• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

LEF NOSI DHE PAVARËSIA E SHQIPËRISË

November 26, 2024 by s p

Prof. dr. Roland Gjini

Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan

Lef Nosi, lindur në Elbasan në vitin 1877, që në fillimshekullin XX, bëhet tepër aktiv në lëvizjen kombëtare, madje, në momente kyçe, do të luajë rolin e protagonistit, jo vetëm për trevën e Elbasanit, por edhe më gjerë, për krejt trojet shqiptare. Në mënyrë të veçantë u dallua si aktivist politik në lëvizjen atdhetare shqiptare për çlirim kombëtar nga pushtimi osman, në Shpalljen e Pavarësisë dhe në krijimin e shtetit shqiptar në Kuvendin e Vlorës të vitit 1912.

Që herët, Lef Nosi do t`i bashkangjitet idesë së Shqipërisë autonome dhe kërkesës së përgjithshme të muslimanëve e të krishterëve për njohjen zyrtare të gjuhës shqipe, për ngritjen e shkollave kombëtare, si edhe do të japë kontributin e tij financiar për futjen në vend, fshehurazi, të librave, gazetave e broshurave në gjuhën shqipe. Në fillim të viteve 1900, kur, lëvizja kombëtare kishte hyrë në fazën e organizimit të saj në përmasa mbarëshqiptare, Lef Nosi, sikurse edhe atdhetarë të tjerë shqiptarë si Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani, Faik Konica etj, të vetëdijshëm për rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë nga monarkitë fqinje dhe nga qëndrimi i diplomacisë evropiane, përkrahu idenë, e shprehur më parë nga Ismail Qemali në platformën e tij për autonominë e shqiptarëve, se “udha më e drejtë për çlirimin e Shqipërisë ishte ajo e përhapjes në popull e shkrimit dhe e këndimit shqip, e dijeve dhe diturisë”. (Hist. e pop. shqiptar, Vëll.II, TOENA, 2002, f. 323)

Në letërkëmbimet e dendura me Aleksandër Xhuvanin, Lef Nosi, shpreh vëmendje të veçantë për problemet e gjuhës dhe të shkollës shqipe, zgjidhjen e të cilëve i shikonte si leva të rëndësishme të ngritjes së nivelit të ndërgjegjes kombëtare, të përparimit të shqiptarëve dhe të bashkimit të tyre politik. Përdorimin e gjuhës shqipe e shihte si domosdoshmëri edhe në kishën ortodokse shqiptare. Kjo ishte arsyeja që në vitin 1908 Noli i shkruan atij nga Amerika se “Ka dy muaj që një prift shqiptar në Amerikë ka marrë lejen të meshojë shqip … Edhe ju e të gjithë ortodoksët e Elbasanit mund të mblidheni e t`i dërgoni një letër Patriarkanës ku t`i kërkoni t`ju dërgojë një dhespot që të dijë shqip dhe t`ju jap leje të meshoni shqip në gjithë kishërat”. (AQSH, Fondi 32, Dosja 55, f. 3)

Në fillim shekullin XX, do të mbështesë lëvizjen për kishën unite, të ndërmarrë në Shpat e Elbasan nga At Germanos, ose Jorgji Theohari. Lefi u dallua si kundërshtar i hapur i ortodoksisë greke, gjithashtu ai arriti të bashkëpunojë me sukses në këtë lëvizje edhe me figura elbasanase të lagjes Kala të përkatësisë fetare muhamedane, si Dervish Bej Biçaku, duke dëshmuar kështu shembullin më të spikatur të harmonisë ndërfetare. Tepër aktiv Lef Nosi do të tregohet në botimin e fjalorit-shqip-greqisht të Konstandin Kristoforidhit. Stefani, i biri i Kristoforidhit, i rënë ngushtë nga ana ekonomike, së bashku me Veniaminin, vëllain e Lefit, do t’ia shesin këtë fjalor autoriteteve greke për 170 franga. Me të rënë në dijeni për këtë veprim, Lef Nosi nguli këmbë për rikthimin e fjalorit. Së bashku me Stefanin ai shkoi në Konsullatën greke në Durrës dhe u kërkoi zyrtarëve grekë ose kthimin e fjalorit, ose realizimin e botimit. Ky veprim i tij, si dhe aktiviteti i mëparshëm politik, shqetësoi edhe autoritetet osmane dhe, në shkurt të vitit 1901, Lef Nosi arrestohet nën akuzën “për faje politike”, nën preteksin se në korrespondencën e tij u gjetën thirrje për kryengritje AQSH, (Fondi 32, Dosja 59, f. 5.) kundër Perandorisë Osmane. Pas 7 muaj qëndrimi në burgun e Elbasanit, në pritje për të dalë në gjyq, ai dërgohet në Selanik. Në burgun e këtij qyteti qëndron edhe 5 muaj të tjerë, deri më 22 shkurt 1902, kur del në gjyq dhe gjykata osmane e Selanikut i jep pafajësinë, për mungesë provash, duke u liruar nga burgu i Jedi Kullës. Ndërkohë që qëndronte në burgun e Selanikut, në Elbasan do të arrestohen dy vëllezërit e tij: Anastasi, anëtar i Këshillit Administrativ të Prefekturës, dhe Veniamini, tregtar, të cilët burgoset nën akuzën për tradhëti dhe intriga, por lirohen edhe këta për mungesë provash, me vendim të gjykatës luftarake të Manastirit. (AQSH, Fondi 32, Dosja 59, f. 5.)

LIDHUR ME FORMËN E QEVERISJES SË SHQIPËRISË

Lidhur me formën e qeverisjes së Shqipërisë, Lef Nosi do të evoluojë që herët nga platforma e autonomisë drejt idesë së pavarësisë. Ai, bashkë me Faik Konicën, ishin ndër të parët veprimtarë politikë të kohës që hodhën idenë për qeverisjen e Shqipërisë si një shtet i pavarur. Këtë ide e shfaqin që në vitin 1907, kur ishin me qëndrim në Londër. Për këtë dëshmojnë qartë dokumenta të AQSH Fondi 32 d. 6, f.1-4, viti 1907. Sipas këtyre dokumentave Lef Nosi, bashkë me Faik Konicën dhe Mikele Parkan, janë pjesëtarë të parë të organizatës politike Ana Kombtare e Shqipërisë (The National Albanian Party), e themeluar në Londër më 4 tetor 1907, e cila ka programin e saj të qartë prej 24 pikash.

Është për t’u vlerësuar fakti se Lef Nosi, si intelektual i kujdesshëm dhe largpamës, mbante rregullisht shënime për ngjarje e dukuri të rëndësishme të kohës. Shpesh shënimet e tij, të ruajtura me kujdes, shërbejnë si burim kryesor historik për studiuesit e sotëm. Në rastin tonë, programi dhe roli i organizatës Ana Kombëtare njihet mirë pikërisht në sajë të shënimeve të tij, të arshivuara në dosjen e lartpërmendur. Në to, Lef Nosi thekson pikat më të rëndësishme të programit, duke i zbërthyer, komentuar e sqaruar ato. (AQSH, F. 32, D. 30, f. 2)  Ndalet fillimisht në 5 pikat më kryesore, të cilat shprehin në mënyrë thelbësore idetë për ngritjen e funksionimin e shtetit të pavarur shqiptar. Që në pikën e parë, shteti i ri shqiptar përcaktohet si i pavarur nga ndonjë fuqi tjetër, ndërsa në pikën 2, ky shtet ideohet në formën e monarkisë, me mbret një princ nga dyert mbretërore të Evropës. Në shënimet e tij, Lefi, del hapur si përkrahës i flaktë i monarkisë, duke sjellë si shembull Norvegjinë, që kaloi nga republika në monarki me mbështjetjen e Europës. Prandaj ai thekson se “Është fat të besojmë se Evropa monarkike do t’na lejojë, në u çlirofshim, të jemi mbretëri më vete. Edhe sikur të duam të jemi ndryshe e të zgjedhim një princ jashtë këtyre dyerve, s’na dëgjojnë fuqitë e mëdha. Ndaj është mirë që gjithë burrat me mendje të pjekur duhet të kuptojnë këtë e mos largohen nga realiteti në ëndërrime e shpresa të kota”. Sa i takon hapësirës gjeografike të shtetit të pavarur shqiptar, në programin e Anës Kombëtare në një pikë më vete jepet përfshirja në fjalën “Shqipëri” të 4 vilajeteve, të Janinës, Shkupit (Kosovës), Manastirit dhe Shkodrës. Në një pikë tjetër të programit përvijohet qëndrimi që do të mbahet ndaj pakicave kombëtare, greke apo sllave, që ndodhen brenda kufijve të shtetit të pavarur shqiptar. “Sllavëve e grekëve që kanë mbetur në këtë anë të kufirit mund t’u shpërblehet toka nëse duan të ikin, o mund të ndreqen me anë të një komisioni të veçantë me shkëmbimin e tokës dhe gjësë me shqiptarët e mbetur në atë anë të kufirit dhe që duan të zënë vend në mbretërinë shqiptare.” Drejtuesit e Anës Kombëtare në programin e shpallur, në një pikë të veçantë, sigurojnë lirinë dhe barazinë e shtetasve me kombësi jo shqiptare brenda kufijve të shtetit shqiptar: “Të gjithë subjektet e Mbretërisë që s’janë shqiptarë nga gjaku do të gëzojnë të drejta të barabarta me shqiptarët, do t’u sigurohet liria e pasuria.” Nisur nga modeli i shteteve monarkike moderne të Europës, në program shteti i pavarur shqiptar përcaktohet laik: “Mbretëria shqiptare do të rrijë e paanshme në fe e fetë. Çdo feje do i sigurohet lirija sipas kanuneve.” (Po aty). Pikat në vazhdim, të komentuara nga Lef Nosi, paraqesin në mënyrë të detajuar organizimin e Anës Kombëtare, nga qendra (Londra) deri në degët e saj nëpër qytete të ndryshme në Shqipëri. Pika (artikulli) 11 tregon se qendër e organizatës Ana Kombëtare është zgjedhur Londra, ndërsa Lef Nosi argumenton faktin përse pikërisht ajo, duke theksuar se është “… vendi më i mirë nga pikëpamja politike, vend që garanton lirinë e paanësinë. … Grand Britania (GBR) e SHBA, e sidomos Grand Britania, është më afër Shqipërisë. Në Angli u gatua liria e grekëve, bullgarëve e shumë viseve të tjera, është ajo që drejton mendjet e botës, opinionin publik të kombeve të qytetëruara. Pra, Londra duket vendi më i mirë për politikën tonë.” (Po aty).

LIDHUR ME ORGANIZIMIN E ANËS KOMBËTARE

Programi parashikon që anëtarët e secilës degë në qytetet shqiptare do të zgjedhin nga një të parë (kryetar) dhe tre këshilltarë, për çdo tre vjet. Kryetari zgjedh një o më shumë sekretarë. I pari do të ketë tri detyra: a. të përhapë programin e Anës Kombëtare, b. të ndërtojë e drejtojë politikën e jashtme të Anës …, c. të mbajë disiplinën mes anëtarëve të Anës … Ndërsa këshilltarët e sekretari do të ndihmojnë kryetarin e do të kontrollojnë mbledhjen e pagesave.

Programi i Anës Kombëtare, në mënyrën e të hartuarit, nuk ishte formal e as shabllon, ai ishte konkret dhe mbështetej fort në traditën dhe psikologjinë e shqiptarëve. Prandaj në të theksohej se “Parimi themelor … do jetë besa, burrëria, drejtësia e njerëzia. Kryefjala e Anës do të jetë “energji pa shterim””, shkruhet në të.

Lefi Nosi, duke marrë përsipër të sqarojë e komentojë synimet e programit pikë për pikë, mes të tjerash, kundërshton “gojët e liga”, që flasin për përçarjen e qëndrimin e ftohtë të shumë atdhetarëve shqiptarë të dalë nëpër Evropë, në lidhje me çështjen kombëtare. Ai thekson se programi s’është i nevojshëm vetëm për të huajt, por sidomos për shqiptarët që duan të dinë se ku po i çojmë. “… kta shqiptarë duhet të dinë se kur të kërkojnë ndijmën e një vendi të huaj do ndeshen me tre pyetje: “1. Cilin keni udhëheqës? 2. Në emër të kujt flisni? 3. Cili është programi juaj? Pasi njohin programin tonë do të na ndihmojnë jo se jemi komb i vjetër, trim e i nderë, por se kërkojmë gjëra të arsyeshme e të drejta.” Duke i tërhequr vëmendjen elitës shqiptare për bashkim dhe qartësi mendimi, ai jep porosi në lidhje me programimin e lëvizjes kombëtare drejt pavarësisë: “Nëse doni të më bëni që të punoj për ju duhet të më thoni se ç’qëllim keni. Thërrisni të kërkoni ndihmën time në emër të bashkimit, por duhet të më tregoni themelet mbi të cilët më thërrisni ta kërkojmë bashkimin tonë. Këtë e bën programi, që është themeli i çdo bashkimi …” (AQSH, F. 32 d. 6, f. 1-4.)

Duhet të pranojmë që programi i Anës Kombëtare nuk u vlerësua nga një pjesë e mirë e elitës kombëtare, duke ditur lidhjet e saj me Turqinë, domosdo që këta, në këtë kohë, nuk mund të ishin për shkëputje të plotë nga Porta e Lartë. Gjithashtu, në shpërfilljen që pjesa më e madhe e elitës shqiptare i bëri Anës Kombëtare, mund të ketë ndikuar edhe shpresa e tyre nga Lëvizja Xhonturke, që premtoi disa liri, deri në autonomi, për popujt e Perandorisë. Në fakt Lef Nosi, ashtu si Faik Konica, nuk besoi shumë në premtimet e xhonturqve, një arsye më shumë kjo që i shtyu ata drejt idesë së pavarësisë së shqiptarëve. Megjithatë, pranonte edhe vetë Lefi, ndoshta kërkesa drejt pavarësisë mund të jetë e parakohëshme, duke menduar se ende nuk ishin krijuar kushtet e brendshme për zgjidhje radikale, dhe duke shpresuar në ndërhyrjen e Fuqive të Mëdha në favor të çështjes shqiptare, ai parapëlqente zgjidhjen e saj me rrugë paqësore. Në këto rrethana, në fillim të vitit 1908, euforia e ideatorëve shqiptarë të Londrës për pavarësi nuk gjeti përkrahje të gjerë dhe Ana Kombëtare nuk arriti të organizohej në viset shqiptare. Po këtë vit, 1908, Lef Nosi u kthye nga Anglia në atdhe.

Mbështetur në burimet dokumentare austriake (AQSH, F. 32, D. 131, f. 4.) rezulton se në Kongresin e Manastirit të nëntorit të vitit 1908 ka marrë pjesë edhe Lef Nosi, megjithese pa të drejtë vote. Më parë ai kishte kërkuar që kongresi i alfabetit të shqipes të mbahej në Elbasan, megjithëse ky propozim nuk u miratua dhe ai nuk u caktua si delegat për në Manastir, ai përsëri shkoi atje, në mbështetje të miratimit të një alfabeti të vetëm të gjuhës shqipe. Në këtë Kongres, ai përkrahu fort idenë e Gjergj Fishtës dhe të Ndre Mjedës, që gjuha shqipe të mos shkruhej as me shkronja arabe, as me shkronja greke, por me alfabetin latin, gjë që nënkupton mosnënshtrimin qoftë ndaj otomanëve, qoftë ndaj grekëve. Gjithashtu, mbajtjen e këtij Kongresi Lef Nosi e shihte si një fillim të organizimit të aktivistëve politikë shqiptarë kundër Perandorisë osmane dhe xhonturqve, që kishin devijuar nga programi i tyre, prandaj në ato kohë ai shkruante se “… me rrugën e re që kish nis Perandoria otomane u pa e nevojshme të mblidhen përfaqësuesit e kombit për të përcaktuar vijën që duhej ndjekur për të mirën e kombit. E strehuar nën hijen e abc-së, Kongresi i Manastirit qe një shkak për bisedime më të larta dhe këmbëza mbi të cilën u mbështet një nga shtyllat e bashkimit dhe vëllazërimit të shqiptarëve”. (Gazeta Lirija, 1909, 3 janar.)

 Pas përfundimit të punimeve të Kongresit do të bëhet një luftëtar i flaktë për mësimin e gjuhës shqipe, sipas alfabetit të aprovuar në këtë kongres. Shkolla e parë shqipe zyrtare hapet në Elbasan në 2 gusht të vitit 1908. Ndërsa një muaj më pas Lef Nosi bashkë me Petër Avramin, Simon Shuteriqin, dhe zonjat Parashqevi e Athina Cicon, në vazhdim të traditës së Konstandin Kristoforidhit, u mësonin nxënësve shkrimin e këndimin e gjuhën shqipe, sipas alfabetit të Manastirit, në shkollën greke në lagjen Kala të këtij qyteti. (Po aty.) Mbështeti iniciativën e klubit “Bashkimi”, për të hapur shkolla të reja shqipe dhe, në tetor të vitit 1908, ai bashkë me Petër Dodbibën ngritën, po në lagjen Kala, një shkollë shqipe nate. Në këtë shkollë përveç Lefit e Petrit jepnin mësim, vullnetarisht, njerëz me arsim si Fot Papajani, Dhimitër Deliana, Josif Haxhimima apo Matthe Papajani. Këtu mësimet ndiqeshin nga më tepër se 80 nxënës “që po mësojnë me shumë zell”, shkruante Lef Nosi në gazetën “Lirija”.[1] Gjatë kësaj kohe, në dyqanin e tij, krahas mallrave të tjera, shiste edhe libra shqip; madje në një kënd të dyqanit kishte krijuar një bibliotekë personale, ku mbante “jo vetëm shumë libra shqip, -siç shkruante Mit`hat Frashëri- por edhe mjaft të tjerë në gjuhë inglisht, italisht dhe të tjerë. Kështu, dyqani bëhej vend i disa djelmoshave që kuvendojnë për gjëra mësimi” (Gazeta Lirija, 19 shëndre 1909, f. 3.).


 

Filed Under: Kronike

Manastiri jonë i lavdishëm…

November 23, 2024 by s p

Në Republikën e Kosovës jemi rritur me një frymëzim për të sjellur tek ju mesazhin e një brezi që u rrit me idealin e lirisë dhe aspiratën e bashkimit kombëtar. Kombi ynë u ngrit në këmbë dhe i mbijetoi të gjitha rrufeve që solli historia, pas shumë përpjekjeve titanike të paraardhësve tanë, të cilët nuk kursyen as gjakun as dijen për të na lënë trashëgim Atdheun e mosvarëm dhe rrugët e hapura të prosperitetit kombëtar. Duke u nisur edhe nga trashëgimia ime familjare që prodhoi hasanizmin si ide përbashkuese, do t’i quaja shumë me fat brezat e mëvonshëm që u rritën dhe u zhvilluan në frymën e ngjarjes madhore të kombit tonë, të cilën ne sot në Manastir po e kremtojmë me plot dinjitet. Kjo ngjarje, në fakt, për nga pesha dhe dimensioni historik, ka projektuar në vetëdijen kolektive të shqiptarëve një orientim properëndimor, duke e vendosur të ardhmen e kombit tonë në hartën gjeokulturore të popujve të civilizuar. Strategjikisht, bashkimi gjuhësor i shqiptarëve që ndodhi në Kongresin e Manastirit, duke favorizuar alfabetin latin si bazë e shkrimit të shqipes, e ridimensionoi statusin oksidental të arsimit dhe kulturës shqiptare dhe përfundimisht i shkëputi lidhjet me traditën e shkrimit mbrapsht. Kthimi mbarë i shkronjave të alfabetit tonë, ndikoi në ndërgjegjësimin masovik të të gjithë atyre që më vonë në organe shtypi, në tekste shkollore apo në dokumente administrative e përdorën këtë alfabet, si një farë që do të mbillej në fushën e gjerë të dritës së diturisë, siç do të thoshte Naim Frashëri i madh. Pa dyshim që Manastiri do të mbetet përgjithmonë piemonti ynë i shenjtë që na e kujton historinë e formimit gjuhësor, dhe kjo do të ishte e pamundur të ndodhte, pa kontributin kolosal të Familjes Qiriazi, një familje kjo fisnike, me ndërgjegje të lartë kombëtare, e cila ishte promotori i gjithë kësaj ngjarjeje madhore. Qiriazët e Manastirit,me sakrificat dhe kontributet e tyre të pakursyera, janë qirinjtë e ndezur të iluminizmit shqiptar, të cilët bënë dritë atëherë kur errësira anadollake dhe obskurantizmi shovinist i fqinjëve tanë, mundohej ta bënte sa më të padukshme udhën e zhvillimit dhe emancipimit tonë kombëtar. Pikërisht ky ka qenë edhe motivi që kolosi ynë Hasan Prishtina, me bashkëveprimtarët e tij, doli në mbrojtje të fuqishme të alfabetit latin, duke kundërshtuar propagandën xhonturke, bullgare, serbe e të qarqeve të tjera, të cilët punonin me të madhe që të frenojnë përparimin kulturor të shqiptarëve, sepse kjo më vonë do të sillte Pavarësinë e Shqipërisë. Dhe, nëse 28 nëntori i vitit 1912 shënohet si një ditë e shenjtë e historisë sonë,atëherë me plot gojën mund të themi se Kongresi i Manastirit ishte mëngjesi i asaj dite, ishte agimi i një zgjimi kombëtar, sepse siç do të thoshte edhe Gjergj Fishta i madh: ’’Alfabeti është i vetmi mjet me të cilin kombi do të përparojë. Po të mos zgjidhej alfabeti,Shqipëria do të pësonte humbje të mëdha….’’ Studiuesit e fushave albanologjike kanë bërë shumë hulumtime të deritanishme mbi Kongresin e Manastirit dhe të gjithë pajtohen njëzëri se çështja e njësimit të alfabetit të gjuhës shqipe nuk duhet parë vetëm si çështje thjesht gjuhësore, por edhe si çështje me rëndësi të madhe kombëtare, kjo edhe për faktin se ky Kongres u shndërrua pastaj në ide vepruese të platformës së lëvizjes kombëtare, që determinoi një angazhim gjithëpërfshirës duke filluar nga shtrirja në terren të gjerë e arsimit në gjuhën shqipe, krijimin i ushtrisë kombëtare shqiptare, hapja e shkollave në gjuhën shqipe, përfshi edhe Normalen e famshme të Elbasanit, zhvillimin ekonomik të vendit, shfrytëzimin e pasurive nëntokësore, ndërtimin e hekurudhave, rrugëve, e urave, deri te zhvillimi i bujqësisë dhe degëve tjera ekonomike. Si kurorëzim i punës titanike që u bë pas Kongresit të Manastirit, ishte hapja e shkollave shqipe në hapësirën etnike shqiptare, sidomos gjatë viteve 1909-1910, kurse gjuha shqipe, përveç qyteteve të tjera, u fut edhe në gjimnazet turke të Elbasanit, të Vlorës, të Beratit dhe të Shkupit, ishte i angazhuar si mësues patrioti i njohur Bedri Pejani. Shqipja filloi të mësohej gjithashtu në shkollën “Edep” të Shkupit, që mbahej nga klubi “Rinia patriotike” (“Shubani vatan”) të këtij qyteti. Nga referencat historike që jep shtypi shqiptar i kohës, e që ndërlidheshin me jehonën e Kongresit të Manastirit, gjuha shqipe ishte futur si lëndë pothuajse në të 41 gjitha gjimnazet (idadijet) turke të Shqipërisë dhe në shumë shkolla qytetëse (ruzhdie). Historikisht armiqtë tanë janë trembur nga idetë iluministe që kanë përshpejtuar zgjimin kombëtar shqiptar. Kështu ndodhi edhe me Kongresin e Manastirit, suksesi i të cilit dhe jehona që pati në gjithë viset shqiptare, ua prishin disponimin autoriteteve turke të asaj kohe, të cilët urdhëruan mbylljen e shkollave shqipe që filluan të zbatojnë Alfabetin e Manastirit, ndërkohë që Hasan Prishtina, dhe patriotët tjerë shqiptarë protestuan fuqishëm kundër këtyre veprimeve të administratës turke. Madje edhe paria e Prishtinës, në një letër që i dërgonte në fund të dhjetorit të vitit 1909 deputetit të saj, Hasan Prishtina, në emër të popullsisë së kësaj treve, protestonte kundër veprimeve që po bëheshin për t’i detyruar shqiptarët të përdornin alfabetin arab, dhe i kërkohej Hasan Prishtinës që të ndërmjetësonte pranë qeverisë që mësimet në shkollat fillore të bëheshin në gjuhën shqipe dhe që ajo të jepej me alfabetin latin. Ne sot jetojmë në kohën kur jehona e Kongresit të Manastirit ende është e gjallë, kurse veprimtaritë shkencore e hulumtuese që po ndriçojnë edhe më tutje dimensionet e ndryshme të kësaj ngjarjeje, na bëjnë të kuptojnë se ajo që u arrit para më shumë se 100 viteve në Manastir është një busullë orientuese në kohë e hapësirë. Kongresi i Manastirit po bëhet më i afërm për publikun e gjerë si ngjarje dhe si fenomen historik, ndaj edhe e meriton mbështetjen e gjithë neve.

Mehmet Prishtina, Prishtinë, 22.Nëntor 2024

Filed Under: Kronike

Karl Gurakuqi “Alfabeti yne i Monastirit”

November 22, 2024 by s p

Ndersa ne kujtimet e tij Karl Gurakuqi shkruan: “Kjo gjendje kaotike i dha shkak At Fishtës të shkruente atë poezín e bukur satirike “Koha e arit në Shqypní” (1907) (mbas Eklogës IV të Virgilit)-:

Oj Zânë, t’kndojmë sot mâ mire se kurrnji hera;

T’shporrna pallavrash t’Skanderbeg Kastriotit:

Për veshë t’Shqyptarit duhen sot kângë tjera.

Tash koha e lume erdh qi e pri’m kahmotit;

Mun n’thundra sot Shqyptari á t’u përtrî;

Kacuk Lirija â ndêjë, ehu! Mbi Rrasë t’Hotit,

Ke ‘i breshën Abetarësh na rá n’Shqypní…

Shqypní, mbassi tash fati t’ká punue

Prej djelmve t’tú me t’ramun kjo dhânti,

Hiqe, dhѐ, futën: zêne se kѐ pshtue!

Me tỳ, Abetár të larmë, për fis t’Shqyptarit

Do t’zbardhë nji kohë qi lum kush ká m’e gzue.

Me cirka t’hueja qafën prej kularit

Ká për t’a hjekë Shqypnija e ngratë e shpina

Ksaj ká m’i u shndoshun krejt prej varrësh t’samarit.

Keni për t’ndêjë për krah me La Divina

Commedia, e prej andej t’cofne burrnin

Ju do t’a njallni n’dhѐ ku ushton martina.

Për kaq gazmend pá u pritë n’Shqypní po bîn

Pelini, hîthi djegës e madërgona,

E tâmbël zogut, tham, Shqyptarët do t’pin.

Kërkend mbas sodit mâ nuk kѐm pse drona;

Kaq nji forcade t’madhe prût n’Shqypní!

Do t’cofë Kristoforidhi; e atje mâ e vona

N’harresë Bogdani i ngratë, po, ká m’u shtî.

Npër jú ndër nѐ Byronat e Mozartat,

Un tham, do t’bîjnë si kpurdhat kúr bjen shî.

Pá pasë nevojë me shkarravitun kartat

Për punë qi motit ndodhën n’tokë t’Shqyptarvet,

Ju historin keni për t’na msue e artat

Por paski kênë ju Ora e katundarvet,

pse pá u mundue me qѐ e me plozhica

Grune të pjekme kan me bajtë prej arvet;

E gzeza rrushit kan me vjelë n’plakrrica,

E kan me ndukun molla n’dega lisit,

Sá n’letra t’ueja kini “cirifica”….

Ehu! Na matufat, mbí dỳ kâmbë bubrreca,

Me Abecedarë kujtojmë se kapna n’breg,

E ngiet dijetarvet ngrehna si gjeldeca.

Çdo ftyrë-fudúll na mbahet Skandërbeg

Me i zemër leprit n’bark e dijetár,

Veç se për lakut s’çohet m’u shitë në treg.

Për çdo kaçubë na bîn kah nji letrár,

Qi, ethun trûsh me prralla e me gazeta,

Përfton n’e mbram e pjell nji Abecedár.

Pjellë mushkut, po, por prap Shqypnija e shkreta

Prej sish do t’bahet n’njaq kortarë e copa

Sá shkrola janë prej A e deri n’Zeta:

Kaq qi mbí nѐ bân seri mbarë Europa

Ke nѐ Shqyptarve sot na âsht prѐ nafaka

Gjithmonë nën bark kѐm për t’i a lânë samarin

Pá nji bashkim t’vërtetë, s’ká për t’ague

Për nѐ agimi kúrr; gjithmonë por nata

E mbárrja e skámi kan për t’ná ngushtue.

Po, a thue kurr n’mênd s’do të bîje Shqypnîja e ngráta?

Besa jo; përse si deshta

Me ju thânë shi n’herë të parë,

Sot mâ shpejt nji thes me pleshta

Ti bân bashkë se dy Shqyptare!

Marrë nga Romeo Gurakuqi

Filed Under: Kronike

Dukagjini prezanton Serinë e Lekturave Shkollore në Panairin e 27 të Librit në Tiranë

November 18, 2024 by s p

Julika Prifti/

Në ditën e katërt të Panairit të 27 të Librit (13-18 nëntor) në sallën ovale të Pallatit të Kongreseve në Tiranë, shtëpia botuese Dukagjini promovoi projektin e Lekturave Shkollore për klasat 1-5. Drejtuesja e panelit, Liridona Bytyçi, i uroi mirëseardhjen të gjithë pjesëmarrësve, pedagogëve, nxënësve, prindërve të shumtë. “Botimet janë realizuar në përputhje me zbulimet shkencore për madhësinë e shkronjave, ngjyrat dhe gjatësinë si edhe vështirësinë e tekstit për t’ju përshtatur moshave përkatëse,” shpjegoi redaktorja e serisë Adelinë Selmani. Psikologja Oriola Hamzallari u tha fëmijëve e prindërve se librat ndihmojnë “të kuptosh emocionet, të zgjidhësh disa nga pikëpyetjet për dukuri ende të panjohura, për zhvillimin e empatisë dhe të vëmendjes ndaj njerëzve që ke rreth vetes. Leximi të bën te komunikosh më mirë e më qartë ndjenjat e tua dhe pasuron fjalorin shprehës,” theksoi psikologja.

Duke shtjelluar përparësitë e leximit në çdo moshë, Profesor Bardhyl Musai theksoi se nëse fëmijët lexojnë 30 minuta para gjumit, ata flenë më mirë e më qetë. “Leximi i ndihmon fëmijët të përmirësojnë kujtesën, të pasurojnë fjalorin, të shprehen bukur e të arrijnë rezultate më të larta se shokët e shoqet e tyre që nuk lexojnë të njëjtën sasi librash.”

Kur erdhi radha te lexuesit e vegjël, ata u prezantuan duke thënë emrin dhe shkollën, dhe u interesuan për ciklin që duhej lexuar, zhanrin që duhet të zgjidhnin. Disa ishin kureshtarë nëse është e lehtë të shkruhej për fëmijë dhe sesi i lind ideja shkrimtarit për të shkruar një libër. Përgjigjet e panelistëve u duk se i kënaqën fëmijët. Nga ana e tyre, nxënësit thanë se kishin lexuar mbi 40 libra, fakt që i gëzoi të pranishmit e rritur në sallë. Në takimin botues-lexues, pjesëmarrësve iu dhurua nga një libër nga Shtëpia Botuese Dukagjini.

Në serinë e Lekturave shkollore për klasën e katërt këtë vit është libri Legjenda e Rrëfime për Skënderbeun nga Naum Prifti, tek cili gjenden nëntëmbëdhjetë tregime. Si botim i serisë së ndërtuar me metodikë pedagogjike, në çdo faqe ka shpjegim të fjalëve, në fund ka edhe një fjalorth si edhe një pjesë të veçantë si aparaturë didaktike.

Zëvendës Drejtoresha e Botimeve Shkollore Dukagjini Erza Mati dhe unë u takuam në Panair. E admirova botimin cilësor tek e mora në duar. Më ktheu në botën e kreshnikëve dhe të heroit të madh Skënderbe, që jo vetëm ishte strateg dhe diplomat por dinte të çmonte edhe zgjuarsinë e njerëzve të thjeshtë.

Në Panairin e 27 të librit marrin pjesë 90 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Në ambientet me stendat e shumta gjatë gjithë kohës ka vizitorë e lexues të të gjithë brezave çka më jep optimizëm se leximi i librave nuk ka humbur. Shikoj shumë prej vizitorëvë të dalin nga Pallati i Kongreseve duke mbajtur në duar çanta me libra dhe, ndonëse teknologjia elektronike është një forcë e pandalshme, libri është ende i çmuar për të vegjël e të mëdhenj.

Filed Under: Kronike

Veprimtarët, bamirësit, humanistët dhe vullnetarët shqiptarë në New York, frymëzim dhe krenari kombëtare

November 15, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 14 Nëntor 2024 – Shoqata Humanitare “Duart e Hapura” në New York festoi 10 vjetorin e themelimit dhe veprimtarisë humanitare në shërbim të njerëzve në nevojë. Veprimtarët energjikë, bamirësit zemërmirë, humanistët shpirtbardhë dhe vullnetarët e pa lodhur shqiptarë në New York janë shembull për tu ndjekur, frymëzim shpirtëror dhe krenari kombëtare në mërgatën shqiptare të Amerikës. Shqiptarë si Aleksandër Nilaj, Toni Musaj e Vera Markaj e vullnetari i shquar Viktor Popaj, janë pika reference për komunitetin shqiptar në Bronx, New York me veprat e tyre, dashurinë, përkushtimin e tyre të palodhur e dedikimin profesional e shpirtëror në shërbim të komunitetit shqiptar. Shoqata Humanitare Shqiptaro-Amerikane “Duart e Hapura” në Bronx, New York, e themeluar nga Aleksandër Nilaj dhe drejtues z.Saimir Burgaj me ndihmën e organizatave, donatorëve, vullnetarëve e bamirësve kanë shënuar një emër të ndritur e të nderuar në historinë e mërgatës së Amerikës. Kjo shoqatë bamirëse me vullnetarë shqiptarë të përkushtuar lartësojnë çdo ditë emrin, vlerat, historinë dhe krenarinë tonë kombëtare. Në veprimtarinë e tyre patriotike dhe komunitare shqiptarët gjithmonë shkëlqejnë dhe tregojnë vlerat më të çmuara si popull, si kulturë dhe si komb karshi kombeve, kulturave, komuniteteve e popujve të tjerë të botës.

Në festën e përvjetorit të shoqatës, ishte e pranishme një mike speciale nga Shqipëria, ish – kryetarja e Parlamentit të Republikës së Shqipërisë zonja Jozefina Topalli. Ajo u shpreh e mahnitur nga veprimtaria humanitare dhe patriotike e shqiptarëve në New York. Ndër të tjera në fjalën e saj para të pranishmëve u shpreh: “Të dashur miq dhe bashkëpunëtorë të shoqatës shqiptare të bamirësisë “Duart e Hapura”. Sot, në këtë ditë të veçantë, kemi ardhur së bashku për të festuar një moment të rëndësishëm 10-vjetorin e një pune të palodhur, të një përkushtimi të madh dhe të një zemre të jashtëzakonshme shqiptare.

Në këto 10 vite, shoqata juaj e bamirësisë ka ndriçuar jetë, ka përkrahur ëndrra dhe ka treguar se, edhe pse jemi larg nga vendlindja, jemi gjithmonë afër me zemër. Ju, anëtarët e kësaj shoqate, keni qenë shtylla që mban lart frymën e solidaritetit shqiptar, duke bërë që komuniteti ynë të ndihet i bashkuar dhe i fuqishëm.

Faleminderit secilit prej jush për përkushtimin dhe sakrificën tuaj të vazhdueshme. Keni dhënë ndihmë për fëmijët që kanë nevojë, keni mbështetur të moshuarit dhe keni kontribuar në të gjitha iniciativat që nderojnë emrin shqiptar. Keni dëshmuar se solidariteti ynë është i pakufishëm dhe se fuqia e bashkimit tonë mund të sjellë ndryshime reale.

Falenderoj gjithashtu të gjithë ata që mbështetën në çdo hap të rrugëtimit tonë, nga donatorët bujarë te vullnetarët që kanë sakrifikuar kohën dhe energjinë e tyre, te komuniteti që gjithmonë është bashkuar për çdo iniciativë të mirë. Sot festojmë të kaluarën dhe shohim drejt së ardhmes. Le të vazhdojmë ta rrisim këtë shoqatë me të njëjtën dashuri dhe përkushtim, për t’u shërbyer atyre që kanë nevojë dhe për të lënë një trashëgimi të denjë për brezat që do të vijnë. Faleminderit për gjithçka që bëni. Gëzuar për 10 vitet e kaluara dhe për shumë vite të tjera përpara” deklaroi ndër të tjera zonja Topalli. Së bashku me grupin shqiptarë të vullnetarëve ajo shërbeu për njerëzit në nevojë duke ngjallur emocion dhe përjetuar shpirtërisht punën fisnike të bamirësve shqiptarë në New York të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT