
NJË FTESË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p

NJË FTESË PËR TË GJITHË SHQIPTARËT E AMERIKËS
by s p

Shaqir Salihu*
Lufta e Dytë Botërore hyri në vitin e tretë në vjeshtë 1941. Sunduesit autoritarë që kishin marrë pushtetin në Gjermani, Itali e Japoni po nënshtronin një nga një vendet e pavarura të Botës së Vjetër. Popujt po përjetonin tmerrin e konfliktit më të egër të historisë dhe në mbarë rruzullin qenë përhapur drithërimat për ekzistencën e qytetërimit njerëzor. Shtetet e Bashkuara ishin përpjekur të ruanin deri vonë neutralitetin. Por si vend demokratik, Amerika nuk e shihte me sy të mirë përhapjen e Fuqive të Boshtit dhe filloi të përkrahte kundërshtarët e tyre. Amerikanët, megjithatë, nuk ishin të gatshëm për luftë. Shtetet e Bashkuara nuk ishin këndellur ende mirë nga vuajtjet e “Depresionit të Madh”, krizës më të rëndë ekonomike në historinë e vendit. Ndërsa edhe kujtimet e Luftës së Parë Botërore i kishin shtyrë shumë amerikanë të urrenin konfliktin e armatosur dhe të besonin në paqe dhe dialog si rrugë për zgjidhjen e problemeve.
Mirëpo, siç thotë kolegu Dejvid Xharmul, duke përshkruar periudhën mes luftërave botërore, udhëheqësit autoritarë të asaj kohe, “ishin më fort të dëgjueshëm ndaj rraptimave të çizmeve të ushtarëve sesa ndaj fjalëve fisnike të paqes.” Lufta qe e pashmangshme, çfarë u vërtetua në mëngjesin e 7 dhjetorit, kur japonezët sulmuan territorin sovran të ShBA-së. Avionët luftarakë të shtetit aziatik zunë amerikanët të papërgatitur, duke sulmuar befasishëm bazën ushtarake në Përl-Harbor, në ishujt e Havait në Paqësor. Ngjarja tronditi publikun në tokën amë apo trevat kryesore të vendit në Amerikën Veriore. Ajo ditë, tha presidenti Franklin Delano Ruzvelt, është “datë që do të jetojë në turp”.
Kongresi i shpalli luftë Japonisë më 8 dhjetor, duke shënuar hyrjen e ShBA-së në Luftën e Dytë Botërore. Sakaq, vendi u gjend në një konflikt për të cilin nevojiteshin përgatitje të shumëfishta dhe të gjithanshme. Për dallim nga regjimet autoritare, Shtetet e Bashkuara nuk ishin përqendruar në ngritjen e kapaciteteve ushtarake. Por përveç armëve e municionit, amerikanët po përballeshin me sfida në shumë fusha të tjera. Ndërsa kishin hyrë në një luftë ku do të luftonin përkrah popujve të tjerë, ata panë nevojën edhe për të fuqizuar mjetet e informimit dhe komunikimin me botën e jashtme.
Në orvatjet e para drejt atij qëllimi, Zyra e Bashkërendimit të Informimit (Office of the Coordination of Information, COI), agjenci e administratës së presidentit Ruzvelt, u angazhua për themelimin e një transmetuesi publik të ShBA-së. Valët e radios mundësonin një platformë të volitshme për komunikim dhe shfrytëzimi i tyre qe bërë i patjetërsueshëm që prej fillimit të luftës. COI mblodhi mendje të shquara të kohës nga fusha të ndryshme — gazetari, gjuhësi, letërsi, diplomaci, art, teatër e inxhinieri — me qëllimin e vetëm për t’i sjellë publikut ndërkombëtar the Voice of America — Zërin e Amerikës.
Në atë periudhë, transmetimet në radio, përfshirë programet në gjuhë të huaja, ishin veprimtari e kompanive private në Shtetet e Bashkuara. Siç kujton gazetari Alan Hajll, qeveria amerikane i hyri kësaj pune shumë vonë. “Bashkimi Sovjetik,” shkruan ai, “kishte dy dekada përvojë; Britania, një dekadë; dhe Franca e Gjermania, gati një dekadë.” E vetmja përvojë në transmetime ndërkombëtare e amerikanëve kishte qenë në vitin 1940, kur ishin përgatitur disa programe radioje për Amerikën Latine. Por tani rrethanat dhe nevojat po shënonin një kthesë dhe amerikanët ishin gati të linin gjurmët e tyre në një punë të re.
Në shkurt 1942, Zëri i Amerikës filloi transmetimin me një program në gjuhën gjermane. Uilliam Harlan Hejll, “autor librash dhe moderator me përvojë që fliste gjermanishten me një çik theksi amerikan,” lexoi fjalët e para për dëgjuesit në kontinentit e vjetër: “Ju flet Zëri i Amerikës… Sot, e prej tani përditë, do t’ju flasim për Amerikën dhe luftën… Lajmet mund të jenë të mira ose të këqija për ne. Por ne do t’ju themi të vërtetën.”
Zëri i Amerikës kremton themelimin më 24 shkurt. Siç rikujton Alan Hajll, autor i një libri gjithëpërfshirës mbi Zërin e Amerikës, programi i parë u përgatit në atë datë por nuk arriti të transmetohej në Europë deri më 25 shkurt. Mirëpo fotografi Kris Kern, ish-punonjës i VOA-së, mendon se emisionet e radios duhet të kenë filluar shumë më herët, të paktën më 1 shkurt. Në këtë përfundim, Kerni arrin duke marrë për bazë skriptin më të hershëm që kemi në dispozicion për emisionin në gjuhën gjermane. Në atë dokument figuron data 3 shkurt dhe nga përmbajtja kuptohet mirë që nuk është emisioni i parë. Dokumente që vërtetojnë datën 1 shkurt nuk janë ruajtur. Por duke marrë për bazë skriptin e 3 shkurtit, në të cilin vërehet edhe numri romak III, autori Kern sugjeron se Zëri i Amerikës mund të ketë filluar transmetimet më herët qysh më datën 1 të muajit. Fillimin e emisioneve të radios ditën e parë të muajit e pranon edhe historia zyrtare e Zërit të Amerikës, që për më tepër thekson se programi i parë u transmetua “56 ditë pas sulmit japonez në Përl-Harbor dhe hyrjes së Shteteve të Bashkuara në LIIB.”
Cilado qoftë data e saktë, puna në vazhdim u intensifikua dhe shpejt nisën transmetimet edhe frëngjisht, italisht dhe anglisht në programe çerekorëshe. Zëri i Amerikës filloi të bënte bujë dalëngadalë dhe të krijonte risi me mënyrën e veçantë të transmetimit. Emisionet, posaçërisht programi Amerika thërret Europën, filluan të emetoheshin me zëra të ndryshëm: njëri folës lexonte lajmet kryesore e të tjerët lexonin citatet e hollësi, duke u dhuruar përmes fuqisë së zërit të tyre një ngjyrim më njerëzor ngjarjeve të zymta të asaj kohe. Një synim tjetër ishte edhe që Zëri i Amerikës të shkëputej nga tradita e transmetuesit britanik BBC, që jepte lajmet me vetëm një folës.
Ditët e para të Zërit të Amerikës nuk ishin aspak të lehta. Gazetarët, redaktorët, teknikët e inxhinierët po përgatisnin materialet në hapësirë të pamjaftueshme për punë në zyrat e ndërtesave që ishin marrë me qira në qytetin e Nju-Jorkut. Sa për ta rritur edhe më shumë tollovinë, për të gjithë institucionin ishin në gatishmëri fillimisht vetëm dy studio. S’kishin faj folësit që, siç rikujton Hejlli, duke hyrë e dalë shpejt e shpejt nga studiot t’i shkelnin këmbën njëri-tjetrit apo prej ngarkesës së punës të këmbenin dhe ndonjë fjalë të pakëndshme. Por ato nuk paraqitën pengesë që lajmet e Zërit të Amerikës të linin vragën e tyre anembanë dhe t’u sillnin shpresë popujve të pushtuar. Dëgjuesit nga Franca dërguan letër qysh në atë kohë, duke përshkruar me mirënjohje rolin e radios amerikane. “Me aq padurim i presim fjalët tuaja,” shkruan francezët, “dhe aq shpejt përhapen ato në mesin tonë.” Mbase po aq me ngut sa edhe përgatiteshin lajmet për transmetim nga brigjet perëndimore të Atlantikut.
Qeveria federale u përpoq të vërë në dukje sukseset e Zërit të Amerikës edhe përmes një hulumtimi më 1943. Siç shkruante revista Time, raporti qeveritar ishte vetëm një përmbledhje e njoftimeve të rastit. Por për kohën, ato mund të shërbenin si tregues i mirë për fuqinë e tejçuesit amerikan në Europën e kapluar nga lufta. Në Zvicrën e papushtuar, shtypi botonte reklama për programin e Zërit të Amerikës, kurse gazetat ilegale të Polonisë ishin përplot me lajme nga radioja amerikane. Aq më tepër, vetë transmetuesit gjermanë dhe italianë kishin filluar të kundërshtonin Zërin e Amerikës.
Një shkrim i po atij viti, ndërkaq, është tejet kritik ndaj radios amerikane. Duke përmendur si burim të dhëna zbulimi në Itali, revista Time thotë se disa dëgjues antifashistë nuk ishin të kënaqur me programet e Zërit të Amerikës. Për nga toni mund të dyshohet se artikulli paraqet vetëm ankesat, por jo dhe lëvdatat e italianëve, ndonëse përmenden hapa konkretë që amerikanët kanë ndërmarrë për të përmirësuar dhe zgjeruar rolin e radios së tyre. Në fakt, kritikat e mediave private përsëriteshin herahershëm dhe nuk duhet parë më shumë se një zhvillim i konkurrencës. Ishin gazetat amerikane ato që e bënë të madhe një koment jodiplomatik të Zërit të Amerikës, që quante Viktor Emanuelin III “mbret i vocërr e tutkun” (“moronic little king”), në një kohë kur ai po kalonte në anën e Aleatëve.
Mirëpo gjuha e ashpër në rastin e monarkut italian flet për pavarësinë që gëzonte Zëri i Amerikës. Komenti pati pasoja për disa prej drejtuesve të Zërit që u detyruan të largohen, por radioja vetëm sa intensifikoi përpjekjet e vazhdueshme në ndjekje të së vërtetës.
Zëri i Amerikës u ndodh në ballë të njoftimeve për zhvillimet e luftës, si në ditët e vështira por edhe gjatë kthesës së madhe. Në fakt, vetëm duke tejçuar pa hile të vërtetën, përkundër lajmeve të këqija për Aleatët, VOA ia doli të fitonte besimin e dëgjuesve, madje dhe armiqve të Amerikës. Në edicionet e lajmeve të asaj kohe, u njoftua për disfatat e Aleatëve në Paqësor dhe gjetkë, sikur për të përgatitur terrenin për lajmet e mira që do të vinin. Xhon Hauzmen, kreu i Zërit të Amerikës në atë kohë, shpjegoi më vonë se vetëm duke treguar të vërtetën “do të mund të fitonim namin për ndershmëri, që shpresonin të na shpaguhej në atë ditë të largët por të pashmangshme kur do të fillonim të transmetonim për pushtimet dhe fitoret tona.” Kjo me gjasë luajti rol edhe në fillimin e kthesës në rrjedhën e luftës, kur njoftimet e Zërit të Amerikës për zbarkimin e amerikanëve e britanikëve në Afrikën Veriore patën jehonë të vërtetë në Europë.
Vazhdimi i përpjekjeve të luftës ndikoi edhe në kushtet e punës së tejçuesit amerikan. Nga kthinat e vogla ku zuri fill transmetimi më 1942, Zëri i Amerikës u zgjerua në disa ndërtesa në Nju-Jork dhe hapi zyra edhe në Los-Anxheles për të shërbyer si urë komunikimi mes Shteteve të Bashkuara dhe botës, përfshirë dëgjuesit e programit në gjuhën shqipe. Më 30 prill 1944, amerikanët hapën një radiostacion të ri në Europë. Ndërsa në verën e atij viti, shërbimi në Amerikë arriti kulmin me 3 mijë punëtorë dhe me programe në 40 gjuhë, pa njehur dialektet.
Kur flitet për dialektet, ato patën rëndësi të veçantë edhe për anglishtfolësit. Britanikët, që dallohen nga amerikanët me të folurën e tyre, dhanë ndihmesë të pamohueshme në realizimin e programeve të Zërit të Amerikës. Transmetuesi britanik BBC, që shquhej për veprimtarinë e tij në Europë, vuri në dispozicion antenat dhe valët e veta dhe emitoi disa nga programet e para të VOA-së. Ndërkaq, për të këshilluar njomëzakët amerikanë, nga mediumi britanik u angazhuan edhe specialistë, të cilët lanë gjurmët e tyre të pamohueshme.
Përveç përvojave të tyre profesionale, britanikët sillnin edhe njohuri praktike që u mungonin amerikanëve. Në transmetimin e parë, për shembull, ata zbuluan se sigla muzikore që kishte përgatitur Zëri i Amerikës rastisi të kishte partiturë identike me një këngë ushtarake të nazistëve. Kështu që amerikanët flakën tej orkestrimin gjigant të asaj vepre dhe bënë gati për ngut siglën “Yankee Doodle” (Jenki Dudëll), që dëgjohet edhe sot në emetimet e VOA-së. Ndihmesa të tilla ndihmuan në krijimin dhe ruajtjen e identitetin të veçantë të tejçuesit amerikan.
Sidoqoftë, për Zërin e Amerikës kishte vështirësi edhe më të mëdha: Burokracia dhe mosmarrëveshjet mes të agjencive përgjegjëse për përpjekjet e luftës. Siç vë në dukje Hajlli, Zëri i Amerikës përjetoi jo vetëm Luftën e Dytë Botërore, por edhe përplasjet brendapërbrenda. Shpesh shtrohej pyetja: Kush ishte përgjegjës për Zërin e Amerikës? Deri atëherë kishte qenë Zyra e Bashkërendimit të Informimit, agjencia ombrellë e transmetuesit amerikan. Mirëpo më 1942, u krijua Zyra e Informimit e Luftës (Office of War Information, OWI), si dikaster qeveritar që përfshiu nën patronazhin e vet edhe Zërin e Amerikës. Kjo bartje e përgjegjësive mbi VOA-në nuk qe e para, ndërsa transmetuesi ndërkombëtar i ShBA-së do të kalonte më pas nën drejtimin e një varg organesh: Departamenti i Shtetit më 1945, Agjencia Amerikane e Informimit (U.S. Information Agency, USIA) më 1953 dhe nga viti 1999 Bordi i Guvernatorëve të Transmetimeve (Broadcasting Board of Governors, BBG). Ndryshimet burokratike pasqyrojnë reformat e vazhdueshme për të përkufizuar dhe përmirësuar rolin e Zërit të Amerikës, por edhe përpjekjet për ta mbajtur gjallë vetë institucionin në mes kritikash dhe konkurrencës për fonde nga qeveria amerikane.
* * *
I nisur me qëllim të caktuar më 1942, tejçuesi ndërkombëtar i Shteteve të Bashkuara nuk e kishte fatin e qartë pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Me ngadhënjimin e Aleatëve më 1945, shumë punonjës mendonin se misioni i Zërit të Amerikës kishte sosur dhe se emetimet do të merrnin fund, siç qe paraparë, me mbarimin e vitit. Mirëpo, në rrethanat e reja të pasluftës, një komision që vlerësoi punën e radios sugjeroi se ajo mund të luante një rol të ri në portretizimin e shoqërisë amerikane në botën e jashtme.
Kundërshtimi i gazetave amerikane të asaj kohe ishte tejet i rreptë. Po ashtu, vendimmarrësit i druheshin shpenzimit të parasë publike për mjetet e njoftimit, çka çoi në ndalimin e transmetimeve brenda ShBA-së. Udhëheqësit amerikanë nuk donin në asnjë mënyrë të ndikonin në mendimin e qytetarëve të vet, duke cekur se po këtë kishte bërë Adolf Hitleri me mjetet e propagandës gjermane. Mospajtimet shpreheshin edhe pas gjitha provave që radioja e jashtme kishte dhënë në shërbim të vërtetës — duke transmetuar lajmet e hidhura për Shtetet e Bashkuara dhe Aleatët — ndonëse në një kohë kur akoma s’ishin përcaktuar parimet për gazetari të paanshme, që njihen sot si Karta e Zërit të Amerikës.
Opozita, megjithatë, nuk e ndaloi punën e radios si mjet informimi për publikun ndërkombëtar. Zëri i Amerikës mbeti gjallë dhe nisi një rrugëtim të ri, ndërkohë që po zinte fill konkurrenca e fuqishme e njohur si Lufta e Ftohtë mes dy sipërfuqive, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik. Në këtë periudhë, u hap edhe shërbimi rus i VOA-së, për t’iu kundërvënë gjuhës së ashpër së përdorur nga Radio Moska.
Në të vërtetë, siç kujtojnë historianët, edhe amerikanët filluan të bien pre e kumtimeve të rrepta në vend se të ruanin qetësinë, që për të shumtën e kohës ka qenë në thelbin e programeve të Zërit të Amerikës. Por për disa nga aktorët e asaj kohe, radioja amerikane nuk po bënte aq sa duhej në luftimin e komunizmit. Ndër kundërshtarët më të rrezikshëm ishte senatori amerikan nga shteti Uiskonsin, Xhozef R. MekKarti. Në vitet 1950, senatori MekKarti kishte filluar një fushatë për damkosjen e elementëve komunistë. Shumë figura publike, ndonëse ishin njëmend të pafajshëm, u poshtëruan gjatë seancave dëgjimore që i drejtonte MekKarti dhe u ndëshkuan me shkatërrimin e karrierës së tyre. Një fat të tillë për pak sa nuk e përjetoi edhe Zëri i Amerikës, shumë punonjës të së cilit u akuzuan për butësi ndaj lëvizjeve komuniste në Amerikën Latine e gjetiu. Përfaqësuesit e radios, të cilët argumentuan para panelit të ligjvënësve se Zëri i Amerikës i shërbente demokracisë, arritën të shmangnin mbylljen e institucionit të tyre. Mirëpo dëgjesat e MekKartit dëmtuan transmetuesin amerikan, duke çuar në dorëheqjen e shumë zyrtarëve të lartë të VOA-së dhe duke vështirësuar punën e mëtutjeshme. Përpjekjet për të siguruar fonde u bënë më të zorshme, ndërkohë që u zbeh përkrahja e vendimmarrësve në qeverinë amerikane.
Më 1 gusht 1953, u vendos riorganizimi i Zërit të Amerikës nën një organ të pavarur federal, Agjencia Amerikane e Informimit, dhe që zyrat e institucionit të zhvendoseshin në Uashington DC. Bartja në kryeqytetin amerikan mund të krijojë përshtypjen se radioja e jashtme tani do të ishte më fort e kontrolluar nga qeveria. Mirëpo, vitet pasuese në realitet shënuan një kthesë të re për Zërin e Amerikës. Si burim i rëndësishëm njoftimesh, tejçuesi ndërkombëtar i ShBA-së u përpoq çdo herë e më shumë për të zhvilluar gazetari të paanshme. Më 1959, gjatë presidencës së Duajt Ajzenhauerit, u përcaktuan parimet themelore të njohura si Karta e Zërit të Amerikës. Këto kritere u nënshkruan në ligj më 1976 nga kryetari Xherald Ford, dhe vazhdojnë edhe sot të orientojnë punën e mediumit amerikan, duke përcaktuar se:
1. Zëri i Amerikës do të shërbejë rregullisht si burim i besueshëm dhe autoritativ i lajmeve. Lajmet e Zërit të Amerikës do të jenë të sakta, objektive dhe gjithëpërfshirëse.
2. Zëri i Amerikës do të përfaqësojë Amerikën, jo vetëm një segment të shoqërisë amerikane, dhe do të paraqesë asisoj një pasqyrim të baraspeshuar dhe gjithëpërfshirës të mendimit dhe institucioneve të rëndësishme amerikane.
3. Zëri i Amerikës do të paraqesë politikat e Shteteve të Bashkuara qartë dhe efektshëm, si dhe do të paraqesë diskutime dhe mendime të përgjegjshme mbi ato politika.
Në mbështetje të këtyre parimeve është ndërtuar edhe kodi i gazetarisë, që zbërthen në hollësi elementet e nevojshme për njoftime të paanshme dhe cilësore. Për këtë qëllim, kodi u kërkon gazetarëve të VOA-së të konsultojnë të paktën dy burime të ndryshme informacioni, të paraqesin të dy anët e një çështjeje konfliktuale dhe të njoftojnë me gjithëpërfshirje për ngjarjet që mbulojnë.
Duke u thirrur në parimet e veta, Zëri i Amerikës njoftoi publikun botëror për ngjarje historike dhe zhvillime të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Më 1963, Zëri i Amerikës transmetoi drejtpërdrejt fjalimin “I Have a Dream” të dr. Martin Luter Kingut, udhëheqësi i lëvizjes për të drejtat qytetare në SHBA. 450 milionë njerëz, sipas historisë zyrtare, vlerësohet të kenë dëgjuar nga Zëri i Amerikës përshëndetjen e astronautit Nill Armstrong më 1969, kur ai u bë njeriu i parë që po zbriste në Hënë.
Njëherësh, Zëri i Amerikës punonte që përmes radios të nxiste edhe demokracinë në botë dhe t’u sillte shpresë popujve të shtypur. Sesa ndikim pati me të vërtetë Zëri i Amerikës nuk u zbulua deri pas rënies së Perdes së Hekurt dhe përfundimit të Luftës së Ftohtë. Qeveritë autoritare vazhdojnë edhe sot të pengojnë sinjalet e radios, në përpjekje për të censuruar lajmet që merr popullata. Në vitet 1950, pengesat sovjetike ishin 70 deri në 80 për qind të suksesshme, çfarë çoi në ngritjen e antenave të reja për transmetim. Pengesa të tilla vijojnë në shkallë e me sukses të ndryshëm, por asnjëherë nuk kanë zbehur angazhimin e Zërit të Amerikës, në mos t’i kenë cytur zgjerimin dhe risitë.
Ndonëse radioja mbetet akoma mënyra më e efektshme për të transmetuar në vende që censurojnë komunikimin, Zëri i Amerikës ka zgjeruar veprimtarinë edhe me përdorimin e mjeteve të reja. Në vitet 80, u investuan rreth 1,3 miliardë dollarë për modernizimin teknologjik dhe programor. Gjatë asaj periudhe filluan transmetimet e para televizive, kurse një dekadë më vonë u hap faqja e internetit, VOANews.com. Më 1994, Zëri i Amerikës u bë mediumi i parë që ofronte rregullisht lajme në shumë gjuhë të botës në rrjetin kibernetik, përfshirë gjuhën shqipe. Por emetimet televizive në shqip nuk filluan deri më 9 nëntor 1999, kur nisi emisioni televiziv Ditari.
Programi informativ gjysmorësh u inaugurua ndërkohë që Zëri i Amerikës po luante një rol gjithherë e më të rëndësishëm në rajon. Në fillimvitet ‘90, shërbimi në gjuhën shqipe kishte qenë burim kyç i njoftimeve gjatë përpjekjeve popullore që çuan në rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Ndërkaq, gjatë luftës në Kosovë, shërbimi shqiptar zgjeroi programin për të ofruar veç lajmeve e informacioneve edhe mundësi komunikimi për të prekurit nga konflikti që kërkonin të afërmit e tyre. Dhe ndërkohë që udhëheqja e Zërit të Amerikës i ndau mirënjohje të veçantë punonjësve shqiptarë për punën gjatë krizës në Kosovë, shërbimi po kryente përgatitjet për të sjellë para shikuesve programin Ditari.
Zëri i Amerikës kaloi nga lufta në luftë. Punoi gjatë Luftës së Dytë Botërore, Luftës së Ftohtë, Luftës së Kosovës dhe konflikteve të tjera ndër dekada. Por njëherësh ka zhvilluar edhe luftën profesionale për punë sa më të efektshme si medium i lajmeve. Shërbimi shqiptar është një seksion i rëndësishëm që, brenda rrethanave dhe vështirësive të posaçme, ka luajtur dhe vazhdon të luajë rolin e vet në atë drejtim.
*Marrë nga libri i autorit: “Rrëfime Lirie”
by s p



Rafaela Prifti/
Shfaqja e filmit dokumentar Mirënjohje për historianin e njohur britanik Sir Noel Malcolm në Konsullatën e Kosovës në Nju Jork më solli në kujtesë takimin njëzet e pesë vjet më parë me autorin e librit Kosova – Një histori e shkurtër. I nderuar me titullin fisnik Sir në vitin 2014 për kontributin e tij në fushën e studimeve, gazetarisë dhe historisë evropiane, ai është autor i dhjetëra monografive dhe botimeve shkencore. Në sajë të horizontit të gjerë akademik dhe njohjes së shumë gjuhëve të rajonit të Ballkanit, Malcolm ka punuar si gazetar dhe pastaj kolumnist për çështje politike në Daily Telegraph gjatë viteve ’80. Është diplomuar nga Cambridge University, ku nisi edhe karrierën e tij akademike. Sir Noel Malcolm është bashkëpunëtor i vjetër shkencor në All Souls College në Oksford (Oxford University) nga viti 2002.
Në sferën akademike emri i tij njihet si studiues i historisë së hershme të mendimit veçanërisht filozofisë së Thomas Hobbes (1588-1679) si edhe i marrëdhënieve midis Evropës Perëndimore dhe botës islamike në fillimet e periudhës moderne, por Malcolm hyri në botën e shqiptarëve dhe në bibliotekat e tyre me botimin e librit “Kosova: Një histori e shkurtër” nga New York University Press, 1998.
Ishte një botim me peshë të padiskutueshme si nga ana e përmbajtjes ashtu edhe e kohës së publikimit. Qartësimi i fakteve dhe të vërtetës historike të Kosovës përballë vorbullës me shkrime të pretendimeve serbe dhe shtrembërimeve pa baza të akademikëve filo serbë kishte veçanërisht rëndësi në vitin 1998 sepse i parapriu fillimit të luftës në Kosovë dhe, çka ishte vendimtare, rolit të faktorit ndërkombëtar në një kohë shumë kritike. Si rrallëkush, Malcolm gëzonte respektin e politikanëve, kishte aftësitë akademike dhe busullën personale për të sjellë historinë e Kosovës të ndarë nga mitet të cilat ishin kultivuar për shumë vite nga shërbëtorë të politikës.
Tema e ndikimit të një libri dhe në përgjithësi një studimi në politikë mund të diskutohet nga shumë pikëpamje por është e qartë se dëmi i prurjeve nga historianë sharlatanë dhe në shërbim të politikës së ditës përbën një sfidë të vazhdueshme. Edhe sot diplomacia botërore formulohet nga interesat imediate, në pjesën më të madhe, dhe ndikohet nga pretendimet politike të ndërtuara mbi të ashtuquajturat arsyetime historike, prej nga bëhet edhe më i rëndësishëm verifikimi i tyre i drejtë, në shembullin e studimit të Kosovës nga hulumtuesi britanik.
Si sot 25 vjet më parë, në 14 maj 1999, Noel Malcolm ishte në Nju Jork për prezantimin e librit të tij për Kosovën. Në takimin te Bruno Restaurant në Manhattan, babai im Naum Prifti, motra Julika biseduan me “një mik të ri” për historinë e shqiptarëve dhe qeshën me faktin se, nga ata, i vetmi që kishte qenë në Kosovë në atë kohë ishte Malcolm. Babai dhe motra erdhën për herë të parë në Kosovë në vitin 2002.
Shfaqja e dokumentarit përcjell jehonën e kohës kur u botua libri për Kosovën por tashmë në rrethana të tjera. Historiani Malcolm mban qëndrim kritik ndaj përfaqësuesve të Bashkimit Evropian për sa i takon kushtëzimit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Një lojë e përsëritur e faktorit ndërkombëtar dhe kalkulimeve politike që luhaten nën trysninë serbe duke dhënë koncesione në kurriz të të vërtetave historike dhe Kosovës.
by s p

Në vendet me kulturë demokratike përkujtimi i ngjarjeve historike si në nivel lokal e ate kombëtar, paraqet moment reflektimi për qytetarët e mjedisit përkatës ku kontributin e tyre e japin individët, shoqëria civile e sidomos institucionet përkatëse lokale apo ato shtetërore, ndërsa përjashtim bëjnë vendet e pakonsoliduara të cilat nuk janë të përkushtuara ndaj ngjarjeve të tilla ku si rast tipik kemi mos shënimin e 79-vjetorit të Masakrës së Tivarit(1 prill 1945), nga institucionet qeveritare te Shqipërisë dhe te Kosovës si dhe nga mediat, veprim i cili nuk mund të arsyetohet me asgjë!
Nail Draga
Sa herë vjen pranvera e sidomos data 1 prill te shqiptarët, paraqet moment të veçantë emocional, sepse në këtë datë në vitin 1945, në Monopolin e Duhanit në Tivar ndodhi Masakra e Tivarit, ku janë vra disa qindra shqiptarë nga Kosova, të cilët ishin mobilizuar nga Kosova, për të marrë pjesë në operacionet luftarake kundër nazisteve gjerman në perëndim të ish-Jugosllavisë. Ishte ky një mashtrim politik nga udhëheqesit jugosllav të cilët nga data 8 shkurt 1945 në Kosovë kishin vendosur administrimin ushtarak dhe si qellim kishin të spastronin Kosovën nga shqiptarët të cilët mund të mobilizoheshin në luftë kundër tyre. Dhe nga mobilizimi i eshalonit të dytë i cili ka numruar 4700 vetë, me datën 26 mars ka udhëtuar nga Prizreni-Kukësi-Vau i Dejës-Shkodër e deri në Tivar me datën 31 mars. Në këtë rrugëtim shqiptarët ishin të pa armatosur, iu ngjasonin robërve të luftës, janë përcjellur me roje nga sllavët ndërsa duke ecur këmbë gjatë rrugës janë maltretuar, rrahur e vrarë, ku finalja ndodhi me 1 prill 1945, pas një incidenti të ndodhur i vendosin në Monopolin e Duhanit në Tivar. Në këtë masakër kanë marrë pjesë trupat e rregullta ushtarake të Brigadës së Dhjetë Malazeze të cilët kanë gjuajtur me të gjitha mjetet luftarake, ku kanë gjetur vdekjen qindra shqiptarë. Në lidhje me numrin e të vrarëve është dëshmuar se minimalisht kanë humbur jetën 1560 vetë e ai numër mund të jetë më i lartë qe arrinë deri në 3764 persona. Një konstatim i tilllë e japin burimet e ndryshme të botuara për opinionin pas vitit 1990 dhe dëshmitarët okularë të cilët kanë pasur fatin të mbesin gjallë.
Foto: Pjesëmarrësit e Konferencës shkencore, të Monopoli i Duhanit në Tivar (31.3.2013)
Konferenca e parë shkencore
Për këtë tragjedi në kohën e monizmit nuk është guxuar të flitet as të shkruhet se pasojat ishin të mëdha. Çdo informatë ishte në heshtje, sepse politika komuniste e kohës si mision kishte eliminimin e krimeve duke mos i publikuar ato, por e vërteta nuk ka mundur të heshtet. Vetëm pas rënies së monizmit, të mbijetuarit por edhe disa studiues kanë filluar të shkruajnë artikuj e botime të veçanta, e po ashtu janë përgatitur edhe emisione televizive.
Në lidhje me ketë ngjarje tragjike Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi, në Ulqin, më 30-31mars të vitit 2013, ka organizuar Konferencën shkencore ”Masakra e Tivarit-1945”, me pjesëmarrje të studiuesve nga Kosova, Shqipëria e Mali i Zi. Pas prezantimit të kumtesave për këtë ngjarje(të cilat ende nuk janë botuar) pjesëmarrësit më pas kanë shkuar e vizituar vendin e krimit të Monopoli i Duhanit(31 mars). Ishte ky takimi i parë nga përfaqësuesit e një subjekti të shqiptarëve ku kanë marrë pjesë edhe ish të mbijetuar e kësaj masakre nga Kosova, duke dëshmuar në mënyrë autentike përjetimet e kësaj tragjedie.
Memoriali-monument i kujtesës
Pasi në lidhje me këtë masakër, nuk ka asnjë të dhënë në vendin e ngjarjës, duhet bërë çmos që në ketë vend të ngrihet një memorial i shkruar ne tre gjuhë kushtuar kësaj ngjarje tragjike. Një memorial i tillë duhet të jetë monument i kujtesës, për të kaluarën, tashmën dhe të ardhmën për të njohtuar opinionin e gjërë mbi ketë masakër që ka ndodhur në qytetin e Tivarit. Në rrethana të reja kur tash Kosova është shtet i pavarur i takon qeverisë së saj të inicojë një çështje të tillë me pushtetin në Malin e Zi. Ngjarja tragjike e vitit 1945 nuk mund ta ngarkojë me përgjegjësi pushtetin aktual në Mal të Zi, por angazhimi ne drejtim të ndriçimit të kësaj masakre dhe të ballafaqimit më të shkuarën sepse edhe pas 79 viteve nuk ka të dhëna ne lidhje me varret e viktimave të kësaj maskre.
Në rrethana të reja shoqërore historia duhet të rishkruhet dhe të thuhet e vërteta për këtë tragjedi, duke eliminuar qasjen ideologjike qe janë te pranishme edhe në ditët tona. Në këtë aspekt është obligim profesional të hulumtohen arkivat sekrete të UDB-ës jugosllave, për të hequr hipotekat nga e kaluara ideologjike, që do të jetë në favor të faktografisë shkencore si kudo në botën demokratike.
Botim me rastin e 75-vjetorit
Me rastin e 75-vjetorit të Masakrës së Tivarit(2020), autori i këtij shkrimi duke parë mos angazhimin e institucioneve si në Kosovë e Shqipëri, për të shënuar këtë jubile, me ndonjë sesion shkencor apo botim të veçantë, ka botuar librin “Masakra e Tivarit-gjenocid kundër shqiptarëve”, që paraqet një përmbledhje të artikujve nga autor të ndryshëm për këtë masakër e cila ndodhi në vendin ku nuk kishte operacione luftarake, sepse të tillat këtu kishin përfunduar nga fundi i nëntorit 1944. Ishte ky një kontribut modest për të shënuar dhe përkujtuar opinionin për këtë masakër kundër shqiptarëve të Kosovës, ku përgjegjësi përveç pushtetit jugosllav mban edhe pushteti i kohës në Shqipëri.
Leksion për shkollat fillore dhe të mesme
Nëse deri në viotin 1990, nëkohën e monizmit si në shqipëri dhe ish Jugosllavi përkujtimi i kësaj ngjarje tragjike kundër shqiptarëve ishte e ndaluar dhe me pasoja, pas këtij viti me miratimin e pluralizmit heshtja apo anashkalimi i Masakrës së Tivarit, nuk mund të arsyetohet më asgjë. Ajo duhet të jetë leksion i veçantë në tekstin shkollor në lëndën e histiorisë si për shkollat fillore dhe të mesme, duke qenë mesazh për kohën tonë dhe të ardhmën, për të kuptuar sfidat dhe mbijetesën e shqiptarëve në hapësirën e tyre etnogjeografike. Nëse ne kohën e monizmit për shkaqe jo vetëm ideologjike kjo masakër nuk është theksuar në tekstet shkollore tash në pluralizëm është obligim profesional, për të kuptuar krimet e pushtetit jugosllav kundër shqiptarëve! Sepse nxënësve duhet t`iu shpjegohet e vërteta, pa paragjykime, ku shkolla përkatësisht arsimi ka një mision të tillë.
Viti i ardhshëm është 80-vjetori i masakrës
Dhe në fund mbetet të shpresojmë se në vitin e ardhshëm ku do të jetë 80-vjetori i kësaj ngjarje tragjike institucionet qeveritare e ato shkencore si në Kosovë e Shqipëri do të angazhohen për shënimin e këtij përvjetori me ndonjë konferencë shkencore që do të ishte si homazh për të gjitha viktimat e kësaj masakre. Çdo hezitim në këtë drejtim nuk mund të arsyetohet me asgjë, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët!
(Maj 2024)
by s p

Dr. Lulzim Nika/
Në Tropojë, me liderin historik Ali Ahmeti dhe kryeministrin e parë shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetarin e komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovcin.
Tropoja e Tahir Sinanit, mblodhi shqiptarët nga të gjitha trojet shqiptare, ashtu siç ishte jeta, vepra dhe amaneti i Tahirit, gjithnjë në shërbim të atdheut dhe për Bashkim Kombëtar.
Tahir Sinani, që nga sot do të jetë i vendosur në statujë, për ta kujtuar ndër breza, veprën e lavdishme dhe krenare të tij dhe bashkëluftëtarëve të UÇK-së.
Ai u kthye në vendlindjen e tij, për të jetuar përgjithmonë e gjallë vepra e tij e lavdishme, bashkë me veprimtarinë e tij atdhetare për të bërë Shqipërinë Etnike, ashtu siç e ka falur Zoti.
Qyteti i Bajrami Currit dhe Tropoja krenare, po e kthen birin e vet, aty ku e ka vendin, në përjetësi, ashtu siç e meriton veprimtaria dhe guximi i birit besnik të idealeve të Shqipërisë Etnike.
Vështirë është të flitet për virtytet, trimërinë dhe meritat e luftëtarëve të palodhshëm të luftës së UÇK-së, të prirë nga Adem Jashari, duke marrë parasysh rëndësinë dhe peshën e madhe të kësaj lufte, Tahiri iu bashkua dhe i mbetet besnik idealeve të lirisë së trojeve shqiptare, që u dëmtuan dhe u copëtuan nga vendimet e padrejta të konferencave ndërkombëtare.
Ai e donte lirinë e trojeve shqiptare, me përkushtim dhe flijues, njëkohësisht. Shqipëria Etnike për të ishte një gjeografi e bukur dhe një histori e lavdishme, por lavdia e saj ishte rëndë e cenuar, sepse Kosova ishte e pushtuar dhe e shtypur. Për ta shpëtuar dhe për ta bërë të denjë, për të duhej luftuar për lirinë dhe pavarësinë e saj.
Lavdi Tahiri Sinanit!
Lavdi gjithë të rënëve për lirinë e Shqipërisë Etnike!