• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Luftëtari i Shqipërisë Etnike, Heroi Tahir Sinani

May 8, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Në Tropojë, me liderin historik Ali Ahmeti dhe kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin.

Tropoja e Tahir Sinanit, mblodhi shqiptarët nga të gjitha trojet shqiptare, ashtu siç ishte jeta, vepra dhe amaneti i Tahirit, gjithnjë në shërbim të atdheut dhe për Bashkim Kombëtar.

Tahir Sinani, që nga sot do të jetë i vendosur në statujë, për ta kujtuar ndër breza, veprën e lavdishme dhe krenare të tij dhe bashkëluftëtarëve të UÇK-së.

Ai u kthye në vendlindjen e tij, për të jetuar përgjithmonë e gjallë vepra e tij e lavdishme, bashkë me veprimtarinë e tij atdhetare për të bërë Shqipërinë Etnike, ashtu siç e ka falur Zoti.

Qyteti i Bajrami Currit dhe Tropoja krenare, po e kthen birin e vet, aty ku e ka vendin, në përjetësi, ashtu siç e meriton veprimtaria dhe guximi i birit besnik të idealeve të Shqipërisë Etnike.

Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarëve të palodhshëm të luftës së UÇK-së, të prirë nga Adem Jashari, duke marrë parasysh rëndësinë dhe peshën e madhe të kësaj lufte, Tahiri iu bashkua dhe i mbetet besnik idealeve të lirisë së trojeve shqiptare, që u dëmtuan dhe u copëtuan nga vendimet e padrejta të konferencave ndërkombëtare.

Ai e donte lirinë e trojeve shqiptare, me përkushtim dhe flijues, njëkohësisht. Shqipëria Etnike për të ishte një gjeografi e bukur dhe një histori e lavdishme, por lavdia e saj ishte rëndë e cenuar, sepse Kosova ishte e pushtuar dhe e shtypur. Për ta shpëtuar dhe për ta bërë të denjë, për të duhej luftuar për lirinë dhe pavarësinë e saj.

Lavdi Tahiri Sinanit!

Lavdi gjithë të rënëve për lirinë e Shqipërisë Etnike!

Filed Under: Kronike

PËRSE TRUMPI PO NDRYSHON QËNDRIM MBI UKRAINËN

May 7, 2024 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI/

Sot Joe Biden nënëshkruan ligjin e sapo votuar nga Kongresi, që rifinancon ndihmat amerikane tre Vendeve: Ukrainës, Izraelit, Taivanit. Më nevojtari hëpërhë është Ukraina, në vështirësi të mëdha përballë përparimit rus dhe në mungesë të gjithshkaje: municione, pjesë këmbimi, armë të çdo lloji. Kjo mbështetje amerikane është me muaj e vonuar, sepse mbahej peng nga Kongresi nga qëndresa e partisë republikane.

Përse këto qëndresa u ndërprenë menjëherë? Përse Speaker of the House, pra kryetari I Dhomës, Mike Xhonson, republikan, ka zbllokuar paketën e ndihmave e ka pranuar një kompromis me demokratët?

Mbrapaskenat e këtij sqarimi janë të rëndësishme, edhe sepse japin ndonjë element për të parashikuar se çfarë politike të jashtëme do të bëjë Amerika mbas 5 nëndorit, nëse do të fitonte Donald Trumpi.

Shpjegimi i parë për kthesën e Xhonson-it e përmbledh kështu: klasa drejtuese është ende. Kryetari i dhomës së deputetëve i është nënështruar një rrethimi të pandërprerë nga ana e drejtuesve ushtarakë e shërbimeve të fshehta. Nga drejtuesit e Pentagonit tek CIA, tek të tjerat agjensi të inteligjencës, ka patur një punë sistematike informimi, bindjeje e trysnie kundrejt tij: i kanë shpjeguar se si e përse ajo ndihmë duhej t’i jepej Ukrainës, çfarë do të ndodhte sikur të mos ishin ato ndihma, cilat do të kishin qenë ato pasojat ogurzeza të një fitoreje përfundimtare të Putinit në sigurinë e vetë Shteteve të Bashkuara, veç atyre të gjithë aleatëve evropianë.

Klasa drejtuese ushtarake, e inteligjencës e e politikës së jashtëme, është më e shumta dypartiake ose e pavarur. Ka lidhje të fuqishme e historike me bazën republikane ku gjinden pellgje të rekrutimit tradicional të forcave t’armatosura. Shkurt Xhonsoni u gjend përballë një zjarri pengues të fuqishëm, i është vënë në dorë një arsenal argumentësh kaqë të efektëshëm në dobi të Ukrainës, që e ka bindur. Përballë një trysnie kaq të efektëshme Xhonsoni madje ka vënë në llogari edhe mundësinë e mosbesimit të parlamentarëve të tij të krahut vetëpërjashtues, ka pranuar të kalonte ligjin me ndihmesën përcaktuese të demokratëve.

Po problemi Trump? Ish presidenti kishte penguar ndihmat Ukrainës duke kalëruar rrymën vetëpërjashtuese të opinionit publik. Edhe kur ishte në Shtëpinë e Bardhë – pra para mësyemjes ruse të 2022 – ai kishte shprehur mosbesim e rezerva në drejtim të çështjes ukrainase. Por nëse Trumpi do të kishte dashur t’a pengonte haptas Xhonsonin , do të mund të nxiste ndërmjet besnikëve të tij një kryengritje shumë më të gjërë se ajo që u bë, deri në dorëheqjen e Speaker of the Hous. Dje ish presidenti madje e ka mbrojtur duke e përcaktuar si një “njeri të mirë që po zotohet në maksimum” dhe, madje duke i vënë gishtin Evropës që simbas Trumpit “për Ukrainën duhet të bëjë më shumë”.

Xhonsoni ka patur dinakërinë të vizitonte ish presidentin në vënd qëndrimin e tij të Mar-a-Lagos në Florida e arriti të ketë një lloj asnjanësie të heshtur mbi vendimin që do të votohej në Dhomën e deputetëve. Me afrimin e zgjedhjeve Trumpi duket se është bërë më pak armik i Kievit.

Nga rrethi i ish presidentit kanë filtruar shpjegime të ndryshme në mediat amerikane. Nga një anë edhe Trumpi i është nënështruar trysnisë së klasës drejtuese ushtarake – së cilës ai gjithmonë i ka blatuar respekt e vlerësim – që i ka sqaruar dëmet e një fitoreje ruse. Klasa drejtuese ushtarake dhe e inteligjencës i kanë shpjeguar gjithashtu se nëse Ukraina qëndron, do t’i takojë pikërisht Trumpit, (në rast të rizgjedhjes së tij në 5 nëndor) të bëhet ndërmjetës mes Putinit e Zelenskit për një pushim zjarri madje edhe për marrëveshje paqeje. Kjo e miklon Trumpin, i parasheh një rol “historik”, e në të njëjtën kohë e bën të detyrueshëm një zgjatje të qëndresës ukrainase.

Së fundi dikush i ka shkrepur në mëndje Trumpit mundësinë që ndihmat bujare e të çmueshme amerikane Kievit në t’ardhmen mund të shndërrohen në hua. Ukraina megjithë shkatërrimet e luftës mbetet një vend i pasur në rezerva natyrore. Mbasi të pushojë lufta e të fillojë rindërtimi mund të paguajë ata që e kanë mbështetur. Një Trump i rizgjedhur në Shtëpinë e Bardhë do të mund të kalonte nga praktika e dhuratave n’atë të borxheve, duke kënaqur bazën e tij zgjedhore që pret ndërlidhje me parullën Amerika First: para së gjithash interesat amerikane.

Trumpi do të kishte përfituar nga shërbimi i një miku e shemëri të tij, senatorit republikan Lindsey Graham, që në një vizitë të fundit në Kiev i ka parashtruar idenë e borxheve Zelenskit që e ka gjetur me vënd.

Të gjitha këto çojnë në një përfundim: kanë filluar manevrat e mëdha ndërmjet republikanëve tradicionalë për të siguruar që një Trump II të mos jetë skajshmërisht shkatërrues i rendit botëror, sigurisë së Perëndimit, mbrojtjes së aleatëve. Në të njëjtën kohë një Trump II, në ndryshim nga Bideni do të ofronte një hapje të shpejtë të bisedimeve me Putinin.

Janë elementë për t’u mbajtur para sysh, që kanë tërhequr vëmëndjen e gjithë kryeqyteteve të botës, ndërmjet qeverive mike dhe armike që kërkojnë të shtihen mbi skenarët e mbas 5 nëndorit.

“Corriere della Sera”, 23 prill 2024 E përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Kronike

Sot kujtojmë Lajmëtarin e lirisë, heroin Luan Haradinaj

May 6, 2024 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Me pietet të lartë kujtojmë sot, në 27 vjetorin e rënies heroike të simbolit luftës për liri heroin Luan Haradinaj.

Në 27 vjetorin e rënies, kujtojmë dhe nderojmë sakrificën dhe heroizmin e atdhetarit të shquar, heroit të kombit, Luan Haradinaj, njërit nga ushtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarit të palodhshëm të luftës sonë çlirimtare, heroin Luan Haradinaj.

Në sfondin e zhvillimeve ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Konferenca e Dejtonit për shqiptarët ishte një zhgënjim i madh. Kështu, “Dejtoni formuloi mesazhin se Kosova ndodhet jashtë orbitës së interesave të Perëndimit dhe që ajo mund të trajtohet si problem serb”.(Ch.H)

Duke parë këto zhvillime, djemtë më të mirë të Kosovës, morën një vendim, që ishte i vështirë, por i hap i domosdoshëm historik, atë të rezistencës së armatosur kundër okupatorit.

Angazhimi, përpjekja në rrugën e lirisë, lufta dhe rënia e Luan Haradinajt, i dha rreze drite lirie Kosovës së vitit 1997, të cilën pushtimi serb e kishte kthyer në një burg për 2 milion shqiptarë.

Gjaku i njomë i Luanit, do të fillonte të shkrijë muret (kufijtë) e padrejtë, që i ishin vënë kombit shqiptar nga historia jonë tragjike gati shekullore. Emri i heroit Luan Haradinaj u bë frymëzim i fuqishëm i luftëtarëve të mëvonshëm, që do të mbante lart moralin e luftës për të qëndruar deri në fitoren e fundit për lirinë e Kosovës.

Lavdi përjetë jetës dhe veprës së heroit Luan

Haradinaj

Filed Under: Kronike

Gjergj Kastrioti- Skënderbeu në Gjakovë

May 4, 2024 by s p

“Simboli i unitetit shqiptar dhe lidhjes sonë të përhershme me Perëndimin, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, Gjenerali që është frymëzim për secilin shqiptar e trashëgimia e së cilit frymëzoi përpjekjet tona për liri përgjatë shekujve nga sot do i bëjë roje Gjakovës heroike.

Mirënjohës kryetarit Ardian Gjini dhe donatorit Gjergj Prenkoçaj për këtë vepër patriotike dhe të domosdoshme” – Ramush Haradinaj

Filed Under: Kronike

NGA HISTORIA E KOMUNITETIT KATOLIK SHQIPTARO-AMERIKAN

May 2, 2024 by s p

25-vjetori i shugurimit të Kishës Zoja e Shkodërs në Nju Jork

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generatedMe një ceremoni fetare dhe me një darkë të madhe, javën që kaloi, u shënua 25-vjetori i Kishës Katolike Shqiptaro-Amerikane në Scarsdale të shtetit të Nju Jorkut – një shugurim madhështor i kësaj Kishe që me veprimtarinë e saj fetare e patriotike i ka bërë dhe i bën krenarë të gjithë shqiptarët pa dallim feje e krahine – të cilët si gjithmonë u mblodhën tok të gjithë së bashku nga shumë vedne të Amerikës për të festuar këtë çerek shekulli përvjetor. Ia vlen, me këtë rast, të përmendet fakti, sidomos për gjeneratën e re të famullisë dhe të komunitetit, se Kisha e re Zoja e Shkodrës në Nju Jork, ka një histori të gjatë e të madhërishme, rrënjët e të cilës shkojnë më thellë në historinë e komunitetit shqiptaro-amerikan, se 25-vjetët e kaluara.  Meritat dhe kontributet në shumë fusha të aktivitetit të kësaj kishe, janë të mëdha gjatë çerek shekullit të kaluar, me të cilat brqzi i ri dhe brezi i vjetër duhet të jenë krenarë.  Nën udhëheqjen e shkëlqyeshme të Famullitarit të dashur për të gjithë ne dhe të njohur tani për veprimtrainë e tij të palodhshme, jo vetëm në Amerikë por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare, Dom Pjetër Popaj me grigjën e tij të mrekullueshme, besnike ndaj fesë dhe Atdheut, ka meritat kryesore e të mëdha dhe të pazevëndsueshme për sukseset e tij dhe arritjet e këtij komuniteti shumë aktiv. Aktivitetet fetare e atdhetare janë të shuma nën lidershipin e tij dhe të komunitetit të kësaj kishe, e cila javën që kaloi festoi me krenari 25-vjetë në një vend të ri të mrekullueshën, por me rrënjët e traditës që shkojnë thellë në fillimet e historisë së komunitetit katolik shqiptaro-amerikan. 

Vijon një histori e shkurtër modeste e fillimit të aktiviteteve dhe e personaliteteve të kësaj kishe, e që shumë prej tyre që kanë luajtur role kyçe në arritjet e sukseset që gëzon sot Kisha Zoja e Shkodrës, kanë shkuar në amshim tanimë, por meritojnë që të pakën disa prej tyre tu përmenden emrat për kontributin e tyre të çmuar gjatë dekadave të kaluara — në këtë festim të 25-vjetorit të shugurimit të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës në Nju Jork.  URIMET MË TË PËRZEMËRTA DOM PJETËR POPAJ DHE KËSHILLIT TË KISHËS DHE MBARË KOMUNITETIT NË KËTË PËRVJETOR. AD MULTOS ANNOS!  Me modesti, krenari dhe mirënjohje e falënderim për punën e tyre, po sjellim një  fjalim të autorit – një historik i shkurtër — me 10 Qershor, 2012 – me rastin e 50-vjetorit të themelimit të  Lidhjes Katolike-Shqiptaro-Amerikane, paraardhëse e Kishës Katolike Shqiptaro-Amerikane:

                    ———————————————————————-

“Jemi nji shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do bahemi dritë e madhe, me shëndritë dhe votrat e errësueme në Atdhe.’’ (Dom Zef Oroshi, New York, 1962)

Të dashur e të nderuar klerikë! Shkëlqesi Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkëv i Tiranë-Durrësit Dom Pjetër, Dom Viktor, Dom Marjan… Të nderuar zonja e zotërinj, anëtarë të vjetër e të ri të famullisë Zoja e Shkodrës, miq e dashamirë. Si njeri që ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane (LKSHA) dhe si anëtar i Këshillit Redaktues të organit të LKSHA në fillim të 1970-ave e ndjej veten të nderuar me ftesën për të thënë dy tri fjalë dhe i privilegjuar që jam këtu sot për të shënuar këtë datë historike – jo vetëm për Kishën Katolike Shqiptare në megrim, por edhe për Kishën e shumëvuajtur në Shqipëri dhe në të gjitha trevat shqiptare – për të shënuar 50-Vjetorin e themelimit të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, (LKSHA) më 16 qershor, 1962.

A statue of a person standing next to a church

Description automatically generated

Është kjo një datë historike, pasi i parapriu asaj që sot është famullia e parë katolike shqiptare në Amerikë: Famullia e Zojës së Shkodrës këtu në Hartsdale të Nju Yorkut, dhe në të njëjtën kohë shënon fillimin e një veprimtarie të larmishme fetare, kombëtare, gjuhësore e kulturore për komunitetin shqiptaro-amerikan. Ideja largpamëse e krijimit të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane ishte e meshtarëve të atëhershëm të komunitetit katolik, Dom Zef Oroshit dhe At Andru Nargaj, të përkrahur nga një grup i vogël, por entuziast bashkëpunëtorësh, disa prej të cilëve janë këtu, të paktën një e di se është këtu, Z. Tonin Mirakaj. Për qëllime historike, meriton të përmendet fakti se në mbledhjen e parë të përgjithshme të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane u zgjodh Këshilli i parë prej shtatë anëtarësh, e që përbëhej prej Dr. Enrik Gurashi, Kryetar, Tonin Mirakaj, Sekretar, Loro Stajka Arkëtar dhe anëtarët Zef Çupi, Mark Bajraktari, Zef Pashko Deda dhe Zef Hasani. Me këtë rast dëshiroj të falenderoj njërin prej këtyre aktivistëve dhe anëtarëve origjinal të LKSHAs, Z. Tonin Mirakaj për ndihmën që më dha – me dokumentacion dhe dëshmi personale, me burime të dorës së parë, në rrëfimin e historisë dhe të veprimtarisë së Lidhjes Katolike gjatë 50-vjetëve të kaluara; veprimtari kjo në të cilën, në një mënyrë ose në një tjetër, ai ishte vet pjesëmarrës i drejt për drejtë.

A person in a black suit holding a pipe

Description automatically generated

Anëtarëve të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane u lëshohej një librezë (si kjo, të cilën unë e ruaj qysh se jam bërë anëtar më 8 mars, 1971), me një kuotë anëtarësie prej një dollari në muaj. Si anëtar i denjë i Lidhjes Katolike me qëllimin përpara, me moton e punës për objektivin e rëndësishëm në të ardhmen “Për Fe e Atdhe”, të lidhura e të bashkuara me unazën “Përparim” trashëguar nga para-ardhësit kishtarë atdhetarë shqiptarë. Çdonjëri që dëshironte të bëhej anëtar i kësaj lëvizjeje të re në Amerikë, vullnetarisht i vinte vetes detyrë për të qenë: a) “Katolik i mirë, praktikues i fesë; b) Shqiptar -Amerikan i ndershëm; c) Vijues i Traditave të mira Kombëtare të gërshetueme me kulturën e shëndoshë perëndimore-amerikane.” Themelimi i LKSHA dhe i kishës eventualisht ishte më urgjent, po të merrej parasysh në atë kohë politika e regjimit komunist të Tiranës kundër Kishës Katolike, që kishte në plan të zhdukte të gjitha fetë, por sidomos e kishte ferrë në sy klerin katolik, të cilin brutalisht e vrau, e burgosi dhe e torturoi deri në zhdukje. Mbylli kisha e xhamia, dhe si asnjë shtet tjetër në botë, komunistët shqiptarë morën vendimin absurd me shpalljen e Shqipërisë shtetin e parë ateist në botë, duke ndaluar me ligj edhe të Madhin Zot. Themelimi i LKSHA-s u bë me vetëdije të plotë nga klerikët Dom Zef Oroshi dhe At Nargaj me bashkëpunëtorët e tyre të ngushtë se sipas fjalëve të At Shtjefën Gjeçovit, “Atdhetarë vllazën, mos kjoftë thanun prej kujt se pa besim të vërtetë, mund të bahena atëdhetarë të vërtetë! Ku t’ zhduket emni i madhnueshëm i besimit, mos pyetni për atë komb, se nana e zezë do ta hajë, e vendin e vet e qet në flakë… dhe se ai që përbuz besimin, i del i pabesë si besimit si atdheut…pasi ata që punojnë këso dore nuk kanë farë dashnije as për njënin as për tjetrin…” Lidhja Katolike e krijuar në bazë të parimeve të lartpërmendura, por pa qenë pjesë e asnjë grupimi politik, favorizonte dhe vazhdon edhe sot të bashkëpunojë me çdo grup a individ që përpiqet t’i shërbejë interesave të Atdheut dhe kombit shqiptar pa dallim feje e krahine. Ajo fillimisht përbëhej nga anëtarë të ardhur nga Shqipëria e Veriut, shumica të arratisur për të shpëtuar nga kthetrat e komunizmit, të ardhur nga malet e nga fushat, nga trojet shqiptare anë e mbanë Ballkanit, ruajtës të traditave tona shekullore, por dhe njerëz të shkollës. Vështirësitë ishin të mëdha, por një ndër hapat më energjetikë dhe frymëzues të Dom Zef Oroshit ishte apeli që ai i bëri, më 1968, të gjithë komunitetit shqiptaro-amerikan pa dallim feje, krahine e ideje që të përkrahnin krijimin e një qëndre fetaro-kombëtare. Kësaj thirrrjeje iu përgjigjën shqiptarët katolikë, muslimanë e ortodoksë, me ndihma morale dhe materiale, duke shënuar si gjithmonë një dëshmi të gjallë e konkrete tolerance, bashkëpunimi e vëllazërimi midis shqiptarëve.

A person speaking into a microphone

Description automatically generated

Duke folur për përpjekjet vendimtare të krijimit të qëndrës së re, Dom Zef Oroshi pat thënë se kishte mësuar nga përvoja e Peshkop Fan Nolit vite më parë dhe se ajo përvojë e kishte bindur atë, se nëqoftëse komuniteti shqiptar në Amerikë nuk duhej të shkrihej – duke humbur gjuhë, kulturë e tradita – atëherë ishte e nevojshme ndërmarrja e çdo sakrifice për të përballuar çdo sfidë e çdo pengesë për themelimin e qëndrës katolike. Ky përvjetor ka një rëndësi historike, pasi shënon fillimin e një fushate që pat mbjellë farën e parë duke mbledhur fillimisht 4000 dollarë për blerjen e Qendrës Katolike Shqiptare, e që tre vjetë më vonë u pasua me botimin e revistës “Jeta Katolike Shqiptaro-Amerikane”, pasi Lidhja Katolike kishte nevojë për një botim zëdhënës, por për më tepër kjo ishte edhe revista e vetme katolike shqiptare në botë, që shërbeu për të mbajtur gjallë lidhjet me të afërm dhe me të largët. Para se të fillonte botimi i revistës Jeta Katolike… popullarizimin e Lidhjes së re në komunitet dhe më gjërë, e kishte marrë përsipër Tonin Mirakaj me artikujt e tij të botuar në gazetën Shqiptari i Lirë. Kështu që në një mënyrë Tonini, si sekretar i parë dhe gazetar i ‘Shqiptari i Lirë’ dhe ‘Dielli’ ishin propaganduesit e parë të veprimtarisë fetare dhe patriotike të Lidhjes së re Katolike.

Megjithëse gjatë kësaj periudhe, shërbimet fetare të komunitetit katolik shqiptar bëheshin nëpër kisha të ndryshme amerikane. Puna e rëndë e Kryetarit Dom Zef Oroshit dhe anëtarëve të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane si dhe serioziteti i kësaj nisme të komunitetit të vogël katolik, 50-vjet më parë, u kurorëzua natën e Krishtlindjes të dhjetorit 1969, kur u dha mesha e parë në Qëndrën Katolike Shqiptare në 4221 Park Avenue të lagjes Bronks. Kryetari i Lidhjes Katolike Dom Zef Oroshi, në predikimin e tij me këtë rast përshëndeti grigjën e tij duke u thënë: “Mirë se u pruni Zoti në shtëpinë tuej. Siç pat thënë vite më parë, në krijimin e Lidhjes Katolike më 1962, Dom Zefi ritheksoi edhe me këtë rast se “Kjo sot është një shkëndi e vogël, që me ndihmë të Zotit do të bahemi dritë e madhe, me shëndrit edhe votrat e errësueme në Atdhe” – duke shtuar se: “Rruga e jonë është dhe mbetet ajo e Krishtit: drejtësi, dashuni e paqë për gjithkënd dhe me gjithkënd.

A group of men sitting at a table

Description automatically generated

Kishës së parë katolike shqiptare në Nju Jork, me dekret të Arqipeshkvit të atëhershëm të Nju Jorkut, Eminences së tij Terence Kardinal Cooke, iu njohën të gjitha të drejtat si famulli e plotë, me përjashtim të emërtimit famulli, përfshirë të drejtën e rezidencës së famullitarit në qëndër, si dhe të drejtën për të pasur vulën zyrtare dhe të drejtat për të kryer shërbimet fetare si pagëzime, kurorëzime dhe funeralet.

Akordimi nga Kardinali Terence Cooke, Qendrës Katolike Shqiptare i të drejtave kanonike për të kryer të gjitha shërbimet fetare aty, ishte shumë i rëndësishëm pasi me këtë të drejtë, shqiptarët katolikë nuk ishin më të detyruar të shkonin nga një kishë amerikane në tjetrën për nevojat e tyre shpirtërore e fetare, duke emëruar Mons. Zef Oroshin Administrator të Qëndrës dhe bashkëpunëtor të tij Dom Rrok Mirditën, i ardhur nga Arkipeshkvia e Tivarit, i cili me entuziazmin e tij sjell një bashkëpunim të zellshëm e të frutshëm duke i dhënë një hov të ri veprimtarisë së Kishës së parë katolike në Amerikë. Por, ndërsa komuniteti i besimtarëve katolikë sa vinte e shtohej gjatë viteve, nevoja për një kishë më të madhe po bëhej më urgjente. Nga shënimet historike mbi jetën dhe veprimtarinë e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane del se meshtarët, në marrëveshje me Këshillin e Kishës vendosën t’i lëshojnë një thirrje të re mbarë popullit të komunitetit shqiptaro-amerikan për një ndihmë të posaçme për të bërë të mundur ndërtimin e një kishe të re, më të madhe, pasi numëri i emigrantëve sa vinte e shtohej sidomos i atyre nga trojet tona në ish-Jugosllavi. Pas lejeve dhe aprovimeve të nevojshme nga autoritetet shtetërore dhe kishtare amerikane, më 24 shtator, 1978 bëhet inaugurimi i kishës së re me një meshë madhështore dhe pjesëmarrje të madhe bashkatdhetarësh nga i mbarë komuniteti shqiptaro-amerikan, me përfaqësues të të gjitha feve dhe nga mbarë viset shqiptare. Nuk ishte kjo një ndërmarrje aspak e lehtë. Në një editorial të gazetës Dielli të asaj kohe, Kryeredaktori Xhevat Kallajxhiu përshëndet hapjen e kishës katolike shqiptare në Bronks, si “një vepër me të vërtetë të madhe”. Ai uron e përgëzon “iniciatorin e vjetër e kryesor, Monsinjor Zef Oroshin, të Përndershmin Rrok Mirditën, këshillat dhe besimtarët, që nuk kursyen prej shumë vjetësh, ndihmën morale dhe materiale për këtë vepër të shenjtë fetare e kombëtare’’, si “ndërgjegjës të misjonit të tyre jo vetëm si predikues të fjalës së Zotit, por edhe si predikues të shqiptarizmit e të vëllazërimit midis shqiptarëve’’- përfundoi editorialin ish-gazetari i njohur i Zërit të Amerikës Xhevat Kallajxhiu. Në këtë ndërkohë, shqiptarët katolikë të Nju Jorkut kishin ndezur edhe një shkëndi tjetër atë të ‘’ Shën Pjetrit e Palit’’, nën udhëheqjen e meshtarit Dom Lazër Shëldija, e cila në shkurt të vitit 1987, me miratimin e këshillave dhe të meshtarëve të tyre, Dom Rrok Mirdita dhe At Andrew Nargaj ndërmorën vendimin për bashkim historik, në një kishë të përbashkët, kushtuar Pajtores së Shqiptarëve, Zojës së Shkodrës. Ishin përpjekje të vështira këto për të bashkuar shqiptarët e shpërndarë anë e mbanë Nju Jorkut dhe në shtete të tjera. Por me vullnetin e pandërprerë, me sakrifica e mundime të mëdha, që vetëm pjesëmarrësit dëshmitarë të asaj periudhe i njohin mirë. Komisioni fillestar dhe komisionet e këshillat e kishës në vazhdim, kapërcyen kundërshtimet, apatitë, ndërhyrjet qëllim-këqia, dhe ia dolën më në fund objektivit të lartë fetar e kombëtar.

         A group of people sitting at a table with bottles

Description automatically generatedDarkë e shtruar nga Këshilli i Kishës Katolike Shqiptare në Bronx me në krye Monsinjor Dr. Zef Oroshin në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për Sekretarin e Lidhjes Katolike Shqiptare, Frank Shkreli me rastin e largimit të tij nga Nju Jorku për në Washington, për të filluar punën në Zërin e Amerikës, qershor, 1974.

Mbas shumë përpjekjeve, u gjet vendi i përshtatshëm prej 12 hektarësh e gjysëm, në 361 West Hartsdale Avenue, Hartsdale, New York, këtu ku jemi sot. Kontrata e blerjes u nënshkrua me datën 26 shtator 1989, në zyrën e avoketënve “Piro & Mansell” në White Plains. Kisha përfaqësohej nga avokati George A. Phillips i firmës, “Cusack & Styles”, në emër të cilës kontrata u nënshkrua nga i Përndershmi Dom Rrok Mirdita, në prani të anëtarëve të komisionit të bashkimit të dy kishave, zotërinjve Tonin Mirakaj, Lekë Gojçaj, Prelë Sinishtaj dhe Ndue Shala. E gjithë kjo veprimtari prej disa dekadash e shumë mundimesh, nga klerikët dhe komuniteti katolik shqiptar në Amerikë përfundon më në fund në kurorëzimin e ndërtimit të Kishës së re, Zoja e Shkodrës këtu në Hartsdale. Por është me rëndësi historike të përmendet fakti se vetëm dy ditë mbas blerjes së tokës, me 28 shtator 1989, Eminenca e Tij John Cardinal O’Connor i Nju Jorkut njoftoi themelimin e “Famullisë së parë Katolike Shqiptare në Amerikë me emërin e bukur “Zoja e Shkodrës” dhe emëroi famullitar të Përndershmin Dom Rrok Mirdita dhe bashkfamullitar të përndershmin Dom Pjetër Popaj. Në vend që të pushonte krahët mbas një pune jashtëzakonisht të rëndë, Dom Rroku, merr thirrjen e shëjntë për t’u këthyer dhe për të ndezur në Atdhe atë “shkëndinë e vogël” nga Amerika, për të cilën pat profetizuar Dom Zef Oroshi me krijimin e LKSHA me 1962, që falë punës së rëndë dhe sakrificave të vet Imzot Rrok Mirditës dhe Konferencës së ipeshkvijve shqiptarë, sot “është bërë dritë e madhe, që shëndritë votrat e errësueme në Atdhe” nga dekadat e ideologjisë komuniste, që kishte zhdukur çdo dukuri fetare me shpalljen absurde të Shqipërisë si vendi i parë ateist në botë. Emërimi dhe shugurimi i Dom Rrok Mirditës Arqipeshkëv për Durrës- Tiranë nga Shëjtënia e tij Papa Gjon Pali i Dytë solli pra, largimin e tij nga Amerika për në Atdhe, duke pranuar kështu privilegjin historik që veprën e filluar në Amerikë ta vazhdonte në Atdhe, – për të filluar atë që gazeta New York Catholic e cilësoi si “A New Dawn for Albania” (Një Agim i Ri për Shqipërinë)-për hir të dashurisë për të Madhin Zot dhe Kombin e tij, si edhe për hir të dinjitetit dhe në falënderim të përjetshëm të para-ardhësve të mëdhej të klerit katolik shqiptar të përsekutuar dhe të martirizuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

A person in a red hat sitting at a table

Description automatically generated
Në Sallën Nënë Tereza, Kisha ‘’Zoja e Shkodrës’’) 10 Qershor, 2012 – në 50-vjetorin e Lidhjes Katolike-Shqiptaro-Amerikane me Kryeipeshkvin e ndjerë Tiranë-Durrës, Mons Rrok Mirditën.

Por barra e rëndë për shërbimet fetare dhe për mbarimin e punimeve të kishës së re, ra mbi krahët e të Përndershmit Dom Pjetër Popaj, një prifti të ri e energjetik, i edukuar dhe i shuguruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i cili me përpjekje të palodhëshme njerëzore, me dedikim, sakrifica dhe vetmohim iu përvesh punës për të realizuar objektivin madhor të filluar 50-vjet më parë, dmth, të realizimit të misjonit të lartë fetar e kombëtar, që sot është famullia “Zoja e Shkodrës”. Dom Pjetri iu përvesh punës me vrull e vendosmëri të pashoqtë për fillimin dhe mbarimin e këtij objekti fetar e kombëtar, të cilin Kardinali John O’Connor e pat quajtur një gur i çmueshëm, një diamant ose xhevahir, me fjalë popullore me të vërtetë një vepër madhështore, pat thënë ai. dhe që sot, fal aktivitetit të saj fetar e kombëtar është jo vetëm krenaria e komunitetit katolik, por e mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan.

Më datën 3 dhjetor, 1995 bekohet guri i parë i themelit të kishës së re, në prani të një numëri të madh besimtarësh dhe udhëheqësish nga tri besimet. Ndërtimi dhe inaugurimi i kishës “Zoja e Shkodrës’’ shënoi përmbylljen e një kapitulli të lavdishëm të komunitetit katolik shqiptar në Shtetet e Bashkuara dhe fillimin e një veprimtarie të gjithanëshme aktivitetesh fetare, kombëtare e kulturore, jo vetëm për komunitetin katolik, por për të gjithë komunitetin shqiptaro-amerikan, pa marrë parasysh përkatësinë fetare.

A group of people standing on stairs

Description automatically generated

Arqipeshkvi i Nju Jorku, John Kardinal O’Connor, një mik i vërtetë i shqiptarëve, me rastin e shugurimit të kishës së re, të cilën, siç thashë më lartë e quajti një diamant i çmueshëm, tha se konsekrimi i kishës “Zoja e Shkodrës’’ ishte me të vërtetë një celebrim e gëzim po të marrim parasysh historinë e kombit shqiptar dhe dëshirën e tij për të qenë i lirë për t’iu lutur Perëndisë.  Është e pamundur që mbrenda një kohe të shkurtë prej disa minutash të përfshihet një historik aq i pasur siç është veprimtaria e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane gjatë 50-vjetëve të fundit, e sidomos e 20-vjetëve të fundit nën udhëheqjen e Dom Pjetër Popaj dhe bashkëpunëtorëve të shumtë. Por do të përpiqem që në pika kryesore dhe shkurtimisht të nënvijoj ato aktivitete fetare, kombëtare e kulturore që e kanë dalluar dhe e dallojnë Famullinë Zoja e Shkodrës, këtu në Hartsdale të Nju Jorkut. Një qëndër kjo, me veprimtari të larmishme në shumë fusha, ku po mësohet dhe thellohet besimi në të Madhin Zot, por në të njëjtën kohë e si gjithmonë dhe në traditën më të mirë të klerikëve tanë dhe të Kishës Katolike Shqiptare, që gjatë të gjithë historisë së kombit tonë ka vazhduar të ruajë dhe të promovojë zakonet dhe traditat tona si edhe ndjenjat kombëtare për të gjithë edhe këtu në botën amerikane në të cilën jetojmë. Rëndësinë e përurimit të Kishës së parë Katolike Shqiptare në Nju Jork, e shprehu më së miri në atë kohë, Ernest Koliqi, i cili në revistën ”Shëjzat” pat shkruar me atë rast se përveç dobisë shpirtërore, ‘’Na tue u nisë nga pikëpamja shqiptare dëshirojmë të theksojmë këtu, vlerën e një organizimi, i cili në flakë e në dritë të fesë – nevojë urdhnore e njerëzve sidomos kur mjerohen nga goditjet e fatit si janë të mërguemit – synon të mbajë gjallë zakone e doke thjesht kombëtare, dmth të ruajë në vend të huaj pasuninë etnike të trashigueme nga të parët, pasuni që na lejon m’u quejtë shqiptarë në botë.’’

                   A group of people sitting at a table

Description automatically generatedFrank Shkreli falënderon me këtë rast, Monsinjor Dr. Zef Oroshin për ndihmën dhe këshillat e tija dhe njëkohësisht edhe Këshillin e Kishës Katolike Shqiptare për bashkpunimin dhe ndihmesën e tyre gjatë periudhës që kishte shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike, të themeluar nga Monsinjor Dr. Zef Oroshi.  Frank Shkreli: Në kujtim të Monsinjor Zef Oroshit | Gazeta Telegraf

Përveç shërbimeve fetare dhe në përputhje të plotë me traditën historike të rolit që Kisha Katolike Shqiptare ka luajtë gjatë shekujve, në mbrojtjen dhe në kultivimin e vlerave të historisë kombëtare, gjuhës, kulturës, folklorit dhe të traditave tona shekullore, Kisha Zoja e Shkodrës dhe udhëheqësit e saj klerikë dhe laikë vazhdimisht, kanë ndërmarrë aktivitete të ndryshme duke organizuar folklore, seminare e akademi. Kështu që, kjo kishë e ka bërë këtë qëndër gjithashtu një mjedis ku të rinjtë e të rejat e tri besimeve tona zhvillojnë edukimin e tyre patriotik dhe me qëllim të ruajtjes dhe të zhvillimit të mëtejshëm të traditave dhe të ndërgjegjes kombëtare të fisit shqiptar.

Është me vend që të përmenden disa prej tyre -më të rëndësishmet – siç ishte akademia e mbajtur me rastin e 300-vjetorit të Imzot Pjetër Bogdanit, ku u ftua Dr. Ibrahim Rugova për të mbajtur ligjëratë. Kjo ishte vizita e parë e Ibrahim Rugovës në Amerikë dhe mund të thuhet lirisht se Kisha Zoja e Këshillit të Mirë mund të marrë kredinë se me këtë ftesë, konsiderohet që ai të ketë filluar karierën e tij politike, që pak më vonë e konsolidoi atë si udhëheqësin e Kosovës, që e njihte e gjithë bota, si udhëheqës i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe më vonë si President i atij vendi.

Ndër të tjera, janë organizuar gjithashtu edhe seminare në përkujtim të At Gjergj Fishtës dhe Dom Ndre Mjedës. Çdo vit më 28 Nëntor, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë organizohej dhe organizohet meshë dhe aktivitete për të përkujtuar dëshmorët e kombit dhe për t’iu lutur Perëndisë për një të ardhme më të mirë për shqiptarët. “Dita e trashëgimisë shqiptare”, edhe kjo një nga veprimtaritë e shumta vjetore të organizuara nga Kisha Zoja e Shkodrës, është kthyer tashti në një aktivitet masiv që synon të mbajë gjallë traditat kulturore dhe të forcojë lidhjet e miqësisë midis gjithë shqiptarëve dhe t’i bëjë ata krenarë për prejardhjen e tyre.

Pasi Shqipëria nën regjimin komunist kishte marrë një emër të keq në Amerikë, ishte gjithmonë qëllimi i klerikëve katolikë, që botës amerikane t’i paraqiteshin vlerat pozitive të shqiptarëve duke paraqitur kulturën, kostumet dhe traditat më të mira, duke filluar me pjesëmarrjen e komunitetit në Festivalin e Arteve të Ballkanit në mesin e 1970-ave. Festivali muzikor që kisha organizon për çdo vit, nën drejtimin e të palodhëshmit Mark Koliqit-Shkreli është bërë si të thuash një institucion kulturor e kombëtar, në të cilin marrin pjesë mijëra shqiptarë nga mbarë komuniteti, por edhe më gjërë, pa dallim feje, krahine apo ideologjiee që mbulohet jo vetëm nga media shqiptare, por edhe nga ajo amerikane, përfshirë, ndër të tjera edhe gazetën me famë botërore Nju Jork Tajms. Grupi Rozafati që ekziston pranë kishës për më shumë se 30-vjet ka përfaqësuar komunitetin shqiptar në organizime e çfaqje të ndryshme artistike e kulturore të komuniteteve etnike në Amerikë. Folklori i Kishës Zoja e Shkodrës ka zbukuruar paradat vjetore në bulevardet e Nju Jork si edhe darkat e festimet kombëtare të komunitetit shqiptaro-amerikan, siç ishte kohët e fundit festimi i 100-vjetorit të themelimit të organizatës mbarëshqiptare Vatra. Dom Rroku e Dom Pjetri, mbi të gjithë angazhimet që kishin mbi supet e tyre, disi kishin gjetur kohë që të përgatisnin dhe të drejtonin edhe radio programin “Zëri Katolik Shqiptar’’, që transmetohej çdo të shtunë në mëngjes.

Aktiviteti i gjithanshëm i famullisë ka përfshirë edhe organizimin e udhëtimeve ose shtegtarive me karakter fetar, si për shembull vizita në Vatikan dhe Gennacano, ku grupi nga Zoja e Shkodrës u prit në audiencë nga vet Papa Gjon Pali i dytë. Të rëndësishëm ishin shtegtimi në Tokën e Shenjtë dhe udhëtimi në Shqipëri me rastin e vizitës historike të Papës Gjon Palit të dytë, me ç’rast ai shuguroi katër ipeshkvijë, përfshirë edhe ish famullitarin e kishës tonë, tashti Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolitan i Tiranë-Durrësit duke e ringjallur kështu hierarkinë e Kishës Katolike Shqiptare, e cila ishte zhdukur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.

Përveç veprimtarive fetare, kulturore dhe atdhetare, komuniteti katolik shqiptar nëpërmjet kishës, e me ndihmën e klerikëve dhe të këshillave të ndryshme drejtuese, shpesh është marrë edhe me veprimtari humanitare në shërbim të bashkatdhetarëve tanë në Shqipëri, Kosovë e vise të tjera. Vlenë të përmendet se gjatë 1990-ave, Kisha Katolike Shqiptare ka organizuar gjithsejt 22 transportime ushqimesh dhe veshmbathjesh, si edhe fonde me qindëra mijëra dollarë për njerëzit në nevojë në Shqipëri dhe për refugjatët shqiptarë nga Kosova. Megjithëse larg nga atdheu dhe trojet tona në Ballkan, besimtarët katolikë të kësaj famullie gjatë këtyre 50-vjetëve histori të Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane nuk kursyen kurrë dhe asgjë për bashkatdhetarët tanë në vendlindje duke dërguar, sipas mundësive këtu dhe nevojave atje, ndihma për ndërtimin e rrugëve, shkollave e qendrave fetare e kulturore, përfshirë edhe ndihmën e konsiderueshme dhënë për ndërtimin e Katedralës “Nënë Tereza’’ në kryeqytetin e shtetit sovran e të lirë të Kosovës dhe kur thirri Atdheu për mbrotjen e interesave kombëtare nuk munguan as ndihmat materiale e madje-madje as ato njerëzore.

Përveç veprimtarisë kombëtare, fetare e kulturore, Kisha Katolike nga koha në kohë organizonte, me ndihmën e mjekëve shqiptarë të kryesuar nga Dr. Agim Leka, edhe përkujdesje shëndetësore për fëmijtë e emigrantëve të rinj të çdo feje e krahine, duke hapur hapësirat e kishës për imunizime dhe nevoja të tjera shëndetësore për komunitetin shqiptaro-amerikan. Megjithëse sot ka lloj lloj organizatash politike e kulturore të komunitetit. Ishte Lidhja Katolike Shqiptaro-Amerikane, ajo që u parapriu këtyre kur në fillim të 70-ave mori iniciativën, që së bashku me qëndrat si motra myslimane dhe ortodokse të formohej Organizata etnike shqiptaro- amerikane që do të përfaqësonte interesat e komunitetit pranë Bashkisë së qytetit të Nju Jorkut.

Nuk është pra kjo një “qyqesh”, siç i cilësonin apologjetët e regjimit të Enver Hoxhës, mërgimtarët shqiptarë në Amerikë, që shumë prej të cilëve patën fatin të shpëtonin nga terrori i egër i stalinistëve të Tiranës komuniste, e që disa prej të cilëve, 50-vjetë më parë morën guximin dhe themeluan këtë Lidhje Katolike Shqiptaro-Amerikane. Ky pra, është një komunitet, i cili shpirtërisht dhe fizikisht, gjithmonë ka qenë dhe është afër dhe i gatshëm të mbrojë interesat kombëtare dhe të punojë për “Fe e Atdhe”. Është ky komunitet i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane, me Kishën “Zoja e Shkodrës’’ – i cili pa marrë parasysh se ç’thanë kritikët dashakeqës atëherë, e ndoshta edhe sot ai që po shkruan historinë e diasporës shqiptare në Amerikë dhe që është bërë pjesë e pandashme edhe e historisë së Kishës Shqiptare në Atdhe. Si i tillë, ky komunitet meriton një kapitull të denjë edhe në historinë e kombit shqiptar, ashtu siç zë vend edhe historia e arbëreshëve të Italisë, të cilët gjatë 500-vjetëve ç’prej largimit të tyre nga Atdheu për të shpëtuar nga otomanët, ruajtën fenë, dashurinë për Atdheun, traditat, gjuhën shqipe dhe kulturën. Ashtu si edhe arbëreshët e Italisë, edhe komuniteti shqiptaro-amerikan, pjesë përbërëse dhe e rëndësishme e të cilit është edhe komuniteti katolik i Nju Jorkut me rrethe, me aktivitetin e tij të palodhshëm 50-vjeçar, të udhëhequr nga klerikët tanë që kemi privilegjin t’i kemi këtu sot, si dhe ata që kanë shkuar në atë jetë, vazhdon të jetë flamurtar i përhapjes dhe i forcimit të idesë kombëtare, i ruajtjes së vlerave fetare e morale si edhe i kulturës dhe traditave të bukura shqiptare, e që nëpërmjet shembullit të Nënë Terezës e kanë bërë kombin tonë të njohur anë e mbanë botës.

Roli i famullisë Zoja e Shkodrës në jetën fetare, kulturore, shoqërore, humanitare dhe në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve kudo dhe pa dallim është vlerësuar nga të gjithë, përfshirë edhe udhëheqësit politikë dhe diplomatë nga Shqipëria, Kosova dhe vise të tjera shqiptare, të cilët e kanë bërë vizitën në këtë qendër si një ndalesë të domosdoshme gjatë qëndrimit të tyre në Amerikë. Famullia Zoja e Shkodrës është shpesh edhe në qendër të aktiviteteve ekumenike duke marrë iniciativën dhe duke organizuar lutje ndërfetare me udhëheqës të besimeve të tjera për qëllime mbarëkombëtare, si për shëmbull lutjet, që mbaheshin për pavarësinë e Kosovës, dhe për fatin e shqiptarëve në përgjithësi. Një ndër ndërmarrjet më me rëndësi të kësaj qendre, siç thashë edhe më përpara, ka qenë botimi i revistës Jeta Katolike ku shkruanin e vazhdojnë të shkruajnë jo vetëm intelektualë e shkrimtarë të famullisë, por ajo është e hapur për të gjithë, dhe e cila ka siguruar respektin e meritueshëm, përmbajten e së cilës e ka vlerësuar edhe shkrimtari Ismail Kadare.  Këshilli redaktues nën drejtimin e Dom Pjetrit dhe të Mark Koliqit meriton lëvdata për një punë të mbrekullueshme edhe në fushën gazetareske.

A group of men sitting at a table

Description automatically generated

Rëndësia e këtij përvjetori, e vërteta është, që qëndron në faktin se themelimi i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane 50-vjetë më parë, kur të shikohet nga këndvështrimi i sotëm, ishte gur themeli, ishte hyll i dritës dhe agimi i parë i mëngjezit, që zbardhi ditën dhe të ardhmen e Kishës Katolike Shqiptare në përgjithësi. Kur të marrim parasysh historinë e vuajtjeve e të mundimeve të klerit dhe të Kishës Katolike në Shqipëri gjatë diktaturës hoxhiste komuniste, është e qartë se Shpirti i Shënjtë kishte dorë të drejt për drejtë në këtë krijesë të re, në këtë vend të madh të lirisë e demokracisë, me qëllim jo vetëm për të mirën e komunitetit katolik shqiptaro-amerikan, por edhe për fatin e Kishës në Shqipëri dhe për të mirën e mbarë kombit shqiptar. I Madhi Zot vepron në mënyra misterioze. Siç thashë lart, nga kjo famulli doli një arqipeshkëv, në personin e Imzot Rrok Mirditës, dy meshtarë Dom Pjetri e Dom Nikolin Përgjini, si dhe diakoni Marash Shkreli, të cilët shërbyen për disa vjet në këtë famulli. Historia 50-vjeçare e Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane është një periudhë evenimentesh historike siç ishte, ndër të tjera, edhe organizimi i meshës solemne në Katedralën e Shën Patrikut në Nju Jork më 1997 në kujtim të Nënë Terezës, bijës që Kombi shqiptar i ka dhuruar njerëzimit, e ku mori pjesë një mori e madhe shqiptarësh dhe të huajsh, pa dallim. Me ç’rast Profesor Sami Repishti, i emocionuar nga kjo çfaqje fetare e kombëtare e organizuar nga Kisha Zoja e Shkodrës, e përmblodhi më së miri misjonin dhe aktivitetin e kësaj veprimtarie duke shkruar me atë rast: “Këtu në Katedralën e Shën Patrikut u duk fëtyra pak e njohur e popullit tonë të vjetër e fisnik, u duk i qartë besimi jonë në vetvehten, besnikëria ndaj traditave tona kombëtare, dashuria jonë e madhe për gjuhën tonë amtare, toleranca jonë fetare (i cili popull fton imamin mysliman të flasë nga altari i Katedralës) dhe vendosmëria jonë për të qenë pjesëtarë të një kombi që na jep nder dhe na jep emërin shqiptar…Megjithë sakrificat e shumta që keni bërë, o vëllezër e motra shqiptarë katolikë, “për fe e atdhe’’,- vazhdon Profesor Repishti- “ju jeni një grup fetar e kombëtar që do të mbijetoni çdo provë e vështirësi në të ardhmen… dhe në këtë rrugë ju keni përkrahjen e miljona shqiptarëve myslimanë e ortodoksë që ju kuptojnë dhe ju duan”,- ka përfunduar artikullin e tij Profesor Sami Repishti.

50-vjetori i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane është pra, një kurorëzim i denjë dhe i mrekullueshëm i një veprimtarie në fushën e fesë dhe të shqiptarizmit. Me urimet e mia i lutem të Madhit që Qëndra Nënë Tereza dhe famullia e Zojës së Shkodrës, nën drejtimin e famullitarit Dom Pjetër Popaj, të vazhdojë punën e saj frymëzuese bazuar në binomin Fe e Atdhe me Përparim, të trashëguara nga paraardhësit kishtarë shqiptarë, në misjonin e saj për të ndihmuar Kishën e shumëvuajtur dhe institucionet fetare, të cilat gjithmonë kanë qenë qendra, jo vetëm e vlerave fetare, por edhe vatër e promovimit të patriotizmit të pastër, të kulturës arbërore dhe të tolerancës ndërfetare këtu në Amerikë dhe në të gjitha trojet tona shqiptare në Ballkan.

*Autori ka shërbyer si Sekretar i Lidhjes Katolike Shqiptaro-Amerikane dhe ka qenë anëtar i grupit redaktues të revistës ‘’Jeta Katolike Shqiptare,’’ për periudhën 1971-1974.

May be an image of 1 person, the Basilica of the National Shrine of the Immaculate Conception and text that says 'KISHA KATOLIKE ZOJA E SHKODRES FESTON 25-VJETORIN E SHUGURIMIT CHURCH KISHAZOA KISHA SAODA 10007 dno SOLLINS 1999 2024 25th Anniversary Celebration April 28, 2024 6:00pm Eastwood Manor 3371 Eastchester Road, Bronx, New York SPECIAL GUESTS ENTERTAINMENT MUSIC AND DANCE TICKETS $150 ADULTS $75 CHILDREN 12 AND UNDER FOR TICKETS CONTACT: LUMI RuDAJ: 14-830-1019 MARK BERISHA) 914-557-5010 GJERGJ PALOKA: 646-226-1 PETRIT GRISHA): 347-736-7099 FOR JOURNAL ADS CONTACT: DR. ELIZABET PERAJ AT914-338-6150'

A person in a hat and glasses holding an umbrella

Description automatically generatedKujtime nga protesta e komunitetit shqiptaro-amerikan kundër vrasjes barbare të At Shtjefën Kurtit nga regjimi komunist hoxhist, Nju Jork, 1973– Autori, pjesëmarrës në protestën para OKB-së me Monsinjor Dr. Zef Oroshin, ish-udhëheqësin shpirtëror të komunitetit katolik shqiptar në Nju Jork.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 32
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT