• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nga e kaluara barbare serbe…

February 25, 2025 by s p

Prof. dr. Bahtijar Kryeziu/

Vrasja dhe zhdukja e shqiptarëve – traditë serbo-sllave.

(Në 110-vjetorin e ekzekutimit të roganasve nga bandat serbo-çetnike)

Rezistenca shekullore e shqiptarëve në përgjithësi, pra edhe ajo e roganasve dhe e anamoravasve kundër robërisë serbo-sllavo-bullgare, është e shënuar me përplot ngjarje heroike por edhe të llahtarshme, të cilat kanë lënë gjurmë të dhimbshme e të pashlyeshme në zemrat e banorëve të kësaj nahije e më gjerë. Kjo rezistencë vazhdoi, jo vetëm në kohën e pushtimit turko-osman, por edhe pas vitit 1912, pasi që roganasit, gjatë të gjitha ngjarjeve historike-kombëtare dhe mosnënshtrimit nga armiku, çdoherë ishin në ballë të tyre. Kështu që në vitet e para të dhjetëvjetëshit të dytë të shekullit 20, për shkak të rezistencës, mosbindjes dhe moszbatimit të urdhrave të pushtetit serbo-sllav, nga i ashtuquajturi Vojvodë Veliçk Domorovci (I quajtur si Veličko Domorovski, Wikepedija (Slobodna enciklopedija): Lista četničkih vojvoda, https://sh.wikipedia.org/…/Lista_%C4%8Detni%C4%8Dkih…), një çetnik e krimi¬nel i llojit të vet, në vitin 1914, u morën, u ekzekutuan dhe u zhdukën pa gjurmë, nga regjistri i hartuar që më parë, ata roganas të cilët i hante puna më shumë, si: 1. Molla Rexhep Hyseni, 2. Rrustem Ahmet Geci, 3. Ismajl Osman Mehmeti, 4. Vesel Ismajl Osmoni, 5. Halim Ukë Mehmeti, 6. Hasan Hima.

Nga ky ekzekutim, e deshi fati që të shpëtojnë: Ramadan Halim Uka dhe Hysen Fazli Mehmeti, të cilët treguan për kidnapimin, maltretimet e ushtruara ndaj tyre dhe në fund edhe për ekzekutimin e 6 roganasve të cekur më sipër.

Ditën e kobshme, çeta çetnikësh në krye me Vojvodë Veliçk Domorovcin, ia mësyn Roganës. Veliçki ecte rrugës së fshatit me një pjesë të grupit të tij famëkeq (rrëfen Ramadan A. Kryeziu), ndërsa Jefta dhe Niça, dy serbë gjakpirës nga lagjja serbe e Kërshlanëve të Hodanocit, dalin në Cukel (një vend paksa më i lartë në mes të fshatit), për të vëzhguar në mos po ik kush nga shtëpitë e veta. Nga vendvrojtimi i tyre – Cukeli (një vend më i lartë fshati) vërejnë Rrustem Gecin, duke dalë nga shtëpia e xha Ali Himes, të cilin e detyrojnë të dalë te Ura e Musë Veselit, në mes të fshatit. Kur Rrustemi del tek ura, banda çetnike e grupit të Vojvodës, e lidhin Rrustemin. Aty e marrin, sipas regjistrit që kishin, edhe Molla Rexhepin dhe Hasan Himën, e pastaj edhe Vesel Ismajl Osmanin dhe Ramadan Halim Ukën. Pas prangosjes së tyre, ata i dërgojnë në fshatin Hodanoc, në shtëpinë-shtab çetnikësh të Ali Dërvishit. Me të marrë vesh Ismajli dhe Halimi, dy baballarët e dy djemve të tyre të kidnapuar, shkojnë në Hodonoc me shpresë që t’i lirojnë bijtë e vet, Veselin dhe Hasanin, por, për të keqen e tyre, edhe këta dy kidnapohen nga çetnikët dhe i bashkojnë me roganasit e tjerë të prangosur në shtëpinë e Ali Dërvishit. Thuhet se deri në mbrëmje të asaj dite të kobshme, ata janë maltretuar e rrahur pa mëshirshëm. Në mbrëmje, pasi kishte rënë terri, me duar lidhur prapa dhe njëri me tjetrin, nën përcjelljen e çetnikëve, i nisin për në vendin e përgatitur që më parë për ekzekutimin e tyre. Me të arritur në fund të Hodanocit, Ramadani dhe Hyseni, me zhdërvjelltësinë e tyre, arrijnë që t’i lirojnë duart. Nga errësira e madhe, këta dy ulen skaj rruge dhe për fatin e tyre, ekzekutuesit nuk arrijnë t’i vërejnë. Nga frika se do të hetoheshin, ata futen në lumë (Reka e Madhe) për të shpëtuar jetën, madje të zhytur edhe me kokë nën ujë, duke marrë ajër me nga një kërcell kallami (shavari) – kishin rrëfyera ata. Derisa ishin në lumë ata dëgjojnë krismat e armëve – ekzekutimin e dy djemve dhe vëllezërve të tyre pa farë faji e gjyqi. Pas shkrepjes së rafalëve, çetnikët ndezin një dritë për të vërtetuar në mos ka shpëtuar ndonjëri gjallë. Kështu kishin rrëfyer xha Ramadani e xha Hyseni në familjet e tyre pas shpëtimit dhe kthimit në shtëpi, pas një kohe të gjatë, të frikësuar se do të merreshin prapë peng dhe do të ekzekutoheshin nga barbarët serbë.

Ditën kur u morën këta roganas, shumica e banorëve të fshatit, nga paniku në zemër, kishin ikur nga fshati dhe kishin dalë te Guri Gat, siç e quajmë edhe sot atë vend, për t‘i shpëtuar ndonjë masakre të radhës.

Pas këtij aksioni “të spastrimit”, Veliçki, me grupin e tij bëjnë analizën “e suksesit të tyre” për likuidimin e roganasve “rebelë”. Nga regjistri që kishin, vërejnë se nuk e kishin realizuar tërësisht detyrën që e kishin planifikuar, besohet, jo edhe pa “këshillat” e ndonjë anasi puthadorë e servil shqiptar – siç tregojnë edhe sot të afërmit e viktimave.

Të frikësuar nga ndonjë hakmarrje për masakrën e ushtruar ndaj grupit të ekzekutuar të roganasve, çetnikët organizojnë zënien edhe të dy prijësve të fshatit, burra të fuqishëm e trima në zë, kapedanë, jo vetëm fshati: Vesel Ismajl Musa (gjyshi im) dhe Raqip Avdi Sinani. Dhe kështu, pas dy ditësh ekzekutimi të grupit të përmendur, Veliçki, me dinakëri e plan organizon një aksion vullnetar pune (angari), diku të Dheu i Bardh siç quhet sot, me qëllim të futjes në kurth të Veselit e të Raqipit, të atyre që nuk u përkuleshin Vojvodës dhe ndonjë këshilltari të tij. Meqë Veseli e Raqipi dalin me qerre për t’i dërguar në vend të tyre (në atë aksion) shërbyesit e tyre romë (moçmit), banda e Vojvodë Veliçkit, pa vonuar fare i prangosin këta të dytë dhe i dërgojnë edhe këta në shtëpinë e Dërvish Aliut në Hodonac. Nëna e Veslelit, halla Salë, e merakosur për të birin e saj, meqë ai ishte marrë pa paralajmërim dhe i papërgatitur as me rroba e ushqim, e dërgon rrogëtarin (momkin – i thoshin), Jashar maxhupin, për t’ia dërguar Veselit disa rroba e pak bukë në Hodanoc. Jashari shkon në Hodanoc dhe, pasi hyn në shtëpinë e Dervish Aliut, sheh trimat e gozhduar në mur, pa krye e me xhepa të nxjerrë në trupat e tyre (të Veselit e Raqipit). Menjëherë pas asaj që kishte parë “momki” Jashar, kthehet në Roganë, për të treguar ndodhinë. Këtë ua kishte rrëfyer edhe familjarëve të Veselit të masakruar. Jashari, pasi kishte rrëfyer me shumë ankth e trishtim gjithë atë tmerr që kishte parë me sytë e tij, nga ajo ditë e kobshme, ishte larguar nga shtëpia e Vesel Ismajl Musës dhe nga fshati Roganë, pa lënë farë gjurme se ku kishte shkuar, e për të mos u kthyer kurrë më aty. Thuhet se të gozhduarit, para se të japin shpirt, kishin kërkuar vdekjen sa më të shpejtë, porse xhelati (rom) qenkësh përgjigjur: “Jo zotërinj, jo, drapni korr nalt”.

Halla Salë, nëna e Veselit (e gjyshit tim), duke mos dashur t’u besonte fjalëve të rrogëtarit Jashar, e me shpresë që ato fjalë ogurzeza të mos jenë të vërteta ashtu siç i kishte rrëfyer rrogëtari i tyre për të birin e saj, kishte shkuar te një familje fshati që besohej se mund të dinte diçka për fatin e Veselit. Me të trokitur në dyert e asaj shtëpi, del një vajzë, e cila kishte dëgjuar nga familjarët për rastin e Vesleit e të Raqipit dhe i drejtohet nënë Salës: “Mos u mërzit halla Salë, Veselin e Raqipin i kishin pre promë”. Me të dëgjuar këto fjalë bombë, nga zemra e plastë, e shpirti i këputur, nëna e Veselit ia kthen: “N’e paçin pre Veselin, e kam Sahitin”, që ishte vëllai i Veselit: Veseli një burrë shumë i fuqishëm, i cili qerren e druve, në tatëpjetat jo aq të mëdha, e ndalte me dorën e vet e kungullin e çante zakonisht me grushtin e tij të fortë – tregonin e tregojnë edhe sot familjarët dhe të afërmit tanë.

Pas 4-5 ditësh banda çetnike serbe largohet nga Rogana dhe shtabi i tyre në Hodanoc, për të vazhduar “spastrimet” edhe në fshatrat e tjera. Me të kuptuar këtë, sipas rrëfimeve të pleqve tanimë të ndjerë: Selman Musë Veseli, Zylfi Murat Hyseni, Xhemail Fetah Shabani, Salih Shaban Ymeri, Shefki Abaz Musa, roganasit hulumtojnë terrenin përreth Hodanocit për t’i gjetur bile kufomat e Rexhepit, Rrustemit, Veselit, Ismajlit, Halimit, Hasanit dhe të dy të ekzekutuarve dy ditë më vonë (Vesl Ismaj Musa dhe Raqip Avdi Sinani). Porse, me gjithë kërkimet e bëra në ara, përroska e deri në kodrën e Bello Vodës, mbi Hodanoc, askund nuk gjejnë gjurmë kufomash të bijve të tyre. Megjithatë, gjatë këtij gjurmimi, roganasit kishin ndeshur kufoma të shumta njerëzish që ishin marrë nga Malësia e Dardanës dhe ishin ekzekutuar nga çetnikët, në përrenj e shkurre të shpateve të Bellovodës.

Se gjakun e zbulon edhe ferra, siç thuhet në popull, më vonë mësohet se 6 roganasit e ekzekutuar në ditën e parë të kobshme, ishin varrosur, në një arë të një serbi të Kërshlanëve, sot pronë e Hotnjanëve të Starakuqes. Thuhet se para ekzekutimit, sipas një serbeje plakë, ishte përgatitur një gropë e madhe në atë arë, për varrosjen e roganasve të ekzekutuar dhe humbjen e gjurmëve. Dhe, pas ekzekutimit dhe fshehjes së kufomave, gropa ishte mbuluar, po atë natë dhe ara ishte lëruar e tëra. Edhe pse trupat e 6 të masakruarve të grupit të parë supozohet (përafërsisht) se ku ishin varrosur, për gjurmët e trupave të dy të ekzekutuarve dy ditë më vonë (Raqipi dhe Veseli) edhe sot e kësaj dite nuk dihet gjë, as për ata e as për qet e qerret e tyre, “shkollë” kjo e serbëve që u pa edhe në luftën e fundit në Kosovë, ku mbi 1600 vetë ende janë të pagjetur.

Pas bombardimit të të ashtuquajturës Ura e Mbretit, te Dheu i Bardh, gjatë LDB nga ushtria gjermane, Ramiz Hysen Musa me Vesel Vesel Ismailin, djali i Veselit të ekzekutuar, të cilin, me rastin e ekzekutimit të babait të tij, sipas traditës shqiptare e pagëzojnë me emrin e babait, meqë kishte mbetur në barkun e nënës kur ekzekutohet babai i tij, nisen kinse për te Ura e Mbretit, për të marrë shufra hekuri për zhegra – si arsyetim para familjarëve të tyre. Ata as që shkojnë atje, por ia mësyjnë shtëpisë së Vojvodë Veliçk Domorovcit, në Domarovc, për të nxjerrë gjakun e Veselit.

Ramizi (kushëri i Veselit), me Veselin (djalin e Veslit), hyjnë brenda në shtëpinë e Veliçkit, e kur këta kërkojnë ta takojnë Veliçkin, gruaja e tij u del para duke u thënë se “Veliçki nuk është në shtëpi dhe nuk dimë gjë për vendndodhjen e tij”.

Ramizi, si më i madhi që ishte me moshë, hyn brenda, e kontrollon shtëpinë për ta vrarë Veliçkin, në shenjë hakmarrje për vrasjen e Veselit dhe të Raqipit, por edhe të bashkëvendësve të tij. Meqë nuk e gjen atë aty, i bie dy-tri flakaresha gruas së Velçkit, me shpresë se do ta zbulojë të vërtetën përkitazi me Veliçkin, por më kot. Ajo nuk tregon gjë. Vojvodë Velçki atë ditë shpëton pa një ferrë në këmbë.

Nga të dhënat e roganasve, të mësuara më vonë, thuhet se Vojvodë Veliçk Domorovcin, ato ditë, e marrin Ibrahmajt e Kranidellit për ta shpëtuar, duke e fshehur në një qerre të mbushur me kashtë a sanë dhe e strehojnë në fshatin Kranidell. Gjatë rrugëtimit nëpër fshatrat Hodanoc, Roganë, Muçivërc, Veliçki, nga frika, ishte mbuluar me kashtë, por me të arritur te Livadhet e Muçivërcit, rrugës për në Kranipërdell, nga barinjtë e Roganës, ai është parë ulur këmbëkryq mbi qerren e ngarkuar me kashtë.

Për shërbimin e bërë Veliçkit, Brahimajt shpërblehen me disa hektarë tokë në fushën e Qarakocit.

(* Shumë të dhëna të kësaj ngjarjeje i morëm nga Ramadan Abaz Kryeziu (e ky nga gjyshi Shefkiu) dhe unë nga nëna ime Hana (e kjo nga vjehrra e vet, gjyshja ime – Hamidja).

Vrasja dhe zhdukja e viktimave nga çetnikët serbo-sllavë nuk pati të ndalur. Ishte dhe mbetet prore një shëmti sadizmi, sëmundje patologjike, e rrënjosur në shpirtin dhe gjakun e tyre, si dje, ashtu dhe sot. Edhe bashkë-kombësi i tyre serb, Dimitrije Tucoviq, duke pranuar të zezat serbe ndaj shqiptarëve, në një vend thotë se në Lumë, “për dy orë vdiqën 500 shpirtra, fëmijë, gra dhe pleq (1913) – mbështetur në Projektplanin e “Naçertanije”-së, të vitit 1881, për pastrimin etnik viseve arnaute” (Fadil Kajtazi, ˮTelevizioni shqiptar lëshon muzikë serbe, acarohen nga Kosova”, 2 janar 2020. (https://www.botasot.info/…/televizioni-shqiptar-leshon…/).

Për t’u fshehur krimi, kufomat u futën nëpër shtëpi dhe shtëpive ju vu zjarri. Në Tivar ekzekutohen mbi 1600 veta (e përmendet edhe numri rreth 4 mijë të ekzekutuar), kurse në Dubrovnik helmohen mbi 800 shqiptarë. Edhe gjatë LDB-së, të njëjtat banda çetnikësh, të veshur me petkun e ushtrisë proletare, nga viti 1944, deri me 1946, kryejnë masakra të shumta, nga më të tmerrshmet ndaj popullatës së pafajshme shqiptare.

Pa hyrë më thellë në historinë e popullit tonë, sa krenare, po aq edhe e dhimbshme, të njëjtat banda policore-ushtarake, sipas ekspertëve të Asociacionit Amerikan për Përparimin e Shkencës (AAAS), vlerësohet se në periudhën nga 20 marsi e deri më 12 qershor të vitit 1999, kanë vrarë rreth 10.500 shqiptarë të Kosovës, moshash të ndryshme (https://kipred.-org/repository/docs/RAPORTI_KOSOVAR_466917.pdf), kurse mbështetur në të dhënat e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq vlerësohet se, gjatë periudhës së bombardimeve të NATO-s, janë zhdukur përafërsisht 2.500 persona. Nga ky numër, përafërsisht 2.000 kanë qenë të kidnapuar nga forcat serbe, që nënkupton se ata ishin shqiptarë, disa nga të cilët, mbi 1.600, me ndonjë përjashtim, ishin shqiptarë, të cilët edhe sot e tërë ditën nuk janë gjetur (Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq thuhet se mbi 1.600 veta janë të pagjetur (shumica shqiptarë), publikuar më 30 gusht 2020 (përcjell Radio Evropa e Lirë). https://www.xn--evropaelire-jpa/ org/a/kush-jane-te-pagjeturit-ne-kosove/30810611.html). Po ato hordhi dhunuan edhe rreth 20 mijë femra (Vlerësohet se gjatë konflikteve luftarake në Kosovë janë dhunuar rreth 20.000 femra – pjesa dërrmuese shqiptare, por edhe serbe e rome. https://telegrafi.com/20-mije-femra-u-dhunuan-ne-luften-e-kosoves-gjurmet-e-paduk¬¬sh¬me¬-¬ne-emer-te-gjakut-dhe-tokes/+0), pjesa dërrmuese shqip¬tare, në mesin e tyre edhe të mitura. Të gjitha këto të zeza, vetëm sa na e kujtojnë barbarinë (holokaustin) serbo-sllav ndaj popullatës shqiptare, dëshmi këto të hidhura e jo lojëra ndaj të cilave duhet heshtur. Jeta e çdokujt është e shtrenjtë, pavarësisht përkatësinë etnike, racore apo fetare, e dhimbja e të gjallëve për trupat e të dashurve të tyre, të vrarë, të masakruar, e sidomos të atyre të pagjetur, është plagë e pashërueshme, dy herë më e dhimbshme, deri në gjetjen e tyre. Kjo, edhe pas 26 vjet lirie e 17 vjet pavarësie, për arsyet që më së miri i dinë ata që kanë udhëhequr me këtë shtet, nuk u ka prekur ndërgjegjen (sa duhet) për të bërë më shumë për ta e familjet e atyre që ende janë me shpresë e me veshë në krahë, për të ditur diçka më shumë për të dashurit e tyre.

Me këtë rast duhet shtuar se mbetet obligim e përgjegjësi morale e ligjore e udhëheqësve të shtetit tonë, të Republikës së Kosovës, pavarësisht se kush udhëheq me Te, që të bëjnë më shumë për viktimat dhe femrat e dhunuara, duke kërkuar më me ngulm që përgjegjësit të dalin para drejtësisë së organeve të shtetit tonë ose të asaj ndërkombëtare dhe të marrin dënimin e merituar.

Dhe në fund, kur është fjala thjesht për roganasit, duhet shtuar se nuk janë vetëm këta 8 roganas të masakruar, të vrarë e të zhdukur. Sipas disa vlerësimeve tona, fatin e tyre, që nga koha e sundimit turko-osman e serbo-sllav…, del se viktima të atyre sundimeve barbare, janë afro 50 viktima, për të cilat edhe roganasit duhet të bëjnë diçka më shumë.

Ç’është e vërteta, edhe më parë, por në vitin që e lamë pas, me një këshill që formuam, organizuam 3 takime, caktuam komisione e detyra për secilin komision, për vendosjen bile të një Pllake përkujtimore, për të gjithë ata që e kishin pësuar gjatë historisë, porse “nuk patëm kohë” që ta takojmë as dikë nga organet kompetente komunale, e as kryetarin e komunës për të biseduar për sigurimin, përkatësisht lejimin e vendit (të caktuar) për vendosjen e një Pllake të tillë (!), kur dihet se Rogana dikur ishte fshati më aktiv në komunë. Shih për këtë, në vitin 1979, edhe u shpall si fshat i tillë në shkallë vendi, si “Rogaçica ‘79”. Megjithëkëtë, edhe pas kësaj neglizhence nga administrata e fshatit, ky projekt mbetet obligim dhe borxh yni që të kryhet, deshi dikush apo jo. Një nderim e kujtim, për viktimat e tyre, e kanë bërë shumë fshatra të Dardanës, e pse jo edhe Rogana ime?!

Kumtesë e përgatitur për Konferencën shkencore:

“Kamenica në rrjedhat e historisë”,

Kamenicë, 20 – 21 shkurt 2025

Filed Under: Komente

“Elon Musk mbi Fatin e luftrat e ardhshme”!

February 18, 2025 by s p

Gjeneral ®Piro Ahmetaj/

Me 7 Shkurt 2025, z. Elon Musk zhvilloi një bashkëbisedim me stafin dhe kadetët ekselentë të Akademisë së njohur Ushtarake “West Point”, SHBA mbi kërcënimet, teknologjinë dhe fatet e luftërave të ardhmshme. Intervista u moderua nga dekani i Akademisë West Point, Gjenerali mirënjohur Shane Reeves. Kjo intervistë mbart vëmendje dhe interesa globale jo vetëm për faktin se Elon Musk është pjesë thelbësore e Ekipit dhe programit të Presidentit Trump, por edhe për të lexuar vizionin, vendosmërinë si dhe mesazhet e forta të SHBA-ve që: “NATO nuk do të jetë kurrë më një klub diplomatësh por një fuqi e pakonkurrueshme (vdekjeprurëse), për paqen, sigurinë dhe interesat Auro-atlantike”!
Pikësëpari, për të mbetur NATO si një fuqi ushtarake e pakonkurrueshme, Presidenti Trump ka ri-konfirmuar edhe në Konferencën e përvitshme të Mynihut (Munich Security Conference), kërkesën/presionin e SHBA ndaj: “32 vendet e NATO-s të cilat duhet të rrisin buxhetet nga 3-5 % të GDP-së”. Që në fillim të fjales së tij, Z. Musk, theksoi se: “kërcënimet e ardhshme do të ndeshen dhe do të fitojnë me sukses forca e së ardhmes të cilën do ta projektojme dhe ndërtojmë sot”.

Më poshtë po japim disa nga mesazhet kryesore të intervistës së Elon Musk, përfshi dhe për RSh:
E ardhmja e luftrave: “Dronët Inteligjentë dhe Inteligjenca Artificiale (robotët).
Nisur edhe nga mësimet në Ukrainë, efektet më të mëdha në një luftë të ardhshme do të jenë tek Dronët inteligjentë dhe Inteligjenca Artificiale (IA). ʺTani e në vijim, luftërat e ardhshme midis fuqive të mëdha do të jenë Dronët dhe Inteligjenca Artificialeobotët (IA) ato që do vendosin fatin e luftës së ardhmeʺ. Edhe sot, në fakt, qendra e gravitetit në fushëbetejën e Ukrainës është një luftë me drona, ose një lloj gare midis Rusisë dhe Ukrainës që përpiqen se kush mund të dislokojë numrin më të madh të dronëve.
Edhe ne vlerësimin tim: ʺpo bëhet gjithmonë e më e rrezikshme dhe më e pamundur të vendosim ushtarët në vijën e frontit. Dronët do të jenë armatimet kryesore për çdo shtet të fuqishëm e me teknologji të përparuar, të cilët do të zëvendësojnë ushtarët në vijën e frontit, kur rrezikohet jeta e tyreʺ.
Po ashtu ʺduhet të investojmë me prioritet në zhvillimin e Dronëve inteligjentë – shprehet Musk. ShBA janë të forta për sa i përket teknologjisë së përparuar, por shkalla e prodhimit të tyre nuk është ajo që kërkohet, si dhe numri i njësive të tilla mbetet ende në një numër relativisht të vogëlʺ. Edhe presidenti Zelensky konformoi se 2025 do të ketë një milion dronë të gjenerates së fundit të prodhuar nga Ukrainasit.
Sic e shihni këtë evolucion: ʺmidis njeriut që nuk mund të pozicionohet më në vijën e parë, të fushë betejës dhe teknologjisë që del tashmë në krye të misionit, por duke i mbajtur ata të integruar dhe të sinkronizuar si një trup i vetëm, duke rritur aftesitë operacionale të tyre nëpërmjet komunikimit që nuk mund të përgjohet, pra sistemi Starlink, qe është shtylla kurrizore e sistemit të komunikimit ushtarak Ukrainas.
Nga ana tjetër, ʺsfida e Neurolink është se Inteligjenca Artificiale do të tejkalojë aftësinë e njeriut për ta kontrolluar atë (IA). Për këtë pyetje, do të desha të thoja jo, por përgjigja është po. Pra, se kjo ndodh përpara se IA të ketë evoluar deri në pikën ku ne së bashku me IA mund të fillojmë të punojmë së bashkuʺ.
Konkluzioni përfundimtar është se rruga më e mirë për sigurinë e IA është të kesh një IA që kërkon maksimalisht të vërtetën dhe që është gjithashtu kurioze, dhe nëse i ke të dyja këto gjëra edhe më mirë, pasi kjo do të inspiroje njerëzit të shohin se si zhvillohet njerëzimi dhe jo për ndonjë gjë tjetër; por sepse njerëzimi është shumë më interesant dhe i domosdoshëm se mungesa e njerëzimit. Sic dihet Elon Musk është një fans i madh i planetit Mars, pasi mendon se ne duhet të bëhemi një qytetërim shumë-planetar, kjo është shumë e rëndësishme që SpaceX është ta bëjë jetën multi-planetare.
Kjo është arsyeja që ai krijoi këtë kompani dhe kjo është arsyeja e zhvillimit te Starship në Teksasin e Jugut. Ajo raketë është shumë e madhe, ajo ka për qëllim kryesor të zhvillojë jetën në Mars, jo vetëm për të dërguar për një kohë të shkurtër astronautë atje, por për të populluar Marsin dhe te kemi një qytetërim tërësisht të pavarur. Duke u kthyer te IA, rrjeti nervor biologjik na thotë se ky do të jetë rezultati më i sigurt, sepse është si të shohësh që Marsi nuk është aq interesant sa Toka.
Besimi midis njeriut dhe teknologjise luftarake është bërë një realitet, ajo është vendimtare sidomos në teatrin e luftës. Po shikoja filmin tepër realist “Top Gun Maverick”. Mësova se Tom Cruz në fakt nuk është vetëm aktor i mirë, ai është edhe një pilot tepër i besueshëm. Ai thotë se bëhet fjalë për pilotin dhe jo për aeroplanin, me aftësinë e tij për të mposhtur një avion gjuajtës të gjeneratës së pestë për 10 sekonda. Kur zbatohet një teknologji e re më e efektshme, ne duhet t’i besojmë asaj veçanërisht nëse ajo ka aplikuar ndryshimin për të fituar, kështu që vetëm kështu mund të ndërtojmë besimin midis njeriut dhe makinës?
Puna me Dronët është se si çdo teknologji e re duhet të testohet dhe ri-testohet. Edhe per dronët, duhet të bëjmë shumë testime dhe të shikojmë se si funksionojnë në të vërtetë në një konflikt me rrezikshmeri të vogël, dhe pastaj të rritet përdorimi i tyre nëse është efektiv. Një dron është të paktën 100 herë më i lirë se një avion, dhe sigurisht është më mirë të sakrifikosh dronët në vend të avionit së bashku me pilotët. Pra, ka ardhur koha kur përdorimit të avionëve luftarakë të pilotuar nga njerëzit po i vjen fundi.
Një tjetër teknologji e nevojshme për luftrat e ardhshme është edhe teknologjia anti-dron. Kjo u demostrua dhe testua në Prill 2023, kur rreth se 99% e raketave dhe dronëve vrasës të Iranit u asgjësuan nga Forcat Ajrore të Izraelit si edhe nga flota ajrore/ avionët e gjeneratës së fundit të SHBA, UK, etj.., pra e vërtetoi se na duhet/must të zhvillojmë teknologji të zgjuar të sistemeve anti-Dronë.
Mendoj se nëse ka një interes strategjik në fushën e Dronëve dhe anti-Dron dhe industrua ushtarake do të kalojë shpejt në prodhimin e tyre. Kjo është urgjente, dhe kjo është ajo që po ndodh, pasi IA dhe Dronët janë e ardhmja e luftës. Edhe programet e hapësirës ​​janë po ashtu kritike. Ndërsa Pyetjes se cili mund të ishte cilësia themelore për ushtarakët e së ardhmes, Musk i’u përgjigjet: “përpiquni të mësoni sa më shumë të jetë e mundur, si dhe të zhvilloni mendimin kritik për çdo gjë që ju thonëʺ.
Konkluzione si dhe tre mesazhe edhe për reformën e mbrojtjes së RSh:
Mesazhi 1: e zgjodha këtë intervistë për të ri-sjellë në vëmendje produktin e parë, në cilësinë e Koordinatorit të Sigurisë Kombëtare dhe marrëdhënieve me ShBA/NATO, si dhe për të përsëritur mesazhin gjithëpërshirës për të gjithë faktorët politik, grupet e interesit, Instituteve, Ekspertët e Sigurisë si dhe ushtarakët, për të kontribuar në nevojën kritike që ka vendi për modernizimin e sistemit të Sigurisë dhe Mbrojtjes Kombëtare si pjesë e programit të Qeverisjes së PDSh 2025-2029 si dhe në 10 vitet e ardhshme.
Mesazhi 2: Kombi/vendi ynë po ashtu ka nevojë kritike të modernizojë SS&MbK si dhe aftësitë operacionale të Forcave të Armatosura, jo vetëm për shkak zgjedhjeve të 11 Majit, por si për të gjitha vendet e NATO-s, kjo imponohet nga lufta neo-naziste në Ukrainë; impaktet e Trump-2 mbi rendin botëror; rikthimi i frikshëm te gara e armatimeve, destabiliteti demokratik dhe korrupsioni në Ballkan. Kjo nuk arrihet as me prapagandë partiake dhe as me statuse patriotike, por duke u bazuar në Rishikimit Strategjik të Mbrojtjes, i kryer në bashkëpunim me SHBA nën drejtimin e -sh-Kryeministrit Berisha (RSM-2013).
Mesazhi 3: Rrritja e buxhetit të mbrojtjes në 3% deri 5 % nuk është “për ta marrë me të mirë Presidentin Trump”, por mbi gjitha një domosdoshmëri kritike për të modernizuar fuqinë/efiçencën e Institucioneve, Agjensive dhe mekanizmave të sigurise dhe mbrojtjes kombëtare (përshi sigurisht fuqinë ushtarake/FA) në përmbushje të misionit kushtetues, pra: “për të mbrojtur integritetin (neni 5); zhvilluar interesat gjeopolitike të RSh në Rajon si dhe për të “merituar me dinjitet karriken” në tavolinën e NATO-s.
Gjeneral ® Piro Ahmetaj:
Koordinator për Sigurinë Kombëtare
dhe marrëdhëniet SHBA/NATO-n!

Filed Under: Komente

APPOINTMENT OF AGIM ALIÇKAJ AS EXECUTIVE DIRECTOR OF THE ALBANIAN AMERICAN CIVIL LEAGUE

February 14, 2025 by s p

On January 19, 2025, at the Allendale Steakhouse in Allendale, NJ, owned by the Veseli brothers, the Albanian American Civic League Board held its first meeting in 2025, where they discussed many important issues for the advancement of the interests of the Republic of Kosova and the Albanian nation in Washington, DC.

It was proposed that Agim Aliçkaj, current member of the AACL Board of Directors, be appointed to the position of Executive Director.

New situations created in the homeland and in the United States require the Civic League to become more active in the Albanian American community for the purpose of mobilizing and increasing lobbying activity in Washington. Agim’s reputation and contacts will help make the League’s activities very successful.

Agim Aliçkaj, born and raised in Deçan, Kosova, graduated with a Master’s degree from the University of Zagreb. He is the Albanian American owner of Kosovatours International, a tourist agency specializing in travel to Albanian lands.

Agim joined the AACL more than 34 years ago, when in August 1990 he and his brothers in Oslo organized a very successful trip to Norway for the Civic League’s delegation. Since then, he has made a lasting and significant contribution to the AACL’s successful role in helping the Albanian national cause in Washington with leaders of the League, legendary human rights activists Joseph DioGuardi and Shirley Cloyes DioGuardi.

For several years he has been very active in organizing events with important senators and congressmen, some at his home in Bronxville, New York. He is also very active on social media (X, FB and others). His thoughtful articles have earned him great respect in the Albanian world.

The proposal for Agim Aliçkaj to assume the position of Executive Director of the Albanian American Civic League was unanimously approved by all Board members present at the meeting.

Joe and Shirley DioGuardi will continue playing their roles as lobbyists for the Albanian American Civic League in Washington, DC.

All the best,

Shirley Cloyes DioGuardi Joseph J. DioGuardi

Balkan Affairs Adviser President

EMËRIMI I AGIM ALIÇKAJ SI DREJTOR EKZEKUTIV I LIGËS QYTETARE SHQIPTARO AMERIKANE

Më 19 janar 2025, në Steakhouse Allendale në Allendale, NJ, në pronësi të vëllezërve Veseli, Bordi i Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane mbajti mbledhjen e parë në vitin 2025, ku u diskutua për shumë çështje të rëndësishme për avancimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe kombin shqiptar në Uashington, DC.

U propozua që Agim Aliçkaj, anëtar aktual i Bordit të Drejtorëve të AACL-së, të emërohet në postin e Drejtorit Ekzekutiv.

Situatat e reja të krijuara në atdhe dhe në SHBA kërkojnë që Liga Qytetare të bëhet më aktive në komunitetin shqiptaro-amerikan me qëllim të mobilizimit dhe rritjes së aktivitetit lobues në Uashington. Reputacioni dhe kontaktet e Agimit do të ndihmojnë që aktivitetet e Ligës të jenë shumë të suksesshme.

Agim Aliçkaj, i lindur dhe rritur në Deçan të Kosovës, ka kryer magjistraturën në Universitetin e Zagrebit. Ai është pronar shqiptaro-amerikan i Kosovatours International, një agjenci turistike e specializuar për udhëtime në trojet shqiptare.

Agimi iu bashkua LQShA më shumë se 34 vjet më parë, kur në gusht të vitit 1990 ai dhe vëllezërit e tij në Oslo organizuan një udhëtim shumë të suksesshëm në Norvegji për delegacionin e Ligës Qytetare. Që atëherë, ai ka dhënë një kontribut të qëndrueshëm dhe të rëndësishëm në rolin e suksesshëm të LQShA duke ndihmuar çështjen kombëtare shqiptare në Uashington së bashku me drejtuesit e Ligës, aktivistët legjendar të të drejtave të njeriut Joseph DioGuardi dhe Shirley Cloyes DioGuardi.

Për shumë vite ai ka qenë shumë aktiv në organizimin e ngjarjeve me senatorë dhe kongresistë të rëndësishëm, disa në shtëpinë e tij në Bronxville, Nju Jork. Ai është shumë aktiv edhe në rrjetet sociale (X, FB e të tjera). Artikujt e tij të mençura i kanë dhënë atij një respekt të madh në botën shqiptare.

Propozimi që Agim Aliçkaj të marrë postin e Drejtorit Ekzekutiv të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane u miratua unanimisht nga të gjithë anëtarët e Bordit të pranishëm në mbledhje. Joe dhe Shirley DioGuardi do të vazhdojnë të luajnë rolet e tyre si lobistë për Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane në Uashington, DC.

Të gjitha të mirat,

Shirley Cloyes DioGuardi Joseph J. DioGuardi

Këshilltare për Çështjet e Ballkanit President

Filed Under: Komente

Memo: Rizbulimi i historisë apo demaskimi i “deep state”

February 3, 2025 by s p

Analizë nga Rafael Floqi

Koncepti i “deep state” ose “shteti i thellë” është një teori që sugjeron se një grup i fshehtë i individëve, shpesh nga institucione të fuqishme si agjencitë e inteligjencës, ushtria, dhe burokracia, vepron pas skenave për të manipuluar ose kontrolluar politikat e shtetit, duke e shpërfillur ndonjëherë vullnetin e popullit dhe qeveritarëve të zgjedhur. Kjo teori, që ka fituar popullaritet në dekadat e fundit, është shpesh përdorur për të shpjeguar veprime ose vendime që duken të paqartë ose të larguara nga interesat e drejtpërdrejta të shumicës së njerëzve.

Në këtë kontekst, deklasifikimi i dokumenteve lidhur me vrasjet e John F. Kennedy, Robert F. Kennedy dhe Martin Luther King Jr. nga administrata Trump, ishte një moment i rëndësishëm që e solli këtë temë në diskutim. Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv në vitin 2025 për të deklasifikuar dokumentet që lidhen me vrasjet e këtyre figurave të njohura të historisë amerikane. Ky akt ka ngritur pyetje për ndikimin e “shtetit të thellë” dhe për rolin që mund të kenë pasur agjencitë si CIA, FBI dhe institucione të tjera në mbajtjen e disa informacioneve sekret për një periudhë kaq të gjatë, ndoshta i nxitur dhe nga dy atentatet kundra tij.

Deklasifikimi i këtyre dokumenteve mund të ndihmojë në zbardhjen e aspekteve të panjohura të këtyre ngjarjeve tragjike, duke ofruar mundësinë që të nxirren në dritë fakte që mund të kishin qenë të mbajtura sekret për arsye të paqarta ose për shkak të ndikimeve të “shtetit të thellë”. Ndonëse disa besojnë se ky hap mund të hedhë dritë mbi mundësitë e një komploti më të gjerë, të tjerë dyshojnë nëse do të shfaqen ndonjë informacion i rëndësishëm që mund të ndryshojë kuptimin që kemi për këto vrasje.

Kjo ka krijuar një lloj tensioni politik, pasi deklasifikimi mund të sfidojë perceptimin që publiku ka pasur për këto ngjarje, dhe gjithashtu mund të nxisë diskutime rreth ndikimit të agjencive të inteligjencës dhe pasojave të mundshme për rolin e “shtetit të thellë” në manipulimin e ngjarjeve të mëdha historike. 

Për të krijuar një opinion më të detajuar dhe të plotë mbi çështjen e deklasifikimit të dokumenteve lidhur me vrasjet e John Kennedy-t, Martin Luther King-ut dhe Robert Kennedy-t, është e rëndësishme të shqyrtojmë disa aspekte kyçe, përfshirë ndikimin e këtyre ngjarjeve në shoqërinë amerikane, mundësitë që deklasifikimi i dokumenteve të sjellë përmbysje të realiteteve historike, dhe mundësitë që këto informacione të mund të hedhin dritë mbi teoritë e konspiracionit që kanë mbizotëruar për dekada të tëra.

Vrasja e John F. Kennedy dhe Pasojat

Në vitin 1963, vrasja e presidentit John F. Kennedy shokoi jo vetëm SHBA, por gjithë botën. Disa muaj pas ngjarjes, një komision qeveritar, i njohur si Komisioni Warren, deklaroi se Kennedy ishte qëlluar për vdekje nga Lee Harvey Oswald, një ish-ushtar që vepronte i vetëm. Megjithatë, që nga ajo kohë, kjo teori ka qenë e diskutuar dhe shumë kritikë të komisionit të hetimit e kanë quajtur të paplotë dhe të paqëndrueshme. Gjatë viteve, janë formuluar shumë teori konspirative që sugjerojnë se pas vrasjes mund të qëndronin grupime më të fuqishme, si CIA, mafia, ose madje qeveria sovjetike dhe kubanët në mërgim.

Një element kyç që ka kontribuar në këtë ndjenjë dyshimi është mënyra se si dokumentet lidhur me vrasjen janë trajtuar nga autoritetet amerikane. Shumë informacione, përfshirë ato që mund të hedhin dritë mbi hetimet e zhvilluara, janë mbajtur të klasifikuara për dekada të tëra. Kjo ka nxitur një ndjenjë të thellë mosbesimi te qytetarët, të cilët ndjehen se po fshehen të vërteta të rëndësishme. Ndaj, kërkesat për deklasifikimin e këtyre dokumenteve kanë qenë të shumta, dhe tani, pas dekadash spekulimesh, ekziston mundësia që publikimi i këtyre dokumenteve të na sjellë më afër të vërtetës.

Senatori Robert F. Kennedy i shtrirë në tokë disa minuta pasi u qëllua më 5 qershor 1968

Deklasifikimi i këtyre materialeve ka potencialin të zbulojë detaje të panjohura deri tani, siç sugjeron James Robenalt, një ekspert i çështjes, i cili beson se dokumentet mund të zbulojnë lidhjet e CIA-s me Oswaldin dhe mund të ndihmojnë në lidhjen e copëzave të ngjarjeve të atij periudhe. Ky proces mund të mundësojë që të mësojmë më shumë rreth ndihmës që agjencitë amerikane mund të kenë ofruar për të mbuluar detaje që lidhen me vrasjen, ose mund të hedhin dritë mbi përpjekjet për të penguar hetimet.

Vrasja e Robert Kennedy dhe Martin Luther King

kennedy

Edhe vrasjet e Robert F. Kennedy dhe Martin Luther King kanë qenë të mbështjella me mistere dhe dyshime. Robert Kennedy u qëllua për vdekje në qershor të vitit 1968, ndërsa Martin Luther King, lideri i drejtave civile, u vra në prill të vitit 1968. Ashtu si me vrasjen e John Kennedy, këto ngjarje kanë nxitur një mori teorish konspirative, dhe mundësia që deklasifikimi i dokumenteve të lidhura me to të hedhë dritë mbi motivet e mundshme dhe autorët e vërtetë të këtyre ngjarjeve është një aspekt që ka tërhequr interesin e shumë ekspertëve dhe qytetarëve.

Deklasifikimi i këtyre dokumenteve mund të shfaqë detaje të panjohura deri tani lidhur me hetimet e zhvilluara për këto vrasje, duke mundësuar që të sqarohen dyshimet dhe të konfirmohen, ose hedhur poshtë, teori të ndryshme konspirative. Për shembull, në lidhje me vrasjen e Martin Luther King, ka pasur shumë spekulime rreth mundësisë që organizatat që kundërshtonin lëvizjen për të drejtat e njeriut mund të kenë pasur një rol në vrasjen e tij, një teori që ende është objekt diskutimi.

Vlerësimi i Mundësive të Deklasifikimit

Martin Luther King duke përshëndetur mbështetësit më 28 gusht 1963 në Uashington, gjatë "Marshit në Uashington. Në këtë ngjarje, ai mbajti fjalimin e tij "E kam një ëndërr"

Deklasifikimi i dokumenteve ka mundësinë të ndihmojë në një proces të domosdoshëm të transparencës dhe mund të japë mundësinë që opinionet publike të informohen në mënyrë të plotë për ngjarjet që kanë ndodhur në vitet ’60. Kjo mund të ndihmojë në uljen e nivelit të dyshimeve dhe të përmirësojë besimin e publikut ndaj institucioneve që kanë administruar këto hetime, duke i dhënë mundësinë qytetarëve të shohin një pamje të plotë të situatës.

Sidoqoftë, ka disa sfida të mundshme që lidhen me deklasifikimin e këtyre dokumenteve. Një nga këto është shqetësimi se publikimi i disa materialeve mund të dëmtojë agjencitë e sigurisë kombëtare dhe mund të zbulojë burime ose metoda të mbledhjes së informacionit që mund të kompromentojnë sigurinë kombëtare. Kjo është arsyeja pse disa dokumente mund të mbeten të klasifikuara, pavarësisht kërkesave të mëdha për deklasifikim.

Në fund të fundit, deklasifikimi i këtyre dokumenteve është një hap i rëndësishëm drejt sqarimit të ngjarjeve të rëndësishme historike që kanë pasur një ndikim të thellë në historinë moderne të SHBA-së dhe në perceptimin global të drejtësisë dhe transparencës. Por, siç sugjeron edhe ekspertët e fushës, përmbysja e gjithë historisë mund të mos jetë aq e thjeshtë siç duket dhe dokumentet mund të konfirmojnë përfundimet që janë bërë deri më tani, ose mund të hedhin dritë mbi aspekte të reja që do të ndryshojnë mënyrën se si ne i kuptojmë këto ngjarje.

Përfundimi:

Deklasifikimi i dokumenteve lidhur me vrasjet e John F. Kennedy, Robert Kennedy dhe Martin Luther King ka potencialin të na ndihmojë të kuptojmë më mirë ngjarjet që kanë formësuar historinë e SHBA-së dhe të zbulojmë informacione që mund të hedhin dritë mbi teori të ndryshme konspirative. Megjithatë, kjo ka nevojë për një balancë të kujdesshme mes transparencës dhe ruajtjes së sigurisë kombëtare. Nëse këto dokumente do të çojnë në një sqarim të plotë dhe të besueshëm të ngjarjeve, ato mund të përbëjnë një hap të rëndësishëm në forcimin e besimit te institucionet dhe në përmirësimin e kuptimit të historisë. 

Filed Under: Komente

NË KUJTIM TË DR. REXHEP ef. BOJËS (20.6.1946 – 14.9.2021)

January 30, 2025 by s p

Resul REXHEPI/

Tashmë kemi hyrë në vitin e katërt nga kur hoxha, imami, pedagogu, studiuesi, myftiu, veprimtari dhe diplomati i Kosovës Dr. Rexhep kaloi në Botën tjetër – Ahiret.

Prandaj, me rastin e ndarjes nga ne të Dr. Rexhep ef. Bojës, do të shpalos disa të dhëna jetëshkrimore të tij dhe disa vlerësime e kujtime për të, ndonëse për jetën dhe veprën e dr. Bojës jam i bindur se do të shkruhet e do të flitet gjatë, sepse veprimtaria e tij ishte e begatë, e qëndrueshme, fisnike dhe gjithmonë në shërbim të fesë e të atdheut. 

Unë kam pasur nderin, madje e konsideroj edhe privilegj që kam bashkëpunuar me Dr. Rexhep ef. Bojën, madje, në të shumtën e herëve edhe në kohë tejet të ndjera dhe shumë të vështira.

Në të vërtetë, njohja ime me Rexhep efendiun nis që nga viti i largët 1985, atëherë kur në numrin e 42-të të revistës “Edukata islame” kisha botuar një shkrim të karakterit informativ-biografik, me titull “Kur ambiciet kurorëzohen me sukses”, dhe i cili bënte fjalë pikërisht për Dr. Rexhep Bojën, me rastin e mbrojtjes së tij të doktoratës në Universitetin Islamik të Medinës. 

Më pastaj, në vitin 1986, përderisa unë isha drejtues i Medresesë “Alaudin”, kemi pasur nderin që Dr. Rexhep Bojën ta angazhonim si pedagog për lëndën e fikhut-jurisprudencës islame, prej nga ku pas disa viteve do të kalonte në Kryesinë e Bashkësisë Islame për ta udhëhequr atë deri në vitin 2003, e për të vazhduar më pas si pedagog në Fakultetin e Studimeve Islame të Prishtinës. Në kuadër të FSI-së, krahas detyrës së dekanit nga viti 1992, pra nga themelimi, ai gjithashtu ka qenë i angazhuar për mbajtjen e lëndëve të fikhut-jurisprudencës islame dhe Da’ves.

Sidoqoftë, kur bëhet fjalë për veprimtarinë e Dr. Rexhep ef. Bojës, unë mendoj se atë duhet parë si të ndarë në disa aspekte dhe faza, duke filluar që nga koha kur ai shërbeu si imam në “Xhaminë e Kuqe” të Pejës, më pastaj si profesor në Medresenë “Alaudin”, më pastaj si drejtues dhe pedagog në Fakultetin e Studimeve Islame të Prishtinës, më pastaj si myfti i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, dhe së fundmi si diplomat i shtetit tonë – Republikës së Kosovës.

JETËSHKRIMI I REXHEP EF. BOJËS

1. Arsimimi

Rexhep Boja lindi më 20 qershor 1946 në fshatin Kërrnicë, që i takonte komunës së Klinës. Familja e tij ishe një familje solide mesatare, e babai i tij Jashari ishte dashamirës i fesë e besimtar i devotshëm, prandaj që herët e kishte ndarë mendjen që djalin e tij ta dërgonte në Pejë për të mësuar në mejtep te hoxha Muhamed ef. Gashi. Dëshirës së prindit do t’i përgjigjej pozitivisht Rexhepi, që aso kohe ishte akoma i njomë dhe i ruante ato pak bagëti të familjes në lëndinat e Kërnicës. Me gëzim do të shkonte në Pejë për të mësuar në mejtep te hoxha. H. Muhamed ef. më vonë do të shprehej në superlativ për nxënësin e tij, i cili me aq përkushtim i përkushtohej mësimeve të fesë islame tek alimi i nderuar. 

1.1. Në mejtepin e hfz. Muhamed ef. Gashit

Për shkuarjen e Rexhepit në mejtep, babai i tij Jashari kishte biseduar paraprakisht me hoxhallarë të Pejës dhe kishte vendosur që djalin e tij – Rexhepin ta dërgonte në Pejë. Dhe kështu, Rexhep ef. mësimet e para fetare islame si fëmijë i kishte nisur te hoxha i tij haxhi hafëz Muhamed ef. Gashi, në Pejë. Rexhep ef. ishte shumë i rregullt dhe i disiplinuar, dhe kureshtar për të mësuar sa më shumë, e kjo natyrisht se i gëzonte sa prindërit e tij aq më shumë edhe hoxhën nga i cili mësonte. Gjatë kohës sa qëndroi pranë hoxhës së tij të nderuar, ai nga mësimet fillestare vazhdoi në mësimnxënien e disa lëndëve të rëndësishme sipas traditës së vjetër, e cila asokohe ishte shumë efektive.

Më vonë, gjatë kohës sa kamë pas mundësinë të bashkëpunoja me të, kurdo që e përmendtë Muhamed ef. thoshte “Hoxha i im”.

Meqë ai tregonte interesim të dukshëm gjatë ndjekjes së mësimeve, Muhamed efendiu e inkurajonte edhe atë po edhe babanë e tij që Rexhepin ta dërgonte në Shami-sherif për të mësuar. 

Kjo kishte ndodhur pasi që asokohe, një grup hoxhallarësh nga Kosova, e me ta edhe Rexhep efendiu, në vitin 1967 ishin organizuar për të shkuar dhe për ta kryer haxhin. Gjatë kthimit, ata kishin vizituar edhe Damaskun dhe disa shkolla atje, në njërën prej të cilave e kishin regjistruar Rexhepin e ri për të vazhduar shkollimin dhe ia kishin dorëzuar si amanet alimit të njohur Abdulkadër efendi Arnautit, që ishte një nga shqiptarët e Kosovës të migruar në Damask. 

1.2. Nxënës në Damask

Në Damask, që asokohe ishte qendër e kulturës dhe shkencës në përgjithësi, Rexhep ef. Boja do ta vazhdonte nga ku e kishte ndërprerë dhe do ta mbaronte me sukses shkollën fillore. Po aty do ta mbaronte edhe shkollën e mesme. Gjatë qëndrimit në Damask, pati rastin e mirë që të njihej me koloninë shqiptare që jetonte e vepronte atje, në veçanti me dijetarët më eminentë shqiptarë, e sidomos me Abdulkadër ef. dhe bijtë e tij etj. Nga bisedat, ligjëratat dhe ndejat me ta, Rexhep efendiu përfitoi dije të shumta dhe të hairit. Jo rrallë herë tregonte me shumë pasion se si i shfrytëzonte takimet sidomos me Shejh Abdylkadrin për të përfituar sa më shumë nga dija që ai posedonte. Aty ishte njohur dhe kishte kaluar momente frytdhënëse edhe me të bijtë e Abdulkadrit dhe bashkëmoshatarë të tjerë. Jo rrallëherë tregonte se si kohën e lirë e kalonte me dijetarët e Shamit, dhe nga ta përfitonte dituri e eksperiencë. Kjo kishte bërë që ai gjithmonë të ishte i dëshiruar dhe i admiruar në mesin e tyre. Ndonëse kafshata e mërgimit është shumë e hidhur dhe jeta mjaft e rëndë, vetëm durimi i madh dhe sakrifica për t’u shkolluar bënë që ai të përfitonte dituri dhe të ngrihej intelektualisht. Ai tregonte se edhe gjatë pushimeve verore jo gjithmonë ka ardhur në Kosovë, sepse kishte frikë se pushteti i atëhershëm komunist mund t’ia merrte pasaportën dhe kështu t’i pamundësohej vazhdimi i shkollimit të cilin e kishte nisur. Ndaj dhe dr. Boja shpesh e theksonte këtë fakt: “Kur arrija në Bullgari, në rrugë e sipër për në Damask e më vonë edhe për në Medine, mërzitesha për familjen, por gëzohesha jashtë mase sepse e dija se më nuk do të mund të më ndalnin…”. Jeta në Damask gjatë moshës së tij të re, jo vetëm se e ngriti në aspektin arsimor, por për të ishte edhe një përvojë e papërsëritur. Ajo e kaliti dhe e bëri të fortë, në mënyrë që më vonë t’u përballonte sfidave e peripecive të ndryshme. Ai me shumë admirim e theksonte se shkollimi në Damask, kontaktet e tij me dijetarët shqiptarë dhe të tjerë që jetonin e vepronin në këtë qendër arsimore e kulturore, i ka ndihmuar mjaft shumë si në mësimin e gjuhës arabe e po ashtu edhe shkencave islame. Kjo eksperiencë e përfituar në moshën e rinisë, më vonë i ka shërbyer mrekullisht në veçanti në komunikimet me xhematlinjë. Shpesh herë thoshte se Damasku ka vend të veçan në zemrën time.

1.3. Student në Medinën e ndritshme 

Pas Damaskut, Rexhep efendiu, ndonëse ka pasur mundësi të kthehej në vendlindje, ai zgjodhi kalimin e tij në Medinën e Ndritshme, aty ku pushon më i zgjedhuri i Zotit – Muhamedi (a. s.), për të vazhduar studimet e tij. 

Dhe, siç e përmendte shpesh “…I Madhi Zot më ndihmoi dhe pata sukses të studjoja në Medinë!” Fillimisht ishte regjistrua në Fakultetin e Davës – në gjirin e Universitetit Islamik, të cilin e mbaroi me sukses solid. Krahas dijes së përfituar, ai fitoi dhe një eksperiencë tashmë edhe më të avancuar. Ndonëse ky ishte një sukses i pamohueshëm, Rexhepi kishte vendosur të vazhdonte me magjistraturë, e në fund edhe me doktoratë. Gjatë kohës sa ndiqte ligjëratat për magjistraturë (magjistroi në vitin 1981) dhe doktoratë (doktoroi më 1985), ai qe angazhuar si edukator në kuadër të konvikteve të Universitetit Islamik të Medinës. Ndonëse kjo për të qe një përvojë e re, megjithatë ishte mjaft sfiduese dhe goxha atraktive, sidomos për faktin se ajo i ofronte mundësi që të takonte dhe të njihej me studentë nga shumë shtete të botës, të cilët qyteti i Pejgamberit i mirëpriste për t’i shkolluar e edukuar në formën më të mirë të mundshme. Në Medine, ku asokohe kanë studiuar edhe disa studentë kosovarë, me mburrje tregonin për afërsinë, përkrahjen dhe ndihmën që e kanë gëzuar nga Rexhep ef. Boja.

Qëndrimi i Rexhep ef. për të studiuar në Medinë, asokohe ka qenë i përcjellë me mjaft vështirësi, mirëpo, kur nuk mungon ndihma e Allahut dhe gatishmëria për sakrificë, edhe ato vështirësi tejkalohen. Vështirësitë qenë të mëdha sidomos gjatë muajve të verës, kur temperaturat ishin të larta, ndërkaq niveli i ngritjes teknologjike lente shumë për të dëshiruar. Rexhep ef. thoshte se kur gjenim ndonjë vend vetëm pak të freskët ose ujë jo shumë të ngrohtë, e njomnim dhe e flladisnim pak shpirtin. Shumë vite më vonë kur shkonim në Medine dhe takonim studentët tanë që studionin atje, ka ndodhur që ndonjëri të ankohej për ndonjë pakënaqësi. Rexhep ef. iu thoshte të mos i përmendnin këto marrëzi se ju nuk e dini si ka qenë këtu para 30 viteve, e sot klimatizimi ju përcjell në çdo hap. Ndryshimeve të mëdha për të mirë që ndodhnin në Mbretërinë e Arabisë Saudite, të cilat sillnin lehtësira për të jetuar, Rexhep ef. iu gëzohej pa masë.

2. Imam në Xhaminë e Kuqe të Pejës

Pas përfundimit të studimeve të doktoratës, ndonëse pati oferta për të punuar në Medine, ai megjithatë kishte vendosur që të kthehej në vendlindjen e tij, pra në Kosovë, ku dëshironte që atë thesar të diturisë që e kishte fituar me shumë mund e sakrificë ta shpërndante në popullin e tij.

Me t’u kthyer nga Medina, sikurse thamë, filloi punën si imam, hatib dhe mualim në “Xhaminë e Kuqe” të Pejës. Punoi me shumë pasion e elan dhe ndjente kënaqësi për punën që e bënte. Çdo iniciativë që ndërmerrte, kishte përkrahje të madhe të xhematit. Vitet e para të angazhimit të tij me xhemat qenë shumë interesante dhe mbresëlënëse. Ligjëronte rregullisht para namazit të xhumasë, ishte mjaft konkret, i kuptueshëm dhe aktual. Kjo bëri që ai ta fitonte simpatinë e xhematit, të cilët pastaj e ftonin në raste të ndryshme. Edhe në ndeja ai ishte i pranueshëm, bisedonte me të gjithë fare lehtë. Mbi të gjitha, raportet e tij me Këshillin e Bashkësisë Islame të Pejës gjithmonë i ka pasur në nivel të admirueshëm. Gjithmonë gëzonte respekt si te administrata e Këshillit ashtu edhe tek kolegët tjerë. Nuk organizohej mevlud, hatme a ndonjë mexhlis tjetër fetar ku ai të mos ishte prezent. Nga ana tjetër, raportet e tij me kolegët tjerë imamë ishin të shkëlqyera, për shkak se ai prore gëzonte respekt e autoritet, e mbi të gjitha ishte modest.

3. Pedagog në Medresenë “Alaudin” të Prishtinës

Një vit më vonë angazhohet edhe në Medresenë “Alaudin”, si mësimdhënës për lëndën e fikhut-jurisprudencës islame. Dhe nga këtu fillon edhe kontributi intensiv dhe i shumanshëm i Dr. Rexhep ef. Bojës për t’i shërbyer vendit dhe bijve të popullit të tij në rrafshin edukativo-arsimor. Ndonëse për të Medreseja ishte një mjedis i ri, ai shumë shpejt u adaptua dhe krijoi raporte të mira me kolegë, kurse nga nxënësit gëzonte autoritet të padiskutueshëm.

Fillimet e punës së tij në Medrese kanë qenë mjaft sfiduese sepse duke qenë se jetonte në Pejë, i duhej të udhëtonte dy herë në javë Pejë- Prishtinë dhe anasjelltas, e kjo ka qenë mjaft e rëndë dhe sfiduese.

Gjatë kohës sa ka qenë në Medrese, krahas orëve të rregullta të mësimit, atë e angazhonim edhe në mbajtjen e ligjëratave tematike me rastin e festave fetare, gjë të cilën e bënte me shumë pasion.

 Përvoja e Dr. Rexhep Bojës në Medrese ka bërë që nga aty ai pas pak vitesh të kalojë në Kryesi të Bashkësisë Islame për t’i udhëhequr myslimanët e Kosovës për 13 vjet me radhë.

4. Në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës

Dr. Rexhep Boja nga viti 1990, e deri më 2003, u vu në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës. Koha kur dr. Boja e ka udhëhequr Bashkësinë Islame të Kosovës ka qenë koha më e vështirë në shumë aspekte, e në veçanti në aspektin politik, por falë gjendshmërisë së tij dhe bashkëpunimit me strukturat udhëheqëse të Bashkësisë Islame dhe atyre politike, ia doli që me shumë sukses t’i mbronte interesat e institucionit të cilin e udhëhiqte dhe të vendit të cilit i përkiste. Gjatë kësaj periudhe, Bashkësia Islame e Kosovës dhe Dr. Rexhep Boja në krye të saj, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shtetformimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Gjatë kësaj kohe, dr. Boja e ka përfaqësuar Kosovën në arenën ndërkombëtare në mënyrë të denjë. Pjesëmarrja e tij në shumë konferenca ndërkombëtare, në sesione shkencore e tryeza akademike, ia ka mundësuar që çështjen e Kosovës ta plasonte gjithandej nëpër botë. Në tubime të tilla ka prezantuar në shumë shtete evropiane, aziatike, afrikane e deri në SHBA. Kryefjalë e paraqitjeve të tij vazhdimisht ka qenë angazhimi për lirinë e Kosovës, të cilën deshi Zoti dhe e përjetoi. Miqësia e tij me shumë faktorë politikë, fetarë, arsimorë, kulturorë e të tjerë të nivelit botëror, ia ka mundësuar që për Kosovën kurrë të mos ndalej dhe t’i shërbente asaj.

5. Kontributi i dr. Bojës në hapjen e FSI-së

Në anën tjetër, një periudhë tjetër shumë e begattë e kontributit të Rexhep efendiut, pa dyshim është edhe roli i tij dhe i bashkëpunëtorëve të tij në hapjen e Fakultetit të Studimeve Islame (1992) dhe vazhdimin e punës më tutje. Dr. Rexhep efendiu, para se të hapej Fakulteti, i kishte takuar Rektorin e Universitetit të Prishtinës, dr. Ejup Statovcin si dhe strukturat tjera udhëheqëse në vend. Nga të gjithë kishte marrë përkrahje për këtë iniciativë kaq të qëlluar. Shumë prej tyre i kishin premtuar përkrahje për fillimet e para të fakultetit. Sot, shumë nxënës dhe studentë që i kanë ndjekur mësimet dhe ligjëratat e tij, e kujtojnë me pietet për urtësinë e tij, për dinjitetin njerëzor dhe intelektual që ka treguar. Atë e ka karakterizuar respekti që gëzonte nga stafi punues i fakultetit e po ashtu edhe afërsia me studentë. Gjatë punës së tij si në Medrese, Kryesi të BI-së të Kosovës apo edhe në Fakultet, atë e ka karakterizuar modestia dhe thjeshtësia.

6. Përfaqësues diplomatik i Kosovës në Arabinë Saudite

Dr. Rexhep Boja karrierën e tij prej intelektuali e ka përmbyllur duke qenë ambasador i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite, fillimisht si i ngarkuar me punë e më pas edhe si ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë në Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe në disa shtete fqinje të saj (si ambasador jorezident), detyrë kjo të cilën e përfundoi me sukses. Edhe si diplomat, dr. Boja është angazhuar maksimalisht që vendin e tij të cilin e përfaqësonte, ta prezantonte sa më mirë që ishte e mundur. Në qarqet politike dhe diplomatike në të cilat kishte marrë pjesë, në vazhdimësi insistonte të afirmonte shtetin e ri – Kosovën, të cilin e përfaqësonte. Ushtrimi i punës së ambasadorit, ndonëse për të ishte detyrë e re, falë gjendshmërisë së tij, ia ka dalë që ta kryej me mjaft sukses. Na tregonte me shumë keqardhje se në disa shtete ku ka qenë i emëruar ambasador jorrezident, as që ka mundur me i dorëzuar letrat kredenciale, dhe atë thjesht vetëm për shkak të ndikimit të bllokut lindor dhe influencës së madhe në ato shtete.

Mirëpo, ajo që ia vlen të theksohet është se dr. Boja, edhe pas mbarimit të misionit të tij diplomatik dhe kthimit të tij në Kosovë, aktivitetet diplomatike i ka vazhduar edhe më tutje, sepse ai raportet me qeverinë e Kosovës prore ka vazhduar t’i ketë në nivel të lartë sepse ka gëzuar respekt të lartë, gjithashtu.

7. Kontributet shkrimore të Dr. Rexhep Bojës

Rexhep Boja është autor i shumë studimeve në fusha të ndryshme me të cilat është paraqitur në konferenca e simpoziume, dhe i artikujve të shumtë që janë botuar në gazeta e revista vendore e ndërkombëtare në gjuhën shqipe dhe arabe. Intervistat e tij dhënë shtypit vendor dhe atij ndërkombëtar, vazhdimisht kanë ofruar informacione të nevojshme për gjendjen në Kosovë, në veçanti për dhunën dhe terrorin që ushtronte okupatori serb në Kosovë. Gjithashtu, ai është edhe autor i dy librave: “Shqiptarët (Arnautët) dhe Islami – Myslimanët në ish-Jugosllavi”, botim në gjuhën arabe. Pjesa e parë përmban disertacionin e magjistraturës, ndërkaq pjesa tjetër e librit përmban disertacionin e doktoratës. Këta dy tituj, të bashkuar në një botim, kanë karakter krejtësisht shkencorë, të pajisur me aparaturë shkencore, gjë që jua rritë vlerë ku e ku më shumë. 

Dr. Rexhep Boja ka botuar në gjuhën shqipe edhe librin “Për një të nesërme më të mirë”. Kjo vepër përmban intervista të cilat i kishte dhënë autori si për mediet dhe shtypin vendor ashtu edhe atë të huaj. Janë e përmbledhura, gjithashtu, edhe mesazhet e tij në cilësinë e Kryetarit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, qoftë për festat fetare apo dhe të tjera, dhe shumë prononcime, komunikata e të ngjashme.

8. Rexhep ef. Boja në kujtimet e mija

E ndjejë të arsyeshme që t’i shkruaj disa vlerësime për të, ndonëse për jetën dhe veprën e Dr. Rexhep ef. Bojës, jam i bindur se do të shkruhet e do të flitet gjatë.

Përgjatë punës së tij afër katër dekada, e në pozita të ndryshme sidomos në kuadër të Bashkësisë Islame, ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme, dhe do të kujtohet me pietet nga gjeneratat që do vijnë.

Unë kam pasur nderin dhe madje e konsideroj edhe privilegj, që kam punuar e bashkëpunuar me dr. Bojën për një kohë relativisht të gjatë, aq gjatë sa asnjë tjetër nga ata që sot akoma janë gjallë.

Nga njohja dhe puna ime më dr. Rexhep Bojën, me këtë rast, do të veçojë dy momente, ndoshta jo ata më të gjeturit që pasqyrojnë personalitetin, urtësinë dhe mençurinë e dr. Rexhep Bojës, por të cilët kanë ngelur në kujtesën time dhe që mu shfaqën derisa po merresha me shkrimin e këtyre rreshtave.

 8.1.  Rasti i parë që do e përmend është vizita e parë e delegacionit të Bashkësisë Islame të Kosovës në Shqipëri në Prill të vitit 1991. Na kishte rastisur të ishte dita e fundit e Ramazanit, se të nesërmen ishte dita e parë e Fitër-Bajramit. Në të vërtetë, pasi që i kishim bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, përfshi këtu edhe vizat dalëse, më 14 prill 1991 mbërrimë në pikën kufitare në Vërmicë. Ishte një vizitë e organizuar në një kohë, si të thuash, të çuditshme e të trazuar, mes emocioneve dhe entuziazmit, mes lotëve e gëzimit, mes ndjenjave të përshkruara dhe euforisë. Po shkelnim, që të gjithë ne, për herë të parë në atdheun mëmë, në Shqipëri dhe atë jo vetëm si vizitor të thjeshtë, por me detyrë, me mision, po shkonim për t’u dhënë krahun vëllezërve tonë, për t’u folur për fenë islame pas dekadash të ndalimit të saj, po shkonim për t’ju folur për lirinë e besimit dhe rëndësinë e tij. 

Delegacioni ynë përbëhej nga Rexhep ef. Boja – kryetar, Qemajl Morina, që aso kohe ishte nëpunës i Kryesisë, dhe unë që asokohe isha drejtor i Medresesë “Alaudin”. Këtë ngjarje, për ne historike dhe të paharruar do ta përcillte edhe Elez Osmani-gazetar në “Dituria Islame”. Në ndërtesën shtetërore të kufirit pas pak çastesh u takuam me nikoqirin tonë Hfz. Sabri ef. Koçin, i cili ishte figura qendrore islame në Shqipëri dhe disa shoqërues të tij. Pa humbur shumë kohë, u morëm vesh që të niseshim në drejtim të Shkodrës, kështu që pak para iftarit u vendosëm në shtëpi të Hafiz Sabriut. Pas iftarit dhe namazit të akshamit, i ndamë detyrat: dr. Boja dhe Qemajli do të niseshin menjëherë për Tiranë, për të qenë të gatshëm për ta falur namazin e Bajramit, gjithmonë të prirë nga Hafëz Sabriu, kurse unë të ngelja në Shkodër për t’i prirë xhematit në faljen e namazit të Bajramit. Ky do ishte namazi i parë që do të falej në mënyrë të organizuar pas dridhjeve që i kishte marrë Partia Komuniste në pushtet e pas një çerek shekulli. Në Shkodër morëm vesh se kishin ardhur edhe dy nëpunës të BFI të Shkupit për të përcjellë manifestimet e para të Bajramit pas rënies së komunizmit. Pas kryerjes së namazit të Bajramit, para Xhamisë së Plumbit na priste një numër shumë i madh i njerëzve. Shihej gëzimi në fytyrat e tyre, urimet për Bajram vazhdonin pafund, përqafime e përqafime. Nuk di se kush ishte më i gëzuar aty, vëllezërit tonë që po i ktheheshin fesë apo ne që po gjendeshim në mesin e atij gëzimi në vendin që dikur vetëm e kishim ëndërruar.

Vizituam një familje të lagjes së “Myftive”, ashtu siç kishte qenë traditë nga hera. Për një intervistë, u dashtë të shkojmë te radio-Shkodra, sepse sot duhet të flitet për festën e Bajramit, traditën që kemi ne në Kosovës e shumë çështje të tjera.

Pas intervistës, menjëherë jemi nisur për Tiranë, ku u takuam me kreun e delegacionit tonë dhe me nikoqirët. Për arsye se Bashkësia Islame e Shqipërisë akoma nuk ishte e konsoliduar, pritjen e urimeve për festën e Bajramit e kishin organizuar në selinë e Lidhjes së Shkrimtarëve në Tiranë, ku Rexhep ef. për herë të parë do të merrte pjesë, e më pas edhe ne filluam ta organizonim pritjen në Prishtinë, e cila vazhdon akoma të organizohet.

Gjatë qëndrimit tonë disa ditor, krahas vizitës së objekteve islame si xhamia e Ed’hem Beut, ajo e Kokonozit (ose e Pazarit), vizituam edhe disa institucione e qytete tjera si Durrësin, Kavajën, kaluam nëpër Fier për të arritur në Vlorë e Berat. Takuam disa personalitete si Qeramudin Dyrdiun, që aso kohe ishte myfti i Myftinisë së Beratit, e disa të tjerë. Në Tiranë takuam edhe Kastriot Islamin, asokohe ministër i Arsimit dhe kulturës, Sali Berishën – kryetar i Partisë Demokratike e disa autoritete tjera që aso kohe mbanin poste të rëndësishme në Shqipëri. Vizituam edhe Muzeun Kombëtar. Të gjithë pa përjashtim tregonin respekt e admirim për delegacionin tonë e në veçanti për dr. Rexhep ef. Bojën, i cili në qarqet intelektuale dhe politike të Shqipërisë, për çudinë tonë, ishte fortë i njohur, sa që dr. Kastriot Islami, përveç tjerash, do të shtonte: ‘Me sa jam në dijeni, ju dr. Boja keni autoritet të jashtëzakonshëm në Botën Arabe, po të urdhëroni e të na siguroni pak ndihma nga andej, do bënit mirë shumë, sepse edhe arsimi edhe kultura kanë shumë nevojë për përkrahje…”. kudo që shkonim dhe në çdo takim që kishim, me uniformën e tij prej hoxhe dhe fjalët e zgjedhura të dr. Rexhep Bojës, me atë urtësinë dhe kujdesin e madh të treguar, zinin vend, ngjallnin emocione dhe interesim të paparë. Shumë shpejtë u bëmë si të ishim një nga ata, si të ishim të tyre, ndiheshim si të kishim jetuar mu në mesin e tyre.

Nuk do ta harrojë kurrë kontributin e dr. Bojës që i ofroi Hafëz Sabriut dhe të tjerëve rreth konstituimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, të cilët një ditë sa ne akoma ishim në Tiranë, organizuan një mbledhje, të cilën e mbajtën në Xhaminë e Pazarit, me ç’rast debatuan përkitazi me organizimin e KMSh. Këtu dr. Boja mbajti një fjalë rasti, u ndoq me shumë interesim nga të pranishmit duke lënë kështu mbresa të një lideri e strategu të vërtetë. Në vitet në vijim, Rexhep efendiu, në cilësinë e kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, edhe shumë herë e ka vizituar Komunitetin Mysliman Shqiptar dhe u është gjendur atyre pranë dhe duke dhënë një kontribut të rëndësishëm për mbarëvajtjen dhe organizimin e tij. 

8.2 Ndërkaq, rasti i dytë që prore do ta kujtoj, është durimi i dr. Bojës. Liderët rëndom karakterizohen me padurim sepse karizma e tyre prej funksionari, sikur ua arsyeton këtë mosdurim. Mirëpo, te rasti i Rexhep efendiut, puna qëndron krejtësisht ndryshe. Me një rast, unë e shoqëroja në një konferencë në Arabinë Saudite, e cila mbahej në Mekei-Mukerreme. Konferenca zgjati dy ditë, ndërkaq ditën e tretë, Rexhep efendiu më tregoi se do shkojmë në selinë e Rabitës (Ligës Botërore Islame), për t’i takuar disa nëpunës e edhe Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës (Rabitas) që aso kohe ishte Abdullah El-Ubejdi. Duhet të ketë qenë përafërsisht viti 1996 ose 97. Një veturë zyrtare e Rabitës na mori nga hoteli ku ishim të akomoduar dhe na qoi në selinë e Rabitës. Na pritën shumë përzemërsisht disa nëpunës duke u interesuar për gjendjen te ne në Kosovë e besa edhe në regjion. Dr. Boja, me gjuhën e tij elokuente, ju ofronte informacione të bollshme për Kosovën dhe gjendjen jo të mirë nëpër të cilën ajo po kalonte. Në ndërkohë, na pranoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i Rabitas. Pas një gjysmë ore përafërsisht, ne dolëm nga kabineti i tij, unë duke menduar se takimin e mbaruam. Dr. Boja po më thoshte se do të presim pak aty në korridor sepse do ta takonte edhe një herë të njëjtin zyrtar. Unë, natyrisht, e pranova pa hezitim, sepse mendoja se nuk do kemi nevojë me pritë edhe gjatë kohë. Dr. Boja ka prit aty edhe disa orë të tjera, deri sa e ka takuar për së dyti Sekretarin, sepse kishte për t’i thënë edhe shumë gjëra që lidheshin jo me Bashkësinë Islame, por me Kosovën dhe për situatën që po mbretëronte asokohe. Sot, nga kjo perspektivë kohore, mbase mund të them se ai që e do institucionin të cilin e përfaqëson, ai që është i vetëdijshëm për nevojat e institucionit të cilit i prinë, përveç se i urtë, i kujdesshëm, i matur, ai duhet të jetë edhe shumë i durueshëm. Dr. Rexhep Boja i kishte që të gjitha këto, për se jam bindur edhe në shumë takime të tjera që ka pasur me personalitete dhe diplomatë vendorë dhe të huaj, qoftë brenda këtu  dhe qoftë edhe jashtë Kosovës. 

Dr. Rexhep Boja gjatë kohës sa ishte në krye të BI-së dhe gjatë kohës sa unë isha i pranishëm aty, ka pasur shumë takime dhe nga më të ndryshmit që secili prej tyre është rast më vete dhe për secilin prej tyre sigurisht që ruaj kujtime të ndryshme, por unë kësaj radhe i shkëputa vetëm këta dy shembuj si kujtime mbresëlënëse. Ta kesh shoqëruar dhe të kesh bashkëpunuar me dr. Bojën nuk ka qenë frikë se do të dalim keq në përfaqësimin e institucionit të BI-së dhe as të Kosovës në përgjithësi, përkundrazi ka qenë kënaqësi dhe mburrje e vërtetë. 

Nuk mundem me këtë rast pa e potencuar edhe një të vërtetë tjetër. Para ardhjes së Rexhep Bojës në krye të Bashkësisë Islame të Kosovës, nuk kemi pas kontakte e as bashkëpunim me botën arabe-islame të çfarëdo karakteri qoftë. Rexhep Boja ka qenë ai që na i ka hap dyert dhe kemi filluar kontaktet me këto shtete, kontakte këto që më vonë u intensifikuan jashtëzakonisht shumë dhe vazhdojnë edhe sot e gjithë ditën. Ai është nismëtar i kësaj pune. Në kontaktet me atë botë për ne dhe për vendin tonë, pa na pyetur fare, kanë folur të tjerët. Prandaj, për këtë çështje kaq me rëndësi, merita, e tërë merita i takon atij.

Falë gatishmërisë së tij, ai ka marrë pjesë në shumë Konferenca ndërkombëtare, sesione shkencore, vizita të shteteve të ndryshme duke i vizituar të thuash shumicën dërmuese të Botës Arabe, shumë shteteve evropiane e deri në SHBA, Pakistan e në Afrikën e Jugut. Këto kërkojnë sakrificë, mundim, durim e qëndrueshmëri.

9. Kalimi në botën tjetër

Dr. Rexhep ef. Boja ndërroi jetë më 14 shtator 2021, ndërsa u varros më 15 shtator 2021 në vendlindje – Kërnicë të Klinës, ku morën pjesë familjarë, miq, dashamirë, kolegë e autoritete fetare nga Bashkësia Islame e Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, e autoritete politike lokale e qendrore, të cilët në fjalët e tyre të rastit vlerësuan lart punën dhe kontributin fetar dhe kombëtar të Dr. Rexhep Bojës. Në varrim morën pjesë një numër i madh i njerëzve, të cilët me lot në sy kishin shkuar ta përcillnin për në botën e amshuar, sikundër që edhe numri i hoxhallarëve pjesëmarrës në këtë ceremoni ishte tejet i madh. Një punë të mirë e kishin bërë edhe organet komunale të Klinës që e kishin organizuar Policinë të drejtonte e udhëzonte numrin e madh të pjesëmarrësve në varrim. Kjo iu ndihmoi shumë në veçanti atyre që vinin nga qytetet tjera të Kosovës si dhe atyre nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.

Namazit të xhenazes i priu myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim ef. Tërnava, ndërsa duanë e xhenazes e bëri kryetari i BFI-së të Maqedonisë së Veriut, hfz. Shaqir ef. Fetahu.

Si përfundim

Në përmbyllje të këtyre pak rreshtave, do të doja të shtoja se unë, Dr. Rexhep ef. Bojën, prore do ta kujtoj si njeri që fenë e atdheun i ka dashur me aq vendosmëri, sa ka qenë në gjendje të sakrifikonte edhe jetën e tij për këtë qëllim. Nga viti 1989 e deri në kohën e luftës në Kosovë, ai vazhdimisht ka qenë cak i policisë serbe. Ngado që ka lëvizur, ngado që ka shkuar, vazhdimisht ka qenë i përcjellë, e shpeshherë i ndaluar, madje edhe në prani të bashkëshortes dhe fëmijëve të tij, e shumë herë edhe i torturuar. Gjatë vitit 1999 forcat serbe, të cilat e tejkalonin çdo kufi të agresivitetit të tyre, familjes së dr. Bojës ia ndërprenë ngrënien e ushqimit duke ua lënë sofrën me bukë e pjata mbi të dhe i kanë dëbuar nga shtëpia, dhe akoma pa u larguar mirë nga oborri, shtëpisë ia kishin vure flakët.

Shpresojë që në të ardhmen, rreth jetës dhe veprës së dr. Bojës do të shkruhet nga shumë rrafshe dhe do të dalë në shesh puna dhe angazhimi i tij, do të flitet e shkruhet me kompetencë për kontributin e tij të shumanshëm. 

E lus Zotin e Gjithëmëshirshëm që Dr. Rexhep ef. Bojën ta ketë pranuar në mëshirën e Tij të pakufishme dhe ta shpërblejë me Xhenet!

رحمة الله عليه رحمة واسعة

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 489
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT