• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SILKE LIRIA BLUMBAH – NJË JETË PËR LETËRSINË DHE KULTURËN SHQIPTARE

June 19, 2020 by dgreca

Fjala e homazhit për poeten Silke Liria Blumbah (1970-2020)/

Silke Liria Blumbah i takon komunitetit të të huajve që në takim e parë me botën shqiptare u mahnitën e ranë në dashuri, siç janë Edit Durham, Lord Bajroni, Franc Nopça, Robert Elsie e shumë të tjerë. Ajo është njeriu, që një jetë ja fali letërsisë dhe kulturës shqiptare. Është shkrimtarja, që proza dhe poezia moderne shqipe pa tekstin letrar të saj është e mangët, ndërsa historia e kulturës kur do të flasë për operatorin e njohur kulturor ndërkombëtar “Ditët e Naimit”, gjithsesi se do ta shenjoj me shkronja të mëdha për kontributin e çmuar që dha në fushën e përkthimit dhe organizimit të tij.   

Silkja Liria Blumbah, u lind në një ditë të diele, të 13 dhjetorit të vitit 1970, në qytetin e Gottingenit, në Gjermani. Ishte fëmija i dytë i prindërve mësues Blumbach, mbesë e të ashtuquajturit “baba i mullinjëve”. Ajo kishte vetëm një motër. Silke, shkollimin fillor e bëri në vendlindje, gjimnazin e kreu në ”Johanneum” në Hamburg, ndërsa studimet për përkthimin me gojë i kreu me sukses të shkëlqyeshëm në Universitetin e njohur të Haidelbergut, ku diplomoi për frengjisht, anglisht dhe portugalisht. Ajo, në qytetin e studimeve, kishte bërë emrin në poezi. Si e tillë, ishte bërë pjesë e një grupimi të njohur letrar “LiOff”.

Fëmijëria e vështirë, e vajzës 8 vjeçare që kishte bërë poezi, e mbush me ankth deri në mohim të vendlindjes e të vendit të saj. Ky shpirt me dhembje jete, me zhgënjime dashurie, vendos të gjej stacionin e paqës për jetën e saj të trazuar. E ky stacion do të jetë Shqipëria dhe trojet shqiptare. “Kam përjetuar shumë gjera të vështira, por ajo që më ka dhënë gjithmonë kurajo ishte lidhja ime me botën shqiptare dhe vetëdija se, ndonjë ditë do të vendosem ne Shqipëri për të vepruar për të mirën e shqiptarëve”-do të shprehet Silke,

Kështu, në vitin 1994, Silkja fillon të interesohet për Shqipërinë, apo siç thotë vet, dëgjon “për herë të parë thirrjen e shqiponjës”. Lexon shumëçka mbi shqiptarët. Magjepset pas gjuhës dhe kulturës shqiptare. Prej vitit 1995 e deri në vitin 1998, ajo mëson në mënyrën autodidakte gjuhën shqipe. Dhe tani, më shumë se kurrë, i çelet udha që të lëviz drejt Shqipërisë. Më, 5 tetor 1998, shkel tokën shqiptare. Në dhjetor të 1998-ës, Silkja, realizon ëndrrën… në Universitetin e Tiranës jep provimin e gjuhës shqipe. Gjatë kësaj kohe, ajo njeh realitetin e metropolit shqiptar, Tiranës, ”me rrudhat dhe buzëqeshjet e popullit tim” siç thotë në një varg. Pra, ajo, tashmë e transformuar, ndjen ngrohtësinë dhe prek mikpritjen e njohur shqiptare. Ndjehet e vlerësuar, e nderuar, e frymëzuar ngado që shkon. Vazhdon të zgjeroj gjeografinë e lëvizjes, duke zbritur më 10 janar, në “Sarandën time”, siç thotë gjithandej shkrimeve të saja. Edhe më qartë “dallgë vezulluese në bregun e harrueshëm të Sarandës – qenkam unë ” do të thotë në poezinë “UNË JAM”.

Aty, ajo do të qëndroj tre vjet, ku do të shkrihet në jetën sarandijote, duke punuar gazetare në një medium lokal, dhe duke u inkuadruar në grupet polifonike të jugut, në organizimet e ndryshme poetike etj. Ky qytet do të jetë një muzë e plleshme për tekstin poetik të saj… ashtu, si e gjithë bota ekzotike shqiptare. Poezitë e saja do t’i botojë gjithandaj nëpër revista dhe gazetat e kohës. Tani më, ajo ka krijuar një emër në poezi. Pranohet në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Në vitin 1999, boton në shtëpinë e njohur botuese “Naim Frashëri”, në Tiranë, vëllimin me poezi “Dyzet vdekje në Sarandë”. Libri do të pritet mirë nga lexuesi dhe kritika.

Silkja, e cila në këtë kohë, hyri rrugës së pavdeksisë përmes poezisë, përmes shfaqjes së kancerit të gjirit, fizikisht merr rrugën e kundërt, ate të tokës. Ajo, në dhjetor të 99-ës, operohet dhe bën një trajtim mjekësor. Gjendja shpirtërore e saj rëndohet. Depresioni, i cili e shoqëronte prej një kohë i intensifikohet. Kalon kriza të ndryshme financiare. Por, me një miqësi të ndërtuar gjatë kësaj kohe, mbijeton. Për këtë, ajo, do të shprehë vazhdimisht mirënjohjen ndaj shqiptarëve.

Pas tre vjet qëndrimi në Sarandë ajo vendoset në Prizren. Atje ndeshet me pasojat e luftës dhe gjenocidit serb. Takon shqiptarët e Kosovës… E afirmon dhe e mbron me ngulm çështjen shqiptare. Një vit punoi përkthyese në KFOR-in gjerman në Prizren… Më vitin 2000, në manifestimin letrar “Lulet e Verës” në Durrës, e njoha poeten Silke, e cila kishte marrë tani më edhe emrin shqiptar Liria. Fillojmë bashkëpunimin …  Si redaktor i kulturës në të përditshmen “Flaka”, i botoj një cikël me poezi, ndërsa si drejtor i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” e ftoj në Tetovë. Më 2001, Silke/Liria vjen në qytetin e poezisë, e prek skenën dhe emocionet e Festivalit… Përshëndetet dhe pritet ngrohtësisht nga publiku tetovar dhe jovetëm. Në Tetovë gjen shtëpinë e re të saj, shtëpinë e poezisë, ku lidhet edhe më shumë me poetët shqiptarë dhe ato të huaj. Silkja/Liria bëhet bashkëpuntore dhe më vonë anëtare e  Drejtorisë së Festivalit. Ndihmon në përgatitjen e edicioneve të shumta të Festivalit për dy dhjetëvjeçarë rresht. Shfaqet e palodhshme, motivuese, kreative, punëtore… me një energji të paparë. Ajo merr pjesë në çdo edicion të Festivalit që organizohet. Përfshihet në të gjitha antologjitë e saj. Si poliglote, ajo përkthen prej gjuhëve të ndryshme poezitë e poetëve pjesëmarrës. Njëkohësisht gjatë zhvillimit të Festivalit, ajo përkthen gjatë tërë programit të Festivalit, me atë shqipen letrare që tingëllonte aq bukur në gojën e saj. Gjithkund e qeshur dhe e gatshme për të ndihmuar. Ishte një njeri pozitiv. Nuk e gjen thuajse nje foto, ku nuk shihet e qeshur.

Në shtëpinë botuese “Ditët e Naimit” do t’ia botojmë tre libra; dy prej të cilave me poezi dhe një me proza të shkurta. Kjo e fundit, me një parathënie të mikut të saj të mirë, poetit Moikom Zeqo, i cili vdiq vetem dy ditë pasi Silkja iku nga kjo botë. Moikomi ishte poeti i parë, të cilin e njohu në qershor të 1998, në Lisbon të Portugalisë. Me te festuan çmimin Nobel të poetit të madh Josef Saramago. Atje, Silkja shijonte jetën me djalin portugez, të cilin e kishte njohur në studime. Kjo ishte dashuria e parë dhe e fundit në jetën e saj, që më vonë la shum zbraztirë në shpirtin e ndjeshëm të saj.

Librat e Silke Liria Blumbach të botuar në Tetovë, janë “Karavela e fundosur”, (2002), “Lumi që rrjedh drejt burimit” (2007), dhe libri me proza të shkurta “Një vit pas vdekjes”, (2017). Të gjitha këto libra janë interpretuar dhe vlerësuar lartë nga emra të njohur të kritikës si Moikom Zeqo, Agron Tufa, Ahmet Selmani, Remzi Salihu etj. Këta, Silke/Liria Blumbah e quajnë shkrimtare me talent të rrallë, me imagjinate të veçantë, ku vendin në letërsinë shqipe ajo e ka të skalitur përgjithmonë… Gjatë hartimit të një Antologjie të Poezisë shqipe, Silken e vendosa për herë të parë në mesin e poetëve shqiptarë që prezentojnë poezinë shqipe. Antologjia u përkthye në gjuhën mandarinë/kineze dhe u botua në Taivan. Poetja Silke/Liria është përfshirë dhe nëpër antologji dhe revista të ndryshme në gjuhën shqipe dhe ate të huaj. Ajo është fituese e çmimit letrar “Qiriu i Naimit”, Tetovë, “Flaka e Janarit”, në Gjilan, “Naji Naaman”, në Bejrut, (Liban) etj.

Në vitin 2010, ajo boton në Tiranë, librin “Ditari i një kthimi”, ndërkaq vëllimin me poezi “Beyond the bos of the heart” e boton në gjuhën angleze në SHBA. Silke Lria Blumbach përktheu për shtëpinë botuese “Ditët e Naimit”, një numër emrash të njohur të poezisë botërore si laureatët e Festivalit  Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, poetin amerikan Craig Czury, poetin taivanez, Kuei-shien Lee, poeten koreanojugore, Moon Chung Hee, poeten indiane Nivedita Lakhera etj. Silke Liria Blumbach, gjithashtu, ka dhënë një kontribut të paçmuar, duke përkthyer nga gjuhë të ndryshme në gjuhën shqipe, afro 15 antologji të Festivalit.

Pas disa vjet qëndrimi në trojet shqiptare, Silke Lira Blumbah kthehet në Gjermani. Këtë rradhë në kryeqytetin gjerman, Berlin, ku do të punoj në një kompani përkthimi. Kështu, bileta e saj sado që në fillim qe menduar një drejtimëshe, ajo rezulton kthyese, dtth. ”Lumi rrjedh drejt burimit”.

Më vitin 2014, Silke/Liries i rikthehet kanceri dhe natyrisht me te i intensifikohet edhe depresioni. Vullneti i saj nuk bie në luftën me këto sëmundje të rënda. Sa dukej se e mundte sëmundjen, ajo rishfaqej përsëri… E Silkja/Liria nuk dorëzohej… Para pesë vitesh, për ta motivuar, për ta mbështetur ate në luftën kundër kancerit, Drejtoria e FNP ”Ditët e Naimit” ngriti një çmim letrar me emrin e saj “Silke/Liria”, që jepej në çdo edicion Festivali nga vet ajo. Ky vlerësim, ky nder, më ndihmoi shumë që ta përballoj për pesë vjet sëmundjen, thoshte gjithandej. Ishte shpirt falenderues … Në edicionin e fundit, më kërkoi që të tërhiqet çmimi me arsyetimin se është shërruar. Ne u gëzuam dhe festuam së bashku me poetët pjesëmarrës të Festivalit. Por, të gjithë rramë në pritë të kësaj sëmundje vdekjeprurëse. Këtë here, sëmundja e saj u rikthye më fuqishëm dhe bëri poeten Silke Liria Blumbach, që të na buzëqesh tash e tutje nga qielli. Ajo vdiq në Berlin, 15 minuta pasi akrepat shkelën ditën e 12 qershorit. Aq, sa i duheshin për të kënaqur dëshirën e saj, që vdekja ta nxënë në Ditën e Lirisë së Kosovës, që punoi dhe e deshti aq shumë. Liria, emër me të cilën e pagëzoi veten.

Silke/Liria, siç thamë, ishte e lidhur fort me poezinë, me shqiptarët, me Tetovën, Sarandën, Prizrenin… Ajo dha shumë në afirmimin e tyre. Qyteti i Prizrenit kaherë e ka shpallur “Anëtare nderi” të qytetit. Shpresoj që edhe Komuna e Tetovës, do të reflektoj dhe do t’ia jap një titull të tillë më se të meritueshëm. Pse jo, edhe një rrugë e këtyre qyteteve do të ishte nderë për ta, të pagëzohet me emrin e saj.

Urojmë që të gjejmë mundësi, si dhe në të ardhmen të punojmë fort, që eshtrat e saj t’i sjellim në trojet shqiptare, të cilën i deshti aq shumë, … nga se, na e la edhe amanet “vendvarrimi: inshalla në trojet shqiptare”. Tetova, duhet të jetë vendi i prehjes së saj, përveç tjerash nga se, është qyteti i poezisë botërore, pra këtu vijnë edhe poetët, shqiptarë e të huaj. Të gjithë këta njerëz të letrave, dhe jo vetëm, e ndjenë vdekjen e saj, shfaqën dhembje dhe e quajtën një humbje të madhe për Drejtorinë e Festivalit, për letërsinë shiqipe dhe ate botërore.

Faleminderit Silke/Liria Blumbah për të gjithë ate që bëre për ne!

I lehtë të qoftë dheu!


Tetovë, 18 qershor 2020                                       

Shaip Emërllahu, drejtor I FNP “Ditët e Naimit”

Filed Under: Komunitet Tagged With: Shuaip Emerllahu, Silke Liria Blumbah

In Memoriam LLUKMAN HALILI

June 14, 2020 by dgreca

Llukman Halili: 1958 – 13.06.2020/

Ndërroi jetë në Zvicer. Lindi në fshatin Tërnoc i Madh komuna e Bujanocit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje ndërsa të mesmen në Bujanoc. Fakultetin e Shkencave Politike e kreu në Zagreb ku gjithashtu përfundoi Studimet postdiplomike nga lëmi i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe mori titullin Magjistër i Shkencave Politike – Marrëdhënie Ndërkombëtare. Në vitin 1983-1985 specializoi për marrëdhënie ndërkombëtare në Institutin e Shkencave Politike në Varshavë nën përkujdesjen e prof. dr. Jozef Kukulka.

Në Universitetin e Zarës në lëmin e Shkencave Humane mbrojti doktoratën me temë “Lëvizja studentore dhe Shqipëria 1990-1992”.
Nga viti 1985 – 1990 ka punuar komentator në Televizionin e Prishtinës – Redaksia e politikës së jashtme, kurse në vitin 1990-1992, punoi korrespondent për Ballkanin i Agjencisë Kroate të Lajmeve – HINA. Në vitin 1994, ka emigruar në Zvicër.

Llukman Halili, vite të tëra ka qenë redaktor e kryeredaktor i shtypit shqiptar në Zvicër, veçmas në gazetat “Bota sot”, “Zëri ditor” etj. Për një kohë të gjatë ka jetuar e punuar në Zürich, kurse viteve të fundit në Bremgarten, Kantoni Aargau / Zvicër.

Llukman Halili, është i prezantuar edhe në “Leksiokon i Autorëve Shqiptarë në Zvicër”, Prishtinë 2016, faqe 308-309, me autor Besnik Camaj & Shefqet Dibrani.

VEPRAT E BOTUARA NGA DR. LLUKMAN HALILI:

“Unë Ramiz Alia dëshmojë për historinë”, intervistë, bashkautor, Prishtinë 1992.

“Politika e jashtme e Polonisë 1945-1980” (kroatisht) – Zagreb 2012.

“30 vjet në shërbim të kombit“, monografi, bashkautor, Fully – Zvicër 2014.

“Lëvizja studentore shqiptare, 1990-1991”, Tiranë 2016.

“Politička ispovijest Dr. IBRAHIM RUGOVA”, (Kroatisht), Zagreb 2017.

Filed Under: Komunitet Tagged With: In Memoriam, Llukman Halili

Mësues Selam Gjoni do të kujtohet përgjithmonë

June 11, 2020 by dgreca

Më 1996 propozohet edhe hedh kanditaturën për deputet në qytetin e Tepelenës, i cili në fushatën e tij udhëhiqej nga idetë e Mid’hat Bej Frashërit, pasi i ati i tij Hysni Rrapo Gjoni kishin qenë me Ballin Kombëtar, si dhe nipi i Sejfulla Malëshovës një figurë e madhe dhe poliedrike e Kombit. /

Me Kryetarin e Partise se Ballit Hysen Selfo gjate fushates.

Nga Keze Kozeta Zylo/

Figura e mësuesit duhet të jetë figura më e pastër dhe të udhëheq me shembullin e tij, një mësues të tillë e ka pasur Mezhgorani i Tepelenës.  Ndonëse e kaloi vitin e tij në amëshim që kur u largua nga kjo botë mësimdhënia e tij vazhdon të ketë ndikim ashtu sic thotë Henry Adams se: “Një mësues ndikon në përjetësi: ai kurrë nuk mund të tregojë se ku ndalet ndikimi i tij.”

Ja si shkruan ish nxënësja e mësues Selamit Margarita Pasha: “Njihet për një mësues me autoritet dhe zotërues perfekt të lëndëve që Ai jepte në këtë shkollë.  Edhe pse larg shtëpisë dhe familjes, ky mësues njihej për veshjen me finesë dhe shumë i rregullt. Ne kemi qenë në atë konë dy motra dhe dy vëllezër që na ka dhënë mësim ky profesor i nderuar.

Mesuesi me nxenesit e tij…

Çdo gjë që unë di dhe që krenohem për zotërimin e njohurive në histori, gjeografi i dedikohet këtij mësuesi fisnik.Mbaj mend kur kishim spartakiadë në Buz me të gjitha shkollat e krahinës dhe mua profesori më përzgjodhi në vrap dhe kërcim së gjati. Kam fituar garën në kercim së gjati me 4.57 cm, dhe më tha: – Pasha je hedhur si një kangur! Të gjitha lëndët që më jepte ky mësues i mrekullueshëm unë I kisha dhe i kam përzemër edhe sot. Motra ime e ka pasur mësues kujdestar dhe ky profesor foli në këshillin pedagogjik që motra të shpallej si nxënsja më e mirë e vitit për këtë shkollë ku si shpërblim iu dha dhe një pako nga zyra arsimore Tepelenë.

Mësues Selam Gjoni e pa dritën e jetës nga prindërit zemërbardhë dhe mikpritës Hysni dhe Emblo Gjoni.  Shkollën fillore e mbaroi në Mezhgoran, në një vend me një histori të jashtëzakonshme për arsimin kombëtar, ku burrat e ndritur të Kombit si Fehmi Bej Mezhgorani, Sami Mezhgorani, Beqir Samiu vazhdojnë të jenë dritëdhënës për Arsimin Kombëtar.  Por nuk mjaftonte vetëm kjo traditë e përgjithshme, prindërit e tij ishin shumë arsimdashës ndaj me mund dhe sakrifica të mëdha arritën që ta shkollonin.  Të ndahesh nga familja qysh në moshë 10 vjec dhe të jetosh në konvikte për shkak të mungesës së shkollës 8 vjecare ose dhe të tjera është një sacrifice e tejlodhshme.  Sidoqoftë peripecitë në jetë duket se nuk iu ndanë, për shkak të biografise që i rrinte mbi kokë.

I dekoruar nga Presidenti i shqiperise Dr. Sali Berisha…

Mësues Selam Gjoni është nip i prof.Sejfulla Malëshovës pasi nëna e prof.Malëshoves ishte nga dera e Rrapajve në Mezhgoran. Dhe këto “cene” në biografi sipas regjimit komunist ishin penguese.  Pasi mbaroi shkollën pedagogjike në Korce, shkoi ushtar. E bija e tij Blerta tregon se kur ishte në ushtri që e bëri për tre vjet e shfrytëzoi kohën në maksimumin e tij duke ndjekur njëkohësisht edhe leksionet për t’u diplomuar më vonë ne universitetin për histori-gjeografi.

Si një nxënës i shkëlqyer në studime sidomos në fizikë administrata e repartit ushtarak e kishte spikatur për ta rekrutuar për të vazhduar shkollën e oficerëve. Ai nuk e pranoi pasi nje mik i familjes z.Shaban Durmishi e kishte këshilluar të mos shkonte për officer, sepse do të kishte probleme më vonë, ngase ishte i biri Hysni Rrapo Gjonit që kishin qenë me Ballin Kombëtar dhe i nipi i Sejfulla Malëshovës një figurë e madhe dhe poliedrike e Kombit.  Ishte koha kur lulëzonte lufta e klasave pamëshirë, kështu që djaloshi me plot ëndrra po luftonte per t’u shkolluar në drejtime të tjera sipas kushteve të diktuara.   

Pasi mbaron ushtrinë emërohet mësues në fshatin Zhapokikë dhe më vonë në Gllavë të Tepelenës. Ai punoi larg familjes plot 15 vjet resht dhe kthehej vetëm të shtunave në shi dhe në breshër duke udhëtuar me orë e orë të tëra në këmbë, një stërmundim mësuesish.

Ishte pjese e formacionit te Djathte te Politikes shqiptare.

Pasi krijoi familjen e tij me bashkëshorten fisnike dhe shumë të sjellshme veterineren profesioniste Qerime Gjoni dhe u gëzuan me tre fëmijë Blertën, Julianën dhe Hysniun në vitet e fundit deri n ë demokraci kontriboi si mësimdhënës në Mezhgoran deri më 1990 ndërsa më 1992 për dy vite ishte drejtori i shkollës.

Mësues Selam Gjoni punoi plot përkushtim për mësimdhënien, injektoi dashurinë për Mëmëdheun në orët e mësimit, ndaj brezat s’e harrojne kurrë.  Pena dhe mësimet e tij janë sic thotë Scott Hayden se: “njerëzit qe s’harrohen kanë tre dashuri: dashuria për të mësuar, dashuria e nxënësve dhe dashuria për të bashkuar dy dashuritë e para.”

Personalisht si bashkëfshatare e tij ndjehem krenare që një mësues iu perkushtua mësimdhënies me plot pasion, kulturë dhe dashuri. Ai ishte një patriot dhe mësues që dha tërë jetën kontribut të cmuar në arsim në disa fshatra, si dhe në fshatin e tij të lindjes Mezhgoran. 

Mësues Selami do të kujtohet me respekt nga shumë breza që mësoi dhe edukoi si dhe nga të gjithë ne mezhgoranasit që biseduam dhe njiheshim mirë me njeri tjetrin. 

Mësues Selami cmonte dhe vlerësonte kulturën, ishte një familjar i shkëlqyer dhe tejet i kujdesshëm për vëllezërit dhe motrat e tij.  Mësues Selami është nga ajo armatë intelektualësh që la gjurmë në shkollat ku dha mësim.

Mësues Selamin do ta kujtoj me plot respekt dhe gjithmonë i shpreh mirënjohje time dhe të familjes që s’mungoi kurrë në promovimin e librave të mi në Muzeumin Kombëtar si dhe komunikimin intelektual që kishim së bashku ne F/B në rrjetin më të madh social. 

Në vitin 1995 presidenti i Republikës së Shqipërisë z.Sali Berisha e vlerëson me medaljen  “Naim Frasheri”

Ikja e tij e parakohshme ishte befasuese, por nga ana tjeter la memorjen intelektuale dhe edukative qe do të kujtohen përgjithmonë, pasi ai ishte sic thotë shkrimtari i shquar amerikan Robert Frost se: “I am not a teacher, but an awakener,” që përkthehet: “Unë nuk jam mësues, por një zgjues.”

Pas përmbysjes së regjimit diktatorial

Me lindjen e demokracisë propozohet për pozicionin e shefit të rendit në komisariatin e Tepelenës si një nga negociuesit dhe kontribuesit në arsimim, si dhe figure e pastër publike ku pranoi dhe vazhdoi detyrën në këtë pozicion deri më vitin 1995.

Më 1995 propozohet edhe hedh kanditaturën për deputet në qytetin e Tepelenës, i cili në fushatën e tij udhëhiqej nga idetë e Mid’hat Bej Frashërit nje diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar, një ndër etërit e nacionalizmit shqiptar, Kyetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit “Shqipëria e Lirë” etj.

Më 1996 emërohet officer me gradë të lartë në të njëjtin komisariat ku spikatet për zgjidhje të shumë çështjeve edhe konflikteve delikate si të individëve edhe në veçanti të një prej shkrimëtarëve si z.Hoxha dhe bijës së tij gazetare me ideologji komuniste, por që kishin e gëzonin respekt për njëri tjëtrin si bij të Shqipërisë.  Ata i ndihmoi të shpëtojnë nga lufta civile që ndodhi më 1999, dhe me këtë vepër zemërmire, diplomaci, humanizëm e ndershmëri vërtetoi se intelektualët dhe mësuesët e ndershëm e duan njëri tjetrin e duan Shqipërine pamvarësisht idealeve të kundërta.

Sidoqoftë padrejtësirat duken se nuk mbarojnë kurrë.  Kështu më 12 shtator të 1998-ës ishte i shkarkuar nga detyra dhe kishte plot 6 muaj pa punë.  Në këtë kohë me dhimbje të madhe mësoi se ishte vrarë Azem Hajdari i cili e priti me hidhërim këtë ngjarje.  Për herë të parë do të emigronte drejt shtetit grek deri më vitin 2000.

Pasi kthehet nga mërgimi nuk arrin të punësohet përsëri deri më 2004.

Më shtator të 2004-ës fillon mësues në shkollën tetëvjeçare në kombinat të Tiranës ku has vështirësi të mëdhaja pasi i rikthehet mësimdhënies pas 12 vitesh ku nxënësit nuk ishin më të njëjtët dhe dashuria për dituri ishte pothuajse zbehur e venitur.

Më 2007 emërohet Sekretar i Përgjithshëm i PBKD (Partia e Ballit Kombëtar Demokrat) e cila drejtohej nga z.Hysen Selfo, ku z. Selam Gjoni kontribuoi deri më 2008.

Më 2008 udhëheq fushatën e z.Hajredin Fratarit për Ballin Kombëtar.

Më 2008 emërohet Oficer Informacioni në burgun 313 dhe më 2010 tek burgu 325 deri më 2014, ku shkarkohet në padrejtësi për shkak të ndryshimeve politike. Po në këtë vit apelon për heqjen nga puna ku gjyqi zgjat tre vite në mbështetje nga avokatët e shtetit dhe në fund të 2017-ës vendos të apelojë edhe mbrohet vete në sallën e gjyqit ku fiton gjyqin me 12 rroga pagesë.

Më 2015 del në pension. Në kohën e pensionit vendos të meret me kultivimin dhe rritjen e bletarisë. Fatkeqësisht më janar të 2019-ës sëmuret, ku diagnostikohet me leuçemi akute ku jeton shëndetshëm deri më 19 shkurt të 2019-ës ku shuhet në spitalin e Nënë Terezës në departamentin e Hematologjisë Tiranë.

Përcillet me dhimbje e nderime nga familjarët e të afërmit, nxënës, kolegë e gjithë dashamirësit e tij ku nderuan me pjesëmarjen në varrimin e tij më mijëa qytetarë nga gjithë Shqipëria.

Perkushtimi intelektual, mësimdhënia plot kulturë dhe profesionalizëm, dashuria për nxënësit e bëjnë mësues Selam Gjonin që të kujtohet përgjithmonë.

Autorja është drejtore e medias TV “Alba Life”, shkrimtare, poete, publiciste, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe në New York “Alba Life” Ambasador i Kombit.

10 Qershor, 2020

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo, Mesuesi, Selam Gjoni

Mesazhi i Rinisë Për Liderët e Ballkanit

June 9, 2020 by dgreca

Nga: Qendresa Nikqi/

Me 5 qershor 2020, anëtarët e degёve tё LDA Balkan patёn mundёsinё tё kalonin njё eksperiencё motivuese, pёrgjatё mbajtjes sё trajnimit me temё “Udhёheqja dhe Qeverisja Efektive”, e cila shёnoi dhe pjesmarrjen mjaft tё veçantё, tё Dr. Ermira Babamusta, fituese e Çmimit të Artë të Presidentit Obama nga Shtëpia e Bardhë.

Themeluar në janar 2017 LDA Balkan (Leadership Development Association) është organizatë jofitimprurëse e drejtuar nga profesionistë të rinj. Anëtarët angazhohen në diskurse, trajnime dhe në ndërgjegjësimin e çështjeve botërore për lidership, demokraci, qeverisje të mirë, sipërmarrje, rritje profesionale dhe në shumë fusha të ndryshme të menxhmentit.

Arb Shabani.

Qëllimi dhe misioni i LDA Balkan si platformë ndërkombëtare ndihmon individët e rinj që të zhvillojnë aftësitë e tyre personale dhe profesionale përmes punës brenda mjedisit ndërkombëtar. Të gjitha këto realizohen nëpërmjet konferencave virtuale dhe jovirtuale, debateve, edukimit joformal, udhëtimeve dhe kampeve me të rinjët dhe aktivitete si LEAP in Tirana, Prishtina, Albanian and Kosovo Dreamin.

Bjondina Sherifi…

Ditët e fundit LDA ka organizuar një seri konferencash virtuale si: “Roli i shoqërisë në luftën ndaj COVID – 19” me Dr. Fahri Beqa; “Ndërlikimet e COVID  19 në arsim, mirëqenien e mësimdhënësve, prindërve dhe nxënësve” me Prof. Zamira Hyseni dhe Dr. Ass. Linda Hoxha; Samiti i Parë Virtual “Rinia e Ballkanit në kohën e pandemisë COVID -19”; “Trashëgimia Kulturore Shqiptare”; “Gjuha denigruese e të rinjëve në media sociale dhe ndërgjegjësimi i tyre”; dhe “Udhëheqja dhe Qeverisja Efektive” me Dr. Ermira Babamusta. Trajnime tё tilla do tё jenё pjesё e vazhdueshmё e LDA Balkan dhe anёtarёve tё saj, me qёllimin e vetёm pёr tё frymёzuar, motivuar dhe krijuar liderët e sё ardhmes.

Gjatë forumit të lidershipit që u mbajt me 5 qershor 2020, liderët e LDA-së me degë në Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës u bashkuan në një zë të shprehin fuqishëm mesazhin e tyre për liderët e Ballkanit: Inkuadrimi i rinisë në politikëbërje dhe nevoja për mbështetjen dhe krijimin e mundësive për rininë.

Kosovë

Evelina Rumi.

“Shumë të rinj shqiptar kanë mungesë të motivimit për të sjellur ndryshim në vendin e tyre për një të ardhme më të mirë. Ndër faktorët që i kontribuojnë kësaj janë ata socio-ekonomik. Për këtë arsye ekziston një nevojë imediate për ristrukturim të skemave të politikbërjes në çdo sferë, rritje të nivelit të besueshmërise tek institucionet shtetërore dhe krijimin e një modeli të unifikuar politik. Të rinjtë në asnjë mënyrë nuk duhet të përdoren si mjet për arritjen e objektivave politike, por duhet t’i ofrohet mbështetje drejt formimit personal e profesional në rrugëtimin e tyre në botën modern,” u shpreh Leutrim Edipi, Bashkëpuntor profesional i LDA Presheva dhe anëtar i LDA Kosova.

Leonora Jahiri.

“Udhëheqja dhe lidershipi janë dy terme të cilat janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën dhe funksionojnë në mënyrë zingjirore. Një instutucion, organizatë, biznes, universitet apo çka do çoftë nëse ka një udhëheqje të mirë, në krye të saj qëndron një lider i mirë. Lider është ai person i cili suporton, motivon, mbështet dhe dëgjon me kujdes të gjithë antarë e ekipit të tij rreth një qështje të caktuar dhe kërkon zgjidhjen në mënyrë grupore” tha Leona Jahiri, koordinatore e LDA-Balkan dega në Kosovë.

Leutrim Edipi.

“Zëri i rinisë është i rëndësishëm jo vetë për për zhvillimin e shoqërisë në Ballkan, por edhe për të gjithë botën. Rinia është një pjesë e rëndësishme e çdo komuniteti, sepse ndryshe nga gjyshërit dhe paraardhësit tanë që janë përfshirë në luftëra apo në hiearki patriarkale, ato mund të sjellin ndryshime moderne duke krijuar marrëdhënie të mira me komunitetet e ndryshme dhe me fqinjët. Sot vendet e Ballkanit nuk ofrojnë përkrahje për gjeneratën e re. Rinia lufton për  mundësi më të mira, por jo shumë zyrtarë e dëgjojnë zërin e tyre për të mbështetur nevojat dhe dëshirat e rinisë,” Mila Mihajlović, anëtare e LDA Balkan në Lipjan.

Maqedonia e Veriut

Lutfije Nuhiu.

“Ne rinia e Ballkanit me të vertetë kemi shumë dëshirë të zhvillohemi si rini, të ndryshojmë gjërat në vendin tonë sa i përket moshës tonë, dhe të krijojmë një shpresë të vogël dhe një shtytje që mos ta lëshojmë vendin tonë. Jemi me fat që kemi trajnues shumë të mirë, gra të mira e të fuqishme, gra të suksesshme, ashtu si Dr. Ermira Babamusta,” theksoi Lutfije Nuhiji, anëtare e bordit rajonal, përfaqesuese e Maqedonise së Veriut.

Mila Mihailovic

“Trajnimet e tilla i shërbejnë shumë popullatës shqiptare sidomos asaj të moshës së re me të cilët besoj se hapërimi politikë do sjellë ndryshime në demokraci, ndryshime më se të nevojshme sidomos për shtetet post komuniste si ato që gjenden këtu. Arritja e demokracisë ishte e domosdoshme për ecjen e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror. Mbi të gjitha unë do doja që të jap një mesazh për gjithë të rinjtë pa dallim moshe dhe gjinie, për ata të cilët politikën e shohin si e mirë e përbashkët shoqërore:

Shpat Iseini

Për një ndryshim e nevojshme është puna e palodhshme dhe koha. Të rinjtë për shumë arsye janë zëri i demokracisë, fjala e tyre dhe ambiciet janë vizion i së ardhmes. Por për të arritur cakun dhe qëllimet duhet që mos dorëzimi të jetë prioritet. Në qoftë se dëshirojmë të arrijmë diçka, atë duhet ta bëjmë me punën tonë, kontributin tonë dhe zemrën tonë, të gjith së bashku i përmisojmë shtetet tona ku jetojmë, ku studiojmë apo edhe ku veprojmë. Të bashkojmë forcat sepse çdo sistem gjithmon fillimin dhe funksionimin e ka patur dhe e ka nga të rinjtë. Shtetet tona mund të jenë edhe më të mira seç janë tash, por vetëm nevoitet përkushtim maksimal që të mundësojmë zhvillimin e demokracisë mbi vlerat perëndimore.

Gjithashtu një faleminderim të veçantë znj. Babamusta që arriti eksperiencën e saj shumë vjeçare ta shpërndaj për të rinjtë tanë që sadopak të krijojmë një ardhmëri të sigurtë për ne dhe brezat që vijnë pas,” u shpreh Shpat Iseini, anëtar i degës së LDA, Maqedoni e Veriut, Gostivar.

“Rinia ka nevojë për kyçje në botën politike në aspektin e lidershipit duke i dhënë kështu aftësinë e krijimit të imazhit të tyre, gjë që nënvete krijon dukshëm imazhin e një shteti.

Pavarësisht që një shtet si i joni përmban një popullatë me një numër mjaftueshëm të madh të popullsise, rinia e Maqedonisë në pakicë është e margjinalizuar në politikë dhe vendimmarrjet e saj. Një vend si i joni me mundësi të ngushta edukimi dhe arsimimi si dhe mundësitë e dobëta ekonomike që luajnë një rol të madh, shkakton që rinia e këtij shteti të qëndroj e frustruar e prapë e mbyllur me një status neutral.

Unë si dhe të gjithë që jemi këtu, jemi një pakicë prej atyre që shpresojnë dhe në një mënyrë apo tjetër veprojnë për ndryshime brenda rrethit shoqëror. Mirëpo asnjëherë nuk marrim hapa të mëdha deri tek ndihmesat shtetërore e qeveritare sepse vështirësitë për të fituar besimin apo rrespektin nga zyrtarët të cilët ata i arsyetojnë si mungesë e aftësive apo jo eksperiencë e mjaftueshme. Kjo dërgon rininë tonë në një stepje që mbrapa më vete sjell problematikë dhe mos zhvillim në gjendjen e shtetit tonë.

Mendojmë që rinia e sotme ka nevojë për mundësi në pjesëmarrjen e proceseve politike si dhe të kontriboj në zgjijdhjet për zhvillim. Në këtë mënyrë ata rrisin aspiratat dhe kreativitetin, dëshirën për të ndryshuar për të mirë përmes politikës si resurs kyç. Të ndërtojnë lidhje me udhëheqës politik e të jenë pjesë e aktivizmit si dhe t’i thyejnë barrierat sociale kulturore si dhe ato institucionale,” tha Bjondina Sherifi, pjesë e grupit të LDA Balkan në Maqedoni të Veriut.

Mal i Zi

“Rinia duhet te ketë mundësinë që të vendosë vetë për të ardhmen e saj. Si rrjedhim, krijimi i një   lidershipi të ri merr një rëndësi parësore. Nevoja për aktivizmin shumë më të madh të rinisë është më se e domosdoshme. Rinia e ka fuqinë e duhur, prandaj duhet ta përdorë atë për të sjellë ndryshime. Shoqëria jonë, në vend që të përparojë dhe të zgjidhë problemet ka stagnuar, duke krijuar paragjykime nga më të ndryshmit, e duke nxjerrë përfundime se rinia nuk është e përgatitur, apo se nuk ka përvojën e duhur për të sjelle ndryshime.

Gjithashtu, krijimi i besueshmërise te të rinjtë ka probleme të theksuara. Shumica e këtyre problemeve ndodhin si rezultat i ndikimit të faktorëve të ndryshëm, e veçanërisht, nga keqeverisjet si dhe nganjëherë nga moskrijimi dhe sidomos moszbatimi i strategjive të ndryshme, për të bindur të rinjtë që të përfshihen dhe të jenë pjesë aktive e vendimarrjes apo shoqërive civile. Një nga hapat e parë që shoqëria jonë duhet të marrë për të avancuar të drejtat dhe zhvillimin e shoqërisë, është minimizimi i paragjykimeve, që rinia është e paaftë apo e papërgatitur. Rinia ka aftesitë e nevojshme që të jetë e përfshirë në qeverisje dhe lidership, dhe kjo duhet të kuptohet së pari nga politikanët e qevritarët  dhe shtresat e tjera të shoqerisë sonë.

Mendoj se ka ardhur koha që ne si rini të lëmë mënjanë paragjykimet dhe vështirësitë e panumërta që mund të kemi, dhe të guxojmë që të bëhemi bashkë, të aktivizohemi dhe të ngrijmë zërin tonë për problemet me të cilat ballafaqohemi çdo ditë, me synimin që t’i zgjidhim ato, ose të paktën të përpiqemi për zgjidhjen e tyre. Duke parë situatën aktuale, e ardhmja s’është shumë premtuese, por besoj dhe shpresoj, që shoqëria jonë do të reflektojë dhe të kuptojë rëndësinë e zhvillimit të mëtutjeshëm të rinisë. Ne nuk duhet të rrimë duarkryqë aspak, pasi që kështu s’do të zgjidhim asgjë, por përkundrazi, ne duhet te veprojmë dhe të luftojmë për një të ardhme më të mirë, pasi që fuqinë e ndryshimit, padyshim që e kemi ne, rinia,” tha Arb Shabani, LDA Balkan, dega Mali i Zi.

Shqipëri

“Qartёsia nё vizionin e liderit, ndihmon jo vetёm atё por tё gjithё ekipin pёr tё qёndruar nё linjёn qё synohet dhe objektivin final qё duhet mbёrritur. Njё lidёr i sukssesshёm nuk thotё “UNЁ”, por “NE”, duke ngritur nё tё njёjtin nivel rёndёsie çdo bashkёpunёtor tё tij. Kёshtu ngadalё ngadalё duke fituar ndeshjet, ekipi juaj mund tё prek kupёn e kampionёve,” tha Evelina Rumi, pёrfaqёsuese e LDA Balkan, dega Shqipёri.

“Rinia e Ballkanit ka një potencial të madh, profesionistë të rinj me aftësi të jashtëzakonshme, të cilët kërkojnë të përmirësohen, të mësojnë, të eksplorojnë, të idealizojnë më shumë dhe të kontribuojne më shumë,” u shpreh Marilo Meta, Presidenti i LDA Balkan në Tiranë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ermira Babamusta, Mesazhi, Qendresa Nikqi

PËRSE BRAKTISET SHQIPËRIA?- “KUÇEDRA” DO TË MBYLL BURIMIN NE SINEC PËR HEC

June 3, 2020 by dgreca

-Një firmë private po tenton t’ua marrë banorëve ujin e Sinecit në Kuçovë, për të ndërtuar një HEC, edhe pse ky burim është shpallur “Monument Natyror”, me VKM.Nr. 676. dt. 20.12,2002./

-Kjo zonë ka axhendë të pasur turistike për shkak të bukurive natyrore, ushqimeve bio, trashëgimisë historike, shpellave, kanjoneve, fragmente muresh të vjetër etj. Këtu vijnë turistë nga Gjermania, Zvicra, Çekia, Franca, Turqia, Amerika e Italia…

Nga Sulo Gozhina/

LUMAS – E keni dëgjuar atë përrallën me Kuçedër që zë ujin e fshatit? Pak a shumë kjo po ndodh edhe në Lumas, bashkia Kuçovë, në qarkun e Beratit. Janë me qindra banorë, të rinj, të moshuar, gra dhe fëmijë, të cilët u mblodhën tek i vetmi burim uji në zonën e tyre, i njohur brenda dhe jashtë kufijve të vendit si “burimi i Sinecit”. Arsye e këtij tubimi është se dikush i ka lajmëruar banorët se tek burimi janë parë njerëz të panjohur që bënin matje, edhe pse ishte shpallë karantina nga Qeveria Rama.  Po siç duket këta e kishin lejen në xhep. Burimi I Sinecit është vetë jeta e banorëve. Mirëpo Qeveria ka evndosur që t’ia japë një firme private, e cila do ta përdorë për devijimin e ujit dhe ndërtimin e një HEC-i. Ndaj shkaku i kësaj proteste është bërë uji i Sinecit i cili rrjedh nga burimi me të njëjtin emër. Banorët shprehen të shqetësuar se marrja e këtij burimi shaktërron totalisht fshatin dhe zonën e më gjerë, shkatërron florën e faunën. 
 Në këtë tubim banorve të zonës u është bashkur edhe Profesor Sazan Guri, një nga zërat e fuqishëm të ambientalistëve, i cili është totalisht kundët shkatërrimit të kësaj zone të virgjër dhe turistike, pa harruar se me një veprim të till shkatërrohet flora dhe fauna e krej kësaj zone, që fillon në zonën e Lapardhas me mbi 6 mijë banorë e përfundon në zonën e Gramshit. Janë banorët e zonës që me shpenzimet e tyre dhe me punë vullentare ndërvite kanë bërë edhe rrugën prej më shume se 7 km deri tek burimi pasi më pare ishet shumë e vështirë të vije tek burime sepse ka pasur vetëm rrugë dhish. Në këtë protestë banorët kanë shkruajtur dhe pankarta, si: “Larg duart nga Sineci”, ..ose “Sineci është Yni” ,”Sineci është jeta jonë” etj…etj. Banorët pohojnë për medien e shkruar dhe atë vizive se vetë fshati ynë e ka emrin Lumas, pra vendi që rron me këtë burim ujor, po na morën edhe këtë burim , na marrin jetën….

Banorët e zonës tregojnë se ujin e këtij burimi e përdorin jo vetëm për të pirë njerëzit, por dhe si burim kurativ, për tu kuruar e shëruar nga ekzemat të llojeve të ndryshme dhe mbi të gjitha për të ujitur tokat e tyre me sipërfaqe prej mbi 120 hektar, pa harruar këtu se dhe bagëtitë aty pijnë ujë. 

Ky vend është i frekuentuar nga turistët – Sipas pohimit të banoreve janë me qindra turistë vendas dhe të huaj, cilit nëpërmjet guidave turistike kanë mbrritur në këtë vend turistike, të begatë e të virgjër.

Aty është ndërtuar edhe një pikë turistike prej njërit nga banorët e zonës, Sokol Shurdha, i cili  tregon për gazetën se të gjitha të ardhurat familjare për rreth 20 vjet në emigracion i kanë hedhur këtu. 

Në këto pak vite me mundin e me djersën time e të familjes, ne kemi investuar gjithçka. Ka kohë që këtu vijnë turistë nga Gjermania, Zvicra, Çekia, Franca, Turqia dhe nga Amerika e Italia etj., thotë Shurdha.

Ata janë bërë dhe miqtë tanë dhe çdo sezon na marrin në telefon, bëjnë prenotimet. Edhe për këtë vit i kanë pronotuar dhe i kam të zëna të gjitha javët, duke filluar nga korriku e deri në dhjetor, pasi këtu bëhet turizmi gjithëvjetor. Turistët kënaqen jo vetëm me pamjet e bukura të natyrës së mrekullushme, por dhe ushqimet e shijshme bio, gatimet e traditës. Asnëj ushqim nuk e blejmë në treg, por e prodhojmë këtu.Këtu rriten të gjitha pemët që nga qershia, mani, fiku, kumbullat, rrushi,dardha, por edhe pemët e egra që janë shumë të kërkuara si thana, larushku, gorrica, por edhe të gjitha perimet e buta dhe të egra.


            Por si për çudinë e rastit si dhe veprohet kudo në Shqipëri ditët e muajt e fundit në këtë vend përrallor, fsheurazi edhe pse është e ndaluar të lëvizin për shkak të Covid-19, vijën grupe të ndryshme me litar e me metra në duar dhe kanë filluar matjet në këto burime. Veprime që i mbajnë të fsheta për banorët e zonës e më gjerë, madje në ndihmë të tyre ditët e fundit ka ardhë edhe policia, e cila kur banorët kanë dashur ti përzënë prej burimit, për veprimet e tyre të fshehta e tinëz, uniformat blu u kanë ardhur në ndihmë, madje edhe duke shoqëruar disa nga banorët e zonës, por që më pas i kanë liruar. Banorët kanë bërë disa herë ankesa, por zëri tyre ka vajtur në vesh të shurdhër. Banorët janë ngritur në protestë për këtë problem tepër jetik të tyre duke pohuar se: ”jeta jonë është ky burim, ne nuk mund ti lejojmë t’na e marrin”. Burimi i Sinecit është nje nga burimet më të bukura në zonë. 

Ata janë ankuar dhe ankohen, por askush nuk I dëgjon. Duket se qeverinë vendore me leje nga lart, e kanë me vete ata që duan t’ua rërmbejnë ujin. Kanë shkuar edhe tek kryetari i bashkisë Kreshnik Hajdari, por ai i ka kthyer mbrapsht me argumentin se: Kemi projekt, do ta zbatojmë projektin…”

Nëse na merret ky uji, zona vdes, se ai është burim jete si për banorët, për bagëtinë, për bimët, u pret rrugën turistëve, me një fjalë, për gjithçka është jetë ky uji, thotë Sokol Shurdha.

        Paradoksi qëndron në faktin se Burimi i Sinecit vite më parë është shpallur “Monument Natyror”, me Vkm.Nr. 676. dt. 20.12,2002. Sokol Shrurdha tregon se zona ka një guitë shumë të mirë turistike, pasi në këtë zonë ndodhen disa shpella,kanione, mure e fragmente muresh të vjetër, që tërheqin turistët. Ai përmend  toponime të tilla me vlerë si Kasha e Kaurit, Shpella e Xhinxhilesë, Kanionet e Sinecit, Mali i Goricës, Kisha te Mulliri, Shpella e Katundasit etj…

Nëse na e marrin me forcë burimin e jetës stonë, ne më mirë të largohemi, thonë banorët.Po ku? Qeveria e di….

Dhe ne pyesim: Përse braktiset Shqipëria nga Shqiptarët?

Filed Under: Komunitet Tagged With: Firma Private, Protesta, Sineci, Sulo Gozhina

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 142
  • 143
  • 144
  • 145
  • 146
  • …
  • 395
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT