• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOZMOLOGJIA DARDANE

April 11, 2024 by s p

Dr. Qazim Namani/

Filet e kozmologjisë në truallin e Dardanisë lidhen me zanafillën e lindjes së jetës, besimit dhe artit. Gjurmët e artit dardan, përshkruajnë fenomenet natyrore të universit, me dimensione fetare mitike dhe artistike nga një perëndi apo një panteoni më të madh hyjnish. Gjurmët e para sipas zbulimeve të shumta arkeologjike i përkasin periudhës së neolitit, të zbuluara në truallin e Kosovës së sotme, të zbuluara në terakota me motive mitike në figurat antropomorfe, që mendojmë se bazuar në zbulimet e deri tanishme, dhe aplikimin e artit tonë popullor deri në ditët e sotme, u përkisnin paraardhësve të drejtpërdrejt të shqiptarëve të sotëm.

Zbulimet arkeologjike të deritashme në truallin e Dardanisë, kanë dëshmuar gjurmë të jetës e kulturës, që dëshmojnë për një bazë autoktone të zhvillimit të kozmologjisë dardane që nga filet e qytetërimit e deri më ditët e sotme.

Motivet e artit të paraqitura në figurat antropomorfe të zbuluara ne Bardhos, Dardhishtë, Barilevë, Lupçë të Poshtëm, Vlashnjë, Varosh etj, që i përkasin periudhës së neolitit me piktura e simbole plastike, ku ndër tjera paraqiten vijat zik-zake, lakoret, meandri, spiralja si simbole të lashta. Ky art fillon të zhvillohet në truallin e Dardanisë, që nga neoliti, për tu pasuruar më vonë në kohën e bronzit e hekurit, duke u veçuar, dhe zhvilluar krahas popujve më të hershëm të Evropës e Mesdheut.

Në artin dardan në periudhat e më vonshme u shprehen tipare të qarta artistike, që u bartën në traditën tonë popullore deri në kohët modern.

Dëshmi e krijimit të artit burimor dardan me motive të pasura kozmologjike pa dyshim se sot i gjejmë te veshja popullore e grave shqiptare nga rajoni i Medvegjes, por edhe në artin tonë popullor të shprehur ne gurë, dru, qeramikë dhe në kostume tjera popullore.

Bazuar në gjurmët e trashëguara të simboleve kozmologjike në artin tonë popullor mendojmë se ky art është krijuar te një fis i fuqishëm para kulturës Helene, andaj me plotë kuptim mund ta quajmë si kozmologji dardane.

Filed Under: Kronike

Shënohet 25-vjetori i Betejës së Koshares, Kryeministri Kurti bëri homazhe dhe mori pjesë në manifestimin tradicional “Ditët e Shqipes”

April 10, 2024 by s p

Me rastin e 25- vjetorit të Betejës së Koshares, u mbajt sot manifestimi ‘’Ditët e Shqipes’’ 2024, në Koshare të Komunës së Gjakovës, nën patronatin e Presidentes së vendit, Vjosa Osmani-Sadriu.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu fillimisht bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Koshares”, në nderim të të rënëve për liri.

E në fjalën e tij në kuadër të manifestimit, kryeministri tha se duke i ndjekur datat e kalendarit historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikur çdo vit tjetër gjatë këtyre 25 viteve të fundit, 9 prilli na solli këtu në Koshare të Gjakovës edhe sot.

“Një kronikë e plotë kronologjike, ditë pas dite dhe ngjarje pas ngjarje, si një histori totale e Betejës së Koshares, mbase do të ishte një ndër veprat më ideale për luftën e UÇK-së”, u shpreh ai.

Para të pranishmëve në këtë manifestim, kryeministri risolli në kujtesë ngjarjet e njëpasnjëshme që nga 8 prilli e deri më 11 prill, ditë kjo ku është vrarë ish-komandanti i UÇK-së, Agim Ramadani, i njohur edhe si “Katana”, por edhe rënien e shumë dëshmorëve të tjerë përfshirë këtu edhe vullnetarë nga Evropa dhe jo vetëm, tre prej të cilëve edhe ranë dëshmorë.

Duke e shembur kufirin mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë të vendosur padrejtësisht në vitin 1913, kryeministri deklaroi se Beteja e Koshares e theu një pengesë të madhe ndarëse mes shqiptarëve dhe hapi kanale të rëndësishme ndërveprimi mes tyre, në luftën e drejtë për çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese.

“Në historinë e Evropës të pas Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizata ushtarake çlirimtare me historinë më të jashtëzakonshme dhe më mahnitëse”, veçoi kryeministri.

Në fund të fjalës, ai shprehu mirënjohje të për të gjithë luftëtarët e paepur të Betejës së Koshares dhe lavdi dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë në Koshare si dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë mbarë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Shkëlqesia e juaj zonja Vjosa Osmani – Sadriu, Presidente e Republikës së Kosovës,

Të nderuara zëvendëskryeministre, znj. Donika Gërvalla – Schwarz dhe znj. Emilia Rexhepi,

I nderuari z. Rrustem Berisha, ish- komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Koshare,

I nderuari z. Alfredo Bider, vëllai i heroit Françesko Bider i rënë në betejën në Koshare,

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Të nderuar ministra e zëvendësministra të qeverisë,

Të nderuar kryetarë të Komunave të Kosovës,

Të nderuar gjeneralë e ushtarë, oficerë e policë,

Të nderuara familje të dëshmorëve, veteranëve dhe invalidëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Të nderuar anëtarë të ish-Brigadës 138 ‘’Agim Ramadani’’,

Të dashur qytetarë të Kosovës,

Zonja dhe zotërinj,

Duke i ndjekur datat e kalendarit historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sikur çdo vit tjetër gjatë këtyre 25 viteve të fundit, 9 prilli na solli këtu në Koshare të Gjakovës edhe sot. Një kronikë e plotë kronologjike, ditë pas dite dhe ngjarje pas ngjarje, si një histori totale e Betejës së Koshares, mbase do të ishte një ndër veprat më ideale për luftën e UÇK-së. Por përballë një sfide historie si kjo, që shkon e reduktohet në kohën e një fjalimi si ky, më lejoni që mes nderimesh, të shquaj këtu disa fragmente dhe episode nga Beteja e Koshares, para jush që jeni pjesëmarrës e dëshmitarë të saj dhe para brezave të ri që duhet ta njohin atë.

Urdhri për mësymjen e madhe që ishte përgatitur ditë më parë, erdhi më 8 prill 1999, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Kështu mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, ushtarët e UÇK-së i sulmuan pikat e ushtrisë serbe në kufirin mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Agim Ramadani i njohur me nofkën “Katana”, i udhëhoqi 136 ushtarët që i kishte nën komandë në një sulm në Rrasë të Koshares, duke e detyruar një njësit ushtarësh të Serbisë numerikisht dyfish më të madh, të zmbrapsej nga pozicionet. Dhe në këtë përpjekje ai nuk ishte i vetëm, por bashkë me të tjerë nga Grupi i Tretë Operativ (GO-3) i UÇK-së. Atë ditë të premte më 9 prill 1999 te Stanet e Pukajve, ranë dëshmorë Abush Loku, Bashkim Jasiqi, Ramiz Krasniqi dhe Rifat Qelaj. Kjo ishte vetëm dita e parë e luftimeve të Betejës së Koshares e cila do të zgjaste dhe do të shtrihej deri në ditët e fundit të luftës në Kosovë, në mes të qershorit 1999.

Të nesërmen më 10 prill, ushtarët e UÇK-së arritën ta marrin postin e Koshares, ku së pari hyri njësiti special “Kobra”, që atë ditë luftoi krah Batalionit të Parë dhe ushtarëve të Policisë Ushtarake. Ditën tjetër më 11 prill, ishte planifikuar të merrej “Oplazi”, por gjatë luftimeve te Rrasa e Koshares u vra vet Kryeshefi i Shtabit, Agim Ramadani.

Përveç tij, atë ditë ranë dëshmorë edhe Arben Jusufi, Driton Veliu, Harun Beka, Rrahman Tafa dhe Sylejman Shala. Ditën e gjashtë të luftimeve, më 14 prill 1999, ra dëshmorë njëzet vjeçari nga Poroj i Tetovës, Mujdin Aliu, bashkë me katër gjakovarë: Kasim Uka, Bashkim Idrizi, Fisnik Salihu dhe Korab Binxhiu. Nga njëra ditë në ditën tjetër, lista e dëshmorëve të lirisë shtohej me ushtarë, ndërsa dita me numrin më të madh të dëshmorëve të UÇK-së në Betejën eKoshares, ishte 19 prilli, kur 13 ushtarë të UÇK-së ranë dëshmorë gjatë luftimeve. Mes tyre edhe Salih Çekaj apo “Veterani”, që vërtetë ishte veteran të paktën nga viti 1991, kur Salih Çekaj koordinoi shkuarjen e dy grupeve për stërvitje ushtarake në Shqipëri, grupit të Zahir Pajazitit dhe grupit të Adem Jasharit.

Përveç dy komandantëve që ranë dëshmorë, “Katanas” dhe “Veteranit”, luftimet në Betejën e Koshares u planifikuan dhe u drejtuan edhe nga shumë shokë e bashkëluftëtarë të tjerë, komandantët dhe eprorët si Rrustem Berisha, Anton Quni, Skënder Hasanxhekaj, Fadil Hadërgjonaj, Naim Maloku, Xhafer Gashi, Nasim Haradinaj, Musa Gjakova, Feriz Terzhnjeva, Skender Rexhahmetaj, Hisen Berisha, Farush Thaçi, Musa Dragaj, Agim Haziri, Ramadan Gashi, Fadil Demiri, Sadri Lokaj, Adem Dahri, Abaz Thaçi, Esat Krasniqi, Sami Ukshini, Bashkim Kalaveshi, Naser Vllasi, Afrim Bekaj, Milazim Maraj, Gani Gjukaj dhe plot të tjerë.

Bashkë me ushtarët e Brigadave 131 dhe 134 të Grupit të Tretë Operativ të UÇK-së, në Koshare e gjejmë edhe njësitin special “Pitbull”, me ushtarë nga trevat e Llapit, sikurse edhe grupet “Apokalipsa”, apo dhe Forcat Komando “Delta”. Të plagosurve nga luftimet, u vinin në ndihmë ekipet mjekësore me Agron Jusufin – “Dokun”, si dhe Edmond Shabi, Time Kadrijaj, Ilirjana Hakaj, Afrim Sylejmani, Fazli Shala, Miftar Zeneli, Bajram Zeqiri, Ryve Loshaj, Mustafë Loxha, Sylë Bruqi, Armend Agolli, Zekë Zeka dhe Rrahman Shala. E këta janë vetëm disa mes shumë pjesëmarrësish të tjerë dhe mes mijëra historish të Betejës së Koshares, që vetëm historianët do të mund t’i përmbledhin në të ardhmen dhe t’i sintetizojnë në një rrëfim të madh dhe domosdoshëm për kombin tonë.

Gjatë luftimeve të Betejës së Koshares, përveç dëmeve të shumta në pajisje dhe logjistikë, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u shkaktuan shumë humbje në personel njësiteve ushtarake të Serbisë, duke i vrarë të paktën 108 prej tyre.

Kurse mes njësiteve paraushtarake që luftonin krah forcave serbe, u identifikuan edhe mercenarë nga Rusia.

Në anën tjetër, mes ushtarëve çlirimtarë të Kosovës, ranë dëshmorë 114 luftëtarë të UÇK-së, kurse u plagosën mbi 380 të tjerë. Rrasa e Koshares, Shkoza, Stanet e Pukajve, Gusha e Botushës, Maja e Gllavës, Vrojtoret dhe Oplazi u kthyen në vende flijimi ku ushtarët e UÇK-së u përjetësuan si dëshmorë.

Gjeografia e vendeve të origjinës së ushtarëve të UÇK-së që luftuan në Betejën e Koshares, shtrihet në pothuajse tërë Kosovën dhe tej saj në vise të banuara me shqiptarë në Ballkan. Dhe duke qenë se Beteja e Koshares bëhej në kuadër të një lufte për çlirimtare, për vlera universale, lirinë e popullit, si luftëtarë lirie asaj iu bashkuan edhe vullnetarë nga Evropa dhe jo vetëm, tre prej të cilëve edhe ranë dëshmorë: Murad Muhamed Ali nga Algjeria, Pallard Arnaud Piere nga Franca dhe Francesko Giuseppe Bider një italian hebre nga Italia, vëllain e të cilit sot e kemi këtu mes nesh. Apo sikur se edhe luftëtari nga Londra, që po ashtu është sot këtu John Harrison, si dhe dy luftëtarët suedezë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Pelle Christrop nga Malmo dhe Cim Sundin nga Stokholmi, që e kishin lënë vendin e tyre Suedinë për t’iu bashkuar luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Duke e shembur kufirin mes Jugosllavisë dhe Shqipërisë të vendosur padrejtësisht në vitin 1913, Beteja e Koshares e theu një pengesë të madhe ndarëse mes shqiptarëve dhe hapi kanale të rëndësishme ndërveprimi mes tyre, në luftën e drejtë për çlirimin e Kosovës nga Serbia pushtuese. Në historinë e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Çlirimtare e Kosovës është organizata ushtarake çlirimtare me historinë më të jashtëzakonshme dhe më mahnitëse. Historia e UÇK-së, është një koleksion i madh ngjarjesh dhe rrëfimesh për një ushtri vendase dhe kryengritëse që u ngjiz mbi disa grupe të armatosura dhe patriotike të cilat kryenin aksione guerile dhe që luftonin për ta ndalur gjenocidin e Serbisë, e për ta çliruar atdheun e tyre, Kosovën. Megjithëse një forcë ushtarake guerile me karakter çlirimtar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e përmbylli luftën e saj çlirimtare si një ushtri me mijëra luftëtarë vullnetarë dhe si një aleate e aleancës së madhe të NATO-s, në luftën e përbashkët për çlirimin e Kosovës, për humanitetin në botë, për shpëtimin e popullit, për lirinë e vendit.

Mirënjohje të thellë të gjithë luftëtarëve të paepur të Betejës së Koshares dhe lavdi dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të rënë në Koshare si dhe të gjithë dëshmorëve të kombit tonë mbarë.

Filed Under: Kronike

SINONIM  I  ETIKËS  HUMANITARE  INTUITËS  VIZONARE   DHE INTEGRITETIT

April 9, 2024 by s p

In   memoriam    të   Doc.  A. ARONIT

DR.  EDUARD  A.  SKUFI 

KONSULENT  OFTALMOLOG,  ATHINE   

Mozaiku  i  kujtimeve  si   “flashback”   ka   forcën   emocionale  të   mbeten  të  paharruara   dhe  të  motivojnë  në  cdo moment, vecanërisht  kur  kanë  si  sinonim  një  figurë  të  ndritur  si   ajo e profesorit, kolegut dhe mentorit Doc.A.Aronit. Këtë  reminishencë kujtimesh aq sfidante, mendova t’ja servir audiencës diasporike. Ajo  u inspirua  nga  momente  principale,   por  dhe  me  vlera  didaktike, animuar  nga bashkëpunimi me  Dr. A. Aronin  rreth   një  dekade. Eksperienca precioze që    përfitova prej  tij, më  stigmatizoi  dhe më inspiroi  gjatë  gjithë   karrierës. Mbase   mjeku   oftalmolog   nga më  të  kompletuarit, në të gjitha zhanret e subspecialiteteve oftalmologjike. Megjithatë kjo  figurë,  me  vlera  të  veçanta  humane  dhe akademike përmendet   formalisht  ose  mbetet  ‘e  harruar’.  Ky ‘grief ’  më  mundon  në   koshiencë ,  si  obligacion  moral  ndaj  emrit  të  tij.  Sepse disfigurimi apo “amputimi”  i   historisë   reale, sidomos në shkencë, nuk është vetëm  çështje  mentaliteti, por më tepër çështje  kulture  dhe civilizimi. 

Dr A.Aroni , foto ne spitaline Beratit 1980

   Dr. A. Aroni,  foto  nga  sesioni  shkencor.                                                                       Spitali  Berat , 1980

Këtu merr inspirim ky memorial respekti  dhe  mirënjohjeje   për  Doc . A. Aronin . Për  njeriun që fliste me  veprat  e   tij,  atë paradigmë që  kombinoi   filozofinë  e okulistikës   klasike   me   atë   moderne. Takimi direkt  me  Dr. Aronin ishte  në  vitin 1979, mes  një  paneli  në  klinikën  e Okulistikës, ku ndodhesha  për  specializim, në diskutimin  mbi  depistimin  e   të   metave   të  refraksionit dhe  ambliopisë tek fëmijët … “ Ndryshe një   plan teorik, ndryshe aktualiteti praktik. Prindërit i sjellin  fëmijët për ekzaminim kur ambliopia është instaluar plotësisht. Kjo nuk mvaret vetëm nga mjeku, por nga niveli i përgjithshëm   shëndetësor e  kultural ” , theksoi   Dr . Aroni. Aty  unë  pashë  një  Aron  tjetër të  trishtuar, melankolik,  me  buzëqeshje  të  vrarë  por   krenar, ndryshe nga  kontakti  i  parë që  kisha  nga  viti 72-73, kur  isha  student dhe doktori  drejtonte  kursin e  Okulistikës për grupin tonë dhe ku unë kisha  marr  impresionet  e  prezantimit.  Para  pak  vitesh   ishte   transferuar   si  okulist   në  spitalin  e  Beratit,   për  ‘mëkatin’ e  vetëm se kishte  bashkëshorten  polake. Ai  sakrifikoi  karrierën  akademike  për të  ruajtur   unitetin familjar,  duke  shprehur  karakter  dhe  etikë  të  veçantë… Në  Janar 1980,   kur   unë  fillova   profesionin   si   okulist  në   spitalin   e  Vlorës,  për   disa  raste me  diskordancë   diagnostike  klinike, duhej   një  mendim   i    tretë   kompetent   dhe këtë mendim  e  gjeta  tek  Dr.  Aroni. Kështu   sa  herë   më jepej mundësia, veçanërisht mbas shërbimit si mjek roje,   megjithëse i  lodhur dhe i  pagjumë , bashkë me të   sëmurët    ndodhesha   pranë  tij.   Konsultoja   dhe   operonim  së bashku,  në  një kualifikim atipik. Impenjimi shkencor nuk përbën    komoditet,  thoshte, por kredit   profesional. Nuk mund të harroj  një  rast të  komplikuar në Janarin e vitit 1984 . Një  vajzë  në  moshë  fëmijërore   pësoi    një   traumë     të     rëndë     okulare    në  njërin   sy   dhe mbas   disa   ditësh    ju shfaqën    simptomat  reaktive inflamatore në  syrin tjetër, patologji    që  identifikohet   si  ‘ oftalmia   simpatike ’. Kjo  u  komplikua  me   glaukomë   sekondare  agresive   dhe  u  shoqërua  me  humbje    të   shikimit.   Kështu    një   fëmijë   inocent, për  kapricio  të fatit  jetonte një  dramë  të  vërtetë . Nën   një   terapi   intensive ,   mbasi   prita  që  “ stormi  oftalmik “ të  qetësohej , ju  drejtova  Dr. Aronit. Mbas   konsultës  në   një  shikim   të   menduar  më  tha: “ Doktor  ke  të  drejtë, rast  mjaft i vështirë, për  më  tepër  në  një  sy të vetëm .  Interventi   kirurgjikal    mbetet   e  vetmja   zgjidhje. Një  minutë   ta   fotografojë,   kjo  ikonë  do  të mbetet  theksoi    ai,   duke     indikuar   karakterin     e    tij   akademik.  Dhe kështu  filluam  operacionin ,  preferuam  trabekulektominë   nën    mbrojtjen   e    antibiotikëve    dhe    kortizonit.  Interventi     përfundoi   me   sukses.    Shpresoj  që  apertura   e    krijuar  të  funksionojë , theksoi   Aroni. Këtë    rast  ‘ pikant  ‘    dhe    unik   duhet     ta   publikosh,  më   sugjeroi  duke  dalë nga  salla  për  në  holl ! …I  kam te gjalla  konsideratat e tija  mbas leksionit mbi “ retinopatinë  diabetike  dhe rolin e terapisë me laser “, mbajtur në Majin  vitit 1983 , nga shefja e klinikës oftalmologjike  të “ Hotel Dieu “ , Dr. D. Chauvaud.                    “ Doktoresha  mirë  i  thotë,  theksoi  ai ,  por mjeshtëri   është   ta   bësh   mjekësinë   efikase   në  çfarëdo   kushte  “ . … Një  ditë të  bukur  Qershori  1983, bashkë me një pacientin tim intelektual ,  të  cilin  e  mundonte  ptoza  palpebrale  në  njërin  sy,  vendosëm  të  marrim  mendimin  e  Dr. Aronit. Në  spital  u  përshëndeta   me  kryeinfermieren, që  më  drejtoi   në   dhomën  e  doktorit. Unë   u  futa,  por  ai  nuk  më  dëgjoi, i    zhytur    në    fantazinë   shkencore,  mbi  një   manual   të   fizikës    optike   aplikative.  Në   një    dorë  mbante   një   model    syri    artificial    dhe   në   dorën   tjetër  kalibrin   dhe   një   lente   kontakti.  Rreth   tij   mbi   tavolinë  ndodheshin   të    shpërndara    libra,   nga   literatura   e    Duke Elder,   J. Rosenthal,   M. Gerard   dhe    F. Beltrenena. Të   mbetej   impresioni   i  një  instituti   kërkimor   shkencor. Pas  pak   sikur   u   zgjua, m`u   drejtua   mua:  «  Doktor ,   pardon     nuk   të    dëgjova.  Përpiqem    këtu     në   mënyrë    artizanale    për  prodhimin     e    lenteve   tona     të   kontaktit.   Monotonia    e  rutinës    më    vret ».  Mandej    bisedova    për  rastin  me  ptozë,  e  vizituam   dhe  vendosëm   ta   operojmë… Të  lodhur   por     dhe   të    kënaqur    u   larguam     nga    spitali.  Duke   shëtitur    buzë   lumit të  Osumit  dhe  urës  së  Goricës, Dr. Aroni hoqi syzet  dhe  më tha: « Urat  janë  të  çuditshme,   bashkojnë   dhe  ndajnë, por  duhet  të  fokusosh   mbi   sensin   pozitiv … Dhe   mikpritja    është    si    një   urë    bashkimi,  shkojmë    nga  shtëpia    të   pimë    një    gotë    verë ». Kaluam  një  drekë  të  këndshme, në  një  dekor  klasik, nën tingujt    e  diskut  të   virtuozit   Shopen. Mandej   në   bisedë, theksoi  se  kishte kërkuar nga dikasteri  të hapet  një  qendër  për  prodhimin  e  lenteve  të   kontaktit  në  Durrës,  duke   më   propozuar  si  bashkëpunëtor. Unë  do   të  përpiqem   sa  të  mundem  për  rinovimin   në  Okulistikë, por   duke    ruajtur    integritetin   dhe    dinjitetin … Ai   vërtet     kishte    një   transparencë   të  veçantë   në   mendime,  por   jo   rrallë    të  duhesh   të   ishe   i  koncentruar   për   ta   ‘ përkthyer ‘ ,  pasi   ishte  lakonik  dhe   me  një  buzëqeshje    fliste   nën  kopertinë. … Me  insistimin   e  tij  më   inspiroi   të   aplikoja  për  herë  të  parë  goniotrepanacionin  me  kapak  skleral.  Ai   udhëhiqej    nga   principet    e   një    lideri    vizionar ,   që  promovonte   novacionin ,   ishte   ‘ pedant ’   dhe  nuk  bënte    favore … Në fund  të  janarit  1985, Vlora   e   mirëpriti    Dr.  Aronin   me  një  ditë  të   bukur ,  që   dimri   e  kishte   huazuar   nga  pranvera.  E    ftova    të  operojmë   së bashku,  në   audiencë     ishte   Dr.  Isufi . dhe  Dr.  Ll. Gjidede,  kirurgu   stomatolog    i    mirënjohur , i   cili    me    aparatin   e    tij  fotografik   “Praktica”  të  modifikuar , fotografonte  momente   nga  operacioni. Dr. Aroni operoi  një  rast me glaukomë  të avancuar, me  aplikim  trabekulektomine e E. Cairns , ndërsa unë   praktikova  operacionin   e   Prof. J. Fronimopoulos. Pas      interventit,   Dr. Aroni    duke   më   uruar,   më   sugjeroi    se   kjo   duhet   të  jetë  ‘ pivot ‘   për   disertacion . Ai  si  vizionar  shikonte  më  larg, shikonte  hapin   tjetër . Kur  dolëm   nga   salla  ishin  grumbulluar   mjaftë   njerëz  që  kishin   dëgjuar  për  ardhjen  e  Dr. Aronit  dhe  dëshironin   të  vizitoheshin. Gjatë konsultës  i fola për një  rast të pazakontë, tek  një  i ri  me  hemofili me hematomë  subretinale  spontane, që  mbas   konsultës   me   hematologun  dhe terapinë  e aplikuar,  ajo u absorbua, duke  evituar  ndërhyrjen  kirurgjikale. Je  i  çuditshëm  doktor, më tha , ruan  korelacionin logjik me  mjekësinë e përgjithshme  dhe  unë  nuk  e  ndaj  okulistikën  nga   patologjia.  Kur    drejtoja    klinikën      jua     theksoja    specializantëve.  U   larguam    nga    spitali    në  formë  shëtitjeje . Ishte  koha  t`i  ktheja ‘ revanshin profesorit ’ si  një  formë  falënderimi  në   «Belvedere».  Do  të ulemi  për  kafe,  tha  Aroni.  Kafe  me  ‘ bisht ‘,  ju  përgjigja   unë . “  Vlora    është    një   atraksion   magjik,  u  shpreh  Aroni  duke  soditur  peizazhin, mandej   biseda    kaloi   atje  ku ishte   pasioni.  Para   disa    ditësh   ndoqa     në     RAI   Uno ,   në    emisionin    Check-up,   intervistën  me   Prof.  M. Pannarale , i  pëshpërita   konfidencialisht . Ai duke buzëqeshur, mbasi  hoqi  syzet  vazhdoi: Me  mjeshtrin  e  retinës  Panarale  në  poliklinikën e  tij në  Romë, kemi  kaluar  bashkë  dy  javë  specializimi . Ishte   me   të   vërtetë   ‘ maitre ’  i  kirurgjisë  vitreoretinale. Më dhuroi  dhe një  komplet  kirurgjikal   me  vitreotomin  e  tij, por  nuk  di  ku  përfundoi…Maji   i   vitit  1989   më    gjeti   pranë   Dr.  Aronit  për  të   konsultuar  disa  ide   nga   projektdisertacioni im . Me   seriozitet     dhe    vëmendje   e   lexoi    dhe    më    bëri   sugjerimet  e  duhura  me  aftësitë  e  një   maestri.  Ai   ishte  model   i  perfeksionit   dhe  disiplinës, skolastik   në   detaje. Në  vazhdim    e  njoftova  se   në   25  Maj   do  të  shkoja  në  Athinë  me  ftesë  të Prof .J.  Fronimopoulos,  për  të   marr  pjesë   në  Kongresin   e  22  Panhellenik   dhe   Internacional   të   Oftalmologjise .  Ai  shprehu  kënaqësinë, duke  thënë: “ Me  të vërtetë  surprizë  e  bukur .  Me  aftësinë     tënde   hape   një   portë   të  madhe “.  Atë   ditë  qëndruam   gjatë. Dukej  i  lodhur,  por  i papërtuar . Ai  filozofinë  e  jetës   e  gjeti     tek   intensiteti   i punës.      Nuk   e   dija    që,   ajo    ditë    do   të  ishte  finalja    e  një   bashkëpunimi … 5  Tetori  i   vitit  1989   erdhi    stuhishëm , me  shi  e  erë   dhe   një  infarkt   miokardi   violent  e  drastik, i  vetmi    që   e   përkuli,  duke  e   larguar   nga   jeta.  Vdekja   ia  preu   ëndrrat   dhe  objektivat,   mendjemprehtit  dhe   duarartit,   këtij ” mjeshtri    artist “  okulist , të  universit  shkencor … Dr. Aroni   si  vizionar   kishte    objektiv ,    rinovimin    e   standardeve   të   okulistikës    dhe    për    këtë    u  përpoq   deri   në   epilogun   e     jetës   së    tij    ( duke    vazhduar  me   konsekuencë    veprimtarinë   e   tij    kërkimore    shkencore ). Ai   dallohej   dhe  për  faktin   se   gjatë  operacionit   demonstronte   elemente     të   ‘ inteligjencës    kinestetike ’.  Figura   dhe   kontributi  i  tij    i   çmuar  shkencor  dhe  intelektual,   si    trashëgimi    me    vlera,   përbëjnë     objekt     për    një    metanalizë    të   detajuar .  Duke u bërë  sinonim  i  etikës  humane, i   intuitës   vizionare  kreative, por  dhe liderit  dirigjent. Dr. A. Aroni do të mbetet  në kujtesë   jo vetëm  si figurë  elitare,  por  dhe   karakterin  e  tij  të  lartë   njerëzor, që   u  shpreh   me    zgjedhjen   e   “ versionit   dramatik   të   vet sakrifikimit  “,   për   të   ruajtur   të  pa  prekur ,   imazhin   romantik   të    një   “dashurie  që  vret “ ! Nuk  do   të  harroj  kurrë  frazën  domethënëse  të  këtij oftalmologu  të  standardeve  evropiane , lideri  harizmatik  dhe personaliteti  pluri dimensional:  “Koha  e  vendos  çdo  gjë    në  vendin  e   vet ,  secili  herët   ose  vonë ,  merr  atë   që  meriton “… Dhe  ai   u  vendos   dhe    mbeti     një     emër   në   mes    të   yjeve !  Ky  requiem, një  homazh, si shprehje   mirënjohjeje   dhe   estimimi, për  atë  mentor që u konvertua  në  idhull,  risjell  figurën   e   tij  në   aktualitet,  në   përvjetorin   e   35 të  largimit   të   tij  nga   jeta,    për  të   mbetur   mes   nesh,  me  një   buqetë  pansesh  dhuratë  e  pranverës!

Filed Under: Kronike

Rrëfimi i ambasadorit amerikan Hugh Grant që pa më sytë e tij pushtimin italian më 7 prill 1939 dhe një fakt tragjiko-komik: Shqipëria i shpalli luftë SHBA

April 7, 2024 by s p

Nga ROLAND QAFOKU/

Përshkrimi më afër reales për 7 prillin e vitit 1939 për mua është ai i ministrit amerikan në Tiranë, Hugh Gladney Grant. Diplomati që kishte më shumë se 3 vjet në këtë detyrë përshkrun me nota krejt ndryshe pushtimin e Shqipërisë nga Italia nga çfarë kemi mësuar qoftë nga historiografia shqiptare, ajo italiane por edhe me gjerë. Është një komunikim intesiv që Grant kishte me Departamentin e Shtetit ato ditë, të cilin unë e kam trajtuar gjerësisht në librin tim “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri 1922-2022”. Ja çfarë shkruante ai:

“Pararoja e ushtrisë italiane mbërriti në Tiranë të shtunën në mëngjes më 8 prill. Konti Cianno arriti me aeroplan prej Italie dhe nga një platformë e sapongritur iu drejtua popullit që ishte i pakët dhe dhëndri i Musolinit, për të impresionuar të pranishmit, filloi të duartrokiste vetë. Zonja Grant dhe unë në një qoshe të sheshit shikonim me kureshtje e mërzi komedinë makabre. ..Emisionet nga Roma që pretendojnë se ishte e nevojshme për italianët të ndërmerrnin veprimin në Shqipëri për të ruajtur rendin u pritën me zemërim nga shqiptarët me të cilët kam biseduar dhe midis shumicës së kolegëve të mi ato janë bërë qesharakë dhe subjekt talljeje. Nuk ka absolutisht asgjë të vërtetë në pohimin e italianëve sipas mendimit tim që bazohet në me se tre vjet vëzhgimi nga afër të dokeve dhe zakoneve të këtij populli. Shqipëria është pushtuar me ligësi nga ai që pretendonte se ishte mik dhe aleat i saj. Mbetet urrejtja e shqiptarëve për italianët”.

Dy ditë më parë, më 6 prill, në ambasadën amerikane në Tiranë kishte ndodhur edhe një ngjarje me shumë kuptim. Dhjetra të rinj më flamuj shqiptarë në duar kishin hyrë në oborrin e godinës duke thirrur: Rroftë Shqipëria! Rroftë Amerika! Rroftë liria jonë! Rroftë presidenti Roosevelt! Imagjinoni se si është ndjerë ministri Hugh Grant në ato momente. Ishte ky ministër ambasador që edhe pse Shqipëria u bë një shtet me Italinë duke suprimuar të gjitha institucionet dhe ambasadat nuk u largua nga Tirana. Ai qendroi në godinën e ambasadës amerikane deri më 1 shtator 1939, pra afër 5 mua pas pushtimit, ndërkohë që Departamenti i Shtetit ia ruajti vendin e punës përgjatë viteve të luftës dhe më pas edhe pse ambasada ishte bosh. Por ironia është se më 11 dhjetor 1941, qeveria e Verlacit i shpalli luftë SHBA-së. Po, po, e lexuat mirë. Shqipëria i shpalli luftë SHBA-së dhe kjo është futur në histori tashmë. Natyrisht ky vendim u mor nën ndikimin e autoriteteve italiane, sepse Italia dhe Gjermania i shpallën luftë SHBA-së. Teksa ndodhej në mërgim Ahmet Zogu i shkroi Franklin Roosevelt në të cilën shkruante se Shqipëria nuk ishte në luftë me SHBA dhe se kjo ishte bërë nga Italia. Sigurisht që SHBA e kuptonte mirë këtë. Madje e vetmja deklaratë e një personaliteti të huaj ditën e pushtimit të Shqipërisë ishte ajo e sekretarit Cordell Hull që në një konferendë për shtyp tha:

“Pushtimi me forcë dhe i dhunshëm i Shqipërisë është padyshim një kërcënim tjetër ndaj paqes në botë”.

E megjithatë, në letër ia paskemi treguar vendin SHBA-së. Ndoshta prej kësaj tradite, regjimi komunist ia tregonte herë pas here vendin këtij shteti. Ndoshta, vitet e fundit edhe disa antiamerikanë të ethshëm, këtu e kanë marrë frymëzimin. Për të qeshur dhe për të qarë.

Foto1: Hugh Gladney Grant, ministri i SHBA-së në Shqipëri (Personi me syze, rreshti i dytë lart, në qendër) me disa personalitete shqiptare të kohës gjatë një pritjeje në godinën e ambasadës.

Foto 2: Ushtarë italianë duke zbarkuar në Tiranë në aeroportin e asaj kohe që sot njihet si Fusha e Aviacionit.

Foto 3: Kavaleria italiane në Shqipëri.

Filed Under: Kronike

Glauk Konjufca bëri homazhe në Kompleksin Memorial në Rezallë

April 6, 2024 by s p

IMG_3773

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot në përvjetorin e 25-të të masakrës në Rezallë, bëri homazhe dhe vendosi kurora lulesh në Kompleksin Memorial ku prehen eshtrat e civilëve shqiptarë të vrarë e të masakruar nga forcat pushtuese serbe.

Duke rikujtuar 98 shqiptarët e ekzekutuar në këtë fshat, kryetari Konjufca tha se masakra e Rezallës është një ndër masakrat më të rënda dhe më mizore që ka ndodhur mbi popullatën civile të Kosovës.

“Gjaku i dëshmorëve të rënë qëndron në themelet e lirisë sonë, për të cilën duhet t’u përkulemi dëshmorëve, luftëtarëve, komandantëve që dhanë jetën, që fëmijët tanë të gëzojnë lirinë”, tha ndër të tjera i pari i Kuvendit.

Kryetari Konjufca theksoi se padrejtësia më e madhe është që kriminelët ende janë të lirë dhe të padënuar, ndërsa çlirimtarët e shtetit tonë janë vendosur padrejtësisht para gjykatës.

“Ende ne duhet të mbrojmë luftën e UÇK-së. Ende ky obligim nuk po kryhet, e që i bie se populli shqiptar ende ka punë deri sa të vuloset drejtësia dhe prijësit e UÇK-së të kthehen në mesin tonë”, theksoi kryetari i Kuvendit, duke shtuar se vlerat e UÇK-së duhen ruajtur, mbrojtur e kultivuar dhe si të tilla duhet vendosur gjithnjë në themelet e shtetit tonë.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 34
  • 35
  • 36
  • 37
  • 38
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT