MUHAMET SHABANI, HISTORIANI I DIMENSIONEVE THELLUESE
Rreth librit “Politika ekspansioniste e shteteve ballkanike ndaj trojeve shqiptare”/
Nga Bajame Hoxha- Çeliku, Tiranë./
Kohët e fundit më ra në dorë rastësisht libri i Msc. Muhamet Shabanit mbi politikën gjenocidiale të fqinjëve tanë historik ndaj trojeve shqiptare,një libër i kompletuar dhe, deri diku shterues mbi këtë temë. Libri,një vështrim i thelluar monografik i çështjes, e tejshtrin vështrimin në shumë aspekte të historisë së Shqipërisë dhe të Ilirikumit dhe bën një panoramë të kësaj historie nga lashtësia gjer në ditët e sotme,duke trajtuar me shembuj, fakte, analiza dhe detaje, fatin historik të kombit shqiptar, përballë armiqve oreks-mëdhenj që gllabëruan tokat shqiptare dhe e vunë vendin tonë në morsën e shtrëngimeve dramatike ,dhe, nga ana tjetër populli shqiptar në këtë vibrim të vazhdueshëm të historisë, diti të ngrejë antikorpet e veta ndaj virusit të shuarjes ose tjetërsimit dhe zhbërjes. Me të drejtë mund të themi,se sado që stuhitë kanë fryrë në anën e kundërt të anijes së shpresës ,është gjetur gjithmonë një kohë e qetë për të dalë në breg. I gjithë libri i Muhamet Shabanit trajton pikërisht këtë ide,dhe vetiu shndërrohet në një manifest të përurimit të një ndërgjegje sa të vjetër dhe të re kombëtare:të vetëdijes se një popull që shuan kujtesën dhe nuk mbetet esëll, është i destinuar të zhduket. Këto mesazhe ky libër i përcjell më së miri dhe na i bën me dije ato përmes trajtesave me skrupulozitet shkencor.
Po kush është Muhamet Shabani?Ai ka lindur në fshatin Jezercë- Ferizaj më 1954. Ka kryer Fakultetin Filozofik në Prishtinë dhe studimet pasuniversitare në Universitetin e Tiranës për histori. Është një nga veprimtarët e e shquar të çështjes së Kosovës dhe arsimit shqip,dhe për shumë vite ka kontribuar si kryetar i Lidhjes,ku më pas, ka emigruar dhe është zgjedhur drejtor i shkollës shqipe në Bruksel ku ka ndihmuar vite me radhë fëmijët shqiptarë të mos asimilohen apo të harrojnë gjuhën e bukur shqipe dhe historinë e saj. Pra,një njeri i formuar në fushë të historisë dhe të hulumtimeve didaktike-shkencore, që sjellin natyrshëm të dhëna intertesante në dobi të çështjes së trajtuar. Muhamet Shabani në librin e tij niset nga një burim i pasur arkivor dhe nga një literaturë e pasur, e konsultuar me kujdes ,kështu, faktografia bëhet një tërësi piketash nga duhet të lëvizë mendimi drejt realizmit dhe objektivitetit, ashtu siç vërtetë e parasheh shkenca moderne historike, dhe siç duhet të ndodhë dhe të mirëkuptohet larg çdo skeme apo ideologjie të frustuar. Asnjë ideologji nuk mund ta udhëheqë historinë, përveç ideologjisë kombëtare,dhe kjo ,aspak nuk duhet të mitizohet,po të udhëhiqet nga kriteri i së vërtetës brenda arsyetimit rrethanor. Kështu duke vërejtur këto parime ,mund të themi se Muhamet Shabani ia ka arritur të bindë lexuesin, pavarësisht nga anësia, ta marrë atë me urtësi përdore dhe ta çojë tek burimi i së vërtetës për të freskuar kujtesën .Kjo, jo vetëm që është një arritje e tij,po edhe një mënyrë e bindshme e procedimit faktik duke dëshmuar edhe një herë se shumë historianë shqiptarë ,të zotë të mbrojnë të vërtetat e përgjakura të kombit të tyre, nuk kanë rënë kurrë në trajtesa të manipulimit të së vërtetës, as të urrejtjes etnike edhe pse nga kjo urrejtje, populli shqiptar shpesh e ka pësuar. Një nga këta historianë mbetet edhe Muhamet Shabani, i cili në librin e tij plotëson një kuadër të plotë të tablosë kombëtare duke e shtrirë vështrimin e tij që nga mugëtira e historisë e deri në të sotmen.
Dhe çfarë mësojmë ne nga gjithë trajtimet e tij. Mësojmë se shumë toka shqiptare sot vetëm emrin kanë të tilla, se në to nuk ka më banorë shqiptarë aty,mësojmë mbi projektet shfarosëse të Çubrilloviçit dhe të Ivo Andriçit, diplomat dhe nobelist, po që në çdo takim projektonte dhe negocionte vetëm kundër shqiptarëve,mësojmë mbi shpërnguljet e mëdha nga Nishi dhe vise të tjera të Kosovës ,mbi negociatat dhe planet e kësaj shpërnguljeje nga jugosllavët me turqit,në mënyrë që popullsia shqiptare të shfarosej;mbi trysninë e ndërrimit të fesë dhe, përmes saj, të harresës etnike,mbi vrasjet ,masakrat dhe dëbimet e çfarëdolloj forme e metode ,mbi orekset e mëdha për zhdukjen edhe të Shqipërisë londineze etj, etj. Libri hapet me një përshkrim që u bën autori trojeve dardane,organizimit të asaj kohe,luftrave të pareshtura dhe emrave të mëdhenj që nxori kjo trevë,midis të cilëve spikat Konstadini i Madh. Dardania e shekujve 7-14 paraqitet në kohën e dyndjeve sllave. Duhet thënë se në këtë kapitull autori sjell një varg referencash nga autorë të huaj,midis të cilëve edhe të historianëve serbë, maqedonas, ku hedh poshtë shkencërisht të ashtuquajturën tezë serbe mbi gjoja Kosovën si djep të Serbisë. Të gjitha dokumentet dhe të dhënat e ndryshme vërtetojnë autoktoninë shqiptare të popullsisë së Dardanisë,duke hedhur tej gjithë ato sajime dhe maipulime që synojnë të mjegullojnë historinë dhe vazhdimësinë iliro-shqiptare të kësaj treve. Gjithë historia e mëvonshme me ardhjen e sllavëve në Ballkan aty nga shek 7, ka qenë histori luftërash dhe pushtimesh, po njëherit edhe histori qëndrese dhe përpjekjesh të vazhdueshme për ruajtjen e identitetit qytetërues të një populli që përqafoi i pari krishterimin dhe vlerat perëndimore. Autori na flet me gjuhën e fakteve sesi pushtuesit u munduan dhe ia arritën që disa kisha t`i shndërronin nga kisha të besimit katolik në kisha serbe, siç bëhet fjalë për kishën e Pejës dhe manastirin e Deçanit.
Inkursioni historik i Muhamet Shabanit nuk ka të ndalur kur duhet të flasë me skrupulozitetin e shkencëtarit dhe flakën e pashuar atdhedashëse për t`u hedhur në kohërat më të vonshme e për të sqaruar me një metodikë të përsosur të shtjellimit fakt- kundërfakt dhe ballafaqim të arsyetuar të tyre brenda kornizës së logjikës shkencore. Emrat e përdorur gjithnjë në dobi të tezave të tij vijnë në ndihmë natyrshëm dhe nuk janë të kërkuara,po ato sillen përmes karuselit të së vërtetës dhe fiksohen gjithnjë brenda një sistemimi logjik. Mirë e shpjegon dhe e selit ai Betejën e Kosovës(1389)ku mjaft autorë të huaj thonë se ajo u zhvillua në Albani,midis të cilëve Filip Mezieri që është bashkëkohës i kësaj ngjarje të madhe. Ai me të drejtë dhe arsyetueshëm hedh poshtë historiografinë serbe që mohon rolin e shqiptarëve në këtë betejë,duke pohuar se kjo betejë ishte një aleancë ballkanike kundër vërshimeve osmane dhe roli i shqiptarëve ishte përcaktues,ndonëse dihet fundi i saj. Historiani Muhamet Shabani me vështrimet e tij analitike arrin të shkojë dhe të përqasë epokat e mëvonshme duke i bërë një prerje vertikale historisë shqiptare, gjithnjë mbajtur tek ideja se kjo histori është formuar në përpjekjet e njëpasnjëshme të një kombi heroik në luftë të vazhdueshme për mbijetesë dhe në ruajtjen e vlerave të larta qytetëruese. Vitet e vështira të pavarësisë së Shqipërisë dhe të Luftërave ballkanike gjejnë një vend të konsiderureshëm në faqet e këtij libri dhe shtjellohen me gjithë peshën dhe dramacitetin e tyre që mbartin. Orekset shoviniste serbe ishin të mëdha,nuk mjaftonte vetëm Kosova, po këto orekse arrinin deri në Durrës ,me qëllim kolonializimin e pjesës veriore të Shqipërisë londineze. Po kështu edhe synimet greke,të cilat si tentakulat e një oktapodi të pështirë, synonin thithjen e gjithë Shqipërisë jugore .
Autori Shabani u bën një analizë të hollësishme ngjarjeve,momenteve historike, eventeve ndërkombëtare, duke i sjellë ato në thelbin e tyre dhe në aspektin e shfrytëzimit të rrethanave kundërfatike. Ajo që bie në sy në librin e tij,mjaft të pasur me një faktologji kokëfortë dhe të padiskutueshme në aspektin e vërtetësisë ,është se autori niset gjithnjë në aspektin zbulues të këtyre fakteve, duke sjellë jo vetëm të dhëna nga ngjarje të caktuara, po edhe dëshmi e dokumente kohorë nga historianë dhe politikanë të kohës. Autori tregon se trojet shqiptare u bënë jo vetëm lojë për top nga rrethana të diktura ndërkombëtare, po ato shpesh mbetën si një resto për të kënaqur egoizmin e fuqive ndërlufturese dhe e palëve fituese ,të cilat për të vendosur raporte të brishta paqeje dhe ekuilibra të caktuara në interesa të fëlliqëta,iu desh që tokat shqiptare t`i këmbenin në këtë tregti të ndyrë politike.Autori Shabani e njeh mirë situatën e atyre kohërave dhe gjithë lojën diplomatike që është bërë, lojë që ka rezultuar në mënyrë të tërthortë dhe herë herë të drejtpërdrejtë në dëm të interesatve të kombit shqiptar.Autorët e projekteve famëkeqe të shovinistëve grekë dhe serbë, dalin në pah dhe zbulohet gjithë ajo përpjekje e tyre për të bindur tryezat e diplomacive europiane dhe botërore se këto përpjekje ishin të drejta dhe, sipas tyre, kërkonin të vinin në vend drejtësinë e munguar. Politika e justifikimit të pushtimeve arrinte deri në sajime monstruoze dhe të dala boje ,të cilat merrnin në krah justifikimet fetare dhe justifikime të tjera që nuk ia vlen të përmenden për irracionalitetin që mbartin.
- Shabani me një gjuhë të saktë dhe të shkruar pa peshën e emocionit të tepruar,çka vetiu e kërkon shkenca moderne ,arrin të paraqesë gjithë atë tablo të shtrirë dhe tronditëse të realiteteve shqiptare në trojet etnike duke i shikuar ato një dhe të pandara edhe pse Fuqitë e Mëdha i kishin copëtuar duke krijuar një shtet sa një e treta e tyre. Libri i tij,është një libër meritor, i cili historinë e Shqipërisë e sheh si histori e një populli të tërë ,aty ku ky popull banon edhe pse shumë pjesë të tij u ndodhën dhe ndodhen edhe sot në okupim. Me një largpamësi dhe në mënyrë shkencore shikon ai fatin e popullit të Çamërisë, të shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi. Po kështu, Kosovën martire autori e përshkruan në të gjitha pikat kyçe të ngjarjeve historike, me Luftën e Dytë Botërore dhe kohën e pasluftës. Është një ndjesimendim që të bën të besosh këtë autor ,se ai sjell gjithnjë referenca dhe fakte ose thënie nga autorët e huaj, të cilët dëshmojnë në emër të ndërgjegjes dhe realizmit të tyre këtë genocid të paparë. Autori nuk niset nga pozita të ngushta nacionaliste, as nga emocione të cilat e çojnë në deformimin e së vërtetës së paluajtshme. Përkundrazi, ai niset nga e vërteta duke dëshmuar gjithë atë dramë kombëtare të një populli të copëtuar padrejtësisht,po edhe pse u copëtua, shovinistët në pjesët aq sa morën nën administrim, kishin një qëllim dhe vetëm një:zhbërjen e popullsisë shqiptare dhe kolonizimin e tokave të liruara. Po kjo nuk ngjau me Kosovën.
Kosova si Feniksi u ngrit nga hiri i këtyre luftërave të përgjakshme dhe arriti të ruajë vitalitetin dhe identitetin e saj edhe pse e pagoi shtrenjtë çmimin e lirisë. Autori që ka qenë një aktivist i shquar i arsimit kombëtar në Ferizaj,me moton :”mësim ,mësim dhe vetëm mësim”,e përshkruan këtë luftë të UÇk-së dhe të popullit me mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë si në luftë heroike ,ashtu siç ajo ishte në të vërtetë.Në faqet e këtij kapitulli do ndeshim me emra veprimtarësh,heronjsh (Adem Jashari),njerëzish të thjeshtë, të cilët gjithnjë me thirrjen e brendshme për liri, arritën të shkruanin akte heroizmi dhe sakrificash të panumërta.Krijimi i shtetit të Kosovës është një akt,një kompesim historik për trojet e shumëvuajtura shqiptare,po ky kompesim ende nuk është bërë plotësisht.
Në një gjendje jo të mirë, në mungesë të lirive të tyre kombëtare dhe njerëzore ndodhen shqiptarët në Maqedoni dhe Mal të Zi,ende sot po u refuzohet çamëve të shkojnë dhe të marrin shtëpitë e tyre në Çamëri. Autori arrin të shkruajë një libër të analizës së thellë dhe të plotësimeve tekstore që i shkojnë përshtat mbajtjes në këmbë të argumenteve të mirëpërcaktuara dhe që nuk mund të kontestohen. Ai arrin të na japë dimensionet e gjëra të një lufte të paprinciptë të ulkonjave shoviniste ndaj një populli që, historikisht, nuk u ka asnjë faj, të një populli që mbetet si një nga popujt e vjetër të Evropës dhe me një kulturë të lashtë. Natyrisht në vështrimet e tij gjithnjë ndeshim këtë ide,po nuk duhet të harrojmë se autori tërthorazi bën thirrje për syçeltësi dhe për forcim të elementit shqiptar,element që nuk mund të forcohet pa njohur historinë dhe pa u ndërgjegjësuar për faktin se tokat e Shqipërisë nuk i janë shkëputur hënës,siç thotë akademik Rexhep Qosja,po i janë shkëputur Shqipërisë. Është e drejta e saj t`i kërkojë ato,është e drejta e shqiptarëve që në kushte të reja demokratike të vendosin vetë. Autori bën një vështrim historik të thelluar dhe me peshë. Shquarsia e faktit dhe mbajtja e tij në rrënjë të së vërtetës, është tipar kryesor i aktit shkrimor të këtij historiani me peshë. Për historinë e Shqipërisë është shkruar shumë nga autorë shqiptarë dhe të huaj,mjaft gjëra janë të njohura dhe të ditura,po Muhamet Shabani e shtrin dimensionin e vështrimit të tij edhe mbi bazën e njohjeve të veta,mbi studimet dhe zbulimet e kryera, duke thelluar ato dhe duke krijuar një panoramë më të plotë.
Në librin e Shabanit njihemi me figura të mëdha të historisë sonë që nga Skënderbeu,Nënë Tereza,Hasan Prishtina,Hoxhë Kadriu, Ramiz Cërnica, Adem Jashari,Sanihe Aliu-Sherifi(organizatore dhe udhëheqëse e demonstratave të grave dhe vajzave të fshatit Balaj kundër suprimimit me dhunë të autonomisë së Kosovës më 23 mars 1989),e emra të nderuar e të dashur si gjenerali Clark,Havier Solana,Toni Bler,Bill Klinton(vëllai amerikan)) e Madelen Ollbrajt,njihemi posaçërisht me atë hero kolektiv ,popullin e Kosovës,me ato ngjarje të tmerrshme të plojës së luftës ,çfarë flet për një qëndresë kombëtare,epopeja e së cilës në kohrat moderne u ngjet betejave skënderbejane dhe homerike. Duke i përshkruar këto beteja, Muhameti u bën vetiu një homazh këtyre njerëzve ,emri i të cilëve është shkruar në panteonin e kombit shqiptar.
Libri kurorëzohet me historinë e re të Kosovës,me shifrat tmerruese të therorive në emër të lirisë,djegiet(një foto e djegies së Çarshisë së Gjakovës i ngjet një pamjeje biblike),me eksodin kosovar dhe gjithë atë teatër të përgjakshëm luftimesh ku rinia e lavdishme kosovare arriti me heroizëm të pashoq të shkruajë historinë më të re të lirisë. Libri të befason me shifrat,faktet dhe kjo ia shton vlerën prozës shkencore të Muhamet Shabanit duke shkuar drejt thellimit të argumentit në shtrirje të dimensioneve kohore, drejt thellimit për të kapur thelbin etnik të një populli qëndrestar në shekuj ,siç ishte populli shqiptar…dhe siç vazhdon edhe sot me të drejtën e zotit të jetojë në trojet e veta.
ÇAMËRIA– FIDANISHTE E FIGURAVE TË SHQUARA
Mirela Kondi: Figura të shquara të Çamërisë, Tiranë, 2016/
NGA Adil FETAHU/
Epiri dhe Çamëria, kjo krahinë më vitale e kombit tonë, gjatë historisë së bujshme të saj e deri në rilindjen e vonshme, i ka dhënë kombit, po edhe Greqisë, Ballkanit, perandorive të kohës (Osmane, Bizantine, Romake), Evropës dhe Botës, dinasti e personalitete spikatura të strategjisë së luftës, të fushës së arsimit, shkencës, artit, kulturës, fesë. Vështirë se mund të gjeni një vend e shembull tjetër në botë që, në proporcion me territorin dhe numrin e popullsisë, t’i ketë dhënë kombit e njerëzimit kaq shumë figura të shquara të fushave të ndryshme. Në nderim të atyre figurave, zonja Mirela Kondi, si një bletë punëtore, ka vjelë e mbledhë të dhëna historike, të një periudhe të gjatë kohore, për të kompletuar biografitë e 56 nga ato personalitete dhe u ka ofruar lexuesve në librin e saj me titull: “Figura të shquara të Çamërisë”.
Pas fjalës së redaktorit (Arben Kondit), libri fillon me prezantimin historik të biografisë së Mbretëreshës Olimpia, një nga gratë më të shquara e më të bukura të botës antike, e lindur në vitin 375 para epokës së re, prej familjes së fisit të Aikaidëve të Epirit, me rrënjë pellazge të Akilit legjendar. Nga martesa e saj me Filipin II, u lindën dy fëmijë: Aleksandri i Madh (ai nuk lindi i madh, por u bë i Madh) dhe Kleopatra. Olimpia mbeti në histori e njohur jo vetëm si nëna e Aleksandrit të Madh, por edhe si grua epirote e ngritur në fronin mbretëror. Libri vazhdon me Aleksandër Molosin, vllain e Olimpisë, i cili e zgjëroi mbetërinë e Molosve, me qendër në Dodonën e lashtë. Nën udhëheqjen e Pirros, Epiri arriti pikën më të lartë të lulëzimit ndër shekuj. Ai krijoi mbretërinë e tij, si një federatë e tre fiseve më të njohura ilire: molosve, kaonëve e thesprotëve. Sot shumica e njerëzve për Pirron dinë vetëm nga thënia: “Fitore e Pirros”, por pakkush e di se si ka mbetur ajo thënie. Në vitin 280 p.e.r, në betejën e Erakleas dhe Askulit, Pirro doli fitimtar mbi ushtrinë romake dyherë më të madhe, por aty humbi aq shumë ushtarë e oficerë, sa që klithi: “Edhe një betejë (fitore) tjetër si kjo, dhe më duhet të kthehem në Epir”! Çamëria dhe Epiri kanë dhënë edhe shumë strategë luftarakë e komandantë trima, heronjë, në luftërat për lirinë dhe bashkimin kombëtar, por edhe për çlirimin e të tjerëve, në rend të parë për çlirimin e Greqisë. Mirëpo, ka pasur edhe mercenarë të rryer, të cilët janë ftuar në luftëra të ndryshme, për llogari të shteteve të kohës nëpër Evropë: Itali, Francë, Gjermani, Spanjë, që në ato beteja kanë korrë fitore mahnitëse, por edhe i kanë lënë kockat e ushtarëve të vet, si puna e Pirros, Merkur Bue Shpatës etj.
Është e pamundur që në një vështrim si ky, të pasqyrohen të gjitha të bëmat dhe kontributi i personazheve të shumtë të librit. Cilin ta veçosh nga ata princa, ata strategë, luftëtarë trima e heronjë, duke filluar nga princër e luftëtarë: Pirro i Epirit, Pjetër Losha, Gjin Bue Shpata (për këtë princ e luftëtar të shquar,shkrimtari Arben Kondi ka shkruar e botuar romanin historik: Gjin Bue Shpata), Merkur Bua Shpata, Gjon Zenevishti, Dionis Filozofi, Gjergj Karaiskaqi, Ibrahim Pasha, Marko Boçari, Odhise Andruco, Haxhi Mehmet Dalani, Muharrem e Haki Rushiti, Osman Taka, Daje Sako, Merrushe Nelo, Aziz Çami, Daut Hoxha, Rexho Plaku, Teme Sejko. Epiri i ka dhënë njerëzimit jo vetëm mbretër, princa e luftëtarë të njohur, po edhe klerikë të rangut më të lartë, si Shën Eleuteri, Mihal Artioti, Dionis Filozofi (edhe klerik edhe prijës kryengritjesh), Atenagora i Parë. Gjithashtu, ka dhënë figura brilante të arsimit, shkencës, artit e kulturës: Mihal Artioti, Muhamet Kyçyku-Çami, Haxhi Murat Çami, Mihal Anagnosti, Hasan Tahsini, Elena Gjika, Abedin, Rasih, Ali e Arif Dino, Rexhep e Musa Demi, Kolë Idromeni, Faik Konica, Abaz Dojaka, Niko Stilo, Bilal Xhaferri, tj.
Principata e Artës e princit Pjetër Losha shtrihej prej gjirokastre deri në Korinth. Në aleancë me princin Gjin Bue Shpata, në vitin 1358 e mundën ushtrinë bizantine të princit serb Niçifori II, në betejën e Akaleut, në të cilën u vra edhe vet princi serb. Gjin Bue Shpata ishte princi më i zoti, që zotëroi hapësirat më të mëdha të Epirit, përveç Janinës ku sundonte shqiptarovrasësi Toma Preluboviq, i cili ishte në aleancë me ushrinë osmane në luftë kundër princërve shqiptarë. Ai tiran ia kishte dërguar Gjin Bue Shpatës shportën me sytë e nxjerrur e vëshët e prerë të fëmijëve shqiptarë! Gjon Zenevishti, sundimtar i Principatës e cila shtrihej prej Gjirokastre në Luginën e Drinos dhe Delvinës. Ishte dhëndër dhe besnik i Gjin Bua Shpatës. Merkur Bua Shpata, fitoi beteja, tituj e shpërblime, me ushtrinë e tij të rryer në luftëra (stratiotët, mercenarë), sa herë u ftua për t’i ndihmuar në luftë Vendikut, Spanjës, Francës, Gjermanisë, gjithmonë doli fitues. I ftuar nga Franca, në vitin 1515 e theu ushtrinë zvicërane, e cila prej 1500 vjetësh nuk kishte njohur disfatë! Ibrahim Pasha, vezir i lartë e komandant sprem i ushtrisë osmane (i martuar me motrën e sultan Sulejmanit), e pushtoi Beogradin, Budapestin e Rodosin. Në vakëfet e tij në Bullgari (Razgrad), në tri fshatra janë vendosur ortodoks të Çamërisë, të cilët edhe sot e flasin “çamërishten”. Donis Filozofi, peshkop i Thesalisë, nxiti dy kryengritje të mëdha të shqiptarëve kundër osmanëve. Kur ushtria osmane e shtypi kryengritjen e dytë, zuri peshkopin, e rjepi për së gjalli dhe lëkurën e tij të mbushur me kashtë, bashkë me kokat e 200 kryengritësve ia dërgoi mbretit në Stamboll (asokohe osmanët masën e suksesit të betejës e llogaritnin me numrin e kokave të prera)! Haxhi Mehmet Dalani nga Konispoli u bë guvernator i Libanit (1826) dhe si strateg ushtarak, me 800 kalorës e 3 anije luftoi për çlirimin prej Perandorisë osmane. Marko Boçari, kapiteni suliot, komandant i përgjithshëm, strateg e hero i revolucionit për çlirimin e Greqisë (1821), për artin ushtarak u edukua dhe aftësua në oborrin e Ali Pashë Tepelenës. Për këtë trim suliot është shkruar shumë (edhe shkrimtari Arben Kondi për këtë ka shkrua romanin historik: “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”). Arben Rakipi, në një shkrim të vetin, me apo pa të drejtë (?) Boçarin e cilëson si vrasës të shqiptarëve myslimanë. Marko Boçari u vra (1823) në luftë kundër ushtrisë së pashait të Shkodrës (Mustafë Pashë Bushatlia). Odhise Andruco që i qëndroi besnik Ali Pashë Tepelenës më tepër se dy djemtë e pashait, dhe që në vitin 1824 luajti rol vendimtar në çlirimin e Athinës, por që në fund e vranë autoritetet greke, në mënyrën më mizore. Gjergj Karaiskaqi, që ishte zënë rob nga ushtria e Ali Pashës, u vu në shërbim të tij dhe i mbeti besnik pashait deri në fund, dhe bashkë me Andrucon si komandant luftoi për çlirimin e Greqisë, por Asambleja greke ia hoqi të gjitha postet dhe gradat, dhe vdiq nga plagosja në rrethana të dyshimta në betejën e Akropolit. Muharrem Rushiti ishte simbol i trimërisë dhe zgjuarsisë, i cili prej vitit 1902-1920 udhëhoqi njëqint beteja, kundër pushtuesit osman dhe andartëve grekë, në të cilat mori 12 plagë në trup (e quanin Isa Boletini i Çamërisë). Alush Take, bashkëluftëtar me Muharrem Rushitin, tërë jetën dhe pasurinë i vuri në shërbim të atdheut; ai i furnizonte me armë dhe i mbante me shpenzime të veta mbi 300 ushtarë. Daut Hoxha, i cili luftoi 27 vjet rresht, ishte tmerr për andartët grekë, sa që prefekti grek i Paramithisë i kishte thënë Jori Sulit: nëse djali i tij Koço, që ishte në çetën e Dautit Hoxhës, do ta vriste Dautin, qeveria do ta bënte kolonel e do t’i jepte të holla të shkojë e ta kalojë tërë jetën në Athinë, por Jori ishte përgjegjur: “Nëse ime shoqe Koçon e ka me mua, ai nuk vret Dautin, edhe sikur t’ia jepni tërë Greqinë dhe ta vëni në fronin e mbretit”. Kishte edhe shumë luftëtarë trima tjerë të Çamërisë, të cilët luftuan kundër pushtuesit osman, kundër bandave greke, por edhe kundër pushtuesve italian e gjerman; si oficeri artilerisë komandanti Haki Rushiti, i cili pastaj kaloi në grupimin e Ballit Kombëtar, apo komandanti Rexho Plaku, i cili në kohën e komunizmit vuajti 33 vjet burgim, bashkë me shumë çamër tjerë. Në luftë kundër bandave greke, bashkë me trimat e Muharrem Rushitit morën pjesë edhe femra çame: Daje Sako, Merrushe Nelo etj.
Çamëria i ka dhënë edhe krishterizmit figura të shquara. Papa i trembëdhjetë me radhë ishte Shën Eleuteri, papa i parë me origjinë shqiptare, nga Nikopoja e Çamërisë, i cili përhapi krishtërizmin deri në Angli. Sipas disa të dhënave, ai qëndroi në fron dhe kreu me sukses detyrën e papës 15 vjet (175-189), në një kohë të vështirë të luftës së kristianizmit me paganizmin. Shën Donati ishte një tjetër shenjëtor çam i Paramithisë (shekulli IV e.r.) i cili, pas mbarimit të studimeve në Butrint, gjithë jetën shërbeu me titullin e peshkopit të dioqezës së Çamërisë. Për nderë të tij, qytetin e Paramithisë populli e quante Ajdonat. Mihal Artioti, nga qyteti i Artës, ishte një nga viganët e mendimit humanist të Rilindjes Europiane. I ftuar nga Cari rus (1515), përktheu librat e shenjtë nga greqishtja në rusisht. Ishte humanisti i parë në Rusi, që hapi shkollë humaniste italiane dhe shtypshkronjën e parë të rregullt. Për shkak të qëndrimit liberal ndaj fesë, u akuzua si heretik dhe qëndroi njëzet vjet i izoluar në një manastir. Ka më se 150 tituj vepra e punime të botuara në tema filozofike, etike e pedagogjike.
Në periudhën e Rilindjes, nga Çamëria dolën personalitete të spikatura të shkencës, artit, kulturës, arsimit. Çdo komb do të krenohej ta kishte të vetin Hasan Tahsinin, të cilin mund ta quajmë kryerilindas i Evropës. Lindi në Ninat (1811). Si nxënës i medresës i kishte mahnitur mësuesit dhe nxënësit me zgjuarsinë e tij, dhe aty mori epitetin “Tahsin” (i shkëlqyeshëm), të cilin e mbajti dhe arsyetoi me meritë tërë jetën. Në Paris e Sorbonë qëndroi me studime e punë 12 vjet, ku doktoroi për shkencat fizike e natyrore. U emërua rektor i parë i Universitetit të Stambollit, por për shkak të pikëpamjeve liberale e demokratike u etiketua si “kaur” (pa fe) dhe u shkarkua nga posti i rektorit. Në institutin (medresën) që themeloi, nxënës-student të tij ishin: Pashko Vasa, Ismail Qemali, Konstandin Kristoforidhi, Jani Vreto, Sami e Abdyl Frashëri etj, të cilët i njohim si rilindas të spikatur të çështjes kombëtare. Burimet turke e kanë quajtur – njeriu më i ditur i kohës në Stamboll, ndërsa Sami Frashëri thoshte: “Njeri si Hoxhë Tasini i vjen Shqipërisë një herë në 1000 vjet”. Kur lexon për Hasan Tahsinin, leximin duhet ta bësh me dorë në zemër, nga respekti për te, atëherë, sot e mot. Mihal Artioti, klerik e dijetar i shquar poliedrik. Muhamet Kyçyku-Çami, një arsimdashës, mësues, shkrimtar, përkthyes, autorë i shumë veprave. Poema e tij “Erveheja” (e përkthyer nga gjuha arabe) ishte lektyrë shkollore deri në ditët tona. Elena Gjika (Dora D’Istria), nga familja Gjika, me rrënjë nga Parga, nga udhëtimet, shkrimet dhe letërkëmbimet me personalitet më të njohura të kohës, u bë ambasadore e shquar e çështjes shqiptare. Ajo cilësohej si njëra nga gjashtë gratë më të famshme të shekullit XIX. Abedin Dino, ministër i punëve të jashtme në Perandorinë Osmane, u angazhua që Çamëria të mos i shkëputej Shqipërisë, ka shkruar, përkthyer e botuar vepra të ndryshme. Osman Taka, në saje të artit të valles “çamika” që luajti para valiut, shpëtoi nga dënimi me varje! Tahir Mete, përfaqësues i Çamërisë në Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit, punoi për hapjen e shkollave dhe organizimin e shoqërive kulturore. Rexhep Demi gjithë jetën e shkriu për shkollën shqipe, mblodhi ndihma edhe për Normalen e Elbasanit. Sheh Sabri Preveza, në shkollat turke u mësonte nxënësve fshehurazi edhe shqipen. Kolë Idromeni ishte piktor duarartë. Faik Konica cilësohet si një ndër njerëzit më të ditur në kulturën shqiptare në kohën e tij, të cilin Noli e quante: “bibliotekë lëvizëse”. Tërë veprimtarinë e tij diplomatike e publicistike ia kushtoi çështjes kombëtare. Musa Demi, mësuesi i parë në shkollën e Filatit. Spiro Çalluka, avokat e intelektual i nivelit të lartë, mik i Ismail Qemalit, Nolit e Hasan Prishtinës. Ali Dino, piktor dhe një nga karikaturistët më të mirë në Evropë. Arif Dino poet, aktor, regjisor, skenograf, përkthyes i njohur në Turqi e Greqi, e shumë të tjerë e tjerë. Për të mësuar më shumë për jetën dhe veprat e të gjitha këtyre personaliteteve, lexonie librin e Mirela Kondit “Figura të shquara të Çamërisë”.
Të gjithë ata princa, ata ushtarakë, dijetarë, filozofë, klerikë, ishin personalitete të njohura e të respektuara, të cilët lan gjurmë të pashlyeshme në shkallë kombëtare e ndërkombëtare, në kohë e hapësirë dhe në rrethana të ndryshme. Shqiptarët në përgjithësi, dhe çamërit në veçanti, ishin populli më aktiv në luftën kundër pushtuesit osman, por ata kishin arritur suksese të admirueshme edhe në fushën e arsimit, shkencës, artit e kulturës. Ata sakrifikuan pasurinë dhe jetën, e për këto meritojnë lavdinë e përjetshme.
Me librin e saj, “Figura të shquara të Çamërisë”, Mirela Kondi ka kryer një akt simbolik të kujtimit dhe respektit për ato personalitete që janë për krenari. Po, përmes asaj galerie figurash të shquara, autorja ka paraqitur një mozaik procesesh e ngjarjesh të historisë së Çamërisë e më gjërë, në një periudhë të gjatë kohore. Leximi i librit “Figura të shquara të Çamërisë”, të krijon një ndjenje respekti për ato figura dhe krenarie që ato i përkasin kombit tonë dhe gjith përparimit të njerëzimit në fusha të ndryshme.
Ky është libri i dytë i Mirela Kondit, krejt i ndryshëm nga libri i parë, që ishte libër i lëmit të kulinarisë: “Kuzhina çame”, por që tregon se autorja është denjësisht e lidhur për trevën e Çamërisë. Sikur e thotë vet autorja, libri është një “sprovë historike-letrare…”, vazhdimin e së cilës e paralajmëron në fund të librit, sepse ka edhe shumë figura tjera të cilat meritojnë të kujtohen e të mos harrohen. Për hartimin e librit ka shfrytëzuar një bibliografi të pasur, prej afro 150 njësi bibliografike. Libri është shkruar me një gjuhë të pastër e stil të qartë e të rrjedhshëm, e me përdorimin aty-këtu të ndonjë shprehje karakteristike të çamërishtës, asaj “gluhe” e të folme të ëmbël, për të cilën poeti ynë Naim Frashëri (në poezinë “Dallëndyshe”) thotë: “Eni vjen prej Çamërie / me ato milra fjalë / me atë gluhë perëndie/.
Krijuesit e Komunitetit-Botim i fundit i shkrimtarit Pierre-Pandeli Simsia
SHQIPËRIA DHE KOSOVA PJESË E MUZEUT TË INSTRUMENTEVE MUZIKORE NË ARIZONË
Nga Hajro Hajra/Arizonë/
Në mesin e afro 30 muzeve të instrumenteve muzikore sa ka sot në gjithë botën është edhe Muzeu i instrumenteve Muzikore (Musical Instrument Museum), në kryeqytetin e Arizonës, Feniks (Phoenix), i hapur në prill të vitit 2010. I themeluar nga Robert J. Ulrich (koleksionist i pasionuar i artit të Afrikës dhe entuziast i muzeve të botës), ish-drejtor ekzekutiv dhe kryetar i Korporatës “Target”, ky është më i madhi dhe më i pasuri muze i këtij lloji në gjithë botën. I vendosur në një ndërtesë dykatëshe në kryqëzimin e bulevardeve Tatum dhe Mayo, muzeu ka një sipërfaqe mbi 18 mijë metra2 dhe aty janë ekspozuar mbi 15 mijë instrumente muzikore dhe objekte shoqëruese, si kostume e të tjera, nga afro 200 shtete të botës.
Me një biletë që kushton 20 dollarë, vizitori, para se të fillojë t’i vizitojë kthinat e shumta me eksponate mahnitëse, pajiset me pajimin GuidePort (një lloj radiomarrësi) dhe me kufje, ngase në çdo kënd ekspozues, poshtë emrit të secilit shtet janë vendosur ekrane ku vizitori mund të shohë dhe të dëgjojë (vetëm pasi t’i aktivizojë kufjet) muzikën e atij vendi.
Vëmendjen tonë e tërheq një kënd jo fort i madh i kthinës së madhe të shteteve të Europës (ngase eksponatet janë klasifikuar sipas kontinenteve dhe shteteve të tyre), ku shkruan Kosovo dhe Albania. Aty nuk janë më shumë se 14 eksponate, nga të cilat 13 vegla muzikore dhe 1 vegël pune, furka, për të cilën jepet shpjegimi se puna me të shoqërohet me muzikë karakteristike. Përposhtë secilit instrument muzikor është shënimi me emrin e instrumentit si dhe vendi nga vjen. Për moshën ndërkaq, pothuaj për të gjitha instrumentet thuhet se u përkasin viteve të fundit të shekullit XX.
Në të majtë, poshtë në dysheme është ekspozuar një tepsi (duket të jetë tepsi bakri e kallajisur) dhe shpjegimi se ajo lëshon tinguj kur vërtitet nga gratë myslimane. Është e paqartë nga e ka burimin ky shpjegim, kur dihet se muzika nuk përfaqëson një fe. Edhe për dajren, vendosur në mur thuhet se me të luajnë femrat myslimane dhe rome. Vijnë me radhë dy bilbila (lloj fyelli), çiftelia (Kosovë), sharkia (Shqipëri) e shkruar serbisht Sargija (lexo: shargija), lahuta (Mali i Rrencit, Lezhë), surla (Kukës), zumarja (mbase zurnaja, Lezhë), lahuta (Dukagjin, Shkodër), sharkia (Dibër), daireja (Lezhë, Zadrimë), çiftelia (Lezhë) dhe sharkia dyshe (Lezhë), me shqiponjën dykrenore të gdhendur, ku shpjegohet se shqiponjën me dy kokë e ka përdorur heroi Skënderbeu gjatë luftimeve kundër pushtimit turk. Teksa qëndron para këtyre eksponateve vizitori sheh në ekran dhe dëgjon nëpërmjet kufjeve një këngë të Gollakut, interpretuar nga Grupi Folklorik Hajvalia dhe një grua shqiptare teksa ekzekuton tinguj me tepsi, pamje që ndërrohen në mënyrë alternative. Përveç instrumenteve muzikore aty janë të ekspozuara edhe disa fotografi, një e fillimshekullit XX ku shihen dy femra të reja rome, njëra me violinë, tjetra me daire, një foto e vitit 1923 me dy djem të rinj shqiptarë (njëri me kostume kombëtare), duke i rënë fyellit dhe një foto e një gajdexhiu nga Elbasani e vitit 2006.
Ndonëse të përfaqësuara me një numër fare të vogël veglash muzikore, nga mbi njëqind instrumente që njihen si shqiptare, prania e dy shteteve shqiptare në këtë muze është e një rëndësie të veçantë, sepse vizitori amerikan, por edhe shumë të huaj që e vizitojnë çdo ditë këtë muze, do ta njohin një pjesë modeste të kulturës muzikore të popullit shqiptar, që përfaqësohet këtu bashkë me kulturat muzikore të qindra shteteve të botës.
Ky muze, ndërtimi i të cilit ka kushtuar mbi 250 milion dollarë është themeluar falë donatorëve. Kontributi më i vogël që do të mund të bënin shtetet shqiptare, po edhe koleksionistët privatë të instrumenteve muzikore, do të ishte pasurimi i pjesës shqiptare të muzeut me vegla muzikore të sotme e të djeshme që mungojnë aty, po edhe me vegla të lashta muzikore, qoftë edhe me kopje të instrumenteve që janë zbuluar në trojet shqiptare e që janë përdorur nga parardhësit tanë.
- « Previous Page
- 1
- …
- 228
- 229
- 230
- 231
- 232
- …
- 544
- Next Page »