• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Glauk Konjufca: Ali Lajçi një nga fanarët ndriçues të lëvizjes për çlirim, liri e pavarësi

April 30, 2024 by s p

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, mori pjesë dhe mbajti fjalë në Akademinë përkujtimore të mbajtur sot në Prishtinë në nderim të figurës dhe veprimtarisë së ish-deputetit, veprimtarit të çështjes kombëtare, Ali Lajçi.

Në fjalën e tij në këtë Akademi kryetari Konjufca përmendi kontributin e çmuar dhe shumëdimensional të ish-deputetit Lajçi, duke shtuar se ai do të kujtohet nga të gjithë për dashurinë e madhe dhe të pakusht ndaj popullit të vet.

“Vërtet është e vështirë të gjejmë fjalët e duhura me të cilat mund të përshkruajmë e të pasqyrojmë aq sa duhet e si duhet dhe aq sa u takon nderimi dhe kujtimi personaliteteve emblematike të historisë së kombit dhe shtetit tonë, i tillë siç ishte veprimtari dhe patrioti ynë i madh, Ali Lajçi. Ai ishte njëri prej organizatorëve të demonstratave të rëndësishme të vitit 1981, dy herë i burgosur nga Serbia okupatore, deputet, përfaqësues i popullit në Kuvendin e Republikës sonë, kryetar i parë i Komunës së Pejës, por mbi të gjitha një veprimtar i një patriot i pashoq“, tha kryetari Konjufca.

I pari i Kuvendit tha se Ali Ljaçi ishte dhe do të mbetet një nga fanarët ndriçues të lëvizjes së popullit të Kosovës për çlirim, liri e pavarësi, jo vetëm për vendlindjen e tij Rugovën, por edhe për gjithë qytetin e Pejës dhe mbarë Kosovën e për të gjithë kombin tonë shqiptar.

Duke e vlerësuar kolosale punën e ish-deputetit Lajçi, kryetari i Kuvendit tha se ai do të mbetet frymëzim dhe model që simbolizon virtytet më të ndritshme të popullit shqiptar, vetëflijimin për liri, për popull e për atdhe.

Shëmbëlltyra e Ali Lajçit, tha në vazhdim kryetari Konjufca, është e pasqyruar më së miri në kontributin e tij për organizimin e demonstratave të vitit 1981, që shënuan kthesën më të madhe e përmbajtësore të Kosovës në rrugëtimin e saj shumëvjeçar për pavarësi, e cila u kurorëzua edhe me luftën e Ushtrisë sonë të lavdishme Çlirimtare, që solli edhe lirinë dhe pavarësinë e popullit tonë.

“Babai im, i cili një kohë ndau edhe qelinë e burgut me Ali Lajçin, më tregonte se ai ishte në burg një qëndrestar i madh. Lavdia u takon me të vërtetë njerëzve dhe veprimtarëve të shquar siç ishte Ali Lajçi“, tha në fjalën e tij kryetari Glauk Konjufca.

Filed Under: Kronike

Arbëreshët e Italisë – Takimi i madh i Tiranës

April 26, 2024 by s p

Arbëreshët e Italisë – Takimi i madh i Tiranës.

Filed Under: Kronike

Instituti Albanologjik i Prishtinës boton veprën shkencore “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë” të Dr. Sejdi Gashit

April 24, 2024 by s p

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar veprën “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në

mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, të punonjësit të vetë shkencor, prof. ass. dr. Sejdi Gashit.

Sipas autorit të këtij studimi “zhvillimi i shpejtë i medieve dhe i teknologjive të reja të komunikimit, gjatë viteve të fundit, ka ndikuar fuqishëm në gjuhë. Por, ndryshime në gjuhë kanë sjellë edhe mediet tradicionale, si shtypi i shkruar, radioja dhe veçanërisht televizioni”. Dr. Gashi sqaron se” studimi “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë” synon të analizojë gjuhën e medieve, duke u fokusuar më së shumti te terminologjia, pra vështruar sipas një qasjeje sociolinguistike”. Ndërkaq, prof. asoc. dr. Naim Berisha-punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, që është njëri nga recensentët e këtij botimi, shprehet se “libri i ri i autorit, prof. ass. dr. Sejdi Gashit, me titull “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, sjell para nesh një kontribut të vyer nga fusha e gjuhësisë, duke trajtuar dhe hedhur dritë mbi shumë çështje aktuale dhe tematika me interes, sidomos në kontekstin e medieve”. Sipas prof. Berishës ”ky libër pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në botën tonë akademike, duke na sjell diçka të re që deri më sot nuk del e plotë në studimet tona për këtë fushë”. Edhe recensenti tjetër i këtij botimi, prof. Viktor Bakillari (studiues i gjuhës shqipe, leksikograf dhe përkthyes nga Tirana) e ka vlerësuar lart studimin e dr. Sejdi Gashit, me ç’ rast, mes tjerash ai shprehet: ”sot, në kohën e globalizmit e të trysnisë së shfrenuar të rrafshimit të kulturave dhe të anglishtëzimit të të gjitha gjuhëve e të gëlltitjes së të ashtuquajturave gjuhë të vogla (nënkupto asimilimit të tyre), krahas brezit të dekanëve të gjuhës, kemi edhe një plejadë studiuesish të rinj, të mbrujtur me vetëdije të epërme kombëtare dhe me dije të thella shkencore midis të cilëve është edhe dr. Sejdi Gashi, punonjës shkencor në Degën e Gjuhësisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës”. Recensenti Bakillari në lidhje me librin nënvizon faktin se “autori, larg së qeni purist, mban një qëndrim koherent nga nisja deri në përfundim të këtij studimi, duke goditur shpërdorimet që i bëhen gjuhës në medie”. Ai shton se “për autorin Gashi, gjuha shqipe është përbërësi kryesor i identitetit kombëtar shqiptar. Profesori nga Tirana vlerëson se “ky punim është i domosdoshëm për terminologët, për studentët që mbrojnë tema masteri dhe doktorate në lëmin e terminologjisë, si edhe për mediet e shkruara dhe ato pamore”.

Libri shkencor “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, ka hyrjen dhe përfundimin edhe në gjuhën angleze. Ky është libri i gjashtë shkencor i dr. Sejdi Gashit.

Filed Under: Kronike

Ismail Qemali e Myfit Libohova, miq të shkrimtarit e diplomatit libanez Emin Arsalan

April 16, 2024 by s p

Prof.Muhamed Mufaku/

Familja Arslan është prej familjeve më rrënjë në Liban për shumë shekuj. Prej saj dolën shumë figura në historinë e re të Libanit e deri më sot. Njëri prej tyre ishte Emin Arslan që ishte figurë e njohur në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX në sajë të rrethanave të kohës.

Pashko Vasa e Ismail Qemali në Liban

Emin Arslan u lind më 13 korrik të vitit 1868 në qytezën Shuajfat, pra vetëm shtatë vjet pasi që Mali i Libanit u bë një njësi administrative me autonomi të gjerë, e lidhur drejtpërdrejt me kryeministrinë në Stamboll. Kreu mësimet në vendlindje kurse studimet për drejtësi në Universitetin e Bejrutit, i cili u bë qendër e vilajetit të ri më 1888. Siç tregon në “Kujtimet” e tij, botuar më 1934 në Buenos Aires, në moshën 21-vjeçare u emërua drejtor qarkut al-Garb, përkatësisht më 1890, në kohën kur Pashko Vasa ishte Guvernator i Malit të Libanit me seli në Baabda (15 kilometra nga Bejruti), kurse më 1891 erdhi Ismail Qemali si vali i Bejrutit.

Pashko Vasa e mori këtë post më 1883, ku tregoi interesim për zhvillimin e vendit duke ndërtuar shumë rrugë dhe ndërtesa publike, për çka iu vazhdua edhe një mandat më 1888.

Në krahasim me mandatin e parë, Pashko Vasa ra nga shëndeti në mandatin e dytë dhe u paraqit dhëndri i tij, armeni Kolopian, si dora e tij e djathtë. Mirëpo, Kolopiani e shfrytëzoi pozitën e tij për t’u pasuruar duke kërkuar ryshfet për çdo shërbim deri kur vdiq Pashko Vasa më 29 qershor 1892, pra para mbarimit të mandatit të tij. Në Kujtimet e tij, Emin Arslan citon një fjalë të Koplianit që arsyetonte sjelljen e tij: “Kur erdhëm në Liban, libanezët na u përkulëm e ne hipëm mbi shpina të tyre” (fq. 60).

Ndërkohë, Emin Arslan u lidh me Ismail Qemalin kur erdhi në krye të Vilajetit të Bejrutit më 1891. Arslani ishte prej gjeneratës së re me arsim universitar dhe me orientim demokratik që kërkonte kthimin e sistemit kushtetues në Perandorinë Osmane, pasi që sulltani i ri Abdulhamidi II e suspendoi kushtetutën më 1878 dhe sundoi vendin në mënyrë absolute. Ndaj, ardhja e një figure si Ismail Qemali, i njohur si ithtar i Mit’hat pashës dhe i sistemit demokratik, në krye të Vilajetit të Bejrutit ishte shumë domethënëse për drejtorin e ri në Malin e Libanit. Ai ia kushtoi Ismail Qemalit një pjesë të kujtimeve që e botoi veçmas në gazetën argjentinase “Caras y Caretas” në Buenos Aires më 12 korrik të vitit 1913,kur shërbente ai atje si konsull gjeneral i Perandorisë Osmane, e kur Ismail Qemali u bë atëherë figurë e njohur me shpalljen e Pavarësisë dhe si kryeministër i shtetit të ri në Evropë.

Në këto kujtime, që i përktheu në shqip Aurenc Bebaj në blogun e tij “Dars(Klos), Mat-Albania” dhe i ribotoi gazeta “Dielli” më 25 mars 2024, del në shesh një miqësi midis dy figurave me pikëpamje të ngjashme kundër regjimit absolut të Sulltan Abdulhamidit II. Në këto kujtime, Emin Arslam flet me admirim për Ismail Qemalin dhe luftën e tij për një regjim kushtetues deri kur erdhi në krye të Vilajetit të Bejrutit më 1891. Në saje të kësaj miqësie, Emin Arslan ia paraqiti një rast të padrejtësisë dhe e luti të ndërhyjë si vali. Ismail Qemali e kuptoi mirë rastin dhe ndërhyri, por kjo ndërhyrje u paraqit ndryshe në Stamboll nga agjentët e Sulltan Abdulhamidit II “për rrezikun e pranisë së Ismail Qemalit në Bejrut, ku ai propagandonte idetë e Turqisë se Re”, për çka sulltani e thirri I. Qemalin në Stamboll.

Miqësia me Myfit Libohovën

Emin Arslan vazhdoi me qëndrimin e tij sipas Ismail Qemalit, duke kërkuar kthimin e sistemit kushtetues në shtetin osman, por duke ndierë rrezikun nga agjentët e Sulltanit ai dha dorëheqje dhe shkoi në Paris, ku u takua me krerët e opozitës antihamidiane si Ahmet Riza, duke themeluar “Shoqërinë turke-siriane” dhe duke nxjerrë gazetën “Ndriçimi” në arabisht prej vitit 1894 deri më 1895. Në sajë të intervenimit të Stambollit gazeta u mbyll, pasi kritikonte regjimin absolut të Sulltanit, por ai nxori gjatë prej vitit 1895 deri më 1897 gazetën “Turqia e re” në arabisht e frëngjisht.

Këto gazeta të opozitare krijuan një imazh negativ për Sulltanin dhe regjimin e tij absolut, ndaj ai u ofroi opozitarëve amnesti dhe pozita të mira me një premtim për kthimin e sistemit kushtetues. Kështu, Emin Arslan u emërua konsull në Bordo të Francës më 1897, kurse më 1898 u transferua si konsull në Bruksel. Në Ambasadën Osmane në Bruksel ishte vetëm ambasadori Kara Teodori dhe sekretari Myfit Libohova, me të cilin u miqësua Emin Arslani. Si njohës i shumë gjuhëve (arabisht, osmanisht, frëngjisht, anglisht e spanjisht), Arslan ishte shumë aktiv në gazetari dhe në diplomaci në ato vende që shërbente, duke botuar edhe disa libra në frëngjisht e arabisht.

Miqësia e tij me Myfit Libohovën vazhdoi nja dhjetë vjet. Në Kujtimet e tij botuar më 1934 në Buenos Aires ai nxjerr në shesh një detaj shumë interesant nga vera e vitit 1901, kur Sulltani bëri një skandal diplomatik që shkaktoi një krizë midis dy vendeve. Atëherë, Sulltani kishte tërhequr papritmas ambasadorin Kara Teodori pa lajmëruar Mbretin as ministrin e punëve të Jashtme të Belgjikës. Në këtë gjendje u ngarkua Myfit Libohova me punë të ambasadës dhe u paraqit në MPJ që të akreditohet si i ngarkuar me punë të Ambasadës Osmane në Bruksel. Mirëpo, ministri nuk e pranoi fare si të tillë pa procedurë formale. Atë ditë, Myfit Libohova u kthye shumë nervoz në Ambasadë, duke kërcënuar që ta bënte të madhe këtë punë.

Emin Arslani, si mik që e njeh mirë mikun, e qetësoi pak duke pritur të zbutet “inati shqiptar” te Myfit Libohova. Kur u zbut, atëherë e mori në një restorant për të gjetur një zgjedhje për këtë krizë diplomatike midis dy vendeve. Në sajë të lidhjeve të tij me MPJ-në në Bruksel, ai u takua me sekretarin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe morën vesh për një zgjidhje, që Myfit Libohova t’i drejtohej ministrit një notë me vendimin e emërimit të tij si i ngarkuar me punë të Ambasadës osmane në Bruksel dhe Ministri do të konsideronte emërimin e tij si punë të kryer. Emin Arslani e Myfit Libohova mbeten miq deri më 1908, kur shpërtheu rezistenca e armatosur dhe Sulltani u detyrua ta shpallë kthimin e sistemit kushtetues në vend. Atëherë, të gjithë krerët e opozitës u kthyen në Stamboll, e disa prej tyre si Myfit Libohova morën pjesë në zgjedhjet e para parlamentare. Kështu, miqtë u ndanë, pasi që M. Libohova u zgjodh për parlamentin e ri, kurse Emin Arslani u avancua si Konsull Gjeneral në Paris.

Pasi që më 1909 u nënshkrua një marrëveshje ndërshtetërore midis Argjentinës dhe Shtetit Osman për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel të konsullatave, Emin Arslani u emërua si Konsull Gjeneral në Buenos Aires, pasi që shumica dërmuese e shtetasve osmanë atje janë prej Leventit (sirianë e libanezë). Konsullata u hap me një ceremoni të madhe më 1910. Emin Arslani mbeti shumë aktiv atje, duke shkruar, botuar tani edhe në spanjisht, deri në verën e vitit 1914 kur Stambolli nënshkroi një marrëveshje sekrete me Gjermaninë për inkuadrimin në Luftën e Parë Botërore. Emin Arslani ishte kundër këtij qëndrimi, sepse mendonte se Shteti Osman, do të pësojë shumë në të dyja rastet, pra nëse Gjermania fiton dhe nëse Gjermania e humb luftën.

Si pasojë, Emin Arslani e paraqiti dorëheqjen dhe u bë nënshtetas i Argjentinës, duke vazhduar aktivitetin e tij si gazetar e shkrimtar. Kështu, më gjatë 1915-1921 nxori revistën letrare “La Nota”, kurse gjatë 1925-1926 nxori gazetën politike-letrare humoristike “Lapsi i kaltër” (El Lapiz Azul), ndërsa më 1926 nxori në arabisht gazetën “al-Istiklal” (Pavarësia) që vazhdoi me sukses deri në vdekjen e tij më 1943.

Filed Under: Kronike

Në nderim dhe respekt të Ismail Memellit…

April 13, 2024 by s p

Nga Fuat Memelli-Boston/

Prej kohësh kam dashur të shkruaj për sinicarin Ismail Memelli. Kjo dëshirë buronte për përkushtimin e tij në punë dhe aritjet që pati, për dashurinë e tij për Sinicën dhe Shqipërinë, si dhe për pengesat e trishtimet që pati në jetë nga sistemi i kaluar, të cilat e brejtën shpirtin e tij, por nuk e mposhtën. Ismaili ishte një nga gjashtë fëmijët e Zylfos dhe Byles. Lindi në Sinicë të Devollit në vitin 1938. Fëminia e tij ishte e vështirë. Vendi nuk ishte çliruar ende nga okupatorët e huaj. Shkollën fillore dhe shtatë vjeçare e kreu në vendlindje. Më pas mbaroi shkëlqyeshëm shkollën dy vejçare të Rezervave të Punës dhe më pas shkon të kryejë shërbimin ushtarak në bazën detare të Pashalimanit.

VITET NË NËNDETËSE

Në vjeshtën e vitit 1957 shkoi për specializim në Savastopol të ish Bashkimit Sovjetik ku qëndroi disa muaj bashkë me një gup marinarësh dhe oficerësh. Kur u kthye në atdhe, shërbeu në bazën e Pashalimanit. Siç tregon ushtaraku Fahri Perona me origjinë nga Suli i Devollit i cili ka shërbyer në atë bazë, Ismaili ka qënë pjesëtar i efektivit të parë të krijimit të brigadës së nëndetseve, rreshtuar në nëndetsen e parë me detyrë komandant i grupit të elektriçistëve. Ai dhe gjithë efektivi i parë i nëndetseve u specializua në Sevastopol të ish Bashkimit Sovjetik për disa muaj. Siç thotë Fahriu vështirësitë në nëndetëse ishin të mëdha si: temperaturat e larta në lundrim, prezenca e hidrogjenit dhe e gazit karbonik në ambient të mbylluar, ushqimet e konservuara, shërbimet e shpeshta, gadishmëria e lartë, shpesh tre muaj pa shkua në shtëpi, etj. Në bazën e Pashalimanit dolën hapur kontraditat me sovjetikët. Ata deshën të marrin katër nëndetset, por nuk ia aritën qëllimit dhe më 4 qershor 1961 u larguan nga vendi ynë. Pas largimit të sovjetikëve, ndihej nevoja e vazhdimit të punës në nëndetëse, sepse pas 4-5 muaj liroheshin detarët e specializuar. Ju bë thirrje të qëndronin aty dhe Ismaili ishte ndër të parët që iu përgjigj. Nga një ngjarje në komunizëm siç do tregojmë më poshtë, e kaluan nga nëndetëset në kantierin e riparimit të anijeve detare. Këtu ai përgatiti një grup elektriçistësh, të cilët me kalimin e viteve përvetësuan teknologjinë e riparimit dhe garantuan gadishmërinë e anijeve të flotës luftarake detare. Në vitin 1964 u martua me Myrveten me origjinë nga Korça. Kur ishte në Pashaliman, lindën dy vajza, Arianën dhe Albinën.

KALVARI I VËSHTIRËSIVE QË NUK E MPOSHTËN

Si pasojë e komunizmit e pësoi Ismaili. E pësuan edhe dy vëllezrit e tij, Rasimi dhe Ibrahimi, etj. Pas kësaj ngjarje Ismailin e kaluan për ca kohë në repartin e riparimit të anijeve të flotës detare. Duke ditur që me këtë “cen” në biografi, nuk mund të vazhdonte të punonte në Pashaliman, kërkoi vetë të largohet. Por, ku të shkonte? Historia e persekutimit komunist e ndiqte nga pas. Mendonin se mund t’i shërbente sovjetikëve me që kishte qënë aty. Vajza e tij , Ariana Disha ( Memelli) më tregon për kalvarin që pati. Më tregoi se urdhëri në fillim ishte për internim dhe konfiskim pasurie. Tentoi të fillojë punë në Korçë, por punonte pak ditë dhe e largonin. Sigurimit nuk i shpëtonte gjë. Filloi punë edhe në Ndërmarjen e Ndërtimit në Elbasan, por edhe këtu e njëjta histori, punoi dy javë dhe e larguan, sikur të kishte murtajë. Gruaja me dy vajzat për dy vjet jetuan në Sinicë te prindërit e Ismailit, ku bëheshin 11 vetë e siç dihet në vitet e kooperativës varfëria ishte e madhe. Pas dy vjet sorollatje, më fund ish kryetari i komitetit ekzekutiv të Librazhdit, Koci Sinica, me origjinë nga ky fshat, e ndihmoi dhe filloi punë si elektroauto në Ndërmarjen e Ndërtimit në këtë qytet. Ata që e kanë njohur nga afër në Librazhd, flasin fjalët më të mira. Një prej atyre që më ka folur, ishte poeti i njohur Koçi Petriti, i cili disa vjet ka jetuar në Librazhd, më ka thënë :” Ismaili ishte duarartë. Atë e vlerësonin të gjithë në Librazhd.” Megjithatë nuk e linin rehat. Disa herë e provokonin që të fliste ndonjë fjalë dhe ta arestonin. Një spiun që punonte aty, jepte informacione të reme dhe te puna ka shkuar dy-tre herë gazi i Degës së Punëve të Brendëshme për ta arrestuar por pasi Ismaili ka ditur të mbrohet. U mbyll në vetvete dhe fliste vetëm për punën. “Shok” i afërt iu bë duhani që nuk e ndau sa ishte gjallë. ”Shoqe” të afërt kishte edhe kitarën. I binte asaj dhe këndonte në familje dhe te njerëzit e tij. Duke vlerësuar kontributin e tij kur ishte në Pashaliman, kanë ardhur dy herë në Librazhd dhe kanë takuar Ismailin ushtarakët e asaj baze, Aleko Pojani dhe Fahri Perona, megjithëse ai ishte me “njollë” dhe ndiqej nga sigurimi i shtetit.

ISMAILI NË BOTËN TJETËR, FAMILJA NË AMERIKË

Pas ditëve e viteve të trishta, era e ndryshimeve për këtë familje nisi me ardhjen e demokracisë. Ismaili e mirëpriti dhe ishte ndër anëtarët e parë të Partisë Demokratike. U zgjodh edhe kryetar i sindikatës së kësaj partie në Librazhd. Kaluan pak vite dhe ai ndjeu zhgënjim. Në sindikatë dhe struktura të tjera, u zgjodhën njerëz jo idelistë dhe të përkushtuar siç kishte menduar ai. Në vitin 1997 vajza e tij , Anila, duke qënë nxënëse e shkëlqyer, vjen me studime në Amerikë nëpërmjet një shoqate . Duke e përcjellë në aeroportin e Tiranës, i jati i kishte thënë: “Ti po shkon me studime por krahas rezultateve në mësime, mbi të gjitha të jesh njeri. Të ndihmosh mamin dhe motrat. Mua vallë do më gjesh, por mos u mërzit dhe mos lerë shkollën të vish .” Vajza e re që po nisej me gëzim për studime, u çudit nga fjalët “ vallë do me gjesh.” E pyeti përsëri të jatin por nuk i dha më shpjegime. U përqafuan dhe ky ishte takimi i fundit me të . Në trupin e Ismailit ishte shfaqur sëmundja e pashërueshme por nuk ia kishte thënë ende familjes. Më 10 prill të vitit 1997, ndrron jetë dhe prehet në varrezat e Librazhdit. Pas viteve 2000, vijnë në Amerikë me bashkim familjar edhe dy motrat e tjera, Albina dhe Ariana bashkë me familjet e tyre. Jetojnë në Las Vegas dhe janë integruar shumë mirë në jetën amerikane. Mbajnë lidhje me Shqipërinë dhe e duan atë megjithë shpirt, pasi vendlindja është vendi ku rrobërohet shpirti, pavarësisht trishtimet e mëdha që patën nga regjimi i kaluar.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 33
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT