• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptaro-Kanadezët në “Black Ribbon Dy – Dita e Fjongos së Zezë”

September 17, 2015 by dgreca

Përkujtohen për të 5-tën herë radhazi nga SHBSHK viktimat e nazizmit e komunizmit e quajtur “Dita e Fjongos së zezë”/
Nga Beqir SINA New York/
MASARYKTOWN TORONTO CA(10 GUSHT 2015) : Në një njoftim të saj në rrjetin social facebook -Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze ka postuar një lajm shoqëruar me fotografit përkatëse, se është përkujtuar muajin e kaluar për të 5-tën herë radhazi nga SHBSHK viktimat e nazizmit e komunizmit e quajtur “Dita e Fjongos së zezë”.
    Më tej në njoftim thuhet se nëntor të vitit 2009, Parlamenti i Kanadasë miratoi njëzëri një rezolutë për të krijuar një përvjetor kanadez të Përkujtimit për viktimat naziste dhe krimet komuniste sovjetike më 23 gusht , të quajtur ” Dita e Fjongos së Zezë – Black Ribbon Day”, që përkon me përvjetorin e nënshkrimit të paktit famëkeq mes regjimeve naziste dhe komuniste sovjetike .
   Këshilli i Evropës Qendore dhe Lindore me komunitetet e saj përbërëse si Estonia, Hungaria, Lituania, Latvia, Polonia, Cekia , Sllovakia, Ukraina etj ku dhe Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze eshte antare nga 4 gushti i vitit 2011 pra për 5 vjet rresht ka marrë pjesë në këtë ceremoni përkujtimore. Organizatorët këtë vit ishin komunitetet Ceke dhe Sllovake.
    Dr.Ruki Kondaj, presidente Nderi e kësaj shoqate në statusin e saj ka psotuar lajmin ku thuhet se në këtë, aktivitet morën pjesë personalitete të politikës Federale e Porvinciale mids tyre dhe minsitri i mbrojtjes se Kanadase Jason Keney dhe nga parlamenti i Ontarios MPP Yvan Baker si dhe këshilltari i Bashkisë së zonës ish parlamentari i Kanadasë Jim Karygiannis.
    Ndërkaq, thuhet se pjesëmarrësit i përshendeti Z.Markus Hees president i Këshillit të Europës Qendrore dhe Lindore në Kanada, politkanë e pjesëmarrës në takim, përfaqësuses diplomatik, përfaqësues të familjeve të viktimave etj.Shoqata Shiptaro Kanadeze u përfaqesua nga znj.Aida Bejte presidente, Dr.Ruki Kondaj, presidente Nderi dhe Z.Andi Demcellari financier e antar bordi. Pas takimit u dha një koktej i thjeshtë nga organziatorët në këtë park të mrekullueshmem ku valviteshin flamurët e të gjithë kombeve pjesëmarrëse.
Kurse, Kryeministri i Kanadasë – Stephen Harper vitin e kaluar lëshoi këtë deklaratë për të shënuar “Black Ribbon Day”, Dita Kombëtare e përkujtimit të viktimave të komunizmit dhe nazizmit në Europë:
“Black Ribbon Dy – Dita e Fjongos së Zezë” është një ditë kujtimi për të mbajtur zi për viktimat e komunizmit dhe socializmit në Evropë dhe për të nderuar ata që humbën jetën e tyre nën këto regjime të egra. Sot ne të gjithë përulemi para atyre burrave dhe grave kurajoze që luftuan dhe sakrifikuan edhe jetën kundër shtypjes dhe tiranisë komuniste.
“Black Ribbon Day” shënon përvjetorin e famëkeq të marveshjes së 1939 Molotov-Ribbentrop midis Bashkimit Sovjetik dhe Gjermanisë naziste, e cila çoi direkt në pushtimin e më të madh të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe masakrat e pakuptimta dhe shtypjen e mozorinë komuniste të miliona njerëzve të pafajshëm.
“Ndërsa ne shënojmë Ditën e Viktimave të Komunizmit, kronikat e kohës na kujton ata burra, gra dhe fëmijë në shumë pjesë të botës, që edhe sot vazhdoin të përballen me aktet e dhunës dhe represionit nga regjimet totalitare dhe ideologjive komuniste dhe anti-humanizmit. Kanada denoncon fuqimisht veprime të tilla si ato që i mohojnë dinjitetin njeriut dhe vlerën e çdo njeriu, e cila është themeli i një shoqërie të lirë dhe të drejtë.
“Qeveria jonë është e angazhuar për të nderuar dhe kujtuar viktimat e komunizmit dhe nazizmit. Kjo është arsyeja pse ne jemi duke ndihmuar për të krijuar një monument në kombin tonë të Viktimave të Komunizmit, monument ky që do të nderojë qindra miliona burrat, gratë dhe fëmijët, të cilët luftuan kundër tiranisë së komunizmit. Gjithashtu, kjo është arsyeja pse ne po ndërtojmë një të ashtuquajtur “NationalHolocaustMonument” në zonën e quajtur “Rajoni Kapital Kombëtar” që do të ruajë kujtimin e Holokaustit dhe viktimave të saj.
“Në këtë ditë të rëndësishme, unë ju kërkojë të gjithë kanadezëve të bashkohem me përpjekjet e qeverisë sonë për të promovuar dhe mbrojtur vlerat e lirisë, demokracisë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit në mbarë botën, dhe të bëjmë atë që mundemi për të siguruar që gabimet e së kaluarës të kryera gjatë sundimit komunist të cilë janë kapitujt më të errët të historisë njerëzore nuk do të përsëriten më. “

Filed Under: Histori Tagged With: Beqir Sina, Ruki Konda& Aida Bejte-Lumi, Shqiptaro-Kanadezët në "Black Ribbon Dy - Dita e Fjongos së Zezë"

Ambasadori Hugh Grant:Mbreti Zog dhe shqiptarët më 6 Prill kërkuan mbështetje tek Amerika

September 17, 2015 by dgreca

NGA RAFAEL FLOQI/

Marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-së e kanë pikënisjen më 28 korrik të vitit 1922, kur ende shteti shqiptar sapo kishte rikonfirmuar pavarësinë.

Vendimi për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ardhur natyrshëm pas vetos që presidenti amerikan Woodrow Wilson vuri në Konferencën e Paqes në Paris duke i rikthyer pavarësinë Shqipërisë.

Presidenti pasardhës i Wilson-it, Warren Harding, emëroi si ambasador të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Ulysses Grant Smith, i cili e nisi misionin diplomatik më 4 Dhjetor 1922.

Deri në vitin 1939 Shqipëria ishte thjesht një komb i preferuar për SHBA-në aq sa dhjetëra amerikanë vërshuan në vendin tonë jo vetëm si diplomatë, por edhe si biznesmenë, themelues shkollash e deri në investitorë ekspeditash për të zbuluar pasuritë e nëntokës sonë.

Kjo do të vazhdonte deri në vitin 1939 kur Shqipëria e humbi pavarësinë e saj pas pushtimit të vendit nga Italia dhe largimit të Zogut nga vendi. Ambasadori amerikan në atë kohë në Tiranë, Hugh Grant, i ofroi tre pasaporta amerikane Zogut: një për vete, një për mbretëreshën Geraldinë dhe një për Lekën e sapolindur, të cilat u refuzuan nga ai.

Hugh Gladney Grant (1888-1972) në kujtimet e tij te botuar gjysme shekulli me parë rrëfen takimin e tij me Zogun pikërisht në prag të pushtimit italian. Eshte interesante qe ambasadoret amerikanë, te cilet nuk pertojnë të thonë realitetin sidomos ne kujtime, shkruajnë me superlativa për Ahmet Zogun. Në një paragraf të shkruar nga Hugh Gladney Grant, paragraf i cili, tek e fundit përbën thelbin e kujtimeve të tij në lidhje me këtë temë shkuhet: “Besoj se historia në gjykimin e saj të fundit, të paanshëm dhe të drejtë, do ta permendë Zogun e parë, Mbretin e Shqiptarëve, si një nga udheheqësit me të famshëm politikë dhe ushtarakë, si një prijës patriot dhe trim, me një inteligjencë dhe zgjuarësi të jashtezakonshme, me te cilat mundi të përballojë dhe të zgjidhë problemet e koklavitura të mbajtjes gjallë të popullit liridashës dhe patriot shqiptar.

Vërtet këtu ka edhe mjaft subjektivizëm dhe një këndvështrim personal, por ky këndveshtrim përbën edhe qëndrimin  shtetëror të Shteteve të Bashkuara. Më 7 prill në ndryshim nga qendrimi anglez që në thelb thoshte se pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste mund të ishte një shkak për të cilin bota do të hynte në luftë. E vetmja fuqi botërore që bëri një dënim të plotë kundër pushtimit të  Shqipërisë nga Italia fashiste ishin Shtetet e Bashkuara, por kjo natyrisht në qerthullin e politikës paqësore të SHBA të kohës.

Me aprovimin e Presidentit Rusvelt sekretari amerikan i shtetit Kordel Hull bëri një deklaratë zyrtare ku dënohej pushtimi fashist i Shqipërisë. Në të duke pasur parasysh rrethanat e kohës dhe qendrimin amerikan për të ruajtur paqen ( ngjarjet e Perl Harbour nuk ishin ndodhur ende), thuhej:

“Pushtimi i dhunshëm dhe me forcë i Shqiperise është padyshim një kërcënim shtesë për paqen në botë.Do të ishte dritëshkurtësi të mos e venin në dukje këtë zhvillim të mëtejshëm. Çdo kërcënim i paqes i shqetëson seriozisht të gjithë kombet dhe dhunon vullnetin e popujve që qeveritë e tyre të mos i çojnë popujt e vet drejt Luftës, por drejt udhës së paqes. Është mëse e nevojshme të shtojmë se si efekt i paevitueshem i këtij incidenti, marrë së bashku edhe me incidente të tjera të ngjashme, është shkatërrimi i më tejshëm i mirëbesimit dhe stabilitetit ekonomik të çdo vendi në botë, duke prekur edhe mirëqënien tonë.” *1

Dhe në raportin e mëposhëm vetë ambasadori Grant thotë që të rinjtë që erdhën deri në mjediset e oborrit të ambasadës kërkonin mbështetjen e SHBA kundër pushtimit Italian. Shembulli i presidentit Willson ndihma që ai pat dhënë  pavarësisë së Shqipërisë  vazhdonte të ishte i gjallë.  Ambasadori amerikan natën e 7 Prillit, duke iu druajtur përleshjeve në rrugë kishte mbledhur të gjithë amerikanët në Legatën Amerikane . Pas bashkimit të Shqipërisë me kurorën e Viktor Emanuelit,  Ambasada amerikane në Tiranë u mbyll zyrtarisht në 16 shtator 1939, ndërsa diplomati Grant u largua më 27 Shtator.

Më poshtë po japim raportin e ambasadorit Grant lidhur me takimin me Zogun në 6 prill 1939, ku shprehet qartë situate psikologjike e Mbretit Zog , para veprimit të largimit të tij  që është parë si një dobësi e tij  apo “tradhti kombëtare”   .

 

***

Sot në mesditë,zhvillova një audiencë me mbretin Zog, ku Mbreti bëri deklaratën e mëposhtme e cila në thelb thotë*2 : “Disa ditë më parë ministri italian në Shqipëri më prezantoi mua disa kërkesa të caktuara të cilat, sipas gjykimit tim, synojnë vendosjen e një protektorati mbi Shqipërinë, gjë të cilën unë e refuzova kategorikisht ta merrja në shqyrtim. Propozimi ishte i tillë që drejtpërdrejt ose tërthorazi do të dëmtonte integritetin dhe pavarësinë e vendit tim. Sereqi, Ministri i ri Pergjithshëm në Itali, më pas pati një bisedë me Musolinin dhe Cianon, me të cilët kishte ‘Nënshkruar më 2 janar 1937, *3

Ku ai paraqiti pikpamjet e mia. Dje pasdite ministri italian bisedoi për dy orë me mua dhe më paraqiti më pas disa kërkesa, të cilat të marra së bashku ishin më shumë sesa një protektorat mbi Shqipërinë.

Ministri italian tha se donte një përgjigje për qeverinë e tij nga unë sot brenda orës 12-të. Unë refuzova t’i mirrja në konsideratë kërkesat e tij ,të cilat do të rezultonin, sipas mendimit tim, në një protektorat. Ministri italian pohoi se kërkesat nuk do të përbënin një protektorat .

Kërkesave të paraqitura nga Ministri italian më drejtoheshin mua në emër të Mbretit e kërkonin që ne t’u siguronin,: (1)  kontrollin e të gjitha porteve,  rrugëve të komunikacionit dhe aeroporteve në rast se pavarësia e Shqipërisë do të ishte në rrezik, (2) vendosjen e një organizatori italian në çdo ministri shqiptare, i cili do të kishte rangun e ofiqarit nën ministrin shqiptar; (3) që italianët në Shqipëri të kishin të drejta të barabarta civile dhe politike me shqiptarët; (4) si dhe ngritjen e nivelit të legatës italiane në Tiranë dhe të legatës shqiptare në Romë në rangun e ambasadave.

Në lidhje me kërkesën e parë,. tha mbreti,  ai e kishte informuar ministrin Italian, që pranonte që kjo të bëhej vetëm sipas marrëveshjes të mëparshme, ku thuhej se vetëm në rast se do të lejohej zbarkimin e trupave italiane në Shqipëri, vetëm nëse ai do të kërkonte dhe do të binte dakord. Mbreti tha se ai e kishte refuzuar kërkesën e dytë dhe se ai nuk do të binte dakord për organizatore italianë  pasi kjo nuk i dukej e nevojshme meqë këshilltarë të të tillë ekzistonin në disa ministri edhe në kohën e tashme. Për pikën e tretë Mbreti tha se binte dakord vetëm me dhënien e të drejtave civile e italianëve, pasi po të bëhej plotësimi i kërkesave të tjera , kjo do të thoshte se italianët edhe mund të zgjidheshin në Parlamentin Shqiptar dhe mund të zotëronin toka në Shqipëri.

Mbreti tha se ishte dakord me kërkesën e katërt.

Mbreti deklaroi më tej se ai kërkoi që ministri italian ta takonte ministrin përsëri në mëngjes dhe do t’i paraqiste kërkesën për nënshkrimin e një dokumenti që përmbante kërkesat italiane. Mbreti tregoi më tej se për shkak të insistimin të disa prej ministrave të tij do të duhej që do ta rishqyrtonte vendimin dhe kërkoi nga ministri italian që ta mbante çështjen pezull deri në orën 6-të të asaj mbrëmjeje, në mënyrë që t’i jepte kohë kabinetit shqiptar dhe një delegacioni që e përfaqësonte atë të kishte një mundësi për ta shqyrtuar çështjen.

Ai tha se Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm ishin caktuar për t’i dhënë përgjigje qeverisë dhe ministrit italian. Mbreti tregoi se në funksion të kërkesave për ministrit të tij, ai e kishte lënë Kabinetin dhe Parlamentin të bënte zgjedhjen e tyre. Në përgjigje të pyetjes sime kategorike. nëse Qeveria do t’i rezistonte me forcë zbarkimit të trupave italiane në rast se qeveria shqiptare vendoste t’i refuzonte këto  kërkesa, Mbreti u përgjigj se ai kishte urdhëruar mobilizim e përgjithshëm dhe evakuimin e popullsisë civile nga Durrësi. Madhëria e tij tha se Shqipëria  nuk kishte shumë ushtarë vetëm 373 dhe se ai kishte qenë në gjendje të dërgojnë vetëm dy batalione në portin e Vlorës. Njësitë e tjera tha ai  ishin vendosur në pozicione strategjike.

Ai tha se pjesa tjetër e [me mosveprim të dukshëm] ishin civilë të cilëve u ishin shpërndarë armë. Mbreti tregoi se nuk do të ishte e mundur për ushtrinë e tij t’i  rezistonte shumë gjatë ushtrisë së fuqishme e të pajisur mirë italiane. Ai tha se rezistenca shqiptare do të jetë një protestë kundër agresionit italian dhe një demonstrim për botën, se shqiptarët nuk do të vdesin pa bërë luftë.

E pyeta Mbretin nëse ai kishte marrë ndonjë inkurajim a mbështetje nga anëtarët e Antantës Ballkanke *4 apo nga Anglia dhe Franca. Ai u përgjigj se ministri i tij në Beograd e kishte informuar atë se Qeveria jugosllave besonte se Italia ishte vetëm duke bërë blof dhe nuk bëhej fjalë për ta pushtuar Shqipërinë. E pyeta Mbretin, nëse ai kishte ndonjë mesazh të cilin Madheria e Tij i do të kërkonte dhe do të binte dakord t’ia transmetoja Qeverisë sime. Mbreti u përgjigj se ai do të ishte i kënaqur, nëse unë do t’i përcillja  Presidentit Roosevelt, urimet e tij të përzemërta dhe miqësore dhe theksoi se në gjykimin e tij demokracitë e mëdha  duhet të vendosin të përforcuar pika si në Shqipëri ku ato me sukses do të mund të përballonin agresionin e fuqive totalitare

Sjellja e përgjithshme e mbretit ishte e qetë, por gjatë bisedës që zgjati për gati një orë ai manifestoi emocione të forta, sidomos kur deklaroi se agresioni italian nuk do të përmbushej në Shqipëri, ashtu siç kishte ndodhur në Çekosllovaki. “Ai tha se ai në asnjë rrethanë nuk do të binte dakord  të nënshkruante dorëzimin e vendit të vet, siç kishte bërë Presidenti i Republikës Çekosllovake. Ai iu referua kësaj dhe faktit se italianët nisën ofensivën e tyre në momentin kur Mbretëresha ishte duke lindur një fëmijë me një hidhërim që shquhej në zërin e tij. Në këtë moment të veçantë ai vështronte nga dritarja dhe unë munda të shoh qartë lotët që përbushnin sytë e tij. Në këto momente ai mezi po kontrollonte veten. Ai të jepte përshtypjen e një njeriu që ndjente një zhgënjim të hidhur, për faktin se ai kishte qenë tradhtuar në mënyrë vulgare.

Në orën 4: 30  të pasdites 50 avionë italianë të grupuar në skuadrone nga 10-të  fluturuan në një lartësi të madhe mbi Tiranë duke ardhur nga  jugperëndimi dhe duke u zhdukur në drejtim të bregut perëndimor të Adriatikut. Ndërsa aeroplanët po fluturonin lart,një demonstratë e jashtëzakonshme po zhvillohej nga një turmë prej disa mijëra shqiptarësh qe organizuar në sheshin kryesor të Tiranës. Qindra të rinj shqiptarë po bënin thirrje për të armë  për të mbrojtur vendin e tyre. Një delegacion nga turma tentoi të takohej pasdite vonë dhe në orën 08:00 me Mbretin. Përafërsisht 2,000 rinjt shqiptarë dhe djem që mbanin flamuj shqiptarë thërisnin: “Rroftë Shqipëria, rroftë liria jonë, rrofshin Shtetet e Bashkuara dhe presidenti Roosevelt kur ata hynë në kompleksin legatës dhe parakaluan nëpër territorin përreth.

Kabineti i veçantë dhe parlamenti në takimin në fillim të kësaj mbrëmje votoi për t’i refuzuar kërkesat italiane dhe për të rezistuar me forcë zbarkimin e trupave italiane, por tregoi se ata do të ishin të gatshëm për të diskutuar me Qeverinë Italiane “Traktatin Italo-Shqiptar të Aleancës” për të sqaruar cështjet, per të cilat tani janë në mosmarrëveshje në me detyrimet ushtarake. Në lidhje me këtë u sugjerua, joformalisht që Ministri italian  t’i transmetonte Qeverisë së tij, sugjerimin qe gjenerali Parianti, Sekretari italian i luftës i cili disa vite më parë kishte shërbyer si shef i Departamentit Ushtarak të Gjykatës Mbretërore, të vinte në Shqipëri, në mënyrë që të diskutonin pikat e kësaj çështjeje. Ministri italian, për këtë jam i informuar në mënyrë të besueshme, nuk i ka dhënë shumë inkurajim e sugjerimin, por besohet se ai do t’ia transmetojë kërkesën qeverisë së vet.

Duket se qeveria shqiptare jo vetëm kërkon kohë për një zgjidhje të vështirë me të cilat është duke u  ballafaquar, duke kerkuar kohë por është duke luajtur për herë të pare me kërkesën e sigurimit të asistencës nga jashtë si për të siguruar gjithashtu një mundësi për largimin e sigurt të Mbretëreshës që lindi dje në mëngjes një fëmijë.

 

*****

 

1 Albania in the Twentieth Century, A History: Volume I: Albania and King Zog,.

By Owen Pearson

2 – See Foreign Relations, 1939 vol H

3 , League of Nations Treaty Series, vol. clxxvti, p. 241 ; for agreement signed April 16, 1938, reaffirming the 1937 agreement, see League of Nations Treaty Series, vol. cxcv, p. 77. 1Ronald Hugh Campbell, British Minister in Yugoslavia. * Earl of Perth, British Ambassador In Italy. • British Secretary of State for Foreign Affairs. “Prince Regent of Yugoslavia. a not printed. a Revue de Droit International, 1937, vol. 19, p 372

 

4 – See Foreign Relations, 1938, to I. i, pp. 657 .

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: 6 Prilli, ambasadori Grant, amerika, Mbreti Zog, Rafael Floqi

Dossier- Gazeta “Korça” financohej nga lexuesit, Grekomanët kundër gazetës “Korça”

September 15, 2015 by dgreca

*Gazeta “Korça” e Sami bej Pojanit financohej nga lexuesit e saj Qëndroi në shërbim të tyre deri ditën kur botimi i gazetës u ndalua./

NGA VEPROR HASANI/

Ne Foto: Sami bej Pojanit , botuesi i Gazetës “Korça” 

KORÇË- Pas shpalljes së konstitucionit më 10 korrik 1908, Sami bej Pojani botoi gazetën “Korça”, të parën gazetë shqipe në Shpipëri. Ajo u bë e dashur për të gjithë lexuesit, madje ata u shndërruan në sponsorizues të saj. Shkëmbenin letra me botuesin, jepnin mendime, kërkonin mbështetjen e gazetës dhe ofronin pa rezerva përkrahjen e tyre. Gazeta “Korça” u bë zëri i tyre. Mirënjohja e njerëzve nuk i mungoi kurrë kësaj gazete, ashtu sikurse për të u shkruajtën edhe poezi nga patriotë, intelektualë dhe njerëz të thjeshtë. Këtë  dossier kushtuar botuesit të gazetës “Korça”, po e nisim me një poezi kushtuar asaj, ndërsa do të vijojmë me shumë fakte të tjera të mbledhura në shtypin e kohës.

 Vjershë për gazetën “Korça”

O moj Korç’ e lvdëruar,

Ti moj fletë e nderuar,

Më çdo anë e dëgjuar,

Kurrë mos qofsh e harruar.

Pas emrit të mirë që ke,

Dole ti moj lule e re,

Si të gjorin mëmëdhe,

Ashtu na ruaj dhe ne.

Ymer Zavalani

Gazeta “Korça” 22 janar 1909

Grekomanët kundër gazetës “Korça”

Jo me qëllim tjatër, po vetëm me një mejtim për të mbrojtur të drejtat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, të cilët janë një komb i dëgjuar edhe me nder në ballë, me ndihmën e Zotit zumë të nxjerrim fletën “Korça”. Qyteti i Korçës s’themi që është qendër e Shqipërisë, po ia vumë emrin “Korça”, po me qenë ky qytet nga shërbimet q’i ka bërë Shqipërisë, është dëgjuar midis shqiptarëvet, prandaj na pëlqen ky emër i bukur. Me të nxjerrë në shesh numrin e parë të gazetës muarrëm nder t’ia u dërgojmë gjithë shqiptarëve që ndodhen në Shqipëri dhe atyre që janë jashtë Shqipërisë. Si çdo shqiptar që mori fletën “Korça”, me gaz na uroi. Vetëm ca shqiptarë të qytetit Korçë, që pa turp dhe pa nder në ballë, e quajnë veten e tyre grekomanë, iu paska ardhur shumë rëndë kur paskan parë emrin e Korçës të shkruar me shkronja shqip… (Pikërisht në këtë vend, gazeta është e dëmtuar dhe nuk lexohet qartë, por kuptohet që gekomanët kanë vendosur ta bojkotojnë gazetën, ndërsa më poshtë artikulli vijon): Ç’thoni mo mendje karkalecësh! Ç’qytet u kanë lënë Elinët, akoma me të vjetrat, prapë zutë nga megalidhetë? Oh, të mjerët fatzez! Kur do t’i lini këto mejtimet e ndryshkura; mosni mor të mjerë u gënjeni kaq shpejt se nuk është Korça vent greku dhe nuk ia u kanë lënë Elinët, po ky qytet ka qenë, është, do të jetë Shqipëriii, a muarët vesh. Se prej bojkotazhit tuaj gazeta “Korça” nuk tundet fare nga vendi, se fuqia juaj nuk është e zonja të lëvizë një fill kashte, prandaj sus, mos lihni shumë.

(Gazeta “Korça”, 22 janar 1909)

 

Shtypshkronja “Drejtësia”

Për shtypshkronjën “Drejtësia” në Korçë na lipsen dy radhonjës që i cili, njëri prej tyre lipset të dijë dhe të përdorurit e maqinës. Si kushdo që ka dituri në vethen e tij  është i lutur të na bëjë zë që të merremi vesh me pagesën

Drejtonjës i gazetës “Korëa”, Sami Pojani

(Gazeta “Korça” 12 shkurt 1909)

 

Letër  nga Simon Shuteriqi

Nuk mundem me të vërtetë me çfaqun plotënisht gazin e ngazëllimin q’i ndjeu zemra ime kur për të parën herë këndova fletën e bukur “Korça”. nuk më pyetni vallë kush asht shkaku i gjithë këtij gëzimi q’i s’mundem dot me e dëftyemun me gojë. Përgjigja asht mjaft e dobishme. Shqiptarët do- me-thanë, marsi u dha liria, dëftyen fort bukur q’i kanë nji dëshirë të madhe për diturinë e për mësim. Rrëfyen q’i janë me të vërtetë një kom i veçantë, një kom i squtë me një shpirt e me gjallje, q’i andërron me nat’ e me ditë përparim e mbrodhësi kombëtare, q’i zunë në  fillësimet e shpirtit të tij një mall të shejt për me u përhapun me çfarëdo mënyre gjuha amtare në katër anët të atdheut të dashun të tij, (duke) pasun përpara sysh se kështu vetëm do mundemi të kthehemi së mbari, të mirosemi sikurse mirëvetisht ashtu ene landisht të qytetënohemi, me fjalë të tjera, të arrimë në at shkallë naltësie, në të cilën gjindën sot gjithë komet e qytetënumun. O burrani pra! Mos përtojmë fare! T’i përvishemi punës, sikurse e kërkon koha sot. Të çelim klube në çdo qytet të Shqipërisë, të shtypim ditarë sa mundemi më shumë, të bajmë fletoret e nevojshme për mësim, se kështu vetëm do t’i dëftejmë botës q’i jemi vërtet në jetë, që dumë të rrojmë kombënisht si me thanun. Kështu themi, do t’marrin vesht anmiqtë, q’i me natë e me ditë faqezestë përpiqen të na bajnë vorrin, se neve q’i kemi nderin të quhemi bijt e Skëndërbeut, i çelëm sytë, muarrëm vesht se jemi një kom me emën e me za, e se armët e diturisë me arsimin komtar, do t’i kundërshtohemi çdo djallëzie q’i vjen nga ana e atyne. Përpara tre muajsh afër, u çel këtu mësonjëtore nate. Punët q’i po ban janë për të shënumun. Do t’shofësh mbramje për mbramje 60-70 djem të ri, myslimanë e të krishterë, të mështillen në këtë faltore të ditunisë me mall dhe me dëshirë të shpejt në zemër për me mësumun gjuhën amtare at’gjuhë të shejtënueshme, q’i e folën moti Perënditë e Olimbit. Nga mesi i zemrës i lutemi Fuqimadhit, të këtilla mësonjëtore të hapen së shpejti në çdo qytet t’atdheut jonë, me qenë q’i dobia q’i vjen prej këtyne asht shumë e madhe për komin e jonë, i cili sot duhet të lëkundin e të largohet nga errësira, nga padija e shkretë, e cila prish kombe, zvetënon e çkombëson, njerëzinë e dënon me mjerim e padukmënie të tmerrueshme
Simon Suteriqi

(Gazeta “Korça”, 22 janar 1909)

 

Letër nga Petro Nini Luarasi

Fort i ndërçim zoti Direktor i gazetës Korça.

U lutem të më dhuroni pak vent në të nderçimen gazetë të Z-s (zotërisë) suaj të çpall dy fjalë vëllazërisht në të dashurit shqiptarë. Me qenë që shumë shqiptarë pandehin se kanë  shprehje (të drejtën e shprehjes- shënimi ynë – V.H), duke patur fatin që t’u epetë pak liri për të kënduarë dhe nxënë gjuhën’ e tyre, pa vënë re fjalën e urtë që thotë: “Kush ra poshtë të kujdeset të ngrihetë, dhe kush qendron ngrehetë (ngritur) të vërë re se mos bjerë”.(Petro Nini Luarasi kërkon që shqiptarët të mos behen pre e armiqve të tyre, fal lirisë që u është ofruar, shënimi ynë)

Të tillë shqiptarë janë si shqerat që s’kanë provuar nonjëherë thonjt’ e ujkut, as kanë dëgjuar për lagjet (çarqet) dhe dinakëritë e dhelprës dhe me qenë që shumë Shqiptarë e dëshirojnë përparimin e gjuhës së tyre po e kërkojnë si manushaqe, ta mbjellin të tjerë e ta përgëzojnë ata, pa kur e shohin që fishket ajo manushaqe e bukur, tek duhetë t’i apëmë (japim) krahun e shërimit, ata, pa turp kthejnë sytë mënjanë dhe bëjnë sikur s’e njohinë, andaj për ta, të thjeshtë mëmëdhetarë që kanë shpresë të vdesën si Shqiptarë, u themi që të dini se në fshatrat e Kolonjës një propagandë greke me intriga të hidhura është ngrehur kundër shqiptarisë dhe me (vrik), vërtik e kuxim po përhapet e po dërmon zemrat e Shqiptarëvet, po më shumë të krishterëve të tillë. Në ato fshatra që kanë marrë pjesë Shqiptarija, epet (jepet) pagë në priftrinjtë që të ngatërrojnë fshatarët dhe të priren nga an e grekërvet, dhe në pleqt të fshatit (n’ata më të fortët) e këtyre fshatrave, epet dhe me të fitimçime, (pagesa të larta), po të përkrahin anën e grekomanëvet. Veç këtyre armëve (gra dhe snaider) po ngulenë dhëndurë prej Greqie, e po forcojnë qëllimnë e kësaj propagande. Sot nuk do të zë ngoje për qendrat dhe për vetat e kësaj propagande që gjendet në mes të Kolonjës si thëngjill i mbuluar, por dyke ruajtur të gjurmojmë më tepër e më kthjellët paskëtaj, për qëllim të kësaj propagande të armiktë që po çnderon Kolonjën dhe shqiptarët e atjeshën. U lutemi gjithë shqiptarëvet të kthjellët që ta hedhin këtej dy orë gjumë dhe të rrinë zgjuar për fatin e tyre, dhe veçan lutemi, duke patur shpresë se kolonjarët që janë rrëfyer gjer dje mëmëdhetarë të kulluar do të lenë mënjanë zihjet dhe thashethemet, të cilat po trashin dhe forcojnë propagandat e huaja në vatrat e tyre, se gjithnjë, kur zihen macet, bëjnë minjtë dasmë.

8 Kalmar 1909. P. Raulasi)

Gazeta “Korça”, 22 janar 1909)

 

Letër nga Lek Dukagjini
Zoti drejtonjës!

Pas ca letrave që marrim nga Pogradeci (Starova) mësojmë këto:

Me qenë që në atë qytet u përgatit çelje e shkollës shqipe, mësonjësi i shkollës greqishte i pyetke çunat (nxënësit): Kush nga juve do të vejë në shkollën shqipe?

Dhe çunat që kuxuan e thanë që do të venë, i rrahën. Turp të madh që na dëgjojnë veshët!. Z. dhaskal, me qenë që është shqiptar dhe vëlla i një zoti që është nërmjet të pleqësisë së klubit të Korçës, na vjen keq. I dyti mësonjës i asaj shkolle, i cili është uratë ga Elbasani, Thanasi, i këshillon çunat dyke thënë se po të venë në shqipen do të jenë të mallkuar dhe as të vdekur nuk do t’i varrojë, janë turp t’i shkruajmë, po le t’i shkruaj Perëndia mbi kokë.

Nuk kanë turp nga hoxhallarët?!

Nuk shikojnë që shkuan kohët e para?

Lekë Dulagjini

(Gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909)

 

Përgjigjja e gazetës “Korça”

Dhaskalin e njohim fare mire, se Mitropoliti i Korçës atë zot nuk e ka dërguar për t’u futur mend djemve, se nuk ka i gjori për veten e tij, po e ka dërguar t’u nxjerrë dhe ato dy fara që kanë dhe t’i mësojë të bëjnë dush në gjol që t’u trashen kokat dhe t’u zënë çmers si kok’ e tij, se i mjeri, po të kishte dy zolota ment, do t’ish si të vëllezërit që janë të ndjerë dhe të nderuar nërmjet vëllazërisë edhe botës, po zotëri e tij me patur atë kokë do të zërë cironka në atë gjol të Pogradecit do bjerë dhe do fundosnjë e do gjenjë “tin megali idhean” e grekëvet. Sa për priftin, s’mund të themi gjë, që kur veshi atë rrobë do t’i qelbet firoma. Po me qenë që erdhi kjo kohë, më s’u kanë duk profkat.

(Gazeta “Korça”, 18 shkurt 1909) 

 

Letër e dardharëve nga Amerika

Zoti Dreqtonjës!

Pas ca letrave që marrim nga fshati ynë, Dardha, na shkruajnë se mësonjësi i shkollës elenishte, z. Ligor Sulioti u thotë nxënësve të tij: “Tu alvanizman i psora maqedhonas dhen mulini uti apomakrini apo ton elenizmas!” (zgjebja e shqiptarizmit nuk fëlliq maqidhonët, as që i largon ngaj elenizma) edhe shumë poshtërime të tjera, po më së fundi vë djemtë të thërresën zitooo o elenizmos, kato masono arvanites. Përveç mësonjësit (mësonjësve) janë edhe dy të poshtër që përzihen në të këtilla mejtime, dyke marrë rogë nga ark’ e të qelburve andarë, të cilët janë Thoma Kjano dhe Andon Daku me shokë të tjerë. O qirios dhaskalos, me këta faqezinjtë së bashku, trembin fshatin dyke thënë se ay që kërkon të këndojë shqip ose që i thotë vetes së tij shqiptar, pa dyshim do ta vrasim!! Kur qenka kështu, atëherej çfarë konstitucioni paska në vend tenë?!

(Gazeta “Korça” 6 mars 1909)

 

 

Ndihma për gazetën “Korça”

Shahin bej Kolonja (deputet) 93 grosh, Musa bej Goça 50, Qemal bej Frashëri 50, Rifat bej 30, Eshref bej 50, Nexhar effendi Gjinokastra 50, Dr Mishe Rupishti ( deputet) 113,  Koço pazali 25, Qemal bej Leskoviku 50,  Abaz Zihni Kanina 50.

(Gazeta “Korça”, 12 shkurt 1909)

 

Shtypshkronja “Korça”

Shtypshkronja e gazetës “Korça” ardhi në Korçë, por për fat shkronjat s’kanë ardhur të gjitha, kështu pra, simotra tonë vonojti të botohet. Shumë për një javë besohet të arrijnë shkronjat e të dalë me rregull.

 “Lidhja ortodokse”, 10 korrik 1909)  

 

Sami Pojani mësues

Mësonjës për gjuhën shqipe në shkollën gjimnasto të Korçës u zgjodh direqtori i gazetës z. Sami Pojani

(Gazeta “Korça” 1 vjesht e II-të 1909)

 

Shtypshkronja “Korça”

Simotra t’onë “Korça” doli në dritë prej shtypshkronjës së saj. E urojmë nga zemra: përparim e jetë të gjatë!

(“Lidhja ortodokse”, e premte, 2 vjesht’ e II-të 1909)

 

Ndihma për gazetën “Korça”

Abedin (Bilisht) 5 grosh, Emin Arsllan (Bilisht) 5, Ibrahim Qesaraka 10, Salih Butka Kolonjë 10, Vangjel Qati (Janinë) 10, Sami Vrioni (Fier) 10, Teufik Çelo Leskoviq 10, Shoqëria “Bashkimi” Kolonjë 10, Ahmet Dakli Elbasan 10, Shaban Plasa (Korçë) 10, Vëllazaria Cico Korçë 10, Vëllazëria Çipi Korçë 10, Kosta Leksi Fundo Korçë 10, Behlul (Korçë) 10, Osman Babani  Bilisht 10, Dionis V.Pepo Amerikë 1.20,  Sotir D. Hoçisht 26.20, Xhafer Zejnel Bilisht 10, Fehim Babani Bilisht 5, Velishah Bilisht 5.

Gazeta “Korça”, e enjte 22 vjesht e II-të 1909

 

Shtypshkronja “Korça”

Shtypshkronja e Korçës u pasurua me çdo lloj shkronja. Që sot pra, marrim përsipër të bëjmë çdo porosi që na jepet në çdo gjuhë që të jetë shkrojtur. Shtypim zëdhënie, kart-vizita, pliko dhe kartë tregtije me çdo firmë, polca, fletë shqip dhe të përkohshme, libra,  ftime (ftesa) për dasmë dhe çdo gjë tjetër që të na jepet. Provoni të gjithë shkronjat tona, të rejat. Punojmë me çmime të njerëzijta. Në qoftë se e provoni njëherë punën tonë, jemi të siguruar (të sigurtë) se do të na nderoni përhera me porositë e z. suaj

Mahmud Pojani

(Gazeta “Korça”, e enjtE 22 vjesht e II-të 1909)

 

Letër nga Stambolli

Zot’ i nderçmi Direqtor

Një yll, një shkëlqezë e zjarrtë që del prej artikulave të flakta plot me fjalë të nxehta e të ambla që ka gazeta e Juej, e cila shtypet në një qytet të zgjuar të mëmëdheut tonë javë për javë, po na nderon, po na freskon, edhe tregon detyrat e udhët tona kombëtare, si çashtjen e shqiptarizmit, randësinë e kombit, – për shkurt, – gjithë gjendësinë tonë e nevojat që ka kombi jonë, i mësojmë me anë të kësaj gazete.

T’u-njatë jeta o moj fletë Korçe, o engjëll i bukur i gjuhës sonë. Jetoftë edhe punoftë gjithmonë!

Sa më dridhet zemra e ime, qysh më tundet mendja e ime në këtë cast, dyke kujtumun shkretësin’ dhe varfënin’ e kombit t’onë! Gjer kur vallë o Perëndi, gjer kur na shqiptarët do të mbesim në këtë errësinë të tmerrueshme? Ky fat i keq e ky mallkim i randë gjer kur do të zgjatet? Vrasja e kombeve të tjera që janë shtye në vend t’onë edhe fikja e padijës.

Këqyr o Zot sa keq po na dëmtojnë! Një komb kaq i vjetër e kaq i urtë të jetë sot kaq poshtë!… Të shkelet, të vritet e të copëtohet pa shkak!… Bota të lulëzohet e na të mbesim shkretë… Ah, o Zot, mjaft! Mjaft se shqiptarët  si kanë vue (vuajtur) gjer tash për njerëzinë e shumë vendeve edhe mbas tashit (pas kësaj)  kanë për të vumun (vuajtur).
(Pas këtyre fjalëve, gazeta është e dëmtuar dhe nuk lexohet. Vijojmë më poshtë):

Ah, të mjerët na, që ende jemi në gjumë, që edhe ma s’i kemi kuptumun nevojat t’ona kombëtare! Më një anë padija, më tjetër anë vorfnia edhe shkretnija, këto tri sende që s’mund ta lanë kurrë një komb të punojë e të jetë i lirë, qysh mund një komb të përparojë?

E dimë mirë të gjithë na, se sot të tanë kombet janë në një luftë të madhe e të pasosme; po hutat (pushkët) e kësaj lufte s’janë  arma, plumbi edhe hekuri, po asht penda, mendja edhe puna, apo kroni i këtyre veglave asht mësonjëtorja

Po prapë them se për fat të keq shumë shqiptarë s’e kanë kuptumun kët’nevojë kaq të madhe!
Mësonjëtore pas shekullit të njëzetë nuk kemi kërkund. Udha të hekurta i shkojnë afër vendit t’onë, por për së largut. Kur këto dy vegla të qytetërimit  na mungojnë, kur do të shofim përparim e mirësi në vend t’onë, kur do t’i shofim geg e tosk janë bashkumun në një mendje e zemër e të punojnë, vrapojnë e mundohen për mëmëdhe? Kur do t’i shofim katundarët me buzë të qeshur dhe me ballë të pakujdesun?

Kombi shqiptar këtë mirësi për tashti e pret prej zotnive që janë të zgjumun, që kanë ndjenja kombëtare; edhe padyshim mbasi e kanë hap këtë udhë të shenjtë, kemi për të vajtur përpara, se bashkë me ata do të jenë ndihmëtare edhe femnat, me një fjalë gjithë shqiptarët, i kini mbarë jush.

Belkis
E bij’ e Mahmud Pash’ Elbasanit

Stamboll, 21 vjesht II-të 1909

Botuar te gazeta “Korça”  e enjte, 29 vjesht e II-të 1909.

 

Përgjigjja e gazetës “Korça”

Korça – Këtë letër të vjejtur (të vlerë) shtyllat e gazetës sonë e pritnë me gaz të madh sepse kjo zonjë kurdoherë ka hequr psherëtimet për të mjerin, kombin e saj. Kjo zonjë është (ajo) që protestoi ca kohë, përpara kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme… për shkrimet e ashpra që kish botuar fleta “Tanin” për shqiptarët

I lutemi zotit që zonja të tilla t’ia falë atdheut tonë që të mundnjë të shohë pikën e dritës

Gazeta “Korça” 29, vjesht’ e II-të 1909

 

Letër nga Tirana

Urime dhe disa fjalë për gazetën Korça.

Kur këndova në fletët të ndershme “Korça” letrën me firmën “Belkis” nëgjova një gëzim të paprashëm në zemrët teme. Këtë gëzim nuk mu rrite pa e rrëfy, po mora penën e fillova me shkru; çar me shkru, nuk po dishe prej ati gëzimit të madh, kur sheh një goce Shqyptare kështu, një letër të bukur, me fjalë të flakta, si mos të gezohet.

Po ! Po ! Fort lipset të gëzohet se kombi i vorfën Shqyptar pat ardh më nji shkall të poshtër (te ulët) në kohën e sundimit të kuq të Hamidit, se i pat lidh gjuhën e ambël e i pat lan në errësin. Prej këti shkaku Shqyptarët e vorfën patën met nër kamb të armiqve: Grekët më nji an dojshin t’i bojshin Shqyptarët grek, më tjetrët Nemsja me Italjen luftojshin për dëshirat e veta e përnej Shqyptari dita q’i vinte shkojte në psherëtim.

Funi i shkallës poshtër asht humbja e kombësisë fare; po desh Zoti doli një za nga Resnija dhe pështoj, jo vetëm kombin Shqyptar po gjithë kombet që rrojnë në Turqi. Ky za i rrebët, qi doli nga Resnija e pështoj kombin tonë nga reziku e i tha Shqyptarvet: Çohi! prej këti gjumi, se Kombi i Juej asht i nderum, po juve ju ka pru despotizma më këtë shkallë të poshtër.

Ne Shqyptarët e vorfën u zgjumë dhe i muarëm vesht armiqtë….(Gazeta e dëmtuar nuk lexohet). Vijojmë më tej: Disa rob të fëlliq  fillun me than: “Harfet bervala të latinit të prishin besën. (Është fjala për alfabetin latin), Kjo fjalë dilte prei gojës të disave, qi luftojshin – jo për atdhen – por për dëshirat e poshtra të vetat. Sado qi këta të marrë luftun ta mshihnin të drejtën prap sun fitun gja.

Sun fitun gja se e drejta pra, po e drejt asht. Mos të menohen ata rob kot!. Se ata qi luftojn kështu për dëshirat do të përmenden gjithë herët me nji emën të lig. E pra, kur asht kështu, i lutemi të gjith Shqyptarvet ta hekin prei vetiu dëshirën e poshtër të vetën dhe t’i hidhen punës (së) mamëdheut, qi mos të meret nër kamb prej armiqve, po të përparoj si kombet e tjera.

Ne shqyptarët na duhet të përpiqna ma fort se gjithë kombet, se neve si kur dihet, ja ka pas pru dhespotizma më nji shkall të poshtër fort, po nashti asht detyra e Shqiptarvet të punojm; se kur na thot fleta e bukur e Korçës: “Pun, pun, nat e dit, qi të shohim pak drit” dhe të hekim dor nga dëshirat e poshtra, se ata qi po luftojn; po i shohin që po fëlliqen.

Për mirësinë e mamdheut le t’i mprojm të drejtat e kombit tonë, se me rrena nuk shtohet bota, në ata qi thon që të prishin fenë harfet e latinit, të hekin dor se mesin të fëlliqun.

E zgjata fjalën, po më falni se dëshira e madhe që kam për gjuhën amtare më shtyni të shkruaj këtë fjal.

Nji goc’ nga fshati i çerdhes petritit

(Gazeta “Korça”, e enjte 3 dhjetor 1909)

 

Letër nga Bilishti

  1. Direqtor i fletës “Korça”, Sami Pojani, kënduam në të nderçmen fletën e zotërisë suej që lipset ndihmuar ata shërbëtorët, atdhetarë, të cilët me tepëricën e kafshitës së gojës nisnë të nxjerrin kalendarin “Korça” që do të jetë një vepër fort e bukur për ndriçimin e atdheut të dashur.

Dëshir’ e zemrës t’ime sado që është prej gruaje, po është fort e qëruar në sipathinë e atdheut. Dyke ditur sesa mirësi do të ketë vendi ynë prej këti të shënuari Kalendar, ja ku të dërgoj një mexhite t’ja jepni zotërinjve botonjësve.

Vërtet, kjo ndihma ime është e vogël po them se të kem dorën e mbarë, që të gjitha ato zonja shqiptarka të ndihmojnë ca.

Me nder

Zonja H.B.,

(Bilisht, 22 vjesht’ e III-të 1909).

 

Ndihma për gazetën “Korça”

Ymer Pasha Vrioni (Fer) 10 grosh, Gabil Pasha Vrioni (Fier) 10, Abdurrahman (Serfixe) 10, Hasan (Alasonjë) 10, Salih Hilmi (Ysqyp) 10, Vasil M. Andoni (Elbasan) 10, Klubi “Bashkimi” (Janinë) 5, Klubi “Bashkimi” Delvinë 10, Klubi “Bashkimi” (Meçovë) 10, Aqif Pasha Elbasani (Jevixe) 10, Tashko Tasi Ilo (Rumani) 7, Vëllazëria Gërmenji (Monastir) 10, Abdi bej (Tiranë) 10, Adham Shkaba (Monastir) 10, Shefqet bej (Elbasan) 10, Dhimitri Mole (Filibe) 46.20, Sadik Gjinokastra (Janinë) 5, Refik bej Toptani (Tiranë) 10, Rexhep libohova (Alasonjë) 10, Ali Fasli Gjinokastra (Monastir) 5, Mehmet Sadi (Prevezë) 5, Hasan ef. Binbashi (Dramë) 5, Arslan Korça (Dramë) 5.

(Gazeta “Korça”, 29 vjesht’ e II-të 1909)

 

Ndihma për gazetën “Korça”

Arsllan Korça (Dramë) 5 grosh, Hysen Hastopali (Elbasan) 10, Dr. Simon Rapo (Elbasan) 10, Dhimitri Lazar Papajani (Elbasan) 10, Klubi shqiptar i Filatit 10,

Nxënësit e shkollës dhematje Stamboll 5, Gaqi Athanas Ciko Bukuresht 20, Ali bej Starja Kolonjë 10,  Jakub bej Starja Kolonjë 10, Emin Abem Kolonjë 10,

Vasil Spiro Barmashi Rusi 37, Gjekki Pashë Konica Izmir 10, Vasil Zografi Bukuresht 40.20, Pandeli Durmishi Bukuresht 46.20, Fuad Frashëri Lurës 10, Nikollaq Zoi Korçë 10, Hysejn Dishnica Korçë 10, Thimi Marko Korçë 10, Rustem Klisyra Përmet 10, Vëllazëria klisyra Përmet 10, Vëllazëria jemenli Përmet 10, Baba Hysen melçani Korçë 10 , Emin Selenica Korçë 10, Koçi Paravani  Korçë 5, Qenedi Amerikan Korçë 10, Pandeli Evangjeli Bukuresht 37, Idris Galib Ergjiri 10, Jovan x. Pozo Avlona 10, Minella Mano Korçë 10, Ngjeli Stratobërda Korçë 5, Kola Barmashi Korçë 5, Ilia Kosturi Bukuresht 37, Xhevdet Fehim Lskoviku 10, Osman bej Prevezë 10, Haxhi Lumçe Ajdonatë 5, Klubi Osmanlli Korçë 10, Neki Frshëri Korçë 10.

(Gazeta “Korça” e enjte, 12 vjesht’e II-të 1909) 

 

Kërkohen korrespondentë 

Secili zot që mund të marrë barrën të na lajmërojë ngjarjet e Elbasanit, Shkodrës, Durrësit, Vlorës, Argjirokastrës, Stambollit, Monastirit edhe Janinës, i lutemi të na shkruajë për së shpejti, që të merremi vesh shkoqitur

Nga direqsi e “Korçës”

(Gazeta “Korça”, 21 vjesht’ e parë 1909)

 

Sami Pojani akuzohet për thirrje kundër qeverisë

Gjykatorja e Korçës thirri në pyetje gjithë Komisionë të Mitingut (të shkronjave) për të dhënë përgjigje që, ç’përshtypje u bënë fjalët (fjalimet) që u mbajtën atje edhe më shumë të z. Sami Pojanit, direktor i simotrës t’ënë. U habitmë, siç duhet të habiten gjithë bota, me qenë që në miting kishin urdhëruar edhe nga Hyqymeti (qeveria), edhe po të kishte folur nonjë kondra mbretërisë, duhej thirur ay vetëm, edhe dënuar, e jo gjithë Komisioni. Megjithkëtë, e drejta do të dalë në shesh edhe ata që çpikën këtë çështje do të mbeten të turpëruar.

(“Lidhja ortodokse”, e shtunë 3 prill 1910)

 

Sami Pojani braktis Korçën

Zoti Sami bej Pojani, direktor i simotrës s’ënë, “Korça”, shkojti nga shkaku që u dha vendim për ta burgosur për fjalët që mbajti në miting (të shkronjave)

(“Lidhja ortodokse”, e shtunë 3 prill 1910) 

 

Sami bej Pojani shpallet në kërkim

Njëdizaj policia bastisi shtëpinë e z. Sami bej Pojani, po nuk e gjeti brenda. Për zotërinë e tij është dhënë vendimi që të burgoset gjer sa të gjykohet çështja e mitingut

(“Lidhja ortodokse”, e shtunë, 3 prill 1910)

 

Komisioni i mitingut i shkruan qeverisë

Komisioni i Mitingut hoqi një tejshkrim të gjatë (telegram) vezirit e gjithë deputenjëve shqiptarë për të protestuar masat e pengimet të hyqymetit të Korçës, kundra z. Sami Pojanit dhe Komisionit.

(Lidhja ortodokse, e mërkurë, 14 prill 1910)

 

Vdekja e Sami bej Pojanit

Korçarët gjithë, pa ndryshim (pa dallim), feje ose politike, vrapuan të tregojnë helmin e madh që ndjejnë për vdekjen të Sami bej Pojanit duke dhënë ngushëllimet familjes të të ndjerit. (Gazeta “Koha”, 24 shkurt 1911) 

 

Banda e Lirisë një javë zi për Sami bej Pojanin

Pleqësia e Bandës, me të lajmëruar për vdekjen të Sami Pojanit, vendosi që banda të mbanjë zi një javë, me qenë se ishte një nga themelonjësit edhe këshillonjës i vjetër

(Gazeta “Koha”, 24 shkurt 1911)

 

Dëshpërimi i Pojanit në poezi

Një thirrje nga thelb’ i zemrës djegur

Rënkoni zemra dhe ju shpirtra të helmuar

Dhe ju o sy e buzë aq të dëshiruara

Tundi drurë e male plot dëborë mbuluar

Vajtoni burra dhe ju gra të martuara…

 

Ju zogj heshtni, ah ti fëllëzë mos këndo

Ti zall e lumë me kaq nxitim mos vraponi

Hidhërimin gjindjes thojani ju kudo

Qani me vajtim e zinë ta tregoni

 

Ju fusha mos gjelbëroni, nxihuni më tepër

O pyje fletë mos lëshoni, thahuni fare

O botë lëri punërat dhe mos e bëj një vepër

Ngrihuni ju të vdekur dhe hapni varre

 

Mos rrutullo moj botë, diell mos ndrit

Ashtu dhe ti moj hënë e yje mos shkëlqeni

Ti natyrë e bukur prishu dhe mos prit

Për gjakun që derdhet në Shqipëri, në zi të jeni

(Gazeta “Koha”, 3 mars 1911) 

 

Kush ishte Sami bej Pojani

Sami bej Pojani lindi në Korçë më 1880 prej një oxhaku të vjetër e të ndershëm të Çerçiz Pojanit. Që në foshnjëri Samiu jepte shpresë që do të arrinte një njeri i madh. Si mbaroi ruzhdien e Korçës, vajti në Manastir ku mbaroi gjimnazin turk, pastaj hyri në shkollë të Drejtësisë në Stamboll. Që atje vajti në Edrene nëpunës dhe për pak kohë arriti mydir në Neveskë, Opar dhe kajmekan në Kolonjë. Po ndjenjat kombiare të cilat i kishin dëshirë me qumështin e nënës, nuk e linin të shohë nëpunësinë dhe hidhet në luftë kombiare duke marrë kryesinë e lëvizjes kombiare të komitetit të Korçës në kohë të tiranisë. Xemieti, përpara lirisë në Korçë, Saminë e shkroi në krye anëtar dhe i djegur për liri u përpoq me gjithë fuqinë e tij. Më 1907 u martua, duke u bashkuar me një shoqe nga të mëdhenjtë oshakë të Shqipërisë, të Këlcyrës. Si u dha liria, mori penën në dorë dhe botoi gazetën “Korça” gjersa e ndaloi regjimi ushtarak i Dibrës. Vdekja e djalit të tij, më anën tjetër brengat kombiare, e hodhën në shtrat të lëngatës. Po vdekja nuk mund të tmerronte Saminë se ay dhe i sëmurë gjer në orën e fundit përpiqej për kombësinë. Me karakter të shkëlqyer, me kalorsinë dhe atdhetarinë kishte fituar simpatinë e të githëve. Orator i madh, bënte kudoherë dëgjonjësit të qajnë nga fjalët e tij. Në çdo lëvizje, në çdo çështje kombiare, Samiu ishte i pari. Tani dy javë shkoi në Evropë që të gjente shërim, por vdekja e tmerrshme nuk e la, dhe më 19 të këtij (shkurtit) Samiu dha shpirtin në duart e Perëndisë në Selanik. Me vdekjen e Samiut mbretëria dhe Shqipëria humbasin një bir të dashur e një patriot të madh dhe Korça një flamurtar të shkëlqyer e të dashur. Po përpara gjykimit të Zotit, nuk kemi përveç t’i përulemi e të lutemi që ta ketë nën kujdes e në prehje dhe të pangushëlluarës familje, si dhe gjithë të dashurve, u hedhtë nga një pikë balsam në zemrat e përvëluara

(Gazeta “Koha”, 24 shkurt 1911) 

Filed Under: Histori Tagged With: Gazeta Korca, Vepror Hasani

Miti pellazg i krijimit, ruajtur në kujtesën e grekëve të lashtë, para-qytetërimi dhe fundi hyjnor

September 15, 2015 by dgreca

Nga Lluka Qafoku/

Po lexoja njëkohësisht dy vepra të shquara, të dy autorëve të shquar nga dy vende të mëdha e të fuqishme, që kanë bërë e shkruar një pjesë të madhe të bëmave të njohura të historisë moderne, me orientim qëllimor pothuajse saktësisht të kundërt: “A Room of One’s Own” (“Një dhomë më vete”) e Virginia Woolf dhe “Geschlecht und Character” (“Seksi dhe Karakteri”) e Otto Weininger. Vepra që kanë të bëjnë me problemin themelor të vetëdijes njerëzore, atë të dualitetit fatal, të paravendosur, atë të parakohës së çdo individi(=i pandashëm,a-tom, i gjallë) dhe vetë Universit si Individi i së Tërës (së gjallë, dmth të pandashme)…në raport me synimin unifikues dhe shpëtues të shpirtit njerëzor dhe me shfaqjet e mrekullisë së gjenialitetit në këtë drejtim. Të dy autorët janë vetëvrarë, por vepra e tyre mbetet pas hijerëndë dhe me një vlerë të pakontestueshme si përsa i përket problemit, ashtu dhe përsa i përket paraqitjes së tij.Dy vepra, që diskutojnë atë ndarje fatale, atë dualitet, kontradiktë të pareduktueshme,mbetëse, problemin e dyshit (=Deus), si në të menduarit logjik Boole-an dhe kompjuterik, ashtu dhe në seksualitetin e botës së gjallë e të pagjallë , problemin e unitetit të shpirtit, pra Zotit (që shqiptarët e kanë zët), problemin e honit hyjnor. Problemin e parakohës, paralindjes për çdo qënje, paralindjes së Botës vetë…Dikotomisë dialektike, valles së përjetshme të së njëjtës përmbajtje vdekësore-refren Dhe papritur, si përherë, mu kujtua ai Mit që nis, por dhe përfundon (siç do të përpiqem t’ju tregoj më poshtë), qytetërimin e lashtë mesdhetar, apo greko-latin. Në veprën madhore të restaurimit shkencor të mitologjisë greke “Greek myths” (“Mitet greke”) të profesorit të shquar të Universitetit të Oksfordit Robert Graves (Oxford, 1955), ndeshemi që në krye me atë legjendë të vetme të drejtpërdrejtë, të ruajtur nga folklori grek i lashtë për atë paragrek. Po e paraqes më poshtë të tërë, të përkthyer (fq.21-22)

Miti pellazgjik i krijimit

a) Në krye Eurinoma, Hyjneshë e Të Gjitha Gjërave, doli lakuriq nga Kaosi dhe nuk gjeti asgjë të ngurtë për të vënë këmbët; atëhere e ndau detin nga qielli dhe vetmitare hodhi një valle mbi valë.

Gjithë duke vallëzuar u drejtua nga jugu dhe era që i shtjellej pas shpine ju duk një gjë e re dhe e dallueshme; andaj mendoi ta nisë me të veprën e krijimit. U kthye befasisht, e kapi atë erë të veriut dhe e fërkoi me duart e saj; dhe ja ku u shfaq gjarpëri (Gjëra bëra) gjigand Ofioni.

Eurinoma vallzonte për tu ngrohur, vallzonte me një ritëm gjithnjë e më të egër derisa Ofioni i ndezur nga dëshira i përfshiu në spirat e trupit të tij gjymtyrët e Hyjneshës dhe u çiftua me të. Dihet se Era e Veriut, e quajtur dhe Borea, është një erë mbarsëse (pjellore); shpesh pelat të përkëdhelura nga fryrjet e saj, lindin mëza pa pasur nevojë për hamshor. Kështu mbeti me barrë dhe Eurinoma.

b) Shpejt ajo, kur fluturonte mbi det, mori foprmën e një pëllumbeshe dhe në kohën e caktuar bëri (khs. Bëri, bie, bora-K.Topalli) Vezën e Gjithësisë. Me urdhër të Hyjneshës Ofioni u rotullua shtatë herë rreth vezës derisa kjo u ça dhe dolën gjithë gjërat që egzistojnë, bija të Eurinomës: Dielli, Hëna, planetet, yjet, toka me malet e saj, me lumenjtë e saj, me pemët e saj dhe me barërat dhe krijesat e gjalla.

c) Eurinoma dhe Ofioni u vendosën në malin e Olimpit, por s’kaloi shumë dhe Ofioni e zemëroi Hyjneshën sepse mburrej se ishte krijues i Gjithësisë (Universit). Atëhere Eurinoma e goditi në gojë me një shqelm, i theu të gjitha dhëmbët dhe e lidhi në shpellat e nëndheshme në errësirë

d) Pastaj Hyjnesha krijoi shtatë fuqitë planetare dhe në krye të secilës prej tyre vuri një Titan (=zotëri) dhe një Titaneshë (zonjë): Tia dhe Hiperioni në Diell; Febja dhe Atlasi në Hënë; Dionja dhe Krio në planetin e Marsit; Meti dhe Çeo në planetin e Mërkurit; Temi dhe Eurimedonti në planetin e Jupiterit; Teti dhe Oqeani në planetin e Venusit; Rea dhe Kroni në planetin e Saturnit.

Njeriu i parë ishte Pellazgu, kryetari i fisit të pellazgëve; ai doli nga dheu i Arkadisë, i ndjekur  shpejt nga njerëz të tjerë të cilëve Pellazgu u mësoi se si të ndërtonin kasolle, si të ushqeheshin me lënde dhe si të qepnin veshje me lëkurë derri, të ngjashme me ato që akoma veshin banorët fshatarë të Eubesë apo Foçidës.

Së pari, pavarësisht se miti është përcjellë nga grekët e lashtë, aty ruhet elementi themelor arbëror-shqiptar: kulti i zanave (amazonave), shtojzovalleve, madje fjala e fundit po te ndahet në rrokjet e saj që në shqip janë prapë fjalë, jep gjithë përmbajtjen dinamike të mitit të mësipërm, pra dhe shtimi(shumimi), zë-nja në dy kuptimet dhe vallja. Graves-i jep shumë burime të autorëve të lashtë greko-romakë Aty theksohet që sakrifica që bëhej në fenë pellazge qe Peloria dhe se ata thuhej se ishin të lindur nga dhëmbët e Ofionit (Ateneo XIV 45 639-40). Kjo është e njëjta që zbatohej nga Mirmidonët e Akilit (dhe këta të lindur mitikisht njëlloj), i ati i të cilit quhej Pele dhe që është i vetmi prijës që i lutet në “Iliadë” Zeusit të Dodonës Pellazgjike. Me interes është të ndiqet emërtimi paradigmatik pellazgjik (khs.emërtesa paradigmatike e fenomeneve me fjalët shqip-P.Zheji, “Shqipja dhe Sanskritishtja”) i historisë legjendare greke me kryeheroin Akil dhe i historisë reale greke me Kryeheroin  Aleksandër (të Maqedonisë), kryeqyteti i të cilit ishte Pella. Dhe në librin e Perikli Ikonomit, “ Tomori dhe Dodona Pellazgjike”, Tiranë , 1934, vihet në dukje lidhja e fjalës së lashtë shqip pelje me pelën dhe me plakën dhe me kultin e Hyjneshës supreme në botën pellazge. “Plakat” shqiptare janë “Parkat” greke, siç janë dhe Moiret greke të Mirat shqiptare. Madje më tej aty theksohet dhe kulti i pëllumbit, themelor në mitin e mësipërm. (Vini re afërinë Peloria-pelje-plakë-pelë-pëllumb- pjell). Gjithashtu, fjalët borea-veriu-bora-bëri-fara-para që japin dinamikën semantike të mitit. Graves-i vë në dukje karakterin matriarkal të mitit dhe lidhjen e tij me mitologjitë sumere (sakrifica e pëllumbit) dhe të tjera të Lindjes së Mesme(semite) (Iahu është pëllumbi hyjnor në sumerisht dhe Jehovai) që lidh popujt paragrekë me popujt detarë (për pellazgët flitet në shkrimet e lashta se ishin të tillë) Kjo lidhet dhe me teoritë e fundit linguistike të Bernal.

Së dyti, të bën përshtypje identiteti i figurave me ato të teologjisë së krishterë. Fryma e Shënjtë që lë me barrë Shën Mërinë është identike me mitin. Rrëzimi i Ofionit po ashtu me rrëzimin e Luciferit. Madje Krishti thotë: “Qofshi të pastër si pëllumbat dhe të matur si gjarpërinjtë”-elementë themelorë të mitit. Në librin e P.Ikonomit që zura në gojë më sipër thuhet duke cituar një autor të lashtë se klerikët pellazgë të Dodonës ishin përkthyes dhe profetë, dhunti këto të Shpirtit të Shenjtë. Dhe egzaltimi maksimal i dashurisë së nënës është ndoshta thelbi i krishtërimit–“Totus Tuus”. Ja pra fundi i mentalitetit qytetar grek po në mitin paragrek duke rënë në po ata elementë në Krishtërim.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Lluka Qafoku, Miti pellazg

Kultizimi i Janullatosit në afreskun e ri ikonografik

September 13, 2015 by dgreca

E vërteta rreth afreskut: “I zbrituri nga qielli, Kryepeshkopi Anastas”/

Nga Arben LLALLA/Historian/

Pas denoncimit tim, ku në afreskun e ri ikonografik tek kishëza e katedrales ortodokse të Tiranës paraqitet kryepeshkopi Anastasios tek zbret nga qielli si Jezu Krishti, funksionarët e KOASH-it ia mbuluan me copë të bardhë fytyrën kryepeshkopit të ikonizuar në murin e brenda kishës…

I mbuluan fytyrën për të mbuluar të pabërën, flagrancën e madhe në historinë e Ortodoksisë: vetkultizimin e Janullatosit!

Në një vend me mendësi kryesisht materialiste, Kryepeshkopi zëvendëson Krishtin në mendjen e besimtarëve, duke imituar pozitën gjysmë-hyjnore e gjysmë-njerëzore të Zotit Perëndi: Ai zbret nga  qielli mbi një pejsazh ngrehinash në trajtë qyteze-kompleks, për t’i dhuruar një fëmije kullën-kambanore, duke i vënë kështu “vulën” misionit të tij në Shqipëri.

Por skandali është vetëm në fillesat e tij dhe ka nisur të shqetësojë besimtarë të KOASH-it, si dhe klerikë e laikë të cilët ndihen të zhgënjyer nga një kapërcim i tillë befasues e tronditës.

Tre përfaqësuesit e KOASH-it u kapën në një siklet të madh teksa u shtrënguan të flisnin mbi këtë temë gjatë një emisioni televiziv para disa ditësh. Edhe pse funksionarë të lartë, ata nuk e përfaqësuan denjësisht Kishën, ndërsa tre të ftuarit e tjerë folën me fakte e profesionalizëm. 

Ngërçi ishte aq i madh sa ata u shtrënguan të gënjejnë, se afresku-skandal “nuk është në kishë, por në një kishëz,” dhe prandaj lejohet pikturimi “në një stil më të lirë.”

Këtu, përveç flagrancës dhe pranimit indirekt të mbrapshtisë, kemi mashtrime të mëdha e rrëshqitje të rrezikshme nga besimi ortodoks, nga të cilat do të cekim këtu disa:  

E para, në të njëjtin emision funksionarët e lartë të KOASH-it argumentuan se kisha e Dhërmiut, edhe pse kishëz, është Kishë në çdo pikëpamje, njësoj si çdo kishë tjetër ortodokse. Si ka mundësi, atëherë, që në rastin e afreskut, atje ku madje ndërtimet dhe pikturimet janë bërë më se të planifikuara e të parashikuara një herë e përgjithmonë, kisha në fjalë nuk është Kishë?

Kjo është shkelje e koncepteve themelore të besimit ortodoks. Historia kishtare ka shembuj të panumërt klerikësh, e madje shenjtorësh, të cilët kanë meshuar gjithë jetën në një kishëz, dhe jo në kisha të mëdha e katedrale. Madje dhe sot në Malin e Shenjtë e gjetkë në Greqi, ka klerikë të veçuar në vëllazëri të vogla të cilët kanë kishëza shumë më të vogla se ajo për të cilën mashtrojnë funksionarët e lartë të KOASH-it. A kanë të drejtë priftërinjtë dhe murgjit në fjalë të bëjnë portrete e karikatura nëpër muret e tempullit sepse “nuk është kishë, por kishëz?”   

E dyta, përfaqësuesit ortodoksë thanë se këtë afresk të Janullatosit “e ka bërë një piktor shumë i njohur.” Domethënë justifikohet shkelja kishtare me motive shekullare, e për hir të madhështisë njerëzore? Apo përdoret si pretekst për të shtirë mahnitje ndaj artistit, që të heshtë teologjia e të kapërcehet kriza që i ka kapur sot? Manipulim, madje me gjysmë çmimi… 
Ju lutem, na thoni emrin e piktorit, që të dimë se fshehja e emrit nuk është pjesë e problemit.

E treta. Peshkopi i KOASH-it, kryesori i treshes, tha se në afresket e reja kishtare “ka dhe persona jo realë”. Duke thënë se ka persona jo realë, i shtohet faj shkaktarit, i cili ka zgjedhur vetëm Veten e Tij…

Ku janë personat realë të Ortodoksisë Shqiptare në Kryekishën Ortodokse të Shqipërisë? Si e varrosët kaq shpejt Historinë? Ku janë tiparet e kishës lokale në këto dëshmi te reja?

Kur Kryepeshkopi guxon të imponojë veten e tij (të rënë) ne sfondin historik dhe spiritual të kishës lokale, ky është sakrilegj jo vetëm ndaj besimit ortodoks, por dhe ndaj dëshmorëve e martirëve të kishës vendore, të cilët dëshmuan besimin e tyre duke u përndjekur e persekutuar nëpër burgje e internime.

Ku janë të shenjtët Kostandin Kristoforidhi dhe Petro Luarasi? Ku janë etërit e ortodoksisë shqiptare, Theofan Noli, Visarion Xhuvani, Kristofor Kisi, e të tjerë?

Nëse ata nuk mund të ikonografohen, a pikturohen, sipas përfaqësuesve të KOASH-it, në një kohë që të gjithë janë të vdekur, me çfarë logjike mund të lejohet kjo për kryepeshkopin e gjallë e despot te KOASH-it sot?

E katërta, përfaqësuesit e KOASH-it thanë se është në traditën e ortodoksisë që ai që dhuron paratë për ngritjen e kishës të paraqitet si ndërtues (ktitor). Madje peshkopi i bisedës na solli një shembull nga “afresku më i mirë në botë” (?!), për perandorët që ikonizoheshin tok me patrikët a kryepeshkopët.

Nëse kryepeshkopi sillet e mendon si Perandor në Shqipëri, është temë më vete, por në rastin në fjalë Kryepeshkopi as është dhuruesi i kishës, sepse paratë janë dhënë për Kishën e jo për Janullatosin, dhe as paraqitet në afresk i përulur para Krishtit a para ndonjë shenjtori, siç ka ndodhur kjo në ikonografinë ortodokse, edhe pse shumë rrallë.

Kjo është një çështje të cilën mund ta rrahim më imtësisht më vete. Mund të themi shkurtimisht, se afresket e ktitorëve kanë disa veçori. Për shembull, ktitori nuk paraqitet i vetëm, qoftë dhe Perandor, edhe nëse i ka dhënë të gjitha fondet për ndërtimin e kishës i vetëm.

Zakonisht pozicioni klasik është që i portretizuari paraqitet me tipare njerëzore, ndryshe nga shenjtorët, dhe paraqitet me përulësi të dukshme; për shembull, duke mbajtur një maket apo projektin e kishës në dorë në drejtim të Krishtit apo të një shenjtori. Rëndom afreske të tilla janë jashtë kishës së brendshme, tek narteksi në hyrje.  

Ndërsa në rastin e kishës së katedrales ortodokse në Tiranë kemi të kundërtën: Kryepeshkop Anastasi zbret së larti i vetëm, në një pamje-vegim, madje duke ia hequr trupit të vet disa gjymtyrë, për ta bërë më të justifikueshëm e plotësisht të pranueshëm (Anatomia e afreskut mund të jetë shkrim më vete).

Filed Under: Histori Tagged With: afreskun e ri, arben llalla, ikonografik, Kultizimi i Janullatosit në

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 485
  • 486
  • 487
  • 488
  • 489
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT