• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KRISTIANIZMI NGA SHEK.IV-VIII, NË TROJET SHQIPTARE TË MALËSISË SË MADHE E MË GJËRË

September 4, 2021 by s p

Ndue  BACAJ 

Hyrje 

Kjo kumtesë e vogël perballë vepres së madhe të kishës Kristiane në Malësi të Madhe , Shqiperi e më gjërë i ngjanë një rreze të vogel drite që perpiqet të ndriçoj  sadopak hershmërinë e përhapjes së kristianizmit në trojet tona. Kristianizmi ka qënë kurdoherë i “shoqëruar ” edhe me ndertimet e objekteve më të hershme  kristiane të kohës, (si Kisha, famulli, manastire  etj.). Ndertimi i objekteve të kultit kristian dëshmohet edhe në trojet e Malësisë së Madhe (Shqipëri) dhe në  zonat kufitare të fqinjës sonë Malit të Zi (Ish troje etnike shqiptare). Kisha Kristiane, vazhdimisht ka qënë fitimtare mbi errësiren e shekujve, duke perhapë qyteterim zhvillim e dritë. Sot kemi më nevojë se kurr të “zbulojmë” rrënjët e kësaj kishe, rrënjët e besimit dhe identitetit tonë Europerendimorë , rrënjë që u ngulitën në trojet tona që në shekujt e parë të përhapjes së Kristianizmit, dhe u konsoliduan nga shekulli i IV, kur me Ediktin e Milanos (viti 313) perandori i Romës, Kostandinit të Madh do të ndalonte persekutimin e përndjekjen e atyre që perhapnin e perqafonin besimin  Kristian… 

Histori e shkurtër e kristianizmit në Iliri…!  

Në  rrugëtimin e gjatë  të besimeve politeiste  (pagane), shoqëria njerëzore shkoi deri në atë pikë rëndje sa të sundohej nga veset e këqia dhe morali tepër i ulët. Në këto kushte vetë Krijuesi (Zoti) bëri emër që të lindë Jezu Krishti në Betlehem, siç edhe ishte paralajmëruar… Ai, para njerëzimit solli e përhapi doktrinën shpëtimtare të Kristianizmit. Kristianizmi nuk hyri lehtë si Fe e si Besim. Të parët tanë duke qënë nën sundimin e Romakëve nuk e kishin të lehtë të përqafonin këtë Fe e Besim që predikonte për atë si Shëlbohet njeriu, por edhe për atë si jetohet në këtë Botë. Kristianizmi kërkonte që rendi i ri social të bazohet në parimet morale të paraqitura në ligjin e Moisiut, në Dhjetë Urdhërimet e Tenzot. Kristianizmin në Iliri nuk e përhapën as misionarë Latin e as Grek, atë në trevat tona e përhapi njëri ndër Apostujt e Jezu Krishtit , Shën Pali i cili në letrën e tij derguar romakëve thotë: “Kështu qysh prej Jeruzalemit e përqark në Ilirik e kam përhapur Ungjillin e Krishtit”.1. Një dëshmi tjetër vjen edhe nga historiani i Kishës, Daniele Farlati , i cili pohon se  bashkësia e Durrësit ishte më e vjetra në Shqiperi , e formuar nga Apostulli  Pal , gjatë predikimeve të tij . Gjithashtu  ai vuri në dukje se në vitin 58  në  Durrës kishte 70 familje të krishtera , të cilat kishin si peshkop njëfarë Cezari apo Apolloni.2.  E ndersa perhapej me shpejtësi besimi Kristian, persekutimi e përndjekja e atyre që e perhapnin e perqafonin këtë besim vijonte…Përndjekjet e pergjakshme   nga perandoria romake janë të shumta , ku nga këto po kujtojmë ato nga koha e Decit (249-251) që zgjaten deri në kohën e Dioklecianit (284-305).3.  Kristianizmi si besim u lejua zyrtarisht vetëm nga Perandori Ilir, (nga Nishi i Dardanisë), Konstandini i Madh, në vitin 313, me Ediktin e Milanos, ku ky edikt ndër të tjera theksonte: “…Tash e tutje kush dëshiron të besoj në atë Fe mund  ta bejnë atë lirisht  ,hapur dhe pa pengesa…dhënien e të gjitha lirive të krishterëve për kryerjen lirisht të riteve të tyre…4.  Kostandini jo vetem e  zbatoi me perpikmeri Ediktin e tij ,por ndërmori edhe një seri masash të efekshme që e nxori krishterimin  nga katakombet në dritë të diellit , dhe kishat e katakombeve i zevendesoi me katedralet madhështore , ndër  ndertesat më të bukura që njerzimi kishte parë deri atëherë…5.  Pas kësaj në fakt pati një përhapje më të gjerë kjo Fe e ky Besim, e pikërisht disa studiues vendas e të huaj shkruajnë se Shqiptarët (Ilirët) u bënë në të shumten të Krishterë në shekujt e IV-V-të. Në këto kohë filloi edhe ndërtimi i tempujve e kishave ku ketë e verteton zbulimi i rrenojave dhe trashigimisë kristiane që janë gjetur në tërë territoret  Shqiptare, kuptohet edhe të Malësisë Madhe e më gjërë. Përhapja e Krishterimit në Iliri i përket historisë së shekujve të parë të këtij besimi. Gjurmet e paganizmit ilir zbehen shumë herët dhe zevendësohen nga të dyja kishat me motive të krishtera…6. Edhe pas vitit 395 kur perandoria e Romës u nda në dy pjesë , Kisha katolike shqiptare mbeti në mvarësi të Kishës së Romës.. Koncilet e këtyre kohëve dhe organizimi kishtar i më vonshëm, (si dhe fillimini ndarjes së kishes…) është kapitull në vehte, por nuk ndryshoi thuajse asgjë nga besimi. Kur Iliria (Shqipëria), u nda në provinca, ajo veriore u quajt edhe Prevali që shtrihej nga lugina e Zetës dhe Maricës në Veri, se bashku me Dardaninë e deri në lumin Shkumbin në Jug,  Doklea muar organizimin e qytetit  si “municipium”(bashki) romake  prej perandorit  Vespasian ose të bijëve..7. Dioklea është i qytet , ku mund të përvijohen deri në njëfarë mase linjat e urbanizimit  antik dhe topografia e re kristiane , që krijohet në brendësi të rrethimit të saj.8. Me krijimin e provincës së Prevalit, dhe me mjaft gjasa , aty nga fundi i shek.IV, Shkodra del për herë të parë në dokumentacionin burimor si një Peshkopatë. Më vonë bëhet e qartë , se ajo ka qënë seli kryesore peshkopale  dhe kryeqendër e provinces.9.  Si seli ipeshkvnore primare (deri në vitin 602), në Shqipëri duhet të konsiderohen  edhe Dioklea , Sarda, Shkodra…10. Historiani (Jirecek), si dhe disa studiues të tjerë shkruajnë; se qyteti i Dioklesë u rrënua në kohrat e stuhishme të shekullit VII, por emri nuk u harrua kurrë. Ai thotë  se këtu duket ka banuar një popullsi e vogël , ndonse ka qënë qytet i famshem…dhe seli e peshkopit të Diokleas…11.  Është interesant se ndonse për Dioklen si qytet thuhet  u shkaterrua  në shekullin e VII , si qëndër e rendesishme qytetare e fetare kjo vijon të njihet per disa  shekuj më vonë… Interesant duket pasi  Keshilli  i Dalmacisë  që u mblodh në shekullin e IX shpalli Dioklene  Kishë  mitropolitane , dhe i dha  si sufragane (të varur ) Shkodren.  Po nga ky burim  mesojmë se në vitin 877 Tivari tashma një seli peshkopesh  ishte nën varesinë e mitropolise së Dioklese…12. Madje studiuesi Hekardi, shkruan : “..Peshkopata e më vonë  kryepeshkopata  e Dioklesë , titullari i të ciles ishte metropolit i Shqiperisë, deri në vitin 927, kur ky qytet u shkaterrua nga  Simeoni i Bullgarisë. Kryepeshkopi i fundit i  Dioklesë quhej Gjoni , i cili (pas shkaterrimit të selisë ) u strehua në Raguze , ku u bë peshkop i ketij qyteti, duke  ruajtur  megjithatë  titullin e kryepeshkopit ,selia e metropolisë u  transferua në  Spalato (Split)..13. Ndersa Abanologu dhe historiani  i njohur Milan Shuflaj  shkruan: “ Qytetet romane  Dioklea , Sarda , Skampa , Apollonia , Amantia , Bylis , me kalimin e kohës  u shkatërruan pjesërisht nga sulmet armike dhe pjesërisht nga “kënetëzimi” i ngadalshëm, porse ipeshkviat e tyre nuk u zhduken , por pësojnë vetem një metamorfozë . Ndoshta ipeshkvi  i Dioklesë  e kishte rezidencen  e tij per një kohë të gjatë tek rrënojat  e ketij qyteti , porse tashma është jashtë çdo dyshimi , fakti  që në shek.XI  trashigiminë e tij e mori ipeshkvi i Tivarit…”.14. Vlenë të cilësohet se nga Dioklea kemi edhe një dëshmi tjetër mjaft interesante  paleokristiane , të ashtuquajturën “kupa e Podgoricës”. Kjo kupë qelqi e zbuluar rret vitit 1870, është botuar pë herë të parë nga Dumont në vitin 1873. Që atëherë ajo është marrë në dorë nga studiues të ndryshëm. Megjithatë ajo mbetet edhe sot një gjetje mjaft interesante e periudhës së hershme kristiane…15. Dëshmi të ndryshme të objekteve kristiane janë gjetur në varrezat e Kalldrunit (zbulim i viteve 1962-1963), ku perveç të tjerave janë gjetur edhe dy kupa qelqi të gjelbërt…16, si dhe në varret e gërmuara është gjetur  kryesisht një lëndë arkeologjike të shek.III-IV, të erës sonë me motive kristiane… Në Koplik (dhe sigurissht në rrethinën e gjërë të tij) janë parë rrënoja ndertimesh dhe se aty u gjetën , midis të tjerave një figurë e vogël bronzi e Hyut Lar, një togëz e rrumbullakët bronzi e perandorit romak Gordian III (vitet 238-242) etj…17. 

Pak Fjalë për persekutimin e Kishës ndër shekuj 

Shqipëria, Greqia dhe Dalmacia bëjnë pjesë tek vendet e vjetra të krishtera, të cilat u shkatërruan  nga dyndjet e sllavëve barbarë më pak se vendet e tjera , dhe në shek.IV-VI  kishin një topografi me emra shenjëtorësh  shumë të pëhapur. Në mesjetën e vonë hasim në mbetje të një kulture shumë të vjetër kishtare. Në emra korridoresh të dokumentuara takojmë edhe emra shenjtorësh dhe gjurmë të fshira kishash  të vogla, të ndërtuara dikur  mbi vende tempujsh paganë.18. Gjithsesi gjatë shekujve “..Fortuna  e  stuhia e detit , krisma e furia e ferrit janë perpjekur bashkë per t’i  perpirë kishat tona..”.19.  E mjerisht jo pak edhe kanë arritur , ndaj jemi “kështu”. Edhe kleri kristian u trajtua shumë  ashpër e dhunshëm., veçanarisht gjatë pushtimit turko-osman.  Meshtarët merreshin peng, e  prej tyre nxirreshin shperblime të majme , veçanarisht kur në “rrjetë”  binte ndonjë Ipeshkëv…20. Nëse ky shterngim i  lakut nuk do të jepte frutet e prituna , atëherë mund të vijohej me zbulimin e çative të kishave , per me pengue zhvillimin e riteve fetare , veçanarisht në dimër , ose do tu kerkohej  respektimi i rregullave  turke , të cilat nuk lejonin kisha ose ndertesa kulti  deri në largësi sa iu rrokte syni  autoriteteve turke.21. Janë  pikrisht  keto fortuna e stuhi që ndër shekuj  na kanë shkaterruar jo pak edhe nga dokumentacioni i hershmerisë  kishtare , duke na detyruar shpesh të marrim  referenca disi të vonëshme… 

KISHA TË SHEK. V  TË  ZBULUARA NË TROJET ILIRO-SHQIPTARE TË  MASLËSISË SË  MADHE… 

Nga mesi i dytë i shek.II deri në përndjekjet nga Diokleciani (303), kisha gëzon një fare paqeje , falë politikës së tolerances së ndjekur nga perandorët pasardhës të Valerit…. Në perendim themelohen njëqindë kisha , të shpërndara në një territor që shtrihet nga Iliria… deri në Spanjë.22. Në trysninë e lëvizjes së popujve dhe të forcave të natyrës në shek.VI dhe VII u zhduken shumë seli dioqezave  dhe nën sundimin e Justinianit u krijuan qytete të reja të fortifikuara , të cilat në atë kohë ose jo shumë më vonë paten edhe ipeshkvinjtë e tyre; paganë e sllave  futen me forcë në krahinën e  dikurshme të diokleatëve ilir…23. Megjithë këtë në trojet e Malësisë së Madhe janë zbuluar rrënoja të Kishave të Lashta si vijon:

 KISHA NË LOHE TË  SIPËRME: Në Lohe , si në  trevat e tjera Ilire të Malësisë së Madhe, besimi Kristian është perhapur e perqafuar që në shekujt e parë . Ketë e tregon më së miri edhe zbulimi i një  Bazilike trenefeshe  në fshatin Lohe e Sipërme . Sipas autorit të germimit (Zamir Tafilica), kjo  bazilikë është ndertuar mbi një varreze  të shekullit III. Në hapsiren e germuar pranë kësaj bazilike u gjetë edhe lendë arkeologjike …. Pjesen më të madhe  të kesaj lënde  e perbën qeramika , veçanarisht ajo e ndertimit , si copa tullash e tjegullash …  Mjaftë të pranishme janë edhe fragmentet e enëve të perdorimit të perditshëm… si enë tryeze  të llojeve e varianteve të ndryshme … Fragmente  vorbash që u perkasin shekujve  IV-V (mbas Krishtit)… Fragmente tasash tipesh të ndryshme , që mund të datohen në shek. II-III  mbas Krishtit. Kurse motivi zbukurues në një fund tasi  e vendos perdorimin e tij  ndermjet viteve  340-470 mbas Krishit.24. Gjithashtu u gjeten edhe kryqe e copa të kryqeve, të skalitura në gurë apo matriale rrethanore…

KISHA E  SHEK.V-të  NË HOT : Prej kohësh në Hot të Malësisë Madhe  (në një vend me toponimin e vjetër Kirza), nga banorët vendas “thirrej” edhe  Gomila e Kishës, thuhej se ka pas ekzistuar një kishë shumë e  vjetër e mbuluar nga gurët , dheu , shkurret , ferrat e drurë të ndryshem pyjor… Nga eksplorimi i rrënojave të kësaj Kishe në Hot u zbulua një “inventarë i bollshëm” i eksponateve apo copave arkitektonike si: kapitele dhe kollona guri të zbukurrara me gëdhëndje. Copëza (kolonash) prej guri, me gdhendje me motive florale -bimore, shpendësh dhe kafshësh (të egra). Copa dhe copëza me zbukurim me gdhendje me motive të ndryshme. Nga gëdhendjet në gurë bie në sy kryqi , me një simetri perfekte e mjaftë impozante.  Copëza të kapiteleve të dritareve, të kapiteleve për shtylla e pilastra  si dhe copëza të pllakave ndarse të nefeve. Copa të baptisterit  apo kthine ku bëhej pagëzimi. Copza nga lteri , copëza me skalitje apo gëdhendje të ndryshme në matrial tjegulle e tulle. Si dhe ndonjë copëz amfore qeramike. Gjithashtu shohim copëza nga “mozaiku” me gëdhendje në gurët e dyshemes (shtrojes) , ose veshjeve ansore , të brendësisë së kishës. Në “inventarin” e eksponateve të zbuluara të kishës ka copza që ngjasojnë me ato të “ikonostaseve”. Duke vrojtuar me kujdes ndonjë copëz pllake  na duket se   ngjason sikur të ishte mbetje nga ndonjë pllakë sarkofagu…  Nuk mund të mohohet se nga “inventari” i gjetur ka ndonjë copëz urne apo stele etjer. Për aq murë sa dallohet qartësisht , ai ngjason me murin ilir…25. 

TRASHIGIMI  (të shkruara e gojore) DHE TOPONIME  KISHASH, NË  MALËSI…    

Në Grudë (Dinoshë),  për shekuj , perveç ndertimeve urbane (qyteza etj..) ka pasur të ndertuar një ndër kishat më të hershme e më të njohura të trojeve të Malesisë Madhe e më gjërë , Kisha e  Shën Mhillit , themelet e të ciles i perkasin të pakten shekullit të pestë…(Kjo e pa eksploruar deri tani). 

Në krahinen e  Hotit… gjendet një Gërmadh që ndodhet në anen perendimore të lugines së Spinjës , ku nga Qafkisha  ose Qafa e Kishes  lejon kalimin  mbi kodren që ndanë  luginen e Spinjes me fushen e Tuzit.  Rrenojat i kanë dhënë emrin e Qafes. Ato njihen nga rrëfimet si mbetje të një Kishe… Megjithatë  mbetjet e mureve , per aq sa duken sipër tokës nuk lënë ta dallosh karakterin e asaj ndertese. Ajo formon një  drejtekendesh me gjatsi 14 hapa dhe gjerësi 5 hapa , anët e ngushta  të të cilit janë në formen e një Apside Kishe…”.26. 

Në Koplik, është një tokë që quhet me emrin popullore Amull (afer liqenit të Shkodres,) ekziston toponimi KISHET , çfarë tregon se në këtë vend para qindra vitesh  kishte të ndertuara një Kishë apo më shumë , që i sherbenin  qendrës urbane të banuar të  Koplikut , i cili siç dihet shtrihej që nga  Kalldruni e vijonte në drejtim të Shkodres së kohes.. Ketu janë gjetur  matriale të vjetra ndertimi ( tulla , tjegulla , gurë, llaç gelqereje e tjer). Gjithashtu  janë konstatuar themele kishash   dhe varresh  me simbole të qarta kristiane (kryesisht katolike) ,si dhe mbetje të ndertimeve të tjera civile.. Gjithashtu në varret e identifikuara, janë gjetur edhe  rrasa guresh në të cilat dalloheshin skalitje të  kryqeve  dhe figurave  të ndryshme shenjetoresh.. Është interesant të theksojmë  se toponimi  Kishej (Chisagno) ka ekzistuar edhe si emer i një qendre të banuar apo fshati i varur nga Arqipeshkevia e Shkodres, madje një studiues  shkruan se Kisha e Shkodres kishte shumë martirë , dhe i pari per të cilin flitet është Marku, famulltar i Kishajt , fshat që sot  nuk ekziston…27.  Ndoshta në ketë kompleks  kishash duhen kerkuar kishat e njohura që u kushtoheshin  Shen Marisë  e  Shen Lukes etj..  Po në Koplik mbi vendin e quajtur Godeja njihet edhe sot  toponimi Kisha e Qerkut  (disa i thonë kisha e Çardakut ). Këtu  deri vonë  mbahen mend  edhe themelet e një kishe katolike  dhe shumë varre  përreth saj. Këto varre kujtohen se kanë qenë të sistemuara me matriale dhe rrasa guresh  dhe simbole kryqi.. Gjurmet e fundit të ketyre vlerave historike (të pa eksploruara nga specialist të kesaj fushe ), janë “zhdukur” në vitin 1968 ,kur kooperativa bujqesore me mjetet e kohes punoi , germoi e rrafshoi këto vlera… Një toponim tjeter  që perdoret edhe sot  është ai  që quhet Kisha e Ograjes . Në ketë vend  mbahen mend edhe themelet e një kishe  të vjetër (shumshekullore), si dhe disa varre perreth. Varret e Kishes së Ograjes  anash ishin të ndertuara me mure guri , si edhe me matriale prej rrasash guri. Edhe ketu nuk mungojeshin simbolet kristiane, si kryqe e tjer…28. Sipër qytetit të sotëm të Koplikut  ekziston edhe toponimi Kisha e  Prozhmit , mbi lagjen e sotme Llazan të  Koplikut, ku ky vend dikur ka qënë pyllë apo prozhem… 

Në Fshatin Maçovilë deri para 50-60 viteve kanë ezituar disa rrënoja që identifikoheshin nga banorë me një Kishë shumë të vjetër. 

Në Bajzë të Kastratit disa rrënoja shumë vjetra edhe sot identifikohen me emrin Kisha e Çartun. 

Në Zagorë (Shkrel) njihet toponimi , Kryqi i Kolajve, në fshatin Vuçë (Shkrel) ka pak rrenoja që dallohen ku edhe sot këtij vendi i “therrasin” Te Kisha. 

Në Vukël-Kelmend, trashigohet emri i vjetër i Kishës së Shën Klementit, 

“Gjurmë” të tilla toponimesh kristiane mund të “takohen” në Malin e Maranajit etj.  Por gjurmë të “kishave” të lashta (shek.IV-VIII e më të vonshme) mund të gjiden  në Kalatë , qytezat apo qendrat urbane të hershme të Malësisë së Madhe e më gjërë, si ajo e Marshejit, Podgorës, Hotit, Medunit (kryeqyteti rezervë i Ilirisë) e deri te ajo më e vonë si Ballaza e Rrjollit etj. Të gjitha këto të pa eksploruara nga arkeolog e specialist të kësaj fushe…

Lashtesia e krishterimit ndër Iliro-Shqiptarë dëshmohet edhe me antroponimet e shumta kristiane   

Lashtesinë e krishterimit ndër shqiptarë e dëshmojnë edhe me antroponimet e shumta kristiane , të cilat janë përhapur bashkë me fenë e Krishterë që në mijëvjeçarin e parë. Ndër emrat më të vjetër kristian , me përhapje në Veri e në Jug , janë : Gjon, Gjin, Gjergj, Shtjefen, Pjetër, Ndue (Anton), Lukë, Mark, Nikollë, Kolë, Llesh (Aleksandër), Mhill, Tomë, Mateo, Andrea, Nikë, Kostandin, Mri, Marie, Prenë, Luke , etj.29. Siç shihet emrat më të spikatur Kristian, me të cilët pagëzonin fëmijët, Iliro-Shqiptarët  pas perqafimit të besimit Kristian ishin ata të apostujve e shenjëtorëve Kristian. Vlenë të cilësohet se edhe ndër popujt e tjerë që përqafuan besimin Kristian, duke përfshirë edhe fqinjët tanë Malazez muarën mjaft emra kristian të shenjëtorëve të ketij besimi apo kësaj feje monoteiste, pavarësisht nga “tingëllimi” i këtyre emrave në gjuhen e tyre. Por ama historia e Kristianizmit (shpesh) na bashkoi, edhe pse së “voni” edhe na ndau, në besim e qytetrim. Rrënjët e besimit e qytetrimit Kristian (që po mundohemi t’i ridimensionojmë…) duhet të na sherbejnë jo pak për një fqinjësi më të mirë për të sotmen e të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Europian…

Referencat: 

1.Bibla, letrat derguar Romakëve 15;19. 

2.Edwin  Jacques ,Shqiptarët , fq.159 , botim nga fondacioni Abraham Linkoln 1995.

3.Zef Mirdita; Gjashtë shekujt e parë të Kristianizmit  në trevat Iliro-Shqiptare, Krishtërimi ndër shqiptarë,simpozium ndërkombëtar Tiranë, 16-19 nëntor 1999, fq.36, botua Shkodër 2000.

4.“ILIRIA BIBLIKE” ….pergatitur  nga Nikollë  Loka e Gjet  Kola , fq.25. 

5.Iliria  Biblike …perg. nga Nikollë Loka e Gjet  Kola , po aty, fq.24. 

6.Dr. Milan fon Shuflaj ,Situata të Kishës  në Shqiperinë paraturke ,fq.25 , botime Franceskane , Shkoder 2013. Perkthyer dhe perg. per botim Dr. phil. MA Edmond Malaj.  

7.Dr.Konstantin Jirecek [Shkodra e krahina e saj ne mesjet] Vezhgime Iliro-shqiptare,fq.109. 

8.Gëzim Hoxha , Procesi i kristianizimit në Provimncën e Prevalit deri në fillimin e shek.VII, Krishtërimi ndër shqiptarë,simpozium ndërkombëtar Tiranë, 16-19 nëntor 1999, fq.76, botua Shkodër 2000.  

9.Gëzim Hoxha , Procesi i kristianizimit në Provimncën e Prevalit deri në fillimin e shek.VII, Krishtërimi ndër shqiptarë, po aty fq.69. 

10.Dr. Milan fon Shuflaj ,Situata të Kishës  në Shqiperinë paraturke , fq.28.  

11.Konastantin Jirecek ,po aty fq.111. 

12.Hyacinthe  Hecquard ,Historia dhe pershkrimi i Shqiperisë së Eperme ose i Gegerisë, fq.51 + fq.420.   

13.Hyacinthe  Hecquard , po aty, fq.413.  

14.Dr. Milan fon Shuflaj ,Situata të Kishës  në Shqiperinë paraturke ,fq.32 , botime Franceskane , Shkoder 2013. Perkthyer dhe perg. per botim Dr. phil. MA Edmond Malaj. 

15.Gëzim Hoxha , Procesi i kristianizimit në Provimncën e Prevalit deri në fillimin e shek.VII, Krishtërimi ndër shqiptarë, po aty fq.82. 

16.Skender Anamali dhe Damian Komata ; Varrezat e Kalldrunit , Kumtari i   Muzeut popullor të Shkodres (3-4),fq.96, 1978. 

17.Skender Anamali dhe Damian Komata, po aty fq.104. 

18.Dr. Milan fon Shuflaj ,Situata të Kishës  në Shqiperinë paraturke , po aty fq.122. 

19.Kuvendi i Arbenit 1703,  fq.35 , botim i Shpresa Prishtine 2003. 

20.Letër  e dom Nikollë Gjorgës e 29 dhjetorit 1748 , Italo  Sarro , kontribut  per historinë kishtare të Shqiperisë së Eperme  shek.XVII-XIX  ,fq.12 ,botime Franceskane ,Shkodër 2015. 

21.Relacion  i  ipeshkvit  Pal Kampsi mbi vjetin 1757 , Italo Sarri ,po aty fq.40-41. 

22.Michel Lemonnier O.P. , HISTORIA  E  KISHES, po aty, fq.66. 

23.Dr. Milan fon Shuflaj ,Situata të Kishës  në Shqiperinë paraturke ,po aty fq.31… 

24.Zamir  Tafilica , Muzeu  Historik i Shkodrës , Kumtari-6- fq.43-51, Shkodër 1993. 

25.Kisha u Ekplorua nën drejtimin e arkeologut të njohur, Prof. Gëzim Hoxhës, si dhe në kuadër të projektit: “Rritja e bashkëpunimit, antikitetet e krishtera në funksion të zgjerimit të turizmit” ,  financuar nga Bashkimi Evropian, si pjesë e Programit të Bashkëpunimit ndërkufitar IPA Shqipëri – Mal i Zi. E zbatuar nga Dioqeza e Budimjes dhe Nikshiqit, në bashkëpunim me  ACA – Albania Community Assist (Asistencë për Komunitetin në Shqipëri), Muzeun Polimlje – Berane, dhe Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Arkeologjisë-Tiranë , si dhe në  bashkëpunim me Bashkinë Malësi e Madhe. Konferenca e promovimit u organizua në Hot te vendi i rrënojave të  zbuluara të bazilikës , kishës paleokristiane dhe e drejtuar nga Znj.Holta Koçi , drejtore e Asistencës për Komunitetin në Shqipëri. është promovuar në Hot me 27 shtator 2019. 

26.Theodor  Ippen ,SHQIPERIA E VJETER, Studime gjeografike ,etnografike e historike…fq.259.  

27.Hyacinthe  Hecquard, po aty ,fq. 421. 

28.Gojdhëna të mbledhura nga unë N.B. , të cilat qarkullojnë edhe sot nga banorët vendali të Koplikut.   

29.Kolec  Topalli, Lashtesia e krishterimit ndër shqiptarë sipas dëshmive të gjuhës shqipe,  Krishtërimi ndër shqiptarë, fq.405-407. 

*. Voo: Kjo kumtesë ka qënë pergatitë për t’u mbajtur nga autori, në simpoziumin shkencor të zhvilluar në Berane të Malit të Zi nga dt.03-05 gusht 2021. Simpozium është mbajtur nën kujdesin e Ipeshkëvisë Budinje-Nikshiq, por për aresye objektive autori i  kesaje kumtese ( i ftuar si kumtues në këtë simpozium) nuk e kishte të mundur të merrte pjesë fizikisht.

Filed Under: Histori Tagged With: Krishterimi, malesia e Madhe, Ndue Bacaj

Ndihmesë me rëndësi për etnokulturën e Hotit të Malësisë së Madhe

January 17, 2021 by dgreca

(Libri Shoqëria kulturore-artistike “Rapsha”, Dru­me, Hot, Malësi e Madhe, dyzet vjet  të vep­­r­imtarisë, kryeredaktor dhe përgatitja për shtyp: prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, Tuz, 2018, 438 f.) /

Nga Prof. Zymer Ujkan Neziri/ Dielli

Libri Shoqëria kulturore-artistike “Rapsha”, Dru­me, Hot, Malësi e Madhe, dyzet vjet të vepr­­imtarisë, hapet me“Parathënien” e hartuar me shumë kujdes dhe me të dhëna të shu­­mta nga Prëlë N. Junçaj, me titull: “Dyzet vjet të ve­primtarisë së shoqërisë kul­tu­rore-artistike “Rapsha” e Drumes së Hotit të Ma­lë­sisë së Madhe”. Në vijim është Hyrja: ’’Dëshmi për dyzet vjet të veprimtarisë së shoqë­risë kulturore-artistike “Ra­p­sha” e Drumes së Hotit të Malësisë së Madhe’’.

Pjesa e parë e librit përbëhet nga punimet studimore, të shkruara posaçërisht për këtë përvjetor, nga autorë të njohur në disa fusha të alba­no­logjisë: gjuhësi, fol­k­lo­ri­stikë, etnologji, etno­muzikologji dhe etnokoreografi. Pjesa e dytë e librit, Akti­vi­te­te, ka të dhënat kryesore të punës gjatë dyzet vjetëve të kësaj shoqërie kulturore – ar­ti­stike: pjesëmarrje në festivale të folklorit, organizimi i festivaleve të foklorit, pjesë­ma­rrje në manifestime kulturore dhe organizime të manifestimeve kulturore. Në pjesën e tretë janë të renditura këngët e kënduara gjatë dyzet vjetëve në SHKA ’’Rapsha’’, të lek­tu­ruara me kujdes nga mr. sc. Marjan Lulgjuraj, që po ashtu kanë rëndësi shumë të ma­dhe për trashëgiminë tonë kulturore në fushën e lirikës dhe të epikës gojore të Malësisë së Madhe. Në pjesën e katërt janë renditur ven­di­met, reagimet, mirë­njo­hjet, çmimet dhe shkrimet e gazetave. Pasojnë Pasthënia, Regji­stri i emrave të njerë­zve dhe Regjistri i emrave të vendeve.   

Pjesa e punimeve studimore fillon me fushën e gjuhësisë, ku prin akad. i asoc. prof. dr. Gjo­valin Shkurtaj, me punimin studimor shumë me interes “E folmja e Hotit dhe vlerat e saj dialektologjike e etnolinguistike”, ku konstaton se të dhënat nxjerrin në pah afri­në shumë të madhe që kanë të folmet e Malësisë së Madhe njëra me tjetrën, sa mund të flitet si për një të folme të vetme, me disa dallime e luhatje. Të folmet e Malësisë së Madhe, sipas tij, dallohen prerazi nga të folmet e tjera të grupit veriperëndimor dhe të mbarë gegërishtes edhe për arsye të ruajtjes së togjeve uo dhe ua, për fja­lë­for­mim e leksik dhe për raste të rralla të rotacizmit, kurse në të folmen e Hotit da­llo­hen edhe formimet e emrave fare­fisnorë të shkallës së tretë zanafillore, tog­fja­lë­sha të qëndrueshëm e fra­zeolo­gjizma.

Nga fusha e folkloristikës, prof. dr. Zymer Ujkan Neziri paraqitet me punimin studimor “Eposi i Kreshnikëve në fillim të shekullit XXI: Malësia e Madhe me qendër në Tuz”, ku, në kuadër të projektit ballkanik E5, për UNESCO (15 vëllime), trajton vëllimin me këngë nga kjo ane, të hulumtuara, të shënuara dhe të inci­zu­ara në vitet 2012-2014. Lahuta (lavda), këtu ende përdoret, si në kohën e mble­dh­ë­sit të parë, Nikollë Ivanaj (1905), ku kreshnikët vazhdojnë së jetuari edhe në shek. XXI. Legjendariteti, fantastikja, mitikja, rrë­fimi i gjatë epik, Ora e Zana ende e mbajnë themelin e këtyre këngëve. Shquhen edhe formulat, figu­ra­cioni poetik, pamjet poetike, portretet e heronjve, dialogu, dyluftimet, tiparet etike e morale, ko­de­ksi i nderit, leksiku vendor etj. 

Nga fusha e folkloristikës edhe dr. sc. Ismail Doda paraqitet me punimin studimor “Këngët kreshnike dhe baladat e rinjohjes në Hot, Malësi Madhe”. Gjatë hu­lum­ti­me­ve më 1988, në Drume të Epërme, ka mblodhur dhe ka incizuar edhe dy këngë për Mujon e Halilin dhe dy balada. që trajtohen në këtë punim: realizimi i dë­shi­rave dhe i planeve të personazheve, bëmat e tyre, mbajtja e besës, fuqia shprehëse gjuhësore, folklorike dhe estetike e vargjeve, interpretimi, roli i kalit e martesat me rrëmbim, Aga Imeri e rinjohja me gruan e parë pas kthimit nga Spanja në Ulqin etj. Autori vë në pah edhe risitë, elementet e veçanta dhe të përgjithshme të kë­ng­ë­ve në kuadrin gjithëkombëtar dhe më gjerë. 

Studiuesja prof. dr. Afërdita Onuzi, nga fusha e etnologjisë, paraqitet me punimin studimor “Xhubleta shqiptare nëpër shekuj”. Që në fillim konstaton se ndoshta asnjë veshje shqiptare nuk është konsideruar aq simbolike sa ajo me xhubletë, e përdorur nga gratë e zonës alpine të Shqipërisë Veriore. Veçoritë e kësaj veshjeje kanë tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve. E veçanta qëndron kryesisht në prerjen e saj. Mbi të gjitha, veshja me xhubletë ka një sistem dekorativ shumë të rrallë, ashtu si edhe repertori i motiveve, por simbolika e tyre fatkeqësisht ende nuk është trans-kriptuar, pohon ajo dhe përfundon se veshjet në terakota janë me pamje fundi në formë këmbane (si e xhubletës së malësive shqiptare), të njohura që në mijë­vje­ça­rin e dytë para Krishtit. 

Dr. sc. Rovena Vata paraqitet me punimin studimor “Frymimi shqip i kulteve, i dokeve, i zakoneve dhe i simboleve kombëtare në Hot”. Krahina e Hotit të Malësisë së Madhe është dalluar për traditë kombëtare dhe kjo traditë vazhdon edhe sot e kësaj dite, në ruajtjen dhe në kultivimin e saj, në ceremonitë e lindjes, të dasmës apo të vdekjes, thotë ajo. Kultet, doket e zakonet edhe në këtë krahinë ruhen si shtre­së­zime kulturore përgjatë shekujve, përfundon ajo, duke shtuar se tradita është tre­gues i karakteristikave sociale dhe individuale të njeriut, të shijeve të tij es­tetike, të karakterit, të moshës, të gjinisë dhe të etnisë edhe në Hot dhe në Ma­lë­sinë e Madhe. 

Nga etnomuzikologjia kemi punimin e ma. sc. Esat Ruka, “Vështrim etnomuzikor i repertorit në festivalet folklorike të SHKA-së“Rapsha” -Hot, Malësi e Madhe: Disa mendime rreth organizimit të festivaleve folklorike kombëtare”, ku flet për or­ganizimin e festivaleve folklorike dhe konstaton se në rreth 80% të programeve të tyre të performuara në skenë tingëllojnë jonet muzikore. Por, nga përvoja jonë or­ganizative dhe skenike, thotë ai, analizat dhe vlerësimet etnomuzikologjike dhe et­no­organologjike janë të pakta. Në këto veprimtari të dimensioneve të mëdha është e nevojshme prania e specialistëve, e ekspertëve folkloristë, etn­olo­gë, et­no­mu­zi­ko­lo­gë e koreologë dhe kontributi i tyre analitik, përfundon autori. 

Nga etnokoreografia, ma. sc. Dilaver Kryeziu, paraqet punimin “SHKA “Rapsha” e Hotit të Malësisë së Madhe, organizuese e festivalit të madh folklorik në Vitojë: këngët dhe vallet -epika dhe lirika”. Krahina e Malësisë së Madhe ndryshon nga të gjitha krahinat shqiptare, sepse mbizotëron epika, thotë ai. Ndër pasuritë më të mëdha të kësaj zone konsiderohen të jenë këngët dhe vallet malësorçe me epikën dhe me lirikën e tyre, sidomos vallet njëshe dhe dyshe. Interpretimi, larushia kos­tu­mografike unike (xhubleta), indentifikojnë folklorin e Malësisë së Madhe. SHKA “Rapsha” është organizuese e festivalit të madh folklorik në Vitojë, ku këto vlera të mëdha etnolkuture pasqyrohet që dyzet vjet.

Haziz Hodaj, kryetar i SHKA “Malësori”, shkruan artikullin “Binjakëzimi / Vëllazërimi: U bashkuam për t’mos u ndarë kurrë”, duke theksuar që në fillim se nga viti 2002 SHKA-së “Malësori” Gjonaj, Has, ka një motër në Malësinë e Madhe – SHKA “Rapsha” e Drumes së Hotit. Sot, gati dy dekada pas asaj kohe, thotë ai, është i freskët momenti i paraqitjes në skenën e festivalit “Hasi jehon 2001” të SHKA – së “Rapsha” nga Drumja e Hotit. Ishte vëllazëror jetësimi i kësaj aspirate për binjakëzimin. Propozimi u bë në Gjonaj, ndërsa u konkretizua në Vitojë, në gu­sht të vitit 2002, atëherë kur “Rapsha” organizoi festivalin e parë me SHKA-të shqi­ptare aktive të Malit të Zi. 

Në vijim, Agron Dizdari shkruan artikullin “Për miqtë e mi në SHKA “Rapsha”: Për brezat në vazhdimësi” dhe fillon me mendimin se vallet e bukura, epike dhe lirike, në “Rapshë” janë punuar me mjeshtëri, që të spikasë e bukura, e fuqishmja, delikatesa, harmonia, burrëria, dashuria, pra, shpirti i malësorit. “”Rapsha”, i ka kushtuar vëmendje edhe instrumentistëve, që shoqërojnë këngët e trimave dhe të burrëreshave me tematikë nga e kaluara e lavdishme dhe shqetësimet e sotme. Id­e­ali dhe ndjenja kombëtare janë lajtmotivi kryesor i aktiviteteve të tyre. Kostumet popullore janë ruajtur me fanatizëm. Sa do të dëshiroja që punën e palodhur të kë­s­aj shoqate të nderohej me titullin “Nderi i Kombit”, përfundon autori. 

Ma. sc. Anton Lajçaj vjen me artikullin “Roli i mërgimtarëve me banim në SHBA, në përkrahje të SHKA-së “Rapsha”. Shumë shqiptarë nga Malësia e Madhe me qe­ndër në Tuz morën rrugën e gurbetit, shkruan ai. Në mesin e tyre ishin edhe ba­shkë­themeluesit e shoqatës “Rapsha”, që asnjëherë nuk e harruan. Ajo,  për shu­më rapshjanë ka qenë një ideal. Mërgata në SHBA ishte mbështetësja e saj kry­e­s­o­re financiare për 40 vjet. Mërgata rregulloi “Skenës verore” në Vitojë, më 2003. Më 2008, vazhdon ai, formuam “Fondin Humanitar Rapsha” në Detroit, kurse më 2010 u formua edhe SHKA “Rapsha” në mërgim, në kuadër të Fondit, me ish – an­ë­­­tarë të “Rapshës” dhe me pasardhës ra­pshjanë të lindur dhe rritur në Amerikë. 

Pjesa vijuese e librit, e përgatitur me shumë zell e vullnet të madh nga Prëlë Ju­n­çaj, që ka të dhëna për dyzet vjet aktivitete të “Rapshës”, është shumë e rëndë­si­shme, por  edhe bën të jetë model për historikun e shoqërive të tjera kul­tu­rore – artistike.

Libri mbyllet me “Pasthënie” dhe me regjistrin e emrave të njerëzve e të vendeve, pu­­­në me shumë vlerë nga Avdi Gashi dhe Valon Fetahu. Tekstet e librit janë shqy­r­­tuar me shumë përkushtim nga Këshilli Botues, po edhe nga recensuesit e re­dak­to­rët: akad. prof. Zeqirja Ballata, dr. sc. Ardian Ahmedaja, prof. asoc. dr. Bashkim La­jçi; prof. dr. Afërdita Onuzi, prof. dr. Zeqirja Neziri, prof. as. dr. Albin Sadiku, mr. sc. Esat Ruka. 

Kjo vepër është përgatitur për shtyp sipas stan­dar­de­ve teknike-shken­co­re: pu­ni­m­et studimore kanë shkurtore (ab­­s­tra­kte), fjalë çelësa, përfundim, rezyme në gju­h­ën angleze dhe bibliografi. Ma­dje, edhe artikujt kanë rezyme në gjuhën ang­le­ze, për hir të lexuesve të shumtë në Evropë e në SHBA. Edhe fotografitë sjellin dëshmi me shumë peshë dhe e plotë­so­jnë e e zbukurojnë librin Shoqata kulturore-artistike “Ra­p­sha”, Drume, Hot, Malë­si e Ma­dhe, 40 vjet të veprimtarisë, që bën të kon­si­de­ro­het ndihmesë me shumë rëndësi për etnokulturën shqiptare të Malësisë së Madhe.

Filed Under: Kulture Tagged With: Etnokultura e Hotit, malesia e Madhe, Zymer Ujkan Neziri

Do të përkujtohet në Nju Jork 106 VJETORI i Kryengritjes së Malësisë së Madhe

March 16, 2017 by dgreca

LAJMRIM/1 Malesia

Lajmërojmë  komunitetin shqiptar  se  Shoqata  “MALËSIA E MADHE” me veprimtari në New York , në kujtim të 106 vjetorit të Kryengritjes  së Malësisë së Madhe , organizon mbrëmje festive .

Ky aktivitet do të mbahet me 8 prill , 2017 në restorantin Eastwood Manor Bronx New York , duke filluar nga ora 7:00PM .

Ejani te kujtojmë dhe festojmë sëbashku  këtë ngjarje me rendësi të veçantë për  historinë e gjatë e të mundimshme , por edhe krenari e e lavdishme e popullit shqiptar .

Hyrja është 70 dollarë kurse për fëmijë 35 dollarë .

Për bileta dhe informata te tjera mund te kontaktoni;Lek Gjolaj 914-806-6257 Leonardo Berishaj 917-592-5757 Gjon Gjokaj 917-741-8600 Fado Decaj 646-750-4480 dhe Nikoll Juncaj 646-242-7163

Filed Under: Komunitet Tagged With: 106 Vjetori, Ejllo Berisha, i Kryengritjes, malesia e Madhe

Njoftim nga Shoqata “Malësia e Madhe”, NY

October 29, 2016 by dgreca

1-kronologjiaShoqata “Malësia e Madhe”, Orë përkujtimore në nderim të Mjeshtrit Gjelosh Gjokaj/

2-gjeloshNjoftohen pjesëtarët e komunitetit shqiptar të New York-ut dhe të gjithë të interesuarit e tjerë se Shoqata “Malësia e Madhe”, me seli në New York, organizon Orën përkujtimore me rastin e vdekjes së piktorit të madh shqiptar, me përmasa botërore, Akademikut Gelosh Gjokaj, i cili u nda nga kjo jetë më 25 shtator në Gjermani, ku i kaloi vitet e fundit të jetës.

4-gjelosh

Për rrugën jetësore dhe krijimtarinë artistike të këtij kolosi të artit, do të flasin njohës të jetës dhe veprës së tij nga Malësia, Kosova dhe Shqipëria, si dhe përfaqësuesi i familjes së të ndjerit Gjokaj.

1-piktura-e-gjokaj

Ora përkujtimore do të mbahet në lokalin Eastwood Manor Caterers,371 Eastchester Rd,Bronx NY 10469, ditën e diele, më 13 nëntor 2015, në orën 2 PM.

Ejani t’i japim nderimin e fundit dhe të përkujtojmë piktorin e madh shqiptar, Akademikun e ndjerë Gjelosh Gjokaj, që ka lënë pas vetes mbi 3000 vepra artistike.

Shoqata “Malësia e Madhe”- New York

logo-e-malesiseK r y e ta r i

Ejllo Berishaj

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Ejll Berisha, Gjelosj Gjokaj, malesia e Madhe, Ore perkujtimore

New York, Shoqata “Malësia e Madhe” shpallë konkursin për bursa studentore

August 16, 2015 by dgreca

Shoqata Malësia e Madhe – New York në mbledhjen e radhës solli vendimin e hapjes së konkursit për bursë studentore për vitin akademik 2015-2016. Të drejtë burse kanë të gjithë ata studentë të cilët përmbushin kërkesat e parashtruara nga Shoqata Malësia e Madhe – New York.
Përparësi në përfitim të bursës kanë studentët e dalluar malësorë të cilët ligjeratat i ndjekin në gjuhën shqipe. Aplikantët këshillohen të lexojnë me vëmendje formularin përkatës për bursë i cili specifikon kushtet e konkurimit.
Aplikantët këshillohen që materialin e tyre aplikues ta postojnë në adresën e
Shoqatës Malësia e Madhe – New York. Një veprim i tillë përshpejton proçesin
aplikues të çdo studenti. Gjithashtu ne u bëjmë apel aplikantëve që dokumentacioni i tyre të paraqitet sa më dinjitoz, i printuar, duke respektuar normat aplikuese.
Kërkojmë nga aplikantët që të jenë të vëmendshëm në plotësimin e dokumentacionit të kërkuar. Vetëm aplikacjonet e plota do të merren parasysh. Jeni të këshilluar që dokumentacjonin e pa plotësuar ta mbani te vehtja juaj deri në momentin kur të jenë i plotë me ç’rast do ta postoni në adresë të Shoqatës. Çdo aplikim që ka vulen postare pas 1 nëntorit 2015 nuk do të merret parasysh. Për çdo informacion të mëtejshëm mund të kontaktoni zyrën e Shoqatës Malësia e Madhe – New York si edhe sitin tonë të internetit ku mund të pajiseni me formularin aplikues dhe të njoftoheni me kushtet dhe afatet e konkurimit. Ndarja e bursave do të përcaktohet në mbledhjen e radhës të dhjetorit mbasi i gjithë materiali aplikues të ketë mbërritur në zyrën tone:
Shoqata Malësia e Madhe – New York
210 Riverside Dr. #1C
New York, NY 10025 USA
Shoqata Malësia e Madhe – New York ju dëshiron sukses në proçesin aplikues!
Kryetar: Ëjllo M. Berishaj

Filed Under: Komunitet, Mergata Tagged With: Bursa studentore 2016, malesia e Madhe, New York, shoqata

  • 1
  • 2
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kufiri i Kosovës ka për mbrojtëse detyrimisht Kosovën
  • Presidentja Osmani takon komandantin e KFOR-it dhe shefin e EULEX-it në Kosovë
  • NË SHKUP VJEN NJË STUDIM MË I PLOTË MBI VEPRËN E ERNEST KOLIQIT
  • Deklaratë e Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me lëvizjet e njësive ushtarake të Forcave të Armatosura të Serbisë në drejtim të vijës kufitare me Republikën e Kosovës
  • Shën Jeronimi ilir (347 -420), përkthyes i Biblës, dijetar i Kishës
  • Migjeni, nji urdhnesë e shëlbyeme ndër shpirtna t’dlirë e vullnete t’epërme zotnimi
  • Petro Marko “re dhe gur” në vis të vet…
  • Mevludi Sherifit, një ftesë për miqtë në ditëlindjen e Profetit
  • Për një Shqipëri të të gjithë shqiptarëve…
  • MALËSIA E GJAKOVËS, NË 77 VJETORIN E GENOCIDIT KOMUNIST
  • HAJDUTI I MIRË
  • Nga urrejtja raciste antiarabe Netaniahu justifikon Hitlerin për holokaustin
  • Kosova në pararojë të mbrojtjes së civilizimit perëndimor kundër bllokut Ruso – Serb
  • Përmbytet New York, 25 million njerëz preken nga koha e keqe
  • Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT