• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dialogu Kosovë-Serbi në rrezik, minishengeni ballkanik sjell konflikt rajonal, bashkëpunimi ekonomik mes shteteve shqiptare, në ngërç

August 2, 2022 by s p

Shkruan: Eneida Jaçaj

Dialogu Kosovë-Serbi, marrëveshje e cila u dakordësua në Uashington, më 4 shtator të vitit 2020, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, duket se është kthyer 23 vite mbrapa në kohë. Sulmet në Veri të Kosovës tregojnë edhe një herë se Serbia nuk është e gatshme të përmbushë pikat e marrëveshjes, e cila do të sillte siguri dhe stabilitet në rajon, dhe, gjithashtu, nuk do të pengonte as integrimin e dy shteteve në Bashkimin Europian, OKB dhe NATO. Siç është bërë e ditur, serbët në Veri të Kosovës, më 31 korrik, vendosën në rrugë kamionë dhe mjete të tjera të rënda për të kundërshtuar dy vendime të Qeverisë së Kosovës, që kanë të bëjnë me targat dhe dokumentet serbe. SHBA dhe BE, dy garantet e sigurisë dhe stabilitetit në rajon, ndërmjetësuan dialogun me shumë pika, për të çuar në bashkëpunim ekonomik dy shtetet, duke hedhur pas konfliktet dhe mosmarrëveshjet e kohëve të vjetra, e më pas, dialogu të konkretizohej edhe me njohjen e Kosovës, nga Serbia. 

                Por, dialogu Kosovë-Serbi, në këto dy vite, ka kaluar nëpër sulme dhe akuza të dyanshme, se asnjëra nga palët nuk është e gatshme që të shkohet në një kompromis të përbashkët. E gjitha kjo është një lojë dhe farsë e Serbisë, e cila, jo vetëm që nuk ka ndërmend të zbatojë marrëveshjen bilaterale, që do të sillte një përfitim të madh për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe Evropë, por nuk ka ndërmend ta njohë juridikisht as Pavarësinë e Kosovës. Për Pavarësinë e Kosovës dhanë jetën dhe gjakun djem të rinj, që u shuan në lule të rinisë për liri, ndërsa Serbia duhet të japë llogari për të gjitha ato masakra mbi popullsinë e pafajshme të Kosovës. Për të gjitha krimet serbe ndaj popullsisë kosovare, duhet të mbahet një gjyq si ai i Nurembergut, për krimet e nazizmit, ku të gjithë ata që janë fajtorë për genocidin ndaj popullit të Kosovës, të japin llogari. Sulmet e Serbisë ndaj Veriut të Kosovës marrin spunto edhe nga lufta e Carit të Kremlinit ndaj Ukrainës, ku Rusia është deklaruar gjithmonë në krah të Serbisë. Pas sulmit në Kosovë, Rusia ka deklaruar mbështetjen e saj të plotë për Serbinë, duke këmbëngulur se të drejtat e serbëve duhet të respektohen. Megjithatë, Serbia e ka të qartë mësimin se NATO do të ndërhyjë brenda 24 orësh nëse i shpall sërish luftë Kosovës, ashtu siç veproi 23 vite më parë. 

Minishengeni ballkanik

                 “Ballkani i Hapur” apo i ashtuquajturi minishengeni ballkanik, është një tjetër çështje që i shton akoma më shumë shkëndija zjarrit, duke mbajtur të ndezur konfliktin në Ballkan. Kryeministri Edi Rama është shumë i ftohtë ndaj mosmarrëveshjeve apo sulmeve që vinë nga Serbia në drejtim të Qeverisë së Kosovës, pasi nuk dëshiron të cënojë marrëveshjen me kryeministrin serb, Aleksander Vuçiç, për Ballkanin e Hapur. Në këto kushte ku gjendet Ballkani, minishengeni nuk do të mund të realizohet, projekt i cili favorizon Serbinë, por edhe Rusinë, aleaten e saj shpirtërore, por edhe vendet e tjera fqinje. Dua të rikujtoj për fakte se, kryeministri Edi Rama së bashku me kryeministrat e Serbisë, Maqedonisë së Veriut arritën në Ohër, në vitin 2019, një marrëveshje për projektin e minishengenit ballkanik, i cili konsiston në lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Projekti ka për qëllim bashkëpunimin rajonal meqenëse Bashkimi Europian po vonon integrimin. Kosova nuk u përfshi në këtë marrëveshje mes vendeve të rajonit, u la në hije, pasi Serbia por edhe Bosnja-Hervegovina nuk e njohin Kosovën, dhe nuk mund të ketë projekt kur shtetet janë në konflikt me njëri-tjetrin. 

                     Kështu, Serbisë nuk i intereson njohja e Kosovës, ndërsa Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut janë të gatshme të realizohet ky projekt. Por bashkëpunim ekonomik rajonal pa Kosovën, nuk mund të ketë. Një projekt i tillë, me Serbinë në mes, duhet të rishikohet nga ekspertë të ekonomisë botërore, pasi, me shumë gjasa, më shumë do të shtojë konfliktin në Ballkanin Perëndimor sesa do të rregullojë punë. Si mund të bëhet pjesë e një marrëveshje të tillë Serbia, e cila është përgjegjëse për disa masakra e genocide ndaj popullit të Kosovës dhe ende nuk e njeh si shtet të pavarur?! Si mund të bëhet pjesë e një marrëveshje të tillë Serbia, e cila është aleate me simotrën e saj Rusinë, e cila po kryhen të njëjta krime ndaj Ukrainës?! Dihet që Serbia me anë të këtij projekti synon të dalë në det; ky është një pretendim i saj që në kohën kur Austro-Hungaria ia prishi planet. Nga kjo do të përfitonte edhe Rusia, e cila prej kohësh e ka dëshiruar zgjerimin dhe ndikimin e saj në Ballkan, për arsye të përfitimit ekonomik, gjë që do të sillte edhe reagimin e SHBA, e cila është faktori dhe shteti me superfuqinë më të madhe në botë.

Bashkëpunimi ekonomik me Kosovën

                 Shqipërisë dhe Kosovës do t’u interesonte më shumë një bashkëpunim ekonomik rajonal me njëra-tjetrën, sesa projekti i minishengenit ballkanik. Nga Ballkani i Hapur do të përfitonin vetëm vendet fqinje, pasi Shqipëria eksporton vetëm lëndën e parë, pra është një shtet që nuk prodhon, i cili do të bëhej treg mallrash në favor të shteteve të tjera. Kryeministri Edi Rama dhe ai i Kosovës, Albin Kurti, duhet të zotohen dhe ta marrin seriozisht bashkëpunimin ekonomik, për t’u fuqizuar mes vetes, dhe jo të fuqizojnë të tjerët. Që kur u investua në Rrugën e Kombit, u pa se kjo do të ndikonte në progresin ekonomik mes Shqipërisë dhe Kosovës. Që nga viti 2014, kur Shqipëria dhe Kosova zhvilluan mbledhjen e parë të përbashkët, ku u nënshkruan edhe marrëveshje bashkëpunimi ekonomik, Shqipëria dhe Kosova janë përballur me konflikte dhe barriera tregtare. 

                  Paradoksi është se kemi të bëjmë me dy shtete shqiptare. Në vend që të thellohet bashkëpunimi ekonomik, në mënyrë që të mos përfitojnë fqinjët nga mosmarrëveshjet, por të zhvillohemi aq sa mundemi në aspektin ekonomik me njëri-tjetrin, tregojmë edhe njëherë se nuk jemi të aftë të shkojmë mirë mes vetes. Këtu më vinë në mendje fjalët e të madhit Faik Konica: Heshtni, shtrohuni, bashkohuni! Udha që shpie në nder, në liri e në shpëtim, nuk është e shtruar me lule, po me ferra; kush arrin në kulm, arrin i grisur, i djersitur, i përgjakur; dhe kur arrin në kulm, bie i vdekur nga të lodhurit, por me vetëdijen që i hapi një udhë të re popullit”. Shpresojmë që dy shtetet shqiptare të reflektojnë, dhe të bashkëpunojnë mes vetes!

Filed Under: Komente Tagged With: Eneida Jacaj

Jemi shqiptarë! Nuk na ka hije të qëndrojmë duarkryq!

August 2, 2022 by s p

Nador Bakalli/

Lëvizja ka ndjekur me shqetësim të madh zhvillimet në veri të Kosovës pas vendimit të qeverisë Kurti për vendosjen e reciprocitetit në aspekte të caktuara të marrëdhënieve dy-palëshe me Serbinë.

Gjejmë rastin të shprehim haptazi përkrahjen tonë për nismën e qeverisë së Kosovës.

Është tashmë e qartë se interesat shqiptare në rajon bien ndesh me politikat serbe dhe se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë mundet vetëm të ravijëzohen brenda kornizave të reciprocitetit midis dy shteteve të pavarura, siç janë Kosova dhe Serbia.

Për të disatën herë, i kërkojmë Qeverisë së Shqipërisë që të ndërpresë urgjentisht çdo diskutim me Serbinë në lidhje me nismën “Ballkani i Hapur” apo çdo nismë tjetër të cilën Kosova nuk e aprovon. Flirtimi me Serbinë dhe marrëveshjet me karakter të paqartë apo që shkaktojnë ndasi mbi faktorin shqiptar në rajon janë një njollë turpi e rëndë për të cilën do të mbahet mend Qeveria dhe Kryeministri Rama.

Nëse Qeveria nuk heq dorë nga paudhësia e Ballkanit të Hapur apo nga ulja në tryeza të dyshimta me Serbinë dhe palë të treta, pas krahëve të Kosovës, Lëvizja:

1. Do të ndërmarrë në vjeshtë një fushatë masive në Diasporë për denoncimin dhe demaskimin e veprimeve të Qeverisë si thellësisht anti-shqiptare dhe me nuanca tradhëtie në drejtim të Kosovës.

2. Në funksion të sa më sipër, do të shqyrtojë mundësinë e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me grupime politike apo të shoqërisë civile me karakter opozitar, në funksion të shpëtimit të Shqipërisë nga kthetrat e një qeverie de fakto anti-shqiptare, e cila e ka zhytur vendin përditë e më thellë në zonat e turpit të raporteve dhe indekseve më serioze kombëtare dhe ndërkombëtare.

3. Nëse lind nevoja, si shqiptarë, do t’i gjendemi pranë Kosovës me çdo mjet dhe formë, pa droje!

Kosova na jep nder!

Kryesia e Diaspora për Shqipërinë e Lirë! 

Filed Under: Komente Tagged With: nador bakalli

Shqipëri-SHBA: Partneritet që sendërton një protagonizëm të ri shqiptar

August 1, 2022 by s p

Nga Akri Çipa/

Përgjatë harkut kohor të një shekulli, marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë pasur transformime të mëdha, qoftë edhe në elementet më bazike të tyre.

Me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në vitin 1922, Shqipëria dhe SHBA shënuan fillimin e asaj që do ishte një marrëdhënie atipike, edhe për shkak të trajektoreve historike dhe politike që do të shënonin shekullin e XX. Ndërprerja e marrëdhënieve në vitin 1939, për shkak të pushtimit të Shqipërisë dhe më pas për shkak të izolimit të përzgjedhur nga qeveria komuniste, shënoi një vakuum të gjatë në relacionet bilaterale. Rivendosja e tyre në vitin 1991 hapi një kapitull të ri, mjaft intensiv dhe përcaktues. 

Në harkun kohor të 31 viteve të fundit, përgjatë këtij kapitulli të ri, marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë njohur zgjerim dhe thellim të vazhdueshëm.

Duke i lënë detyrën e këndvështrimit historik ekspertëve të fushës, si dhe pa mëtuar të përgjithësojmë marrëdhëniet e Shqipërisë dhe SHBA përgjatë njëqind viteve, për shkak se nevojiten hulumtime shumë të imtësishme për të ofruar një tablo shteruese, do të përpiqem të ofroj një qasje më të fokusuar në zhvillimet përgjatë dy dekadave të fundit.

Zhvillime të cilat janë sa bazuar sa në angazhimin e dy palëve, aq edhe në ndryshimet thelbësore në arenën ndërkombëtare dhe në vetë sistemin ndërkombëtar. Dhe zhvillime të cilat kanë sendërtuar një protagonizëm të ri shqiptar në rajonin e afërt, por dhe në sensin multilateral, bazuar në këtë partneritet të konsoliduar.

Nw ndwrrim tw mijwvjeçarit, padyshim ngjarja kulmore nw angazhimin amerikan kundrejt shqiptarwve wshtw vendimi i Uashingtonit pwr tw ndaluar gjenocidin serb nw Kosovw. Ky ishte njw moment unik dhe njw event themeltar dhe shenjues pwr shumw prej proceseve qw do vinin mw vonw.

Pas asaj, dy janë momentet kyçe që kanë shënuar marrëdhënien Shqipëri-SHBA brenda harkut kohor të dy dekadave të fundit: vizita e Presidentit Bush në vitin 2007 dhe anëtarësimi i Shqipërisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) nën sponsorizimin amerikan.

Vizita e Presidentit George Bush në Shqipëri në vitin 2007, vizita e parë e një presidenti amerikan në detyrë, shënoi praktikisht preludin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, çka do të transformonte thelbësisht rajonin tonë. Pashmangshmërisht, kjo do të përkonte me faktorizimin më të madh të shqiptarëve në rajon, por sigurisht dhe me një rol të ri për Tiranën zyrtare në realpolitikën ballkanike.

Nga ana tjetër, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO në vitin 2009, së bashku me Kroacinë, ishte një proces gjithaq përcaktues për ardhmërinë e vendit dhe të rajonit. Shtetet e Bashkuara ishin mbështetëset kryesore të zgjerimit të NATO-s në Ballkan dhe garantueset e kurorëzimit me sukses të rrugëtimit të përshpejtuar të Shqipërisë, pavarësisht limitimeve të shumta që karakterizonin atëherë kapacitetet ushtarake të saj.

Me këto dy zhvillime të rëndësishme si pikënisje, pozicioni strategjik i Shqipërisë u forcua jashtëzakonisht shumë, duke sjellë në më pak se një dekadë e gjysmë shndërrimin e vendit në një eksportues të sigurisë, në rrafshin rajonal, por jo vetëm. Ky është padyshim një nga proceset më të rëndësishme dhe domethënëse përgjatë këtij harku kohor, duke marrë parasysh faktin që përpara kësaj vendi ishte konsumues i sigurisë dhe shpërfaqte brishtësi të konsiderueshme në planin e gjerë të sigurisë.

Ky transformim nuk kaloi pa prekur dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë marrëdhënien bilaterale me Shtetet e Bashkuara, mbi të gjitha nisur nga fokusi i theksuar në siguri përgjatë administratës Obama. Konsolidimi i rolit të shqiptarëve, si një spirancë e mirëfilltë stabiliteti në Ballkan, përkoi me një rritje të rolit të Shqipërisë në rajon, sikurse edhe në kuadër të platformave të ndryshme multilaterale.

Përgjatë viteve të fundit, kjo marrëdhënie ka shpërfaqur përfitime të dukshme për Shqipërinë. Mjaft përcaktuese në këtë drejtim ka qenë mbështetja e Uashingtonit që Tirana zyrtare të marrë përsipër një rol të dorës së parë brenda institucioneve dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare: fillimisht në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) dhe, më së fundmi, si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Të dyja këto janë evente historike dhe është e paimagjinueshme që Shqipëria do të mund të arrinte në këto përfaqësime pa një mbështetje të shumëfishtë të Shteteve të Bashkuara. Sikurse dhe do të ishte tejet i vështirë navigimi i sfidave të ndryshme brenda këtyre platformave pa orientimin dhe koordimin me partnerët amerikanë.

Edhe vetë brenda NATO-s, Shqipëria ka realizuar një projektim më modern dhe të dobishëm. Duke marrë parasysh resurset e kufizuara, njerëzore, materiale dhe financiare në planin ushtarak, Shqipëria ka shfrytëzuar pozicionin gjeografik dhe zhvillimet gjeopolitike për të rezonuar me interesat strategjike të aleancës dhe vecanërisht të SHBA. Brenda këtij plani mund të shikohet investimi i aleancës në modernizimin e bazës ajrore në Kuçovë për të shërbyer si një pikë e rëndësishme furnizimi për misionet në distancë më të largët të trupave të organizatës. 

Në këtë kontekst, propozimi i SHBA dhe gatishmëria e Shqipërisë për t’u ofruar si një bazë amerikane për Forcat e Operacioneve Speciale përbën një tjetër element të rëndësishëm në bashkëpunimin në çështjet e sigurisë. Komanda amerikane e operacioneve speciale në Europë luan një rol të dorës së parë për të dëshmuar gatishmërinë dhe angazhimin amerikan në kontinentin e vjetër dhe përthithja e një pranie të tyre nga Shqipëria ofron një dimension të vlefshëm për rëndësinë në konsideratat rajonale amerikane.

Duke gjykuar proceset e ngadalta demokratizuese në vend, si dhe progresin e cunguar dhe të pabarabartë ekonomik, shpeshherë duke mbetur edhe pas fqinjëve të tjerë, mund të thuhet se Shqipëria ka mundur të faktorizohet ndërkombëtarisht më shumë se sa lejojne kapacitetet e saj reale. Disfunksionaliteti i politikës së brendshme ka tejkaluar vetveten përgjatë dekadës së fundit, megjithatë Tirana ka mundur, në sajë të koordinimit të ngushtë me SHBA, të pozicionohet aktivisht në arenën ndërkombëtare. Tejet e nevojshme dhe productive në këtë aspekt do të ishte dhe një koordinim shumë më i madh dhe harmonizim diplomatik me Kosovën.

Në kushtet e një momenti gjeopolitik të orientuar drejt kompeticionit të fuqive të mëdha, si dhe rritjes së rajonalizmit dhe fuqive rajonale, Shqipëria ka një mundësi të papërsëdytë tashmë për të forcuar këtë protagonizëm të ri. Çka efektivisht do të shënonte dhe kalimin në një fazë të re, më të emancipuar, të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, por edhe me vendet e tjera perëndimore.

Si rrjedhim, kjo do të tregonte dhe një maturim të vetë Shqipërisë në raportet me shtetet e tjera, në këtë rast me partnerin esencial, por edhe në raport me vetveten dhe aktualizimin e vlerave të përbashkëta dhe, sigurisht, të interesave shtetërore e kombëtare shqiptare.

Filed Under: Komente Tagged With: Akri Cipa

SI E TRAJTOJMË NJERIUN (NJËRI – TJETRIN)

July 23, 2022 by s p

Prend Ndoja/

Ne, si komb, kemi shumë veti të çmuara që burojnë nga vetë gjeneza jonë, edhe pse ndonjëherë ato mund të duken të vjetëruara, apo larg vezullimës së kohëve moderne. Megjithatë, këto veti në vete përmbajnë shpirtin tonë, janë afër me natyrën tonë, por edhe me peripetitë e vërteta të njeriut. Këto vlera të larta njerëzore gjatë rrjedhave të etnisë sonë kanë hyrë thellë në brendinë tonë, në karakterin tonë, për të mos ikur kurrë më. Ato janë elemente që e mbajtën afër familjen, fisin, kombin, por edhe ballin hapur për ta shikuar njëri-tjetrin me plot dashuri dhe respekt; qëndresën para sfidave, mirësinë, drejtësinë, sinqeritetin, karakterin, respektin, ruajtjen e thesarit dhe trashëgiminë tonë kulturore.

Këto, dhe shumë elemente tjera që e shndrisin jetën tonë është e dhembshme kur shikon se ndonjëherë po zbehen pa ndonjë shtysë të fortë. Nganjëherë të ndodhur në vorbullën e ngjarjeve të pakëndshme, kur para syve tanë përbalten vlerat kombëtare, apo ato njerëzore, fatkeqësiht më lehtë i anashkalojmë dhe nuk ballafaqohemi me to ose e fajësojmë kohën për dukuritë e pakëndshme që i hasim në jetën tonë.

Kemi dëgjur shpeshherë: S’kem ç’të bëjmë, koha i ka sjellë! Jo, koha, përpos të reshurave, nuk sjell asgjë tjetër! Ne i pranojmë të mirat apo të këqijat në ditët tona. Ne e pranojmë në kohën tonë dashurinë, por edhe urrejtjen. Si pasojë e neglizhencës, në raste të shpeshta dashuria si element rrënjësor në jetën tonë merr një pamje të zbehur. Në mungesë të një dashurie që shkëlqen si rreze, krijohet zbrazëtia në brendinë tonë. Në një brendi të boshatisur, aty edhe përqafimet dhe buzëqeshja marrin pamje “artistike”; ato më tepër shfaqen për dukjet e tyre, apo ndonjë pozim, se sa për vlerën reale të tyre. Në vendet ku dashuria merr udhën e braktisjes, afërsia dhe dashuria me të tjerët mbetet formale. Një mori gjërash të kota hyjnë në jetën e njeriut dhe qetësinë e gjejnë duke u distancuar krijuar mure nga njeriu, duke filluar nga më të afërmit. Aty ku mungon dashuria janë prezente cilësitë negative që i gëzohen së keqes, nxisin fjalë të kota, gënjeshtra… Pastaj brendia e humbë forcën që të kultivojë dashuri. Çdo brendi e boshatisur është rrjedhë e një mendjeje të gabuar; çdo mendim i gabuar është një dritare e mbyllur; çdo dritare e mbyllur kërkon një dorë që ta rihapë përsëri.

VEPRAT E KËQIA NUK I TAKOJNË NJERIUT

Dashuria dhe urrejtja e kanë gjenezën e përbashkët që nga zanafilla, por gjatë udhës së zhvillimit kurrë nuk janë ushqyer në të njëjtën sofër. Të dyja trokasin në mendjen e njeriut dhe presin raste të volitshme që t’u hapet dera e të hyjnë në brendinë e njeriut. Por, te porta e mendjes, njeriu duhet të jetë i kujdesshëm e vigjilent. Është përgjegjësia dhe aftësia jonë që t’i filtrojmë dhe t’i marrim ato që na takojnë. Nuk është edhe aq e rëndësishme sasia, se sa shumë marrim dhe sa shumë japim, por çfarë cilësie marrim dhe çfarë cilësie japim. Nëse japim dashuri, paqe e sinqeritet do të triumfojmë mbi të keqen, mbi urrejtjen. Nëse nuk ruhet që nga burimi, uji do të ndotet gjatë rrjedhës së tij. Pra, që nga fillesa duhet të jemi të kujdesshëm ndaj mendimeve të panevojshme apo të dëmshme, për ne e, pastaj edhe për gjithë shoqërinë.

E keqja nuk mund të largohet duke e goditiur personin e gabuar; të keqen nuk e shëron e keqja, andaj këtu është edhe formula e ngadhënjimit ndaj së keqes. Fitorja ndaj së keqes është duke e fituar njeriun, duke e larguar atë nga e keqja, duke e goditur aktin, e jo personin; duke e goditur atë që e sjell të keqen te njeriu, duke e goditur Djallin (Demonin). Djalli është tradhtar që nga fillimi e deri në fund. ndërsa Zoti është burimi i të gjitha të mirave, i të gjitha gëzimeve.

Njeriu lind i pastër, i dëlirë nga fajet dhe çdo e metë. Fajet dhe gabimet i gjeti këtu, në këtë botë. Pra, fajet apo gabimet dhe çdo e keqe nuk është pjellë e njeriut. Njeriu nuk i solli ato në këtë botë, e as nuk i krijoi që nga fillimi i jetës së tij. Pra, as nuk i solli në këtë botë, e as nuk filloi me to, por të gjitha të këqiat janë pjellë e Djallit dhe atij i takojnë ato.

Djalli, dinakërisht, nga një derë e hapur gabimisht nga ne, i hedh në jetën e njeriut të bëmat e tij. Andaj, arma më adekuate në luftën kundër Djallit është dashuria dhe mirëkuptimi në mes njerëzve.

Pra, me dashuri dhe mirësi duhet ta fitojmë njeriun dhe ta dënojmë djallin. Mos ta luftojmë njeriun, sepse në atë mënyrë vetëm e ndihmojmë djallin. Njeriu është i mirë, por ne duhet ta gjejmë gjuhën e tij të komunikimit. Në të shumtën e rasteve, njeriu është viktimë e paaftësisë së tij; ai struket brenda embrionit të mbuluar nga fuqia negative dhe në vend që ta gjejë derën e daljes nga ai ankth, ai e sulmon njeriun. Por, prapë njeriu është i mirë, sepse edhe në një gjendje të tillë, Ai, kurrë nuk e sulmon njeriun i lumtur, me ëndje, me dashuri, por gjithmonë atë e bën me aktin e dhuruar nga djalli, me mllef, urrejte e ankth… Pra, ai nuk vepron me cilësitë e qenies së tij njerëzore-me dashuri.

Përmes mendjes së pazgjuar depërtojnë bëmat e Djallit. Ato e ngrisin kokën lart dhe tejkalojnë normat normale të njeriut; dalin jashtë vetes së njeriut dhe bëhen pengesë dhe e iritojnë rrethin shoqëror, pretendojnë të ulin dhe përçmojnë njeriun tjetër; njeriu bëhet vegël e ndikimit të djallit. Duke e zgjeruar sa më shumë hapësirën e dukurive në mënyrë jonjerëzore, e ngushtojnë hapësirën e dashurisë dhe respektit. Nga pakujdesia dëmtohet aroma e shijes së vërtetë natyrale të dashurisë për njeriun. Atë nganjëherë e ngatërrojnë duke e kërkuar jashtë natyrës njerëzore, dashurisë ndërnjerzore dhe i japin kahje që, kinse shija e dashurisë së vërtetë qenka zhveshur nga njeriu dhe qenka veshur me gjëra materiale apo gjesende tjera.

Dashuria e vërtetë që nuk duhet të shuhet kurrë, që fuqizon jetën është dashuria ndaj familjes, të afërmve, shoqërisë dhe të gjithë njerëzveit. Dashuria është rreze që e shkrin urrejtjen. Në praninë e kësaj dashurie njeriu është i plotë dhe shijon një jetë të vërtetë. Pesha e dashurisë natyrale njerëzore shfaqet që në pamjen e parë dhe nuk zbehet që nga mëngjesi gjer në mbrëmje; fillon me familjen, të afërmin dhe shpërndahet te të gjithë njerëzit. Dashuria është një forcë më vete, është shtyllë qendrore e jetës që ndihmon të ecësh drejt përparimit e së vërtetës. Pra, duhet ta kujtojmë dhe, pse mos ta ringjallim në jetën tonë atë dashurinë, siç ishte dikur në atë botën tonë të “vogël”. Fëmijët, si engjëj, përpos në afërsinë e prindërve, shkriheshin në dashuri në prehrin e dajës, axhës dhe të afërmve të tyre, por edhe në hapësirën e natyrës së lirë. A është edhe sot kjo dukuri? Ajo ishte vlera e vërtetë e jetesës, ishte pesha që në mes të varfërisë së tejskajshme e mbante lart forcën dhe nivelin e jetesës. Trajtimi njerëzor, pa marrë parasysh ku dhe kë, është ushqimi më i këndshëm i dashurisë. Kuptimi i gjendjes shpirtërore të tjetrit është prodhimi i parë që rrjedh nga dashuria, e, që të dyja bazën e kanë në thjeshtësinë e njeriut. Forca e faljes është çelësi që i hap dyert e mbyllura. Kur ne i falim armiqtë, ata vdesin si armiq për ne, sepse nga ai moment nuk do të kemi më armiq. Lirohet Ai dhe lirohemi Ne. Kur i hapim dyert e kthimit nga e keqja, në të njëjtën kohë mbyllen dyert e ndikimit të djallit në jetën tonë. Të dhurosh dashuri për të tjerët, do të thotë të dhurosh shëndet të mirë në shpirtin tënd. Por, edhe në dashuri ka dhembje, ka mall; s’ka gojë, por më në fund ka dritë. Në botë kurrë nuk do të kemi paqe, nëse nuk kemi dashuri. Dashuri pa kufij duhet të kemi për të gjithë njerëzimin. Por, dashuri dhe BESIM TË PLOTË duhet të kemi vetëm në Zotin.

Filed Under: Komente Tagged With: prend ndoja

Turizmi, çmimet, mediat dhe propaganda që dëmton turizmin

July 13, 2022 by s p

Skerdilaid Sulozeqi/

Kulmi i verës dhe i sezonit turistik ka hyrë, e sakaq këto kohë po shohim shumë dashakeq, persona, medie, grupe shoqërore të ndryshe që në rrethin e tyre kanë vendosur Ksamilin, Sarandën e së fundmi rëndshëm Vlorën.

Thashetheme në tymnajë që tentojnë të shpërndahen në mënyrë propocionale të pandershme për Qarkun e Vlorës, sidomos për zonat turistike si më lartë, për t’a damkosur turizmin dhe individin në këto zona.

Një pyetje më lind natyrshëm: pse në kulmin e sezonit sulmohet turizmi në Sarandë, Ksamil e Vlorë? Kujt i intereson?

A ka abuzues dhe me çmime të larta? Patjetër që po, por ata janë maksimumi 10 përqind, jo më tepër. Dhe, vetë tregu i mënjanon ato.

Në këto zona bën plazh me 1000 all çadra, fle me 50 euro në pikun e sezonit në vila luksoze 3-4 persona, ushqehesh me ushqime të freskëta e të mrekullueshme me 50 euro po kaq persona.

Në Sarandë ka peshk të egër e të butë, midhje pafund nga liqeni i Butrintit, ka perime fushe e mali, është vend që i ka falur Zoti çdo gjë, mal, fushë, det, liqen e lum, e çmimet janë propocionale dhe kryesisht të mira për buxhetet e shqiptarve e jo më të huajve.

Shijon Butrintin dhe syrin e Kaltër dhe kaq pak kohë sa nuk e kanë marrë oligarkët.

Në këto zona janë me qindra ata që kanë investuar dhe me mijra familje që ushqehen nga hoteleria e turizmi.

Natyrisht turizmi është dhe do kulturë, por personalisht kam parë që në Ksamil, Sarandë e Vlorë të “bëhen kurban” duke të mikpritur, e duke shërbyer.

Pa harruar kënaqësinë që marrin turistët vendas e të huaj, imazhin që ata përcjellin në vendet e tyre, ku notat për Ksamilin e Sarandën janë maksimale.

Njerëzit duhet t’a kuptojnë dhe mirëkuptojnë që biznese shumë milionshe presin 40 ditë, i lini dhe ata të shkretë të fitojnë bukën se po e zhvillojnë këtë vend të mjerë e të shkretë prej politikës zhvatëse, e administratës këpushëze.

Qeveria, media, njerëzia duhet ta stimulojnë turizmin, sidomos në vendet më të bukura në Shqipëri si Saranda, Ksamili e Vlora, jo të hedhin baltë mbi t’o në mënyrë të padrejtë.

Kush më kundërshton dhe thotë që Ksamili, Saranda e Vlora ka çmime stratosferike e sfidoj me fakte. (Hapni booking, shikoni çmimet e restoranteve dhe bareve.)

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT