• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KONSULLATA E KOSOVËS NDEROI GAZETARË DHE SHOQATA

December 15, 2018 by dgreca

1 Koncerti Teute1 pa Ademin1 Laura1 rafaela1 richard1 richard1 me ademin

Në mbrëmjen e së Enjtes, 13 Dhjetor 2018, në mjediset e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës u organizua ceremonia festive, në një veprimtari, që Konsullja e Përgjithshme, Teuta Sahatçija, e cilësoi si mbrëmja e Falenderimeve. Mbrëmja nisi me koncertin e dy artisteve shqiptare: Klodina Kabashi-Morina në Flaut dhe Elona Muça në piano. Pjesmarrësit me nga një gotë verë kanë ndjekur programin dhe kanë duartrokitur koncertin e ndërtuar me: Këngë dhe melodi të T. Harapit, I.Spahiut, L.Drizarit, Ç. Zadesë. Znj. Klodina Morina është profesoreshë e Flautit, jeton dhe punon ne Baltimore, ka kryer fakultetin ne Prishtine, ndërsa Magjistraturen e ka kryer në Shkup. Znj. Elona Muça është profesoreshe e pianos, jeton ne New Jersy dhe jep mësim në universitetin e Mon Clair dhe Konservatorin e Moskes.

Pas pjesës së parë të koncertit, ka përshëndetë Ambasadorja Teuta Sahatçija, e cila u uroi mirëseardhjen të pranishmëve në zyrën e Misionit të RKS në New York .

Një falenderim të veçantë ajo ua drejtoi artisteve; falutistes Klodina Kabashi-Morina dhe pianistes Elona Muça, për interpretimin e shkëlqyer, dhe siç tha ajo:” Me këto pjesë të bukura të muzikës Shqipe, ju i keni dhënë një dritë të bukur eventit”…

Më pas Konsullja e Përgjithshme tha se” Në fund të vitit bëhet përmbledhja e ngjarjeve të vitit që po e lëmë, gezimeve që i kemi përjetuar, sukseseve, kujtojmë përjetimet e kaluara, sfidat dhe mësimet e nxjerra. Kosova sot i ka mundësite që të garojë në sport e muzike, të bëhet pjesë e tregut global dhe të korrë suksese në teknologjinë informative, ekonomi dhe të jep vlerën e shtuar në të gjitha fushat.

Të pranishmit kanë duartrokitur, kur Konsullja e Përgjithshme tha: “Nesër, Parlamenti i Republikës e voton pakon e ligjeve për transformimin e Forcave të sigurisë në Ushtri të Kosovës, me të cilën e forcon sovranitetin shtetëror.”Sipas Konsulles së Përgjithshme Sahatçija, kjo nuk u arrit me shume mundime e sakrifica, me shume vuajtje e lot.

Një falenderim të veçantë folësja i drejtoi Diasporës për mbajtjen gjallë të shpresës për liri, në kohët e pashpresa. Ju falenderojmë, tha ajo, që mbanit familjet, shkollimin, shtetin paralel, kur shteti okupator na shtypte e angazhohej që Kosova të mos fliste shqip. Ju falemnderit që ishit zëri ynë kur ne nuk kishim zë. I jemi falenderues Diasporës që vazhdon pa u ndalur të mbështesë:Ajo falenderoi median e diapsorës për përcjelljen e fjalës së dhe informimin duke luftuar largësinë gjeografike dhe duke i lidhur shqiptarët anë e mbanë botës

Sahatçija falenderoi edhe për kontributin e diasporës për ekonominë përmes profesionistëve, që Kosova të mos e shtrijmë dorën më askujt por të jemi zot të vetvehtes,

Një falenderim të veçantë ajo përcolli: Për mbështetjen e shkollimit suprem si armë e fuqishme që e mbron dhe e avancon një komb, Si dhe për fuqizimin e gruas duke e angazhuar gjysmën e munguar të shoqërisë.

Më pas Konsullja e Përgjithshme ndau çmimet në gazetari.

Zëri i Amerikës, Edicionin shqip

Po sjellim motivacionet e Mirënjohjeve , ashtu siç i përcolli zonja Sahatçija: A është dikush në Kosovë që nuk e din për Zërin e Amerikës? A është dikush që nuk e mbanë në mend me sa ankth e gëzim pritnim të dëgjonim lajmet dhe të sigurohemi se dikush po dëgjon se çka po ndodhë në Kosovën e okupuar? Zëri i Amerikës, sot vazhdon me të njejtin profesionalizëm të jetë burim i lajmeve dhe të jetë zëri i respektuar dhe shumë kredibil nga toka e Amerikës, mikut tonë më të madh.

Duke pasur respektin maksimal për punën e të gjithë gazetarëve të Zerit të Amerikës, Edicioni shqip, ne deshtëm që sot me një symbol të vogël të tregojmë Falenderimin e madh dhe respektin për punën tuaj shumëvjeçare dhe kontributin për gazetarinë shqipe nëpër botë.

Zonja Laura Konda kam nderin e posaçëm të ju ftoj ta pranoni Falenderimin tone.

Halil Mula, RTV21
Halil Mula nuk ka nevojë për prezantim të veçantë. Ai konsiderohet si anëtarë i Misionit tone, pjesë e familjes. Lilo siq e quajmë ne që e quajmë vehten miq të tij, është çdo here aty ku është lajmi, ku ndodhin gjërat. Gjithmonë i qetë, i buzëqeshur, shume dashamirës dhe shumë punëtor. Halili me raportimet e tij i ka anuluar barierat gjeografike dhe përmes reportazheve të Halil Mulës, publiku Kosovar është i njohtuar me çdo gjë që ndodhë në Amerikë, në komunitetin shqiptar. Përmes RTV21 çdo reportazh i Halilit ka audience maksimale dhe përcillet nga numër shumë i madhë i shiquesëve.

Halili si korrespondent i akredituar pranë KB, shumë shpesh luan rolin edhe të mikpritësit në hapsirat e KB për ne, diplomatët e RKS në Neë York, për delegacione që vijnë, student etj. Në pamundësinë tone për ti kryer këto veprime, Halili luan rolin e Misionit të Kosovës pranë KB.

Me një simbolikë të vogël por mirënjohje të madhe e falenderojmë Z. Halil Mula për kontributin për gazetari, për përkrahjen në kuadër të KB dhe për vlerat e tij tëjashëzakonshme njerëzore.-Halil Mula ju lutem ta pranoni Falenderimin tone:

Beqir Sina- Beqir Sina edhe nje “anëtar” i familjes tonë. Aty ku ndodhë diçka, Beqiri është aty me aparatin e tij për të kapur momentet që shenojnë më së miri ngjarjen. Me intervista të shumta dhe panumër fotografi, Beqiri nuk e harron askë dhe me shpejtësi lajmi e fotot përmes postimeve të tij marrin dhenë. Bile më shpejtë se që jemi ne vetë në gjendje të mbledhim e ti postojmë.

Mediat dhe qytetarët në Kosovë janë detajisht të informuar për çdo ngjarje, organizim, përgaditje duke i falenderuar përcjelljes së zellshme të Z. Beqir Sina.- Beqir, kam nderin që të ju ftoj të merrni Falenderimin për kontributin tuaj në gazetari.

Adem Belliu- Belliu përmes kamerës së tij jo vetëm që regjistron eventet Brenda komunitetit shqiptar në New Yorke gjetiu, por ndërton ura lidhëse mes shqiptarëve. Permes syrit të tij komuniteti, e besa edhe ne tashme si pjese e komunitetit, jemi dëshmitar të sukseseve të anëtarëve, të organizimeve, të lajmeve.

Për ketë Z. Belliu ju lutem te pranoni Felenderimin tone për kontributin për gazetari dhe përhapjen dhe ruajtjen e gjuhes dhekulturës shqipe në diasporë.

Dalip Greca:- Dalip Greca unë nuk e quaj vetëm Gazetar, por edhe historian, e guardian të traditës së ndritshme shekullore. Personi që përmes Gazetës Dielli ndërton historinë e re të Vatrës dhe të popullit shqiptar në SHBA dhe kudo nëpër trojet shqiptare, histori kjo e bazuar në punën madhore të parardhësve të tij. Ai regjistron për librat ngjarjet nga të gjithandej që shenojnë të sotmen tone dhe ndertojnë librin e bukur të histories shqipe. Prandaj Z.Greca ju lutem ta pranoni Falenderimin tone për kontributin tuaj për gazetari.

Vehbi Bajrami-Gazeta Illyria u themelua në 1991 si nevojë për të artikuluar gjendjen e rrëndë nëpër të cilën po kalonte polulli shqiptar npn okupacionin mizor të Millosheviqit. Roli i saj është i pamohueshëm në fazat e ndryshme të histories tone të re.Vehbi Bajrami, duke pasur respekt për kontributin tuaj për gazetari, ju lutem ta pranoni Felenderimin tone:

Çmimet për Edukim:

Më 1989 kur u suprimua Autonomia e Kosovës, filloi Apartheid i formes së rëndë mu në zemër të Europës. Millosheviçi si veprim të pare pas shpërndarjes së Parlamentit të Kosovës, mori veprimin për mbylljen e Universitetit të Prishtinës në gjuhën shqipe. Vazhdoi mbyllja e shkollave të mesme në gjuhën shqipe dhe u lejuan vetëm shkollat fillore.

Ky plan mizor ka planifikuar që shqiptarët e Kosovës të nisnin shekullin e 21të, si njerëz të pashkollë e shërbëtor të tyre.Kjo nuk ndodhi pasi rezistenca paqësorë në krye me Ibrahim RUgovën organizuan sistemin parallel të arsimit. Atë kohë shtepitë u shëndëruan në shkolla dhe mbajtën gjallë edukimin, duke mos lejuar degradimin e gjithë kombit.

Edukimi kualitativ është arma më e fuqishme e mbrojtjes së një populli që siguron të ardhme të ndritshme.

Richard Lukaj

Prandaj Hapja e Universitetit Amerikan ne Prishtinë në fakt ka shenuar pikërisht atë çka i duhet Kosovës. Shkollën me system amerikan, lidhjen me kulturën, edukimin, mënyrën e mendimit perëndimor dhe Diplomën amerikane që hapë rrugë për avancim për të rinjtë. Ky universitet ka vendosur kriteret e larta për të gjitha shkollat.

Richard Lukaj, si vizionar e ka ditë këtë dhe është angazhuar për hapjen e AUK. Ishte ky një veprim vizionar, largpamës dhe shumë dashamirës për krijimin e një gjenerate të rinjëve që janë të shkolluar në Universitet Amerikan në Prishtinë dhe kanë vazhduar shkollimet Master e PhD në Amerikë. Keta të rinj kanë mesuar të kenë mendim kritik dhe aftësi për marrjen e vendimeve të pavarura, duke shtuar këtu dashurinë e madhe për mikun tonë Amerikën.

Për këtë largpamësi, Z. Richard Lukaj, na lejoni që me një simbolikë të vogël të shprehim falenderimin e madh në fushën vizionare të edukimit.

Ed Hammel

Mr Hammel is our dear friend that ëorked hard to establish KAEF, Kosovo American Education Fund. Every year he and his friends are working hard to obtain enough funds to support scholarships for Graduate Studies at prestigious American Universities for the exceptional young people

This year KAEF celebrates 100th student recipient of this prestigious scholarship.

Mr. Hammel, please accept this small symbol of appreciation as the token of our gratitude for your outstanding work.

Kontributi për fuqizimin e grave

AAWO Motrat Qiriazi sivjet kanë festuar 25 vjetorin e ekzistencës dhe punës së palodhshme për fuqizimin e gruas shqiptare në SHBA dhe ndihmën e pakursyer për vendlindje. Këto gra të vyeshme kanë ndihmuar në Kosovën në kohra shumë të vështira me të gjitha mënyrat e mundshme. Sot Motrat Qiriazi ndihmojnë me bursa vajzat nga trojet shqiptare, kanë ndihmuar shërimin e femijëve, mbajtur trajnime për përgaditjen e vajzave të reja në kërkim të punës duke përmirësuar CV dhe duke i mentoruar ato.Per kontributin e Organizatës Motrat Qiriazi për fuqizimin e grave dhe vajzave, sot duam të ndajmë Falenderimin si shenjë respekti për punën tuaj. Znj Beti Beno ju lutem të pranoni Falenderimin.

Hope and Peace

Znj Mimoza Dajqi për shumë vite punon dhe angazhohet për fuqizimin e gruas, zbardhjen e krimeve gjatë kohës së komunizmit sidomos ndaj gruas dhe përfaqëson gruan shqiptaro amerikane në forume të ndryshme. Zonja Dajqi ju lutem ta pranoni Falenderimin për punën tuaj

Kontributi për fuqizimin e të rinjëve profesionist

APEN

Gjeneratat e reja në diasporë në njerën anë falë shkollimit dhe rrjetëzimit kanë mundësi të hapin fusha të reja në profesionet e tyre. Por në anën tjetër, të ndikuar nga ambient asimilues, kanë rrezikun e zbehjes së përkatësisë kombëtare dhe lidhjeve me vendlindjen. APEN- Rrjeti i profesionistëve shqiptar në SHBA mbledhë në gjirin e saj profesionistët shqiptar të fushave të ndryshme dhe kultivon dashurinë për gjuhën, vendlindjen. Një numër i këtyre profesionistëve të rinj tashmë janë duke bashkëpunuar me kompanitë në Kosovë e Shqipëri duke forcuar lidhjen me vendlindje të prindërve të tyre dhe duke kontribuar në fuqizimin e ekonomik, që sot paraqet Partiotizmin modern. – Leonard Gega, Ju lutem që të pranoniFelnderimin si shenjë e respektit për punën e organizatës në fuqizimin e rinisë profesioniste shqiptare në SHBA.Seicili prej të nderuarëve falenderoi Konsullatën për vlerësimin.

Programi ka vazhduar me pjesën e dytë të koncertit të artisteve Klodina Kabashi Morina dhe Elona Muça. Koncerti ishte ndërtuar me:

– Fjalët e Qiririt-Limos Dizdari, Baladë-nga Kujtim Lara, Variacion mbi një temë popullore nga Fehmi Ibrahimi.(Dielli)

 

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, Institucione, Konsullata e Kosoves, nderoi gazetare, shoqata

Kosove- Tërheqje nga “marrëveshjet”- hapërim paravajtës

December 1, 2015 by dgreca

-Shoqata e ish të Burgosurve Politikë e Kosovës, Deklaratë për Media/ Ish të burgosurit politikë të Kosovës, ashtu si edhe të gjithë qytetarët tjerë të Kosovës, po ndjekin me ankth e shqetësim të madh zhvillimet më të reja në Kosovë dhe rreth saj, që kanë shkaktuar paralizë institucionale, tensionim në përmasa serioze të raporteve politike dhe dëmtim të ndjeshëm të gjendjes së përgjithshme të sigurisë dhe procesit të përgjithshëm shoqëror dhe zhvillimor. Në mënyrë të veçantë, ata i shqetëson thellë prirja për shkallëzim të konfrontimit politik dhe represionit policor të shoqëruar me forma të luftës speciale, që jo vetëm zvogëlojnë dhe pamundësojnë gjasat për tejkalimin e situatës së krijuar, por dëmtojnë rëndë imazhin e Republikës së Kosovës dhe përpjekjet e saj për integrim ndërkombëtar dhe evroatlantik.

            Shoqata e ish të Burgosurve Politikë, ka marrë këto ditë një sërë telefonatash, mesazhesh e postimesh, si reagim ndaj situatës më të re në Kosovë dhe dhunës së pajustifikueshme policore, pikërisht në Ditën e madhe të Flamurit, që kësaj here na erdhi edhe si festim, edhe si manifestim të ushtruar kundër oponentëve të marrëveshjes së dëmshme e të papranueshme për “Zajednicën” dhe “Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi”, dhe posaçërisht kundër burgosjeve dhe keqtrajtimeve brutale të një numri të madh protestuesish e qytetarësh të pafajshëm. Midis dhjetëra të arrestuarish dhe të keqtrajtuarish, pos disa deputetësh, liderit të opozitës dhe ish të burgosurit politik të luftës çlirimtare, Albin Kurtit, janë të përfshirë edhe një numër i ish të burgosurish tjerë politikë, midis të cilëve, edhe anëtari i Kryesisë dhe njëri nga themeluesit e Shoqatës, ish Kryetari i Komunës së Malishevës dhe njëri nga drejtuesit e UÇK-së, baba dëshmori, Gani Krasniqi, si dhe Avokati i deritashëm i Popullit, ish i dënuari politik, Sami Kurteshi, si dhe dhjetëra qytetarë të tjerë, duke përfshirë njerëz të shtyrë në moshë dhe vajza e djem të mitur, në shumë raste, bija e bijë dëshmorësh e veprimtarësh të shquar atdhetarë…

            Shoqata e ish të Burgosurve Politikë nuk i përkrah format ekstreme në luftën e brendshme politike dhe e kundërshton dhunën kundër subjekteve opozitare si dhe aktivistëve dhe adeptëve të saj, ashtu edhe aktet e dhunës kundër pjesëtarëve të policisë së Kosovës, poashtu bija, bijë e qytetarë të Republikës së Kosovës. Duke qenë e angazhuar për zgjidhjen e problemeve të pazgjidhura me dialog serioz e të përgjegjshëm, në rrugë demokratike dhe mbi bazë të vullnetit të qytetarëve dhe në përputhje me interesat e vendit, Shoqata shpreh gatishmërinë për të vënë në dispozicion angazhimin dhe ndikimin e saj përafrues e normalizues, gjithnjë në funksion të tejkalimit të situatës, normalizimit të jetës dhe funksionimit të rregullt institucional, shoqëror dhe zhvillimor. Siç dihet, Shoqata është gjithëpërfshirëse dhe gjithëpartiake; ajo bashkon ish të burgosurit politikë, pa dallim, të të gjithë brezave atdhetarë, të të gjitha përkatësive partiake, të të gjitha bindjeve politike e ideologjike dhe të të gjitha besimeve fetare. Si e tillë ajo vë në plan të parë atë që bashkon dhe jo atë që ndan e përçan.

                        Pa opozitë nuk ka as pozitë

            Shoqata e ish të burgosurve politikë, kërkon eliminimin e shkaqeve të gjendjes së krijuar si kusht për eliminimin dhe parandalimin e pasojave. Shoqata fton Presidenten, Qeverinë, Kuvendin, Gjykatën Kushtetuese dhe faktorët tjerë institucionalë që pa humbur kohë, me parimësi, transparencë e intrasigjencë t’i kontribuojnë tërheqjes së domosdoshme, të koordinuar, të planifikuar dhe të menagjueshëm të “marrëveshjeve”, qartësisht të dëmshme, të gabueshme, kundërligjore e kundërkushtetuese, gjithnjë në pajtim me frymën dhe shkronjat e dispozitave përkatëse të Ligjit për Marrëveshjet Ndërkombëtare, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe me dispozitat përkatëse të Konventës së Vjenës për Marrëveshjet Ndërkombëtare. Një hap tërheqjeje, në të vërtetë, do të jetë një hop i rëndësishëm drejtë normalizimit, konsolidimit dhe hapërimit paravajtës.

            Në mënyrë të veçantë Shoqata kundërshton harangën kundër selive, udhëheqjeve dhe përfaqësuesve të zgjedhur të subjekteve opozitare dhe kërkon lirimin e pashtyeshëm të të gjithë të burgosurve, të arrestuarve pa të drejtë dhe pa bazë ligjore, me shkelje të rënda procedurale ligjore e parlamentare dhe me motive të dukshme politike si dhe marrjen në përgjegjësi të bartësve të akteve të dënueshme dhe urdhërdhënieve të paligjshme dhe të pajustifikueshme.

            Edhe në vendet tjera ata që kanë shumicën e vendeve në Parlament, mund të marrin vendim për suspendimin e pakicës opozitare, por kjo nuk ndodh asnjëherë dhe askund. Dhe kjo ka arsye të fortë. Vetëm me opozitën përballë pozita mund të jetë normale dhe vërtetë pozitë. Pa pozitë e opozitë nuk ka demokraci. Edhe opozita, duke bërë luftë dinjitoze, të pjekur e fisnike, jep dëshmi se çfarë pozite synon të bëhet dhe si do ta trajtonte nesër opozitën përballë saj. Ndërkaq, kur pozita (edhe kur ka shumicë numrash) suspendon opozitën, nga pozita nuk mbetet asgjë, mbetet madje një shkronjë mangut. Pozitë minus opozitë bën zero, madje edhe më pak, bën minus një…

            Duke qenë edhe vetë dëshmitarë dhe objekt i represionit të egër politik, ish të burgosurit politikë kundërshtojnë, në mënyrë të veçantë, fushatën e gjerë e të egër të arrestimeve, burgosjeve, rrahjeve, kërcënimeve, shantazheve dhe formave të tjera të dhunës politike e të propagandës speciale, të cilat më shumë se gjithëkë dhe më shumë se gjithçka dëmtojnë imazhin dhe pozitën politike ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe rrjedhimisht, lehtësojnë luftën speciale antishqiptare që armiqtë e saj shekullorë po zhvillojnë me intensitet të shtuar kundër Kosovës dhe kauzës së saj.

            Shoqata angazhohet që në Kosovën e re demokratike e evropiane të mos lejohet rishfaqja dhe rilegjitimimi i fenomeneve të burgjeve, të burgosjeve e proceseve politike, të përndjekjeve politike dhe sidomos jo të formave famëkëqia të luftës speciale kundër oponentëve dhe mendimit të ndryshëm .

            Në pajtim me frymën përbashkuese të fundnëntorit përbashkues, Shoqata fton anëtarësinë e saj dhe të gjithë qytetarët pa dallim, për përmbajtje, reflektim, afrim e bashkim, në funksion të angazhimit të përbashkët për tejkalimin e grackave të rrezikshme dhe përballimin e sfidave serioze që kemi përpara. Duke u ndarë e konfrontuar rrezikohet jo vetëm ajo që është e mundshme , por edhe ajo që është tashmë e fituar, ndërkaq, duke qenë të koordinuar e të përbashkuar rreth Flamurit dhe rreth vlerave kombëtare e demokratike paravajtëse, bëhet e mundshme edhe ajo që duket e pamundshme dhe e parealizueshme; bëhet e mundshme që 28 nëntorët tjerë të jenë festë dhe vetëm festë.

 Kryesia e Shoqatës së ish të Burgosurve Politikë,

01 Djetor 2015, Prishtinë.

(foto-Behlu Jashari)

Filed Under: Opinion Tagged With: deklarate, e ish të Burgosurve Politikë, e kosoves, shoqata

Shoqata “Trojet e Arbrit” mblodhi shqiptarët nga trojet etnike në sesionin e XIII-të

August 18, 2015 by dgreca

Shkroi: Leonora Laçi*/
Me date 14 gusht në Hotel “Panorama” në Krujen e Gjergj Kastriot Skenderbeut u tubuan shqiptarë nga të gjitha trojet etnike ku u zhvillua sesioni i XIII-të shkencorë i Shoqatës Mbarëkombëtare Trojet e Arbrit. Këtë here ishte menduar që të zgjerohej në kohë dhe hapësirë, tema bosht për vetë rendësinë e vendit ku po mbahej, u titullua “ Populli shqiptar në rrjedhat e historisë, dhe roli i personaliteteve nga Epoka e madhe e Gjergj Kastriotit Skenderbeut e deri në fund të shek. XX”.
Duke filluar me himnin kombëtar, për ti lënë rradhën kujtesës së veprimtarëve të cilët janë ndarë nga jeta së fundmi, e për të vazhduar me këngën e Profesorit të nderuar Ernest Koliqit të interpretuar nga Entela Binjaku, kushtuar Kapidan Dr.Mark Gjon Markut , ku hapja u shoqerua dhe nga kënga e famshme “Therret Prizreni mori Shkodër” që është kthyer në pjesë e përhershme e aktiviteteve disa vjeçare të kësaj Shoqate.
Nuk munguan të ftuarit e nderit siç ishin: Dom Nikë Ukgjini Famulltar i Kishës së Dom Ndre Mjedës në Kukël, At Nikolla Marku prift ortodoks, Gjenerali Anton Quni, Sulejman Gjana Kryetar i Partisë Levizja e Legalitetit, Naxhi Bakalli Mjeshtër i Madh piktor, Sabri Maxhuni, Bianca Gjomarku vajza e Kapidan Ndue Gjon Markut, Aziz Salihu, e të tjerë të ftuar nderi. Në këtë simpozium pati mjaft referues për tema të ndryshme, po ashtu u mbajt dhe ekspozita fotografike e luftëtarëve të Levizjes për Çlirim dhe Bashkim Kombëtar 1941-1945, nën udhëheqjen e Heroit Kombëtar Shaban Polluzha, ku ishte i pranishëm nipi i tij që ishte dhe iniciator për këtë nisëm Zahir Kastrati.
Në fjalën e hapjes e mbajtur nga krutani nipi i Mustafa Merlika Kruja, studiuesi i palodhur Eugjen Merlika u bë një pasqyrim i gjëndjes aktuale të shqiptarëve të ndarë në shtete të ndryshme, me këto fjalë:- “Ka më se njëqind vjet që populli shqiptar është i ndarë në pesë shtete, duke përfshirë këtu edhe Kosovën. Problemet, me të cilët përballohemi, janë të shumta e të larmishme, por besoj se mund të kanalizohen në dy rrjedha kryesore : n’atë të zhvillimit, që përfshin ekonominë, pushtetet, jetën politike e administrative, marredhëniet me rajonin e botën, dhe n’atë kombëtar që njëjtësohet me pritmërinë e bashkimit të trojeve në entitete administrative të mirëfillta.
Po t’i shtojmë këtyre faktorëve krizën morale të klasës politike, me korrupsione në nivele shumë të larta në të gjithë përbërësit e superstrukturës shtetërore, kemi një tabllo tepër të zymtë dhe aspak premtues për t’ardhmen. Pjesëmarrja në NATO, apo marrëveshjet e shoqërizimit me BE, megjithë ndryshimin në ligjet, në përputhje me ata t’Evropës që, për ne shqiptarët, mbeten kurdoherë në zbatim funksion i ndryshueshëm i interesave të kastave të pushtetit, nuk kanë arritur të bëjnë tek ne hopin cilësor të domosdoshëm, për të hyrë seriozisht në rrugën e zhvillimit të vërtetë, si Vendet e tjera të Lindjes ish komuniste”. Studiuesi Merlika me largëpamësinë e tij përçon mesazhin e bashkimit mes njëri-tjetrit në një të ardhme jo të largët, duke vlerësuar dhe punën e kësaj shoqate ndër vite, dukë thënë:-“ Ne, si Shoqatë, duhet të punojmë për strategjinë e tij, duhet të ballafaqohemi me pjesë të tjera të shoqërisë sonë, por edhe me klasën politike e cila nuk duhet të mendojë se zotëron të vërtetën absolute.
Edhe se është shumë e vështirë, edhe se i kemi paguar shtrenjtë në të shkuarën pasojat e mosmarrëveshjeve me njëri tjetrin, edhe se sot nuk jemi ende të shëruar nga ajo sëmundje e rëndë, duhet të bëjmë një mundim të madh për të gjetur gjuhën e përbashkët. Është një detyrë e jona kundrejt së shkuarës e brezave të saj, që i vunë themelet shtetit tonë, por është më tepër një detyrë kundrejt s’ardhmes e brezave që do të vijnë, sepse jeta e tyre do të jetë më e bukur në një atdhe të bashkuar e të mirëqeverisur”.
Mes referuesve ishin emra të njohur si: Prof. Jahja Drançolli, Prof. Muhamet Shatri, Prof. Riza Sadiku, Xhemal Meçi, Prof. Bajram Xhafa, Rukije Rama, Fatbardha Saraçi Mulleti, Leonora Laçi, Frank Shkreli, Klajd Kapinova, Tomë Mrijaj, Kastriot Vesalaj, Mërgim Korça, Lekë Tasi, Dr.Qazim Shehu, Kastriot Veselaj, Sabri Maxhuni Novosella, Mehmet Gjoshaj, Valon Bytyçi, Rezehana Hysa, Selman Etemi, Nue Oroshi, Prof. Ermelinda Kashah, Ervis Reçi, etj. Përveç referimeve për tema të ndryshme u bë dhe promovimi i veprës së fundit “Gjeneza e familjes Mrijaj ndër shekuj “të studiuesit nga SHBA Tomë Mrijaj sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së III të Prizrenit ndërkohë dhe pjesë e kryesisë së Shoqatës Trojet e Arbrit, për këtë vepër u mbajtën dhe disa recensione kjo vepër është ndërtuar me argumente historike, përmes një mjeshtërie artistike dhe stili të këndshëm tërheqës, ç’ka e bën lexuesin të futet dhe përjetoi thellë ngjarjet e tij, për të mos u shkëputur deri në përfundim të plotë. Kujtimet, nuk janë veç një rrefim apo monografi familjare, që i intereson vetëm familjes Mrijaj (për të cilën flitet), por ka shumë faktime historike, që i interesojnë historianëve dhe studiuesve. Këtu njeri pas tjetrit, përmenden figura të shquara të kombit dhe nacionalizmit shqiptarë, emra të mëdhenj, si: Kapidanët e Mirditës, Preng Bibë Doda, Marka Gjoni, Gjoni i Marka Gjonit, Ndue Gjon Marku; klerikët, laikët dhe politikanët e kohës, si: Pader Engjëll Palaj O.F.M., Pader Pashk Prelaj O.F.M., Pader Marjan Prelaj O.F.M., Pader Tomë Xhaja O.F.M., Dom Pjetër Berisha, Dr. Mons Zef Oroshi, Dom Anton Kçira, Prof. Ernest Koliqi, Kolë Bibë Mirakaj, Prof. Rexhep Krasniqi, Kolonel Xhemal Laçi, Prof. Zef Nekaj, Ismet Ukë Sadik Berisha, e të tjerë, që kanë kontribuar në çaste vendimtare të historisë, duke mbetur pjesë e pandashme e saj.
Në sesion u shpërnda mes studiuesve dhe libri i XII-të E djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike, ku janë të renditura kumtesat e sesionit të XII-të të mbajtur në Gjakovë një vitë më parë.
Shoqata Trojet e Arbrit si promotore e shkrimit të së vërtetës historike dhe zbardhjen e figurave për të cilat ka qënë e ndaluar të flitet, për disa vite me rradhë ka fituar besimin e studiuesve për seriozitetin që e karakterizon duke nxjerr në botim kumtesat që referohen, ku librat e saj arrijnë deri në 700 ose 800 faqe. Dhe këtë sesion pati tema interesante duke qenë gjithëpërfshirëse nga Figura e Lekë Dukagjinit dhe kanuni i tij, Skenderbeu heroi ynë kombëtar, për të vazhduar me figura si; Preng Bibë Doda, Imzot Nikollë Kaçorri, Don Shtjefen Kurti, Bedri Pejani, Hasan Prishtina, Mustafa Kruja, Fan Noli, Zef V.Nekaj Abaz Kupi, Shaban Polluzha, Dr. Ibrahim Rugova, Arshi Pipa, për tu ndalur dhe në ngjarje historike siq ishte Beteja e Kosovës 1448, Luftrat Botërore dhe Shqiptarët, Kolaboracionizmi e të tjera çështje që akoma kanë nevojë për zbardhje nga studiues të zhveshur nga ideologjia komuniste, dhe për tu parë nga një pikëpamje tjetër.
Këto çasje të reja të historisë janë qëllimi i kësaj shoqate, pasi siç shihet shqiptarët megjithëse jetojnë në demokraci nuk kanë ndryshuar botëkuptim dhe duhet ende shumë kohë për të ndryshuar mendimet e rrënjosura në venat e këtij populli. Dhe më vend është shprehja” Kush harron të kaluarën është i destinuar ta përseris atë”. Dhe studiuesja Fatbardha Mulleti Saraçi me kumtesat e saj dhe veprat disa vëllimore është përpjekur të shkruaj të zezën mbi të bardhë, për të mos harruar të kaluarën ky popull, studiuesja Saraçi ka shkruar dhe vazhdon të shkruaj për luftën e klasave, për femrën e përvuajtur, për ato gra që preferuan vetëflijimin para torturave çnjerëzore të regjimit komunist në vend të dorëzimit, , ku ky regjim nuk kurseu as elitat intelektuale, ajo shkruan për dhimbjen njerëzore, për gjenocidin që bëri Shqiptari ndaj Shqiptarit.
Të gjitha këto tema bashkojnë copëzat e historisë së kombit Shqiptarë dhe janë historia ndryshe, që shumë Historianë të historisë zyrtare, nuk guxojnë të thonë të vërtetën por vazhdojnë akoma të shkruajnë atë që kanë shkruar dje, vazhdojnë akoma të gënjejnë gjoja se po bëjnë shkencë, por me një ndryshim, dje ishin të detyruar të gënjejnë ndërsa sot gënjejnë sepse nuk duan të besojnë ndryshe.
17 gusht, 2015 Shkodër
*Sekretare e Përgjithshme e Shoqatës Trojet e Arbrit.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Leonara Laci, sesioni i XIII, shoqata, trojet e Arberit

New York, Shoqata “Malësia e Madhe” shpallë konkursin për bursa studentore

August 16, 2015 by dgreca

Shoqata Malësia e Madhe – New York në mbledhjen e radhës solli vendimin e hapjes së konkursit për bursë studentore për vitin akademik 2015-2016. Të drejtë burse kanë të gjithë ata studentë të cilët përmbushin kërkesat e parashtruara nga Shoqata Malësia e Madhe – New York.
Përparësi në përfitim të bursës kanë studentët e dalluar malësorë të cilët ligjeratat i ndjekin në gjuhën shqipe. Aplikantët këshillohen të lexojnë me vëmendje formularin përkatës për bursë i cili specifikon kushtet e konkurimit.
Aplikantët këshillohen që materialin e tyre aplikues ta postojnë në adresën e
Shoqatës Malësia e Madhe – New York. Një veprim i tillë përshpejton proçesin
aplikues të çdo studenti. Gjithashtu ne u bëjmë apel aplikantëve që dokumentacioni i tyre të paraqitet sa më dinjitoz, i printuar, duke respektuar normat aplikuese.
Kërkojmë nga aplikantët që të jenë të vëmendshëm në plotësimin e dokumentacionit të kërkuar. Vetëm aplikacjonet e plota do të merren parasysh. Jeni të këshilluar që dokumentacjonin e pa plotësuar ta mbani te vehtja juaj deri në momentin kur të jenë i plotë me ç’rast do ta postoni në adresë të Shoqatës. Çdo aplikim që ka vulen postare pas 1 nëntorit 2015 nuk do të merret parasysh. Për çdo informacion të mëtejshëm mund të kontaktoni zyrën e Shoqatës Malësia e Madhe – New York si edhe sitin tonë të internetit ku mund të pajiseni me formularin aplikues dhe të njoftoheni me kushtet dhe afatet e konkurimit. Ndarja e bursave do të përcaktohet në mbledhjen e radhës të dhjetorit mbasi i gjithë materiali aplikues të ketë mbërritur në zyrën tone:
Shoqata Malësia e Madhe – New York
210 Riverside Dr. #1C
New York, NY 10025 USA
Shoqata Malësia e Madhe – New York ju dëshiron sukses në proçesin aplikues!
Kryetar: Ëjllo M. Berishaj

Filed Under: Komunitet, Mergata Tagged With: Bursa studentore 2016, malesia e Madhe, New York, shoqata

Komunitet-NISIN NDRYSHIMET STATUTARE NE SHOQATEN “SHQIPE E ARIZONES”

July 21, 2015 by dgreca

NGA LULZIM MULLIQI/
Tani me eshte bere tradite qe gjate stines se veres,te rritet fluksi i mergimtareve tane per te shkuar ne vendlindje dhe per ti kaluar pushimet e tyre.
Megjithate,Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Shqipe e Arizones” eshte ne vlugun e puneve per zbatimin e disa projekteve te percaktuara nga mbledhjet e meparshme.Vazhdimesia e tradites shumevjecare te punes ka rendesi te vecante per anetaret e kesaj Shoqate qe edhe gjate stines se veres percelluese qe mbreteron ne Arizona te zhvillojne aktivitetin e tyre kombetar dhe kulturor.Anetaret e kesaj Shoqate vijne nga treva te ndryshme si:Kosova,Shqiperia,Ilirida,Malesia dhe Lugina e Presheves.Ne vazhden e takimeve te zhvilluara,keto dite eshte mbajtur mbledhja e radhes se Bordit Drejtues te Shoqates”Shqipe e Arizones” me seli ne qytetin e Phoenixit.Per dallim nga mbledhjet e meparshme,kesaj radhe mbledhja eshte mbajtur ne nje ambient te hapur.ne mungese te nje lokali te pershtatshem per mbajtjen e mbledhjeve.Kete mbledhje e shpalli te hapur kryetari,Burim Gashi,i cili Propozoi kete rend dite:1)Ndryshimet dhe plotesimet e Statutit te Shoqates ne harmonizim me interesat e Komunitetit tone.Me pas zoti Gashi,perkujtoi se ndryshimet jane te nevojshme,sidomos ato ne plotesimin e vendeve te lira ne Bord, si dhe zgjerimin e numrit te anetareve nga 9 qe ishte me pare,ne 13 tani.Me pas fjalen e mori ushtruesi i detyres se Sekrtarit te Shoqates,Lulzim Mulliqi,i cili kishte hartuar nje version te ri te Statutit te Shoqates me disa ndryshime dhe plotesime te nevojshme me nevojat dhe kerkeat e Shoqates.Ne vijim,Lulzim Mulliqi theksoi se”qellimi,misioni dhe detyrat e Shoqates do te vazhdojne te jene:ruajtja dhe kultivimi i prejardhjes,gjuhes dhe traditave shqiptare permes programeve edukative,shoqerore dhe kulturore,si dhe ruajtja dhe zhvillimi i unitetit dhe vazhdueshmerise se Komunitetit Shqiptaro-Amerikan te Arizones dhe mbrojtjes se ceshtjes tone kombetare.Ne vijim,Lulzim Mulliqi (jurist dhe gazetar) lexoi disa nene dhe paragrafe nga versioni i ri i Statutit te hartuar prej tij,i cili nder te tjerash sqaroi se Statuti I Shoqates mund te rishikohet,ndryshohet,apo plotesohet,vetem me vendim te vecante te Bordit Drejtues,i cili do te duhet te krijohej nga nje grup pune i vecante i formuar per kete qellim.Per aprovimin e ndryshimeve ne Statut ,nevojiten votat e dy te tretave te anetareve te Bordit.Ndryshimi I Statutit i miratuar ne menyre te tille,ne nje periudhe kohore te caktuar,i behet e ditur anetaresise se gjere te Komunitetit.Nderkaq,lidhur me kete pike te rendit te dites,kryetari Burim Gashi, Propozoi qe shqyrtimi i Statutit te ri i hartuar nga ushtruesi i detyres se Sekretarit,Lulzim Mulliqi dhe atij te vjeter, te shqyrtohen me detajisht ne mbledhjen e ardhshme te Shoqates.Ai ne vijim Propozoi qe ne kete mbledhje te vendoset per plotesimin e vendeve te lira ne Bordin Drejtues te Shoqates,si dhe rritjen e numrin te anetareve te Bordit nga 9 qe ishte me pare,te kalohet ne 13 anetare.Pas votimit te anetareve te pranishem ne mbledhje u vendos qe Bordi Drejtues te jete ne perberje prej 13 anetareve.Me kete rast u vendos qe vendi i zbrazet i anetarit te Bordit,Skender Bajrami te zevendesohet nga Lorik Krasniqi,ndersa 4 anetare te rinj te Bordit erdhen nga kandidatet qe ne zgjedhjet e pergjitheshme Kane marre numrin me te madh te votave ne listen shume-emerore te votimit per ne Bordin Drejtues.Me kete rast anetare te rinj te Bordit u zgjodhen keta kandidate:Urim Zeneli,Ndue Frroku,Dhimiter Rrera,dhe Murat Rama.Kjo mbledhje u karakterizua edhe me disa debate dhe mospajtime te disa anetareve te Bordit ,perkitazi me disa ceshtje procedurale dhe organizative te Shoqates.Ne fund u vendos qe pjese te tjera te rishikimit,ndryshimit dhe plotesimit te Statutit te Shoqates te diskutohen dhe shqyrtohen ne mbledhjen e ardhshme te Shoqates,e cila eshte parapare te mbahet me daten,26 Gusht te Ketij viti.Poashtu duhet te theksohet se njera nga prioritet e punes se kesaj Shoqate ne te ardhmen mbetet gjetja e nje lokali,apo ndertimi i ndonje Qendre kulturore per mbajtjen e mbledhjeve dhe aktiviteteve te kesaj Shoqate.Perpos kesaj eshte e rendesishme te behet edhe nje studim demografik i Komunitetit shqiptar ne Arizona,ku ne baze te Ketij studimi do te posedojme informacione te rendesishme per Komunitetin tone,dhe me lehte do te dime se cilat jane nevojat e Ketij komuniteti ne zhvillimin dhe ruajtjen e identitetit kombetare,gjuhes dhe traditave tona shqiptare.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Lulzim Mulliqi, Ndryshime statuore, shoqata, Shqipe e Arizones

  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • GJEKË MARINAJ, POETI ERUDIT MALËSOR SHQIPTARO – AMERIKAN PO PUSHTON BOTËN ME POEZINË E TIJ
  • DY DIJETARE POETE NE SHERBIM TE KOMBIT, AT BERNARDIN PALAJ  – AT DONAT KURTI
  • KOSOVA DHE VENDET E BE-së QË S’E KANË NJOHUR ATË
  • 1913 / KUR GAZETA FRANCEZE BOTONTE NJË FOTOGRAFI TË RRALLË TË ANËTARËVE KRYESORË TË KONGRESIT SHQIPTAR TË TRIESTES
  • Kur Djemtë e Skelës u përleshën me “Vullnetarët e Enverit”
  • PËRSHPIRTJE PËR SHPRESËN, ZONJËN E NDERUAR OSE VIRTYTIN…
  • Njeriu i ri
  • ZHULIANA JORGANXHI : TA DUAM ME SHUME SHQIPERINE
  • SOT, shqiptarët e Amerikës përcjellin në banesën e përjetshme Ornela Shehin dhe Florind Belliun
  • 199 vjet nga vdekja e atdhetarit Marko Boçari
  • Kryeministri Kurti takoi Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it
  • “OPERACIONE SEKRETE-SHQIPËRIA NËN LUFTËN E FTOHTË”
  • TREGIMTARI I HESHTUR
  • Lavdi Betejës së Junikut, 10 gusht 1998!
  • Kosova para 32 viteve: Serbia ua ndaloi shqiptarëve edhe gazetën e vetme të përditshme Rilindja

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT