• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Sukseset tona akademike”, edicioni i radhës nga grupi i nxënësve “Mësojmë në gjuhën tonë të bukur shqipe”

June 24, 2024 by s p

Luljeta Xhediku/

E shtuna tepër e nxehtë e 22 qershorit, e pazakontë për këtë muaj, mblodhi së bashku në ambientet e “Cadman Plaza Library”, fëmijët e grupit “Bashkëbisedojmë në gjuhën tonë të bukur shqipe”, program i shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc. për të zhvilluar edicionin e radhës me temë “Sukseset tona akademike 2023-2024”.

Edicioni i fundit për vitin shkollor 2023-2024 u përgatit nën kujdesin e veçantë të tri mësueseve Adelina Lacaj, Gela Bulku dhe Albana Kojku. Ky edicion u nda në dy pjesë, pjesa e parë, ajo e artit u zhvillua nën drejtimin e mësueses Albana Kojku, e cila përgatiti të gjitha mjetet e duhura që nxënësit të mund të realizonin punime të ndryshme si të vizatonin portretin e tyre, të krijonin shqiponjën kuqezi me plastelinë, të ngjyrosnin hartën e Shqipërisë, si dhe të vizatonin natyrën në stinë të ndryshme. Në të tri tavolinat e artit, përveç nxënësve u argëtuan edhe të rriturit që ishin kryesisht prindër, anëtarë e drejtues të kryesisë së shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc.

Pjesa e dytë e programit nisi me prezantimin e projekteve që nxënësit kishin përgatitur në slideshow. Programin e drejtoi nxënësja Erla Lamce, e cila pasi përshëndeti të ftuarit dhe anëtarët e kryesisë, si edhe kryetarin e shoqatës shqiptaro-amerikane “Skënderbej” Inc, z. Imer Lacaj, i ftoi nxënësit një e nga një që të ngjiteshin në podium për të paraqitur projektet e tyre. Temat e paraqitura ishin të larmishme si p.sh nga shkenca, biologjia, ndotja e mjedisit, si ndryshon shkolla në Shqipëri në krahasim me shkollën në Amerikë, si dhe arritjet e rezultatet e shkëlqyera që nxënësit kanë marrë në teste. Nxënësit që janë pjesë e këtij programi jo vetëm që shkëlqejnë në mësime, por edhe punojnë pa u lodhur për kauza të ndryshme. Disa prej tyre studiojnë në shkollat më të mira të Nju Jorkut. Më poshtë po rendisim titujt e projekteve të punuara nga nxënësit e talentuar:

“Academical Achievements”, Kelvin Rustani

“Udhëtime me shkollën me programin passhkollor NIA”, Jori Lamce.

“Ndryshimet midis shkollave në USA dhe në Shqipëri”, Eneo Rustani.

“My school achievements 2023-2024”, Enzo Rustani.

“Robotics and Engineering”, Jessica Ndergjoni.

“Accomplishments at Mark Twain”, Jonathan Ndergjoni.

“Rruga ime përmes mikologjisë”, Debora Shehu.

“Ruani mjedisin nga tullumbacet”, Detjon Shehu.

“My academic achievements”, Anja Kojku.

“My academic achievements”, Stivi Veshi.

Sigurisht që nxënësit jo vetëm u duartrokitën nga të pranishmit, por që të gjithë morën komente dhe përgëzime nga të rriturit për punën e bërë me aq pasion e seriozitet. Është vërtet një krenari e madhe të shohësh këta nxënës që edhe pse të lindur ose të ardhur shumë të vegjël në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të prezantojnë projektet e tyre me një shqipe të rrjedhshme e të pastër. Ju urojmë nxënësve shumë suksese në vitin e ardhshëm shkollor dhe shkëlqefshin këta fëmijë kudo që hedhin hapat e tyre!

Filed Under: Kronike

Sulmi i forcave të Zervës në Çamëri, masakra ndaj shqiptareve

June 22, 2024 by s p

Prof.as.dr.Bernard Zotaj*
Prof.as.dr.Marenglen Kasmi*/

Sulmin e Zerves e ndihmuan edhe gjermanet. Ata bene çarmatosjen e nje pjese te popullsise, me urdhrin e drejtperdrejte te Hitlerit. Gjermanet, ne kete rast, nuk perfillen as lutjet e atyre nacionalisteve shqiptare çame, qe kishin besim se Gjermania do t’i ndihmonte per te realizuar aspiratat e tyre per bashkim kombetar. Nje rol inkurajues ne spastrimin etnik te Çamerise luajti dhe Misioni Ushtarak Britanik ne Greqi. Ne nje memorandum derguar Forin Ofisit, anetari i ketij misioni, koloneli Woodhouse, relatonte se “Zerva i inkurajuar prej Misionit Aleat qe drejtohej nga une (Woodhouse – B. M.), i perzuri ata (garnet – B. M.), nga shtepite e tyre ne vitin 1944 me qellim qe te lehtesonim operacionet kunder armikut”. Ne te vertete argumenti i Woodhouse per motivet e nxitjes se ketij krimi nuk qendron, pasi popullsia game nuk perbente ndonje pengese serioze per debimin e gjermaneve nga Çameria. Me e besueshme eshte toleranca me ndergjegje e veprimeve kriminale te Zerves nga misoni britanik, ne shkembim te angazhimit te Zerves ne lufte kunder gjermaneve. Misioni Britanik ne Greqi favorizonte hapur EDES, sepse ai e kishte kuptuar se kjo force, megjithese e vogel, ishte e vetmja pengese, per vendosjen e kontrollit te plote te EAM.
Vala tjeter e masakres u krye ne fund te gushtit – fillimi i shtatorit. Me 28 gusht 1944 bandat e Zerves vrane ne Parge 49 burra dhe 8 gra. Me 14 shtator forcat zerviste ne Filat grumbulluan gjithe burrat e mbetur ne qytet, shumica e te cileve ishin pleq dhe pas nje “gjyqi” formal i denuan te gjithe me vdekje. Numri i te vrareve dhe i te zhdukurve ne qytetin e Filatit ishte 259 veta. Me pas u pushtua Koska. Edhe ne Korfuz, bandat e Zerves vrane disa shqiptare te Çamerise qe gjendeshin atje. Nje fushate tjeter spastrimi u ndermor ne muajin tetor 1944.
Rezultatet e ketyre spastrimeve kane qene me te vertete tragjike. Nga nje popullsi prej 35 000 vetash qe ishte para lufte, ne Çameri mbeten vetem disa dhjetera familje shqiptaresh myslimane. Gjate masakrave te qershor – tetorit u vrane 2 000 burra, gra, femije e pleq dhe u grabiten pasurite e tyre.
Spastrimi etnik i Çamerise krijoi precedentin e rrezikshem te spastrimeve etnike ne Ballkan. Ai ndryshoi dukshem balancen etnike ne raportet greko- shqiptare, ne favor te grekeve dhe krijoi nje problem, qe do te ndikonte per nje kohe te gjate ne ndergjegjen e popullit shqiptar. Spastrimi etnik i Çamerise nxiti dhe fuqizoi presionet e shtetit grek ndaj kombit dhe Shtetit Shqiptar, duke avancuar planet dhe aktivitetet per aneksimin e Shqiperise se Jugut.
Spekulimet e historianeve greke
Nje pjese e historianeve greke, gjate Luftes se Ftohte, por edhe sot, kane hedhur ne qarkullin tezen absurde se popullsia çame en bloc ka bashkepunuar me nazistet e me fashistet dhe qe larguar me ta ne fund te luftes. Madje, ata kane dhene dhe nje shifer te larte, sigurisht te pavertete, te numrit te çameve qe bashkepunuan me gjermanet, e cila arrinte ne rreth 2 000 veta. Edhe pse eshte e zmadhuar, ajo nuk provon se çamet paten nje bashkepunim masiv me gjermanet. Ne te vertete, perveç deklaratave politike, nuk ka asnje burim tjeter qe ta vertetoje kete shifer.
Historiografia greke eshte perpjekurte argumentoje se popullsia game ishte pergjegjese per armiqesite e krijuara gjate luftes. Ne te vertete armiqesite dhe konflikti nacional ne Çameri kishte filluar qe me aneksimin e kesaj treve shqiptare nga Greqia gjate lufterave ballkanike. Shkaku kryesor ka qene politika antishqiptare e shkombetarizuese e shtetit grek dhe e organizmave te tij. Kjo situate e tendosur sigurisht qe ka shkaktuar dhe konflikte te veganta midis te dy komuniteteve, por dhuna dhe krimi grek dallohej cilesisht, pasi ato ishin te organizuara, te drejtuara, te nxitura dhe ta ushtruara nga shteti grek. Prandaj bashkepunimin e disa elementeve te veçante çame me italianet dhe me gjermanet, qe e kishte burimin ne shtypjen e rende tradicionale te minoritetit shqiptar nga shteti grek, historiografia dhe politika greke pas lufte, madje edhe sot jane perpjekur ta fryjne, duke e paraqitur si nje bashkepunim total te popullsise çame me gjermanet. Qellimi ka qene i qarte: t’i vihej nje baze justifikuese spastrimit etnik te Çamerise e njeheresh te injorohej dhe rezistenca e armatosur e nje pjese te mire te popullsise çame kunder gjermaneve perkrahe dhe ne radhet e forcave te ELAS.

*Historia e shqiptarëve 12, Botimet shokollore Filara, Tiranë, 2011, f. 129-130.

Filed Under: Kronike

Për kujtim të Djemve Shqiptarë në 80 vjetorin e Ditës së Zbarkimit të Aleatëve në Francë

June 18, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Numri i atyre që shkuan në festimet përkujtimore të përvjetorit të 80–të të zbarkimit të aleatëve në Normandi vjen çdo vit duke u pakësuar, por motoja e brezit më të lavdishëm (the greatest generation) është e pashoqe. Janë ata burra, djem, gra e vajza që nuk e panë veten si heronj në asnjë shërbim a detyrë të tyren, në artileri, flotë detare, forcë ajrore, operatorë a teknikë, të cilët thonë edhe sot e kësaj dite: “Ajo ishte koha jonë. Ne bëmë atë që na kërkohej, dhe kaq” (“It was just our time. We were asked to serve. And we did.”)

Gjithë javën e parë të qershorit në Normandi u mbajtën ceremoni përkujtimore kushtuar zbarkimit më të madh detar në historinë e luftës botërore. Tetëdhjetë vjet më parë, 7,000 barka dhe lundra zbarkimi me 195,000 personel nga tetë vende aleate, prej të cilave 133,000 ishin trupa nga Shtetet e Bashkuara, konfederata britanike dhe aleatët e tyre që zbarkuan në pesë plazhet veriore të zonës së Normandisë në 6 qershor 1944. Qielli i paqtë i Normandisë ku lundronin parashutat me ngjyra gjatë festimeve ato ditë, 80 vjet më parë përflakej nga zjarret e luftës ndërsa topat dhe mortajat mbillnin vdekje përgjatë plazheve me rërë.

Pjesëmarrësit, zyrtarët dhe kryetarët e shteteve i përshëndesnin veteranët e veshur me uniformat ushtarake të sektorëve të tyre dhe ju thoshin: “Faleminderit dhe …Mirupafshim!” Ndonëse historitë e asaj dite tregohen nga burrat e djemtë që ishin pjesëmarrës në të, shumë prej të cilëve dhanë jetën aty, qindra mijëra gra dhe vajza të forcave ushtarake kryenin funksione me shumë rëndësi në sektorët operativë, radio-komunikim, zbulimi informativ etj. shpesh të papërmendura ose vlerësuara. Gratë, nuk lejoheshin të merrnin pjesë në luftime, por ndihma e tyre ishte kyçe në zbërthimin e kodeve, në kartografi dhe mbikëqyrje të skuadrave lundërtare të meshkujve që stërviteshin për Ditën e Zbarkimit. Një prej tyre ishte Dorothea Barron, e cila gjatë pranverës dhe verës të vitit 1943, bashkë me koleget e saj, kontrollonin prototipet e dy modeleve të skelave portative që do çoheshin në Normandi për të lehtësuar transportin e personelit dhe pajisjeve në fushën e betejës.

Një prej veteranëve që hipën në aeroplan nga Atlanta për Deaville, Normandi, ishte 100 vjeçari Margol-i, banues në Atlanta, Xhorxhia. Ai dhe shokët e tij u pritën me madhështi në Francë, ku morën pjesë në shumë parada, takime e parakalime, vizituan shkolla, dhe ishin në tribunën e ceremonisë zyrtare të nderimit të trupave të çlirimit në Normandi. Ndonëse Margoli nuk ishte caktuar me trupat që ndihmuan të çlironin Evropën nga tirania naziste, ai ishte pjesëtar i brigadës që çliroi kampin e koncentrimit Dachau në 29 prill, 1945.

Mes lajmeve të tjera në gazeta u dha njoftimi se veterani 102 vjeçar, Bob Persichitti nga Fairport, Nju Jork, ndërroi jetë ndërsa udhëtonte për të marrë pjesë në 80 vjetorin e ditës së zbarkimit në Francë. Ai nuk kishte qenë me forcat ushtarake në Normandi, por ishte dëshmitar i ngritjes së flamurit amerikan në Iwo Jima në vitin 1945.

Bashkësia Shqiptare në Amerikë

Në kremtimet e ditës së të rënëve dhe të zbarkimit në Normandi, kureshtja më çon të mendoj se sa djem shqiptarë të Amerikës janë mobilizuar në një sektorë të ushtrisë apo në një tjetër, sa prej tyre ranë në betejë, sa u kthyen bashkë me shokët, dhe nëse emrat e tyre janë në arkiva bashkë dhe kujtimet nga lufta për fitoren e lirisë në Evropë dhe çlirimin e Shqipërisë.

Në faqet e gazetës Dielli dhe të shtypit shqiptar të kohës gjenden shumë të dhëna për të rënët dhe dëshmorët shqiptarë të këtij kapitulli të Luftës së Dytë Botërore. Një prej tyre ishte Albert Nashi, student në New England Conservatory of Music, dhe djali i Thoma Nashit, themelues dhe dirigjent i Bandës Kombëtare Vatra. Në rubrikën e titulluar “Dy vdekje të Tmerruara”, gazeta Dielli e datës 12 gusht 1944 jep njoftimin për Albert Nashin së bashku me lajmin mortor për djalin shqiptar Philip Churchi:

“Mandatat e luftës nisnë të vijnë si breshëri. Këtë javë mësuam me hidhërim se Albert Nassi, biri i Profesor Thoma Nassi-t, ra dëshmor në fushë të betejës për lirin’ e botës në Francë. Albert Nassi studioj muzik në New England Conservatory of Music me shpresë që të vazhdonte gjyrmat e t’et, fatkeqësisht lufta tragjike në të cilën bota po shkretohet nuk e la Albertin të shijonte bukurit e jetës.

Kjo javë na hidhëroj me një tjatre vdekje të nje tjatre djaloshi shqiptar: Philip Church, Brockton. Mass…. Philip Churchi u-vra me aksident këtu n’ Amerikë kur po bënte stërvitje ushtarake.

Philip Churchi, ish dhëndëri i Zotit Vangjel Kolonjari, ish delegat i Degës së Vatrës në Brockton, Mass., në Kuvendin e Vatrës muajin që shkoi. Dielli dhe Vatra ju dërgojn ngushullimet e sinqerta tere fare e fisit të dy dëshmorëve, Albert Nassi dhe Philip Churchi.” (Foto: Dielli, Boston, Mass., e shtunë, 12 gusht, 1944)

Dy javë më vonë, në një kolonë të veçantë në faqet e Diellit, 26 gusht, 1944 njoftohet se Sergt. Charles Peters, një i ri nga qyteti Attleboro, Mass., ra viktim e një aksidenti aeroplani. Shërbimet funerale të tij u bënë nga Imzot Noli dhe At Mihal Terova në kishën Episkopoliane të qytetit Attleboro. Aty njoftohet se kishin ardhur zyrtarë të qytetit, vetë kryebashkiaku si edhe shumë shqiptarë nga Bostoni, Watertown, Natick, Brockton, Worcester, Mass, dhe Manchester, NH.

Ashtu si shumë djem të tjerë të lindur në Amerikë nga prindër shqiptarë, rreshteri Charles Peters, iu përgjigj thirrjes së vendit dhe hyri në shërbimin ushtarak në vitin 1942. Në fjalën e imzot Nolit ndihet vlerësimi dhe adhurimi për ata që shihnin tek kauza për liri edhe çlirimin e Shqipërisë. “Sakrificat që bëjnë djemet t’onë, prej prindër shqiptarë, do të lirojnë botën e tërë dhe Shqipërinë,” thotë imzot Noli.

Gazeta Dielli jep njoftime të tjera si dekorime për heroizëm të “Staff Sergt. Thomas Theodore Kiriako (Panariti) i flotës ajrore, “që nderojnë racën shqiptare”, ardhjen me pushim të shkurtër të Vatranit të mirënjohur Lt. Dr. Andrew Elia, që hyri vullnetarisht të shërbente si mjek në flotën amerikane në ujrat e Atlantikut dhe më pas u transferua në bazat amerikane në Paqësor, dhe shumë të tjerë. (Foto: Dielli, Boston, Mass., e shtunë, 26 gusht, 1944)

Në fjalën përcjellëse të Imzot Nolit në varrimin e dëshmorit Philip Churchi, mes të tjerave, ai thotë se i dhemb zemra për të sepse e kishte pagëzuar dhe i kishte vënë kurorë martese dy vjet më parë, ndërsa djali shqiptar lë pas prindërit, zonjën dhe foshnjën e re. Por Noli e pranon çmimin e madh të sakrifikimit të jetës për lirinë:

“Me derdhjen e gjakut të këtyre ushtarëve nga raca shqiptare, do të rifitojë dhe Shqipëria e vogël lirin’ e saj…. Sot, së bashku me ju, po i lutemi Zotit të ketë kujdes shpirtin e tij dhe t’a vendose me të djathte në Paradisë. Amin”

(Foto: Dielli, Boston, Mass., e shtunë, 26 gusht, 1944)

Ata djem e vajza që i takojnë “brezit më të lavdishëm” u sakrifikuan pa bujë e zhurmë pavarësisht nga origjina, besimi, kombësia. Prandaj adhurimi i bashkëkombësve për ta meriton të jetë pjesë e vlerave që nuk duhen humbur ndërsa shumë prej tyre nuk i kemi më mes nesh. Bashkësia shqiptare i ka dhënë kauzës botërore të lirisë bijtë e saj, të cilët kanë shkruar faqe të çmuara të historisë sonë në Amerikë

Filed Under: Kronike

Çlirimi i Kosovës ka përmasë historike shekullore

June 12, 2024 by s p

Prof.Elez Osmani/

(Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, më 12. 6. 1999)

Përkufizimi

Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, vetëm shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 1912, është ngjarje që ka përmasën historike të çlirimit të Kosovës. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, me krahun ushtarak të saj, kishte mbrojtur me luftë të gjitha territoret që qendrat e vendosjes evropiane ju kishin dhënë shteteve fqinje t shqiptarëve, Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Prandaj, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me mbështetjen e Aleancës së Atlantikut, pra NATO-n, pas më shumë se një shekulli, solli çlirimin e Kosovës, duke e shpëtuar popullin shqiptar të kësaj pjese të atdheut nga shfarosja.  

Hyrje

Në jetën e popujve ka ngjarje historike që kanë peshë të veçantë. E tillë është edhe ngjarja e çlirimit të Kosovës, e cila as nuk kishte pikur nga qielli, as nuk kishte dalë nga toka. Ajo ishte përgatitur nga breza të tërë të atdhetarëve shqiptarë, në mënyrë që në vitin 1997, kur doli publikisht Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të fillonte realizimi konkret i kërkesave të shqiptarëve për të mos jetuar në robëri. Do të thotë, çlirimi i Kosovës nuk është vetëm ngjarje për jetën e popullit shqiptar të Kosovës dhe të viseve që kishin mbetur jashtë  shtetit amë, Shqipërisë. Çlirimi i Kosovë është ngjarje me përmasë kombëtare, sepse më Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është hapur procesi i madh historik i bashkimit kombëtar. Prandaj, mund të thuhet, se vetëm me luftë çlirimtare, jo vetëm fitohet liria, por edhe ndryshojnë rrethanat historike në jetën e një kombi, në këtë rast të Kombit shqiptar. 

Lufta për liri dhe çlirimi i Kosovës

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare ishte bijë e të gjitha përpjekjeve të atdhetarëve shqiptarë, të cilët asnjëherë nuk ishin pajtuar me pushtimin sllav, asnjëherë nuk kishin pushuar së kërkuari liri dhe mëvetësi. Por, të gjitha ato përpjekje ishin shuar me gjak. Pushtuesi ynë, kishte hartuar programe pafund për zhdukjen e shqiptarëve. Ndonjëherë, as historia nuk mund ta shpjegojë, si nuk kishin arritur të realizohen ato programe shfarosëse, dhe si kishin ardhur shqiptarët kështu sa janë deri në këtë kohë. Pas kryengritjeve dhe qëndresës më shumë se 25 vjeçare të Skënderbeut e deri në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, ishin zhvilluar më shumë se 228 kryengritje, andaj përgjakja dhe luftërat jo vetëm e kishin dëmtuar ekzistencën e popullit shqiptar, por edhe e kishin përgjysmuar shtimin biologjik të tij. Andaj, nuk është   e rastit, që mbi këtë shkollë kombëtare të mbështetej edhe Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që solli lirinë e kësaj pjese të atdheut. Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, shqiptarët e kanë më lehtë të të merren me rrugën e gjatë të historisë deri të ardhja e luftës për liri dhe çlirimi i Kosovës. Shqiptarët, mbi shkollën e madhe të historisë, kthyen kokën nga aleatët shekullor, siç ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që ju bën krahë kësaj lufte, duke u bërë pjesë edhe e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008. Do të thotë, çlirimi i Kosovës është përmbyllje e një pjese të procesit historik të bashkimit kombëtar, i cili do të bëhet një ditë, deshën apo nuk deshën qendra të caktuara të Evropës, deshën apo nuk deshën politikat e qeverive shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë. Pse mund të thuhet kështu? Mund të thuhet, qoftë edhe vetëm për faktin se korrigjimi i padrejtësive historike, bëhet vetëm me luftë çlirimtare, të cilën e ka bërë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe më mbështetjen e aleatëve tanë historik, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës etj.      

Vlera historike kombëtare e çlirimit të Kosovës

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, mund të thuhet, se edhe kjo pjesë e kombit shqiptar, është pjesë e një populli historik, qoftë edhe vetëm për faktin se në shekuj ka luftuar për lirinë e tij. Është çështje tjetër, pastaj se cilat politika janë zbatuar, qoftë në Shqipërinë londineze, qoftë në pjesët e pushtuara të tokave shqiptare, pra edhe në Kosovë. Prandaj, sot, kur flasim për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, kur mundësinë e hapjes së procesit të madhe historik, të bashkimit kombëtar, mund të themi se çlirimi i Kosovës ka vlerë me përmasë kombëtare historike. Pra, nuk është çliruar vetëm Kosova, por të gjitha pjesët e gjeografisë kombëtare, edhe ajo e Shqipërisë londineze. Në këtë 25-vjetor të çlirimit të Kosovës, shqiptarët kanë hapur rrugën e ardhmërisë historike, qoftë edhe vetëm për faktin se tashti janë faktor historik, gjë që nuk ishin para 25 vjetësh. Këto dhe çështje të tjera të shtruar në këtë kumtesë, edhe mund të diskutohen, por faktet historike janë shumë kokëforta. Këto fakte, thonë, se nuk mund të mbyllet rruga e procesit të madh historik të bashkimit kombëtar, që e ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa marrë parasysh politikat aktuale të qendrave të vendosjes evropiane, sepse historia ndonjëherë nuk përfill politikat e ditës, pa marrë parasysh a zbatohen në Bruksel, apo në ndonjë qendër tjetër. 

Përfundim

25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, përmasën e tij historike shekullore, nuk mund ta stërkeq, as politika e ditës në Prishtinë, as ajo në Tiranë, as ajo në Shkup. Pa marrë parasysh se çka thonë politikat e ditës dhe qeveritë shqiptare, kudo që janë, se a i lejon Kushtetuta, apo nuk i lejon, se a hidhërohen, apo mërziten fqinjët tanë, se janë kundër, apo heshtin qendra të caktuara të Evropës, hapjen e procesit të madh historik të bashkimit kombëtar, e ka hapur Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Komandanti i së cilës Adem Jashari, nuk pyeti se a lejonte kushtetuta e Jugosllavisë dhe ajo e Serbisë fashiste të pavarësohej Kosova, apo nuk lejonte. Prandaj, ky 25-vjetor i çlirimit të Kosovës, është ngjarje me peshë shekullore historike në jetën e kombit shqiptar.

Prishtinë, më 12 qershor 2024   

Filed Under: Kronike

Historia e luftës, sakrificave dhe sfidave të shqiptarëve të Kosovës në udhën drejt çlirimit, pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare

June 12, 2024 by s p

Prof. ass. Dr. Haxhi Ademi

Departamenti i Historisë Bashkëkohore

Instituti i Historisë “Ali Hadri” Prishtinë/

Më 28 nëntor 1912, shqiptarët shpallën pavarësinë e katër vilajeteve shqiptare. Më 29 korrik 1913, Konferenca e Ambasadorëve në Londër e njohu Shqipërinë si shtet të pavarur nga Perandoria Osmane, por me kufij të cunguar. Kosova, viset shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, dhe krahina e Çamërisë në Greqi mbetën jashtë Shqipërisë dhe u pushtuan nga serbët, malazezët dhe grekët. Si rezultat, rreth 55% e tokave etnike dhe historike shqiptare iu dhanë shteteve të tjera ballkanike. Po ashtu, rreth 60% e popullsisë shqiptare mbeti jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar. Këto zhvillime krijuan një situatë të vështirë për shqiptarët, të cilët u ndanë në disa shtete të ndryshme, ndërkohë që Shqipëria e re kishte përballë sfidën e konsolidimit dhe zhvillimit brenda kufijve të saj të cunguar.

Territoret shqiptare kishin një pozitë tejet favorizuese, siç shprehej shkrimtari i madh i Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri: “Zoti u kishte dhënë shqiptarëve fushën pjellore (Kosovën dhe Fushën e Pollogut) që të ushqeheshin me bollëk, detin e gjerë që mund t’i lidhte me botën, nga ku mund t’ju vinin miq dhe pasuri, dhe bjeshkët e malet ku mund të rrisnin bagëtinë”. Mirëpo, fatkeqësisht, këto favorizime natyrore nuk mundën t’i gëzonin. Fushat pjellore që shtriheshin në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi, iu dhanë fqinjëve sllavë. Deti më tepër i shërbeu ushtrive pushtuese greke dhe italiane për të depërtuar në Shqipëri. Jo rrallë, deti u shërbeu shqiptarëve për të braktisur shtëpitë e tyre dhe për të ikur në vende të tjera, qoftë për shkak të pushtuesve apo për shkak të kushteve të rënda si rezultat i sundimeve të huaja në territoret shqiptare. Ndërsa, bjeshkët dhe malet më shpesh shërbyen për strehimin dhe vetëmbrojtjen e popullsisë, sesa për rritjen e bagëtisë.

Vendimet e Fuqive të Mëdha Evropiane në dy forumet politike – Kongresi i Berlinit dhe Konferenca e Ambasadorëve në Londër – ishin vetëm vendime që cenonin ardhmërinë e popullit shqiptar. Këto vendime shkatërruan tërësinë e hapësirës territoriale, shpirtërore dhe kulturore të popullit shqiptar. Për pasojë, filloi një proces i pandalshëm i dobësimit, varfërimit dhe zhvendosjeve të popullsisë shqiptare, proces që fatkeqësisht vazhdon edhe sot.

Nëse nga vendimet e Kongresit të Berlinit u krijua çështja shqiptare, nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër u krijua çështja e Kosovës si një nën-çështje e asaj shqiptare. Kjo sepse, që nga viti 1913, Kosova dhe viset e tjera etnike shqiptare u përjashtuan nga kufijtë e shtetit të sapokrijuar shqiptar, si pasojë e vendimeve të padrejta dhe jo parimore të fuqive evropiane në Londër.

Që nga vendimet e Konferencës së Ambasadorëve më 1913 e deri në çlirimin e Kosovës nga forcat serbe më 1999, në territorin e Kosovës hynë ushtri të ndryshme, disa të vetëshpallura si “aleat” të shqiptarëve dhe disa si pushtues klasikë. Megjithatë, të gjitha këto forca ishin pushtues, vetëm se dallonte qasja e tyre ndaj shqiptarëve. Austro-hungarezët gjatë Luftës së Parë Botërore dhe italianët e gjermanët gjatë Luftës së Dytë Botërore përkrahën disa kërkesa të shqiptarëve, si lejimi i përdorimit të gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare, përdorimi i simboleve kombëtare dhe hapja e shkollave në gjuhën shqipe. Gjatë Luftës së Dytë Botërore (1941-1944) u realizua edhe “Shqipëria Etnike”, pasi Kosova dhe një pjesë e territoreve shqiptare në Maqedoni dhe Mal të Zi iu bashkuan shtetit shqiptar. Ndërsa, kampi tjetër i ushtrive pushtuese përbëhej nga serbët, malazezët dhe bullgarët të cilët ishin shumë më tëashpër ndaj popullit shqiptar, duke u mohuar çdo të drejtëelementare, njerëzore e kombëtare.

Gjatë periudhës së pushtimeve të njëpasnjëshme për nëntë dekada, shqiptarët e Kosovës bënë përpjekje të vazhdueshme për t’u bashkuar me shtetin shqiptar. Personalitete si Hasan Prishtina, Isa Boletini, Idriz Seferi, Bajram Curri, Azem Bejta, Shotë Galica, Shaqi Smaka, Sefer Neziri-Kleçka, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Shaban Polluzha, Ymer Berisha, Marie Shllaku, Rifat Berisha, Metush Krasniqi, Ahmet Delia, Tahir e Nebih Meha, (lista është shumë e gjatë) janë disa nga mijëra të tjerë që u flijuan për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por nuk ia arritën qëllimit të tyre. Megjithatë, veprat e tyre ishin një udhërrëfyes për brezat e rinj, për brezin e Adem Jasharit.

Një kontribut të veçantë në rrugën drejt lirisë dhe çlirimit të popullit shqiptar kanë dhënë të burgosurit politikë. Si simbol i tyre ishte Adem Demaçi, i cili u bë simbol i rezistencës së popullit shqiptar. Me vite të tëra të kaluara në burgjet jugosllave për shkak të bindjeve dhe veprimtarive të tij politike, Demaçi u shndërrua në një figurë të palëkundur të qëndresës dhe luftës për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.

Krahas përpjekjeve dhe formave të ndryshme të revoltës së tyre, shqiptarët e Kosovës, me në krye Ibrahim Rugovën, provuan modelin e gandizmit, duke bërë përpjekje që përmes frymës paqësore dhe liberale të arrinin atë që nuk dukej se mund të arrihej. Deri në një farë mase, kjo edhe u arrit, ngase pas suprimimit të autonomisë së Kosovës më 1989 dhe mbylljes së të gjitha institucioneve publike të Kosovës, u krijuan ato paralele. Vlen të përmendim këtu shtëpitë-shkolla, që funksionuan në vitet ’90, e që historia nuk ka shënuar raste të tilla, ku qytetarët hapnin dyert e shtëpive të tyre për nxënësit dhe mësuesit e dëbuar nga objektet shkollore.

Kjo periudhë e rëndësishme e historisë shqiptare tregon për një rezistencë të pashoqe dhe një dëshirë të pakompromis për liri dhe bashkim kombëtar. Ndërkohë që figura si Adem Jashari u bënë simbol i rezistencës së armatosur, përkushtimi i tij dhe kontributi tëluftëtarve të UÇK-së, solli në fund çlirimin e Kosovës dhe krijimin e kushteve për një të ardhme të lirë dhe të pavarur.

Kur dhuna serbe po rritej në vazhdimësi, shqiptarët nacionalistë shpërthyen në revoltë, e cila më pas kaloi në një luftë të armatosur në pjesën e dytë të dekadës së fundit të shekullit XX. Kjo luftë u zhvillua ndërmjet forcave ushtarake dhe policore të Serbisë dhe popullit shqiptar të Kosovës, të prirë nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK). Lufta përfundoi me vrasjen e rreth 15 mijë njerëzve (12,500 shqiptarë) dhe me çlirimin e Kosovës nga forcat e armatosura serbe. Largimi i tyre nga Kosova shënoi fundin gati një shekullor të një pushtimi klasik serb. Për çlirimin e Kosovës në këtë luftë ranë dëshmorë mbi 2 mijë luftëtarë të UÇK-së. Ky formacion ushtarak mund të thuhet se është forca më e suksesshme gjatë historisë 2 mijë vjeçare të shqiptarëve. Natyrisht, çlirimi i kësaj pjese shqiptare nuk do të ndodhte pa përkrahjen ushtarake të Aleancës Veriatlantike (NATO), e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në vitin 2005 filloi procesi i bisedimeve për t’i dhënë fund status-kuosë në Kosovë, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. Pas dështimit për arritjen e një marrëveshjeje shqiptaro-serbe, Propozimi Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit Final të Kosovës parashihte një “pavarësi të mbikëqyrur nga ndërkombëtarët”. Në pasditen e së dielës së datës 17 shkurt 2008, përfaqësuesit e qytetarëve të Kosovës mbajtën një Kuvend të Jashtëzakonshëm në Prishtinë. Para përfaqësuesve doli Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, i cili lexoi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës prej dymbëdhjetë pikash. Deklarata është hartuar në një frymë liberale, e cila është bazamenti i shtetësisë së Kosovës. Pika e parë e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës thotë: “Ne, udhëheqësit e popullit tonë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, nëpërmjet kësaj Deklarate Shpallim Kosovën Shtet të Pavarur dhe Sovran. Kjo shpallje pasqyron vullnetin e popullit tonë dhe është në pajtueshmëri të plotë me rekomandimet e të Dërguarit Special të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, dhe Propozimin e tij Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës”.

Deklarata e Pavarësisë shënoi një pikë kthese historike për Kosovën, duke hapur rrugën për njohje ndërkombëtare dhe përpjekjet për zhvillimin e një shteti demokratik dhe të qëndrueshëm. Që nga atëherë, Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm drejt ndërtimit të institucioneve të forta dhe promovimit të një shoqërie multietnike dhe tolerante, duke vazhduar përpjekjet për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e saj.

Qytetarët e vendit, më saktë ata shqiptarë, ishin të ngazëllyer me formimin e shtetit të tyre. Natyrisht, ekzistonte një grup shqiptarësh që kontestonin shtetësinë duke mos përfillur simbolet e shtetit të ri, me arsyetimin se “ato nuk pasqyrojnë asnjë element kombëtar shqiptar.” Një ditë pas këtij akti historik, filloi procesi i njohjeve nga shtetet e ndryshme nga të gjitha kontinentet. Gjatë këtyre viteve (2008 – 2024), shteti i ri po fuqizohet çdo ditë e më shumë.

Çlirimi i Kosovës (12 qershor 1999) dhe Pavarësia e saj (17 shkurt 2008) shënojnë ngjarjet më të rëndësishme të shqiptarëve të Kosovës. Gjatë historisë dy mijëvjeçare, banorët e këtij rajoni nuk kanë përjetuar ndonjë periudhë pa një sundim nga jashtë. Mijëvjeçari i ri shqiptarëve u solli shtetin e dytë. 17 shkurti i vitit 2008 do të na rikujtojë gjithnjë një pritje 96-vjeçare, një pritje ku përzihen të gjitha: dhimbja e gjatë dhe e shumëfishtë, dhuna, sakrifica dhe kryengritjet e gjyshërve dhe stërgjyshërve, trishtimi dhe vuajtjet e prindërve, besimi që nuk humbi kurrë, por mbi të gjitha gëzimi që më në fund ajo që kishim ëndërruar pothuajse një shekull është realizuar, megjithëse pjesërisht për faktin se ende nuk është realizuar qëllimi final, ai i bashkimit kombëtar.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 28
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT