• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Albanian Brain drain! Human Capital Flight!

December 7, 2023 by s p

“Largimi i Trurit” nga Shqipëria, arsyet, pasojat dhe zgjidhjet e mundshme. Dje, në emër të Diaspora për Shqipërinë e Lirë, kam pasur privilegjin të marr pjesë në Konferencën e Parë Ndër-universitare për Rininë, Edukimin dhe Kërkimin, e mbajtur në Kombet e Bashkuara, N.Y. Diskutimi im në panel u fokusua në çështjen e rëndësishme të “Largimit të trurit nga Shqipëria” duke eksploruar arsyet, pasojat dhe zgjidhjet e mundshme. Ç’ka më bëri pështypje gjatë konferencës ishte fakti se vendet e Amerikës Latine, quajtur ndryshe “Republikat e bananeve”, përballen me sfida të ngjashme në fushën e arsimit dhe kërkimit shkencor. Ky diskutim synon të hedhë dritë mbi rëndësinë e marrjes së masave për ikjen e trurit nga Shqipëria dhe zgjidhjet e propozuara nga Diaspora për Shqiperinë e Lirë.

Rëndësia e Arsimit dhe Kërkimit:

Diaspora për Shqipërinë e Lirë vlerëson se, një sistem arsimor i fortë është themeli për edukimin e brezave që vijnë dhe e udhëheqësve të ardhshëm, shumë të nevojshëm në zhvillimet e vendit. Është alarmante të analizojmë statistikat në të cilat individë të talentuar po largohen nga Shqipëria në kërkim të mundësive më të mira jashtë vendit.

Në statistikat mbi këtë fenomen, Shqipëria renditet në krye të listës, jo vetëm në Europë, por në nivel botëror. Gjatë vitit 2022 në burimin e mëposhtëm, kryeson Samoa, Jamaica, Palestina, Micronesia, Somalia, Eritrea, El Salvadori dhe në vend të tetë është Shqipëria.

Source: Fund for Peace, World Bank Official Boundaries

*Borders based on official boundaries shown by World Bank

Europa ka një % të moderuar të largimit të profesionistëve.

Mesatarja e 41 shteteve Europiane është 3.66. Sido në aspektin ndërkombëtar nuk është shifër e ulët, por sërisht ka raport të zhdrejtë në vende të ndryshme të Europës.

Sipas statistikave, Shqipëria kryeson listën në Europë me këtë index në vlerën 8.3 pikë, ndërkohë vendet që e vuajnë shumë pak janë: Suedia me 0.6 dhe Norvegjia 0.7 pikë.

Ky largim i profesionistëve, apo “ikja e trurit”, jo vetëm që e privon vendin tonë nga kapitali njerëzor i çmuar, por gjithashtu pengon zhvillimin e sektorëve të arsimit dhe kërkimit shkencor.

Arsyet dhe Pasojat:

Arsyet e largimit të trurit nga Shqipëria janë të ndryshme.

Faktorë si perspektivat e kufizuara në karrierë, pagat e ulëta, infrastruktura e pamjaftueshme dhe mungesa e investimeve në kërkim dhe zhvillim, korrupsioni, shërbimi shëndetësor i dobët, mungesa e shërbimeve sociale, sistemi i drejtësisë me probleme etj., kontribuojnë në eksodin e individëve të talentuar.

Pasojat janë të shumta, duke prekur ekonominë, inovacionin dhe zhvillimin e vendit.

Në sistemin e edukimit, ky element nuk mund të nënvlerësohet, pasi humbja e profesionistëve të aftë çon në mungesë të ekspertizës dhe një rënie të standardeve arsimore.

Gjatë konferencës, bëhej e qartë se vendet e Amerikës Latine përballen me sfida të ngjashme në sektorin e arsimit dhe kërkimit. Konferenca ishte një mundësi e mirë për diskutime, bashkëpunim dhe ndarje të njohurive.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë propozon disa zgjidhje të mundshme për të zvogëluar largimin e profesionistëve nga Shqipëria:

1. Përmirësimi i Infrastrukturës Arsimore: Investimi në infrastrukturën arsimore do të tërheqë dhe do të mbajë individë të talentuar, duke u siguruar burimet e nevojshme për të shkëlqyer në fushat e tyre.

2. Stabilizimi i Kërkimit dhe Zhvillimit: Zgjerimi i mundësive dhe burimeve për iniciativat e kërkimit dhe zhvillimit do të nxisë inovacionin dhe do të krijojë një mjedis që inkurajon studiuesit të qëndrojnë në Shqipëri.

3. Promovimi i Bashkëpunimit: Ngritja e partneriteteve me universitetet dhe institucionet e kërkimit në vendet e huaja ku studentët shqiptarë preferojnë të studiojnë, do të lehtësonte shkëmbimin e njohurive, inkurajonte projekte të përbashkëta të kërkimit dhe do të krijonte mundësi për studiuesit shqiptarë të kontribuonin në përparimin botëror.

4. Krijimi i Stimujve: Ofrimi i pagave konkurruese, bursave, granteve dhe stimujve të tjerë do të inkurajonte individët e talentuar të qëndronin në Shqipëri dhe të kontribuonin në zhvillimin e saj.

Përfundim:

Konferenca e Parë Ndër-universitare për Rininë, Edukimin dhe Kërkimin ofroi një platformë për të adresuar çështjen kritike të edukimit dhe kërkimit shkencor.

Në këtë kohë kur teknologjia zhvillohet me ritme të shpejta, nevojitet të studiohet modeli arsimor, duke mos i futur të gjithë nxënës/studentë në një “palë këpucë” dhe duke përzgjedhur spektrin e metodologjisë, si dhe gjithëpërfshirjen.

Diaspora për Shqipërinë e Lirë mbetet e përkushtuar në përmirësimin e sistemit arsimor në Shqipëri, duke e njohur atë si një përbërës të rëndësishëm në edukimin e brezave dhe udhëheqësve të ardhshëm. Duke zbatuar zgjidhjet e propozuara dhe duke krijuar një mjedis mbështetës, mund të zvogëlojmë largimin e profesionisteve dhe të hapim rrugën për një të ardhme më të ndritshme për Shqipërinë.

Bashkë, le të punojmë për të krijuar një sistem arsimor dhe kërkimor që jo vetëm të mbajë individët e talentuar Shqiptarë, por gjithashtu të tërheqë më të mirët dhe praktikat me eficente nga e gjithë bota.

Përgatitur dhe referuar;

Marjola Bejkollari

Anëtare kryesie e Diaspora për Shqipërinë e Lirë

Filed Under: Komunitet

“RRETH FLAMURIT TË PËRBASHKUAR …”

December 5, 2023 by s p

Në Filadelfia festohen mes dashurise dhe gëzimit ditët e shënuara të Nëntorit.

Kur shikoja sallën e Restorantit “Philadelphia Ballroom..”, në Veri-Lindje (Northeast) të qyteti, të mbushur plot e përplot me bashkatdhetarë të të gjitha moshave, takimet e përmallshme me njëri-tjetrin, daljet në fotografi në grup, vetëm apo me njeriun më të afërt para stendës të ngritur posacërisht për këtë ngjarje madhore të kombit tonë, nuk ka sesi të mos ngazëllhehet shpirti dhe të thuash me zë plotë: “Gezuar për shumë e shumë vite festat e Nëntorit tonë të madh! Eshtë gëzimi më i madh i vitit si në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarë.

Sa shumë bashkatdhetar që jemi mbledhur! Është gëzim, është bukur kur jemi bashkë në një festë të tillë: është gëzim e nderim për atë c’ka kemi bërë në rrugëtimin tonë historik për të rënët dhe ata që mbetën për të vazhduar “luftën” në paqe. Është detyrim moral, atdhetar për secilin nga ne të ruajmë si vlerat më të mëdha gjuhën shqipe, kulturën, atdhedashurinë.

Sot, si asnjëherë më parë, për nga numëri i madh i pjesëmarrësve, i përbërë më tre breza, të bie në sy se të gjithë ndjeheshin të afërt më njëri -tjetrin, shtërngonin duart, përqafoheshin të përmalluar, ( pa frikën e Covidit) që pasoheshin me pyetjet për shëndetin, punë, fëmijët… Shumë prej tyre janë takuar dhe bërë miq nëpër mbrëmjet e flamurit të organizuar nga Shoqata Mbarëshqiptare “Bijtë e Shqipes” me qëndër në Filadelfia. Por nuk është vetëm kjo mbrëmje nderimi dhe bashkimi që organizon shoqata. Kemi edhe festën e nënave dhe të mësueseve, ose shkurt festat e 7-8 Marsit. Pra nuk janë vetëm festa gëzimi, por edhe historike, nderimi, mirënjohje, bashkimi për lirinë dhe pavarësinë e arritur së bashku.

Shoqata Mbarëkombëtare Atdhetare- Kulturore “Bijtë e Shqipes” ka fituar tanimë një emër të nderuar për punën shumëplanëshe në komunitetin shqiptar, jo vetëm në Filadelfia por në gjithë Pensilvaninë dhe më gjërë. Jo më kot qëndrën kulturore të shoqatës e thërrasin me një emër tjetër të bukur “Shtëpia e Shqiptarit”, sepse shtëpi është bërë për Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”, shtëpi është bërë për shumë veprimtari kulturore, shtepi është bërë edhe për hallet dhe gëzimet e bashkatdhetarve. Ndaj edhe sot Dritan Matraku si kryetar i respektuar i shoqatës është kaq i ngarkuar dhe shqetësuar që cdo gjë të shkojë mbarë. Zonja e nderuar Julida Cepele, sekretare e shoqatës është krahu i djathtë i tij për paraqitjen dhe mbarëvajtjen e punëve në këtë mbrëmje festive. Afër tyre janë dy n/kryetarët znj Rudina Bani dhe z. Mexhit Kobiçi si dhe anëtarët e kryesisë Bujar Gjoka ish kryetari që i dorëzoi stafetën, Eva Dorin, Edi Papajn, Iljaz Shehu, Bujar Celen, Llazar Veron, Sadik Elshanin, Tajar Domi, Haki Collakun, Sami Zekën …. antarë të kryesisë, të gjithë në postin e vet të punës.

Pasi zunë vënd pothuaj të gjithë pjesëmarrësit në këtë festë fjalën përshëndetse e mbajti z. Sami Zeka, anëtar i kryesisë së shoqatës i cili midis të tjerave tha : “Me krenari dhe nderim, mblidhemi sot në qytetin e Filadelfias për të festuar Ditët e mëdha të historisë së popullit tonë, atë të Pavarësisë dhe të Clirimit të Shqipërisë. Sot, në këtë qytet historik, i cili është simboli i lindjes së pavarësisë amerikane, jemi mbledhur për të festuar shpirtin e lirisë dhe qëndrueshmërise që karakterizon kombin shqiptar.” Duke përfunduar përshëndetjen e tij ,pasi falenderoi pjesëmarrësit për mbështetjen që i kanë dhënë Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në mëse dy dhjetëvjecarë zoti Sami theksoi: Të gjithë të jemi të bashkuar, të kujtojmë dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme të ndritshme për emigrantët shqiptar në Filadelfia dhe më gjërë, duke ruajtur gjuhën, kulturen dhe identitetin tonë.”

Pas fjalimit përshëndetës me këtë rast fjalën e mori kryetari i shoqatës z. Dritan Matraku. Zoti Dritan i falenderoj të gjithë pjesëmarrësit në sallë dhe i uroi gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, këtë ditë të shenjtë për kombin Shqiptar. Mesazhi i tij ishte që të jemi të bashkur si komunitet rreth shoqatës “Bijtë e Shqipes”, të duam dhe ndihmojmë njëri-tjetrin, të mbajmë ndezur zjarrin e dashurisë për atdheun tonë të dashur.

Kjo festë ishte e mbushur me të papritura: dhe “fjalën” e morën ish nxënësit e saj, disa prej të cileve kanë mbaruar shkollën e mesme dhe jane studente ne fakultete dhe disa vazhdojnë gjimnazin (high school) Ja Vanesa Agolli, Ja dhe Enkela me Elisa Andranjin, ja Sara Matraku, Flavia Semanjaku me Bora Vladi, valltari i pasionuar Luis Koboci…U mblodhën të gjithë bashkë për të ngritur grupin e valleve nën drejtimin e zonjës së talentuar dhe të palodhur Sonja Ponoci. Nuk ishte e lehtë. Disa nuk kishin vallëzuar më parë por kur ke dëshirën dhe dashurinë për artin e popullit cdo gjë është e mundshme. Unë vet rastisa në provat e tyre dhe vec fjalëve të mira për zonjen Ponoci dhe këta të rinjë nuk mund të them gjë tjetër. Ja, i pamë sonte se si kërcënin vallet popullore nga krahina të ndryshme te Shqipërisë. Jo sikur ishin mbledhur para pak ditësh, Dukej sikur vallet flinin brenda tyre dhe duhej vetëm t’i zgjoje. Ju faleminderit te gjithëve. Le ta mbajme gjalle këtë grup dhe pas tyre le të vijnë të tjerë dhe të tjerë… Le të kemi dhe një shkollë apo kurs të valleve popullore shqiptare. Vallet flasin gjuhë ndërkombëtare, merren vesh dhe pëlqehen nga të gjithe. Pastaj edhe prindërit e tyre donin të kërcenin si bijtë e tyre, vallen popullore. Dhe kërcyen.

Më pas sallën e mbuluan zërat e bukur të fëmijëve, nxënës të Shkollës Shqipe “Gjuha Jone”, që kishin përgatitur një koncert polifonik recitimesh, që të përshkonte trupin si një furtunë emocionesh të fuqishme : Ja James Hoxha, deli djalë, me flamurin tonë kombëtar lajmëron : “Flamurin në dorë sot e mbaj,/ Jam krenar që jam shqiptar! E them me nder dhe krenari kam në gjak shqiptarinë.” Natasha Koroveshi gjithë emocion na thote se : “Larg Atdheut në mërgim,/ Shtruam sofrën e bashkimit,/ Sot në ditën e vërtetë,/Rrofsh moj Shqipëri për jetë.” Anthoni Nikolla deklaron me krenari: “Jam shqiptar dem baba dem,? Shqiptar jam dhe shqiptar do jem,/ Jam shqiptar në besë të burrit,/ betohem përpara flamurit.” Pas Anthonit e merr fjalën Harper Koliqi që lajmëron :”Bien fort tupanat në trojet e mia,? Kuq e zi është Kosova,/ Kuq e zi është Shqipëria./”. Pastaj fjalën e merr një vajzë e bukur bionde që duket sikur cicëron : “Një është Dielli,/ Një është Hëna,/ Një është babai,/Një është nëna./ Një jam unë,/ një je ti,/ Një është Nëna Shqipëri,/ Një është flamuri kuq e zi.” Ajla Lika që ka vetëm 5 muaj që ka ardhur nga Shqipëria lajmëron me krenari : “Erdha në Shkollën “Gjuha Jonë”,/ Edhe une jam Bij e shqipes./Rrethuar me shqiptarë plot,/ Ne zemër të Amërikës.” Ndërsa më së fundi bucet James Hoxha :’Urime Shqipëri,/Të rroj Pavarësia!/ Të rroj Flamuri kuq e zi!? Të rroj shqiptaria.”

Ishte me të vërtetë një koncert shumë i bukur! Ju faleminderit fëmijë! Faleminderit dhe mesueseve të Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” për përgatitjen e nxënesve dhe sidomos meueses Rudina Bani!

Sallën e mbulonte herë pas here zeri i bukur i këngëtarit Gëzim Nika, kaq i dashur dhe kaq i njohur në gjithe trojet shqiptare dhe jashte tyre ku jetojnë shqiptarë. Nga kenga në këngë dhe sikur behej më i afert me bashkatdhetarët. U bë pjesë e tyre, jo nga skena por aty pranë tavolinave, pranë bashkëkombasve të vet. E papritura e bukur ishte kur nxënesja e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” , këngëtarja jonë e dashur Arita Rukiqi këndon së bashku më mjeshtrin e këngës Gëzim Nika. Një e papritur e kendshme edhe për vet Gëzimin. Në fund salla shpërtheu në duartrokitje, që nuk munguan gjatë mbrëmjes edhe kur degjuan këngëtaren Greta Tafa dhe këngëtarin tonë të talentuar Arjol Shpuza, që po krijon cdo here profilin e një këngëtari me peshë. Jemi krenar për Arjolin. është shqiptar i Filadelfias. Kishte këngë nga të gjitha trevat shqiptare. Ishte e gjithë Shqipëriia aty, e bukur e dashur , trimërore.

Midis këngëve u krijua një hapsirë tjetër e bukur. Kryesia e shoqatës dha disa vlerësime për bashkatdhetarët tanë, që me ndihmesën e tyre të pakursyer i janë gjëndur pranë shoqatës në punët për rinovimin e ndërtesës aë ardhshme të saj. Dhe një ndër më të nderuarit është për këtë vit zoti Ferhat Ferko, biznesmen i suksesshëm që dha një ndihmesë të madhe në kryerjen e plotë të punimeve të jashtme hidraulike. Me plotë meritë ai u vlerësua me Certifikatën “NJERIU I VITIT” të cilën ia dorëzoi mes duartrokitjeve antari i kryesisë zoti Sami Zeka. Ndersa nënkryetari i Shoqatës Mexhit Kaboci i dorëzoi zotit Enver Parllaku certifikatën “NDERI I KOMUNITETIT” për ndihmesën e pandërprerë për komunitetin dhe shoqatën. Mes duartrokitjeve e merr fjalën kryetari i shoqatës z. Dritan Matraku , i cili fton bisnesmenin tjetër dhe shqiptarin e nderuar Altin Rapushaj për t’i dorëzuar

“CERTIFIKATëN E MIRËNJOHJES”, për ndihmesën e pakursyer në rinovimin e ndërtesës së shoqatës.

Ndjehemi të gjithë krenarë për këta bashkatdhetarë të nderuar të vlerësuar nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bijtë e Shqipes”.

Përsëri këngë dhe valle. Dollitë shkëmbhen në tavolina me urimet më të bukura : “Gëzuar festat e Nëntorit”vëlla, motër, bir dhe bijë, mik dhe shok!

Ndërkohë Julida fton të marrë fjalën mikun e shoqatës zotin Abdulla Domi, ish kryetar i Qarkut të Kukësit, kryetar i Federatës së Paqes Universale në Kukës dhë nënkryetar i Federatës së Paqes Universale në Shqipëri. Pasi përshëndeti të pranishmit ai ftoi zonjat Rudina Bani, Eva Dori dhe zotin Jakup Domi dhe u dorëzoi mes duartrokitjeve titullin “Ambasador i Paqes”.

Gjatë kësaj kohe vazhdonte shitja e biletave për llotarinë për të fituar dhuratat e sjella nga biznesmenja, znj. Adela Koliçi anëtare e kryesisë që ka firmë sigurimesh (Allstate), biznesmeni z. Eldion Pajollari ish anëtar i kryesisë së shoqatës që ka firmë sigurimesh (State Farm), dhe avokati i njohur, z. Iljaz Shehu anëtar i kryesisë.

Jashte sallës bashkatdhetarët vazhdojnë të bëjnë foto tek stenda e dekoruar me këtë rast kushtuar festave të Nëntorit dhuruar nga znj. Adela Koliqi, në bashkpunim me kompaninë printuese InterGlobe Press LLC. me pronare znj. Katie Verdhi.

Mund të shkruash shumë dhe më shumë mbushur me përshtypjet e mira nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë mbasdite të bukur të 26 Nëntorit 2023.

Përherë të gjithë bashkë! Mirupafshim në ditëtë tjera të shënuara të kalendarit kombëtar! Përherë me ty Shqipëri!

LLAZAR VERO ish kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes” Filadelfia, dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës.

Filed Under: Komunitet

FLAMURI SHQIPTAR MBRETËRON NË RRUGËN “ISMAIL QEMALI” NË NEW YORK

November 28, 2023 by s p

Nga New Yorku

Ramazan Çeka/

Një aktivetet madhështor nën kujdesin dhe përkushtimin e organizatorit kryesor z. Agim Kotaj, themelues dhe kryetari i “Xhamadani Foundation”, Shoqatës “Shqiptare Amerikane” Staten Island, New York me kryatar z. Naser Nika, aktivistit Shpetim Qorraj dhe vecanerisht Shoqatës “Kraja” me kryetar z. Sami Kanaqi.

Me pjesëmarrjen e qindra bashkatdhetarëve të Komunitetit Shqiptar në Amerikë, përmes një atmosfere dhe emocioni që nuk do të harrohet kurrë, mbretëronte Flamuri Shqiptar në Rrugën Ismail Qemali, në një nga rrugët kryesore në Staten Island në New York, që dukej sikur me frymën e tyre ky Flamur valëvitej madhështor.

Ishte ai Flamur që kishte ditëlindjen e tij, ishte ai Flamur që kishte mbledhur si një djalë i pashëm, i bukur e trim, familjen e tij, të afërmët e tij, bashkëkombasit e ti dhe shokët e miqt nga gjithë bota për të festuar.

Atë ditë ai valvitej shumë krenar, por ne ishim më krenar se ai, sepse, edhe pse kanë kaluar 111 vjet, është më i bukuri në botë.

Ishte madhështore dhe emocionuese kur pas ekzekutimit të Himnit Kombëtar u ngjitën në skenë emra të shquar të Komunitetit Shqiptar në New York, këngëtarë e valltarë, të cilët me performancat e tyre u rreshtuan përkrah të pranishmëve, duke krijuar një atmosferë festive shqiptare.

Në Vlorën heroike, 111 vjet më parë, Plaku u urtë Ismail Qemali me një grup burrash të shquar të pushkës dhe të penës u mblodhën për ta bërë Shqipërinë të pavarur, për ta nxjerrë atë nga sundimi dhe errësira shumëshekullore dhe për të hedhur themelet e një shteti të ri shqiptar.

Kjo nuk erdhi për një ditë, pasi ky popull i shtypur dhe i sunduar do të nxirrte kurdoherë djemt e tij, prijësa, figura të shquara të iluminizmit që si një fanar që ndriçn errësirat më të thella, ata ndriçuan edhe mendjen e shqiptarëve të shtypur e njëkohësisht, vunë në ballë trimat e shquar që nuk kursyen as jetën.

Historia e popullit tonë i thirri ata, që t’i dalin zot vendit të vet me shkrim e këndim, me sakrifica dhe gjak, sepse ky popull me këta bij, me këto sakrifica ka mbijetuar në historinë e gjithë popujve të Europës.

Nuk kisha si ta nisja ndryshe këtë shkrim, që unë sot po e publikoj për t’i bërë jehonë festimit të Ditës së Pavarësisë në Amerikë, nëqoftëse nuk do të përmendja Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin, Isa Boletinin, Dom Nikollë Kaçorrin e dhjetra firmëtarë të tjerë që nënshkruan Aktin e Madh të Pavarësisë.

Ishin pra këta burra që në një periudhë kaq të vështirë e delikate, me guximin dhe kurajon e tyre bënë realitet amanetin e Rilindjes Tonë Kombëtare, e vëllezërve Frashëri, e Çajupit, e Pashko Vasës, Ndre Mjedës, Jeronim De Radës e deri tek Asdreni i madh që na dhuroi fjalët aq madhështore, që sot ne i këndojmë me dorë në zemër në Himnin tonë Kombëtar.

Pikërisht me këto fjalë, me këtë Himn u hap, ashtu siç hapet çdo festë e tillë kombëtare edhe ky manifestim i madh, i cili u drejtua nga moderatorja e mrekulluzeshme Linda Doda Kavaja, e ftuar posaçërisht për drejtimin e këtyre spektakleve.

Mbresat e mia ndoshta janë të veçanta në këtë aktivitet madhështor. Ndoshta janë të tilla, sepse unë udhëtova nga Shqipëria për ta përjetuar ndryshe një eveniment të tillë dhe për t’u mbushur me frymëzim e krenari për çdo gjë që bashkëatdhetarët e mi bënë në këtë vend.

Për mua nuk është hera e parë që vij në Amerikë, por kjo radhë do të mbetet e pashlyeshme në kujtesën time, njëlloj si një rrugë e drejtë që ma ka mësuar një mësues i ditur.

Kjo fetë e bukur dhe madhështore do të pasqyrohet në televizionit TV1 Channel, në Shkodër dhe në ACTV New York në Amerikë.

Filed Under: Komunitet

ORGANIZATA KOMBËTARE LËVIZJA E LEGALITETIT FESTON 80 VJETORIN E KRIJIMIT DHE DITEN E FLAMURIT

November 27, 2023 by s p

LEONORA LAÇI/

Nju York-Shpesh më ndodh që harroj largësinë fizike me Shqipërinë, sepse Nju Yorku është një Shqipëri në miniaturë. Nentori i pavarësisë ku i bënë bashkë shqiptarët e Amerikës gelon nga një cep në tjetrin duke festuar dhe perkujtuar këtë ditë të shenjtë.

Por sot ishin dy festa në një ditë, ishte 80-vjetori i krijimit te Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit dhe pavarësia qe u festua në ambientet e restorantit me pronarët z.Hakik Mena dhe z.Ahmet Hoti me emrin ” Via Garibaldi”, një restorant elegant i gjetur në zemër të Ëhite Plains, Yonkers, Nju York.

Në aktivitete të tilla ka takim brezash, breza që mbajnë mbi shpatulla historinë dhe breza që do e shkruajnë atë histori që ato të tjerët e kanë përjetuar. Takimet me miqt e kolonel Xhemal Laçit dhe rikthehemi pas në kohë, lala Ndrec Gjergji dhe z.Zef Berisha më tregojnë çdo herë e më tepër se kush ishte koloneli, dhe sa më shumë flasin për të aq më shumë më shtohet krenaria, kjo krenari dyfishohet kur kuptoj se kam fatin t’i njoh për së afërmi këto miq të tijt si dëshmi të gjalla historike.

Fillimisht në këtë aktivitet u mbajt 1 minut heshtje për ndarjen nga jeta të znj. Sheqere Mulosmanaj, nusja e Hysen Mulosmanaj dhe Uke Gjonbalajt.

Aktiviteti vijoi me kengë patriotike e përfundoi me përshendetjet dhe urimet nga të pranishmit dhe si qershia mbi tortë u këndua himni kombëtar.

Aktiviteti u përshendet nga pjesëtare të Federatës Panshqiptare Vatra si Kryetari i Nderit z.Agim Rexhaj dhe z.Asllan Bushati, u pershendet nga legalistet si z.Ndrec Gjergji, nipi i Fuad Myftise , z.Ahmet Hoti, z.Hakik Mena, z. Ilir Seci, po ashtu dhe nga z.Agim Alickaj lobist i çështjes kombëtare, kengëtari Faik Pemaj këndoi dy vargje kushtuar ditës së flamurit, ndërsa poeti Halil Tetaj recitoi ca vargje patriotike kushtuar trojeve shqiptare, fjala iu dha dhe Sekretarit të Pergjithshëm të Legalitetit z.Lurian Mena si dhe u përcoll përshendetja e Kryetarit të Partisë së Levizjes së Legalitetit z.Shpetim Axhami, citoi” Miq të nderuar të komunitetit shqiptar të tre shteteve. NY,NJ dhe CT e kudo ku ju jetoni. Kam nderin dhe kënaqësinë Time personale dhe në emër të gjithë legalistëve të ju uroj Gëzuar festën tonë kombëtare Ditën e Shpalljes të Pavarësisë dhe njëkohësisht ditën e rëndësishme historik atë krijimit të OKLL nga patriotë nacionalistë, kjo nëpërmjet heroit të rezistencëa antifashiste me 9 Prill 1939, gjeneral Abaz KUPIT. Gjithashtu gjej rastin të përshëndes dhe të falenderoj miqt tanë me banim në SHBA, drejtues të lartë dhe përfaqësues të Partisë Lëvizja e Legalitetit në këtë shtet mik dhe aleat shekulloeë tonin që në kohën e Mbretit Zog, për këtë bashkim festiv tuajin në restorantin :

Via Garibaldi, 1N Broadway, White Plains, NY 10601.

Ju bashkëkombas tanë larguar nga Atdheu ynë prej diktaturës komuniste e më vonë për një jetë më të mirë tuajën dhe familjebe tuaja, kjo pas pluralizmit në Shqipëri, duke u nisur edhe nga ajo që qeverisjet këtu në vazhdimësi nuk ju afruan, mbeteni vlerë e shqiptarizmit dhe e përfaqësimit të Shqipërisë atje ku sot ju jetoni.

Sot del detyrë dhe borxh i klasës politike këtu në Shqipëri që ju të shprehni të drejtën e votës nga aty ku jetoni dhe të keni përfaqësuesit tuaj të zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë dhe në çdo institucion kushtetues të shtetit tonë që mendojmë dhe besojmë se një ditë të shpejtë të bëhet ashtu si e meritojmë.”-përfundon ai.

Ne kaq larg atdheut kemi ndjeshmërinë ndaj gjithçkaje që ndodh me Shqipërinë tonë dhe trojet tona etnike dhe dita e flamurit është dita ku ne reflektojmë dhe mendojmë se si duhet të veprojmë që dashuria për atdheun, gjuhen shqipe, traditat, zakonet mos të shuhet.

Kështu i bëjmë nder kombit dhe vehtës.

Kështu bëhemi shembulli i duhur sesi punohet për atdhe. Sikur secili të bëj individualisht pjesën e tij, e pastaj ne grupe se bashku te unifikojmë zërin për gjëra dhe më të mëdha. Një diasporë e bashkuar është edhe më e fortë.

Filed Under: Komunitet

Lamtumirë miku ynë dhe i gjithë kombit Ukë Gjonbalaj!

November 27, 2023 by s p

Qemal Zylo/

Me shumë hidhërim e morëm lajmin e ikjes nga kjo botë të patriotit dhe intelektualit të shquar Uka Gjonbalaj. Në të gjitha aktivitetet kryesore ku kemi marrë pjesë si media “Alba Life” ishte e pamundur të mos shihje pjesëmarrjen fizike dhe aktive të Uka Gjonbalaj.

Unë do të sjellë vetëm një detaj nga takimi personal që kam pasur në vitet e hershme të emigrimit tonë kur erdhëm në USA në vitin e mbrapshtë të 97-ës nga lufta civile në Shqipërinë tonë. Ne kishim ëndrra të integroheshim në Amerikë me kulturë dhe dinjitet.

Miku ynë shkrimtari dhe historiani Rexhep Dedushaj nga Vuthaj na çoi në një seminar që organizohej nga kompania e famshme Met Life ku Uka ishte zyrtar i lartë dhe tha se do ju prezantoj me këtë shqiptar të madh. Ai kishte marrëedukimin e lartë në universitetin në Zagreb për Ekonomi.

Drejtimi i seminarit, leksioni i Uka Gjonbalaj dhe fjala elekuente i tërhoqi pamasë amerikanët e shumtë dhe natyrisht dhe ne si shqiptarë. Biri i Vuthajve na uroi mirëseardhjen në Amerikë plot kulturë dhe mirësi dhe na frymëzoi se ju do të integroheni siç e meritoni, pasi Amerika është vend i ëndrrave, por nga ana tjetër unë ndjej shumë dhimbje që shumë intelektualë që i duhen Atdheut po ikin prej andej. Unë e dëgjoja me vemendje dhe prekesha shumë për historinë e tij dhe të shumë shqiptarëve të tjerë që ishin larguar nga dhuna serbo-malazeze apo qarqet e tjera antishqiptare.

Uka Gjonbalaj luftoi pa u kursyer për çështjen kombëtare si dhe me kontribute financiare. Atë e shikoje kudo ku Atdheu thirrte bijtë e tij në demonstrata për Kosovën, Çamërine, trevat shqiptare, paradat organizuar nga Rrënjët Shqiptare, apo në mbështetje të kandidatëve shqiparë si psh Marko Kepi që donin të hynin në politikën amerikane.

Nuk do ta harrojmë kurrë ku së bashku me Kozetën ishim të ftuar si media në restorantin “Cello” në Staten Island ku Liga Qytetare Shqiptaro Amerikane me Presidenet ish Kongresistin me origjinë arbëreshe Joe DiGuardi në bashkëpunim me organizatën “Rrënjët Shqiptare” organizuan darkë Kongresi për Çamërinë: “Çamëria Congressional Dinner”.

Kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, z.Gregory Meeks premtoi në praninë e shqiptaro amerikanëve se do të thërras në Kongresin Amerikan z.Sali Bollati të mbijetuarin e genocidit grek të dëshmojë për masakrat greke.

Shume e veçantë ishte fjala e atdhetarit Uka Gjonbalaj. Edhe pse ishte me tub të oksigjenit në hundë ai nuk ndaloi për Kombin, por idetë dhe fjala e tij u mirëpritën me ovacione.

Ndonëse ishte me pikëpamje republikane, ai foli aty si shqiptar që i dhëmb Kombi, i dhëmbin çështjet e padrejta, i dhëmbin trojet e shkëputura me të padrejtë nga trugu amë.

Z. Gjonbalaj vazhdimisht ka qenë ndër vite në krah të Çamërisë së bashku me luftëtarin dhe birin e Camërisë z. Sali Bollati. I ndjeri Gjonbalaj e ka mbështetur pa rezerva çështjen e saj.

Në emër të TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” si një dashamirës i madh i shprehim ngushëllimet e thella familjes së tij të mrekullueshme, bashkëshortes fisnike, dy djemve, vëllazërisë dhe Fisit të mirënjohur Gjonbalaj.

Diaspora, Kombi, Plavë Gucia, Staten Island, New Yorku dhe Vuthaj humbën Birin e saj, por vepra e tij do të kujtohet dhe do të jetë frymëzim ndër breza.

Dritë ju pastë shpirti!

Lamtumirë miku ynë dhe i gjithë Kombit, Uka Gjonbalaj!

26 Nëntor, 2023

Staten Island, New York

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 57
  • 58
  • 59
  • 60
  • 61
  • …
  • 386
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT