• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VOA: Zgjidhet përplasja në PD, vula e partisë i kalon Berishës

June 11, 2024 by s p

  • Armand Mero

Selia e PD
Selia e PD

Në Shqipëri, ka marrë fund përplasja e gjatë mes palëve në Partinë Demokratike se kush e përfaqësonte atë zyrtarisht. Gjykata e Apelit vendosi sot të mos pranojë ankimimin e bërë nga pjesa e drejtuar nga zoti Lulzim Basha, duke lënë kështu automatikisht në fuqi, vendimin e shkallës së parë i cili njohu Kuvendin e thirrur nga ish kryeministri Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, në dhjetor të vitit 2021, si dhe vendimet që pasuan me ngritjen e strukturave të reja partiake dhe një proces votimi që zgjodhi në krye si drejtues, zotin Berisha.

Trupa gjykuese nuk dha shpjegime mbi vendimin e marrë, i cili pritet të zbardhet me vonë, por duket se anëtarët e saj nuk kanë patur shumë dilema. Pasi u tërhoqën, ata e njoftuan verdiktin në më pak se një orë. Gjatë seancës gjyqësore, përfaqësuesi ligjor i Rithemelimit, Ivi Kaso, kërkoi pikërisht që të mos pranohej ankimimi i bërë nga zoti Enkelejd Alibeaj, duke arsyetuar se procesi në shkallën e parë kishte qenë pa palë, e për këtë arsye nuk legjitimohej në kërkesën drejtuar Apelit.

Zoti Berisha, i cili ndodhet në arrest shtëpe, reagoi përmes një postimi në Facebook. “Këtij vendimi historia do ti njohë meritën e madhe të parandalimit të një mënxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia shtet”, shkruajti ai.

Me vendimin e sotëm të Gjykatës së Apelit, pozitat e zotit Basha dobësohen edhe më tej, pas rezultatit zhgënjyes që grupi i tij, i cili mbante siglën e PD-së, mori në zgjedhjet për pushtetin vendor më 14 maj të vitit të kaluar, e më tej kur në shtator humbi mbështetjen dhe të grupit parlamentar. Nën drejtimin e Gazmend Bardhit, pjesa dërrmuese e deputetëve u bashkua me mbështetësit e zotit Berisha në parlament.

Ish kryeministri Berisha, nuk humbi kohë për t’iu drejtuar me një thirrje të gjithë demokratëve që të bashkohen. “Sot është ditë e mirë edhe për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike, me Flamurin e saj, pasi ky moment u heq atyre hendekun e ndarjes me shumicën e vëllezërve dhe motrave të tyre! Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar”, shkruajti zoti Berisha.

Zoti Basha nuk ka reaguar, por ka njoftuar për një mbledhje të strukturave gjatë pasdites.

Në mars të vitit 2022, Gjykata e shkallës së parë i dha të drejtë Rithemelimit dhe lëvizjes së ndërmarrë nga zoti Berisha, si një reagim ndaj përjashtimit të tij nga grupi parlamentar i Partisë me vendim të kryetarit të atëhershëm Basha për shkak të shpalljes “non grata” të ish kryeministrit, nga Departamenti amerikan i Shtetit.

Vendimi u ankimua në Gjykatën e Apelit, së cilës iu desh një vit për të vendosur që çështja të rikthehej në Shkallën e parë. Por zoti Berisha e dërgoi çështjen në Gjykatën e Lartë. Në dhjetor të vitit të kaluar, kjo Gjykatë e riktheu rastin sërish në Apel, duke urdhëruar që të kishte një tjetër trupë gjykuese.

Filed Under: Kronike

Shenjë e vogël, histori e madhe, për monumentin e dhembjes kolektive shekullore shqiptare

June 7, 2024 by s p

Dr Lulzim Nika/

(Leotrim called me: “Oh mom look, I also have something in my stomach, my stomach hurts. when I removed her clothes, I saw that she had a big wound on her stomach and her intestines had come out. I took my sweater and covered her wound. She told me: “mom don’t, don’t touch me because I have a terrible pain. The sculpture of Leotrim Ahmet, made by Sabri Behramaj, will be placed in Skenderaj in September.)

Dhembja per Leotrimin nuk pushon asnjëherë ne mendje dhe zemrën e nënës shqiptare që përjetoi krimet sistematike të shtetit serb. Duke kujtuar përherë ata që u flijuan për lirinë tonë që e gëzojmë sot, na kujtojnë dhimbjet e nënave dhe fëmijëve tanë.

Kthimi në historinë tonë tragjike dhe të vuajtjeve shekullore nga gjenocidi shtetëror serb që ushtroi ndaj trojeve etnike shqiptare. Vetëm gjatë viteve 1998–1999, në Drenicë janë vrarë 331 femijë nga shteti serb, në komunën e Drenasit 147 femijë dhe në Skenderaj 184, për fat të keq edhe sot nuk kemi një muze të përbashkët të të dy komunave për t’i prezantuar krimet serbe kundër fëmijëve shqiptarë. Skulptura e Leotrim Ahmetit perfaqëson shumë histori në vete për mizoritë shekullore të shtetit serb.

Historia e popullit shqiptar gjatë shekujve, ishte një përpjekje për mbijetesë në trojet tona etnike, dhe që u bë shënjestër e përhershme e politikës hegjemoniste serbe. Programi i parë kombëtar serb, në të cilin përpunohej ideja e Serbisë së Madhe, është e ashtuquajtura “Naçertanija”e Ilija Garshaninit, prej vitit 1843 e deri në vitin 1852, i cili ishte Ministër i Punëve të Brendshme dhe Kryetar i Qeverisë Serbe. Këto ambicie kishin filluar të sëndërtoheshin me masakra dhe dëbime të shqiptarëve prej trojeve shekullore nga Nishi, Vranja, Toplica, Prokupla e Leskovci, në vitet 1876 -1878.

Fatkeqësisht, kjo u përsërit edhe gjatë vitit 1998-1999, ku shteti serb, kundër shqiptarëve të Kosovës, përdori metodat më mizore, barbare dhe mesjetare për zhdukjen e tyre nga Kosova. Masakrat çnjerëzore që po ndodhnin në Kosovë, morën përmasa tragjike për tërë botën e civilizuar, saqë tmerruan opinionin publik vendës dhe të huaj, si dhe vunë në lëvizje qendrat e vendosjes ndërkombëtare.

Masakra e Abrisë dhe Reçakut “vrau” ndërgjegjen e diplomacive të fjetura botërore dhe gjenocidi shtetëror serb nuk kishte të ndalur.

Masat ushtarake kundër makinerisë serbe nga aleanca e NATO-s, sollën paqen në Kosovën e djegur dhe të shkatërruar dhe me mijëra të vrarë e masakruar në shtëpi të tyre, shumë fëmijë, gra, dhe pleq; të cilët u bënë cak i makinerisë ushtarake serbe, për një arsye të vetme: veç pse ishin shqiptarë!

Lavdi dhe përjetësi!

Filed Under: Kronike

LABËRIA NË LUFTËN E VLORËS

June 6, 2024 by s p

Albert HABAZAJ

EPOPEJA E NJËZETËS: 5 qershor-3 shtator 1920; 104 vjet më parë … 

Hyrje

Lufta Kombëtare e Vlorës është trajtuar gjerësisht nga historiografia shqiptare, ndërkohë ka ngjallur shumë interes edhe nga studiues të huaj gjatë një shekulli. Vlora për Shqipërinë është si New Yorku (Nju Jorku) për Amerikën, sikurse thonë se Nju Jorku është Vlora e Shqiptarëve të Amerikës, ku shqiptarët e atjeshëm ngrenë ngrenë flamurin kombëtar kuqezi. Vlora është parë nga të huajt si pozicioni më i rëndësishëm strategjik në Adriatik. Vetëm 49 milje nga Italia, ajo shikohej si një port i shkëlqyer dhe në se fortifikohej mund të kontrollonte hyrjen në Detin Adriatik. Sikurse gjithë Shqipëria, ende e brishtë në pavarësinë e saj, edhe “Gjibraltari i Adriatikut” po kërcënohej seriozisht. Dritëro Agolli në poemën “Nënë Shqipëri” shkruan: “Një copë, një copë!/ Një çikë, një çikë!”/ Ulërinin ujqit mes zhegut, kallkanit;/ Dilnin nga shpella si në legjendat e vjetra/ Veshur me mburoja kalorësie/ Fshehur kokë e turi në helmeta,/ Zbutur me frak diplomacie,/ Zgjatnin këmbën si në përrallën e Dhisë e kecave:/ “Tuk-tuk!/ Hape!/ Jam unë”!”  

              Nga historia dimë se Lufta e Parë Botërore (qershor 1914 – nëntor 1918), që përfshiu gjashtë kontinentet e banuara të lëmshit tokësor, ishte kryesisht e përqëndruar me dy blloqet: Blloku i Antantës ku bënin pjesë Britania, Franca dhe Rusia dhe Blloku Tripalësh (Forcat Qendrore), ku bënin pjesë Gjermania, Austro-Hungaria dhe Italia. Në këtë kuadër, Traktati i fshehtë i Londrës (26 prill 1915) ishte marrëveshje e fshehtë e përfunduar midis fuqive të Antantës dhe qeverisë italiane për të plotësuar pretendimet e imperializmit italian në Shqipëri dhe lakmitë ekspansioniste të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Ndër 16 nenet e këtij traktati famëkeq, 3 prej tyre (neni, 5, 6 dhe 7) kishin të bënin me fshirjen e shtetit shqiptar nga harta e Europës. Sipas nenit 6, “Italia do të marrë sovranitet të plotë mbi Vlorën, Ishullin e Sazanit dhe territoret përreth, në një largësi të tillë që të sigurojë mbrojtjen e këtyre pikave”. Më 25 dhjetor 1914 Vlora u pushtua prej ushtrisë italiane, e cila dalëngadalë zaptoi tërë rrethinat e Vlorës dhe krahinat e Labërisë e më gjerë. Kujtojmë që, megjithëse ndërhyrja e Willsonit e kishte penguar përkohësisht ndarjen e Shqipërinë nga Fuqitë e Mëdha, presidenti amerikan nuk i kishte zgjidhur problemet se çfarë duhej bërë me Shqipërinë. Të mëdhenjtë kontinentit plak e shikonin Shqipërinë si mjet shkëmbimi, por, si duket, nuk ishte më e dobishme si e tillë. Studiuesi Robert Larry Woodall shkruan “Përballë indiferentizmit të Fuqive të Mëdha, shqiptarët u detyruan të mbroheshin vetë kundër ushtrive të huaja”. Viti 1920 u shfaq si tallaz drejt lirisë, në mbrojte të pavarësisë së rrezikuar dhe sovranitetit të nëpërkëmbur të shtetit shqiptar. “Në qershor, shqiptarët filluan t’i sulmonin trupat italiane të përqëndruara në Vlorë. Politika italiane po fundosej”

  1. Labëria dhe  Vlora si simbolikë e Luftës Kombëtare të Vlorës, 1920

             Historia na tregon, sipas kriterit kronologjik, kur fillon lufta dhe kur mbaron si kohë; se Lufta Kombëtare e Vlorës nisi dhe u zhvillua me tre faza, konkretisht: 

Faza e parë (5-10 qershor) nisi në bazë të vendimit të Kuvendit të Barçallasë dhe urdhërit të Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, me sulmet e forcave vullnetare, në orën 20:00 kundër garnizoneve italiane, të përqëndruara jashtë qytetit të Vlorës në rrugën Drashovicë – Tepelenë dhe Llogora – Himarë, ku trupat kombëtare çliruan Kotën, Drashovicën, Llogoranë dhe Matohasanaj, me përjashtim të Tepelenës që ra pak ditë më vonë. 

Faza  e dytë (11-20 qershor) nisi me sulmin mbi forcat italiane brenda qytetit të Vlorës, ku luftimet u zhvilluan shumë të ashpra e tepër të përgjakshme në hapësirat e Qafës së Koçiut, të Vreshtave të Mëdha e të Kalasë së Kaninës. 

Faza e tretë – 23 korrik, nis me çlirimin e Tepelenës më 21 qershor dhe sulmin e përgjithshëm natën në qytetin e Vlorës më 22 korrik. 

Mendojmë se edhe ky skelet informativ na e jep qartas hapësirën dhe kohën e zhvillimit të ngajrjeve kryesore luftarake për çlirimin e Vlorës dhe të krahinave të pushtuara të Labërisë në tre muajt e sfidave të mëdha.

Në Kuvendin e Barçallasë në mal të Dukatit, më 29 maj, krahina e Vlorës, e bashkuar, me përjashtim të disa çifligarëve, dha kushtrimin për luftë, duke përfaqësuar më së miri këtë lidhje e bashkim të domosdoshëm. “Kuvendi i Barçallasë dhe Mbledhja e Beunit, më 2 qershor, me organizmat e ndryshme, që u krijuan atje, që nga komisioni i të 12-ve e deri te komandantët e çetave, përfaqsojnë organizmin ushtarak dhe piolitik të luftës së armatosur.”

             Siç kuptohet, për Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920, Labëria dhe Vlora, me ngjarjet, bëmat e personazhet, në këndvështrimin e hapësirës dhe kohës, zë rolin kryesor në këtë epope të përmasave termopiliane, duke u bërë kështu simbolika e kësaj lufte çlirimtare. Krahinës së Vlorës i ra pesha e fazës së parë të luftimeve, ajo që shtrihet deri më 11 qershor, kurse peshën tjetër, atë deri më 2 gusht 1920, e ndanë,  si mund të thuhet, bashkë me krahinat e tjera. Faqja e Barçallasë, Rrapi i Gurrave në mal të Beunit, (që shpirti i kësaj lufte, mësuesi atdhetar Halim Xhelo e quajti Rrapi i Burrave), Kota, Gjormi, Llogoraja, Tepelena, Jonufra, Drashovica, Qafa e Koçiut e Kanina janë simbolet toponimike me vlera historike kombëtare. Sa herë përmendim këtëo emërvende, kujtojmë ngjarjet dhe personat relalë që heroizmi i shpirtit të tyre liridashës i shndërroi në personazhe historikë të përmasave legjendare.

Pas Kongresit të Lushnjës, për të drejtuar lëvizjen kombëtare, më 10 mars 1920 u krijua brenda më Vlorë, ashtu si më 1919, një komitet i fshehtë me emrin “Mbrojtja Kombëtare”, i kryesuar nga prefekti i Vlorës Osman Haxhiu, bir i shquar i Armenit dhe Labërisë, figurë e rëndësishme e historisë së  re shqiptare. Qazim Koculi dhe deputeti tjetër Spiro Jorgo Koleka nga Vunoi u ngarkuan të kryenin funksionet e përfaqësuesit të komitetit pranë qeverisë së Tiranës. Kryeministri Sulejman Delvina e aprovoi programin e komitetit. Sikurse Sulejman Delvina me patriotët e KKL dhe me qeverinë e Tiranës, sidomos Komiteti “Mbrojta Kombëtare” i Luftës së Vlorës, apo “12 Komisionë”, siç flitej në popull, së bashku me komandantët e LV major Ahmet Lepenica e kapiten Qazim Koculi dhe me Halim Xhelon, sekretarin e Komitetit, zemërzjarrtin e ditur për Atdhe, mendojmë se, në këtë 104 vjetor nderimi të Epopesë së Madhe, i bëjnë më shumë dritë Historisë së re popullit shqiptar, sepse qenë pikërisht ata, që udhëhoqën e drejtuan të organizuar e me plan luftimi trimat e Labërisë dhe të krahinave të tjera shqiptare që e rrokullisën në det të turpëruar Perandorinë e Re Romake. 

           Emrat e anëtarëve të Komitetit të Mbrojtjesë Kombëtare dolën nga paria fisnike dhe atdhetare e qytetit dhe fshatrave të Labërisë së Vlorës. Ata janë “emblema e Luftës së Vlorës” dhe përderisa LV është faqe lavdie në historinë e Shqipërisë edhe ata janë portrete me dritë nderimi e lavdie në përmendoren e historisë kombëtare. Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” e Luftës së Vlorës (1920), me anëtarë: Osman Haxhiun, Duro Shaskën, Ali Beqirin, Alem Mehmetin, Qazim Kokoshin, Beqir Sulo Agalliun, Hamit Selmanin, Hysni Shehun, Myqerem Hamzarain, Murat Miftarin, Sali Bedinin, Hazbi Canon e kanë merituar denjësisht Dekoratën “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Për ndihmesën e çmuar në organizimin dhe drejtimin e Luftës së Vlorës të vitit 1920 dhe mbrojtjen e lirisë e të Pavarësisë së Atdheut, duke u shndërruar në shembull frymëzimi për brezat pasues të Shqipërisë.” Binomi i shkëlqyeshëm i LV me Osman Haxhiun e Halim Xhelon na kujton binomin atdhetar të Lidhjes së Prizrenit me Ymer Prizrenin e Abdyl Frashërin.

  1. Halim Xhelo për rolin e Labërisë në Luftën e Vlorës

            Ishte pikërisht Lufta e Vlorës ajo që tronditi botën mbarë, ishte pikërisht kjo epope lavdimadhe që gremisi në det perandorinë, “një ushtri 40 miljonë”, siç thotë kënga, e cila, ndër kriteret specifike ka dhe parimin e zbukurimit. 

           Për këtë realitet të madhërishëm, Abdyl Frashëri i Njëzetës, i zjarrti Halim Xhelo, shkruante në shtypin e kohës, me një shpirt të dehur nga atdhetaria, me një penë të ngjyer në fisnikëri: “Pra, në pati Greqia e moçme një Spartë e një Thermopile, Shqipëria e Re ka një Labëri dhe Qafën e Koçiut” . Lufta e Vlorës është një nga epopetë më të lavdishme të shqiptarëve dhe Vlora u kthye në “Termopilet” e Shqipërisë. Sikurse Vlora me qytetin dhe fshatrat e Labërisë: Sevasterin, Vajzën, Bratin, Vranishtin, Shkozën, Tërbaçin, Smokthinën, Kallaratin, Lepenicën, Gumenicën, Dukatin, Çeprratin, Tragjasin, Vezhdanishtin, Gërnecin, Trevllazërin, Peshkëpinë, Armenin, Gorishtin, Mavrovën, Mallkeqin, Lapardhanë, Amonicën, Treblovën, Velçën, Rexhepajn, Bolenën, Dushkarakun, Kropishtin, Gjormin e Oshtimën, si dhe Tepelena me Salarinë, Gusmarin, Dhëmblanin, Bënçën, Progonatin e Nivicën, edhe, krahas krahinave të tjera shqiptare, u shqua Mallakastra, Skrapari e Berati u ndodh në krah të fqinjvë labë të pushtuar nga ushtria imperialiste italiane dhe e lanë me gjakun e bijve të tyre fitoren e e bujshme të 3 Shtatorit, që sipas Gani Iljaz Habazajt, korrespondentit nga frronti i luftës i gazetës “Drita” të Veli Harshovës, Gjirokastër, në Luftën e Vlorës u vranë mbi 130 luftëtarë, që përkujtohen si shehitë/ dëshmorë të lirisë. Kur në brigjet e Vlorës dhe të Kaninës binin dëshmorë për liri, dhe në fushat e Koplikut, në Shkodër, në Malet e Dibrës luftonin vëllezërit tanë të Veriut kundra sllavit po për këtë qëllim, që të shpëtonin atdheun nga sulmet e tij. Halim Xhelo shkruan: “Viti 1920 është viti më i shënuar në Përlindjen tonë, se pas Kastriotit është e para herë që shqiptarët të bashkuar nën Dyngjyrashin [do të thotë flamuri kombëtar kuqezi, shën im: A.H.], luftuan krah për krah kundër të huajve”.

             Gjithë ata heronj me apo pa dekorata, me luftën e tyre, me gjakun, me ndihmat e dhëna materialisht apo me mendje, duke evidentuar kulturën morale, kulturën shpirtërore dhe kulturën materiale të një komuniteti vital, falën jetën a kapitalin dhe bënë histori, por pa guxim s’ka lavdi. 

Ata dhanë forcën, guximin, trimërinë, dëftuan virtytet e larta, trashëguar nga të parët, ndezën shpirtin atdhetar dhe dashurinë për vatrën e tyre, për zjarrin e tyre, për oxhakun e tyre, për gurin e sinorit lokal e kombëtar, për varret e të parëve, që të mos lëndohen, derdhën pika gjaku a falën gjithë gjakun e tyre, për këtë dhè, lënë amanet nga paraardhësit brez pas brezi.

  1. Traditat dhe parimet e humanizmit në luftë

             Meqënëse kontributi i Labërisë në Luftën e Vlorës është i shqueshëm dhe nga studiuesit është një temë e rrahur, dëshirojmë të ndalojmë pak tek kultura shpirtërore, virtytet fisnike, e drejta dokesore, traditat dhe parimet e humanizmit të banorëve labë në këtë epope. Sikurse në çdo luftë të mëparshme, edhe në Luftën e Vlorës, labët dhe tërë shqiptarët shkuan vullnetarisht, e prisnin me dëshirë betejën dhe përpiqeshin kush të dilte i pari në breg. Vullnetarizmi ushtarak vinte nga tradiuta e të parëve, për t’u dalë zot trojeve të pushtuara në rrjedhat e historisë. “Labëria është dovlet/ çdo shtëpi nxjerr dyfek” Në Luftën e Vlorës, vullnetarët e Labërisë, të organizuar në çeta, përbënin dhe një bashkim vëllazëror. Ata rreshtoheshin në çetë të veshur me rroba shajaku, vinin shami të zezë lidhur mbi feste si simbol i kryengritësit të Labërisë, xhamadan të qëndisur, tirq dhe sherqe e dyfek në sup.

             Sulmi, beteja për labin ishte akti më shpërthyes, vendimtar, ku nuk peshohej jeta, aty përmes flakës e tymit përleshej trup me trup, nuk frikësohej kur rreth tij luftëtarët binin, rrëzoheshin të vrarë e të plagosur nga breshëritë e plumbave dhe përmes kufomave, në fushën e zjarrtë, ai hidhej në sulm për fitor, për jetë a vdekje. Tipologjia epike e këtij akti trimëror është Selam Musa Salaria. Jo vetëm për Labërinë, yje në gjerdanin e lavdisë janë Dule Dalani, Sali Vranishti, Zigur Lelo, Kanan Maze, Selman Hyseni, Hodo Zeqiri, Muhamet Maze Merko, Rrapo Çelo Beqiraj, Azem Sulo, Sino Micoli, Metush Gjika etj. 

              Labi nëpër beteja ruante dhe parimet e humanizmit në luftë. Ruante një traditë me vlera, që ishte normë e së drejtës dokesore.  Labi nuk luftonte kundër grave, fëmijve dhe të mundurve, robërve të luftës, që ishin të përqëndruar në thellësi të fshatrave të Labërsisë së Vlorës. Sado të ashpër të tregoheshin gjatë luftimit, fitimtarët e Gjormit, Kotës, Llogorasë, të Drashovicës e Tepelenës nuk hakmerreshin mbi të mundurit. Robërit e luftës nuk u nënshtroheshin ndëshkimeve e gjymtimeve trupore. Çmohej trimëria e fisnikëria, qoftë edhe e kundërstarit. Morali i krahinës së Labërisë, sikurse i gjithë popullit shqiptar dënonte ashpër paburrërinë dhe tradhëtinë. “Tradhëtar” ishte sharja më e rëndë, ndërsa burrëria labe nuk e pranonte thyerjen edhe për të mundurit.

Në marrëdhënie me të huajt, labi ka manifestuar trimëri e kulturë dhe në paqe ka qenë miqësor. Në konfilkte është shquar për dituri dhe iniciativë.

Në luftën e Vlorës u zunë rreth 1500 robër ushtarë e oficerë italianë, që ruheshin në fshatin Shkozë. Disa oficerë shanin e ofendonin çdo ditë rojet shqiptare, duke  quajtur “brekëgrisur”, “Këmbëzbathur”, e ca më keq i shanin dhe nga nëna!

Kishte roje që ishin gati t’i vrisnin, sepse të huajt shanin dhe flamurin, po urdhëri ishte “Asnjë incident me robërit, sepse labi nuk e ka zakon të luftojë me të mundurit” Italainët i provokonin rojet shqiptarë duke hedhur rroba e këpucë, orë dore dhe lekë, po asnjëri nuk i merrte a vullnetarët roje, për të mos ulur prestigjin e luftëtarit. 

Dhe kështu, më 3 shtator 1920, të pritur me gëzim të papërshkrueshëm nga mijëra qytetarë e fshatarë, luftëtarët patriotë me flamurin kombëtar në krye, hynë në Vlorën e çliruar dhe të bashkuar me atdheun e pavarur. Ndërsa poeti nacional i Italisë G. D’Anuncio (G. D’Annunzio) shkruante: “Është turp për Italinë që një tufë barinjsh të Labërisë hodhi ushtrinë italiane në det”, duke e cilësuar tërheqjen nga Vlora si “plagë e ligë”, ndërkohë për çlirimtarët shqiptarë dhe për mbarë kombin tonë ishte kurorë lavdie, nderi e dinjiteti.

Autori i këtij shkrimi është edhe autor i monografisë shkencore: Lufta Kombëtare e Vlorës: Historia në Epikën Historike.

Filed Under: Kronike

Serbia është peng i politikave të tmerrshme etno-klero –shoviniste

June 5, 2024 by s p

Skënder MULLIQI/

Zgjedhjet lokale në Serbi, treguan që presidenti, Aleksander Vuqiqi, prap do të shalojë këtë shtet. Dhe më këtë opozitë dhe më këtë vetëdije qytetare, Vuqiqi do të mbetet gjatë në pushtet.Qytetarët në Serbi jo të gjithë por shumica po, kan mbetur më logjikën e shovenizmit serbomadh, të ngulitur thellë e për shumë dekada në logjikën e tyre, nga SANU dhe Kisha Ortodokse Serbe. Serbia që kemi pasur fatin e keq ta kemi fqinjë, jo që nuk po reformohet, por do të notojë sërish në ujëra të ndyta të grupit të kriminelëve të luftës në pushtet. Dhe, kjo është tregues së popujt tjetër më të drejtë po i quajnë serbët popull gjenocidial.Këtë e vërtetojë së fundi gjithë ajo rezistencë e grupit të Vuqiqit në selin e OKB-së që të stopohet Rezoluta për gjenocid në Srebrenicë.Rezoluta mbeti njolla e zezë e Serbisë dhe hipoteka së ky shtet ka bërë gjenocid mbi myslimanet në BH dhe mbi shqiptarët e Kosovës, edhe pse TPI-ja në Hagë nuk e dënojë Serbinë e Millosheviqit për gjenocid, e po shihet nga ky hark kohor së është dashur të këtë një vendim të tillë.Konventa për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 1948, e përcakton gjenocidin si një krim të së drejtës ndërkombëtare, ose si “çdo nga aktet e listuara të kryera me qëllim të shkatërrimit, tërësisht ose pjesërisht, një grup kombëtar, racor ose fetar”: Se Serbia e kishte pikërishtë këtë qëllim e tregojë lufta në ish –Jugosllavi, ku Millosheviqi më bandat kriminale e terroriste të tij, vrau dhe masakrojë afër 200 mijë boshnjakë në Bosnje dhe mbi 15 mijë shqiptarë të Kosovës.Pati përpjekje të hapuara të Serbisë për spastrime etnike të formës të etnocidit dhe urbicidit.Edhe pse gjykata e Hagës nuk e bëri Serbinë fajtore duke mos e dënuar për gjenocid, megjithate veprimet makabre të saja në terren e bëjnë atë katercipërishtë fajtore për krimet masive në BH dhe në Kosovë. Kjo gjykatë në këtë veprim automatikishtë e lirojë Serbinë dhe Millosheviqin si pjesmarrës të luftes ne BH-n dhe në Kosovë. Ky vendim ishte anakronik dhe i quditshem i kësaj gjykate ndërkombëtare për krime lufte, kur dihet së më vonë pikërishtë regjimi i Millosheviqit u ndëshkua si fajtor kryesor , më qrast edhe u bombarduan nga NATO, caqet kriminale serbe në Serbi dhe në Kosovë.Edhe pse kan kaluar shumë vite , Rezoluta për Srebernicën e miratuar nga Këshilli i Sigurimit ët OKB-së, i lëshon rrugë rezolutës tjetër për gjenocid ndaj Serbisë, dhe protagonostëve të saj, të cilët janë ulur sot këmbëkryq në pushtetin e Serbisë, si Vuqiq, Sheshel, Nikoliq, Daciq etj. Edhe zgjedhjet lokale si ato nacionale legjitimuan grupin e kriminelëve të luftës, të cilët do të paraqesin rrezik serioz për paqën në Ballkan, kur dihet së kanë përkrahjen edhe te Putinit, i cili jetikishtë është i interesuar edhe për një vatër lufte në rajon. Askush apo krejt pak sot në Serbi po tregon gadishmeri të pranon fajin e luftës, dhe nuk është gadi të empatizojë, nuk është gadi të pranojë së ka një tregim tjetër,nga ai tregimi i rremë i Serbisë. Vuqiqi ashiqare nuk e dëshiron pajtimin, së kriminelët nuk janë gadi për pajtim , por janë gadi për konflikte të reja në BH, Mal të Zi dhe veqmas në Kosovë, të cilën po e kërcënon përditë më luftë.Për fajin e Serbisë, edhe pas 30 vjetësh, politikishtë situata ka mbetur e njejtë , në koalicine politike zgjedhore në këte shtet ka luftë ndaj popujve jo serb në Ballkan. Lufta në Serbi është bërë koncept ideologjik, e një situatë e tillë më koalicione qfarë po votohet atje, është hapje e llogoreve të reja të luftës. Një konflikt i ri siq po pretendon Serbia e Vuqiqit do të ishte shumë herë më i përgjakshem dhe më i egër se ai i më parshmi në Bosnje dhe në Kosovë.Serbia është është peng i politikave të tmerrshme, retrograde, nacionaliste që janë katastrofike edhe për vetë ata , të cilat politika janë krijuar nga liderët e partive politike etno-klero-shoviniste…

Filed Under: Kronike

‘Nata e errët e shpirtit’ përcaktoi aktivitetin misionar të Nënë Terezës

June 5, 2024 by s p

Njoftim për Mediat

Universiteti i Birminghamit në Mbretërinë e Bashkuar 

njofton botimin e studimit të ri të Gëzim Alpion

3 Qershor 2024

Birmingham, Angli

Një studim i ri nga Universiteti i Birminghamit ekzaminon krizën e besimit që përjetoi Nënë Tereza dhe se si ndikoi në punë e e saj.

Dhjetë vite pas vdekjes së Nënë Terezës në 1997, u botua një volum i edituar me titull Eja, Bëhu Drita Ime, ku u përfshinë disa shkrime personale të periudhës 1929-1994. 

Këto shkrime befasuan si përkahësit ashtu edhe kritikët e saj pasi zbuluan për herë të parës se ajo kishte vuajtur nga ‘nata e errët e shpirtit’ gjatë gjithë aktivitetit të saj si bamirëse dhe misionare e famshme.

Studimi i ri me titull ‘Shenjtorja qe nuk u kurrua kurrë nga mosbesimi – Një qasje shumëdisiplinore e errësirës shpirtërore të Nënë Terezës’ (The Incurably Incredulous Living Saint – A Multidisciplinary Approach to Mother Teresa’s Spiritual Darkness), i sapo botuar në Amerikë në revistë shkencore Critical Research on Religion, shqyrton ndikimin që pati kriza e gjatë e besimit në punën e Nënë Terezës, duke përdorur një qasje të re biografike dhe sociologjike.

Dr Gëzim Alpion, Profesor i Asociuar i Sociologjisë në Universitetin e Birminghamit, autori i studimit, i cili ka hulumtuar personalitetin kompleks të Nënë Terezës për më shumë se njëzet vjet, tha: “Në teologjinë katolike romake, koncepti i ‘natës së errët të shpirtit’ i referohet një periudhe agonie ekstreme shpirtërore që përfundimisht çon në një bashkim të plotë mistik me Zotin.”

“Nënë Tereza ishte gjithmonë një figurë kotraversale, por pas botimit të Eja, Bëhu Drita Ime, ky perceptim u rrit ndjeshëm, kryesisht pasi zbuloi një konflikt të pazgjidhur me besimin e saj, gjë që nuk përkonte me imazhin që shumica kishin për të si shërbëtore e devotshme dhe e palëkundur e Zotit.”

Studimi nënvizon se pavarësisht nga ndikimi shumë i madh i Nënë Terezës tek pasuesit e saj, shkrimet personale dëshmojnë se ajo përjetoi vetmi të thellë dhe se ajo u përpoq pa sukses për të gjetur Zotin në një botë ku dominojnë dhimbja dhe vuajtja.”

Për të arritur qëllimin e saj për të gjetur Zotin, studimi argumenton se ajo përdori ‘ndihmës’, përfshirë të varfërit, ish-nxënësit, murgeshat, vullnetarët dhe të tjerë. Ajo madje pranoi në një rast se puna e saj me të varfërit motivohej kryesisht ‘për hir të shpirtit të saj’, dhe se ajo nuk ndjehej mirë që po ‘mashtronte’ ata që punonin për të dhe i besonin asaj.

Dr Alpion vazhdoi: “Beteja e vazhdueshme e Terezës me besimin e saj ishin motivuesi kryesor në punën e saj dhe kjo vazhdoi deri sa u plak. Kjo shihet qartë në vitin 1953, kur ‘errësira’ e saj ishte bërë aq ‘e tmerrshme’ sa ajo shkroi se ndjehej ‘sikur gjithçka’ brenda saj ishte ‘e vdekur’. Që nga ajo kohë, vendimet e saj për të zgjeruar punën e saj në të gjithë Indinë në vitet 1950-të si dhe në botë që nga vitet 1960-të kishin për qëllim lehtësimin e kësaj dhimbje.”

Zbulimi i betejave të Nënë Terezës ka bërë që shumë njerëz të ngrenë pyetje në lidhje me shëndetin e saj mendor dhe mundësinë që ajo mund të ketë vuajtur nga depresioni, një çështje që i ka ndarë studiuesit.

Dr Alpion vazhdoi: “Përkrahësit e saj kundërshtojnë idenë se betejat e saj me besimin ishin simptomatike të depresionit, ndërsa disa e pranojnë se shkrimet e saj shfaqin shenja të një personi me depresion. Ngurrimi për të pranuar lidhjen midis natës së errët dhe depresionit nxjerrin në pah paragjykimin dhe stigmën në lidhje me shëndetin mendor brenda komuniteteve katolike dhe të krishterë.”

Në fund të viteve 1950-të, Nënë Tereza dukej se e kishte pranuar se, për të, errësia nuk do të fashitej kurrë, dhe në vitin 1962 në kulmin e krizës së saj shpirtërore, shkroi se nëse do të shpallej shenjtore, ajo do të ishte shenjtore e errësirës. Duke filluar nga vitet 1970-ë, ajo fliste gjithmonë e më rrallë për errësirën e saj duke shpresuar se do të bëhej më pak intensive. Gjatë atyre viteve ajo vizitoi disa vende komuniste, përfshirë vendin e saj Shqipërinë në 1989. Angazhimet në vendet qe kishin ‘barktisur’ Zotin ishin shpresa e saj e fundit për të hequr qafe dyshimet e saj ndaj Zotit.”

Dr Alpion përfundoi: “Të nënvleftësosh betejën e Terezës me besimin do të thotë të nënvleftësosh përpjekjet e saj të stërmundimshme. Ky studim konkludon se beteja e saj me besimin, që vazhdoi deri në fund të jetës së saj, jo vetëm që ndikoi në punën e saj, por përcaktoi përzgjedhjen e vokacionit dhe të çdo vendimi që mori më pas, përfshirë orientimin e kongregatës së Misionarëve të Bamirësisë dhe fazata misionit të saj.”

Nëse Nënë Tereza arriti diçka në jetën e saj, ishte aftësia e saj për të rritur ndërgjegjësimin tonë, si asnjë personalitit tjetër, për dinjitetin dhe shenjtërinë e jetës njerëzore. Kjo nuk është diçka e vogël për një shpirt të trazuar.”

Shënime për editorët: 

  • Gëzim Alpion (PhD Durham) konsiderohet ‘studiuesi më autoritar në gjuhën angleze’ i Shën Terezës së Kalkutës dhe ‘themeluesi i Studimeve për Nënë Terezën’. Botimet e tij kryesore përfshijnë: Mother Teresa: Saint or Celebrity? (Routledge 2007), Encounters with Civilizations: From Alexander the Great to Mother Teresa (Routledge 2017), and Mother Teresa: The Saint and Her Nation (Bloomsbury Academic 2020), që u vlerësua në Amerikë me ‘Çmimin e Ekselencës’ për vitin 2023 në kategorinë e ‘biografisë’ nga Shoqata e Botuesve Katolikë (Association of Catholic Publishers – ACP).
  • Universiteti i Birminghamit rradhitet ndër 100 institucioneve më të mira në botë. Stafi dhe studiuesit si dhe 8,000 studentë të huaj vijnë nga mbi 150 vende të botës. 

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 29
  • 30
  • 31
  • 32
  • 33
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT