• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç

March 25, 2023 by s p

Kur Konica shkruante se “dheu i Shqipërisë mund të japë bukë për 20 milionë banorë”. Sot 126 vjet nga numri i parë i “Albania”-s me botuesin vetëm 22 vjeç.

Nga ROLAND QAFOKU

Si sot 126 vjet më pare, në botën shqiptare ndodhi një ngjarje nga më të rëndësishmet në nivelin kulturor dhe intelektual, por veçanërisht atë kombëtar. Më 25 mars të vitit 1897, në Bruksel, doli numëri i parë i gazetës “Albania” për të cilën nuk është e tepërt të themi se është gazeta më e mirë, më me vlerë, më me kulturë, më me ndikim dhe më patriotike në të gjithë historinë e medias shqiptare. Botuesi i saj ishte Faik Konica dhe në 122 numrat që botoi ai, më vonë edhe në Londër, i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm të gjithë kombit shqiptar. Dhe të mendojmë se botuesi Faik Konica ishte vetëm 22 vjeç. Po, po. E lexuat saktë. Faik Konica ishte vetëm 22 vjeç kur botoi kryeveprën e tij “Albania”. Me vrullin dhe energjinë e moshës, i sapo diplomuar për Bachelor në Universitetin e Dijonin në Francë për letërsi dhe me një kulturë poliedrike të marrë në shkollën saveriane në Shqipëri, në studimet në liceun e Stambollit dhe më pas në Francë, Faik Konica ka meritën që jo vetëm botoi një gazetë cilësore në dhe të huaj, por që nëpërmjet saj përçoi dhe ndikoi aq shumë në shoqërinë shqiptare të kohës dhe pas saj aq sa sot ta lexosh duket sikur je në të ardhmen dhe jo në të shkurën. Ai pati meritën së pari shkroi vetë me një penë të artë dhe që e meritonte cilësimin “kryeshkronjës”. Rreku tema për herë të parë dhe që ishin tabu për kohën që nisnin që nga gjuha shqipe, shkenca, politika, filozofia, arti, letërsia shqipe, letërsia botërore, historia, ekonomia dhe veçanërisht çështja kombëtare. Ai pati meritën që shkroi për Shqipërinë kur nuk kishte Shqipëri. Ai pati zotësinë që nëpërmjet kësaj gazete të lëvronte gjuhën shqipe si një usta i vërtetë duke llogaritur edhe vështirësitë e shtypjes dhe gërmave që në shtypshkronjat e Brukselit nuk i gjente dot dhe i zëvendësonte me me ç’të mundte. Ai pati zotësinë të shkruante gjuhën shqipe kur ende kjo gjuhë në Shqipëri shkruhej dhe kultivohej rrallë duke përkthyer sa e sa fjalë si kjo “Mësalha” që do të thotë vitrina. Ai pati aftësinë të mblidhte rreth vetes pena të arta të kohës si Mit’hat Frashëri, Ismail Qemal Vlora, Visarion Dodani, Koto Hoxhi, Ibrahim Temo, Dervish Hima, Spiro Garo, Thoma Abrami, Lulo Frashëri, Syrja Vlora, e shumë e shumë të tjerë, një pjesë e të cilave jetonin në Shqipëri. Vetë shkruante me pseudonimin Trank Spiro Beg. Një i tillë është edhe kjo që po botojmë sot që ka qenë një nga editorialet më të bujshme me titull: Armiqtë e Shqipërisë. Lexoni me vëmendje në hyrje: “Të gjithë ata që kanë njohur mirë vendin tonë, shkrojnë se dheu i Shqipërisë mund të japë bukë 20 milionë shpirteve (banorëve). E dini që jemi 3 milionë dhe 2 milionë ngordhin urije. Shkruajnë që shqiptarët janë mjaft të mençur, nuk janë vetëm për zbukurimin e tyre por edhe për mirësinë e të gjithëve. Kemi armiq. Për atë të gjithë bashkohen në një zë. Ca zgjasin gishtin drejt dhelprës së grekut. Ca dëftojnë gjarpërimin e shqave (serbëve), ca të tjerë emërojnë me zë të ulët trasherin e halldupëve (turqve).”… Vijon.Kjo ishte Albania dhe ky ishte kryeshkronjësi Faik Konica. Kam fatin ti kem në arkivin dhe bibliotekën time tim të 122 numrat dhe që për mua janë një thesar. Kur lexoj që Faik beun e akuzonin për dembel e besoj pakës sepse nuk la asnjë libër të shkruar dhe Imzot Noli ia përmendte shpesh. Përgjigja e Konicës ishte: Imzot, ja i shkrujta, kush do ti këndojë? Atje në qiell ku është tani ndoshta qesh se pas një shekulli ne shqiptarët e tij kemi filluar t’ia lexojmë me endje ato që nuk ia lexuan të freskëta. Megjithatë, ai që ka drejtuar një gazetë e di mirë se çfarë do të thotë ta përgatisësh, ta drejtosh dhe ta botosh atë. Vetëm dembel nuk mund ti thuash “dreqtorit” Faik Konica. “Albania” e kundërshortin këtë. Është një monument dhe gazeta më e mirë e të gjithë historisë së medias. Ta ruajmë duke e lexuar!

Filed Under: Kulture

Vjena – Qytet i Requiemeve – Requiem për Musinenë!

March 24, 2023 by s p

Bisedë me Gjergj Jozef Kolën

Mbi takimin e organizuar në sallën e Kongreseve në Europahaus . Vjenë! Intelektualja e rrallë Musine Kokalari, nyje e randsishme e kulturës shqiptare, mblodhi nji grup dashamirës të kulturës shqiptare në Vjenë! Arsyeja ishte e thjeshtë: Te kjo figurë janë bashkë: Intelektualja, Shkrimtarja, Politikania, Martirja po edhe Modeli moral i nji shoqnie që prej kohësh e ka pranuar se degradimi i saj asht e vetmja zgjidhje tashma e shpallun në heshtje… Në Vjenë, kam zbritë për s’pari herë, po kaq shumë e dashtun m’ka qenë Vjena, për gjithçka ka ba ajo për historinë tona, sa e ndjeva nji qytet tejet familjar, i dashtun e mikpritës sa e ndjeva qytetin pjesë e diçkaje të randësishme që ka jetue mbrenda meje dhe vetëm prej kësaj bisede me Gjergj Jozef Kolën, ma së fundmi u gjet njaj i bekuem çelës me e vendosë harmoninë midis asaj që ashtë histori edhe i asaj që asht bashkëkohsi! Kët bisedë në formë interviste asht frut i nji bashkëpunimi të hershëm me zotin Kola, por që kësaj here u ndalëm ma gjatë të figura e Musinesë.

Jozef Radi – Vjenë, 21 mars 2023

Si autor i nji drame mbi Musine Kokalarin dhe jo vetëm por edhe fakt që kjo dramë u vu në skenë prej “Teatri për të Rinj” në Shkup, i cili pat edhe vleresime europiane, desha të di cilat janë ndjesitë tua si autor për kët udhëtim të dyfishtë artistik të veprës suej në 40 vjetorin e largimit të Musinësë?

– Qysh se jam njoftë me jetën e Musinesë nuk m’asht nda për asnji çast figura e saj, derisa u krijue edhe kjo dramë, që e kam quejtë Requiem. Vjena asht qyteti i Requiemeve të famshme të Mozartit, Bethovenit, Haydenit e këtu pata qetsinë me e zbritë deri në fund dhimbën krenare të Musinesë. Nji njeri, nji zojushë shqiptare që vuen 20 vjet burg e mandej edhe 15 vjet internim, me vdekë aty prej sëmundjes së pamjekueme, tash e 40 vite të shkueme, pa u thye asnjiherë, porse tue ruejtë dinjitetin njerzor, asht nji ndeshje e jashtzakonshme për nji shkrimtar, aq ma tepër që vetë Musineja ishte e tillë…Ftesa në Festivalin europian të dramës dhe nderimi me disa Diploma natyrisht asht nji kunorzim i jashtzakonshëm për Musinenë, po edhe për të tanë ne. Musine Kokalari mbrrin në Vjenë përmes nji projekt që solli emocione e përcolli edhe nji mesazh humanizmi e frymë largpamësie.

A vlen me u përsëritë ky mesazh në tjera realitete shqiptare e me tjerë personazhe në epiqendër?!

Së pari gjej rast me ju falenderue Ju dhe gjithë të tjerët që morën rrugën e gjatë si Shën Pali dikur prej Jerusalemi m’u ndalë në Durrës, edhe ju erdhët prej larg dikush prej Ancone, dikush prej Gjinokastre, dikush prej Prishtine, e dikush prej Tirane, me sjellë në Vjenë sekush nji mesazh cilësor për Musinene. Në Vjenë vijnë mjaft personalitete të ndryshme shqiptare, porse shumë pak vijnë për art, letërsi o përkujtime figurash të martirizueme! Besoj se kjo ishte nji eksperiencë pozitive, porse s’ka nisë me Musinene. Fjala vjen, vitin e shkuem kena pasë nji kuvendim për Martin Camajn, edhe mendoj me e vazhdue kët cikël përkujtimesh! Mendoj se në Vjenë ku ka nisë edhe zanafilla e pavarësisë sonë, kanë me gjetë zbatim edhe idetë e sipërpërmenduna…

Ç’ka mendoni se mund të bahet ma mirë në nji tjetër organizim për Musinenë apo për ndonji tjetër personazh të kulturës shqiptare ende në hije prej politika e 80 vjeçare?!

Organizime të tilla komplekse shërbejnë edhe si eksperiencë edhe padyshim mund të perfeksionohen në shumë elementë. Në kët Konferencë kanë shprehë dëshirë me ardhë edhe tjerë studjues, shkrimtarë porse rrethanat s’e kanë ba të mujtun. Falenderoj edhe zonjën Nashi Broker, që merret prej vitesh me Musinenë, dhe nuk u ba e mundun që të ishte pjesmarrëse. Pastaj tashma të gjithë e dijmë se shteti shqiptar, ndryshe prej shumë shtetesh tjera, asht thuejse inekzistent në art, kulturë e sidomos letërsi. (në tallava jo) Edhe nji takim i Shkrimtarëve të Diasporës që u ba para tre vjetësh në Tiranë, në panele ishin shkrimtarët që siç u thona na n’Shkodër që: “S’e kane kalu Urën e Bahçallëkut…” në vend që kjo të drejtohet prej vetë shkrimtarve të Diasporës! Konferenca në fjalë ishte shumplanëshe, me personazhe e trajtime prej mjaft fushave.

Ç’ka mund të queni risi e këtij organizimi në Vjenën ku bajmë nyje edhe shumë figura që janë shkelë prej diktaturës?!

Risija qëndron të fakti se u banë përpjekje që Figurën e Musinesë me e ndriçue prej shumë kahjesh të ndryshme. Nga koha e studimeve, shkrue në kujtesën fisnike të Dr. Lazër Radit e përcjellë me dinjitet nga Ju zoti Radi; kujtimet e familjarëve nën reflektimin e ngrohtë e të dhimbshëm të Arjeta Kokalarit; studimi analitik i nji nji vepre të saj nga penda e mprehtë e filologes, Dr. Elona Gjata, nga trajtimi paralel në kohna i shkrimtares Angjelina Marku; po edhe përshëndetja dashamire e shkrimtares dhe politikanes, Flutura Açka. Mendoj se nji risi dhe pikë e fuqishme ishte edhe shfaqja e disa pjesëve të dramës që solli emocione të fuqishme për krejt pjesmarrësit, dhe e shoqnueme në gjermanisht prej aktores së njoftun austriake Elke Hagen! Për dramën në fjalë po ta besoj nji ‘sekret’. Në fund të saj ka nji skenë mes Musinesë dhe personazhit mito-real Shpend Bardhi. Ndërkohë që Musineja naltëson poetin kombtar At Gjergj Fishtën, Shpend Bardhi dënon shkrimtarët e oborrit komunist… Kjo skenë asht lanë jashtë. Në frymën e kompromisit e mos me ecë gjithnji me parimin: “për nji plesht me djegë jorganin”, Fundja këto pleshtat e realsocializmit koha ka me i djegë vetë nji ditë, o ndoshta i ka djegë e hala s’e kanë marrë vesh!

Si i gjykoni mardhaniet e shtetit shqiptar me figurat intelektuale të persekutuara prej Diktaturës ku ban pjesë edhe Musineja, Marie Tuci, Nane Tereza… gra madhështore që në fakt ju i keni përcjellë përmes veprave tua?!

Shteti shqiptar ka veç nji interes: Fasadën, e asnjiherë themelet e kombit shqiptar! Kjo asht nji fatkeqsi e madhe për ne si komb. Këto tri figura monumentale të kombit shqiptar s’i kujton askush ashtu si duhet, mbasi janë në themele të qëndresës së tij, porse vetëm merren me fasadën e shndritshme, të sapolyeme, së cilës i bjene ngjyra me shiun e parë kur i qesin në bulevard! Asnji film, asnji dramë të ngjitun në skenë, asnji opera, asnji monument si duhet, pra, vepra që i qindrojnë shekujve për këto tri zojusha legjendare na nuk kena. Drama për “Nane Terezën” mori e vendin e parë prej komisionit të kulturës në Bashkinë e Shkodrës, porse drejtoresha e teatrit znj. Kacarosi nuk pranoi me e vu në skenë. Shteti shqiptar postkomunist asht kujdesë që ndër institucione të artit me vendosë “Njeriun e ri” që e ka përgatitë në 45 vjet diktaturë e mos më lanë askënd me prekë themelet, veç m’u kujdesë për fasadën…

Cili mund t’jetë nji angazhim i juej promovues dhe cila ka me qenë vepra e fundit që ka me u botue prej Jush?!

Angazhimi jem promovues asht si gjithnji ai i shkrimtarëve e poetëve të vërtetë, artistave antiestablishment në kryeqytetin e muzikës botnore, në Vjenë. Mendoj se nji shkrimtar duhet me lanë vepra edhe “mbasi t’kalojnë n’amshim”, libra të pabotuem, si ai ylli që edhe kur shuhet në univers vazhdon me e pru dritën në botën tonë, vepra që njashtu siç i ndodhi Franz Kafkës, nji shkrimtarit vjenez, i lindun në Prage, prej prindësh hebrej e sllavë, që shkroi gjermanisht apo edhe Migjenit, nji shkrimtar shkodran, me prind ortodoks e gjuhë serbo-kroate në shkollë e familje, që shkroi shqip, e që iu botue vepra mbasi u largue prej kësaj bote.N’se këto vepra të pabotueme kanë me gjetë rrugën drejt publikut e drejt skenës asht kjo nji prove dashnije edhe talentesh të vërtetë.

Filed Under: Kulture

LA RIVISTA ILLUSTRATA DEL POPOLO D’ITALIA (1935) / HOMAZH PËR ALEKSANDËR MOISIUN

March 23, 2023 by s p


Burimi : La Rivista Illustrata del Popolo d’Italia, 12 prill 1935, f.50
Burimi : La Rivista Illustrata del Popolo d’Italia, 12 prill 1935, f.50

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 23 Mars 2023

“La Rivista Illustrata del Popolo d’Italia” ka botuar, me 12 prill 1935, në faqen n°50, homazhin për ndarjen nga jeta të Aleksandër Moisiut, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet blogut të tij “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Aleksandër Moisiu

Burimi : La Rivista Illustrata del Popolo d’Italia, 12 prill 1935, f.50
Burimi : La Rivista Illustrata del Popolo d’Italia, 12 prill 1935, f.50

A është shumë herët për të folur për të sot, pak ditë pas largimit të tij të papritur, gati misterioz, të heshtur ? apo është tashmë tepër vonë ?

Çfarë drite, çfarë hije, çfarë ndjesie të pakonkurueshme ëmbëlsie të hidhur ka kaluar kalimthi, me kujdes, i dorëzuar dhe i magjepsur përgjatë gjurmës së ndritur të spoteve tona ?

Sigurisht për ne italianët Moisiu shfaqej dhe zhdukej : dhe ne nuk e dimë nëse ai ishte tashmë i vdekur kur shfaqet i trembur nga duartrokitjet, i dëshpëruar dhe besimplotë, i përulur dhe i sigurt, hezitues dhe humbës, hieratik dhe felin në pikturat e pak veprave që ai ka qenë në gjendje të interpretojë për ne, ose nëse është ende gjallë me ata sytë e tij të mëdhenj plot pafundësi, me atë zërin e tij të hollë dhe të mprehtë sideral që nuk shuhet kurrë sepse ecën ecën ecën drejt të gjitha qëllimeve, nëpër kohë dhe hapësirë.

Në artin e Aleksandër Moisiut ekzistonte padyshim ndjenja mistike dhe blu e ogurit. Vdekja ishte në të, dhe kjo ishte jeta e tij : modestia ishte në të dhe ishte krenaria e tij : hollësia më e paqartë dhe eterike së bashku përbënin mrekullinë e pagabueshme të forcës së tij interpretuese.

Na dukej se na vitne nga nuk e di se çfarë largësie ëndërrimtare dhe misterioze…

Më kujtohet zakoni i tij për të riorganizuar flokët e tij të gjatë në ballin e tij të djersitur : një gjest i shpejtë, të cilin ai mezi i prekte. Kujtoj duart e tij të bashkuara në agoninë e “Kufomës së gjallë”, në atë të “Dilemës së doktorit”, në aktin e përshëndetjes së padëshiruar, duke i kthyer bebet e syrit lart drejt fundosjes së dritës së përjetshme, paqes së përjetshme, harresës së përjetshme…

Vështrimi i postit dhe i profetit bashkë, i një shenjtori anarkist, i një martiri të paskrupullt, i emocionit vëllazëror për të gjithë…

Perdja zbriste mbi atë vështrim çdo mbrëmje : një mbrëmje të butë, kadifeje, e qeshur, bindëse, shumë e ëmbël ajo ra përgjithmonë…

Dhe kemi marrë ndjesinë e shpejtë, nuk di nëse, të një përkëdheljeje apo të një thoi, që lë vetëm dritën të zbehet mbi një kujtim, që lë brazda të dhimbshme e të pashërueshme në melankolinë e shpirtit.

Rrjedhja e tij nga hijet dukej një koketë artistike e studiuar, duke lëvizur në mënyrë të pjerrët e tinëz në qoshet dhe në kufijtë e skenës, për t’u dukur krejt papritur për mrekulli, në të kundërtën e figurës, duke mbledhur gjithë dritën pajtuese të punës mbi figurën e vet.

Por Fati nuk i njeh këto artifica dinake, të cilat ndonjëherë kanë një rëndësi të caktuar në vlerësimin kalimtar të trillimit dramatik.

Fati i kompozuar për Aleksandër Moisiun, njeriun dhe aktorin, tragjedinë e thjeshtë të ekstazës së tij, dhe në dukje i hollë është sinqeriteti kalimtar.

Ëndërrimtar cigan, më në fund gjeti një qëllim. Ky synim mund të ishte vetëm një skenë e ndërtuar nga natyra midis përrenjve, krahëve, rrufeve, këngëve dhe deteve : Italia.

Rreth kësaj skene Moisiu endej i huaj : ai rrethoi skajet, i strukur në qoshe. Ai mbërriti në dritën e thjeshtë të fitores dhe u paraqit në gjunjë, me duar të shtrënguara, me kokën pak të prirur nga njëra shpatull, për të murmuritur një lutje.

Vlera ra : nuk u rishfaq kurrë. Nuk do të rishfaqet më kurrë.

Ajo tundja e lehtë e tij për të hedhur flokët biondë nga sytë tashmë ishte pothuajse pa trup dhe i ajrosur më parë. Është e kotë sot.

Por sytë e hapur e të qelqtë, të lagur nga të qara rrezatuese, me keqardhje të lumtur e mbinjerëzore, ata sy tashmë kaq larg, shkëlqejnë gjithmonë.

Nuk di si të flas për artin interpretues kur flas për këtë njeri të frikshëm që është i lehtë, i lënë pas dore dhe megjithatë kaq elegant. Unë duhet të flas për një nga mënyrat e tij, për një episod të përfunduar, për një kujtim të destinuar të zhduket… Dhe do të pengohesha dhe do të përplasesha me fjalë të pahijshme.

Ai ishte mbi të gjitha poet; ai është më shumë poet në ndjenja sesa në të thënë, në të menduar sesa në shprehje. Nga kjo dëlirësi jotrupore e tij kaq e mrekullueshme, për dikë të mësuar me linja të pastra, me vizione të kufizuara dhe të sakta, lindi pothuajse një ndjenjë hutimi, shqetësimi : madje edhe paqartësie.

Dhe ai e dinte atë. Shikoni brohoritjen të ngrihet si një haraç për Universin. Një palosje e lehtë e buzëqeshjes së tij la të kuptohej një lëvizje instinktive, ironi e shkretë, por gjithsesi mirëdashëse dhe e butë, thuajse buzët mbetën të mbërthyera për një çast në grepin e një pyetjeje shumë të vogël e të nënshtruar : — Pse ?

Ai e donte diellin, insektet, lulet, gjethet, erën, librat, gjërat e përulura, gri të varfëra. Ai i donte shumë personazhet e artit të tij si qenie të gjalla, të gjelbra, të freskëta, të gërvishtura, të thara, të vdekura, të hasura përgjatë shtegut të përdredhur dhe me pluhur.

Ai vdiq i shkathët, ende i ri, preku atë fazë që do të ishte qëllimi i tij i fundit në lulëzim; ai u tërhoq në krahë me një tundje të shkurtër, me një përkulje të lehtë, me duar të bashkuara, me mjekrën pak të mbështetur mbi supe…

Sot duket se e sheh të shfaqet sërish, si dhe duke blerë, pa zhurmë, mes nesh.

Nëse do të ndodhte kjo mrekulli, ne nuk do të tmerroheshim dhe nuk do të habiteshim. Trillimi i tij ishte natyra e tij : ishte fati i tij.

Hija dhe drita, zëri dhe heshtja, madhështia dhe modestia u bashkuan në Të duke krijuar një harmoni shumë të çuditshme kontrastesh. Më triumfues, më mbresëlënës, më i pamatshëm në mënyrë hyjnore ishte kontrasti i gjithçkaje dhe asgjëje që ushqeu fiksimin pothuajse të padukshëm të një flake të largët : i shpejtë si një top zjarri është i treti si një pikë fikse e kupës sonë shpirtërore: i padukshëm si maja e një atomi të nxehtë dhe i pamatshëm si një diell.

Vitet do të kalojnë : ato do të konsolidohen dhe do të ndahen në shekuj. Edhe emri i Aleksandër Moisiut do të zhduket…

Duket sikur sheh grepin e asaj pyetjeje ironike dhe të refuzuar që ndonjëherë i kthente buzët në buzëqeshjen e tij : Çfarë rëndësie ka ?

Duket sikur sheh ata sy të qelqtë, të cilët, duke harruar lavdinë personale të vogël, njerëzore, kalimtare, vështronin hapur dhe shumë ëmbël duartrokitjet që ngriheshin lart nga batica e turmës; gjithnjë e më lart, ku çdo gjë është bllokuar dhe e copëtuar, orteku është pluhur dhe mbetet përjetësisht rob i Kohës !

Filed Under: Kulture Tagged With: Aurenc Bebja

Sekreti i Mëndjes!

March 23, 2023 by s p

Nga Dr. Fatjona R. Lubonja Ed.D. ABA

Neuro-Shkenca/Edukimi/Behavior/

Përse mësojmë dhe mbajmë mënd? Të mësuarit dhe kujtesa janë dy nga aftësitë më magjike të procesit biologjik të mendjes sonë. Të mësuarit është i përvetësimit të njohurive të reja për botën, dhe kujtesa është procesi i ruajtjes dhe rindërtimit të kësaj njohurie me kalimin e kohës (Kandel, E., et. al., 2014). Imagjinoni sikur të zgjoheni një mëngjes dhe të mos ndjeheni familjar me shtëpinë, familjen, njerëzit, apo dhe veten tuaj. Imagjinoni që për një çast të mos kuptoni se kush jeni, çfarë ndjeni, çfarë mendoni dhe si të veproni. Kujtesa për trurin është çelësi për të mësuar dhe kryer veprimet bazë për të jetuar. Nga momenti i lindjes së fëmijës përgjatë zhvillimit të trurit, rrugëtimi i të mësuarit është fondamental për rritjen e shëndetshme mendore (Abbot, et. al., 2012). Zhvillimi i kujtesës është i komplikuar por elementë të rëndësishëm në strukturën e trurit për proçesin e kujtesës janë plasticiteti i qelizave nervore dhe komunikimi synaptik (elektrik dhe kimik) midis këtyre qelizave (Kandel, E., et. al., 2014). Është thelbësore të kuptojmë që proçesi i të mësuarit, varet nga elasticiteti i trurit, aftësia për të integruar informacione, mjedisi dhe vet-rregullimi i veprimtarisë së qelizave nervore në përputhje me rrethanat ambienti/mjedisi ku zhvilloni aktivitet, personat/individë që rrethoheni, kultura sociale, dhe sjellja (behavior), etj…. (Kandel, E., et. al., 2014).Gjithsesi, për të patur një process të shëndetshëm të zhillimit të processit të mësuarit duhet patur shumë kujdes që në ditët e para të lindjes së foshnjës. Përballimi me stresin e fillimit te jetës dhe mjedisi që e rrethon mund të influencoj në ndryshimet epigjenetike (ADN), (Vazdarjanova, A. et. al., 2004). Është e rëndësishme të kuptohet se procesi i të mësuarit dhe kujtesës është fondamental në jetën dhe zhvillimin e individit. Çdo individ nuk lind i mësuar por lind me aftësinë gjenetike për të mësuar, dhe informacionin e gjen në natyrë, ambjentin ku jeton dhe rritet. Si pasojë duhet të theksohet se në rrugëtimin e formimit të memories janë të rëndësishme si zhvillimi i trurit dhe aktiviteti i qelizave nervore ashtu dhe ambjentin/mjedisin/sjellja (behavior) ku zhvillohet aktiviteti. Ky proçes është fondamental edhe për individët me zhvillim të ndryshëm. *Fatjona R. Lubonja është autore dhe studiuese, ka studiuar Neuro-Shkencë/Edukim dhe Behavior në “Columbia University” në New York, dhe është specializuar në Harvard University. #fatjonalubonja

Filed Under: Kulture

23 MARS 1935…Vdekja a aktorit te madh dhe “Unaza e Iffland-it”…

March 22, 2023 by s p

Saimir Z. Kadiu/

Neser eshte 88 vjetori i vdekjes se aktorit me te famshem me origjine shqiptare… dhe nje nga zerat ikonike te teatrit boteror te gjysmes se pare te shekullit XX …ALEKSANDER MOISIU.Sipas Erika dhe Klaus Man “vetem nje aktor gjenial si Moisiu bashkonte pikellimin e Hamletit me sharmin e Romeos…”Apo sipas Maks Brodit: “Hamlet është shkruajtur për Moisiun, dhe Moisiu ishte lindur unik për të interpretuar Princin e Danimarkës.”Gjenia e Moisiut vuri ne “krize” edhe “Unazen e Iflandit”, çmimin me prestigjoz gjerman per aktorin me te madh te botes gjermanike… Dhe kjo ndodhi ne diten e varrimit e varrimit te tij, 88 vjet me pare ne 23 mars 1935…Iffland-i la trashëgimi një nga unazat e tij, që të përcillej nga aktori më i mirë gjerman, që do ta zëvendësonte, atij, që ai do ta konsideronte si zëvendësuesin e tij në artin dramatik. Kjo traditë vazhdoi dhe unaza kaloi nëpër duart e shtatë aktorëve të famshëm për të përfunduar në gishtin e Albert Basserman (1867 – 1952), si një lloj vlerësimi artistik.Albert Bassermann, ishte mbajtesi i kesaj unaze … Ishte 68 vjec ne kohen e vdekjes se Moisiut dhe ishte ne kohen qe duhet te zgjidhte pasardhesin…Atij i përkiste kujdesi delikat që të linte trashëgimi unazën e Iffland-it. Cili do të ishte fatlumi i zgjedhur ?Disa emra qarkullonin…Dy zgjedhjet e tij te meparshme Alexander Girardi dhe Max Pallenberg kishin vdekur…Por Albert Bassermann në momentin e vendosjes së arkivolit, hodhi unazën e famshme mbi trupin e të ndjerit Moisi…– Skena gjermane vdiq ! – tha ai. Unë nuk do t’ia jap askujt këtë unazë…Drejtori i Burgtheater, Hermann Röbbeling e mori unazen nga arkivoli duke thene se ajo i jepet vetem aktorit me te mire qe eshte gjalle…Kjo ngjarje beri qe unaza e Iflandit te harrohej per 11 vjet…Bassermani kurre nuk e mbajti ne gishtin e tij kete unaze dhe ne vitin 1938 emigroi ne Amerike…Edhe kur u kthye ne Viene ne vitin 1946, ai refuzoi ta rimerrte unazen…Basserman mendonte qe Moisiu ishte nje hebre i teatrit gjerman..Askush nuk e dinte origjinen e tij te vertete… bile as miqte e tij te ngushte si Franz Kafka apo Stefan Cvajg. Ata e konsideronin hebre, edhe si nje deshire te vleresimit te tyre te madh ndaj Moisiut…e donin ta kishin te “tyren”…Gjatë terë jetës Moisiu pati telashe me përkatesinë nacionale dhe me vendlindjen, sado që nga biografia e tij diheshin edhe për njerën edhe për tjetrën. Më në fund, për ta bërë publike, e sigurisht i shtyrë edhe nga atdhedashuria, Mosiu i drejtohet Kosullatës Shqiptare për pranimin e shtetësisë shqiptare. Disa javë para vdekjes, i vjen lajmi zyrtar nga Tirana për pranimin e shtetesise shqiptare. Por vetëm me kusht që artisti të bëhej shef ceremonie në oborrin mbretëror të Zogut. Moisiu, lolo i oborrit te Ahmet Zogut!? Çfarë ironie! Moisiu, gjithashtu, kishte kërkuar edhe shtetësinë italiane, për çka flet takimi njëorësh me Benito Musolinin më 20 prill të vitit 1934, ku u bisedua edhe për çështje të tjera kulturore në Itali. Për Duçen, Moisiu ishte artisti i madh emigrant i Italisë. Sipas autorit Shaper, lajmi për nënshtetesinë italiane i vjen disa orë para vdekjes, ku ai i thote gruas së vet “Molto tardi ! Molto tardi”, pra “Shumë vonë, shume vonë!”Ishte kjo aresyeja qe arkivoli i tij u mbulua me flamurin Italian…

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • …
  • 544
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT