• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NË TË DREJTËN NDËRKOMBËTARE NUK EKZISTON AS BAZA, AS KONCEPTI, AS SHPREHJA PËR TËRHEQJEN E NJOHJES SË SHTETEVE

October 28, 2022 by s p

Shkruan: Adil FETAHU/

Nocioni shtet sipas të drejtës ndërkombëtare

Nga pikëpamja e të drejtës ndërkombëtare, sheti është bashkësi politike e njerëzve, e organizuar në një territor të caktuar nën pushtetin sovran (suprema potestas), i aftë dhe i pranuar për të hy në marrëdhënie të dyanshme apo të shumanshme me entitetet (shtetet) e tjera që kanë zotësi juridike ndërkombëtare. Shteti është edhe aparat i dhunës që disponon mekanizma për të garantuar sigurinë e bashkësisë politike dhe të pjesëtarëve të saj. Elementet përbërëse të shtetit janë: qytetarët (shtetasit) e përhershëm, territori i caktuar dhe pushteti sovran i pavarur nga ndonjë shtet i jashtëm. Shteti mundet vullnetarisht disa aspekte të pushtetit të vet t’ia bartë një shteti tjetër apo një organizate të shteteve.

Nga pikëpamja e rregullimit politik, shteti mund  të jet i veçant (unitar) ose i përbërë (federal), ndërsa nga pikëpamja e sundimit mund të jetë monarki ose republikë, kurse nga pikëpamja e regjimit mund të jet shtet demokratik ose autokratik.

Formimi i shtetit

Shteti formohet kur një territor i caktuar e shpallë pavarësinë, në pajtim me parimin e përgjithshëm të së drejtës për vetëvendosje. Formimi i shtetit në këtë mënyrë hasë në problemin e parimit  kundër cënimit të kufijve të shtetit prej të cilit ndahet shteti i ri i formuar. Megjithatë, parimi i të drejtës së vetëvendosjes së popujve është me përparësi kundër cënimit të kufijve të shtetit. Kjo për shkak se moscënimi i kufijve të shtetit ka të bëjë kryesisht nga shtete të jashtme, me luftën agresive të shtetit kundër shtetit, e jo me vullnetin e popullit të brendshëm, e që ai vullnet rrallë herë mund të arrihet pa luftë të brendshme, pa kryengritje, që shpeshherë shndërrohet në luftë qytetare (Eritrea, Sudani Jugor, Timori Lindor). Shteti mund të formohet edhe me luftë ndërshtetërore, si rasti i Qipros së Veriut, që u bë me luftën midis Turqisë e Greqisë. Ai shtet ekziston qe 50 vjet, pavarësisht se e ka njohur vetëm Turqia dhe Pakistani. Formimi i shteteve nga shkatërrimi i RSFJ-së është specific, për faktin se për krijimin e tyre janë zhvilluar  luftëra të brendshme dhe kishte edhe intervenime të jashtme (Bosne-Hercegovina, Kosova).

Shteti i ri mund të formohet edhe me marrëveshje paqësore, siç ishte rasti i Çekosllovakisë dhe i BRSS-së. 

Thuhet se shtetet zhdukin dhe formojnë shtete. Zhdukja e shtetit, apo e një pjese të shtetit bëhet me luftë okupuese dhe me aneksimin e shtetit apo të pjesës së okupuar (aneksimi i Austrisë shtetit të Gjermnisë në vitin 1938, apo aneksimi i Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë BRSS në vitin 1939, dhe rasti më i ri: okupimi dhe aneksimi i Krimesë  (2014) e të rajoneve tjera të Ukrainës (2022) nga Rusia agresive.

Shteti i Kosovës – “sui generis”

Formimi i shtetit të Kosovës është rast i veçantë,  unikat dhe  i pashembëllt në botë, sepse në momentin e shpalljes së pavarësisë Kosova ishte nën administrimin e përkohshëm  të Kombeve të Bashkuara, në bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit 1244/99, që ishte akt juridik ndërkombëtar. Rezoluta nuk e ka përcaktuar statusin  as nuk ka caktuar kurrëfar afati, kushte as kufizime për arritjen e statusit përfundimtar të Kosovës. Esenca e administrimit të përkohshëm (faktori ushtarak dhe faktori civil) ishte ruajtja e paqes dhe përgatitja e organeve vetëqeverisëse të Kosovës në parime të së drejtës ndërkombëtare. Kjo u bë, krahas me Rezolutën 1244 edhe me Kornizën Kushtetuese të Kosovës (2001), që gjithashtu është akt i të drejtës ndërkombëtare, pasiqë e ka miratuar organi i KB. 

Në pikëpamje të statusit përfundimtar të Kosovës, Rezoluta 1244, në disa vende i referohet Marrëveshjes së Rambujesë, në të cilën ishte përcaktuar se pas tri vjetëve, do të organizohet referendumi i popullit të Kosovës për të përcaktuar statusin e vet politik. Populli i Kosovës e kishte mbajtur referendumin në vitin 1991, me të cilin e kishte shpallur Kosovën shtet të pavarur e sovran, por që ishte i okupuar nga Serbia, dhe në ato kushte Kosova nuk e kishte elementin e tretë të shtetësisë – pushtetin e vet suprem, por atë pushtet e ushtronte me dhunë Serbia.

Pas çlirimit të Kosovës, me luftën çlirimtare të UÇK-së, me pjesëmarrjen dhe ndihmën vendimtare të NATO-s,  bashkësia ndërkombëtare, në koordinim me KB, bënë përpjekje për të arritur marrëveshje në mënyrë paqsësore për statusin përfundimtar të Kosovës, por për shkak të kryeneqësisë së udhëheqjes së Serbisë nuk u arrit marrëveshje. 

Për të zgjidhur problemin e statusit të Kosovës, sekretari i përgjithshëm i KB, Ban Ki Mun, e caktoi emisarin e tij  special, Marti Ahtisarin, të hartojë një raport dhe t’ia paraqet atij, me propozim se si e mendon zgjidhjen e statusit të Kosovës. Pas shumë bisedimeve e konsultimeve, Ahtisari e përgatiti dhe ia dorëzoi raportin e tij, me propozim që Kosovës t’i njihet pavarësi e mbikqyrur . Sekretari i përgjithshëm i KB, në marrëveshje me Këshillin e Sigurimit, e miratoi raportin e Ahtisarit. Në pajtim me Raportin e Ahtisarit, me Marrëveshjen e Rambujesë, me Rezolutën 1244/99 të Këshillit të Sigurimit, dhe me parimet, normat dhe obligimet nga Korniza Kushtetuese (të gjitha këto akte të së drejtës ndërkombëtare, sepse tri fundit ishin akte të KB), përfaqësuesit e zgjedhur në mënyrë demokratike nën mbikqyrjen e Administratës së Kombeve të Bashkuar, më17.02.2008,  e shpallën vullnetin e popullit për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur. Me shpalljen e pavarësisë u pajtuan Kombet e Bashkuara, pëmes përfaqësuesit të vet që ishte udhëqës-shef i Administratës së Përkohshme të KB në Kosovë, dhe nuk e kundërshtoi as Këshilli i Sigurimit, që ishte autor i Rezolutës 1244.  

Me insistimin e Serbisë, Kombet e Bashkuara i dërgun  kërkesë organit më të lartë të drejtësisë botërore,  Gjykatës  Ndërkombëtare të Drejtësisë, që të jep mendimin këshillues, nëse Deklarata për shpalljen e pavarësisë së Kosovës e ka shkelur, ose jo, të drejtën ndërkombëtare. Ajo Gjykatë dha Mendimin e vet, se Deklarata mbi pavarësinë, e miratuar më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelë të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, as Kornizën Kushtetuese, rrjedhimisht Deklarata e pavarësisë nuk ka shkelë asnjë parim të zbatueshëm të së drejtës ndërkombëtare.

Prandaj, çdo  kundërshtim apo kontestim, i kujtdoqoftë, i aktit (Deklaratës) mbi shpalljen e pavarësisë së Kosovës, është krejtësisht i pabazë. Sidomos ata që thirren në të drejtën e përgjiithshme ndërkombëtare, derisa vet Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë  ka vërtetuar se nuk ka pasur shkelje të së drejtës ndërkomb[tare. 

Edhe diçka për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Udhëheqjësia e Serbisë, e sidomos kryetari i saj, Aleksandar Vuçiq, çdoherë thirret në atë Rezolutë, kinse ajo i garanton sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Kjo nuk është e vërtetë, sepse Rezoluta 1244 nuk ka të bëjë vetëm me Serbinë, por në rend të parë ka të bëjë me shtetin e atëherëshëm të quajtur Republika Federale e Jugosllavisë (Serbi dhe Mali Zi, i cili nuk ka ekzistuar në kohën kur Kosova ka shpallë pavarësinë) dhe me të gjitha shtetet fqinje rreth Kosovës: Serbinë,  Maqedoninë,   Malin e Zi, madje edhe me Shqipërinë, duke qenë kundër pretendimeve territoriale të shteteve fqinje të Kosovës, por edhe të Kosovës ndaj shteteve fqinje.  Parimi i integritetit territorial i përcaktuar në Rezolutë, e pastaj edhe në Raportin dhe propozimin e Ahtisarit, ka të bëjë me  mosndryshimin e kufijve ekzistues në rajon. Bile, është edhe kundër bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, gjë që këtë parim e përmban edhe Kushtetuta aktuale e Kosovës, pasi është dashur të jetë në harmoni me Dokumetin e Ahtisarit. 

Prandaj, duke pasur parasysh specifikat e formimit të shtetit të Kosovës, del se shteti i Kosovës është “sui generis”, është rast unikat, i cili nuk mund t’i shërbejë si precedent, madje është antiprecedent, që të mund t’i shërbejë dikujt, siç po pretendon Putini me rajonet e okupuara të Ukrainës. 

Njohja e shtetit

Koncepti i njohjes së shtetit ka karakter politik me efekte juridike. Në të drejtën ndërkombëtare janë dy lloje njohjeje: 1) njohja e shtetit, dhe 2) njohja e qeverisë. Dallimi konsiston kur shteti njihet, por qeveria e atij shteti nuk njihet si qeveri legjitimit (si në raste të huntave ushtarake). . Mosnjohja e qeverisë nuk nënkupton mosnjohjen e shtetit.

Janë dy teori themelore sa i përket natyrës juridike të njohjes së shteteve. Njena quhet teori konstituive, tjetra teori deklarative. Teoria konstitutive merr parasysh elementet e përmendura më lartë që përbëjnë shtetin: territori, popullsia e përhershme në territorin e caktuar, dhe pushteti sovran, por sipas asaj teorie, nuk mjaftojnë vetëm këto tri elemente, veçse për të pasur subjektivitetin (personin) juridik të shtetit, për të realizuar të drejta dhe detyrime me shtetësi të plotë  në marrëdhëniet ndërkombëtare,  krahas elementeve të përmendura shteti duhet të jetë edhe i pranuar (i njohur nga shtete tjera). Njohja është çështje e diskrecionit politik të shtetit që jep njohjen. Kësaj teorie mund t’i bëhet vërejtje, se shteti i formuar, edhe pa u njohur nga shtetet tjera, nuk qëndron  pezull në ndonjë vakum juridik , por edhe ai është i detyruar t’iu përmbahet rregullave të së drejtës ndërkombëtare, psh. mospërdorimit të forcës dhe mossulmimit  kundër shtetit tjetër. 

Nga ana tjetër, sipas teorisë  deklarative, që është dominuese në marrëdhëniet ndërkombëtare bashkëkohore,  njohja e shtetit është konfirmim ose konstatim i formimit të një shteti të ri, në pajtim me kushtet të cilat i ka përcaktuar e drejta ndërkombëtare, dmth. që ka tri elementet kryesore të shtetit, të përmendura më sipër. Sipas kësaj teorie, edhe pa marrje të njohjes shteti ekziston  me atributet e shtetit si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, pa marrë parasyshë vullnetin apo veprimet e shteteve tjera. Sipas kësaj teorie, akti i njohjes vetëm e deklaron (konfirmon) faktin e ekzistimit të shtetit, e nuk e konstituon subjektivitetin juridik të shetit, sepse konsideron se ai subjektivitet është i konstituar.

Është edhe një teori e ndërmjeme, si teori shkencore, e cila i kombinon pikëpamjet e dy teorive të para, duke marrë parasysh gjendjen reale në praktikë. Kjo teori, shkencore, konsideron se shteti i cili i disponon atributet konstituive të shtetit, duhet të njihet nga shtetet e tjera, sepse nuk ka arsye të mos njihet.

Gjatë shpërbërjes së BRSS dhe të RSFJ, në të drejtën ndërkombëtare të Europës u përcaktuan disa kushte për njohjen e shteteve të reja:  demokratizimi i shoqërisë dhe respektimi i të drejtave të njeriut dhe të minoriteteve  brenda shteteve të reja të formuara, që të obligohen dhe të përcaktojnë në kushtetutat e tyre se nuk kanë pretendime territoriale ndaj shteteve fqinje (Komisioni i Badinterit). Bile,  me imponimin e Greqisë, Maqedonisë iu shtrua edhe një kusht i veçantë, që ta ndërrojë emrin nga Maqedonia, në Maqedonia e Veriut, gjoja që të heqë pretendimet ndaj Maqedonisë së Epirit. Por këto kritere nuk janë bërë zakon i përgjithshëm i të  drejtës ndërkombëtare dhe nuk i obligojnë shtetet e tjera, të cilat nuk janë (as do të bëhen) anëtare të Bashkimit Europian. Sidoqoftë, e drejta ndërkombëtare po iu lejon akterëve të jashtëm që të imponojnë plotësim të kushteve  paraprake shteteve të cilat kërkojnë njohje. Rasti më i ri është kushti i Izraelit për njohjen e Kosovës, që Kosova ambasadën e vet ta instalojë në Jerusalem. Po edhe në aktin final të Kongresit të Bërlinit (13 korrik 1878), Serbia dhe Mali Zi janë njohur si shtete të pavarura, me kusht që të garantojnë të drejta të barabarta civile dhe politike për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh besimin dhe religjionin e tyre. E dihet se as Serbia as Mali Zi nuk e kanë plotësuar kushtin e garantimit të të drejtave të përmendura, por njohja që u është dhënë më 1878, nuk është tërhequr, sepse tërheqjen e njohjes de iure nuk e parasheh e drejta ndërkmbëtare.

Njohja e shtetit konsiderohet si “mjet’ politik me efekte juridike. Efektet juridike të njohjës së shtetit shtrihen në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe në planin e brendshëm. Në planin ndërkombëtar me njohjen e fituar shteti i ri merr të gjitha të drejtat dhe obligimet ndaj të drejtës ndërkombëtare. Kjo nuk nënkupton se të gjitha shtetet që e kanë njohur, do të krijojnë marrëdhënie diplomatike me shtetin e njohur. As shkëputja e marrëdhënieve diplomatike nuk do të thotë tërheqje e njohjes. 

Llojet e njohjeve të shteteve të reja

E drejta ndërkombëtare njeh dy lloje njohjesh të shteteve të reja:

  1. njohja de facto, dhe
  2. njohja de iure.

Njohja mund të bëhet shprehimisht ose në mënyrë të heshtur. Njohja e bërë shprehimisht nënkupton njohjen në mënyrë formale, duke publikuar njohjen, me deklaratën e shefit të shtetit  apo shefit të diplomacisë që bënë njohjen, me notë diplomatike, apo përmes ndonjë marrëveshe (kontrate) shumëpalëshe të disa shteteve. Njohje e heshtur konsiderohet çdo akt normativ-juridik apo kontratë bilaterale me të cilën rregullohen marrëdhënie me shtetin e ri, poqese në marrëveshje (kontratë) nuk është vënë rezerva, me të cilën tregohet se marrëdhëniet e krijuara me kontratë nuk prejudikojnë njohjen e heshtur të pavarsisë. Këso rezerve në praktikë kanë vënë shtetet arabe ndaj Izraelit. 

Njohja de facto nuk është njohje e plotë dhe definitive, por është e pjesëshme dhe (mund të jetë) e përkohëshme. Njohja de facto ka karakter të përkohëshëm (provizor) dhe mund të revokohet në çdo kohë, ndonëse kjo rrallë herë ndodhë, veçse shërben si një hap drejt njohjes de iure. Sidoqoftë, njohja de facto nënkupton një shkallë të lartë të pranimit politik të shtetit të ri me efekte juridike: lidhja e kontratave dhe marrëveshjeve të ndryshme nga fusha ekonomike, kulturore, njohja e pasaportave, e diplomave, çertifikatave,   lidhja e raporteve të caktuara (zyrat ndërlidhëse) sipas interesave politike pragmatike midis dy shteteve. Njohja de facto nuk nënkupton lidhjen e marrëdhënieve diplomatike. Njohje të tillë de facto ndaj Kosovës kanë edhe disa shtete të BE-së të cilat Kosovën nuk e kanë njohur de iure, si psh.Greqia, që ka zyrën ndërlidhëse në Kosovë dhe i pranon pqsaportet e shtetit të Kosovës, Spanja, Çekosllovakia etj, të cilat i pranojnë pasaportat e Kosovës dhe zhvillojnë gara sportive me ekipet e Kosovës në kuadër orgnizatave sportive ndërkombëtare. 

Për dallim nga njohja de facto, njohja de iure është njohje e plotë dhe e parevokueshme. Kjo përfshinë edhe krijimin e lidhjeve diplomatike me shtetin e ri, ndonëse lidhja diplomatike nuk është as kusht as e domosdoshmëri.

Dallimi midis këtyre dy lloje njohjesh konsiston në efektet juridike, në të drejtat dhe obligimet e shtetit të njohur në raport me shtetet e tjera të veçanta dhe në raport me të drejtën ndërkombëtare në përgjithësi. 

Njohja e shtetit mund të jetë individuale ose kolektive.  Në shumicën e rateve njohja bëhet në mënyrë individuale: shteti ndaj shetit. Por ka edhe shumë raste kur njohja bëhet në mënyrë kolektive, nga ndonjë organizatë ndërkombëtare e shteteve, qoftë vetëm si njohje, qoftë me pranimin e shtetit të ri në organizatën ndërkombëtare. Pranimi i shtetit në OKB është njohje kolektive e anëtareve të KB,përveç atyre që e kundërshtojnë praniin dhe kanë qëndrim shprimor kundër njohjes.

Në të drejtën ndërkombëtare nuk parashihet as përmendet tërheqja e njohjes

Nuk ka asnjë bazë,  asnjë kriter dhe asnjë rregull juridik që lejon tërheqjen e njohjes de iure, siç po vringëllojnë  zyrtarët e Serbisë me do tërheqje të njohjeve (çnjohje) të shtetit të Kosovës nga disa “banana republika” të Afrikës dhe Amerikës Latine. Tërheqja e njohjes së shtetit nuk përmendet askund si shprehje në të drejtën ndërkombëtare. Kjo është edhe për shkak se tërheqja e njohjes nuk e ndryshon asgjë gjendjen faktike as statusin juridik  të shtetit kundër të cilit është tërhequr njohja. Nëse vërtetë ato shtete njëherë e kanë njohur Kosovën, e pastaj sipas propagandës, gënjeshtrave apo premtimeve të diplomacisë së Serbisë e kanë tërhequr njohjen, tregojnë për joseriozitetin e tyre si shtete, të cilat nuk e njohin as e respektojnë të drejtën ndërkombëtare. Diplomacia e Kosovës është dashur të reagojë e të kërkojë sqarime nga ato shtete të cilat e kanë tërhequr njohjen, pa pasur asnjë bazë në të drejtën ndërkombëtare dhe asnjë arsye nga shteti i Kosovës. Propaganda serbe i ka bindë ato se shpallja e “njëanshme” e pavarësisë së Kosovës është bërë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, gjë që nuk është e vërtetë. Sepse shpallja e pavarësisë nuk ka qenë e njëanshme, por është bërë në  bazë të raportit të emisarit të Kombeve të Bashkuara (Marti Ahtisari), të pranuar nga KB,  ndërsa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vërtetuar se me aktin e shpalljes së pavarësisë, nuk është shkelur e drejta ndërkombëtare as Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, as Korniza Kushtetuese e Kosovës, që të dyja si akte ndërkombëtare, dhe nuk është shkalur asnjë parim i zbatueshëm i të drejtës ndërkombëtare. 

Kosova duhet ta dinamizojë aktivitetin diplomatik për njohje të reja

Sipas raporteve të publikuara nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, deri tash pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 117 shtete, të mëdha e të vogla. Tri prej  tyre janë anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit. Njohja e fundit e Kosovës ka ardhur nga Izraeli, si pjesë e Marrëveshjes së Vashingtonit, të 4 shtatorit 2020, kur edhe u caktua moratoriumi njëvjeçar i fushatës së Kosovës për njohje ose për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare,  si dhe i fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës. 

Sipas propagandës së qeverisë dhe të mediave serbe, 18 shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, dhe për këtë lavdërohet ish-ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se të gjitha këto “çnjohje”, dhe vet futja e shprehjes “çnjohje” në të drejtën ndërkombëtare,  janë meritë dhe rezultat i punës së tij. Nuk ka dyshim se në fushatën e tërheqjes së njohjeve ka qenë e involvuar edhe Rusia në krah të Serbisë. Kurse Serbia me gënjeshtra, mashtrime, propagandë, premtime, dhurata, heqje të vizave, ndihma në bujqësi, dhurata të armëve, i ka mashtruar qeveritë e shteteve të brishta e jostabile të Afrikës dhe Amerikës Latine për të tërhequr njohjen e pavarsësisë së Kosovës. Ministri i jashtëm i Serbisë, Nikolla Sellakoviq, dhe kryetari Aleksandar Vuçiq, thonë se i kanë  në dorë edhe 4, respektivisht 7, e së fundi 8 nota të shteteve të cilat e kanë tërhequr njohjen e Kosovës, por emrat e atyre shteteve nuk do i publikojnë nga frika se iu bëhet presion nga Amerik?

Sido që të jetë numri i tërheqjes së njohjeve, që siç e përmendëm më sipër, nuk ka asnjë bazë në të drejtën ndërkombëtare, tash është koha më e volitshme për diplomacinë e Kosovës  të tregohet pragmatike, vizionare dhe  ta dinamizojë aktivitetin e vet për të kërkuar njohje të reja. Tash  Rusia është shumë e zënë me agresionin e saj në Ukrainë, dhe ka humbur prestigjin e saj edhe te ato shtete ku ka pasur ndikim, po edhe Serbia  është njollosur dhe diskredituar si vendi i vetëm në Europë që është përkrahëse dhe aleate e ngushtë e Rusisë. Politika e jashtme e Kosovës, në këtë kontekst ndërkombëtar, duhet të jetë më e përqëndruar në kërkim të njohjeve të reja, se sa në procesin e dialogut për arritjen e marrëveshjeve tjera teknike, të cilat nuk prodhojnë asnjë rezultat për Kosovën, sepse edhe ashtu Serbia nuk i zbaton. Në këtë aktivitet, duhet diskredituar maksimalisht Serbinë, si shtet që ka kryer gjenocid në Bosnje dhe në Kosovë dhe si faktor destabilizues në rajon, që paraqet rrezik për paqen dhe sigurënë në Ballkan e më gjërë. 

Filed Under: Politike Tagged With: Adil Fetahu

PROGRAMI I QEVERISË , DHE FJALIMI I NOLIT NË ASAMBLENË E  LIDHJES SË KOMBEVE

September 9, 2022 by s p

Adil FETAHU

* Programi ishte i shkëlqyeshëm, por nuk po realizohej

 * Fjalmi ishte brilant, por nuk i solli asnjë dobi Shqipërisë

Ka mendime të ndryshme për atë se si erdhi deri te ndërrimi i Qeverisë Zogu me Qeverinë Noli. Përmbysjen e Qeverisë Zogu disa e quajnë revolucion demokratik, dikush e quan kryengritje,  të tjerë e quajnë rebelim i armatosur, avanturë politike, gushtshtet etj. Mund  të pranohet  cilado prej variantave  të përmendura,  përveç  atij “revolucion  demokratik”, sepse nuk mund të quhet  demokraci dhuna, e aq  më tepër dhuna e armatosur. Përmbysjes së Qeverisë Zogu i ka parapri një kaos i vërtetë i rebelimit të armatosur të opozitës me segmente të ushtrisë dhe xhandarmerisë,   sikur ajo  që ndodhi në e vitin e mbrapësht 1997, të  cilën e kemi parë. Në kryeministrin Zogu  u bë atentat (23 shkurt  1924).  Për t’iu shmangur gjakderdhjes së mëtejme, kryeministri dha dorëheqje  (më 25 shkurt), ndërsa  detyrën e kryeministrit e mori Shefqet Vërlaci  (30 mars).  Më 20 prill, plagoset për vdekje  Avni Rrustemi. Varrimi i tij në Vlorë u shndërrua në manifestim të hapur kundër Ahmet Zogut, mbi të cilin binte dyshimi për vrasjen e Avniut. Grupet e armatosura rrebele, nga Jugu në Veri kishin përkrahjen nga jashtë (nga Italia, Jugosllavia dhe Greqia). Qeveria e Vërlacit nuk mundi ta qetësojë situatën kaotike në vend. Udhëheqjen e qeverisë  shqiptare e mori  Iljaz Vrioni,   prej 27 maj deri më 10 qershor 1924. 

Si u zgjodh Noli kryeministër

Direktoriati Ushtarak që u formua në Vlorë nga përfaqësues të forcave të rebeluara të ushtrisë  dhe të opozitës,  mori rolin e Këshillit të Lartë Kombëtar dhe  më 16 qershor ia besoi mandatin Fan Nolit, për të formuar qeverinë e re. Në librin e Roland Qafokut “Historia e 33 kryeministrave të Shqipërisë”, shkruan se zgjedhja e Nolit për kryeministër u bë me short. Ishin tre emra kandidatësh për atë post: Sulejman Delvina, Qazim Koculi dhe Fan Noli. Emrat e tyre ishin shkruar në tri copa letrash, shorti e kishte tërhequr letren me emrin e imzot Fan Noli. Kështu Noli u bë kryeministri i 13 me radhë i qeverisë së Shqipërisë.  Më 17 qershor nisi mandatin  qeveria me këtë përbërje:

Imzot Fan S. Noli, kryeministër

Kolonel Rexhep Shala, ministër i brendshëm

Sulejman Delvina, ministër i punëve të jashtme

Kolonel Kasem Qafzezi, ministër i luftës

Stavro Vinjau, ministër i drejtësisë dhe arsimit

Luigj Gurakuqi, ministër i financave

Qazim Koculi, ministër i punëve publike.

Më 19 qershor 1924, qeveria prezantoi program të admirueshëm, me motive të larta, për zbatimin e reformave thelbësore  ekonomike, politike dhe ushtarake. Programi i Qeverisë Noli, edhe sot është për lakmi në shumë pika. Pikat e Programit parapriheshin me një manifest, në të cilin shkruante:

“Politika shkatërrimtare e qeverisë së fundit ka krijuar kaq dëshprim në vend, sa që rezultati më në fund qe kryengritja dhe vëllavrasja. Rezultatet e administrimit të ministrave të fundit janë buxheti i rrënuar me një deficit të madh, çorganizimi i shtetit në të gjitha institucionet e tij, pasiguria në të gjithë vendin, anarki në organet shtetëtore, krijimi i pushteteve personale jashtë dhe mbi pushtetin e shtetit, krahas  vrasjes apo përpjekjeve për të vrarë shtetas apo të huaj. Këto fakte të pakundërshtueshme kanë dëmtuar themelin e vendit, na kanë diskredituar brenda dhe jashtë vendit dhe kanë hedhur dyshime në mendjen e shqiptarëve dhe të huajve për aftësinë e shetit tonë për të jetuar. 

Për të kurorëzuar veprën e dobishme të kryengritjes dhe duke u mbështetur mbi besimin që na ka dhënë populli, ne pranuam barren e rëndë të drejtimit të punëve të shtetit, që na u besua nga Këshilli i Lartë i Regjencës, dhe kështu i premtojmë popullit tonë mëkëmbjen graduale nga gjendja kritike e krijuar nga puna shkatërruese e paraardhësve tanë, nëpërmjet zbatimit të programit të mëposhtëm:

1. Çarmatimi i përgjithshëm i popullsisë, pa përjashtim.

2. Vendosja e qetësisë, rendit dhe sovranitetit të ligjit.

3. Të ngremë autoritetin e shtetit mbi çdo pushtet personal dhe jashtëligjor.

4. Të çrrënjosim feudalizmin, të çlirojmë popullin dhe të vendosim përfundimisht demokracinë në Shqipëri.

5. Të bëjmë reforma radikale në të gjitha degët e administratës, civile dhe ushtarake.

6. Të thjeshtëzojmë organizimin e administratës dhe ta shurtojmë e ta pastrojmë atë: përveç aftësisë dhe moralit do të merret parasysh  edhe atdhetaria e çdo nëpunësi.

7. Sigurimi I të drejtave të nëpunësve dhe përcaktimi i përgjegjësive të tyre do të vendosen me një ligj të veçantë.

8. Të organizojmë prefekturat, në mënyrë që të përmirësojmë kushtet e fshatrave dhe të fshatarëve, duke u dhënë këtyre të fundit kompetenca të gjëra në çështjet lokale.

9. Të baraspeshojmë buxhetin me kursime rrënjësore.

10. Të ndryshojmë sistemin e mbledhjes së taksave në mënyrë të favorshme për publikun.

11. Të përmirësojmë kushtet e bujqëve, në mënyrë që të sigurojmë pavarësinë e tyre ekonomike.

12. Të lehtësojmë futjen e kapitalit të huaj, të mbrojmë dhe të organizojmë pasurinë e vendit.

13. Të rrisim prestigjin e vendit jashtë.

14. T’i japim liri të plotë bashkiake çdo qyteti.

15. Të bëjmë reforma gjyqësore. 

16. Të ndërtojmë rrugë dhe ura të reja dhe t’i kushtojmë kujdes të posaçëm mjeteve të komunikacionit në të gjithë vendin.

17. Të organizojmë kushtet sanitare të vendit, për të luftuar sëmundjet që po shkretojnë popullsinë.

18. Të organizojmë dikasterin e arsimit me orientime moderne dhe praktike, që shkollat të nxjerrin qytetarë të zotët, atdhetarë të mirë dhe punonjës të aftë.

19. Të mbajmë marrëdhënie miqësore me të gjitha shtetet dhe në veçanti me vendet fqinje.

Me kthimin e kushteve normale, ne do të thërresim vendin në zgjedhje të përgjithshme dhe me votim të fshehtë, të drejtpërdrejt dhe krejtësisht të lirë populli do të japë verdiktin e tij për punën tonë, verdikt të cilit ne jemi të gatshëm t’i nënshtrohemi.

Ne nuk i mohojmë vështirësitë që i bashkohen përmbushjes së premtimeve tona, as nuk themi që ky program do të zbatohet menjëherë në tërësinë e tij, por ne jemi të bindur që, me ndihmën e të Gjithfuqishmit dhe me mbështetjen e popullit, do të jemi në gjendje ta realizojmë këtë shkallë-shkallë”,- thuhet në fund të pikave programore të Qeverisë, ku jepet nënshkrimi: Fan Noli. (Teksti kurziv është marrë nga libri: Joseph Swire, “Shqipëria, ngritja e një mbretërie”, i përshtatur të folmës dhe drejtëshkrimit të tashëm).

Programi qeveritar u mirëprit, sepse shprehte interesat e shtresave të gjëra të popullsisë. Shumica e pikave të programit të Qeverisë Noli, kishin qenë edhe në programet e qeverive të mëparshme, por që nuk kishin mund të realizohen, për shkak të situatës jostabile politike e të sigurisë dhe për shkak të mungesës së financave.

Një gabim të nxitueshëm dhe të pafalshëm e bëri qeveria e re, kur formoi një gjykatë politike për të eliminuar kundërshtarët politik, e cila i dënoi me vdekje e me konfiskim të pronave, Ahmet Zogun, Shefqet Vërlacin, Iljaz Vrionin e të tjerë, poqese do t’i zënin. Ndiqeshin e persekutoheshin personat e regjimit të Zogut dhe pasanikët e njohur. Ishin future në një listë 196 veta për t’i gjzkuar.  Gjendja në vend nuk u qetësua as pas formimit të Qeverisë Noli. Ajo qeveri nuk u njoh nga shtetet e tjera, me pretekst se konsiderohej jolegjitime, pasi nuk ishin organizuar zgjedhjet për Parlamentin, rrjedhimisht qeveria nuk kishte legjitimitetin e duhur, pasi nuk ishte e zgjedhur nga Parlamenti.  Emërimi i ministrave të Kabinetit Noli ishte imponim nga Direktoriati Ushtarak, i cili kishte marrë kompetencat e Këshillit të Lartë Kombëtar, kështu që as shumica e ministrave nuk e përkrahnin Nolin, por vepronin krye në vete. Qeveria nuk kishte mjete financiare për të zbatuar  reformat  e përcaktuara në programin e saj. Noli kishte kërkuar nga Lidhja e Kombeve një hua prej 300 milionë franga ari, por kjo nuk iu dha. Në lidhje me atë hua të kërkuar, Noli në mbledhjen e Asamblesë të Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë, më 10 shtator 1924, mbajti një fjalim që mahniti të pranishmit dhe mediat e botës, por që nuk i solli asnjë dobi Shqipërisë. 

Kryesuesi i Asamblesë, zvicërani Guiseppe Motka, duke ia dhënë fjalën Nolit, tha se “folësi i fundit është imzot Fan Noli, i pari delegat i Shqipërisë. Kam nderin ta përshëndes si kryeministër dhe kryetar i qeverisë shqiptare. Shqipëria si dhe Zvicra, janë shtete të vogla, por përfitoj nga ky rast të shtoj se të gjitha shtetet anëtare të Lidhjes së Kombeve janë të barabarta para ligjit” (Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor 1920, v.j.).

Për lexuesit e shumtë, të cilët nuk kanë pasur rastin të njihen me përmbajtjen e atij fjalmi të Nolit,   marrë nga burime të ndryshme të internetit, po e botojmë këtu, si vijon:

“Kam frigë se edhe më i nxehti paqëdashës, po t’i hedh një sy punës  së kryer nga Lidhja e Kombeve gjatë këtyre 5 vjetëve (Lidha e Kombeve u themelua më 10 janar 1920, v.j.),  do t’i ngrejë duartë dejtë qiellit nga dëshprimi dhe do të bërtasë: Oh! Më mirë luftë sesa të gjitha këto llomotitje të mërzitshme për paqen! Ç’kemi bërë për paqen? Çfare po bëjmë tani në këtë çast në këtë Asamble? Ajo që është bërë këta 5 vjetë të shkuara, pushon qetë-qetë në paqen e përjetshme, e mbyllur fort, e varrosur në dosjet e vdekura të Sekretariatit, të ruajtura me kujdes prej atij fort të ndershmit e të shquarit xhentelmen, që është Seketari i Përgjithagën (Sekretar  i Përgjithshëm ishte britaniku James Eric Drummond, sh.j.).  Është e vërtetë se Lidhja e Kombeve ka bërë disa shërbime të vogla për paqen e përgithshme dhe në veçanti nuk lejoi copëtimin e Shqipërisë, duke siguruar kështu paqen dhe rendin në Ballkan.

Siç e dini, Shqipëria ishte një kaçkë e fortë për t’u thyer dhe më e rëndë për t’u ndarë, kështu që Lidhja e Kombeve me mençuri vendosi ta lerë Shqipërinë të qetë, të lirë, të lagur nga valët e Adriatikut. Por, ju lutem zoti Sekretar i Përgjithshëm, përse refuzoni t’i  jepni Shqipërisë një hua që do t’i mundësonte të ecte vetë? Ne nuk na duhen më tepër se 300 milionë fr.ari. Apo më shumë? Atëherë po bëj gjestin elegant të zbres në shumën modeste 200 milionësh. Ju tundni kokën. E po jam gati të hyj në bisedime për një shumë më të vogël, për shembëll, për 100 milionë. Më falni, mos pretendoni se nuk më keni takuar kurrë dhe pra nuk jeni i predisponuar të më jepni asnjë dhjetëshe? Atëherë, merreni këtë kërkesën time dhe varroseni në dosjet e vdekura të Sekretariatit, kyçeni mirë dhe mbyteni fort përpara se ta futni në akropolin tuaj, sepse mund t’ju dalë nga varri. 

Ndoshta, Sekretari i Përgjithshëm ka dashur të thotë se ai nuk dëshiron që të hyjë në bisedime për një hua me një qeveri kryengritëse, që nuk ka parlament, një qeveri si ajo që kryeson i përunjuri prift që po ju flet. Po a e dini ju se ç’është paramenti? Pa dyshim se e dini. Por do të keni një ide më të qartë kur t’ju them ç’mendoj unë për të. E pra, parlamenti është një sallë ku mblidhen politikanë  të pa shpirtë, për të bërë prova operate në trupin e gjallë të racës së tyre, në sallë plot me gazra helmuese, gazra mbytëse, gazra që shkaktojnë lot dhe të qeshura, si dhe të gjitha gazrat e tjera që u përdorën gjatë luftës së fundit për t’u dhënë fund të gjitha luftërave për të vendosur paqen, atë paqe për të cilën po flasim. 

Por, pasi ngulni këmbë, ne nuk refuzojmë të bëjmë zgjedhje të reja e të thërresim atë  paqë, atë fatekqësi të madhe, atë bestytni të shëmtuar, që është parlamenti, pasi të kemi bërë dy ose tre vjet qeverimi atëror. A do të pranoni atëherë, zotri Sekretar i Përgjithshëm të më jepni pas tre vjetësh atë huanë prej 400 milionë fr.ari, për të cilën ramë dakort para disa minutash? Ju përgjigjeno  prapë – jo. E dija. 

Mirë pra, le të flasim për paqen. Më duket se nuk ka gjë tjetër më të keqe sesa të bëjmë këtë. Them “më duket”,  sepse dua që ju të gjithë ta dini se unë kam banuar për shumë vjet në Amerikë, në Boston, një qytet që ndodhet diku në Irlandë dhe që është mbushur me ‘O Conors, O’conells dhe Fitzgeralds, të gjithë folës të mirë, folës fort të shquar, të cilët, bashkë me irlandezë të tjerë të ardhur nga qytete të tjera irlandeze, marrin përsipër barren e të folurit në fushatat elektorale amerikane. Do të doja që kolegët tanë të nderuar, përfaqësuesit e Republikës së Irlandës, të sjellin këtu disa nga këta oratorë të mbaruar për të na mbytur me fjalime për paqen. Nuk është aspak për t’u çuditur që amerikanët, gjermanët dhe rusët nuk kanë fort dëshirë të hyjnë në Lidhjen e Kombeve. Duket se nuk e çmojnë elokuencën tonë. Punojnë me mend. Për emrin e Perëndisë, zoti Kryetar, pse nuk u jepni fund këtyre llomotitjeve dhe nuk më jepni atë hua pej 500 milionë fr.ari, që më premtuat para se ta merrja fjalën?

Dhe tani që iu përgjigja pyetjës së parë, se ç’ka bërë Lidhja e Kombeve këto 5 vjetët e fundit, më lejoni të vij të pyetja e dytë dhe e fundit: Ç’të bëjmë, e ç’po bëjmë ne në këtë Asamble? Përgjigja është e lehtë. Do ta gjeni te Shekspiri: ”Fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë”, dmth. erë dhe e asgjë më tepër. Është një përrallë e dhënë prej një idioticplot me bujë e tërbim, pa kurrëfar kuptimi. Po cili është përfundimi i gjithë këtyre bisedimeve të mençura e të thella mbi çarmatimin dhe traktatet e arbitrazhit? Këto çështje iu dhanë për shqyrtim një komisioni, që do t’ia kalojë një nënkomisioni, i  cili do t’ia parashtrojë konkluzionet e tij një konference që do të mblidhet së shpejti dhe kjo konferencë do t’ia dërgojë përsëri këto çështje një komisioni, pastaj një nënkomisioni, i cili do t’ia referojë komisionit që do t’ia dërgojë një raport konferencës! Konferenca do të votojë njëzëri një rezolutë dhe kjo e fundit do t’i jepet për shqyrtim Këshillit të Lidhjes së Kombeve. Këshilli nga ana e tij, do t’ia kalojë atë rezolutë Asamblesë së ardhshme atje lart në qiell! Dhe kur kjo çështje ta ketë bërë këtë cikës poetik zvarritjesh e kundërzvarritjesh, raportesh e kundërraportesh, mendimesh e konsultimesh,  atëherë do t’i  dërgohen së fundit Sekretarit  të Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, i cili do t’i mbyllë me kyç mirë e mirë dhe do t’i  varrosë në dosjet e vdekura të Sekretariatit, ku do të mbahen brez pas brezi.  Dhe natyrisht se kjo do të thotë, që e gjithë kjo histori ka mbaruar siç mbarojnë fluskat e sapunit. Por, ç’fjalime, ç’fjalime të bukura, të fryra e të stërfryra do t’i shoqërojnë këto rezoluta e këto dëshira! Sa fort i dua! I dua me atë erën e keqe të moçaleve të fëlliqura, si kërma të pambuluara që  helmojnë ajrin kur merr frymë. Por ja, përse përse jua drejtova fjalën sot. Dhe me qenë se po flasim për fluska sapuni, a mund të bëj disa vërejtje lidhur me fluskën më kolosale që  ka nxjerrë historia modern, dua të them për Planin Dawes. Por, a është vërtetë ky një fluskë? Jo, është një kombinacion fluskash, kombinacion hipokrit, i ndërlikuar, djallëzor, infernal. Nuk është një fluskë ordnere, është një supërfluskë. or është e kotë të trembeni. Do të mbarojë edhe kjo  fatalisht si të gjitha fluskat e vogëla që ne lëshojmë këtu. Është tepër e ndërlikuar që të mund të ketë sukses; ajo mund t’i sigurojë ndonjë post nënpesidenti autorit të saj të shquar, por kam frikë se nuk do të dalin prej andej veçse shumë pak miliarda reparacionesh për Francën dhe Belgjikën. Këto të dyja vertetë do t’i marrin. 

Nuk është qëlimi im që të ju mërzis, por ky është fati. Kjo supërfluskë e gjeneralit Dawes do t’i përcillet, në fund të fundit, Lidhjes së Kombeve. 

I dashur Sekretar i Përgjithshëm, përgatitni , ju lutem, një kënd të thatë, një kënd shumë të thatë në varrin e dosjeve të vdekura, sepse ju e dini se zoti Daws është amerikan dhe se Amerika është një vend i thatë, megjithëse nga koha në kohë, me rrugë të nëndheshme, ajo njomet vetëm sa për t’u zbavitur, falë  përppjekjeve të kontrabandistëve.

Duke folur për fluskat, përsëri më vjen në mend ajo huaja e bekuar prej 600 milionë fr.ari, të cilën i nderuar Kryetar i kësaj Asambleje, si dhe i dashuri Sekretar i  Përgjithshëm, më premtuan për Shqipërinë disa minuta më parë. Kjo hua është një fluskë pasqeje, një fluskë paqe fort konsistente. Por jo, nuk është aspak një fluskë: ajo që doja të thosha është se kjo hua mund të përgatitë paqen në Ballkan, ajo mund të lehtësojë realizimin e konfederatës ballkanike, por ia vlen të flitet për te?

Sekretar i Përgjithshëm,merrni edhe atë dhe futeni në varrin e dosjeve tuaja të vdekura, futëni në nekropolin tuaj.

Pasi iu përgigja dy pyetjeve që shtrova, më mbetet tani të nxjerr konkluzionin, të cilin do ta diskutoj në trajtën e dy pyetjeve të tjera. Para së gjithash, në dritën e fakteve që u përmendën, a ia vlenë barra qeranë që të kemi një Lidhje të Kombeve? Së dyti, në ast se ia vlen, cila duhet të jetë metoda për t’ia arritur qëllimit, që është paqeja univerzale?

Pyetjes së pare  do t’i përgjigjem në mënyrë pohuese. Edhe sikur Lidhja e Kombeve të jetë një ëndërr, një utopi që i bënë skeptikët të tallen e të shtrembërojnë buzët, ajo duhet të qëndrojë aty si një ideal që intepreton aspiratat më fisnike të njerëzimit. Ajo duhet të qëndrojë aty si një sfidë kundër lavdisë groteske militariste. Ajo duhet të qëndroë aty si një pohim solemn i vullnetit univerzal për paqen. Ajo duhet të qëndrojë aty derisa bukuria e saj, fisnikëria e saj, shpirti njerëzor i  saj, nevoja e domosdoshe e qenies së saj, të kuptohen nga e gjithë bota. Sepse, fundi i fundit, me gjithë t ëmetat që ka sot, ajo meriton të pritet me këto fjalë: “O, mgjithatë qëndro, ti je kaq e bukur”!

Përse të jemi kaq pesimistë? Aspiratat për paqe i kemi kudo dhe për këtë s’ka asnjë dyshim. Përndryshe, ne nuk do të kishim as komedinë e fluskave e supërfluskave që po na mbulojnë. Dhe pikërisht, sepse popujt duan paqe, ndërsa burrat e shtetit, politikanët u sevirin atyre kohë pas kohe fluska arbitrazhi, fluska çarmatimi dhe superfluska reparacionesh. 

Por, paqja nuk do të vijë prej traktateve. Këto janë të destinuara të hidhen shpejt a vonë në shportë. Paqja do të vijë nga edukimi shkollor. Duhet t’ua mësojmë fëmijëve tanë se vrasjet me shumicë janë po aq krime  sa edhe vrasjet me pakicë. Duhet t’ua mësojmë se ka vetëm një Perëndi që duhet t’i shërbejnë, Perëndia e njerëzimit, i njëjtë për të gjitha tributeë. Duhet t’i mësojmë të bëhen anëtarë të ndershëm të supërshtetit që do të përmbledhë të gjitha tiebutë, të bëhen qytetarë fisnikë të federatës së përbotshme, që është në realizim e sipër dhe që do të realizohet me siguri.

Kur fëmijët tanë të kenë mësuar këto të vërteta të thjeshta, atëherë nuk do të kemi vetëm çarmatimin moral që do t’i parprijë çarmatimit material,  por do të kemi gjithashtu bashkëpunimin e vëretë të të gjitha racave të botës për sigurimin e paqes, progresit dhe prosperitetit ndërkombëtar. Të gjitha të tjerat sillen rreth kësaj. Këtu qëndron thelbi i çështjes. Por përpara se të vijmë aty, duhet të pranojmë njëherë, se jemi të gjithë tribu të egra,derisa i bëjmë kurbane njerëzish Molohut të tribusë.

O, vritni, varrini, ndiqni në të katër anët e botës këto hyjni barbare e antropofage, që e kanë mbushur historinë e njerëzimit me kaq vuajtje e urrejtje, me kaq rrëfime, me kaq gjak, me kaq tmerr! Vështroni sytë e njerëzimit që vuan pas shkatërrimeve të luftës botërore. Nuk ka dhembje që të mos krahasohet me dhembjen e tij; asnjë sakrificë nuk do të ishte tepër e madhe për t’i shpëtuar fëmijët tanë nga luftëra të reja dhe lotë të tjerë.

Përpara o shokët e mi! Bota është gati për Ungjillin e ri. Flamuri i Lidhjes së Kombeve është më fisniku që është ngritur deri më sot. Ushtarët e saj janë më trimat që ka nxjerrë bota ndonjëherë. Qëllimi i saj është maja e përarimit të njerëzimit. Shpirti i Wilsonit, ati dhe profeti i saj, na udhëheqë. Vështirësitë janë tepër të mëdha, por shtrini kurajon tuaj deri në pikën e fundit dhe mundimet nuk do të ju vejnë kot”!

* * *

Noli ishte kryeministri më i arsimuar dhe më i kulturuar nga të gjithë kryeministrat  qeverive shqiptare dhe të Ballkanit deri atëherë, por edhe deri më sot. Ishte edhe atdhetar i flaktë. Por ato cilësi nuk mjaftonin për të qenë edhe kryeministër i suksesshëm në Shqipërinë e trazuar, nga brenda e nga jashtë.  Qeveria e tij nuk u njoh as nga fuqitë e mëdha, as nga shtetet fqinje. Ishte në izolim të plotë diplomatik. Kot u mundua Noli nëpër Europë të fitonjë njohjen e qeverisë së tij. Për gjashtë muaj qeverisje, 55 ditë qëndroi jashtë vendit, duke kërkuar njohjen, por nuk e mori dot, as nga Amerika në të cilën shpresonte. Marrëdhënie diplomatike qeveria Noli mundi të zhvillojë vetëm me Bashkimin Sovjetik, gjë që nga fuqitë europiane interpretohej si orientim i tij kah bolshevizmi sovjetik. 

Fjalimi i Nolit në Asamblenë e Kombeve ishte brilant nga aspekti literar dhe retorik, por aspak i dobishëm nga aspekti politik dhe diplomatik ndërkombëtar. Sepse e vuri në shpoti punën pesëvjeçare të Lidhjes së Kombeve, duke thënë se për pesë vjetë ajo organizatë ndërkombëtare bëri vetëm fjalë. E shpotiti, deri në burleskë, Sekretarin e Përgjithshëm të Lidhjes së Kombeve, për atë hua që nuk po i jipej. Retorika e Nolit, këtij kryeministri të madh të një vendi të vogël,  u prit me duartrokitje frenetike nga delegatët e Asamblesë, dhe u bë magnet për mediat botërore, që e lavdëruan deri në kupë të qiellit, por Qeverisë  dhe Shqipërisë së tij nuk i solli asnjë dobi. 

Për shkak të pamundësisë për të zbatuar reformat që kishte premtuar, enthusiazmi i shtresave popullore  u shndërrua në zhgënjim ndaj qeverisë së Nolit. Atmosfera e paknaqësisë së brendshme dhe të jashtme ndaj qeverisë Noli, i shkonte në favor synimeve të Zogut për t’u kthyer e marrë përsëri qeverisjen e Shqipërisë, me dhunë sikur që ishte detyruar ta lejë atë. Dhe këtë e bëri më 24 dhjetor 1924, kur u kthye në Tiranë, dhe më 6 janar 1925 mori drejtimin e qeverisë. Noli, me rreth 350 personalitete tjera u arratis nga Shqipëria, për të mos u kthyer kurrë më në atdhe, të cilin e deshi aq shumë, por në të cilin jetoi vetëm 5 vjet, nga tërë mosha e tij 83-vjeçare. Edhe gjatë gjithë kohës së qëndrimit në megrim, Noli tërë dijen, përvojën dhe lidhjet miqësore me personalitete dhe institucione të rëndësishme të Amerikës, i vuri në shërbim të afirmimit dhe përparimit të Atdheut të vet – Shqipërisë. Vdiq më 13 mars 1965 dhe u vorros  në Masaçusets, ShBA. 

Adil FETAHU

Filed Under: Histori Tagged With: Adil Fetahu

DREJTËSIA DHE PASTËRTIA E LUFTËS SË UÇK-së

August 17, 2022 by s p

Adil Fetahu/

“Trimëri e vërtetë është ajo që vihet në shërbim të së drejtës dhe atdheut. Të tjerat janë egërsi”: (Faik Konica).

“Më mirë flakë e gjak, se armiku në prak” (Popullore).

Lufta e UÇK-së ishte  e drejtë

Në doktrinën e luftërave ka teori, parime, kritere dhe elemente të ndryshme, sipas të cilave përcaktohet karakteri i një lufte, se a është luftë e drejtë apo jo. Këto teori kanë të bëjnë kryesisht me luftërat midis shteteve, por kohëve të fundit janë zgjëruar edhe për luftërat (konfliktet e armatosur) që zhvillohen brenda shteteve.  Termi konflikti i armatosur është më i përshtatshëm për t’u përdorur, sepse është nocion më i gjërë, që përfshië edhe luftërat klasike midis shteteve, edhe luftën e grupeve brënda shtetit. Prandaj, edhe për luftën e UÇ-së kundër forcave serbe gjitnjë e më tepër po përdoret kjo terminologji. Kjo nuk ka të bëjë me nënçmimin e luftës së UÇK-së, siç mendojnë disa, por ka të bëjë me përdorimin e një terminologjie të re të  pranuar në doktrinën e luftërave. Por, për shkak të terminologjisë më të pranueshëm në Kosovë kur bëhet fjalë për konfliktin e armatosur me forcat serbe, edhe ne këtu do ta përdorim termin: luftë (lufta e UÇK-së). 

Për vlerësimin dhe përcaktimin se a është një luftë e drejtë nga pikëpamja juridike, humanitare dhe morale, duhet të merrën parasysh disa faktorë dhe elemente. Në rend të parë vijnë shkaqet që shkaktojnë luftën. Pastaj është kauza që synohet të arrihet me luftë. Janë përpjekjet e bëra paraprakisht, që në rrugë paqësore të arrihet një qëllim i drejtë pa u përleshë me luftë.   Lufta të jetë opsion i fundit, pas dështimit të të gjitha përpjekjeve paqësore për arritjen e qëlimit. Është e drejta e popujve për  të vendosur për fatin e vet, për çlirim  nga një regjim jolegjitim, për  vetëvendosje për statusin e vet politik dhe për zhvillim  shoqëror dhe ekonomik, duke i shfrytëzuar resurset e veta njerëzore dhe natyrore.

Në rastin e luftës së UÇK-së kundër regjimit dhe forcave okupuese të Serbisë, janë përmbushur të gjitha  këto kushte, elmente dhe kritere. Prandaj, lufta e UÇK-së është plotësisht e drejtë në pikëpame të doktrinës juridike për luftën.

Së pari, Kosova  ishte e okuar nga Serbia qysh prej vitit 1912 dhe e aneksuar me dhunë shtetit të Serbisë. Këtë aneksim e lejoi Konferenca e Londrës (1913), e pas çlirimit të Kosovës (1999), duke folur për sulmet e NATO-s, kundër forcave serbe, ish-sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe, (tash i ndjeri) Robin Kuk, pa thënë: “I kam lexuar të gjitha dokumentet e asaj Konference. Atë padrejtësi që është bërë atëherë, po e ndreqim tash”. 

 Nën regjimin e Serbisë e të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene (1912 -1941), populli shqiptarë i ishte ekspozuar padrejtësive, diskriminimit dhe terrorit në baza nacionale, fetare, sociale, ekonomike,kulturoe e në çdo bazë tjetër.

Se çfarë qëndrimi kishte shteti serb kundër shqiptarëve mund të ilustrojmë me disa theksime nga Platforma e akademikut e ministrit serb, Vasa Çubrilloviq, kur e arsyeton programin e tij për shpërnguljen e Shqiptarëve; ai thotë: “Ne Serbët nuk kemi armiqë më të mëdhenj se Shqiptarët. Nëse duhet ta ngrejmë kokën tonë, duhet ta ulim kokën e tyre; nëse duhet të ndjehemi gjërësiht në hapësirë, duhet t’ua ngushtojmë hapësirën e tyre; nëse duhet të na dojë bota neve, duhet të bëjmë çmos  që t’iurrejë ata. Që Iliro-Dardanët ta braktisin vendin e tyre, duhet me çdo kusht dhe me çdo mënyrë t’ua nxijmë jetën. Që të arrijmë këtë, së pari duhet t’ua mohojmë origjinën iliro-epirote-dardane dhe t’ua marrim krenarinë ilire,t’ua shkatërrojmë votrat dhe t’ua ndërrojmë emrat, t’ua njollosim emblemat dhe t’ua fshijmë simbolet e lashta ilire.  Dodosdomshmërisht duhet t’i bëjmë që të bjerrin gjuhën dhe zakonet e tyre dhe njëkohësisht t’a rrëmbejmë gjithçka që kanë të lashtë ilire e ta përvetësojmë ne. Duhet t’i lëmë pa miq rreth e rrotull, derisa ata të urrehen e mos durojnë njeni-tjetrin dhe përfundimisht ta mohojnë vetveten. Që të finalizohet kjo platformë, duhet domosdoshmërisht që antishqiptrizmi të jetë filozofia dhe deviza e vetme e shtetit tonë. Mos harroni se mosqenja e Shqiptarëve, është vetë ekzistenca e kombit Serb”!

Në frymën e kësaj platforme të akademikut Çubrilloviq, ka vepruar tërë kohën regjimi serb kundër Shqiptarëve. 

 Nga dhuna e ushtruar shtetërore, një pjesë e madhe e shqiptarëve janë  detyruar të shpërngulën për në Turqi, në Shqipëri apo në shtetet e Perëndimit, ndërsa në tokat e Shqiptarëve ka sjellë kolonistë Serbë, për të ndryshuar strukturën etnike të popullsisë së Kosovës.  

Në Luftën e Dytë Botërore Shqiptarët u radhitën në aleancën kundër fashizmit e nacizmit, me shpresë dhe me premtime se pas çlirimit do t’iu lejohet bashkimi me shtetin amë, Shqipërinë, gjë që nuk iu lejua. Vazhdoi e njëjta politikë e diskriminimit dhe represionit dhe Kosova mbeti e vetmja koloni (e Serbisë) nga të gjitha kolonitë e çliruara prej shteteve koloniste të Europës.  Populli Shqiptar kurrë nuk u pajtua me pozitën kolonialiste, diskriminuese që iu imponua, por në  mënyra e forma të ndryshme shfaqte paknaqësinë e vet kundër regjimit. 

Pas Kushtetutës së RSFJ-së (1974)  Kosova, si krahinë autonome, fitoi statusin e njësisë federale të Jugosllavisë dhe nisi një zhvillim të hovshëm ekonomik, kulturor, arsimor dhe në të gjitha aspektet. Por ky zhvillim i Kosovës dhe përparim i Shqiptarëve  e pengonte nacional-shovinizmin klerofashit serb, ashtu që me dhunë policore-ushtarake (1989)  e suprimoi atonominë e Kosovës dhe shtriu regjimin e dhunshëm të Serbisë në të gjitha segmentet e jetës politike, shoqërore, ekonomike, arsimore, shëndetësore, kulturore, madje në sporte. Vazhdoi me respresalje brutale kundër shqiptarëve: përjashtimin prej pune, prej shkollave, burgosje, rrahje, vrasje. Serbia ishte okupatore dhe pushteti i saj nuk kishte legjitimitet në Kosovë, pasi ai pushtet nuk kishte përfaqësuesit as pëlqimin e popullit Shqiptar. Lufta çlirimtare e një populli kundër një okupatori, gjithherë dhe kudo është  luftë e drejtë. 

Populli Shqiptar i mbledhur rreth LDK-së, si një lëvizje  politike gjithëpopullore, u përpoq të bënte një rezistencë paqësore kundër dhunës së regjimit brutal të Serbisë dhe e internacionalizoi problemin, duke kërkuar  zgjidhje paqësore për statusin e vet të pavarur, por politika paqësore nuk dha rezultate, veçse gjendja sa vinte keqësohej  e më tepër, aq sa zullumi u bë  i padurueshëm.  

U bënë përpjekjet në rrugë diplomatike e juridike për zgjidhje paqësore. Në këtë frymë, Kuvendi legitim i Kosovës më 2 korrik miratoi Deklaratën Kushtettuese për Kosovën Republikë e barabartë me republikat e tjera në kuadër të federatës  apo të konfederatës jugosllave, por regjimi i Serbisë e okupoi tërësisht dhe shtriu dhunën mbi institucionet, ndërmarrjet dhe mbi popullin e Kosovës. Miratimi i Kushtetutës (shtator 1990) dhe Referendumi i mbajtur për pavarësinë e Kosovë  (tetor 1991), veçsa i shërbyen si pretekst Serbisë për të shtuar dhunën e represaljet. E ndihmuar nga  mediat e regjimit dhe inspiruar nga Kisha Ortodokse Serbe, kundër Shqiptarëve u krijua urrejtje e paparë, që sa vjen e rritet edhe sot 23 vjet pas çlirimit të Kosovës.

Meqë durimi dhe shpresa për zgjidhje paqësore ishin shterrur dhe nuk dhanë rezultate, populli u detyrua t’i çaset edhe metodës të përgjigjes së dhunës me dhunë. Kështu, grupe  të caktuara  ilegale herë-pas-herë kryenin aksione  të armatosura kundër forcave serbe. Ishte kjo shenjë se populli është i vendosur të luftojë për t’u çliruar nga regjimi kolonial gadi njëshekullor i Serbisë. Gradualisht u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e cila mori mbi vete barrën dhe përgjegjësinë për luftë të armatosur kundër Serbisë, me kauzën e drejtë – për çlirim e bashkim kombëtar. Kauza e luftës së UÇK-së nuk ishte e re, ajo i ka rrënjët nga Rilindja Kombëtare Shqiptare dhe Lidhja e Prizrenit (1878),  për liri e bashkim kombëtar. Kjo kauzë shihet edhe nga formula e betimit të ushtarëve të UÇK-së, që kishte këtë përmbajtje:

“Si pjesëar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se: 

  • Do të luftoj për çlirimin e tokave të pushtuara të Shqipërisë dhe për bashkimin e tyre;
  • Do të jem përherë besnik, luftëtar i denj i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm në çdo kohë, pa kursyer jetën, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të Atdheut;
  • Nëse shkeli këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës, dhe nëse tradhtoj – qoftë i humbur gjaku im! Betohem!”.

Lufta e drejtë  për pavarësi e Shqiptarëve në Jugosllavi, e personfikuar tashmë në forcën e saj të armatosur,  UÇK-në,  e ka mbështetjen  e fortë edhe në “Deklaratën e KB mbi dhënien e pavarësisë vendeve dhe popujve kolonialë” (Rezoluta 1514/XVI e Asamblesë së Përgjithshme të KB, 14 dhjetor 1960).  Në pikën 2 të asaj Rezolute thuhet: “Të gjithë popujt kanë të drejtën të vendosin lirisht për fatin e tyre; në bazë të kësaj të drejte, ata përcaktojnë lirisht statusin politik të tyre dhe ndjekin lirisht zhvillimin e tyre ekonomik, shoqëror e kulturor”.

E drejta e vetëvendosjes së popujve, rrjedhimisht lufta e drejtë e UÇK-së,  është e përforcuar edhe në  dy dokmnente tjera  paraprake juridike të KB, pikërisht në Paktin Ndërkmbëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, dhe në Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore (1966). Në nenet e para të të dy atyre Pakteve është përcaktuar se “Të gjithë popujt kanë të drejtën e vetëvendosjes. Në bazë të kësaj të drejte, ata e përcaktojnë lirisht statusin e tyre politik dhe sigurojnë në liri zhvillimin e tyre ekonomik, social dhe kulturor”.

Çështja e vetëvendosjes së popujve është definuar edhe në  Aktin Final të Helsinkit, në Konferencën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (1975). Në Kapitullin VIII  të atij Akti (Barazia dhe vetëvendosja e popujve), në paragrafin e dytë është përcaktuar se: “Në bazë të parimit të barazisë së popujve e të drejtës së tyre për vetëvendosje, të gjithë popujt kanë gjithnjë të drejtën të vendosin në liri të plotë, kur të duan dhe si të duan, statusin e tyre politik të brendshëm e të jashtëm…dhe të vazhdojnë sipas deshirës së vet zhvillimin e tyre politik, ekonomik, shoqëror e kulturor”.  Ndërsa në  Kartën e Parisit të KSBE-së (1990), është garantuar se: “Ne do të sigurojmë që secli  (popull,v.j.) të gëzojë të drejtën për të shfrytëzuar mjetet efektive të mbrojtjes juridike kombëtare ose ndërkombëtare kundër çdo shkelje të të drejtave të tij”. Lufta e UÇK-së për çlirim, pavarësi e vetëvendosje bëhej në bazë të këtyre parimeve të akteve ndërkombëtare, dhe  asnjë mendje e shëndshë nuk mund të mohojë atë se ka qenë   luftë të drejtë. 

Përkah numri, Shqiptarët ishin kombi i tretë në ish-Jugosllavi (pas Serbëve dhe Kroatëve), por iu mohohej statusi i kombit dhe për ta kishin shpikur një term “kombësi”, për t’ua mohuar të drejtën e vetëvendosjes, të cilën e kishin kombet tjera shumë më të vogla (malazezët, maqedonët). 

Se lufta e UÇK-së ishte luftë e drejtë kundër agresionit të Serbisë në Kosovë,  vërtetohet edhe me vetë intervenimin e NATO-s, në ndihmë UÇK-së, në mbështetje të Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara.  Po të mos ishte e drejtë lufta e UÇK-së, NATO si aleancë e shteteve më demokatike nuk do të radhitej përkrah saj.

Nga çfarëdo aspekti që të marrësh, lufta e UÇK-së për çlirimin e vendit dhe të popullit nga okupimi serb ishte luftë e drejtë. Si rezultat i asaj lufte të drejtë, erdhi çlirimi dhe formimi i shtetit të Kosovës, të cilin e njohën shumica e vendeve më demokratike të botës dhe e njohu edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila vërtetoi se me shpalljen e pavarësisë, Kosova nuk ka shkelur asnjë parim ose normë të së drejtës ndërkombëtare, madje as Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB 1244.

A ishte e pastër Lufta e UÇK-së

Çështja e pastërtisë së luftës nuk është objekt rregullimi i të drejtëssë luftës, respektivisht të konfliktit të armatosur. Kjo çështje i takon të drejtës ndërkombëtare humanitare, e cila parasheh mbrojtjen e kategorive të caktuara të njerëzve, të objekteve, të infrastrukturës e të tjera, në rastet e konflikteve të armatosura. Për këtë ekzistojnë katër konventa të Gjenevës (1949) dhe protokollet shtesë të tyre: 1) Konventa për të Plagosurit dhe të Sëmurët e Forcave të Armatosura Tokësore; 2) Konventa …për të Sëmurët dhe dhe të Plagosurit në Anijet e Përmbytura të Forcave Detare; 3) Konventa për Trajtimin e të Burgosurve të Luftës; dhe 4) Konventa për Mbrojtjen e Personave Civilë në Kohë Lufte. Të gjitha ato konventa mbajnë datën 12 gusht 1949, dhe të gjitha i obligojnë palët nënshkruese (nënshkruese ka qenë edhe Jugosllavia), që gjithëherë dhe në çdo rast të respektojnë rregullat e të drejtës humanitare, pavarësisht se a i respekton ato pala kundërshtare ose jo. Në këtë aspekt nuk vlenë parimi i reciprocitetit. Dhe këto parashohin përgjegjësinë e individëve për shkeljen e rëndë të normave të kësaj të drejte, si për rastet e luftës midis shteteve ashtu edhe për konfliktet e brendshme.

Në dispozitat e përbashkëta të të katër konventave parashihen sanksione penale për shkeljen e konventave. Për konfliktin e armatosura të karakterit jondërkombëtar, që ndodh në territorin e njërës paë (të konventës, v.j.), secila nga palët në konflikt është e detyruar të zbatojë të paktën dispozitat që vijojnë:

“1. Personat që nuk marrin pjesë drejtëpërdrejt në luftime, bashkë me forcat e armatosura që kanë dorëzuar armët dhe janë nxjerrë jashtë luftimit për shkak plagosje, zënie rob, sëmundje ose për çdo shkak tjetër,- në të gjitha rrethanat duhet të trajtohen njerëzisht, pa asnjë dallim rece, ngjyre, feje ose besimi, seksi, lindjeje ose pasurije apo çdo kriteri tjetër analog.

Kundër personave të kategorive të lartëpërmendura janë të ndaluara, në çdo kohë e në çdo vend:

  1. dhunimi kundra jetës ose tërësisë trupore, sidomos vrasja në të gjitha format, gjymtimet, trajtimet mizore, torturat dhe ndëshkimet; 
  2. marrja e pengjëve; 
  3. cënimi kundra dinjitetit personal, sidomos trajtimet poshtëruese dhe çnjerëzore;
  4. dënmet e dhëna dhe ekzekutimet e bëra pa një gjykim paraprak të dhënë prej një gjykate të formuar rregullisht dhe të veshur me ato garanci gjyqësore që janë njohur si të domosdoshme prej gjithë popujve të qytetëruar.

2. Të plagosurit dhe të sëmurët do të mbldhen dhe do të kurohen. 

Se si kanë vepruar forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë – dihet botërisht. Ato kanë vrarë, masakruar e djegur për së gjallë civilë të cilët fare nuk kanë qenë të armatosur as të involvuar në luftë. Nuk kanë kursyer as gjini as moshë. Në mesin e të vrarëve e masakruarëve të tillë kanë qenë edhe 1400 fëmijë, ndërsa janë dhunuar mbi 20 mijë femra, disa prej të cilave i kanë vrarë pas dhunimit.  Të mos e përmendim plaçkitjet e gjithçka që kishte vlerë dhe që mund ta lëviznin, ndërsa shtëpitë ua digjnin, shpeshherë me familjarë brenda!

Por, në kontekst të të drejtës humanitare të konventave të përmendura, ai barbarizëm i forcave serbe, nuk i justifion krimet eventuale që mund t’i kenë kryer individë të prirur për krime edhe nga radhët e UÇK-së, ndaj personave të palës tjetër, sepse  është vështirë të përmbahen kur shohin e dëgjojnë se çfarë kanë bërë forcat serbe ndaj të afërmëve të tyre apo përgjithësisht ndaj civilëve shqiptarë.

Duhet konstatuar e pranuar këtu, se asnjëra palë e konflktit të armatosur, pas atij konflikti, nuk i ka proceduar fajtorët e krimeve të kryera nga radhët e forcave të veta. Përkundrazi, në Serbi krimnelët e tillë janë trajtuar si heronjë e janë avancuar në pozita shtetërore. Tribunali i Hagës i ka gjykuar një numër të vogël për krime të tilla.

Nuk mund të thuhet me siguri të plotë se edhe nga individë të caktuar, pjesëtarë të UÇK-së, nuk ka pasur shkelje të dispozitave humanitare në kuptimin e konventave të përmendura më sipër. As gjykatat e UNMI-ut e të EULEX-it, as gjykatat vendore të Kosovës nuk e kanë dhënë provimin për procesuimin e personave të dyshuar apo të akuzuar për vepra kriminale nga konflikti i armatosur. Prandaj, bashkësia ndërkombëtare insistoi të formohet një gjykatë speciale për procesuimin e pesonave të dyshuar. Gjykata edhepse quhet se është Gjykatë Speciale e Kosovës, ajo nuk ka të bëjë asgjë me sistemin gjyqësor të Kosovës, selinë e ka në Hagë,  të gjitha instancat gjyqësore janë në kuadër të saj, kurse gjykatësit dhe prokurorët janë të gjithë të huaj, pa asnjë shqiptar. Absurdi më i madh është se gjykata  është themeluar për gjykime njëetnike, vetëm të shqiptarëve. Absurdi tjetër është se edhepse është speciale për gjykime të periudhës së luftës, kompetencën e vet e ka shtrirë prej 1 janar 1998 deri më 31 dhjetor 2000, e dihet se lufta ka përfunduar më 10  qershor 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes Tekniko-Ushtarake në Kumanovë, dhe se UÇK-ja është shpërbërë në qershor të atij viti.  Përshtypja është se ajo gjykatë do të gjykojë në bazë të gënjeshtrave të Sigurimit dhe të Prokurorisë së Serbisë, të grumbulluara e dërguara Gjykatës, në formë të “provave me shkrim e me fotografi”, dhe në bazë të dëshmive të dëshmitarëve të përgatitur prej atyre organeve, qofshin ata si “viktima” apo si dëshmitarë të akuzës.  Fundja, ajo Gjykatë u themelua në bazë të raportit të Dick Martit, i përpiluar kryekput në bazë të  shpifjeve dhe gënjeshtrave të organeve të Serbisë, gjoja për nxjerrjen dhe trafikimin e organeve, për të cilat nuk janë gjetur prova përkundër hetimeve të thella qe dhjetë vjet që janë bërë nga organet hetuese ndërkombëtare. Prandaj, jemi skeptik se Gjykata Speciale do mund të gjykojë drejtë, as personat të cilët gjendën aktualisht në proces, as të tjerët që do t’i procesuojë pas tyre. 

Sidoqoftë, përgjegjësia është individuale dhe çfarëdo vendimesh të merrë Gjykata Speciale, nuk do të mund ta njollosë pastërinë e luftës së UÇK-së. Sepse lufta e UÇK-së ka qenë luftë e pastër, luftë çlirimtare, me kauzë të qartë.  

UÇK nuk ka vrarë e masakruar as fëmijë as gra civile serbe. Vrasja e fëmijëve dhe grave është në kundërshtim të rreptë me traditën dhe etikën shqiptare.  Nga ana tjetër, civilët serbë të gjithë kanë qenë të armatosur, shteti iu ka dhënë armët, prandaj edhe nëse nuk kanë qenë të mobilizuar apo vullnetarë në formacionet ushtarake, policore e paraushatarake, ata në një mënyrë kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të forcave serbe kundër UÇK-së.

Adil FETAHU 

Filed Under: Opinion Tagged With: Adil Fetahu

TELASHET E VUÇIQIT ME VELO “TELASHEN”

March 12, 2021 by dgreca

Nga Adil FETAHU/ Arrestimi i njëfar krimineli të mirënjohur dhe të mbështetur e sponsoruar nga strukturat e shtetit të Serbisë, Velko Belivuk, i quajtur Vela Nevola (nevolje,serb: telashe), është në krye të lajmeve  të mediave e tabloideve serbe qysh prej fillimit të shkurtit të këtij viti. Bashkë me Vela “Telashën” u arrestuan edhe 19 kriminelë e bashkëpunëtorë të tij, nën akuzë për kryerjen e veprave penale të vrasjeve, kidnapimeve dhe trafikimit me narkotikë. Arrestimet kanë vazhduar dhe përditë lajmërojnë për arrestime të reja.   Nëse ka seriozitet dhe guxim në zhvillimin e hetimeve, ato do të qojnë deri te vet kreu i shtetit. Deri tash i janë avitur, sepse edhe djali i madh i Vuçiqit  (Danillo) është i implikuar si pjesëtar i atij grupi:  të paktën është parë disa herë në shoqëri me grupin kriminal. 

Vuçiqi vet e ka paralajmëruar opinionin dhe disa herë e ka përsëritur, se jo vetëm Serbia, por edhe Europa dhe bota do të shokohën kur të shohin se si ky grup i ka vrarë e masakruar kundërshtarët e vet, duke ua prerë kokat e lozur futball me kokat e prera. Bile, Vuçiqi porositi që fotografitë dhe inçizimet që do t’i tregojnë, të mos i shohin fëmijët dhe familjarët e viktimave, sepse do të tmerrohen!.

Për ta informuar opinionin mbi veprimet kriminale të grupit, Vuçiqi kishte parlajmëruar mbledhje  të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me të vetmën pikë: luftimi i krimit të organizuar.  Mbledhja e atij Këshilli u shty dy-tri herë,  dhe kur u mbajt më 4 mars, pika e krimit të organizuar ishte renditur në vendin e tretë, pas analizës së situatës në Kosovë dhe pas aksionit të vaksinimit kundër koronavirusit.  Po çka doli nga fotografitë dhe inçizimet “shokuese”: asgjë e veçantë ose e jashtëzakonshme për shoqërinë serbe; nuk u shokua askush në Serbi, e aq më pak në Europë dhe në botë, që kishte paralajmëruar Vuçiqi. Publikut iu treguan fotografi të armëve të konfiskuara, ndër të cilat më së tepërmi u fol për një  pushkë snajperi special, të shtrejtë,  për të cilin ministri i punëve të brendshme, A.Vulin, thotë se ka qenë i destinuar për të bërë atentat kundër Vuçiqit dhe se këtë detyrë është dashur ta kryejë njëfar Sllavisha Kokez, i cili nuk ka pranaur të përgjigjet në poligraf, kur është pyetur për këtë gjatë hetimeve. Në fotografitë tjera u treguan dy viktima; njëra me kokë të prerë. Nuk u përmend asnjë emër i zyrtarëve të lartë shtetërorë, se janë pjesë e grupit kriminal të arrestuar.  Ministri i policisë foli shumë për 1572 përgjime të bisedave telefonike të Vuçiqit dhe anëtarëve të familjes së tij, që i kanë përgjuar disa persona zyrtarë të policisë dhe të BIA-s (agjensioni i sigurisë dhe informacionit), dhe shtoi se të gjithë policët e pyetur në këtë temë gjatë hetimeve, kanë rënë në poligraf (detektorin e gënjeshtrës)!.

Edhepse gazetarët hulumtues disa herë kishin apostrofuar emrat e përveçëm të disa zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe partiakë, nga radhët e  partisë së Vuçiqit, të implikuar në veprimet kriminale me grupin e arrestuar, Vuçiqi nuk e përmendi asnjë prej tyre. Në pyetjen e gazetarëve, ku është   Nebojsha Stefanoviqi, ish-ministri i policisë,  tash ministër i ushtrisë, Vuçiqi tha se Stefanoviqi ishte në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe se aty do të jetë për sa koë që është në poziën e ministrit!

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë, u fol për mënyrën e kryerjes së krimeve makabre që kanë bërë pjesëtarët e grupit kriminal: se kanë rrahur, maltretuar, kidnapuar e vrarë kundërshtarët e tyre; viktimave ua kanë prerë gjuhën, veshët, hundën, madje edhe kokën dhe kanë lozur “futball” me kokat e prera; ato sqena makabre i kanë fotografuar dhe inçizuar e ua kanë dërguar në telefonat e anëtarëave të familjes dhe kundërshtarëve të grupit. Ua kanë dërguar edhe ndonjë operativisti të policisë, për t’ua tërhequr vërejtjen se fati i njëjtë do t’i gjejë poqese përpiqen ta pengojnë aktivitetin e grupit. Ato foto dhe inçizime ua kanë dërguar edhe anëtarëve të grupit, duke i kërcënuar se kështu do të veprojnë edhe ndaj tyre, poqese nuk i kryejnë urdhërat që u jepen, apo nëse ndokush “gabon” t’i lajmërojë.

Vetëm gjatë vitit 2020 janë zhdukur pa shenj 12 veta. Në 44 telefona të dekoduar, janë gjetur prova dhe emra të personave të piketur për t’i likuiduar, më të shumtët nga radhët e operativistëve të policisë.

Nga hetimet e deritashme,  në opinion  kanë dalë dyshime se me grupin kriminal, të cilin e udhëheqë Vela Nevola, janë të lidhur zyrtarë të lartë të organeve të pushtetit, ndër të cilët përmenden:

  1. Ish-ministri i policisë, Nebojsha Stefanoviq, tash, aktualisht ministër i ushtrisë së Serbisë,
  2. Ish-sekretarja shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Dijana Hërkalloviq (as kjo nuk ka pranuar të përgjigjet në poligraf),
  3. Kryetari aktual i Gjykatës së Lartë të Beogradit, Aleksandar Stepanoviq,
  4. Funksionari i lartë i Beogradit, Damir Handanoviq,
  5. Kryetari i Lidhjes Futbollistike të Serbisë, Sllavisha Kokez,
  6. Udhëheqësi i Klanit “Kavasi”, Radoje Zvicer (nga Mali Zi).

Për veprimet e grupit kriminal dhe personat e involvuar me grupin, mediat e pavarura kanë alarmuar opinion qe dhjetë vjet, por vet strukturat e shtetit i kanë penguar hetimet. Kur gazetarët e pyesnin Vuçiqin, përse djali i tij është parë disa herë në shoqëri me pjesëtarët e grupit kriminal, ky u është përgjigjur: “Pa sta? (ani çka); ju mund të më keni parë edhe mua në ndonjë fotografi bashkë me Dragan Gjillasin, që është krimineli më i madh prej të gjithëve”! Djali i Vuçiqit është parë  disa herë bashkë me pjesëtarët e grupit kriminal, në klubet dhe kafenetë e Beogradit, si dhe në Rusi, duke përcjellë ndeshjen e futbollit për kampionatin botëror midis Serbisë e Kostarikës  (qershor 2018), dhe në Banjallukë me rastin e festës së asaj kreaturë gjenocidale serbe, të quajtur Republika Srpska (2020). 

Grupi criminal është kamufluar si grup i tifozëve të ekipit “Partizan” të Beogradit, por është marrë me gjithëfarë lloje krimesh, e më së paku me tifozeri futbolli. Anëtarët më të besueshëm të grupit, përbënin një formacion paraushtarak, të quajtur “Janiçari” (jeniçerët). Udhëheqja e grupit ka pasur objektet e veta të burgut, në të cilat i ka mbajtur të kidnapuarit, i ka torturuar dhe likuiduar e humbur gjurmët.

Ky grup kriminal ka pasur lidhje edhe me rrethe të caktuara të ushtrisë në kohën kur ministër i saj ka qenë A.Vullini, që tash është ministër i policisë. Sindikata e ushtrisë në vitin 2017 i kishte etikuar e kritikuar disa eprorë ushtarakë, se po bashkëpunojnë me Velo Nevolen, të cilit po ia mundësojnë ushtrimin e “janiçarëve” të tij në poligonet ushtarake të qitjes, duke shfrytëzuar armët dhe municionin luftarak të ushtrisë!

Mbrojtja e grupit kriminal nga regjimi i Vuçiqit  lidhet përms djalit të tij; edhe nëse Vuçiqi këtë nuk e ka bërë me dëshirë, do ta ketë bërë nga friga për djalin, për familjen dhe për vete. Arresitimin e Velo “Telashes”, konspiracioni në Serbi e sheh si shkak të tejkalimit të veprimeve të grupit, që ka dalur jashtë kontrollit të pushtetit. Duket se kupa ishte mbushur kur Vela Nevola e kishte rrahur Danillon, djalin e kryetarit të shtetit, në një nga klubet e Beogrdit, në prag të vitit të ri 2021. Dhe gjithnjë e më shpesh flitej se Vela Nevola ka dashur ta vrasë Vuçiin. Për këtë më së shumti flet vet ministri i policisë, Aleksandr Vullin, që është njeriu i cilii ka pasur dhe duhet të ketë informacione. Si provë për këtë Vullini e konsideron pushken speicale snajper, e gjetur me arsenalin e armëve tjera. “Mes rreshtve” lënë për të dyshuar edhe në diplomatë të ShBA-ve, si palë e interesuar për rrëzuarjen e Vuçiqit?! Dhe Vullini nuk do t’ishte ai që është, një poltroon i ulët i strukur në papanicën e Vuçiqit, sikur tërë meritën për zbulimin e këtij grupi kriminal të mos ia atribuonte vet kryetarit të shtetit, Aleksandar Vuçiqit, të cilit përpiqet t’ia rritë rejtingun përmes këtij zbulimi dhe arrestimi të kriminelëve, të cilët i kualiikon ma të rrezikshëm sesa klani i Zemunit, i cili e vrau me atentat ish-kryeministrin Zoran Gjingjiq, më 12 mars 2003.

Nga zhvillimi i mëtejshëm i ngarjeve, veçmas nga serioziteti, pavarsia dhe objektiviteti i organeve hetimore, mbetet të shihet se sa telashe ka pasur dhe do të ketë Vuçiqi dhe regjimi i tij me Velo “Telashen”, dhe deri ku do të arrijë vargu dhe rrjeti i bashkëpunëtorëve të grupit kriminal në struturat e pushtetit shtetëror?

Apo, e gjithë kjo ujdurmë do të mbetet në atë fjalinë: “U dridh mali, polli një mi”, sikur ka ngjarë deeri më tash me disa afera tjera të krimit të organizuar në Serbi?

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, Velo telashen, Vuçiçi

STRATEGJIA SERBE PËR NDARJE ME KOSOVËN SIPAS FORMULËS 12 : 12 ?!

January 31, 2021 by dgreca

Shkruan: Adil FETAHU/ Apetitet e nacional-shoviinistëve serbë për Serbinë e Madhe, që prej gjysmës së dytë të shekullit 19 nuk janë shuar kurrë. Për të arritur këtë qëllim  ata kanë hartuar, miratuar, promovuar e zbatuar programe, strategji, memorandume,  rezoluta, deklarata e vendime dhe kanë vepruar në praktikë, duke rritur territorin e shtetit të vet dhe armiqësinë me shtetet tjera. Krahas zgjërimit të territorit të shtetit në të gjitha anët, duke pushtuar territore të shteteve fqinje, synimin kryesor e kanë pasur pushtimin e bregdetit  dhe territorit shqiptar. Edhe pushtimi i Kosovës në vitin 1912 ka qenë në këtë funksion, me synim të daljës në bregdetin shqiptar, gjë që bëri në vitin 1913-1914.

Shkencëtari më i njohur serb, Jovan Cvijiq, ekspansionin serb kah jugu, me dalje në bregdetin shqiptar e arsyetonte me shkaqe ekonomike: “Për shkak të pavarësisë së vet ekonomike, Serbia duhet të fitojë çasje në Detin Adriatik dhe një pjesë të bregdetit të Shqipërisë, qoftë me pushtim të territorit, qoftë me fitimin e të drejtave ekonomike dhe të komunikacionit në atë krahinë. Kjo, vërtetë do të thotë pushtimi i  një krahine etnografikisht të huaj, por që duhet patjetër të merret për shkak të interesave të rëndësishme ekonomike, për shkak të nevojës jetësore”, shkruan  Cvijiqi dhe i përpilon hartat e  viseve të cilat duhet pushtuar.

Këto apetite i kanë  nëpër sirtarë edhe pushtetarët aktualë në Serbi, ndonëse nuk i shfaqin hapur dhe me metoda të pushtimit, por synojnë që me metoda tjera të arrijnë të njëjtat qëllime. Ata edhe sot e kësaj dite   shohin ëndërr për një korridor  sëpaku 5 km të gjërë, për të dalë në bregdetin shqiptar, prej Shëngjini deri në Durrës! Shijen për këtë apetit ia shtoi emisari i ish-presidentit Tramp, Richard Grenell, me rastin e nënshkrimit të dofarë marrëveshjeve  në Washington, më 4 shtator 2019, në të cilat bëhet fjalë për lidhje infrastrukture rrugore dhe hekurudhore, jo vetëm mes Kosovës e  Serbisë, por edhe me Shqipërinë.

Mirëpo, Kosova i ka mbetur Serbisë asht në fyt, si çështje e pazgjidhur sipas saj. Në tridhjetë vjetët e fundit, në çarqet politike, shtetërore, ushtarake, shkencore, kishtare e kulturore të Serbisë janë përpiluar e shfaqur shumë ide, propozime, plane, strategji, programe, rezoluta, deklarata, për zgjidhjen e problemit midis Kosovës e Serbisë. Dhe me qenë se me përfundimin e luftës në vitin 1999 Kosova faktikisht është shkëputur nga Serbia,  ndërsa me shpalljen e pavarësisë (2008) këtë e bëri edhe juridikisht, Serbia përpiqet që në kushte e rrethana të reja,  të shkëputë e fitojë diçka  nga territori i Kosovës. 

Idenë për ndarjen midis Kosovës e Serbisë, e ka publikuar haptas shkrimtari dhe akademiku serb Dobrica Qosiq qysh në vitin  1966 e 1968 dhe 2002 e 2003. Në seancën e Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jgosllavisë, më 29 maj 1968, Qosiqi shprehej: “Nëse rruga na shpie në realizimin e sovranitetit të Serbisë me shkëputjen e Kosovë-Metohisë nga Serbia dhe Jugosllavia, atëherë janë të pashmangshme ndeshje të rënda dhe tragjike, me pasoja historike të paparashikueshme”. Për shkak të prognozave të tij nacioanaliste, atëherë u përjashtua prej partie (LKJ).

Këtë ide e ka edhe sot lidershipi i Serbisë, sado që nuk e thotë në mënyrë shprehimore, por tërthorazi, duke përsëritur mantrën bajate se: “nuk mundet dikush të fitojë gjithçka, e dikush asgjë”!. Ata e dijnë se me bisedime Kosovën nuk mund ta kthejnë nën Serbi, por shtiren sikur është nën sovranitetin e Serbisë, duke u thirrur në preambulën e Kushtetutës së tyre (2006) dhe në Rezolutën 1244 të KS KB, edhepse nga ajo Rezolutë nuk mund të gjejnë as shkronjën “S” të sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën.

 Koordinatori i Paktit të Stabilitetit të Europës Juglindore, Erhard Busek thoshte: “Në takimet zyrtare politikanët serbë thonë se Kosova është pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, ndërsa në biseda të lira, kur pijmë kafe, ata më pyesin se si të lirohën prej saj”.

Dobrica Qosiqi,që është ideatori i parë për ndarjën e Kosovës. Në librin e tij, në formë ditari,“Kosovo”, tregon se me ish-kryeministrin e Serbisë, Zoran Gjingjiq, qysh prej 14 dhjetorit 2002 deri më 12 janar 2003, ka qenë dy herë në vizitë në shtëpinë e Gjingjiqit dhe në kontakt permeanent me kryeministrin, në konsultime për zgjidhjen e problemit me Kosovën e që Qosiqi i ka propozuar : ndarjen e territorit të Kosovë-Metohisë, përkufizimin midis Serbëve e Shqiptarëve, pa insistuar  në territore të pastra etnike, me reciprocitet për format e të drejtave nacionale dhe civile për pakicat. Patrikana e Pejës, manastiret e Deçanit, Graçanicës dhe Deviçit të kenë pozitë vetëqeverisje dhe të drejta sipas modelit të manastereve ortodokse në Malin Atos të Greqisë, por që paraprakisht t’iu kthehën tokat dhe pyjet e  nacionalizuara në vitin 1945”. Me këtë propozim ishte pajtuar kryeministri, që kishte thënë se menjëherë do t’iu shkruajë letër Bushit, Blerit, Shrederit, Putinit, Shirakut dhe do t’i vizitojë të gjitha ato qendra, për t’i bindur për nevojën e ngutshme të zgjidhjes së problemit të Kosovës. Deviza e Gjingjiqit ishte: “Në Kosovë të kthehen serbët, e jo Serbia”. Ai i kishte shkruar letër komandantit të NATO-s për Europë, që të lejonte kthimin në Kosovë të 999 policëve të Serbbisë, siç parashihet me Rezolutën e KS 1244. 

Kryeministri Gjingjiq, pas konsultimit të Qosiqin, e kishte përpiluar strategjinë e tij për zgjidhjen e problemit me Kosovën. Kishte përcaktuar dy pikëpamje. E para ishte federalizimi i Kosovës, me dy entitete: shqiptare dhe serbe, me institucionet e tyre të pavarura, sipas shembullit të Bosnje-Hercegovinës. Si “federatë e entiteve” Kosova do të ishte në kuadër të Serbisë, me status: ma shumë se krahinë, më pak se republikë. I vetëdijshëm se një koncept të tillë nuk do ta pranojë Kosova as bashkësia ndërkombëtare, në variantin tjetër Gjinjiqi parashihte: a) ndarjën territoriale; b) garancione efikase ndërkombëtare për serbët të cilët mbetën të jetojnë në pjesën shqiptare; c) status të psaçëm të  objekteve fetare. Gjingjiqi konsideronte se është momenti i fundit për të ndërmarrë aksione të vendosura për zgjidhjen e problemit me Kosovën, sepse koha nuk po punon në favor të Serbisë.  Gjingjiqi ishte një politikan i shkathtë dhe kishte një reputacion pozitiv në arenën ndërkombëtare, veçmas në Gjermani. Dhe si i tillë ishte më i rrezikshëm se të tjerët. Mirëpo,  atë e likuiduan me atentat, në shkallët e ndërtesës së Parlamentit të Serbisë, më 12 mars 2003. Ai nuk arriti ta realizojë strategjine për të cilën u pajtua me Qosiqin, por opsioni i ndarjës së Kosovës iu mbeti “si patate e nxehtë në dorë” qeverive që pasuan, e të cilat i kryesuan ultranacionalistët e dëshmuar: Vojsillav Koshtunica, Mirko Cvetkoviq, Ivica Daçiq, Aleksandar Vuçiq. Në kohën e qeverisjes së tyre u lansuan strategji e modele të ndryshme.  Prej vitit 2005, ka qarkulluar pikëpamja e të gjitha qeverive të Serbisë “Më shumë se atonomi, më pak se pavarësi”, ose ndarja e Kosovës.  Do të thotë se pavarësinë nuk mund ta gëlltisin kurrësesi. 

Strategjitë dhe pikëpamjet e tyre për zgjidhjen e problemit me Kosovën i shpalosën edhe kryetarët e Serbisë: Boris Tadiq e Tomisllav Nikolliq , ndërsa kryetari aktual, Aleksandar Vuçiq është treguar më dinak dhe e fshehë strategjinë e tij si gjarpëri këmbët.  Tadiqi kishte një strategji-plan prej katër pikash: 1) Zgjidhje e posaçme për komunat veriore;  2) Administrimi dhe eksteritorialiteti i manastireve të KOS; 3) Garancione për serbët në enklava; 4) këthimi ose kompensimi i pronave  shtetërore dhe atyre private.  Koshtunica zgjidhjen e mendonte me një autonomi të mbikëqyrur, sipas modelit të Hongkongut, por jo kurrëfar pavarësie, as e mbikëqyrur as e plotë.  duke pretenduar se ky model ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë mbi Kosovën dhe nuk bie në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.   Tomisllav Nikolliqi  edhepse ishte një ultranacionalist, analfabet poltik, ishte  konsultuar me AShAS, dhe me Kishën Serbe, por ishte më larg realitetit se sa të tjerët. Ai insistonte në formimin e bashkësisë së komunave me shumicë serbe, e cila do  të kishte shkallë të lartë të autonomisë territoriale dhe politike,  kompetenca të gjëra  dhe lidhje speciale me Serbinë; eksteritorialitet të manastireve e kishave serbe, por Serbia kurrë të mos e pranojë pavarësinë e Kosovës!   Aleksandar Vuçiqi,  në vitin 2018 pati organizua një “dialog të brendshëm” në Serbi,  në të cilin kanë marrë pjesë përfaqësuesit e të gjitha institucioneve shkencore, kishtare, kulturore dhe të shoqërisë civile, dhe pati premtuar se pas përfundimit të atij dialogu do ta përpilojë e publikojë strategjinë e tij, të cilën nuk e publikoi asnjëherë. Por, me dedhitë e tij, në strategjinë e ndarjes së Kosovës i futi Edi Ramën dhe Hashim Thaçin dhe në njëfar mënyre mori një përkrahje nga disa zyrtarë në Vashington. Në fjalime,  në bisedime dhe në media, Vuçiqi shpeshherë i ndërron fjalët, varësisht nga situata aktuale në terren. Duke i theksuar katër shtylla të politikës së jashtme: BE, ShBA, Rusia dhe Kina  dhe përkrahjen e  tyre në zgjidhjen e problemit të Kosovës, me kompromis, sipas të cilit “nuk mundet dikush të fitojë të gjitha, e dikush asgjë”! Ky është pretendim i hapur ndaj territorit të Kosovës, pjesës veriore dhe jo vetëm asak. Dhe në këtë pretendim shpeshherë lëshon tullumbaçe kërcënuese. Armatimi me armë nga Rusia dhe  paralajmërimi i këthimit të obligimit ushtarak, për shkak të situatës së pazgjidhur me Kosovën, janë kërcënim serioz. Me dredhitë e tij, me strategjinë e durimit dhe pritjes së ndryshimit të raporateve në arenën ndërkombëtare, me forcimin e pozitës së shtetit të tij dhe me strategjinë e destabilizimit të shteteve fqinje, Vuçiqi është treguar faktor destabilizues në Ballkan,  Aademia e Shkencave dhe Arteve e Serbisë në vitin 2012 ka hartuar Memorandumin 2, si program strategjik se si të veprohet për destabilizimin e shteteve fqinje, duke i dhënë një rol të veçantë Kishës Ortodokse Serbe në këtë strategji, gjë që u vërtetua me rrëzuarjen e qeverisë së Malit të Zi vitin e kaluar.

Një version interesant i strategjisë serbe për zgjidhjen e problemit me Kosovën, me titull  “Izlazna strategija Serbije na Kosovu i Metohiji” (Strategjia dalëse e Serbisë në Kosovë-Metohi) (shih: “Hereticus – casopis za preispitivanje proslosti”, No.4/2007; “Heretikus – revisitë për rishqyrtimin e së kaluarës…),- qarkullon nëpër media prej marsit të vitit 2008,  që duket interesant  përkah mënyra e shtjellimit dhe është e pranueshme” për palën serbe.  Bëhet fjalë për “rektifikimin”  (ndarjen) territoriale të Kosovës. Sipas asaj strategjie, edhe Serbia edhe Kosova humbin 12% të territorit të tyre. Dhe ja se si e kalkulojnë llogarinë me formulën 12: 12. 

Serbia (me Kosovën) ka 88361 km/katrore. Kosova ka 10887 km/2, që i bie 12% të territorit të Serbisë me Kosovën. Komunat me shumicë serbe në Kosovë janë: Leposaviqi me 539 km/2, Zubinpotoku me 333 km/2, Zveçani me 123 km/2 dhe komuna e Mitrovicës së Veriut 100 km/2., që të gjitha sëbashku bëjnë afro 1100 km/2, pak më tepër se 10% e territorit të Kosovës. Me një korigjim të kufirit në rrethin e Moravës dhe me zonat e mbrojtura të  tri manastireve të Kishës Ortodokse Serbe (Graçanicës, Pejës dhe Daçanit) dhe me ndarjën e kompleksit të Gazimestanit,- Serbia do të fitonte 12% të territorit të Kosovës. Pjesa tjetër do t’iu mbetej shqiptarëve.  Në këtë mënyrë, edhe Serbia edhe Kosova do të humbnin nga 12% të territorit, por nga ndarja e tillë asnjera palë nuk do të delte plotësisht humbëse. Secila palë humbë 12% të territorit të pretenduar dhe secila diçka fiton e diçka humbë, thonë autorët e kësaj strategjie. Pretendimi i palës shqiptre ndaj Preshevës neutralizohet me Shtërpcën, që mbetet në Kosovë. Ithtarët e kësaj strategjie dhe këtij plani thonë se ky ka qenë opsion zyrtar amerikan, por gjoja se Beogradi e ka refuzuar. Sipas tyre, ky plan do ishte zgjidhja e vetme që kënaqë të dy palët; shqiptarët që fitojnë pavarësinë dhe serbët që të mos mbetën pala që humbë të gjitha.  Thonë se këtë opsion e ka përkrahur edhe ish-ministri i jashtëm Italian, Gjulio Ammati. E mira tjetër e kësaj strategjie,thonë ata,  është se të dy vendet do të mbetën me popullsi homogjene etnike, mbi 80% Serbia dhe mbi 90% Kosova, që është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin e brendshëm, sepse është dëshmuar se shtetet të cilat kanë mbi 20% popullsi të entnikumit tjetër, kurrë nuk janë stabile.

A s’ju duket kjo një strategji diabolike?

Në të gjitha strategjitë serbe, opsioni i ndarjës së Kosovës është pika qendrore, prej së cilës kurrë nuk kanë hequr dorë, sado që një kohë ka qarkulluar edhe opsioni i shkëmbimit të territoreve, si një zgjidhje e mundshme e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Në të gjitha variantat, Serbia  koma e konsideron Kospvën si territor të saj, pasi kështu e ka në kushtetutë, prandaj llogaritë e kompensimit i bënë me territorin e Kosovës, pa e prekur territorin e Serbisë.

Se a janë këto llogari pa hanxhiun, mbetet të shihet dhe varet nga konstelacioni i  zhvillimit të marrëdhënieve të përgjithshme ndërkombëtare dhe nga afiniteti i fuqive të mëdha për mënyrën e zgjidhjes së problemit. Deri atëherë, edhe Kosova edhe Serbia do të jetojnë në iluzione, se secila e ka sovranitetin mbi Kosovën: Serbia e ka në kushtetutë, por nuk e ka në realitet; Kosova poashtu e ka në kushtetutë dhe në fjalë boshe të politikanëve, por nuk e ka sovranitetin mbi pjesën veriore të Mitrovicës, as në enklavat e vendbanimet tjera në të cilat jetojnë serbët si shumicë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Adil Fetahu, Per darken e Kosoves, Strategjia Serbe

  • 1
  • 2
  • 3
  • …
  • 7
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Samiti Europës në 16 Maj, privilegj dhe sfidë serioze e Republikës së Shqipërisë”
  • Kërkesat e Eqrem dhe Syrja bej Vlorës drejtuar Austro-Hungarisë për çështjen shqiptare në vitin 1904
  • “Scribi përballë medias së shkruar”
  • Kur kujtesa kthehet në strehë dhe qyteti në mit, John Updike mbi Kadarenë dhe Márquezin
  • ALBTVUSA, NJE TELEVIZION I MBRUJTUR NGA ATDHEDASHURIA MBUSH 25-VJET
  • It’s a privilege to serve this community…
  • Shkodra Elektronike, “Prometeu” që çoi “Zjerm”-in e shpirtit shqiptar në Bazel, Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca në finalen e madhe të Eurovision Song
  • Shenjtërimi i pejsazhit dhe atdheu…
  • Në vendin ku të gjithë i dinë të gjitha…
  • Thank you to Baba Eliton Pashaj…
  • PËR FEHMI AGANIN…
  • KUR VDEKJA I JEP JETES DRITE …
  • VATRA në krah të liderëve të UÇK-së: procesi gjyqësor në Hagë të jetë i drejtë dhe i paanshëm
  • ZEFI I VOGËL NË KRYENGRITJEN E VITIT 1912
  • Më 13 maj 1944 u krijua “Lidhja Shkodrane”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT