• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AKADEMIA E SHKENCAVE E SHQIPËRISË, NË BASHKËPUNIM ME UNIVERSITETIN “FAN S. NOLI” DHE SHOQATËN KULTURORE “NAUM VEQILHARXHI” ORGANIZUAN: TRYEZË SHKENCORE (NË 225-VJETORIN E NAUM VEQILHARXHIT)

December 12, 2022 by s p

Në datën 12 dhjetor 2022, në Universitetin “Fan S. Noli” zhvilloi punimet Tryeza Shkencore e organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, në bashkëpunim me Universitetin “Fan S. Noli” dhe Shoqatën Kulturore “Naum Veqilharxhi” me rastin e 225-vjetorit të Naum Veqilharxhit. Në fjalën e hapjes rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Dhimitri Bello përshëndeti të pranishmit dhe çmoi bashkëpunimin që Universiteti ynë ka me Akademinë e Shkencave në organizimin e veprimtarive të ndryshme, si dhe përgëzoi Shoqatën Kulturore “Naum Veqilharxhi” për angazhimin në këtë organizim. “Në këtë tryeze shkencore prezantohen kumtesa me mjaft vlerë nga profesorë e studiues të njohur, të cilët sjellin me punimet e tyre këndvështrime të reja e të panjohura për jetën dhe veprën e Naum Veqilharxhit”.

Fjalën përshëndetëse në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave e mbajti akad. asoc. Gëzim Hoxha, i cili gjithashtu shpehu kënaqësinë për realizimin e disa bashkëpunimeve të suksesshme me Universitetin tonë. Ai shprehu besimin se kumtesat e këtij tubimi do të japin të dhëna e gjykime historike për figurën e ndritur të rilindasit Naum Veqilharxhi.

Prof. dr. Vjollca Ibro në emër të kryesisë së Shoqatës Kulturore “Naum Veqilharxhi” falënderoi Akademinë e Shkencave dhe Universitetin “Fan S. Noli”, të cilët u treguan mjaft entuziastë për të mbështetur këtë organizim. Më pas, ndër të tjera, ajo theksoi se synimi i Shoqatës ka qenë dhe mbetet njohja dhe përcjellja e vlerave të ngjarjeve historike, të personaliteteve, të traditave atdhetare e kulturore në nivel kombëtar, e në veçanti të vendlindjes, Vithkuqit e Korçës.

Më pas në kumtesën e tij, prof. dr. Emil Lafe u ndal në “Parimet gjuhësore të Naum Veqilharxhit” ndërsa prof. as. dr. Jonela Spaho, dekan i Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë referoi temën: “Abetaret e Veqilharxhit si fillim i letërsisë shqipe për fëmijë”.

Punimet e kësaj tryeze vijuan me kumtesën e dr. David Hosaflook, “Ëvetarët” e Naum Veqilharxhit dhe Shoqëria Biblike: një përgjigje e vonuar e pyetjes së Ilo Mitkë Qafëzezit më 1937”.

Prof. dr. Fedhon Meksi, prezantoi për pjesëmarrësit kumtesën: “Një vend nderi në altarin e nacionalizmit shqiptar për Naum Bredhi-Veqilharxhi”, ndërsa prof. as. dr. Teuta Toska referoi temën: “Abetaret në shqipe si shenja përtej gjuhës: nga Veqilharxhi e deri më sot”.

Dr. Adelina Nexhipi referoi temën: “Rruga drejt “Evëtarit” – një fanar i dijes”.

Pjesë e kësaj veprimtarie ishin edhe prezantimi nëpërmjet posterave i burimeve për vendlindjen, jetën dhe veprimtarinë e N. Veqilharxhit, disa videoklipe me këngë popullore kushtuar figurës së tij, si dhe leximi i disa pjesëve të zgjedhura nga letra për nipin, lexuar nga nxënësit e shkollës së mesme “Themistokli Gërmenj”.

Filed Under: LETERSI

XHYDOLLARI NË NJË LIBËR MEDITATIVO-FILOZOFIK

December 8, 2022 by s p

-Rreth librit “Komunizmi,masati i zjarrit të së keqes”, shkruar nga shqiptaro-amerikani nacionalist Muharrem Xhydollari-

Ishin vitet 70-të: Një djalë i ri, me trup   drejt-qiri, me hapa të shpejtë lëvizte rrugëve të sapo “vaditura”  me ujë gjoli nga makina e komunales në Pogradec. Asfalti ndriste nën një shkëlqim të nxirtë. Ai ecte nxitimthi duke ndjerë freskinë  avulluese nga  zifti mbi rrugë.Me hapa të shpejtë, me ritëm konstant shkonte diku. Sa herë vinte në Pogradec, ndalesën e parë do ta bënte tek shtëpia e Lasgush Poradecit. Linte aty një torbë me miell apo patate, mollë apo ç’të kishte dhe merrte 2-3 libra. Pastaj dilte nga  liqeni dhe harbonte mendimin. Ishte 20 vjeçar nga fshati buzë liqenit. Ajo bukuri e qetë e gjolit, ishte bërë pjesë e jetës dhe ëndrrës së tij. Hidhte sytë tutje ku ishte “kufiri armik” mes ujrave të qeta dhe turbullohej. Kishte kureshtje, por nuk deshte asgjë më shumë se vendlindja e vet. “Këtu, këtu do jem” i pëshpëriste vetes. Një zë i thoshte “Ikë të shpëtosh”. Nuk tundohej. Ai e deshte gjolin dhe Pogradecin, fshatin e vet dhe buzëliqenin dhe aty i dukej se “Dielli nuk mungonte asnjë mëngjez”, edhe pse në shtëpi i mungonte babai që ishtë në burg… Vetëm dielli kishte mbetur “i ngrohtë” me të…Çdo gjë ishte ftohur.Në fshat shumica nuk i flisnin. I largoheshin. Ndaj ai e kishte festë kur vinte në qytet, sepse askush nuk e njihte dhe ai harbohej rrugëve me vetveten dhe ndihej ndryshe  larg pëshpërimave në Udënisht. Kishte një frikë se të nesërmen nuk do ta shihte më liqenin dhe valët e tij, mjelmat mbi  retë e bardha do fshiheshin diku dhe ai nuk do t’i  sodiste më atë bukuri ujore mesmalesh…E dinte. Ai për fatin e hidhur të trashëgimisë,  kishte një “dosje plot”: Xhaxhain,  të pushkatuar  nga partizanët, babain në burg nga pushteti që ai kundërshtonte…Po vetë? Kur do t’i vinte radha?… “Ikë, ikë sa nuk je kallur brenda” i gjëmonte një zë. Ai: “Jo,Jo. Ky është vendi im…” ndeshej në heshtje. I rrodhën ca lotë, si për ta lagur edhe pakëz bulevardin pranë liqenit…Mos po lotonte rininë e vet?… Nuk vonoi dhe atë e arrestuan. Hetuesit nuk e morën në pyetje. “Dosja ishte gati”.Në gjyq ca nga fshati e lavdëruan si “djalë i mirë” dhe kjo i kushtoi disa vite ekstra…Bëri 10 vjet në burgun e Spaçit.Ishte Muharrem Xhydollarai(Udënishti)…

50 vjet më pas,nga Amerika  ai do shpenzonte ditë dhe netë duke menduar për komunizmin,  si filozofi dhe system, si “mortje njerëzore” që pllakosi gjysmën e globit dhe si “fat që nuk e pushkatoi”… Ai mund të mos ishte në vitin 2022. Por desh Zoti dhe ai është. Ndaj në netë pa gjumë, në ditët me borë apo në kohë shiu, në shtëpinë e vet në Amerikë, do shpotiste mendime për komunizmin, do shleftone libra, enciklopedi,gazeta të panumurta e  arkiva amerikane për të arritur tek libri i tij i tretë meditativo-filozofik “Komunizmi-masati i zjarrit të së keqes”… Muharrem Xhydollari e sjell këtë libër si “testament” të shpirtit të vet që për mëshirë të Zotit përballoi 10 vjet burg në Spaç dhe tashmë pensionon në perëndim të Atlantikut, me familjen e vet si baba, gjysh,intelektual dhe shkrimtar…

“Dua të shkruaj një libër të veçantë për komunizmin, do më thoshte në telefon. Do jetë shpirti im dhe i atyre që nuk janë, do jeni ju dhe të tjerë që “nuk u gërvishti” sistemi…” Xhydollari të bën ta dëgjosh atë që thotë, edhe pse nuk pajtohesh. Ai ka një forcë ballafaquese të jashtëzakonshme. Do t’i thosha se janë thënë të gjitha. “Çfarë do të thuash më shumë…?!” Dhe ai më përgjigjej: “Ju nuk e  njihni “forcën goditëse” të asaj kohe…Unë e kam provuar deri në palcë. Nuk dua të vdes pa e thënë atë që mendoj për brezat që të mos përsëritet kurrë…”

U  krye më 2022: Muharrem Xhydollari vjen me librin e tij prej 220 faqesh: “Komunizmi-Masati i zjarrit të së keqes”.Janë copëza reflektimi që të futin në mendime, të bëjnë “të ndezësh një cigare” dhe të vijosh leximin.Janë mendime  filozofike, compëza mençurie njerëzore dhe deduksione të vetë autorit .Libri i Xhydollarit të duket një  “enciklopedi” me gjithë  “të thënat” për këtë system shoqëror të dështuar. Të sjell ç’thanë ata që e shpikën, e ata që e zbatuan dhe ata që  e “shijuan” bashkë me “trashëgimtarët”  që tashmë janë bërë “Filozofë të lirisë”…

Është një punë e lodhshme e autorit, janë qindra emra, citate, deduksione, e plot “netë pa gjumë” të Xhydollarit, por është “testamenti” që e pat ëndërruar.Ai e shikon ende debatin për sistemin “rripshtrënguar” e “gojëkyçur”si një fushbetejë pa albitër, në një paqartësi shoqërore alarmante ku “Protagonistët…kanë zënë vend në të dyja anët e llogorveve, ta ndarë nga mjegulla e keqkuptimit dhe mosbesimit”, shkruan autori. Duke shfletuar faqet e këtij libri që fillojnë që me mendimet filozofike të Sokratit (Liria konsiston në dëshirën për të  zotëruar veten) dhe përfundojnë me “mbllaçitjet” e atyre që ishin “pjesë e nomenklaturës” autori të habit me “gjithëpërfshirjen” filozofike të mendimit dhe autorësisë. Në fillim ai sjell “mençurinë e botës” për të zbritur tek realiteti i mendimit shqiptar. Xhydollari shkruan: “…kam permbledhur përsiatje filozofike të mendjeve të shënuara botërore me ballancën mes eprësisë së shtetit dhe të drejtës për liri të individit, ballancë që, kur prishet në dëm të individit, prodhon sisteme gjakatare si komunizmi që përjetuam ne, shqiptarët…”  (Forca lind prej dhunës dhe vdes prej lirisë”- Da Vinçi. “Lerini njerëzit të dinë të vertetën dhe vendi është i sigurt”-Linkoln…  Këto e  shumë e shumë qëmtime të autorit, vijnë si “dritë nga larg” për të qartësuar sadopak kakofoninë politiko-shoqërore shqiptare.

 Në libër janë të gjithë.Është një punë e lavdëruar, jo se “sjell shpikje”, por rrëfen  në mënyrë të sistemuar bukur “ato që janë thënë” për një system që nuk ja doli të ishte “Ai që premtohej”,kur populli mori pushkët për të luftuar pushtuesit.“Pse më sjell këtu se ç’thotë Lisjen Bashkurti dhe Shpëtim Çaushi të dy sekretarë të KQ të BRPSH-së? e pyeta autorin. Ata kanë qënë në “majat e diktaturës” që më kanë dhënë direktiva edhe mua…A mund të ma tregojnë ata “systemin e tyre”?…Kështu e pyeta drejtsëdrejti. Muharrem Xhydollari që ka një aftësi të të tërheqë në bisedë dhe debat më tha: “Mendimi i tyre më duhet, sepse janë ata që  imponuan dhe janë po ata që e dinë më mirë “nga brenda” sistemin…”.

Në librin në fjalë janë “konspektuar” me durim dhe mençuri të gjitha të thënat për “Kohën që shkoi”. E kam të pamundur të përmbledh qoftë edhe si emra gjithë përmendjet e autorit , që në vetvete dëshmojnë më së miri jo vetëm punën e madhe të Xhydollarit, por edhe dëshirën e tij të madhë që secili në librin e vet “të ketë të thënën për komunizmin”. Janë qindra citate  dhe kuotime nga politikanë dhe  filozofë amerikanë, eurpianë, aziatikë dhe mesdhetarë. Në librin e tij ai citon Ramiz Alinë   që e sheh “Arkitekt” ta tranzicionit të pafat shqiptar. Autori e fillon me Hafiz Ali Korça që thotë se “Bolshevizma është çkatërrimi i njerëzimit” dhe  “epitaf” në fund të librit është thënia e Shën Agustinit “Na duhet më parë t’i dëshmojmë punët e këqija e atëherë mund të themi se kemi filluar punët e mira”. Muharrem Xhydollari jo pa qëllim e ka vënë këtë shprehje në fund të librit të vet, sepse realisht Shqipëria kurrë nuk mund të bëntë “radiogarfinë” e vërtetë të  realitetit që iku me shpresën e madhë  për të pasur “Një fillim të ri”. Me këtë neglizhencë të vetëdijshme të politikës shqiptare shpjegohet edhe tejzgjatja e tranzicionit gati sa “jetëzgjatja” socialiste.

Libri i Muharrem Xhydollarit të krijon një “stuhi” mendimi, të bën të kthesh kokën dhe të “gjesh veten” diku në thënie apo filozofime të atyre që jetuan atë kohë. Edhe unë jetova ato vite, por jo me dhimbjen dhe mundin-torturë të bashkëpatriotit tim Xhydollari.Kishim “Fate të ndara”, fate të “nënshkruara” nga prindërit tanë që “mendonin ndryshe”. Ndërsa  respektoj në solemnitet, jo thjesht një nacionalsit si Xhydollarët, por të gjithë të tjerët që “i griu” pushteti që ne e quanim “pushtet i popullit” një e vërtetë duhet thënë: Pushteti i komunistëve “erdhi nga gryka e pushkës”.Ato kohë, “dhuna ndaj armikut”  ofrohej verbazi si drejtësi, si “shpëtim i popullit dhe Shqipërisë” ndaj jo më kot lufta për të mbajtur pushtetin kishte në fillim në shënjestër “armiqtë e popullit” që vite më pas do quheshin “armiq të partisë dhe popullit”…Ishte një mospërballje që shumica e pohoi në heshtje dhe mundime, në përpjekje “për të jetuar”. A nuk është “dëshira për të jetuar” sublimitet i çdo qënie njerëzore. Me këtë unë e shpjegoj “nënshtrimin”  dhe “heshtjen” e shumicës shqiptare,përfshi edhe mua,duke u bërë instiktivisht “pjesë e kohës”.Ata që guxuan dhe vuajtën në burgje,në internime, që humbën të dashurit në pushkatime  dhe “pa varre për të qarë” ata meritojnë të nderohen dhe dëgjohen, të respektohen edhe kur “nuk jemi në një linjë”. Ka qënë një sakrificë që vetëm guximtarët mund ta përballonin. Është ky guxim, është kjo kurajo dhe shpresë e pashoqe, që  e bën edhe Muharrem Xhydollarin nga Udënishti i Pogradecit, të vijë për lexuesit me një “libër-testament”, që ka mundur ta nënshkruajë me punë dhe  vullnet të lirë. Autori meriton përgëzime për këtë kontribut, që ka vlerat e veta për vitet në vijim edhe pse nuk mund të jetë “e vërteta e vetme” siç e quan me pasion të justifikuar Muharrem Xhydollari. Me këtë libër ai mbetet një “sheit” i kohës që iku,madje një “sheit” ndryshe, që pushteti “diktaturë e proletariatit”  “i vodhi” edhe lotët, që nuk mundi t’i ndiente mbi faqe kur në qelinë e burgut në Spaç  kur shokët iu afruan tek krevati me një batanije për ta ngushëlluar. Ca prej tyre po qanin.Por jo Muharrem Xhydollari. “Nuk kisha lot…Të tjerët qanë babain tim që  e mbaj mend vetëm përtej “hekurave të kryqëzuar”…Komunizmi më kishte “burgosur” edhe lotin, bashkë me rininë time…” 

Xhydollari autorësinë e librit “Komunizmi-Masati i zjarrit të së keqes” e ka një “meritë të merituar” edhe si shembull i madh i “Njeriut që fal…” dhe “pi kafe me ish-gardianët e burgut”…

Shefqet Meko

23  Nëntor 2022

Filed Under: LETERSI

ROLI DHE KONTRIBUTI I KRISTO FLOQIT NË PAVARËSINË E SHQIPËRISË DHE NË NDËRTIMIN E INSTITUCIONEVE TË SHTETIT TË PAVARUR SHQIPTAR

December 2, 2022 by s p

BESIM MUHADRI
Universiteti “Fehmi Agani” Gjakovë

BEDRI MUHADRI
Instituti i Historisë “Ali Hadri”, Prishtinë

Juristi, politikani, publicisti, e para së gjthash dramaturgu e komediografi Kristo Floqi, është pa dyshim një nga figurat interesante të periudhës para dhe pas pavarësisë së Shqipërisë. Edhe pse ai ka lënë gjurmë të pashlyera në këto fusha, megjithatë pas Luftës së Dytë Botërore, përkatësisht pas instalimit të regjimit komunist dhe diktatorial në Shqipëri, ai jo vetëm që u harrua, por u eleminua tërësisht nga jeta publike, madje edhe u persekutua dhe vdiq në gjendje tepër të mjeruar, ashtu sikurse edhe shumë personalitete të rëndësishme të të tjerë të Shqipërisë.
Kjo figurë kaq komplekse e kaq e rëndësishme, por mjerisht e fatkeqësisht e harruar nga shteti komunist shqiptar dhe e përmendur apo e prezantur vetëm me ndonjë komedi në Kosovë, doli nga arkivii i harresës dhe mjaft e kompletuar, me anë të librit “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare” të Prof. As. Dr. Jonela Spaho, pedagoge në Universitetin “Fan. S. Noli” të Korçës.

Kristo Floqi lindi në Korçë më 15 nëntor 1920. Mësimet e para i mori në shkollën qytetëse në Korçë, ndërsa studimet e mesme dhe të larta i kreu në Greqi. U diplomua për drejtësi në Athinë, ku punoi në profesionin e avokatit më 1899, ndërsa në Korçë hapi një zyre avokature, ku punoi gjatë viteve 1902-1908. Gjatë kësaj kohe ai punoi si avokat edhe nëManastir, por edhe në Dibër, si anëtar i gjyqit të shkallës së parë.
Siç dihet, në kohën kur studioi dhe filloi të punonte Kristo Floqi, Shqipëria ende ishte nën pushtimin turk, prandaj i duhej të mësonte turqishten. Dhe, për të mësuar turqishten, iu desh të kalonte një kohë në Stamboll. Atje, si shqiptar dhe atdhetar që ishte, nuk mundi të rrinte indiferenet ndaj zhvillimeve dhe aktiviteteve kombëtare që po bëheshin nga intelektualë dhe atdhetarë të shquar shqiptarë të saj kohe. Prandaj, pa humbur kohë, u aktivizua në lëvizjen Kombëtare, duke njohur personalitete të njohura të kohës, atdhetarë e shkrimtarë shqiptarë të asaj kohe. ky aktivitet atij do t’i shkaktone telashe me pushtetin turk, prandaj, me shumë vështiërsi, iu desh të ikte dhe, më pas të lëshonte edhe Shqipërinë dhe të shkonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Qëndrimi në Amerikë -kontributi i tij në botimin e gazetës “Dielli” dhe në themlimin e Federatës Panshqiptare “Vatra”

Në Amerikë, shumë shpejt do të inkuadrohet në zhvillime të rëndësishme dhe aktivitete kombëtre të shqiptarëve, duke fituar një autoritet dhe përkrahje të jashtëzakonshme nga ana e mërgatës shqiptare. Për një kohë ai drejtoi gazetën më të vjetër të shqiptarëve, “Dielli”, e cila vazhdon të botohet edhe tani. Ai nuk është vetëm vetëm ndër themeltarët e Vatrës, por dhe iniciatori dhe drejtuesi i mbledhjes së parë për bashkimin e shoqërive shqiptare të Amerikës. Ndonëse Faik Konica dhe Fan Noli konsiderohen nga ata që hodhën farën e bashkimit, mirëpo thirrjen për takimin e parë bashkues e kishte bërë ai Floqi, më 11 dhjetor 1911, përmes gazetës Dielli,të cilën e drejtonte ai në atë kohë. Pra, si editor i “Diellit” Floqi i parapriu procesit të krijimit të Federatës, duke treguar dobitë e bashkimit dhe duke eleminuar apo luftuar përçarësit. Ajo qëështë edhe më e rëndësishme, edhe thirrja për takimin bashkues u hartua dhe u nënshkrua nga Kristo Floqi.
Të gjitha këto aktivitete e organizime në komunitetin shqiptaro-amerikanë, kishin një qëllim: Përgatitjen e shqiptarëve për punë të mëdha të zgjidhjes së çëshjes kombëtare, në këtë rast, të procesit të pavarësisë së Shqipërisë. Përveç Nolit, Konicës, Sotir Pecit e disa të tjerëve, ndër figurat kyçe të këtyre zhvillimeve shohim të ishte Kristo Floqi, i cili nuk kishte shumë kohë që kishte shkuar në Amerikë.
Akti i Pavarësisë dhe i formimit të shtetit shqiptar Kristo Floqin, ashtu sikurse edhe Konicën, Nolin dhe të tjerët i gjeti në Amerikë. Këtë akt ata e pritën me entuziazëm, ndonëse nuk ishte ajo që ata kishin punuar dhe ëndërruar. Tani duheshin punë të tjera, siç ishte çështja e ndërkombëtarizimit dhe të pranimit të shtetit të saposhpallur të pavarur shqiptar. Duheshin punë, angazhime në arenën ndërkombëtare. Takime me burrështetas të shteteve të mëdhe dhe kyçe të botës dhe të Evropës, për të bërë diçka për shqiptarët dhe shtetin e tyre. Gjendja ekonomike dhe shumë aspekte të jera të jetës dhe të rrugëtimit të shtetit të saposhpallur ishin si mos më keq, prandaj dueheshin angazhime nga të gjithë e veçamas nga ata që kishin bërë emër e miq nëpër botë. Ndër ta ishin edhe Noli, Konica, por pse jo edhe Floqi.

Në ndërkohë, njëKongres panshqiptaar u mblodh në Trieste. Kjo u bëme iniciativën e Austro-Hungarisë, e cila dëshironte që shqiptarët të kërkonin mbretin e tyre nga dinastia e Habsburgëve. Nga “Vatra” si përfaqësues në këtë kongres u zgjodh Konica, ndërsa ortodoksët dhe klerikët e Amerikës zgjodhën Nolin si përfaqësuesin e tyre, i cili do të bashkohej me Konicën në Trieste. Shumë shoqëri shqiptare në Amerikë i kërkuan edhe Floqit që të shkonte në Trieste, por për shkak se Konica me Nolin ishin larguar, i mbetej atij që të merrej me çështjet patriotike në Amerikë. Megjithatë, ai do të niesët për të marrë pjesë në këtë kongres, në kjohën kur ai veç kishte përfunduar punimet me rezuktate të suksesshme për çështjen e Shqipërisë, duke njohur qeverinë e përkohshme të Ismail Qemalit dhe duke shprehur mbështetjen e patundur për të. Po ashtu në Kongres u dikutua edhe puna e kufijve etnikë të shtetit të ri, prej nga edhe u dërguan rezoluta të fuqishme kryeqyteteve europiane dhe Konferencës së Ambasadorëve në Londër, që ishte në punimee sipër, ku u bëhej thirrje për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe heqjen e bllokadës greke”.
Aty Floqi u takua me Nolin dhe Konicën me të cilët diskutoi për rezultatet pozitive të kongresit, në dobi të çështjes shqiptare.Pas kësaj kohe, Floqi dëshironte të shkonte në Vlorë, mirëpo ishte i penguar nga forcat greke që e kishin bllokuar hyrjen për në Vlorë. Prandaj ai shkon edhe në Venecia, mirëpo prapë kthehet në Trieshë e së fundi, me propozim të Nolit, shkon në Napoli, që të takonte dukën e Napolit, Montespier, pretendentin e fronit të Kastriotëve, i cili kishte mundësi të çante kufirin me jahtin e tij dhe t’i çonte ata në Vlorë.

Në Napoli mësuan se qarqet qeveritare italiane ishin zemëruar për shkak se shqiptarët nuk e bënë kongresin në Itali, por në Austri, sepse sipas tyre, Italia e kishte ndihmuar shumë shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Për bisedime konkrete, ata dërguan agjentët e tyre, të cilët u takuan me Floqin dhe Nolin në Napoli. Italianët iu propozuan të qëndronin në Napoli, duke iu premtuar një zyrë shtypi, e cila të drejtohej prej tyre në favor të çështjesshqiptare. Kjo ishte e rëndësishme sepse duke pasur një zyrë dhe një organ shtypi, mund të ndihmonin propogandën shqiptare dhe mbrojtjen e qyteteve kryesore të Shqipërisë; Shkodër, Korçë dhe Gjitokastër, të cilat rrezikoheshin të aneksoheshin prej Serbisë dhe Greqisë. Ky propozim i italianëve iu ra në ves austriakëve, të cilët shqiptarëve zyra dhe një shtypshkronjë, me qëllim që shqiptarët tëqëndronin në Trieste. Në ndërkohëFloqi u thirr nga Drejtori i Sigurimit Publik të Triestes, i cili i premtoi krijimin e të gjitha lehtësive që gazeta të dilte brenda tre muajsh. Por ai nuk e pranoi këtë propozim, në emër dhe të shqiptarëve të tjerë, sepse prej kohësh ju kishin kërkuar autoriteteve austriake që të hapnin një gazetë shqip në Trieste por ata kishin refuzuar,ndërkohë që kur nuhatën qëllimet e Italisë u zgjuan dhe kërkonin të rivalizonin me ofertat e tyre.
Shqiptarët kërkuan prej italianëve vetëm agjensinë e lajmeve “Tefani” dhe akomodimin, për një periudhe prej 3 muajsh, të 6 shqiptarëve që do të punonin atje, me mendimin se këto shpenzime do t’i paguante një ditë qeveria shqiptare. Kështu Hil Mosi që ndodhej atë kohë në Milano, pasi hyri në bisedime me autoritetet qeveritare italiane, iDërgoi Floqit një shumë prej 150 koronash, me qëllim që ai të vinte në Milano. K.Floqi u nis për në Milano me shpresën që të tërhiqte me vete, së shpejti, e dhe shokët.
Në Milano e pritën Hil Mosi dhe Xhuzepe Skiroi, të cilët i propozuan të formonin një shoqëri shqiptare, bashkë më shqiptarët e tjerë që ndodheshin në Trieste, me shpenzimet e qeverisë italiane.Floqi kundërshtoi duke thënë se nuk pranonte as ai, as shokët e tij të holla nga qeveria italiane, sepse ata nuk ishin aventurierë por patriotë që do punonin për çështjen e Shqipërisë, por Skiroi e bindi se Italia do të ishte shumë e kënaqur të ndihmonte patriotët shqiptarë që të punonin për çështjen e Shqipërisë, sepse në fakt ekziston te dhe rivaliteti meAustrinë. Pas disa ditësh K.Floqi thirri në Milano shqiptarët e tjerë që ndodheshin në Trieste, rreth 16 veta, midis të cilëve, Nolin, Gramenon, Sotir Gjikën, Spiridhon Ilon dhe së bashku dhe me Skiroin dhe Kozmo Seremben, themeluan komitetin shqiptar “Shqipëria e re”.
Pas disa kohësh Fan Noli u largua për në Rusi dhe Rumani dhe më pas edhe Hil Mosi. Ata shqiptarë që mbetën filluan punën. Floqi tregon se rezultati i punës i solli dobi çështjes shqiptare. Telegramet dhe apelimet që ju dërgoi komiteti qarqeve qeveritarte europiane, por dhe Shteteve të Bashkuara, shpëtuan Shkodrën, Korçën dhe Gjirokastrën, nga thonjtë e Serbisë dhe Greqisë. Ndërkohë, Duka Montpensier kishte mundur të çante bllokun në Vlorë dhe të silltenë Napoli Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin. Ismail Qemali pasi mësoi për ekzistencën e komitetit shqiptar në Milano, bisedoi në telefon më Floqin i cili i raportoi për punën e komitetit dhe programin e veprimit. Ismail Qemali do të shkonte në Vjenë duke kaluar nga Venediku dhe Kristo Floqi i propozoi të ndalej në Milano, për t’u takuar e biseduar më konkretisht. Ai e pranoi propozimin. Ismail Qemali ndenji katër ditë në Milano dhe u nis prej andej në Vjenë, por duke e njoftuar se Vlora dhe rrethinat e saj po rrezikoheshin nga uria, për shkak të bllokimit të kufirit prej flotës greke, prandaj i porositi anëtarët e komitetit që të gjenin një mënyrë për zgjidhjen e krizës.
Pas ikjes së Ismail Qemalit, Floqi hyri direkt në bisedime me qeverinë italiane dhe me anë të Ministrit të Jashtëm të kësaj qeverie u arrit që të jepej urdhër për nisjen në Vlorë të një vapori me mallra ushqimore, madje u garkua dhe një ekip për shpërndarjen e tyre.
Qeveria italiane i propozoi Kristo Floqit që të nisej në Vlorë për të shoqëruar anijen. Floqi këtë propozim e priti me një entuziazëm të madh, jo vetëm se pas kaq kohësh do të shkelte prapë në atdheun e tij, por për më tepër që do të shkonte për të shpëtuar popullin e Vlorës nga uria. Në Vlorë shpërndarja e ndihmave u bë në mënyrë të rregullt, sipas listave të paraqitura nga Bashkia e Vlorës, dhe pas mbarimit të misionit ai u bë gati të nisej për në Milano.
Në këtë kohë, ministri i Drejtësisë i Qeverisë së Ismail Qemalit, Petro Poga, i nënshkroi menjëherë dekretin me anë të të cilit e ngarkonte me detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Vlorë, si dhe me misionin për organizimin e sistemit gjyqësor në gjithë vendin, detyrë të cilën e pranoi.
“Unë u ndesha në një pozitë delikate, se si patriot s’mund të refuzonja një shërbim zyrtar me të cilin më ngarkoj e para Qeveri Shqiptare, sado e vogël që qe rroga. Po nga ana tjetër, si i ngarkuar me mision nga ana e qeverisë italjane, me një qëllim mirbërës për shqiptarët e Vlorës, s’munt edhe të mos kthehesha në Milano ku kisha dhe detyrat eKomitetit tonë përsipër, do të shprehet në mes tjerash Floqi në kujtimet e tij..

Pas kthimit në Atdhe, Kristo Floqi iu kushtua avokaturës, letërsisë dhe politikës. Më 1919 ai drejtonte të përmujshmen”Agimi” në Shkodër, ku kishte hapur dhe zyrën e vet avokatore. Më 19 shtator 1920, për pak muaj ai është Ministër i Arsimit në Kabinetin e Iliaz Vrionit. Në legjislaturën e parë, 21 prill 1921 ishte deputet në Parlament. Ushtroi edhe detyrën e gjyqtarit të Diktimit.
Floqi u shqua edhe në fushën e krijimtarisë letrare dhe publicistike. Floqi ishte ndër dramaturgët e zëshëm të kohës së vet dhe radhitet në historinë e lëvrimit të dramës shqiptare krahas Sami Frashërit, Mihal Gramenos, Nolit, Foqion Postolit etj.
Kristo Floqi është dalluar edhe në fushën e studimeve, ku ka ka botuar një sërë tekstesh me karakter politik dhe juridik, historik e etnografik.
Me gjithë këto kontribute në fusha të ndryshme, si në aspektin jurdik, ashtu edhe politik e letrar, Kristo Floqi pat një fund tragjik. Vdekja e tij ishte tepër tragjike dhe e dhimsbhme. Vdiq një vit pas daljes nga burgu (1951), në një gjendje plotësisht të mjeruar, i braktisuar e i harruar. Askund nuk u fol për vdekjen e tij, madje as në gazetën që kishte drejtuar vetë. Mendoj se libri i botuar i studiueses Jonela Spaho, është një ndër kontributet më të rëndësishme që hedh dritë mbi jetën dhe kontributet e Kristo Floqit, këtij eruditi e patrioti të madh shqiptar.

Filed Under: LETERSI Tagged With: BEsim Muhadri

CIKËL ME POEZI NGA JERIDA KULLA – MALL QË VETËM RRITET!

December 2, 2022 by s p

PO VI…

Po vi me peshën e ditëve të munguara,
me çastet që rendnin përgjatë kalldrëmit të mallit…
Po vi me zjarrin që digjet në oxhak të shpirtit.
Po vi me shpejtësinë e frymës,
Me pulitjen e syrit,
me rrahjen e zemrës…
Po vi me çantën e emigrantit mbi supe,
që e mbart mbi shpinë,
si breshka zguallin..
Pak plaçka,
Shumë mall e lot…
Pak gjëra, për ju, të vogla fare…
çdo gjë për ju duket e vogël,
vetëm malli e mungesa është si mal.
Kur vi, kilometrat shkurtohen…
Mezi po pres t’ju rrok në qafë,
t‘ju ndiej erën…
Era ndeu krahët e saj,
për të më sjellë më shpejt…
Oh, ky mall që nuk shuhet kurrë,
një mall ku fundoset e zhytet dhimbja…

MIRË U TAKOFSHIM SHENJTËRIA IME!

Gurin e shtëpisë me vete e mora.
Mbrujtur me kujtimet e vajzërisë.
Mallin e shkrova në pragun e derës,
si sy vigjilent të më ruante nënën dhe babanë.
Mbi shpinë mora lotët e patharë të nënës…
Heshtja e babait flet me fjalët e zemrës.
Dridhërimën e motrave në sy e ula,
që lotin të ma fshinte.
Mungesën e aromës së shtëpisë
në shishkën e vitit e mbylla.
Të parfumosem me të,
ta ndiej veten si në prehrin e nënës,
si në krahët e babës.
Dielli ndrin fort sot.
Shkrin borën e akullt,
rrëzë luginës,
në shpatin e maleve.
Ndrin, po nuk më ngroh.
Asgjë nuk e ngroh largesën nga mëma, asgjë.
Nënë, më prit,
do të kthehem sërish te ty.
Do të kalojnë ditë, javë e muaj.
Do t’u gëzohemi ditëve me bisedat tona.
Valët shtrihen në thalb të zemrës
e rrahin me të njëjtin ritëm.
Ritëm i malltë.
Ju rrok me dashurinë time.
Ju shoh me sytë e zemrës.
Mirë u takofshim shenjtëria ime…

TAKIMET ME TY AT, JANË MALL!


Bisedat me ty tashmë janë heshtje
Malli gërryen fjalën,
lidh me penjtë e ditës mungesën tënde.
Mungesë e dhimbshme.
Boshllëk që shtyp me peshën e askundit.
Në ajër frymon fjala jote.
Në eter endet shpirti yt.
Në sy pikon loti i kripur e zhurit faqen.
Në buzë këndohet vaji i ikjes tënde…
E unë nuk di me ç’gjuhë të të flas,
që të më dëgjosh,
Të më flasësh si dikur, si miq të mirë.
Takimet me ty, At, janë pritje.
Ashtu si e prisje agun e mbrëmjen me shpresën e gjallnimit.
Unë të flas me gjuhën e shpirtit,
si vajza atit,
si “fmiu” yt,
që më përkëdhelje pa fund…
Takimet me ty, At, janë mall!
Mall që vetëm rritet!

SOT E PASHË TIM ATË NË ËNDËRR

Sot e pashë tim atë në ëndërr.
I qetë, me një buzëqeshje në fytyrë.
Erdhi nga mungesa e ditëve të ftohta të dimrit,
të më ngrohë me dritën e tij,
të ma qetësojë shpirtin.

Sot e pashë tim atë në ëndërr.
I zgjasja duart ta përqafoja,
si dikur, kur kthehesha në shtëpi
e rrotulloheshim në krahët e njëri-tjetrit
për t’u ngopur me mungesën e largët.
Ai më shikonte me sytë e tij të qelqtë
e më fliste me heshtjen e përkohësisë.
Jam këtu bijë!
Mos u step në hapat që hedh.
Lëvizi kokën,
sikur miratoi atë që zemra foli.

Sot e pashë tim atë në ëndërr.
Më shumë më dogji malli.

Filed Under: LETERSI

Prof. Zef Pali-një “portret” për Fishtën

November 30, 2022 by s p

Frano Kulli

C:\Users\Vitore\AppData\Local\Temp\Rar$DRa0.322\Frano_color_2.jpg

Njëri ndër dy botimet jubilare për Fishtën, “At Gjergj Fishta 1871-1940” , përgatitja e të cilit fillon në vitin  1941 prej At Benedikt Dema, hapet me shkrimin e Prof. Zef Palit.

Prof. Zef Pali, (1910-1977) njëri prej intelektualëve të spikatur shqiptarë të kohës së vet, lindi në Shkodër. Në atë qytet mori mësimet e para, në gjimanzin françeskan, të themeluar prej At Gjergj Fishtës. Më pas në shkollën Normale të Elbasanit, kurse studimet e larta i kreu  në Firence (Itali). Pas studimeve, në vitin 1937, kthehet në Shkodër dhe emrohet drejtor i shkollës “Skanderbeg”. Në vitin 1941, shkon vullnetarisht në Kosovë, përkrah rreth 200 mësuesve dërguar atje nga Shqipëria, me përkujdesjen e Ministrit të Arsimit të kohës, Ernest Koliqi. Bashkë me të shoqen Flora Pali (Lezhja) , mësuese edhe ajo, ndihmuan në hapjen e shkollave shqipe atje..

Nacionalist, në gen e në formim, në ditët e para të vitit 1939 ishte ndër të parët organizatorë të demostratave të zhvilluara në Shkodër kundër fashizmit dhe në gushtin e atij viti angazhohet me organizatën “Balli kombëtar”, në atë qytet, themeluar prej Lec Kurtit. E shumë shpejt rradhohet në krah të Mid’hat Frashërit, për realizimin e platformës së kësaj organizate nacionaliste. Nëpërmjet shtypit të saj kryesisht, të cilin e drejtoi për gati 30 vjet.

Në mbarim të luftës, largohet nga Shqipëria, përsëri në Itali, i dëbuar prej rrethanave të dhunës së pritëshme prej pushtetit të ri komunist që po vendosej. Nuk u shkëput për asnjë çast nga veprimtaria atdhetare në mërgim. Në Romë, në Paris,në Amerikë…Shkrimet e tij, kryesisht në gazetën “Flamuri”, që firmoheshin prej tij (me pseudonimin “Flaka”), shënjojnë kualitet të veçantë në memorjen atdhetare të elitës së mërgatës sonë në botë. 

Prej vitit 1955 e deri në fund të jetës, punoi në Seksionin e Gjuhës shqipe pranë Radio Vatikanit. Orator i shkëlqyer, mjeshtër i shkrimit dhe i artikulimit, një mbrojtës i dalluar i të drejtave të njeriut dhe një luftëtar i pa kompromis i lirisë. Vdiq aksidentalisht në Romë, në vitin 1977. U varros me nderime të mëdha prej Mërgatës Shqiptare, në Nju Jork (Sh.B.A) , në varrezën “Ferncliff”, pranë varrit të Mid’ had Frashërit.

FISHTA

Zef-a e thirren fshatarët camërdhokë Fishen e vogel, kur ai hillej plot gaz mbi kaçuba e rmore perciellun ambel me muzikë currilash.Neper shpate të hijesueme, mbi shkambij të thepisun u lshue me kambë të sbathuna “i vocrri i nanës”. Me ato kambë të njoma shkeli mbi ferra, me ato kambë të vogla u shtí në shpella.E ferrat therëse i rembyen “ohet” e para të jetës.Shpellat e errëshme i zbuluen çerdhet e pushkatarve, tbânat e Zanave.Nji çerdhe të nxime, atje në Fishten e papërmendun, e gjet kerkimtari edhe te votra e tymosun.Zumbarja  në ndoj vetull mali, kanga në votren e repun, ia dridhen heret zemren e mertisun.Por kur kokës iu hoq qeleshja, zemra nisi me i shperthye.Ajo buçiti me krizëm e lirë në prehnin e të Vorfnit t’Azisit.

***

Ata qi e skaliten me sy Fishten e Madh tue ngrehë zharg nji kambë, tue e mshtetë me mund mbi nji shkop, kishin qef me besue se Poeti i Fisit, nuk kishte ndërrue gjatë stinve.

Nji P. Gjergj të gjatë, të shkathët qi nget pa të vështir prej qyteti në fshat, prej fushe në mal, pak kush e ka parasysh. Nji P.Gjergj sy-kerkues, sy-hetues me nji fytyrë të hajme, me nji ball të mvrojtun, me pak musteqe të shkurta, as nuk e mendon kush mâ.

Të gjithë e ruejnë të paprekun pamjen madhështore të poetit-plak:nji burrë i bâshem, i gjatë qi bán me madhni peshen e sa vjetve. Nji trup qi mshtetet mbi nji shkop, por nuk perkulet mbi té. Si nuk u perkulen gjatë stuhis së shekujve malet e nalta.

Por ma shumë se trupi mbuluem me zhgunin e murrmë na rrin gjithnji përpara fytyra e Poetit: ball i gjanë i kufizuem mes vetullash e flokësh së thimë e të mënjanuem;sy-shqipoje, qi pa syzet e zeza të pleqnis të përmbajnë si në frigë e në nderim; gojë mezatare, vullkan i pashuem i fisit krenar.

Por në qoftëse Fishta duel si vigâ nga guri i gjallë i malit trupore, fytyra e Tij do kerkue neper shkambijt e harruem t’Arbnis, qi moti shqiptar ka zakon me i gdhenë e me i ruejt me zili.Atëherë në vend të flokëve të thimë, të mënjanuem, ka me na dalë para në nji pyll virgji i përkulun , i zbardhun nga dimni.Balli i gjanë ka me na u dukë si ndonji shpat mali i rrpinët, i çveshun, i vijosun.Veshët, syt do të na paraqiten në ket vegim shpella ku rrin në beh luftari, zgavrra ku synon i patrembun pushkatari, e goja krater i vjetër- i ri prej kah shpërthen i furishem kushtrimi. Prej kah flaka e inatit e tymi i shfrimit dalin e përzihen me lava tallje.

***

Ilirija e pashueme qiti nji ditë të papritun kangatarin – mjeshtër.E zgjodhi bri nji krepi të çveshun, mbrenda nji kulle së gurtë.E mori përdore. e zbriti në fushë.Prej këndej Poeti i lindun pau malet. Pau çerdhet qi ndryjshin me zili mijë-vjeçare shpirtin e nji populli të lirë.Gjet zanat qi ruejshin nëpër gojët- gurra nji histori të pashkrueme. E u lëshua me hov kah sheshet e luftave të harrueme.Kërkoj me të dhanun emnat e etënve të gurzuem.I çveshi nga harresa e padrejtë, u ndërtoj altarin e merituem.Marashin e vendoj si trungu i fisit të lashtë.Osos i zbuloj trimnit e Batos. Abdylit urtinë e Marashit. Ilirin e thirri Shqiptar.

Ndër katunde ku shkoi me nxanë vendin e shërbëtorit të Zotit, hetoj tipat e fisit, ndëgjoi ndonji kallzimtar, ndonji kangatar.

Me protagonistat e ri kërkoj me ngjallë kangët e pa këndueme, kërkoj me ndi, me mledhë trimnitë e këndueme prej Poetëve të panjoftun, qi qiti e përpini mali kreshnik.

Në heshtín e kuvenit të Troshanit, Arrës së Madhe,Leshit, n’ekstazin e agimit u vu me përsëritë me za e mefigurë vargun epik qi i nxori goje kryengritja e krenëria e fisit.Agimi qe shoq i Poetit.Në lindje të sa mëngjezeve, linden shumë vargje, u përsëritën shumë lufta.Kaluen nji mbas nji me zjarmi djegëse kuadret e gjalla, kuadret e naltueme ke selia e hartit.Shqiptari njohti vehten.U kujtue se nji zâ i motshëm sa shkambijt e plakun i flitëte pa e ditun mbrenda shpirtit.

Në nji dhomë të thjeshtë të mbushun me libra të vlefshëm, mbrenda të cilëve kishte këndue Homeri, Virgjili, Shakespear-i, Molier-i, u rreshtuen vargjet therëse e tallse, vargjet epike, kangët e nji shpirti të lëkundun.Të lëkundun nga dashunia e tokës, nga qindrea e rojtarit besnik, nga bukurija e gjuhës së pavdekëshme.

Shumë gojë shpërthyen nëpër nji gojë.

***

Gojën qi përdori me këndue e shtini në punë edhe më mësue.

Në nji skaj të Shqipnis u çel nji shkollë.Shkolla e Fishtës.Shkollë thjesht shqipe.Rreth mësuesit të mash u mblodhën kalamajt e lagjeve të vorfna të qytetit.U grumbulluen të çveshun, të zbathun, të lanun jashta dere. Me këta shokë të vegjël sot katërdhjetë vjet, Fishta ngjalli nevojën e mësimit.Me këta fëmijë të braktisun popullzoj kalán e parë prej kah fluturuen shqipet e reja.

Mësuesi, qi dijti me folë me gjuhën rrufè -zhgjetare, dijti me folë edhe me ambelsin e nji kërthini. U bâ i vogël e me shokët e vegjël, shokët e rij kaloj ditët mâ të kthjellëta. Në mes të këtij grumbulli i lindën në zemër ndër dimnat e akullt shpresët e ngrohta.Prandej kurr nuk u hidhënue me to.Edhe kur shkopi i tij çohej me furí për me zbritë i randë ke flaka e ndonji fajtori të vogël, thupra nuk e bante poteren e pritun.Ajo zbritëte lehtë mbi dorën dridhëse.Mësuesi e nxanësi rrijshin gjithnji shkoë.”Janë të vogjël, thonte Fishta, asht mëkat me ua kthye gazin në vaj. Kanë mjaft me qa ndër familjet e pabukë”.

Shkolla e Fishtës qe nji Shqipni e vogël. Nji Shqipni e ngjallun  mes talljes e përbuzjes.Nji shkollë e lindun mes vorfnís e padijes.Nëpër ato oda të thata të zbukurueme vetëm nga fytyra madhështore e Mësuesit u hapën avujt e parë e nji gjuhe të luftueme. U rëmuen fjalët e ndryme në harresën dinake. Zbritën nga mali pasunit e trashëgueme. Nxanësit e habitun, të pamësuem panë të mishnueme dashunin e tokës, fuqinë e besës, murrjen e nderës, zjarrmin e burrnis.

E lufta nisi, shpërthei nga zemrat e msheluna.

E lufta s’pushon.

***

Por veç Poetit, Mësuesit, nuk mund tu hiku syve njeriu Shqiptar. Nji Shqiptar qi mënín  çdo të huej; qi kërkon me qenë Zot në shtëpi të vet. E për shtëpin e vet çon zanin e shqerrun, qan me lot gjaku herojt e pashpërblyem; nget ndër kryeqytete të botës e njef tatarin e diplomacis.

Njeriu-Shqiptar i naltuem mbi tribunën e nderës e të vlerës tërhek shumë sy.Ata sy kërkojnë në kangatarin në predikatarin, në politikanin dishka të huej, dishka të përsosme.Por brumi asht poshtë e pak kush kujtohet.

Njeriu shkëputet nga grumbulli vetëm për me këndue me Lahutë, vetëm për me therë me Anza, me mrizue me Zána. E atëherë, ato poshtë (frymëzuesat e panjoftun) qajnë, qeshin, gëzohen, tronditen.Hovet e nji shpirti të naltuem shkrepën për dyert e zemravet.

Fishta i përditshëm çfaqej nji Shqiptar i thjeshtë-i madh.Petku e shkolla nuk e kishin larguem aq shumë nga votra e parë. Me bisedët e gjata alegorike mbushë me anekdota të nji përvoje së pasun , kënaqte ata qi kërkojshin me e ndie e me e pa.Buzët qi nxirrshin aq lehtas  fjalët  e rrjedhëshme, ishin gadi me shpërthye në gaz, kur gazit nuk ja zente vendin hidhnimi.Pse kur mbi fytyrën e Fishës shifesgin shenjat e shtërgatës edhe shtërgata svononte me shpërthye me fjalë që verviteshin me furi.

Shqiptari, sado i ultë, viente për Fishtën ma tepër se çdo i huej. E edhe në qoftë se  shpesh u lëshonte kundër atyne qi i a prishëshin qefin, prap mbrenda vehtes i njifte vlerët e rrethit, e dinte se me përbuzë çdo gjâ, pa e njoftë mirë, âsht gadi instinkt i pa vullnetshëm për ne.

Ajo veç qi e mundoi ma fort gjatë jetës, qe liria e vendit.Kjo ishte biseda qi nuk lëshonte goje. Kjo ishte gozhda, qi shpesh ngjarjet e njerzit i a ngulshin në vendin e shpresës.

E kur nji shkrimtare e huej, tue ja kuptue pikën qi e mundonte, e pyeti: shka kishe me bâ me pasë për të humbë Shqipnia ? 

Fishta ju vërsul: “Kishin per të plasë edhe malet t’ona”

***

Fishta na la ditën e njij dimni të vranët. Shkoj me pri vallen e kangatarëve të zhdukun. T’atyne kangatarve qi shuen zânin bri nji Flamuri të harnuem, të grisun. Bri atij Flamuri qi hetoj mâ shumë në kalá se në vorr, mâ pak në kalá se në zemër.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Frano Kulli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 122
  • 123
  • 124
  • 125
  • 126
  • …
  • 301
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT