• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lamtumirë Dr.Bujar BUKOSHI

June 10, 2025 by s p

Ambasador Flamur Gashi/

(Ish-Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mërgim)

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mërgim, Dr. Bujar BUKOSHI ishte çdoherë në krah të Presidentit dr. Ibrahim RUGOVA, gjatë viteve më të vështira për Kosovën dhe fatet e saj. Ai drejtoi Qeverinë e Republikës së Kosovës në mërgim, organizoi sistemin paralel në vend dhe së bashku me Presidentin RUGOVA dhe bashkëpunëtoret e tyre më të ngushtë, informuan qendrat e vendosjes dhe opinionin ndërkombëtar për gjendjen në Kosovë dhe bën miq për Kosovën kudo në botë. Organizoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe themeloi Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovë, si dhe mori pjesë në të gjitha bisedimet për Kosovën që u zhvilluan në atë kohë. Si deputet i Parlamentit është firmëtar i aktit të shpalljës së Pavarësisë së Kosovës dhe kontributor në ndërtimin dhe zhvillimin e institucioneve të Kosovës së lirë dhe të pavarur!

Më respekt dhe konsideratë e vleresojë dhe kujtojë miqësinë dhe bashkëpunimin e ngushtë e të gjatë me dr.Bujarin, gjatë viteve më të rënda për Kosovën dhe fatet e kombit tonë!

Dr.Bujari ishte një mik i mirë, shtetar dinjitoz dhe një patriot i vërtetë!

Ngushëllimet me të thella për bashkëshorten e tij, Dr.Zana Bukoshi, vajzat Ora, Shota dhe Nita, nipat Dardanin e Taulantin, vëllain Hysenin, si dhe mbarë familjen e gjerë, miqtë dhe shokët e dr.Bujarit!

Prehu në paqe, miku im dr.Bujar BUKOSHI!

Filed Under: Interviste

Kuvendi i Tretë të Studimeve Arbëreshe organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), do të mbahet më 30 tetor 2025

June 9, 2025 by s p

Kuvendi i Tretë i Studimeve Arbëreshe, i cili mbahet çdo dy vjet, përbën ngjarjen më të rëndësishme studimore të organizuar nga Qendra e Studimeve dhe e Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), këtë vit vjen me temën bosht “Narrativa të së shkuarës dhe së tashmes në dialektikën diasporë– vendi amë: Arbëreshët dhe Shqipëria”. Kjo çështje me një rëndësi të qenësishme për kombëtarinë, diskutohet për herë të parë në qarqet akademike shqiptare, në një trajtim i cili mëton të hedhë dritë përmes interpretimesh shkencore të shkollave të reja të mendimit mbi këtë raport të vendit amë, Shqipërisë, me komunitetin arbëresh, mbi dialektikën dhe dimensionet komplekse të diasporës dhe vendit të origjinës. Do të mbahet një Lectio Magistralis nga një studiues me reputacion ndërkombëtar, i cili do të ndiqet nga diskutime e debate të studiuesve shqiptarë e arbëreshë.

Në studimet e dekadave të fundit, koncepti mbi diasporën është larguar nga zanafilla e semantikës së saj, duke përfshirë një term sa kompleks, po aq edhe dinamik, duke sfiduar edhe interpretimet tradicionale edhe mbi konceptet bashkëudhëtare të diasporës, siç janë identiteti, përkatësia, kultura dhe trashëgimia. Nëse në pikënisje të saj, koncepti diasporë mbartte në vetvete zhvendosjen, shpërhapjen dhe mërgimin nga vendi amë, në ditët e sotme, diaspora shpërfaq në semantikën e saj edhe format e proceset përmes të cilave komunitetet diasporike formësojnë e artikulojnë identitetin e kulturën e tyre duke ndërtuar përmes narrativave, marrëdhënie komplekse, dinamike e ndërvepruese me vendin e origjinës dhe vendin pritës. Shtrirja semantike e diasporës implikon edhe identitetin, duke e sfiduar atë, dhe jo duke e parë tashmë si një koncept të palëvizshëm dhe të fiksuar në kohë, por si një identitet diasporik, i cili vjen si një produkt i kontektesteve të ndryshme socio-kulturore, ku vendet pritëse veprojnë si agjentë kryesorë në formimin dhe zhvillimin e diasporave.

Nën këtë dritë arsyetimi, kur flasim për diasporën arbëreshe, na ndërmenden Papas Antonio Bellusci i cili në artikullin me titull “Le tre Patrie” në revistën “Lidhja” (L’Unione, n. 2-3, aprile/ prill 1981) shprehet se identiteti kulturor i arbëreshëve kishte të trupëzuar “tre “atdhe” si simbolikë të tyre: Shqipërinë për gjuhën dhe traditat shqiptare, Greqinë për ritin fetar greko-bizantin dhe Italinë për shtetësinë dhe vendin ku ata jetojnë”. Përpjekjet e komuniteteve arbëreshe për të mbajtur gjallë lidhjet me Shqipërinë dhe anasjelltas, kanë qenë jo thjesht të parreshtura, por këmbëngulëse, aspekt i cili ka ndikuar në mënyrën se si diaspora historike dhe vendi amë, e kanë perceptuar njëra-tjetrën: arbëreshët përmes lenteve nostalgjike, duke kanë ndërtuar narrativa ndaj atdheut të humbur, ndërsa Shqipëria/vendi amë duke ndërtuar legjitimuar narrativa kombëtare për të ndërtuar apo ripërtërirë lidhjet me të shkuarën.

(QSPA)

Filed Under: Interviste

NGA ZJARRI I LUFTËS NË PËRQAFIMIN E BERATASVE…

June 7, 2025 by s p

Veri Talushllari/

Lufta e Kosovës, shpërndarja e shqiptarëve të Kosovës në rrethin e Beratit, prill 1999.

Po vjen 11 qershori, ajo ditë e bekuar, kur më në fund serbët morën nga sytë këmbët dhe Kosova jonë, plaga e madhe e shqiptarisë, filloi të mbyllej më në fund! Kosova e lirë! Ëndrra e madhe e një populli, e një kombi, u bë e vërtetë! Iu dha fund një padrejtësie më se shekullore, një krimi shtetëror edhe me frymëzimin dhe mbështetjen e Rusisë dhe bekimin e fuqive të mëdha, do t’i jepej fund një plani kriminal të përpunuar dhe realizuar nga mendjet më të errëta të një grupi akademikësh e shtetarësh serbë që përpunuan me hollësi spastrimin etnik të një kombi e të një populli që prej shekujsh jetonte në trojet e veta, e që përfshinte në faqet e atij plani aktet më monstruoze, deri vrasjen dhe hedhjen në zjarr të fëmijëve e të grave, pa llogaritur burrat dhe pleqtë. Shifrat e viktimave të gjenocidit serb ndaj shqiptarëve janë të frikshme, dhe nuk po përmendim krimin tjetër, atë të shpërnguljes masive, e megjithatë shqiptarët ja dolën të mbijetojnë, dhe marsi i vitit 1999 e gjeti Kosovën me 1.7 milion banorë, 93% e tyre shqiptarë.

Pikërisht ndaj tyre Miloshevçi dhe regjimi i tij fashist filloi dhe realizoi një sulm të egër për ta spastruar Kosovën etnikisht. Dhe ja arriti. Më se 1 milion shqiptarë të Kosovës lanë pas të vrarët dhe varret e të parëve, shtëpi e katandi, dhe morën rrugët e botës. Në Maqedoni, në Mal të Zi, Zvicër e Gjermani e deri në SHBA, dhjetëra kampe refugjatësh pritën kosovarët e tmerruar nga paramilitarët dhe ushtarët kriminelë serbë. Por ajo pritje që iu bë në Shqipëri ishte e jashtëzakonshme. Sigurisht, edhe kampingjet ishin shumë ndryshe nga ato në vendet fqinje dhe atyre të largët, për kushtet e jetesës e për më tepër për trajtimin vëllazëror, ngrohtësinë njerëzore që shqiptarët e dheut mëmë u dhanë vëllezërve të ikur nga tmerret e luftës. Por ajo që habiti botën ishte hapja e dyerve të shtëpive që shqiptarët e bënë me gjithë zemër, duke ndarë me ta jo vetëm atë pak hapësirë ku jetonin vetë, por edhe bukën e gojës e rrobat e trupit. Ka mijëra episode e ngjarje nga më të bukurat, nga më prekëset të asaj mikpritjeje. Ajo që bënë Kukësi dhe kuksianët, kur në qytetin e tyre të vogël erdhën valë-valë katërqind mijë vëllezër kosovarë, ata pa hezitim u hapën dyert e zemrave e të shtëpive kanat më kanat, është një mrekulli e shpirtit njerëzor dhe karakterit mikpritës e vëllazëror shqiptar. E si të mos mjaftonin ata që morën nëpër shtëpi, u çuan ushqim apo rroba për t’u veshur apo për shtresa e mbulesa edhe atyre nëpër salla apo kampingje.

Unë mund të tregoj për prindërit e mi në Berat, që pasi mbajtën disa ditë dy gra me gjithë fëmijët nga dera e Kryezinjve në Rahovec, nuk lanë të ikte në kamping vjehrrën e tyre, nënë Havanë, por e mbajtën deri sa erdhën djemtë nga Zvicra. Plaka e mirë u bë shoqe e mirë me nënën time, Parizen, dhe kur erdhi dita u ndanë me lot në sy. Dhe mund të përmend shokun dhe kolegun tonë, Isuf Bramo dhe bashkëshorten e tij, Tatjanën, në Kuçovë, që jo vetëm i mbajtën në apartamentin e tyre të vogël deri sa erdhi dita fatlume që miqtë e tyre nga fshatrat e Prizrenit të ktheheshin në shtëpitë e tyre, por bashkë me ta dërguan edhe djalin e tyre, Eltonin, të siguroheshin që mbërritën shëndoshë e mirë. E plot ngjarje të tilla. Në Berat autobusët me gra, burra e fëmijë erdhën një mesnatë marsi dhe një pjesë u strehuan ashtu si mundën në mjediset e Shtëpisë së Ushtarakëve. Të nesërmen filloi ngritja e kampingjeve.

Në muajin prill, në rrethin e Beratit kishte 13 kampingje me gjithsej 4407 kosovarë të vendosur në 7 kampingje dhe nëpër familjet e qytetit dhe të fshatrave e konkretisht: 604 veta në familjet e qytetit të Beratit, 1010 veta në kampingun e Paranguajt, Dushnik, 490 në kampingun e Kombinatit të Tekstileve, 390 në kampingun e Moravës, Rep. Usht. 5001, 575 ne kampingun e Myftinisë, ish-NPD, 50 veta tek Caritasi Uznovë, 53 te Konvikti i Shkollës Bujqësore, 106 veta tek dhomat e sportistëve te Stadiumi “Tomori”, 200 veta në familjet e Urës Vajgurore, 124 në fshatrat e komunës Kutalli, 50 në Poshnje, 135 veta në fshatrat e Komunës Velabisht, 200 veta në fshatrat e Komunës Vërtop, 400 veta në Otllak. Këto shifra dhe kjo shpërndarje flasin vetë dhe besoj se krijojnë një pamje të asaj që ka ndodhur në Berat dhe në gjithë Shqipërinë.

Me Luftën e UÇK-së dhe ndihmës vendimtare të NATO-s, bishës naziste të Beogradit iu pre koka dhe, më 11 qershor, Kosova ishte e lirë! Bijtë e bijat më të mirë të atyre trojeve e vaditën me gjakun e tyre pemën e Lirisë dhe tani zëri i Adem e Hamëz Jasharit dhe 56 pjesëtarëve të asaj familjeje legjendare, zëri i Zahir Pajazitit dhe Ismet Jasharit, Kumanovës, i Luan Hajradinajt dhe Astrit Sulit, djaloshit beratas dhe atij tjetrit, Indritit, Ushtar Kavajës, i Antigona Fazlliut dhe familjes së Ymer Elshanit e sa e sa të tjerëve, i thërriste të shpërngulurve në atë eksod biblik të ktheheshin. Dhe ata u kthyen duke marrë me vete edhe një copë Shqipëri, një pjesë nga ajo vëlla-pritje dhe bujari që me të drejtë u quajt Legjendare. Berati dhe beratasit ishin dhe janë krenarë që edhe ata e kaluan me dinjitet e përulësi atë provë ku i vuri, bashkë me viset e tjera shqiptare, nga Tropoja në Sarandë.

Filed Under: Interviste

Fatos Kola, magjia e skulpturës shqiptare

June 6, 2025 by s p

Behar GJOKA/



Gjurma më unike, që na e la si trashëgimi të vyer, mjeshtri dhe dijetari, Fatos Kola, është skulptura, një dëshmi e gjallë modelimi, konceptualiteti dhe materializimi estetik. Një përvojë nga më të spikaturat, të figurave të skalitura, mjeshtërisht nga skultptiri, në bashkëkohësinë e arteve figurative. Mjafton të sjellësh në vëmendjen punën e përkryer, të titulluar “Pena Budi”, pasojë e një densiteti figurimi dhe ngjizje të përveçme, për të ndjerë nga afër trasfigurimin e gjetur, që kishte në objektiv, për të kuptuar sadopak, aktin përlindës të personazheve të shndërruar në figura të përpunuara nga duart e artistit. Po ashtu arti i figurës, që shkon gjer në magji, është konceptimi, krejt i veçantë i kokës së figurave, që natyrshëm përmbledh përvojën dhe fuqinë shprehëse, të sendërgjimit estetik, nga ana e skulptorit mjeshtër, që njihte si pak të tjerë, vlerat e krijuara në artin egjyptian, në qytetërimin greko-romak, si dhe të gjithë epokave të mëvonshme. Figura e Kostandin Kristoforidhit, e gjuhëtarit të rrallë të gjuhës shqipe, e cila në syrin tim përfaqëson një punë të përkryer, një tranfigurim estetik i pazakontë, njëherit mishëron personazhin, por edhe frymën mjeshtërore të skulptorit, që punimin e kokës e shpërndërroi në magji, në mjeshtri që shpesh herë rrok përsosjen. Po në këtë nivel shprehës, madje me një denduri të shtuar emocionaliteti, për shkak të miqësisë së pa të dytë që pati me muzikologun dhe mendimtarin e ndrituar, vjen figura e Ramadan Sokolit, mikut, mentarit, udhëheqësit shpirtëror të Tosit, e të sa të tjerëve, në shtegtimin për te rrënjët e kulturës dhe të qytetërimit arbnor. Në këtë dimension, të shenjimit të përveçëm estetik vjen edhe figura e Rinush Idrizit, poetit dhe studiuesit të letërsisë së bashkëkohësisë, gjithnjë duke kapur karakterin, njëherit duke përçuar respektin dhe adhurimin për secilin nga këto pika reference, të historisë dhe kulturës sonë.

Mbi aftësinë e pazakontë për realizimin e skulpturave, të mjeshtërisë së endjes së kokave, po flas vetëm si njohës i punëve të mëdha në lëmin e skulpturës, pa guxuar të hyj te interpretim, por vetëm si një akt i përshtypjes dhe mbresave që më ka krijuar magjia e tij, për ta shprehur botën e madhe, me anë të skulptures, artit më madhor të arteve figurative. Mendoj se ky sukses, në punët e mbaruar, në realizimin e kaq shumë skulpturave, në mënyrë të posaçme, më së shumti lidhet me dy aspekte, tejet të rëndësishme:

E para, njohja e thellë, e gjithë përvojës botërore, në lëmin e sendërgjimit të skulpturave, madje edhe në nivelin e interpretimit të saj, jo vetëm si pedagogë, por më tepër si një bashkëbisedues mendjehapur, pra duke u lidhur ngushtësisht me dijen dhe vetëdijen e shenjave që vijnë nga klasiciteti dhe në gjithëkohësinë ekzistenciale të skulpturës.

E dyta, pasioni i pakarahsueshëm për ngjyrat, për gurin dhe baltën, për të endur magji të përveçme në majën e artit të figurës, siç edhe shihet nga artistët, shpalimi i vlerave nëpërmjet skulpturës.

Pra, kuptohet se njohja e thellë e historisë së skulpturës, adhurimi i mjeshtrave të gjithë kohërave dhe pasioni prej artisti të lindur, mundësuan që të realizonte vepra kualitative, madje kryevepra të përveçme në skulpturën bashkëkohore, duke mbetur një rast model, për artistët dhe për studentët. Në fakt, këto dy anë, të artistit të figurës, të mjeshtrit të skulpturave, të njohësit të përvojës botërore dhe shqiptare, shpesh shpërfaqen edhe në dialogimin për estetikën e arteve figurative, duke përvijuar njërin nga mendjet e ndrituar në betejën e pandërpreme me realizmin socialist, në artet figurative, por edhe në letërsi. Bisedat mbi këtë temë, kanë qenë të shpeshta dhe të thella, në kërkim të alternativave për të dalë nga tuneli i socrealizmit, ose siç e pati formuluar Tosi, “E bukura në gijotinë”. Trajtimet e bëra, me nota të qarta polemizuese, e diçka më tepër me qasje të holla estetike, madje mirëfilli teorike, shpesh herë bëri që të zgjoheshin “djajtë” që notojnë dhe ndjehen mirë në kënetën e socrealizmit. Skulptura, si magji artisti, si dhe dija dhe kultura mbi të, u bë vatra e formësimit të një dijetari, të një personaliteti me dije të gjera, tejet të thella, duke u shpërndërruar në modelim, të një mjeshtri të rrallë, në këto kohë, kur “ustallarët” e socrealizmit zënë fronet, ekranet e televizoneve.

Më është gdhendur në kujtesë, një ngjarje e pazakontë, para viteve ’90, kur në një ekspozitë të arteve figurative, në qytetin e Burrelit, Fatosi kishte vendosur veprën Pena Budi, një kenceptim skulpturor befasues. Pati shumë zhurmë atëbotë, nga hienat e komunizmit, për atë punimim mjeshtëror, si koncept dhe realizim, e parë si një punim që kishte deformuar parimet e realizmit socialist, sepse me “gjasë” kishte rënë preh e dekadentizmit. Si tani e mbaj mend, kur hyra në ekspozitë, pikërisht puna e Fatosit, Pena Budi, më tërhoqi veçmas nga pikturat dhe skulpturat e paraqitura, madje gati më përthithi, si një gjetje e veçantë, si një simbolikë që lidhte fjalën e poetit dhe prozatorit të parë të letrave shqipe, Pjetër Budit. Më kujtohet që në atë gjendje mrekullimi, kam pëshpëritur, me tepër me vete “një punë magjike”, në konceptualitet dhe mishërimin estetik, të simbolikës së penës. Mbas atij momenti, kur gjeja kohë, shkoja për ta takuar në atelie, ku gjithmonë kishte punë të shumta, gati në përfundim, në mesin e tyre, ose fillesa të një boceti të një pune që ishte në kokën e mjeshtrit të skulpturës, Fatos Kola. Punimet në skulpturë të tij, me krijonin një ndjesi të veçantë, sa shpesh më fanitej si një poezi që flet me imazh, sidomos me kokën e protagonistëve, që vinte në qendër të zbërthimit etik dhe estetik. Edhe sot e gjithë ditën, kur ndeshem me punët e tij, vetvetiu kam një grimë kohë stepje, një ofkamë që tanimë më thërret nga amshimi. Fati i artistit, përveç shpirtit që endet në pambarim, lë gjurmë të një kujtese të pashmangshme, që herëdokurë e ndesh diku. Gjurma e frymimit, e ekzistimit edhe në amshim, me gjasë kryegjurma, është skulptura, pasqyra që na sjell pranë mjeshtrin, dhe kur duam të shmallemi, vizitojmë punët e bukura, që mbaroi, anipse pengjet janë më të mëdha, pengjet e pranisë në hapësirat e qyteteve të punëve të tij.

Kuptohet më në fund që skulptura është vetëmse maja e piramidës njerëzore dhe artistike, por njëherit është edhe një kamer këndshikimi për të parë, ndjerë pranë përmasat e shumta të magjistarit të skulpturës. Pranë mjeshtrit të imazhit, ishte njeriu me zemër të madhe, miku, vëllai, shoku i derteve dhe gëzimeve, njeriu mentar që sa herë flet, të shtang me gjykimin, që po kaq dinte të dëgjonte logjikën dhe argumentin, e kujtdo, madje edhe kundërshtarëve, që ia zunë udhën shpesh. Jo rrallë, në mes miqësh, kam dëgjuar të thuhet, lum ai që e ka mik Tosin, e mjerë ai që i del kundërshtar, i vihet përballë, sepse nuk ka shans të shpëtojë pa e marrë përgjigjen e merituar. Njeriu, shfaqej në të dy anët e medaljes, si humanist dhe i brishtë në ndjesi, si i paepur në mbrojtjen e ideve dhe bindjeve të veta. Në fakt ishte vështirë të ishe mik i Tosit, ama pasi të bënte mik, ishe mik për kokë, mik i përjetshëm, që nuk të ndërronte për asnjë shkak. Arti i skulpturës e kishte bërë njeri të fortë dhe të lire, një burrë të mençur dhe fisnik.

Si njeri i lirë, si artist pa asnjë kompromis, e shumë pranë tyre, tanimë vjen në fokus përmasa e intelektualit, që mbi të gjitha ka dinjitetin dhe larminë, syçeltinë dhe vendosmërinë e pashoqe. Personaliteti i fortë, karakteri i paepur, për çudi u shpërfaq në të dy kohët. Në monizëm, për shkak të artit, kundër rrjedhës së realizmit socialist, në mënyrën më habitore të mundshme, e ndalojnë të ushtrojë magjinë e skulpturës, sepse e caktuan të punonte si lulishtar, një sprovë unike, e cila për shumëkënd duket si legjendare, në fakt kemi të bëjmë me ndodhi reale, të shekullit të njëzet. Mjerisht, edhe në kohën e demokracisë, me gjasë të demokraturës, që nuk po shkëputet nga mendësia e përjashtimit të tjetrit, të mendimit ndryshe, sërish erdhi ndëshkimi. Ishte pedagog në Universitetin e Arteve dhe në vitin 2010, propozon një platformë të plotë të shkollimit në degën e skulpturës. Jo vetëm që ra në veshë të shurdhër, por idetë e platformës, u bënë shkak të largonin nga puna, në mënuyrë më të mbrapshtë. Jemi në këto vite, kur shkolla ka rënë në mjerim, kur akademizmi, më tepër udhëton krenar në shtegun e analfabetizmit funksional.

E lënduan si njeri, e fyen si pedagog, ama artin, fuqinë e lirisë së tij, magjinë e skulpturës nuk e prekën dot. Magjia e artit dhe liria është aty, ku janë vënë punët e tij, në dosjet e punëve të lëna, në kujtesën e miqëve dhe studentëve. Po vrisja mendjen, se mos në këto vite i kanë bërë ndonjë vlerësim, gjë që në mes kolegëve nuk ka munguar, mos e kanë veçuar me ndonjë dekoratë…Nuk ndesha gjëkund, por artisti i lirë, njeriu dijetar, intelektuali pa kompromis, nga kundërshtarët e lirisë, nuk e pranojnë si model. Më erdhi në mend shprehja e Balzakut: “Kush i kërkon dekoratat nuk meriton. Ai që i meriton nuk ka nevojë për to.”, e cila jam i bindur se i rri për shtati Fatos Kolës, artistit, njeriut dhe intelektualit të pazakontë.

Filed Under: Interviste

Për Vatrën dhe komunitetin shqiptar të Chicagos

May 31, 2025 by s p

Intervistoi: Mirela Kanini – Kryetare e Vatrës Chicago/

Një intervistë mbresëlënëse me një nga gratë më të suksesshme të komunitetit shqiptar në Chicago, Zj. Suzana Dadevski pronare e Cafe Mirage.

⁃ Kush është Suzana dhe si do e përshkruanit ju atë, me pak fjalë veten tuaj?

⁃ Unë kam lindur dhe jam rritur në Shkup por si shumë shqiptarë të tjerë erdha në mërgim në moshë të re. Fati më takoi me bashkëshortin tim dhe jam martuar kur isha vetëm 18 vjeçare. Është shumë tipike në kulturën tonë që ne të jemi tradicionalë dhe si të thuash detyra kryesore e gruas është mbarëvajtja e familjes, fëmijëve. Jo se kjo është e gabuar madje është shumë e rëndësishme, por unë e ndjeja që doja më shumë se kaq. Kisha ambicje dhe ëndrra në vetvete që i bluaja vazhdimisht. Ndërhohë u bera nënë me 4 fëmijë të cilët rriteshin çdo ditë. Inspirohesha nga gra të suksesshme dhe doja të shpërtheja dhe unë potencialin tim nëse kisha dhe prisja me padurim të vinte momenti i duhur.

⁃ Që të arrini aty ku jeni sot sigurisht që keni ndeshur në vështirësi të ndryshme. Na tregoni cili është rrugëtimin tuaj?

⁃ Kur vjen në një vend të huaj gjëja e parë që do të bësh është të ingranohesh me jetën dhe ritmin e këtushëm dhe Amerika është e vrullshme jo shaka. Fillova të kërkoj punë të zakonshme nëpër super markete të mëdha por dëshira ime ishte të punoja në aeroport dhe ëndërroja të punoja për Swissair meqënëse familja ime ishte zhvendosur prej vitesh në Zvicër dhe kjo mendoja që do më jepte mundësinë ti shikoja më shpesh ata. E kam filluar me ëndrra të vogla por fatmirësisht e realizova që në fillim këtë të paktën. Nuk ishte ndonjë arritje kush e di por më dha mundësinë të integrohem, të shoh me sytë e mi si funksionojnë gjërat dhe të ndjek pastaj ëndrrat e mia.

⁃ Kur e kuptuat që ajo që bëni sot ishte rruga juaj?

⁃ Kisha kuptuar që të jem mes njerzve dhe të punoj në ambiente ku je e rrethuar prej tyre ishte diçka që më pëlqente. Pas 9/11 patëm oportunitetin të blenim një shtëpi pikërisht në vendin ku është restoranti. Është ndoshta e vështirë ta përfytyrosh pasi nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga shtëpia. Ne e transformuam në atë që është sot. Unë kisha një vizion si ta ktheja në restorant dhe për koincidencë ishte afër me aeroportin. Nuk ju ndava atij ( qesh) ,ndoshta sepse emigranti është gjithmonë me kokën pas . Ashtu ndodhi në fillim ishim të pasigurtë se si ta quanim, çfarë kuzhine të kishim, por klientela që filloi ta frekuentonte na e bëri më të lehtë zgjedhjen. Vendosëm përfundimisht ta kthenim në një restorant ballkanas dhe pregatitëm menunë tipike me ushqime ballkanase, vendosim në hyrje të restorantit flamurët përkatës për çdo shtet dhe sot siç e dini është një qëndër argëtimi për të gjithë ballkanasit nga gjithë Chicago dhe jo vetëm. Në weekend ftojmë vazhdimisht këngëtarë nga shtete të ndryshme dhe kjo e ka bërë si të thuash këtë restorant shumë të njohur dhe një pikë edhe më tërheqëse për çdo grop moshe.

⁃ Sa e vështirë ishte të arrinit aty ku jeni sot, sepse ju dhe bashkëshorti juaj jeni të përfshirë edhe në biznese të tjera përveç investimeve të ndryshme në real estate, pasuri të patundshme. A e mendoni që i keni realizuar çfarë keni dëshiruar në jetë?

⁃ Jam e kënaqur me çfarë kemi realizuar dhe sa herë kthej kokën pas ndër vite e kuptoj sa mirë që u përpoqa dhe luftova kur isha e shumë e re dhe me energji pavarësisht vështirësive që ndesh. Arritja më e rëndësishme nuk është vetëm çfarë kemi arritur për veten por gjithashtu çfarë bëjmë për të tjerët si për shembull duke i punësuar dhe ndihmuar në jetët e tyre. Kur i jap oportunitet dikujt të përmirësojë jetën e tij ndihem mirë me veten, humane sidomos kur të punësuarit janë shqiptarë.

⁃ A keni pasur momente kur keni dashur të terhiqeni?

⁃ Kam pasur, gjate periudhës së Covidit por që në javët e para të izolimit e kuptova që unë funksionoj shumë më mirë kur jam aktive dhe e rrethuar me njerëz.

⁃ Çfarë këshille do ti jepnit dikujt që ashtu si ju dikur plot ëndrra dhe dëshira ka nisur rrugëtimin e jetës dhe përpiqet të arrijë objektivat që i ka caktuar vetes?

⁃ Mos u dorëzo kurrë dhe kij besim në vetvete.

⁃ A ka ndonjë sekret suksesi juaj nëse mund ta quanim ashtu dhe cili do të ishte ai?

⁃ Sekreti që nuk është sekret por diçka shumë e thjeshtë është të kesh ndërgjegje , të jesh njeri i ndershëm, mëndjehapur dhe tolerant.

⁃ Dega e “Vatra Chicago”, kjo organizatë e fuqishme si asnjë tjetër në botë e këtij lloji themeluar mbi një shekull më parë nga Fan Noli dhe Faik Konica u krijua dhe u mbajt ceremonia pikërisht në restorantin tuaj. Me këtë event ju keni hyrë në histori. Si ju bën të ndiheni kjo gjë?

⁃ Ndihem krenare dhe e privilegjuar që zgjodhët restorantin tim. Në shenjë mirënjohje do e mbështes vazhdimisht në aktivitetet e ndryshme që organizojnë për të bashkuar sa më shumë komunitetin e Chicagos.

⁃ A mund të ndani me ne planet e të ardhmes tuaj?

⁃ Duke qënë shumë e okupuar me punën dhe familjen nuk kam udhëtuar saç duhet, kam lënë pa bërë gjëra që dëshiroj dhe mendoj se ka ardhur momenti

të fokusohem në këtë pjesë pak më shumë.

⁃ Çfarë ju inspiron ju më shumë?

⁃ Kur shoh njerëz që përparojnë dhe janë të suksesshëm, sidomos gjeneratat e reja sepse ata janë e ardhmja.

⁃ Një zonjë e jashtëzakonshme si ju patjetër që ka dhe hobi, nëse po do kishim dëshirë ti ndanit me ne?

⁃ Do veçoja mes të tjerash, shëtitjet në natyrë, kopshtaria, leximi ect.

⁃ Më thoni një citat që ju pëlqen?

⁃ Po citoj diçka që e ka thënë Mother Teresa. “ I cannot change the world, but I can cast a stone across the waters to create many ripples”.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 14
  • 15
  • 16
  • 17
  • 18
  • …
  • 213
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANNA KOHEN: Nuk harrroj vlerat humanitare dhe bujarinë e shqiptarëve
  • Akademia e Shkencave përkujton me nderim në 10-vjetorin e ndarjes nga jeta akademik Kristo Frashërin
  • Ndryshimet e Kodit Penal një realitet me risqe dhe kurthe penalizimi për gazetarët
  • Kongresi Kombëtar i Lushnjes u bë gur themeli për ndërtimin e shtetit shqiptar
  • Libri “Tragjedia Çame” i bashkëautorëve Lita-Halimi, një testament dokumentar
  • FREEDOM IN JANUARY 2026
  • “ALBLIBRIS”, NJË PREMTIM KADARESË QË E KREVA NË NËNTËDHJETËVJETORIN E TIJ
  • Përmendorja e Skënderbeut në Ulqin
  • Join us at Albanian Heritage Day at Yankee Stadium!
  • ABAS KUPI, AKTIVITETI POLITIK NË EMIGRACION DHE NË SHBA
  • Marksizmi, nostalgjia e sfumuar filozofike dhe praktike
  • U mbajt konferenca shkencore “Tish Daija në 100 vjetorin e lindjes”
  • NDËRROI JETË PJETËR LEKA IVEZAJ
  • LIRIA KA EMËR: UÇK
  • VENDI IM

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT