• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Imzot Pjetër BOGANI, njeri i Zotit, Kishës dhe Popullit shqiptar

December 7, 2022 by s p

Ipeshkvi Imzot Pjetër Bogdani ishte me prejardhje prej Kosovës, Guri i Hasit, fshat ky jo larg prej Prizrenit. Vinte nga një familje shqiptare që kishte mbetur besnike ndaj Kishës, edhe pse dhuna për islamizimi ishte politike dhe fetare. Mes paraardhësve të tij kemi personalitete të ndritura: Pjetër Mazreku, primati i parë i Sërbisë, arqipeshkëv i Tivarit (1630), Andre Bogdani, arqipeshkëv i Ohrit (1652) si dhe Shkupit (1655),

Bogdani lindi mes 1620 dhe 1628 dhe mësimet e para i mori në Ciprovac, Bullgari. Pasi qe shuguruar meshtar ne vitin 1651 në Kolegjin Ilirik të Loretos, pasi kishte vijuar studimet e filozofisë dhe teologjisë, kishte punuar si meshtar në Pult dhe ne disa fshatra rreth Prizrenit. Në vitin 1656 vazhdoi studimet e larta në Romë pranë Kolegjit Papnor të Propaganda Fide. Aty i kishte mësuar gjuhët e Lindjes dhe në vitin 1658 mori titullin e doktoratit. Pas studimeve të shkëlqyeshme të teologjisë, Bogdani i ri ishte zgjedhur ipeshkëv i Shkodrës, që ishte selia më e lashtë e Shqipërisë. Pastaj e kishte zëvendësuar vëllain Andre Bogdanin në udhëheqjen e ipeshkvisë së Shkupit dhe Prizrenit, Ky shërbim kishtar ia kishte mundësuar që të hynte në lidhje me personalitete të shquara fetare, mes të cilëve kardinalib Barbarigo, përkrahësit e mësimit të Kishës të ndriçuar dhe ekumenike, e hapur ndaj kulturave të popujve të Lindjes. Udhëtimet dhe qëndrimi i tij në Romë, Padovë, Venedik, paataj lëvizjet e vazhdueshme në Dalmaci, Shqipëri che Serbi, gjithë kjo, , falë lidhjes së thellë që kishte me mësuesi dhe Kishën, domethënë me udhëheqësit e “Propaganda Fide”, begatojnë njohuritë e tija mbi historinë edhe situatën e trazuar dhe tragjike të popujve të Ballkanit në periudhën e sundimit otoman. Në vitin 1685 shkoi në Venedik dhe në Padovë ku e shtypi librin “Çeta e Profetëve”, vepra e tij më e njohur, q do të rishtypur në vitin 1691 dhe 1702 në Venedik, Ky është libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe. Mbetet një ndër monumentet e gjuhës, kulturës dhe letërsisë shqipe. Letërshkëmbimi i tij i madh i Pjetër Bogdanit ndriçon ngjarjet të periudhës më dramatike të historisë shqiptare, të kalimit të pjesësë së madhe të popullit shqiptar kah një kulturë tjetër, fe tjetër. Nuk kishte zgjidhje tjetër për të mbijetuar.

Shekulli XVII do të ishte gati tërësisht i panjohur pa relacionet e tija, që ia dërgonte rregullisht Romës. Relacionet turko – otomane dhe greko – sllave ishin mjaft tendencioze dhe të njëanshme. Sot kemi më se 100 relacione te arqipeshkvit Pjetër Bogdani, nga viset e ndryshme të Malit të Zi, Shqipërisë, Maqedonisë, Kosovës, Greqisë, Bullgarisë, pra, nga viset e ndryshme të Ballkanit. Motori i angazhimit të tij ishte lavdia e Zotit dhe shpëtimi i fesë së krishterë në popullin e tij. Mu për këtë ai lëvizte kudo në viset të ndryshme për t’i vizituar vendvanimet, ndante sakramentet dhe iu jipte zemër që të qëndronin. Ai ishte i vetëdijshëm që populli i tij nën sundimin turko – otoman, jetonte në një robëri të dyfishtë: mungesa e lirisë dhe mosdija, apo siç thoshte ai, sundimi i errësisë, rreziku më i madh për Kishën dhe për Popullin. “Njohuria dhe edukimi i krishterë”, sipas Bogdanit, janë armët më të fuqishme për të qëndruar shluftuar të keqesn e robërisë dhe sundimit e errësisë, që e shprehte me dy koncepte: clericus et libertas.

Bogdani nuk ishte vetëm një ipeshkëv i madh, por edhe një atdhetar, i cili me veprat dhe veprimtaritë e tija, ka formuar ndërgjegjen e popullit shqiptar. Ai ishte angazhuar aktivisht në organizimin e rezistencës antiturke. Në vitin1689 ushtria autriake arriti në Prishtinë. Monsinjor Pjetër Bogdani niset me ushtri për Prizren, ku mblodhi 6000 shqiptarë dhe mbërrin me ata. Aty sëmuhet prej tifuzit. Kthehet në Prishtinë për ta vazhduar terapinë e mjekëve gjermanë, por pa sukses. Vdeq më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë, ku edhe ishte varrosur.

Pjetër Bogdani ishte njeri i Zotit, Kishës dhe Popullit. Ai e ka shkri në tërësi jetën e tij për popullin e vet, për fenë dhe për lirinë e tij. Atë mund ta konsiderojmë si paraardhës të bashkimit të Popujve të Ballkanit dhe të Evropës. Arma e tij më e fortë ishte feja e tij e ngultë: “Salva nos, Domine, perimus”, që është moto i librit “Cuneus prophetarus, seu de vita Jesu Christi, Salvadori mundi”.

Imzot Vincenzo PAGLIA, arcipeshkëv

Filed Under: Kulture

Sotir Peci publicist

December 6, 2022 by s p

Prof. as. dr. Jonela Spaho

Dekan / Dean

Fakulteti i Edukimit dhe Filologjisë / Faculty of Education and Philology

Universiteti “Fan S. Noli” / University of “Fan S. Noli”/

Sotir Peci ka hyrë në historinë e jetës politike dhe kulturës shqiptare, veçanërisht me publicistikën e tij të pasur dhe plot mendime të thella dhe të rëndësishme, në shërbim të kohës kur ai shkroi dhe botoi. Ai mund të quhet me të drejtë, një nga publicistët më të përmendur dhe aktivë të periudhës së luftrave të popullit shqiptar, për çlirim nga zgjedha e huaj dhe zhvillim të lirë e demokratik të vendit. Peci i përket brezit të luftëtarëve të rinj, nga rradhët e intelektualëve demokratë, që vunë  të gjitha forcat dhe energjitë e tyre për t’i siguruar popullit shqiptar jetë të lirë, jashtë çdo zgjedhe e varësie, drejtësi shoqërore dhe përparim. Këtij qëllimi Peci i shërbeu me punën e gjerë që zhvilloi në fushën e publicistikës, ku u shqua për mprehtësinë politike, për talentin e rrallë prej polemisti dhe analizën e thellë dhe të goditur të fakteve e ndodhive  politike. Sotir Peci ishte i pari që hodhi themelet e lëvizjes nacionaliste shqiptare, duke filluar botimin e gazetës “Kombi”, më 15 qershor1906, e para gazetë shqipe në Amerikë. Kjo gazetë, siç shkruante ai; “do të përpiqet për përparimin e çështjes politike dhe për lërimin e gjuhës së vetë, t’u apë kurajo dhe ndihmë gjithë atdhetarëve që përpiqen  për këto qëllime, t’u hapë sytë duke dëftyer udhën e drejtë dhe rreziqet e kombit, prej intrigave të armiqve atyre atdhetarëve që nuk interesohen  të futet ndër ta nxehtësira e shenjtëruar, e cila quhet patriotizmë, me pak fjalë të jetë  mpronjës, ndihmës, këshilltor  dhe luftëtar i. interesave të kombit”. Kur gazeta filloi të botohej, në Amerikë ndodheshin rreth shtatë mijë shqiptarë.

Efthim Thanasi,që në fillim dhe deri në fund,ishte dora e djathtë e Sotir Pecit në këtë gazetë. Në kujtimet e tij, ai thekson se vështirësitë për të nisur e botuar gazetën ishin të panumërta. Përveç anës ekonomike, që ishte një problem më vete, dihet vështirësia e gazetave në shqip, të botuara në vend të huaj, si dhe presionet dhe kërcënimet, apo ndonjëherë dhe ofertat joshëse, që mori botuesi i saj nga qarqe të ndryshme antishqiptare. Por. gazeta vazhdoi jetën e saj dhe Peci nuk u bë pree asnjë kërcënimi apo joshjeje.  Efthim Thanasi  thotë se: “Kombi u mbajt ndezur nga zjarri i shenjtë… ndonëse e nismë me aq pak vetë puna vajti mbarë. Pse? Se ata të pakët që e nisën e kishin zjarrin e shenjtë,siç thotë frëngu ”le fë sakrë” dhe arrimë që atë zjarr t’a kishin një pakicë e vogël dhe pakica e vogël, n.q.s. ka një fushë veprimi ku të punojë mbaron punë. Edhe fusha ishte se shqiptarët ishin patriotë shumë më përpara, nuk i bëmë ne patriotë. Deshën vetëm udhëheqës dhe perëndia u dha ca udhëheqës për rilindjen e tyre”.

 Ai e quan dhe Pecin si një ndër udhëheqësit shpirtërorë të kombit dhe veçanërisht të shqiptarëve të Amerikës, të cilët te gazeta gjenin një pjesë të atdheut të tyre të munguar. Kjo për faktin  se “Kombi” ishte e para gazetë e shqiptarëve të Amerikës me përmbajtje politike-shoqërore dhe letrare. Gazeta doli me rreth 110 numra, e shkruar kryesisht në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në frëngjisht, italisht dhe anglisht, duke u shpërndarë në Amerikë, kolonitë shqiptare të vendeve të tjera, si dhe në Shqipëri, ku hynte ilegalisht. Nëpërmjet botimit të gazetës synohej forcimi i ndërgjegjes kombëtare tek shqiptarët, që ata të bashkuar  të luftonin  për çlirim. Me problemet që trajtoi, ajo u vu plotësisht në shërbim të çështjes kombëtare, duke u bërë tribunë e mendimit patriotik në ato vite. Gazeta ishte dinjitoze për kohën dhe shumica e artikujve kryesorë, në ballinën e saj mbajnë firmën e Pecit. Veçanërisht, pena e tij shkëlqeu në  fushën e mendimit politik. Dhe jo vetëm te “Kombi”, por kudo që ngjeu  penën e gazetarit dhe në kohra të turbullta, apo në kohrat kur kapi majat e pushtetit, si dhe në kohën kur, me dhimbje, i duhej të ndeshej në fushën e ideve me Nolin, mikun e tij të rinisë, kudo pra, ndihet në shkrimet e tij humanizmi  intelektual dhe guximi qytetar. Ai eci vërtet në gjurmët e publicistikës, që mbëshetej fuqishëm në ideologjinë e Rilindjes, por shkoi akoma më tej  me mendimet e tij,duke u shfaqur si një vizionar i drejtimit perëndimor  e demokratik të vendit.

Duke iu rikthyer sërish gazetës “Kombi”, meqë ajo është bërthama e pulicistikës së tij, me rezonancë më të dendur, duhet theksuar dhe fakti se gazeta, duke qënë  një tribunë e lirë në të cilën analizohej gjendja e Shqipërisë, rreziqet  që e kërcënonin atë, arrinte në konkluzionin e shprehur dendur, se vetëm me luftën e armatosur  shqiptarët do të mund të siguronin lirinë e shumëpritur. Në një shkrim të qeshorit 1906, me titull “Mjaft urtësi dhe durim”, vizionari demokrat tenton një rrugë që shumë pak e aplikuan; kritikën  dhe jo lajkatimin, duke iu drejtuar vetes dhe të tjerëve; ”Gjendemi në rrezik se nuk kemi punuar dhe nuk punojmë siç duhet dhe siç kanë punuar të tjerë kombe, se vemi  më së shumti  me ato mendje të ndryshkura  se s’mundim  të bëjmë  gjë dhe të presim prej perëndie dhe prej bote të na shpëtojë”. Peci nuk bëhet pre e asnjë mashtrimi dhe dinakërie, ai nuhaste dhe nuancat më të holla  të politikave antishqiptare, që kërkonin të bënin tregti me territorret shqiptare, duke manipuluar në emër të miqësisë false.  

Artikujt e tij kanë, për çudi, një linjë konsekuente idesh  dhe lidhje organike mes tyre dhe kur ai shtronte pyetjen  nga do të vijë shpëtimi, po vetë arrin në përfundimin se: ”Duhet të lëmë mënjanë kapriçot  filodoksiane, interesat e veçanta dhe fanatizmin, përpara qëllimeve të ngutshme dhe duke patur ato për dritë dhe tregonjë, të udhëtojmë nëpër të përpjetën dhe nëpër malet, të cilat duhet t’i kapërcejmë që të arrijmë lirinë”. Si mjet të rëndësishëm për bashkimin e shqiptarëve, Peci vlerësonte eliminimin e përçarjes fetare. Ishte koha  kur si brenda vendit, ashtu dhe në kolonitë shqiptare në mërgim, nuk predikohej në gjuhën shqipe, kur patriarkana e Stambollit e kishte humbur  karakterin e vet igumenik  dhe duke pasur dhe përkrahjen e Portës së Lartë,  kryente politikë antishqiptare. Rruga e vetme për këtë  ishte krijimi i kishës me shërbim  fetar në shqip, qëllim të cilit Peci do t’i shërbente jo vetëm me një seri shkrimesh publicistike, por dhe mbështetjen që i dha F.Noli, kur ky  themeloi  në Boston “Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare”.

Si gjithë rilindasit iluministë dhe humanistë ai shtronte si domosdoshmëri çështjen e gjuhës  shqipe, unifikimin e alfabetit dhe vendosjen e normës letrare. Pjesëmarrësi i Kongresit të Manastirit që në fillim do të theksonte se: “Çështja më për të vënë re  dhe të cilën duhet ta ndjekin gjithë shqiptarët,është çështja e gjuhës dhe themeli i gjuhës është shkrimi, pra qëllimi  tonë i parë  duhet të jetë njëshja e a.b.c., duke i rrëfyer botës  se jo vetëm kemi  gjuhë që shkruhet, por që  kemi  një shkrim si kombet e tjera”. Vetëm nevoja dhe domosdoshmëria e shkrimit të kësaj gjuhe do ta bëntë të diplomuarin për matematikë një nga publicistët dhe gjuhëtarët më të shquar të kulturës shqiptare, në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, i cili me mjeshtëri  dhe pa ndezur konflikte të forta krahinore, përdori për gazetën e tij alfabetin latin të shoqërisë “Bashkimi“ dhe jo atë të Stambollit, duke bërë kështu një gjest emancimimi për ta afruar më shumë Shqipërinë me perëndimin. 

Sotir Peci, si idealist, besonte tek e nesmërja, te sendërtimi  i prosperitetit dhe qytetërimit, por ishte tepër realist dhe i mprehtë për të kuptuar se interesat e klaneve shqiptare nuk sillnin progres por regres:”Jemi nënë zgjedhë dhe të këqijat që kemi hequr dhe  heqim na japin të kuptojmë që kurdoherë dhe prej cilitdo, e drejta matet me kutin e interesave të ndryshme, ndryshe nuk do të gjendeshim në këtë shkallë  qytetërimi dhe njerëzimi”.

Ai ishte skeptik dhe demaskues i regjimit xhonturk, i premtimeve të bujshme të tyre për të vendosur barazitë dhe të drejtat për të gjitha kombësitë e Perandorisë: ”Është e ditur se programi i turqve të rinj është krejt i përkundërt  me çështjen tonë kombëtare. Ata duan t’i japin shpirt Turqisë”. Deviza e tij është përfundimtare:”Dëshira dhe mejtimi i çdo shqiptari duhet të jetë  vetqeverimi dhe storasja  e një konstitutue kombëtare, e një shteti shqiptar. Atje duhet të drejtohen të gjitha veprimet tona”. Vizioni i tij është i përparuar për kohën  dhe shkon më tej duke hedhur në shkrimet e tij idenë për  krijimin e gjykatave  dhe administratës me nëpunës shqiptarë.

 Publicistika e S.Pecit është e gjerë  dhe e shpërndarë  edhe në organe të tjera të kohës kur jetoi.  Ky shkrim ishte vetëm një vështrim i përgjithshëm mbi  disa nga idetë e tij të shprehura në artikujt e “Kombit”. Por ajo që duhet theksuar te Peci  është se ai hodhi themelet e publicistikës moderne shqiptare, sepse  u përpoq në shkrimet e botuara të pulsonte me pulsin e atdheut dhe aspiratave të tij, se u përpoq ta ruante shqipen në  këto shkrimet të pastër, dhe jashtë stilit të gazetarisë vulgare, sepse krijoi një gazetë indipendente që nuk iu nënshtrua asnjë klani dhe qëllimi antishqiptar dhe antihumanist dhe u mundua që në të shprehurin e vet të afrohej sa më pranë fjalës së latuar me penën e mjeshtrit, se pati kurajon të konstatonte, të akuzonte dhe të denonconte, jashtë çdo lloj tutele politike, se njihte mirë realitetin ndërkombëtar dhe historinë e kombeve, çka i shërbente  për krahasime dhe polemika, se ishte tepër vizionar mbi ndërtimin e shtetit të ri shqiptar, duke u përpjekur të japë disa aspekte të tij, se ishte realist ironik dhe sarkastik i mprehtë, se dinte të sulmonte kur duhej dhe si duhej, me forcën që i jepte mendimi i lirë dhë ëndrra për një Shqipëri ndryshe, se asnjë lloj mjegulle, sado e tejdukshme nuk e mbuloi për asnjë çast idealin e tij për progresin dhe qytetërimin, sepse siç thotë dhe i biri Gaqo Peci, motoja e tij ishte “Ideali nuk i unjet kurrë forcës”. Vetëm me idealizmin  e purifikuar  përmes atdhedashurisë, ai  meriton të kthehet në një përmendore të aspiratave dhe sakrificave  mbi altarin e shenjtë të kombit.

Filed Under: Kulture Tagged With: Jonela Spaho, Sotir peci

Valencia ka edhe një histori shqiptare pak të njohur

December 5, 2022 by s p

Nga Saimir Z.  Kadiu/

Pasi u detyrua të emigronte për herë të dytë në jetën e saj, Donika Kastrioti (1428-1506), gruaja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, jetoi ditët e fundit të jetës saj në Valencia, ku eshtrat e saj prehen edhe sot.


Donika Kastrioti ka vdekur në Valencia të Spanjës, ku dhe është varrosur. 

Në një libër historik, “Periudha pas Skënderbeut”, botuar në gjuhën shqipe në Leçe të Italisë nga projekti italo-shqiptar i quajtur “Promoalba”, studiuesi i njohur i historisë, profesori i Universitetit të Salentos, Giancarlo Vallone, tregon për integrimin e familjes Kastrioti dhe të shqiptarëve të tjerë të emigruar në Itali pas vdekjes së Skënderbeut në institucionet e mbretërisë së Napolit në shekujt XV-XVII.

Dokumenti i publikuar në faqen 74 të librit na njofton se ajo merrte si të ardhura një pension prej 1.000 dukatësh nga mbreti i Napolit.


Autori pohon se e veja e Skënderbeut, e quajtur në gjuhën vendase si “Scannalibeca”, ka jetuar në mërgim kokëlart dhe mençuri aq të shquar, duke u krenuar per emrin e madh të të shoqit dhe duke e lartësuar atë.

Andronika, e cila në historinë e Shqipërisë njihet me emrin Donika, mbërriti në Itali më 23 maj të vitit 1468. 


Më 27 gusht 1468 ajo u zhvendos nga feudet që mbreti Ferdinand ia kishte dhënë të shoqit në Salento drejt Napolit, ku fillimisht nisi të banonte në shtëpinë e juristit të njohur Pietro Cola D’Alessandro, në afërsi të Santa Chiara-s.

Disa vite më vonë pas ardhjes në Napoli të gruas së dytë të Ferdinandit, Giovanna-s, pikërisht më 11 shtator 1477, në rrethana të panjohura Donika Kastrioti nisi të shërbente pranë saj, duke luajtur një rol me peshë në oborrin aragonez.


Ndërkohë që të tjera dokumente na dëshmojnë se kur në vitin 1496 u rindërtua në Castelnuovo, në rezidencën mbretërore apartamenti i Giovanna-s III-të, zonja Donika kishte një dhomë mbi të, në katin e dytë të krahut perëndimor, si edhe Madona Porfida, që ishte nga dera e Arianitëve dhe kishte lidhje gjaku me të.

Duke qenë me prestigj dhe me ndikim të përditshëm në oborr, mbreti tjetër i Napolit, Alfonsi II, i beson zyrtarisht më 20 tetor 1494 Giovanna-n III, të cilën Donika do të përpiqet ta bindë që të mos e lërë Napolin pas vdekjes së mbretit Ferdinand.


Për këto shërbime mbreti i ri i Napolit, Federiko, gjatë një ceremonie në oborr do të përqafohet me: “La mogliere de scannalibecho” (Donikën), dhe do t’i dhurojë asaj feudin e Goglianos më 1 prill të vitit 1498, për shërbimet që ajo kishte bërë në oborr.


Në një tjetër dokument na jepet letra që përfaqësuesi i legatës veneciane në Napoli, Francesco Morosini e shkruan në janar 1501, e cila na njofton për udhëtimin e zonjës Donika në Spanjë, duke shoqëruar tashmë nënën mbretëreshë Giovanna-n e III-të.


Në letër diplomati venecian shkruan se “Giovanna IV ka qëndruar në Napoli, është e veja e mbretit Ferrandino, është e ndershme dhe e kujdesshme; me të është Andronika (Donika), e veja e Skënderbeut, mike e ngushtë e Venecias.


Me sa duket në vitin 1501, kur mbërriti në Spanjë zonja Donika Kastrioti tashmë ishte 73 vjeçe dhe nuk do të ketë pasur mundësinë të kthehet më në Napoli.

Ajo duhet të ketë vdekur sipas autorit në harkun kohor midis marsit të vitit 1505 dhe shtatorit 1506. Ky fakt dëshmohet nga testamenti i Giovanna-s së III, në të cilin pohohet se Andronika është varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës. Këtë fakt autori e vërteton edhe nga një burim tjetër.

Burimi, të cilit i referohet është libri i autorit G. A. Summote, i titulluar në italisht “Del Istoria della citta e Regno di Napoli IV”, botuar në Napoli në vitin 1675, ku në faqen 17 të tij pohohet se “gruaja e Skënderbeut ishte varrosur në kishën e Trinisë së Shenjtë në Valencia në vitin 1506”

Filed Under: Kulture

Maya Aliçkaj: Koha është vlerësimi më i mirë i çdo gjëje

December 2, 2022 by s p

Intervistë me këngëtaren Maya Aliçkaj.

Intervistoi: Armend Preteni

Ashtu siç e ka edhe emrin këngëtarja e njohur e muzikës popullore Maya Aliçkaj ka pasur fatin e bardhë në rrugën e këngës krahas talentit dhe punës së zellshme ndër vite.

Në opusin e saj Maya numron disa albume si: “Lege- Lege”, “Guri i rëndë në vend të vetë”, “Baba me zemër të madhe”, “Djalë shqiptar” e shumë këngë tjera solo e bashkëpunime që e bëjnë atë një artiste të veçantë e cila nuk i harron vlerat e tabanit të origjinës vlonjate.

Si rallë herë në një intervistë këngëtarja Maya Aliçkaj përgjigjet në pyetjet e gazetarit Armend Preteni, rreth jetës dhe karrierës të cilat ju ftoj t’i lexoni në vijim…

“Këngë Tabani” mban titullin kënga e fundit që keni publikuar, sa jeni ndarë e kënaqur me finalizimin e projektit dhe si e mirëpriti publiku juaj besnik?

Maya Aliçkaj: E kam titulluar “Këngë Tabani” jo më kot, pasi në përgjithësi muzika ime është këngë popullore tabani por këto janë pak më tipike dhe kisha një kohë relativisht të gjatë që për publikun tim besnik nuk kisha sjell në treg ndonjë nga këto këngë fikse të tabanit. Për këtë arsye e titullova “Këngë Tabani” dhe fatmirësisht ka kaluar shumë mirë gjithqka. Jam shumë e kënaqur me realizimin së pari të audios dhe shumë e kënaqur gjithashtu me realizimin e videoklipit dhe me këtë rast falenderoj bashkëpuntorët e mi Genc Malaj të audios-kompozitorin dhe Edlira Bahollin regjisoren e videoklipit. Kënga është mirëpritur vërtetë shumë mirë nga publiku. Ato klikimet në Youtube janë një tregues por unë nuk është se e ndihmoj këngën në financë dhe gjëra tjera unë e lë të lirë pa e ndihmuar në reklamë etj. Në çdo koncert që shkoj këngën e këndojnë të gjithë dhe është shumë e pëlqyer.

Thuhet se vitet e fëmijërisë janë më të ëmblat, na kujtoni ndonjë ngjarje, për të cilën edhe sot ke nostalgji nga vendlindja?

Maya Aliçkaj: Në fukarallëk por ne si fëmijë nuk është se e ndjenim shumë atë pasi ushqimi më i mirë për fëmijën është dashuria dhe unë e kisha pa masë nga familja ime dhe nga të afërmit. Isha dhe fëmija i fundit dhe për këtë arsye isha pakë më e përkdhelur nga të tjerët. Andaj gjithqka e kujtoj me nostalgji por do të veqoja një moment që ka lidhje me profesionin tim: Isha shumë e vogël, pa vajtur në shkollë normal dhe mblidhja fëmijët para shtëpisë time në një arë ku mbillej grurë tanimë ishte korrur gruri. Derisa unë i vija fëmijët si spekatorë atje, improvizoja një mikrofon dhe dilja këndoja para tyre dhe bëja një spektakël tamam naiv të fëmijëve. Kjo më kujtohet për momentin.

A do të dëshironi që edhe djali juaj Jonas ta vazhdonte rrugën e nënës dhe të bëhej një artist në të ardhmen?

Maya Aliçkaj: Në të vëtetë më pëlqen arti, natyrisht skena është shtëpia ime andaj gjërat e bukura që përjetojmë natyrisht dëshiron t’i shikosh edhe te fëmija yt. Duke qenë se unë artin e dashuroj kaq shumë dhe kam marr kaq shumë emocione pozitive qoftë nga teatri qoftë nga kënga do të doja që dhe djali im Jonas të bëhej në artist por, por e them se kjo është thjesht një dëshirë, nuk do isha kurrë posesive që djali të bëhej pajtjetër artist, nëse ai do ta ketë dëshirën dhe talentin normal do ta ndihmoja.

A ju ka ndodhur ndonjëherë, ta refuzosh ndonjë këngë, për arsye se nuk ju ka përshtatur karakterit tënd?

Maya Aliçkaj: Po më ka ndodhur natyrisht që kam kthyer këngë të cilat kam menduar se nuk më janë përshtatur mua madje kam kthyer edhe këngë të cilat i kemi punuar por nuk më është mbushur mendja që do ishin shumë të pëlqyera për publikun andaj edhe i kam lënë përgjysmë.

A jeni vaksinuar kundër Covid-19 dhe a besoni se viti 2022 do jetë fundi i pandemisë COVID-19 dhe varianteve të saj?

Maya Aliçkaj: Jam vaksinuar në të vërtetë për domosdoshmëri.Nuk doja të vaksinohesha sepse gjatë gjithë kohës së Covid-19, faliminderit Zotit unë nuk u infektova asnjëherë nga ky virus por kur kisha një turne në Amerikë, ishte domosdoshmëri që unë të hyja në tokën amerikane e vaksinuar. Përndryshe që të mos futem më gjatë në shtjellimin e kësaj çështje sepse është relative nuk isha shumë e interesuar për ta marr vaksinën

Sipas teje, a është e nevojshme që një këngëtar/e të provokojë në skenë, apo nuk mund të kuptohet një këngëtar/e, i/e pëlqyer sot pa provokime?

Maya Aliçkaj: Për hirë të së vërtetës provokimet janë bërë në modë por unë kam tjetër rrugë. Unë në skenë përcjell te publiku im emocionin, energjinë time, dërgoj atë që përjetoj unë dhe këtë e kam edhe të lindur edhe të mësuar në Akademinë e Arteve që atë emocionin që përjetojmë në një këngë apo në një rol duhet ta përçojmë tek publiku dhe kjo ka qenë dhe është motoja ime, shpirtin çoj unë tek njerëzit. Pra tek unë nuk është puna e provokimit por për disa artistë ja që luan rol. Dhe këtë nuk e ka bërë vetëm skena por edhe bota virtuale.

Me cilin këngëtar/e nga estarda do të preferoje ta realizoje një bashkëpunim?

Maya Aliçkaj: Unë në vërtetë kam disa preferenca dhe jam në rrugë për t’i bërë këto bashkëpunime por pasi që unë jam pak supersicioze nuk do t’i them emrat tani. Për ato bashkëpunime që kam bërë ju i dini, janë këngëtarët më tipikë të estardës shqiptare si bilbili i jugut Petrit Lulo dhe bilbili i veriut Fatmira Breçani.

Sipas jush, ku është muzika shqipe sot, a jeni e kënaqur me standartin aktual, apo duhet ndryshime urgjente?

Maya Aliçkaj: Për mendimin tim muzika shqipe sot ka shumë evolim, ka shumë përparime por ka edhe shumë abuzime do të thoja. Natyrisht përkrah përparimeve dhe abuzimeve edhe kjo është një temë që duhet të flisja një ditë të tërë ndoshta për të treguar vërtetë mendimin tim për arsye se gjëja e parë që duhet të ketë këngëtari është zëri, thojnë italianët tre cilësi duhet të ketë një këngëtar zë, zë dhe vetëm zë andaj duke mos e pasur këtë dhunti disa po bëhen shumë të suksesshëm për shumë arsye të tjera por jo për atë që duhet e kjo është për të ardhur keq më të vërtetë por ndoshta koha është vlerësimi më i mirë i çdo gjëje dhe shpresoj që dalë-ngadalë këngëtarët ta bëjnë punën e këngëtarit dhe jo çdokush të bëhet këngëtar.

Cila është motoja që Maya Aliçkaj përdor më shpesh si mesazh për shoqërinë dhe jetën në përgjithësi?

Maya Aliçkaj: Motoja ime është falni dashuri për njëri-tjetrin, të jetojmë në harmoni dhe kjo nuk është një gjë shumë e vështirë, në të vërtetë është gjëja më e thjeshtë për mendimin tim dhe për shpirtin tim. Nëse falni dashuri ajo ka brenda edhe sakrificën në çdo lloj mardhënie, andaj jeton më bukur duke falur dashuri.

Filed Under: Kulture Tagged With: maya alickaj

Artisti ndërkombëtar Agim Sulaj, sjell talent tek “Rrënjët”

November 30, 2022 by s p

Aleksandër Çipa/

Kur hyra në ekspozitën me hapësirë modeste ” Rrënjët”, të piktorit me njohje në rritje ndërkombëtare, vlonjatit Agim Sulaj, shpirti më ishte bosh dhe mendja ishte e ftohtë. Ndërsa kur dola, shpirti më mbeti plot dhe mendja vërtitej si balonë. Nuk kishte shumë kamera e gazetarë kulture, ndërsa zhvilloi ceremoninë formale të çeljes. Ishin artistë të zgjedhur, miq të paktë të mbetur në Tiranë atë fundjavë, adhurues të piktorit dhe kurreshtarë që numëroheshin me gishta.

Por ky inventar i varfër pranie njerëzore në një çast, nuk ka asnjë vlerë me materien artistike ” Rrënjët” të piktorit që jeton krenarisht si ” zog në arratinë” udhëtuese të karrierës së vet nëpër metropole të Europës së sotme, nëpër bienale dhe edicione ekspozitash ndërkombëtare, nëpër sallonet, atelietë apo pavionet me më tepër traditë dhe bujë të arteve figurative, duke u shfaqur dhe ardhur vetëm si Agim Sulaj dhe duke mbetur po aq krenarisht në lartësi të vlerësimeve në shtim, si piktori shqiptar.

Ekspozita ” Rrënjët” është një kapriçio vetiake identifikuese në shërbim të identitetit kombëtar që artisti Sulaj e mbart natyrshëm dhe e sjell estetikisht me risi krijuese. Është një qëndrestari autoriale tematike dhe qëmtimi kompozicional, duke e shërbyer si talent peneli, në hiper-realizëm. Nuk është aspak i grishur nga dilema e konceptit të Friedrich Shleiermacher-it për Formaesthetik.

Agim Sulaj me ” Rrënjët” vjen si herbartian. Ku formën dhe përmbajtjen i mishëron, në materien e vet artistike, si vlefshmëri e shtuar nga gjithë këndshikimet dhe këndvlerësimet. Simbolika e “rrënjëve” të tij është përmbajtje e riaktualizuar dhe e rinjerëzuar e heronjve, jo duke mbetur besnik i mitit apo kultit të tyre, por duke rikrijuar imazhin njerëzor me brendi madhështie në formatin e së njerëzuarës.

E bën këtë me penel duke realizuar portrete natyrale dhe duke u ngritur natyrshëm dhe mjeshtërisht në epërsinë e estetikës dhe antropologjisë së rrallë karakterizues. Tek “Rrënjët”, piktori Sulaj sjell tre herë portretin e Skënderbeut. E risjell në mënyrën shilerjane, si lëndë ndijore për imazhin e portretizuar njerëzisht të Heroit Kombëtar Shqiptar, të ikonës më determinante shqiptare në historinë e Europës dhe Botës. As më pak e as më shumë, në këtë prurje, Agim Sulaj duket se shfaqet si student i shkollës klasike italiane, por në të vërtetë është mjeshtër i portreteve karakteriale, me përmbajtje dhe substancë magjepsëse psikologjike dhe estetike deri në tejkalim. Sqimatar i tipareve të mbartura autoriale nga puna në punë, nga formati në format. Me një talent prej përzgjedhësi pa të dytë, për temat e pikturave të cilat vijnë si ngasje e ndërgjegjes së tij se; arti është formë mendimi dhe identiteti, piktori sjell tri portretet e njerëzuara të Skënderbeut, por po aq bukurisht rindërton punën me duetin e themelonjësve të shtetit shqiptar, Ismail Qemali dhe Isa Boletini në kuadrin kalendarik të 110 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Ndërsa aftësia për sjelljen e një portreti atipik të “poetit të liqerit”, Lasgush Poradeci duke e identifikuar prej shpinës së vet në një varkë liqeni, përbën një kuotë artistike për vetë autorin.

Piktori ka sjellë në këtë ekspozitë një galeri atipike karakteresh dhe gjendjesh antropologjike, shqiptarë të identifikueshëm si figura të antropokombit në mosha, gjini, krahina dhe hapësirë historike.

Askush (në dijeninë time) nuk e ka bërë diçka të tillë kaq sintetikisht dhe aq të përqëndruar sa Agim Sulaj. Duke besuar se një intensitet të tillë karakteresh tipologjike e kanë dëshmuar më herët, autorë të mëdhenj të pikturës shqiptare si Abdurahim Buza, Ismail Lulani apo europianisht në një kohë më të pasme Omer Kalleshi.

Ekspozita “Rrënjët” është vetëm një pjesë e kuruar njëhershëm prej Sulajt, por punët dhe veprat e tij tashmë janë të shpërndara në një gjeografi të gjerë, nëpër sallone dhe galeri.

Hiseja tjetër e madhe e veprës autoriale të tij është edhe më e jehonshme dhe më mrekulluese.

Lehtësisht njohësit dhe vlerësuesit e karrikaturës bashkëkohore botërore e cilësojnë karikaturistin Agim Sulaj një Goja-shqiptar. Në listat kalendarike të konkurseve ndërkombëtare, apo bienaleve të njohura në krejt Italinë dhe viset e tjera të Europës dhe disa kontinenteve, Agim Sulaj ka siguruar e madje dhe risiguruar trofetë më të çmuara.

Në mbi 100 konkurse ndërkombëtare ka fituar vlerësimet e më të çmuarve dhe më të zellshmëve në dashurinë e sotme për artin dhe fuqinë shprehëse të tij. Forca e madhe shprehëse, aftësia potenciale karikaturizuese, thellësia prej ironiku dhe talenti për të ikonizuar groteskun e shoqërive të sotme, magjia e tij për vepra me kohezion të përbotshëm, janë një pjesë e së mundshmes së thënë, për drejtvlerësimin dhe orientimin e kurreshtarëve dhe dëshiruesve të artit e veçanërisht atij shqiptar, të një artisti si

Agim Sulaj që ndërsa ikën tej e këtej botës, dëshmon përmes penelit dhe talentit rrënjët e identitetit të vet shqiptar. E bën këtë edhe kur degë dhe filiza të shumta në mos i mërgohen, së shpeshti i thahen e humbasin kësaj rrënje. Për këtë arsye dhe këtë kontribut, mund të cilësohet artisti i madh shqiptar.

Tiranë më 30 Nëntor 2022

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 133
  • 134
  • 135
  • 136
  • 137
  • …
  • 556
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT