• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi me madhështi 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Amerikë

June 21, 2022 by s p

Luljeta Xhediku/

Shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. festoi me madhështi, nën drejtimin e kryetarit të saj, z. Imer Laçaj dhe kryesisë, 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Amerikë, dy shteteve kaq të rëndësishme për ne. I pari është vendi ynë, vendi amë nga ku kemi rrënjët tona dhe i dyti është kjo tokë e bekuar ku po ndërtojmë jetën tonë dhe të fëmijëve tanë. Çdo gjë ishte mirëorganizuar, që nga anëtarët e shoqatës që ishin rreshtuar për të pritur të ftuarit, duke u dhënë dorën përzemërsisht pjesëmarrësve, e deri te flamujt e tullumbacet me flamurin shqiptar e atë amerikan të vendosur në çdo tavolinë. Një kënd tepër i rëndësishëm ishte rezervuar për disa foto, të cilat u publikuan për herë të parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe janë dhuruar nga Biblioteka Noliane në Boston posaçërisht për shoqatën shqiptaro-amerikane “Skënderbej”, me rastin e festimeve të 100-vjetorit. Në këto foto pasqyroheshin përpjekjet e komunitetit shqiptar për të krijuar marrëdhënie me shtetin amerikan. Programin e prezantoi në mënyrë tejet profesionale, sekretarja e shoqatës znj. Alketa Ktona Veshi. Programi u hap me këndimin me dorë në zemër, ashtu siç u takon dy himneve tona, atij amerikan dhe shqiptar. Fjala e hapjes së simpoziumit dhe drekës argëtuese u mbajt nga kryetari i shoqatës z. Imer Laçaj. Z. Laçaj u uroi mirëseardhjen të ftuarve dhe anëtarëve të shoqatës në këtë event tepër të rëndësishëm siç ishte 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ndër të tjera, z. Laçaj theksoi: “Të nderuar pjesëmarrës, ndodh rrallëherë në histori që një shtet kaq i madh sa është SHBA, me ekonominë më të fuqishme në glob, superfuqia më e madhe ushtarake botërore, simbol i përjetësimit të të drejtave të njeriut dhe të fjalës së lirë të ofrojë miqësinë dhe përkushtimin ndaj një populli të vogël siç është kombi ynë. Ne ndihemi me fat dhe krenar për këtë. Theksoj, vazhdoi zoti Laçaj se, lidhjet tona filluan me vendosmërinë e Presidentit Thomas Woodrow Wilson për mbrojtjen e territoreve të Shqipërisë dhe ruajtjen e pavarësisë së vendit tonë në Konferencën e Paqes që u mbajt në Paris më 18 janar 1919 deri më 21 janar 1920 dhe që përfundoi me krijimin e Lidhjes së Kombeve”. Sipas z. Laçaj, një rol shumë të rëndësishëm në krijimin e marrëdhënieve dypalëshe, luajti dhe atdhetari, Fan Stilian Noli, themeluesi i “Vatrës”, që me diplomacinë e tij, arriti të takohej me Presidentin Wilson, dhe pikërisht dokumentet dhe fotot që po publikohen ekskluzivisht për këtë aktivitet pasqyrojnë veprimtarinë e Nolit. Pas kryetarit Laçaj, përshëndeti simpoziumin dhe aktivitetin Kryetari i Nderit i shoqatës, z. Bashkim Shehu. Z. Shehu, pasi falënderoi kryetarin e shoqatës, z. Imer Laçaj, për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm theksoi se: “Sot ne jemi mbledhur për të kujtuar një nga ditët më të shënuara të Shqipërisë dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pikërisht jubileun e 100, të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona. Për rëndësinë e kësaj dite ne do të kemi nderin të dëgjojmë një nga mendimtarët më të shquar shqiptaro-amerikan siç është profesor Frank Shkreli.” “Unë,” vazhdoi zoti Shehu, “gjithashtu dua të përgëzoj nga zemra dy nga anëtarët e Nderit të shoqatës, znj. Kozeta e z. Qemal Zylo, të cilët vetëm një javë më parë u dekoruan nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”. Gjithashtu, ai falënderoi të gjithë anëtarët e shoqatës dhe në mënyrë të veçantë ish-kryetarin e shoqatës, z. Mark Qehaja, për kontributin dhe punën e vazhdueshme për çështjen shqiptare.

Në emër të Konfederatës Panshqiptare “Vatra” përshëndeti përzemërsisht publicisti zoti Idriz Lamaj, i cili falënderoi kryesinë e shoqatës, për organizimin e kësaj ngjarjeje tërësisht historike siç është 100-vjetori i marrëdhënieve diplomatike Shqipëri – Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas fjalës përshëndetëse u mbajtën temat e simpoziumit.

Tema e parë “Komuniteti shqiptaro-amerikan dhe 100-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike “Shqipëri – Amerikë u referua nga profesor Frank Shkreli. Tema e dytë “Roli i shoqatës “Vatra”, në marrëdhëniet Shqipëri – Amerikë para viteve 1946 u referua nga Dr. Paulin Marku. Tema e tretë u mbajt nga ast. Prof. znj. Majlinda Tafaj me temë “Konteksti i rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri- SHBA pas viteve 1990-1991”.

Për herë të parë, shoqata shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. në kuadër të këtij 100-vjetori prezantoi grupin e valleve “Skënderbej”, i cili u drejtua me profesionalizëm nga balerini i mirënjohur, z. Klevis Tafaj. Në këtë jubile, grupi i valleve luajti vallen e Tropojës. Koreografia e realizuar plot mjeshtëri nga drejtuesi artistik, Klevis Tafaj, njëkohësisht anëtar i shoqatës, interpretuar nga valltarët e grupit emocionoi të madh e të vogël dhe duartrokitjet ishin të panumërta. Emocionet e kësaj valleje bënë që më pas të gjithë të çoheshin e të vallëzonin nën tingujt e mrekullueshëm të muzikës sonë shqiptare të përzgjedhur nga D.J. Bujar Sadikaj, nga të gjitha trevat shqiptare, njëkohësisht anëtar i kryesisë së shoqatës. Gjithashtu, një moment tepër të rëndësishëm mori edhe prezantimi i website-it të shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. nga inxhinieri teknik, z. Ervin Toro. Qershia mbi tortë e këtij aktiviteti do të ishte interpretimi plot pasion i poezisë “Një shekull marrëdhëniesh në miqësi” nga znj. Majlinda Tafaj dhe shkruar nga publicistja e njohur, znj. Bukurije Buçpapaj. Aktiviteti u mbyll nën një atmosferë tepër festive mes miqsh, duke shtrënguar duart me njëri-tjetrin ashtu siç edhe marrëdhënia e dy shteteve tona do jetë gjithmonë.

New York, 20 qershor 2022

Filed Under: Komunitet Tagged With: Luljeta Xhediku

Kjo ditë historike…

June 17, 2022 by s p

Orsin Turmalaj/

Data 16 Qershor eshtë shumë rendësishme për komunitetin Katolik këtu në Nju Jork. 60 vjet më parë u themelua “Lidhja Katolike Shqiptaro-Amerikane”(Albanian-American Catholic League). Këtu fillojë e gjithë veprimtaria që sot gëzon Kisha Katolike Zoja e Shkodrës.

Me 16 Qershor 1962, në Kishen Sllovene Shen Ciril (St.Ciril Church 62 St.Marks place NY) , u mbajt mbledhja që vuri themelet kësaj Lidhje. Nën Udheheqjen e Dom Zef Oroshit ( para titullit Monsinjor) dhe Pader Andrea Nargaj me një të vogël katolikë Shqiptarë, të ardhur në vitet 60, 61 dhe 62 nga disa kampe refugjate të Austrisë, Greqisë dhe Italisë u bashkuan të gjithë në një Lidhje që ti jepte përfaqësimin e duhur fetar dhe Kishtar në Shtetin e Nju Jorkut për ti hapë rrugë edhe blerjes së një trualli Kishe dhe identifikimin tonë si Bashki Katolike Shqiptaro- Amerikane.

Në fjalimin e kësaj mbledhje Historike, Dom Zef Oroshi ndër tjera theksojë : Jemi shkëndi e vogël që do bahemi dritë e madhe me shëndritë edhe vatrat e errësuara në Atdhe.”

Me 21 Korrik, kjo Lidhje formojë organizimin e saj ku në mbledhje u zgjodhë Këshilli i Lidhjes me Kryetar z.Enrik Gurashi, sekretar Tonin Mirakaj, arkëtar dhe anëtarë Zef Çupi, Mark Barajktari, Zef P. Deda dhe Zef Hasani. Aktiviteti i parë i këtij Këshilli ishte hapja e fushates me 28 Shtator 1962, ku u mblodhën $4000 në atë kohë.

Do të duheshin 7 vjet në kërkim që më në fund Shqiptaret e kesaj Lidhje të kishin Qëndren e tyre që u emrua “Zoja e Këshillit Mirë” ku të gjitha shërbimet fetare u kryen deri me ndertimin e Kishës re “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale.

Kjo Foto është marrë me 22 Korrik 1962, mbas Meshës ku dhe disa anëtarë të Lidhjes janë pjesë e kësaj foto historike.

Dëshmi e këtyre detajeve dhe bashkohor i asaj kohe, është atdhetari, aktivisti, Këshilltar i Kishës sonë për shumë vite me radhë dhe sapo i dekoruar nga Presidenti Ilir Meta i nderuari z.Tonin Mirakaj.

Lavdi gjithë atyre që dhanë mundin dhe realizuan frytet e kësaj Lidhje që ne sot ta gëzojmë Kishën dhe komunitetin tonë Katolik këtu në Nju Jork.

Filed Under: Komunitet Tagged With: ORSIN TURMALAJ

Urimet më të përzëmërta për Vatrën

June 14, 2022 by s p

Zoti Elmi Berisha, Kryetar i Federates Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA,

Zonja dhe Zoterinj Vatrane te nderuar pjesemares në festimin e pervjetorit të Vatrës,

Nga Tirana, kryeqyteti i Shqiptareve, ju uroj gezuar 110 vjetorin e VATRES, dhe suksese ne kete jubile shumë te rendesishem te VATRES tone ne te gjitha aktivitetet e larmishme te kesaj dite te shenuar. Njeherazi uroj qe Vatra te jete gjithnje e ngrohte, te mbledhe rreth saj shqiptaret nga te gjithe trevat ku jetojne; Shqiperi, Kosove, Maqedoni, Mal i Zi, Amerike, Kanada, Zvicer etj.

Duke mbajtur gjalle Kanunoren, idealet e themeluesve te saj, Nolit, Konices, te mos rrudhet, te mos tkurret, te shtoj rradhet me frymen e re, te aktivizoj gruan, te jete e hapur per te thene te verteten, te mbroj dinjitetin shqiptar, te kete busull fjalen e lire, te justifikoj egzistencen e saj ketu ku u themelua, ne epiqendren e lirise dhe drejtesise boterore, ne Amerike.

Suksese,Suksese,Suksese.

Me kosiderate,

Dr.Hilmije Mara (Kosovrasti).

Tirane 12 qershor 2022.

Filed Under: Komunitet Tagged With: dr. Ilmije Mara

Ceremonia e përmbylljes së fundvitit shkollor të shkollës shqipe” Alba Life “, Ambasador i Kombit, New York 

June 10, 2022 by s p

Nga Venera Hoxha Iseni/

Mbresa dhe emocione nga nje festival si prind i Hirës në Shkollën Shqipe “Alba  Life” në Brooklyn 

Atë ditë isha aq e emocionuar gjatë gjithë festivalit, saqë shpesh më rridhnin lotët. Afër e kisha bashkëshortin, i cili e kthente kokën, kohë pas kohe dhe më shikonte duke më thënë: “A kemi ardh këtu me qajt apo me përcjelle Hirën?!” 

Mirëpo unë isha kthyer në kohë mbrapa dhe kisha rrugëtuar me shekuj mbrapa, duke  qenë vajzë e rritur nga fryma për “Bashkimin e Trojeve Shqiptare”, të cilën fryme dhe inspirim e  kisha marr nga babi Shefki Hoxha, i cili ishte aktivist në atë lëvizje dhe kishte përjetuar ditë të tëra si i burgosur nga pushteti i atëhershëm serb. 

Unë nuk mund të flisja apo të jepja ndonjë koment atë ditë, apo të falenderoja mirëpo sot  po ndaj disa rreshta me ju dhe për ju. 

“Sec mu ngjeth trupi në këtë ditë, 04.06.2022 më kaploi nje ndjenjë që se kisha përjetue vec ndër  libra dhe histori kisha lexue. Ndër ato rreshta që kisha lexue e ndëgjue gjeneratë pas gjenerate,  m’u duk se pashe që u ngriten në këmbë tok Thesprotët që nga gjiri Ambrakisë, tuj vazhdu në  Veri me Kaonët, tek Janina me Molosët, në bregdet me Taulantët përgjatë Adriatikut të Mesëm  me Ardianët e deri në rrafsh të Kosovës bashkë me Dardanët me sytë e tyre të kthyem nga  Dalmatët dhe Liburnët me helmeta dhe shtizat e tyre që ndër shekuj luftuan, që pas tyre  Rilindasit me penën e tyre vazhduan luftën e pandalur deri sot tek shkolla shqipe “Alba Life “, që  sot të na njef edhe gjithë bota dhe komuniteti ku jetojmë” 

Tani duke jetuar jashtë vendlindjes mund ta marr me mend sa e vështire ka qenë për  Rilindasit tanë të mbijetojnë dhe të kultivojnë gjuhën dhe kulturën tonë. 

Për ne si prindër është obligim dhe përgjegjësi e dyfishte që të jemi prane gjeneratave dhe t’ju  mësojmë gjuhën dhe kulturën tonë, pasi ne jemi shqiptarë dhe me këtë identifikohemi nga popujt  e tjerë, por që gjithesesi gjithmonë të punojmë në integrimin e vendeve perëndimore. Ne u bashkangjitëm këtë vit në shkollën shqipe “Alba Life” por u ndjeme sikur aty kishim qenë,  vetëm vazhdonim rrugëtimin së bashku. 

Duke ju falenderuar ciftit të mrekullueshëm Znj.Kozeta dhe Z. Qemal Zylo dhe familjes së tyre,  pa të cilët nuk do të ishte realizuar asnjë orë mësimi në gjithë New York-un, mësuesit, prindërit,  stafin realizues dhe të gjithë mysafirët të cilët na nderuan me prezencen e tyre, ju dëshiroj  pushime të këndshme verore. 

6 Qershor, 2022 

New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: venera hoxha iseni

Kristina Kashari, një “yll” në ngjitje, koreografja shqiptare që po shkëlqen në Boston, fituese e kampionatit botëror të Dancit

June 10, 2022 by s p

Intervistoi: Eneida Jaçaj Lamçe/

Një “yll” në ngjitje, me pritshmëri të larta, për të mbizotëruar skenën botërore, në Amerikën e largët! Një artiste profesioniste e kompletuar, një “diell i artë”, me rrezet e saj ndriçon veten dhe kombin, duke na përfaqësuar nga përtej oqeanit! Pas suksesit në Shqipëri, ëndrra e madhe si balerinë dhe koreografe po shpërthen me një energji të papërmbajtshme dhe çdo ditë po njeh arritje e profesionalizëm, edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kur “ëndrra e madhe” që mbartim në zemër, me shumë dashuri dhe pasion, shoqërohet me punë këmbëngulëse, vetëbesim dhe vetëvlerësim, do të sfidojë çdo pengesë dhe me shpejtësinë e erës do të bëhet realitet. E pamundura do të kthehet në të mundur! “Ëndrra e madhe”, si thembra e “Akilit”, nuk është më një ëndërr, por një realitet i prekshëm! Suksesi është triumfi dhe “shpata e Demokleut” për shqiptarët kudo që ndodhen, i cili vjen përmes punës dhe pasionit. Kristina Kashari, vetëm 23 vjeç, e re, e bukur, energjike, po triumfon me sukseset e saj si balerinë dhe koreografe në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Edhe pse në moshe të re, Kristina ishte mjaft e suksesshme dhe profesionale edhe në Shqipëri, por t’i mbizotërosh skenës dhe tregut amerikan, është një arritje e madhe. Kristina u katapultua nga Shqipëria drejt Amerikës, atje ku konkurrenca dhe profesionalizmi është më i madh, si balerinë dhe koreografe, por puna këmbëngulëse, dashuria për artin, pasioni ka bërë që ajo të arrijë shumë në pak kohë, duke treguar se pritshmëritë do të jenë akoma më të mëdha në një të ardhme të afërt. Kristina është fituese e kampionatit më të madh botëror të dancit për dy vite rresht, 2019 dhe 2020. Në Shqipëri ishte balerinë profesioniste, ka kërcyer në videoklipe, koncerte, televiozione me këngëtarë, ku në disa prej tyre ka qenë dhe koreografe. Prej dy vitesh jeton në Boston, ku punon si menaxhere në një nga kompanitë më të mëdha të vendit “Boston Vip List”. Gjatë periudhës së pandemisë, ajo hapi kursin “Kristina online dance” dhe është bashkëpronare me një nga koreografët më të famshëm të Bostonit. Gjithashtu, Kristina bën modeling në Neë York dhe aktrim. 

-Përshëndetje Kristina! Më vjen vërtet mirë kur dëgjoj që të rinj shqiptarë gdhëndin në zemër ëndrra të mëdha, të cilat i realizojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe përtej oqeanit, atje ku konkurrenca është akoma më e madhe. Në Shqipëri, ju keni qenë balerinë profesioniste, madje edhe koreografe, çfarë ju bëri të largoheni drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Boston?

Përshëndetje! Është kënaqësi të intervistohem nga profesionistë si ju! Ju falenderoj!

 Unë, në shtator, bëj 2 vite që kam ardhur në Amerikë. Arsyeja më e madhe që lashë Shqipërinë ishte “Të ndjek ëndrrën time”. Unë, në Shqipëri, isha shumë e realizuar profesionalisht, por ëndrra ime ndodhet këtu në USA, ndaj dhe unë e mora guximin e madh dhe sfidova veten.

-Të uroj vërtet suksese në vazhdim! Sa e vështirë ka qenë për ju si balerinë apo koreografe, të katapultoheni nga Shqipëria drejt Bostonit, për t’u përshtatur me disiplinën, kushtet e punës, stilin profesional por edhe jetësor, në një vend të madh dhe me një treg konkurrues? 

Fillimisht kisha shumë vështirësi, sepse çdo gjë ishte ndryshe nga ajo që unë kisha mësuar ndër vite në Shqipëri. Duke filluar që nga disiplina e punës, bazat kryesore që më duheshin për të qenë koreografe profesioniste, mësimdhënia e shumë detaje të tjera. Por nuk u dorëzova! U aktivizova në klasa profesionale me koreografët më të mirë këtu në USA, për 2 muaj e kapa ritmin e tyre dhe tashmë jam një ndër ta.

-Cili është stili i punës i një koreografi në Amerikë, krahasuar me Shqipërinë? Ju gjeni ndonjë ndryshim të ri te jeta juaj profesionale aktuale, si koreografe në shtetin ku jetoni? 

Ndryshimi është shumë i madh, si nata me ditën do të thoja, por nëse punon fort dhe ke besim te vetja, asgjë nuk është e pamundur. Në krahasim me jetën artistike që unë bëja në Shqipëri, me këtë që bëj në USA, ndryshimi është shumë i madh. Nëse në Shqipëri do të punoja 5 orë ekstra që të mbaja nivelin profesional, këtu në Amerikë më duhet trefishi, pasi, siç e thatë edhe ju, këtu konkurrenca është shumë e madhe; ka shumë talente dhe duhet të punosh shumë fort për të pasur nivelin e lartë kompetitiv.

-Sa mundësi ju ka dhënë Bostoni, shteti ku ju jetoni, për t’u realizuar artistikisht dhe për të qenë sa më shumë profesionale në punën tuaj, krahasuar me Shqipërinë?

Krahasuar me Shqipërinë, nga ana profesionale, më ka dhënë shumë, pasi, siç e thashë dhe meë lart, këtu vinë koreografët më të mirë të botës, për të na trajnuar që të jemi profesionistë si ta. Kurse për mundësi është shumë e vështirë, sepse ka shumë të talentuar, plus kanë vite të tëra që janë pjesë e tregut, dhe është shumë e vështirë për të fituar mundësinë. Unë jam ende duke punuar fort, për mundësinë e madhe, dhe nuk do të heq dorë kurrë derisa ta arrij dhe të tregoj talentin dhe profesionalizmin tim.

-Cilat janë projektet tuaja aktuale dhe ato në një të ardhme të afërt, dhe cila është arritja juaj më e madhe në këto dy vite në Amerikë?

Tashmë, sapo jam duke bërë disa xhirime për video profesionale me dance solo dhe me grup kërcimi. Gjithashtu, unë merrem dhe me modeling në Neë York, jam duke bërë disa shootings me fotografë të famshëm shqiptarë dhe të huaj. Gjithashtu jam pjesë e All Casting dhe Boston Casting, ku jam ende në hapat e parë për t’u bërë aktore dhe për të marrë pjesë në filma dhe seriale. Arritja ime më e madhe në USA është “Kristina Online Dance”, kursi online që hapa gjatë periudhës së pamdemisë, ku, që në ditën e parë pata një pjesëmarrje të jashtëzakonshme me 78 studentë live me mua vetëm nga Amerika dhe 50 nga Europa. Gjithashtu, theksoj që jam mësuesja e parë e dancit dhe koreografja e parë në botë që zhvillova mësimin oline live me studentët në zoom. Madje bënim dhe xhirime nga shtëpia, ku i montoja dhe bëja videon sikur të ishim bashkë dhe jo larg njëri-tjetrit. Ishte shumë eksperiencë e bukur, sepse shumë fëmijë ishin të mbyllur gjatë asaj periudhe dhe mezi e prisnin orën e mësimit. Sapo mbaronim mësimin, i ruaja 30 minuta shtes enkas që ata të flisnin me njëri-tjetrin, dhe të tregonin krijimtaritë e tyre që bënin kur praktikoheshin në shtëpi, si dhe ushtrimet e ndryshme gjimnastikore që i mësonin gjatë orës së mësimit.

-A janë të interesuara nënat e reja shqiptare të sjellin fëmijët e tyre të marrin mësime si balerinë? Cili është zhanri artistik që ju jeni më e profesionalizuar në fushën tuaj si koreografe?

Kur nisa për herë të parë mësimdhënien në USA, studentët e mi të parë ishin shqiptarë. Të gjitha nënat, kur e morën vesh që unë isha shqiptare dhe që edhe pse në moshë shumë të vogël isha shumë e arritur profesionalisht dhe koreografe e kompletuar në zhanrin tim, ato ishin të gatshme që t’i angazhonin fëmijët e tyre duke më mbështetur dhe duke pasur besimin e plotë te unë. As dy javë nuk zgjati dhe puna ime ishte mbresëlënëse saqë shumica filluan të më kërkonin orë private për fëmijet e tyre. Zhanri im është Hip Hop Neë Style Dance dhe sporti i gjimnastikës, pasi që në moshën 3 vjeçare kam qenë gjimnaste. Në orët e mësimit përveçse u mësoja hapat e dance, u bëja dhe ushtrime akrobatike dhe gjimanastikë artistike. Gjithashtu, duke qenë se jemi dhe shqiptarë dhe padyshim na mungon ajo fryma e atdheut, u mësoja fëmijëve dhe disa nga vallet e trevave tona. Prindërit ishin shumë të lumtur, sepse disa prej fëmijëve të tyre kanë lindur në USA, disa s’kishin qenë kurrë në Shqipëri, dhe sa herë që bënim mësim u dukej sikur ishim në Shqipëri, sepse mësimin e zhvilloja në gjuhën shqipe dhe anglisht.

-Kur zgjoheni në mëngjes, ndodh t’i thoni vetes “bëra mirë apo bëra keq”, që u largova nga Shqipëria?

Kjo është një pyetje shumë e bukur! Çdo mëngjes kur zgjohem dhe çdo darkë që vë kokën në jastëk, falenderoj zotin për këtë mundësi të artë që më dha në jetë! Jam shumë e lumtur që ndodhem në USA, sepse këtu është vendi i duhur për të bërë ëndrrat realitet dhe për të realizuar të gjitha dëshirat. E dua shumë Shqipërinë, por mundësitë për të rinjtë janë të limituara. Ndërsa këtu ka shumë mundësi, është e vështirë t’i fitosh, por e ardhmja është e sigurt!

-Kur ëndrrat janë shumë të mëdha dhe kur i dëshirojmë pa masë, ato bëhen vërtet të realizueshme. Por kur ndiejmë edhe mbështetjen e të tjerëve, marrim një emocion, energji pozitive, që na shtyn të ndriçojmë akoma edhe më shumë. Ju e keni ndierë mbështetjen e komunitetit shqiptar në Boston? 

Është shumë e vërtetë! Unë ndihem shumë e privilegjuar, pasi e pata fatin ku kisha shumë mbështetës, dhe i kam ende në rrugëtimin tim. Komuniteti shqiptar ishte i pari që më dha dorë që unë të bëj arritjen time të parë në USA. Çdo ditë më mbështesin dhe më thonë do ia dalësh, “ti je talent, je krenaria jonë”. I falenderoj me zemër për çdo fjalë të ngrohtë dhe për mbështetjen që më japin çdo ditë!

-Ju kanë mbështetur më shumë emocionalisht shqiptarët e Shqipërisë, apo të Amerikës?

Nuk do të veçoja asnjë pasi të dyja palët, si shqiptarët e Amerikës dhe ata të Shqipërisë, më kanë mbështetur dhe më kanë ndjekur në çdo hap timin deri më sot. Dua të them që ndihem shumë me fat për këta njerëz të mrekullueshëm, popullin tonë të dashur shqiptar, që janë kaq njerëz të mrekullueshëm, zemërmirë, mbështetës dhe që besojnë në talentin dhe punën time. Ata janë forca ime më e madhe!

-A mund të na i shpjegoni me pak fjalë, si është një ditë e zakonshme për ju?

Unë kam një ditë shumë të ngarkuar. Zgjohem në 5:30 AM, shkoj në palestër ku bëj gjimnastik dhe fitness, deri në orën 8:00 AM. Pastj nisem për punë nga ora 9:00-5:00 PM. Punoj në një kompani si menaxhere e Boston Vip List. Pasi mbaroj punën, iki në shtëpi të ndërrohem dhe të përgatitem për klasat e dancit, të cilat i nis nga ora 6:30 PM – 10:30 PM. Pasi mbaroj klasat shkoj te puna e dytë 11:00 PM -1:00 AM, ku bëj xhirimin dhe montazhin në studio të videove të punës dhe të eventeve të kompanisë. Më 1:00 AM nisem direkt për shtëpi, fatmirësisht e kam 22 minuta larg, dhe kështu e përfundoj ditën. 

-Në përfundim të kësaj interviste, do doja të jepnit një mesazh, duke u nisur nga eksperienca juaj, për ata të rinj që kanë ëndrra shumë të mëdha, të cilët jetojnë qoftë në Shqipëri, apo në një vend tjetër të botës.

Në bazë të eksperiences time ndër vite, unë do të këshilloja për çdo të ri ose te re, qoftë dhe për fëmijët dhe bashkëmoshatarët e mi që kanë ëndrra të medha, të mos ndalen kurrë së shpresuari dhe së punuari fort, për t’i bërë ato realitet. Nëse do ketë një moment dobësie apo demoralizimi, kthjellohuni dhe mendoni synimin tuaj të jetës! Dijeni se jeni shumë të fortë dhe që një ditë do t’ia dilni sado larg të duket ajo ditë, nëse ju keni besim te vetja do të vijë shumë shpejt. Gjithashtu, nga eksperienca ime që askush s’më ndihmoi, nëse ndodh dhe me ju, dijeni se nuk keni nevojë për askënd, vetëm besoni te vetja juaj dhe te ëndrra juaj; punoni pafund dhe nëse lodheni vazhdoni të punoni, sepse një ditë do t’ia dilni mbanë! Ëndrrën tuaj mos ia tregoni askujt, ajo është gjëja më e çmuar e juaja, ruajeni dhe kur ta arrini atëherë tregojani të gjithë botës! Mos u dorëzoni kurrë dhe mos u ndalni për asnjë arsye ose pengesë që mund të hasni rrugës. Është në dorën tuaj sa shumë e doni ta arrini dhe ta realizoni ëndrrën tuaj! Provoni çdo mundësi, nëse mundësia nuk vjen, krijojani vetë vetes mundësinë, dhe gjithçka do të realizohet. Ju jeni gjithçka, duajeni veten tuaj dhe besoni fort në aftësitë dhe dhuntitë tuaja!

Filed Under: Komunitet Tagged With: eneida jacaj lamce, kristina kashari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 98
  • 99
  • 100
  • 101
  • 102
  • …
  • 386
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT