Zymer Ujkan Neziri/
(Kumtesë në konferencën e 50-të shkencore, ’’Baladat dhe audienca në kohë dhe hapësirë’’, Gjirokastër, në Universitetin ’’Eqrem Çabej’’, më 5 shtator 2022, organizuar nga Komisioni Ndërkombëtar i Studimit të Baladave (Kommission für Volksdichtung) dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë)
Balada në repertorin e rapsodëve të eposit heroik legjendar shqiptar: shembuj nga lahutarët e krahinës së Rugovës, shtrirja e saj përballë Eposit të Kreshnikëve, audienca në kohë e hapësirë në këtë krahinë të fisit të Kelmendit dhe vlerat e saj poetike, janë pikë qendrore të kësaj kumtese. Rugova është krahinë e Alpeve Shqiptare dhe ka katërmbëdhjetë katunde. Ato janë të vëllazërive të mëdha të Kelmendit: Lajç, Vukël e Nikç, si dhe pak Selcë. Ka edhe disa lagje të fiseve të tjera: Kastrat, Shalë e Shkrel, po edhe pak Berishë. Shtrihet në trekëndeshin Pejë, Plavë e Guci dhe Rozhajë. Është e njohur në histori për çështjen kombëtare në të gjitha periudhat e historisë, sidomos me Perandorinë Osmane, me Malin e Zi dhe me Serbinë. Në trashëgiminë kulturore është shumë e përmendur për të folmen e saj, sidomos për diftongun -ua, për veshjen kombëtare dhe për vijimësinë e riteve të lashta, të valleve e të këngëve. Është ndër zonat më të njohura të lahutës në Gadishullin Ilirik. Ajo është edhe shtrat i madh dhe tipik epik i këndimit të lahutarëve të këngëve të kreshnikëve dhe të baladave.
Projekti ’’Epika legjendare e Rugovës’’ (kërkime terreni për disertacion doktorate), në vitet 1979-1988, ka zgjatur rreth 600 ditë pune. Ishte ide e epikologut tonë të njohur, Qemal Haxhihasani. E realizova sidomos kërkimin e Eposit të Kreshnikëve dhe të baladave. Metodologjia e hulumtimit ishte punë kërkimore katund për katund, lagje për lagje e shtëpi për shtëpi i lahutarëve, aty, në Rugovë, dhe në Rrafsh të Dukagjinit, ku jetonin disa, si dhe i biografive dhe i repertorit të tyre të epikës legjendare.
Rezultatet janë ndër më të mëdhatë e kësaj fushe ndër ne: nga 45 lahutarë të atëhershëm janë mbledhur mbi njëqind mijë vargje, që ata kishin në repertor. Të gjitha këngët janë të incizuara në bobina magnetogoni, rreth dyqind orë. Janë edhe të traskriptuara e të shtruara në pesëmbëdhjetë vëllime. Pra, janë 355 këngë të kreshnikëve dhe vetëm 15 balada. Shumica e baladave janë mortërzime me motive të flijimit njerëzor për ndërtimin e urës, të rinjohjes vëlla me motër dhe vëlla me vëlla, të ruajtjes së nderit të rrezikuar nga borxhi i papaguar, si dhe të vëllavrasjes. Ato janë në repertorët e lahutarëve: Asllan Rama-Kastrati, Bajram Ibishi-Kuklecaj, Ibish Bajrami-Kurtbogaj, Ramë Çaushi-Elesaliaj, Ramë Cubi-Melaj, Rrustem Tahiri-Metujkaj, Mehmet Beka-Imeraliaj, Misin Nimani-Sejdaj, Rrustem Veseli-Vaçaj, Sokol Arifi-Lekëgjekaj.
Koleksioni ’’Epika legjendare e Rugovës’’ ruhen në Arkivin e Institutit Albanologjik të Prishtinës. Kjo sasi e tij ishte sa një e katërta e shumës me katërqind mijë vargje të fondit kombëtar, nga G. Majeri, më 1897, e deri më 2012. Nga pesëmbëdhjetë sish, vetëm tri vëllime janë botuar. Vlera poetike e tyre bën pjesë në radhën e krijimeve në të mira poetike të këndimit epik legjendar në krijimtarinë tonë gojore.