Kosova me President të ri – Hashim Thaçi sot dha betimin, nesër inaugurohet
-Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës në “Neni 5 Mandati dhe Betimi” përcakton edhe tekstin e betimit:Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia/
Nga Behlul Jashari/PRISHTINË, 7 Prill 2016/ “Betimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Shkëlqesia e Tij, Hashim Thaçi”, ishte në axhendën e seancës soleme të Kuvendit kosovar, sot nga ora 11:00.
Ashtu siç është e paraparë me Ligjin për Presidentin dhe Kushtetutën e vendit, presidenti i zgjedhur i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, e cila u mbajt sot nën kryesimin e kryeparlamentarit Kadri Veseli, ka dhënë betimin para deputetëve.
Ligji për Presidentin e Republikës së Kosovës në “Neni 5 Mandati dhe Betimi” përcakton edhe tekstin e betimit.
“Betohem se tërë fuqinë time do t’ia kushtoj ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, sigurimit të lirive dhe të të drejtave njerëzore e qytetare, respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje e përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia”, u shpreh Thaçi gjatë betimit në Kuvend.
Për të përcjellë nga afër këtë akt, pas të cilit presidenti i ri i vendit do të fillojë mandatin e tij, në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delaëie, si dhe shumë ambasadorë të tjerë të shteteve mike.
E pranishme gjatë zhvillimeve të kësaj mbledhjeje ishte edhe presidentja në largim, Atifete Jahjaga.
Nuk ishin të pranishëm deputetët opozitarë, VV, AAK dhe Nisma.
Mbledhja filloi me ceremoninë e betimit, e më pas është intonuar himni shtetëror.
Pas kësaj, presidenti i ri i vendit, Thaçi, të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë përshëndetëse, për mes së cilës shpalosi objektivat dhe përqendrimin në punën e tij gjatë mandatit.
Me këtë rast, Presidenti Thaçi tha: “Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, sot është një moment i veçantë në jetën time. Moment i krenarisë dhe përgjegjësisë. Karriera ime politike dhe jetësore pasqyron zhvillimet nëpër të cilat ka kaluar Kosova në tri dekadat e fundit”.
Jam angazhuar, tha ai në vijim, në të gjitha proceset që kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Duke shprehur konsideratën e tij për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e vendit, Presidenti Thaçi, me këtë rast theksoi e vlerësoi sakrificën legjendare të komandantit Adem Jashari, si dhe kontributin e Presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Presidenti i ri i Kosovës foli më pas edhe për aspiratat e vendit, duke nënvizuar përpjekjen për integrimin në strukturat evropiane dhe në NATO.
Ai foli po ashtu edhe për dialogun me Serbinë, të cilin e konsideroi si të pa alternativë, duke theksuar se, “të kaluarën nuk mund ta ndryshojmë, por, nuk do ta përsërisim”.
Presidenti Thaçi u zotua se do të luaj rol unifikues për arritjen e konsensusit të spektrit politik dhe të qytetarëve, ndërsa u shpreh i lumtur se Kosova është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon.
Ai vlerësoi lart edhe faktin se Kosova është rreshtuar në Bllokun Antiterrorist në botë.
Në përfundim të fjalës së tij, Presidenti i ri i vendit Thaçi, tha:
“Në angazhimet e mia do të respektoj Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euro-atlantike. Gjithmonë do të nisem nga oferta ime për dialog politik ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me mediat, biznesin dhe me iniciativat e lira. Do të ruaj, kultivoj dhe përfaqësoj unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”.
Në fund, kreu i Kuvedit, Kadri Veseli, duke i uruar suksese dhe punë të mbarë Presidentit Thaçi, ai po ashtu, falënderoi Presidenten në largim, Atifete Jahjaga, për kontributin e deritanishëm në rolin e saj si Presidente.
Presidentja në fund të mandatit, Atifete Jahjaga, e zgjedhur në krye të shtetit në 7 prill 2011, e para Presidente Republike në Kosovë e në vendet fqinje, detyrën ia dorëzon Presidentit të ri të zgjedhur, Hashim Thaçi, i cili do të inaugurohet me një ceremoni në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në 8 prill, pas betimit sot në Kuvend, ku u votua nga deputetët në 26 shkurt 2016.
Sipas Ligjit për Presidentin, “Presidenti i Republikës së Kosovës fillon mandatin pasi të ketë dhënë betimin para Kuvendit të Kosovës”.
Poashtu me Ligj përcaktohet: “Mandati i Presidentit është pesë (5) vjet. Ky mandat nuk ndërlidhet dhe nuk është i përputhshëm me mandatin e institucioneve të tjera” dhe “pas përfundimit të mandatit të parë, Presidenti mund të rizgjidhet vetëm edhe për një mandat”.
Hashim Thaçi merr detyrën si Presidenti i pestë i Kosovës së lirë nga qershori 1999 – afër 17 vite. Nga katër paraardhësit, i pari ishte Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm një muaj në këtë post, si dhe Presidentja në përfundim të mandatit Atifete Jahjaga.
Kuvendi i Kosovës, i përbërjes aktuale, është konstituuar plot gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit 2014 – në 8 dhjetor, ndërsa të nesërmen ka zgjedhur qeverinë e Kosovës, të koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe komunitetet pakicë.
Në dokumentin e marrëveshjes së koalicionit, të 8 dhjetorit 2014, sipas së cilës postin e kryeministrit e mori kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, theksohej se, “për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës do të votohet kandidati i propozuar nga PDK-ja, pas përfundimit të mandatit aktual në përputhje me Kushtetutën – Hashim Thaçi”.
Marrëveshja përcaktonte edhe se, deri në zgjedhjen President Thaçi do ta udhëheqë politikën e jashtme për më shumë se një vit, duke qenë zv/kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës.
Thaçi ka dhënë dorëheqje nga këto dy funksione në qeveri, si dhe nga kryetari i PDK-së, partisë që e themeloi në tetor të vitit të parë të lirisë 1999 dhe e udhëheqte deri në shkurt 2016, pasi Kushtetuta prcakton se, “pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”.
Në qeverinë e Kosovës, e cila zhvilloi dje mbledhjen e 83-të, të 16-tën në vitin 2016, së shpejti pritet të emërohen zëvendëskryeministri dhe ministri Punëve të Jashtme, të cilat poste i mbante presidenti i zgjedhur.
Më parë, gjatë karrierës politike, Hashim Thaçi ishte i zgjedhur tre herë kryeministër i Kosovës. Thaçi u zgjodh kryeministër i Kosovës në 9 janar 2008, pas fitores së PDK-së në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, dhe u rizgjodh pas fitores së dytë në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, të cilat ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008, të njohur deri tani nga 111 shtete anëtare të OKB-së.
Nga marsi 1999 deri në janar të vitit 2000, Thaçi ishte kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës (Qeverisë së Unitetit).
Në 12 dhjetor 2014, kryeministri Hashim Thaçi i dorëzoi detyrën kryeministrit të sapozgjedhur, Isa Mustafa, me të cilin nënshkruan marrëveshjen për bashkëqeverisje të Kosovës, duke dhënë kështu edhe mesazhin si dy liderë të partive më të mëdha kosovare se, rivaliteti politik edhe kur është më i madhi i mundshëm nuk është armiqësi dhe përtej interesave partiake edhe mund t’i bëjë bashkë për interesat madhore të shtetit, kombit e të ardhmes zhvillimore dhe euroatlantike.
Edhe pse zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014 ishin të parakohshme, kryeministri Hashim Thaçi përmbushi të plotë mandatin e dytë, që është katërvjeçar, pasi zgjedhjet e jashtëzakonshme ishin mbajtur pikërisht para katër viteve, në 12 dhjetor 2010.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, PDK, tre herë fituese e zgjedhjeve, para koalicionit të tanishëm me LDK ishte edhe dy herë të tjera në koalicion-bashkëqeverisje me këtë parti, si dhe me AKR-në, por asnjëherë deri tash nuk e kishte Presidentin në ndarjen e posteve.
Hashim Thaçi, në karrigen e Presidentit
Atifete Jahjaga i ka treguar rrugën për në zyrën e re, pasardhësit të saj Hashim Thaçit.Edhe pse dëshirë e këtij të fundit ishte të niste punën nga ndërtesa e re e presidentit, duket se do t’i shtyhet ndërrimi i zyrës.Jahjaga e ka shoqëruar Thaçin deri në zyrën e tij të re, duke i dorëzuar kështu edhe ‘çelësat’ e presidencës.
Me të hyrë në zyrën e presidencës, Thaçi është ulur në karrigen e presidentit, duke nisur kështu zyrtarisht mandatin e të parit të vendit. /KosovaPress/
Betohet si President i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi/
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë sot betimin para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke filluar zyrtarisht mandatin pesëvjeçar të Presidentit të Kosovës. Ai gjatë betimit tha se tërë fuqinë e tij do t’ia kushtojë ruajtjes së pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.
Thaçi: Tërë fuqinë time do ia kushtoj ruajtjes së Pavarësisë
“Betohem se tërë fuqinë time do të ia kushtoj ruajtjes së Pavarësisë, Sovranitetit dhe Integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Sigurimit të lirive dhe të drejtave njerëzore tërë qytetare. Respektimit dhe mbrojtjes së Kushtetutës dhe ligjeve, ruajtjes së paqes dhe mirëqenies së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe me ndërgjegje dhe përgjegjësi do t’i kryej të gjitha detyrimet e mia, betohem“, ka lexuar Thaçi tekstin e betimit.
Në këtë seancë solemne ishin të pranishëm shumë ambasadorë, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, por jo edhe opozita, disa deputet të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe ish-kryeministri i Kosovës dhe bashkëpartiaku i Hashim Thaçit, Bajram Rexhepi. Derisa aty shiheshin përfaqësues të familjes Rugova, munguan përfaqësuesit e familjes J ashari dhe Haradinaj.
Pas betimit, presidenti Thaçi para deputetëve ka thënë se ky është një moment i krenarisë, i përgjegjësisë dhe moment i veçantë në jetën tij.
Thaçi: Do të jem faktor unifikues politik dhe qytetarë
“Kosovën bashkërisht e kemi ndryshuar. Tani do të jem në detyrë të re, me përgjegjësi të re për një Kosovë të re demokratike, evropiane dhe multi-etnike. Kam shpresë dhe besim në vendin tonë dhe në qytetarët tanë, kam besim të plotë në Institucionet e Kosovës, në Parlament dhe në Qeverinë e Kosovës kam besim se do të vazhdohet me qeverisje të mirë. Si president do të jem garanc i respektimit të Kushtetutës dhe ligjeve, mbrojtës dhe përfaqësuesve i interesave të Kosovës. Do të jem faktor unifikues politik dhe qytetarë, përfaqësues i gjithë qytetarëve pa dallim etnie, feje, race apo gjinie. Të nderur qytetar të Kosovës, më lejoni që të falëndero j presidenten Jahjaga për punën e saj të shkëlqyer që ka bërë në këto 5 vite si simbol i unitetit politik dhe qytetarë”, tha ai.
Thaçi ka theksuar se edhe në detyrën e re si President i Kosovës do të vazhdojë të angazhohet për një Kosovë të re, demokratike, evropiane dhe multietnike.
Ai është zotuar se do t’i afirmojë më tutje vlerat sublime të Deklaratës së Pavarësisë dhe të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Sipas tij, qëllimi dhe vizioni i qytetarëve të Kosovës është integrimi në Bashkimin Evropian, në NATO si dhe miqësia e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Presidenti Thaçi ka përmendur se shteti i Kosovës është njohur nga 119 vende të botës, është anëtarësuar në shumë organizata rajonale dhe ndërkombëtare, kurse, në ditët në vijim Kosova pret rekomandimin për liberalizimin e vizave, ku qytetarët e Kosovës si gjithë evropianët do të lëvizin lirshëm.
Thaçi:Këtë detyrë do ta vazhdojë në komunikim me qytetarët
“Sot Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti ne rajon. Kosova po zhvillon marrëdhënie të mira fqinjësore me gjitha vendet e rajonit. Shteti i Kosovës është i zotuar të vazhdoi dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në këtë proces e kemi pasur dhe kemi mbështetjen e fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë. Të dy vendet dhe popujt tanë kanë të kaluar të hidhur mes vete. Të kaluarën ne nuk mund ta ndryshojmë por jemi të zotuar të mos e përsërisim. Ta ndërtojmë të ardhmen bazuar në vlerat tona tradicionale më të mira dhe standarde euroatlantike. Të dy vendet duhet të punojnë që të anëtarësohemi sa më shpejtë në BE, duke lehtësuar njëra-tjetrën dhe jo duke e penguar. Dialogu nuk ka alternativë por tani duhet të ketë një dinamikë të re dhe energji të re vendimmarrëse dhe implementuese. Si president i vendit edhe sa i përket dialogut do ta punojmë për nderimin e një konsensusi sa më të gjerë qytetarë. Kosova do të punojë në mënyrë ma aktive për tu bërë anëtare e nismave rajonale evropiane dhe ato botërore. Kosova do të punoj ngushtë me partnerët ndërkombëtarë që të bëhet anëtare e OKB’së. Kosova është pjesë aktive e bllokut anti-terrorist në botë. Do të jemi të pa kompromisë kundër fundamentalizmit dhe çdo elementeve ekstremist kudo dhe kurdo që paraqiten. Jam i vetëdijshëm që të jesh president i Kosovës është nder dhe përgjegjësi politike, kombëtare dhe kushtetuese. Këtë detyrë zotohem se do ta vazhdoj në bashkëpunim dhe komunikim të ngushtë me ju“, ka thënë ai.
Ai shtoi se do të përmbyllin procesin e formalizimit për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, si force multietnike e standardeve euroatlantike.
Thaçi: Do ta përfaqësojë unitetin e popullit
“Ne jemi krenar për tà « kaluarën tonë heroike. Shumë breza u sakrifikuan për të ardhur këtu ku jemi sot dhe sot kujtojmë përpjekjet për liri të Presidentit Ibrahim Rugova, dhe sakrificën legjendare të Komandantit Adem Jashari dhe gjithë dëshmorëve të Lirisë. Sot nga ky vend edhe njëherë shpreh konsideratën më të lartë për të gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës…me angazhimet e mia do të respektoj kushtetuan dhe ligjet e Kosovës, traditën e mirë të qytetarisë, kriteret dhe vlerat euroatlantike, gjithmonë do nisem nga oferta ime për dialog politik, ndërpartiak, për komunikim me shoqërinë civile, me mediat, bizneset dhe iniciativat e lira. Si kreu i shtetit do të ruaj, kultivoj dhe përfaqësoj unitetin e popullit të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, Kosova sivjet për herë të parë do të marrë pjesë në lojërat olimpike dhe po punohet që sa më shpejtë të anëtarësohemi në UEFA dhe FIFA.
Ndërkohë, derisa betohej Thaçi, dy të dyshuar kanë hedhur sfera xhami (klikera), duke thyerë pikërisht xhamat e sallës plenare të Kuvendit të Kosovës. Ata janë arrestuar nga Policia e Kosovës, të cilët më pasu intervistuan nga prokurorja.
Pas përfundimit të cermonisë, Jahjaga e ka shoqëruar Thaçin deri në zyrën e tij të re, duke i dorëzuar kështu edhe ‘çelësat’ e presidencës. Me të hyrë në zyrën e presidencës, Thaçi është ulur në karrigen e presidentit, duke nisur kështu zyrtarisht mandatin e të parit të vendit.
***
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe Presidentja në largim Atifete Jahjaga kanë bëre pranim dorëzimin e detyrës.
Jahjaga ja ka dorëzuar karrigen e saj presidentit të ri Hashim Thaçit.
Homazhe për dy “Dëshmorët e Atdheut”
Në Pallatin e Kongreseve po mbahen homazhe në nderim të dy pilotëve të Forcave të Armatosura, kapiten Floran Deliaj dhe toger Donald Hoxha, të cilët humbën jetën të mërkurën e 6 prillit, si pasojë e rrëzimit të një helikopteri ushtarak.
Homazhet do të zhvillohen deri në orën 14:00 dhe në to do të marrin pjesë oficerë të lartë të Forcave të Armatosura dhe zyrtarë të tjerë.Ndërkohë, rreth orës 14:30 do të zhvillohet ceremonia mortore tek Varrezat e Dëshmorëve, ku viktimat do të përcillen në banesën e fundit.
Komisioni Shtetëror për Dëshmorët shpalli “Dëshmor i Atdheut” dy pilotët e Forcave të Armatosura.
Helikopteri ushtarak u rrëzua mesditën e së mërkurës në ujrat e liqenit të Shkodrës pranë fshatit Grizhë të Malësisë së Madhe.
Nga aksidenti mbijetoi vetëm një nga tre personat që gjendej në bord, ushtari profesionist Gerald Baramuca, po merr mjekim në spital.
Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet, duke ngritur një grup hetimor në lidhje me rrëzimin e helikopterit në Liqenin e Shkodrës.
Grupi hetimor drejtohet nga Prokurori Granit Shahu, i cili sëbashku me specialistët e tjerë kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të rrëzimit të helikopterit ushtarak.
Aksidenti tragjik – Bazo: Humbën jetën dy ushtarakë të devotshëm
Presidenti Nishani shpreh ngushëllimet për viktimat e helikopterit ushtarak të rënë aksidentalisht/
-Dy ushtaraket u shpallen “Deshmore te Atdheut”/
Ne Foto:Togeri Donald Hoxha, i cili humbi jetën në aksidentin e sotëm tragjik të rrëzimit të helikopterit të Forcave të Armatosura, kishte planifikuar të martohej në muajin korrik./
Shefi i Shtabit të Pergjithshem te FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo,ne nje në një konferencë për mediat te merkuren pasdite sqaroi detaje për ngjarjen e rëndë të rrëzimit të helikopterit të FA në Malësinë e Madhe ne veri te vendit.Bazo në prononcimin e tij për mediat pohoi se “Me keqardhje duhet të bëj me dije se dy nga anetarët e ekuipazhit, kapiten Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxha, kanë humbur jetën, ndërsa personi i tretë, ushtari Gerald Baramuca është plagosur dhe po trajtohet në spitalin rajonal të Shkodrës, ku fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën”.
“Knë humbur jeten dy ushtarake të devotshëm, dy pilote të talentuar, që gjithmonë kanë qenë të gatshëm të sakrifikojnë për të tjerët e me këtë rast, në emër të ministrisë së Mbrojtjes, Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe personelit me uniformë ose jo të FA, përcjellim ngushëllimet për familjarët e të rëneve në krye të detyrës. Ju urojmë shërim të shpejtë të plagosurit. MM dhe Shtabi i Përgjithshëm menjëhere kane angazhuar burimet në dispozicion për të hedhur dritë mbi rrethanat në të cilat ka ndodhur ky aksident tragjik”, tha Bazo.
Presidenti Nishani shpreh ngushëllimet për viktimat e helikopterit ushtarak të rënë aksidentalisht/
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura shpreh dhimbjen e thellë për dy viktimat e shkaktuara nga rënia aksidentale e helikopterit ushtarak sot në mesditë në Liqenin e Shkodrës, në zonën e Malësisë e Madhe.
“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e rrëzimit aksidental të helikopterit ushtarak në ujërat e Liqenit të Shkodrës si dhe për humbjet e jetëve të vyera të Kapiten Florian Deliaj dhe Togerit Donald Hoxha.
Në cilësinë e Presidentit të Republikës dhe atë të Komandantit të Përgjithshëm, ju shpreh ngushëllimet më të ndiera, edhe në emër të gjithë qytetarëve shqiptarë, familjarëve dhe të afërmve të dy të ushtarakëve të rënë në krye të detyrës duke i siguruar njëkohësisht se gjendem pranë tyre shpirtërisht në këto çaste të rënda e të trishtuara.Në të njëjtën kohë i uroj shërim të shpejtë edhe ushtarit të lënduar në këtë aksident tragjik, Gerald Baramuça.Shqipëria dhe Forcat e saj të Armatosura, do të jenë ngahera krenare dhe mirënjohëse përjetësisht për sakrificat dhe vetëmohimin e ushtarakëve tanë” shprehet Kreu i Shtetit shqiptar.
Kodheli: Dhimbje, pikëllim, trishtim për humbjen e dy ushtarakëve të devotshëm/
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka shprehur sot ngushëlimet për dy viktimat e helikopterit ushtarak të rënë aksidentalishtNë një postim në rrjetin social “Facebook”, ajo shkruan:“Floriani dhe Donaldi ishin të destinuar për të qëndruar në qiell. Qielli ishte puna, detyra, pasioni i tyre. Atje lart u prehshin!”
“Dhimbje, pikëllim, trishtim për humbjen e dy ushtarakëve të devotshëm, dy pilotëve të talentuar, dy djemve model për shoqërinë.”, thekson Kodheli.
“E kishin jetën përpara, por ranë në lule të moshës, në krye të detyrës. Nuk kam fjalë të ngushëlloj nënat e tyre. Vuaj bashkë me to. I shërbyen vendit dhe dhanë jetën për të. Lutem për shpirtin e tyre. Shërim të shpejtë Geraldit!”, përfundon ngushëllimin e saj ministrja Kodheli.
Dy ushtaraket u shpallen “Deshmore te Atdheut”
- « Previous Page
- 1
- …
- 329
- 330
- 331
- 332
- 333
- …
- 484
- Next Page »