

Arbëreshët e Italisë – Takimi i madh i Tiranës.
Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
by s p


Arbëreshët e Italisë – Takimi i madh i Tiranës.
by s p

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar veprën “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në
mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, të punonjësit të vetë shkencor, prof. ass. dr. Sejdi Gashit.
Sipas autorit të këtij studimi “zhvillimi i shpejtë i medieve dhe i teknologjive të reja të komunikimit, gjatë viteve të fundit, ka ndikuar fuqishëm në gjuhë. Por, ndryshime në gjuhë kanë sjellë edhe mediet tradicionale, si shtypi i shkruar, radioja dhe veçanërisht televizioni”. Dr. Gashi sqaron se” studimi “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë” synon të analizojë gjuhën e medieve, duke u fokusuar më së shumti te terminologjia, pra vështruar sipas një qasjeje sociolinguistike”. Ndërkaq, prof. asoc. dr. Naim Berisha-punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, që është njëri nga recensentët e këtij botimi, shprehet se “libri i ri i autorit, prof. ass. dr. Sejdi Gashit, me titull “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, sjell para nesh një kontribut të vyer nga fusha e gjuhësisë, duke trajtuar dhe hedhur dritë mbi shumë çështje aktuale dhe tematika me interes, sidomos në kontekstin e medieve”. Sipas prof. Berishës ”ky libër pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në botën tonë akademike, duke na sjell diçka të re që deri më sot nuk del e plotë në studimet tona për këtë fushë”. Edhe recensenti tjetër i këtij botimi, prof. Viktor Bakillari (studiues i gjuhës shqipe, leksikograf dhe përkthyes nga Tirana) e ka vlerësuar lart studimin e dr. Sejdi Gashit, me ç’ rast, mes tjerash ai shprehet: ”sot, në kohën e globalizmit e të trysnisë së shfrenuar të rrafshimit të kulturave dhe të anglishtëzimit të të gjitha gjuhëve e të gëlltitjes së të ashtuquajturave gjuhë të vogla (nënkupto asimilimit të tyre), krahas brezit të dekanëve të gjuhës, kemi edhe një plejadë studiuesish të rinj, të mbrujtur me vetëdije të epërme kombëtare dhe me dije të thella shkencore midis të cilëve është edhe dr. Sejdi Gashi, punonjës shkencor në Degën e Gjuhësisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës”. Recensenti Bakillari në lidhje me librin nënvizon faktin se “autori, larg së qeni purist, mban një qëndrim koherent nga nisja deri në përfundim të këtij studimi, duke goditur shpërdorimet që i bëhen gjuhës në medie”. Ai shton se “për autorin Gashi, gjuha shqipe është përbërësi kryesor i identitetit kombëtar shqiptar. Profesori nga Tirana vlerëson se “ky punim është i domosdoshëm për terminologët, për studentët që mbrojnë tema masteri dhe doktorate në lëmin e terminologjisë, si edhe për mediet e shkruara dhe ato pamore”.
Libri shkencor “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, ka hyrjen dhe përfundimin edhe në gjuhën angleze. Ky është libri i gjashtë shkencor i dr. Sejdi Gashit.
by s p




Prof.Muhamed Mufaku/
Familja Arslan është prej familjeve më rrënjë në Liban për shumë shekuj. Prej saj dolën shumë figura në historinë e re të Libanit e deri më sot. Njëri prej tyre ishte Emin Arslan që ishte figurë e njohur në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX në sajë të rrethanave të kohës.
Pashko Vasa e Ismail Qemali në Liban
Emin Arslan u lind më 13 korrik të vitit 1868 në qytezën Shuajfat, pra vetëm shtatë vjet pasi që Mali i Libanit u bë një njësi administrative me autonomi të gjerë, e lidhur drejtpërdrejt me kryeministrinë në Stamboll. Kreu mësimet në vendlindje kurse studimet për drejtësi në Universitetin e Bejrutit, i cili u bë qendër e vilajetit të ri më 1888. Siç tregon në “Kujtimet” e tij, botuar më 1934 në Buenos Aires, në moshën 21-vjeçare u emërua drejtor qarkut al-Garb, përkatësisht më 1890, në kohën kur Pashko Vasa ishte Guvernator i Malit të Libanit me seli në Baabda (15 kilometra nga Bejruti), kurse më 1891 erdhi Ismail Qemali si vali i Bejrutit.
Pashko Vasa e mori këtë post më 1883, ku tregoi interesim për zhvillimin e vendit duke ndërtuar shumë rrugë dhe ndërtesa publike, për çka iu vazhdua edhe një mandat më 1888.
Në krahasim me mandatin e parë, Pashko Vasa ra nga shëndeti në mandatin e dytë dhe u paraqit dhëndri i tij, armeni Kolopian, si dora e tij e djathtë. Mirëpo, Kolopiani e shfrytëzoi pozitën e tij për t’u pasuruar duke kërkuar ryshfet për çdo shërbim deri kur vdiq Pashko Vasa më 29 qershor 1892, pra para mbarimit të mandatit të tij. Në Kujtimet e tij, Emin Arslan citon një fjalë të Koplianit që arsyetonte sjelljen e tij: “Kur erdhëm në Liban, libanezët na u përkulëm e ne hipëm mbi shpina të tyre” (fq. 60).
Ndërkohë, Emin Arslan u lidh me Ismail Qemalin kur erdhi në krye të Vilajetit të Bejrutit më 1891. Arslani ishte prej gjeneratës së re me arsim universitar dhe me orientim demokratik që kërkonte kthimin e sistemit kushtetues në Perandorinë Osmane, pasi që sulltani i ri Abdulhamidi II e suspendoi kushtetutën më 1878 dhe sundoi vendin në mënyrë absolute. Ndaj, ardhja e një figure si Ismail Qemali, i njohur si ithtar i Mit’hat pashës dhe i sistemit demokratik, në krye të Vilajetit të Bejrutit ishte shumë domethënëse për drejtorin e ri në Malin e Libanit. Ai ia kushtoi Ismail Qemalit një pjesë të kujtimeve që e botoi veçmas në gazetën argjentinase “Caras y Caretas” në Buenos Aires më 12 korrik të vitit 1913,kur shërbente ai atje si konsull gjeneral i Perandorisë Osmane, e kur Ismail Qemali u bë atëherë figurë e njohur me shpalljen e Pavarësisë dhe si kryeministër i shtetit të ri në Evropë.
Në këto kujtime, që i përktheu në shqip Aurenc Bebaj në blogun e tij “Dars(Klos), Mat-Albania” dhe i ribotoi gazeta “Dielli” më 25 mars 2024, del në shesh një miqësi midis dy figurave me pikëpamje të ngjashme kundër regjimit absolut të Sulltan Abdulhamidit II. Në këto kujtime, Emin Arslam flet me admirim për Ismail Qemalin dhe luftën e tij për një regjim kushtetues deri kur erdhi në krye të Vilajetit të Bejrutit më 1891. Në saje të kësaj miqësie, Emin Arslan ia paraqiti një rast të padrejtësisë dhe e luti të ndërhyjë si vali. Ismail Qemali e kuptoi mirë rastin dhe ndërhyri, por kjo ndërhyrje u paraqit ndryshe në Stamboll nga agjentët e Sulltan Abdulhamidit II “për rrezikun e pranisë së Ismail Qemalit në Bejrut, ku ai propagandonte idetë e Turqisë se Re”, për çka sulltani e thirri I. Qemalin në Stamboll.
Miqësia me Myfit Libohovën
Emin Arslan vazhdoi me qëndrimin e tij sipas Ismail Qemalit, duke kërkuar kthimin e sistemit kushtetues në shtetin osman, por duke ndierë rrezikun nga agjentët e Sulltanit ai dha dorëheqje dhe shkoi në Paris, ku u takua me krerët e opozitës antihamidiane si Ahmet Riza, duke themeluar “Shoqërinë turke-siriane” dhe duke nxjerrë gazetën “Ndriçimi” në arabisht prej vitit 1894 deri më 1895. Në sajë të intervenimit të Stambollit gazeta u mbyll, pasi kritikonte regjimin absolut të Sulltanit, por ai nxori gjatë prej vitit 1895 deri më 1897 gazetën “Turqia e re” në arabisht e frëngjisht.
Këto gazeta të opozitare krijuan një imazh negativ për Sulltanin dhe regjimin e tij absolut, ndaj ai u ofroi opozitarëve amnesti dhe pozita të mira me një premtim për kthimin e sistemit kushtetues. Kështu, Emin Arslan u emërua konsull në Bordo të Francës më 1897, kurse më 1898 u transferua si konsull në Bruksel. Në Ambasadën Osmane në Bruksel ishte vetëm ambasadori Kara Teodori dhe sekretari Myfit Libohova, me të cilin u miqësua Emin Arslani. Si njohës i shumë gjuhëve (arabisht, osmanisht, frëngjisht, anglisht e spanjisht), Arslan ishte shumë aktiv në gazetari dhe në diplomaci në ato vende që shërbente, duke botuar edhe disa libra në frëngjisht e arabisht.
Miqësia e tij me Myfit Libohovën vazhdoi nja dhjetë vjet. Në Kujtimet e tij botuar më 1934 në Buenos Aires ai nxjerr në shesh një detaj shumë interesant nga vera e vitit 1901, kur Sulltani bëri një skandal diplomatik që shkaktoi një krizë midis dy vendeve. Atëherë, Sulltani kishte tërhequr papritmas ambasadorin Kara Teodori pa lajmëruar Mbretin as ministrin e punëve të Jashtme të Belgjikës. Në këtë gjendje u ngarkua Myfit Libohova me punë të ambasadës dhe u paraqit në MPJ që të akreditohet si i ngarkuar me punë të Ambasadës Osmane në Bruksel. Mirëpo, ministri nuk e pranoi fare si të tillë pa procedurë formale. Atë ditë, Myfit Libohova u kthye shumë nervoz në Ambasadë, duke kërcënuar që ta bënte të madhe këtë punë.
Emin Arslani, si mik që e njeh mirë mikun, e qetësoi pak duke pritur të zbutet “inati shqiptar” te Myfit Libohova. Kur u zbut, atëherë e mori në një restorant për të gjetur një zgjedhje për këtë krizë diplomatike midis dy vendeve. Në sajë të lidhjeve të tij me MPJ-në në Bruksel, ai u takua me sekretarin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe morën vesh për një zgjidhje, që Myfit Libohova t’i drejtohej ministrit një notë me vendimin e emërimit të tij si i ngarkuar me punë të Ambasadës osmane në Bruksel dhe Ministri do të konsideronte emërimin e tij si punë të kryer. Emin Arslani e Myfit Libohova mbeten miq deri më 1908, kur shpërtheu rezistenca e armatosur dhe Sulltani u detyrua ta shpallë kthimin e sistemit kushtetues në vend. Atëherë, të gjithë krerët e opozitës u kthyen në Stamboll, e disa prej tyre si Myfit Libohova morën pjesë në zgjedhjet e para parlamentare. Kështu, miqtë u ndanë, pasi që M. Libohova u zgjodh për parlamentin e ri, kurse Emin Arslani u avancua si Konsull Gjeneral në Paris.
Pasi që më 1909 u nënshkrua një marrëveshje ndërshtetërore midis Argjentinës dhe Shtetit Osman për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike në nivel të konsullatave, Emin Arslani u emërua si Konsull Gjeneral në Buenos Aires, pasi që shumica dërmuese e shtetasve osmanë atje janë prej Leventit (sirianë e libanezë). Konsullata u hap me një ceremoni të madhe më 1910. Emin Arslani mbeti shumë aktiv atje, duke shkruar, botuar tani edhe në spanjisht, deri në verën e vitit 1914 kur Stambolli nënshkroi një marrëveshje sekrete me Gjermaninë për inkuadrimin në Luftën e Parë Botërore. Emin Arslani ishte kundër këtij qëndrimi, sepse mendonte se Shteti Osman, do të pësojë shumë në të dyja rastet, pra nëse Gjermania fiton dhe nëse Gjermania e humb luftën.
Si pasojë, Emin Arslani e paraqiti dorëheqjen dhe u bë nënshtetas i Argjentinës, duke vazhduar aktivitetin e tij si gazetar e shkrimtar. Kështu, më gjatë 1915-1921 nxori revistën letrare “La Nota”, kurse gjatë 1925-1926 nxori gazetën politike-letrare humoristike “Lapsi i kaltër” (El Lapiz Azul), ndërsa më 1926 nxori në arabisht gazetën “al-Istiklal” (Pavarësia) që vazhdoi me sukses deri në vdekjen e tij më 1943.
by s p
Nga Fuat Memelli-Boston/





Prej kohësh kam dashur të shkruaj për sinicarin Ismail Memelli. Kjo dëshirë buronte për përkushtimin e tij në punë dhe aritjet që pati, për dashurinë e tij për Sinicën dhe Shqipërinë, si dhe për pengesat e trishtimet që pati në jetë nga sistemi i kaluar, të cilat e brejtën shpirtin e tij, por nuk e mposhtën. Ismaili ishte një nga gjashtë fëmijët e Zylfos dhe Byles. Lindi në Sinicë të Devollit në vitin 1938. Fëminia e tij ishte e vështirë. Vendi nuk ishte çliruar ende nga okupatorët e huaj. Shkollën fillore dhe shtatë vjeçare e kreu në vendlindje. Më pas mbaroi shkëlqyeshëm shkollën dy vejçare të Rezervave të Punës dhe më pas shkon të kryejë shërbimin ushtarak në bazën detare të Pashalimanit.
VITET NË NËNDETËSE
Në vjeshtën e vitit 1957 shkoi për specializim në Savastopol të ish Bashkimit Sovjetik ku qëndroi disa muaj bashkë me një gup marinarësh dhe oficerësh. Kur u kthye në atdhe, shërbeu në bazën e Pashalimanit. Siç tregon ushtaraku Fahri Perona me origjinë nga Suli i Devollit i cili ka shërbyer në atë bazë, Ismaili ka qënë pjesëtar i efektivit të parë të krijimit të brigadës së nëndetseve, rreshtuar në nëndetsen e parë me detyrë komandant i grupit të elektriçistëve. Ai dhe gjithë efektivi i parë i nëndetseve u specializua në Sevastopol të ish Bashkimit Sovjetik për disa muaj. Siç thotë Fahriu vështirësitë në nëndetëse ishin të mëdha si: temperaturat e larta në lundrim, prezenca e hidrogjenit dhe e gazit karbonik në ambient të mbylluar, ushqimet e konservuara, shërbimet e shpeshta, gadishmëria e lartë, shpesh tre muaj pa shkua në shtëpi, etj. Në bazën e Pashalimanit dolën hapur kontraditat me sovjetikët. Ata deshën të marrin katër nëndetset, por nuk ia aritën qëllimit dhe më 4 qershor 1961 u larguan nga vendi ynë. Pas largimit të sovjetikëve, ndihej nevoja e vazhdimit të punës në nëndetëse, sepse pas 4-5 muaj liroheshin detarët e specializuar. Ju bë thirrje të qëndronin aty dhe Ismaili ishte ndër të parët që iu përgjigj. Nga një ngjarje në komunizëm siç do tregojmë më poshtë, e kaluan nga nëndetëset në kantierin e riparimit të anijeve detare. Këtu ai përgatiti një grup elektriçistësh, të cilët me kalimin e viteve përvetësuan teknologjinë e riparimit dhe garantuan gadishmërinë e anijeve të flotës luftarake detare. Në vitin 1964 u martua me Myrveten me origjinë nga Korça. Kur ishte në Pashaliman, lindën dy vajza, Arianën dhe Albinën.
KALVARI I VËSHTIRËSIVE QË NUK E MPOSHTËN
Si pasojë e komunizmit e pësoi Ismaili. E pësuan edhe dy vëllezrit e tij, Rasimi dhe Ibrahimi, etj. Pas kësaj ngjarje Ismailin e kaluan për ca kohë në repartin e riparimit të anijeve të flotës detare. Duke ditur që me këtë “cen” në biografi, nuk mund të vazhdonte të punonte në Pashaliman, kërkoi vetë të largohet. Por, ku të shkonte? Historia e persekutimit komunist e ndiqte nga pas. Mendonin se mund t’i shërbente sovjetikëve me që kishte qënë aty. Vajza e tij , Ariana Disha ( Memelli) më tregon për kalvarin që pati. Më tregoi se urdhëri në fillim ishte për internim dhe konfiskim pasurie. Tentoi të fillojë punë në Korçë, por punonte pak ditë dhe e largonin. Sigurimit nuk i shpëtonte gjë. Filloi punë edhe në Ndërmarjen e Ndërtimit në Elbasan, por edhe këtu e njëjta histori, punoi dy javë dhe e larguan, sikur të kishte murtajë. Gruaja me dy vajzat për dy vjet jetuan në Sinicë te prindërit e Ismailit, ku bëheshin 11 vetë e siç dihet në vitet e kooperativës varfëria ishte e madhe. Pas dy vjet sorollatje, më fund ish kryetari i komitetit ekzekutiv të Librazhdit, Koci Sinica, me origjinë nga ky fshat, e ndihmoi dhe filloi punë si elektroauto në Ndërmarjen e Ndërtimit në këtë qytet. Ata që e kanë njohur nga afër në Librazhd, flasin fjalët më të mira. Një prej atyre që më ka folur, ishte poeti i njohur Koçi Petriti, i cili disa vjet ka jetuar në Librazhd, më ka thënë :” Ismaili ishte duarartë. Atë e vlerësonin të gjithë në Librazhd.” Megjithatë nuk e linin rehat. Disa herë e provokonin që të fliste ndonjë fjalë dhe ta arestonin. Një spiun që punonte aty, jepte informacione të reme dhe te puna ka shkuar dy-tre herë gazi i Degës së Punëve të Brendëshme për ta arrestuar por pasi Ismaili ka ditur të mbrohet. U mbyll në vetvete dhe fliste vetëm për punën. “Shok” i afërt iu bë duhani që nuk e ndau sa ishte gjallë. ”Shoqe” të afërt kishte edhe kitarën. I binte asaj dhe këndonte në familje dhe te njerëzit e tij. Duke vlerësuar kontributin e tij kur ishte në Pashaliman, kanë ardhur dy herë në Librazhd dhe kanë takuar Ismailin ushtarakët e asaj baze, Aleko Pojani dhe Fahri Perona, megjithëse ai ishte me “njollë” dhe ndiqej nga sigurimi i shtetit.
ISMAILI NË BOTËN TJETËR, FAMILJA NË AMERIKË
Pas ditëve e viteve të trishta, era e ndryshimeve për këtë familje nisi me ardhjen e demokracisë. Ismaili e mirëpriti dhe ishte ndër anëtarët e parë të Partisë Demokratike. U zgjodh edhe kryetar i sindikatës së kësaj partie në Librazhd. Kaluan pak vite dhe ai ndjeu zhgënjim. Në sindikatë dhe struktura të tjera, u zgjodhën njerëz jo idelistë dhe të përkushtuar siç kishte menduar ai. Në vitin 1997 vajza e tij , Anila, duke qënë nxënëse e shkëlqyer, vjen me studime në Amerikë nëpërmjet një shoqate . Duke e përcjellë në aeroportin e Tiranës, i jati i kishte thënë: “Ti po shkon me studime por krahas rezultateve në mësime, mbi të gjitha të jesh njeri. Të ndihmosh mamin dhe motrat. Mua vallë do më gjesh, por mos u mërzit dhe mos lerë shkollën të vish .” Vajza e re që po nisej me gëzim për studime, u çudit nga fjalët “ vallë do me gjesh.” E pyeti përsëri të jatin por nuk i dha më shpjegime. U përqafuan dhe ky ishte takimi i fundit me të . Në trupin e Ismailit ishte shfaqur sëmundja e pashërueshme por nuk ia kishte thënë ende familjes. Më 10 prill të vitit 1997, ndrron jetë dhe prehet në varrezat e Librazhdit. Pas viteve 2000, vijnë në Amerikë me bashkim familjar edhe dy motrat e tjera, Albina dhe Ariana bashkë me familjet e tyre. Jetojnë në Las Vegas dhe janë integruar shumë mirë në jetën amerikane. Mbajnë lidhje me Shqipërinë dhe e duan atë megjithë shpirt, pasi vendlindja është vendi ku rrobërohet shpirti, pavarësisht trishtimet e mëdha që patën nga regjimi i kaluar.
by s p

Dr. Qazim Namani/
Filet e kozmologjisë në truallin e Dardanisë lidhen me zanafillën e lindjes së jetës, besimit dhe artit. Gjurmët e artit dardan, përshkruajnë fenomenet natyrore të universit, me dimensione fetare mitike dhe artistike nga një perëndi apo një panteoni më të madh hyjnish. Gjurmët e para sipas zbulimeve të shumta arkeologjike i përkasin periudhës së neolitit, të zbuluara në truallin e Kosovës së sotme, të zbuluara në terakota me motive mitike në figurat antropomorfe, që mendojmë se bazuar në zbulimet e deri tanishme, dhe aplikimin e artit tonë popullor deri në ditët e sotme, u përkisnin paraardhësve të drejtpërdrejt të shqiptarëve të sotëm.
Zbulimet arkeologjike të deritashme në truallin e Dardanisë, kanë dëshmuar gjurmë të jetës e kulturës, që dëshmojnë për një bazë autoktone të zhvillimit të kozmologjisë dardane që nga filet e qytetërimit e deri më ditët e sotme.
Motivet e artit të paraqitura në figurat antropomorfe të zbuluara ne Bardhos, Dardhishtë, Barilevë, Lupçë të Poshtëm, Vlashnjë, Varosh etj, që i përkasin periudhës së neolitit me piktura e simbole plastike, ku ndër tjera paraqiten vijat zik-zake, lakoret, meandri, spiralja si simbole të lashta. Ky art fillon të zhvillohet në truallin e Dardanisë, që nga neoliti, për tu pasuruar më vonë në kohën e bronzit e hekurit, duke u veçuar, dhe zhvilluar krahas popujve më të hershëm të Evropës e Mesdheut.
Në artin dardan në periudhat e më vonshme u shprehen tipare të qarta artistike, që u bartën në traditën tonë popullore deri në kohët modern.
Dëshmi e krijimit të artit burimor dardan me motive të pasura kozmologjike pa dyshim se sot i gjejmë te veshja popullore e grave shqiptare nga rajoni i Medvegjes, por edhe në artin tonë popullor të shprehur ne gurë, dru, qeramikë dhe në kostume tjera popullore.
Bazuar në gjurmët e trashëguara të simboleve kozmologjike në artin tonë popullor mendojmë se ky art është krijuar te një fis i fuqishëm para kulturës Helene, andaj me plotë kuptim mund ta quajmë si kozmologji dardane.