• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Duartrokitësit”

August 5, 2024 by s p

Kosta Nake/

Do ta quaja një zbulim tronditës sikur të mos kisha njohur më parë qeshatarët – kushërinjtë e tyre. Këta qeshatarët janë pjesë e përhershme e filmave humoristikë amerikanë dhe më shkaktojnë neveri. Periudha e pandemisë na i bëri peshqesh me një shkëlqim të ri në spektaklet shqiptare, sepse, në mungesë të shikuesve në sallë, regjisorët futën qeshatarët artificialë për t’u treguar teleshikuesve se cilat ishin batutat ku duhej të qeshnin, të duartrokisnin, ose të shpërthenin në ovacione. Te romani i Bashkim Hoxhës kjo ndërprerje patetike realizohet jo me tinguj gojorë, por me përplasje duarsh. Nuk është dukuri e re, por e lashtë sa Neroni, nuk është e konsumuar, pasi është një qasje e sprovuar në shoqëritë me qeverisje diktatoriale ose autoritare të cilat kanë kapital të mjaftueshëm jo vetëm për t’i blerë duartrokitjet, por edhe për t’u dhënë atyre ngjyrat e dëshiruara.

Duke i paraprirë kapitujt me nga një formulim servantesian, autori jo vetëm i rikthehet një tradite klasike, por edhe demonstron karakterin ironik dhe sarkastik të dukurive shoqërore që priten të shpalosen. Vendin e Don Kishotit e zë Klajdi me një pozicion ekonomik mjeran që e ka bërë njeri të trishtuar, të varur nga ai 200-lekëshi që i lë e ëma çdo mëngjes te cepi i tavolinës. Pika e lidhjes që shënon edhe ndërprerjen e pritjes së të papunit te shëtitorja krah Teatrit Kombëtar, është oferta e Sokol Ç. për të qenë pjesëmarrës në poemën simfonike “Prangat e një skllavi”, pranga që kanë zënë vend në ballinën e romanit dhe do të kthehen në një simbol për krejt veprën. Shfaqja e vënë në skenën e amfiteatrit të Durrësit, i jep dorë për të vendosur një paralele në epoka, ku shikuesit duartrokasin për vrasjen e gladiatorit dhe, përtej kësaj, njëri prej tyre, ka mbetur skllav i pranguar edhe në varr. Klajdit i vjen oferta e dytë nga Mironi, shoku i tij i Institutit të Arteve. Duhej të bëjë duatrokitësin dhe këtu autori gjen rastin të numërojë edhe ca punë të tjera tejet të veçanta, si vajtojcat, shëtitësit e qenve, gjumashët profesionistë, pritësit e radhës. Që në kapitullin e dytë duartrokitja dënohet si manipulim, si mjet zanor për të mbështetur politikanët dhe aktorët edhe kur nuk e meritojnë.

Klajdi ka një arsye më shumë që të mos ndihet komod në këtë rol figuranti me fre në gojë: I ati ishte dënuar dikur për agjitacion dhe propagandë dhe salla kishte duartrokitur për dënimin e tij, njëlloj siç kishin bërë shikuesit për vrasjen e gladiatorit. Që këtu fillon e përgatitet pakënaqësia e aktorit të ri.

Galeria e karaktereve plotësohet me producentin e televizionit Ervin Debina, moderatorët Enca Qinami dhe Emrion Lame, duartrokitësit Romir K. dhe Violeta, drejtuesin politik Ben Salihi dhe kryetari i një mikropartie Vladimir L. etj. Nëpërmjet fjalëve të Albës, autori sjell edhe një sozi të vetes me Dritan G. që jep emisionin e mëngjesit: “Del me kollare që në pikë të mëngjesit sikur po shkon në mbledhje. Rrudh edhe vetullat. Sa i shëmtuar!…Hap telefonin drejtpërdrejt me publikun. Që në shtatë të mëngjesit.” (f. 125)

Sarkazma bëhet therëse kur bëhet fjalë edhe për historinë e karrierës të duartrokitësve që fillon nga rreshti i katërt i cili ndodhet në hije dhe vjen te rreshti i parë ku mund të ketë edhe fokusim te portreti. Kështu e filloi Klajdi me Violetën, por dalja e Klajdit sjell ankesën e Romirit, atij që ka qenë anëtar partie që 16 vjeç dhe po ia zë vendin një rishtar. Dukurinë e vë në shina filozofike Juli me deklarimin se “shoqëria e spektaklit është maturimi i shoqërisë së propagandës ku njeriu jeton dy realitete njëherësh”. Ai vazhdon më tej me një vështrim simultant se ç’ndodh në ekranet televizive nga ora 9 e mbrëmjes deri në mesnatë dhe ç’ndodh në familjet shqiptare. Njeriu i ri i socializmit është tjetërsuar në njeriun konfuz apo “kuturu”.

Një linjë e re subjekti çelet me shfaqjen e Jonës. Ajo është rritur te gjyshi sepse e ëma i ka vdekur dhe i ati e ka braktisur. Duke i lexuar gjyshit gazetat, ajo është zhytur në politikë që e vogël, është bërë fanatike dhe tani ka hapur në facebook 12 statuse mbështetëse dhe mbrojtëse për shefin e partisë. Është një lloj indoktrinimi që ishte karakteristik për vitet e diktaturës dhe rivjen sot me kamuflazh. Klajdi dhe Jona njihen në autobuzin e duartrokitsave që shoqërojnë kryeministrin në Kukës, autobus që Klajdi e quan “karroca e skllevërve”. Dy të rinjtë janë dy qasje antagoniste ndaj realitetit: Klajdi sheh trishtim, Jona sheh dritë. Do të duhet të vijë një eurodeputet francez, do të duhet që Jona të bëhet shoqëruesja e tij, të përballet me ngacmimin e tij seksual; do të duhet të qëndrojë para kryeministrit dhe batutave të tij, që t’i hapen sytë dhe të zbulojë ku e ka çuar fanatizmi. Kuptimplotë është shkuarja në takim e eurodeputetit dhe kryeministrit, secili për t’i kërkuar falje tjetrit për incidentin me Jonën e cila ndjehet e përdorur si një rrobë. Deputeti Zhill do të justifikohet se ishte një keqkuptim, kryeministri e quan harbute sjelljen e shtetases së vet. Zhgënjimi i Jonës merr përmasat e vetasgjësimit.

Vjen trokitja e dytë e fortë e babait të Klajdit: “Kush i mban në këmbë diktaturat, autoritarët, udhëheqësit e këqij? Ata vërtet janë fajtorë, por faj më të madh kanë duartrokitësit.” (f. 79) Kjo shoqërohet me një detaj domethënës – babai ia jep pensionin e vet duke i kërkuar Klajdit të mos e humbë lirinë. Autori gjen një shteg për të shprehur edhe qëndrimin e vet ndaj liderit. “Në demokraci nuk ka lider. Ka drejtues.” (f. 82) Është një çështje që mund të ngrejë panele pafund debatesh. Mendoj se shoqëria shqiptare është ende e papërgatitur të ecë përpara pa një lider. Hapi i parë i madh duhet shtrirë në rrafshin ekonomik – familja shqiptare duhet të çlirohet nga varësia e punësimit në sektorin shtetëror. Pa pavarësi ekonomike nuk mund të ketë njerëz të lirë, madje radha e duartrokitësve do të zgjatet si radhët e dikurshme të qumështit.

Linja e tretë e subjektit, edhe pse e kufizuar në hapësirë, ndërtohet mbi figurën e mësuese Violetës. Siç e tregon me fjalët e veta, ka bërë një jetë me tabela (si tabelat e qarkullimit rrugor), ka zbatuar 10 porositë bazë të besimit të krishter, ka jetuar jetët e të tjerëve duke lexuar libra. E vetmja gjë nga jeta e vet ka mbetur një foto e fëmijërisë te mështeknat e Pogradecit. Shkon së bashku me Klajdin për ta gjetur vendin ku është shkrepur aparati, por më kot. Gjërat kanë ndryshuar dhe asgjë nuk mund të rikthehet nga bukuritë e së shkuarës. Vdekja e saj në rreshtin e duartrokitësve, vazhdimi i emisionit me këngëtarin e tallavasë Lym D. sikur të mos kishte ndodhur asgjë, fshehja, mbulimi i vdekjes është një nga pikat kulmore të veprës për të treguar se sa e pashpirt është bota e këtij lloj spektakli. Jo vetëm kaq, producenti Ervin i çon duartrokitësit menjëherë te salla e orkestrës për të regjistruar të qeshurat. Kupa është mbushur, Klajdi thotë “Nuk është e drejtë” dhe largohet nga salla. Ai premton të mbjellë një mështeknë te varri i Violetës dhe do të shkruajë atje fjalët e Hygoit: “Të vdesësh nuk është ndonjë gjë e madhe. Është e frikshme të mos jetosh.”

Shuplaka e Jonës në faqen e një të huaji e sjell në fokus kryeministrin duke e çuar romanin në pikën tjetër kulmore. Pavarësisht ndërhyrjes ortopedike të romancierit, ai ka disa shenja për të bërë identikitin e tij. “Ndoshta nuk jam më i miri, por më të mirë se mua nuk ka deri tani.” (f. 141) Autori shfrytëzon çdo mundësi që krijon hapësira artistike për t’i futur ndonjë thumb kryeministrit. Le të kujtojmë edhe romanin “Një ditë si Skënderbeu” të po këtij autori ku një vartëse e quan kryeministrin Skënderbe.

Fati vetjak, përvoja e të atit, përdorimi fyes i Jonës është rrugëtimi i vetëdijës së Klajdit që vendos t’i përgjigjet kryeministrit me të njëjtën monedhë manipulimi: Do ta marrë peng për disa çaste që të bëjë publike protestën e vet. I ftuar në studio për librin “Shqipëria ime” (mund ta lexosh edhe: “Shqipëria që dua”) kryeministri trembet me një revolver lodër dhe Klajdi ia qesëndis titullin e librit duke e quajtur “Shqipëria vetëm imja”. Përpjekja e Klajdit nuk arrin të shkojë te publiku si një mesazh se qeverisja autoritare nuk tronditet aq lehtë sa mund të mendohet. Po bashkë me protestën e personazhit, një shijë majoshe mund të ketë sjellë edhe vetë romani i Bashkim Hoxhës, sepse duartrokitësit janë stepur nga kjo ngritje e stekës. Këtë kam parasysh kur shkrimin e quaj “të pështysh qiellin.” Një vepër e tillë meriton më shumë vëmendje, më shumë lexues, pse jo edhe çmime letrare.

Romani “Duartrokitësit” i Bashkim Hoxhës, Onufri 2020.

Filed Under: LETERSI

POEZIA KA FUQINË E LIRISË

August 3, 2024 by s p

Dr. Migena ARLLATI/

Teksa libri me poetët e Gjakovës bëhet gati të shkojë drejt shtypit, me përulësinë më të madhe dhe me një ndjenjë të pakufishme respekti, ulem të shkruaj këtë parathënie. Vetë emri Gjakovë është metaforë, është simbol i një sërë ndjesish të krijuara nga procese e ngjarje të ndodhura e të përjetuara nga njerëzit e Gjakovës në shekuj e dekada, ndjesi të cilat tashmë i rrinë këtij emri si një aureolë. Përgjithësisht, historia e çmon këtë vend me një konsideratë fisnikëruese që në fakt është një marrëdhënie mes gjithçkaje të ndodhur këtu në kohëra vlimesh e kthesash për popullin shqiptar. E sigurisht, një rol të pamatë kanë luajtur edhe njerëzit e pendës, të arsimit e të artit. Ata, si bashkëpërjetues të të gjitha dhimbjeve e lavdive në të panumërtat krajata, u bënë zëdhënës shpirtëror të lotit të lindjes a të vdekjes, të fitores a të humbjes, të tragjedisë a të ngadhnjimit mbi të. Duke sublimuar deri në caqet më të larta ndjesore emocionalitetin e popullit nga vinin e duke qenë në themel të komunikimit sa artistik po aq edhe human, artistët u bënë gjenerues të asaj energjie që përçon larg; larg në kohë e në hapësirë, për të bashkëndjerë e për të bashkëndarë si bashkëvendas pulsin shpirtëror në sfidimet e shumëfishta në përballje me okupuesit, në mbrojtjen e interesave kombëtare, në rropatjet ndaj ekzistencës, në frustrime kulturash e erërash epokale të cilat janë përplasur në trojet tona si dallgë të pamëshirshme.

Në këtë vëllim, janë veçuar qëllimshëm nga unë, letrarët, konkretisht poetët, që me vargjet e tyre i ngritën piedestal nocioneve të larta nacionale e humane. Me burimet e pashtershme të përjetimit dhe të fjalës, ata sollën përgjithësisht një krijimtari të dedikuar dhe të vetëkushtëzuar nga tematika kundërvënëse ndaj robërisë, tematika e mbrojtjes së dinjitetit dhe lirisë, e mbrojtjes së simboleve kombëtare, e fjalës së lirë të munguar etj. Prandaj poezia e tyre ka fuqinë e lirisë!

Zeja e poetit nuk është aq e lehtë sa duket. Sidomos në periudhën e paraçlirimit të Kosovës, para se të ngjyhej në bojë, pena duhej ngulur në mish; para se fjala të dilte, duhej guxuar e rrezikuar pasi fjala, vargu, arti ishin kthyer në armë. Poetët kishin vetëm një armë në këtë luftë të ashpër dhe në këtë ndeshje titane: vargun. E përveç gjithë të ligave të tjera, ata hapëronin me rrezikun se mund të anatemohen, të paragjykohen, të prrallen e të denigrohen, pasi makinacionet e shumëfishta nuk bënin gjumë as natë, as ditë.

Në rrugën e të bërit art, të afirmuarit është një proces i ngadalshëm e i përshkallshëm në të cilën krijuesi reflekton qartë dhe ndikon spontanisht. Ai i përcjell nën lëkurë ndryshimet në shoqëri. Adhurimi për autorë si: A. Çetta, E. Gjerqeku, D. Mehmeti, R. Hoxha, B. Bokshi, A. Musaj, S. Lokaj, M. Nura, A. Gjakova, A. Podrimja, T. Dërvishi, M. Kupa, M. Bobi, M. Saneja, S. Rexhepi, H. Haxhosaj, A. Byci, A. Deva, F. Brovina, A. Mala, F. Ymeri, F. Rexha etj., etj., vjen pas madhështisë që ata ndërtuan me krijimtarinë dhe ndikimin e madh të saj. Me shumë të drejtë quhen poetët e plejadës. Gjendja artistike që ata sollën ishte dëshirë për të frymuar lirshëm, nevojë për kacafytje me të pamundurën, këlthitje për çprangosje, dëshmim për të drejtat e mohuara, akuzë për krime të qëllimshme. Këta, e jo vetëm këta tema, u kthyen në një zakonshmëri për kohëshmëri të gjatë dekadash. Është e qartë se pjesa më e madhe e të pranishmëve në dy gjeneratat e para nuk janë thjesht krijues por personalitete të mirëfilltë të artit dhe mendimit shqip. Ata nuk ishin vetëm krijues por edhe veprimtarë të çështjes shqiptare, promovues dhe mbrojtës të hapur të të drejtave të popullit të tyre, gjë të cilën e bënin hapur jo vetëm në art.

Historia e re e Kosovës flet zëshëm për veprimtarinë e tyre, ndërsa poezia mbetet vetëm një pjesë fragmentare e kësaj veprimtarie. Sigurisht se trajtimi i mëtejshëm i krijimtarisë, gjuhës dhe stilit të përdorur kërkon një observim të thellë dhe përmbajtësor. Secili nga ta është unik, me përparësitë dhe me kufizimet e veta. Ndaj, edhe poezitë e përfshira në “Vargnim Gjakove” janë një reflektim i sinqertë për të kaluarën, një prani paqeje e dashurie në të tashmen dhe një shqetësim human mbi të ardhmen. Të gjitha këto të shtjelluara me një thellësi mendimi dhe lehtësi rrëfimi që rrallë haset. Ato jo vetëm që na ofrojnë kënaqësinë e leximit, por edhe na bëjnë të reflektojmë dhe të besojmë thellë për ideale të fuqishme.

Sot, autorët e lartpërmendur, rreshtohen në panteonin e poezisë shqipe, pasi koha nuk i ledhatoi e as fati nuk i kurseu. Mbeten të adhuruar për atë që sollën në poezi dhe jo vetëm në poezi.

***

Në vigjilje të përvjetorit të 60-të të Mitingut të Poezisë dhe në nderim të 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, me një entuziazëm të pashoq, nisa të ideoj një përmbledhje me poezi nga poetët e Gjakovës. Mendimet që dalin nga zemra peshojnë e kanë shumë vlerë ndaj unë i dhashë jetë mendimeve të mia dhe i ktheva në një realitet. “Vargnim Gjakove” e quajta, me dëshirën më të mirë që secili prej poetëve të ketë vendin e tij në këtë rradhë poetizuese e cila më ngjan me një varg rruazash apo perlash ku secila prej tyre ka ndriçimin dhe bukurinë e saj.

Do ta quaja një vëllim festiv, dhuratë imja në përmbylljen e dekadës së gjashtë të Mitingut. Mitingu ishte mbajtur për herë të parë në vitin 1964, sipas idesë së Din Mehmetit dhe Enver Gjerqekut, me bashkëaktivizimin e miqve të tjerë poetë, për t’u institucionalizuar pak kohë më vonë me formimin e Klubit letrar “Gjon Nikollë Kazazi” (1967). Në vite e dekada, në të kanë marrë pjesë me qindra poetë nga e gjithë Kosova, me dhjetëra e dhjetëra nga Shqipëria e viset e tjera shqiptare, e po ashtu, me dhjetëra poetë të huaj pasi aktiviteti është i rangut ndërkombëtar.

Poetëve në vëllimin “Vargnim Gjakove” i paraprijnë pesë poezi nga personalitete përgjithësisht klerikë fetarë, poezitë e të cilëve datojnë nga shek. XVII e këndej: Y. Efendija (shek. XVII), Gj. N. Kazazi (shek. XVIII), T. ef. Gjakova (shek. XVIII), T. Zajmi (shek. XIX) dhe A. G. Bojaxhiu (shek. XX). Krijimet e paraqitura nga ta janë një pasuri e rrallë jo veç për vlerat artistike sa për humanitetin dhe origjinalitetin që na vjen i reflektuar aq bukur nga kohësi të largëta. Nuk ka asnjë mëdyshje që edhe këto figura i përkasin arealit të Gjakovës, bile edhe Nënë Tereza – mbesë Gjakove, e bija e Dranes së lindur në Novosellë.

Më tej, në libër renditen katër gjenerata poetësh: I (1920 – 1940), II (1941 – 1960), III (1961 – 1980), IV (1981 – 2010). Secili poet përfaqësohet me dy krijime (dy gjeneratat e para) dhe me një krijim (dy gjeneratat e dyta). Renditja është bërë kronologjikisht sipas vitit të lindjes. Fillohet me vargjet e Anton Çettës, pajtimtarit dhe veprimtarit të madh të besës e të fjalës dhe përfundohet me poeten e re 19 vjeçare, Olsa Domi, autore e dy vëllimeve. Përfshirja e poetëve i ka tejkaluar të gjitha paragjykimet personale e tejpersonale që te dikush mund të shfaqen qëllimshëm apo shkarazi, sepse në art nuk ka vend për lakmi e për zemërligësi. Për secilin krijues flet vetë arti dhe krijimtaria që ka sjellë në vite ndaj të gjitha diskutimet me sens inatçor dhe dashakeqës bien poshtë.

Ky vëllim i lë vend vetëm poezive, pasuruar dhe disajnuar me foto, pasuar nga disa fjalë në sensin biografik për secilin autor. Ndërsa vëllimi i radhës që kam në përgatitje e sipër është një studim letrar për këto individualitete krijuese.

E tani që “Vargnim Gjakove” me poetët e Gjakovës është i gatshëm, nuk është koha për të marrë lavde por është momenti i duhur për të dhënë nderime. Nderime për të gjithë ata që shpirtin e tyre e kthyen në varg e vargun në përkushtim shpirtëror për një pjesë aq të rëndësishme të qenies së njeriut, sikurse është vendlindja, fëmijëria, shtëpia e prindërve a trualli të cilit i përkasin, pasi njeriu pa këto do të ishte njeri pa atdhe. E një njeri pa atdhe është një njeri i mbetur pa asgjë. Në fund, dua ta mbyll me ndjesinë e një njeriu që ka bërë punën dhe tashmë nuk i kanë mbetur më fjalë. Duke i mbyllur sytë dhe duke parë me dritën e shpirtin, diçka më pëshpërit: Aty ku ka poezi ka emocion, dhe aty ku ka nderim për poezinë ka fisnikëri!

Filed Under: LETERSI

KAFAZ KE QIELLIN! ELEGJIA E GËZIMEVE E POETIT…

August 1, 2024 by s p

Poema “Vaji i Bylbylit” në tryezën e Dom Ndre Mjedës.

Nga Visar Zhiti/

(1 gusht 1937 është data kur u shua poeti Dom Ndre Mjeda, filologjist nderkohë, përkthyes, mbi të gjitha dhe veprimtar i shquar i çështje kombëtare, rilindas i përhershëm. Me këtë rast po nxjerrim një shkrim të Visar Zhitit nga Vepra 10 e Dom Ndre Mjedës, të përgatitura nga mjedologu i shquar Prof. Mentor Quku. Vepra 10, postume, përmbledh shkrime për Mjedën si përmbyllje e një pune shumëvjeçare e me rëndësi për poetin e madh.)

Dy poema të një viti…

Është një mrekulli për letërsinë shqipe, për poemën, kur në shekullin e Rilindjes Kombëtare, pikërisht në vitin 1886, ndërkaq Shqipëria ishte copëz e perandorisë otomane, me kështjellat e rrënuara, me gjuhën amë të ndaluar dhe dalin dy poema të mëdha, dy kështjella krejt ndryshe si të padukshme, njëra: “Bagëti e bujqësia” e Naim Frashërit dhe tjetra: “Vaji i Bylbylit” e Dom Ndre Mjedës.

Nga tryeza e poetit Dom Ndre Mjeda marr poemën e tij “Vaji i Bylbylit”, për të cilën m’u kërkua të sjell një përsiatje timen, një mbresë rileximi. Bilbili, që poeti e nxori nga kafazi i krahërorit si një zemër që vuan, për t’iu gëzuar jetës, lirisë së saj, do të thosha me pasionin e një mësuesi, nga që dhe kam qenë, ndanë dërrasës së zezë… si një copëz nate e atdheut… dhe do të vazhdoja…

Në poemën e parë, “Bagëti e bujqësia” shpalosen toka, balta, flora e tyre, etj, kopetë e kafshëve, të nevojshme për mbijetesën, një peizazh madhështor i atdheut që duhej ribërë, ai entuziazëm krenar vargje-gjatë, kurse në poemën e dytë, “Vaji i Bylbylit” përshfaqen qiell dhe flatra, një zog i vogël në mes, bilbili këngëtar, plot dhimbje e gëzime trishtimesh dhe kumte hyjnore. A thua kemi bashkë dhe në atë vit pushtimi, të përzierë ekzistencialen me shpirtëroren? Një est-etikë, siç do ta ndante këtë fjalë një shkrimtar ballkanas, të identitetit kombëtar – tek e para, ndërsa tek e dyta – estetikën e njeriut shqiptar. Naim Frashëri e shkroi poemën e tij kur ishte 40 vjeç, në Orient, në qendër të perandorisë osmane, në Stambollin ku jetonte, por e botoi në Bukuresht, në Rumani, se ishte e pamundur ta nxirrte në “Shqipërizën e tij” analfabete, pa shkolla, ku as që bëhej fjalë për shtëpi botuese, ndërsa Dom Ndre Mjeda 20 vjeçar ishte student i filozofisë në Oksident, në Spanjë, në Valencia, në Manastirin Kartauzian “Porta Coeli”.

Të dyja poemat, pra, u shkruan jashtë Shqipërisë nga dy rilindas krejt të ndryshëm, e para si një ëndërr, që ngjan me një të shkuar të përmalluar, e dyta si një vegim, që do të ishte një e ardhme e shqetësuar, të dyja janë madhërsishëm shqip, e para në toskërishten puritane dhe tjetra në gegnishten e amël, një realitet i ri i bukur gjuhe,

Është trashëguar një akademi e tërë kritike letrare për to. Është detyrë e studimeve tona shkuarja më tej. Për Mjedën do të veçoja tani si një majë mjedologun e shquar, profesor Mentor Qoku, që i përkushtoi jetën e tij intelektuale Veprës së Mjedës. Ja, po del Libri i Dhjetë si një amanet nën kujdesin e së bijës me emër verior, Valbona.

Përsiatja ime për poemën “Vaji i Bylbylit”.

NDËRTIMI I POEMËS

Po shkrihet bora,

Dimni po shkon;

Bylbyl i vorfën,

Pse po gjimon?

Kështu nis… gati si fëminore dhe duket sikur nuk mbaron, jo vetëm prej rrjedhshmërisë aq të kthjellët si të një ujëvare, prej melosit të saj dhe kumteve, të cilat së bashku të gjitha vazhdojnë dhe brenda teje… por dhe nga shkaku i leximeve dhe rileximeve nga gjenerata në gjeneratë në kohë të ndryshme, nga nxënës dhe studentë në banka shkolle dhe auditore, nga poetë dhe kritikë letrarë e studiues, nga populli që lexon,

Maestro Mjeda është virtuoz në prozodi, me figuracion e larmi vargjesh, ai gdhënd me hijeshi siç gdhendet druri…“Vaji i Bylbylit”, poemë sintetike – do ta quaja, e veçantë në llojin e saj, një kuartet magjepsës, pra, me katër këngë, pjesë, dhe më pas studiues të ndryshëm, që merren me teknikat poetike, numërojnë dhe strofat, dyzet, katërdhjetë, jo, janë më shumë, 57 më dalin mua në botimin e tyre të hershëm, me nga 4 vargje, ndërsa në Këngën e Katërt vargu i fundit i secilës strofë është gjysmë vargu, kështu quhet, nga që ka gjysmën e rrokjeve të vargjeve më sipër. Kumbimi i gjysmë vargut ashtu është më i fuqishëm dhe gjysma që mungon, duket se është jehonë. Te Mjeda kështu. Metrika është e ndryshme nga njëra këngë në tjetrën, madje dhe brenda një kënge. Në Këngën e Parë, nga varg katër rrokësh kalohet në pesë, deri dhe në shtatë rrokësh, në Këngën e Dytë ka vargje nga gjashtë deri në dhjetë rrokësh, por zotëron tetërrokshi tradicional, ndërsa në Këngën e Tretë vargjet shkojnë nga shtatë deri në njëmbëdhjetë rrokje, mbizotërues është nëntë rrokshi aristoktatik. Në Kënga e Katërt, në finalen maestoze, ato që i quajtëm “gjysmëvargje” sipas teknicienëve, janë gjashtë rrokësh, ndërsa vargjet e plotë kanë nga dhjetë rrokje deri në katërmbëdhjetë, sundon njëmbëdhjetë rrokshi.

Po kështu dhe rimat. Në Këngën I rimon vargu 2 me vargun 4 të strofës, pra, skema ABCB dhe aliteracione, kurse në Këngën II skema është ABBC dhe vargu i fundit i çdo strofe rimon me vargun e fundit të strofës pasuese. Në Këngën III rima është e kryqëzuar: ABAB, në Këngën IV rima është e puthur AABB. Pra, një begati stilistikore dhe brenda një poeme.

Figuracioni letrar gjithashtu. Vërtet më kujtojnë gdhëndjet në dru, ngjashëm me reliefet që gjendet dhe në tryezën muzeale të Mjedës, ai konfiguracion i vaçatë, i zgjedhur dhe i qendrueshëm.

Studiuesit veçojnë inversionin. Unë do të thosha se ai është që në titull: vajtimi dhe bilbili, teksa bilbili zakonisht shihet si zog i gëzimit. Mjeda ndjek kontrastet, ai largohet nga tryeza e tij dhe vështron larg në natyrë dhe gjen në të paralele të botës së brendshme.

Edhe strofa e fundit e poemës duket se është dhe në një kontrast sa të brendshëm edhe të jashtëm me strofën e parë, ku dhe aty është, por shpirtëror, mes mbiemrit i vorfën, që ka pikëllim dhe heshtje dhe foljes shungëlluese gjimon, ndërsa strofa e fundit është po aq dhe vazhdimi përmbyllës, ku nga brenga funddimërore kemi një hov shtegtues, prapë mbi kontraste fushë dhe mal, magjepsjen dhe pranimin e thirrjes për gëzime:

Kúr t’shkojsh ndër fusha, kúr t’shkojsh ndër male,

Afër shpiës s’ëme hovin t’änd ndale;

Mahnit’, at zänin tand tui prigiue

Kam për t’u gëzue.

ÇFARË ËSHTË BILBILI I MJEDËS?

SIMBOL, ALEGORI APO…

Është shkruar shumë për poemën “Vaji i Bylbylit”, për bukurinë e saj deri në përkryerje, copëzimet moderne dhe thellësitë e mendimit filozofik, për misterin e saj, ndërkaq poema është gjakim i hapësirave, arritje e asaj ndjesie siperane, që nis nga kafazi për në lartësitë qiellore, një flatrim sa elegant, po aq dhe i çlirët, duke mbartur trishtime dhe dëshpërim madhor, shpresë dhe thirrje për gëzim, nga e përditshmja deri te hyjnorja.

Poema do të lexohej dhe rilexohej me kritika dhe interpretime nga më të larmishmet.

Në kohën e parë të tij, që në gjallje, u çmua nga bashkëkohësit. Mjedologu, Profesor Mentor Quku, na jep një informacion, kur në vitet ’30 të shekullit të kaluar vlerësohej nga emrat letrarë si Reporter e Cirka, ndërsa në vitin 1942 Kolë Ashta, profesor dhe imi më pas, do të shkruante: “Mjeda na njofton një trajtë të re arti e cila ngacmon menden e kritikut, qi të vijësojë në rrathë të madhsuem përfytyrimet e shprehuna”.

Përkthyesi i shquar i Dantes, Pashko Gjeçi, në revistën “Kritika”, në vitin 1944, “Vajin e Bylbylit” e sheh si lidhje këngësh të ndryshme që kane vajin të perbashket.

Shkrimtari themeltar Ernset Koliqi do të shkruante për Mjedën:

“Nji tjetër gjâ e bâni të Madh e të padekëshëm: dashunija e stërfuqishme për gjuhë shqipe… dashunonte me nji dashuní të njomë e luftarake kët gjuhë të palavrueme t’onë. E dashunonte si Dijetar e si Atdhetar, e dashunonte edhe si Poet. …për naltësim të shqipes e të Shqipnís”.

Mendoj se do të ishte një nga udhërrëfimet më të mira, ndër të parat, për të shkuar te Mjeda.

Por do të vinte koha e dytë, ajo e gjëmës më të madhe të Bilbilit, do ta quaja, kur fitimtarët e pas Luftës II Botërore në atdhe do të vendosnin një diktaturë të egër, do të sundonte gjatë Realizmi Socialist, metoda letrare që do të bënte ideologjizimin dhe politizimin tendencioz të letërsisë dhe e vënien e saj në shërbim të regjimit mes nje entuziazmi shterp dhe grotesk.

Mjeda s’do të ishte më, por Vepra e tij – po.

Ai nuk u mohua siç ndodhi me kolegun e tij 5 vjet më të ri, At’ Gjergj Fishta, “Homerin e fundit në Ballkan”, që jo vetëm i ndaluan veprën, po edhe eshtrat ia nxorën nga varri dhe ia hodhën në lumin Drin. Madje dhe në një foto ku janë bashkë, Dom Ndre Mjeda, At’ Gjergj Fishta në mes dhe patrioti poet Luigj Gurakuqi, në tekstet e letërsisë At’ Gergj Fishta nxihej që të mos dukej më.

Vepra e Mjedës do të cungohej në përmbajtje dhe në kuptimësime, në vlerë dhe në besim, pjesë me rëndësi do të liheshin mënjanë, do të përdoreshin të tjerat duke i mëshuar vetëm patriotizmit, duke nxjerrë kumtet që u duheshin dhe duke harruar më të rëndësishmet, poezinë në vetvete, bukurinë dhe emocionin e saj, estetikën e besimit siperan.

Mbase keqinterpretimi është po aq i dëmshëm për poetin sa dhe ndalimi.

Gjithsesi Mjeda nderohej.

Të shohim disa këndvështrime për poemën “Vaji i Bylbylit”. Janë thënë për të se në Këngën e Parë na jepet gjendja e Shqipërisë mbas Kongresit të Berlinit, që u mbajt në vitin 1877 dhe Lidhjes së Prizrenit një vit më pas, ndërsa poema është shkruar gati një dekadë më vonë se këto dy ngjarje historike dhe poemës i janë mveshur dhe kuptime parashikuese, e drejtë e leximit dhe kjo.

Në Këngën e Dytë është thënë se Bilbili është Shqipëria në robëri dhe këtu poeti bëhet më i ashpër dhe se lumturia vjen me luftë, etj.

Në Këngët e Tretë Bilbili është dhe Shqipëria dhe poeti, i cili nga dhuna është larguar, ka marrë rrugën e mërgimit…

Në Këngë e Katërt ai, poeti është i ngarkuar me meditime filozofike, se pas dimrit vjen pranvera dhe nga e përgjithshmja shkohet te veçanta, etj, etj.

Pra, “Biblili” ëshë figurë polisemike, përveç se symbol i autorit, merr dhe kuptime të tjera. Dhe nxirren mesazhe të tilla në vijim si liria është ndjenjë, që do të fitohet pavarësisht çdo pengese, etj, etj.

Kritika e “Vajit të Bylbylit” do të kishte dhe emra shkrimtarësh si Sandër Gera a Dashnor Kokonozi e të studiuesve të njohur të Realizmit Socialist si Razi Brahimi apo në Kosovë të akademik Rexhep Qoses e Profesor Milazim Krasniqit, teksa, sipas mendimit qortues të Profesor Mentor Qukut, më ndryshe do ta shihte poemën Rinush Idrizi, që, po sipas tij, ka ndikuar te akademik Sabri Hamiti, që e sheh poemën si “krijim personal”, të mallit dhe të dhëmbjes vetanake, të vetmisë, dëshpërimit, vajtimit, të një revolte dhe rebelimi…

Ndërkaq kemi arritur në kohën e tretë, në të cilën jemi, kur nuk do të ketë më Realizëm Socialist, por rikthim te vlerat e harruara dhe të humbura apo të shtrembëruara, pra dhe tek Dom Ndre Mjeda dhe te koha e tij e parë, do të kemi kështu një vështim më të hapur edhe më të lirë, një vizion postmodern, që nuk e ka shmangur dot tradicionalizmin ideologjizues, edhe pse të ri e të vrazhdë.

Thënë çiltazi, kam përshtypjen se Mjeda është lexuar përgjithësisht më mirë në Kosovë.

Gjithsesi ka vepra siç është dhe poema jonë “Vaji i Bylbylit” që të japin mundësi për vështrime dhe interpretime të ndryshme në kohë të ndryshme dhe në lexime të reja, madje lënë dhe mundësi dëshirimesh, ndërkaq mbetet në to diçka e patjetërsueshme, thelbësore në magjinë e tyre, që po mungoi, mungon e duhura dhe domethëniet e tepërta që mund t’i japen, bëhen edhe më të tepërta, tëhuazuese e shpesh efektkundër e përçudnuese…

Ndërkaq Profesor Mentor Quku e përcakton shkëlqyer: “Ai (Mjeda, shën. imi) nuk don të duket, atij i mjafton të jetë.” Siç është dhe vetë poezia…

“Vaji i Bylbylit”, sipas meje, mbart një trini, ku edhe pse janë veçmas: Poeti, Bilbili dhe Elegjia, shihen qartazi të shkrira në një, së pari Bilbili me Vajin e vet, dhe mbeten të hijezuar dy të tjerët: ai që shkruan me muzën ose bardi dhe shpirti i tij ose njeriu krijues me krijimin, vetja me vetvetja.

Shoh që në perspektivën vezullim-errët është vetëm Poeti. Poema i ngjan një monologu të brendshëm, të metaforizuar në një bilbil, alter ego e poetit, poeti vetë, që sipas romantizmit modern do të shpalosë credo-n poetike: të shkuarit nga dhëmbja në dhëmbje:

Gjama jote a porsi ankimi

I nji fëmijës që vetun mbet;

Gjama jote a si shungllimi

I nji t’zezës që gja s’ pret.

Porsi dnesë me futë në krye

Nana e shkretë që mbet pa djelm;

Njashtu tine rri tuj shfrye

Njat idhnim që t’u ba helm.

Humbje dhe vdekje. Jetimëri si e fëmijës mbetur vetëm, por dhe e prindit – ende më rëndë. Gjendja e përzishmja zotëron si një natë pa agim. përballë teje dhe e nderkallur brenda teje. T’zinjtë njerëz!

Vetmia e poetit si vetmia e të burgosurit?

Si t’burguemit n’ishull t’detit,

Ku tallazi i thekshëm vrret,

O t’vijë t’ftoftit, o t’vijë t’nxetit,

Vaji zemrën ia pëlset;

Parandjenja këto? Mjeda i mëpastajmë do të arrestohej dy herë nga të huajt pushtues dhe invazorë. Ai do të provonte prangat ashtu si në shpirt, edhe në duar. Por është dhe zgjedhja e tij kjo, që duke e humbur lirinë, të shkosh drejt saj.

Vajtimi kështu nisi para se të ndodhte. Shkretimi do të tallazitej përreth ngjashëm me shkulmet e detit dhe ç’po pëlcet ashtu: zemra apo bilbili?

Njashtu ti rri tuj vajtue

N’njat kafaz që shungullon;

Fisin tand rri tuj mendue

T’zinë atdhe që s’e harron.

Edhe atdheu i zi! Këtu përmblidhen shekuj historie plot vështirësi, natë robërie. Dhe vetmi poeti. E vonë, por ç’mrekulli, ajo erdhi. Vetmia e poetit është e mbushur me këtë botë. Këtu fillon liria, së brendshmi së pari. Në formën magjepse të së bukurës.

Dhe poezia shqipe kështu rinisi.

Naim Frashëri do të shkruante: Do të këndonj bukurinë/ E të lëvdonj Perëndinë, /Perëndin’ e bukurisë/ Q’i dha shije gjithësisë!

Mahnitëse! Po flitet për shijen e botës, ja, ashtu siç flitet sot për pjatat në një tryezë.

Ndërsa Mjeda tronditshëm kishte sjellë ofshamën bodleriane, të poetëve të mallkuar, kaq marrmendshëm:

Vetë bukuria…/ Kenka për ju nji kob.

Kaq brengë europianë në poezinë shqipe, kaq bukuri të zymtë dhe ku, në vendin që e kishte humbur Europën. Dhe po kthehej sërish përmes dhëmbjes së madhe, edhe pse pa Shekspir, gjithsesi shekspiriane, me poezinë:

Me ditë hyjt me bisedue,

Me pasë sy që me derdhë lot,

Vajin tand ju kishin prue

T’kishin kja për jet’e mot.

Mjeda bëri që dhimbja jonë të arrinte Qiejt. Dhe prej andej të vinte një tjetër thirrje, që po Mjeda e di. Dhe sipas tij, bota që pëson ndryshime, me rrotullimin e saj metaforik kërkon të na çojë hyjnisht te gëzimi i njeriut,

“Vaji i Bylbylit” është një elegji për gëzimin që vonon, gjithsesi është për gëzimin, që edhe nëse ende nuk ishte kuptuar, pra, pa përgjigjen e shqiptarëve, Poeti prandaj u shfaq…

Edhe dhimbja nxjerr gëzim, kur edhe gëzimi ka kaq shumë dhimbje, pra, jemi në një udhëtim ndjellës nga terret e brendshme në dritën jashtë nesh, që na hyn përbrenda, sepse është veta jeta dhe ne jemi vetë ajo. Gëzimi është thirrje e Hyut.

Dom Ndre Mjeda është klerik jezuit, meshtar kombëtar, biblik si krijuesit e mëdhenj. Kjo nuk mund të shmanget, kur flasim për Mjedën, është dhe pjesë qenësore në formimin e tij, në kulturën dhe në krijimin. Do të ishin me interes hulumtimet në këtë drejtim, unë thjeshtë sa e përmenda. Në ikonën e Mjedës argjendon brerorja e poetit.

BIBLA DHE POEMA

“Apo nuk e dini se trupi juaj është Tempulli i Shpirtit shenjtë që banon në ju, që e keni prej prej Hyjit dhe se ju nuk i përkitni më vetvetes. Sepse jemi blerë me çmim të lartë, prandaj jepini lavdi hyjit në trupin tuaj”, lexojmë në Beslidhjen e Re.

Veprat e Apostujve, Letra e Parë Korintasve 6; 19-20.

Një përvuajtje të tillë deri në lumturi gjejmë te poeti. Ai nuk do t’i përkasë më vetes, me shpirtin që gufohet në muzën e shndërruar tani në zog, bilbil, që këndon. Kafazi apo tempulli janë njënjëshëm trupëzime, kënga do hapësira, prandaj:

Kafaz ke qiellin…

pafundësinë e bukur e plot mister, ndërsa:

Epshin pengim…

I ndjej si vargje ndër më të bukurit në të gjithë poezinë shqipe, të të gjitha kohërave, një antitezë shpërthyese: kafaz/qiell, kapërcimi më i lartë, hov qiellor me pengesë njerëzoren si një kundërvënie tjetër tokësore apo thjeshtë brenda nesh. Ç’epsh është ky, ç’pathos? Prag që duhet kapërcyer.

E thamë, poeti do që ta çojë poezinë e tij, ku është dhimbja e jetës, por ai e di, kjo nuk mjafton dhe as misoni nuk është i mjaftë, se:

Ankimi e vaji nuk asht i zoti

Përgjithmonë zemrën me na coptue;

Mbas vajit t’tashëm ka me t’ardhë shendi…

Mjeda beson dhe frymëzohet dhe frymëzon. “Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen” – ushton “Predikimi në mal”, në Ungjillin sipas Mateut, 5:4. Krishti është për gëzimin e jetës, kryqin e ngritën të tjerët.

Bylbyl, ky shekull or e ças ndrrohet:

Bijnë poshtë të naltit, i vogli çohet;

Edhe natyra po don m’u ndrrue:

Fillo me gëzue.

“Kështu të fundit do të jenë të parët dhe të parët të fundit” – thuhet te “Punëtorët në vreshtë”, në Ungjillin sipas Mateut, 20: 16.

Lehtsim por s’mbramit gjen tuj punue;

Fillo me gëzue.

Urdhër? Punë, punë, nat e ditë, / Që të shohim pakëz dritë… Atë dritën e qiririt naimjan, që e zgavron natën dhe shpik shtegun mjedjan: Fillo me gëzue. Porosi biblike. Një fillim i të tanishmes pa mbarim…

EPILOG

TRYEZA E MJEDËS

Është dhe tryeza shekullore e poetit Dom Ndre Mjeda në shtëpinë, ku ai banoi, tashmë muze, pjesë e Kishës në Kukël.

Në atë tryezë ai shkruante, merrte penën aty, e linte pranë letrave dhe librave, hapte sirtarët, diçka kërkonte, që s’ishte aty, mbase n:e të ardhmen, mbështeste bërrylat, mendohej, shikonte kryqin në mur, shkruante prapë netëve, deri sa zbardhte, punonte veprën e vet, hidhte vështrimin tej dritares së hapur, patjetër që do të jetë futur dhe ndonjë zog dhe i ka kujtuar sërish poemën “Vaji i Bylbylit”, duhej ta rishkruante, teksa përgatiste “Juveniljan” e tij, që t’ia linte letërsisë shqipe.

E gjitha në atë tryezë… që, kur erdhën në pushtet fitimtarët, ata të pas Luftës II Botërore, të diktaturës që shembën tempujt e dogjën Biblën e librat e fesë e jo vetëm ato, e morën dhe tryezën e Mjedës për zyrën e kryetarit të këshillit popullor të Kuklit, kishte qenë partizan ai, etj, etj.

Një nxënës i Mjedës, tashmë mësues në fshat dhe ai, poeti Sandër Gera, e njohu tryezën e mësuesit të tij, u shqetësua, ndërhyri që ta ndërronte, duke u dhënjë një tjetër, mori tryezën e Mjedës në dhomën e tij për ta ruajtur dhe në vitin 1959, kur nisën përçarjet e Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, e çoi në Muzeun e Shkodrës.

Aty filloi harrimi i saj dhe i shumëçkaje të vyer. Ai shkujdes ishte dhe qendrim ndaj veprës që u shkrua mbi atë, siç duket dhe objektet, sendet japin dhe marrin nga jetët e njerëzve të tyre, nga fati i përbashkët.

Tryeza e Mjedës ishte e shekullit XIX, kam lexuar, e kulturës perendimore, e punuar me dorë në dru bredhi dhe rimeso arre, pyll i Veriut, ajo aromë, me gdhendje, me motive floreale, në ballë të cekta dhe të këmbët, i ngjan një dreri, të rënë më gjunjë para Poetit, mbi shpinën e të cilit ai do të shkruante.

E braktisur në magazinat e shtetit, filluan dëmtimet e saj, deformime dhe çarje, pluhur, sulm insektesh, biologji myku, lagështi dhe kalbje… ngjashëm me kritikën e socrealizmit.

Ty t’paska ndry mizori,

do të vajtonte Bylbyli i Mjedës mbi tyezë, por:

…bylbyl, ndrron moti…

do të dëgjohej jehona e vargut mjedjan… U shemb Muri i Berlinit, ra perandoria komuniste, po ringriheshin muret e kishave në Shqipëri, u ribënë tempujt…

Dom Nikë Ukgjini, meshtar si Mjeda në Kukël, një ditë prej ditësh do të vinte në Ministrinë e Kulturës në Tiranë, me një kërkesë, ngulmues në të, me mirësinë e meshtarit si Mjeda, pasionant si ai, por dhe i zemëruar, kërkoi ministrin dhe i tregoi se ku po vdiste Tryeza e Poetit, jo, mjaft, duhej restauruar patjetër dhe duhej sjellë aty ku ka qenë, në Kukël, në dhomën muze të Mjedës. Ndryshe nuk ka 100 vjetor të Pavarësisë së atdheut…

Kishte ende Tryezë të Mjedës? Befas m’u kujtua Vaji I Bylbylit…

Dhashë porosinë të zbatohej menjëherë urdhëri, që ajo Tryezë, pikërisht ajo, të nxirrej nga magazinat e Muzeut të Shkodrës dhe të dërgohej në Institututin e Monumenteve në Tiranë… për ringjallje.

Dhe ashtu u bë.

Përsëri takohesha me Profesor Mentor Qukun, ai po sillte si dhuratë në Ministri nga kolana e Veprës Monumentale të Mjedës, përgatitës dhe hartues i së cilës ishte, nderkaq kujdesej dhe për mbarëvjatjen e punimeve me Tryezën. S’ishte fjala thjeshtë për të, por për metaforën e mbiTryezës së Poetit.

Vepra e tij më mirë se në çdo tryezë rri në Historinë e Letërsisë Shqipe, në librarira, te lexuesi. Mjeda, poeti panteonik, ka dishepuj. Poezia qiellore e Lasgush Poradecit është një lartësi tjetër, majë e çelur plot dritë dhe mister. Vargu i fundit i këngës së fundit të poemës “Vaji i Bylbylit” – simfoni bethovenian e gëzimeve, le të jetë dhe si një korale e atdheut:

kam për t’u gzue.

Filed Under: LETERSI

Petro Marko, “retë dhe gurët” e një jete të refuzuar

July 31, 2024 by s p

Agim Baçi/

Keltët kur shkonin në luftë linin nga një gur një vend të caktuar në të dale të vendbanimit të tyre. Kur ktheheshin nga lufta merrnin gjithsecili gurin e lënë. Gurët që mbeteshin në stivën e ndërtuar në nisje ishin të rënët në betejë…Për Petro Markon gurët e mëhallës së tij kanë gjithnjë një histori, ndaj mbeten aty, plot krenari, duke pritur “t’i dëgjojmë”. Ndërsa retë, edhe pse mbajnë shumë nga ajo që është ngjitur nga toka, edhe pse sjellin jetë përmes ujit që lëshojnë ngado, mbeten gjithnjë në ikje. Duke përshkruar veten mes gurëve dhe reve, Petro Marko ka mundur të sjellë edhe lëvizjet edhe qëndrimet e tij në jetë, duke kthyer sytë nga “romani që kishte brenda tij”. Dhe gurët “përdorin” dorën e Petros për të thënë shumë, për të goditur larg, drejt asaj që ja vlen gjithmonë.

“Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim dhe zëmërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të dëftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re… Vijnë qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiu” (Petro Marko, Intervistë me vetveten “Retë dhe gurët”). E gjithë jeta e Petro Markos ishte një betejë. Njohjet, lufta, refuzimet dhe dashuritë në heshtje, ishin lumi i nëndhshëm që e mbajti gjallë gjoksin e tij, duke mos u dorëzuar. Shkroi pa fund, dhe u refuzua pa fund. E kur mikesha e tij italiane e këshilloi që “romanin ta shihte tek vetja” ai vendosi të sjellë një rrëfim mes atij që do të mbetej e atij që do të udhëtonte në çdo kohë. Dhe i gjen aty, në ato faqe, fëmijërinë, marrëdhënien me të parët e tij, vajtjen në Luftën e Spanjës, bashkimin me partizanët italianë e më pas edhe përpjekja e pashtershme për të mbijetuar përballë atyre me të cilët nisi bashkëudhëtimin përmes të njëjtit ideal deri sa mbërriti në vetmi. Pikërisht ashtu siç i linte ai sistem të gjithë ata që dinë të mendojnë dhe që luftojnë të mbeten vetvetja.

Petro Marko mbart absurdin e njeriut që e dënoi dhe shpëtoi letërsia. Njeriun që deshi ta sillte përmes romaneve të tij, duke nisur që nga “Hasta la vista” më 1958 me Gorin dhe Anitën, ja refuzuan të parët “shokët e idealit”. E shkuara e përbashkët në ideale gjatë luftës me disa prej atyre që morën pushtetin veçse e ndihmoi të mbetej në këtë jetë. Megjithëse me atë jetë që bëri nuk është aq kuptimplote të themi se “ishte i gjallë”. Mosbotimi apo heqja e së drejtës për botim, burgosja e të birit, Jamarbërit, e dërgoi drejt prehërit të letërsisë autobiografike.

Petro Marko ishte brezi i Heminguejit dhe Remarkut që përshkruanin te “Lamtumirë armë” apo “Asgjë e re nga fronti i perëndimit”. Por për të kjo letërsi mbeti thjesht ëndërr pasi iu ndalua nga “shokët e idealeve”, pasi për ish shokët e tij të luftës, i vetmi njeri që pranohej ishte “Njeriu i ri”, njeriu që njihte veç partinë. Ndaj Petro Marko kthen vetveten në personazh, ku jeta që ëndërroi lozi mbi përditshmërinë e tij, duke e kthyer në të refuzuar.

Petro mbeti vetë “një gur rëfimi”, ndaj dhe letërsia e tij, e nisur nga “Retë dhe gurët” është vetëshpjegimi i madh e letrares së tij. Nuk e ka kursyer vetën nga asgjë, sepse ai kurrë nuk pati frikë. Galeria e tij e ngjarjeve dhe emrave është rindërtimi i një jete që përmes letërsisë hartoi edhe vetveten. Ai ishte njëkohësisht shkrimtari dhe personazhi, letrari dhe letrarja.

Stili i Markos është i drejtëpërdrejtë. Ai ishte realist dhe këtë kërkonte edhe nga të tjerët. Madje, ja kërkoi këtë gjë edhe Migjenit, pas takimit me të përpara se të udhëtonte drejt Spanjës, për t’iu bashkuar frontit të luftës. “Ti shkruan errët dhe duhet të shkruash më hapur që të kuptohesh nga lexuesit. Ne duhet të shkruajmë më thjesht” (Petro Marko, “Intervistë me vetveten”, fq. 167). Ky stil bëri që intervista me vetveten të bëhet pjesë e rëndësishme e romaneve dhe e gjithë prozës së tij, pasi tashmë nuk ish thjesht një personazh, por ishte vetë kryepersonazhi që solli kohën dhe brengat e tij.

Filed Under: LETERSI

NË SHTËPINË E KUJTESËS…ME PROFESOR ARSHI PIPËN NË WASHINGTON

July 29, 2024 by s p

– nga Visar Zhiti -/

XHONTURQIT E DEMOKRACISË:

Është dita e Arshi Pipës, madje është dhe koha e tij, kështu duhej të ishte, por s’e di sa u kujtuan mediat, institucionet, kujtesa kolektive? Është datëlindja e tij, kur të gjitha ditët duhej të kishin frymën e tij.

Nuk e di, e kujtuan njerëz të veçantë dhe mbase e ardhmja është ajo që sjellin të veçantët.

Trauma e shoqërisë postdiktatoriale shqiptare, përveç grafikut të përmirësive, ka dhe befasira e marrëzi, piskamat e së cilës gjallërohen dhe ia kalojnë britmave të hetuesve të vjetër.

Xhonturqit e demokracisë, – le t’i quajmë si pas Profesor Pipës. Ndonjë trushkulur kërkon prapë dënime, jo të atyre që dënonin, por të atyre që u dënuan, 10 vjet burg prapë, 20, përjetë, pushkatim…

Po ndieja dëshirën të shfletoja “Librin e Burgut” të Arshi Pipës si kundërvënie, vetë dita sikur e donte, ma kishte dhuruar dikur autori në Uashington si bashkëvuajtës, si aleat, si prijës shpirtëror…

…kumtin që na vjen nga ai, qëndrestari i rreptë, ish-i burgosuri politik, i arratisuri guximtar dhe emigranti antikomunist, eseisti, kritiku letrar, përkthyesi, filozofi, që shkruante jo vetëm në shqip, por dhe në anglisht e në frëngjisht, emblematiku sipëran Arshi Pipa, është urdhër.

Dhe po shfletoja shënimet e mia nga takimi i paharruar me Profesorin. Po i risjell.

RAFTET DHE HIRI:

…telefonoi se na priste në shtëpinë e tij atë paradite në Uashington, ora 10:00. Meqenëse kishim dhe ca kohë, vendosëm të futeshim në librarinë pranë dhe pastaj të vazhdonim një shëtitje të shkurtër. Uashingtoni, po mendoja, është qytet me fizionomi klasike europiane: s’ka qiellgërvishtëes, siç ishte përfytyrimi i shqiptarëve të padalë për Amerikën, por sheh blerim kudo, rrugë të pastra e qetësi të bardhë. Mbase këtë ndjesi ta japin Shtëpia e Bardhë, Kapitoli, Bibliotekat e famshme të Kongresit, të gjitha të bardha. Një kryeqytet që ka shumë e shumë më tepër pemë, se… policë. Dhe sa shumë ketra! Ketra qytetarë!…

Ndalnin, na shikonin në sy, s’kishin frikë nga njerëzit, madje prisnin t’u jepje diçka për të ngrënë; biskota, shiteshin enkas dyqaneve, afroheshin, tundnin bishtin e madh e të bukur si të argjendtë, dilnin dhe në rrugë, vraponin poshtë veturave të ndalura, endeshin, ktheheshin pas, u ngjiteshin me vrull pemëve, një zot e di se ç’kërkonin. Edhe ne tani po nxitonim. S’donim të bëheshim vonë për në shtëpinë e profesor Arshi Pipës, nën një diell që po më dukej i bardhë dhe ai. Mbas trokitjeve tona të buta, portën na e hapi motra e moshuar e profesorit, ndërsa në krye të shkallëve të drunjta lart, në katin e dytë, na priste vetë profesori, në këmbë, i gjatë dhe i hollë, i drejtë, me flokët e bardha, “të uashingtonta”, por dhe si borë e largët e atdheut, që nuk shkrin kurrë. Vetullat çuditërisht të zeza, siç dukej një shenjë e përzishme që nuk shkëputej për jetë nga fytyra fisnikërisht gjatoshe e tij. S’dita ta përcaktoj në e theksonin apo e neutralizonin pamjen disi skeptike të asaj fytyre, a i jepnin rini më shumë, bashkë me një pesimizëm të mençur, por gjithsesi me një përzemërsi të palodhur.

– E di emrin tënd, – më tha, kur u ulëm në kolltukët e thjeshtë, – je poet i ri dhe ke qenë në burg. Kësaj së dytës unë i jap rëndësi… për shkrimtarin, – shtoi. Menjëherë i tregova ç’dija për “Librin e burgut” të tij, të botuar në vitin 1959 në Romë, ç’kisha dëgjuar dhe si e kisha lexuar më në fund. Kur autori qe arratisur, pikërisht ato sonete skëterrore kishin bërë rrugë të kundërt me autorin, po aq të rrezikshme, në mos më shumë, qenë futur fshehurazi në atdhe, përmes telave me gjemba. Kisha bërë përpjekje për të botuar një cikël prej tyre në shtypin e ri opozitar tonin. Kujtova sonetin për një të shtrirë në vig, që vdekja e shndërroi në arkivol lecke…

– Më ka ndodhur… me tim atë, – shpjegoi profesori, – vdiq udhës në burg. – Edhe zëri i tij sikur zbardhte, i njëllojtë, me pak ngjirje që ai ia vinte fajin torturave, – prandaj më del i tillë. Me ftohje. Çimento qelish. Në fisin tonë, – po tregonte profesori – s’kemi kënd me zë të tillë. Pastaj ne e çuam në spital, – qesh me ironi, por zëri iu prish. Kë kishin çuar në spital, babain e vdekur apo zërin? S’ka zë të tillë në fis…

– Ne e njohim këtë zë, – ndërhyra, – që s’e prishi dot diktatura. As liria e mirëqenia e suksesi. Dhe tregova librat e tij mbi tryezë, te të cilët po hidhte autografe, po m’i dhuronte mua. Ime shoqe shkrepi befas aparatin fotografik mbi ne. Me siguri do t’i jetë fanitur gjyshi i saj, të cilin dhe atë e burgosën në kënetën e Maliqit, ja, atje, ku ishte dhe Profesori, me siguri do të jenë njohur… mbi baltë, ku shpesh, policia të rrëzuarit, ata që binin nga mundimi i madh dhe uria e madhe, i shkelte me këmbë. Hipnin me çizme mbi shpinën e njeriut të dënuar derisa e zhysnin thellë e më thellë, në llumin e pafund, në kënetën e vdekjes. Po gjyshi i saj mbeti gjallë, edhe atëherë kur i hodhën një bombë policët e një njeri tjetër kërceu, se e dinte copë buke e donte ta priste, por u bë copë-copë. Dhe prapë do ta arrestonin Dane Zdravën, gjithmonë, sepse kishte qenë biznesmeni i parë, ai kishte sjellë kinemanë e parë në qytetin e tij, në Berat, po ja, që ishte dhe me akademi në Itali, sillte centrale elektrike, autokombajna në tokat e tij dhe falte peliçe apo bënte pajën e të gjitha vajzave të miqve të tij dhe teksa e nxirrnin nga shtëpia të lidhur me pranga, përqafon për herë fundit mbesën e vogël, të sapokthyer nga shkolla… e ajo tani fotografon bashkëvuajtësin e gjyshit.

Me siguri do të jenë njohur bashkë, kanë folur, edhe pa e ditur se cilët janë, atje, në kënetën e vdekjes, kanë shpresuar. Autori i soneteve të baltës së burgut pati fat pastaj, e kërkoi fatin, e bëri vetë dhe ja, tani, bisedon me atë që është i shoqi i saj, edhe ai me plot poezi burgu gjithë errësirë ferri.

– Jam familje borgjeze, – vazhdonte të rrëfente profesor Pipa, – jo në kuptimin që e përdorin komunistët. Në familjen time janë marrë me gjyqësi të gjithë: gjykatës e avokatë ishin e mua m’u desh të bëja punë proletari, më të rëndë se proletarët. Po burgut i jap rëndësi, e quaj universitet…

– … të zi, – shtova unë. Pastaj Profesori nisi të flasë për Fransua Vinjonin, poetin rebel, vagabondin, të burgosurin, të dënuarin me varje, por që i shpëtoi litarit… (Ah, Avzi Nela yni, nuk i shpëtoi dot… diktatura komuniste ishte më keq se mesjeta.) E dua Vijonin, – m’u duk sikur u rrëmbye profesori, por gjithsesi i qetë, me qetësinë e mistershme që gjen në një tempull. Me Vijonin shihet se jeta është tjetër gjë dhe tjetër poezia. Edhe krijimtaria e Kadaresë është kështu…

Siç thuhej, Arshi Pipa ishte njeri i prerë, autoritar, “madhërisht i pamëshirshëm” me diktaturën, të cilën ai e sfidoi, jo vetëm si mërgimtar politik, por si poet dhe si mendimtar, mbi të gjitha. Profesori do të pohonte pa mëdyshje që Atdheu ynë është më mirë se dikur, me gjithë rezervat e mëdha që mund të kihen. Diktatura e bunkertë u ça nga brishtësia e demokracisë. Në fund të fundit, demokracia është edhe kritikë për të përmirësuar veten.

Dhe deshi të më tregojë përkthimet e tij nga klasikët e mëdhenj, Dante e Petrarka, Gëte… francezë, rusë e rumunë. – I kam përkthyer, – po thoshte profesor Pipa – ca me toskërisht e ca me gegërisht. Po t’i jap, por mos i boto. I përgëzoj botimet kosovare që arritën të shkruhen në gjuhën letrare, megjithëse ata ishin për përdorimin e dy dialekteve, edhe unë. Janë pasuri, – këmbënguli.

– Edhe gjuha e përbashkët letrare është! – iu përgjigja. – Erdhi shpejt, – tha sërish.

Ndërsa pinim kafetë, unë u ngrita të shoh raftet e çuditshme të librave. Të gjatë dhe bosh! Bo-o(h)-osh… Vetëm ca fjalorë, dorëshkrimet e fundit në një qoshe, ksomblat e librave të tjerë, vepra të mikut të tij të madh, arratiakut tjetër, poetit Martin Camaj. Kaq! Dhe dhembje si e drunjtë. Ç’kishte vdekur aty? Ja, ca fotokopje të zmadhuara të letrave të cigareve, ku kishte shkruar dikur poezitë e burgut. Me ato ishte arratisur… Se si dukeshin ashtu raftet, dramatikisht bosh, si arkivole. Sërë-sërë. Ku janë librat, desha të bërtas së brendshmi. Kërkova se mos shoh nga dritarja ngrehinën e mrekullueshme të Librarisë së Kongresit Amerikan, që të lehtësoja frymëmarrjen disi. Të gjithë bibliotekën e tij, librat e të gjithë jetës, profesori ia kishte dhuruar bibliotekës së qytetit të Shkodrës. Ndihej dhe qytetar shkodran, edhe pse ishte libohovit me origjinë. Një gjest i lartë ky i dhurimit të librave, i dha qysh në gjallje, pa ia lënë si detyrë testamentit. Pse? Mendoja rrugës së kthimit. Ku e gjeti fuqinë të ndahet me librat e vetë, qëllimin e jetës së tij?

– Po vazhdoj të merrem me filozofi, – më tha, kur e pyeta se ç’po shkruante. Pra, ai po guxonte të bashkëjetonte me vdekjen e vet, me ikjen e pashmangshme në jetë të tjera, qiejve. Mos ishte sfidë filozofike e të ngritur mbi të zakonshmen, mposhtje e vetë vdekjes, triumf i gjithëkohësisë? Dhe pikërisht, kur unë i tronditur kundroja atë boshësi të drunjtë, bibliotekën e librave të padukshëm, të mërguarën, dëgjoja zërin e tij që kritikonte një seminar ortodoks në Amerikë të lobit grek. Pastaj folëm për eposin ballkanik. Ka një trill dhe turp,- tha ai, për të vjedhur histori të të tjerëve. Zhvatim tokat dhe legjendat dhe trazojmë të vdekurit. Politizojmë miqësitë, por dhe sëmundjet. Eposi ynë, tha papritur. Jo se nuk është i bukur, përkundrazi, është i bukur, madhështor, por sepse karakteristikë për vargjet tona tradicionalisht është përdorimi i tetërrokëshit, kurse eposin e kemi njëmbëdhjetë rrokësh. Që e kanë sllavët e jugut. Atëherë ç’mund të themi? Shkrimtari jugosllav, Ivo Andriq, gjeta rast dhe po i thosha, thotë se Kënga e Gjergj Elez Alisë është shqiptare. Po, shqiptare është, pohoi me një kërshëri si të ftohtë Arshi Pipa. Ku do të dilja? Po a është njëmbëdhjetë rrokësh “Gjergj Elez Alia?”, gati bërtita miqësisht. Po, tha përsëri dhe heshti. Në sy po vezullonin rafte librash, kujtesa e tyre parake. Po shikoja dedikimet në veprat që më dhuroi: “… poetit të ri dhe shokut të burgut…”, “… këtë libër të shkruar dhe plotësuar në mërgim”, “për kujtim të takimit në Washington, më 23 gusht 1994, përzemërsisht…” dhe kishte firmosur poshtë emrit të shtypur në frontespic: “Arshi Pipa”, me shkronja të vogla. Seç m’u bë brenda në kraharor një si brengë dhe boshësi si ajo e rafteve. Desha të kujtoja patjetër ketrat dhe zgjata dorën në ajër, sikur po i ndillja. Arshi Pipën do ta takoja dhe një herë tjetër në Tiranë, mbajti një leksion të shkëlqyer për poezinë e Martin Camajt. Me poezinë e tij fillon paqja në poezinë shqipe, tha profesori. Më vonë erdhi lajmi mortor se Arshi Pipa kishte ndërruar jetë dhe kishte kërkuar që hiri i tij të shpërndahej… mbi atdhe. Në detin Adriatik. Hiri ka brenda ripërtëritjen, ai nuk është harrim, së pari është purifikues dhe ushqen tokën dhe kohën. Vepra e hirshme e Arshi Pipës është pasuri tashmë e jetës sonë, e qëndresës dhe e kulturës në tërësi, fosfor ndriçues në kujtesën kolektive, vlerë e pazëvendësueshme, veç me veten. Le ta hedhim mbi Tepelenë atë hi, mbi Spaç e Qafë Bari, Burrel e Lushnjë… mbi kujtesën tonë dhe ndërgjegjet tona!

BISEDË TË BURGOSURISH

PËR ARSHI PIPËN:

(Nga libri “Rrugët e ferrit”)

…po më tregonte Maks Velo me mllef e art se një ditë, kur qe ndodhur në Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, vjen një pako me një libër gri, me kapak të fortë. Arshi Pipa. Libri i Burgut. Poezi. Botuar në Romë. Shqip. Desha ta shfletoj, të lexoja vetëm një poezi. Vetëm një. Një varg. Aty më këmbë. S’ma lanë as ta hapja. S’lejohej. Kishte ardhur posaçërisht për kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve, Dhimitër Shuteriqin, maskarai, shau, por do të futej në fondin e zi të Bibliotekës. Arshi Pipa është i arratisur. Ka qenë në burg, në kënetën e Vloçishtit. Mbeti gjallë. Doli nga burgu i Burrelit. Tani është profesor universiteti në Amerikë. Të burgosurit thonë se ai ka shkruar një skenar filmi “Qershiza”. Jo roman? Dhe është realizuar nga Hollivudi. Duket si e pabesueshme. Rrëfehen tmerret e burgjeve tona, sidomos atij të Burrelit. Se si i vrisnin të burgosurit në ditën e fundit, në atë të lirimit të tyre dhe i varrosnin tek ajo qershiza. Kishte nga ata që u binte të fikët, teksa shihnin filmin në Perëndim, vazhdonin të tregonin të burgosurit, ulërinin në kinema, vinte ndihma e shpejtë ambulanca, njëri kishte nxjerrë revolverin dhe kishte qëlluar mbi ekran për të prapsur një oficer shqiptar, që po copëtonte të burgosurin e vet. Nuk dimë gjë, thoshin ata që kishin ardhur nga jashtë si suedezët, Agron amerikani, francezët e Veriut, gjermani, grekërit… Sidoqoftë, thoshim, edhe po të mos jetë e vërtetë, ne, të burgosurit, e ndiejmë nevojën e një mbrojtjeje, të një apeli të madh kundër shtypjes që na bëhet, indiferencës së tmerrshme dhe harresës më të tmerrshme. Na duhet një vepër arti. Dikush po e bën a duhet ta bëjë. Ne kemi zgjedhur tani emrin e një bashkëvuajtësi, profesor Arshi Pipës, ai e mbart këtë nder, po ia besojmë. Të tjerët brenda, sa më shumë lavdi marrin, aq më shumë kanë mashtruar. Ka shumë mundësi që e tëra ajo të jetë krijim i yni, kolektiv. Qershiza është vërtet, por s’e dimë a është futur në letërsi? Ne ngushëllojmë vetveten. E ndihmojmë të qëndrojë. Dhe kështu ky art që s’është, ndërkohë është më magjepsësi dhe krijon artin tjetër anonim, tragjikun. Të cilit do t’i gjejmë një emër. Ndonjëherë gjërat me mungesën e tyre janë më të fuqishme.

“PANTEONI I NËNDHESHËM”

OSE REALIZËM I DËNUAR

Poeti, eseisti dhe filozofi Arshi Pipa do të ishte ai që do të realizonte ëndrrën e të gjithë të burgosurve politikë shqiptarë në diktaturë: ikjen. Të ikje dhe të tregoje nëpër botë burgjet e tmerrshme, vuajtjen e një populli pa liri. Se dilnin shkrimtarë jashtë shtetit, por ata s’e hapin gojën. Turp! 1000 herë turp! Fill pas burgut, Arshi Pipa do të arratisej, do të mbërrinte në Itali duke pasur me vete dhe poezitë e shkruara fshehurazi mbi letra të holla cigaresh. Gati sa një kuti shkrepësesh bëhej sasia e tyre dhe do t’i botonte në Romë në përmbledhjen gri të zymtë: “Libri i burgut”, një hata e vërtetë, ku Sonetet e Kanalit të asaj kënete të tmerrshme do të ishin, sipas meje, “Ferri” i poezisë shqipe. Pra, profesor Arshi Pipa kishte shkuar në SHBA, ku dha leksione në universitete të njohura, pa e shkëputur vëmendjen nga letërsia e dheut amë, madje dhe do të përkthente prej andej, siç do të sillte në shqip në të dyja dialektet poetë të mëdhenj klasikë nga bota. Profesori do të shkruante në anglisht dhe një studim “Montale dhe Dante”, me lejen e vetë Montales, që do të ishte në një farë mënyre, paraprijës i çmimit “Nobel”, që do t’i jepej poetit gjenovez. Korpusi i Veprës së Arshi Pipës po vazhdon të botohet pas vdekjes në atdhe në kujdesin e familjarëve, duke përfshirë dhe dorëshkrimet që i ruajtën përmes rreziqesh motra e tij Bukuria dhe i ndjeri kunati, shkrimtar tjetër i burgjeve, Uran Kalakulla.

Kartela

ARSHI PIPA:

U lind më 28 korrik 1920 në Shkodër. Ndoqi studimet në Kolegjin Severian në Shkodrën e tij të lindjes dhe më pas studioi filozofi në Universitetin e Firences, ku në 1942 mori titullin “dottore” në filozofi, me një punim për konceptin e moralit në filozofinë e Henri Bergson. Pas pushtimit fashist të Shqipërisë kthehet nga Italia bashkë me vëllanë e tij, Myzafer Pipën. Punoi si mësues në Tiranë dhe Shkodër dhe redaktor i revistës letrare “Kritika”. Mbas Luftës së Dytë Botërore, pas ekzekutimit të vëllait të tij Myzaferit, nga fitimtarët, Arshi Pipa, në prill 1946 u arrestua me akuzat për veprimtari kundër shtetit dhe u dënua me 10 vjet burg. Dënimin e vuajti në kampet e punës në Durrës, në kënetën e vdekjes në Vloçisht, në kalanë e Gjirokastrës dhe në ferrin e Burrelit. Me t’u liruar, arratiset në Jugosllavi dhe në 1958 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fillimisht punoi në Universitetin e Georgetown, Berkeley dhe pastaj në Universitetin e Minesotës në Mineapolis.

Në vitin ’90 viziton Shqipërinë. Pritet me kërshëri, moskuptim, largësi dhe adhurim.

Poezitë e para që shkroi në fund të viteve ’30 përfshihen në një ksombël që do të pasohej dhe nga të tjerë. Veçanërisht të vlefshme, lartësi e mendimit shqiptar janë veprat e tij në kritikën letrare, historinë e kulturës shqiptare dhe politikën e gjuhës në Shqipëri gjatë sundimit diktatorial të Enver Hoxhës.

Vitet e fundit të jetës së tij i kaloi në Uashington DC, ku dhe mbylli sytë më 20 korrik 1997

Po sot në ditën e lindjes së tij, në 104 vjetor, kujtojmë se vepra e Arshi Pipës është më e domosdoshme dhe më e fortë, një dritë e pashuar feneri në errësirën dhe ngricën e një dimri, ftohtësia e të cilit nuk ka ikur, që fërgëlloi dhe nga vendi i lirisë së madhe…

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 53
  • 54
  • 55
  • 56
  • 57
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT