• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Pajisja e përgjimit trazon Shqipërinë

May 16, 2016 by dgreca

*Presidenti Nishani: Pajisja e përgjimit kërcënoi sigurinë kombëtare, kush pengon hetimet do përballet me ligjin/

*Ministri i Brendshem Tahiri: Policia e Shtetit nuk ka pajisje përgjimi./

*Basha: Zbardhja e përgjimeve emergjencë, Rama mban përgjegjësi/

Presidenti Bujar Nishani i kërkon prokurorisë të hetojë deri në fund të gjithë autoritetet që kanë përdorur pajisjen e paligjshme të përgjimit ndërsa i bëri thirrje institucioneve të mos bëhen pengesë e hetimeve.“Shikoj tashmë por e konfirmuar dhe zyrtarisht se në institucionet shtetërore funksionon një pajisje përgjimi ilegale. Një instrument antikushtetues të cilin nuk e besoja kur e pashë në media para disa ditësh por tashmë i konfirmuar nga institucionet shtetërore që ky mekanizëm ilegal, antikushtetues, antiligjor qenka prezent e funksionin.

Atëherë ky përbën një shqetësim të madh për shoqërinë tonë për atë dimension të lirisë së shtetit të së drejtës. Nga kjo sallë bëj thirrje dhe i kërkoj zyrtarisht e publikisht prokurorisë së shtetit të mbrojë dinjitetin e shtetit dhe të qytetarëve të tij. Të mbrojë dimensionin e sigurisë tonë kombëtare.

I kërkoj zyrtarisht prokurorisë të hetojë gjithë procesin dhe procedurën e sjelljes në Shqipëri të kësaj pajisjeje ilegale që kërcënon mbi të gjitha dimensionin e lirisë tonë të përbashkët. Të hetojë kush ka qenë ai autoritet doganor që ka lejuar të vijë e të hyjë në Shqipëri një pajisje që në çdo rast nu mund të hyjë kurrë në Shqipëri pa lejen e autorizimin e prokurorisë.

I kërkoj prokurorisë të hetojë deri në fund të gjithë ata autoritete të shtetit që kanë përdorur këtë pajisje të paligjshme. Pajisja dhe veprimtaria e saj kanë kërcënuar sigurinë kombëtare të Shqipërisë, ka kërcënuar integritetin e të gjithë institucioneve të çdo qytetari.

Një pajisje e tillë as nuk mund të vijë në Shqipëri dhe as nuk mund të disponohet nga asnjë institucion pa lejen e vetme të prokurorisë së shtetit shqiptar. I bëj thirrje të gjithë atyre institucioneve ose personave të cilët pengojnë hetimet, nga ana e prokurorisë, të mos bëhen pengesë e funksionimit të zbatimit të ligjit në Shqipëri. Cdo akt që pengon zbatimin e Kushtetutës dhe të ligjit, cdo akt që përbën pengim të hetimit përmes dëmtimit apo tjetërsimit të provave do të përballet me ligjit.

***

*Ministri i Brendshem Tahiri: Policia e Shtetit nuk ka pajisje përgjimi./

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deklaroi sot se policia e shtetit nuk ka asnjë aparaturë  përgjimi.Ai pranoi ekzistencën e një paisje me të cilën sipas tij policia e shtetit ka zhvilluar dhe vazhdon të zhvillojë trajnime me policitë europiane, në rastin konkret me atë italiane, por që nuk ka asnjë lidhje me përgjimin.Duke folur nën shoqërinë edhe të deputetëve socialistë të Komisionit të Sigurisë, Tahiri tha se opozita po kërkon të intimidojë policinë e shtetit.

Tiranë-“Policia e shtetit nuk ka patur dhe nuk ka një aparaturë përgjimi për sa kohë nuk ja lejon një gjë të tillë ligji”.

Nga Akademia e Policisë, Ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri tha se policia e shtetit bën herë pas here trajnime me policitë partnere për të parandaluar terrorizimin.

Ministri nuk dha detaje se ku ndodhet kjo aparaturë dhe se çfarë bën konkretisht ajo, por tha se opozita që përbalt policinë dhe të gjithë duhet të presin përgjigjen ligjore për këtë çështje.

I pyetur nëse do ti përgjigjet thirrjes së deputetëve demokratë për të raportuar nesër në Komsionin e Sigurisë, ai u përgjigj:

Tahiri: Dëgjova diçka në media por nuk kam marrë akoma ftesë zyrtare. Nëse më vjen ftesë zyrtare jam 24 orë në dispozicion të gjithkujt që ka veshë të dëgjojë.

 Bashkëbisedimi i plotë me gazetarët

Gazetarja: Zoti. Ministër ku ndodhet paisja e përgjimit dhe si është futur ajo në Shqipëri?

Tahiri: Ju dini që ka një paisje përgjimi?

Gazetarja: Derisa Prokuroria ka nisur një hetim…

Tahiri: Më duhet tu sqaroj se policia e shtetit nuk disponon dhe as ka disponuar dhe as i lejohet të disponojë në të ardhmen një paisje përgjimi. Në policinë e shtetit nuk ka asnjë paisje përgjimi dhe policia bashkë me partnerët nuk ka punuar kurrë dhe as nuk do të punojë, të paktën sa jam unë në detyrë me një paisje përgjimi. Dhe unë jam në detyrë bashkë me drejtuesit e policisë për të garantuar që policia e shtetit bën detyrën pa shkelur ligjin. Ndërkohë në policinë e shtetit ka një trajnim që vazhdon prej disa javësh i cili zhvillohet mbi bazën e një marrëveshje të nënshkruar mes dy qeverive në 2007, ku parashikohet që mes policisë shqiptare dhe policive partnere, në rastin konkret asaj italiane të bëhet shkëmbimi i eksperiencave me metodologjinë më të mirë në rast të hetimit të krimit dhe veçanërisht të terrorizmit. Në këtë kuadër policia e shtetit ka zhvilluar dhe sot që flasim zhvillon dhe do të vazhdojë të zhvillojë në të ardhmen trajnime me policitë partnere. Siç ka bërë policia e shtetit me po të njëjtën paisje edhe në të kaluarën, edhe kur unë nuk kam qenë Ministër, edhe kur këta që flasin sot kanë qenë në qeveri dhe ju ritheksoj nuk bëhet fjalë për një paisje përgjimi. Bëhet fjalë për një paisje fare normale në punën e policisë.

Gazetarja: Ku ndodhet kjo?

Tahiri: Nuk ka asnjë lidhje me përgjimin. E deklaroj me përgjegjësinë time të plotë. Nuk jam në detyrë për të bërë atë që kanë bërë ata që kanë qenë më parë.Policia e Shtetit nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë paisje përgjimi.

Gazetarja: Ku ndodhet kjo paisje që bëhet trajnimi?

Tahiri: Janë të ftuar të gjithë ata që mendojnë se ka vend për të parë konkretisht se çfarë bëhet, janë të ftuar të vinë të asistojnë në të gjitha rrugët ligjore, të verifikojnë, të hetojnë 24 orë në 24, të shohin nëse policia e shtetit thotë të vërtetën dhe unë them të vërtetën në këtë deklaratë që po bëj, apo ne gënjejmë. Mjafton që të bëhet në rrugë ligjore duke lënë mënjanë thashethemet dhe keqkuptimet.

Gazetarja: Ku ndodhet kjo paisje që bëhet trajnimi? Pse nuk i është vënë në dispozicion Prokurorisë?

Tahiri: Për këto detaje duhet të pyesni instancat përkatëse.Prokuroria e Shtetit i ka të gjitha mundësitë trë verifikojë në cilëndo mënyrë të mundshme dhe ligjore. Jemi terësisht të hapur, në dispozicion dhe pa asnjë merak.

Gazetari: A do të merrni pjesë nesër në Komisionin e Sigurisë?

Tahiri: Dëgjova diçka në media por nuk kam marrë akoma ftesë zyrtare. Nëse më vjen ftesë zyrtare jam 24 orë në dispozicion të gjithkujt që ka veshë të dëgjojë.

Gazetari: A është kjo një paisje gjurmimi dhe prej cilit vit ndodhet në Akademinë e Policisë?

Tahiri: Bëni durim për të marrë detaje kur instancat përkatëse të bëjnë sqarimet e nevojshme. Qeveria e djeshmee ka shumë merak të merret me policinë e shtetit dhe mua personalisht. I mirëkuptoj dhe falenderoj që më kujtojnë detyrën që po bëj çdo ditë, madje dhe dy herë në ditë. I falenderoj për të gjithë konferencat e shtypit që kanë bërë deri më sot, madje i ftoj të nxiten më shumë sepse çdo konferencë e tyre për shtyp mua më nxit të bëj akoma më mirë detyrën. Këta duan të intimidojnë policinë e shtetit dhe nuk do t’ia arrijnë.

Gazetari: Me Balilin çfarë po bëhet?

Tahiri: I bashkohem kolegut tim Manjani, duhet të pyesni Prokurorinë.

Basha: Zbardhja e përgjimeve emergjencë, Rama mban përgjegjësi/

Kryetari i PD-së Lulzim Basha e quajti emergjencë ligjore dhe politike zbardhjen e asaj që e quajti skandalin e përgjimeve me pajisjen e policisë së Shtetit.

Pajisjen  e përgjimit e quajti kryeskandal i qeverisë për të cilin Rama sipas Bashes mban përgjegjësi direkte.

“Transaparenca për këtë skandal politik e kriminal është emergjencë” tha Basha në një prononcim për median sot në mesditë  nga selia e PD-së.

Basha tha se Rama e Tahiri heshtin për këtë skandal pasi ‘janë ideatorët e përdorimit të kësaj pajisjeje. Me mbrojtjen e tyre pajisja është fuur në Shqipëri pa u regjistruar dhe

pa marrë lejen e prokurorisë njësoj siç veprojnë organziatat krimanele” tha Basha

Ai shtoi se Rama duhet të mbajë përgjegjësi për përgjimin mafioz të presidentit, ambasadorëve, gazertarëve e qytetarëve.

Përgjimi kriminal, provë e shtetit mafioz mbi shtetin

Një krim shtetëror me dijeninë dhe bekimin e Edi Ramës ka ndodhur prej disa muajsh në Shqipëri. Në mënyrë të paligjshme dhe me pajisje të paligjshme, zyrtarë të policisë kanë vënë nën përgjim drejtues të lartë të shtetit, partive politike, trupit diplomatik, medias, biznesit, bankave, qytetarëve.

Ndërsa vetë policia e ka pranuar zyrtarisht se posedon një pajisje të tillë, Edi Rama dhe Saimir Tahiri heshtin, heshtin sepse janë ata ideatorët dhe urdhëruesit e përdorimit të kësaj metode kriminale.

Heshtin sepse me porosinë dhe nën mbrojtjen e tyre kjo pajisje është futur në Shqipëri pa u regjistruar dhe pa marrë lejen e Prokurorisë, njësoj siç veprojnë organizatat kriminale.

Në hierarkinë e skandaleve të kësaj qeveria, ku çdo ditë skandali i mbivendoset skandalit, ky padyshim zë vendin e parë.

Përgjegjësitë për këtë shkojnë drejt e tek kryeministri i vendit, Edi Rama.

Prej ditës kur skandali është bërë publik, Edi Rama nuk ka thënë asnjë fjalë të vetme, duke e bërë edhe më të besueshme që ky krim i rëndë ka ndodhur.

Përpjekjet e tij për ta larguar vëmendjen nga skandali, duke sjellë në skenë kriza të tjera si pazari i madh i check-up-it apo duke plasur tullumbace pas tullumbace, siç dërdëllitjet për inovacionin, janë një konfirmim më shumë se gjendemi përballë një mine të madhe paligjshmërie.

Transparenca për ketë skandal politik dhe kriminal është një emergjencë politike, ligjore, morale dhe  shoqërore jo vetëm për Partinë Demokratike dhe opozitën, por për të gjithë spektrin politik, mediatik dhe shoqëror në vend.

Qytetarët kanë nevojë të mësojnë një orë e më parë të vërtetën. Vendi nuk mund të  pajtohet për asnjë çast me uzurpimin mafioz të shtetit.

Ndaj, ne kemi kërkuar një dëgjesë urgjente nesër paradite në Komisionin e Sigurisë me ministrin e Brendshëm, drejtorin e Policisë së Shtetit, kreun e Shërbimit Informativ dhe Prokurorin e Përgjithshëm, për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje e për të nxjerrë përgjegjësitë shtetërore.

Mbi të gjitha përgjegjësitë qëndron përgjegjësia politike e Edi Ramës.

Ai duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për përgjimin mafioz të Presidentit të vendit, të opozitës, të krerëve të institucioneve, të deputetëve, të drejtuesve të medias, të ambasadorëve, të  gazetarëve, të qytetarëve.

Edi Rama duhet dhe do të mbajë përgjegjësi për krijimin – në shpërdorim flagrant të detyrës dhe në shkelje kriminale të kushtetutës – jo thjesht  të një shteti brenda shtetit, por  të një “shteti mafioz” mbi shtetin, që në fakt nënkupton asgjësimin e  Republikës.

Filed Under: Komente Tagged With: Nishani kercenohet siguria, nuk kemi pajisje, Pajisja e përgjimit trazon Shqipërinë, tahiri

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunimi fuqizon marrdheniet

May 16, 2016 by dgreca

-Ministrja kosovare Edita Tahiri u prit nga ministri i Jashtëm i Shqipërisë Ditmir Bushati./

-Të dy ministrat u pajtuan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë si një proces që fuqizon të dyja vendet. Po ashtu u dakorduan që bashkërendimi për çështjet e interesit kombëtar të jetë i vazhdueshëm duke pasur një fokus zhvillimin dhe forcimin e dyja shteteve dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në rajon dhe në veçanti për shqiptarët e luginës të Preshevës/ 

Tiranë, 16 maj 2016/

 Ministrja kosovare për Dialog, Edita Tahiri, gjatë vizitës zyrtare që i po bënë Tiranës u prit sot në Ministrinë e punëve të jashtme të Shqipërisë nga ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. 

 Gjatë takimit, dy ministrat rikonfirmuan edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe rritjen e angazhimeve të përbashkëta për forcimin bashkëpunimit mes dy vendeve, për integrimet euroatlantike dhe avancimin e gjitha çështjeve me interes kombëtar dhe ndërkombëtar.Ministrja Edita Tahiri theksoi se vizioni euroatlantik për shtetin e Kosovës është një synim strategjik i Kosovës, dhe në këtë drejtim kemi bërë progres të madh do të thosha historik me Marrëveshjen e Stabilizim Asocim me BE-në dhe liberalizimin e vizave për Kosovën, duke e bërë ardhmërinë evropiane të qartë dhe të sigurt. Ajo theksoi se Kosova po punon me intensitet për anëtarësim në BE, NATO dhe OKB dhe rritjen e numrit të njohjeve dhe se partneriteti jonë strategjik me Shqipërinë, SHBA-në dhe BE-në po i fuqizon këto procese. Ministrja Tahiri tha se Kosova ka vlerësuar gjithnjë përkrahjen nga Shqipëria në të gjitha fazat e rëndësishme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dhe ne angazhohemi për forcimin e lidhjeve kombëtare dhe fuqizimin e kombit shqiptar. Ajo po ashtu theksoi se të dyja vendet po dëshmojnë përkushtimin për paqe, stabilitet dhe fqinjësi të mirë në rajon, ku dialogu dhe bashkëpunimi janë bazë për këto procese. Në veçanti ministrja Tahiri theksoi angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për arkitekturën e sigurisë dhe që Kosova ta bëjë ushtrinë e saj gjatë këtij viti si dhe përpjekjet për integrimin në NATO. Në vazhdim ajo potencoi se Kosova dhe Shqipëria janë në rrugë të mirë të reformave të gjithanshme për forcimin e ligjit dhe zhvillimit ekonomik, ndërkohë që theksoi rëndësinë e bashkërendimit të agjendës reformatore dhe përkrahje më të madhe për shqiptarët etnik në rajon për të përmirësuar pozitën e tyre sipas standardeve ndërkombëtare.

Ndërsa në anën tjetër, ministri Bushati vlerësoi progresin e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe siguroi se Shqipëria mbështet fuqishëm integrimin euroatlantik të Kosovës. Ajo theksoi rëndësinë e thellimit të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat si dhe këmbimin e përvojave në fushën e reformave. Ai theksoi se lidhjet mes dy vendeve kanë për bazë orientimin euroatlantik dhe lidhjet kombëtare dhe këto synime do të punojmë që të avancohen edhe më shumë. 

 Në fund të takimit, të dy ministrat u pajtuan për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë si një proces që fuqizon të dyja vendet. Po ashtu u dakorduan që bashkërendimi për çështjet e interesit kombëtar të jetë i vazhdueshëm duke pasur një fokus zhvillimin dhe forcimin e dyja shteteve dhe avancimin e pozitës së shqiptarëve në rajon dhe në veçanti për shqiptarët e luginës të Preshevës. 

 Ministrja Tahiri në këtë takim ishte e shoqëruar nga Ramiz Lladrovci, ambasador i Kosovës në Tiranë, Arjeta Rexhaj dhe Gazmir Raci këshilltarë politikë të ministres./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: bashkëpunimi fuqizon marrdheniet, Shqiperi Kosove

Presidenti Thaçi: Për Kosovën është hapur një kapitull i ri evropian

May 16, 2016 by dgreca

-Mirënjohje për Parlamentin Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për besimin e patundur në institucionet dhe qytetarët e Kosovës dhe në orientimin e tyre evropian/

PRISHTINË, 16 Maj 2016/Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot në takim një delegacion të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, të kryesuar nga eurodeputeti Tonino Picula, të cilët i falënderoi për vizitën e tyre, duke thënë se për Kosovën është hapur një kapitull i ri evropian.

“Ky është vit evropian, është një bazë e fuqishme për shtetin tonë, duke filluar nga miratimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, fillimi i zbatimit të saj, si meritë dhe punë e institucioneve të Kosovës, gjithnjë duke pasur parasysh obligimet e reja implementuese”, ka thënë presidenti Thaçi.

Thaçi shprehu mirënjohje për Parlamentin Evropian për mbështetjen e tyre të vazhdueshme dhe për besimin e patundur në institucionet dhe qytetarët e Kosovës dhe në orientimin e tyre evropian.

I pari i vendit theksoi se kulmi i këtij suksesi është arritur me përmbushjen e të gjithë kritereve për rekomandimin për liberalizimin e vizave, me ç’rast u zotua se edhe si President i Kosovës do të mbetet i përkushtuar për kryerjen e të gjitha obligimeve që të ndodhë liberalizimi sa më shpejt të jetë e mundur, duke përfshirë grupet e veçanta për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

“Këto ditë janë pozitive për Kosovën edhe për sa i përket anëtarësimit të shtetit tonë në UEFA dhe FIFA, prandaj po ndodhin hapa të rëndësishëm për të ardhmen evropiane dhe për integrimin e Kosovës në të gjitha institucionet ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në këtë takim u diskutua edhe për pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian që ende nuk e kanë njohur Kosovën, me ç’rast presidenti Thaçi tha se Kosova vazhdimisht po ofron argumente edhe më bindëse për Spanjën, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron që të kompletohet njohja evropiane e Republikës së Kosovës.

“Kosova ngulmon për zbatimin e të gjitha kritereve dhe reformave demokratike, qoftë në legjislacion, ekonomi apo në politikë, dhe se do të vazhdojë dialogun e brendshëm, sidomos tani pas rikthimit të normalitetit në funksionimin e institucioneve të vendit”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se Kosova do të vazhdojë dialogun me Serbinë, me theks të posaçëm në zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe të gjitha fenomeneve të tjera negative.

Për ta bërë këtë, presidenti Thaçi ka thënë se ka iniciuar edhe ndryshimin e Kodit Penal, sepse janë vërejtur disa boshllëqe në sistemin prokurorial, gjyqësor apo të qendrave korrektuese dhe se vendi mbetet i përkushtuar për reformën elektorale./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: një kapitull i ri evropian, Për Kosovën është hapur, Presidenti Thaçi

NATO forcon mbrojtjen raketore në Europën Lindore

May 16, 2016 by dgreca

NATO forcon sistemin e mburojës raketore në Europën Lindore, me një bazë të re amerikane në Poloni. Ushtarakë nga e gjithë bota si dhe ministri i Jashtëm polak morën pjesë në vendosjen e gurit të themelit për sistemin e ri të mbrojtjes raketore në fushën pranë Slupskit. Projekti është pritur me protesta nga vendasit, kryesisht për arsyen, sepse ata ndihen të mashtruar lidhur me zhdëmtimin. Sistemi i mbrojtjes nga raketat do të ndërtohet vetëm 3.5 km larg bashkisë. “Për ne kjo është një katastrofë”, thote Robert Biedron, i cili është që prej një viti kryetar bashkie në qytetin me rreth 90 mijë banorë. “Në një distancë prej 15 km përreth kësaj zone këtej e tutje nuk do te lejojet te ndërtohet më asgjë, pa miratimin e Departamentit Amerikan te Shtetit”, ankohet ai. Sipas kryebashkiakut, sistemi ka shkaktuar një efekt të madh frike ende pa u ndërtuar, në radhë të parë për investitorët. Në këtë sistem bën pjesë edhe një impiant në Deveselu në jug të Rumanisë. Që nga fundi i vitit 2015, ai është i gatshëm për përdorim dhe të enjten u vu zyrtarisht në funksion. Të dy komplekset në Europën Lindore janë pjesë e një sistemi mbrojtës Aegis, që synon të mbrojë partnerët europianë nga sulmet raketore nga Lindja e Mesme. Pjesë e tij është edhe një impant i madh radarësh në Turqi dhe katër anije të SHBA-ve me raketa mbrojtëse të ankoruara në jug të Spanjës. Qendra e komandës ndodhet në Gjermani, në bazën e aviacionit luftarak të SHBA-ve Rammstein. Në samitin e NATO-s në fillim të korrikut në Varshavë, ky sistem do të vihet nën kontrollin e NATO-s.  Rusia, e cila ndihet e provokuar, ka ngritur zërin për kërcënim të sigurisë së saj. Ministria e Jashtme ruse argumenton se ky kompleks ka kapacitet edhe të hedhë raketa dhe përbën kësisoj një rrezik për ekuilibrin strategjik. Por, për analistët,qëndrimi i Moskës nuk është gjë tjetër veçse propagandë.

 

Filed Under: Komente Tagged With: forcon mbrojtjen raketore, NATO, në Europën lindore

“Arbërorët një popull i padukshëm”- Ç`thotë At Antonio Belushi ?

May 15, 2016 by dgreca

Kjo gjuhë arbërishte/
Është gjuhë trimërishte./
E fliste Admiral Miaulli,/
Boçari dhe gjithë Suli/
Antonio Belushi thotë se ndër arvanitasit e Greqisë – arbërorët, siç ata e quajnë veten – ka hasur në 900 katunde me origjinë shqiptare. “Nga Kozenca ime, unë kam shkruar vazhdimisht te vëllezërit e mi arvanitas, historinë e të cilëve e kam studiuar. “Arbërorët një popull i padukshëm” është libri me të cilin edhe kam magjistruar dhe është temë për të cilën edhe jam thelluar në studimet e doktoratës. I kam quajtur si të padukshëm, pasi që shteti grek nuk i njeh as si pakicë më vete, në dallim prej neve, arbëreshëve, që shteti italian na njeh të drejtat e plota si pakicë historike”, thotë Belushi, duke shpjeguar paskëtaj origjinën e arbëreshëve që prej shekullit XV, kur pas Kongresit të Lezhës ndodhi emigrimi i parë në Kalabri, ku u themeluan katundet e para arbëreshe atje.
“Mu në këtë periudhë shquhet edhe zanafilla e mitit të Skënderbeut tek arbëreshët, që përmes rapsodit dhe kulturës mbajtën gjallë kujtimin për kryekomandantin e tyre”, thotë Belushi, duke dhënë një porosi për brezin e ri shqiptar: “Studentët tanë, kudo qofshin, duhet ta shikojnë se sa djersë, sa gjak, sa mund e sa lot është derdhur që sot, kudo qofshim, të mësojmë dhe studiojmë në gjuhën shqipe”. Më tej, ai foli për profesorët arbëreshë të Italisë që më 1980 kanë themeluar një gazetë në shqip, se si ritet dhe besimi fetar ortodoks i arbëreshëve që ikën nga Toskëria ka qenë amalgama, ka qenë shpirti i mbijetesës karshi asimilimit e shkrirjes me italianët katolikë. Historinë e arbëreshëve, arvanitasve por edhe shqiptarëve të trojeve etnike Belushi e quajti një orakull, një tempull i madh dhe shpirt të Arbrit. (1)
Me botimin e këtij vëllimi, Andon Bellushi ka vënë në duar të lexuesve një vepër që ndriçon jo vetëm gjendjen e shqiptarëve të Greqisë, por edhe të arbëreshëve. Vepra e tij ka material të gjerë të mbledhur në terren, nga një kërkues i pasionuar “që ulet gju më gju analfabetët e të papërfillurit”, sikurse thotë prof. Gjovalin Shkurtaj i Universitetit të Tiranës, “duke regjistruar… gjithçka që ata mbajnë mend”. Prof. Shkurtaj e cilëson veprën si “një enciklopedi të tërë të jetës, shpirtit, kulturës, dokeve (traditave), zakoneve, dhe gjuhës që flitet edhe sot në komunitetet e moçme të shqiptarëve në Greqi”.( 2)Në mënyrë shkencore autori vë në dukje botën e shqiptarëve që zbuloi në tokën e Greqisë, që do t’u vlejë dijetarëve dhe studentëve të historisë, gjuhësisë dhe folklorit. Njëkohësisht, duke iu përmbajtur kritereve shkencore që kërkonte puna e tij, ai paraqet edhe ndonjë të metë, dobësi apo konflikt që gjeti midis arbërorëve. Një nga gjërat që ia rritin vlerën librit dhe e bëjnë atë më interesant, janë fotografitë e shumta që ilustrojnë faqet e tekstit. Ato fiksojnë fytyrat e personave që takoi autori gjatë vizitave në Greqi; rrëfejnë, gjithashtu, edhe diçka nga jeta e tyre: veshjet, dhomat e shtëpive, kisha, monumente, peizazhe. Dy tipare të tjera të librit janë hartat, që tregojnë fshatrat arbërore me emër, dhe qindra e qindra shënime “notes” (në italisht), që e bëjnë tekstin më të qartë për lexuesin.(3)Me gjithë gjendjen e rëndë të arbërorëve që gjeti autori në Greqi, për shkak të shtypjes së gjuhës dhe kulturës së tyre, ai nuk u dekurajua, nuk u dorëzua. I mbrujtur me ndjenja të thella atdhedashurie dhe i nxitur nga një mall përvëlues historik (që buron nga thellësia e shekujve), papa Bellushi, më se fundi, del fitues si etnograf, si shërbëtor i urtë i Zotit dhe si burrë i Besës shqiptare. Ai e afirmon vetveten si optimist për të ardhmen e shqiptarëve të Greqisë. ( 4)Shpirti i Arbërit rron, thotë Bellushi, “i freskët, i gjallë, i thjeshtë”. Rron në këngët arbërore rron dhe do të rrojë, se “ajo ka rrënjë të thella”, dhe “flitet nga të mëdhenjtë e nga të vegjlit”.
Përmblodhi:Fahri Xharra,15.05.16
Gjakovë

Filed Under: Komente Tagged With: At Antonio Belushi ?, Ç`thotë, Fahri Xharra

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 296
  • 297
  • 298
  • 299
  • 300
  • …
  • 479
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT