• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Profil arbëresh: Maria Antonieta Rimoli

March 5, 2024 by s p

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga  A. Bellusci 1980 /

Është disi e dhimbshme kur shikon qytezat arbëreshe që po shpopullohen nga dita në ditë. Nëpër rrugët e gjitonisë shumë shtëpi janë të pushtuara nga edera, shumë pragje i ka zënë myshku, e shumë dritare të rrënuara janë gjurmet e ndonjë fiku të egër që ka mbirë brenda tyre.

Të dhemb shpirti që në ato rrugica tashmë nuk ka më ciërima e tinguj vogëluesha që rendin duke folur arbërisht. Tek tuk ndonjë i vjetër  i moshuar i cili  ndërsa të kalon përbri të thotë: Ç’bënë gjiri ? dhe ndërsa largohet përshëndet: Rrini Mirë! 

Nëse Arbëria akoma frymon, kjo është falë e atyre pak arbëreshëve të cilët vazhdojnë të jenë në atë tokë ku të parët e tyre  vendosen rrënjët, kthyen në toka buke ato pllaja, dhe hasin çdo ditë me  vështirësitë  gjeopolitike të shpopullimit,duke i rezistuar kësaj bote globale për të mbajur gjallë identitetin e tyre, e  që çdo ditë shkrijnë  të gjitha energjitë  e tyre për të mos u asimiluar. 

Një prej këtyre arbëreshëve është edhe mësuesja Maria Antonietta Rimoli. 

Antonieta mbaroi studimet e larta në Universitetin e Kosencës, dhe punon mësuese po në krahinën e Kalabrisë.  Sot, nuk do të ndalem tek profesioni i saj, por tek roli i saj si arbëreshe, në shërbim të komunitetit arbëror, e gatshme në çdo aktivitet për mbajtjen gjallë të treashgimnisë kulturore arbëreshe  si dhe të gjuhës arbërore.  

Antonieta, dallohet për atë buzëqeshje, që i qëndron si një rreze dielli mbi fytyrën e saj,  por që prapa asaj drite fshihet një dozë e ngrohtë  malinkonie, e cila e bënë karakterin e saj sa më reale. Antonieta është një grua elegante, por kur ajo vesh atë kostum arbëresh të qytezës së saj të Frasnitës\ Frascineto,  bëhet akoma më e hijshme! 

Antonieta është një nga  arbëreshet më aktive të qytezës së saj. Në 1972 merr pjesë në grupin Folk të Frasnitës. Anonietën e shikon me kostumin  arbëror në ditën e pashkëve që bëhet  pjesë e asaj  polifonie antike, nëpër rrugët e gjitonisë. Antonietën e shikon duke mbajtur  vallen  dorë për dorë me shoqet e saj në sheshet e qytezave  arbëreshe,  apo  duke kënduar në kishën nënë të Frasnitës. 

Antonietën e shikon në çdo skaj të Arbërisë si Kalabrisë. E shikon sa në AltoMonte, Cerzeto, në konkurs e poezisë në Plataci, në  Sheshin e San Benedeto Ullano, duke kënduar “ E bukura e Strigarit”,  dhe si një shtojzavalle e  shikon në skenën e  Fesivalit  Arbëresh në San demetrio Corona.

Dashuria për Arbërinë i kalon ato caqet e katundeve arbëreshe dhe Antonieta shkon deri në dheun e të parëve të saj.. Zëri i saj  prek Kosovën,  ku “ O e bukura Mora”rrëngjeth shpirtin e shqiptarëve të Kosovës.

Me shpirtin e Arbërit ajo ndalon në tokën mëmë në Shqipëri në Ditën e Diasporës arbëreshe, krenare parakalon me  kostumin e të parëve të saj,  duke e paraqitur atë  me aq fanatizëm  e dashuri .  Ajo ngjtet në podium e Shkodrës  fisnike e cila e nderohen me çmim “Mirënjohje”, dhe me jehonën “Arbëri rron” ngjitet në skenën e Festivalit të Gjirokastrës. 

Antonieta është arbëresh e besimit të ritin bizantin. Atë e shohim për krahë arbëresheve kur këndojnë himnin e Akathistos  në datën e  9 dhjetor ditën e Shën Mërisë, e  shohim  për krahë  arbëreshëve kur këndon pranë zjarrit në ditën e Shën Lucia, kur festojnë Krishtlindje, e kur zbaviten në ditën e karnavaleve. 

Mungojnë pak ditë dhe jemi në periudhën paskuale. Përgatitja para ditës së  pashkëve për mua – thotë Antonieta- është emocionuese. Fillojmë me përgatitjet e vezëve. Të cilat  i zjejmë, i ngjyeejmë me të kuqe, dhe përgatisim  kulacin dhe tortën. Nxjerrim nga baulet tona kostumin që i kemi trashëguar nga prindërit ose që i kemi bërë vet. Shumica e kostumeve kanë humbur, sepse ishte si traditë që nënat tona  varroseshin  me kostumin arbëresh me të cilin ishin martur.Tani kjo traditë me vite është zhdukur dhe kostumi përcillet brez pas brezi. Kostumet i ruajmë për ditën e martë pas pashkëve për  Ceremmoninë e Vallja. Kostumet i përdorim në  shumë festa të ritit tonë fetare por edhe civil. 

Ceremonia  Vallja- është nje ritual që nuk është modifikuar në kohë në katundin tonë në Frasnitë. Kjo ceremoni   zhvillohet edhe sot në mënyrën  dhe formën e saj më antike. Fshatrat për rreth si Civita, e kanë modifikuar këtë ceremoni, kjo festë  është disi  më moderne në këtë qytezë. Vallja në Frasnitë është trashëguar identike si e zhvillonin  të parët tanë. 

Ceremonia Vallja është një tip koreografie e formuar  nga të rinjtë, të veshur me kostum tradicionale.  Është një cikël kushtuar pranverës. Por që brënda kësaj ceremonie ka shumë rite.

Ne gratë arbëreshe me kostumet tona Lidhemi  zinxhir me anë të shamisë, dhe të udhëzuar nga dy figura të veçanta, të quajtur “flamurtarë” (bartës),  njëri në fillim dhe tjetri në fund, që  gjarpërojnë nëpër rrugët të vendit dhe  këndojmë këngët antike të kësaj ceremonie. Kulmin ceremonia arrin kur këndojmë vargjet e Rapsodisë Kostandini e Jorundina. Kjo  “bese” kaq e shenjte që bënë  një të vdekur të ngrihet  nga varri,  për të mbajtur fjalën e dhenë. Këngët tona  janë një polifoni- përfundon Antonieta.

Antonietta, është një ruajtëse e mirë e etnografisë, kostumit si edhe kulturës arbëreshe. Të gjtitha ngulimet arbëreshe kanë kostumin e tyre- thotë Antonietta- Ne në Frasnitë kemi kostumet tona.  Kemi kostumin e përditshëm, kostumin e zisë, dhe kostumin e martesës. Kostumi  është identiteti ynë që e ruajmë me krenari brez pas brezi i cili vishet ne çdo fest, ne cdo manifestim, në martesë.

Nënat arbëreshe, i rritin fëmijët me ndërgjegjen arbërore, dhe muzika është pjesë e vatrës së tyre. Pasionin për muzikën ndoshta Antonieta ia ka përcjellë edhe të birit të saj Danilo Blaiotta. Tashmë një muzikant, kompozitor, ku mëma Antonieta e mbështet në të gjitha aspektet dhe krenare për birin e saj.  

Amviset arbëreshe, janë nga më të dalluarat. Këtë karakteristikë e shohim edhe tek Antonietta, nikoqire si dhe njohëse e mirë si e traditës kulinaria arbëreshe, por edhe asaj kalabreze. Arbërshet  janë amvisa të shkëlqyera, si dhe  njohëse të mira të traditës kulinaria të arbëreshëve. E tillë është edhe Antonietta.  

Antonietta, për veprimtarinë e saj të madhe  është nderuar me çmimin;  Ambasadore e Paqes si  dhe Artiste e Merituar e Arbërisë. Ku është një pjesë Arbërie, atje është edhe Antonietta. E falenderojmë këtë arbëreshe për kontributin e saj në ruajtjen e kulturës dhe trashgimnisë arbëreshe dhe i urojmë suksese në këtë mision kaq fisnik.

Ornela Radovicka 

Qëndra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe themeluar nga  A. Bellusci 1980 

C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1709562450489_7170424624339433063.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1709562142982_7170423334559619254.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1709562017803_7170422809523131166.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1709562299026_7170423989054974590.jpg
C:\Users\iljas\Downloads\facebook_1709562485758_7170424772266616305.jpg

Filed Under: Kronike

Luigj Gurakuqi, ma shquari i djalërisë shkodrane, i epërmi shëmbëllim i kombtarizmës, qytetarisë, dijes dhe përkushtimit

March 4, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

I pashoq ishte ai në vlerat e nalta të qytetarisë dhe dijes, kombtarizmës dhe përkushtimit. “Shqiptar i vlefshëm” do të mëtonte kësisoj At Gjergj Fishta. “Pionier i qytetërimit” ishte përcaktimi i klerikut, politikanit dhe veprimtarit të letrave, Fan Noli. Padër Anton Harapi për Gurakuqin do të shtonte: “mishnoi, madhnoi, përjetoi urtinë, besë e burrni shqiptare, simbol i bashkimit kombtar, idealist i shkëlqyeshëm në vorfni.

Mbremja kobzezë të 2 marsit të vitit 1925, arma e kushëririt të tij Baltjon Stamolla, shtriu pa jetë në derën e Hoteli Cavour, në Bari të Italisë, Luigj Gurakuqin, hartuesin dhe nënshkruesin e Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poetin, arsimtarin, tekstologun, gjuhëtarin, diplomatin, deputëtin dhe ministrin e Financave të qëverisë së asokohshme, i gjendun në krye në të gjitha ngjarjet më kulmore të jetës shqiptare në çerekun e parë të shekullit XX, tepër aktiv e në rol udhëheqës.

Ishte mbrëmja, dëshmojnë burimet, në restorantin e hotelit, Luigj Gurakuqi po darkonte me dy miq të tij dhe gruan e njërit prej tyre: Riza Dani me bashkëshorten Makbule dhe vëllai i tij Dan Hasani. Ai kishte kërkuar leje prej tyre që të largohej me arsyen “do t’shkoj tek Sotiri, mbâsi i kam premtue nji kukull vajzes së tij”. Një vrasës gjakftohtë e priste atë tek hyrja e hotelit. Në xhepat e shqyer të ish-Ministrit të Financave policia italiane, gjatë ekspertizës, gjeti vetëm 350 lira. Nëse mund të thuhet, ministri i Financave që zogistët e akuzuan për korrupsion, ndërroi jetë me çorape të grisura në themër.

Historianët thonë se Stamolla kishte vepruar me nxitje të qeverisë së kryesuar nga president Ahmet Zogu, ose si i paguar nga qeveria për të vrarë një kundërshtar të saj; dhe ata e bazojnë këtë në një letër që Baltjon Stamolla i dërgoi Ahmet Zogut dhe Ceno beg Kryeziut, dy ditë pas vrasjes së Gurakuqit. Letra mban adresën e burgut të Barit, dhe sot ruhet në Muzeun e Shtetit në Shkodër:

“Kerkoj mbrojtje dërgoni të holla ndërmjetsoni për pshtim pranë Qeveriës Italjane.

Pyetnij Çatin Saraçin ku asht…? “besa” ndihma!…

Baltjon Stamolla – Carceri Giudiziarie Bari.

Shkelqësis Tij Ahmet Zogu Tirana (Albania)

Shkelqësis Tij Ceno Beg Jakova (Gjakovë)Çatin Saraçit Hotel de la Ville…”

***

Lazër Shantoja, më shkruen nji mik nga Shkodra: «Po më pvetë a po qindron e ama e Gurakuqit? Mos pvet! Per gjith ditë nadje si ajo si goca e Bajram Currit qesin vajin: nji vajë të madh, të mnershëm, zêmbërshkyes qi nuk lên banuer t’atyne lagjevet pa kja.»

Nji plakë dhe nji gocë kjajnë për ditë në Shkoder… nji nanë dhe nji bijë! Nana kjanë djalin mâ të madh dhe bija baben mâ të mirë të Shqipëniës së shkretë. Lotët e plakës shkodrane e të gocës kosovare janë lotët e të tanë Shqipëniës së sotme. Edhè këjo e ndrydhun, e poshtnueme, e vorfnueme, e shitun, e coptueme dneson per ditë per të vdekunit e mëdhaj qi humben dhe për të gjallët e mjerë qi po humbin. Populli âsht në kulmin e deshprimit. I vetmi ngushllim qi i ka mbetë, ne kjoftë se ngushllim mund të quhet, âsht enè vaji: lodja qi kjè per herë shujta e idhët e popullit shqiptar.

Nder shpellat e lagëta të bjeshkëve kreshnike të Krasniqes ky populli i mjerë pat nji babë: i a mbyten!

Nder korridoret e errta të diplomatiës së përjashtme ky populli i vorfën pat nji prîs: i a vrane!

***

Për fatin e tij të keq, e vrau djali i tezes së tij, që një ditë para se të vrasë, i drejtohet Çatin Saraçit, konsullit shqiptar në Bari, mikut të ngushtë të Ahmet Zogut: “Ironia është se vrasësi, një ditë më parë, më takoi në zyrën time duke më thënë se kishte ardhur për të kryer një vepër të madhe patriotike”. ‘Vepra patriotike’ e tij do jetë e pashembullt. Do i ndërronte jetën e derimëatëhershme Luigj Gurakuqit. U pretendua se vrasësi, Balto Stambolla, u ekzekutua më 1944 nga Avdi Kasella dhe Zymber Loshi në Peqin, me vendimin e gjyqit të LNÇ-së, si armik i popullit. Një akt i drejtë, për të treguar se ata që kishin vrarë duhej të vriteshin. Ndërkohë nga Fric Radovani kemi një dëshmi tjetër interesante: “Mbas okupacionit italian të Shqipnisë, me ardhjen Kryeministër të z. Mustafa Kruja, Ky i kërkoi qeverisë italiane, që i dënuemi për vrasje Baltjon Stambolla, me vazhdue dënimin në Shqipni. Qeveria italiane asht kenë dakord dhe e ka sjellë Baltjonin në Durrës, prej ku, një makinë e policisë e ka marrë dhe e ka dërgue në Fieri, gjoja ‘për siguri’, larg Shkodrës. Atje ka ndejë në një shtëpi ku ruhej nga tre-katër policë shqiptar. Një ditë, gjoja se desht me u arratisë, policët e kanë gjuejtë dhe i kanë shprazë një automatik me fishekë në bark. E kanë lanë disa orë pa e çue në spital, mbasi kështu kishte porositë Mustafa Kruja, që Baltjoni mos të vritej në çast, por të vuente nga dhimbjet e mënershme që shkakton arma kur shprazet në bark. Afro 2 – 3 ditë mbas gjuejtjeve Baltjoni ka vdekë nga infeksioni, tue vërritë nga dhimbjet. Atdhetari Mustafa Kruja i ka tregue ngjarjen babës tem Kol Radovanit, se: “Ia bana kështu Baltjonit, se ia kishe kaq e gja borxh mikut tem Luigj Gurakuqit!”. (Këtë dëshmi ma ka tregue Nana eme, Viktoria Radovani dhe Profosor Gasper Ugashi, të cilve, aso kohe, ua ka tregue Kola, Baba i em.)

***

Fjala e Hasan Prishtinës në ceremoninë e varrimit të Luigj Gurakuqit:

“Një atdhetar, idealisti i shquar shqiptar Luigj Gurakuqi ra dëshmor prej dorës së një tradhtari, një krimineli, që është i shtyrë prej shumë tradhtarëve për të kryer një krim kaq të shëmtuar e të dhimbshëm.

Kjo tragjedi helmoi gjithë zemrat e shqiptarëve nacionalistë të vërtetë dhe gëzoi vetëm ca kriminelë, ca asasinë profesionistë, të cilët e quajnë veten shqiptarë vetëm sa për t’u bërë vegla të vërteta të të huajve për dëmin e shtetit dhe të popullit tonë të shkretë.

Humbja e Gurakuqit është një humbje shumë e madhe, një humbje e paharrueshme për ne, por edhe për ata shqiptarë që patën fatin e zi të mbeten jashtë kufirit të Shqipërisë së sotme dhe që sado që vuajnë nën grushtin e të huajve, interesohen për fatin e saj njëlloj si ata që janë nën hijen e flamurit kombëtarë. O Gurakuq, sot me qindra mijë shqiptarë të vajtojnë dhe hedhin futën e zisë për ty! Qetësohu, se me të shpejtë trupin tënd me një nderim të posaçëm do ta çojmë në atë vend ku je lindur, ku je rritur dhe për të cilin ti re viktimë!

O Gurakuq, me trup me të vërtetë vdiqe, por me emër jo kurrë, se emri yt është shkruar në zemrat e shqiptarëve të vërtetë, dhe historia e Shqipërisë emrin tënd do ta shkruajë me shkronja të arta! Qoftë mallkuar ajo dorë e ndyrë që të vrau! Ndofta edhe prej nesh do të vriten, por të siguroj se idealin tënd asnjë forcë nuk do të mundet të na e shuajë ose të na e pakësojë. Në këtë mënyrë tradhtarët duhet ta dinë se do të na shtojnë e forcojnë parimet e tua të shenjta.

Do të vijë një ditë që monumentin tënd do ta ngrehim në Shqipëri, atë ditë na e tregon gjaku yt i derdhur nër rrugët e huaja. Sot përkulemi me një respekt të madh përpara trupit të shenjtë, e dikur do të përulemi përpara atij monumenti! Eh, lamtumirë, o mik i madh, o ndera e kombit tonë! Të jesh i qetë se shpagën tënde do ta marrim dhe lulëzimin e Shqipërisë…tamam në caqet e idealit tënd do ta realizojmë”

***

Luigj Gurakuq u lind në Shkodër më 19 shkurt 1879 në një familje tregtare me shumë influencë. Studimet e para e të mesme i bëri në shkollat italiane të qytetit e pastaj në kolegjin italo-arbëresh të San Demetrio Korones, në Kalabri, ku qe nxënës i De Radës. Në Napoli, kreu studimet universitare për shkenca të natyrës. Gurakuqi u dha që herët pas Lëvizjes Kombëtare e nisi të shkruajë vjersha e libra shkollorë. Ndër librat e tij ish edhe një metrikë, ,,Vargimi në gjuhën shqype’’, Napoli – 1906. Një nga drejtuesit e Kongresit të Manastirit (1908), që u mbajt për çështjen e alfabetit, ishte edhe Gurakuqi. Ai qe drejtor i shkollës së parë të mesme shqipe, i Normales së Elbasanit, (1909). Mori pjesë në kryengritjen e Kosovës (1910) e në atë të Malësisë së Veriut (1911) kundër sunduesit turk, e bashkëpunoj ngushtë me Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë.

Tani e tutje ai nisi të luajë një rol edhe më me rëndësi në jetën politike të vendit. Si ministër i arsimit në Qeverinë e Vlorës e si drejtor i arsimit në zonën e pushtuar nga trupat austriake gjatë Luftës së I-rë botërore, si pjesëtar i Komisionit Letrar (1917). Ish anëtar i Qeverisë që u formua pas Revolucionit të qershorit e me ardhjen e Zogut në fuqi u arratis tej Adriatikut. Zogu vuri njeri e e vrau në Bari të Italisë, më 1925.

Motivet kryesore të vargjeve të Gurakuqit janë atdheu dhe natyra. Vjershat e tij kanë një influencë të theksuar të poezisë klasike latine dhe asaj italiane, që poeti e njihte mirë. Gurakuqi është zot i vargut dhe ka një gjuhë të punuar e të sigurt. Nuk mund të themi se kish një talent të spikatur por, ndonjë vjershë e tij meriton vëmendjen. Ai tregoi edhe cilësi prozatori.

“Duke bamun ligje moderne -thote Gurakuqi, – do te bajme te mundun zhvillimin arsimuer e permiresimin ekonomik, dy gjana per te cilat ka ma teper nevoje populli i yne”. Kur i thoshte keto fjale, figura e njohur e historise sone, Shqiperia kishte shume pak njerez te njohur dhe anarkia ishte pjese perberese e jetes shqiptare. Por, per Gurakuqin, kjo nuk kishte rendesi te madhe. Ne vizionin e tij, kishte kohe qe trasohej nje Shqiperi moderne dhe e barabarte ne familjen e madhe te vendeve evropiane. Jo me kot, ishte nje nga kryesoret e Kongresit te madh te Manastirit, ku do te vendosej per fatin e shqipes. Ai ishte drejtori i pare i Shkolles Normale te Elbasanit dhe nje nga udheheqesit e kryengritjeve te Veriut (1911-1912). E perkrah Ismail Qemalit realizoi shpalljen e Pavaresise, ngjarjen me te madhe te historise se shtetit shqiptar. Madje, do te mjaftonte, vetem kjo, qe ai te ishte i patrazuar ne panteonin shqiptar. Me 1916, ishte nga themeluesit e Komisise Letrare ne Shkoder. Ishte nje figure, qe ngjallte respekt dhe qe nderohej masivisht ne Shqiperi. Ndersa, ne vitet 1921-1923, Luigj Gurakuqi, si deputet i Shkodres, u gjend vazhdimisht ne opozite me Zogun dhe gjithe perkrahesit e tjere te tij. Ishte bashkepunetor i Fan Nolit dhe patjeter nje nder udheheqesit me veprues te levizjes te Qershorit te vitit 1924. Duket se percaktimin me te madh ndaj tij, e ka dhene vete Noli: Ai “qendronte aq larg fanatizmes fetare te ngushte, sa muhamedanet e Veriut kishin nje besim te pakufishem”, aq sa ne Gegeni, “s’ka patur nje tjeter udheheqes, i cili…bashkonte rreth vehtes se tij, katoliket e muhamedanet gege”…” Ai ka qene aq pak regjionalist sa qe kur lindi çeshtja kombetare s’ka patur nje gege patriot, aq te dashur midis toskeve sa Gurakuqi”.

Veprimtaria e tij krijuese ka qenë e vyer. Ai botoi ne Bukuresht me 1905 librin “Abetar i vogel shqyp mas abevet t’Bashkimit e t’Stambollit me shenime n’dy dialektet”.

Botoi ne Napoli “Fjalorth shqip-frengjisht e frengjisht-shqip” i fjaleve te reja.

Botoi ne Napoli me 1906 “Vargezimi n’Gjuhen Shqipe”.

Ai ka botuar dhe shume artikuj ne gazetat “Albania”, “Kalendari-kombetar”, “Drita”, “Liria e Shqiperise”, “La nazione Albanese” etj.

Filed Under: Kronike

“Hipokrizi e pastër në Tiranë, aleati i Rusisë “përkrahës” i luftës së Ukrainës për liri

March 1, 2024 by s p

Fejton nga Rafael Floqi/

Në një arenë të imagjinatës politike, loja fillon me tre figurat kryesore: Edi Rama, Aleksandar Vuçiç dhe Aleksandër Soros. Rama dhe Vuçiç janë në një aleancë të fshehtë, ndërsa Soros luan rolin e lojtarit të pavarur, gati për të hedhur një ndërhyrje të papritur në lojë madje duke u bërë pjesë e ekipit shqiptar. Është ai lojtari pas shpine apo buratinai që lëviz kukullat.

Pse Alexander Soros aplikoi për pasaportë shqiptare? Pyesim dhe marrim këtë përgjegje nga satira, sepse ai dëgjoi se Rama ka një politikë të nënshtetësie për gjithë sorosat, sorollopët edhe pse në aparencë Ballkani i hapur ka vdekur pa lindur.

“E megjithatë Edi Rama duket se ka gjetur një mënyrë origjinale për të shmangur pyetjet e gazetarëve – duke i kthyer ato përsëri tek ata! Në përgjigjen e tij për gazetaren Ambrozia Meta, ai duket se e ka hedhur topin prapa asaj duke e pyetur atë nëse Soros ka harruar ta pyesë atë rreth pjesëmarrjes së tij në samit. Të shohim nëse kjo do të bëhet një strategji e re e komunikimit politik – shmangja e pyetjeve duke e kthyer lojën tek pyetësi! Megjithëse kjo duket si stili model i telekomedisë më të re .

Aleksandër Soros ndërhyrë në lojë duke hedhur një zarf të madh me letra, përfaqësues të një lëvizjeje të pazakontë politike, duke shkaktuar pasiguri të papritura në tandemën Rama-Vuçiç. Letrat përmbajnë shënimet e tij: “Mos harroni që loja politike nuk është vetëm përfitime personale. Loja bëhet për popullin, jo për pushtetarët.”

Ndeshja fillon me Rama dhe Vuçiç duke u përballur në një lojë të zbatuar të hipokrizisë. Rama ka një shpërblim të madh në lojë në formën e mbështetjes së mbuluar për Vuçiçin në skenën ndërkombëtare, ndërsa Vuçiç ofron të “humbë” disa territore politike për Kosovën në këmbim të përkrahjes së pretendimeve të Serbisë në lojën e tij të brendshme.

Nga Politika në Përkëdhelje

Në një shfaqje të stërvitjes së diplomacisë, kryeministri Edi Rama duket se po shndërrohet në një ekspert të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke e përdorur ofertën e tij të shërbimeve si një vërtetim të qëndrueshmërisë së vendit tonë dhe një shprehje e dëshirës për anëtarësim sa më të shpejtë në Bashkimi Evropian.

Ndërsa ai rrit ofertat e tij të shërbimeve, me qëllim të tregojë se vendi ynë di të marrë “përgjegjësitë” e veta, disa po pyesin se sa e sinqertë është ky angazhim? Në një situatë ku ndikimi i Moskës në rajon është në rritje, ndërsa Edi Rama përkulet përpara interesave të perëndimit, SHBA dhe partnerët perëndimorë i japin mbështetje të pandërprerë për të qëndruar në rrugën evropiane.

Duke përdorur një gjuhë të butë, ai nuk heziton të deklarojë se vendi i tij është “shteti më pro-evropian dhe pro-amerikan” në rajon, edhe në të njëjtën kohë që përpiqet të bindë se Shqipëria është në përputhje të plotë me politikën e jashtme të perëndimit në mbarë botën, pavarësisht sfidave të brendshme.

Në këtë narrativë, Shqipëria pretendon të jetë mbështetëse e plotë e Izraelit, duke shfaqur një angazhim të rëndësishëm në politikën e Lindjes së Mesme, ndërkohë që përpiqet të mbajë një imazh pozitiv në sytë e partnereve të huaj.

Megjithatë, këto pretendime mund të përballen me skepticizëm, veçanërisht kur vjen puna për reformën në drejtësi. Ndërsa SHBA dhe Bashkimi Evropian kërkon transparencë dhe sundim të ligjit, ka dyshime se disa reforma janë shndërruar në mjet për të përjashtuar kundërshtarët politikë dhe për të konsoliduar pushtetin e regjimit të tanishëm.

Propozuesi i angazhimit evropian

Kështu, ndërsa Edi Rama vazhdon të luajë rolin e propozuesit të angazhimit evropian, ka skeptikë që vazhdojnë të pyesin se sa përputhet kjo me realitetin dhe se sa është përkujdesja e vërtetë për përgjegjësitë, në krahasim me përkëdheljen e interesave të brendshme dhe atyre ndërkombëtare.

Ndërsa loja vazhdon, personazhet ndeshen me sfida të reja: Rama kërkon të shfaqë imazhin e një diplomati të zgjuar që ka përfitime të qarta nga loja e tij me Vuçiçin, ndërsa Vuçiçi përpiqet të mbajë imazhin e një udhëheqësi të fortë, që kontrollon të gjitha hapësirat e lojës. Soros, nga ana tjetër, përdor lojën për të theksuar nevojën për transparencë dhe drejtësi.

Në fund të lojës, lojtarët duhet të marrin vendime të rëndësishme: Rama duhet të vendosë se çfarë do të mbajë prioritet – përfitimet personale ose interesat e vendit të tij. Vuçiç duhet të kujtojë se të fitosh në lojën e politikës nuk është gjithmonë një sukses i vërtetë, veçanërisht kur humbet integritetin dhe moralin. Dhe Soros, i cili luan rolin e shikuesit kritik, kujton të gjithë se në politikë, njerëzit janë të vërtetë dhe pasiguritë nuk janë gjithmonë të rrezikshme.

Ndërsa Zelensky po lutej për municione, ai s’e dinte se Poliçanin e zunë rusët

Një histori e mrekullueshme spiunazhi me rusë pushtoi mediat në qytetin e vogël të Poliçanit në Shqipëri, para do kohe, një vend që duket se është më shumë nën “observimin” e agjentëve rusë se sa nën kontrollin e autoriteteve lokale. Ndërsa vendi ka pas qenë i njohur për fabrikën e saj të municioneve, që tani ndryshket në konservim, duket se u shndërrohet në një skenë të pastër spiunazhi, me agentë rusë në çdo cep të qytetit dhe kjo para se të fillonte lufta.

Në një skenë që do të mund të kishte dalë nga një film i James Bond-it, agjentët rusë shfaqën një interes të theksuar për jetën sociale dhe politike të qyteti mikroskopik në male, duke shpërndarë shpikje të ndryshme për të manipuluar opinionin publik.

Një burim lokal tha: “Nuk ka më nevojë për teori konspiracioni kur ke agjentë rusë që ecin lirisht nëpër qytet duke ndjekur çdo hap të politikës lokale. Po tani nuk e di ka aty fishekë apo gëzhoja. Siç duket agjentët rusë mund ta kenë gënjyer dhe Zelenskin, pasi thuhet se dy prej tyre ishin nga Ukraina. Tashmë, ndjehemi këtu si në një episod të një seriali televiziv, vetëm që në vend të protagonistëve lokalë, kemi agjentë të fshehtë rusë që luajnë rolin kryesor.” Ku ta dinte Rama se do t’i duhej Poliçani?

Kështu, loja vazhdon me një tension të përjetshëm midis interesave personale dhe atyre të përbashkëta, ndërsa personazhet përballen me sfida të reja dhe vendime të vështira në skenën e politikës.

Paradoksi i Diplomacisë Ballkanike

Në një paradoks të vërtetë të diplomacisë ballkanike, Tirana u bë qendra e një shfaqjeje të spektakolarizuar të hipokrizisë ndërkombëtare. Presidenti serb, Vuçiq, po e përshëndeste invazionin e Kinezëve për Tajvanin, duke u bërë praktikisht cheerleaderi i tyre kinez, ndërsa në të njëjtën kohë merrte pjesë në një samit për të treguar mbështetjen për Ukrainën, përballë “Hitlerit të ri” -Putinit.

Doktrina e hipokrizisë së pastër arriti kulmin në fotografinë familjare, ku Vuçiçi u paraqit krah presidentit ukrainas, duke shfaqur një bashkëpunim të ndryshëm nga ai që mbizotëronte në fjalë.

Përpara se të hidhnin firmat, presidenti i Ukrainës i dorëzoi sot kryeministrit shqiptar Edi Rama “Urdhrin e Princit Jaroslav i Urti”, për “kontributin e jashtëzakonshëm personal, në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e shtetit të Ukrainës në botë”.

Në këtë komedi të absurditetit diplomatik, një vend si Serbia, i cili është kundërshtar tradicional i pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu mbështetës i vendosur i politikës së Rusisë dhe Kinës, duket se luajti një rol të padukshëm në një samit që synonte të mbështeste lirinë dhe demokracinë në Ukrainë. Kjo i shërbeu Vuçiçit për t’u treguar Perëndimit s’e, ai s’është siç e akuzojnë, por është i hapur me të gjithë.

Samiti ishte alibia e “Vuçiçit

Analiza e ngjarjes bëri të qartë se qeverisja shqiptare, në vend që të përpiqej të shfaqte Vuçiqin si një figurë të ndryshme përpara bashkëpunëtorëve ndërkombëtarë, duhet të kërkonte njohjen e Kosovës dhe të përballonte drejtësinë për krimet që ai ka bërë.

Përballë partnerëve të tij perëndimorë, Edi Rama nuk e ka fare të vështirë të imponojë narrativën që i intereson atij . Ndryshe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, gjithmonë i tunduar nga një afrim me Moskën dhe përballë kryeministrit kryeneç kosovar Albin Kurti, Rama e shet veten si “burri i shtetit i stabilitetit” në Ballkan, si miku tek i cili Perëndimi mund të mbështetet gjithmonë. Dhe për këtë , Perëndimorët janë gati të mos tregohen aq rigorozë me parimet demokratike dhe zbatimin e tyre në vend.

Tirana djepi i samiteve

Të gjitha këto ngjarje e bënë Tiranën të duket si një “djep” e samiteve, ku hipokrizia e shfaqur dhe kontradiktat diplomatike rrezikojnë të bëjnë më shumë dëm sesa dobi për rajonin dhe përballjen me sfidat globale. Dhe duke thirrur “Slova Ukraina”- Rama dhe pse mori titullin nga presidenti i Ukrainës i “Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti”, për “kontributin e jashtëzakonshëm personal, në forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, mbështetjen e sovranitetit shtetëror dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe popullarizimin e shtetit të Ukrainës në botë” dhe nënshkroi një Traktat Miqësie me Ukrainën fitoi lavdi për vete dhe hiç gjë për kombin e tij.

Edi Rama i vardiset ndërkombëtarë, duke u treguar, kinse si « neutral dhe i matur » ndaj çështjes së Kosovës, me të vetmin qëllim, se ndoshta në të ardhmen do të fitojë ndonjë post të lartë politik në institucionet evropiane

“Samiti i parë shpjegon mungesën e Kurtit. Samiti i parë ishte spektakël politik. Ata që e bëjnë spektaklin kanë përfitimet e veta. Tre protagonistët e spektaklit të Samitit të parë ishin Zelensky, Rama dhe Vuçiç. Zelensky ka problemet e veta, nuk po merr ndihmat, ka probleme edhe të brendshme, vjen këtu të gjejë mbështetje. Edi Rama ka nevojë për legjitimimin ndërkombëtar, për shkak të problemeve të brendshme, dihet se është benjamin i ndërkombëtarëve. Pavarësisht se thuhet se kanë mbetur në Shqipëri 1.5 milionë njerëz, ne mburremi se po bëjmë Samite etj. Gjithçka bëri Vuçiç shpjegon pse Kosova është humbësja më e madhe në këtë lojë.

Vuçiç tha se për Kosovën mos të flitet fare. Vuçiç tregoi fuqi në Tiranë. Ata janë marrë vesh përpara Samitit se çfarë do të bëjnë. Vuçiç ka vënë kushtet e veta dhe Shqipëria ia ka pranuar këto kushte. Që mos e njohësh Kosovën si shtet në këtë Samit, sigurisht që kërcet. Këtu vjen era Open Balkan, vijmë tek ai projekt që Kosova dhe Mali i Zi nuk e kanë pranuar”,

Ai mund të quhet i “urtë? ai që nuk bëzajti asnjë fjalë për Kosovën, ndërkohë nënshkroi një traktat miqësie me Ukrainën, kur traktatin e njoftuar qysh më 2013 me gjysmën e kombit të vet e ka harruar.

Filed Under: Kronike

22 të pushkatuar për Ambasadën sovjetike/ Odisea e doktorit mallakastriot që u dënua me 20 vite burg dhe s’doli gjallë

February 28, 2024 by s p

Nga Eduart Aranitasi/

Dr. Qemal Mustafa Araniti, nga Aranitasi i Mallakastrës qe me “fat”.

Me “fat: mbasi u shpëtoi plumbave të mizorisë, por jo vdekjes…

Ai u arrestua me disa intelektualë të tjeë dhe u akuzua krahas tyre për bashkëpunim e dijeni në vendosjen e bombës në ambasadën më të rëndësishme të kampit komunist. Incidenti në ambasadën Sovjetike në Tiranë bëri që 26 shkurti të lahej me gjak elitar e të shihte nën hekura qindra të tjerë.

Mbi të gjitha, vendimi politik ishte i qartë, gjak dhe terror mbi këdo që s’ishte dashamir i regjimit komunist.

Qemal Araniti lindi në Aranitas të Mallakastrës më 12 Janar 1917. Shkollën fillore e kreu në vendlindjen e tij, në Aranitas dhe shkollën e mesme në Tiranë . Qemal Araniti studimet e larta i kreu në Vienë të Austrisë dhe me mbarimin e universitetit kthehet në Shqipëri bashkë me të dashurën e tij austriake.

Në Tiranë bën dasmën dhe nisën jetën me plot ëndërra.

Në vitin 1945, me ardhjen në pushtet të Enver Hoxhës, Qemal Araniti u arrestua me akuzën “armik i popullit” dhe u dënua me 10 vjet burg.

Në të njëjtën kohë u burgos dhe vëllai i tij Mit’hat Araniti, jurist, publicist, shkrimtar dhe përkthyes i njohur. Kujtojmë se, ata ishin djemtë e ish-Ministrit të Luftë në Mbretërinë Shqiptare, Mustafa Aranitasi.

Gjeneral Mustafa Aranitasi u internua bashk me gra e femijë.

Qemal Araniti mbasi mbaroj dënimin e parë, do ta gëzonte shumë pak lirinë sepse do të dënohej përsëri me akuzën e vënies së bombës në ambasadën e Bashkimit Sovjetik.

Arrestohet më 26 shkurt 1951 dhe dënohet me 20 vjet heqje lirie.

Vdes në burg nga turturat pa mundur të mbaroj dënimin.

E tmerrshme ishte vdekja e të birit, Skënder Araniti 17-vjeçar, i cili gjeti vdekjen në bankat e shkollës.

Vdekje e tij ka mbetur misterioze, por dihet se djaloshi adoleshent u vu nën etiketim e fyerje të orientuara nga bashkënxënësit e klasës dhe shkollës si biri i një armiku.

Gruaja e Qemal Aranitit e kaloj jetën e përbuzur dhe në mjerim bashkë me vajzën e vetme që i mbeti gjallë nga temerri komunist.

Austriakja, Zonja e nderuar Araniti, ndërroi jetë në Durrës, në fund të viteve 1980.

Filed Under: Kronike

“Samiti për Ukrainën, gjetje e mençur dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”

February 27, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Siç është gjerësisht e njohur, dy ditët në vijim (28 -29 Shkurt) në Tiranë do të zhvillohet “Samiti për Ukrainën”, ku do të marrin pjesë Presidenti Zelensky si dhe zyrtarët më të lartë të Brukselit, vëndeve të Ballkanit Perëndimor dhe të Europës Juglindore.

Si çdo ngjarje madhore që mbart interesa kombëtare, sigurisht po e ndjek me vëmendje dhe përgjegjësi shtesë. Ndërsa jo vetëm në këtë rast, kam zgjedhur të mos jap “opinione të nxituara” ndaj interesimit të mediave kryesore brënda dhe jashtë vendit, pasi me vetëdije kam refuzuar: “për tu mos u bërë as pjesë dhe as palë e shpërdorimit politik dhe tallavasë bollshevike që fatëkeqësisht i shoqëron edhe këto ngarje madhore”.

Gjithësesi, për shkak të peshës gjeopolitike jo vetëm për Tiranën Zyrtare që mbart kjo ngjarje madhore, në vijim po adresoj disa këndvështrime dhe pikpyetje paraprake:

Në krye të herës, dëshiroj ta nënvizoj fortë, se “organizimin e këtij Samiti në Tiranë” e çmoj si: “gjetje të mënçur, ambicje/kurajo serioze si dhe sfidë që i bën nder Shqipërisë”.

Kjo: “jo vetëm për distancën me Ukrainën (2214km) dhe pozicionin gjeografik por edhe për peshën gjeopolitike që gjithësesi tejkalon mundësitë që mund të mbajnë shpatullat e një vendi relativisht të vogël, si RSh”.

Me fjalë të tjera, për shkak të këtij Samiti, Tirana do të vendoset në “top-news” të Medias, Kancelarive globale, Institucioneve, Ekpertëve/kolegëve në Washington, Bruksel, Berlin, etj, si dhe opinit publik përtej vendeve të Europës Jugindore.

Prandaj, përsa ky Samit mbart vëmendje gjeopolitike si dhe promovon interesat kombëtare, patjetër duhet përshëndetur pa asnjë hezitim edhe kurajua, edhe gjetja, edhe sfida veçmas edhe të gjitha së bashku, pra thjesht dhe vetëm pasi ngjarje e madhe i bën nder flamurit tonë Kombëtar, apo jo?

Së dyti, zhvillimi i këtij Samiti në Tiranë, faktikisht e konfirmon Shqipërinë si anëtare serioze dhe të denjë të NATO-s, pasi “RSh demostron kohezion dhe mbështetje të pa kushtëzuar ndaj të gjitha angazhimeve dhe projekteve të Aleancës Euroatlantike në interes të sigurisë kolektive (artikulli-5) por edhe në mbështetje pa asnjë kompromis deri në fitoren e Ukrainës, ndaj të keqes së përbashket, Rusisë – Putiniste”.

Uroj të jem gabim, por ndoshta duhet ri-qartësuar edhe riciklimi i një pikpyetje “naive në mos cinike” = A ekspozohet, apo më qartë = A/sa rrezikon Shqipëria nga organizimi i këtij Samiti në Tiranë ?

Përtej mendjeve të ndryshkura, 15 vjet pas anëtarësinit shpresoj të kemi zhvilluar një vetëdije mbarëkombëtare se: “NATO nuk është kurrësesi një organizatë bamirësie që dhuron falas ndihma, para apo mbështetje politike”. Në të kundërt, Ajo ka mbijetuar në treg si Aleanca më e fuqishme e historisë së njerëzimit, për shkak te fuqisë së pamposhtur ushtarake që gjenerohet proporcionalisht nga vendet anëtare.

Prandaj e ri-theksoj se nga 2009 kur Shqipëria j’u bashkua sigurisë kolektive (artikullit 5), bashkë me përfitimet mbart edhe barrën e rreziqeve dhe përgjegjësive që burojnë nga anëtarësimi. E thënë më qartë, çdo kërcënim ndaj tërësise territoriale të 31 vendeve të Aleancës është edhe kërcenim ndaj RSh. Pra nëse/përsa ky Samit mbart kërcënime për Aleancën, sigurisht përfshin dhe Republikën e Shqipërisë.

Ndërsa për sa: “ekspozimin e RSh në mbështetjen pa kopromis deri në fitoren ndaj Rusisë – Putiniste”, theksoj se Shqiperia sigurisht ka interesa gjeopolitike shtesë, përtej atyre të 31 vëndeve të NATO-s. E kundërta, pra një “fitore e Rusisë në Ukrainë”, do të ishte fatale për rendin Global, Aleancën Euroatlantike “por edhe më tragjike për interesat kombëtare të RSh në Ballkan, Mesdhe dhe në Adriatik” !

Së treti, organizimi i kësaj ngjarje madhore në Tiranë e “promovon fortë rolin edhe peshën që mban RSh në paqen, stabilitetin demokratik dhe axhenden e integrimit Euroatlatik të 6 vendeve të ballkanit përëndimor” si dhe në forcimin e partneritetit strategjik me ShBA/NATO-n.

Nga ana tjetër e kthen Tiranën në qëndrën e gravitetit për zhvillimin e projekteve ekonomike të përbashkëta si dhe ndaj të kërcënimeve asimetrike, si “terrorizmi, mbrojtjes kibernetike, emergjencat, ekstremizmmit, krimt të organizuar, etj”!

Me këtë rast sjell në memorjen strategjike edhe rolin aktiv të Shqipërisë, jo vetëm për organizimin e këtij Samiti, por dhe performancën dinjitoze në Këshillin e Sigurimit të OKB-së; për solidaritetin e pa kushtëzuar ndaj vendimarrjeve dhe angazhimeve të USA/NATO-s; mbështetjen për refugjatët si dhe kontributeve ushtarake më shumë se modeste që MM/RSh vijon ti japë Ukrainës martire.

Së katërti, thënë sa më siper, sigurisht për këto ngjarje me peshë gjeopolitike dhe interesa të larta kombëtare, KURRËSESI nuk vlejnë as ekzagjerimet bollshevike, as privatizimi i axhendës euroatlantike, as i dashurisë për mëmëdhenë por as gajasja cinike me “oponentët e pushtetit, qoftë dhe me opozitën vulëhumbur” si dhe as shpërdorimi i Institucioneve Kushtetuese si infermeri (pa) shërimi nga sëmundja ballkanike e mbipushtetit, POR: “vetëm dashuria, nderimi dhe përulësia për vendin, vizioni dhe përgjegjësia e lartë shtetërore ndaj interesave kombëtare, besimi në vlerat demokratike si dhe “bekimi” nga/ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO-s dhe BE”. Përtej humorit, ky Samit sigurisht nuk ka si të ketë lidhje me oshilacionet (50 milionë € ndihmë ushtarake për FS.Kosovës) të ish/Kryetarit-aguridhe, ose “gjeneralit të ushtrisë së vdekur si dhe as me nje grusht egocentrikësh të sëmurë rreth tij”!

Në të kundërt duke përshëndetur organizatorët e këtij Samiti në Tiranë si dhe rreshtimin e Shqiperisë në listën e mbi 20 vendeve të NATO-s që arritën e 2 % të GDP-së në 2024, ndërtimin e Bazës Ajrore të Kuçovës, etj, në krye të axhendës kombëtare, do duhet të mbetet: “përditësimi i mëtejshëm i Sistemit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, duke modernizuar konceptin, strukturat, kapacitetet, balancat e pushteteve dhe kulturën euroatlantike të bashkëpunimit”.

Së pesti, gjetjet e Samitit në ditën e dytë do të shërbejnë si mesazhe Euroatlantike ndaj 6 vendeve të ballkanit perëndimor: “për të mos u (sh) përdoruar për interesat e Putinizmit; të mos frymëzojnë radikalët e tipit Dodik në Bosnjë; as axhendën e pushtetarëve të korruptuar dhe grupeve kriminale; si dhe të mos të kërcënojë ushtaraisht status-quonë gjeopolitike dhe investimin e USA/NATO për paqen e rajonit”!

Me këtë rast do të sillja në kujtesë se: “historitë e pas-luftrave na tregojnë, se marrëveshjet për paqe të qëndrueshme, nuk kanë për të funksionuar, pa shtruar si themele një paketë masash të mirëbesimit reciprok mes popujve. Krimea, mbetet një mësim i madh, mbasi marrëveshja e Minsk/2015, jo vetëm që nuk “polli” paqe por po shpaguhet me gjakun e qytetarëve Ukrainas dhe Rusë”.!

Prandaj, në statusin “Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonin dhe NATO-n”, do ri-sugjeroja miqësisht aktorët zyrtarë, faktorët relevant dhe kolegët në 6 vendet e ballkanit perëndimor, që perspektivën e paqes në rajon do duhet ta para-kushtëzojnë me rikthimin e dy Masave bazë të Mirëbesimit Reciprok (CSBM), nëpërmjet të cilave vendet “të imponohet” se: (1) do të ruajnë balancat e fuqisë ushtarake, deri në nivelin që të mos kërcënojnë reciprokisht integritetin teritorial; (2) të mos vendosin instalime dhe aktivitete ushtarake (20 km distancë ajrore/5km tokësorë), në kufijtë ndërshtetërorë. Më tej këto dy kushte bazë do të duhen të monitohen nga USA/NATO/BE, të cilat mbeten faktor kritik për paqen dhe integrimin e 6 vendeve të ballkanit perëndimor.

Në shtesë, në kontekstin e kohës/momentit, ky Samit mbahet 2-javë mbas Konferencës së Sigurisë në Mynih-ut, dhe do t’ju bashkohet mesazheve: “për të forcuar më tej kohezionin mes vlerave duke mbështetur pa asnjë kompromis Ukrainën deri në fitoren ndaj Rusisë, por edhe për përmirësimin e fuqisë ushtarake në mbrojtje të paqes, vlerave Euroatlantike dhe interesave gjeopolitike të USA/NATO-s/BE-se në rajon”!

Po ashtu, ky Samit mbahet vetëm 4 ditë pas 2 vjetorit të dështimit turpërues të Luftës neo-naziste të Rusisë – Putiniste, e cila jo vetëm nuk e pushtoi dot as me lule dhe valle për dy muaj, dhe as me tanke, raketa dhe bajoneta as për 2 vjet Ukrainën. Por mbas 730 ditë/netë luftime po zvarritet si terroristët e Hamasit në llogoret e Zaporizhias, Oblastes, Bakhmutit, Khersonit, etj, duke lënë në fushëbetejë mbi 320 mijë të vrarë, duke humbur mbi 50 % të territoreve të pushtuara dhe iniciativën strategjike të luftës si dhe betejën për të sfiduar rendin e sigurisë globale, kohezionin vlerat dhe fuqinë ushtarake të aleancës trans-atlantike.

Së fundmi, duke e uruar mirëseardhjen Presidentit Zelensky si dhe suksese pjesëmarrësve, besoj se gjetjet e këtij Samiti do të shërbejnë për të zgjuar dhe zhvilluar një Leadership të fortë me vision dhe përgjegjshmëri të lartë, vullnet, solidaritet, projekte si dhe mbështetje financiare për modernizimin aftësive ushtarake për tu përballjur me rreziqet konvencionale si dhe kërcënimet ndaj sigurisë, paqes, prosperitetit dhe stabilitetit demokratik përfshi/përtej hapësirës se europes jug-lindore.

Po ashtu, shpresoj që mesazhet e këtij Samiti nga Tirana do t’ju shërbejnë elitave mëndjehapura në kryeqytetet e Europës Juglindore se: “paqja mbetet opsion dhe misioni i vetëm” në mënyrë që siguria të konsumohet përtej historisë së përgjakshme, në interes të sigurisë së jetës, prosperitetit të qytetarëve si dhe perspektivën Euroatlantike për 6 vendet e Ballkanit perëndimor.

* Autori është Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; dhe ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit, Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 38
  • 39
  • 40
  • 41
  • 42
  • …
  • 595
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT