• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HISTORIJA E POPULLIT SHQIPTAR-NJË BOTIM QË DUHET LEXUAR NGA TË GJITHË

October 4, 2023 by s p

LEONORA LAÇI/ NJU YORK 2023/

Nuk ke nevojë të shfletosh arkivat e huaja për të njohur historinë e Shqipërisë, mjafton të lexosh këtë libër dhe ke për të njohur si në një enciklopedi të shkuarën tonë.

Historija e Popullit Shqiptar nga At Paulin Margjokaj, O.FM,

Biblioteka Françeskane At Gjergj Fishta boton vazhdimisht dorëshkrime të autorve franceskanë duke pasuruar bibliotekat tona me botime te vlefshme mbi historinë e popullit shqiptar.

Ky botim vjen i përkthyer nga gjermanishtja dhe përgatitet për botim nga Prof.Asoc.Dr.Edomond Malaj, në vitin 2023, shtypet në Shtypshkronjën Volaj në Shkodër. Dhe libri fillon me një falenderim për dashamirësin e veprës së At Paulin Margjokaj O.FM, studiues që kontribuoi në botimin e këtij librit, por jo vetëm të këtij por dhe shumë të tjera botime At Paulin Margjokaj, z.Tomë Mrijaj, i cili sponsorizoi.

Botimi është i përbërë nga tre kapituj; Shqipnija në lashtësi, Shqipnija mesjetare dhe Shqipnija nën sundimin turk.

Siç e thotë dhe në parathënie se qëllimi i këtij libri asht me sjellë shekujt e harruem të këtij populli të vogël te lexuesi i mesëm, i cili nuk ka kohë për studimin e historisë të Shqipnisë së Vogël.

Kapitulli i parë na njeh me qyteterimet e lashta nga veriu në jug, për të kaluar më pas tek sistemi hidrik, tek lumejt e liqejt dhe emertimet e tyre të vjetra, rrugët po ashtu zënë një hapësirë në këtë botim pasi normalisht ato janë urë lidhëse mes vendesh siç ishte Rruga Egnatia, rruga që lidhte lindjen me perendimin. Patër Paulini na jep të dhënat për emërtimin Alban-Albania dhe transformimet e saj duke kaluar nga historia tek gjuhësia dhe kuptimi i termit shqiptar për të vazhduar me lashtësinë e gjuhës shqipe dhe rëndësinë e saj.

Të gjitha të dhënat në libër përmbajnë burimin dhe studimet mbi të cilat ai ka punuar dhe përmenden autorët më në zë shqiptarë e të huaj që kanë shkruar për Shqipërinë dhe shqiptarët. Gama e gjërë e botimeve që ai na sjellë nga autorë të huaj është shumë e gjërë dhe që rrahin mendime të ndryshme. Ka mbi 80 botime të përdorura në këtë pjesë të parë.

Ai ndalet tek hipotezat dhe faktet e origjinës së popullsisë shqiptare, a jemi autokton apo jo, a është origjina jonë pellazge?! E për të vazhduar me shtegtimet nëpër vende të ndryshme të popullsisë ilire, dhe gjetja e gjurmëve ilire në vende të tjera.

Përhapja e krishtërimit në Shqipëri është një tjetër temë me rëndësi të veçantë dha autori bënë një përmbledhje të të dhënave të para për gjurmët e krishtërimit në tokën tonë si dhe përhapjen e tij në hapësirë dhe kohë.

Zhvillimet në mesjetë, pushtimet e ndryshme të territoreve tona e përbëjnë këtë epokë të errët për nga zhvillimi. Një fakt interesant përmendet që:”Në vjetin 1285 e ka origjinën dhe përmendja e parë e gjuëhs arbnore(shqipe): “ndigjova nji za në mal qi po thërriste në gjiuhën arbore”, ky rast ndodhi në Raguzë, në një territor sot të pastër sllav. Në lidhje me gjuhën, që në vjetin 1308 nji auktor anonim tue përshkrue vendin, thotë qi”Arbnit kanë gjuhë qi dallohet prej latinëve, grekëve dhe sllavëve, e kështu nuk merren vesh për asgja me kombet e tjera.”(faqe 134-135). Po ashtu At Margjokaj ndalet edhe tek Arbnit i cili thotë se:-Tek hymja e Arbënve në histori na vejmë oroe edhe nji tipar të randësishëm të qenies së tyne. Ky tipar asht mercenarizmi, i cili e kishte karakterizue gjithmonë ket popull në mënyrë të vecantë. Ma tej do t’vejmë oroe qi arbënit hyjnë në histori jo si komb, por si nji grup farafisesh, per të cilët ndjenja e përkatësisë te njani-tjetri ishte e huaj.(faqe 135-136).

Për të kaluar tek periudha e Gjergj Kastriotit, më pas pushtimi osman, emigrimet e shqiptarëve, dhe islamizimi i Shqipnisë ku shkruan se: “Kshtu pra këtyne të dhanave, në vitet mbas 1640 i kthyn shpinën besimit katolik shumë lokalitete e u suellën kah Islami(fq 230). Ky botim përfshin edhe dokumentimet e para të gjuhës shqipe që fillon me Formulën e Pagëzimit shkruar nga Kryeipeshkvi i Durrësit Pal Ejlli, në vitin 1462, kjo letër baritore u nënshkrua në Kishën e Shën Trinisë në Mat, pas një udhëtimi vizitues ipeshkvnor.

Përmenden edhe Bushatlijt, Ali Pashë Tepelena, shqiptarët në shërbim të vendeve të tjera, luftëtarë për lirinë e Greqisë, katolikët shqiptarë nën kulturprotektoratin e Austrisë, Shqipëria në aspektin ekonomik dhe potenciali i saj.

Pra siç shihet tematikat janë gjithë përfshirëse dhe na bënë një tablo të një periudhe të gjatë kohore.

Studimi i tij ka versionet që kanë hapur shumë diskutime mes historianëve dhe ende diskutimet vazhdojnë, sepse historia nuk është një shkencë që është e pandryshueshme, faktet historike që mund të gjenden kohë pas kohe dhe munden të ndryshojnë faktet që ne kemi deri më tani. Pater Paulini në këtë botim mundohet në mos mbaj anë por të jetë një studiues gjakftohtë dhe i mbështetur në fakte.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të shtjellojë botimin por të informoi lexuesin për rëndësinë e tij, që në vetëm 406 faqe njohin Shqipërinë në disa periudha historike.

Filed Under: Kronike

OPOZITA PRET TË SHKOKLOHET PUSHTETI …?

October 3, 2023 by s p

Frano Kulli/

Zgjedhjet e përpjesëshme të Kukësit na e ripërsëritën rëndomtë këtë pohim të kakohshëm. Opozita shqiptare, ajo që përfaqësohet në rregjistrat zyrtarë të shtetit, në dy a tri copa, pa pikën e dyshimit vetëm sa gjëndet aty me targën e opozitarëve, duke konsumuar benefitet që nuk shterrin kurrë edhe në ato zyra, në secilën prej tyre, e bindur se nga pushteti është aq larg sa as nuk mendon se mund ta arrijë atë ndonjëherë. Asnjëra palë e opozitës. Të vetëdijshëm për këtë, fill mba zgjedhjeve të rradhës sa hedhin tymçen e zakonëshme të vjedhjes së zgjedhjeve dhe më pas , herë me gojë e herë me shkrim kumtojnë e ligjërojnë frazat boshe pa mendim e lëng, pa arsye. Ata e dijnë si buka që hanë se nuk do të vijnë kurrë në pushtet. Këta që janë dhe me punën opozitare që bëjnë. Të vakët, me koferenca për shtyp që as ngrohin as ftohin. Përpjekja më e fundit që na e kanë paraqitë si arritje është rindërtimi a ribashkimi i një grupi parlamentar të shumicës së opozitës. Po sa frymëzojnë deputetët ? Sa shpresë ngjallin për ndryshim ? A do të mund të rivendikoheshin ata në zgjedhjet ardhshme ?
Eksperiencat e zgjedhjeve të shkuara na e paraqesin të dyshimtë ; këtë na e tha edhe Kukësi, këtë na e thotë cikli i pandërprerë i humbjeve. Ishte edhe më e thellë se me 14 maj kjo humbja e fundit, mbas largimit të përçudshëm të pararendësit prej zyrës së kryebashkiakut. Një rënie e frikëshme e rrënimit të shpresës tek opozita, sa të bën ta mendosh se më shumë vota do të mund të kishte marrë një kandidat i pavarur …
Ne kemi sot një pushtet të keq, arrogant, propagandist, rrenacak që drejton vetëm një Shqipëri virtuale. Skandaloz sa s’bëhet , me skandale në seri. Me ministra e zyrtarë që i përdhosin zyrat e shtetit e me të tjera kukulla prej të cilëve zevëndësohen. Dhe që ja ka arrit t’i frikësojë e ti varfërojë Shqiptarët me “të bërit shtet”, duke ua servirë qytetarëve shtetin si forcën që vetëm të detyron, por nuk ka detyrime vetë përreth teje-qytetarit, që e ke zgjedhë të të administrojë jetën tënde publike.Që ka çmimin më të lartë të naftës në rajon dhe rrogat e pensionet më të ultat. Një taktikë e njohur kjo e rregjimeve, që për të sunduar popujt, më së pari i varfërojnë deri në palcë ata.Ua thajnë xhepin e barkun deri në kufijtë e urisë dhe njëherësh i kërcënojnë orë e çast me forcën e shtetit, që do të bëjë me ta rregullin, rendin dhe prosperitetin.Më pas u thajnë edhe trurin, duke ua plehëruar atë më mbidozë helmuese propagande, ritmikisht, përditë, përnatë, me televizion, me radio, me gazetë, me facebook, me twiter…Me “dëgjesa publike” e me përbetime se do të “qeverisim me popullin”.
Dokrra !
Shqipëria tjetër, Shqipëria reale është ajo e varfërisë që rritet përditë, me ekonominë trokë e të orientuar vetëdijshëm me gjasë, në mënyrë të trishtë drejt drogës e parasë së zezë, që mëton të bëhet e shumtë me punë të aspaktë.Korrupsioni rekord jo vetëm që ka forcuar padrejtësisht oligarkinë, një grusht njerëzish që vetëm e zhvasin këtë vend, por njëherësh ka çarë në dysh të drejtën themelore që shtetasit kanë në një vend demokratik për t’u nisur nga i njëjti start në realizimin e prosperitetit të tyre. Milionierë shqiptarë sot janë gjyqtarë e ministra e shtetarë gjithësojësh, që “s’u ka thanë kush puna e mbarë” deri sot. Ose të përlidhun me to. Korrupsioni dhe gjithë ky orientim i drejtimit të punëve të shtetit e ka kriminalizuar frikshëm jetën e shtetasve, me bekimin e padukshëm të vetë oligarkisë. Dhe e ka vagëlluar shpresën e tyre për të ardhmen se ky vend mund të bëhet, duke u lënë të vetmen alternativë; atë të ikjes nga sytë këmbët. Të rinisë, sidomos, që është vitaliteti i vendit dhe i kombit. Siç thonë shifrat dhe jo veç opinionet e ç’ka , me gjasë është edhe synimi i fshehur i vetë oligarkisë, e cila e përcjell këtë që po ndodh me fërkim të fshehtë duarsh. Rinia nget e vrapon nga sytë këmbët, se sheh braktisjen si të vetmen zgjidhje.
Ne kemi sot një pushtet që edhe i manipulon zgjedhjet . Po, mor po. Veçse përballë këtij soj pushteti, opozita (e shpartalluar edhe me investimin sistematik e me të gjitha mënyrat të pushtetit) nuk ngjit, nuk frymzon. Përreth saj gjindet një destine e vogël që është e lidhur me përfitimet edhe në opozitë, deri në gramët e fundit e me mitin e liderit të pandryshueshëm dhe një grusht idealistësh “të pandreqshëm”. Megjith veprimin e amullt e me mosveprimin e saj por edhe me këmbënguljen gati frenetike për ta konservuar stauquonë, domethënë krizën e demokracisë, siç na thanë edhe zgjedhjet e Kukësit, ajo po venit edhe më shumë shpresën e venitur të shqiptarëve për ta rrëzuar despotizmin e këtij pushtetti .
Prijësit opozitarë as nuk ngrohin as nuk ftohin. As nuk mbajnë krahun…Ata, si duket, presin të shkoklohet pushteti e të bjerë, prej peshës së rëndë të skandaleve të veta. Kurse opozicioni shpresëthyer, shumica e shumicës së këtushme jeton letargjinë dimrore: Shqipëria nuk bëhet.

Filed Under: Kronike

Shën Jeronimi ilir (347 -420), përkthyes i Biblës, dijetar i Kishës

September 30, 2023 by s p

Don Lush GJERGJI/

Shën Jeronimi ilir është një ndër kolosët e mëdhenj fetar, shpirtëror, kulturor, biblik, patristik, që e pranojnë dhe nderojnë jo vetëm të gjithë të krishterët, por mbarë njerëzimi, si shenjt dhe dijetar të madh, një ndër doktorët dhe etërit e Kishës më të spikatur të kohës së tij, “egregius doctor Ecclesiae” – doktor i shkëlqyeshëm i Kishës, së bashku me Shën Ambrozin (330-297) dhe Shën Augustinin (354-430). Ai ishte njeri i dijes dhe kulturës, por edhe i studimit, uratës, pendesës, jetës së rreptë asketike, duke luftuar kundër mëkatit, veseve, epsheve, pothuaj gjithnjë në kërkim të përsosmërisë dhe shenjtërisë.

Këto arsye, por edhe shumë të tjera, sidomos sivjet në 1600 – vjetorin e vdekjes së tij, ai vjen tek ne dhe ndër ne me shumë porosi dhe aktualitete, si Njeri i Provanisë dhe historisë tonë të lashtë martire dhe biblike, “vegël” e Zotit, për t’ia dhënë mbarë njerëzimit Biblën, nëpërmjet “Vulgatës”, përthimit të shkëlqyeshëm në gjuhën latine, me shekuj si burim jete dhe frymëzimi për fe, traditë, kulturë dhe qytetërim evropian dhe botëror.

Shën Jeronimi lindi në vitin 247 në Stridon të Ilirisë, në kufi mes Dalmacisë dhe Panonisë. Pas fëmijërisë dhe rinisë së hershme në vendlindje, shkoi në Romë, në “qytetin e amshuar”, për të mësuar dhe informuar me retorikën – gojëtarinë dhe gramatikën – drejtëshkrimin, që aso kohe ishin lëndët kryesore të studimeve, te dy ligjëruesit e famshëm, Mario Vittorio dhe Elio Donato, talent shumë i shquar dhe dalluar, gjë kjo që do të dëshmohet në jetën dhe veprimtarinë e tij të mëvonshme vërtet të jashtëzakonshme. Gjatë shekujve është trajtuar si latinisti më i spikatur, i fundit, biblicisti më i kompletuar, kërkuesi, dijetari dhe dëshmitari më burimor i Biblës – Fjalës, Porosisë dhe Personit – Jezusit, Shëlbuesit të mbarë njerëzimit.

Studiuesi i njohur frances Valery Larbaud shkruan kështu në trajtimin e Shën Jeronimit dhe të familjes së ti: “Prindërit e Jeronimit ishin të krishterë, agrarë të pasur… Përpos emrit “Hieronimus” iliri i ardhshëm, shumë i njohur, kishte edhe emrin e babës “Eusebius”… Për nënën e tij nuk dimë asgjë, as emrin, por për motrën shumë më të re, e cila ishte bërë murgeshë, Jeronimi flet si për “vajzë të re”, ose “grua të re”, por edhe emri i saj do të mbesë gjithmonë i panjohur. Për vëllain Paulinianin (“Paulinianus”), i cili po ashtu ishte bërë murg, pastaj edhe meshtar, mendohet se ishte më i ri se ai diku për 20 vjet.”

Në Romë Jeronimi i ri mendonte që, nëpërmjet jetës së shfrenuar dhe leximit, shijimit të autorëve klasik greko – romak, do ta gjente vetveten dhe lumturinë e jetës. Mirëpo, fatbardhësisht nuk doli ashtu. Së shpejti mendja e tij e ndritur, zemra e tij e madhe, ishte në kërkim të risisë dhe vërtetësisë.

Gjatë viteve 372-381 ishte në Antioki, pastaj në shkretëtirën e Kalkistit, gjithnjë në studime, kërkime dhe shqyrtime. Pagëzimi i tij në vitin 360, ishte hap pjekuri dhe përcaktimi. Tashmë jeta e tij ishte e orientuar kah Jezu Krishti, krishterimi, që kurorëzohej me shugurimin meshtarak.

I dashuruar në Krishtin dhe Kishën katolike, ai filloi studimin e gjuhës hebraishte, për t’u njohur më për së afërmi me “botën e Krishtit”.

Në Romë kthehet tashmë si i krishterë i njohur, biblicist i spikatur, dijetar i vërtetur, për të qenë edhe sekretar personal i papës Damasit. Nga ky bashkëpunim i bekuar nisi edhe puna madhe e përkthimit të Biblës në gjuhën latin, si “vir trilinguis”, njohës i shkëlqyeshëm i latinishtes, Aty ra në sy për erudicion, shenjtëri dhe pendesë. Kjo kishte krijuar shumë miqësi, por edhe zili, xhelozi, deri diku edhe armiqësi, sidomos pas vdekjes së Papës Damasi në vitin 384.

Faza e tretë ishin vitet 385 – 430, në Betlehem, ku hapi një shkollë biblike dhe teologjike, një strehimore për shtegtarë falas, tri bashkësi apo kuvende femërore (386), për jetën dhe përsosmërinë ungjillore.

VULGATA

Parimi i njohur i Shën Jeronimit, tashmë edhe i mbarë Kishës katolike, është ky: “Mosnjohja e Biblës është mosnjohja e Krishtit”. Kjo e shtyri dhe frymëzoi atë që afro 25 vite të merrej me përkthimin e Biblës në tërësi. Ky përkthim është është kanonizuar “si tekst autentik dhe auktoritativ i Kishës Katolike” nga Koncili i Trenntos (1545-1563), ndërsa për të gjithë të krishterët në botë, është bazë dhe themel i shumë përkthimeve biblike.

Përpos përkthimit të shkëlqyeshëm të Biblës, VULGATA, Shën Jeronimi është shkrimtar i frytshëm dhe gjithanshëm, si në teologji, histori, patristikë, ashtu edhe në vepra letrare, me shumë shkrime dhe botime të llojllojshme.

Ndoshta vepra më e njohur e tij është De viris illustribus, (392) – Mbi njerëzit e ndritshëm, për të dëshmuar që edhe të krishterët janë në nivel të ngjashëm apo të njëjtë me klasikët paganë greko – latin. Aty ai i paraqet 135 figura të ndritshme, duke filluar prej Shën Palit apostull dhe përfunduar me veten.

Për Shën Jeronimin Erazmi i Roterdamit thotë se “është i vetmi dijetar i Kishës së përgjithshme, i cili në mënyrë të përsosur e ka njohur botën e krishterë dhe atë pagane”

Dhe vazhdon kështu: “Nëse shqyrtohet gojëtaria e tij… asnjë shkrimtar i pjesëve tona nuk mund të krahasohet me të: sipas mendimit tim, ai tejkalon edhe Ciceronin për disa cilësi, kryesuesin e gojëtarisë romake… Kush mund të jetë i barabartë me të në njohjen e aq gjuhëve… të jetë si ai që ka jetuar për Krishtin me aq fuqi? Kur ka bërë të njihet më me shumë ngazëllim”

“Ky ilir-shqiptar i merituar ishte një natyrë impulsive, tek i cili është përshtatur dhe kundërshtuar mrekullisht kultura themelore pagane me ndjenjën e thellë e të zjarrtë kristiane… Ky humanist dhe filolog i shquar thuajse i pashoq, me veprën e vet, siç ka pohuar edhe Aleksandër Stipçeviqi, i ka dhënë një kontribut të çmueshëm botës perëndimore në fushën e kulturës. Vulgata e dëshmon këtë.“.

Shën Jeronimi dhe shqiptarët

Shumë figura të ndritura ilire, që nga zanafilla e krishterimit ndër ne, me Shën Palin dhe nxënësit e tij, si Shën Asti i Durrësit me shtatë shokët martirë, gjatë përndjekjeve të Traianit (98 – 117), nën udhëheqjen e prokurorit Agrikola, Shën Flori dhe Lauri, martirët dardanë në periudhën e perandorit romak Hadrianit (117 – 138); perandorin e Romës Kostantinin e Madh, dardan-ilir, i cili me Ediktin e Milano (313) ia dhuroi krishterimin lirinë dhe barazinë me paganë, Shën Niketa dardan, përpiluesi i himnit më të bukur të krishterimit në shekullin e IV “Te Deum Laudamus” (Ty o Hyj, të lavdërojmë), e shumë të tjerë, ashtu edhe Shën Jeronimi ilir, njeriu i cili e afroi, deri diku edhe e pajtoi kulturën para-krishtere, pra, pagane, me krishterimin, fatkeqësisht është pak i njohur dhe studiuar ndër Shqiptarë.

Shën Jeronimin ilir, që e ka përvetësuar dhe paraqitur si “shqiptar” të dalluar dhe të njohur në mbarë botën, është Imzot Fan Stilian Noli. Gjurmëve të Imzot Nolit kishte vazhduar edhe Don Ndre Mjeda, i cili e kishte paraqitur edhe një lloj skice, apo njësie didaktike dhe shkollore, për ta bërë Shën Jeronimin pjesë të pandashme të shkollës, kulturës dhe qytetërimit tonë të lashtë ilir, arbëror dhe shqiptar.

Iliri ynë e “krishterizoi” botën klasike greko-romake, dhe krishterimin e bëri fe dhe kulturë të gjithmbarshme për mbarë njerëzimin.

Aty, në Betlehem, në afërsi të shpellës ku lindi Shëlbuesi ynë Jezu Krishti, Shën Jeronimi e përfundoi ecjen tokësore, i drejtuar kah amshimi i lumtur (30 shtator 420).

Në “Martirologium Romanum” Shën Jeronimi cilësohet si dijetar i spikatur i Kishës, prifti më i ditur, ai që i aftësonte edhe të tjerët në këtë drejtim.

Shën Jeronimi është Shenjti universal i krishterimit, si është universal vetë Zoti – Ati ynë i mirë, jeta dhe krijimtaria e tij tejet e rëndësishme për mbarë njerëzimin.

Jeta dhe vepra madhore, enciklopedike e Shën Jeronimit, mund të ndahet në pesë kapituj apo drejtime:

Përthimi i tërësishëm i Biblës nga Shën Jeronimi, me Vulgatën e famshme, që gjatë shekujve, edhe në ditët tona, mund të themi se është e papërsëritshme, burimore, tejet e përsosur, unike, kryevepër e Zotit nëpërmjet tij, dhënia e Biblës në gjuhën latinë për mbarë botën e krishterë, edhe më tepër, për gjithë njerëzimin.

Komentimi, egzegeza, shpjegimet e teksteve biblike, ai i bëri me kompetencë dhe njohuri shumë të rrallë, me sukses të dalluar, me thellësi dhe mprehtësi jetësore, për jetën fetare dhe morale.

Letrat e Shën Jeronimit, Epistolario, 122 letra të tija, personale, 32 korrespondencë, gjithsejt 154, që ai i definonte si “libër”, janë një thesar i paçmueshëm fetar, shpirtëror, kulturor dhe letrar “që mund të krahasohet me atë të Ciceronit.” “Letrat e Jeronimit janë thesar i vërtetë; në tërë letërsinë e krishterë nuk ka diçka të ngjashme.”

De viris illustribus, është pa dyshim një ndër veprat më të rëndësishme letrare, kishtare, si “Chronicon, pati famë tejet të lartë gjatë gjithë Mesjetës.”

Sipas gjasave dhe elementeve që kemi mund të themi: Shën Jeronimi e ka përfunduar këtë vepër madhore gjatë viteve 392 – 393 në Betlehem, gjatë kohës së Perandorit romak Teodosie i Madh (347 – 395), i cili me Ediktin e Selanikut (380) e kishte shpallur krishterimin si të vetmen fe në Perandorinë e Romës.

Shumë vepra dhe shkrime tjera dëshmojnë njohuritë dhe kulturën e tij tejet të madhe, erudicionin e gjithanshëm, trajtimin e temave të llojllojshme, trashëgimi që botohet, lexohet dhe studiohet në vazhdimësi gjatë shumë shekujve, deri në kohën tonë.

“Jeronimi mund të konsiderohet vërtet si shkrimtari i madh dhe i fundit i latinishtes… ai është në rend të parë shkrimtar, letrar…” v

Ndaj këtij Njeriu, Shenjti, krijuesi të papërsëritshëm ilir, së pari ne si shqiptarë dhe të krishterë, kemi një borxh tejet të madh, pastaj edhe kultura dhe qytetërimi evropian, pse jo, edhe ai botëror.

“Në Vulgatën e tij, Shën Jeronimi nuk shquhet vetëm si filolog i ditur, i cili përkthente me zotësi nga origjinali hebraisht duke krahasuar me greqisht, por ai na del edhe si artist i talentuar i fjalës, si krijues gjenial, që ka ditur të depërtojë në thellësinë e mendimit të përsosur të tij.” vi

Jeta dhe vepra e Shën Jeronimit ilir, përthyes në tërësi të Biblës, Dijetar të Kishës, është një model i përsosur i njeriut të Zotit, punëtorit dhe kultivatorit të pashoq të kulturës së krishterë, veprimtarit të frymëzuar prej fesë dhe dashurisë, enciklopedistit të antikës greko – romake dhe hebreje, duke e pasuruar atë me risinë madhore të krishterimit në trojet tona të stërlashta ilire, pastaj arbërore, sot shqiptare.

Prishtinë, 30 shtator 2020 Don Lush GJERGJI

Filed Under: Kronike

Lamtumirë At Arthur Liolin

September 29, 2023 by s p

Me hidhërim e mora lajmin e ikjes nga kjo botë të Ar Arthur Liolinit.

Iku në qiell një Shenjt. E kishim takuar disa herë me Qemalin në aktivitetet tona në Boston në Kishën e Shën Gjergjit.

Ndjemë dhe pamë tek ai një trim si Gjergj Kastriot Skënderbeu, një gjuhë kulluar si Naimi, një dishepull i Fan Nolit, një poliglot i pashoq, një arshivë e historisë ortodokse shqiptare, një shqiptar i madh, një amerikan i lindur, një shpirtmadh si Nënë Tereza, një predikues besnik i Zotit.

Iku një Shenjt!

Si homazh po sjellë intervistën time realizuar me At Arthur Liolinin në Kishën Shën Gjergji në Boston

BISEDË ME AT ARTHUR LIOLIN

Bisedoi Keze Kozeta Zylo

Gjate intervistës me At Artur Liolin në Kishën “Shën Gjergji” në Boston të ndërtuar nga Fan Stelian Noli themeluesi i Autoqefalisë së Kishës Orthodokse Shqiptare me meshën e parë në shqip, më 22 mars 1908 në Boston që e shkëputi nga Patrikana greke…

At Liolini midis të tjerash tha: Në këtë kishë ne kemi një thesar të historisë amtare të përbashkët që kemi trashëguar këtu në Amerikë dhe jemi të detyruar ta shpërndajmë dhe të njihen të gjithë brezat me këtë punë të vyer të diasporës shqiptare…

Pas Prillit të 1939-ës Noli mendonte dhe përkrahte idenë e “Bashkimit të Shenjtë” për rikthimin e Zogut pas Luftës së Dytë Botëerore, se besonte që më mirë të kishim një Shqipëri të pavarur sesa një shtet të asimiluar nën Italinë Fashiste të asaj kohe.

…Si lider i Kishës ortodokse shqiptare Shën Gjergji, ikona e ortodoksizmit shqiptar, të themeluar nga Fan Noli, si po e vazhdoni rrugen e tij?

DUKE I SHËRBYER POPULLIT DHE ZOTIT.

Në dy dekadat e fundit ka pasur një fluks të madh shqiptarësh në Boston, si i ka pritur Kisha juaj ata vetëm si ortodoksë apo si shqiptarë në radhë të parë?

I kemi pritur dhe i presim si motra dhe vëllezër bashkëkombas, pa dallim feje.

Siç e dini virtyti i mikpritjes eshte jo vetëm detyrë e besimtarit, por edhe traditë e lashtë shqiptare. Ky është një rast i shkëlqyer për të shkëmbyer eksperiencat tek njëri-tjetri, anën shpirtërore dhe kulturore si dhe për të forcuar zërin e shqiptarëve në hemisferën Perëndimore.

Në përgjithësi, koha për të ndihmuar emigrantët konkretisht ka mbaruar, me përjashtim për të lehtësuar probleme specifike. Konkretisht shqiptarët që kanë ardhur pas rinisjes së marrëdhënieve të mira me SHBA-në kanë ndihmuar dhe ndihmojnë njeri-tjetrin në çdo pikëpamje, si nga ana materiale ashtu dhe kulturore.

Të ardhurit përshtaten shumë shpejt në shoqërinë këtu duke formuar shkolla të trashëgimisë shqipe si dhe janë zgjedhur si zyrtarë tek Faltoret.

Na gëzon zemra kur shohim të dy palët së bashku duke mësuar dicka prej njëri-tjetrit.

A keni studentë shqiptarë që po vazhdojnë Universitetet Teologjike te sponsorizuar nga Kisha Juaj dhe ka prej tyre që janë kthyer në Shqipëri?

Kemi disa studentë që nën hijen e peshkopatës sonë po vazhdojnë studimet nëpër akademitë ortodokse në New York, Pennsilvany, Boston si dhe në Durrës.

Disa prej këtyre studentëve janë me prejardhje shqiptare, kurse disa të tjerë janë krejt amerikanë që janë rritur në dioqezën tonë.

Një prej këtyre studentëve është diplomuar në Boston dhe është kthyer në Shqipëri, I cili sot punon si Episkopi i Korçës. Kurse imzot Nikoni I Bostonit në bashkëpunim me Kryepeshkopin Anastas Janulatos ka propozuar: se çdo seminarist prej këtu duhet të kalojë një periudhë në shkollën Orthodokse “Ngjallja” në Shën Vllash të Durrësit.

Ju jeni një personalitet i Kombit tonë dhe i Kishës Orotodokse shqiptare, çfare lidhjesh keni me kishën autoqefale të Shqipërisë dhe konkretisht me Kryepeshkopin Janulatos?

Kryepeshkopata jonë është pjesëtare e Kishës Orthodokse Autoqefale në Amerikë. Kështu, sipas kanuneve Kisha e Shqipërisë dhe Kisha e Amerikës janë dy juridiksione praktikisht të pavarur administrativisht, por shpirtërisht të bashkuar, sicdo kishë autoqefale në botë.

Imzot, Lumtëria e Tij Anastasi Janulatos ka vizituar katedralen tonë si dhe imzot Peshkop Nikoni u mirëprit në Tiranë në muajin Maj kur udhëtoi për të parën herë në Atdhe.

Të dy hierarkët bashkëmesuan dhe kaluan takime të ngrohta me një bisedim të frytshëm.

Kemi marrëdhënie shumë të mira dhe shpresojmë se kjo është për të mirën e të gjithëve:

të besimit tonë, të shtetit shqiptar dhe të popullit në përgjithësi.

Cfare lidhjesh keni me organizatat e tjera shqiptare në Amerikë, qoftë fetare apo politike?

Lidhjet që Kryekisha jonë kishte dhe ka gëzuar për vite me radhë me faltoret shqiptare pa dallim feje, si dhe me organizatat kulturore dhe etnike, janë marrëdhënie të forta dhe të mira.

Këto marrëdhenie vazhdojnë dhe sot me një frymë miqësie dhe bashkëpunimi në çdo rast ku ka nevoje humanitare ose kombëtare.

Kisha nuk merret me partitë politike dhe ruan rezervën e saj në këto aspekte, sepse është jashtë kompetencës sonë. Në fakt, besoj se Institutet fetare kanë më shumë kredibilitet kur nuk merren drejt me probleme politike se ato janë të perkohshme, dhe kisha merret me çështje shpirtërore dhe të përjetshme.

Roli dhe konshienca e Kishës është më shumë, ashtu si ndërgjegjja e Kombit që jep largpamësi, balancim dhe ekuilibrim në shoqërinë ku vepron.

Megjithatë, është domethënëse se disa cështje në jetë lidhen dhe derdhen nga një fushë në tjetrën. Por përpiqemi kurdoherë të mbajmë një gjakftohtësi dhe objektivitet prej politikës. Edhe në kohën kur udhëhiqte Fan Noli, ai kishte kujdes t’i ndante duke mbajtur mitrën e Kishës për çështje fetare dhe kapellen e Vatrës për çështje kombëtare.

Sot e shohim me të përshtatshme për Klerikët që të jenë të distancuar nga probleme që janë jashtë sferës së besimit. Ndihemi më mirë kështu.

A ka kisha të tjera ortodokse shqiptare në Boston dhe çfarë bashkëpunimi keni me to?

Peshkopata jonë ka 13 kisha në SHBA, kurse në qytetin e Bostonit kemi 3 famullie.

Dy janë nën hijen e Peshkopatës sonë, dhe 1 është nën hijen e Patrikanës së Stambollit.

Kleri dhe besimtarët e të tre kishave të qytetit tonë kanë marrëdhënie të mira në veçanti në çdo rast që kërkon bashkëpunim.

Famullitë janë formuar dekada më parë me kushtetutat kishtare dhe ligjore të tyre për të kontrolluar organizatat e tyre.

A keni pasur takime Ju personalisht apo dhe ndonjë anëtar i Kishes tuaj me anetarë të ish regjimit komunist në Shqipëri, dhe si e shikonit izolimin total dhe shkatërrimin e fesë që bëri qeveria komuniste në atë kohë?

Kam udhëtuar për në Atdhe në vitin 1988 për të parën herë, dhe kam pasur bisedime me zyrtarë të shtetit të asaj kohe, të Akademise së Shkencave, të Universitetit, të Muzeut dhe Bibliotekave të ndryshme, Arkivin Kombëtar, etj.

Përsëri më ftuan në vitin 1989 dhe sic e dini kam udhëtuar disa herë më vonë me udhëtime kulturore, arsimore dhe misionarësh.

Qëllimi ynë ishte krejt thjesht e qartë: Te rikrijonim lidhjet pas nje shkëputje shumë të gjatë, midis vendit ku jetojmë me vendin e paraardhësve tanë.

Mejtimi ynë është se çdo ankim mund të zgjidhet me kohë e me bashkëbisedime.

Në fund asnjë pale nuk fiton nga izolimi dhe mosbisedimi.

Në poezinë e Xhon Dunnit shkruhet: “ASNJË NJERI NUK ËSHTË ISHULL”

E pashë si gjynah të madh se traditën tonë të shtrenjtë për bashkëjetesë fetare e zhdukën me ligj, dhe kjo ishte një humbje e rëndë për cdo individ si dhe për imazhin e Kombit.

Është e vërtetë se keqpërdorimi i fesë shpesh herë sjell probleme shoqërore, por në thelb jane sfida per të kapërcyer dhe për të qartësuar besimin për të gjithë.

Këto shkatërrime të strukturës fetare dhe të ndërtesave më të vjetra dhe të bukura në Ballkan, kanë lënë një barrë të rëndë mbi supet e popullit dhe të besimtarëve sot.

Megjithatë kemi shpresë për kohën e ardhshme. Çdo qeveritar i lartë ose i thjeshtë na ka pritur atje dhe njëkohësisht janë mirëpritur këtu.

Mjaft Diplomatë, piktorë, mjekë, qeveritarë dhe vizitorë nga Shqipëria janë mirëpritur në kishën e Bostonit. Këtë e kemi jo vetëm detyrë por edhe një kënaqësi shpirtërore.

Ishte Noli i shkëputur nga politika dhe kur u vesh si Prift?

Zyrtarisht Noli ishte i shkëputur nga politika kur u kthye ne SHBA pas 30-ës, por kjo nuk do te thotë se nuk u interesua për të mirën e kombit ose për shtetin shqiptar.

Përkundrazi vazhdoi të kishte bisedime, të jepte këshilla dhe opinione në raste të ndryshme kur kërkonin mejtimet e tij të vlefshme, e cila për të ishte një litar i tendosur.

Kështu ka ndodhur dhe me Papa Gjon Palin II-te, në një anë mbante distancë dhe nga ana tjetër nuk e mohonte dot kujdesjen që kishte për vendin e tij Poloninë.

Interesante është që dy klerikë të mëdhenj ishin shkencëtarë, merreshin me teatër në rininë e tyre, shkruanin poezira dhe kishin një pamje dhe respekt popullor.

Të dy këto figura tepër të rëndësishme kanë një pozitë të vecantë për kombet e tyre respektive.

Cili është qëndrimi Juaj në lidhje me mbretin Zog, i cili dihet që ka qenë një nga kundërshtarët e mëdhenj të Fan Nolit?

Historia është një zinxhir i pandërprerë. Kështu në bibliotekën dhe arkivin tonë kemi të dhëna për cdo periudhë të historisë shqiptare.

Është e vërtetë që Imzot Noli dhe Ahmet Zogu kishin ndryshime pikëpamjesh në fushën politike.

Studimet dhe librat për atë kohë janë shumë dhe të larmishme.

Ka dhe raste kur të dy kishin një lloj marrëveshje: përshembull në vitin 1937 kur erdhën motrat e Zogut ne Boston ato erdhën menjëherë në Kishën e Shën Gjergjit për të vizituar Imzot Nolin.

Pas Prillit të 1939-es Noli mendonte dhe përkrahte idenë e “Bashkimit te Shenjtë” për rikthimin e Zogut pas Luftes së Dytë Botëerore, se besonte qe më mirë të kishim një Shqipëri të pavarur sesa një shtet të asimiluar nën Italinë Fashiste të asaj kohe.

Sic e dini historia mori një rrugë tjetër. Ne fillim Noli shpresonte se partizanët dhe qeveria e Enver Hoxhës do të kishte një frymë egalitare në përputhje me principet e tij të Revolucionit Demokratik të 1924-es. Besoj se shumë prisnin të njëjtin rezultat,

por historinë e vërtetë e dinë më mirë ata dhe ato që jetuan brenda atij sistemi totalitar pas Lutës së Dytë.

Në thelb, Noli punonte dhe shpresonte për një shtet shqiptar të lirë dhe të pavarur, tamam si e gjeti këtu kur erdhi në 1906.

Si e shikoni Pavarësinë e Kosovës dhe cilat janë përpjekjet që ka bërë kisha juaj për Kosovën Martire?

Shumica e diplomatëve sot thonë se nuk ka rrugë tjetër përveç një Kosovë të pavarur, për të mirën e popullit të atjeshëm si dhe për stabilizimin e rajonit.

Besoj se shtetet e Gadishullit Ballkanik kudo në Europë si dhe jashtë saj e kanë kuptuar mirë këtë nevojë.

Për këtë qëllim qeverisja e Kosovës do të kërkojë një qëndrim aktual dhe largpamës të gjerë që respekton të drejtat e të gjithë banorëve të Kosovës dhe që përmbledh gjithë faktorët më të denjë për një shtet demokratik.

Kjo kërkon një maturi të thellë dhe kuptojmë se largpamësia nuk vjen kollaj pas tragjedisë njerëzore që ndodhen në fund të viteve 90-te, prandaj kërkon një qeverisje të ndershme dhe të suksesshme.

Megjithëse Kisha jonë nuk merret me çëeshjet politike, por për çështjet humanitare dhe për të drejtat e njeriut ju është përgjigjur në çdo rast që kanë pasur nevojë bashkatdhetarët tanë.

Ju flisni një gjuhë të kulluar shqipe sikur të keni lindur në Shqipëri, si keni arritur ta përvetësoni kaq perfekt?

Më duket se më bëni qejfin.

Shqipen që unë përdor sot e kam mësuar në pëqinë e gjyshes, por më shumë duke lexuar librat fetare gjatë shërbesave dhe duke iu falur Zotit si shërbëtori i Tij në meshë.

Ndërkohë interesohem shumë për gjuhësinë tonë dhe vazhdoj të mësoj më shumë duke bidseduar me shqiptarët që kanë ardhur në dekadat e fundit në SHBA.

Ne kemi nga të mësojmë dhe të frymëzohemi, le të marrim shembullin e Nolit i cili vazhdoi me mësimet univeristare gjer sa ndërroi jetë.

Gjithashtu unë e kam zakon të lexoj çdo mëngjes në Internet disa gazeta që botohen në Atdhe. Ashtu siç bënin emigrantët e parë shqiptarë në fillim të Shekullit 20-te, po ashtu bëj dhe unë për të mësuar gjuhën e bukur dhe të ëmbël shqipe.

Së fundi c’mendim keni për gazetën “Iliria”?

Gazeta “Iliria’ dhe redaktorët e saj duhen lëvduar për punën e tyre, se kjo gazetë mbush një nevojë të domosdoshme për të informuar jo vetëm shqiptarët këtu dhe kudo por edhe për të ngritur në skenë problemet tona për audiencën Amerikane dhe ndërkombëtare.

Ju faleminderit për Intervistën At Arthur Liolin dhënë për publikun shqiptar!

Ishte në nderin tim t’ju përgjigjesha pyetjeve tuaja interesante për publikun shqiptar Zonja Zylo!

Boston 2006

Filed Under: Kronike

Shqiptarët në New York kryen homazhe në nderim të heroit të Kosovës Afrim Bunjaku

September 27, 2023 by s p

Sokol Paja/

Shqiptarët në New York kryen homazhe në nderim të heroit të Kosovës Afrim Bunjaku i vrarë nga një sulm terrorist serbo-rus në Leposaviq të Kosovës. Përfaqësuesit kryesorë të shoqatave e organizatave patriotike shqiptare në New York e më gjerë e kujtuan me lule, lutje e qirinj heroin Bunjaku i cili ra dëshmor i Atdheut në mbrojtje të kufijve të Kosovës, rendit, sigurisë së qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës. Konsulli i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York Ambasadori Prof.Dr. Blerim Reka i shoqëruar nga shumë bashkatdhetarë e diplomatë shqiptarë, nën organizimin e Mark Gjonaj, pas homazheve Ambasador Reka shkroi: “Sot me bashkëatdhetarët tanë të Nju Jorkut dhe me ambasadorin e Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha në homazhin për heroin Afrim Bunjaku i cili u vra nga terroristët serb deri sa ishte në detyrë dhe në mbrojtje të atdheut. Lavdi!” Mirënjohje dhe lavdi përjetë heronjve, luftëtarëve e çlirimtarëve të Kosovës së lirë.

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • 58
  • …
  • 596
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”
  • “Ëndrra Amerikane” në Washington DC
  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT