Nga Fritz RADOVANI/*
At Mark HARAPI S.J.(1890 – 1974)/
■HAPNI DOSJET E SHKENCËTARËVE…/
■Me 3 Kallnduer 1948…Procesverbal gjykimi, Trupi gjykues i përbërë nga: Kryetar Kap. II Përtef Alizoti; Anëtarë N/toger Anastas Koroveshi, N/toger Xhemal Bejtja dhe ndihmës prokurori ushtarak i zonës së Shkodres, Toger Zurdi Shehu… Vendosi:
At Mark HARAPI, 10 vjet privim lirije… Mbasi plotsoi dënimin u interrnue 5 vjet…
■Në vitin 1963, lirohet dhe këthehet në Shkoder, ku me 10 Shkurt 1974 ka vdekë…
La porosi me u varrosë në vendlidjen e Tij në Shirokë, dhe nën kujdesin e At Ferdinand Palit dhe At Gjergj Vatës, iu plotsue deshira e varrimit. Për këte veprim u arrestuen të dy, me akuzen “krim kunder shtetit” dhe u dënuen. Nëpunësi i varrimit të komunales së Shkodres, Luigj Bushati per lejen e varrimit atje, u pushue nga puna…
■Kush ishte jezuiti At Mark Harapi?
Ishte i biri i Dodë Harapit nga Shiroka, familje e varfen por fisnike, dhe kishte edhe dy vllazën, At Antonin frat e Zefin, nëpunës. At Marku asht le me 25 Mars 1890. Misionarët shetitës në Shkoder i ndihmojnë dy vllaznit Harapi me ndjekë shkollat në Shkoder, dhe mbasi i perfunduen shkelqyeshem, shkuen me vazhdue studimet e nalta në Austri.
At Marku ka perfundue në Seminarin Papnuer Shqiptar gjimnazin klasik per filozofi. Ndersa në dy vite ka studjue edhe teologji. Vazhdoi studimet në Innsbruck të Tirolit, dhe erdhi e tha Meshen e Parë në Shkoder në Gusht 1913. U emnue në Pog – Mgullë, ku ka sherbye 7 vjet, kohë në të cilen shpetoi fshatin pa u djegë nga malazezët…
Shkoi në Itali dhe u doktorue në Filozofi në Universitetin Gregorian në Romë. Atje mori liçencë e doktorat, dhe me kenë se ishte në Vatikan, kerkoi me pa librin e “Mesharit” të Buzukut, per të cilin ato ditë “Hylli i Dritës” dyshonte se nuk gjindej. At Marku e gjeti librin dhe biblioteka e Vatikanit ia dha në dorë me e pa per knaqësinë e Tij. At Marku, bani edhe njoftimin e kenjes së Librit “Meshari” në revistat e kohës.
■Erdhi në Seminarin Papnor si professor i gjuhës shqipe, dhe antar i gjyqit kishtar.
Në Firence mbaroi mësimet e Urdhnit Injacjan, dhe bahet antar i Misionit Shetitës, tue sherbye në Rrëshen, Bishkash, Shna Prende, Delbinisht, Zhejë etj…Vazhdoi sherbimin në Elbasan, per unifikimin e Kishave dhe vazhdoi misionin e vet në Sarandë, Delvinë dhe Gjinokaster. Viziton burgjet e Jugut…dhe qendron edhe në Berat, kohë në të cilën përgatiti “Pergjegjen katolike Katekizmit ortodoks”…
■At Marku ka refuzue të gjitha detyrat e nalta kishtare tue pranue me vazhdue në vitin 1936 në Shkoder, profesor i Seminarit Papnor per filozofi, teologji, dogmatikë dhe besim. ■Ai në Kolegjin Saverian ishte i njohun nder teologët ma të përgatitun që ka pasë ajo shkollë. Përgatitja e tij ishte në disa fusha ku la gjurmët e veta si shkencëtar.
Adaptoi në alfabetin e sotem librin “Çeta e Profetëve” (Cuneus Prophetarum)…
Perkthei librin e Manzonit “Të fejuemit”. Boton në revistat e kohës artikuj filozofik dhe shkencor. Vazhdon deri në vdekjen e Norbert Joklit korespondencën shkencore me Te.
■At Mark Harapi ishte një dijetar në fushen e botanikës, njihte mirë ate në zonat ku ka sherbye dhe kryesisht pasioni i Tij lidhej me zonen e panjohun të Dukagjinit, ku me një kujdes të madh mblodhi bimët e panjohuna të asaj zonë dhe krijoi koleksionet e plota.
Komunikonte në këte fushë me Dr. Margraf, profesor në Universitetin Botanik Berlin. Gjatë kohës që shkonte per me mbledhë bimë të panjohuna në Dukagjin dhe në zonat e nalta Malore të Veriut, At Marku, studjonte edhe insektet e shpendët e atyne fshatrave.
■Në muzeun e Shkollës së Jezuitëve, Ai me ndihmen e Fratel Salës (italian), arrijti me plotsue me punime allqije disa nga shpendët e rrallë, insekte dhe lule, të cilat plotsonin fondin shkencor të atyne studimeve aq me vlerë per shkencen Shqiptare, deri atëherë, jo vetem e panjohun, po edhe e pa prekun me dorë nga askush.
■Në vitin 1946 At Mark Harapi kishte studime, dorshkrime dhe koleksione shkencore të panjohuna (ndoshta edhe në universitetet Europjane), tri valixhe të mbushuna dhe të ruejtuna në Muzeun e Shkollës Jezuitëve, të cilat u sekuestruen nga sigurimi i shtetit, kur u mbyll shkolla dhe të gjitha ju kaluen Instituti të Shkencave në Tiranë…
■Po, kush i shfrytzoi ata punime shkencore, e kush vuni emnin e vet me titull “Dr. Prof” mbi kopertinat e dorshkrimeve të shkencëtarit At Mark Harapi ?…
■Edhe kjo asht një “Dosje” tjeter e pahapun ende per “Dr…Prof…e Akademikët” tanë!
***
■Ishte një ditë me diell korriku e nxehtë…në Shkoder.
Enver Hoxha me “Fjalimin Programatik” të 6 Shkurtit 1967 topiti gjithë Shqipninë.
Shkodra u mbush me “Fletë Rrufe”… Komiteti i Partisë i Rrethit filloi organizimin e disa mbledhjeve per demaskimin e Klerikëve Katolik të Shqipnisë, në Institutin Pedagogjik ku, strehohej si hije anadollaku Ramiz Alia, i ndihmuem prej Xhemal Dinit e Musa Krajës, të cilët PPSh, edhe sot i konsideron “Bashkautor të Gjenocidit komunist”, madje Musa Kraja mori edhe titullin “Akademik”, tue u vlersue dhe nderue edhe nga Pekini e Stambolli, per meritat e zhdukjes Klerit Katolik Shqiptar në Revolucionin Kultural 1967.
Nën lëvozhgen e Frontit Demokratik u demaskuen të parët: At Gegë Lumaj, At Mark Harapi, At Frano Kiri dhe At Gjergj Vata… Filluen edhe njëherë arrestimet si në 1945.
■Kalvari i At Mark Harapit ishte i pafund! Ai ishte edhe vllau i At Anton Harapit…
Dijetari e shkencëtari i heshtun At Marku, kalonte rrugëve të Shkodres pa folë me njeri nga frika se mos i sillte pasoja njerzëve të vet dhe qytetarëve të Shkodres. Më kujtohët aty nga viti 1969 kur po kalonim në lagjen Serreq, tek kryqzimi i Kishës Katedrale, ishe me mësuesin dhe mikun tim Sander Troshani, u ndaluem të dy dhe të stepun, nuk po i besonim syve… po vrojtonim At Mark Harapin, i veshun me rroba të vjetra dhe të zeza, me një shkop dhe një strajcë që kishte në dorë, po kerkonte në grumbullin e plehut pranë shtëpisë së të ndjerit Shan Deda, sigurisht, “dishka me ngranë…”.
E tmerrshme! Shkencëtari, dijetari, botanisti, perkthyesi…
I uritun tue kerkue një kafshatë bukë nder grumbujt e plehut perballë Kishës Kathedrale!
Mësuesi i Rinisë Shkodrane…tue kerkue me shkop në pleh buken e gojës!
Vazhdon Pjesa IX…
*Pjesa VIII- Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…
Melbourne, Mars 2014.
Mid’hat Abdyl Frasheri përkujtohet në Manhattan në 135 Vjetorin e Lindjes
Nga Keze Kozeta Zylo/
“Çdo shqipëtar gjendetë sot përpara gjykatores së historisë. Historia po na gjykon: në mos patmë fatin të jemë stërniprë të lumturë të stërgjyshëvet fatosë, kemi detyrën të përpiqemi që të bëhemi, ne vetë, stërgjyshër të ndershmë për nipët tanë”.
Mid’hat Frashëri
Në Manhattan, në mjediset e “Producer’s Club Theater”, u organizua nga Dr.Ilir Hysa dhe z.Pëllumb Lamaj një sesion përkujtimor me rastin e 135-vjetorit të lindjes së Burrit të ndritur të Kombit Mid’hat Abdyl Frashërit.Ndonëse shumë prej shqiptarëve dhe veçanërisht të gjeneratës sime as që e kanë ditur fare se Mid’hat Frashëri ishte djal i Abdyl Frashërit, sepse regjimi diktatorial na e mësoi që ishte një renegat, tradhtar, si një njeri që s’e donte Kombin ose e kishte lënë në harresë të qëllimshme.
I ardhur nga dera e madhe e Frashëllinjve që i ka dhënë aq shumë Kombit shqiptar, si Abdyl Frashëri ( Babai i Midhat Frashërit), Samiu dhe Naimi dy xhaxhallarët e Tij medoemos që dhe Mid’hati do ecte në rrugën e tyre të dijes dhe të patriotizmit të zjarrtë.
Salla ku do të zhvillohej sesioni përkujtiomor, në një faqe të saj skuqte Flamuri Kombëtar, ai Flamur që të parët e tij së bashku me Të shkrinë jetën si qiriri, ndërsa në sfondin kryesor ishte portreti i Mid’hat Frashërit.
Sesionin e moderoi intelektuali plot sqimë Dr.Ilir Hysa i cili i përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi ata për pjesëmarrjen e tyre në këtë sesion përkujtimor të 135-vjetorit të Midhat Frashërit. Dr.Hysa tha se jemi mbledhur këtu për të përkujtuar Burrin e shquar të Kombit, albanologun, diplomatin, kryetarin e Ballit Kombëtar, shkrimtarin, përkthyesin etj, dhe është krenari që ne sot e përkujtojmë në këtë sesion në Manhattan. është koha që duhet të njohim njerëzit që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare, është koha që historia duhet të vendos në vendin e nderit Mid’hat Frashërin, burri që shkriu gjithë jetën e Tij për çështjen kombëtare. Dr.Hysa ka ftuar z.Alfred Tollja pronarin e “Producer’s Club Theater”, si të zotin e shtëpise për të përshëndetur. Z.Tollja nuk e ka për herë të parë që mirëpret aktivitete të rëndësishme kulturore, por ato janë gati të panumërueshme. Z.Tollja tha midis të tjerash se e kishte krenari që një aktivitet i tillë zhvillohej në Producer’s Club Theater dhe përkujtohej 135 vjetori i lindjes së Midhat Frashërit.
Dr.Hysa ftoi të pranishmit për të parë dokumentarin rreth jetës dhe veprimtarisë së shquar të Mid’hat Frashërit përgatitur nga z.Pellumb Lamaj, ish i burgosur politik qysh në bangat e shkollës në burgun famëkeq të Spaçit.
Dokumentari që titullohet “4 Frashëllinjtë” është mjaft mbresëlënës. Që nga vetë titulli i tij ideatori të fut në botën e Frashëllinjve që dikur njihnim, nderonim, respektonim dhe mësonim që shumë ngjarje të Kombit ishin lidhur vetëm me tre Frashëllinjtë, por në film me fakte kokëforte mëson se nuk ishin vetëm tre burra Frashëllinj që luftuan për Kombin, por midis tyre ishte dhe djali i harruar Mid’hati nga regimi diktatorial enverist, me një fjalë ishin KATËR FRASHËLLINJTË.
Pëllumb Lamaj si një historian me shumë mund dhe kulturë ka sjellë në këtë dokumentar se Mid’hat Frashëri ka qenë: Firmëtar i Pavarësisë, Ministër i Qeverisë së Ismail Qemalit, Kryetar i Kongresit të Manastirit, Nënkryetar i Komisionit të Alfabetit, Ambasador i Shqipërisë në Athinë, Themelues i librarisë “Lumo Skëndo”, Mbrojtës i përbetuar i Kosovës, Avokat i zellshëm i Çamërisë, Kryetar i Ballit Kombëtar, Hartues i Dekalogut etj.
Miqësia e tij me Ismail Qemalin, Faik Konicën, Gjergj Fishtën dhe shumë personalitete të tjera flasin qartë për punët e tyre të vyera si shërbestar të Kombit.
Me lot dhe dhimbje e përcolli Mid’hati ungjin e Tij, Poetin e Kombit Naim Frashërin dhe ja se çka thënë në ditën e varrimit të tij:
“Mbani mënt fjalëtë që na thosh, këshillatë që na epte! Kieni për shëmbllë, se ish i mirë, i virtutshim, vetijmirë, një këshillojnës, një baba!
O Shqipëtarë! në doni të nderoni kujtimin’ e këtí njeriu të math që po e qan sot tërë Shqipërija, mbani mënt fjalët e tij: Jini të mirë, vetijë-pastër; doni mëmëdhenë dhe gjuhënë tuaj”.
Interesant është testamenti i Tij që e ka lënë në moshën 49-vjeçare në të cilin midis të tjerash shkruhet:
“Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin’ e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE” që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë.
2) Dua që nga biblioteka private ime të mos çkëputetë gjë; të gjitha librat të rrinë tok.
3) Gjithë sa më kanë mbeturë nga im atë dhe nga ungjërit, dhe që sot formojnë muzenë t’ime familiare, dëshëronj që të ruhenë prapë në formë të një muzeje të vogëlë, brënda në INSTITUT…
“Do të donja që varri im të jetë në një cep të kopshtit, më të mëngjërë duke hyrë nga porta e rrugësë; mbi këtë varr dua një copë gur të math dhe një qiparis. Më duketë sikur do të jem ruajtësi i INSTITUTIT, sikur do të marr edhe unë një pjesë pasjetore në gjëllimin e tij”.
Amanetin s’e tret as dheu thuhet në fjalën e popullit, por tek ne ndodh që e tret Kreu, e tret shteti se ata e kane fuqinë e parasë dhe të vendit, ata janë “pronarët” e dhunshëm sot për sot, se ndryshe nuk ka se si ndodh që varri i Tij vazhdon të jetë në New York.
Historia e dhunuar dhe mosçuarja e amanetit në vend është një njollë tjetër e turpshme e regjimit diktatorial enverist si dhe e regjimeve të mëpastajme.
Megjithatë le të shpresojmë siç shkruan vetë Frashëri në prozë “Të metat tona” se: “Është virtyt që njeriu të shohë dhe të njohë të metat e tij. Kur e shohim fajin, e ndjejmë që lajthitëm, jemi të penduar. Kjo siguri zgjon ndër ne dëshirën dhe vullnetin që të veprojmë, të ndreqim shtrembësinë, të hyjmë në të drejtë”.
Ne fund dokumentari u mirëprit me duartrokitje nga të pranishmit.
Une bëra sa munda në mergimin e detyruar duke i dhënë botës shqiptare Apostullin e munguar…
Dr.Hysa ftoi në skenë skenaristin e dokumentarit “4 Frashëllinjtë”, z.Pëllumb Lamaj ish i burgosur politik duke e falënderuar dhe shprehur mirënjohjen për këtë punë kaq me vlerë. Z.Lamaj tha se jam rritur me dashurinë për Mid’hat Frashërin qysh ne fëmijërinë time.
Z.Lamaj vazhdoi se ky dokumentar u realizua në kushte të vështira për vetë faktin që historiografia dhe propaganda sllavokomuniste e Tiranës për gjysmë shekulli jo vetëm e kishte censuruar dhe tjetërsuar figurën e Babait të Kombit, por dhe për faktin tjetër të mungesës së dokumentacionit ngaqë mafia neokomuniste që erdhi në pushtet, duke ju frikësuar të vërtetës historike, nëpërmjet veglave të saj, e shtiu në dorë arshivën e Mid’hat Frasherit që gjendej në Amerikë dhe ende e mban të fshehtë… Jam i bindur që në se një ditë kjo arshivë do t’i bëhet e mundur shoqërisë dhe studiuseve, do të jetë një thesar jo vetëm për brezin e ri që ka privilegjin e shkruarjes së historisë, por dhe për vetë kombin shqiptar…Historinë e tyre shqiptarët duhet ta shkruajnë vetë, pa filtra ideologjik, pa ndjenjë inferioriteti karshi të huajve… Kush e harron atë, kush e shkatërron me dashje apo pa dashje, bën krimin më të madhe të të gjitha krimeve… Une bëra sa munda në mërgimin e detyruar duke i dhënë botës shqiptare Apostullin e munguar….
Padyshim të tjerët që do të vinë do të na e sjellin edhe me të plotë, edhe më madhështor Gjeniun e kombit përfundoi fjalën e tij ish i burgosuri politik z.Pellumb Lamaj.
Në këtë tubim e mori fjalën dhe z.Eduard Dilo pinjoll i familjes së Ilia Dilo Sheperit i cili ndër të tjera tha:
Sot na ka mbledhur përkujtimi i 135 vjetorit të lindjes të të madhit ndër të mëdhenjve, “Babai i Shqiptarizmës” Mit’hat Frashëri, që duhet të ishte ditë feste Kombëtare në krejt Kombin dhe për krejt Kombin Shqiptar. Ai është Bir ‘ i denjë i Familjes me vlera të larta Patriotike, Frashëllinjve të pavdekshem. Ai me devotshmëri ju përkushtua krejt vatanit, duke mos kursyer asgjë për të. Që në moshë të njomë, u mor me shkrime e përkthime, vepra këto që hyjnë në gjerdanin e letrave shqip! I rritur në një familje ku Atdheu ishte idhull, në një familje ku Babai i Tij Abdyl Frasheri vuri krejt pasurinë për Shqipërinë (të bëjmë një parantesë këtu, Abdyl Bej Frasheri vuri pasurinë e tërë në dobi të Kombit, ndërkohë që batakçinjtë kombëtare që na kanë udhëhequr e udhëheqin, vjedhin Kombin, pasurinë e çdo gjë Kombëtare duke katandisur popullin në këtë gjendje mjerane që e dimë të gjithë). Ai nuk dinte te ishte ndryshe, po ishte ai që ishte Mid’hati i veçantë e i respektueshëm nga të gjithë. Pjesëmarrës në çdo ngjarje me rëndësi të Kombit: në Kongresin e Alfabatit, apo në Shpalljen e Pamvarësisë etj Bëri që Ai të ishte figura kryesore dhe e respektuar deri para viteve 1944! Ishte udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve. Në Librarinë e tij në Tiranë u krijua një vatër e vërtetë patriotizmi. Me krijimin e Organizatës së Ballit Kombëtar u vu në krye të saj dhe u bë simbol i gjithë atyre që merrnin pjesë në këtë organizatë . Mid’hat Frasheri është Ai që punoi me shumë përkushtim e atdhetarizëm deri në frymën e fundit. Një Luftë të pa epur e plot vetmohim, bëri sidomos në Vitet ’40-të për të sqaruar popullin rreth rrezikut komunist që i kanosej. Deviza e tij aktuale ishte dhe mbetet dhe sot “Shqipëria e shqipetarëve, vdekje tradhtarëve” dhe eshtë një kushtrim për secilin që ta mbajmë e ta duam Atdhenë me shpirt. Në këtë përvjetor ai vjen përsëri i gjallë se porositë e mendimet e tij janë ende aktuale… Qoftë i pa harruar, nder, respekt dhe mirënjohje e lavdi të perjeteshme për Të.
Në këtë tubim foli z.Xheladin Zeneli ish deputet i zgjedhur në vitet 1990 në Mal të Zi, i cili tha se jam i privilegjuar që marr pjesë në përvjetorin e 135-të të Kolosit të Kombit Mid’hat Frashërit. Ne jemi rritur tha ai me Frashëllinjtë. Unë i kam shpëtuar burgut kur recitoja vargjet e Naim Frashërit si: “Ti Shqipëri më ep nder, më ep emrin shqiptar”, i shpëtova për të vetmen arsye se u ndërruan qeveritë dhe nga zgjedhjet ishin në rrëmujë e sipër. Unë brengosem për vendin tim, brengosem për trojet tona që kanë ngelur jashtë Shqipërisë dhe janë nën robëri. Ne duhet të jemi të bashkuar siç kërkonin Frashëllinjtë, se vetëm kështu Shqipëria do të rrojë zonjë vazhdoi z.Zeneli.
Dr.Hysa ka falënderuar disa veprimtarë që me punën e tyre i shërbejnë Diasporës dhe çështjes Kombëtare si: Themeluesit e Shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në Staten Island, Brooklyn, Manhattan, z.Esad Rizai një avokad i komunitetit që vazhdimisht punon me përkushtim për bashkatdhetarët, Xheladin Zenelin për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi, Eduard Dilon për vazhdimin e traditës familjare, z. Alfred Tolljen për mikpritjen dhe aktivistin z.Leo Ruçi nga Vlora.
Z.Dem Feta nga Prishtina ardhur enkas për këtë sesion përkujtimor tha se Midhat Frashëri është vigan i Kombit Shqiptar. “Jemi në fillim të udhës, duhen përpjekje për t’u bërë komb i lirë, i bashkuar i qytetëruar, shkruante Mid’hati në vitin 1897.
Në vitin 1909 ai shkruante se qëkur mbahet mend dheu ynë i gjorë gjithnjë në luftë. Këto turbullime të gjorit mëmëdhe i kanë ardhur së brendshmi dhe së jashtmi. Pyetni 1000 njerëz dhe do të mësoni nga gjyshërit dhe etërit 100 prej tyre janë vrarë. Të paktë janë ata që vdesin në shtrat.
Ai shtroi tezën se Shqipërisë shpëtimi do t’i vijë nga vetë shqiptarët, shpëtimin tonë ta presim nga vetja jonë si një punë të përmirësimit dhe të naltësimit tonë, si një punë që vjen vetiu me djersën me përpjekjet dhe dëshirat tona”.
Z.Esad Rizai ka falënderuar organizatorët për këtë sesion përkujtimor për burrin e shquar të gjithë kombit shqiptar Midhat Bej Frashërin.
Në këtë sesion ka përshëndetur dhe z.Leon Ruci i cili vlerësoi lart figurën e Midhat Frashërit dhe tha se brezat e ardhshëm duhet të njihen me historinë e vërtetë të shqiptarëve.
Sesioni përkujtimor shkundi pluhurin e harresës dhe tërhoqi vëmendjen për rishikimin e Historisë që siç thotë Midhat Frashëri se: “Çdo shqipëtar gjendetë sot përpara gjykatores së historisë. Historia po na gjykon: në mos patmë fatin të jemë stërniprë të lumturë të stërgjyshëvet fatosë, kemi detyrën të përpiqemi që të bëhemi, ne vetë, stërgjyshër të ndershmë për nipët tanë”.
Dr.Ilir Hysa e mbylli sesionin përkujtimor duke falënderuar të gjithë pjesëmarrësit dhe i uroi ata që të jenë së bashku në të tilla aktivitete kaq të rëndësishme për Diasporën kushtuar burrave të shquar të Kombit si dhe historinë e vërtetë duhet t’jua mësojmë me përkushtim brezave.
Sesioni përkujtimor u filmua nga TV “Alba Life” në New York dhe do të transmetohet në kanalet televizive.
22 Mars, 2015
Manhattan, New York
Historia më e pabesushme midis mbijetesës dhe obskurantizmit
Tanzimati, shpallja e kushtetutës së Turqisë dhe rilindja e shqiptarëve/
Nga Harallamb Kota-Studiues/
Etapa e parë e Tanzimatit zgjati 17 vjet (1839-1856) e ndihmoi në forcimin e pushtetit perandorak, dobësimin e pushteteve lokale dhe zëvëndësimin e nëpunësve shqiptar me ata turq. Reformatorët nuk përgatitën asnjë akt në dobi të popujve të robëruar. Ata ndoqën një politikë shoviniste të shtetit të madh ndaj kombeve të pushtuara. Këta të fundit, reformat i panë me syrin e një populli të ripushtuar, e si një forcim të zgjedhës robëruese. Për shqiptarët, të cilët ishin qeverisur në mënyrë autonome gjatë pashallëqeve të mëdha shqiptare, shembja e tyre dhe zbatimi i reformave tanzimatiste, ishte një pushtim i dytë i vëndit. Zëvëndësimi i nëpunësave vëndas me nëpunësa të huaj, që flitnin vetëm me gjuhën e dhunës e të kërbaçit, shërbimi i detyrushëm ushtarak e gjyqet e korruptuara, acaruan më tej kontradiktën kombëtare e shoqërore. Shqiptarëve nuk iu njohën të drejtat e kombeve të tjera. Ata nuk kishin të drejtën të hapnin shkolla në gjuhën shqipe. Përkatësia fetare u ngatërua me përkatësinë kombëtare. Shqiptarët u ndanë në turq, grekë e katolikë. Në rregjistrat osman, shqiptari mysliman shënohej turk, shqiptari ortodoks shënohej grek ose vlleh dhe shqiptari katolik shënohej latini. Fshatarësia e krishterë shqiptare u quajt me termin “Raja” dhe në vënd të shërbimit ushtarak, paguante taksën e çlirimit nga ky shërbim. Edhe fshatarësia myslimane shqiptare nuk përfitoi nga tanzimati. Detyrimet kryesore mbetën po ato. Në vënd nuk u vendos rregulli e qetësia, për të cilat ishte e interesuar në radhë të parë borgjezia zejtaro-tregëtare. Reformat nuk morën parasysh kërkesat kombëtare të popullit shqiptar, ndaj u pritën me armë. Populli shqiptar më 1840 u hodh në disa kryengritje të mëdha antiosmane, të cilat në vitet 1843-1845 përfshinë Prizerenin, Prishtinën, Gjakovën, Rafshin e Dukagjinit, rrethet e Shkupit e Kumanovës, krahinën e Pologut dhe të Dibrës. Më 1847 shpërtheu kryengritja e madhe e fshatarëve të Shqipërisë së Jugut. Kuvendi i përfaqësuesve të krahinave kryengritëse shpalli formimin e besëlidhjes që u quajt “Lidhja Kombëtare Shqiptare”. Porta e lartë përdori forca të shumta ushtarake dhe i shtypi me gjak e terror këto kryengritje. Gjatë periudhës së parë të tanzimatit, u shfaqën intelektualë e patriotë shqiptar, që filluan të mendojnë për ta shpëtuar Shqipërinë. I pari që mund të përmëndim është Naum Bredhi (Veqilharxhi). Një shëmbëll tjetër i intelektualit dhe patriotit të kësaj periudhe është Jeronim De Rada dhe pas tij Thimi Mitko.
Periudha e dytë e Tanzimatit (1856-1876), nisi në janar të vitit 1856, pas memorandumit që Anglia dhe Franca i dorëzuan sulltanit. Dekreti Perandorak u publikua në shkurt 1856 dhe përmbante po ato masa që nuk u realizuan në periudhën e parë. Si rezultat i disa ndryshimeve në ligjin mbi tokën, çifligjet po fitonin gjithnjë e më shumë tiparet e pronave kapitaliste dhe në to po zinte një vend më të dukshëm puna me mëditje. Masat gjysmake, nuk ndryshuan gjëndjen e fshatarësisë, e si pasojë u forcua lufta e saj dhe shpërthyen kryengritjet kundër taksave të rënda e zgjedhës feudale. Hov të ri mori “Lëvizja Kombëtare” e popujve të shtypur të Ballkanit. Krahas intelektualëve dhe patriotëve shqiptar, që ushtronin veprimtarinë e tyre jashtë vëndit, u shfaqen dhe intelektualë shqiptarë, që aktivitetin e tyre e zhvillonin brenda hapësirave të Perandorisë osmane, të cilët filluan të organizohen në shoqata shkencore, kulturore me veprimtari botuese. Kostandin Krisoforidhi qysh në vitin 1864, ishte përpjekur për krijimin e një shoqate kulturore shqiptare në Stamboll dhe kishte pregatitur një alfabet të shqipes për të nxitur hapjen e shkollave shqipe në Shqipëri. Në vitin 1871, intelektualët shqiptar u mblodhën në Stamboll dhe vendosën që të studiojnë kulturën, historin, letërsinë, gjuhën, alfabetin e folklorin shqiptar. Por reformatorët turq, nuk u treguan aspak të gatshëm, që këtë të drejtë tua njihnin edhe shqiptarëve. Shtetarët osman ngulmonin, që shqiptarët t’i njihnin sipas besimit fetar dhe për rjedhojë muslimanët të mësonin nëpër shkolla turqisht, katolikët latinisht, ndërsa ortodoksët greqisht e vllahisht.
SHPALLJA E KUSHTETUTÉS TURKE
Tanzimati kishte përfunduar dhe klasa politike turke po pregatiste ndryshimet e mëdha. Lëvizja Iluministe e kushtetuese në Turqi, filloi në vitin 1870 dhe pas shumë përpjekjesh, në 23 dhjetor 1876 u pranua në fund kushtetuta e parë në historinë e perandorisë. Pas shpalljes së kushtetutës, u zgjodh parlamenti i parë osman. Rreth 60% e deputetëve ishin mysliman. Ndër deputetët e zgjedhur nga krahinat shqiptare, dalloheshin Abdyl Frashëri, Kostandin Kristoforidhi, Mihal Harito, Mehmet Ali Vrioni, Jusuf Podgorica, etj. Në janar të vitit 1878, deputeti i Janinës Abdyl Frashëri paraqiti një projektligj për reformat arësimore dhe tha: “Në Shqipëri nuk ka asnjë fshat që të ketë shkolla. Ky popull i mjerë, për arësye të injorancës, nuk ka mundësi të jap një dëshmi të shkruar. Në këtë injorancë, si do të qytetërohemi dhe si do të përparojmë ?. Kur nëna është injorante, si do ta risë fëmijën me karakter të fortë?.” Kur ushtria osmane pësoi disfatë nga ushtria ruse më 1878, sulltan Abdyl Hamiti në mesin e shkurtit, shpërndau parlamentin për një afat të pacaktuar. Kushtetuta formalisht nuk u anullua por Lëvizja Kushtetuese pësoi disfatë.
RILINDJA E SHQIPTARÉVE
Më 3 mars 1878, u nënshkrua Traktati i Shën Stafanit. Shqetësimi i shqiptarëve ariti në kulm kur me nënshkrimin e tij, Rusia fitimtare i shkëpuste Turqisë në favor të Bullgarisë, Serbisë e Malit të Zi, mjaft vise shqiptare. Në krye të protestave popullore u vu Komiteti i Stambollit ose “Shoqëria e Shkronjëzave”, krerët e të cilit ishin: Abdyl Frashëri, Pashko Vasa, Ymer Prizereni, Zija Prishtina, A.Koronica, Iliaz Dibra, Jani Vreto, Sami Frashëri etj., të cilët shpalosnin në faqet e shtypit europian dhe në selitë diplomatike të Fuqive të Mëdha, platformën e të drejtave kombëtare të Shqiptarëve dhe vendosmërinë e tyre për ti realizuar me çdo kusht këto kërkesa. Më 10 qershor 1878, në kushtet e sundimit osman e të krizës lindore, me nismën e Komitetit të Stambollit,me delegatë të ardhur nga mbarë krahinat shqiptare, u themelua organizata e parë politike e ushtarake mbarëshqiptare “Lidhja Shqiptare e Prizerenit”. Organi më i lartë i saj, ishte Këshilli Përgjithshëm me kryetar Iliaz pashë Dibra, me funksione legjislative. Lidhja mori përsipër të zgjidhte tre detyra themelore që shqetësonin në atë kohë opinionin e mbarë shqiptarëve: -të afirmonte në arenën ndërkombëtare kombin shqiptar si subjekt i të drejtave kombëtare, -të kundërshtonte copëtimin e trojeve etnike shqiptare të vendosur në Kongresin e Berlinit në favor të monarkive fqinje ballkanike, -të realizonte bashkimin e mbarë trojeve etnike shqiptare në Ballkan, në një formacion shtetëror autonom, në kuadrin e Perandorisë Osmane, si hapi i parë për të krijuar shtetin shqiptar të pavarur dhe demokratik. As më parë dhe as tashmë, asnjë nga Fuqitë e Mëdha nuk e përkrahën formimin e një shteti shqiptar. Edhe në Kongresin e Berlinit që u mblodh më 13 qershor 1878, Fuqitë e Mëdha nuk i morën parasysh të drejtat kombëtare të Shqiptarëve. Ato i bënë korigjime Traktatit të Shën Stafanit, i shkëputën Bullgarisë teritoret e premtuara shqiptare,por nga ana tjetër i premtuan Greqisë aneksimin e viseve shqiptare të Çamërisë. Situatat e krijuara i diktuan patriotëve shqiptar që të mblidheshin në një kuvend të ri. Më 1 nëndor 1878 nën kryesinë e I.P.Dibrës, në të cilin morri pjesë edhe Abdyl Frashëri, me cilësinë e përfaqësuesit të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit për Toskërinë, u mbajt Kuvendi Shqiptar i Dibrës. Para mbledhjes, Abdyl Frashëri u bëri thirje banorëve të Dibrës, të linin mënjanë hakmarjen dhe armët ti drejtonin vetëm kundër armiqve të jashtëm, që po rezikonin pavarësinë e vendit. Kuvendi i Dibrës miratoi një rezolut në trajtën e një memorandumi, i cili përmbante 5 pika që shtroheshin edhe në programin e Komitetit të Stambollit: -formimi i vilajetit të bashkuar të Shqipërisë, -krijimi i administratës me nëpunës shqiptarë, -zhvillimi i arësimit në gjuhën shqipe, -përdorimi i një pjese të konsiderushme të buxhetit për përparimin e arësimit dhe për ndërtime botore, etj. Ky memorandum në formën e një resolute, ju paraqit Portës Lartë në fillim të shkurtit 1879, por ajo nuk e mori parasysh. Abdyl Frashëri dhe Kryesia e Lidhjes së Prizerenit, ndjenin nevojën e një organi politik ekzekutiv. Pa humbur kohë, Abdyl Frashëri në fillim të muajit qershor të motit 1880, organizoi Kuvendin ndërkrahinor të Frashërit, ku morën pjesë përfaqësues të krahinave të Shqipërisë Juglindore: Përmet,Skrapar,Korçë e Kolonjë, që administrativisht vareshin nga vilajeti i Janinës dhe i Manastirit. Kuvendi miratoi propozimin për formimin një qeverie qëndrore për krejt Shqipërinë, e cila do të merte në dorë administratën e mbarë vendit dhe do të pëfaqësonte interesat kombëtare shqiptare. Mbarëvajtja e këtij Kuvendi dhe krijimi i situatave të reja, brënda dhe jashtë perandorisë, ishin inkurajuse dhe duhet të shoqëroheshin me kërkesa më maksimale. Për këtë arësye Abdyl Frashëri thiri në Gjirokastër në 23 korrik 1880, një tubim të mdh mbarëshqiptar, ku morën pjesë delegate nga të gjitha trevat shqiptare. Në Kuvendin Kombëtar të Gjirokastrës, u trajtuan çështje me rëndësi kombëtare që ishin:-autonomia e Shqipërisë në përbërje të Perandorisë Osmane, qoftë edhe pa dëshirën e kësaj të fundit, që do të arihej nëpëmjet kryengritjes së armatosur, -koha më e përshtatshme, do ishte çasti kur Perandoria Osmane të pranonte pushtimin e trojeve shqiptare nga ushtritë greko-malazese. Në këtë rast “Lidhja Shqiptare e Prizerenit” do merte në dorë pushtetin politik, do ta shpallte veten Qeveri të Përkohshme dhe do të merte disa masa: – zëvëndësimin e nëpunësve turq me “shqiptarë pa dallim feje”, -administrimin nga qeveria e përkohshme e të ardhurave fiskale për nevojat e Lidhjes, -hartimin e kushtetutës që të përmbante një varg të drejtash demokratike, –vendosjen e rendit dhe qetësisë në mbarë vendin, -sulltani të kishte të drejtë vetëm për të emëruar guvernatorin e përgjithshëm të Shqipërisë autonome, ndërsa kjo do i paguante Portës së Lartë një tribut vjetor me të holla e do të ndihmonte me një kontigjent të caktuar ushtarësh, –perandoria osmane do të detyrohej të mbronte ushtarakisht Shqipërinë nga çdo agresion i jashtëm. Kuvendi i Gjirokastrës shënoi një hap të rëndësishëm përpara drejt formimit të shtetit kombëtar shqiptar.
Këshilli Përgjitshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizerenit
Në zbatim të këtyre vendimeve, në fillim të vitit 1881, Këshilli Përgjitshëm i Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, krijoi nga ana e vet një Komitet Kombëtar (Qeveri të Përkohshme) të paisur me pushtet ekzekutiv. Kuverna e Përdorme ose Qeveria e Përkohshme e Lidhjes Shqiptare të Prizerenit, përjashtoi nga Këshilli i Përgjithshëm anëtarët e pavendosur për shpalljen e autonomisë së Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë Osmane dhe miratoi përbërjen e re të Komitetit Kombëtar. Komiteti ose Qeveria përbëhej prej 10 anëtarësh. Kryetar u zgjodh Ymer Prizereni dhe nënkryetar Sh.Spahiu. Abdyl Frashëri u ngarkua me detyrat e punëve të jashtme dhe Sulejman Vokshi me ushtrinë. Qeveria u përpoq të përhapte kryengritjen çlirimtare në viset e tjera të vilajetit të Kosovës, formoi njësi të rregullta e dha ndihmesë ushtarake. Në viset e çliruara, ajo ngriti një administratë të vetën. Gjatë janarit 1881, forcat ushtarake të Lidhjes çliruan Shkupin, Mitrovicën dhe Prishtinën. Me qeverinë e përkohshme u lidhën edhe qytetet e tjera si Peja, Ferizaj, Vuçiterni etj. Nëpunësit osman u dëbuan nga këto qëndra ku u vendos autoriteti i Lidhjes. Garnizonet e dobëta osmane u detyruan të mbylleshin në pika të caktuara, prej nga ku nuk mund të dilnin pa dorëzuar më parë armët. Forcat e Lidhjes Shqiptare, zunë urrat e hekurudhat, në mënyrë që të pengohej ardhja e përforcimeve ushtarake osmane. Shoqëria e trenave me qendër në Shkup, mori urdhër të mos transportonte trupa dhe municione për ushtrinë osmane. Në shkurt autoriteti i Qeverisë së Përkohshme u shtri edhe në Tetovë, Gostivar e Dibër. Administrata e re që u ngrit në viset e çliruara u pastrua jo vetëm nga funksionarë në shërbim të Sulltanit, por edhe nga përfaqësuesit e qarqeve të moderuara. U morën masa të repta kundër veprimeve arbitrare e shpërdorimit të funksioneve pushtetore nga nëpunësit e pandërgjegjshëm dhe u ndoqën me ashpërsi të gjithë keqbërësit e aratisur. Masa të repta u morën edhe kundra bejlerëve proosman, të cilët u përpoqën të minonin pushtetin e ri dhe disa prej tyre u arestuan. Këto aritje të rëndësishme për kohën, ndikuan edhe në Shqipërinë Jugore. Qeveria e Përkohshme filloi të pregatiste reparte vullnetarësh për të ndihmuar kryengritësit e vilajetit të Janinës në rast reziku nga Greqia, e cila mund të hidhej në veprim. Këto ngjarje shqetësuan jo vetëm Portën e Lartë, por edhe Fuqitë e Mëdha. Ata ndërhynë pranë qeverisë osmane dhe asaj greke, që ti jepnin fund çështjes së kufirit turko-grek, me qëllim që Porta e Lartë t’i kishte duart e lira, për të shtypur kryengritjen e armatosur të Lidhjes Shqiptare të Prizerenit. Pas nënshkrimit të protokollit turko-grek, të marsit 1881, ajo dërgoi forca të mëdha ushtarake në Kosovë. Pas betejave të ashpra në Slivovë, Shtime’ e Curralevë dhe pas pushtimit të Prizerenit e Gjakovës nga ushtria osmane, Qeveria e Përkohshme u shpërnda. Lidhja Shqiptare e Prizerenit ishte organizata e parë patriotike që:-mori përsipër të zbatonte programin madhor të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, çlirimin e atdheut dhe formimin e shtetit kombëtar, – grumbulloi në gjirin e vet të gjithë Shqiptarët, pavarësisht nga përkatësia fetare, krahinore dhe shoqërore, -kombinoi për interesa kombëtare lëvizjen e armatosur me aksionin diplomatik dhe veprimtarinë kulturore,-shkriu në një llogore të vetme, qëndresën kundër Fuqive të Mëdha, Perandorisë Osmane dhe monarkive të fqinjëve për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të realizuar autonominë e Shqipërisë. Si e tillë ajo ushtroi një ndikim të thellë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare dhe mbeti në historinë e Shqipërisë si e para Qeveri Kombëtare shqiptare, duke shërbyer si shëmbull frymëzimi për shqiptarët gjatë kryengritjeve të ardhshme. Populli shqiptar nën drejtimin e Lidhjes, u ngrit në mbrojtje të tërësisë teritoriale të atdheut të vet dhe detyroi Fuqitë e Mëdha të mernin vendime pas vendimesh. Shqipëria u bë plaçkë tregu për të kënaqur oreksin e monarkive ballkanike. Flotat e fuqive evropiane ndihmuan flotën osmane t’i dorëzonte Malit të Zi’ Ulqinin dhe Tivarin. Kështu ndodhi dhe gjatë ratifikimit të kufirit greko-shqiptar.
‘PILOTJA E VDEKJES’ QË BOMBARDOI SERBINË PËR 200 ORË RRESHT!
Nga BEQIR SINA, New York/
CALIFORNIA : Nicole Malachowski (The USA Air Force) është pilotja e parë “bombarduese” amerikane e cila sot e 13 vite më parë, pikërisht më 24 mars filloi ta gjunjëzojë Serbinë. Ajo ka marrë medalje të ndryshme nderi nga Ushtria e SHBA. Ajo është shquar për përsosmëri të jashtëzakonshme në goditjen e objekteve ushtarake serbe, edhe nëpër qendra të banuara, ose afër qyteteve ku ndodheshin bazat.
Me gradën “Majore”, pilotja amerikane, Nicole Malachowski, është dekoruar me medaljet e çmimet më të larta të Ushtrisë Amerikane si “Meritorious Service Medal”, “Air Medal”, “Air Force Commendation Medal”, “Air Force Achievement Medal”, si dhe medaljen “4th Fighter Wing”s”, të cilën e ka marrë si një heroinë e madhe gjatë fushatës së bombardimeve ajrore në Kosovë, për mbrojtjen e civilëve gjatë bombardimeve. Ajo është shquar për përsosmëri të jashtëzakonshme në goditjen e objekteve ushtarake serbe, edhe nëpër qendra të banuara, ose afër qyteteve ku ndodheshin bazat. Besohet se Nicole është një grua e guximshme dhe mjaft e aftë, e para femër amerikane në historinë 60-vjeçare të aviacionit që është pjesë e skuadronit bombardues luftarak “Pilotët e vdekjes”. Ajo hyn kështu edhe në analet e historisë amerikane të fluturakëve, duke u renditur e suksesshme dhe me vlera të spikatura mes pilotëve burra. Deri sot pilotja numëron rreth 200 orë fluturime bombarduese në Kosovë (mars-qershor 1999 – 78 ditë) si dhe 10 ditë në Irak (prill 2003).
Forcat luftarake-ajrore amerikane (The USA Air Force) kanë gjithsej 568 femra pilote. Nga këto vetëm 71 prej tyre shërbejnë me aeroplanët fluturakë. “Unë, thotë Nicole, do të bëj detyrën, pavarësisht se mund të jem vendosur edhe në qendër të debateve, se si ka mundësi që një femër të kryejë këtë detyrë kaq të vështirë dhe me rrezik të madh për jetën”. Pilotja amerikane, Malachowski, ka kryer shkollën e mesme në vitin 1992 në Las Vegas. Fëmija i tretë i një familjeje të vjetër amerikane (nëna quhet Cathy dhe babai i saj Robert Ellingwood). Nicole është e martuar me pilot, edhe ai me gradën “Major”, por me origjinë ruse, i quajtur Paul Malachowski. Nicole u rreshtua në radhët e Flotës Ushtarake Ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vitin 1996, pas diplomimit në Akademinë e Forcave Ushtarake Ajore, me nivelin B. S. në Management dhe më ulët French. Më parë se të inkuadrohej në radhët e skuadroneve bombarduese të Flotës Ushtarake Ajrore të SHBA-ve, “Bubullima e zogut” (Thunderbirds), ajo shërbeu si instruktore dhe komandante me avionët luftarakë “F-15E”, në skuadronin “494th Fighter Squadron”, në bazën amerikane në Britaninë e Madhe, “RAF Lakenheath”. Këtu Nicole mblodhi rreth 1900 orë fluturime, nga këto 1700 orë fluturime me bombarduesit “F-15” dhe “F-16”. Nicole Malachowski, nga Çikagoja, është e datëlindjes 1974 dhe njihet në SHBA si e para femër amerikane pilote me gradën “Major” dhe e para femër amerikane e seleksionuar për të shërbyer në radhët e fluturimeve luftarake në forcat ajrore “Thunderbrids, që njihen ndryshe si “Pilotët e vdekjes” apo “Bubullima e zogut”. Fluturimin e parë në qiell të hapur e ka kryer në vitin 1996. Për piloten amerikane kanë shkruar e folur jo vetëm gazetat, revistat ushtarake, por edhe gazeta e televizione të njohura në SHBA si CNN, ABC, NBC, FOXNEWS etj.
Eksperienca
Malachowski u trajnua në bazën ushtarake “Columbus Air Force Base”, në Misisipi, me fluturakët bombardues “F-15E” e më pas, në bazën Seymour Johnson Air Force Base në Karolinën ë Veriut. Prioriteti i saj ka qenë stërvitja me “Pilotët e vdekjes” (Thunderbird). Më tej, Nicole shërben në bazën RAF Lakenheath, në Angli dhe kthehet sërish në bazën, “Seymour Johnson Air Force Base” në Karolinën e Veriut. Ajo do të shërbejë si oficere edhe në bazën “Camp Red Cloud” në Korenë e Jugut. Nicole ka marrë pjesë në krejt fushatën e sulmeve ajrore ndaj bazave e caqeve serbe në Kosovë e Serbi, si dhe në operacionin “Liria e Irakut” (Operation Iraqi Freedom). Ajo shihet në SHBA si femra që ka bërë histori. Në muzeun e “Pionierëve të fluturimit”, hapur në Washington D.C, asaj i është rezervuar një pavijon i veçantë me fotot, videoxhirimet, shkrimet dhe kujtimet e pilotes nga Britania e Madhe, Kosova e Iraku.
Fushata e sulmeve ajrore, e cila vuri në shënjestër caqet ushtarake serbe në territorin e saj dhe në bazat e vendosura në Kosovë zgjati 78 ditë dhe përfundoi me fitoren e NATO-s. Ajo është konsideruar si lufta më e suksesshme e kohëve moderne të Aleancës Veri Atlantike, NATO.
KUSH ËSHTË KJO PILOTE, BOMBARDUESE E SERBISË ?
Kosova, aty zë një vend të posaçëm, pasi atje pilotja amerikane ka kryer mëse 200 orë fluturime bombarduese gjatë fushatës së vitit 1999. Siç dihet, më 24 mars 1999, është edhe dita kur nisën sulmet ajrore kundër bazave ushtarake serbe në Kosovë dhe në territorin e Serbisë.
Atëhere kur studentët e Kembrixhit,të Sorbonës,Romës…..mbushnin burgjet e diktaturës
Nga Pertefe Leka/
Atëhere kur shkrimtarja e mirënjohur R.W.Lane(Lejn) vuri në lëvizje Diplomacinë Amerikane për të shpëtuar njërin prej tyre.
E nis këtë shkrim nga një barcoletë që qarkullonte në Shkodër, por që kishte të vërtetën në brendinë e saj: Një ekip i Komitetit te Partisë(i periudhës së diktaturës) kishte vizituar një ndërmarrje në Shkodër. Ndërmjet të tjerave, ata kishin këshilluar, që punëtorët duhet t’i nënshtroheshin kurseve të kualifikimit për t’iu përgjigjur cilësisë së prodhimit. Drejtori i ndërmarrjes, kishte thënë, (sigurisht në intimitet dhe për humorin shkodranë) se edhe rojen (ate plakun te dera)e kemi me Kembrixh, pa le te tjerët……
Personazhi në fjalë, ishte Rexhë Meta, biri i Maleve të Kosovës, i mbetur jetim dhe i adoptuar nga shkrimtarja e mirënjohur amerikane, Rose Wilder Lane .
Shkrimtarja R.W.Lane pas 90-tës është bërë e njohur për publikun shqiptar,pasi ajo ka një jetë të pasur artistike. Ajo është autorja e dhjetra librave letrarë e filozofikë, por shumë e njohur në publicistikë.
Për të përshkruar jetën e saj duhet një studim i veçantë por interesi ynë është të njohim atë pjesë te jetës së saj kur ajo erdhi ne Shqipëri dhe lidhjet e saj me Rexhë Meten.
Për herë të parë Rose erdhi në Shqipëri në vitin 1921, me mision humanitar. Ajo ishte ngarkuar nga Kryqi Kuq Amerikan të observonte veprimtarinë e këtij misioni në Europë e Azi pas ngjarjeve të Luftës së Parë Botërore dhe ta publikonte në Buletinin e Kryqit Kuq.
Në Shqipëri ajo erdhi me një grup punonjësish për të ndihmuar refugjatët nga Kosova dhe trojet shqiptare jashtë kufijëve, të dëbuar me forcë nga serbët.Ata punuan me përkushtim në emër të “Komitetit për mbrojtjen e Kosovës”
Udhëtimin e parë e bëri në Veri të Shqipërisë, në Luginën e Shalës me qëllim për të hapur një rrjet shkollash në ato zona të thella.
Grupin e shoqëronte edhe një djalë i ri i quajtur Rexhë Meta i cili kishte ardhur me prindërit në Shkodër, pas dëbimeve masive. Vuthjani i vogël shpejt mbeti jetim dhe ishte marrë nën mbrojtjën e Kryqit të Kuq Amerikan që vepronte në Shqipërinë e Veriut. Ai në grupin e fëmijëve refugjatë ishte i dalluar, pasi në një kohë rekord kishte mësuar anglishten, paçka se nuk i ishte dhënë mundësia të vazhdonte rregullisht shkollën.
Si përkthyes i Roses ai e ndiqte hap pas hapi atë, sidomos në atë terren të veshtirë të Shalës ku nje ditë asaj i rrëshqiti këmba dhe desh e ra në humnerë, por guximi i djalit i shpëtoi jetën. Rose ndihej e obliguar ndaj të riut Rexhë dhe i ofroi një ndihmë,por Rexha krenar i refuzoi duke i thënë :” Ju jeni gazetare, shkruani tani edhe për Shqipërinë”( marrë nga Bora Meta, vajza e Rexhë Metës.)
Rose e mahnitur nga sjellja fisnike e djalit e adoptoi dhe e afeksionuar pas të birit bëri çmos që ta shkollonte. Fillimisht ajo e regjistroi në Shkollën Teknike Harry Fulltz, ku ai habiti personelin mësimor për arritjet e shpejta në të gjitha lëndët. Pastaj ajo vazhdoi të investonte për te edhe kur ai ishte student në Universitetin e Kembrixhit, ku emri i tij është i shkruar në Librin e Artë të këtij Universiteti.
Ndërkohë Rose shkonte e vinte në Shqipëri dhe me lidhjet shpirtërore që kishte, vendosi të jetonte përgjithmonë në Tiranë, ku ajo ndërtoi dy shtëpi, një për vete dhe një për familjen e Rexhës, tashmë i martuar.
Rose gëzonte se vajza e Rexhës mbante emrin BoraRose, që ajo ta kujtonte gjithmonë gjyshen amerikane.(marre nga Bora Meta,vajza e Rexhe Metes).
Ngjarjet e luftës së dytë botërore i rrokullisen ëndrrat e Roses.Autoritet fashiste e internuan Rexhën me familje në kampet e përqendrimit në Itali si antifashist.
Më vonë, si anëtar i Lidhjes së Dyte të Prizrenit në Shkodër, komunistët e arrestojnë, nga ku ai provoi kalvarin e gjatë të vuajtjeve çnjerëzore.
Rose e ndjeu shumë arrestimin e te birit nga komunistet, pasi kishte dëgjuar shumë për terrorin Bolshevik dhe e kishte njohur nga afër pasi ishte po me këte mision në vendet e B.Sovjetik.
Ajo bëri të gjitha përpjekjet për ta shpëtuar djalin e saj deri te presidentet e Amerikës . Nderkohë i shkroi Bess Truman (gruaja e presidentit në ate kohë)dhe Herbert Hoover (ish pres. i Amerikës) për ta tërhequr djalin e saj nga Shqipëria ,në Sh.B.A.
Pas shumë ndërhyrjesh, takimesh e letrash me personalitete të larta të politikës Amerikane, Rose u këshillua nga familja e Rexhës që të mos vazhdonte ta kërkonte ate haptazi, pasi familja do të kishte edhe më shumë konsekuenca . Atëhere Rose, ndoqi rrugën indirekte për t’u lidhur me gruan e Rexhës, Pertefen,e cila kishte studiuar te Motrat Stigmatine. ku kishte mësuar edhe anglisht. Përveç burgut të rëndë të burrit, asaj i kishin pushkatuar edhe vëllanë e vetëm, Bardhosh Danin. Kështu Rose e tmerruar nga këto ngjarje vuri në lëvizje miqtë e saj të Kryqit të Kuq që vepronin në Europë dhe mundi kështu të hynte në lidhje me familjen e Rexhës.
Rose, deri sa vdiq, nuk pushoi se kërkuari djalin e saj, sigurisht në mënyren më të fshehtë. Kur po i ofrohej fundit te jetës me 1968, ajo ia la amanet djalit te dytë të adoptuar, amerikanit, Raxh(Roger Mac Bride) që të vazhdonte lidhjet me familjen e vëllait në Shqipëri.
Ishte viti 1990,kur Raxh mundi ta plotësonte amanetin e nanës Rose.Ai me ndihmën e Prof. S.Repishtit mundi të hynte në lidhje me vajzën e Rexhë Metës, Bora Rosën dhe arriti ta tërhiqte me familje nga Italia, ku ajo ishte refugjate dhe e vendosi në Florida ku ajo jeton edhe sot.
Te gjitha, çfarë Rose ka parë dhe ka përjetuar në Shqipëri, i ka përshkruar ne veprën e saj “The Peaks of Shala” (Majat e Shalës) dhe në përmbledhjen e artikujve te saj “ Albanian Garden “
Vlen per t’u përmendur që edhe vepra e saj madhore “The discovery of Freedom “(Zbulimi i Lirisë) e ka marrë frymëzimin nga një ngjarje që ajo e përjetoi kur ishte me mision ne Malësitë e Veriut.
Mbas Edith Durham-it, ishte Rose që ka shkruar me detaje jetën politike,sociale,zakonet,mitet,këngët dhe shumë ngjarje historike të dëgjuara dhe aktuale,kur ishte në Shqipëri.
Shkrimet e saj janë një dëshmi e gjallë për historinë e popullit tonë.
Veprat e Rose Wilder Lane asnjëherë nuk u bënë të njohura gjatë periudhës së diktaturës. Ato nuk kishin më pak vlerë se ato te Durhamit, të Bajronit e të tjerëve të huaj që lartësuan vlerat e kombit tonë, kështu edhe ajo s’i shpëtoi luftës së klasave. Por sot duhet evidentuar kontributi i Rose per Shqipërinë e Shqiptarët për ta përjetësuar me emrin e një shkolle, të një institucioni humanitar, të një sheshi a rruge që t’i mbetemi mirënjohës veprës së saj.
Po këtë mirënjohje duhet të kemi edhe për studentin e shkëlqyer të Kembrixhit,intelektualin patriot,që luftoi për bashkimin e trojeve shqiptare,Doktorin e lauruar në Ekonominë e Financave,Rexhë Meta, cili asnjëherë nuk i gëzoi frutet e punës së tij. Sot duhet të vihet në vendin e nderit që i takon,jo vetëm për kontributin e tij në lëmin e ekonomisë, por edhe si delegat i Maleve të Kosovës dhe hartues i programit, të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.(ne Foto:Rexhe Meta. Fotografia eshet marre nga punimi i studiuesit Rexhep Dedushaj)
- « Previous Page
- 1
- …
- 532
- 533
- 534
- 535
- 536
- …
- 698
- Next Page »