• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARSI I PËRHERSHËM I BURRIT ME MBIEMËR KRUJËN…

March 15, 2024 by s p

Nga Visar Zhiti/

SHQIPTARËT JANË MË SHUMË SE SHQIPËRIA

Shqiptarët e fortë, ata të mirët, bujarët, me një madhështi të brendshme, por që u shfaqet, mjafton një dramë, një pabesi e tjetrit, një mort, një dasmë, sidomos një valëvitje flamuri mbi një pirg a llogore, janë më të fortë se Shqipëria vetë dhe atë mirësi prej tyre e ka vendi, bujarinë proverbiale dhe atë madhështi tradicionale, e adhuruar nga të huajt, udhëtarë, pelegrinë, pushtues, poetë… Bajroni tha se shqiptarët kanë virtyte, por ah, t’i kishin më të arrira.

Shqiptarët janë më shumë se Shqipëria dhe duket se u ka munguar vetëm arritja… – kam menduar shpesh, natyrisht që kemi Shqipëri, aq sa është, gjusmë, kemi dhe Republikë të pavarur të Kosovës, por më trishton pa masë bjerrja, ajo shprishje që i erdhi racës shqiptare nga vetvetja ose pothuajse…

Dekadat e diktaturës komuniste dhe për pasojë dhe postdiktatura sollën më dëm në prishjen e racës se shekujt e pushtimit, e kam fjalën për virtytet njerëzore, aq sa më duket se pushtet ka patur më shumë e keqja.

QË MENDOVA ASHTU?

…shkak ishte dhe Mustafa Merlika – Kruja, ka datëndjen sot, në mes të marsit të trimërisë siç e quan kënga e popullit, teksa prilli i dashurisë duket se veç vonon. Ai është personalitet me rëndësi i librit shqip, është historian, kur s’kishte dhe aq të tillë, gjuhëtar në nivel shkencëtari, kur s’kishte dhe aq të tillë, përkthyes, të mbijetesës, mjeshtëror në të shkruar, pra dhe stilist, zgjodhi emrin letrar Shpend Bardhi, i qartë në mendime, i guximshëm, di të shquajë vlerat e kundërshtarit dhe meritat e armikut.

Po ai dinte historinë e kombit të tij ashtu si të familjes së tij, bëri Shqipëri bashkë me ata që e bënë, është një nga burrat e Pavarësisë së nëntorit 1912, ndërsa kur bëhej “Pavarësia e Dytë, Kongresi i Lushnjës në janar të 1920, nuk ishte në sallën historike, por maleve, organizonte qendresën antiserbe në Dibër dhe Lumë, do të ishte për një “Shqipëri romane” – nëse mund ta themi kështu gjatë Luftës II Botërore dhe në vitin 1941, nën pushtimin fashist, në sopatat e Liktorit, ai do të ishte kryeministër – kolaboracionist si arritje e nacionalizmit, sa ç’mund të arrihej në pushtim.

Dhe pikërisht për këtë fitimtarët e mbas Luftë II Botërore, adhurues më shumë te prangave se të librit, do ta përndiqnin, duke dashur vrasjen e tij, duke e mbuluar me harrim emrin dhe veprën madhore.

Po ai tashmë është vetë pjesë e historisë.

* * *

Dua ta kujtoj sërish. Në librin tim, “Kartela të Realizmit të dënuar” është dhe

KARTELA

Mustafa Merlika-Kruja,

(1887 – 1958)

…Do të ikte.

Kryeministër i Shqipërisë, i diplomuar për shkencat politike jashtë vendit, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë, që pëveç punëve si patriot dhe historian, shquhet dhe si gjuhëtar i klasit të parë dhe la në dorëshkrim një Fjalor prej 2.400 faqesh, me 30.000 fjalë shqip.

Kjo lëndë madhore mbeti në kthetrat e fitimtarëve dhe ata e dinë ç’bënë me të, si e shqyen, e përvetësuan, e dogjën.

Libra të tjerë të Mustafa Merlika-Krujës janë: “Anthologji Historike”, “Letërkëmbim 1947-1958”, “Kujtime vogjlije e rinije”, “Aleksandr’ i Madh” dhe “Vëzhgime Iliro-shqiptare”, punime shkencore origjinale, si dhe përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët, një ndihmesë e vyer dhe me rëndësi.

PO Ç’KA THËNË BABAI I GAZETARISË MODERNE ITALIANE,

IDRO MONTANELI.

Gazetari i famshëm italian Indro Montaneli, autori i një libri trallisës për Shqipërinë, ja ç’do të shkruante për qeverinë e Mustafa Krujës në “Corriere della sera”: “Ministrat shqiptarë… të gjithë vishen thjesht, janë pak të ashpër, por të përgatitur mirë teorikisht. E kaluara e tyre është njëlloj: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: njësía territoriale e Shqipërisë, autonomia e brendshme, mbrojtja e racës dhe e pasurisë kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave dhe të detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë”.

Dhe për vetë kryeministrin: “Suksesi e nderimet nuk kanë mundur ta shndërrojnë natyrën dhe sjelljen e jashtme të këtij burri… (që) nuk i jep rëndësi vetes me poza e me fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë me maturi e… thotë të vërtetën… Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini-t e programi i tij është ky: dua një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë.”

Kryeministri Kruja dhe qeveria e tij do të ishin dhe mbrojtës të pashoq të hebrenjve, që përndiqeshin kudo. Jo vetëm që nuk do t’i dorëzonin te pushtuesi nazi-fashist, por do të vinin të tjerë nga të mundnin dhe Shqipëria do të ishte vendi që do të kishte hebrenj më shumë pasi mbaroi lufta, sesa kur nisi.

Dhe pikërisht do të iknin si çifuti në shkretëtirë, personalitete të tjera të vendit, intelektualë…

VAZHDIM I DËNIMIT,

KARTELË TJETËR

Eugjen Merlika

…që ka gjysh Mustafa Merlika – Krujën, e rëndë kjo për në burg, kryeministrin e dënuar, kaq duhej, se nuk i kujtonin më që ai ishte patrioti, albanalogu dhe gjuhëtari i shkëlqyer, i ikur nga regjimi, patjetër që familja e mbetur “në mëshirë të të pamëshirshmëve”, do të përfundonte internimeve e do të kërcënoheshin me burg.

Eugjenin e kisha parë kur vinte me biçikletë nga balta e internimeve në Lushnjë, isha gjimnazist, por do të na bashkonte burgu i Spaçi. Pastaj dhe Italia, ku ai mërgoi dhe unë punoja në ambasadë në Romë. Në burg i kërkoja fjalë italisht, tani shkëmbenim nga librat tanë,

Pasi botoi përmbledhjen me poezi “Muzg”, Eugjeni do të botonte memuaristikë dhe artikuj të shumtë në gazeta, vëzhgime politike, kritika letrare, ese, që do t’i përmblidhte në libra të ndryshëm, ndër më të fundit “Elegji për brezin tim” dhe pastaj do t’i hynte një pune të madhe, akademike, që duhej ta bënin akademitë, përgatiti gjithë Veprën e Mustafa Krujës, studime, histori, gjuhësi, polemika, letërkëmbim, etj, e cila, duke dalë në këto vite, plotësoi një vend bosh në studimet shqiptare, me një vlerë të rëndësishme kombëtare.

[…]

Kur i bënë atentat Luigj Gurakuqit në Bari në rrugën që mban emrin e tij, bashkë me të ra dhe një kukull, e kishte marrë t’ia çonte një vogëlusheje… që do të bëhej nëna e Eugjenit.

E lindur në Romë, Elena Gjika kreu studimet për letërsi me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Napolit dhe mes zgjedhjes për të mbetur pedagoge në Itali apo të shkonte në Shqipëri, parapëlqeu këtë të dytën, shkoi pas të shoqit, inxhinier Petritit, diplomuar në Francë, i biri i Mustafa Krujës.

Elena, e talentuar në gjuhësi, do të bashkëpunonte me vjehrrin për Fjalorin e madh të Shqipes. i shoqi merrej me ndërtimet në Shqipëri, por atë e arrestojnë dy vjet pas mbarimit të Luftës, se bënte pjesë në ata që donin të krijonin një parti liberale opozitare. E dënojnë me 15 vjet burg.

Eugjenin 6 vjeçar me nënën dhe gjyshen i dërgojnë në kampin-aushvic të Tepelenës Që fëmijë provoi qelitë. Pasi mbyllet, i çojnë në internim në Lushnjë, fshatrave. Po prisnin që Eugjenin të mbushte moshën për burg. Dhe e arrestojnë në vitin 1980, e dënojnë pa bërë gjë fare me 8 vjet burg…

Kështu deri sa bie Muri…

Nga Zonja Elena kanë mbetur dy sprova, një e shkruar për studentët në Itali, për personalitetin e të riut, dhe tjetra për dhunën në internim në Tepelenë, ku nëpërkëmbej edhe jetesa si qenie, por ja, që çuditërisht, një herë u arrit të kremtohej një Krishtlindje, megjithëse të ndaluara, me një prift të internuar dhe korin ilegal të të internuarave. Ishte liturgjia e ëndrrës.

Vuajtjet dhe dënimet bënë që të humbte vepra e saj, të mos shkruhej dot. U rikthye atje ku kishte lindur, në Itali, ku dhe mbylli sytë afër Romës në vitin e dytë të mijëvjeçarit të ri, por kërkoi të prehej në vendin, ku u lodh aq shumë, në Shqipëri. Emri i saj ndrit përzishëm në varrezën familjare në Krujë, ku ka dhe një shesh tani me emrin: Mustafa Kruja.

Vepra “Merlika-Kruja” përmbledh kohë të tre brezave, kohë të përjetësisë së Shqipërisë.

DY LIBRAT E DIJETARIT:

I kam ndër duar dy librat më të fundit të tij si festë e datëlindjes. Vepra të kujtesës kolektive dhe të mbijetesës, “Lashtësi shqiptare” – 2021 dhe “Historij’ e vonë” – 2023, botimet “Berk”, emërtimi i së cilës më emocionon: “një formë gjuhësore arkaike e shqipes, që shenjon librin, gjurmët tashmë të humbura…” në mesjetën shqiptare dhe të rishfaqura po në atë mesjetë, më saktë me rilindjen e vonuar. I shkon shumë dhe misionit të Mustafa Merlika – Krujës.

“Lashtësi shqiptare” përmbledh shkrime historike dhe përkthime të tij, të përgatitura nga nipi, Eugjeni, me një parathënie nga arkivisti Sokol Çunga, studiues dhe kritik letrar, përkthyes dhe ai, ku thotë se “ky është një tekst i historisë së Shqipërisë… por në të njëjtën kohë është dhe histori e vetë autorit të tij.”

Tematikë enciklopedike, që nga parahistoria, legjendat, pellazgët, epoka ilirjane, helenët, thrakët, maqedonët, Aleksandri i Madh, Pirro, Roma, kryqtarët, Bullgaria e Dytë, Beteja e Fushë Kosovës, Arbëreshët, Histori e Skënderbeut, etj…

Libri tjetër, “Historij’ e vonë”, me “Kapituj të randsishëm të historisë së shtetit shqiptar”, ka po atë enciklopedizëm, por kombëtar, nis me Gjomarkajt, Ali Tepelena, Lidhja e Prizrenit, revolucioni Xhon-Turk, kryengritjet, 1912, Kosova dhe Vlora, Toptani, Bajram Curri, Kongresi i Durrësit, Konferenca e Parisit, Fan S. Noli, Luigj Gurakuqi, etj, Balli Kombëtar, Konferenca e Mukjes… Konferenca e Parisit… çfarë i duhet shkollës shqipe dhe deri “Pse Enver Hoxha asht në krye”… “në skenën tragjike të revolucionit komunist shqiptar”.

Botimi është përgatitur nga Anna Shkreli, me parathënie nga Eugjen Merlika, të cilën e titullon “Rilindasi i brezit të fundit”.

Barra i ka rënë atij, prurësit dhe përkujdesësit të gjithë Veprës së Mustafa Merlika – Krujës, një ish i burgosur politik, ai i bën të gjitha, madje me paratë e tij nga dëmshpërblimi i mangët i burgut. Si bashkëvuajtës me mua, më dërgoi dhe dy botimet e fundit këtu, jo shumë larg nga vendi, ku gjyshi i tij si i mërguar politik mbylli sytë përgjithmonë, në Niagara Falls, në një dimër në SHBA.

Bashkohemi me atë që shkruan shkrimtari themeltar Ernest Koliqi: “Veprat e Mustafa Krujës mbesin dëshmimi i shkëlqyeshëm i kontributit që ai i solli naltësimit moral e kulturor të botës shqiptare.”

Botimi i tyre duhej të ishte detyre dhe punë e akademive dhe katedrave të historisë, gjuhësisë dhe albanologjisë, e Lidhjes së Shkrimtarëve si për një akademik dhe historian të shquar, gjuhëtar, albanalog dhe stilist të shqipes, e Ministrive të Kulturës për një autoritet të kulturës, e Kryeministrisë për një kryeministër.

Mustafa Merlika – Kruja tashmë është një institucion. Nëse Shqipëria nuk do të dijë që përvojën dhe arritjet e tij ashtu si dhe humbjet t’i bëjë pjesë të përvojës, arritjeve dhe humbjeve të saj, do të dëmtojë kështu historinë dhe kujtesën e popullit, por dhe kritikën e ardhmërisë.

Filed Under: LETERSI

NAUM PRIFTI: TEATRI NË KOHËN E KRIZËS

March 15, 2024 by s p

Dr. Anxhela Çikopano/

Para se ta filloj këtë kumtesë dua të falënderoj arkivat teatrore që lëvizën gjithë gurët për të më siguruar foto të shfaqjeve, edhe pse diku gjetëm e diku jo: arkivin e teatrit të Korçës, Elbasanit Durrësit, Fierit, Vlorës, Universitetin e Arteve e Teatrin Kombëtar, po edhe Julika Priftin për gatishmërinë dhe ndihmesën me materiale në çdo kohë, se një kumtesë për teatrin nuk ka shije pa foto ilustruese.

Këtë kumtesë, në fakt, ia kam borxh zotit Naum Prifti. Pse? Sepse 2-3 muaj para ndarjes së tij nga jeta, arrita të vihesha në kontakt me të bijën, Rafaelën, të cilës i kërkova t’i bëja një intervistë autorit, meqenëse kam në dorë një monografi mbi teatrin e konsideruar si revizionist dhe dramën e ndaluar, ku padyshim një prej pjesëve që meriton vëmendje është “Rrethimi i bardhë” i zotit Prifti. Rafaela dhe zoti Prifti u treguan të gatshëm, por ndërsa shfletoja për të përgatitur një intervistë të bazuar mirë, zbulova se zoti Prifti kishte botuar një libër, të cilit unë i kam huazuar titullin për këtë kumtesë: “Teatri në kohën e krizës”. Ky libër ma vështirësoi punën, se nuk mund të përgatisja pyetjet pa e tjerrë mirë atë, mirëpo kjo më mori kohë, shtuar edhe një situatë të paparashikuar shëndetësore dhe unë nuk mbërrita ta bëja atë intervistë se zoti Prifti u nda nga jeta.

Në një intervistë dhënë për Zërin e Amerikës në vitin 2012, zoti Prifti shpreh shqetësimin për zhbërjen nga të rinjtë të letërsisë së realizmit socialist, ose siç e quante ndryshe ai, të mungesës së realizmit kritik ose të realizmit afermativ, por nëse ka një autor puna e të cilit nuk mund të zhbëhet, edhe pse cilësohet si i autor i brezit të realizimit socialist, është pikërisht zoti Prifti. Dramaturgjia e tij është e pakohë, me vepra që mund të vihen edhe sot në skenë, gjë që nuk haset shpesh mes veprave të asaj kohe, qoftë edhe të ndaluara.

“Rrethimi i bardhë” qe pjesa e parë dramaturgjike që shkroi dhe me të u çel teatri i Elbasanit, po vetë autori sado entuziast që ishte, kur e pa veprën e tij të parë të mishërohej nga aktorët në provat e tavolinës, na tregon se premiera e saj nuk e kishte ngrohur, pasi tempo-ritmi qe i ulët dhe kërkonte shumë kohë ndërrimi i skenave. Megjithatë, shfaqja qe pëlqyer dhe u zgjodh edhe nga Pirro Mani për t’u vënë me trupën e Korçës. Regjisori Mani në Korçë e kishte krasitur pjesën pa pyetur autorin, për ta ngjeshur aksionin, mirëpo sipas autorit kjo e bënte atë të dukej edhe më e ashpër nga ç’ishte teksti fillestar. Shfaqja e Korçës do të sillte fatin e keq të dramës, pasi drejtuesit e partisë së qytetit do t’ia sugjeronin me entuziazëm Enver Hoxhës që gjendej aty për punë të tjera, i cili nuk e pëlqeu shfaqjen dhe e mori si kritikë për partinë e qeverinë (lexo: për veten e tij), ndaj pas një jave ajo u ndalua. Ndërkohë, regjisori dhe pedagogu Kujtim Spahivogli e kishte zgjedhur si punë diplome me studentët e tij dhe nuk mund të mos shfaqej. Shfaqja u bë me dyer të mbyllura në Teatrin Kombëtar, ku ishte e pranishme dhe Nexhmije Hoxha. Drama u cilësua si “shtrembëruese e realitetit”, po pse?

Thelbi i dramës me dy fjalë është: një grup njerëzish në një kantier malor, mbeten të izoluar nga stuhitë e dëborës që fillojnë papritmas. Ata kanë shumë pak rezerva ushqimore dhe makina që po vjen t’u sjellë furnizime, bie në humnerë për shkak të dëborës. Të izoluar dhe të pa konsideruar si në rrezik, sepse autoritetet mendojnë që u kanë nisur ushqime, pa e ditur se furnizimet nuk u kanë mbërritur, në zgrip të urisë e të mbijetesës, dalin në pah natyrat e vërteta të gjithsecilit. Pjesa ka dy probleme madhore: e para është helikopteri që kalon dhe as i sheh e as i shpëton, ashtu siç pritej të mos braktiste asnjë partia; e dyta: personazhi kryesor është shumë njerëzor, madje deri diku “moralisht i korruptuar” pasi ka qenë i fejuari i njërës prej vajzave në kantier. Ai nuk është i vendosur dhe me besim të patundur siç duhet të ishte një kuadro e lartë, i dërguari i besuar i partisë, por një qenie njerëzore me dyshimet e dobësitë e tij, veçanërisht në rrethanat ku përfundojnë ata.

Për më tepër, pas prishjes me Bashkimin Sovjetik një vit më parë, pjesa mund të merrej lehtësisht si metafora e izolimit të Shqipërisë, në një situatë të pashpresë. Propaganda priste që klasa punëtore të dilte fitimtare falë unitetit të partisë me popullin, por, pasi partia nuk e ndihmoi dot këtë grup njerëzish, atyre nuk u mbeti gjë tjetër, veçse të dërrmuar të ndihmonin njëri-tjetrin, duke vënë në dyshim edhe mbijetesën e personazhit kryesor pas orësh të tëra ecje në dëborë. Kjo nuk i rrinte për shtat njeriut të partisë dhe as heroizmit që shiste Shqipëria si shkëmb graniti. Në vepër ka një lloj romantizmi romanesh, që sillet nga mjekja e re apo romantizëm dashuror nga marrëdhënia mes Merit e Pilos, por ky nuk është romantizmi i duhur. Veprës i mungon romantizmi revolucionar, i mungon tipikja dhe mesazhet politike deklamative. Po ta shohësh hollë-hollë, edhe pse nuk e ka shkruar me atë qëllim, autori duket se ka hedhur në letër atë që e mbante fshehur në të pandërgjegjshmen e tij: që (po citoj autorin) “klasën punëtore nuk e ka shfrytëzuar askush më egërsisht se të vetëquajturit përfaqësues të saj, udhëheqjet e partive komuniste në gjithë vendet ku kishin në dorë pushtetin.” Në të tilla kushte, degdisja e autorit në Divjakë dhe mundimi psikologjik disa vjeçar, duke ia rikujtuar e përmendur vazhdimisht dramën, nuk është asgjë, krahasuar me sa mund të ishte dënuar. Mund të them me bindje se drama është një pjesë psikologjike, që hyn deri në thelb të njeriut e që meriton të ngjitet në skenë edhe sot.

Pjesa e dytë e zotit Prifti është “Dasmë pa nuse”, e shkruar në vitin 1969 dhe mbase është pjesa më e afërt me kërkesat e partisë që ka shkruar autori, edhe pse pas vënies në skenë në Institutin e Arteve me regji të Drita Agollit e Miho Gjinit, autoritetet nuk mbetën të kënaqur, pasi prisnin për goditje më të rënda ndaj zakoneve prapanike. Në fakt, komedia më shumë se një komedi mirëfilli e realizmit socialist është një model tipik komedie manierash, ku, siç e kërkon zhanri sjell kode sjelljesh të një grupi të caktuar shoqëror dhe ku dukja, në këtë rast nderi, kanë më shumë vlerë se realiteti. Kështu, personazhi kryesor ka hall të martojë vajzën sipas zakoneve të vjetra kanunore, edhe pse ajo është dashuruar me një nga djemtë e rinj të kantierit. Kështu që të rinjtë, pasi mësojnë se nëse vajza rri 24 orë nuse në shtëpi të saj dhe nuk vjen askush ta marrë, fejesa quhet e prishur, sajojnë një lojë me datat sipas kalendarit all-turka të babait të saj dhe “ia rrëmbejnë” Shegën. Në ndryshim me satirën ku “imoralët” dënohen, në komedinë e manierave ata konsiderohen mendjemprehtë dhe shpërblehen për rrengjet e tyre. Kështu ndodh edhe te “Dasmë pa nuse” ku “ndëshkohet” babai për zakonet e tij prapanike dhe shpërblehen të rinjtë, që “rrëmbehen” edhe fizikisht, duke u larguar me makinë. Pjesa u vu në skenë në vitin 1970 nga Albert Vërria me trupën e Vlorës dhe pati shumë sukses.

Edhe “Mulliri i Kostë Bardhit” nuk shpëtoi pa u parë vëngër. Vënë në Durrës nga Vangjel Heba, marksisti Jorgji Sota e cilësoi si të gabuar ideologjikisht, por u shpëtua nga Rita Marko. Pjesa flet për një mullis të varfëruar nga lufta që rropatet të mbajë familjen, por pasaniku Shahin Miluka i pret vijën e ujit të mullirit, pasi blen lëndinat mbi mullirin e tij. Qëllimi i Shahinit është t’i marrë edhe mullirin, që ta bëjë central elektrik për fermën moderne që ka në plan, por djali i Kostës që është lidhur me komunistët e partizanët, konverton edhe të atin që të mbështesë këto forca, për të shpëtuar familjen e pronën e saj. Në fakt, po ta shohësh me kujdes, nuk është një pjesë që i bën elozhe komunizmit, se sa një pjesë që denoncon fatin e njeriut nën qeverisje të korruptuara. Lufta mes kapitalizmit të egër e idealeve të majta është tematikë e shumë autorëve ndërkombëtarë të fillim shekullit të shkuar dhe në këtë dramë ajo vjen jo fort ndryshe nga ato. Ajo që të bën përshtypje është që edhe mësuesi, i cili është prurësi i ideve të majta, nuk është personazhi tipik i realizmit socialist. Ai thotë se edhe ai vetë po mëson ende, se nuk e njohin plotësisht atë që po bëjnë. Përpara pamundësisë për të mos mposhtur dot një pasanik që ka në krah një qeveri që i mban ison, edhe kur nuk ka të drejtë dhe alternativës që i ofron kjo lëvizje e re që i vjen me të birin, i cili e ka bindur paraprakisht se rebelohet mbi bazë parimesh atdhetare, Kostë Bardhi zgjedh këtë të dytën dhe kjo e bën pjesën realiste edhe sot, për të kuptuar se si krijohen kushtet për të hipur në pushtet fuqi të dyshimta. Nga kjo pjesë spikat personazhi i Sokratit, një kurbetli që nuk ka bërë prokopi e di të thotë veç fjalë të urta e histori bazuar në përvojat e tij, po që është një sintezë e mençurisë popullore, një personazh si kripa në gjellë, që u vlerësua bashkë me rolin e Kostës edhe në shfaqjen e Durrësit.

Tërësisht realizmit socialist i ikën “Plumbat e shkronjave” (fillimisht e titulluar “Me pushkë e penë”), një pjesë për historinë e shkollës së parë shqipe që përsëri u rrëzua për gabime ideore, sidomos pse cubi Nure nuk ishte figura e idealizuar e kaçakut dhe se skena e kaçakëve ishte shumë e gjatë, duke e kufizuar pjesën (në fakt, kjo e fundit një vërejtje kjo nga shefi i sigurimit, Feçorr Shehu, që unë nuk arrij ta kuptoj). Bazuar mbi historinë e vërtetë të rrëmbimit të Gjerasim Qiriazit nga cubi Shahin Matraku, kur shkonte nga Manastiri në Korçë për të hapur shkollën e vajzave, sipas një intrige të kurdisur nga patriarkana greke, me ndihmën e një hanxhiu të paguar, Shahin Matraku mësoi nga patriotët se kush e kishte futur në kurth, e liroi Gjerasimin dhe mori nën mbrojtje shkollën shqipe. Vepra sjell një lakore të mrekullueshme të cubit Nure dhe një galeri personazhesh të shumëllojshëm e të qëndisur. Pas një sërë refuzimesh, pjesa u vu në skenë nga Korça e nga Fieri, po me sa duket Korça u mburr që e njihte mirë ngjarjen se e kishte të zonës së saj dhe do ta vinte më mirë në skenë. Si përfundim, shfaqja e Fierit ishte më e arritur dhe ajo është regjistruar për Teatrin në ekran. Po ju sjell një detaj komik nga premiera e Korçës, ku autori tregon se salla qe mbushur thuajse vetëm me gra, për shkak se luhej gjysmëfinalja e Kampionatit Botëror të Futbollit në Argjentinë dhe ai e quan një premierë të trishtuar, në mos të dështuar. “Plumbat e shkronjave” është një pjesë që padyshim mund ta shohë edhe sot dritën e skenës, pa i prekur as edhe një presje.

Në mbledhjen e Pleniumit XV të KQ të PPSH-së, me temën “Mbi rritjen e rolit të letërsisë dhe arteve në edukimin komunist të masave”, shoku Enver pati thënë se: “Partia ka për detyrë që ata që çoroditen në veprat e tyre nga ana e pikëpamjeve ideologjike, politike, artistike, në përmbajtje ose në formë, t’i korrigjojmë me durim. […] Po kur qëllon që ndonjërit i pëlqen të prodhojë gjëra që s’i duhen kujt, të gabuara dhe pa kripë, ai s’ka pse të qahet nga partia. Ajo as do t’ia botojë e as do t’ia shesë. Kush të dojë, le të prodhojë për dollapin e tij dhe ne nuk do ta shqetësojmë, derisa nuk është bërë shoqërisht i rrezikshëm.” Po dollap ishte fjala, se Naum Prifti tregon se shumë nga shkrimet e tij “për sirtar” i fuste në shpina kolltukësh apo në oxhakun e një sobe që nuk e përdornin, që të mos ia zinin e t’ia përdornin si provë kundër tij. Paranojë? Aspak! Djali i Fadil Paçramit që u dënua po për gabime ideologjike me teatrin tregon se i ati i ka djegur dorëshkrimet para se ta arrestonin, që të kishin sa më pak prova kundër tij. Po dorëshkrimet e zotit Prifti mbijetuan për fatin e mirë të studiuesve e të lexuesve dhe në vitin 2001 shënimet e tij të fshehta për teatrin u botuan në librin “Teatri në kohën e krizës”. Një libër me dy pjesë, ku në pjesën e parë janë qëndrimet dhe marrëdhëniet personale të autorit me teatrin dhe në të dytin kronika jo-zyrtare të shfaqjeve që shihte si inspektor i ministrisë. Një tingull alternativ, në një kohë ku orkestra kishte vetëm një vegël. Me një stil narrativ plot detaje e të rrjedhshëm, librin duhet ta lexosh disa herë, për të rrokur gjithë informacionin e sjellë nga autori, që është jo vetëm material teknik për teatrin, por edhe copëza nga jeta e nga marrëdhëniet me të, nga prapaskenat ku armiqësore e ku të ngrohta të komunitetit teatror, pa pasur nevojë që ne t’i imagjinojmë, se vijnë me zërin e një njeriu që i ka jetuar në vetën e parë. Sikur të kishim pasur më shumë zëra të tillë, do të kishim panorama më të qarta mbi atë që ndodhte në teatrin e asaj kohe, përtej fasadës e idhujtarisë që ushqehet shpesh. Për mua si studiuese, “Teatri në kohën e krizës” është një libër i rrallë, në mes të një morie narrativash të ngjashme, që i duhet dhënë vlera dhe zëri që i takon.

Filed Under: LETERSI

SIKUR… E  MEGJITHATË…

March 14, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

16 vite më parë, atëherë kur dukej se romani shqiptar kishte rënë në nivele mediokre dhe po e përgjumte lexuesin, Ben Blushi la për një çast politikën dhe na befasoi duke na bërë të shohim se letërsia shqiptare kishte pena të tjera përveç atyre që njihnim. Romani i tij “Të jetosh në ishull” u bë menjëherë objekt diskutimesh që do të rihapen herë-herë, por asnjëherë nuk do t’u vihet kapak. Ndoshta edhe media bëri punën e vet, por meritën e parë e ka vetë vepra. Ajo është njё traktat historiko-filozofik i vendosur në një kornizë artistike të gdhendur bukur. Ashtu si Kadareja, edhe Blushi kthen vështrimin te antikiteti grek dhe heronjtë e tij, madje këtë e përçon edhe në lojërat e fëmijëve si një mënyrë tërheqëse për t’i sjellë në bashkëkohësi. 

Shkalla e dytë e vëmendjes historike vjen me Perandorinë e Bizantit si më e madhja dhe më e ndritura e botës sepse “arriti të bashkojë nën një pushtet tre elementë që në rast se pajtohen, prodhojnë qenien perfekte: një shpirt grek, një mendje romake dhe një trup mysliman.” (f.67)

Dinastia Komneni, Voskopoja dhe Ali Pashë Tepelena janë ato copëza nga historia jonë që autori ka guxuar t’i shohë tërësisht ose pjesërisht ndryshe nga trajta e tyre e ngurtësuar; ai mendon se principata e Komnenëve ishte e para mbretëri e pavaruar e shqiptarëve, se Janina ishte kryeqyteti i parë i tyre, se “Arianit Komneni ishte prijësi i munguar i shqiptarëve.” (f.59)

Vënia në peshore e Gjergj Arianitit dhe Gjergj Kastriotit shkakton një mëdyshje që na befason dhe na trondit. Ne krenohemi me Skënderbeun si mbrojtës të Krishtërimit, kurse autori mendon se ai nuk e luftoi Islamin, se “ai luftoi për pushtet, jo për besim,” (f.54) se “duke kaluar ylberin e Zotit, Skënderbeu u bë i pabesueshëm.” (f.57) Ndryshe nga Blushi, historianët tanë kryesisht, dhe studiuesit e huaj pjesërisht, na kanë dhënё një histori të kombit tonë ku Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Enver Hoxha u përngjajnë atyre gurëve kilometrikë pa të cilët nuk orientohemi dot se ku jemi dhe ku po shkojmë. Ndoshta do të ndodhë si me autostradat e reja që po ndërtohen dhe po anashkalojnë qytete si Pogradeci, Peqini, Rrogozhina, Kavaja, etj.

Shkatërrimi i Voskopojës, jo nga pushtuesit por prej vetë shqiptarëve, ka qenë një humbje e pakompesueshme. Ajo ishte një vatër e ndritur qytetërimi, por nuk ishte vetëm ajo. Ne pothuajse nuk dimë pse në disa fshatra janë mbajtur gjallë toponime me emrat e kishave kur ato janë rrafshuar dhe në to s’ka asnjë të krishter. Fakti që ne nuk shkojmë dot më shumë se shtatë-tetë breza në thellësi të viteve, mund të ketë lidhje me përpjekjet për të gëlltitur historinë që fshihej nën dhe përtej atyre gërmadhave. Ka qenë një moment i dhunshëm prerjeje për të mbyllur një epokë dhe për të hapur një tjetër, për të mbuluar ca gjurmë dhe për të injektuar një ndjesi të re. Gjithë vepra ngrihet si një antitezë mes dy feve – Krishtërimit dhe Islamit, duke shkuar deri te themelet e njerëzimit, te Isaku dhe Ismaili, për të ardhur me mesazhin se lulëzimi i Voskopojës u dogj nga zjarri mysliman, se priftërinjtë përfunduan si viktima të hoxhës luftënxitës që shpalli devizën: “Voskopoja ka vetëm një fat: të bëhet Medinë. Voskopoja ka vetëm një poezi: Kuranin. Voskopja ka vetëm një prijës: Muhamedin. Voskopoja ka vetëm një fe: Islamin. Myslimanët kanë vetëm një zgjedhje; të luftojnë. Të pafetë kanë vetëm një rrugë: të ikin.” (f.276) Kështu islamizmi u kthye në  detyrim në Perandorinë Osmane dhe autori numëron privacionet e atyre që ishin të krishterë dhe nuk pranuan të konvertoheshin. (f.103-104) Kjo qasje nuk e frenon autorin që pjesë të veçanta të romanit t’i bëjë të tingëllojnë si leksion për Islamin dhe bektashizmin, (f.10-15 dhe 45-46) por edhe të theksojë se nuk duhet të vihet shenja e barazimit midis shqiptarëve myslimanë dhe turqve. (f.230) Autori ka hapësirë të mjaftueshme për të ndërtuar edhe dy strehime shtesë, njërin për Sabatai Zevin si përfaqësues të çifutëve që i dhanë botës Testamentin e vjetër “djepin e të gjitha feve të mëdha.” (f.181) Kjo linjë do të ruhet edhe në romanet që do vijnë pas vitesh. Strehimi tjetër është për jevgjit që e kanë origjinën te njëri prej tre djemve të Noes dhe përfaqësohen nga Bilali i cili, jo vetëm hyn në jetën e fshatit, por edhe bën krushqi me vendasit.

Ali Pashë Tepelena ka qenë njohur si figurë kontradiktore. Autori e rimerr për ta analizuar si aktor në dramën e madhe të përplasjes mes krishtërimit dhe myslimanizmit në Shqipëri. Edhe pse i përmbajtur në kritika, në gojën e karaktereve të veta Blushi vë vlerësimin “kusar” dhe na kujton nënshtrimin e dhunshëm që pashai i Janinës u bëri bashkëkombasve suljotë.

Kjo panoramë historike e zbulon Blushin si një studiues të vëmendshëm dhe të thellë që të kujton arkeologun që nga fragmente qeramikash përpiqet të rindërtojë enën e plotë, që nga themelet e rrënojave të ringrejë kështjellat. Aty ku mungojnë gjurmët, i vjen në ndihmë përvoja e analistit në politikë. 

Fjala “ishull” përdoret në kuptimin e drejtpërdrejtë kur është fjala për Kretën që simbolizon kështjellën përcaktuese të tërheqjes së krishtërimit, por ai rimerret disa herë në kuptimin metaforik. Autori e bën vetë shtjellimin e titullit: “Ishullarët … kanë vetëm një qëllim: sesi ta shpëtojnë ishullin e tyre nga stuhitë dhe pushtuesit… Lufta është arma e fundit që përdorin pasi u kanë ofruar të huajve paqen, qetësinë, strehimin dhe mënyrën e tyre të jetesës… Kur i huaji ka mësuar notin, peshkimin, ndërtimin e varkave, gatimin e peshkut,… ai pa e kuptuar është bërë një ishullar.” (f.228) Këta ishullarë kanë dhe një hero që bëhet fli, çobanin Marin Kurila.

Është befasuese se si një gazetar e koncepton si arkitekt ngrehinën e një vepre duke sjellë skena të detajuara të jetës së fshatit shqiptar që kanë vlerë të shtuar didaktike. Ndoshta zgjedhja e figurës së Arianit Komnenit e trajtuar me aq dashuri, ka qenë gjetja më e goditur artistike për ta realizuar këtë gjë. Fati i Komnenëve, i parë me përimtim në jetën familjare dhe në raportet me të tjerët, shpalos para lexuesit një etnolog që di të vendosë drejtpeshim midis gjëmimeve të historisë dhe përditshmërisë së jetës familjare.

Me vendosjen e skenës së fundit të ngjarjeve në Kretë dhe flakjen e arkës prej Sarës, asaj arke ku duhej të merrte eshtrat e të atit për t’i sjellë në vendlindje, duket sikur autori dëshiron ta kthejë në ide të krejt veprës thënien e njohur “Pa fe s’ka atdhe.”

Vepra është ndërtuar mbi paradigmën “sikur të kishte ndodhur kjo e ajo, sikur të ishte vepruar kështu e ashtu, atëherë…; e megjithatë ato kanë ndodhur dhe nuk mund të korigjohen më.” “sikur Muhamedi të ishte shqiptar…(f.9) “Po të mos kishte krishtërim…” (f.51) “Në qoftë se Skënderbeu do t’u ishte bindur turqve…” (f.54) “Sikur Skënderbeu të ishte martuar me një nga vajzat e tjera të Arianitit…” (f.85)  Ndoshta Eqrem bej Vlora kish të drejtë kur konkludonte se “… pa kthimin në islamizëm… populli shqiptar do të kish qenë në rrezik, që si pakicë e krishterë të greqizohej apo të sllavizohej nga kisha ortodokse.” (Kujtime, Tiranë 2003, f.565)

Jashtë kësaj panorame artistike romani ka në nivel të lartë artistik dhe autori e fillon me këmbë të mbarë përdorimin e enumeracionit, në mes të romanit ka varg dritëzash prej 138 emrash që mund të jetë më i gjati në letërsinë shqiptare. Ndonjëri transformohet në shkallëzim të llojit: “Arka ishte e vogël për dy burra, fshati ishte i vogël për Komnenët, Shqipëria ishte e vogël për shumë fe she bota ishte e vogël për kaq shumë luftra.” (f.93) Romani ka brenda shumë poezi të shtrira në rreshta, si “hëna iu duk si një sy deleje I mbyllur,” (f.16) “mbi qytet hëna e re  shtrihej si një kumbull mbi një kadife blu,” (f.31) “tymi ngrihej lart dhe pas pak e mbuloi hënën si një perçe gri,” (f.33) “një diell i verdhë i ecte nëpër flokë si një karficë lulesh,” (f.287), “thinjat i dukeshin si një kurorë lulesh mbi zgavrën e një peme të vjetër,” (f.346) “dhëmbët i ndriçuan fytyrën si një filxhan i qëndisur,” (f.351) “yjet dukeshin sikur kishin zbritur në oborr dhe ishin shtrirë për t’u freskuar mbi plloça,” (f.353) “fillova të qaj sepse m’u duke vetja një plaçkë e lagur që e kanë varur në mes të fshatit për t’u treguar kalimtarëve se vetmia është një sëmundje që nuk shërohet në diell,” (f.365) “mblodhi si në një shportë udhëtimi copat e kujtesës së saj.” (f.399)

Romancieri të befason me metaforat origjinale, me antitezat mbresëlënëse që kulmojnë me ngritjen e xhamisë përballë kishës dhe me rrugën që i ndan në mes. Duke u fokusuar te përplasja mes dy feve dhe informacioni historik i shoqëruar me data dhe vite, kishte rrezik që materiali i grumbulluar të eklipsohej nga stili politiko-shoqëror, por autori ka ditur ta kapërcejë këtë rrezik real duke futur në vepër mjaft personazhe të krijuar prej tij krahas figurave të njohura historike, madje të krijojë edhe linja të gjata subjekti për ta, të ndalet për të këqyrur portretet e tyre siç ndodh me Marin Kurilën (f.214), Aishen (f.256) Xhuvrijen (f.260), etj. 

Katrori magjik në vepër që përbën një ngrehinë kabaleske brenda veprës, ndoshta nuk do të ishte kristalizuar aq bukur pa ndikimin e veprës së Dan Braunit “Engjëj e djaj” apo pa këqyrjen e katrorit magjik në një nga hyrjet e katedrales Sagrada Familia në Barcelonë. Ajo ka vlerë të dyfishtë kur në fund zbulohet se nuk është një mister, por krijesë e mençur e dy njerëzve të ditur.

 Qёndrimi pёrballё veprёs ёshtё si një ndalesë e papritur në rrugë për të parë tylin e një perdeje që lëkundet te dritarja në katin e dytë të një banese, një soditje e një korpusi ornamental që një ditë të bukur u shfaq befasisht para syve tanë.

16 vite më pas, kur romani “Të jetosh në ishull” është pasuar nga disa të tjerë, nuk mund të mos kthesh kokën pas e të shohësh që nuk paska qenë një korpus, por fillimi i krijimit të një principate letrare që dallohet prej të tjerave nga besnikëria ndaj zhanrit historiko-politik dhe nga këmbëngulja për të kaluar në filtrin e vet gjithçka që ka qenë përcaktuese për fatet e Shqipërisë dhe të botës, por në udhëkryeqet e historisë është zgjedhur alternativa e gabuar. Ka lexues që mendojnë se ajo që u bë, nuk zhbëhet, por kjo nuk e pengon një shkrimtar apo artist që ta vazhdojë luftën me mjete të tjera, për të zgjuar mendjet e fjetura, për të vënë në lëvizje mekanizmat e ndryshkura e të braktisura që ndodhen përtej trotuareve ku lëvizim përditë.

(Romani “Të jetosh në ishull” i Ben Blushit, UET Press 2008)

Durrës, 12 mars 2024

Filed Under: LETERSI

Tregimtari i kapërcimeve estetike zhanrore (Naum Prifti, 1932-2023)

March 12, 2024 by s p

Ymer Çiraku/

Naum Prifti mbetet tregimtari sui generis në letërsinë shqipe. Në kuptimin se i qëndroi besnik këtij zhanri letrar, por edhe se e përfaqësoi atë në nivele të larta.

Fshati shqiptar zë vend qendror në krijimtarinë e tij, çka lidhet dhe me rrethanat e jetës. Edhe përmbledhja e parë me tregime, titullohet “Tregime të fshatit” (1956). Këtë prirje tematike, e vrejmë edhe të dëshmuar qartazi në një nga rrëfimet autoriale, në intervistën dhënë gazetarit, kur thotë: “Unë u rrita në fshat, njëlloj si lulet e egra në mal, secila me aroma e ngjyrë të veçantë”.

Vlerësohet padyshim si tregimtari me një regjistër ligjërimi të veçantë, origjinal, në letërsinë shqipe. Kjo i ka siguruar edhe statusin e të radhiturit të tij denjësisht përkrah tregimtarëve të suksesshëm të kohës si: Mitrush Kuteli, Dhimitër S. Shuteriqi, Sotir Andoni, Jakov Xoxa, Vath Koreshi, Teodor Laço, Faik Ballanca etj. Ashtu siç ndodh në çdo traditë letrare me personalitete që lënë gjurmë, N. Prifti, është autor i ndikuar estetikisht nga modele të caktuara preferenciale prej tij, ashtu sikundër reflekton edhe ai ndikimet e veta mbi krijues të tjerë.

Pra, mbetet një autor i ndikuar, por edhe ndikues tek të tjerët. E ka të shprehur vlerësimin e tij plot venerim për Kutelin, kur pohonte se atë, e kishte mësuesin shpirtëror për tregimin dhe e mbante të paharruar dhe gati postulat porosinë e mjeshtrit se “poezia është vet e bukur, ndërsa proza duhet bërë e bukur, prandaj dhe ajo kërkon një mund specifik”. Por duhet mbajtur parasysh se edhe leximet nga letërsia në frengjisht, rusisht e anglisht, gjuhë në të cilat ai komunikonte për lexime letrare, patën krijuar tek ky autor njohje të gjera, me shkrimtarë të shquar dhe me lëvizje letrare, të shfaqura përmes këtyre gjuhëve.

Ndonëse me shumë libra të botuar dhe me kulturë të gjerë letrare, N. Prifti, në mjediset letrare të kohës, është shfaqur i pabujshëm. Edhe pse në rrethe të ngushta miqsh, e kishin “pagëzuar” si Çehovin shqiptar, nisur dhe prej profesionit, fillimisht si ndihmës mjek senatoriumi në Korçë dhe sidomos prej vlerësimeve, që fitoi nga niveli i tregimeve të botuara, ai nuk e pati zellin që ta tundë këtë pelerinë përkëdhelëse – për alteregon e vet. Mbeti përherë natyrë e veçuar, disi e tërhequr, por me buzëqeshjen e tij aq të çiltër, që s`i ndahej në çdo moment e situatë që të kishte.

N. Prifti është nga ata prozatorë të afirmuar, që nuk ka shkruar ndonjëherë roman. Por tregimet e tij, duket se shpesh kanë një “tejkalim” të brendshëm të kufijve të poetikave gjinore e zhanrore. Edhe brenda vëllimeve të kufizuara të teksteve, vrehet se tregimet, kanë intensitet të dukshëm nga aspekti rrëfimtar, kanë një lloj “presimi” nëntekstesh e paratekstesh, me gërshetime situatash të larmishme në hapësirë e në kohë, si dhe një galeri të pasur personazhesh me karaktere të përkundërt e shfaqje të befta. Të gjitha këto tipare të tregimtarisë së tij, krijojnë ndjesinë imagjinative tek lexuesi – sikur të ketë shfletuar një tekst mjaft më të vëllimshëm se ai reali. Thuaj sikur të ketë lexuar ndofta një novelë, apo një roman të tërë.

Këtë dukuri të iluzionit – të përftuar gjatë procesit të leximit, mund ta cilësonim pikërisht si një “tejkalim” estetik të kufijve të poetikave të zhanreve, që është një nga tiparet e dallueshme këtij tregimtari. Kjo veçori, nga aspekti i poetikës së prozës tregimtare, gjykojmë se vjen sigurisht si vlerë e shtuar artistike.

Pikërisht ky intensitet emocional – i përcjellë nëpër krijime dhe kjo pasuri personazhesh, ritmi i brendshëm i rrëfimit me të ashtuquajturit “përshpejtimin” dhe “vonesëzimin” e tyre (sipas të shprehurit të vet autorit) – të llogaritura këto teknika të shtjellimit kompozicional në nivel të sigurtë intuitiv, dialogu ekspresiv dhe dukshëm i pranishëm, bëjnë që këto tregime, të tërheqin vëmendjen e regjisorëve kineastë apo atyre të teatrit, që të projektojnë pastaj mbi to, arkitektura të zhanreve të tjera gjegjëse artistike, si filma apo drama. Kujtojmë p.sh. filmat “Pylli i lirisë” dhe “Tokë e përgjakur”, që janë mbështetur në tregimet mjaft të njohuara si “Ndjekësi i kuajve”, “Litar i zjarrtë”. Apo edhe skenaret e filmave të tjerë si: “Kush vdes në këmbë”, “Fejesa e Blertës”, “Pika e ujit” (film vizatimor), të mbështetura po në tregimet e këtij autori dhe ku ai, shpesh është dhe bashkëskenarist. Pikërisht këtë intensitet dinamik rrëfimtar, si dhe frymë dramatike të tregimeve, kishte vrejtur regjisori i mirënjohur Andrea Malo (1919-1966) dhe i kishte propozuar autorit të tyre, që të provonte të shkruante dhe drama. Dhe në fakt, sekuenca e dromca tregimesh të njohura të këtij shkrimtari, janë ristrukturuar e bërë dhe drama jo pak të suksesshme si “Mulliri i Kostë Bardhit” , “Dasmë pa nuse” e ndonjë tjetër.

Le të sjellim në vëmendje tregimin “Përsëri do të rrjedhë lumi…”, të përfshirë edhe në përmbledhjen “Tregime të zgjedhura”, botuar më 1972, tek shtëpia botuese “Naim Frashëri”..

Këtu autori ka modeluar rrëfimtarin autorial në vetë të parë, në këtë rast, nga pozita e një personazhi fëmijë. Ngjarjet zhvillohen në kohën e mbretërisë shqiptare, në një fshat tipik të kohës, disi të largët e të harruar. Jemi në kohën, kur bota ka nisur të trazohet nga lufta mes forcave frankiste e republikane në Spanjë dhe përgatitjet për të tjera luftra, që nuk vonuan të vijnë.

Brenda kornizave të atij fshati, ashtu si në një thjerrëz artistike, autori projekton atmosferën e botës së trazuar të atëhershme. Në atë provincë të përhumbur, përtej gjallimit paralitik në vështrim të parë, zbulohen e shfaqen hullitë kontraversale të jetës, të cilat, kanë gjithsesi tipare referenciale me çdo hapësirë tjetër gjeografike dhe etnike, sado të largëta apo të ndryshme të jenë. Zëri i rrëfimtarit fëmijë, i jep autorit mundësinë për të sjellë tek lexuesi një realitet letrar sa më të larmishëm e intrigues, të nxitur e të trazuar nga tisi i fantazisë fëminore, që krijon situata nga më të paparashikuarat e më larghedhëset nga aspekti emocional.

Në kornizat e tregimit, zënë vend dy personazhe qendrore: senjor Quipo de Llano, siç kishte qejf të vetquhej nga simpatia prej rrahagjoksi që kishte për gjeneralin e Frankos së Spanjës dhe Naumi i Gjiros, një emigrant i moshuar ky, që ishte kthyer në vendlindja nga Amerika Latine (apo e Zezë) siç e quanin, ku kishte punuar në miniera e prej nga kishte sjellë një kollë të rëndë, që s`i ndahej. Përballja mes tyre, nuk ngjan të jetë projektuar aq si klasore, se sa si karakteriale. Ajo shfaqet si përballja mes errësirës dhe dritës në shpirtin e njeriut dhe të sjell referenca prej porosive biblike, ndonëse edhe pse nuk janë të shprehura këto drejtpërsëdrejti në tregim.

Një lloj “agoraje” e fshatit, është berbehana e Bexhetit, ku njerëzit mblidhen dhe bëhen biseda e kuvende nga më të ndryshmet, ndonëse ata janë ca banorë të moskundit. Sidomos flitet për luftën që kishte përfshirë Europën, deri edhe për çfarë ndodhte në Bilbao apo tutje në Marok. Dhe alias Quipo de Llano, sekretari i komunës së fshatit, si një dendy i krekosur dhe i parfumosur, si admirues i zjarrtë i Frankos së Spanjës, sa merrte vesh se një qytet binte në duart e gjeneralit, shkonte tek një hartë e madhe e Spanjës që e mbante në zyrë dhe mbi të ngulte flamujt e fitores (!) Por që ishte një turravrap i lodhshëm dhe qesharak, se ritmet dhe ndryshimet e luftës, ishin të shpejta dhe fitoret e humbjet merrnin kthesa të papritura.

Janë interesante në tregim edhe situatat me gruan e tij të bukur e lozonjare, Elenica, me të cilën, rrëfimtari fëmijë prcjell tek lexuesi dhe ato çastet poshtë dritares së saj, duke e soditur në mjedise e qëndrime intime, që për koinçidencë interesante, të kujtojnë e sjellin ndërmend filmat neorealistë italianë.

Pra tregimi, për nga vet struktura e tij, më së shumti ngjan të jetë një roman në miniaturë. Por autorit, në fund të fundit, sigurisht, që nuk i intereson përcaktimi i tij zhanror. Këto janë kryesisht përjetime lexuesish, që arrijnë të rrokin një “reliev” letrar mjaft të gjerë. Janë sigurisht dhe vrojtime e “teknikalitete” studimore të kritikëve, të cilët, rreken të ndërtojnë kështu tipologjinë dhe hierarkinë e krijimeve të autorit. U nisëm nga një tregim, por kjo dukuri, vrehet si tipar variues në shumë prej krijimeve të tjera, brenda opusit të tij të pasur tregimtar.

Për vlerat artistike që ka përcjellë, proza tregimtare e N. Priftit, ka tërhequr jo pak vëmendjen e kritikës letrare, duke përfshirë edhe atë që lëvrohej në Kosovë. Duket që edhe krijimtaria e tij, pamvarësisht kufizimeve e pengesave të komunikimeve mes të dy anëve të kufirit shtetëror (për rrethanat e njohura të para viteve `90-të), kishte mundur që të depërtonte dhe të vlerësohej në meset letrare të atyre anëve. Kanë shkruar mes të tjerëve për të, kritikë e studiues të njohur si Rexhep Qosja (tek libri “Kritika letrare”, 1969), Hasan Mekuli (rev. “Jeta e re”, 1967), Mensur Raifi (gaz. “Rilindja”, 1972), Rifat Ismaili (gaz. “Fjala”, 1980) etj.

N. Prifti, mbetet padyshim nga mjeshtrat e shquar të prozës tregimtare. Ai është ndjekës dhe ndërlidhës i një tradite të njohur shqiptare dhe përtej shqiptare, duke krijuar edhe vet një traditë të vyer, të dëshmuar përmes një kurore tregimesh mbresëlënëse, disa prej të cilave, përfaqësohen denjësisht si antologjike. Do t`i duhej sigurisht edhe këtij shkrimtari, që të paguante “haraçin”, që e kërkonte domosdoshmërisht realiteti i kohës, sidomos në disa konceptime tematikash. Por si dhe shkrimtarë të tjerë të talentuar, ai dijti që ta kalojë “Rubikonin” e sfidave të kohës dhe të krijojë universin e tij të pasur dhe origjinal letrar.

Është shkrimtari, që nuk rreshti së krijuari e së angazhuari plot përkushtim me veprimtari letrare e atdhetare, edhe në periudhën e dekadave të fundit, kur ai u vendos që të jetojë familjarisht në SHBA, ku qëndroi deri sa u nda nga jeta, këtu e nje vit më parë. Pra, vazhdoi të krijojë dhe gjithashtu të përkthejë jo pak nga autorë të njohur botërorë. Ndërkohë, përherë i palodhur, jep një kontribut të çmuar me shkrime në gazetën “Dielli” të federatës historike “Vatra”. Kësaj kohe, ka botuar dhe një varg të gjerë shkrimesh me kujtime, për disa nga shkrimtarët e njohur të letërsisë shqipe. Ato janë dëshmi e gjallë e Kujtesës, të përcjella nga një dorë mjeshtri – për kolegët dhe miqtë e tij shkrimtarë.

Është e kuptueshme se shkrimtarët, ashtu si gjithë njerëzit, kanë kalendarin e moshës së tyre biologjike. Por që ndryshe nga të tjerët, përkatësisht shkrimtarët me vlera të shënuara, kanë dhe një kalendar tjetër, kanë “moshën” e veprës letrare që lënë pas, për brezat e lexuesve të pritshëm. Dhe besojmë se N. Prifti, është nga ata tregimtarë, që do të vazhdojë të “jetojë” gjatë – në fletët e librave të tij të çmuar.

Filed Under: LETERSI

Mbrojtja e gjuhës shqipe dhe drejtshkrimi i saj, një detyrë e shenjtë

March 9, 2024 by s p

Viron Kona/

Përjetime nga libri “Këshilluesi gjuhësor” i Muhamet Cenkos.

“Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, krahas kërkimeve teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme…” – Eqrem Çabej.

Formimi i gjuhës letrare kombëtare të njësuar është fryt i përpjekjeve të shumë brezave, që kanë punuar e luftuar pareshtur, madje edhe duke sakrifikuar. Ishin ato përpjekje që çuan në Kongresin e Manastirit (1908), i cili vendosi një alfabet të vetëm të gjuhës shqipe; në vendimet e “Komisisë Letrare të Shkodrës”(1916-1917), e cila kodifikoi përfundimet kryesore të përpjekjeve të bëra gjatë Rilindjes për gjuhën letrare kombëtare dhe që u miratuan edhe nga Kongresi Arsimor i Lushnjës (1920) duke ruajtur sa më shumë të përbashkëta, atë që i afronte variantet letrare të shqipes e duke lënë mënjanë atë që i largonte. Vendimet e Komisisë Letrare u bënë baza e drejtshkrimit të shqipes deri në vitet e para pas Çlirimit. Në vazhdim erdhi natyrshëm Kongresi i Drejtshkrimit, më 1972, i cili vendosi për herë të parë rregullat e njësuara drejtshkrimore të gjuhës shqipe, që përdoren edhe sot. Padyshim që libri “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973, shërben edhe në ditët e sotme si bazë e drejtshkrimit të njësuar të gjuhës shqipe, ndërsa pas botimit të tij janë shkruar dhe vazhdojnë të shkruhen edhe shumë e shumë libra të tjerë gjuhësorë në nivel akademik, libra shkollorë, por dhe studime të thelluara dhe artikuj gjuhësorë, që mbështetin, thellojnë apo pasurojnë gjuhën letrare kombëtare të njësuar.

Në këtë atmosferë Muhamet Cenkoja sjell te lexuesi librin e tij “Këshilluesi gjuhësor” me të cilin afirmohet si një intelektual dhe qytetar atdhetar e i vëmendshëm, që reagon ndaj vërshimit të gabimeve të shumta drejtshkrimore, që cenojnë sot gjuhën letrare shqipe të njësuar. Nëpërmjet këtij libri ai përpiqet të ndikojë dhe të na këshillojë me modesti se si të shkruhet shqip sa më mirë, sa më qartë, kuptueshëm dhe pa gabime drejtshkrimore. Duke shkruar për fjalët, shprehjet apo tekstet e shkruara gabim, ai këshillon ndreqjen dhe korrigjimin e tyre, duke ia arritur të na bëjë më të ndjeshëm, më të interesuar dhe më aktivë në mbrojtjen e gjuhës shqipe standarde.

Libri “Këshilluesi gjuhësor” sapo ka dalë në treg. Ai ka si bazë nisjeje faqen e veçantë të internetit “Këshilluesi gjuhësor’”, që drejtohet nga vetë z. Cenko. Këtë faqe tërheqëse dhe me vlera, ai ka rreth 10 vjet që e ka çelur dhe deri më sot ajo ka mbi 13 mijë ndjekës, që janë nga Shqipëria, nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, por edhe shqiptarë të vendeve të ndryshme të Evropës, Amerikës etj. Ata shprehin pëlqime, bëjnë komente, tregohen të interesuar dhe bëjnë pyetje për probleme të ndryshme gjuhësore.

Libri “Këshilluesi gjuhësor” çelet me alfabetin e gjuhës shqipe dhe vijon me “Disa njohuri për tingujt – fonema të gjuhës shqipe”. Autori citon shkrimtarë të mëdhenj dhe ligjërues të rrallë të gjuhës shqipe si N. Frashëri, Mjeda, Noli, Konica, Fishta, Poradeci, teksa e cilëson gjuhën shqipe – një enciklopedi të gjithë jetës së popullit tonë. Autori na informon se në këtë libër “nuk ka shkruar vetëm për drejtshkrimin e zanoreve apo të bashkëtingëlloreve, por edhe për përdorimin e apostrofit, shkrimin e fjalëve njësh, ndaras dhe me vizë në mes, përdorimin e shkronjave të mëdha, ndarjen e fjalëve në fund të rreshtit, shkrimin e datave, përdorimin e shenjave të pikësimit, zëvendësimin e fjalëve të huaja me fjalë të shqipes etj. Cenkoja tërheq vëmendjen gjithashtu, që të respektojmë më shumë gjuhën amtare. “Në familje, – shkruan ai, – në shtëpi, vendlindje etj. mund të flasim edhe në dialekt, por në institucione duhet të flitet e të shkruhet vetëm në gjuhën standarde”. Këtë mendim ai e mbështet edhe me një thënie të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, i cili në një intervistë të tijën thotë: ”Natyrisht kur ka një gjuhë standarde, asnjë vend në botë nuk lejon që në shkolla, në shtyp, në radio, televizion etj. të flitet e të shkruhet në dialekte apo të folme krahinore”. Muhameti e shpreh shpeshherë interesimin e tij për pastërtinë e gjuhës letrare të njësuar shqipe, madje edhe kur lëviz në rrugë, në sheshe e qytet, në institucione shtetërore, kulturore, sociale, ekonomike, ushtarake, politike; në shkolla, lokale, shitore, sikurse dhe në veprimtari që zhvillohen për kulturën dhe librin. Për ilustrim përmendim këtu disa fjalë apo shprehje ku autori tërheq vëmendjen e lexuesit. Ai nis me fjalën nëpunës, e cila shpeshherë shkruhet nënpunës. Vijon me fjalën Mirë se vini!, e cila shkruhet shpeshherë bashkë Mirësevini!. Madje, siç vëren autori, kjo fjalë shkruhet gabim edhe në shkolla, në hyrje të tyre, në një kohë kur shkolla ka mësues të gjuhës shqipe, të cilët nuk duhet të lejojnë gabime të tilla drejtshkrimore. Autori ka kurajën ta mbrojë standardin e gjuhës shqipe, në drejtshkrim dhe në drejtshqiptim edhe në institucione të nivelit të lartë, si Kuvendi i Shqipërisë, ku edhe deputetë, të thjeshtë apo me detyra të larta, shprehen apo shqiptojnë fjalë jashtë standardit të shqipes. Teksa, si pa kuptuar Cenkoja na mëson të gjithëve se s`duhet të pajtohemi me shkrimin plot gabime të emrave të rrugëve dhe shesheve. Ai nënvizon: ”Po të ecësh Rrugës së Kavajës, do të vësh re se nëpër tabela ka emërtime që nuk janë shkruar përshtat normës drejtshkrimore. Kështu, afër qendrës së qytetit, në një tabelë të madhe janë shkruar emërtimet: sheshi Skënderbej dhe posta Shqiptare, për të cilat autori në rolin e këshilluesit gjuhësor na këshillon se ato duhen shkruar Sheshi Skënderbej dhe Posta shqiptare. Ai vijon të sqarojë se emërtime të tilla duhen shkruar pa gabime. Autori ka vënë re gjithashtu edhe emërtime të tilla rrugësh, si rr Shyqyri Bërxolli apo rr Him Kolli, kur ato duhen shkruar Rruga Shyqyri Bërxolli dhe Rruga Him Kolli. Këtu ai vë në dukje se në këto emërtime, në tabela duhet të shkruhet me shkronjë të madhe edhe fjala e parë, teksa sqaron se emrat e rrugëve e të shesheve në tabelat përkatëse nuk duhet të vihen në thonjëza. Autori vëren edhe mospërdorimin e nyjave të duhura në disa tabela të tjera, ku tregohen emra rrugësh, sheshesh, shitoresh. Kështu ai ka gjetur të shkruar gabim togfjalësha, si: Rruga Dibrës, Sheshi Flamurit, Mulliri Vjetër etj. Ato duhen shkruar: Rruga e Dibrës, Sheshi i Flamurit, Mulliri i vjetër. Autori këshillon: “Njerëzit që shkruajnë tabelat, posterat, reklamat etj. duhet të jenë specialistë të gjuhës shqipe, të njohin e përdorin mirë standardin.”

Mësuesit, gazetarët dhe shkrimtarët,

kambana e parë kundër gabimeve drejtshkrimore

Muhamet Cenkoja vëren se veçanërisht në mediet televizive dhe në botimet e gazetave e librave, ka gabime të shumta drejtshkrimore. Krahas tërheqjes së vëmendjes, ai këshillon se: “këto medie televizive duhet të jenë edhe më të vëmendshme ndaj problemeve të gjuhës shqipe, aq më tepër të drejtshkrimit të saj”. Ai sugjeron që, ashtu sikurse në institucionet qendrore të shtetit janë emëruar redaktorë gjuhësorë, edhe mediet televizive duhet të kenë doemos specialistë të gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj. Ata duhet të kalojnë në filtër tekstet e gazetave apo ato televizive, më parë se ato t`i bëhen të njohura publikut. Ka ndjeshmëri ky problem me mësuesit, gazetarët dhe shkrimtarët, sepse janë ata të cilët japin dhe mund të japin edhe në të ardhmen një mbështetje dhe ndihmë të madhe për përhapjen dhe për mbrojtjen e gjuhës shqipe të njësuar, si dhe të drejtshkrimit të saj. Lexuesi kur e lexon një artikull, një libër në prozë apo vargje, natyrshëm ngulit në mendje edhe sesi janë shkruar fjalët, shprehjet, dialogët, fjalët me vizë në mes, si nisin paragrafët, si vihen shenjat e pikësimit, pika, presja, pikëpresja, pikëçuditja, pikëpyetja, dy pikat, si bëhet ndarja e fjalëve në fund të rreshtit etj. Ndaj, specialistët e gjuhës, mësuesit, gazetarët, shkrimtarët ta kenë çështje të parë drejtshkrimin sapo vendosin fjalën e parë në letër apo në krye të artikullit apo të librit që shkruajnë, teksa librat e shumtë që shkruhen e botohen, doemos duhet ta kenë redaktorin dhe korrektorin gjuhësor, jo thjesht si emër.

Në vazhdim autori shkruan se edhe në institucione publike ka gabime të shumta drejtshkrimore, që duhen korrigjuar doemos dhe urgjentisht. Kështu shkruhet arshiva në vend të fjalës arkivi, shkruhet arshivistja në vend të fjalës arkivistja. Gabime të tilla i sheh edhe në faqet e shtypit të përditshëm. Te rubrika “Fjalë shqipe në vend të fjalëve të huaja” autori nënvizon: ”Është thënë shpesh që, kur i kemi fjalët tona në shqip, s`kemi pse të përdorim fjalë të huaja. Por, janë të shumta rastet kur fjalët e huaja përdoren pa vend dhe pa qenë nevoja. Përdorimi i tyre shpesh bëhet jo për mungesë në gjuhën shqipe, por për mbivlerësim të gjuhëve të tjera, për t`u dukur më modern etj.” Mund të themi se përdorimi pa vend i fjalëve të huaja të panevojshme nga disa njerëz, të cilët duan të bëjnë përshtypje tek të tjerët, nuk tregon kulturë, por krahas mendjemadhësisë tregon se ata kanë mangësi të dukshme në leksikun e gjuhës shqipe. “Një ndër detyrat kryesore të gjuhësisë shqiptare, – shkruan Çabej, – krahas kërkimeve teorike, është edhe mbetet pasurimi i gjuhës me elemente të gurrave vetjake dhe spastrimi i saj prej masës së fjalëve të huaja, që kanë vërshuar së jashtmi dhe që po vazhdojnë edhe në ditët tona. Kanë depërtuar e depërtojnë në shkrimet shkencore edhe letrare, në shtyp, në radio, në televizion, në bisedën e përditshme. Është e vërtetë se me punën e kryer gjer më sot, një pjesë e tyre janë spastruar, po ndërkaq kanë hyrë e po hyjnë të tjera në vend të tyre. Pastrimi i gjuhës nga ky mish i huaj është një detyrë shkencore, njëkohësisht dhe kombëtare…”. Duke ballafaquar shumë fjalë të huaja të panevojshme që përdoren nga folës të ndryshëm në gjuhën e përditshme, autori sjell edhe një listë fjalësh të huaja që duhet të zëvendësohen me fjalë të gjuhës shqipe. Për këto zëvendësime është folur e shkruar shpeshherë nga gjuhëtarët, por duket se ata që i përdorin ato fjalë e shprehje nuk duan të “lëshojnë pe”. Ndërkaq, autori na këshillon sesi të përdorim zanoret e dhe ë, prapashtesat, numërorët tre dhe tri, shkronjën e madhe, përemrat kush dhe cili?, si të shkruajmë datat, shkurtesat e fjalëve etj., etj. Dikush mund të thotë se ne kemi në duar prej kohësh librin “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973, një libër mjaft i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Natyrisht që ai libër është bazë e shkrimit të gjuhës shqipe me standardin e saj, por në librin “Këshilluesi gjuhësor”, autori e ballafaqon lexuesin me shembuj konkretë, që ai i ka ndeshur dhe ndesh në jetën e përditshme. Këtë e bën, jo vetëm duke e adresuar saktë gabimin drejtshkrimor, por edhe duke e sjellë atë në libër të fotografuar. Pra, autori e prek problemin në shembuj konkretë, duke na bërë më të ndjeshëm ndaj gjuhës shqipe letrare të njësuar, por edhe duke na e ngulitur më mirë në mendje mënyrën sesi duhet shkruar shqip. Ai këshillon se si të hartojmë një dokument, si të shkruajmë drejt emërtimet e shkollave, shkrimin e datave, emrat e ditëve të javës, të muajve e të stinëve etj. Për të gjitha rastet dhe shembujt që ai shkruan, i ka parë vetë të shkruara gabim, ndaj dhe i përmend realisht gabimet drejtshkrimore, madje tregon edhe sesi duhet të shkruhen mbështetur në fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe. Kështu ai tërheq vëmendjen edhe për shkrimin gabim të disa fjalëve të zakonshme, që i ndeshim në mjedise publike, në plazhe, në hotele, në klinika spitalore, në shitore, në kafene e restorante, në tabelat paralajmëruese të policisë rrugore etj. Si për ironi, autori vëren se gabime drejtshkrimore vihen re edhe në institucione arsimore, studimore, kulturore, artistike e letrare, apo dhe në festime e përurime ngjarjesh të mëdha. Për shembull, ai ka vërejtur se në hyrje të Pallatit të Kongreseve ishte vendosur një reklamë që fliste për Panairin e librit, që zhvillohej nga data 14 nëntor deri në datën 18 nëntor 2018 në Tiranë. Në atë tabelë, të vendosur në krye të atij institucioni autori ka gjetur disa gabime drejtshkrimore, që duheshin ndrequr: Nuk duhej shkruar ”panairi i 21 i librit”, por “Panairi i 21-të i librit”. Jo “tirana – 2018”, por “Tiranë 2018”.

Duke sjellë në libër episode, fjalë e shprehje konkrete me gabime drejtshkrimore, z. Cenko na këshillon sesi të shkruajmë ndarjen e fjalëve në fund të rreshtit, përdorimin drejt të bashkëtingëllores h apo r, apo l dhe ll, apo të grupeve të zanoreve -ue, -ye, përdorimin e presjes, përdorimin e saktë të kohëve të foljeve, si duhet të shkruhet shumësi i emrave, përemrave pronorë, shumësi i disa emrave femërorë, si duhet përdorur shumëpikëshi, foljet kam dhe jam, si duhen shkruar titujt e librave, emërtimet e emisioneve televizive etj., ndërkohë që shpjegon edhe kuptimin e shprehjeve me prejardhje nga frëngjishtja apo latinishtja, si: “Ç` ka bërë frëngu!”, ”Tabula rasa” etj.

Në hartimin e këtij libri, autori sjell edhe mendime të personaliteteve të kulturës, të arsimit dhe të letërsisë, sikurse fjalë dhe shprehje të nevojshme që nënvizojnë rëndësinë, vlerat dhe nevojën për ta pasuruar vazhdimisht gjuhën e bukur shqipe, e cila është si një organizëm i gjallë që kërkon përkujdesje të vazhdueshme. Personalisht do ta quaja “Këshilluesin gjuhësor” të Muhamet Cenkos një libër praktik tavoline, por që ka vendin e vet edhe në bibliotekë, në krah të shumë veprave të tjera të shkruara nga gjuhëtarët tanë. E, në këtë atmosferë gjuhësore, ndiej tek më tingëllojnë shumë aktuale fjalët e albanologut të shquar danez Olger Pedersen, i cili mes të tjerash, shkruante: ”Gjuha shqipe është një gjuhë e fuqishme dhe e bukur që duhet të jetë krenaria e folësve të saj dhe një mjet i shenjtë për zhvillimin kulturor dhe intelektual të kombit të vjetër shqiptar”.

Kush është Muhamet Cenko?

Muhamet J. Cenko lindi në fshatin Pirg të krahinës së Gorës, Korçë, më 1 dhjetor 1953. Është diplomuar për gjuhë-letërsi në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan. Në vitin akademik 1984-1985 mbaroi kursin pasuniversitar për psikologji-pedagogji, pranë Fakultetit Histori-Filologji, Universiteti i Tiranës, njësuar në janar 2010 me titullin “Master i nivelit të dytë”, nga Fakulteti i Shkencave Sociale. Prej vitit 1976-1982 punoi si mësues i gjuhës shqipe e letërsisë në shkolla 8-vjeçare e të mesme dhe më pas, në vitet 1982-1990, si inspektor në seksionin e arsimit e të kulturës, pranë Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit të Librazhdit.

Gjatë viteve 1990-2001 ka punuar si drejtor në dy shkolla të qytetit, në shkollën 8-vjeçare “Genc Leka” dhe në gjimnazin “Ibrahim Muça” në Librazhd. Për shumë vjet punoi si drejtor i Arkivit Shtetëror Vendor të qarkut të Tiranës. Është bashkautor dhe redaktor gjuhësor e shkencor i librit “Fjalor shqip i termave arkivore”, botuar në vitin 2015. Ka një bibliografi të pasur të punimeve shkencore e profesionale (psikologjike, pedagogjike e të mësimdhënies) të botuara në organe të ndryshme të medias së shkruar (rreth 40 shkrime). Në vitin akademik 2009-2010 shkroi librin me titull “Psikopedagogjia” për nxënësit e shkollave të mesme profesionale, drejtimi “Shërbime sociale e shëndetësore”. Ka punuar si redaktor dhe korrektor gjuhësor me më shumë se 50 libra në prozë, poezi, publicistikë etj. Ka përkthyer mjaft shkrime nga gjuha italiane në gjuhën shqipe. Ka qenë dhe është hartues dhe administrator i faqes “Këshilluesi gjuhësor”, duke filluar nga viti 2013 e në vazhdim në facebook.

Literatura:

1.“Drejtshkrimi i gjuhës shqipe”, Tiranë 1973,

2.Eqrem Çabej, “Për pastërtinë e gjuhës”. Gazeta “Mësuesi”, 28 mars 1979.

3.Ismail Kadare, “Gjuha shqipe, një nga makinat më të përsosura të Evropës”. Gazeta “Tema”, 23 nëntor 2017.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 62
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT