• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BISEDË NË STUDIO ME NUSRET PLLANËN*

January 18, 2024 by s p

Nusret Pllana, 20 vjet angazhim maksimal, për t’ ia dëshmuar botës përparimtare e demokratike gjenocidin serb mbi shqiptarët.

Shkruan: Ahmet Qeriqi/

Në emisionin javor të TV-Diellit, “Bisedë në studio”, veprimtari ndër më të zellshmit i kohës sonë, i burgosuri politik, folësi i parë I Radios – Kosova e Lirë, dhe anëtari i stafit, luftëtari i barrikadave të Dukagjinit, publicisti dhe tani profesori universitar, Nusret Pllana, ka shkopitur disa segmente të jetës dhe aktivitetit të tij të pandërprerë, në shërbim të kombit e atdheut, qysh nga rinia e hershme e deri tani, në moshën 60-vjeçare.

Vitet e gjata të robërisë serbe në Kosovë, dhuna dhe gjenocidi sistematik, sidomos ai i kohës së regjimit të Millosheviqit, vitet e rënda si tunxhi nën shekujt e robërisë, krejt natyrshëm  kanë nxjerrë në sipërfaqe  edhe forcat e kundërvënies dhe  të qëndresës shekullore të popullit e të kombit tonë, me qëllim  për ta përballuar atë dhunë dhe për të ruajtur qenien, gjuhën, traditën, kombin, besën dhe dinjitetin.  Ne, sot jemi të vetëdijshëm se ashtu sikur kemi luftuar dhe kemi qëndruar nën Perandorinë më të fortë të botës, sikur ishte ajo Osmane, prej vitit 1912, nuk kemi luftuar vetëm kundër Serbisë, por edhe kundër Rusisë dhe shteteve evropiane që na konsideronin mbetje aziatike dhe u kishin forcë ushtarake e logjistike shteteve sllave dhe Greqisë me qëllim që çështja shqiptare të fundosej bashkë me Perandorinë, që kishte mbajtur peng dhe në rrethim Evropën prej vitit 1389 e veçmas  prej viti 1453 kur turqit  kishin pushtuar Kostandinopojën e deri në vitin 1912, kur kishte filluar shembja e saj.

Në rrugëtimin tonë të gjatë historik, kombi ka nxjerrë në sipërfaqe bij e bija besnikë, të cilët me kohë kanë ndërtuar identitetin e qëndresës dhe kanë mbijetuar fill të vetëm, pa asnjë aleat  deri në

fundin e historisë së pushtimeve e të robërive shekullore,  në qershor të vitit 1999, duke marrë më në fund përkrahjen e forcës më të madhe ushtarake  të botës prej vitit 1945  e deri më sot, sikur ishte NATO-ja, kryesisht  Amerika dhe Anglia.

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka dhënë shembuj të shumtë të heroizmit shqiptar, që ishte kalitur nën robëri, në burgje, punë të detyruar, dhunë e represion sistematik, që ishte përgatitur e stërvitur me vite të tëra, që në momentin e caktuar historik te merrte fatin e pjesëve të robëruara të atdheut në duart e veta. Në mesin e një armate të atdhetarëve, sidomos nga radhët e të burgosurve politikë që iu kishin bashkuar radhëve të UÇK-së, që në aksionet e para ishte edhe luftëtari i lirisë, Nusret Pllana, tani professor universiteti, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm, para gjatë dhe pas luftës.

Në emisionin javor, ‘Bisedë në studion e TV-Diellit”, i cili në të njëjtën kohë transmetohet edhe në valët e Radios-Kosova e Lirë, Nusret Pllana ka folur për jetën në moshën e rinisë, shkollimin, pasionet për lexim e recitim, frymëzimin atdhetar nga shembulli i jetës dhe i veprës së Adem Demaçit, dhe gardës së atdhetarëve të moçëm e të rinj, si  dhe rrugëtimin e natyrshëm nëpër shtigjet e lirisë, në rrugët që i kishte trasuar armata e të burgosurve politikë, pastaj  nëpër rrugët e UÇK-së, të cilat i kishin hapur me kallash në duar dëshmorët e heronjtë, më vonë në rrugëtimin historik në malet e Dukagjinit e  të Drenicës me mikrofon e kalash në  duar, pas luftës në rrugëtimin me avion prej Kosovës  nëpër Evropë, dhe nëpër të gjitha kontinentet Azi, Australi, Amerikë, e gjithandej botës, duke dëshmuar me fakte e dëshmi të argumentuara krimet serbe mbi shqiptarët.

Rrugëtimi i Nusret Pllanës, për t’ ia treguar botës të vërtetën e gjenocidit serb, krimet sistematike shtetërore të Serbisë kundër shqiptarëve, prej vitit 1844, kur të parët e tij dhe shumë të tjerë, me qëllim për t’ i  ikur shfarosjes kolektive ishin detyruar  t’ i linin trojet stërgjyshërore në Pllanën e Madhe afër Nishit, (në Serbinë e sotme), dhe kishin gjetur strehë në Kosovë, kishte  qenë ana tjetër e mësimeve të historisë, që kishte përforcuar rrugëtimin e tij dhe të bashkëmendimtarëve drejt lirisë. Po të heqim një paralele historike dhe gjeografike, të rrugëtimit të të parëve  të tij dhe shumë të tjerëve të të njëjti fat historik,  prej viseve të Nishit Toplicës e Prokupjes  dhe vendosjes në Kosovë, pastaj katandisjes  në burgjet serbe të Jugosllavisë,  në vitet  80- të shekullit të kaluar, lirimin nga burgu, krijim e familjes, rrugëtimin tjetër drejt lirisë në barrikadat e Dukagjinit me heroin e Kombit, Agim Bardh Zeneli, rrugëtimin me Radion Kosova e Lirë sidomos prej 4 janarit e deri më 21 qershor të vitit 1999 dhe rrugëtimet e mëvonshme në të katër anët e botës, për ta demonstruar me fakte e argumente krimin 150 vjeçar serb mbi shqiptarët, kjo është njëra ndërsa historitë e rralla, në mos ndër më të veçantat e veprimtarit që ka nxjerrë në sipërfaqe koha jonë e luftës dhe e lirisë. Dhe jo nuk është një mit, as një hiperbolë letrare,  por një realitet për të cilin dimë të gjithë në Kosovë e më gjerë.

Jo rastësisht, por mbase fenomenalisht, zëri i Nusret Pllanës, ishte zëri i luftëtarit të parë të lirisë, të cilit iu kishte besuar shqiptimi i togfjalëshit  më emblematik të kohës së luftës së UÇK-së dhe mbarë Kosovës përgjithësisht: Ishte shpërthimi vullkanik, nga thellësitë e bronkeve të Shqipërisë,  “Ju flet Kosova e Lirë!, Ju flet Kosova e Lirë!”, zë që kishte jehuar maleve, luginave, brigjeve, shpatije, pllajave e   fushave të Kosovës fshatrave e qyteteve, duke zëruar krismat e armëve të legjendarit, Adem Jashari, sepse ishte zë i cili dilte me fuqi e shpejtësi sikur  del plumbi nga gryka e pushkës dhe kishte një forcë maksimale mobilizuese. Ishte  zëri më kuptimplotë i kohës, i stafit të Radios, që shpërndahej në eter nga folësi, Nusret Pllana.

Në bisedë me Ahmet Qeriqin, drejtori i Radios-Kosova e Lirë, Nusret Pllana ka folur për angazhimet e tij në Lëvizjen kombëtare, prej kohës kur në gjysmën e dytë të viteve ’80-të ishte dënuar me grupin atdhetar të Heroit të kombit, Fehmi Lladrovci, të gjeneralit, Shaban Shala, tani i ndjerë e dhjetëra atdhetarëve më të dëshmuar të historisë sonë më të re. Veprimtaria e tij studimore, publikimet e shumta, monografitë për dëshmorët, filmat dokumentarë për dëshmorët e masakrat serbe, sidomos libri shkencor: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët 1844-1999”, me të dhëna që i ka gjurmuar vetë që ia kanë ofruar dr. Hakif Bajrami dhe profesorët më të njohur të Kosovës, ribotime e shumta të këtij libri monumental, pastaj përkthimi deri tani  në 9 gjuhë të botës, vlen për të veçuar përkthimin në gjuhën japoneze që e kanë financuar vetë japonezët, përthimi edhe në gjuhën serbe, është jo vetëm një monument studimor, historik  letrar i llojit të vet, i një zhanri specifik, por është një libër që nuk gjen  krahasim në literaturën  tonë e më gjerë.

Në mesin e publikimeve më të rëndësishme është edhe libri u fundit, ‘Fëmijët martirë të Kosovës” me bashkë-autoren Hanëmshahe Ilazi, ku janë prezantuar, të dhënat elementare biografike për secilin fëmijë shqiptar të vrarë nga serbët,  veç e veç, dëshmitë e faktuara  dhe të argumentuara  për vrasjen e 1.432 fëmijëve shqiptarë nga Serbia kriminale dhe gjenocidale,  prej vitit 1981 e deri në vitin 1999.

Aktiviteti, puna e përkushtuar, ballafaqimi me mungesë tejet të shprehur të përkrahjes institucionale e ka zhgënjyer Nusret Pllanën, por ai asnjëherë nuk është dëshpëruar dhe nuk ka hequr dorë nga aktiviteti, pavarësisht si mund të interpretohet puna e tij  nga individë të caktuar,  nga ata që xhelozojnë, nga ata që bien pre e thashethemeve,   lidhur me gjoja përfitimet nga shitja e librave, sepse të gjithë në Kosovë e dimë fare  mirë se sa shitet dhe  kush fiton nga librat. Nuk flitet pse Aeroporti i Prishtinës, që mbanë emrin e Adem Jasharit ka kontratë të njëanshme  për shitjen vetëm të librave të Kompanisë Koha në ambientet e aeroportit  dhe të asnjë botuesi tjetër. Dihet dhe përmbajtja skandaloze e disa prej atyre librave në ironizimin e stigmatizimin e luftë së UÇK-së. Nuk flitet për matrapazët që me të hollat që kanë marrë nga Qeveria apo komunat kanë botuar libra të pa autorizuar për dëshmorët dhe ato e shesin madje edhe dhunshëm nëpër komuna e në institucione. Unë e kuptoj xhelozinë e individëve të caktuar, por nuk i kuptoj dot institucionet e Kosovës, të cilat duhet të mburrem me veprat e tij dhe vepra të tjera të kësaj përmbajtjeje, dhe duhet të shërbehen me to sa herë duan ta dëshmojnë e ta argumentojnë krimin sistematik të Serbisë pushtuese, në Kosovë. Kjo është e pafalshme, sepse intelektuali, Nusret Pllana nuk ka shkruar libra, as i shkruan ato për t’u mburrur, për të rrahur gjoks, por I shkruan, i boton me ndihmën e shokëve e miqve e shumë herë me mjetet e veta, për të qenë në shërbim të publikut, për t’ i shërbyer ÇËSHTJES, sepse ende jemi në rrugëtimin tonë historik. Nuk hiqet dot nga kujtesa jonë tragjedia e Toplicës, Nishit, Prokupjes, Filatit, Janinës, Sulit, Artës, Prevezës, sepse Shqipëria ende nuk është bërë, ende ndodhet në proces të bërjes paqësore, të bërjes së natyrshme, sipas ligjeve të jetës, sikur na mësonte i Madhi, Adem Demaçi. “Ligjet e jetës, pasha bacën, janë ligje universale, ato vonojnë por nuk gabojnë, sepse janë vetë universi, i cili gjithçka vendos në vendin e vet”….

Nusret Pllana është veprimtar e krijues me plot energji, është një krijues   që nuk ndalet, është një “perpetuum mobile” i llojit të vet, veprimtar që moto të jetës ka kultin e punës,  dhe nuk pret se çka posjellë fati, por iu prin punëve pa u ndalur, pa u demoralizuar dhe gjithnjë,  pandërprerë,  ai gjendet kudo, ku e kërkon detyra, qoftë para studentëve, para kolegëve, duke i kryer të gjitha obligimet në familje, por pa rezervuar kurrë kohë për argëtim, për gjezdisje, për kafene, e bjerrje kot të kohës. Ai mbi të gjitha e çmon kohën dhe kurrë nuk është dehur as dehet dot nga sukseset, ndaj edhe në angazhimin e tij këmbëngulës, prore ia ka dalë  dhe po ia del me suksese të njëpasnjëshme…

Puna krijuese dhe aktiviteti i dr. Nusret Pllanës

Dr.sc. Nusret Pllana shkollën filloren e kreu në vendlindje, kurse gjimnazin dhe Fakultetin Ekonomik në Prishtinë. Një kohë të gjatë është marrë me veprimtari kulturore-artistike. Në vitin 1984 themeloi Ansamblin Artistik, ”Hasan Prishtina”, të Prishtinës, të cilin e udhëhoqi deri më 1996. Derisa ndiqte studimet pasuniversitare të ekonomisë në Zagreb, me të kthyer në Kosovë, më 1986 burgoset për veprimtari patriotike ilegale dhe dënohet me gjashtë vjet burgim të rëndë, nga të cilat i vuan pesë. Pas daljes nga burgu themelon Ndërmarrjen private për prodhimin e qilimave Teuta në Prishtinë. Ndërkaq, më 1994 burgoset për të dytën herë, por kësaj radhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës. Ishte pjesëmarrës I luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe folësi i parë i Radios ”Kosova e lirë”. Pas kthimit nga lufta, ishte redaktor përgjegjës i Radios ”Kosova e lirë”. Ishte zëvendës ministër dhe ministër i kulturës i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës 1999-2000. Ka udhëhequr sektorin e Arkivit të UÇK-së nga viti 2002-2006.

Aktualisht është ligjërues i Universitetit “Hasan Prishtina” të Prishtinës dhe Universitetit Shtetëror të Tetovës në Shkup dhe Tetovë. Ka magjistruar në Tiranë, në vitin 2005, me temën Masakrat serbe në Kosovë 1989-1997. Ka doktoruar në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, më 1 Shtator 2009, me temën: Intervenimi i NATO-s në Kosovë, në departamentin e shkencave politike dhe administrimit publik. Në vitin 2011 i botohet në gjuhën angleze, libri, NATO Intervention in Kosova, me recensentët: Ambasadorin amerikan William G.Walker, Prof.dr.Christopfer G.L.Hall dhe Prof.Julia Norrgard.

Libri i tij The Terror of Invading Serbia over Albanians 1844-1999, i sajuar në tetë gjuhë: shqip, anglisht, frengjisht, gjermanisht, turqisht, serbisht, japonisht e suedisht, deri tani është promovuar në këto qendra evropiane dhe botërore: Prishtinë, Tiranë, Tetovë, Shkupi, Oslo, Jovik, Stokholm, Kopenhagë, Katovicë, Budapest, Romë, Helsinki, Vjenë, Lion, Paris, Shtutgarti, Dortmund, Singen, Nyrnberg, Hechingen, Pforzheim, Hamm, Ludwigsburg, Helsingen, Heidelberg, Mannheim, Mynster, Gjenevë, Cyrih, Lugano, Ankara, Stamboll, Izmir, Bursa, New York, Washington, Florida, Detroid, Melbourne, Toronto, Bearry, Bruksel, Berlin, Bolzano, Braunschweig, Londër, Mynster, Dyzeldorf e Montreal.

Është redaktor i librit A vriten Engjëjt, të autores, Hanëmshahe Ilazi, 2012. Recensent i librit Abdyl Krasniqi – frymëzues brezash, 2009, të autorit Prof.Bedri Tahiri, recensent i librit monografi Dëshmorët e Kombit – Mareci ‘99,të autorit Refik Gërbeshi, 2014, recensent i librit Familja Pllana – Halabak, 2012, të autorit, Prof.Shaban Pllana, recensent i librit monografi Masakra e Belegut,

2015, të autorit Mr.sc.Endrit Binakaj, redaktor i librit monografi Studenti martir – Arianit Ilaz Berisha, të autorit Argjend Hasani, 2013, recensent i librit monografi Spahijajt e Llashticës, Prishtinë, 2014, recensent i librit Kapërcimshekulli, 2015, të autorit Musli Kabashi.

Libri i tij Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999, ka arritë të futet në Bibliotekat më të njohura evropiane e botërore, si: në Bibliotekën Botërore të Kongresit Amerikan, në Bibliotekën Botërore Victoria të Australisë, në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Bibliotekën Botërore të Bajernit të Gjermanisë, në Akademinë Ushtarake të Bundesverit gjerman, në Tribunalin e Hagës, në Bibliotekën Botërore të Britanisë së Madhe në Londër, etj. Për librin Terrori i Serbisë Pushtuese mbi Shqiptarët 1844-1999, në vitin 2013 ka marrë mirënjohje nga Biblioteka Botërore e Kongresit Amerikan dhe Biblioteka Botërore e Britanisë së Madhe në Londër, në vitin 2015. Është autor i dhjetëra punimeve shkencore.[5]

*Botuar me shkurtime.

Filed Under: Interviste

Kryezoti i Arbnisë

January 17, 2024 by s p

Albin Kurti/

Më 17 janar të vitit 1468, e lëshoi frymën e fundit për së gjalli, fisniku arbnor Gjergj Kastrioti i mbiquajtur Skënderbeu! Këmbanat në Lezhë ranë për të dhënë lajmin për vdekjen e tij, kurse shumë letra nga shumë anë u shkruajtën dhe u dërguan drejt Venedikut, Romës, Sienës, Napolit, Aragonës, Dubrovnikut e Stambollit, me njoftimin që Skënderbeu kishte vdekur.

Sot bëhen 556 vite nga dita kur vdiq Skënderbeu. Ai ishte 63 vjeçar, por përtej viteve të jetës së tij, ndër shekuj, figura e Skënderbeut vazhdoi të bënte histori, që nga koha kur heroizmat e tij e frymëzuan mbrojtjen e Evropës dhe deri në shekullin e XIX kur u rimorr nga rilindasit për ta qendërzuar rreth tij ngritjen e kombit shqiptar.

Që nga koha kur Marin Barleti e shkroi biografinë për jetën dhe të bëmat e Skënderbeut dyzet vite pas vdekjes së tij, shumë historianë, studiues e autorë kanë shkruar deri sot një mori veprash nga pikëpamje dhe për aspekte të ndryshme për Skënderbeun. Në literaturën aq të gjerë të studimeve për Skënderbeun dhe epokën e tij, në njëqind vitet e fundit, veprat dhe studimet kyçe janë ato të Fan Nolit, Athanas Gegajt, Zef Valentinit, Aleks Budës, Kristo Frashërit, Kasem Biçokut, Oliver Jens Schmittit, Lucia Nadinit, Aurel Plasarit, Pëllumb Xhufit etj. Të botuar dhe të ribotuar në shumë edicione, këta libra dhe këto studime janë tekstet ideale që duhen lexuar për ta njohur historinë e personalitetit dhe të figurës së Skënderbeut.

Lavdi ndër mote veprës heroike të Kryezotit të Arbnisë, Gjergj Kastriotit Skënderbeut!

Filed Under: Interviste

REVISTA AMERIKANE (1919) / “ENDOKIA THEMISTOKLI GËRMENJI, SHEGA PETRO NINI, MARIA STAVRE…” — NJË FOTOGRAFI DHE RRËFIM NGA VIOLET BOND KENNEDY PËR SHKOLLËN E VOGËL AMERIKANE NË KORÇË

January 17, 2024 by s p


Shkolla e vogël amerikane në Korçë, Shqipëri — Pastori dhe Znj. Phineas B. Kennedy në hyrje — Burimi : Life and light for woman, dhjetor 1919, ballinë
Shkolla e vogël amerikane në Korçë, Shqipëri — Pastori dhe Znj. Phineas B. Kennedy në hyrje — Burimi : Life and light for woman, dhjetor 1919, ballinë

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 17 Janar 2024

Revista amerikane “Life and light for woman” ka botuar, në dhjetor të 1919, në faqet n°528 – 530, shkrimin e misionares Violet Bond Kennedy mbi gjendjen asokohe të shkollës amerikane në Korçë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Shkolla e vogël amerikane e Korçës

Nga Violet B. Kennedy

Burimi : Life and light for woman, dhjetor 1919, faqe n°528 – 530
Burimi : Life and light for woman, dhjetor 1919, faqe n°528 – 530

Për shkak të kushteve të paqëndrueshme në Korçë, ka qenë e pamundur që zonjusha Qiriazi, Pastori (Kristo Anastas Dako) dhe Znj. Dako të kthehen nga Amerika për të rihapur Shkollën e Vajzave, e mbyllur detyrimisht këto pesë e më shumë vitet e fundit. Ndërkohë, gjatë okupimit të saj nga z. Kennedy, u bënë përpjekje për të dhënë mësim në mënyrë modeste. Vetëm pas pushimeve dimërore, kur “gripi” spanjoll kishte pushuar së bëri kërdinë në qytet dhe zonjusha Fanka Efrin Stefanovitch, e lidhur me shkollën prej shumë vitesh, kishte mundur t’u vinte në ndihmë nga Manastiri, misionarët menduan se mund t’i dorëzoheshin dëshirës së disa prindërve për të rihapur një shkollë të vogël “përzgjedhëse” për anglisht dhe shqip.

Secili prej nxënësve që ju shikon në foto meriton një prezantim (shihni ballinën). Përballë është e vogla Endokia Themistokli Gërmenji, babai i së cilës u ekzekutua nën urdhrat e gjeneralit Saraïl (Saraj) në Selanik gati dy vite më parë. As ajo dhe asnjëri prej nesh nuk mund ta kuptojë se si ndodhi kjo. Ai ishte një patriot i shkëlqyer shqiptar – misteri mund të zbardhet pasi paqja të jetë vendosur plotësisht në Ballkan. E dyta është Emelia, nëna e së cilës është anëtare e kishës protestante në Manastir, por babai i saj, në Amerikë, praktikisht e ka braktisur familjen. Më pas në rreshtin e parë janë Afërdita dhe Skënderi, të lindur në Rusi, por që u desh të iknin nga bolshevikët pranverën e kaluar, dhe Vasili dhe Elena, gjithashtu shqiptarë me origjinë ruse, të cilët u detyruan të iknin dhe erdhën në shtëpinë e vjetër të prindërve të tyre bashkë me ta. Do të kënaqeshe t’i dëgjoje të këndojnë rusisht me zërat e tyre të ëmbël. Edhe tani gjatë muajve të verës këta shqiptarë me origjinë ruse vijnë të ushtrohen në piano, të cilën Elena e luan mrekullisht mirë për një vajzë të vogël. Shega Petro Nini, në të djathtën tuaj ekstreme, pret të shkojë në Amerikë vitin e ardhshëm për të përfunduar arsimin e saj. Ajo është e krishterë dhe do të bëhej një mjeke e mirë nëse mund të stërvitej për këtë. Shoqata e krishterë e Përpjekjes (Christian Endeavor Society) e krijuar së fundmi e ka zgjedhur atë si sekretare. Babai i saj ishte një protestant në zemër, dhe deri në vdekjen e tij tragjike i kushtonte përpjekjet e tij për ngritjen e bashkëqytetarëve të tij shqiptarë, mendërisht dhe moralisht.

Pas saj është Vasil Gërmenji, i cili ka humbur babanë (Themistokli Gërmenji) dhe xhaxhanë e tij (Telemak Gërmenji) për çështjen e lirisë. Sa e do Shqipërinë, për të cilën familja e tij ka bërë sakrifica të tilla ! Thomaida e vogël na u dërgua për të përmirësuar sjelljen e saj dhe për t’i mësuar anglishten. Është një atdhetare e vogël e fortë. Anthony Nicholls ka jetuar në Worcester, Massachusetts, por për shkak të shëndetit të keq u soll në shtëpi në Korçë nga prindërit e tij disa vite më parë. Ai është më i fortë dhe më i mirë tani dhe, oh, aq i etur për t’u kthyer në Amerikë për të përfunduar arsimin e tij. Zoti mund ta thërrasë atë në shërbesë, për të cilën ai tregon disa kualifikime.

Nicholas Chipi, “Big Boy” në shkollë, do të hyjë në Robert College këtë vjeshtë me synimin për të ndjekur kursin tregtar. Demeter Christopher sapo është nisur për në Boston, ku babai i tij është një prift shqiptar, por një burrë i ndritur. A nuk do të shfaqin interes miq të fortë të krishterë për këtë të ri të krishterë, i cili synon të studiojë për mjekësi, të përgatitet për një shërbim të dobishëm në Shqipërinë e tij të shtrenjtë ? Jeanne është një vajzë e vogël franceze, prindërit e së cilës dhe anëtarët e tjerë të familjes kanë bërë një punë kaq efikase në mësimin e frëngjishtes në shkollat shqipe të Korçës. Ajo është tani në Marsejë, ku dëshiron të përsosë përgatitjet e saj në anglisht për të hyrë në dyqanin e vëllait të saj si përkthyese. Ndoshta një ditë ajo mund t’ju shërbejë !

Pelagia (shqiptohet “g” e rëndë – Pelagjia) dëshiron gjithashtu të kryejë studime të larta. Margaret, një tjetër refugjate nga bolshevikët, është një vajzë e qetë, e butë që mund të flasë tre gjuhë dhe tani po studion anglisht. Maria Stavre, e cila prej dy vitesh e më shumë qan për vëllanë, e vetmja mbështetje për veten dhe nënën e saj, është një vajzë me parime të forta. E dorëzuar nën kontrollin e plotë të Shpirtit, ajo është e aftë të bëjë gjëra të mëdha për Të. Harriet Katsidha (Kacidha) duhet të vazhdojë me siguri në klasat më të larta të studimit sipas dhuntive të saj të veçanta. Babai i saj mund ta dërgojë së shpejti në Amerikë, ku ajo ka një motër në Worcester dhe dy vëllezër në Ohio.

Zonjusha Fanka Stefanovitch (Stefanoviç), në skajin e majtë të fotos, ende praktikon atë jetë të bukur dhe të qetë të krishterë, e cila ka dëshmuar të jetë një ndihmë e tillë për vajzat e reja që kanë rënë nën ndikimin e saj. Në krye të shkallëve janë dy përfaqësuesit e saj amerikanë, duke u lutur me zell që punëtorët më efikasë të vijnë dhe të ndihmojnë në korrjen e të korrave që po piqen. Këta të rinj janë të dashur për ta, por sytë e tyre janë kthyer nga qindra të tjerë me aftësi të ngjashme, që përfaqësojnë forcën dhe shpresën e Shqipërisë. A nuk do t’i ndihmoni që t’i kërkojnë dhe të luten që të zhvillohen në shkallën më të lartë të mundshme në përgatitjen për ardhjen e mbretërisë së Krishtit ?

“Krishterimi tregohet se është një besim i përhapur në botë.”

Filed Under: Interviste

Masakra e Reçakut dhe liria e Kosovës

January 15, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Masakra e Reçakut i dha një impuls edhe më të fuqishëm diplomacisë dhe luftës për çlirimin e Kosovës dhe mbarë diplomacisë ndërkombëtare, që të dënojë krimin mizor të shtetit serb ndaj civilëve shqiptarë të paarmatosur.

Sot po bëhen 25 vite nga masakra e Reçakut që tronditi dhe tmerroi Kosovën, por e ndërgjegjësoi dhe alarmoi botën demokratike dhe diplomacinë ndërkombëtare që të veprojë kundër shtetit kriminal serb.

Kosova ka përjetuar tmerret më të mëdha nën pushtimin e Serbisë, por dhembja dhe lufta e saj nuk ishte trajtuar, thuajse asnjëherë, seriozisht nga qendrat e vendosjes ndërkombëtare. Kështu, edhe pse në tetor të vitit 1998, u nënshkrua marrëveshja Hollbruk-Millosheviq, nuk u respektua asnjëherë. Krimet e ushtrisë serbe vazhduan në të gjithë territorin e Kosovës. Kulmi i shkeljes së marrëveshjes për armëpushim qe me 15 janar 1999, kur në Reçak u vranë në mënyrën më mizore 45 gra, pleq e fëmijë.

Për këtë ngjarje, kryesuesi i Misionit Verifikues të OSBE-së, William Walker, doli para opinionit publik dhe deklaroi: “Ky është krim kundër njerëzimit!”. Ky vlerësim real, objektiv dhe i guximshëm për kohën dhe rrethanat, i William Walkerit, ishte jashtëzakonisht domethënës dhe kishte ndikim të fuqishëm në qendrat e vendosjes ndërkombëtare, meqë barbaria serbe po dëshmohej para syve të botës mbarë!

Pas krimit serb në Reçak dhe pas deklaratës së William Walkerit, bota filloi ta perceptojë me më shumë objektivitet, agresionin dhe gjenocidin serb ndaj popullit shqiptar të Kosovës. Ky fakt i dha fuqi më të madhe morale UÇK-së dhe luftës së saj të drejtë për çlirim nga sundimi serb. Në të njëjtën kohë, ky rast ndikoi fuqishëm në ndërkombëtarizimin e luftës në Kosovë dhe sidomos në afirmimin e kauzës së drejtë të luftës çlirimtare të UÇK-së. Më 18 mars 1999, viktimat e masakrës së Reçakut, kishin qenë të gjithë civilë të paarmatosur dhe vrasja e tyre ishte quajtur “krim kundër njerëzimit”.

Kështu kishte deklaruar edhe ekipi ndërkombëtar që ishte marrë me ekzaminimin e 40 kufomave të masakrës së Reçakut. Kryesuesja e ekipit, Helena Ranta, kishte bërë këtë deklaratë që ishte në kundërshtim me raportin zyrtar serb dhe ishte në përputhje të plotë me pohimin e William Walkerit, në ditën e masakrave: “Forcat e sigurisë serbe kanë masakruar civilët shqiptarë“.

Kështu, William Walker, dëshmoi para krejt botës për këtë masakër, të cilën e konfirmoi edhe ekspertja Helena Ranta. Tanimë, Fuqitë e Mëdha, ishin të obliguara edhe moralisht, që të ndërhynin ushtarakisht, në emër të humanizmit për të ndihmuar popullin shqiptar, në ditët më të vështira të tij.

Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës!

I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti i kombit për ta!

Filed Under: Interviste

Dhimo Jano, ndër më të suksesshmit e komunitetit shqiptar në Chicago

January 12, 2024 by s p

Intervistoi: Mirela Kanini/

1.Kush është Dhimo Jano. A mund të bëni një përshkrim të vogël të vetes tuaj, profesionit ect).

Unë kam lindur dhe jam rritur në Lunxheri të Gjirokastrës. Jeta ime pak a shumë ka qënë tipike si e të gjithë shqiptarëve gjatë periudhës së regjimit komunist . Por ajo e imja dhe e familjes sime u keqësua më shumë kur një ditë arrestuan babain tim nën pretekstin e gjyshit të arratisur në Greqi. Babain tim që nuk kishte bërë asgjë të keqe e burgosën për 15 vjet në burgun famëkeq të Spaçit. Me rritjen dhe mbarëvajtjen tonë pas kësaj u përkujdes xhaxhai im që i jam mirënjohës përjetësisht. Ai u kthye në një baba për ne dhe u rritëm me fëmijët e xhaxhait sikur të ishin vëllezërit tanë. Asnjëherë nuk munda ta bëj dallimin midis nesh as në vazhdim, as sot. Pavarësisht kësaj mbështetje të madhe që ndikoi në formimin tim në jetë është e imagjinueshme jetesa si njerëz të persekutuar nga Partia dhe pushteti në fuqi edhe pse e gjithë Shqipëria ishte si një burg i hapur. Pas rënies së komunizmit u diplomova në fakultetin Ekonomik në Vitin 1997. Fillova të punoj intensivisht, krijova familje dhe kam 2 djem, por kërkoja më shumë nga jeta. Është në natyrën time. Na u dha shansi të vijmë në Amerikë ku mund të them me krenari që kam realizuar ëndrrën amerikane.

2. Që të arrini aty ku jeni sot sigurisht keni ndeshur në vështirësi. Si I kapërcyet ato.

Vështirësitë më të mëdha i kisha hedhur pas krahëve dhe këtu në Amerikë isha i motivuar të realizoja objektivat e mia. Nuk më bënin përshtypje punët që bëja, përkundrazi kuptova që Amerika është vendi I opurtuniteteve dhe mundësive pa fund.

3.Kur menduat që kjo është rruga juaj?

Punoja tek Wendy’s (fast food restaurant dikur dhe aty si të thuash u familjarizova me insustrinë e restoranteve. I mësova me detaje si funksionon gjithshka dhe erdhi një pikë kur mendova se kishte ardhur koha të hap biznesin tim.

4.A ishte e veshtire të arrini suksesin tuaj në Amerikë?

Padyshim. Sfidat janë të zakonshme në çdo biznes por të kapërcyeshme kur së pari ke vizion dhe besim në vetvete.

5.Tani që e shihni veten të sukseshëm , pronar i 10 restoranteve, dhe e ktheni kokën pas nga e kaluara, a ju bēn të mendoni si e keni arritur këtë sukses?

E mendoj dhe ndihem mirë sigurisht, them ja dola , i arrita të paktën disa objektiva që i kam vënë vetes.

6.A keni pasur ndonjehere momente kur keni dashur te terhiqeni?

Jo asnjëherë. Kurrë nuk tërhiqem dhe nëse rrëzohem ngrihem në këmbë përsëri për të vazhduar rrugën e nisur.

7.Kush janë planet tuaja për të ardhmen?

Në të ardhmen mendoj që të zgjerohem në biznes dhe jo vetëm në industrinë e restoranteve por edhe në fushën e real estate. Qielli është limiti .

8.Çfarë do dëshironit të thoshit për të inspiruar dikë që po ndjek një rrugë të ngjashme me tuajën?

Mos ki frikë të ndjekësh ëndrrat e tua. No risk no glory ( po nuk rrezikove nuk fiton) siç thonë amerikanët.

9.Çfarë ju inspiron ju?

Gjej inspirim së pari tek familja . Pastaj më inspirojnë gjithashtu historitë e njerzve të fortë e të sukseshëm që ja kanë dalë në jetë përtej vështirësive.

10. Si janë raportet tuaja me komunitetin shqiptar?

Jam aktiv dhe prej vitesh kemi krijuar një grup shumë të mirë shoqëror me intelektualë të respektuar. Vitet e fundit kemi pasur fatin të kemi mes nesh dhe një nga figurat më të ndritura tē kombit shqiptar poetin e njohur Zotin Visar Zhiti.

11.Kush janë hobitë tuaja?

Më pëlqen leximi dhe gjej kohēn të lexoj në mënyrë të vazhdueshme. Kam qënë gjithmonë i apasionuar pas klasikëve të letërsisë dhe kohët e fundit jam I impresionuar me Kunderën, Kalid Huseini Mirela Kanini ect…

12. Një thënie që ju pëlqen dhe motivon…

No men becomes rich unless he enriches others.

Andrew Carnegie

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • 45
  • …
  • 216
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT