Universiteti i Prishtinës zgjedh rektorin e ri
-Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr. Arsim Bajrami uron Prof. Dr. Marjan Dema, për zgjedhjen në detyrën e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”/
PRISHTINË, 31 Mars 2016/ Ministria kosovare e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vlerëson lartë procesin e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili u përmbyll sot me rastin e zgjedhjes së Rektorit të Universitetit nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.“Me këtë rast, falënderojmë të gjithë bartësit e procesit zgjedhor në të gjitha nivelet e organeve të Universitetit për përkushtimin dhe kontributin e dhënë në zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të rregullta dhe transparente”, thekson njoftimi dërguar nga Ministria. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr. Arsim Bajrami uron Prof. Dr. Marjan Dema, për zgjedhjen në detyrën e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke i ofruar mbështetjen dhe bashkëpunim e plotë në realizmin e programit të punës për fuqizimin e Universitetit, si institucioni kryesor i arsimit të lartë në vend dhe vënien e universitetit në shërbim të shoqërisë dhe të ekonomisë së vendit.Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës./b.j/
Komunikatë e Oborrit Mbretëror
Familja Mbretërore Shqiptare ka kënaqësinë e veçantë të njoftojë mbarë Kombin Shqiptar se Naltësia e Tij Princ Leka II ka shpallur ditën e martesës së Tij me Znj. Elia Zaharia me datë 8 tetor 2016, në Tiranë.
Urojme me zemër trashëgimin e Familjes Mbretërore brez pas brezi!
Skënder Zogu
Oborri Mbretëror Shqiptar
The Albanian Royal Family has the pleasure to announce to the Albanian Nation that His Royal Highness Crown Prince Leka of the Albanians has declared his wedding date with Miss Elia Zaharia to be held on the 8th of October 2016 in Tirana.
We wish the continuation of the Royal descent from generation to generation.
Skender Zogu
Albanian Royal Family
Busti i Nënës Tereze vendoset në Pallatin Presidencial të Maltës
-Busti u inaugurua në Pallatin Presidencial San Anton në Attard të Maltës për të shënuar vitin e shenjtërimit të Nënës Terezë/
PRISHTINË, 28 Mars 2016-B.Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Presidentja e Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, inauguruan sot bustin e Nënës Terezë të dhuruar nga Presidentja Jahjaga në emër të qytetarëve të Kosovës.“Busti i Nenë Terezës u inaugurua në Pallatin Presidencial San Anton në Attard të Maltës. Ky inaugurim u bë për të shënuar vitin e shenjtërimit të Nënës Terezë”, thekson njoftimi i sapodërguar.Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, po zhvillon një vizitë shtetërore dy ditore në Maltë, ku dje u prit nga presidentja Marie Louise Coleiro Preca, në pallatin presidencial në Valletta.
Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga dhe Presidentja e Republikës së Maltës Marie Louise Coleiro Preca morën pjesë sot në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliut dhe kryetarit të Odës Ekonomike, ndërrmarjeve dhe industrisë të Maltës Anton Borg.
“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është hapi i parë i zhvillimit të mardhënieve në mes të të dyja vendeve në fushën e ekonomisë. Ky memorandum do t’i mundësojë bizneseve të Kosovës dhe Maltës që të shtojnë aktivitetet afariste dhe të zgjerojnë tregjet e tyre”, theksonte njoftimi i dërguar më herët.
Gjeneralmajor Jeronim Bazo vizitë në Kosovë
Ditën e sotme, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Gjeneralmajor Jeronim Bazo,zhvilloi një vizitë në Komandën e Misionit të NATO në Kosovë “KFOR” dhe në Komandën e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në Komandën e Misionit të NATO në Kosovë “KFOR”, Gjeneral Bazo pati takime me komandantin e KFOR, Gjeneralmajor Guglielmo Luigi Miglietta, Shtabin Ndërkombëtar si dhe kontingjentin e FARSH, që shërben në KFOR. Kjo vizitë vjen në kuadër të solidaritetit dhe mbështetjes për KFOR si dhe rritjen e dialogut dhe bashkëpunimit ushtarak me këtë komandë. Gjatë takimeve midis titullarëve dhe Shtabit Ndërkombëtar të KFOR, u diskutua rreth zhvillimeve të fundit në aspektin e situatës së sigurisë në Kosovë. Misioni i KFOR vijon të mbetet i pandryshuar dhe çdo ndryshim në kompozimin e KFOR do të mbështetet mbi një analizë të kujdesshme dhe bazuar nga situata në terren. KFOR vijon të jetë reaguesi i tretë në aspektet e sigurisë në Kosovë dhe ka një bashkëpunim të ngushtë me institucionet e sigurisë së Kosovës dhe Bashkimit Evropian (EULEX), me qëllim ruajtjen e ambientit të sigurt dhe lirinë e lëvizjes në të gjithë Kosovën. Gjeneralmajor Bazo, gjatë takimit me komandantin e KFOR Gjeneral Miglietta, vlerësoi rëndësinë e pranisë së KFOR në Kosovë dhe bashkëpunimin konstruktiv dhe të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe organizmat ndërkombëtarë. “KFOR mbetet misioni më i vjetër, më i gjatë dhe më i suksesshmi i NATO, i cili promovon dhe ndan vlerat themelore të vendeve të NATO”, theksoi Gjeneral Bazo. Ndërsa nga ana e tij Gjeneral Miglietta vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë për misionin KFOR, sidomos në drejtim të kontributit me personel, bashkëpunimit në nivel ekspertësh dhe shkëmbimin e informacionit. Performanca e kontingjentit shqiptar, i cili kryesisht shërben në Komandën e KFOR, u vlerësua maksimalisht nga lidershipi i KFOR. Me këtë rast, Gjeneralmajor Bazo pati një takim me kontingjentin e FARSH në këtë mission, ku i falënderoi për gatishmërinë e tyre dhe theksoi rëndësinë e këtij misioni për Kosovën. Gjatë vizitës një ditore në Kosovë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, Gjeneralmajor Jeronim Bazo kreu një vizitë edhe në Komandën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku pati takime me Ministrin e Forcës së Sigurisë së Kosovës z. Haki Demolli dhe Komandantin e FSK, Gjenerallejtënant Rrahman Rama. Gjatë takimeve, u vlerësua bashkëpunimi ushtarak dypalësh si dhe u diskutua rreth situatës së sigurisë në Kosovë, bashkëpunimit me organizmat ndërkombëtarë dhe rritjes së profesionalizmit dhe modernizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjeneral Bazo falënderoi palën kosovare për mbështetjen për projektin pilot në fushën e arsimimit ushtarak, ku aktualisht dy studentë ushtarakë vijojnë studimet në Qendrën Stërvitore Universitare. Gjithashtu, Gjeneralmajor Bazo, gjatë takimit me titullarët më të lartë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, vuri theksin në rëndësinë e integrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në organizmat rajonalë në fushën e sigurisë si dhe pjesëmarrjes në stërvitjet rajonale dhe ndërkombëtare, të cilat përveç promovimit të saj do ndikojnë në rritjen e ndërveprueshmërisë. Ministri i FSK, z. Demolli dhe Komandanti i FSK Gjenerallejtënant Rama, falënderuan Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura Shqiptare për mbështetjen e deritanishme në fushat e edukimit, trajnimeve, stërvitjeve dhe operacioneve të përbashkëta. {SH.K}.
- « Previous Page
- 1
- …
- 286
- 287
- 288
- 289
- 290
- …
- 600
- Next Page »