FILMI “SHOK”, NOMINUAR PËR “OSCAR”, DHUROI EMOCIONE NË “MOMA”
Ishte një gjetje e duhur dhe tepër simbolike shënimi i 8 Vjetorit të Pavarësisë së Kosovës me premierën e filmit”SHOK” të nominuar për”OSCAR”. E organizuar nga ambasada e Kosovës në Washington dhe Konsullata e Kosovës në Nju Jork, me pjesmarrjen e miqëve amerikanë, ambasdorëve të vendeve miq, përfshirë dhe atë të Mbretërisë së Bashkuar Britanike,diplomatëve, artistëve, gazetarëve, – në mënyrë simbolike filmi “dëshmoi” të djeshmen e tmerrshme, por edhe atë cfarë ka arritë Kosova në këta 8 vjet, duke guxuar të përfaqësohet denjësisht edhe në Hollivud me një film, që flet shumë.Premiera u organizua në sallën e shfaqjeve në “MOMA”(The Museum of Modern Art) në Manhattan, NY, të Mërkurën me 17 Shkurt 2016. Salla e mbushur plot nuk i kurseu as lotët, as duartrokitjet.
Fotografite i shihni ne facebook(dalip Greca). (Të plotë lexojeni në Gazetën Dielli të printuar)
Kosova, 46 vjet me Universitetin e Prishtinës
-Ministria Bajrami: Universiteti i Prishtinës, promotori më i madh i emancipimit dhe faktorizimit të shqiptarëve në Kosovë-
PRISHTINË, 15 Shkurt 2016-B. Jashari*/ Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” shënon sot 46 vjetorin e themelimit të vlerësuar ngjarje historike për popullin e Kosovës, por edhe për gjithë kombin shqiptar.
Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë, në 15 shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës.
Ministri kosovar i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka uruar studentët dhe profesorët.
“Sot janë mbushur 46 vjet nga dita e themelimit të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. Po kaq vite të Universitetit të Prishtinës, janë pjesë e pashkëputur e historisë së Kosovës”, shprehet ai.
Universiteti i Prishtinës, vijon ministri, u themelua në momentet kyqe të rezistencës shoqërore dhe si i tillë ishte promotori më i madh i emancipimit dhe faktorizimit të shqiptarëve.
“Sot ndodhemi para një momenti tjetër të sfidës së reformimit të Universitetit të Prishtinës, prandaj duke besuar në përkushtimin dhe angazhimin Tuaj, ju ftoj të përqendroni gjithë energjinë tuaj për të punuar për autonominë substanciale akademike dhe financiare të Universitetit të Prishtinës, për të vendosur rend akademik, sistem të vlerave dhe të konkurrencës. Nuk ka asnjë çështje më të rëndësishme se sa cilësia akademike që ofron Universiteti i Prishtinës, sepse kjo do të përcaktojë edhe vlerën e shtetit tonë”, thekson ministri Bajrami.
Ai shpreh dëshirën që Universiteti i Prishtinës të jetë promotor i stabilitetit, i rendit akademik dhe hulumtimit shkencor.
Kosova shtet i pavarur nga 17 Shkurti historik 2008 ka hapur universitete publike edhe në disa qytete të tjera.
*Foto Gazeta Dielli – Behlul Jashari: Universiteti i Prishtinës – Rektorati, 17 janar 2016/
Çmimi kombëtar “Azem Shkreli”, shkrimtarit Arif Demollit
– Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka ndarë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” për shkrimtarin e mirënjohur Arif Demolli: Uroj që të shkruaj edhe gjatë, që edhe gjatë të kemi vepra të tij/
Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 15 Shkurt 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka ndarë Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore “Azem Shkreli” për shkrimtarin e mirënjohur Arif Demolli, në një ceremoni të veçantë me rastin e ndarjes së çmimeve letrare për veprat më të mira, aktivitet ky i organizuar në kuadër të axhendës zyrtare të manifestimeve për shënimin e 8-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, kryeministri Mustafa shprehu kënaqësinë e tij që ndau shpërblime për veprat të cilat po e bëjnë historinë e letërsisë shqipe në Kosovë.
“Mund të jem pak subjektiv sepse ne kemi qenë shokw klase, kemi kryer tetë vite bashkë në shkollën ‘Emin Duraku’ në Prishtinë. Natyrisht që Arifi nuk ka qenë vetëm nxënës në shkollë, ka qenë shkrimtar, që nga viti i parë i shkollës fillore, ka qenë njeri prej të cilit kemi mësuar shumë. Është njeri i cili ka një krijimtari të mrekullueshme, që ka siguruar gëzimin e fëmijëve dhe ka krijuar gjuhën e fëmijëve që s’e kanë bërë tjerët, prandaj ka shumë merita. Ka shumë më shumë merita se sa që mund t’i japim ne sot përmes çmimit kombëtar për veprën e tij jetësore. Unë e uroj për këtë. Uroj që të shkruaj edhe gjatë, që edhe gjatë të kemi vepra të tij, dhe që të bashkëjetojmë në frymën që ai ka krijuar të një gjuhe të thjeshtë, shumë të kuptueshme, dhe të një veprimtarie tepër të çmueshme për ne në Kosovë por edhe jashtë Kosove”, tha kryeministri Mustafa.
Nga ana e tij, laureati i shpërblimit më të rëndësishëm në letërsi, Arif Demolli, shprehu dëshirën që ky çmim të jetë motivim për veprat e ardhshme.
“Vetë edhe formulimi për vepër jetësore, pak më tingëllon si trishtueshëm, sikur erdh tek një pikë, sikur ka marrë fund gjithçka. Mirëpo unë besoj, kam dëshirë, dhe uroj të gjithë ata që e kanë fituar këtë çmim dhe do ta marrin, që kjo pikë të bëhet presje, dhe jeta të na vazhdoj dhe të krijojmë diçka të re”, theksoi Demolli.
Çmimet letrare u vlerësuan nga një juri profesionale e kryesuar nga Anton Berisha dhe me anëtarë Musa Ramadani, Nerimane Kamberi, Xhevat Syla dhe Agron Y. Gashi.
Të njëjtët vendosën që çmimin për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku”, t’ia ndajnë sivjet autorit Rexhep Murtez Shala, për veprën “Anonim Profan Wor(l)d, Neokultura”, çmimin për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja”, poetes Ervina Halili për veprën “Amuletë”.
Për veprën “Lahuta…e Fishtës (Gjuhë dhe Stil)”, autori Xhavit Beqiri fitoi çmimin për kritikë letrare “Ibrahim Rugova”.
Për veprën “Danfante, heshtja e poetit është një akt terrorist”, Fadil Bajraj u nderua me çmimin për veprën e përkthyer në gjuhën shqipe ose anasjelltas “Pjetër Bogdani”.
Ndërsa, pos mortum krijuesi Abdullah Thaçi u nderuar me çmimin letrar për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj” për librin “Kalaja e Fjalës”.
Kosovë-“Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”
– Në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, shfaqja “Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”, trajton çështjen e vizave. Theks i veçantë – marrëdhenieve në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës/
PRISHTINË, 15 Shkurt 2016-B.Jashari Në Teatrin Kombëtar në Prishtinë sot në mbrëmje do jetë premiera e shfaqjes “Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”, e cila është pjesë e axhendës së Këshillit Organizativ, të themeluar nga qeveria e Kosovës, për shënimin e tetë vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Shfaqja është punuar nga regjisori i famshëm boshnjak Dino Mustafić, me iniciativë dhe përkrahje financiare nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS dhe Fondi për Shoqëri të Hapur – Bosnje e Hercegovinë.
Shfaqja “Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”, trajton çështjen e vizave, që për shumë njerëz do të thotë liri dhe mundësi për tu njohur me kultura të ndryshme. Theks i veçantë i ipet marrëdhenieve në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, pasi që ky shtet ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe procedura e marrjes së një vize është shumë e lodhshme, dhe në shumë raste edhe e pamundur. Shfaqja, me tekst të Biljana Srbljanović, është punuar në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe boshnjake me aktorët Alban Ukaj, Adriana Matoshi, Armend Smajli, Jusuf Brkić dhe Jelena Kordić Kuret.
Për më tepër se një vit, Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur – KFOS dhe Fondi për Shoqëri të Hapur – Bosnje e Hercegovinë kanë ndërmarrë disa iniciativa që për qëllim kanë liberalizimin e vizave në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës. Përveç takimeve zyrtare, pjesë e projektit janë edhe takimet e avokimit me palët kyçe të interest, akterët vendimmarrës në Bosnje e Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi, si dhe shfaqja “Zemrat e huaja: traktati teatral i kufirit”, e cila premierën do ta ketë sonte në Prishtinë. Ndërsa, në Sarajevë, kryeqytetin e Bosnjes e Hercegovinës, premiera e saj është dhënë në 6 janar 2016.
- « Previous Page
- 1
- …
- 242
- 243
- 244
- 245
- 246
- …
- 544
- Next Page »