Femra shqiptare, filmi dokumentar dhe realiteti i sotëm
Nga Albert Z. ZHOLI/
Jemi pak a shumë të ndërgjegjshëm që shoqëria shqiptare është akoma e zhytur brenda një koncepti tepër të prapambetur kundrejt femrave. Ja p.sh, t’ia fillojmë nga lidhja martesore. Martesa përbën një lidhje shpirtërore, ndjesore dhe shoqërore, në të cilën të dy palët pranojnë të ndajnë dhe të gëzojnë në mënyrë të barabartë gjithçka, gjë e cila në Shqipëri akoma mbetet vetëm si ide në shumicën e rasteve. Thonë që burri është koka e shtëpisë dhe gruaja qafa, por, për fat të keq, në një familje tipike tradicionale shqiptare, burri është kokë dhe qafë bashkë. Gruaja është pa mendim ndaj asgjëje, e lehtë si pupla në erë. Në disa zona rurale, ku ende sundon ende psikologjia e Kanunit, gruaja konsiderohet si pronë e burrit. Ai ka lirinë e veprimit, të fjalës, të mendimit. Ai programon dhe marrëdhëniet seksuale. Gruaja është thjesht e detyruar të plotësojë çdo oreks dhe dëshirë të tij, si një marionetë e drunjtë, pa ndjenja…E kanë pakëz në gen femrat grindjen, pakënaqësinë në përgjithësi për gjithçka, ku për to fajin e kanë të gjithë dhe në veçanti burrat. Por mos e kanë tepruar pak, duke ia hedhur fajin shoqërisë apo burrave?! Mos vetë femra shqiptare ka faj për këtë ndrydhje dhe mbizotërim sjelljesh maskiliste brenda shoqërisë tipike shqiptare? Besimi në vetvete është një armë e fortë mbrojtëse për një femër. Nëse një femër është e pajisur me këtë armë të fortë, atëherë mund të ndryshoj gjithçka. Si mundet ta gjejë këtë armë? Është fare e thjeshtë… Jeta është aritmetike Olimbi, -i drejtohej Nikolaqi te “Karnavalet” e famshme të Korçës bashkëshortes. Le të zhvillojmë veprimin e mëposhtëm aritmetik, që mund t’ia drejtoj vetes çdo femër: “Ajo çka mendoj se jam…Doket dhe zakonet e pandryshueshme… Zakonet e dëmshme të mijat… Urdhrat që marr prej shoqërisë… Gjërat e kushtëzuara që duhet t’i zbatoj me doemos…Shuma e ndikimeve ndaj meje…Boshllëku i krijuar nga çka refuzoj, duke zbatuar me përpikëri çdo rregull shoqëror…” Duke bërë shumën e mbledhjes, pa pasur nevojë të bëjmë provë ta vërtetojmë… do marrin si rezultat “pasaportën” e tyre. Dhe, duke qenë tashmë me identitet, gjithsecila nga femrat mund të ndihet e lirë (sipas normave) në çdo çast, përtej ngushtësive të ambientit shqiptar… e lirë jo siç ndihet vetë, por siç e kërkojnë normat…e lirë të gjejë sjelljen dhe reagimin në orën e duhur. E lirë të jetë e pa parashikueshme, pa u ndjerë fajtore ndaj çdo gjëje skeptike që e rrethon dhe ndaj çdokujt, pa frikën se mund të shkaktoj pakënaqësi apo deziluzion. Nuk janë të pakta femrat sot ;politikane, moderator, spikere, deputete, ministre apo drejtuese biznesesh. Por ajo që do veçoj është femra regjisore dhe gazetare. Ka shumë femra të tilla që kanë bërë emër dhe për çdo ditë përcjellin emrin dhe personalitetin e vërtetë të femrës sot. Ka shumë që janë regjisore apo skenariste filmash dokumentarë që kanë marr çmime apo vlerësime edhe në shumë aktivitete ndërkombëtare. Përpos kësaj, shumë prej tyre janë drejtuese të organizmave apo shoqatave femërore që përcjellin zërin e vërtetë të femrës shqiptare kudo në botë. Sot do të veçojmë tre prej tyre, Donika Mustafaj, Tefta Radi dhe Elsa Xhai, si regjisore dhe skenariste filmash dokumentarë dhe si gazetare dhe drejtuese shoqatash për të drejtat e grave (aktiviste) . Pyetja për forum është rreth rolit të femrës si regjisore apo skenariste në filmat dokumentarë dhe këndvështrimi i tyre për tematikat e këtyre filmave.
Tefta Radi, regjisore
Kjo gjini e filmit kishte kohë që flinte brenda meje, por ndoshta duhej koha fizike, duhej koha e bollshme, si dhe një pjekuri gazetarske që të futesha në këtë autostradë të re sa të bukur, po aq dhe të vështirë. Dokumentari është një gjini që kërkon vëmendje, kërkon hulumtime, biseda, arkiva. Dokumentari mbështetet mbi dëshmi autentike, në rrëfimet e personave që kanë pasur kontakte me personazhin (apo njohin mirë vendin apo fenomenin) por gjithashtu pasqyron jetën, veprën dhe virtytet njerëzore që ka pasur ai. Vetëm pas një pune hulumtuese, tek dokumentari përcillen dhe vijnë edhe fakte te reja e te panjohura më parë për personazhin (vendin apo fenomenin social). Të gjitha së bashku zbulojnë personazhin. Figura e çdo personazhi (vendi apo fenomeni social) vjen në dokumentar si një qenie e madhe sociale, me gjenialitetin e mendjes, të rezultateve, arritjeve, dështimeve, përpjekjeve, ku hidhet dritë dhe mbi historitë e dhimbjes e të dashurisë. P.sh, arsyet që më shtyn të bëjë një dokumentar për Migjeni janë të shumta, pasi e kam adhuruar Migjenin në krijimtarinë e tij (krijues për dhimbjen njerëzore), por e kam pasur dhe burim mirënjohjeje, pasi njerëz nga familja Radi kanë punuar me Migjenin në Pukë. Nga ana tjetër, personalisht kam punuar disa vite në Pukë (ku kam shumë kujtime), ku kam hulumtuar rreth tij dhe mbi të gjitha kam pasur fatin të njihem më nxënësit e tij, që mbeten dëshmitarët e fundit të viteve 1930, të cilët si askush më sollën afër shumë detaje jetësore që nuk mund ti gjeje veçse tek ata Një film tjetër… Im’Zot Vinçenc Prennushi. Një prej figurave të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, Im’Zot Vinçenc Prennushi është prelati më i lartë dhe i fundit i fesë katolike në Shqipëri, deri më 1949 kur ai vdes nën tortura të tmerrshme të diktaturës komuniste, në burgun e Durrësit, në duart e Arshi Pipës ndërsa emri i tij ka shkuar edhe në Vatikan për t’u lumturuar. Për realizimin e tij, u jam referuar dëshmive autentike dhe dokumenteve të shumta arkivore. Dokumentari është shumë aktual dhe paraqet histori e materiale të pa dokumentuara më parë. Parë në këtë kontekst dua të them se filmi dokumentar ka një vend të veçantë në këtë gjini krijuese, por ai nuk po vlerësohet. Tematikat për shkak të financimit të dobët janë rrudhur. Kjo bën që të bjerë dhe cilësia. Çdo film ka parametrat e vetë me të cilët duhet të paraqitet, por për shumë shkaqe objektive dhe subjektive (të cilat i bëmë prezent) kjo gjini filmi nuk merr vlerësimet dhe përmasat e duhura. Defekte që nuk po zvogëlohen me kohën….
Donika Mustafaj, regjisore
Dokumentari ka fituar sot në botë një vlerësim të ri, qoftë për publikun, ashtu edhe nga kritika e specializuar. Sa për të dhënë një shembull, le të kujtojmë dokumentarin e Al Gore, i cili i shfaqur në kinema, ka tërhequr një rekord të jashtëzakonshëm shikuesish, duke tejkaluar edhe filmat më të suksesshëm të Hollivudit. Po ashtu, në festivalin më të famshëm të kinemasë, që është festivali i Kanës, para pak vitesh palmën e artë e mori një film dokumentar. Kjo do të thotë se edhe vetë dokumentari është zhvilluar për t’ju përgjigjur pritjes së publikut, është pasuruar me mjete shprehëse, është bërë më artistik. Do të thosha, me keqardhje, se dokumentari shqiptar nuk i ka ndjekur dot këto ritme zhvillimi. Por, tendencën e ka drejt modernes. Dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dokumentari tek ne vuan, ashtu si edhe filmi, nga mungesa e financimeve për projekte serioze. Sepse edhe prodhimi i një dokumentari të mirë ka kosto të konsiderueshme. Megjithëse, krahasuar me filmin artistik, dokumentari sot ka mundësi më të madhe, në sajë të rritjes së disa televizioneve private, të cilat, krahas TVSH-së, po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi prodhimit të mirëfilltë të dokumentarëve. Një defekt, që më duket me vend ta theksoj në këtë rast, qëndron te një disbalancë midis temave historike, apo atyre kushtuar personaliteteve të ndryshme dhe temave sociale. Duket sikur autorët i kanë më për zemër temat historike apo dokumentaret portrete, dhe shpërfillin temat sociale, që do e afronin dokumentarin më pranë problematikës, me të cilën përballet sot shoqëria jonë. Entet financiare të projekteve mund të shërbejnë edhe si orientuese të prodhimit dokumentaresk. Brenda komisionit të vlerësimit dhe miratimit të projekteve ka personalitete, që e kuptojnë shumë mirë rëndësinë e temave të ofruara. Dokumentari te ne vuan gjithashtu nga jetë shkurtësia. Ai shfaqet njëherë në televizion kur prodhohet dhe me aq vdes. Puna e madhe dhe shumë e lodhshme e ekipit realizues gjatë shumë muajve, mbetet kështu e pashpërblyer, gjë që i dëmton krijuesit. Po ashtu, me vetëm një shfaqje, dhe ajo jo në orët më të shikueshme, dokumentari humbet mundësinë për t’iu nënshtruar një gjykimi të vërtetë të publikut. Kjo bën që autorit, të cilët i kanë kushtuar jetën dokumentarit, mbeten më së shpeshti anonimë, pa marrë respektin e dëshiruar të publikut. Sot numri i grave të përkushtuara ndaj filmit dokumentar është rritur si kurrë më parë. Por edhe vepra e tyre vuan nga të njëjtat mangësi si edhe gjithë prodhimi ynë dokumentaresk.
Elsa Xhai, gazetare, skenariste
Roli i femrave regjisore apo skenariste të filmave dokumentarë ka ardhur në rritje. Por nuk duhet të anashkalojmë një fakt, që ato kanë qenë prezentë edhe në regjimin komunist, po aq sa dhe sot. Në ambientet e Radio Tirana kam pasur fatin të njoh shumë regjisore femra të cilat edhe sot kujtohen me shumë respekt. Mbi të gjitha veçohet Xhanfise Keko një personalitet i padiskutueshëm i regjisë shqiptare si i filmit dokumentar po ashtu dhe i filmit artistik. Personaliteti i saj, përgatitja e saj, vizioni i saj bënte që të krahasohej me çdo regjisor mashkull. Nuk mund të harrohen titujt e filmave “Kryengritje në pallat”, “Mimoza llastica”, “Qyteti më i ri në botë”, “Beni ecën vetë”, “Tingujt e luftës”, “Tomka dhe shokët e tij”, “Pas gjurmëve”, “Partizani i vogël Velo”, “Kur xhirohej një film”, “Një vonesë e vogël” dhe “Taulanti kërkon një motër” na lidhin të gjithëve pazgjidhshmërisht me këtë emër të madh që ka bërë epokë. Por nuk do lë pa përmendur edhe skenaristen e filmave dokumentarë Angjelina Xharo. emër i njohur dhe në botën televizive dhe për të ardhur tek Tefta Radi dhe Donika Musraja dy realizuese të shkëlqyera të filmit dokumentar. Pra filmi si gjini ka vështirësitë e saj, por formimi, bota e brendshme e femrës, karakteri i fortë, dëshira për ti kapur në rrënjë problemet, eksperienca në media, ka bërë dhe bën që femrat si regjisore, skenariste të jenë po aq të suksesshme sa dhe burrat. Brenda tyre është një botë shpirtërore e pasur, që vetëm ato dinë ta përcjellin natyrshëm dhe bukur në art.
*Ne Foto:Donika Mustafaj, regjisore
Nexhmije Pagarusha-Bilbili i Kosovës, sot ditëlindjen e 83-të
Foto arkiv, maj 2010: Nexhmije Pagarusha e Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu – dorëzimi i Dekoratës Presidenciale/
-Zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare/
PRISHTINË, 7 Maj 2016-B.Jashari/ Bilbili i Kosovës, Nexhmije Pagarusha, ka sot ditëlindjen e 83-të. Me këtë rast, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka uruar ditëlindjen e këngëtares së madhe shqiptare. “‘Bilbili i Kosovës’, ‘Mbretëresha e muzikës shqiptare’, ‘Këngëtarja e Shekullit’, ‘Artiste e Merituar’ , ‘Nderi i Kombit’, janë vetëm disa prej epiteteve dhe dekoratave që këngëtarja më e madhe kosovare e të gjitha kohërave, Nexhmije Pagarusha, i ka merituar gjatë dekadave të këndimit”, ka shkruar sot Mustafa.
“Sot, Nexhmije Pagarusha feston ditëlindjen e 83-të, duke qenë idhull i të gjithë brezave të Kosovës nga viti 1948 e deri më sot. Me zërin e saj mbresëlënës, Nexhmija u shndërrua në institucion kulturor të Kosovës. Urime, edhe shumë vite të tjera.
Kosova krenohet me ty!”, është shprehur kreu i qeverisë së Kosovës.
Poashtu, ministri kosovar i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala, ka uruar këngëtaren e shquar shqiptare. Ai u shpreh se Pagarusha me zërin e saj të mrekullueshëm, i ka dhënë kulturës së Kosovës vlera të përhershme, duke u bërë njëherësh burim frymëzimi për breza të tërë. “Zëri i saj ka kumbuar fuqishëm përgjatë dekadave të tëra, duke na mbajtur gjallë dashurinë për kulturën, të bukurën dhe shpresën për një të ardhme ma të ndritshme”, u shpreh Shala, dhe shtoi se popujt që kanë këngëtare si Pagarusha janë të bekuar.
Ai më tej u shpreh se arti i Pagarushës, është dëshmi e fuqishme e identitetit të Kosovës dhe një vlerë e jashtëzakonshme me të cilën krenohet vendi ynë. Po ashtu, Shala u shpreh se Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të përkrahin dhe ndihmojnë kulturën e pasur të Kosovës, duke e promovuar, nxitur dhe ruajtur atë si vlerë për brezat e ardhshëm.
Shala u shpreh se artistet si Nexhmije Pagarusha na nxisin që të punojmë edhe më shumë dhe më me përkushtim për Kosovën tonë.Nexhmije Pagarusha, e njohur edhe si Bilbili i Kosovës, në maj 2010, është dekoruar nga atëherë Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, me çmimin “Artiste e Merituar” për veprimtarinë dhe kontributin e veçantë dhënë kultivimit të muzikës dhe këngës së përsosur shqipe, teatrit dhe filmit.
Dekorata është dorëzuar solemnisht në ambientet e zyrës së Presidentit të Kosovës. Në arsyetimin e dekorimit të znj. Pagarusha, Presidenti Sejdiu theksonte se “kontributi i Nexhmije Pagarushës në fushën e krijimit, kultivimit, interpretimit dhe të promovimit të artit muzikor shqiptar është i një rëndësie të jashtëzakonshme”.
“E përkushtuar gjithë jetën për të ngritur vlerat e artit muzikor, duke krijuar identitet referues kulturor, duke qenë zë i fuqishëm i shpirtit dhe vlerave estetike shqiptare, ajo ishte dhe mbetet shenjë identifikuese e Kosovës dhe simbol i artistit që me veprën e vet komunikon në mënyrë autentike dhe përherë frymëzuese me një audiencë të gjerë muzikore”, theksohej në arsyetim.
Po ashtu vlerësohej se Nexhmije Pagarusha “është shembulli më i mirë i personalitetit që tërë jetën ia kushtoi zhvillimit dhe ngritjes së artit dhe kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo është frymëzim nxitës për brezat krijues dhe interpretues të artistëve”.Presidenti Sejdiu ka dekoruar znj. Pagarusha në 77-vjetorin e lindjes së saj dhe dekorimi u bë në bazë të Nenit 84, pika 28 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe në bazë të Nenit 3, 34 dhe 49 të Rregullores mbi Dekoratat, Urdhrat dhe Titujt e Nderit të Kosovës që i jep Presidenti i Republikës së Kosovës dhe Procedurat e Dhënies së tyre.
KOSOVA FITON ÇMIM SPECIAL NGA EUROPA NOSTRA PËR EPOSIN E KRESHNIKËVE
Nga Zymer Ujkan Neziri/
Projekti hulumtues shkencor nga Kosova: Eposi i Kreshnikëve-monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan: Kosovë, Shqipëri, Mal i Zi ((Krajë dhe Malësi e Madhe),Maqedoni (zona Kumanovë-Kërçovë), Serbi (Preshevë, Bujanoc, Medvegjë), 2012-2015, është fitues i sivjetëm i Çmimit Special të Jurisë “Europa Nostra 2016”. Bartës i projektit është prof. dr.Zymer Ujkan Neziri, Instituti Albanologjik i Prishtinës. Projekti është financuar nga Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë.
Në komunikatën për shtyp të Europa Nostrës, Hagë, më 4 maj 2016, thuhet se çmimet speciale të Çmimit të Bashkimit Evropian për Trashëgimi Kulturore / Europa Nostra Awards /2016- janë bërë sot publike nga Europa Nostra dhe Komisioni Evropian. Këtë vit, juritë e çmimeve kanë dhënë çmime të veçanta për 16 të arriturat e trashëgimisë nga 11 vende. Çmimet speciale janë dhënë për kontributin e shquar në ruajtjen dhe për përmirësimin e trashëgimisë, të cilat janë vlerësuar veçanërisht nga juritë, por të cilat nuk janë përfshirë në përzgjedhjen përfundimtare që të marrin një çmim. Fushat e vlerësuara me çmime speciale janë arkeologjia,arkitektura, restaurimi, konservimi, muzeologjia, kurse trashëgimia jomateriale përmendet vetëm në një rast në Spanjë dhe projekti ynë nga Kosova.
Për projektin nga Kosova, në kategorinë hulumtim, kryetari i Jurisë, prof. Işık Aydemir,thotë: se unë do të doja të Ju falënderoj për dorëzimin e aplikimit tuaj dhe për përpjekjet tuaja të rëndësishme në favor të trashëgimisë kulturore të Evropës. Në veçanti, Juria ka njohur një dimension ndërrajonal të hulumtimit, me rëndësi në të gjithë Ballkanin. Është e rëndësishme për të mbështetur këtë lloj të trashëgimisë jomateriale, e cila ka të bëjë me identitetin rajonal dhe evropian. Juria në veçanti ka vlerësuar origjinalitetin e hulumtimit në trashëgiminë jomateriale të Ballkanit.
Bashkëpunëtorë të këtij projekti janë: prof. dr. Shaban Sinani, Qendra e Studimeve Albanologjike,Tiranë, prof. dr. Zeqirja Neziri, Universiteti i Shkupit, prof. dr. Begzad Baliu,Universiteti i Prishtinës, si dhe nga Instituti Albanologjik i Prishtinës: dr. sc. Bashkim Lajçi, dr.sc. Albin Sadiku, dr. sc. Vlorë Fetaj-Berisha. Bashkëpunëtorë jo të rregullt të projektit janë: prof.dr. Hamit Xhaferi (Maqedonia Perëndimore), Nebih Balaj (Llap e Gallap), Fazli Hajrizi (Shalë e Bajgorës, Drenicë), Anton Prenkoçaj (Malësi e Madhe), kurse ekspertë të jashtëm janë profesor David Elmer, Universiteti i Harvardit, dhe profesor Nicola Scaldaferri, Universiteti i Milanos, tëcilët kanë dhënë vlerësime shumë të larta për këtë projekt. Kanë bashkëpunuar edhe rreth 90 vullnetarë terreni, si dhe afër 700 studentë të Fakultetit të Edukimit, Prishtinë, në krye me prof.dr. Begzad Baliun.
Rezultatet e këtij projekti, ndër më të mëdhenjtë e këtij lloji ndër ne e në Evropë, janë: 15 vëllime me këngë dhe tregime të shkruara (me mbi 5 mijë faqe) dhe 16 vëllime me anketa (afër 6 mijë faqe). Janë shënuar 440 këngë e motërzime, me 103 069 vargje, si dhe janë shkruar 69 tregime me 2 679 rreshta.
Subjekte të terrenit kanë qenë 235 këngëtarë e tregimtarë. Me kamerë janë 5 289 minuta incizim, nga Baton Z. Neziri. Rëndësia e këtij projekti, thuhet në paraqitje, është tejet e madhe për njohjen e traditave gojore të këndimit epik dhe të interpretimit, për ngritjen e vetëdijes dhe për ndryshimin e mendësisë për respektimin më të madh të trashëgimisë jomateriale, për ruajtjen e saj, për zhvillimin e qëndrueshëm dhe për promovimin e vlerave artistike, si dhe për ndërgjegjësimin e gjeneratave dhe rritjen e pjesëmarrjes së komunitetit, për ndërtimin e ndjenjës së vendit dhe të identitetit të pronësisë, për dialogun ndërkulturor dhe promovimin e diversitetit, për respektin e kreativitetit njerëzor në nivelet ndërkombëtare për vlerat që ka eposi shqiptar për trashëgiminë kulturore jomateriale. Ky material ka rëndësi për studime shkencore poetike,dialektologjike, fonetike, sintaksore, etnomuzikologjike, etnosociale, etnopsikologjike etj.
Çmimi special i Jurisë së Europa Nostra ka rëndësi tejet të madhe, sepse Eposi i Kreshnikëve për herë të parë vlerësohet në shkallë evropiane, duke i paraprirë UNESCO-s që këtë pasuri të madhe poetike shqiptare ta rendis në vlerat e trashëgimisë botërore të njerëzimit. Përveç Kosovës, shtete fituese të çmimeve speciale janë Gjeorgjia, Turqia (2), Britania e Madhe (2),Belgjika, Letonia, Spanja (3), Republika Çeke, Italia (2), Gjermania, Rusia. Ceremonia e dorëzimit të çmimeve të trashëgimisë evropiane bëhet në mbrëmjen e 24 majit në Teatrin Zarzuela në Madrid.
Festivali Folklorik “Hasi Jehon”në Kosovë përmbyllet me çmime
-Gjatë tre netëve të Festivalit, në sallën e shtëpisë së kulturës në fshatin Gjonaj, përmes programeve të 18 shoqërive kulturore artistike parakaloi foklori i trevave shqiptare, me veshjet karakteristike, ritet, zakonet e doket/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 5 Maj 2016/ Përfundoi mbrëmë me ndarje çmimesh edicioni i 27 i Festivalit Folklorik Hasi Jehon, i nisur në 2 maj, në Kodrën e Pajtimit në fshatin Gjonaj, rajon kufitar Kosovë-Shqipëri në rrethinën e Prizrenit.
Pjesëmarrësit ishin nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, ndërsa për paraqitjen më komplete të riteve dokeve, pjesës së folklorit burimor nga treva prej nga vjen me “Malësorin”, çmimin kryesor të festivalit, u nderua Shoqëria Kulturore Artistike “Besiana” nga Bresana, fshat në krahinën e Opojës në malet e Sharrit në lartësi mbidetare mëse 1.000 metra, në komunën e Dragashit, më jugoren në shtetin e ri, të dytë, të shqiptarëve.
Me çmimin “Malësorja” u nderua Shoqëria Kulturore Artistike “Ilirida” nga Shkupi, ndërsa me “Lauhtën e Festivalit Hasi Jehon 2016” u nderuan Ansambli “Bajram Shabani” nga Kumanova dhe Ansambli autokton “Rugova” nga Peja.
Me çmimin “Nazmije Hoxha”, që e mban emrin e këngëtares hasjane, u nderua Ganimete Asllani nga Mitrovica.
Me mirënjohje për vepër jetësore u nderua artistja hasjane Safete Rugova, të cilën drejtori i Festivalit Hasi Jehon, Haziz Hodaj, e quajti monument të kulturës hasjane.
“Ky festival sot quhet dasma hasjane, nëpër të cilën parakalon tradita e të gjitha viseve shqiptare, prandaj sot në Has nis dasma gjithshiptare”, është shprehur ai në fillimin e aktivitetit treditësh të Hasi Jehon.
Gjatë tre netëve të Festivalit, në sallën e shtëpisë së kulturës në fshatin Gjonaj, përmes programeve të 18 shoqërive kulturore artistike parakaloi foklori i trevave shqiptare, me veshjet karakteristike, ritet, zakonet e doket.
Para parakalimit në skenë të shoqërive kulturo-artistike, në sallën e shtëpisë së kulturës në Gjonaj, u hap ekspozita e prodhimeve të bukës dhe ekspozita e veshjes hasjane. Karakteristikë e këtij viti ishte demonstrimi i gatimit nga gratë hasjane si dhe përgatitja e materialit për veshjet karakteristike dhe origjinale hasjane.
- « Previous Page
- 1
- …
- 235
- 236
- 237
- 238
- 239
- …
- 544
- Next Page »