• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Ditëve të Kulturës Shqiptare” në Bukuresht

October 19, 2024 by s p

Bujar Luca çel ekspozitën e tij me grafika dhe vizatime në Bibliotekën Kombëtare të Rumanisë në Edicionin e VI-të të “Ditëve të Kulturës Shqiptare” në Bukuresht. Të hënën, më 14 tetor, u zhvillua në Bukuresht çelja e edicionit të VI-të të “Ditëve të Kulturës Shqiptare” në Bibliotekën Kombëtare të Rumanisë, duke filluar me ekspozitën e grafikës dhe vizatimeve të artistit të njohur shqiptar-francez, Bujar Luca. Kjo ekspozitë paraqiti për publikun rumun krijimet unike të artistit dhe shënoi një moment të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në Rumani.

Në hapjen e ekspozitës, deputeti Bogdan-Alin Stoica, përfaqësues i minoritetit shqiptar në Parlamentin e Rumanisë, shprehu mirënjohjen ndaj Bujar Lucës për pranimin e ftesës së Lidhjes së Shqiptarëve të Rumanisë (ALAR) për të ekspozuar në Bukuresht. Ai theksoi se për ALAR-in ishte një nder të mirëpresë një artist të nivelit ndërkombëtar, i cili kontribuon në forcimin e lidhjeve kulturore midis Shqipërisë dhe Rumanisë, por dhe vendit të tij kua ai jeton dhe punon për 35 vjetësh, Francës.

Ekspozita e Bujar Lucës u vlerësua nga një panel personalitetesh të njohura të artit dhe kritikës. Artisti i njohur vizual rumun Nicolae Ionescu, një mik i afërt i komunitetit shqiptar dhe i Shqipërisë, foli për veprën e Lucës, duke vlerësuar cilësinë e epërme të veprave të ekspozuara, rafinamentin e rrallë, talentin, forcën sintetizuese dhe elementë të stilit të tij të veçantë. Emilia Persu, anëtare e Unionit të Artistëve Plastikë të Rumanisë, gjithashtu vlerësoi ekspozitën për qasjen origjinale të artistit, për talentin dhe forcën e artistit, për gjuhën artistike të zgjedhur. Të gjitha këto dëshmojnë se kemi të bëjmë me një artist të madh europian-shtoi zonja Emilia Persu.

Shkrimtari dhe kritiku i njohur i artit, Luan Rama, i cili ndodhej në Bukuresht për promovimin e një vëllimi të tij në kuadër të të njëjtave aktivitete kulturore, ndau me publikun disa mendime mbi punën e Bujar Lucës. Ai e vlerësoi artistin për kapacitetin e tij të jashtëzakonshëm për të përçuar emocione përmes vizatimeve dhe grafikave të tij. Gjithashtu, Dr. Luan Topciu, koordinator i Qendrës Kulturore të Shqiptarëve në Rumani dhe kritik i njohur arti, analizoi vlerat estetike dhe simbolike të veprave të ekspozuara. Përmes një vështrimi krahasues midis gjinive të tjera të artit, por dhe me të ngjashmit e tij të artit botëror, ai vlerësoi faktin se ekspozimi i një artisti me të tilla përmasa në Rumani, është një eveniment i rëndësishëm kulturor.

Në përfundim të aktivitetit, artisti Bujar Luca falënderoi organizatorët, ALAR-in dhe Bibliotekën Kombëtare të Rumanisë, për mikpritjen dhe mundësinë e ekspozimit të veprave të tij në ambientet e një institucioni kaq të rëndësishëm. Ai shprehu kënaqësinë e madhe për pjesëmarrjen dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së marrëdhënieve të ngushta midis komunitetit shqiptar në Rumani dhe artistëve shqiptarë.

Zyra e shtypit ALAR

Bukuresht, tetor 2024

Filed Under: Kulture

AT SHTJEFËN GJEÇOVI MERITON MË SHUMË!

October 18, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli

A person with a mustache

Description automatically generated

12 Korrik 1874 –14 Tetor 1929

“Këto punë po i shkruaj këtu, o vëlla shqiptar, jo me ndonjë qëllim të keq, por pse po ma ka ënda me e mbështetë në to vjetërsinë e kombit tonë. Le ta marrë vesh bota se hyjnitë, mënyrat dhe sjelljet e besimtarëve, si grekët dhe latinët e vjetër, i patën prej etërve tanë, Pellazgëve”. (At Shtjefën Gjeçovi)

At Shtjefën Gjeçovi — klerik shqiptar françeskan, shkrimtar, publicist, përkthyes, etnograf dhe arkeologu i parë shqiptar. Më 1929, për shkak të veprimtarisë së tij patriotike, arsimore dhe kulturore u vra nga serbët në Kodrën Rrezin të Zymit të Hasit të Thatë. Viti 2024 do duhej të ishte shpallur vit kushtuar At Shtjefën Gjeçovit, me rastin e 150-vjetorit të vrasjes së tij nga armiqtë shekullorë të Kombit shqiptar. Ky propozim është bërë në një letër dërguar Ministrit të Kulturës të Republikës së Kosovës, zotit Hajrullah Çeku, në fillim të këtij viti nga Kryetari i Akademisë dhe Arteve Republikës së Kosovës, Akademik Mehmet Kraja, sipas linkut të bashkangjitur:  U mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit (150-vjetori i lindjes)” – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ashak.org) 

Siç duket, propozimi i Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, paska renë në veshë të shurdhër të enteve të tjera të qeverisë e shtetit por edhe të enteve të tjera të interesuara të Republikës së Kosovës, pasi nuk është venë re ndonjë veprimtari kushtuar vitit të Shtjefën Gjeçovit me rastin e 150-vjetorit të vrasjes së tij nga serbët. Tani shohim se paskan dalë bosh përpjekjet prej pothuaj prej një vit të Akademisë dhe Arteve të Kosovës, për të përfshir ente dhe institucione të tjera shkencore dhe kulturore të Republikës së Kosovës, në organizimin  veprimtarive kushtuar At Shtjefën Gjeçovit në 150-vjetorin e vrasjes së tij nga serbët. Thuhet se entet që Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës shpresonte të bëheshin pjesë e këtij aktiviteti këtë vit, për të nderuar Shtjefën Gjeçovin, por që më në fund, duket se u tërhoqën, duke mos mbajtur premtimet, janë: Instituti Albanologjik, Instituti i Arkeologjisë, Universiteti i Prishtinës, Instituti i Historisë, Instituti i Trashëgimisë Kulturore, Komuna e Prishtinës, Komuna e Lipjanit etj. Por në radhë të parë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit duhej të ishte, sipas ekspertëve, enti kryesor bashkrendues përgjegjës.  Sidoqoftë, siç duket, i vetmi aktivitet kushtuar 150-vjetorit të Shtjefën Gjeçovit nga serbët, u zhvillua me 14 tetor 2024, një organizim ky – në minutën e fundit — nga Akademia e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë. Me një organizim që të sjell në mend atë frazën popullore: “Më ka çu baba sa me la gojën”, u mbajt konferenca shkencore e quajtur “ndërkombëtare”, me titull: “Krijimtaria e Shtjefën Gjeçovit. Por, pa mbështetjen zyrtare të enteve të lartëpërmendura, ndërsa pjesëmarrja duket, sipas fotografive, dukej shumë e pakët, madje sipas disa burimeve, një numër folësish që kishin premtuar të merrnin pjesë, emrat e të cilëve ishin në program, as nuk kishin ardhur.

Është e vështirë të merret me mend se në interes të kujt është që vepra dhe jeta e At Shtjefën Gjeçovit të “mbetet në heshtje për një kohë të gjatë” siç u shpreh edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja në fjalën e tij të mbajtur në konferencën shkencore me 14 tetor në Prishtinë. Nisma e Akademisë në fillim të këtij viti, për ta sjellë veprën dhe sakrificën e Gjeçovit në vëmendje të publikut në Kosovë, por edhe në Shqipëri, në 150-vjetorin e lindjes së tij nuk gjeti mbështetjen e nevojshme tek institucionet shkencore, kulturore dhe arsimore të Kosovës as të Shqipërisë. “Nuk e mbajtën fjalën të gjithë ata që na premtuan se do të bëheshin pjesë e kësaj devotshmërie dhe respekti për Gjeçovin dhe veprën e tij. Në mungesë të kësaj mbështetje, ne patëm vetëm një zgjidhje: përmes kësaj konference, t’i japim zë shkencor punës së vyer të Shtjefën Gjeçovit, duke hedhur dritë mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës së tij”, është shprehur Akademiku Mehmet Kraja në fjalën e tij në konferencën shkencore. Lexoni fjalën e plotë me këtë rast të Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Z. Mehmet Krajës, marrë nga portali i tij (facebook):

“Dua të them që në fillim se ne e zgjodhëm 14 tetorin për këtë konferencë kushtuar Gjeçovit (pra dita e vrasjes së tij), për të kujtuar me pietet jo vetëm kontributin e tij për dijen dhe kulturën tonë, si themelues i arkeologjisë shqiptare, ndër të tjera, por më shumë për të sjellë në vëmendje se historia mund t’u përsëritet atyre që nuk dinë të nxjerrin mësimet e vyera prej saj. Pra, duke vlerësuar lart figurën e Gjeçovit në këtë 150-vjetor të lindjes së tij, deshëm që ky vit në Kosovë të quhej vit i Gjeçovit, sa në shenjë respekti për veprën dhe kontributin e tij, po aq edhe për faktin se gjatë periudhës së shkuar Gjeçovit nuk iu bënë nderet e merituara për punët e vyera, si themelues tashmë i padiskutueshëm i arkeologjisë dhe etnologjisë shqiptare. Kishte një arsye “jopublike” që Gjeçovi të mbahej në një heshtje për një kohë të gjatë: ai u vra nga një shtet, pjesë e të cilit Kosova ishte deri para 25 viteve. Por ajo që më bën përshtypje tani, është dijenia se mendësia e atij shteti që heshti dhunshëm Gjeçovin vazhdon edhe përtej kufijve kohorë të atij sundimi famëkeq. E them këtë jo pa mllef, sepse nisma e Akademisë për ta sjellë Gjeçovin në vëmendje të Kosovës në 150-vjetorin e lindjes së tij nuk gjeti mbështetjen e nevojshme tek institucionet shkencore, kulturore dhe arsimore të Kosovës. Nuk e mbajtën fjalën të gjithë ata që na premtuan se do të bëheshin pjesë e kësaj devotshmërie dhe respekti për Gjeçovin dhe veprën e tij. Në mungesë të kësaj mbështetje, ne patëm vetëm një zgjidhje: përmes kësaj konference, t’i japim zë shkencor punës së vyer të Shtjefën Gjeçovit, duke hedhur dritë mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe veprës së tij. Më anë tjetër, as në shtetin e Shqipërisë, Gjeçovi nuk gëzoi njohje, mbështetje dhe respekt, madje shpesh nuk iu njoh as merita e themeluesit të arkeologjisë shqiptare. Regjimi komunist nuk e deshi për tri arsye kryesore: ishte prift; ata që vriteshin në Kosovë, jo gjithmonë nderoheshin në Shqipëri; dhe e treta, nxori nga harresa Kanunin e Lekë Dukagjinit, kryeveprën e së drejtës zakonore shqiptare. Kanuni u identifikua me Gjeçovin dhe u konsiderua pengesa kryesore e shtrirjes dhe depërtimit të moralit dhe ligjeve komuniste në masat e gjera, në emër të emancipimit. Prandaj nuk është për t’u habitur që Kanuni, ndërsa në Kosovë u ribotua më 1972, në Shqipëri, pas botimit të parë më 1933, nuk njohu dritë botimi deri me rënien e socializmit dhe po ashtu nuk duhet të habitemi që një numër veprash në dorëshkrim të Gjeçovit, si drama, novela dhe përkthime nuk e panë ndonjëherë dritën e botimit.

Si përfundim, dua të theksoj këtu se Gjeçovi është rilindës, rilindësi më i rëndësishëm i Kosovës, me të gjitha atributet që i kanë burrat me mendjen më të ndritur të kombit shqiptar. Ai ishte i pari rilindës që zbuloi se jo vetëm idetë dhe fryma jolëndore mund të flasin shqip, por shqip mund të flasë edhe toka, edhe një terakotë, edhe një kambanë e lënë në harresë. Ai po ashtu zbuloi se mund të jetë monument kulturor me vlerë të paçmuar edhe e drejta zakonore e kodifikuar, padrejtësisht e apostrofuar nga ideologjitë si pengesë e prosperitetit tonë kombëtar”. (Dr Mehmet Kraja –ishte kjo fjala e tij në konferencën me rastin e 150-vjetorit të Shtjefën Gjeçovit, mbajtur në Prishtinë disa ditë më parë).

 

Unë e kam të vështirë ta marr me mend se kush janë personat, organizatat dhe entet zyrtare të shqiptarëve, qofshin ato edhe qeveritare, që vërtetë duan të hedhin në harresë veprën dhe kontributin e At Shtjefën Gjeçovit. Për më tepër pyes veten se pse?  Besoj se në fjalën e tij, Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Dr. Mehmet Kraja hedhë dritë mbi disa prej arsyeve se pse At Shtjefën Gjeçovi nuk gëzon mbështetje as njohjen e duhur, zyrtare, për veprimtarinë e tij – as në Kosovë e as në Shqipëri. I madhi Faik Konica ka thenë se, “Po, At Gjeçovi është përmi çdo sharje.  Emri i këtíj njeriu të rrallë do të vejë duke u-rritur…” – Duket se edhe Konica paska qenë i gabuar në parashikimet e tija se emri i Shtjefen Gjeçovit, “do vejë duke u rritur”, ndër shqiptarë. Përkundrazi, kam drojë se – duke gjykuar punët nga ky organizim i cunguar për të nderuar jetën dhe veprimtarinë e Gjeçovit në 150-vjetorin e tij — jo vetëm që emri i Gjeçovit nuk po rritet ndër shqiptarët, por ai gradualisht, po hidhet në harresë, zyrtarisht, si shumë të tjerë, përfshir At Gjergj Fishtën — në përputhje të plotë me trashëgiminë sllavo-komuniste — që për fat të keq të Kombit — ende mbizotëron në (mos)trajtimin zyrtar të këtyre figurave të mëdha kombëtare, në korridoret vendimarrëse të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare. Vlerësimet më të mëdha, me këtë rast, për Akademikun Mehmet Kraja dhepër ata kolegë të tij që u përpoqën ta shënojnë në mënyrë të dinjitetshme 150-vjetorin e At Shtjefen Gjeçovit! Turp për të gjithë ata — në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar — që për 35 vite tani, vazhdojnë t’i trajtojnë këto figura kombëtare, si At Shtjefen Gjeçovi, në frymën më të shëmtuar të nostalgjisë ndaj regjimeve sllavo-komuniste në trojet shqiptare. Siç tha në fjalën e tij edhe Dr Mehmet Kraja, përkujtime të tilla, siç është 150-vjetori i Gjeçovit, në mos për asgjë tjetër, atëherë duhet të shënohen, “më shumë për të sjellë në vëmendje se historia mund t’u përsëritet atyre që nuk dinë të nxjerrin mësimet e vyera prej saj.” Prandaj, Shtjefën Gjeçovi meriton më shumë se kaq!

Frank Shkreli

          A group of people in a room

Description automatically generatedAkademiku Mehmet Kraja, Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, duke mbajtur fjalën e rastit në konferencën që siç duket — në mungesë të mbështetjes nga entet e tjera, u organizua shpejt e shpejt, në minutën e fundit. Kjo shihet nga mungesa e të pranishëmve në sallë madje edhe e disa ligjëruesve (24 gjitsejt) emrat e të cilëve ishin në programin e konferencës për të folur, por siç duket nuk ishin prezent. 

Filed Under: Kulture

“Shtëpia e Shqiptarit” si qendër atdhetare për mbarë shqiptarët e Filadelfias

October 15, 2024 by s p

Dritan Matraku*

Të dashur bashkatdhetarë, motra dhe vëllezër, miq e dashamirës! Mirë se keni ardhur në këtë ditë madhështore për komunitetin tonë, përurimin e qendrës së re të shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe shkollës Shqipe “Gjuha Jonë”. Në mesin tonë kemi të ftuar nderi Senatorin e shtetit të Pensilvanisë, Z. Jimmy Dillon, anëtarin e Këshillit Bashkiak të qytetit të Filadelfias z. Michael Driscoll dhe përfaqësuesin e zyrës së Senatorit Bob Casey, z. Ethan Selensky, ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Ervin Bushati, sekretarin e Federatës Pan Shqiptare të Amerikës Vatra, Dr. Pashko Camaj, sekretari i shoqates se shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë Dr. Bexhet Asani, kryetari i Akademisë së Shkencave Shqiptaro Amerikane, dr. Skender Kodra, poeten dhe shkrimtaren e njohur, znj. Iliriana Sulkuqi, editori i gazetës Dielli, z. Sokol Paja.

Ju lutem, një duartrokitje të ngrohtë në shenjë respekti për miqtë tanë të nderuar, për mbështetjen që ata i kanë dhënë dhe vazhdojnë ti japin komunitetit tonë.

Dëshiroj ta hapi fjalën time sot me një thënie të arsimtarit, gjuhëtarit dhe studiuesit Eqerem Çabej, i cili ka thënë: “Gjuha është pasqyra më e qartë e një kombi dhe e kulturës së tij”. Sa të vërteta tingëllojnë këto fjalë, sidomos për ne shqiptarët e diasporës! Ne e kuptojmë më mirë se çdo kush rëndësinë që gjuha jonë amtare mbart si një nga gjërat më të vyera që na lidhë me vendin që lamë pas. Mendoni për një çast gjithçka morët me vete kur mbërritët në tokën e premtuar: disa valixhe me sende të përdorimit të përditshëm që vanë e shkuan; ndoshta pak para që i harxhuat shpejt; mallin për njerëzit dhe tokën që latë pas; dhe gjuhën e nënës, të vetmen pasuri pa shterrim që do të mund t’ua trashëgoni fëmijëve tuaj dhe brezave të ardhshëm. Le ta ruajmë dhe ta kultivojmë këtë pasuri të vyer si dritën e syrit. Ky është dhe ka qenë pjesë e misionit të shoqatës sonë që prej krijimit të saj, 22 vite më parë.

Jemi mbledhur të gjithë bashkë të festojmë përurimin e kësaj ndërtese që tashmë në një simbolizëm të veçantë ka marrë emrin “SHTEPIA E SHQIPTARIT”. Përveçse një qendër për komunitetin tonë, kjo ndërtesë do të shërbejë edhe si një vatër për shkollën shqipe “Gjuha Jonë ”. Më shumë se 80 nxënës të regjistruar këtë vit do të kenë privilegjin të jenë për herë të parë në bankat e kësaj shkolle çdo të diel për disa orë e të mësojnë për traditat dhe gjuhën tonë amtare. Çdo vit e më shumë, të tjerë fëmijë do të mbushin oborrin dhe klasat e kësaj ndërtese duke përmbushur një amanet shumë vjeçar, amanetin e brezave të shkuar; porosinë e nënave; vullnetin suprem që zbret nga shekujt dhe na thërret ta ruajmë gjuhën si gjënë më të shtrenjtë dhe t’ua përcjellim atë brezave të rinj. Vëllezër dhe motra, për ne si emigrantë ky është akti më sublim i patriotizmit dhe atdhedashurisë! Ndaj dhe kjo ndërtesë është kaq me vlerë për të gjithë ne. Të gjithë duhet të jemi krenarë për ketë ndërtesë të dijes dhe atdhetarisë. Shtëpia e shqiptarit përherë ka qenë dhe do të jetë simboli i mikpritjes dhe bujarisë —bukë, kripë, dhe zemër — ndaj dhe titulli “SHTËPIA E SHQIPTARIT” i shkon shumë për shtat kësaj ndërtese.

Kjo vatër, derën e secilës e zbukuron shqiponja dy-krenare; muret e secilës përqafohen denjësisht nga flamuri kuq e zi, do të jetë për të gjithë një shtëpi e përbashkët ku shqiptari nga Kosova të ulet gju më gju me atë të Shqipërisë, Çamërisë, Maqedoni së dhe të Malit të Zi dhe ashtu siç u ka hije vëllezërve të një gjaku, të bashkuar të qajnë hallet e të ndajnë gëzimet me njëri – tjetrin. Një fole ku këngët dhe vallet tona të këndohen e kërcehen ashtu si i kemi kënduar e kërcyer nëpër shekuj. Një vatër ku historia jonë të marrë jetë nëpërmjet mësimeve për betejat dhe bëmat e heronjve tanë, Gjergj Kastriotit, Nënë Terezës, legjendarit Adem Jashari!! E teksa u mësojmë brezave të rinj historinë e kombit, në të njëjtën kohë ne shkruajmë historinë tonë si e vetmja shoqatë mbarëkombëtare dhe shkollë shqipe për diasporën në Filadelfia.

Vëllezër dhe motra, dera e kësaj shtëpie do të jetë gjithmonë e hapur për të gjithë shqiptarët pa dallim, për miqtë dhe dashamirësit e shqiptarisë! Fryma e vëllazërisë dhe e bashkimit do të mbushë përherë dhomat e kësaj ndërtese modeste por me një zemër të madhe ashtu si zemra e shiptarit që ndër shekuj ka strehuar besën, bujarinë dhe burrërinë e pashoq.

Siç e përmenda pak më parë, shoqata jonë e nisi veprimtarinë këtu e 22 vite më parë. Shumë punë e mundim na është dashur për të arritur ku jemi sot. Dëshiroj të marr një moment në këtë ditë të falenderoj të gjithë ata që për mbi 20 vjet kanë bërë të mundur suksesin dhe vazhdimësinë e misionit tonë. Çdo kush që pa ngurrim iu përgjigj thirrjes sonë për ndihmë në restaurimin e kësaj ndërtese me punë vullnetare dhe një bujari të pashoq. Ju do të keni përherë mirënjohjen tonë të thellë dhe atë të mbarë komunitet shqiptarë ne Filadelfia. Blerja dhe restaurimi i plotë i kësaj ndërtese u kompletua falë punës vullnetare të dhjetëra bizneseve dhe sipërmarrësve, anëtarëve të komunitetit tonë, si dhe qindra të tjerëve që na mbështetën me kontributin e tyre financiar. Pa punën dhe sakrificën tuaj, kjo ndërtesë nuk do të qëndronte sot e lartë dhe krenare. Mundi dhe sakrifica juaj është tashmë e lidhur me muret dhe pragun e kësaj shtëpie simbol. Gjithashtu, dua të falenderoj edhe njëherë ata burra e gra që për mbi 20 vjet kanë bërë të mundur suksesin dhe vazhdimësinë e misionit të shoqatës sonë. Atyre që prej vitesh kryesojnë, mësueseve të palodhura, të gjithë që nëpër vite kanë dhënë një kontribut të pashoq, në emër të të gjithë shoqatës dhe komunitetit shqiptar në Filadelfia e gjetkë, ju falënderoj sepse ju ecët, ne kemi mundësinë sot të vrapojmë!

Gjithashtu, falenderoj të gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues të shoqatës për punën dhe mundin e tyre, veçanërisht, nënkryetarin e shoqatës, Mexhit Koboçi.

Ju falendroj edhe njëherë nga zemra në emër të shoqatës “Bijtë e Shqipes” dhe në emër të komunitetit tonë. Le të jetë kjo ditë një ogur i mirë për punët që na presin në të ardhmen.

Më duket e vendit ta mbyll me një thënie të diplomatit dhe shkrimtarit të njohur Mit’hat Frashëri: “Meqenëse jeta dhe siguria e secilit është e lidhur me fatin e të gjithë atyre që, së bashku, formojnë kombin, do të na donte shpirti që çdokush të sakrifikojë pesë minuta në njëzet e katër orë dhe të hetojë nga thellësia e vetes së tij se ç’shërbim ka bërë për shoqërinë dhe ç’të mirë mund t’i bëjë kësaj shoqërie që quajmë komb.”

Dhe me këto fjalë, ju ftoj të gjithëve ti bashkoheni udhëtimit dhe misionit tonë për të çuar në vend porosinë e të parëve tanë: të ruajmë e të përcjellim gjuhën, traditat dhe kulturën, dashurinë për dheun e të parëve derisa të kemi frymë. Le të punojmë pra pa u lodhur në bazë të mundësive të gjithsecilit në shërbim të njëri-tjetrit dhe kombit, pa harruar kurrë ti japim kontributin dhe punen tonë Amerikës, vendit që na birësoi dhe hapi dyert atëherë kur kishim më shumë nevojë! Ashtu siç themi ne shqiptarët, “miku i mirë njihet në kohë të vështira”.

Vëllezer dhe motra, ta gëzojmë ndërtesën e re! Edhe njëherë ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në këtë ditë gëzimi dhe hareje.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët! Zoti e bekoftë Amerikën, atdheun tonë të dytë! GOD BLESS USA, OUR HOMELAND

*Fjala e Kryetarit të Shoqatës “Bijtë e Shqipes” z.Dritan Matraku mbajtur me rastin e përurimit të qendrës komunitare “Bijtë e Shqipes”, Filadelfia, 13 Tetor, 2024.

Filed Under: Kulture

Trupa profesioniste e Teatrit të Korçës vazhdon turneun nga Nju Jork në Worcester dhe Boston

October 14, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Mbrëmë ishte nata e tretë dhe e fundit e shfaqjes së komedisë Nuse Vetëm për Letra me autor dhe regji të Leka Bungos nga trupa profesioniste e teatrit të Korçës në Producers Club në Manhattan, NY.

Humori është gjini e vështirë por humoristi Lenka Bungo dhe interpretimi i aktorëve profesionistë zbavitën me të qeshura publikun shqiptar. Komedia sjell reagime që vijnë nga një tip skeme martese të një vajze me origjinë shqiptare, të lindur në Nju Jork, që me ndihmën e njerkut rekruton kandidatë të huaj dhe shqiptarë të cilët hyjnë në “komplikime kontraktuale” për të siguruar qëndrimin në Amerikë.

Gjergj Kovaçi, Drejtues e Pronar i USALB TV edhe organizator për ardhjen e trupës së Korçës për herë të parë në Nju Jork, përshëndeti publikun dhe falënderoi pjesëmarrësit, veçanërisht sponsorët Fredi Tolja si dashamirës të përhershëm të artit dhe artistëve shqiptarë.

“Përkrahja për artin dhe artistët tanë është parësore për gjithë shoqërinë,” tha regjisori shumë i suksesshëm Bujar Alimani.

Shfaqja është vënë në skenë në teatrin e Korçës vitin e kaluar dhe është bashkëpunimi i parë midis Leka Bungos dhe trupës A. Z. Çajupi. Fundjavën e ardhshme trupa do të japë shfaqje në Worcester dhe Boston.

Foto: Aktorja Zamira Kita fotografon trupën e komedisë Nuse Vetëm për Letra dhe publikun në natën e tretë të turneut në Nju Jork.

Filed Under: Kulture

NË GALERINË E NEW YORK-UT DO TË EKSPOZOHEN PIKTURAT E ARTISTES KOSOVARE LULJETA RAMA – MUÇAJ

October 12, 2024 by s p

Prend Ndoja/

Në metropolin më të madh të artit, në New York, me pikturat e saj do të paraqitet edhe znj. Luljeta Rama Muçaj, pas disa ekspozitave të mëhershme në disa qendra europiane. Profesoresha dhe artistja nga Kosova me shumë krenari do ta prezentojë artin dhe kulturën shqiptare në Nju Jork. Znj. Rama, ndjenjat e saj të shkrira në pikturë, me një gjenialitet të veçantë do t’i shfaqë në Galerinë e Arteve, në adresën: 49 W, 52-end st., New York me datë 10-20-2024. Artdashësit shqiptarë si dhe ata të nacionaliteteve tjera do të ndihen të lumtur para kombinimit të ngjyrave të derdhura artistikisht në pikturat e saj. Në finesat e detajizuara reflektohet gjenialiteti i artistes, që në mënyrë të veçantë sjell kënaqësi shpirtërore te artadashësit e pikturës. Në brendinë e nivelit të krijimtarisë artistike të znj. Rama ka thellësi, përtej pamjes së parë dhe kërkohet njohje dhe kritere profesionale për t‘i hetuar të gjitha, andaj them se arti një pjesë të fatit e ka edhe se si e kuptojnë njerëzit atë. Megjithatë, përmes punimeve artistike të znj. Rama, pa dyshim se artdashësit e të gjitha fushave do të kenë mjaft piktura, ku do të ushqejnë lumturinë e tyre shpirtërore. Nëse i shikojmë nga këndvështrimi kritik, mund të thuhet se, sa më gjatë do të qëndrosh përballë tyre, pikturat e znj. Rama kurrë nuk do të bëhen të mërzitshme. Lartësia artistike në pikturat e saj dallohet, sepse punimet e saj artistike lindin nga nevoja shpirtërore, nga brendia për t’u dhuruar të tjerëve vlera. Thuhet se “edhe diamanti, edhe xhami shkëlqejnë në dritë”, por në krijimtarinë artistike të znj. Rama, reflektohet shumë qartë distanca mes diamantit dhe xhamit.

Jam i bindur se ekspozita e organizuar mirë për krijimtarinë e z. Luljeta Rama Muçaj do të mbetet në kujtesën e vizitorëve për një kohë të gjatë. Znj. Rama, të mirëpresim dhe të falënderojmë për prezantimin e krijimtarisë suaj artistike dhe të kulturës sonë kombëtare në Nju Jork.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 40
  • 41
  • 42
  • 43
  • 44
  • …
  • 543
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT