• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KTHIM NË HISTORI, SI U SHPALL MBRETËRIA SHQIPTARE DHE AHMET ZOGU U ZGJODH MBRET I SHQIPTARËVE

September 2, 2024 by s p

Shpëtim Axhami*/

Nga kronika e kohës, orë pas ore e ditë pas dite, me vendime historike për një sistem legjitim mbretërorë.

Për Shqipërinë ishin kohë të trazuara dhe vendi kishte nevojë për burra shteti. Ahmet Zogu kishte katër vjet që ishte bërë i gjithëpushtetshëm si rezultat i aftësive të tij, por edhe i gabimeve të rënda që bën kundërshtarët. Po të donte ai ishte bërë mbret që në vitin 1924, madje i sigurt ishte në janarin e vitit 1925, por nuk u ngut. Largimi i Princ Vidit që kishte lënë shtegun hapur, pasi nuk kishte abdikuar, forma e regjimit ndryshonte natyrshëm. Kjo ishte një arsye më shumë për të shpallur së pari Republikën, (21 janar 1925). Republika do ta kishte jetën të shkurtër, sepse ishte koha e mbretërive. Kujtojmë se, i gjithë Ballkani, Italia dhe shumë shtete në Europë ishin Monarki. Gjithashtu, mendësia e shqiptarëve në këtë kohë anonte nga forma monarkike e regjimit. Shpallja e Mbretërisë do të ishte dhe qe një hap tjetër i rëndësishëm, në stabilitetin e shtetit shqiptar.

Në vitin 1928, Ahmet Zogu e kuptoi se koha e përshtatshme për të shpallur Mbretërinë kishte ardhur, por për këtë u ndërmorën të gjitha hapat e nevojshme kushtetuese. Më 1 qershor 1928, kryetari i Republikës iu drejtua me një mesazh të dy dhomave legjislative.

Më 7 qershor 1928, ndryshimi i Kushtetutës (Statutit)

Dhoma e Deputetëve dhe Dhoma e Senatit, në një mbledhje të përbashkët vendosën një shtojcë në nenin 141 të Statutit, si vijon: “Rishikimi i përgjithshëm i Statutit i përket Asamblesë Kostituente. Kur vendoset nevoja e rishikimit të përgjithshëm të Statutit sipas procedurës të caktuar në këtë artikull, të dy Dhomat quhen vetvetiu të shpërndara dhe dekretohen zgjedhje për Asamble Kostituente sipas Art.47 të Statutit.”

Më 16 qershor 1928, dekretohen zgjedhjet e Asamblesë Kushtetuese

Në mbështetje të nenit të mësipërm, u dekretuan zgjedhjet për Asamblenë Kushtetuese.

Më 17 gusht 1928, bëhet votimi direkt.

Me votim indirekt, një asembleist për 15.000 banorë dhe për çdo fraksion që i kalonte 7.500 banorë

23 gusht 1928, festë në Durrës dhe në Tiranë ende pa u kurorëzuar

Ndërkohë, shpallja e afërt e Mbretërisë ishte bërë publike.

Ahmet Zogu kishte njoftuar dhe marrë aprovimin e fuqive të mëdha, (së pari të Italisë), për hapin që po hidhte.

Në gjysmën e dytë të gushtit, në Tiranë dhe në qytetet e tjera të vendit u zhvilluan manifestime në përkrahje të shpalljes së Monarkisë.

Një rast për manifestim qe edhe kthimi i Zogut nga Durrësi më 23 gusht 1928

Më 25 gusht 1928, në orën 09.30, zgjedhjet në Asamblenë Kushtetuese

Asambleja Kushtetuese zhvilloi mbledhjen e parë. Pasi u lexuan emrat e asambleistëve, Pandeli Evangjeli u zgjodh kryetar i përkohshëm si deputeti më i vjetër, ndërsa Ejëll Serreqi u zgjodh sekretar si deputeti më i ri.

Pasi u ngrit komisioni i verifikimit të kredencialeve (mandateve), seanca u mbyll.

Më 27 gusht, në orën 16.00, betimi i deputetëve

Mbledhja e dytë e Asamblesë Kushtetuese, e cila filloi me leximin dhe pranimin e raportit të komisionit të kredencialeve (mandateve). Deputetët bënë betimin, si vijon: “Betohem botënisht se si asambleist kam për të kryem detyrën e ngarkueme prej popullit me ndërgjegje të plotë dhe vetëm për të mirën e përgjithshme t’Atdheut”, (Bisedimet e Asamblesë Kostituente, Nr.1, Tiranë, 1928, f.7). Pas kësaj u zgjodh kryesia e Asamblesë Kushtetuese: Pandeli Evangjeli, -kryetar; Ferit Vokopola, nënkryetar; Fiqri Rusi – kujdestar; Ejëll Serreqi – sekretar. Në përfundim të mbledhjes së dytë, Pandeli Evangjeli njoftoi se në rend të ditës ishte rishikimi i përgjithshëm i Statutit, ndërkohë gazetat hamendësonin rreth titullit të Mbretit.

Më 29 gusht, në orën 17.00, lexohen letrat e popullit

U zhvillua mbledhja e tretë, ku u lexuan telegramet nga të gjitha krahinat e Shqipërisë që kërkonin shpalljen e Mbretërisë dhe u vijua me diskutimet e 24 deputetëve, të cilët kërkonin shpalljen e Mbretërisë dhe proklamimin e Zogut Mbret të Shqiptarëve.

Më 30 gusht 1928, mblidhet Komisioni i posaçëm

Në përfundim të mbledhjes u formua një komision i posaçëm për hartimin e neneve kryesorë të Statutit të ri.

Më 1 shtator 1928, në orën 09:00, votim për Mbretin

U zhvillua mbledhja e katërt e Asamblesë Kushtetuese. U lexua raporti i komisionit, i cili kishte përgatitur nenet kryesore të Statutit të ri. Me propozim të Mihal Kasos pas leximit të çdo neni votimi u krye në këmbë.

Kështu, në orën 9:12, Asambleja Kushtetuese votoi unanimisht duke e shpallur Shqipërinë, Mbretëri demokratike, parlamentare, të trashëgueshme dhe Zogun I, Mbret të Shqiptarëve.

Gjithashtu, u aprovua edhe formula e betimit të Mbretit. Duartrokitjet dhe njëqind e një të shtëna topi përshëndetën vendimin.

1 shtator 1928, në ora 17:00, ceremoniali i kurorëzimit mbret.

Një komision me deputetë nga të nëntë prefekturat e vendit, i kryesuar nga Pandeli Evangjeli, u nis drejt Pallatit, që pas kësaj date u quajt Pallati Mbretëror (sot Akademia e Shkencave), për t’i komunikuar formalisht Mbretit vendimin e Asamblesë Kushtetuese. I përcjellë nga brohoritjet popullore të rastit, komisioni kaloi mes një kompanie të gardës, veshur me uniforma të kuqe, dhe hyri në Pallat. Në orën 10:00, të datës 1 shtator 1928, Ahmet Zogu pranoi kurorën. Betimi i Mbretit në Parlament do të bëhej më 1 shtator 1928, në ora 17:00, por në fakt bë 20 minuta më përpara, siç duket për arsye sigurie. Festimet e pasdites së 1 shtatorit 1928 filluan që në orën 14:00, dhe zgjatën tre ditë. Repartet e ushtrisë ishin rreshtuar, populli kishte dalë në rrugë, ndërsa disa aeroplanë hidhnin fletushka nga ajri. Në orën 16:00, u dëgjua buçitja e trumbetave dhe më pas himni kombëtar.

PSE MBRET I SHQIPTARËVE DHE JO I SHQIPËRISË…

Në fakt ka qenë një lëvizje e menduar prej kohe, por e përmendur më 29 gusht në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare, shpallja e Ahmet Zogut, Mbret i Shqiptarëve dhe jo i Shqipërisë, gjë që kishte një kuptim të qartë kombëtar dhe politik. Po të quhej i Shqipërisë , kufizohej brenda kufijve të territorit të atëhershëm, por ai kishte synim të mbretëronte e dhe në territoret jashtë Shqipërisë, madje edhe diasporën.

…DHE PSE ZOGU I PARË DHE JO AHMET ZOGU

Gjatë gjithë votimit, por edhe më pas të betimit të Mbretit, deputetët qëndruan më këmbë Në kundërshtim me zakonin e mbretërve në Evropë, për të evidentuar emrin, Ahmet Zogu zgjodhi mbiemrin (Zog I) për emërtim zyrtar. Emri Ahmet iu duk i papërshtatshëm për drejtimin që kishte vendosur t’i jepte vendit.

Ashtu siç del qartë!

Vendosje e kesaj forme regjimi, nuk ishte imponim, rastesi opo deshirë e dikujt, por ishte domesdoshmeri absolute e parapercaktuar që me Shpalljen e Pavaresise dhe që në Kongresin e Lushnjes, ku rolin e kryetarit te shtetit e kishte lozur Keshilli i Larte i Regjences.

Ne keto momente politike te trazuara, ne nje shtet te ri, ku nuk po gjendej si duhet as stabilitet i brendshem dhe as i jashtem, ishte domosdoshmëri dhe e padiskutueshme te vendosej kjo formë regjimi, si thame me siper, e parapercaktuar me pare dhe më e përshtatshmja për ne.

Fjalimi i parë i Ahmet Zogut si Mbret.

Dalshim faqebardhë para historisë

Sot po ju drejtohem si shok, bashkëpunëtor të idealit të përbashkët. Nëse në fjalimin tim nuk do të gjeni fjalët e nalta të krenave të ndershëm të stolisur me Kunorë, të mos çuditeni. Se unë shoh në Kryesinë e Shtetit Shqiptar, në cilindo titull qoftë, shembëlltyrën besnike të popullit dhe shërbyesin e palodhur të Atdheut. Sot, në minutën kur ngarkohem me detyrën e rëndë dhe të naltë të shtetit, prej vullnetit e dëshirës së popullit të shfaqur me vendimin e ndërgjegjes Suej, do të veproj duke marrë parasysh përgjegjësinë morale, të cilën herët a vonë di ta çmojë populli shqiptar, për lartësimin e vendit….. Bota e ka marrë vesh se po të lihen të qetë edhe bijtë e Shqipërisë, mund të krijojnë një shtet. Mbas sotit detyrën e kemi më të rëndë, se duhet t’ i tregojmë botës se edhe shqiptari, si çdo popull i qytetëruar, mund ta marrë kulturën, e cila është pasuria e të gjithëve dhe ideali i botës mbarë. Vetëm në këtë mënyrë, duke i siguruar vendit tonë një të ardhme të lirë, mund të paguajmë një detyrë historike. Në regjimin e ri Shqipëria ka për të qenë një faktor paqësor në Ballkan. Relacionet që ekzistojnë sot me shtetet fqinje e dashamirëse, shpresojmë se do t’i forcojmë edhe më tepër. Unë, bashkë me ju shokë të mi, jo vetëm që do të mbrojmë të drejtat kombëtare, por edhe kur të jetë nevoja, me ju bashkë do ta shtyjmë popullin trim shqiptar për t’ia arritur qëllimit të lartë, atë ideal që na ka falur natyra e na i ka shënuar historia, duke lartësuar vendin në sheshin e qytetëruar. Si të mbaroni detyrën e shenjtë, të ktheheni në vendet tueja e t’i thoni popullit Sovran se Prijsi i tij e sheh veten si çdo shqiptar. Me sa shpejtësi dhe entuziazëm e keni vënë në Fronin e Gjergj Kastriotit, aq me shpejtësi e kënaqësi keni për ta gjetur gjithmonë gati për t’i sakrifikuar të gjitha, nëse është nevoja, edhe jetën mbas dëshirës të tij dhe për të mirën e vendit.

Zotninj, dalshim faqebardhë para historisë!

Koha e lavdishme e bërjes së shtetit modern shqiptarë tashmë kishte nisur🇦🇱

1-Shtatori, Ditë Historike Kombëtare🇦🇱

Data 1 Shtator, Dita e Shpalljes Mbretërisë, duhet të përkujtohet zyrtarisht, si një ditë historike kombëtare.

Ndërkohë, ne jemi të bindur, se nuk do të jetë e largët dita që do të kemi një datë tjetêr historike, atë kur mbretëria do të rikthehet përsëri në Shqipëri.

Si sot para 94 vitesh, me 1 Shtator të vitit 1928, Asambleja Kushtetuese Parlamentare e shpalli ligjërisht Shqipërinë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashigueshme dhe Ahmet Zogun Mbret i Shqiptarëve.

Për shumë arsye kjo është dhe mbetet një datë me vlera të larta historike kombëtare e si e tilë duhet të përkujtohet zyrtarisht.

-Kjo mbretëri vinte si një trashigimni prej kohës e nēn kurorën e Skënderbeut.

-Bënte de facto atë që de jure ishtë parapërcaktuar në Shpalljen e Pavarësisë më 1912 dhe në Kongresin e Lushnjes, ku rolin e kryetarit të shtetit do e luante Këshilli i Lartë i Regjencës deri në forcimin e shtetit shqiptar dhe zgjedhjen e mbretit të ardhshem.

-Atë që perendimi dhe Fuqitë e Mëdha, pas shpalljes së pavarsisë, vendosën ta kryenin nëpërmjet Princ Vidit, tashmë shqiptarët po e realizonin vetë nëpërmjet birit të tyre, që patjetër edhe i takonte, duke u nisur nga origjina e hershme dhe çfarë përfaqësonte familjare e Tij për kombin shqiptar, ky ishte Ahmet Zogu.

Kjo ditë ka rëndësi dhe vlera të veçanta për kombin tonë gjithashtu sepse.

Nëpërmjet formës regjimt mbretëror, shpallir në këtë ditë, nën drejtimin e Mbretit Zog I, interesi kombëtar dhe bashkimi kombëtarë ishin më të sigurta se asnjëherë tjetër.

Shqipëria filloj të ndërtonte institucionet e saj demokratike moderne me standarte perendimore.

Statuti i Mbretërisë Shqiptare mbetet një vlerë e madhe, kjo jo vetëm për kohën, kujtojmë para 100 vitesh, por në shumicën e vet, zbatimi i tij edhe sot do bënte një mirëfunksionim të shtetit shqiptar, disa ligje dhe nene janë të mbartura akoma prej tij.

Reformat e gjithanshme të kryera në këtë periudhe, sollën zhvillim ekonomik, pavarsisht krizave nderkombtare të kohës, civilizim dhe integrim, rend e qetësi, drejtësi dhe barazi,

U vendosën standarte të atilla që e bënë qutetarin shqiptar, më dinjitoz, më të lirë e më krenar se kurrë ndonjëherë tjetër. dmth sollën ato standarte të cilat edhe sot po kërkohen dhe nuk po arrihen dot.

Ndryshimi i formës regjimit pas Luftës Dytë Botërore erdhi me dhunë e diktat, duke bërë të mundur instalimin e diktaturës së egër komuniste tek ne, shqiptarët vuanin diktaturën e kujtonin kohën e Mbretërisë Zogut.

Pluralizmi politik i pas ‘90 nuk erdhi ashtu siç duhet për shumë arsye, ai duhet të vinte mbi bazën e çmontimit të gjithë asaj mbi të cilën u ngrit regjimi monist komunist, duke krijuar sistem tjetër qeverisëse dhe klasë tjetër politike, klasë e cila të vërtetë ishte e prirur për të vendisur standarte tjera demokratike në Shqipëri.

Në vitin e mbrapsht 1997 u krye Referendumi i ndryshimit të formës së regjimit, shqiptarët folën qartazi PRO sistemit qeverisës mbretëror, por ata që akoma ëndërronin Kongresin e Përmetit dhe yllin e kuq, si edhe dihet, i manipuluan rezultatet.

Sot, më tepër se kurrë, duke u nisur edhe për çfarë ka ndodhur dhe rruga nēpër të cilën ka kaluar Shqipëria që prej vitit 1939 e deri sot, gjendjen aktuale ekonomike, politike e sociale ku jemi, kanë bërë që shqiptarët të kërkojnë gjithnjë e më tepër kthimin e mbretërisë në Shqipëri.

Prandaj, vetëm shkurtimisht për sa tham më dipër, është gjëja minimale e detyrim prej të gjithve, që data 1 Shtator të shpallet dhe përkujtohet si ditë historike kombëtare.

“ATDHEU MBI TË GJITHA”🇦🇱

*Ribotim

Filed Under: Kronike

Presidentja Osmani:  E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm

August 30, 2024 by s p

Postimi i plotë i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën Ndërkombëtare për Përkujtimin e Viktimave të Zhdukur me Dhunë:

Mbi 1600 të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumë prej tyre fëmijë, ende mbesin plaga më e thellë e Kosovës.

Synim i regjimit gjenocidal të Serbisë ishte shfarosja dhe shkatërrimi i identitetit tonë, i të ardhmes sonë. Duke e mohuar të vërtetën, Serbia po e përsëritë vazhdimisht krimin. Duke mbajtur arkivat e mbyllura, pavarësisht dakordimit të Brukselit që e kërkon të kundërtën, Serbia po shkel edhe marrëveshjet e arritura. E vërteta nuk mund të fshihet prapa propagandës se kinse Serbia qenka pro paqes dhe pro integrimit në BE. E vërteta është një dhe e vetme: në vitin 2024, Serbia ende fle mbi varreza masive të civilëve të pafajshëm.

Filed Under: Kronike

DO TË ISHTE SOT 100 VJEÇ

August 28, 2024 by s p

Aurel Plasari/

Në përkujtim. Gusht 1996. Bizë e Rodonit. Pak pushime vere. At Zef Pllumi vazhdonte të shkruante ‘Kujtimet’.

“Një “libër kujtimesh” i cili bën thirrje që të vërtetat të mos harrohen, që historia të mos shformohet, por të kuptohet dhe të shpjegohet, është edhe kontribut në luftën e një populli për demokracinë. Historiani amerikan bashkëkohës yni Southworth, i cili beson me gjithë zemër në virtytet e demokracisë, ka vërejtur se do të dëshmonim për një vizion mjaft të gjymtuar të këtyre virtyteve po të mëtonim të ndërtonim një “demokraci të mbështetur mbi harresën”. A nuk është e vërtetë? Ta mbarojmë së lexuari librin e kujtimeve të Fratit dhe mandej ta pyesim veten nëse ata që predikojnë harresën kanë qenë ndonjëherë apo janë sot “demokratë” të vërtetë? Është parim politik i rëndësishëm qëndrimi i gjithsecilit ndaj kujtimit të së kaluarës, parim të cilit nuk mund t’i iket.”

Nga parathënia “Nën këmishën e hekurt të kujtimeve”, 1995

fb © a.p.

Filed Under: Kronike

NËNA TEREZE, NJË RRUGËTREGUES NGA DUHET TË ECË NJERËZIMI

August 26, 2024 by s p

Me emrin dhe veprën e Shën Nënës Tereze do të shoqërohemi në pafundësi, por synimi ynë si Institut është që nga ky shoqërim të nxjerrim mësim dhe prej kauzave të saj humane të ndërtojmë sa më shumë ura komunikimi e mirëkuptimi, sespe vetëm në këtë mënyrë shoqëritë lirohen nga barrat e tepërta të egocentrizmit nacionale fetar.

Nga Prof. dr. Skender ASANI

Çdo figurë e madhe lind dhe zhvillohet në rrethana e kontekste të caktuara sociale, historike e kulturore. Në të shumtën e rasteve, figurat e mëdha famën dhe lavdinë e arrijnë larg vendit të origjinës së tyre. Kështu ndodhi edhe me Gonxhe Bojaxhiun- Nënën Tereze, e cila afirmimin ndërkombëtar e arriti shumë larg vendlindjes së saj, por kjo nuk ndikoi te ajo që të harrojë se prej nga doli. Përkundrazi, ngado që shkoi ajo i barti me vete gjenet e trashëguara nga familja dhe frymën e diversitetit social, fetar e etnik të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.

Duke qenë e edukuar në një familje që nuk e kishte larg kishën “Zemra e Krishtit” në lagjen shqiptare katolike të Shkupit, Gonxhe Bojaxhiu qysh në fëmijërinë e hershme sikur e kishte parandje se ky edukim familjar e fetar do të bëhet për të shkollë e jetës. Formimi i mëvonshlm i saj pastaj erdhi natyrshëm si një trung që zhvillohet duke pasur për bazë rrënjët e shëndosha.

Për Shën Nënën Tereze kanë folur dhe shkruar me qindra e mijëra njerëz, qofshin ata autorë veprash, apo personalitete të ndryshme. Për këtë grua të madhe ndoshta më së paku kanë folur dhe shkruar njerëzit nga vendi i origjinës së saj, jo pse kanë treguar mungesë respekti ndaj saj, por sepse zakonisht për figurat e mëdha, siç ishte ajo, vlerësimet më të gjithanshme vijnë nga hapësira të ndryshme të globit. Kjo është edhe një dëshmi për efektet që prodhoi ndikimi i saj në rritjen e ndërgjegjes njerëzore ndaj varfërisë, sëmundjeve dhe vetmisë.

Ne si Institut përmes botimeve të veçanta, por edhe përmes veprimtarive kulturore e shkencore në kuadër të Departamentit për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut-Nënës Tereze, i vetmi ky në botë i kësaj natyre, kemi arritur të krijojmë distancën e nevojshme të qasjes ndaj kësaj figure, duke e liruar atë nga kornizat e ngushta të përkatësisë nacionale, për ta transferuar vëmendjen në një dioptri më të gjerë të vrojtimit të kësaj figure, sepse, fundja, ishte vet ajo që e zgjeroi këtë dioptri në një mënyrë që solidaritetin dhe mirëkuptimin njerëzor e globalizoi, duke i fshi kufijtë e ndasive etnike, reliogjioze e racore.

Është Shën Nëna Tereze figura më unike në botë e cila përkatësinë e vet e ndërtoi mbi primesa të humanizmit njerëzor, e jo të ndonjë përkatësie tjetër që do t’ia ngushtonte asaj fushëveprimin.

E gjithë kjo filozofi humane e telologjike e Shën Nënës Tereze nuk ishte një ishull i izoluar nga botëkuptimi i saj si njeri që qysh në rininë e saj ishte përcaktuar për misionin e sakrificës për tjetrin. Gjithë kauza e saj ishte një rrugë e gjatë mbi të cilën ecnin njerëzit e braktisur dhe të sëmurë, të cilët në fund gjenin ngrohtësinë e fjalës dhe dorës së saj.

Sot kur shënojmë disa data nga jeta dhe vepra e saj, përfshi edhe 45 vjetorin e marrjes së Çmimit Nobel për Paqe, para nesh del një shirit i gjatë filmik në të cilin janë regjistruar momentet kryesore të cilat Shën Nënën Tereze e bëjnë të veçantë jo vetëm për nga fuqia e ndikimit shpirtëror, por edhe për nga praktika krejt unike e origjinale e utilitarizmit dhe humanizmit. Pikërisht kjo komponentë do ta bëjë atë të papërsëritshme dhe burim i pashterrshëm frymëzimi për njerëzimin se cilën rrugë duhet ta ndjekë, sidomos në rrethanat aktuale kur jemi dëshmitarë të konfliketeve të shumta që po përfundojnë me viktima njerëzish dhe me shkatërrime vendbanimesh. Këto ngjarje ndoshta dëshmojnë se bota ende nuk ka mësuar mjaftueshëm nga Shën Nënë Tereza, e cila me shembullin e saj personal arriti të bindë shumë burrshtetas dhe gjeneralë të luftës se dialogu para konfliktit është doktrina më e sukssehme se çfarëdo lloj strategjie ushtarke.

Jeta e njeriut për Shën Nënën Tereze, nuk kishte kurrfarë çmimi që do të vendosej në tregun e gjerë të mirave materiale. Prandaj kur ishte në pyetje jeta njerëzore, ajo bënte çmos që të parandalonte çfarëdo lloj rreziku që i kanosej jetës njerëzore. Sipas saj janë të shumë faktorë që e kanosin jetën njerëzore, por ajo zgjodhi të luftoj me çdo njerin prej këtyre faktorëve në mënyrë që njerëzit të binden se ia vlen që më tepër të harxhosh energji që të parandalosh një rrezik, se sa të punosh pa vetëdije për një ide a projekt të cilët më shpejt mund të sjellin rreziqe të natyrave të ndryshme.

Me emrin dhe veprën e Shën Nënës Tereze do të shoqërohemi në pafundësi, por synimi ynë si Institut është që nga ky shoqërim të nxjerrim mësim, dhe prej kauzave të saj humane të ndërtojmë sa më shumë ura komunikimi e mirëkuptimi, sespe vetëm në këtë mënyrë shoqëritë lirohen nga barrat e tepërta të egocentrizmit nacionale fetar.

Shkup, 26 gusht, 2024

Filed Under: Kronike

Arsimi shqip në Bullgari

August 20, 2024 by s p

Dr. Nikollë Loka/

Për shkak të reaksionit të egër osman që u vendos pas Lidhjes së Prizrenit dhe keqësimit të mëtejshëm të gjendjes ekonomike, mërgimi jashtë vendit e sidomos jashtë kufijve të Perandorisë Osmane mori përmasa gjithnjë e më të mëdha. Qindra e mijëra shqiptarë u detyruan të lënë vatrat e tyre dhe të mërgojnë në Rumani, në Bullgari, në Egjipt etj. Pas vitit 1878, kur Bullgaria fitoi autonominë dhe pastaj pavarësinë nga zgjedha osmane, shumë shqiptarë, të shkatërruar ekonomikisht në atdheun e tyre, mes tyre tregtarë dhe zejtarë të vegjël, zgjodhën Bullgarinë për të gjetur punë(Kica, 2014:1192). Shqiptarët lëvizën drejt Bullgarisë kolektivisht, duke shkëputur lidhjet fizike me atdheun, por jo lidhjet shpirtërore. Në vendin pritës, Bullgari, ata filluan të organizojnë një jetë shoqërore në grup. Në disa qytete e fshatra themeluan kisha dhe mekanizma të tjerë atdhetarë kulturorë, për të lehtësuar funksionimin e komunitetit dhe për të ruajtur identitetin kombëtar e fetar. Të gjitha grupet e shpërndara në këtë hapësirë gjeografike i mbajti bashkë me shekuj gjuha e përbashkët dhe përpjekja për të mos harruar atdheun. Në këtë formë ata arritën të krijojnë kujtesën individuale dhe kolektive shqiptare në Bullgari(Hasani-Pllana, 2023).

Qytetet dhe fshatrat e njohur sot si: Arbanasi, Devnya, Mandrica janë formuar në fillimet e emigracionit shqiptar në tokën bullgare. Me kalimin e kohës Sofja, por edhe Varna, Pleven, Samokov, Plovdiv, Sliven dhe Mali i Rilës u bënë vende ku jetuan shqiptarë. Në shumë prej tyre u shfaqën emra si: Arbaneshka mëhalla, Arnautska Mahala, Albanska Mahala etj. Shqiptarët në fillim ishin punëtorë të zakonshëm, zejtarë, prerës, roje sigurie, e më vonë shfaqen si bujq, shitës ushqimesh, por më së shumti shitës në dyqanet që shisnin rrasa guri, dru, qymyr etj.

Një rol të rëndësishëm në përhapjen e ideve kombëtare dhe të shkrimit shqip midis shqiptarëve të mërguar luajti Dhimitër Mole, i cili shkoi në Sofje nga Bukureshti në fillim të vitit 1886. Me punën e tij këmbëngulëse Dhimitri grumbulloi rreth vetes një numër të madh shqiptarësh që jetonin në Sofje. Në vitin 1889 atje u themelua bërthama e parë e Shoqërisë për Arsim në Shqip. Dhimitri kishte hapur një han në qendër të Sofjes, të cilin e kishte kthyer në shkollë të vërtetë, ku shqiptarët analfabetë mësonin shkrim e këndim në gjuhën e tyre amtare(Pançev, 2017:11). Në sajë të përkushtimit e të këmbënguljes së tij mësuan sa e sa shqiptarë jo vetëm të rinj, por dhe pleq. Mësonin pas punës, natën, nën dritën e kandilave. Njëri prej tyre do të ishte dhe Josif Bageri(Jorgaqi, 2018).

Me shtimin e numrit të shqiptarëve emigrantë atje, në janar të vitit 1893 u formua në Sofje Shoqëria shqiptare me emrin “Dëshira”, me statutin dhe me fondin e saj. Programi i kësaj shoqërie ishte i njëjtë me atë të shoqërive të Stambollit e të Bukureshtit. Shoqëria do të përpiqej “për të lartësuar frymën e shqiptarizmit” dhe “për skoli në Shqipëri”. Kryetari i Komitetit të zgjedhur nga shoqëria ishte Ligor P. Marko dhe sekretar Dhimitër Mole. Në nenin 2 të statutit të saj thuhet: “Qëllimi i Shoqërisë “Dëshira” është për të përhapur dituri e mësimin e gjuhës, si edhe për të përhapur mësonjëtore në gjuhën shqipe në Shqipëri”.

Shoqëria “Dëshira” themeloi shkollën shqipe në Sofje. Mësuesi i parë ka qenë Kosta Trebicka, i cili i kishte mbledhur në shtëpinë e tij djemtë dhe vajzat e shqiptarëve të Sofjes.(Thellimi, 2002: 76). Kosta kishte vazhduar punën si mësues nga viti shkollor 1897-1898 deri në vitin shkollor 1904-1905, kur ishte zëvendësuar nga Polikseni Dhespoti – Luarasi, gruaja e atdhetarit Kristo Luarasit, një korçare që kishte përfunduar Shkollën e vashave dhe kishte vazhduar si mësuese në atë shkollë. Pas martesës me Kriston, në vitin 1904, ata vendosen në Sofje, ku kishin qëndruar deri vitin 1923, kur u kthyen në Shqipëri(Pançev, 2017:116). Pas kthimit të familjes Luarasi në Shqipëri, mësimi në shqip ishte ndërprerë deri në gusht të vitit 1927, kur përfaqësuesi i Shoqërisë “Gjergj Kastrioti” në Sofje, Vangjel Vreto i kishte shprehur përfaqësuesit të Shqipërisë Ali Asllani dwshirën e gjithë kolonisë, që “të ndermjetsohet pranë Qeverisë Mbretnore Shqiptare dhe të jepet një rrogë mujore për nji mësues shëtitës, i cili me mësimet, të mundë të mbjellë në zemrat e filizave shqiptarë dashurinë për gjuhën amtare dhe për Atdheun e tyre të dashur”. Diplomati Ali Asllani në përgjigjen e tij kishte premtuar se do bënte hapet e duhura për të plotësuar dëshirën e kolonisë shqiptare(Pançev, 2017:117). Këshill i Shoqatës, pa u vonuar zgjodhi një komision arsimor të përbërë prej Spiro Janit, Vangjel Vretos dhe Kristo Fallit, të cilët emëruan dy mësues midis kolonisë shqiptare: Marianthi Simin dhe Kosta Janin. Pastaj me një komunikatë u lajmëruan të gjithë prindërit shqiptarë që të regjistrojnë fëmijën e tyre si nxënës të gjuhës amtare. Prindërit iu përgjigjën me gëzim ftesës së bërë.

Në mbledhjen e përgjithshme kushtuar kësaj çështje, të mbajtur më 4 nëntor 1928, është shpallur krijimi i “shkollës shëtitëse”, e cila u hap më 1 nëntor 1928. Mësuese Marianthi Simi dhe mësues Kosta Jani u ishte caktuar një rrogë mujore nga arka e Shoqërisë prej 2 000 levash. Ministria e Arsimit e Shqipërisë, pasi e ka shqyrtuar dhe e ka marrë në konsideratë kërkesën e Shoqërisë, e ka ndihmuar procesin arsimor, duke paguar 160 franka ari për të dy mësuesit. Me këto veprime është plotësuar dëshira më e madhe e kolonisë shqiptare në Sofje(Pançev, 2017:117). Kjo shkollë ka punuar pa ndërprerje katër vite, nga viti 1928 deri në vitin 1932, kur për shkak të buxhetit, është hequr financimi nga Ministria e Arsimit e Shqipërisë. Ky pushim i detyruar ka vazhduar dy vjet, deri në vitin 1934, kur me nismën e Këshillit të Shoqërisë “Gjergj Kastrioti” dhe me përpjekjet e përfaqësuesit të Legatës Mbretërore Shqiptare në Sofje, M. Hulusi, “shkolla shëtitëse” është hapur për herë të dytë. Me urdhër të Ministrit të Arsimit të Shqipërisë për mësuese është emëruar Helidhona I. Thanasi, e cila kalonte lagje më lagje, duke zhvilluar kurse me grupe nxënësish(Pançev, 2017:118).

Deri tani nuk dihet me siguri kur kolonia shqiptare në Sofje i ka pushuar aktivitetet e saj në fushën e arsimit, por ngjarjet politike dhe Lufta e Dytë Botërore e kanë ndërprerë jetën e organizuar shoqërore të shqiptarëve në Sofje, shumë prej të cilëve janë kthyer në Shqipëri(Pançev, 2017:120). Mësimi organizuar i shqipes ka rifilluar në vitet 60-ta të shek. XX, falë punës së Thoma Kacorrit, shqiptarit të famshëm nga Kolonja. Në vitin 1962 ai ka fituar konkursin për mësimdhënës për lektoratin e gjuhës shqipe të Universitetit të Sofjes, ku ka punuar për njëzet vjet. Studentët e tij të parë kanë qenë gjuhëtarët më të përgatitur bullgarë prej asaj kohe si: akademik Vladimir Georgiev, Prof. Dr. Ivan Duridanov, Prof. Dr. Boris Simeonov dhe Prof. Dr. Mosko Moskov, madje ka pasur edhe nxënës prej vendeve të tjera. Thoma Kacorri ka shkruar edhe dy libra mësimorë për mësimin e shqipes, si edhe një fjalor bullgarisht-shqip(Pançev, 2017:120).

Mësimi i shqipes në Universitetin e Sofjes funksionon edhe aktualisht, i përfshirë në Departamentin e Ballkanologjisë, ku deri më tani qindra studentë kanë mësuar dhe vazhdojnë të mësojnë gjuhën, letërsinë, historinë dhe kulturën shqiptare.

Interesimi i Qeverisë shqiptare atë kohë u përqëndrua edhe mbi fshatin shqiptar të Mandricës. Konsullata shqiptare në Bullgari, me shkresën Nr.106, me 9 të vjeshtës së dytë 1922, i bën një relacion Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë: ”Marr nderin t’i kallxoj të nderçmes Ministri se, përveç shqipatrëve të ardhur në këtë shtet kohët e fundit, tridhjetë vjet e tëhu, ndodhet një shumicë mjaft me rëndësi emigrantësh nga Vithkuqi i Korçës, që në kohën e Ali Pashë Tepelenës. Këta popullojnë disa katunde të përndara rrotull kufirit bullgaro-grek në Traki si: Mustaf Pasha, Ortaqoj, Mandricë, Arbanas etj. Katundi Mandricë që është më i madhi popullohet nga elementë thjeshtë shqiptarë. Ka gjithsejt 350 shtëpi dhe shumica e banorëve merren me tregtinë e mëndafshit. Këta, si të gjithë të tjerët, janë të krishterë ortodoksë, flasin gjuhën amtare me një dialekt pak të ndryshëm nga toskërishtja dhe mbajnë zakonet e Shqipërisë si në rrojtje, veshje, martesa etj. Mandrica, me anë të një përfaqësuesi më shfaqi dëshirën për një mësonjës dhe një prift. I lutem Qeverisë për këtë gjë, që të përkudeset, duke qenë të sigurtë se Qeveria bullgare nuk do të sjellë asnjë kundërshtim. Përveç kësaj, ata dëshirojnë të bëjnë praktikat e duhuar për fitimin e shtetësisë”.

Ministria e Punëve të Jashtme ia kishte përcjellë Ministrisë së Punëve të Brendëshme kërkesën e banorëve të Mandricës. Ajo Ministri kishte dhënë pëlqimin, por siç duket, shkolla nuk ishte miratuar nga Qeveria, pasi studimet e kryera nga studiuesit tanë për këtë fshat, ndër ta Thoma Kacorri e Dhimitër Shuteriqi, që kanë qenë në Mandricë, nuk e përmendin themelimin e një shkolle shqipe.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 27
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • …
  • 599
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT