrihtit) u zgjerua në sajë të disa valëve deri në rikompozimin e deritanishëm me 27 vende anëtare, duke iu përshtatur sfidave të kohës përmes latimin një sistem institucional autentik. Bashkëngjitur, një pamje e hartës së Europës, e gjendur në materialet e grumbulluara në fondin e Llukë Karafilit.

#ArkivatFrymëzojnë

#ArkivatKujtojnë

#DPA

#BashkimiEuropian

No photo description available.

See Insights and Ads

Boost post

Like

Comment

Share

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 150
  • 151
  • 152
  • 153
  • 154
  • …
  • 708
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT