• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FJALËSHPEJTA NË GJUHËN SHQIPE

September 19, 2024 by s p

Prof.Dr. Begzad Baliu/

Docendo discitur

(Duke i mësuar të tjerët mëson edhe vetë)

Profesor Gjovalin Shkurtajt, vepra e të cilit e ka nxitur hulumtimin për këtë studim! Me nderim!

Hulumtimi, përgatitja dhe botimi i kësaj vepreje, sikur nuk ka një të ngjashme në punën time shkencore. Pas kalimit nga Instituti Albanologjik në Fakultetin e Edukimit, si ligjërues i lëndëve “Gramatika e gjuhës së sotme shqipe” (Fonetika dhe Morfologjia), “Morfologjia historike”, dhe “Fonetika historike e gjuhës shqipe”, kërkoja tekste alternative për studentë a grupe të caktuara programesh. Nuk i kuptoja kolegët, të cilët përdornin kryesisht një tekst për ligjërata dhe një tjetër për hulumtime më të avancuara. Për mua, të nxënit e lëndës nga studentët fillonte me tekste didaktike shkollore, pastaj me ato normative, si dhe përmbyllej me tekstet akademike më të avancuara. Në këtë kërkim e sipër një ditë më ra në dorë teksti universitar i Profesorit tim të nderuar Gjovalin Shkurtaj, Shqipja e sotme, Tiranë, 2010, që mbante dy nëntituj: Kulturë e të shkruarit dhe e të foluri, si dhe Bazat e gramatikës së shqipes standarde. Prej njohjes së biografisë së tij kisha mësuar se ai kishte mbajtur lëndën e gjuhës në disa fakultete e programe, por prej tekstit të tij mund të shihej se si e kishte përshtatur atë për disa nga temat e studentëve të Fakultetit të Arteve, në Universitetin e Tiranës. Më bëri përshtypje mënyra se si i ka trajtuar temat, pothuajse krejtësisht me diskursin e komunikimit letrar. Temat, të cilat duhej të diskutoheshin me studentët hapeshin si çështje përditshmërie, vazhdonin me shembujt konkretë, kulmonin me sinteza akademike dhe përmbylleshin me pyetje, detyra e ushtrime gjerësisht motivuese.

Në ciklin e parë të ligjëratave “Kulturë e të shkruarit dhe e të folurit”, veç tjerash ishte përfshirë një temë, e cila mungonte në të gjitha botimet e kësaj natyre në fonetikat dhe gramatikat e shqipes, përkatësisht në tekstet normative të kësaj lënde, që i njihja unë.

Pas rregullave të përgjithshme të drejtshkrimit, si dhe fenomeneve e dukurive fonetike, në libër ishte përfshirë edhe një tekst për Fjalëshpejtat(60-61), i cili natyrshëm përcillej edhe me temat për Frymëmarrjen, Cilësitë e zërit, Theksin e fjalës dhe Theksin logjik. Deri sa për dy temat e fundit kishim informacion të teksteve normative, për Fjalëshpejtat dhe Cilësitë e zërit dija jonë ishte elementare.

Jam befasua ndërkaq kur në hapje të ligjëratës sime, kam kuptuar se studentëve nuk ju mungonte dija elementare për fjalëshpejtat dhe kjo njohje nuk kishte të bënte me leximin e tekstit të ligjëratave, po me një përvojë të marrë nga kultura e përgjithshme e të nxënit të gjuhës angleze.

Këtu filloi edhe interesimi im për të hulumtuar këtë pasuri gjuhësore, përtej atyre dy faqeve përgjithësuese të Profesor Gjovalin Shkurtajt në një vëllim më të madh, nderimi për të cilin madje më është shtuar deri në atë masë sa këtë vepër ta botoj në shenjë respekti për kontributin e tij në fushë të mësimdhënies së gjuhës shqipe dhe hulumtimeve gjuhësore përgjithsisht.

Besoj se ndihmesa e Profesorit Gjovalin Shkurtaj do parë në tri rrafshe a në tre përbërës përkushtues për temën që më është shfaqur edhe në tri drejtime:

për fjalëshpejtat, dija e përgjithshme dhe studimet ishin modeste jo vetëm në studimet shqiptare po edhe në kërkimet shkencore të popujve fqinj;

prania e fjalëshpejtave në dijen universale ishte mjaft simbolike; dhe më e papritura, fjalëshpejtat ishin mjaft të pranishme jo vetëm një kohën tonë po edhe në traditën kombëtare.

A nuk ishin këto tri prej arsyeve pse unë ndërmora një projekt të kësaj natyre, i cili fillimisht kishte përmasën e një kërkimi për një studim modest, pastaj edhe të një materiali të hapur për tu botuar në revistën “Gjuha shqipe” të Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe së fundi, për ta kurorëzuar edhe me një vepër të veçantë.

Filed Under: LETERSI

Si u përndoqën shkrimtarët çamë nga organet e Sigurimit në diktaturë

September 18, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Edhe shkrimtarët çamë ishin në fokus të organeve policore dhe Sigurimit të Shtetit, si persona të dyshuar kundër regjimit dhe për rrezikshmëri të lartë shoqërore, pasi llogariteshin se mendonin ndryshe. Ishte pasojë e një fobie nga kasta qeverisëse ndaj komunitetit çam në tërësi.

Ishte diçka paradoksale, e pabesueshme dhe e rëndë.

Pesë vjet burg për Mitrush Kutelin, vetëm e vetëm sepse në biografinë e tij kishte pasur deviacione të bindjeve politike. Ky është “shpërblimi për merita” që i rezervoi në vitin 1948 pushteti komunist Dhimitër Paskos, të njohur ndryshe edhe me pseudonimin Mitrush Kuteli, me origjinë nga Arta, vlerësuar si një nga shkrimtarët më të mirë shqiptarë të shekullit të shkuar, apo më saktë si themelues të prozës moderne shqipe.

Në kohën e diktaturës Lidhja e Shkrimtarëve ka qenë vendi ku është bërë presioni më i madh. 

Të gjithë e keni dëgjuar emrin e shkrimtarit tonë të shquar të humorit e satirës Qamil Buxheli.

Shkollimin fillor e kreu në konviktin Çamëria në qytetin e Sarandës. Në fund të viteve `50-të, përfundon studimet e larta në Moskë, pranë Institutit të njohur Letrar Gorki.

Megjithëse një shkrimtar tepër i njohur dhe themelues i humorit modern, filluan t’i bllokonin librat dhe t’ia hiqnin nga qarkullimi, t’i ndalonin edhe dramat dhe komeditë, duke i bërë “gjyq popullor” para punëtorëve. Madje Qamilin dy herë e degdisën në fermën e Sukthit dhe në Elbasan, ku punoi për shumë vite si i internuar.

Qamil Buxheli ishte shkrimtari që i ka botuar për herë të parë krijimet e Bilalit, dhe pse me cen në biografi, sic thuhej atëhere.

Ndaj shkrimtarit Bilal Xhaferri, Qamili kishte treguar një kujdes të posaçëm prej botuesi e miku, duke botuar për herë të parë krijimet e tij.

Por siç rezulton nga dokumentet e arkivit, laku për humoristin kishte shkuar gjer në zgrip dhe atë e mbante në dorë vet kryeministri i kohës, Mehmet Shehu. 

Shehu i shkruante drejtpërdrejt diktatorit, duke theksuar se pas Bilal Xhaferrit, duhet të ishte doemos Qamil Buxheli, i cili, ka punuar shumë kohë me të në qytezën e Sukthit, ku ishte ishte caktuar me masë dënimi, duke e vënë foljen ka punuar në thonjëza, për t`i dhënë gjithë kuptimin e një pune gjasme instruktuese dhe bashkëpunuese armiqësore me të arratisurin. Sigurisht, afiniteti dhe vlerësimi i Qamilit për Bilalin, kishte të bënte para së gjithash me bindjen e tij se ai ishte mjaft i talentuar dhe shpresë e mbarë për letërsinë. Por vinte doemos edhe si përkrahje njerëzore për mikun dhe për patriotin që e kishte nga anët e veta.

Nuk po ndalem shumë te Bilal Xhaferi, pasi dihen tashmë vuajtjet dhe gjithë kalvari i shkrimtarit  të talentuar, i cili është ndjekur gjatë gjithë jetës së tij nga sigurimsat, që e ruanin dhe e spiunonin se çfarë bënte. 

Por duhet të themi se në rastin e Bilal Xhaferit dhe shkrimtarëve të tjerë çamë ka një tejkalim të ligësisë. 

Më duket si skenari ndaj Hilmi Seitit, ndaj Taho dhe Teme Sejkos, Tahir Demit dhe pjesëtarëve të tjerë çamë, me të të ashtuquajturit “grup armiqësor”.

Namik Mane u shfaq si një poet i talentuar në fillim të viteve 60-të. Në vitin 1967 u anëtarësua në Lidhjen e Shkrimtarëve. Por ia pezulluan librat për shkaqe politike, i hoqën dhe të drejtën e botimit nga të gjitha organet letrare.

Në vitin 1968 e internuan në Hamallaj të Durrësit, së bashku me Bilal Xhaferrin. Ekziston një dokumentit ku udhëheqësi komunist Rita Marko e sulmonte si armik dhe shok të Bilal xhaferit.

Një tjetër shkrimtar i njohur që vuajti 6 vjet burgim ishte Bedri Myftari, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, edhe ky shok i afërt i Bilal Xhaferit. Autor i disa librave në prozë dhe poezi, ku spikatin krijimet me motive nga Çamëria.

Më 1971 u arrestua si kryetar i të ashtuquajturit «grupi i të rinjve kundër vijës së partisë në art dhe letërsi» dhe, si shumica e anëtarëve, u dënua për agjitacion e propagandë. Për 20 vjet iu hoq e drejta e botimit. 

Nuk mund të rrimë pa përmendur këtu folkloristin e shquar Fatos Mero Rrapaj, autorin e librit testament “Këngë popullore nga Çamëria”, që na bëri krenar të gjithëve në vitet ’80, kur u botua me parathënie të Ismail Kadaresë.

Fatosi u arrestua dhe u burgos nga regjimi komunist për qëndrimin dhe pikëpamjet e tij kundër nacionalizmit e shovinizmit grek e sllav. Gjithë jetëm mbeti i varfër dhe i nëpërkëmbur, pa asnjë përkrahje nga shteti, vetëm se iu përkushtua folklorit të Çamërisë.

I njëjti fat ndoqi edhe Ibrahim Hoxhën, historianin dhe folkloristin e shquar, i provokuar dhe i survejuar gjithë jetën, me lloj-lloj mënyrash, nga informatorë të fshehtë apo oficerë të sigurimit të shtetit. E akuzuan për agjitacion propagandë dhe u dergj për disa kohë në burgjet skëterrë. Duke i shkatërruar arkivin e dorëshkrimet për Çamërinë.

Në vitet e regjimit komunist u dënuan për agjitacion e propaganda dhe  kundër vijës së partisë në art dhe letërsi edhe disa shkrimtarë të tjerë me origjinë çame, anëtarë të Lidhjes së Shkrimtarëve si Agim Mato, me izolim dhe heqjen e të drejtës së krijimtarisë, Tanush Kaso me 13 vjet burgim, Rasim Bebo me internim dhe izolim të plotë, etj.

Shkrimtarët çamë bëjnë pjesë te ajo kategori e vogël intelektualësh, që guxuan dhe nuk u pajtuan me cënimin e lirisë. Në atë kohë, ata bënë diçka kurajoze për të mos degraduar artin e tyre, duke zhvilluar talentin dhe fantazinë në një terren plot kurthe.

upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/d/d3/Mitrus...

Mitrush Kuteli

Qamil Buxheli - Libraria Ime

Qamil Buxheli

Ja ku dyshonte Bilal Xhaferri kur i ...

Bilal Xhaferi

Gjergj Dimitrov' Farm ...

Bedri Myftari

Remembering a great Albanian poet Agim Mato

Agim Mato

RASIM BEBO: DY SHTETE SHQIPTARE, ME ...

Rasim Bebo

]

Namik Mane – Legjenda e Gjallë e ...

Namik Mane

Qeveria..Ja Emrat..Nga Tanush Kaso ...

Tanush Kaso

Filed Under: LETERSI

MBI ROMANIN “FUNERALI I PAFUND” I VISAR ZHITIT

September 16, 2024 by s p

Thanas L. Gjika/

Doli nga shtypi në italisht romani i Visar Zhitit “Funerali i pafund” (FUNERALE SENZA FINE). Ky krijim i autorit shqiptar shumë të talentuar është një vepër romanore me formë moderne pa personazhe e pa linja subjekti. Aty pasqyrohet e përgjithësuar gjendja mendore e një populli, që jeton nën diktaturë, pa e përcaktuar se është diktaturë nazi-fashiste, komuniste ose totalitare. Populli nuk përcaktohet se cilit komb i përket, ai jepet si një turmë që ecën me drejtim të paditurduke mbajtur një arkmort mbi vete.

Temën e jetës së popujve nën diktaturat e lartpërmendura e kishin pasqyruar dhe shumë shkrimtarë të tjerë para Zhitit në letërsinë europiane, si Haveli, Kundera, Solzenicini, etj, të cilët kishin pasqyruar konkretisht jetën e këtij apo atij populli përmes subjektesh të ndryshme. Në këtë rrugë kishte ecur dhe vetë Visar Zhiti në romanin dy-vëllimësh “Burgologjia”, ku pasqyroi me mjeshtëri jetën e vet plot vuajtje dhe të bashkëvuajtëve të burgosur në kampet burg të Spacit e të Qafë Barit.

Kurse në romanin e ri “Funerali i Pafund” ai ka ndjekur një rrugë të re për të pasqyruar në mënyrë të përgjithësuar gjendjen e percudnuar të të gjithë popujve që kanë vuajtur e vuajnë nën diktaturat cnjerëzore.

O. Orewll-i tek romani humoristik “Ferma e kafshëve” kishte demaskuar demagogjinë e totalitarizmit, kurse Zhiti arriti një sukses të ri përmes një metafore të goditur duke përshkruar ecjen e një populli që jeton nën një sistem diktatorial, si turmë amorfe. Turmë e cila ecën me arkivolin e vet në një funeral pa fund.

Kjo vepër do të marrë gjithnjë e më shumë vlerësime e çmime, por jo në Shqipërinë e sotme, ku shumica e qeveritarëve vuajnë nga të njëjtat sëmundje morale të sistemit diktatorial për shkak të nostalgjisë që ushqejnë ndaj regjimit komunist….

Ne shqiptarët jetuam variantin më të egër të diktaturës komuniste gjatë së cilës pësuam një deformim të madh moral, shpirtëror dhe mendor. Të trembur nga terrori dhe të pompuar nga propaganda e partisë-shtet populli ynë eci si turmë, si turmë pa shtyllë kurrizore, pa vetëdije, që endej pa pikësynime konkrete. Gjoja ndërtonte socializmin si fazë paraprake për të arritur tek komunizmi i lumtur, por nuk shikonte se po jetonte duke kaluar nga sistemi i triskave në sistemin e kufizimit të ushqimit me talona. Dhe kjo jetesë që keqësohej e varfërohej gjithnjë e më shumë nuk e revoltonte popullin tonë të masakruar nga trusnia e diktaturës.

Jeta që kaloi Visar Zhiti si i përndjekur politik nën diktaturën komuniste më të egër të Europës Lindore, ndihmuar dhe prej talentit të fuqishëm dhe imagjinatës së tij pjellore, e shpunë tek realizimi i këtij romani metaforik, ku ai përgjithësoi jetën e një populli nën shtypjen diktatoriale, si një turmë që vegjetonte në rrethana të vështira ku nuk mund të rigjenerohej mendërisht. Kjo turmë ecte drejt së panjohurës pa ideale, pa të ardhme, ecte gjithnjë drejt funeralit të vet që nuk kishte fund, si vetë sistemi shoqëror ku ai jetonte…

Turma e mbetur mendjempirë, pa ide e pa rrugëdalje, mban mbi kokë arkivolin e vetvetes, ecën drej asgjësimit, ecën në një funeral të pafund. Ajo nuk ka forca të brendshme për të gjetur rrugëdalje, shpëtimin e vet. Kjo pamundësi për të shpëtuar vetveten jepet përmes epilogut në fund të veprës.

Si person që kam jetuar në këtë gjendje gjatë 46 vjetëve të parë të jetës sime (1944-1990) po sjell një shembull për të kuptuar se si ecja dhe unë, një ish-punonjës shkencor i një instituti të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me titullin shkencor Docent deri në shtator-tetor të vitit 1990, pa kuptuar gjendjen e keqe dhe pa synuar shpëtim nga e keqja.

Pasi ishte shembur Muri i Berlinit dhe ishte marrë vendimi për bashkimin e dy Gjermanive, pra pasi ishte bërë e qartë se sistemi socialist po pranonte kapitullimin e vet, ndodhi që një vizitor i huaj më pyeti në Tiranë: “Si ndjehesh në Shqipëri?”, unë iu përgjigja si robot: “Mirë, mirë.”

Pra dhe unë vijoja të mendoja ashtu si isha pompuar prej propagandës së partisë-shtet dhe nuk e kuptoja se isha shumë keq, se rrogëza që merrja si punonjës shkencor nuk më mjaftonte as për t’u ushqyer, as për të blerë librat e nevojshëm; se nuk kisha asnjë kontakt me mendimet e teoritë shkencore moderne me të cilat operonin kolegët e mij të Europës Perëndimore; se jetoja si në vende të varfra në një apartament me një dhomë e një kuzhinë bashkë me nënën e moshuar, dy fëmijët me gjini të ndryshme e bashkëshorten poete, kur na nevojiteshin të paktën tri dhoma gjumi…

Në një gjendje më të keqe mendore se e imja ishin masat e gjera të punëtorëve dhe fshatarëve të Shqipërisë. Ndryshim kishte vetëm tek mendësia e të përndjekurve politikë që dergjeshin burgjeve dhe kampeve të internimit. Por mendësia e tyre nuk njihej prej popullit, e as prej ne të shkolluarve, sepse ajo luftohej prej propagandës së partisë-shtet si ideologji e armikut.

Kjo gjendje mendore e popullit shqiptar u shpalos hapur gjatë takimit që organizoi diktori pasardhës Ramiz Alia me intelektualët e kryeqytetit gjatë verës së vitit 1990 për të parë nëse ata do të kërkonin ndërrimin e regjimit njëpartiak me atë shumëpartiak. Mirëpo intelektualët shqiptarë nuk kërkuan asgjë të tillë. Kjo tregoi se pjesa më e shkolluar e vendit ishte pajtuar me gjendjen dhe nuk aspironte ndërrim të regjimit. Madje dhe vetë Ismail Kadareja në letrën, që i dërgoi R. Alisë para se të “arratisej” në Francë, i kërkonte vetëm shpejtim të reformave për të përmirësuar sistemin socialist dhe jo ndërrimin e këtij sistemi një-partiak me sistemin pluralist dhe as kalimin e ekonomisë së përqendruar tek ekonomia e tregut. Thjesht e shkurt populli ynë edhe më keq se popujt e Europës Lindore nuk kishte kuptuar se ndërrimi i sistemit diktatorial me pluralizmin ishte domosdoshmëri e kohës.

Ky hap u krye në saje të ndihmës së guximshme, që dha bota Perëndimore Euro-Atlantike me hapjen e kufijve, eksperiment që ishte kryer gjatë Luftës Civile në ShBA-të, kur shtetet e veriut hapën kufijtë për të shpëtuar popullin e shteteve të jugut që vuante ende nga skllavëria.

Përmes trajtimit metaforik të idesë filozofike për zhdukjen e së keqes univerasle që ua shkakton popujve sundimi diktatorial e totalitar, romani “Funeral i pafund” ka vlera botërore mbasi aty është trajtuar me nivel të lartë estetik ideja e nevojës së zhdukjes së të keqes universale ndaj së cilës popujt e shtypur nuk kanë mundësi të shpëtojnë pa ndihmën nga jashtë, ndihmën nga bota e lirë demokratike.

Uroj që pëkthimi anglisht të dalë sa më parë nga shtypi, sepse kështu do të marrë një vlerësim më të gjerë e më të thellë nga kritika botërore sesa ka marrë deri tani me botimet shqip e italisht!

Fatkeqësisht jemi popull i vogel me një armik të madh shekullor, Rusine pansllaviste, e cila i ka ndërsyer dhe i ndërsen kundër interesave tona qarqet sunduese të dy fqinjëve tanë për të na izoluar nga bota, për ta lënë problemin shqiptar si problem të vogël, që nuk përbën problem që i vlen mbarë shoqërisë njerëzore. Kështu që deri sot problemet shqiptare, si problemi ynë i krijimit të shtetit kombëtar (që duhej të ishte zgjidhur që në vitet 1912-1913, kur u njoh pavarësia e Shqipërisë, dhe nuk është zgjidhur ende), si dhe vlerësimi i arritjeve të artit, letërsisë dhe të shkencës shqiptare nuk u është dhënë mbështetja e duhur nga opinioni botëror.

Ndonëse sot situata ka ndryshuar, mbasi kemi në krah dy aleatë të fuqishëm ShBA-të dhe BE-në, përsëri është nevojë që edhe ne vetë, si popull i lashtë me tradita te cmuara, por që na ka abuzuar historia, duhet të punojmë që rtë kapërcejmë zilitë midis nesh dhe rezultatet e larta të letërsisë dhe të shkencës shqiptare t’i bëjmë të njohura përmes përkthimeve në anglisht, gjuhës në të cilën kapen dhe jepen vlerësimet më të rëndësishme botërore.

Në këtë gjuhë duhen përkthyer e botuar sa më parë veprat e V. Zhitit, si romani dy-vëllimsh “Burgologjia”, ku janë pasqyruar përmes përshkrimeve reale të jetës vuajtjet e popullit tonë nën diktaturën komuniste dhe romani “Funerali i pafund”, ku u shpalos me një formë të re romanore përmes metaforës dhe kuptimit filozofik, gjendja e pashpresë e mbarë popujve që kanë vuajtur e vuajnë nën regjimet totalitare.

Filed Under: LETERSI

Fan S.Noli mes Shqipërisë dhe Amerikës. Maratona publicistike, simbol i vetësakrifikimit  për hir të interesave kombëtare          

September 14, 2024 by s p

 Dr.Yllka FILIPI/

Figura e Fan Nolit është e njohur tashmë si një figurë poliedrike, brenda së cilës janë shkrirë në një të vetëm zjarri i poetit, zemërpushtuesshmëria e oratorit, ethshmëria e përkthyesit, vrulli i reporterit, mençuria e diplomatit, gjakftohtësia e politikanit, drithërima e muzikantit dhe mbi të gjitha dashuria sublime për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, duke bërë çdo gjë të mundur për t’i nxjerrë nga errësira e tejzgjatur social-ekonomiko-kulturoro-shpirtërore e më gjerë. Në kohën kur veproi Fan Noli, një ëndërr e tillë kaq e guximshme, dukej pothuajse e pamundur. Poezia e Nolit ndërthuret me muzikën,  simbolikën, metaforën poetike, kontrastet e fuqishme, ironinë apo groteskun . Konfigurime  dhe thyerje të tilla ndërtekstore i hasim dhe në publicistikën e tij në formën e intertekstualitetit (prania aktuale e një a më shumë teksti brenda një tjetri), apo hipertekstualitetetit (Teksti A shartuar me tekstin B). Le të marim një fragment ilustrues për ta përimtuar nën dritën e   këtij konteksti: Është fjala për një luftëtar të përgjakur të cilin e thërret nëpër mjegull, Liria.  Identifikimi i Figurës së Nolit shkrihet në një me atë të  personazhit që krijon në vetvete, duke simbolizuar gjithë sakrificën e figurës së tij në vite:  

Sot këtë ditë një luftëtar i përgjakosur, i stolisur me kurorë dafinash mundëse, i lodhur nga mundimet e tërë motit që shkoi, qëndron përposh një lisi të gjatë, var armët dhe kurorët e tij përmi dëborën e bardhë që të çlodhet si luani. Sytë i dremisin dhe lëvezgat i rëndojnë plump, trupi i tij është i kapitur dhe dëshiron çlodhje dhe prehje.Po nuk i mbyll dot syte se mendja, zemra dhe shpirti i lëftojnë brenda dhe i thërresin.ngrehu, ngrehu!…(…)Nuk shëkon atje në mjegull ca shkaba të zeza që lozin krahët? Ty të thërrasin e ty të presin o luftëtar! (shkëputur nga Noli, vepra 2, publicistika)  E ndërtuar mbi bazën e kontrasteve të forta metaforike kontekstuale. Një karakteristikë e tillë i vesh rreshtat publicistikë në të gjitha faqet e veprës me ngjyresa të forta poetike e mesazhe të thella patriotike. 

 Ty të thërrasin e ty të presin o luftëtar! Ky lejtmotiv dhe kjo thirrje e kanë ndjekur pas gjithë jetën Nolin, duke i hapur shtigjet drejt zgjidhjes së fateve të mëmëdheut. Atij fati që përsëritet çdo mot, që e ndërron lëkurën si gjarpër, i bardhë a i zi, sidoqoftë: Fatnë tim që përsëritet çdo mot të ri, e ndërron lëkurën porsi gjarpër, fatnë tim të keq, e dua si më parë dhe e puth me mall si vashë…pas këtij fati do vdes dhe përmbi varrë do të mbinjë një lule që do ta quajnë “dashuri e fatit shqiptar”! Autori shpreson shumë tek shqiptarët duke i motivuar të bëhen ca më të mënçur e më luftëtarë. Le të bëhemi të palodhur  si armiqtë!(…) Mjaltin e zemrës suaj o vëllezër, mbajeni për veten tuaj, mos ua hidhni armiqve! 

      Duke qenë se arti postmodern është, nga vetë natyra e tij, i ndarë dhe kundërthënës, rishikimi i raportit kompleks shenjë-referencë në veprën e Nolit hap shtigje për interpretime largpamëse, duke e bërë më gjithëpërfshirës makrokozmosin  e vlerave unikale të kësaj krijimtarie. Thurja e ideve nuk është thjesht një  tendencë atdhedashurie, jo thjesht  paraqitje verbale eks phrases, aty pështjellohen mesazhe universale në funksion të Lirisë së të gjithë kombeve mbarë, në funksion të të drejtave njerëzore, në shërbim të shpirtit të sakrificës. Lidhja botë reale, botë trillimtare është e pashmangshme.   Krijimtaria artistike e Nolit përfshin një gamë të gjerë veprash letrare, pamfletesh, artikujsh publicistikë, përkthimesh, të cilat nën dritën e leximeve bashkëkohore që synojnë kërkime të thelluara intertekstuale gjithnjë në kërkim të teksteve të hapura, nën këndvështrimin e letërsisë si differentia specifica, e veçon veprën e tij si klasike-universale.  Ndërsa për sa i takon poezisë ajo rrjedh e qetë në shtratin e modernizmit brenda së cilës autori shpalos  një sërë kumtesh novatore universale. Vepra e Nolit është e qartë që ofron diskurse teorike dhe vlerësuese – substanciale, në skemën komplekse të komunikimit letrar. Parateksti (periteksti dhe epiteksti), pra intra-teksti, (mes lexuesit dhe tekstit), e vendos në kohë autorin dhe veprën, duke bërë që introduktet me të cilat shoqërohen përkthimet e tij, të zbulojnë jo vetëm Nolin e ideve, por sidomos të vendosin në një suazë kulturat shpirtërore të kombeve, pavarësisht se shpesh janë parë nga kritika eksplicide si tepër personale e të mbyllura. 

      Ay që tha fjalën e fundit për Shekspirin ishte filozofi gjerman Niçe ”S’duhet ta kuptojmë Shekspirin, po ta ndiejmë.”(Shekspiri në rrezik,“Kombi”1906,20 dhjetor, nr.20, fq.121) Konstatime të këtij lloji, nga pena e Nolit, në mos e grish lexuesin e vëmendshmëm, e ndih të paktën të ravijëzojë ide dhe ta ngacmojë intuitivisht.  A luajti rol krijimtaria e Nolit në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare, në bashkimin kombëtar? 

    U bëjmë thirrje të gjithë miqve të  popujve të shtypur,(…) të na përkrahin në luftën tonë për të fituar lirinë. 

    Kjo nuk është thjesht dëshmi neutrale për diskurset postmoderne, por semiotikë historike e ndërmjetësuar në suazën e novatorizmit, si ujë i bekuar në Fronin  e të Madhërishmit, ku shërohen plagë dhe mjekohen dhimbje. Maratonomaku shqiptar është trumbeta ku përulen gjunjësisht diplomatët, politikanët, mbretërit, liderët e së kaluarës e të së ardhmes, udhëheqësit dhe gjithë utopitë e njerëzimit 

mbarë. Rend or rend, rend e u thuaj, se betejën e fituam…! Kjo ishte ëndrra e pavdekshme e Nolit, anës lumenjve të atdheut, pranë deteve të Ballkanit dhe Evropës, përtej oqeaneve të Amerikës, ku Noli ishte përfshirë jo vetëm fizikisht, por sidomos shpirtërisht. A mos kurdiset tani violia e cila do na këndonjë këngë me të cilën të kërcejnë vallen e bukur përmi varret e armiqve tanë?… Le t’i gëzohemi punës së djeshme duke përgatitur punën e nesërme.Më në fund le të bëhemi europianë nga karakteri, siç jemi dhe nga raca.  Në rrethanat kur shteti kombëtar shqiptar u paralizua dhe Shqipëria u kthye në shesh lufte midis ushtrive armike, Noli shfrytëzonte çdo ngjarje apo fakt politik për të konfirmuar idene se shteti shqiptar kombëtar nuk ishte zhdukur… Ja si klith Rilindasi i fundit në lutjen dëshpëruese  drejtuar Perëndisë: O Zoti madh, i drejtë dhe i dhembshur, shpëtoje popullin dhe vendin tonë të mjerë dhe nderoje përsëri me liri nën flamurin tonë, flamurin e Skënderbeut, flamurin e kuq me shkabën e zezë me dy krerë!5 

    Noli kurrë nuk u struk nën guackën e dëshpërimit, pasi e dinte mirë potencialin e shpirtit shqiptar: Ja si shprehet autori, ndërkohë që e drejton gishtin tregues, ndaj të vetëzgjedhurve: 

Sheh një popull plot vitalitet brenda në Shqipëri, plot trimëri, plot me të pastajme, plot me instikte të shëndosha dhe të virgjra, dhe sheh të vetëthënët krerë anemikë…

Ish-studenti i shkëlqyer i Harvardit, me një kulturë të gjerë enciklopedike, patrioti  më i madh në Amerikë, një nga kryeministrat më të kulturuar të Ballkanit, e vuri gjithë jetën e tij në shërbim të interesave kombëtare. Nëpërmjet punës së tij të palodhur u arrit bashkimi kombëtar i shqiptarëve të Amerikës më 1912. Triumfi më i madh i diasporës deri në ditët tona. Ky popull meriton çdo sakrificë që të fitojë lirinë!- jo pa domethënie, titullohet një nga pamfletet e tij politike. Autori konstaton nga thellësia e dhimbjes  fatin e keq të atdheut të tij: 

Shqipëria u bë!S’është as e lirë, as e popullit! Është e bejlerëve, e tradhëtarëve, e kusarëve…( 

… Se çlirimi dhe  shpëtimi i popullit   mund të vijë nga populli vetë, e askurrë nga ndonjë veqil i tij i vetëzgjedhur! 

    Është një rast unikal që peshkopi orthodox që themeloi Kishën Orthodokse autoqefale Shqiptare duke pavarësuar orthodoksinë shqiptare nga zgjedha e Patriarkanës së Stambollit, e duke përmbysur paragjykimet e Ballkanit mbi muslimanizmin, të vijë në pushtet si lider me kabinetin e tij në shërbim të idealeve të larta kombëtare Së shpejti do të themelohet një kishë në Boston, e cila kemi shpresë që do t’i mbledhë tërë shqiptarët orthodoksë një ditë. Poeti i jep kurajo shqiptarëve, të mos i dorëzohen gjendjes së rëndë, të hapin shkolla, të ndërtojnë udhë, të thellojnë lumenjtë e të thajnë moçalet, të kërkojnë vetëqeverisje. Duke mbajtur mbi supe pikëllimin e jetëgjatëve që bëjnë dritë, Noli përfytet jetë a vdekje me brengën e bashkëkombasve, duke u dhënë zemër e forcë: A! Mos u dëshpëreni! Se në qoftë se i vemë me punë këto, ja, Agimi i një Shqipërie të qytetëruar e vetëdijëse do mos mënojë të lindë nër malabrezat (shkrepat) e saj. Duke bërë paralelizëm me fjalët e Jugurtas, Mbretit të Numidisë (shek.II,para erës sonë), lidhur me Romën, shkëputur nga libri i Salustit, Noli kërkon t’i vejë në sedër Shqiptarët. 

    Urbem venalem et mature perituram, si emptoren invenerit!!! 6        lat.  (XXXV, f..183) 

(Qytetin e korruptuar të destinuar për t’u zhdukur shpejt, në qoftë se do të gjejë blerës!!! 

    Por shpesh autori dëshpërohet edhe vetë, ndaj ironizon: Se ne shqiptarët duhet të thyejmë kokën më parë, pastaj të vemë ment 

Uria, pra, dhe zia do ta mbarojnë punën që la përgjysmë torguti.(…) Uria në gergëri, dëshpërimi në toskëri… A do të ketë vallë verë, pas këtij dimri? 

Rrebeshi shkoi, por të ligat e tij mbetën… do të kemi çesa vjet varfërie dhe zie. Me qindëra, pra do të lenë vendin e tyre që të shkojnë nëpër mërgime të larkma për të fituar bukën. Me kohë Shqipëria do të shkretohet fare. Më tej: Duket që një fat i lik po i ndjek shqiptarët dhe çështjen e tyre këmbë për këmbë. Por Noli sërish gjen forcë, i ngre zemrat e shqiptarëve peshë, me kurajë e guxim mëmëdhedashësi dhe jep kushtrimin. Largon mjegullën dhe bëhët pishtar për të ndriçuar ndërgjegjen primitive, si një figurë e spikatur e nacionalizmit për t’i ndihur fateve të Atdheut në çaste të vështira historike. Shqipëria e gjorë ka nevojë për diellin dhe gazin e një qytetërie të kthjellët si të rimtë e qiellit… Tani është rasja… Le t’i shpëtojmë…    Evokon fjalët që tha Bajroni për shqiptarët njëqind vjet më parë duke aprovuar vërtetësinë e tyre edhe në atë kohë. 

   Their wrath how deadly but their/ friendship sure;(Sa i tmerruar për vdekje është zemërimi, aq e sigurtë është miqësia e tyre) 

When gratitude or valor bids/ them bleed,(kur mirënjohja a trimëria i shtyn të derdhin gjakun) 

Unshaken rushing on where’er/ their chef may lead. (sulen pa frikë kudo që t’i shpjerë kryetari i tyre)  (Shqiptari i shkelmuar,”Dielli”, 1916, 8 shkurt, nr.585), (Publ.,fq.433) 

    Pse gjithë ky dëshpërim i autorit në mes të Amerikës? E gjithë kjo për dy arsye madhore: Dashuria sublime për Shqipërinë dhe domosdoshmëria për të qenë shërbëtori kokëulur i atdheut të tij.  Filozofia mbi liderët, drejtuesit, udhëheqësit ka shqetësuar penën e shumë filozofëve botërorë duke kaluar që nga thellësitë e shekujve, nëpër hullitë e antikitetit e deri tek Marksi, Friedrich Nietsche, Shopenhauer, Widgenstein etj, por përcaktimi i figurës së drejtuesit madhor nga mendja e Nolit është tepër i thellë, unikal. 

     Kryen nuk e zgjedh populli, po ay zgjidhet vetë përmbi popullin, lindet krye që në djept. Kështu flet shpirti i natyrës. Duket ay që mund të bëhet krye.Vetëm besë lipset t’i kemi. Ajo është detyra e popullit.  Mjerët ne fatzestë që nuk shikojmë të shpëtojmë vetveten tonë, pa në priçim nga të huajtë ta dimë shigur që do  shpëtojmë një Shqipëri pa  kokë, pa këmbë dhe pa krahë. (…) Gjëkund gjer më sot s’u mblodhë tre shqiptarë që të punojnë me mish e me shpirt për një qëllim.(…) Nuk nxjerr më trima vendi ynë? Vetëm për të huajt e mbajmë trimërinë dhe gjaknë tonë? 

    Figura polidimensionale e Nolit është e lidhur ngushtë me kontributin e tij përmes shqiptarëve në SH.B.A.  “Dielli” nisi të botohej në Boston, 

O burrani, ta bëjmë!”Dielli” i hap shtyllat e tij… dhe kemi shpresë…                      

   Mbrojtjen e çështjeve shqiptare nga Vatra, bashkimi me Konicën duke u bërë shtylla të lëvizjes kombëtare për Frontin e Bashkuar Shqiptar. 

Kur u mbarua ky udhëtim tragjik në Rockland, më ish mbushur shpirti dhe zemra dhe shëkonja orën që të më ikenj me vapor të detit për në Boston, Mass.Po vapori mënonte shumë dhe vajta në një birrari dhe  kërkova “something burning” (gjëkafshë që djek). Më dha birrë dhe wiski, po gjithë ato ishin si vesë për gjoksin tim që digjej. Gjëkafshë që djeg dhe turbullon mendjen i thashë, nuk ke? Si  vetëpersonifikohet Noli? Ç’domethënie kanë nënshkrimet me emra simbolikë? Theofanis Mavromatis, Ali Dervish Qyteza, Ali Baba Qyteza, Pesimisti, Pa emër, Protagora, Diximus, Nirvana, Meshëtar i ulët për ndriçim, Hieronymus, Fan S.Noli. 

     Identifikimi i shenjave letrare (gjuha kriptike sipas nuancave frojdiane), depërton thellë në ndërgjegjen e çdo shqiptari të vërtetë duke pësuar atë që Umberto Eco do ta quante Katarzë homepatike, në analogji me të cilën do të personifikonim Nolin si zëdhënësi shpirtëror i Shqipërisë dhe Shqiptarëve që përdor mëshirën dhe terrorin deri në spazmë për t’u pastruar nëpërmjet vuajtjes, e dalë prej përvojës tragjike. Është ky itinerar blatim, ideal, rrënjë, ngjizje? Ky është vizion, në ndijimin e formave mbizotëruese dhe të dendura të komunikimit publik në estetikën receptive, e cila tjerr zinë e Shqipërisë në shumë plane. 

Nëpërmjet forcës së fjalës, tekstit, imazhit, figuracionit, simbolikës, duhet vënë në dukje se  në krijimtarinë e këtij autori ka toka të pashkeluara e zona të mbetura shkretë të cilat duhen hulumtuar e lëvruar, me shumë kujdes nën dritën e vizioneve bashkëkohore, nga studiuesit e sotëm. Klithma e Nolit bën të mundur që gjuha si mjet i mjeteve të flasë hapur brenda performancës filozofike të maratonomakut shqiptar, luftëtarit të brengosur për fatet e kombit-mallit të tij të vazhdueshëm, brenda kumteve, shenjave gjuhësore, duke u bërë kështu symbol i një epoke, arsye, intuitë, dëshmi, kuptim, esencë për të ngritur ura në sheshimin e mosmarrëveshjeve universale të veprimtarisë poliedrike. Gulçimi i frymëmarrjes së maratonës së tij ndërkontinentale do të ndjehet në ankthin e lexuesve të shumë brezave që do të vijnë, por me një ndryshim: Vrapi i tij do të rendë nëpër kohëra, si maratonë e përjetësisë ku strehohet liria. Dhe do të arrijë shpejtësinë e dritës: Rron or rron, nuk vdes shqiptari! 

Filed Under: LETERSI

Mitrush Kuteli, shkrimtari i shquar me origjinë nga Arta

September 13, 2024 by s p

Arben Iliazi/

117 vjet më parë, më 13 shtator 1907, lindi Mitrush Kuteli, pseudonimi letrar i Dhimitër Paskos. Kuteli është në të vërtetë një gjeni i letrave, një nga patriarkët e letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më origjinalë, që kaloi nëpër të gjithë purgatorët e regjimit komunist, i dënuar si “Armik i Popullit” dhe me mospërfillje, duke hequr vuajtje të shumta shpirtërore.

“Nëse merren në shqyrtim të gjitha fazat e jetës së tij (mërgimi i gjatë kryekreje në Rumani, kthimi në atdhe, koha e luftës dhe heshtja e gjatë deri në vdekje) kemi përshtypjen se prozatori i shkëlqyeshëm pat jo vetëm dy emra, por edhe dy jetë”, ka thënë Martin Camaj.

Prozator i shkëlqyer, poet e folklorist, publicist, e kritik letrar, përkthyes i majave të letërsisë botërore, njëherësh edhe studiues dhe financier me kontribute të mëdha për ngritjen e Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e monedhës kombëtare, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar dhjetra botime letrare, si dhe 16 libra e broshura kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika. Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja.

Mitrush Kuteli ishte mjeshtër i realizimit magjik, por edhe i realizmit grotesk. Veprat e tij rrëfejnë aftësinë e tij gjeniale për të kapur thelbin shqiptarisë. Kuteli krijoi personazhe tipikë në mjedisin tipik shqiptar. Ai diti të kuptojë thellë marrëdhëniet reale mes njerëzve. Po ashtu solli realitete që përsëriten, për të parë te e shkuara fytyrën e vet si në pasqyrë. Bota e ritreguar nga Kuteli është një botë tipike shqiptare, me heronj të virtytshëm, me akte të larta njerëzore, me atmosferën epike e fllade lirike, me nota tragjike e komike.

Disa studies e kanë mbiquajtur Kutelin “Babain e tregimit realist shqiptar”, pasi ai këputi vjegat që e mbanin letërsinë të lidhur me traditën e bejtexhinjve të pasmesjetës, duke e nxjerrë letërsinë nga ajo gjëndje miturie.

“E madhe është gjëma e mëkatit” është kryevepra e kryeveprave të tij. Ndërsa “Tregime të Moçme Shqiptar” përbën një libër klasik të të gjitha kohërave. Jo vetëm nga ngjarja dhe filozofia e madhe që mbart ajo, por edhe nga mënyra e të rrëfyerit si askush tjetër apo, figurat artistike e fantastike, stili i të treguarit e gjithçka të përsosur. Përmes atmosferës sociale që solli në veprat e tij, Kuteli vendosi ta përcillte ndarjen nga Mesjeta duke qeshur e duke e përqeshur, me stilin grotesk, siç e patën bërë edhe shkrimtarët e adhuruar prej tij: Rableja dhe Gogoli.

Kuteli ishte një magjistar i vërtetë i fjalës shqipe, duke na dhënë modele të mrekullueshme stilistike, që përbëjnë një shkollë të vërtetë të gjuhës letrare shqipe. Veprat e Mitrush Kutelit përbëjnë një pjesë mjaft të rëndësishme të letërsisë shqiptare, një frymëzim për një numër të madh veprash të tjera letrare që pasuan përgjatë dekadave. Nuk kam ndërmend të bëj një paraqitje të detajuar të përmbajtjes së veprave të tij. Këtë më mirë e kanë bërë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë studiuesit e letërsisë.

***

Në biografitë që janë shkruajtur për Mitrush Kutelin thuhet se lindi në Pogradec më 13 shtator 1907, në qytetin liqenor ku mori dhe mësimet e para i mori, ndërsa studimet e mesme i kreu në Selanik, në Shkollën Tregtare rumune (1921-1928); U diplomua në Bukuresht, më 1931 dhe më 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare, me vlerësimin më të lartë. Në Rumani ka qenë funksionar në Ministrinë e Financave; drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë dhe i Bankës së Çernëucit. Arriti të kthehet në Shqipëri në shtator të vitit 1942, dy javë pasi kishte ndërruar jetë nëna e tij. Punoi pranë shoqërisë SASTEB, e pas shtatorit 1943 punoi këshilltar për çështje të monedhës pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë. U largua nga Banka në tetor të vitit 1944, pasi kundërshtoi planet gjermane për të nxjerrë një monedhë të re që do të varfëronte Shqipërinë.

Pas janarit 1945, si drejtor i Drejtorisë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar, kontribuoi për rimëkëmbjen e financave shqiptare; dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk u pajtua me vendimin e shtetit të atëhershëm për kursin e këmbimit lek/dinar jugosllav që dëmtonte ekonominë e vendit.

Në maj 1947 Kutelin e arrestuan; e dënuan me pesë vjet heqje lirie, pa asnjë akuzë konkrete, as si ekonomist, as si letrar dhe e dërguan në kampin-burg të Vloçishtit. U lirua “me falje” në prill 1949. Pas këtij viti Kuteli punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese ‘Naim Frashëri”, dhe për një kohë të gjatë iu hoq e drejta e botimit. Letërsisë i kushtoi kohën që i mbetej nga puna e normuar e përkthimit. U nda nga jeta nga një infarkt më 4 maj 1967.

Askush nuk e shpjegon dot faktin pse dosja e akuzës kundër tij është zhdukur dhe nuk gjendet as sot e kësaj dite.

Po ashtu në biografitë e tij shkruhet rëndom se familja e tij është me rrënjë nga qyteti i Artës, Çamëri, pa dhënë shpjegime të mëtejshme. A qëndron ky pohim? Po, është e vërtetë, Mitrush Kuteli është bir i Artës ose Gjirit të Ambrakisë, që i ka rrënjët qysh në lashtësi. Bir i kësaj treve me të kaluar të lavdishme. Qyteti i Artës (ose Nartës) njihet si një nga qytetet më të famshme shqiptare në histori. U bë realisht i famshëm në shekullin 13-14, kur ishte në zotërimin e princit shqiptar Pjetër Llosha. Ky më tej u bashkua me kryezotin çam princin Gjin Bua Shpata, i cili themeloi Despotatin e Artës, një nga formacionet shtetërore më të famshme shqiptare ne histori. Në shekullin XV Arta nxori një kolos të letrave, dijetar Mihal Artiotin, shenjtor i ndritur dhe dhe humanist i madh. Edhe sot Arta e ruan karakterin e vet shqiptar. Origjinën nga Arta të Familjes Pasko ma ka pohuar dikur, në një bisedë të lirë kolegësh, e bija e Mitrushit, gazetarja Atalanta Pasko, një zonjë me mjaft integritet njerëzor dhe profesional, e cila ka ndërruar jetë në vitin 2022. Kisha pak kohë që kisha mbrojtur diplomën me një studim mbi këngët popullore çame dhe ndikimin e tyre në krijimtarinë letrare të autorëve shqiptarë. Babai ishte me origjinë çame nga Arta, më pohoi me gojën e saj e bija e shkrimtarit. Dhe, si për t’i dhënë alibi shkencore rastit, më përmendi disa shprehje të nëndialektit çam, që Kuteli ka përdorur në veprat e tij. Te “Vjeshta e Xheladin Beut: “Burrë dërdëng”, “Xheladin Beu kish në dorë bukën e kopaçen” “ oda e madhe e konakut”, “i kish rënë leshi i kokës”, “kish hedhur oftikanë” etj. Te “Havadan më havadan:“ulku nuk e ha ulkun”!

Znj. Atalanta më shpjegoi si si tradita popullore çame kishte ndikur në krijimtarinë e Kutelit. Për shembull te libri “Në një cep të Ilirisë së Poshtme” përfshihen tregime me frymëzim nga lashtësia iliro -thesprote. Në disa tregime flitet me dashuri për Camërinë.

Po ashtu miku im, shkrimtari i njohur Enver Kushi, ruan në arkivin e tij personal një letër (shkruar me makinë shkrimi) të Pandeli Paskos, djalit të Dhimitër Paskos (Mitrush Kutelit), që i drejtohej Abaz Dojakës në vitin 1991nga Saragoza e Spanjës , pas krijimit të Shoqatës“Çamëria”, kur Dojaka ishte zgjedhur kryetar i kësaj shoqate. Në këtë letër Pandeli Pasko, pasardhës i denjë i Kutelëve, krenohet me rrënjët nga brigjet plot dritë të Artës.

Saragozë, 28.03.1991

Doc. Abaz Dojaka

Nismëtar i Shoqërisë “Çamëria”

I nderuar docent,

Lexova me gëzim intervistën tuaj në gazetën “Republika”. Me gëzim dhe me një farë drithërimi, sepse me gjithëse lindur në Tiranë, prej prindrish lindur në Pogradec e në Korçë, i ndjej rrënjët e mia në tokën çame, në Artë, nga ku të parët tanë, si shumë shqiptarë, u shpërngulën për ti shpëtuar shtypjes të atij qeni Ali Pasha.

Jam i sigurtë, se një ditë atje në Artë, do të gjenden dokumente me interes për familjen tonë Kuteli, për breza e breza priftinjsh e detarësh. Sot jemi të shpërndarë në Tiranë, Pogradec e Durrës.

Vitin e kaluar kreva një specializim në Francë, në INRA të Avinjonit, ku më vështruan me kuriozitetin e shqiptarit të parë që shihnin. Kohë më kohë më flisnin me admirim për profesorin turk Qazim Abak, i cili kishte kryer studime me interes e sot është nga më të njohurit në rrethet bujqësore turke. Aty kishin kaluar edhe studiusë të tjerë, po mua për Qazimin më flisnin.

Fati më solli të takoi Prof. Abakun nga Universiteti i Adanasë. Pasi shkëmbyemë përshëndetjet e njohjes Qazimi më drejtohet: “Si i thonë shqip feu – a i thonë zjarr? Po pain – a i thonë bukë? Mbeta i habitur, po Qazimi vazhdoi: “ Mos u habit. Jam gjysmë turk, gjysmë shqiptar. Shqiptar nga kjo pjesa këtu (dhe më tregoi anën e zemrës). Këto fjalë mi ka mësuar gjyshja nga Çamëria”. Me Qazimin u përqafuam shqiptarçe, kurse miqve francezë u thashë se nuk kam nderin të jem shqiptar i parë në Montjavet, sepse i pari kish qënë Prof. Qazim Abak.

Megjithse kanë kaluar disa breza, motrat e babajt dhe xhaxhi Pasko(Pasko Milo Pasko) vazhdimisht na tregonin për mjergullën e origjinës të fisit tonë. Ndjenjën e afërsisë me këtë vend origjinë ma kanë shtuar edhe ato pjesë të tregimeve të babajt (Mitrush Kuteli), ku flitet me dashuri e dhimshuri për Çamërinë. Për këtë dëshmon edhe nxitja që jepte dikur babaj Fatos Rapajt, mbledhësit atdhetar të folklorit çam.

Në përfundim, pranoni, Profesor kërkesën time për t’u pranuar antar i Shoqërisë “ÇAMËRIA”.

Me respekt

Pandeli Pasko

Në të vërtetë shkrimtarët e mëdhenj i kalojnë jo vetëm përmasat krahinore dhe të origjinës, por edhe përmasat kombëtare. Pra nuk i përkasin as vendit nga vijnë, as gjuhës, as racës së vet. Shkrimtarë si Mitrush Kuteli nuk mund të mbyllen në përkatësinë e tyre, pasi u shndërrohen në frymë kombëtare, në specie të pajisura me karakter të trashëgueshëm, të përhershëm dhe të pashlyeshëm. Vepra e Mitrush Kuteli padyshim është një burim krenarie kombëtare. Ajo nuk vjetërohet kurrë. Të paktë janë shkrimtarët shqiptarë që nuk vjetërohen kurrë. Ata mbeten të tillë se u bënë zëdhënës të kohës së tyre. Sot kur shohim se si barbaria ka pushtuar kulturën, letërsinë dhe artin duhet të ruajmë dhe të mbrojmë autorët tanë të shquar dhe veprat e traditës.

Vepra e shkrimtarëve si Mitrush Kuteli nuk mund të katandiset në stoli kallpe. Ajo i flet kohës në çdo kohë…

Mitrush Kuteli me familjen

DISA NGA VEPRAT E MITRUSH KUTELIT

“Rrjedhin lumenjtë”

“Vjeshta e Xheladin Beut”

“Lasgush Poradeci” (1937)

“Net shqiptare” (1938)

“Pylli i gështenjave” (1958)

“Ago Jakupi e të tjera rrëfime” (1943)

“Sulm e lotë” (1943)

“Shënime letrare” (1944)

“Havadan më havadan” (1944)

“Kapllan aga i Shaban Shpatës” (1944)

“Dashuria e berberit Artan” (1946)

“Xinxifilua” (1962)

“Tregime të moçme shqiptare” (1965)

“Tregime të zgjedhura” (1972)

“Baltë nga kjo tokë” (1973)

“Në një cep të Ilirisë së poshtme” (1983)

“Këngë e britma nga qyteti i djegur”

“E madhe është gjëma e mëkatit”

See insights and ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 48
  • 49
  • 50
  • 51
  • 52
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT