• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Falja dhe pajtimi – parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi

February 3, 2022 by s p

Don Lush GJERGJI /

Njeriu dhe njerëzimi s’mund të jetojnë pa falje dhe pa dashuri. Falja, pajtimi dhe dashuria nuk është thjesht vepër njerëzore, çështje e arsyes, vullnetit apo përcaktimit tonë, sepse mendoj se pjesa dërmuese e njerëzimit e kupton se e keqja nuk mundet me të keqe, por vetvetiu është tejet e vështirë, mos të them e pamundshme, pasiqë i tejkalon fuqitë tona njerëzore. Shi për këtë pa besim dhe pa ndihmën e Zotit dhe të rrethit, përkrahjen, pjesëmarrjen tonë vëllazërore nuk mundet e keqja e urretjtes, mënisë, gjak apo hakmarrjes. Këtë e ka vërtetuar edhe përvoja jonë sidomos gjatë vitit 1990, ku kemi gjetur dhe përjetuar se motivet fetare dhe kombëtare dukshëm lehtësonin pajtimin, faljen, tejkalimin e çdo lloji vështirësie, si shtylla të fuqishme veprimi. Pa këto elemente ne bëjmë “vrasje, hakmarrje apo edhe gjakmarrje” psikologjike, shpirtërore, nëpërmjet indiferentizmit, egoizmit, egocentrizmit, karierizmit, materialimit, konsumizmit, hedonizmit, moskujdesit për të varfër dhe të mjerë si dhe shumë dukurive tjera shëmtuese, sidomos dukurisë së shtimje, shpifjes, përgojimit, paragjykimeve, përkrahjes dhe solidaritetit për të keqe, që fatkeqësisht janë gjithnjë në rritje dhe në zhvillim të hovshëm ndër ne.

NJERIU ËSHTË NJERI AQ SA KA DASHURI, sa di dhe do të ketë mirëkuptim, dhembje, mëshirë për të tjerët, të falë dhe të kërkojë falje, pra, sa jeton me dashuri dhe për dashuri.
 

Kjo ndërlidhet ngushtë edhe me aspektin fetar, botëkuptimor, kombëtar, gjithënjerëzor. “Nëse ndokush thotë: “E dua Hyjin” e këndej e urren vëllanë e vet që e sheh, Hyjin që nuk e sheh, s’mund ta dojë” (1 Gjn 4, 20).
 

Urrejtja është djallëzore, vdekje-sjellëse, vrastare, vetëvrasje, vëllavrasje, ndërsa dashuria dhe falja janë hyjnore dhe frytdhënëse. Shën Gjoni urrejtjen e krahason edhe me verbëri, terr: “Kush e urren vëllanë e vet, gjendet në errësirë dhe ecën në errësirë. Nuk di kah shkon sepse terri ia ka verbuar sytë” (1 Gjn 2, 11). 
Jezusi thotë:“Por ju them juve që më dëgjoni: Doni armiqtë tuaj, bënu mire atyre që ju urrejnë, bekoni ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë… Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre… Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse /edhe/ Ati juaj është i mëshirshëm. Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni. Mos dënoni dhe nuk do të dënoheni! Falni dhe do të gjeni falje!” (Lk 6, 27-28. 31. 36-37).
Pse njeriu i sotshëm, sidomos ne Shqiptarët, falim pak, vështirë, gati edhe keq, pjesërisht, vetëm në disa rrethana të rrezikimit, të luftave, si ndodhi gjatë vitit 1990? 

Gabimi i parë më duket se edukimi i rrebtë dhe formal, që mbështetet kryesisht në urdhëra, ndalime, krijon më tepër ndjenjën e frustrimit, hurxhit dhe të paaftësisë, mbylljes, e cila shpesh shpërthen në agresivitet, sulm, urrejtje dhe në shkatërrimi, sepse familja dhe shoqëria jonë më tepër mbështet në ligje, rregullore, tradita, se në marrëdhënie ndërnjerëzore, ndërfamiljare, në përvojën e mirësisë dhe dashurisë së ndërsjellët. Ne duhet t’i zbulojmë dhe t’i përkrahim anët pozitive te vetja dhe te tjerët, sepse nëse rritet e mirja, vetvetiu pakësohet e keqja. 

Gabimi i dytë është garimi i egër për punë, fitim, sukses me çdo kusht, ku njeriu nuk është më askush dhe asgjë nëse nuk punon, nuk fiton, nuk ka sukses në krahasim me të tjerët, pra, subjekti-njeriu objetivizohet apo bëhet gjësend. Në këtë “garë” të pamëshirshme dikush lodhet, ndalet, çalon, s’ka fuqi dhe mbetet i frustruar, ndihet keq, nuk e ka më mbështetjen e të tjerëve, dhe si i tillë potencialisht është “kandidat” për urrejtje ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve. Bota, të tjerët janë fajorë për fatin e keq, për mossukses, për dështime, prandaj janë psikologjikisht dhe shpirtërisht të cunguar, të anësuar, të dëmtuar dhe si të tillë në hall me vetveten dhe me të tjerët. 

Gabimi i tretë është feja vetëm si njohuri, rregullore, ligj, në anën thjesht formale, pa përvojë dhe jetësim me Zotin-Dashuri dhe me vëllaun njeri. Nga përvoja e fesë së Zotit-Dashuri i cili në vazhdimësi është edhe falje, mëshirë, pajtim, ndërrim, përmirësim, mësohemi dhe aftësohemi edhe ne deri diku t’i përngjajmë atij, jemi të lumtur në falje ndaj të tjerëve. 

Ne Shqiptarët sot jetojmë ose nën ndikimin e individualizmit të tepruar, bajraktarizmit, vetëm si të them unë, ose të kolektivizmit anonim, mentalitetit turmor dhe grumbullor, si thonë dhe veprojnë të tjerët, pa pasur mundësi të jemi vetvetja, pa ndonjë orientim dhe përcaktim jetësor. Ndikimi i të tjerëve, i rrethit të ngushtë apo të gjerë, ende është shumë i madh, mos të them edhe vendimtar, kryesisht negativ, duke cunguar identitetin dhe personalitetin, orjentimet, bindjet, përcaktimet, veprimet dhe jetën personale dhe familjare. Shqiptari rregulloren kryesore të jetës e ka këtë parim: Si të tjerët! Kur të tjerët falin, si ndodhi gjatë vitit 1990, atëherë edhe unë ose edhe ne…, ndërsa sot, është ndryshe. 

Falja tek ne ende fatkeqësisht trajtohet si dobësi, ndërsa hakmarrja dhe gjakmarrja si trimëri, si traditë e shenjtë shqiptare, si virtyt i pamohueshëm nga rrethi familjar dhe shoqëror traditor, sipas parimit të pakuptimët: gjaku nuk falet as nuk tretet kurrë! 


Në tekstet shkollore, në literaturë, në krijimtari të ndryshme, si poezia, proza, piktura, skulptura, muzika, filmi, vlera dhe virtyti i faljes, paqes, dashurisë, strategjia paqësore dhe jodhunore gandiane, tereziane, rugoviane, bashkimi në dallime është shumë pak i pranishme.

 Ja përshkrimi i Anton Çettës i vështirësive për pajtimin e gjaqeve: “Ishin dy shkaqe kryesore të pengimit të pajtimit. I pari ishte bindja kokëforte për ruajtjen e traditës sipas Kanunit. Disa njerëz në mënyrë fanatike shkonin sipas kësaj tradite. Arsyja tjetër ishte justifikimi i familjeve të cilat e zbatonin hakmarrjen, sepse kështu dëshironin të paraqiteshin besnike ndaj traditës…” (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo nonviolenza per la riconciliazione, EMI, Bologna, 1999, f. 52. Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 37-77).

Ja edhe shpjegimi sintetik dhe profetik i Prof. Anton Çettës për pajtimin e gjaqeve: “Ne fill e kemi përjashtuar mundësinë e dëmshpërblimit apo të pagesës së gjakut: Pajtimi i gjithmbarshëm i popullit shqiptar duhet të jetë një vepër fisnike, vetëm një gjest i përvuajtërisë dhe shpirtmadhërisë së popullit tonë…
Të tjerët po na vrasin vazhdimisht, a duhet atëherë edhe ne të vritemi  me njëri-tjetrin?… Jo, duhet të jemi si kurrë më parë afër dhe së bashku me njëri-tjetrin, sepse na presin sprova dhe rreziqe të ndryshme edhe më të mëdhaja…”
 (Giancarlo-Valentino Salvoldi – Lush Gjergji, Kosovo un popolo che perdona, EMI, Bologna, 1997, f. 48: Më gjerësisht lexo: Po aty, vep. e cit. f. 31-105).
 

Derisa mos ta ndërrojmë botëkuptimin ndaj jetës, vetvetes, familjes, shoqërisë, s’mund ta ndërrojmë as veprimin, jetën tone edhe lidhur me falje dhe pajtim, pra, për luftim dhe dëbim të gjak ose hakmarrjes.
 

Trimëria më e lartë është ta mundim të keqen së pari në vete, e pastaj edhe te të tjerët, sepse JEMI TË LIRË VETËM NËSE JEMI TË MIRË! 

Prandaj para çdo veprimi pika e parë është kuptimi i gjendjes, si nga aspekti historik, ashtu edhe nga vështrimi aktual. Pika e dytë është ndarja e përvojave tona nëpërmjet bisedimeve, dialogut dhe komunikimit ndërnjerëzor dhe ndërvëllazëror, që të jemi së bashku si në të mira, ashtu edhe në të vështira. Gjendja konflikuale kërkon së pari harmonizimin e njeriut me vetveten, me atë që është dhe dëshiron të jetë, dhe vetëm pastaj mund të shkojmë kah hapi i dytë – marrëdhëniet ndërnjerëzore, që të vijmë edhe deri te ndjenja e përkatësisë së përbashkët apo gjithëshqiptare, te shoqëria. 

Sot hak-marrja apo gjak-marrja duhet të ndërrohet edhe në terminologji, sepse thënë kështu duket se njeriu ka të drejtë, bile edhe detyrë, ta marrë hakun apo edhe gjakun!
ÇDO HAK APO GJAK-MARRJE  SOT ËSHTË SË PARI VETËVRASJE, PASTAJ VËLLAVRASJE DHE SË FUNDI EDHE VRASJA E TJETRIT. 

Pa vetëdije të tillë s’mund ta luftojmë këtë dukuri shëmtuesi, kancerin e shoqërisë shiptare në ditët tona.
 

Duhet gjithnjë ta kultivojmë KULTURËN E JETËS: nderimin, pranimin, përkrahjen dhe mbrojtjen e jetës në çdo faze, sipas parimit të njohur shqiptar: “S’ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë”, dhe “Mjerë ajo shtëpi që s’ka  pleq dhe fëmijë!”. Pse atëherë mos ta duam dhe mbrojmë jetën nga çdo rreziku apo kërcënimi, edhe nga gjakmarrja? 
Kush jeton për hakmarrje, nuk jeton fare, sepse jeton vetëm për të bërë keq, kjo s’është e denjë për askend, jeton për së gjalli në varr. Urrejtja është DIKTATORI më i keq që vetvetiu nuk vdes kurrë dhe  robëron të gjithë. Mu për këtë falja është parakusht jete, paqeje dhe qytetërimi, si përvoja më e rëndësishme dhe vendimtare në jetë, e cila mundëson të dalim prej vetvetes dhe të përqendrohemi në të tjerët për të jetuar të vëllazëruar dhe të bashkuar.
 

S’ka njeri të përsosur që s’ka nevojë për falje, si prej Zotit ashtu edhe prej të afërmit, por edhe për të falur. Nga kjo përvojë lindë paqja e vërtetë e cila mbështet në drejtësi, të vërtetën dhe mbi të gjitha në dashuri. Kjo e begaton kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë.                                                                              

Dhe së fundi disa parime të shëndosha, do të thoja edhe të shenjta, për pajtimin e gjaqeve: 

  • Pajtimin e gjaqeve nuk e kërkonim kurrë në emër të vrastarit dhe kriminelit, por në emër të të pafajshëmve, mbi të gjitha në emër të Zotit dhe të Popullit shqiptar, të fëmijëve dhe të rinisë, për të tashmen dhe për ardhmërinë tonë. 
  • E keqja kurrë nuk e mund të keqen, por vetëm e mirja, falja dhe pajtimi nuk lejojnë që “zinxhiri” i traditës t’na ngulfatë dhe t’na fundosë paskajshmërisht në vëllavrasje dhe vetëvrasje. 
  • Falja e gjakut është trimëri kulmore, kërkesë, nevojë dhe domosdoshmëri e kohës sonë, sepse pa flakjen e kësaj dukurie, kancerit shpirtëror shqiptar, nuk ka liri dhe demokraci të mirëfilltë. 
  •  Me falje dhe pajtim ne më së miri i nderojmë viktimat, sepse gjaku i tyre na mundëson krijimin e ndjenjës së përbashkët me mbarë popullin tonë, si një familje e madhe, si  në gëzime, ashtu edhe në pikëllime, para sfidave dhe rreziqeve që doemos na priteshin. 
  • Ata që falin janë “heronjtë e ditëve tona”, paralajmërusesit se jeta është më e fortë se vdekja, falja më e qendrueshme se urrejtja, dashuria dhe vëllazëria rruga e vetme e shpëtimit. 
  • Urrejtja, dëshira për hak apo gjak-marrje është diktatori i vetëm që nuk vdes kurrë. Atë duhet ta flakim apo mposhtim ne, me ndihmën e Zotit, si dhe me përkrahjen e njëri-tjetrit. Kush nuk është i aftë për të kërkuar falje dhe për të falur, nuk jeton, është për së gjalli “në varr”, sepse është i kushtëzuar dhe përcaktuar vetëm ndaj të keqes. Jeta e njerëzve të tillë është boshe, pa kuptim, qëllim, synim, sjell vetëm fatkeqësi për vete dhe për të tjerët.

     “Sofra e Pajtimit” kishte krijuar parakushtet për ngjarjet madhore të vitit 1999 dhe më vonë, si në aspektin kombëtar, ashtu edhe ndërkombëtar, për krijimin e strategjisë paqësore dhe jodhunore, për luftën e lavdishme të UÇK-së, për ndërhyrjen e NATO-s, në përforcimin e vlerave dhe virtyteve pa të cilat s’do të ishim ata që jemi dhe aty ku jemi sot, në Kosovën e lirë dhe demokratike. 

    “Koka” apo “Zemra” e Pajtimeve ishte Prof. Anton Çetta, veprimtar i shquar dhe i dalluar, Populli,   ata që kanë falur, “heronjtë e ditëve tona”, vetëdijesimi dhe përcaktimi ynë për jetë, për paqe, për liri, demokraci dhe pavarësi.

    Fatkeqësisht edhe pas kaq viteve, ende nuk kemi asnjë studim të mirëfillët ndërsciplinor rreth faljeve të gjaqeve gjatë vitit 1990 nga aspekti juridik, traditor, etiko-moral dhe fetar.  

    Me pajtimet e gjaqeve është tejkaluar tradita, drejtësia, mungesa e lirisë dhe shtetësisë, është zbatuar vëllazëria, falja dhe dashuria e cila na ka afruar dhe bashkuar para rreziqeve të luftës dhe asgjësimit. Kjo përvojë duhet gjithnjë të kujtohet, studjohet, paraqitet nëpërmjet mjeteve pamoro-dëgjimore, shtypit, krijimtarisë, si vlerë dhe virtyt që duhet kultivuar gjithnjë e më shumë, si parakusht jete, paqeje, demokracie, si zhvillim i gjithanshëm i njeriut, familjes dhe shoqërisë sonë.  

                                                                                          Don Lush GJERGJI

Filed Under: Komunitet Tagged With: Don Lush Gjergjin

Homazh për ndarjen nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare Guri Stefani në Quincy të Masacucesit

February 2, 2022 by s p


Namik SelmaniAnëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë -Boston


Mbase për Mhill Velaj, kryetarin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë dhe anëtërin e Kryesisë së Federatës Panshqiptare VATRA në Njy Jork dhe miqtë e tij për Prend Qettën, njohës i shkëlqyer i politikave ndërkombëtare, aktivist i çështjes kombëtare dhe përkthyes, veprimtarin Islam Vatoci, intelektualit të shquar shqiptaro-amerikan Kolë Mirdita dhe për mua, ishte udhëtimi më i gjatë dhe meditues.Atë mbrëmje të fillimshkurtit të këtij viti ata po vinin në Quincy të Masacusesit për të bërë më nga afër një ngushëllim dhe për të nderuar kujtimin e atdhetarit e poetit Guri Stefani që u nda nga jeta më datën 26 janar 2022 në moshën 88-vjeçare.Në funeralin e Quncit kishte mjaft njerëz familjarë të afër, miq të tij.Në çdo kohë ndarja nga jeta është e dhimbshme po, kur je brenda një ngjarjeje të tillë është një lloj obligimi njerëzor, shqiptar dhe nder pë rata që marrin pjesë e pë rata që presin këta njerëz.Vështirë që të gjesh ndonjë shqiptar në Boston e në rrethinat e tij të mos e ketë njohur Gurin. si poet, prozator dhe veprimtar i njohur i çështjes kombëtare.Ka lindur në fshatin Shtikë të Kolonjës. Pas mbarimit të studimeve, ka punuar arkitekt në Durrës për 28 vjet. Në vitin 1992 vjen në SHBA.Për mjaft vite ai ishte një anëtar aktiv i Federatës Pan Shqiptare “VATRA”. Ai ka qenë aktiv në Katedralen Ortodokse Shqiptare të “Shën Gjergjit” në Boston si dhe në kishën tjetër shqiptare “Shën Trinia”.Një model punëtori dhe aktivisti. Ishte poet e shkrimtar e ka botuar disa libra dhe ka qenë anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane që në themelimin e saj.Një “veteran” i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane dhe në vitet e fundit edhe President i Shoqatës Atdhetare “Besa-Besë”.Pasi u bë takimi me familjarët, zoti Mhill Velaj mbajti një fjalë të rastit para atyre dhe pjesëmarrësve të tjerë të shumtë që ishin në këtë ceremoni:-Kam ardhur me dhjetra herë në Boston. Është lumturi, krenari dhe mençuri të vish në këtë shtet që quhet ndryshe “Shpirti i Amerikës” Kam bërë mjaft aktivitete në këtë qytet me mjaft tradita në Amerikë, por edhe për shqiptarët në gati një shekull. Bostoni është selia e parë e Federatës “Vatra” është vendi ku ka punuar Noli e Konica Po veç këtyre arritjeve, nuk harroj kurrë pritjen e ngrohtë që nna bënte miku e patrioti Guri StefaniAi do të mbetet për ne e për dhjetra shqiptarë njeriu i qeshur, poeti zëëmbël, mikpritësi i rrallë do të mbetet në kujtesën tonë për shumë kohë.Grupi i të ardhurve nga larg në emër të VATRËS dhe të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikëë mori falenderime nga ana e familjes së tij dhe nga kryetari i Shoqatës Atdhetare BESA-BESË zoti Petrit Alibej. Quincy, 1 shkurt 2022

Filed Under: Komunitet

SHQIPTARJA E PARË NË BOTË ME DOKTORATURË NË FILOZOFI

February 1, 2022 by s p

KASTRIOT ALIAJ/

Megjithse jemi një komb i vogël, me një etnogjenezë shumë të lashtë, mbrojmë dhe trashëgojmë vlera të mëdha historike.Këtë përcaktim nuk e kemi bërë ne, por studiues, historian, akademikë, politolog të huaj, që kanë ndricuar sadopak errësirën e shekujve, mbi të cilën kanë ecur të parët tanë. E në këtë rrugë të lashtë historike, nuk kanë munguar figurat e mëdha si Aleksandri i Madh, Pirro i Epirit, Skënderbeu e deri tek rilindasit,që bënë aq shumë për krijimin e shtetit shqiptar.Këto figura kanë rrafshuar kufijtë kohorë, dekada e shekuj, që me veprat e tyre janë gdhëndur në muret e historisë. Ata sot janë bërë të gjithkohshëm, duke kapërcyer kufijtë kohorë dhe  me vlerat e tyre, kanë mbritur deri në ditët e sotme. Ndër këto figura është edhe emri i Elena Lukrecia Peshkopia, e para grua shqiptare në botë, që ka mbrojtur doktoraturën në filozofi me tezat e saj për Aristotelin. Në shek.e 17 kur ajo jetoj, pati privilegjin të cilësohet si gruaja më e ditur në Evropë. Në disa emisjone të kënaleve televizive italiane, është folur me superlativa për të, duke e motivuar si pjesë e historisë kulturore të tyre,pa i shkuar deri në fund të dhënave për figurën e saj. Pa folur asnjëherë për orgjinën e saj si shqiptare, të cilën e vërteton shkolla e shqiptarëve “Santa Maria San Gallo në Venecia”apo ( Scuola di Santa Maria e di San Gallo degli albanesi). Kjo shkollë ku mësoj Elena Lukrecia Peshkopia, është themeluar nga fisnikët e edukuar shqiptarë, që më 22 Tetor 1442, ku për rreth 200 vjet vazhdojë të funksionojë për arsimimin e shqiptarëve deri në fund të shek.XVIII. Kjo shkollë që frekuentohej nga djem dhe vajza së bashku, financohej nga taksat që paguanin vetë shqiptarët. Godina e shkollës ishte dizenjuar nga shqiptari Viktor Karapici, artist i njohur gjatë Rilindjes Evropiane, i cili ndoqi ndërtimin e saj si dhe u kujdes për dekorin e fasadave.Veprat e karapicit i kaluan kufijtë e Italisë,sepse ato janë gjetur në galerinë e Venecias, Milanos, Francës ( Luvër). Vienë si dhe në Londër. Si pasojë e pushtimit osman, shumë shqiptarë emigruan, duke u vendosur në Italinë e jugut në Sicili, Kalabri, Napoli, e deri në Venecia. Prezenca e tyre ndihet edhe sot, nga që në vitet e mëvonëshme ata u shpërndanë në të gjithë Italinë. Në se i takon sot pasardhësit e tyre,ata të flasin edhe për historinë e lezvizjes dhe kontributet e tyre si pjesë e diasporës.Por figurën e Elenës e bëjnë të madhërishme, statujat e gjetura në universitetin e Padovës, një ndër më të njohurit dhe më të vjetrit në Evropë. Ky universitet dëshmon për vlerat dhe arritjet në jetën e saj.Por emri i Elenës i kaloj edhe ujrat e Atlantikut, ku portretii i saj gjëndet në dritaren e qelqit 7 m e lartë, në bibliotekën “Frederik Ferris Thomson” në Nju Jork të SHBA. Elena ishte një grua e talentuar edhe në muzikë, por ajo vazhdoj studimet në filozofi dhe astronomi. Këto studime e nxitën atë,që t’i vihet mbrojtjes se teorive të saj të doktoraturës. Kështu ajo më 25 Qershor të vitit 1678, mbrojti doktoraturën me veprën e Aristotelit, para profesorëve të filozofisë, logjikës, mjekësisë dhe teologjisë. Për aftësitë intelektuale si një grua e përmasave të mëdha shkencore, ajo u bë lektore e matematikës në universitetin e Padovës. Në këtë qytet ku gjënden gjurmët e saj, ajo qëndroj deri në fund të jetës së saj të shkurtër. Sëmundja e tuberkulozit bëri që ajo të ndahet nga jeta, në kulmin e veprimtarisë së saj shkencore në moshën 38 vjecare. Ajo prehet në kishën e Shën Lukës, ku edhe flitet për figurën e saj të nderuar. Emri dhe vepra e saj hyn në plejadën e figurave të njohura të historisë sonë, pavarësisht se punuan jashtë atdheut të tyre. Këto figura si ajo e Elenës dhe shumë të tjerëve, mbeten një shëmbull për të gjithë brezat, jo vetëm për njohjen e tyre, por për t’i përjetësuar në historinë e kombit tonë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Kastriot Aliaj

SAKRIFICE QE SJELL BASHKIMIN, PER TE FITUAR AMERIKEN ME TE MIRAT E SAJ

January 31, 2022 by s p

Nga: Tajar DOMI/


U bashkuam dhe shijuam një darkë shumë të këndëshme para pak ditësh tek Restauranti “ Il Fiore“ në Nju Xhersi që është pronë e vëllezerve Jashar e Hekuran Daku, një ambjent dhe ushqim që pak ka të krahasueshem. Djali më Iivogël i shokut tonë Hysë Hasa , Sokoli , na ftoi të ishim së bashku këtë mbrëmje me zoterinjtë Bujar Gjoka, Eqerem Murataj dhe unë. Sigurisht, nuk kishte si të mungonte vetë z. Hysë. Në këtë periudhë të vështirë nga shumë anë, askush nuk të duket si më parë. Por pa e kuptuar që edhe vetë mund të dukesh apo të jesh disi i c’orientuar. E në këto rrethana të krijuara vecanërisht si efekt i pandemisë covid-19, ftesa të tilla janë të rralla por shumë të mirëpritura. Prandaj të gjithe ishim plot humor e dashamirësi në bisedat që shoqëruan orët e qëndrimit aty. Hysa, i cili në komunitet si dhe në vendlindje tashmë është i njohur si një intelektual që ka marrë përsiper të evidentojë sa më shumë vlera njerëzore, intelektuale, shkencore e histori kryesisht të Kukesit e kuksianeve, por edhe më gjerë, nepërmjet librave të tij me mbi 10 mijë faqe, nuk ka harruar të marrë me vete njerin prej këtyre librave për t’ja dhuruar nënës të Jasharit e Hekuranit, ku është shkruar edhe për djemtë e vëllezërit e saj. Vëllezërit Daku e pranuan me kënaqësi duke e falenderuar e uruar mikun tonë edhe në emer të nënës së tyre. Kështu, biseda jonë kishte filluar, menjëherë pasi Hysa e Sokoli na uruan mirëseardhjen. Unë, tha Sokoli, kam më shumë se 7 vite këtu në Amerike dhe prej asaj kohe kam punuar e jam shkolluar. Por punën në profesionin tim si inxhinier mekanik që nga Shqiperia, kam rreth një muaj që e kam filluar. U intervistova dhe u pranova në një kompani të madhe të prodhimeve farmaceutike, ku punon edhe kryetari ynë i nderuar z. Bujar në një pozicion të rëndesishëm menaxhues. Unë jam i sigurtë se emri i tij ka qenë mbeshtetës i fuqishëm për të fituar kêtë vend pune, prandaj edhe dua ta falenderoj e ti uroj sukses të mëtejshëm në punën e tij. Bashkë me babën Hysë, deshëm ta ndajmë këtë gëzim dhe hap timin në punësim, me ju si miq e shokë të afërt. Mund të ishim edhe më shumë të tjerë, por situata nuk na lejoi. Ndërsa Sokoli fliste, unë ktheja mendimet pas duke sjellë në kujtesë kohën kur ai erdhi nga Tirana në Filadelfia në vitin 2014, tek prindërit me një vizë turistike bashkë me të shoqen, ekonomisten Erina. Sokoli kishte mbaruar Universitetin Politeknik në Tirane për inxhinieri Mekanike në vitin 2010 dhe punoi në profesion për rreth 3 vite në Bazen e Transportit të Ushtrise në Tirane. U regjistrua këtu në Filadelfia në një kolegj , fillimisht në CCP kolegj ku mori klasat detyruese të gjuhës angleze e pas këtyre në vitet që pasonin studioi edhe në Temple University për Menaxhim- Bisnes. Pagoi për të gjitha vitet që ndoqi këto studime shuma të konsiderueshme , pasi të gjithë e dimë se cfarë kostoje kanë kolegjet në Amerike, vecanërisht për ata që nuk janë resident. Ndoshta, për arësye të kushteve ekonomike që kishte si familje, nuk do ta kishte bërë gjithë këtë sakrificë, por Amerika është e dashur për tu banuar e jetuar. Prandaj Sokoli gjatë gjithë këtyre viteve, ishte i detyruar të ndiqte këtë rrugë si mundësia më e shpejtë për tu bërë banor i ligjshëm në Amerike. E më në fund kjo ditë erdhi, dhe që nga muaji Shkurt 2020 Sokoli, Erina, vajza 8 vjecare Irisi dhe djali 4 vjecar Henri, janë të paisur me Green Card si resident të përhershëm në Amerike. Për të përballuar nevojat financiare, ai nuk ju nda punës duke punuar kryesisht në restaurante , ndertim etj. Shume shpejt, në gjurmet e babës tij, ai u angazhua në komunitet dhe kontriboi për katër vite si antar i kryesisë të shoqatës “Bijte e Shqipes”. Dhe ja erdhi rasti që shoqata nëpërmjet kryetarit të saj, të bëhet mbështetëse për një fillim pune. Urime ing. Sokoli! Duke vazhduar bisedën në tavolinë, e pyesim Bujarin në se janë shtuar shqiptarët në kompaninë tuaj International Vitamin Coorporation ( IVC ) këtu në Filadelfia . Ai fillon e tregon: Shqiptarët tashmë përfaqesojnë një pjesë të rëndësishme të të punësuarve në kompani. Sigurisht që pëlqimi dhe marrja në punë e të rinjve nga drejtuesit, përvec aftësive e shkollimit duhet të shoqërohet edhe me njohjen e mbështetjen e dikujt që të njeh, nga brenda ndermarrjes. Dhe për fat të mirë, të punësuarit shqiptar të mëhershëm këtu kanë qenë “dorë lëshuar” në mbështetjen e më të rinjve nga komuniteti. Eshtë një qendrim i duhur ky nga Arturo Mucaj, Maqo Poreci, Luan Hysenbelliu, Teuta Rrokaj, Gjoke Pellumbaj, Alket Dede, Leonidha Shella etj , të cilët nëpërmjet punës kanë afirmuar aftesitë profesionale, sjelljen e korektesën e tyre, duke u bërë një zë i mirë e referues për më te rinjtë e këtyre dy viteve si: Tauland Prifti, Romelda Cela , Elvira Roci, Telo Beluli , Fitim Hamza , Ylber Feruku, Elvira Hoxha, Sokol Hasa etj. Ky lloj informacioni që na dha Bujari, në fakt na mbushi me gëzim. Për hirë të së vërtetës, shqiptarët po e gjejnë veten në kompani të tjera të mëdha si Marshall, Cordone, Septa etj si punëtor e menaxhues, por edhe në bisneset e tyre të shumta, në spitalet e qendrat e shendetit, në shkollat publike e private, në aeroporte e në administraten qendrore të qytetit të Filadelfias. Shtimi i numrit të punësuarve për shqiptarët në të gjithë sektorët, ka ardhur përvec të tjerave edhe nga dëshira e mirë e njohja midis tyre duke i dhënë njeri tjetrit mbështetjen që kërkohet për të fuqizuar secilin person e familje, por edhe gjithë komunitetin njëkohësisht.Sigurisht, në këtë proces ku takimet, njohjet, këshillimet, kontributet, ndihmat etj ndjehen si nevojë e janë gjithnjë në rritje, unë vecoj edhe ekzistencën e punën e gjithanshme të shoqatës “Bijte e Shqipes” gjatë këtyre 20 viteve këtu në Filadelfia, si faktor të rendësishëm të realizimit të këtyre nevojave. Tashmë bashkatdhetaret tanë po e shohin dhe po e shfrytëzojnë hapësirën e informimit të kësaj Qendre për të reklamuar bisneset, për të njoftuar nevojat për pune ( të bisneseve por edhe të punë – kërkueseve) , nevojat për qiramarrje por edhe dhënie shtëpish , njoftime fatkeqësish etj. FB i saj ka 5 mijë anetar e shumë më tepër ndjekës, dhe administrohet mjaft mirë e në kohë reale. Kjo do të thotë se nevojat e mësipërme shumë shpejt shpërndahen thuajse në të gjitha familjet shqiptare. Në këtë mënyrë arrijmë një bashkëpunim të mirë e që është i domosdoshëm për ti bërë shqiptarët të ndjehen bashkë e ti gjenden pranë njeri – tjetrit . Në disa shkrime të mëparshme, unë jam munduar të kundërshtoj disa thënie jo të bazuara në lidhje me bashkesinë shqiptare në emigrim si: “Mos u merr me shqiptar”, “Më mire merr një të huaj (ose shko tek një i huaj) se një shqiptar”, “Shqiptarët nuk bëhen bashkë“etj . Dhe unë mendoj se kundershtimi i këtyre tezave e afrimi i shqiptarëve, duhet të jetë në mendjen e punën e cdo njërit prej nesh. Shpesh dëgjojmë të themi ndër biseda me shokë e miq të bisnesit se kisha kaq shqiptar në punë, por tani kanë mbetur vetëm gjysma e të tjerët ikën, kërkojnë rritje rroge pa filluar akoma e të tjera pretendime. Këto mund të jenë një realitet ndoshta. Por pse duhet ti përgjithësojmë gjithë shqiptarët për pak raste, pasi edhe pse jetojmë në Amerike ne nuk kemi ardhur të zgjedhur, të shkolluar, punëtor, pa vese e komshinj të mirë. Jo. Jemi të mbledhur nga të gjitha shtresat shoqërore e thuajse nga të gjitha zonat e Shqipërisë. Kështu që do të kemi brenda nesh edhe dëmbel, edhe frekuentues kafenesh e bixhozi, por jo tē gjithë amá. Eshtë e padrejtë që të vlerësojmë veten e komunitetin me ato cilësi që nuk i kemi. Shpesh për t’ju dhëne fuqi ideve tona për vështërsitë e punës me njerëzit tanë, ju referohemi komuniteteve të tjera si atyre cifute, greke, ruse etj, duke e ngritur në qiell të kundërtën e atyre që thamë për shqiptarët. Por edhe ata nuk janë plotësisht sic ne na cfaqen. Brenda tyre edhe ata kanë mjaft si pjesa jonë , por ama ata nuk i degjojmë të etiketojnë komunitetin e tyre në përgjithësi sic bëjmë ne. Ata i fryjnë bashkimit e jo refuzimit, jo ndarjes. Megjithatë, vemë re me kënaqësi se përdorimi i thënieve të mësipërme viti pas viti po ulet me shtimin numerik të bashkatdhetarëve tanë dhe me eksperiencën e punës qe fitojnë këtu. Prandaj, i dashur bashkatdhetar në emigrim, merru me shqiptarët se janë gjaku yt. Beso tek ata, ndihmoi ata kur ke mundësi se do të kthehet një ditë prej tyre. E në se nuk e ke mundësinë për ti ndihmuar apo për t’u ndihmuar, kurrë mos përdor fjalë apo “aksioma“ negative për shqiptarët në tërësi. Këtë duhet ta bejmë jo thjeshtë për tu dukur atdhetar, por se shprehje të tilla nuk jane një realitet. Realiteti është ndryshe: Shqiptarët janë të zgjuar, te ditur, miqësor e punëtor të mëdhenj, po shkollohen dhe po ecin vetem në ngjitje me angazhimet në bisnese, në shkence e kudo, në diasporën tonë në cdo vend të botës ku ata jetojnë. Duke lartësuar veten, bëhen mbështetës edhe për cdo shqiptar tjetër afër apo larg qofshin.
Filadelfia, më 1 shkurt 2022

Filed Under: Komunitet

Lamtumirë kolegu ynë Ilir Buçpapaj

January 24, 2022 by s p

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ndan dhimbjen e përbashkët për humbjen sot, të kolegut të mirë, reporterit dhe operatorit të njohur të Tropojës, Ilir Buçpapaj. Prej disa vitesh kolegu ynë banonte në Amerikë, duke qenë fizikisht larg Atdheut, por Tropoja, miqtë e tij të shumtë, kolegët e vjetër dhe të rinj, do ta kujtojnë me nderim për kontributin dhe punën e palodhur, për mirësinë njerëzore, dashurinë dhe paepjen për të raportuar ndër vite për rajonet e veriut të vendit dhe për hapësirën shqiptare. Iliri ndau një përvojë raportuese të gjatë në vite, për disa media, mes të cilave edhe për median audiovizive publike të Shqipërisë.Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i shpreh familjes Buçpapaj ngushëllime për humbjen e pazëvendësueshme!I paharruar do të mbetesh kolegu dhe miku ynë Ilir! U prehsh në paqe!

Zyra InformueseUnioni i Gazetarëve Shqiptare

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 106
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • …
  • 386
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT