• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një studim i munguar për kohërat dhe kohën që jetojmë

May 9, 2024 by s p

Prof. Thanas Gjika/

(Mbi studimin etnokulturor: “Toponimia e Gollobordës: Diskursi i Dygjuhësisë dhe Derivati i Origjinës“)

Fatmir Terziu është sot një ndër krijuesit e studiuesit më të suksesshëm shqiptarë me botimin e mbi 50 librave me studime, romane, drama, përmbledhje poezish, tregimesh e monografi të ndryshme në disa gjuhë, sidomos në shqip dhe anglisht. Para disa javësh pasi pashë tek portali “www.fjalaelire.com” se libri i tij “Toponimia e Gollobordës: Diskursi i Dygjuhësisë dhe Derivati i Origjinës ” ishte botuar që në vitin 2020, dhe ndodhet tashmë në shitje globale në „Amazon“ dhe disa hapësira të tjera, ia kërkova miqësisht që të ma dërgonte për ta lexuar në formatin Pdf.

Studimi më tërhoqi, më ndihmoi të shtoja njohuritë e mia historike dhe kulturore mbi popullsinë dygjuhësore shqiptare të asaj zone, për të cilën kisha lexuar shumë pak. Kështu vendosa të shkruaj këtë vlerësim për këtë libër studimor, i cili e shpërndan mjegullën që ka sunduar mbi të vërtetën e krahinës dhe të banorëve të Gollobordës së Dibrës.

Golloborda është një zonë malore-kodrinore, që sot përfshin 24 fshatra, nga të cilat 18 fshatra, që ndodhen në të majtë të rrjedhës së lumit Drin i Zi, i përkasin Shqipërisë, kurse 6 fshatra, që ndodhen në të djathtë të rrjedhës së lumit Drin i Zi, i përkasin Maqedonisë së Veriut. Keto fshatra përbejnë një zonë që shtrihet brenda territorit shqipfolës, që shtrihet prej kohëve të lashta iliro-arbërore e deri sot që nga Deti Adriatik në Perëndim, deri në qytetet Preshevë, Kumanovë, Shkup e Prilep në Lindje. Deri në vitet 1912-1913, kur u ndanë kufijtë, popullsia e kësaj zone ka pasur një karakterisitkë gjuhësore të ndryshme nga popullsia shqiptare që e rrethonte, tipar që e ka ruajtur deri në ditët tona, kohë kur shumica e zonave malore po shpopullohet me shpejtësi. Pjesa mashkullore e gollobordasve zotëronte dygjuhësinë, fliste dhe flet ende një dialekt arkaik të bullgarishtes si dhe shqipen, kurse pjesa femërore fliste dialektin bullgar e shumë pak shqip. Burrat e Gollobordës, ashtu si shumica e burrave të fshatrave të krahinës së Dibrës kanë si veshje karakteristike veshjen e krahinave gege të Shqipërisë me qeleshe të bardhë, xhamadan, etj. Mbi të gjitha ata kanë qenë dhe janë ustallarë të talentuar. Në mbarë Maqedoninë e Veriut (Ohër, Manastir, Strugë, Dibër, Tetovë, Gostivar, Shkup, etj) dhe në Shqipërinë e Veriut (Librazhd, Elbasan, Tiranë, Durrës, Lexhë, Shkodër, Kukës, etj) njihen punimet me gurë e drurë të gdhendur bukur, të cilat studiuesi Zija Shkodra i quante punime të “Shkollës Dibrane të Ndërtimit”. Kjo shkollë ka konkuruar gjatë shekujve për përdorimin e gurit e të drurit me “Shkollën Kolonjare dhe Oparake e Ndërtimit”, e cila e shtrinte aktivitetin e vet në mbarë Shqipërinë e Jugut deri në Berat, Vlorë, Gjinokastër, Kostur, Konicë, Janinë e Çamëri. Mjeshtëria e gurit dhe e drurit, ku dibranët, kolonjarët dhe oparakët shfaqën talentin e tyre krijues, jo vetëm i mbajti gjallë, por i bëri të shquar, prandaj kërkoheshin në mbanë botën shqiptare dhe përtej, ku kanë lënë monumente të duarve të tyre të arta. Po aq duararta janë dhe gratë gollobordase të cilat janë shquar për përpunimin e leshit për krijimin e veshjeve shumëngjyrshe e të shumëllojshme për femrat e të gjitha moshave. Këto veshje janë të ndryshme nga veshjet karakteristike të grave shqiptare të të gjitha krahinave.

Në vitin 1913, kur Komisioni Ndërkombëtar i kufijve kaloi në brigjet e lumit Drin i Zi, për të ndarë kufijtë midis Shqipërisë dhe Serbisë, banorët e Gollobordës, burra e gra, i kërkuan këtij komisioni që të bënin pjesë në territorin e shetit të ri shqiptar, sepse e ndjenin veten shqiptarë, ishin myslimanë si shqiptarët e mbarë krahinës së Dibrës, edhe pse flisnin në shtëpi një dialekt sllav. Ushtria serbe i kishte vrarë e djegur pa mëshirë, prandaj nuk donin të bënin pjesë në shtetin serb. Komisioni Ndërkombëtar i Kufijve i ra shkurt punës dhe caktoi rrjedhën e lumit Drin i Zi si kufi ndarës për zonën e Gollobordës. Këtë parim ndoqi komisioni dhe pak më në veri, ku në të djathtë të lumit Drin i Zi ndodhej qyteti thjesht shqiptar i Dibrës, të cilin ia dha Serbisë, sepse nuk i rezistoi dot presioneve të përfaqësusesit të Rusisë Cariste dhe atij të Serbisë.

Studiuesi Fatmir Terziu, e ka ngritur zërin kundër pushtetarëve shqiptarë të tranzicionit, pra deputetëve dhe politikanëve të viteve të fundit, të cilët shpallën me ligje nëntë minoritete kombëtare midis popullit shqiptar. Ai i kritikon me guxim si intelektual dhe atdhetar këta politikanë që nuk kanë koncepte shtetformuese. Politikanët tanë të kësaj periudhe përveç minoritetit grek të njohur historikisht që vitet 20-të të shek. XX-të dhe të minoritetit maqedon të njohur mbas vitit 1945, shpallën e i mbrojnë me ligje si minotirete kombëtare dhe gollobordasit, aromunët/ vllehtë, ciganët, evgjitët, goranët, etj, të cilët kanë qenë e janë komunitete kulturore brenda arealit shqiptar. Ky veprim, sqaron autori, i largon këto komunitete kulturore nga bashkësia e popullit shqiptar, i detyron të tjetërsohen nga gjendja që kanë sot.

Gjatë shek. XIX-të, kur në Ballkan u zhvilluan lëvizjet kombëtare të popujve këto grupe banorësh nuk zhvilluan lëvizjet e tyre kombëtare, nuk e shkruan gjuhën e tyre, nuk e mblodhën folklorin, nuk shpallën lidhje gjaku me asnjë komb të Ballkanit, nuk krijuan flamur e as hymn kombëtar, sepse e ndjenin veten shqiptarë pavarësisht se brenda shtëpive të tyre flisnin dialekte arkaike të gjuhëve të huaja (gollobordasit e Dibrës flisnin dialekt bullgar; goranët e Kukësit flisnin dialekt serb; aromunët/ vllehtë flisnin gjuhën “rëmëneshti” që nuk ishte dialekt i gjuhës rumune/ vllahe, por ishte një e folme që ka brenda saj dallime dialektore, trashëguar prej regjimenteve të ushtrisë romake që u vendosën për të mbrojtur Rrugën Egnatia e degët e saj e për të furnizuar atë ushtri me mish, bulmetra e prodhime leshi. Ciganët nga ana e tyre flisnin një dialekt të gjuhës së Kashmirit prej nga kishin ardhur shumë shekuj më parë. Kurse evgjitët/ jevgjit ishin asimiluar, ata kishin humbur veshjen karakteristike dhe gjuhën arabe që flisnin në Egjypt, prej nga i kishin sjellë ushtritë osmane si ustallarë të përpunimit të hekurit (kovaçë) dhe sazexhinj ahengjesh me def dhe cyrle. Asnjë nga këto grupe popullore deri në vitin 1992 nuk e shkruante gjuhën që fliste në familje. Në gjithë shtetet e Europës këto pakica kulturore shkollimin e merrnin në gjuhën zyrtare të shtetit ku jetonin. Kështu edhe në Shqipëri deri në vitin 1992 këto grupe kulturore shkollimin e kishin marrë në gjuhën shqipe, ashtu si arbërorët e Greqisë /avanitasit, megjithëse përbënin mbi 30% të popullsisë së Greqisë dhe kishin luajtur rol të rëndësishëm për çlirimin kombëtar të shtetit grek nga zgjedha turke, nuk njiheshin e nuk njihen si pakicë kombëtare edhe pse dialektin arbërisht/ arvanitika e patën shkruar me alfabet grek që në vitet 1878-1879 në revistën “I foni tis Alvanias“ (shqip: Zëri i Shqipërisë) prej Panajot Kupitorit, etj, dhe vijojnë ta shkruajnë ende tek revista “MPESA“ (BESA). Po kështu nuk u njohën si minoritet kombëtar shqiptar edhe arbëreshët e Italisë, të cilët u hodhën në Itali mbas vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ndonëse luajtën rol në luftën për bashkimin kombëtar të Italisë me Garibaldin dhe e shkruan gjuhën që nga shek. XVI-të me Lek Matrëngën dhe vijuan ta shkruanin me Jeronim De Radën, Gavril Darën, Zef Skiroin, etj dhe e shkruajnë edhe sot. Arbëreshët e Italisë sot kanë të drejtë t’i shkruajnë në dy gjuhë emrat e qytezave dhe të rrugëve brenda tyre në italisht dhe arbërisht, si komunitet kulturor arbëresh. Këtë rrugë që ka ndjekur Italia demokratike me arbëreshët shqiptarë, duhej të kishin ndjekur edhe deputetët e politikanët tanë me banorët e fshatrave të pakicave kulturore bullgare, serbe, aromune, cigane, etj, por jo t’i shpallnin pakica kombëtare.

Këta banorë të Shqipërisë duke mos e ndjerë veten pakicë kombëtare, si i shpalli qeveria shqiptare mbas vitit 1992, sot vrapojnë nëpër ambasadat e shteteve të ndryshme për të marrë pasaporta të ndryshme. Mjaft gollobërdas vijojnë të quhen shqiptarë, por shumë të tjerë kërkojnë të njihen për bullgarë, disa për maqedonë. Po ashtu ka mjaft aromunë/ vlleh që vijojnë të quhen shqiptarë, por ka dhe shumë të tjerë që kërkojnë të njihen për rumunë e disa për grekë e disa për italianë. Po ashtu disa banorë të anës perëndimore të liqenit të Prespës, pra të anës shqiptare, kërkojnë të njihen për maqedonë e disa për bullgarë; etj.

Duke e njohur në thellësi mentalitetin e popullit të zonës së Gollobordës studiuesi Terziu përqendrohet në shpalosjen dhe interpretimin e toponimeve dhe të traditave gojore të trashëguara nga prindërit dhe gjyshërit. Si zonë e banuar prej popullit shqiptar që së lashti (ilirëve, si e dëshmon ura romake mbi lumin Drin i Zi dhe rënojat e një kështjelle antike pranë fshatit Trebisht) shumë emra vendesh, janë vendosur gjatë historisë pasi ka ndodhur një ngjarje e shënuar, ose ka dhënë jetën një banor i shquar. E shumë nga këto ngjarje dhe nga këta persona të shquar i kanë përkitur botës arbërore, madje dhe vetë kënga popullore “Rosa rosit vo arbanoshka zemja (shqip: Vesa veson në tokën Arbërore”) tregon se popullsia e kësaj zone, ku ka ende dy fshatra në anën Perëndimore që flasin vetëm shqip, i ka rrënjët në botën arbërore-shqiptare. Këtë mendim e ka shprehur dhe studiuesi Agim Çadri, në studimin e tij (2014).

Terziu e vlerëson toponiminë (emrat e vendeve) si një dukuri që zgjon memorien. Memoriet stabilizojnë lidhjen midis individualizmave tanë dhe kolektivitetit tonë të së shkuarës. E shkuara ecën me ne, është gjithnjë mes nesh dhe e përcakton të sotmen tonë, rri pezull mbi heshtjet dhe shpejgon se si ne u bëmë vetvetja. Për të dhënë një interpretim sa më të thellë të toponimisë së asaj zone, studiuesi ka mbledhur e interpretuar të dhëna nga disa krijime folklorike, legjenda, rituale, botëkuptimi i banorëve, kujtime baballarësh dhe gjyshërish; të dhëna nga testamenti i Gjon Kastriotit, babait të Gjergj Kastiotit ku përmendet se ky princ shqiptar i dhuroi Manastirit të Hilandarit në Athos fshatrat Radostushë dhe Trebisht; Defteri Osman i vitit 1467, ku figurojnë gjithsej 48 fshatra në atë zonë, midis të cilave dhe disa fshatra me emra shqip si Shullani, Plepa, Fushë Studna, Manastireci, etj. Të gjitha këto të dhëna autori i ka kaluar në një sitë analizash logjike dhe arrin të japë për herë të parë interpretimin e kësaj dukurie për vendin dhe njerëzit me ndikime të shumanshme nga kulturat e pushtuesve dhe të banorvve ardhacakë.

Prania e disa gollave/ishujve me popullsi që flet një dialekt bullgar arkaik është dukuri ballkanike, të tilla si zona e Gollobordës, sqaron autori, ka dhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë. Këta ishuj janë krijuar gjatë shekujve, kur mbi popullsinë vendase arbërore u vendos prej pushtuesve bullgarë gjatë shek. XI-XII (koha e Perandorisë Bullgare) një sasi familjesh bullgare me detyra të ndryshme, dhe pastaj mbi këtë përzierje gjatë shekujve pasardhës u mbivendosën dhe familje rëmëne (aromune), turke, jevgjish, shqiptarësh, etj, të cilat lanë gjurmë në gjuhë dhe në tradita të ndryshme gatimesh e profesionesh. Popullsia e Gollobordës, konkludon studiuesi Terziu, nuk ka qenë dhe nuk është e pastër si nga përbërja etnike dhe ajo gjuhësore, si e tillë ajo nuk mund të konsiderohet nga ana etnike pakicë kombëtare bullgare, sepse nuk është identike me popullin bullgar për shkak të nënshtresës arbërore dhe mbishtresave rëmëne, turke, jevge e shqiptare.

Fatmir Terziu ka të drejtë të mburret se kjo zonë ka pasur mësues të gjuhës shqipe që në vitin 1902, ka pasur delegatin e vet në Kongresin e Manastirit (1908) e mbi të gjitha gjaku i tij, Ali Kapllan Terziu, kishte marrë pjesë në ngritjen e flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 dhe bashkë me dy ustallarët e tjerë, Nuredinin dhe Hasanin, e shpunë flamurin në Gollobordë ku e ngritën te xhamia e fshatit Trebisht-Bala.

Analizat shkencore në mjaft faqe ua lenë vendin disa rrëfenjave tërheqëse dhe prekëse të krijuara prej poppullit të zonës, ku përmes ngjarjeve zbulohet pse i është vënë ky apo ai emër një vendi të caktuar. Të tilla janë “Vajtimi i kukumjaçkave”, “Guri i lotit”, “Tre lisat”, “Dardha e bekuar”, Zogu i jargavanit”, “Guri i Xhemos”, Ara Raven”, “Radec”, “Kodra e Shutecit”, “Krasta”, “Smilen”, “Kallogjeri”, Dragolicë”, “Turku i Bellovodës”, etj; të cilat nuk po i ritregoj për ta mbajtur gjallë kuriozitetin e lexuesve, me qëllim që ta blejnë e lexojnë librin.

Pasi ka sqaruar karakterin e gadishullit ballkanik si një urë lidhëse midis kulturave të Europës (përfaqësuar që herët nga iliro-arbërorët dhe grekët) dhe Azisë (përfaqësuar prej popujve sllavë dhe turq që erdhën gjatë Mesjetës e më vonë), autori ndalet tek zbërthimi i valles “Pajtushka”, të cilën e luajnë sot të gjithë popujt e Ballkanit. Kjo valle e luajtur prej një trupe artistike të Kosovës nën drejtimin e mjeshtres shqiptare Sevime Gashi, rrëmbeu zemrat e publikut në Festivalin Folklorik Ndërkombëtar të Londrës. Kjo valle, shton autori, përmes artit ka bashkuar gjatë shekujve brezat e kombeve të ndryshëm. Ajo është luajtur prej personaliteteve të artit dhe politikës si Lord Bajroni, Princesha e Maleve Shqiptare Edith Durham, Sekretarja e ShBA-ve Madalenë Ollbrajt, Presidenti Bill Klinton, Kryeministri i Britanisë së Madhe Toni Bler, etj. Për mendimin tim (Th. Gj.) shtrirja e kësaj valleje në mbarë popujt e Ballkanit, tregon se ajo e ka zanafillën tek fiset pellazgo-ilire, që banonin në mbarë gadishullin tonë. Vetë emri “Pajtushka” ka në rrënjën e vet kuptimin e fjalëve iliro-shqiptare “pajtoj, pajtues”.

E dhimshme është përmbajtja e këngës “Sedumdeset i dva dena“ (shqip: Shtatëdhjet e dy ditë), që këndohet në ceremoni dasmash me alternim të strofave në shqip e në gjuhën e përzierë të zonës. Kjo këngë është krijuar prej një anonimi, që mesa duket i ka përkitur kohës gjatë pushtimit osman në ato kohë në Gollobordë, përderisa vetëm aty këndohet. Sundimtari turk kishte vënë një rregull të pashkruar: “çdo nuse para se të flinte me burrin, duhej të flinte 72 ditë me sundimtarin, pastaj mund të kalonte tek shtëpia e bashkëshortit. Fëmija i parë, po të ishte djalë, kishte të drejtë trashëgimie nga pronat e sundimtarit”. Vargjet e fundit të kësaj kënga, që i këndon nusja, shpalosin mospajtimin e saj ndaj gjendjes poshtëruese e shkaktuar jo për faj të saj:

“Ka një plagë në zemrën time

Nuk është plagë nga sëmundja

Tashmë është plagë dhe pikëllimë

Merre pushkën dhe më vrit,

pastaj thuaj se s’të dua!”

Fakti që këtë këngë, ose variante të saj e këndojnë në disa zona edhe popuj të tjerë si malazestë, boshnjakët, hungarezët, serbët e bullgarët, do të thotë se këtë zakon poshtërues pushtuesi osman ua kishte imponuar jo vetëm banoreve të Gollobërdës, por edhe banorëve të tjerë të disa zonave të ndryshme të Perandorisë Osmane.

Me interes janë dhe studimet dhe incizimet që kanë bërë studiuesit bullgarë e rusë për folklorin e zonës së Gollobordës, përmendur himtësisht në këtë studim. Po ashtu interes paraqitin edhe materialet e sjella këtu prej arkivave britanike që nga koha e fundit e pushtimit turk dhe gjatë vitit 1914, ku pasqyrohen shkrime dhe fotografi mbi masakrat që kryen ushtarët serbë në fshatrat e Gollobordës.

Përveç analizave tërheqëse janë dhe shumë kuriozitete të këndshme që e bëjnë lexuesin të mos e lëshojë nga dota librin deri në fund. Mund të përmend këtu disa shënime të arkivave britanike ku sqarohet se babai i Musatafa Kemal Ataturkut, quhej Ali Riza Efendi, i cili ishte shqiptar nga fshati Pirush afër fshatit Steblevë të Dibrës jo shumë larg nga Librazhdi, që sot bën pjesë në zonën e Gollobordës. Kurse nëna e tij, Zyberja, ishte bijë e një familjeje korçare që jetonte në Selanik. Mustafa Kemali mbeti jetim nga babai që në moshën 7-vjeçe dhe u shkollua në gjuhën turke, prandaj e humbi gjuhën shqipe si gjuhë aktive.

Osmanisti Myqerem Janina, i cili kishte jetuar e ishte shkilluar gjithë jetën në Stamboll, në vitin 1945 shkoi në Shqipëri për të mbledhur taksat e pronave të veta, por u burgos prej regjimit komunist që kishte ardhur në pushtet. Mbasi kreu dënimin e parë ai punoi disa vjet si përkthyes i osmanishtes pranë Institutit të Historisë. Në atë kohë unë, autori i këtyre radhëve, punoja në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, që ishte në një godinë me Institutin e Historisë tek Rruga Naim Frashëri. Gjatë një pushimi kur po rrija në oborrin e përbashkët të këtyre dy instituteve, Myqerem Janina më tregoi se gjatë vitit 1938 i kishte bërë vizitë për t’i uruar shëndet Musatafa Kemal Ataturkut të sëmurë bashkë me një shokun e tij shqiptar, kushëri i Mustafa Kemalit. Kur ky kushëri i kishte thënë: “Lum ti Ataturk që e shpëtove popullin turk nga tregtarët grekë dhe e ktheve Turqinë në Republikë. Populli do të të dojë gjithë jetën.” Ataturku i ishte përgjigjur: “Nuk bëra gjënë më të rëndësishme: e lashë popullin turk në familjen e popujve të Azisë, duhej ta kisha pagëzuar në të krishter, që t’ia kisha ngjitur Europës”.

Unë që e dëgjova pas më shumë se 35 vjetësh këtë thënie të Mustafa Qemalit nuk e besova dhe i thashë Myqerem Janinës se ai ndoshta po shprehte një dëshirë të tij. Myqeremi u betua se nuk më gënjeu, por më riprodhoi shqip fjalët që Mustafa Kemal Ataturkut kishte thënë në turqisht i shtrirë në divanin e tij, ku pas disa muajsh dha shpirt. Myqeremi më sqaroi se ia kishte thënë edhe studiuesit Ferdinand Leka, por edhe ai kishte shprehur dyshim. Nuk e kundërshtova më tej, por, sot jam penduar që nuk i kërkova t’i shkruante kujtimet e jetës së tij e ta theksonte kete fakt. Nuk kaluan as tre vjet, Myqerem Janinën e arrestuan dhe e burgosën për të dytën herë, kësaj radhe “për agjitacion e propagandë” në moshën e thyer mbi 80-vjeçare. Kur ai vuante dënimin e dytë në burg, gjatë një takimi me Prof. F. Lekën e hapa bisedën për dëshminë e Myqeremit lidhur me idenë vizionare të Ataturkut dhe ai ma konfirmoi se ia kishte thënë dhe atij, por as unë as ai nuk bëmë gjë për ta popullarizuar këtë kujtim me vlerë…

Për nga rëndësia dhe gjerësia e shtrirjes së problemit studimi i F. Terziut hyn në radhën e studimeve shumëdimensionale që quhen studime jete, sepse kërkojnë përveç përgatitjes së gjerë profesionale dhe vite të shumta studimi, si dhe shtrirje në disa fusha. Duke menduar se autori do t’i kthehet këtij studimi për ta plotësuar edhe më i sugjeroj që në të ardhmen të kapë edhe fushën e onomastikës (emrat dhe mbiemrat) e banorëve, ku mund të gjenden dhe mjaft emra e mbiemra që kënë kuptim në gjuhën shqipe dhe turke si vetë mbiemri Terziu (rrobaqepës), Çadri, Drinziu, etj, që hasen aty këtu dhe në faqet e këtij studimi dhe që nuk kanë lidhje me gjuhën bullgare. Gjithashtu me interes mendoj se do të jetë sjellja këtu e disa bisedave me rrotulla, karakteristike për krahinën e Dibrës, që dëshmojnë për zgjuarësi e shqiptarisi të banorëve të atyre anëve, pra dhe të zonës së Gollobordës. Si zonë ku ka mbizotëruar zanati i muratorëve, mendoj se dhe ustallarët gollobordas duhet të kenë përdorur midis tyre një zhargon profesional, për të mos u marrë vesh prej të zotëve të shtëpive që ata ndërtonin. Në këtë zhargon profesional ka mundësi të ketë disa deformime kuptimore të disa fjalëve të gjuhës shqipe, turke e greke dhe asaj bullgare, dukuri që duhet studiuar dhe që po të mos bëhet sot, askush nuk mund ta bëjë në të ardhmen, sepse personat që mund ta dijnv këtë zhargon po rrallohen me shpejtësi…

Filed Under: LETERSI

LIRIA MES SHPRESËS DHE ILUZIONIT

May 6, 2024 by s p

Kosta Nake/

Vepra është futur brenda një kornize kohore të përvijuar përpikërisht: 18 qershor 1999 – 16 tetor 2000 dhe është mbështjellë me një vel sarkastik, jo vetëm në paraqitjen e karaktereve e mëdyshta, por edhe kur përmend figura reale të jetës politike dhe artistike të kombit si, Anton Pashku tek i cili gjuha që nuk përputhej me përmbajtjen, Azem Shkreli me heroin lirik si fshatar refleksiv, Martin Camaj me nostalgjinë gjuhësore të emigrantit, Faik Konica dhe marrëdhëniet erotike me Apolinerin, Ali Podrimja që nuk kuptonte edhe vetë se ç’shkruante, Ibrahim Rugova si alturist në politikë me qimen e ujkut nën lëkurë, Malo Gami i vdekur, Naxhije Deva dhe Istref Begolli me projektin filmik; poetët me mbiemrat Berisha, Gashi, e Krasniqi që përpiqen të bëhen heronj pas lufte, etj.

Ka një galeri portretesh që pozojnë, por nuk veprojnë; ata qëndrojnë bashkë vetëm sepse shfaqen në udhën e shkrimtarit ose ndanë saj; një ndarje e dëshirës për një botë ireale e krijuesit me reporterin që pengohet në botën reale. Veprimet janë sporadike dhe pa ndikim te njëri-tjetri: ca të rinj me uniformë e zhveshin shkrimtarin lakuriq dhe pastaj njëri prej tyre rishfaqet si kamerier; një plakë serbe vritet në apartamentin ku banon e vetmuar sikur paralajmërohet revanshizmi; përkthyesja Flora tregon se seksi miksohet me çdo sistem e situatë. Galerisë i bashkëngjitet katërshja e misionit të OKB: Tomashi polak i Ukrainës, shefi i tij Gonzalo nga Kili, gjermani Ryker dhe ndihmësi indian Rau për të ilustruar një saldim të paqëndrueshëm që sot rezulton i ndryshkur. Ata do të pasohen nga Bernard Kushner që dukej si gjel i stilizuar dhe pas tij nënkuptohet Franca që e kishte për zemër Jugosllavinë dhe e la hapur çështjen e Mitrovicës. (f.141) Kur dukej sikur shfaqja e misionarëve të huaj do të mbyllej me zotin Daxner, shef i departamentit të arsimit dhe shkencës për KFOR-in, në aeroportin e Prishtinës shfaqet koloneli rus Igor, Rusia dhe NATO në kufirin e tyre kritik, rusi të cilit “Kosova i ngjante me një arkëmort të ngushtë, në të cilin as rrotulloheshe dot, as i shtrije dot këmbët.” (f.261).

Ka një gjetje interesante në paraqitjen e karaktereve: “Mund ta ketë emrin” Besim ose Besnik”, “ta zëmë”, ky burri i hajthëm mund ta kishte emrin Ahmet”, “mund ta kishte emrin Ahmet ose diçka e tillë, vinte i shkurtër dhe i mbushur nga trupi, si brumbull, dhe kokën e shogët e kishte në formë trapezi.” (f.136). Siç duket në këtë rast, emri thuhet në mëdyshje, pastaj menjëherë shoqërohet me portretin. “Burri i moshuar mund të quhej Qamil, Ismet ose Shani. Shani mund të ishte emër më i përshtatshëm.” (f.142) Mund të ndodhë dhe anasjelltas, jepet një portret sintetik dhe pastaj si mund të quhet: “u duk një burrë i gjatë me syze…Kishte veshur një pardesy të përhimët dhe mbante mustaqe të holla. A m’u duk a ishte Mahmuti? Po, Mahmuti, dora vetë.” (f.139)

Mustafa analfabet është personazhi me më shumë kontakte me shkrimtarin, ai ka një djalë emigrant në Gjermani jo vetëm në një ndarje pa kthim, por edhe me një komunikim epistolar të pamundur.

Këta karaktere u ngjajnë atyre qytetarëve që duket sikur po presin te dritarja postjerin që kalon në udhën e vet për t’i dhënë mesazhin e përgatitur që ta futë në sirtarët e librit që po formësohet. Ajo që ka ndodhur nën sundimin serb vjen me pikatore, por me një koncentrat të fortë, një ulërimë dhimbjeje që lë gjurmë të pashlyeshme: Pranë shkrimtarit në paraburgim është një burrë i traumatizuar sepse të atin ia kishin futur shkijet në gropën e gëlqeres, gruan Hanife ia kishin dhunuar, i kujtohen thirrjet e së bijës 6-vjeçare Ardita që serbët e mbytën në bunar: “Shkoj me marrë ujë, ajo m’thrret, o babë, o babë, prej fundit pusit, shkoj n’pozllam, babë, dal te megja, o babë, kthehem n’shpi, o babë, o babë, hapi nji derë, hapi nji tjetër, o babë, o babë, bie me fjetë, e mbuloj kryet me batanije, o babë, o babë, kurrë pa ia da, as ditë, as natë.” (f.81)

Shpërnguljet e detyruara nga Mitrovica identifikohen me Muharrem Qenën, shkrimtar dhe këngëtar, i lindur në Mitrovicë. Ai donte të shkonte në qytetin e lindjes, por nga një plak mëson: “Asgja nuk ka ma atje, krejt i ka marrë Serbia.” (f.206) Nuk është as kafja e Sylës, as furra e Orhanit, as Lagjja e Boshnjakëve.

Ardita e përmendur me familjen e saj, plotësohet me një dëshmi të ngjashme, me Jetën 16-vjeçare të cilën një grup paramilitarësh serbë e kishte nxjerrë nga kolona e njerëzve që shkonin drejt Malit të Zi dhe e kishte përdhunuar në një kasolle barinjsh, etj.

Cila është panorama njerëzore e qytetit të Prishtinës pas çlirimit?

Një kamerier nuk arrin dot të bëjë një kafe sepse dritat ikin e vijnë duke na kujtuar të njëjtin fenomen shqiptar nga ku mezi kemi dalë pas më shumë se njëzet vitesh edhe në Shqipëri.

Fati i pianistes Teuta tregon një yll në perëndim që duhet të paguajë harraç për burrin e saj që kishte punuar me policinë e fshehtë. Një fat të ngjashëm ka Muradija, e shoqja e profesorit të çmendur të fizikës. Të dyja kanë guximin të deklarojnë se jeta duhet të vazhdojë edhe pas vdekjes së tyre, për t’ia mjelë jetës edhe qumështin e fundit.

Shani bëhet shprehës i krizës morale të kosovarëve që nuk orientohen dot në realitetin e ri: “Ne jemi të vdekur trefish… Një herë jemi të vdekur se sepse ka vdekë komunizmi, masandej jemi të vdekun se ka vdekë Jugosllavia dhe për të tretën herë jemi të vdekun sepse prostata nuk na e mban ma shurrën.” (f.143)

*

Një kup i vendosur në fund të rreshtit të tretë që në kreun e parë nuk di pse më krijoi perceptimin se mjedisi i ndotur natyror patjetër do të pasohej nga mjedisi i ndotur shoqëror dhe do të përforcohej edhe nga mjedisi i ndotur gjuhësor. A është kjo dukuri fryt i një Kosove të traumatizuar?

Jashtëqitjet njerëzore do t’i ndeshim gjithandej në faqet e romanit për të theksuar atë antitezën e munguar me kujdesin që do të duhej të tregonim, pasi një Kosovë e çliruar për herë të parë, do të duhej të këqyrej si hyrje në një shtëpi të re; në kreun e dytë do të shohim pamjen e neveritshme të plakës serbe të mbytur në vaskë; në kreun e tetë ka një bufe në zyrat e redaksisë së gazetës që mban erë nevojtore; në kreun e njëmbëdhjetë mësohet se është vrarë Selimi, ish punonjës i policisë së fshehtë dhe është mirë të mos dihet ku është varrosur që të mos i bëjnë ndonjë kup sipër; në kreun e nëntëmbëdhjetë narratori dhe një gazetare nguten të bëjnë seks në një kthinë me duhmë të rëndë lagështie dhe minjsh të ngordhur; në kreun e njëzetë “një vit dhe pak pas çlirimit, Prishtina përnjëherësh mori një pamje si të ndryshkur e të vjetëruar.” (f.260)

Ndotja shoqërore vjen nga fakti që çlirimi i Kosovës nuk u shoqërua me frymën e bashkimit, në rrugë nuk sheh turma entuziaste, të gjithë spiunët e së kaluarës janë bartur në një kohë të re, nxitojnë të vetëshpallen heronj dhe të mbajnë ose të rimarrin pozicionet e humbura në aparatin shtetëror-administrativ, njerëzit janë zhgënjyer me lirinë që në vitin e parë të ardhjes së saj. Kosovarët janë të pakënaqur jo vetëm mes vedi, por edhe me forcat e OKB-së sepse ua marrin gratë e reja “Teutat, Besat, ato që e kanë trupin si ngjalë, që u vjen aromë e këndshme” dhe u kanë lënë “Qefseret, Sanijet, ato që pjerdhin si mushka dhe u vjen era bajgë dhe djersë,… me bythë të mëdha dhe me lafshë të dhjamosur.” (f.62) Shembulli klasik i spiunëve vjen nëpërmjet Agimit: “A kemi spiunuar? Nëse na është kërkuar, po. A ju kemi persekutuar? Nëse e deshi puna, po… Po a na bren ndërgjegjja? Asnjëherë!” (f.112-13) Nga e njëjta vathë janë edhe Korabi dhe Tomori të cilët, jo vetëm kanë ruajtur pozitat e tyre, por vazhdojnë të sillen harbutçe; Ahmeti që bënte martesa me autoritetin e partisë; Besniku pinjoll i një familjeje komunistësh që nuk nguron të aplikojë eutanazinë për të moshuarit që kujtojnë gjëra që duhen fshehur, gazetari Zeka që tradhëtoi minatorët e Trepçes të futur në grevë urie. Qasja ndaj spiunëve kulmon në kreun e pesëmbëdhjetë, kur vdes spiuni Brahim, i urryer prej shkrimtarit, por të tjerë, me maskë të akullt hipokrizie, i kërkojnë të marrë pjesë në varrim si përfaqësues i lagjes, madje të mbajë edhe një fjalim reabilitues.

Ç’ndodhi me gratë e përdhunuara të Kosovës pas çlirimit? Shkurtuan fundet, hapën dekoltetë, kakarisnin me zë të lartë. Po burrat? U veshën pa shije, me atlete dhe kapardiseshin. Në kreun e njëzetenjëtë nga Mustafa mësojmë se kanë dalë gra që u bëjnë aborte dashnoreve të luftëtarëve të UÇK-së.

Së fundmi, ndotja shoqërore vjen edhe nga grupimi i nostalgjikëve që nuk janë ndarë as nga lidhja e komunistëve jugosllavë, as nga trashëgimia enveriste shqiptare dhe kjo vjen me grotesk në faqet e fundit të romanit nëpërmjet figurës së Petritit.

Ndotja gjuhësore, e treta në ndotjen gjithëhapsinore, vjen, nga njëra anë në derdhjen pa dorashka të sharjeve e mallkimeve, në shpërfilljen e fjalëve tabu, dhe nga ana tjetër në vëmendjen e shtuar ndaj artikulimit tingullor të karaktereve. Një djalë me uniformën e UÇK-së shan: “Ngoni këndej, ju spiuna t’mutit! … Për ju nuk asht dasht me e derdhë asnjë pikë shurrë, jo më gjak!” (f.54) Poetja Qefsere deklaron: “Unë u plaka tue pritë që ju t’ju ngehet!” (f.65)

Edhe pse ato nuk kanë për qëllim ndonjë klasifikim gjuhësor, ka një rimarrje këmbëngulëse të zanoreve dhe bashkëtingëlloreve që dalin nga gojë të ndryshme në përmasa që nuk e kam ndeshur te asnjë autor tjetër: “Zanoret e Jusufit me maja të thepisura fishkëllenin nëpër dhëmbë dhe i shponin fjalët si tullumbace… bashkëtingëlloret afrikate tërhiqeshin zvarrë midis dhëmbëve prej paladori dhe krijonin ndjesinë e mbytjes.” (f.122) “Janë po ata personazhe që flasin me zanoret kumbuese, të huajtura nga serbishtja vulgare.” (f.133) Shaniu fliste “me një të folme grykore, sikur t’i villte fjalët nga gabzherri”. (f.145) Sahiti foli me një lehtësi të çuditshme, “sikur fjalët i binin nga goja jo për shkak të kuptimit, po për shkak të gravitetit. (f.170) …u përpoq të thoshte diçka, por nxori vetëm ca zanore që nuk lidheshin dot mes veti, iii-aaa-i-uuu-ooo-u, tingujt u ngatërruan me ca bashkëtingëllore pështymore.” (f.256) Poeti Berisha “fliste me rrokje të ndara, së pari i shpërbënte fjalët dhe ca pjesë të tyre i gëlltiste pastaj.” (f.185) Në zërin e Muradijes zanoret ishin mbështjellë me një butësi të qullët, … sikur fjalët e saj ngjiteshin deri te tavani dhe që andej rridhnin si jargë qerosje.” (f.307) Syla arriti të nxirte ca tinguj grykorë dhe ca zanore të zgropuara përbrenda, aaa-ooo-uuu. (f.314)

Duke u ndalur edhe pak te ndotja gjuhësore, kam ndjesinë se ka një lloj irritimi të autorit kur përmend toskërishten, mbase një qejfmbetje që nga Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972. Sot ka më shumë njerëz që besojnë se gegërishtja është ashti i gjuhës shqipe dhe toskërishtja tuli i saj. “Toskërishtja e Korabit dhe Tomorit ishte e sforcuar dhe vende vende, marksiste-leniniste.” Petriti “fliste një toskërishte ideologjike, me ato gjysmëzanoret e dhunshme dhe blegëruese. (f.319)

Kompozicioni i veprës ngrihet mbi një linjë lineare, shkrimtari dhe narratori e ndan misionin me gazetarin, rrjedhimisht ka zgjedhur vetën e parë, për të kaluar nga një skenë te tjetra, nga një karakter te tjetri duke përdorur perifrazime të tilla si: “që kuadri të plotësohet, tani më duhet të them se…”, “edhe pak çaste duhet të qëndrojmë në Aeroportin e Prishtinës,” “edhe për pak çaste do të mbesim në bordin e po atij avioni” (f.268) për të na njohur me gazetarin greko-flaman Prekas i cili mendon se “ndërhyrja ndërkombëtare në këtë vend kishte qenë një marrëzi politike, me pasoja të paparashikueshme për rendin botëror.” (f.269)

Dy kapitujet e fundit janë ekuivalentë të një epilogu. Pasi ka radhitur karakteret në vargun e 16 muajve, shkrimtari ulet në panelin e analistit: “Në Kosovë nuk do të ketë më luftë për liri, as luftë për ideale, porse do të kishte luftë për më shumë pushtet dhe për më shumë para.” (f.229) “Kosova është bërë si një leckë e hedhur skaj rrugës” (f.230), “vlerat e demokracisë në Kosovë po manipulohen rëndë” (f.231).

Filed Under: LETERSI

Astrit Lulushi vjen me librin e ri eseistik “Udhë pa udhë”

May 4, 2024 by s p

Çerçiz Loloçi, Albspirit/

Astrit Lulushi lindi në Tiranë më 1953.

U arratis nga Shqipëria izolacioniste komuniste diktatoriale në vitin 1985, periudhë e Perdes së Hekurt ose e Luftës së Ftohtë midis Lindjes dhe Perëndimit.

Në vitin 1986 u vendos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe fillon punë në Radion “Zëri i Amerikës” ku shërbeu në të gjitha detyrat: folës, përkthyes, gazetar, shkrimtar dhe producent.

Aktualisht jeton me familjen në SHBA.

Është autor i gjashtëmbëdhjetë librave, mes të cilave: ‘Pak ndryshe’ dhe ‘Ndjenjë realiteti’ nga Botimet Tirana Times, ‘Zhgënjime sporadike; nga Botimet Dudaj, ‘Kujtesë lirie’ nga Botimet Tirana Times, ‘Sonete të Shekspirit’ nga Botimet Toena, ‘Kalendar historik’, ‘Dije të heshtura’, ‘Pak ajër’, ‘Pa kufizim’ dhe ‘Pa vazhdim’ nga Botimet Tirana Times, ‘Dije pak të thjeshta’, ‘Realitet dhe vetëdije’ dhe ‘Botë dhe mistere’ nga Botimet Uegen, ‘Dëshmi dhe kujtesë’ nga Botimet QTAL, ‘Përshkëndijime’ dhe ‘Udhë pa udhë’ nga Botimet Tirana Times.

Libri ‘Përshkëndijime” ka qenë në listën e shkurtër për çmimin kombëtar të Bibliofilisë.

Prej disa kohësh është kontribues në disa portale shqiptare, mes tyre edhe në Albspirit.

Falë erudicionit të thellë, një pjesë e mirë e eseve të tij janë të natyrës eciklopediste, që sjellin qytetërimet të hershme dhe më të reja, protagonistë dhe kundërprotagonistë, ngjarje dhe dëshmi që zbulohen për herë të parë në shqip.

Autori ka thellësi mendimi dhe priret nga konciziteti duke përçuar mesazhe të mëdha në tekste fare të shkurtëra.

Eseja politike zë gjithashtu vend të gjerë në krijimtarinë e tij duke përballur dukuri perëndimore me ato shqiptare në periudha të ndryshme kohore.

Autorët më të spikatur botërorë janë lëndë e shumë krijimeve të tij që vijnë me fakte e dokumente të panjohura më parë si dhe me ndikimin që ata kanë lënë në universin botëror.

Filed Under: LETERSI

“Princi”, famëkeq i Nikola Makiavel, një traktat për “amoralitetin” politik

May 3, 2024 by s p

Albert Vataj/

“Në politikë, mjeti justifikon qëllimin”, sikur vetëm kaq të ishte ajo që predikoi Makiavel, mjafton. Por “Princi” ishte shumë më shumë. Ndoshta ngase politikës dhe njerëzve të pushtetit u duhej një mjet për të justifikuar amoralitetin politik, i cili për hir të së vërtetës kurrë nuk i besoi moralit edhe pse sundonte me bekim hyjnor, madje edhe në masakra dhe kasaphana.

Makiaveli nuk legjitimoi vetëm amoralitetin politik me “Princin”, thjeshtë u la në dorë atyre një “Bibël” për të purifikuar çdo ndyrësi dhe blatuar hyjnive të rremet të pushtetit jetë njerëzish të pafajshëm, të cilëve u mbetej vetëm një rrugë, të bindeshin.

Gjatë 500 viteve të fundit, asnjë libër nuk ka fajësuar më shumë për t’i dhënë politikës reputacionin e keq që ajo vazhdon të gëzojë deri në ditët tona sesa Princi i Makiavelit . Sipas një versioni me ndikim të historisë së mendimit politik, i zhvilluar pas Luftës së Dytë Botërore, Makiaveli e ktheu politikën në një teknikë dominimi dhe shtetin në një makinë të krijuar për të shtypur nën dhëmbëzat e tij të gjithë lirinë njerëzore. Princi mendohej të përvijonte rregulla të reja të sjelljes politike, një “shkencë” të re të politikës që, si të gjitha shkencat e tjera shoqërore moderne, mbetet neutrale ndaj vlerave për hir të të cilave mund të përdoren teknikat e saj të pushtetit.

Asnjë vepër tjetër në mendimin politik modern, me përjashtim të mundshëm të Manifestit Komunist të Marksit , nuk konkurron në distancë me ndikimin e ushtruar nga Princi i Makiavelit . Për historinë e pritjes së tij janë shkruar toma të trasha. Nuk ka dyshim se Princi mëson përdorimin e mjeteve të liga në ndjekjen e qëllimeve legjitime politike.

Ka qenë një pikëpamje e zakonshme midis filozofëve politikë se ekziston një marrëdhënie e veçantë midis mirësisë morale dhe autoritetit legjitim. Shumë autorë (veçanërisht ata që kompozuan libra të pasqyrës së princave ose libra me këshilla mbretërore gjatë Mesjetës dhe Rilindjes) besonin se përdorimi i pushtetit politik ishte i ligjshëm vetëm nëse ushtrohej nga një sundimtar, karakteri moral personal i të cilit ishte rreptësishtë i virtytshëm. Kështu, sundimtarët u këshilluan që nëse dëshironin të kishin sukses – domethënë, nëse dëshironin një mbretërim të gjatë dhe paqësor dhe synonin t’ua kalonin detyrën pasardhësve të tyre – ata duhet të jenë të sigurt se do të sillen në përputhje me standardet konvencionale të mirësisë etike. Në njëfarë kuptimi, mendohej se sundimtarët bënin mirë kur bënin mirë;

Makiaveli kritikon gjerësisht pikërisht këtë pikëpamje moraliste të autoritetit në traktatin e tij më të njohur, “Princi”. Për Makiavelin, nuk ka asnjë bazë morale mbi të cilën të gjykojë dallimin midis përdorimeve legjitime dhe jolegjitime të pushtetit. Përkundrazi, autoriteti dhe fuqia janë në thelb të barabarta: kushdo që ka pushtet ka të drejtë të komandojë; por mirësia nuk siguron fuqi dhe njeriu i mirë nuk ka më autoritet për shkak të të qenit i mirë. Kështu, në kundërshtim të drejtpërdrejtë me një teori moraliste të politikës, Makiaveli thotë se i vetmi shqetësim real i sundimtarit politik është marrja dhe ruajtja e pushtetit (edhe pse ai flet më pak për pushtetin në vetvete, se sa për “mbajtjen e shtetit”.) Në këtë kuptim, Makiaveli paraqet një kritikë të ashpër të konceptit të autoritetit duke argumentuar se nocioni i të drejtave legjitime të sundimit nuk i shton asgjë zotërimit aktual të pushtetit. “Princi” synon të pasqyrojë realizmin politik të vetëdijshëm të një autori që është plotësisht i vetëdijshëm – në bazë të përvojës së drejtpërdrejtë me qeverinë fiorentine – se mirësia dhe e drejta nuk janë të mjaftueshme për të fituar dhe mbajtur postin politik.

Makiaveli kërkon kështu të mësojë rregullat e pushtetit politik. Për Makiavelin, pushteti në mënyrë karakteristike përcakton veprimtarinë politike, dhe për këtë arsye është e nevojshme që çdo sundimtar i suksesshëm të dijë se si duhet përdorur pushteti. Vetëm me anë të zbatimit të duhur të pushtetit, beson Makiaveli, individët mund të binden dhe sundimtari do të jetë në gjendje ta mbajë shtetin në siguri.

Teoria politike e Makiavelit, pra, përfaqëson një përpjekje të përbashkët për të përjashtuar çështjet e autoritetit dhe legjitimitetit nga shqyrtimi në diskutimin e vendimmarrjes politike dhe gjykimit politik. Askund kjo nuk del më qartë se sa në trajtimin e marrëdhënieve midis ligjit dhe forcës. Makiaveli pranon se ligjet e mira dhe armët e mira përbëjnë themelet e dyfishta të një sistemi politik të rregulluar mirë. Por menjëherë shton se duke qenë se detyrimi krijon ligjshmëri, do ta përqendrojë vëmendjen te forca. Ai thotë: “Meqenëse nuk mund të ketë ligje të mira pa armë të mira, unë nuk do të shqyrtoj ligjet, por do të flas për armët” ( PrinciCW 47). Me fjalë të tjera, legjitimiteti i ligjit qëndron tërësisht mbi kërcënimin e forcës shtrënguese; Autoriteti është i pamundur për Makiavelin si një e drejtë përveç fuqisë për ta zbatuar atë. Rrjedhimisht, Makiaveli nxirret në përfundimin se frika është gjithmonë e preferueshme se dashuria tek subjektet, ashtu si dhuna dhe mashtrimi janë superiore ndaj ligjshmërisë në kontrollin efektiv të tyre. Makiaveli vëren se:

“Kjo mund të thuhet në përgjithësi për njerëzit: ata janë mosmirënjohës, të pabesë, të pasinqertë dhe mashtrues, të trembur nga rreziku dhe të pasionuar pas fitimit…. Dashuria është një lidhje detyrimi të cilën këto krijesa të mjera e thyejnë sa herë që u përshtatet për ta bërë këtë; por frika i mban fort nga një frikë e dënimit që nuk kalon kurrë.”

Si rezultat, Makiaveli nuk mund të thuhet se ka një teori detyrimi të ndarë nga imponimi i pushtetit; njerëzit binden vetëm sepse kanë frikë nga pasojat e mosveprimit, qoftë humbjes së jetës apo privilegjeve. Dhe sigurisht, vetëm pushteti nuk mund ta detyrojë dikë, përderisa detyrimi supozon se njeriu nuk mund të bëjë ndryshe.

Njëkohësisht, një perspektivë makiaveliste sulmon drejtpërdrejt nocionin e çdo baze për autoritet të pavarur nga zotërimi i plotë i pushtetit. Për Makiavelin, njerëzit janë të detyruar t’i binden thjesht në respekt të fuqisë superiore të shtetit. Nëse mendoj se nuk duhet t’i bindem një ligji të caktuar, ajo që përfundimisht më shtyn t’i nënshtrohem atij ligji do të jetë ose frika nga pushteti i shtetit ose ushtrimi aktual i atij pushteti. Është fuqia që në instancën e fundit është e nevojshme për zbatimin e pikëpamjeve kontradiktore të asaj që unë duhet të bëj; Unë mund të zgjedh të mos bindem vetëm nëse kam fuqinë për t’i rezistuar kërkesave të shtetit ose nëse jam i gatshëm të pranoj pasojat e epërsisë së shtetit të forcës shtrënguese. Argumenti i Makiavelit tek “Princi” është krijuar për të demonstruar se politika mund të përkufizohet vetëm në mënyrë koherente në termat e supremacisë së pushtetit shtrëngues; autoriteti si e drejtë komanduese nuk ka status të pavarur. Ai e vërteton këtë pohim duke iu referuar realiteteve të vëzhgueshme të çështjeve politike dhe jetës publike, si dhe me argumente që zbulojnë natyrën e të gjithë sjelljes njerëzore me interesa personale. Për Makiavelin është e pakuptimtë dhe e kotë të flitet për çdo pretendim për autoritet dhe të drejtën për të komanduar, e cila është e shkëputur nga zotërimi i pushtetit politik superior. Sundimtari që jeton vetëm me të drejtat e tij, me siguri do të thahet dhe do të vdesë nga të njëjtat të drejta, sepse në konfliktin e ashpër të konfliktit politik ata që preferojnë pushtetin ndaj autoritetit kanë më shumë gjasa të kenë sukses. Pa përjashtim, autoriteti i shteteve dhe ligjet e tyre nuk do të pranohen kurrë kur ato nuk mbështeten nga një shfaqje pushteti që e bën bindjen të pashmangshme. Metodat për arritjen e bindjes janë të ndryshme dhe varen shumë nga largpamësia që ushtron princi. Prandaj, sundimtari i suksesshëm ka nevojë për trajnim të veçantë.

Filed Under: LETERSI

“Plaku dhe deti”, Santiago dhe sfida për të kuptuar kohën

April 30, 2024 by s p

Agim Baçi/

Shumëkush mund ta ketë lexuar, dëgjuar apo parë film përpjekjen e Santiagos, personazhit të një prej romaneve më të rëndësishëm të letërsisë botërore, “Plaku dhe deti”, të Ernest Heminguejit. Gjithçka nis pas 84 ditësh ku heroi ynë vijon të mos fusë dot asnjë peshk në rrjetën e tij. Por i ka dhënë fjalën Manolinit, nxënësit të tij të ri, se do t’i japë fund sezonit të pafat dhe do të udhëtojë sërish drejt peshkimit.

Ai arrin me varkën e tij të vogël të kapë peshkun në mes të Golfstrimit. Është peshku që ai gjithnjë e ka ditur se ku është- peshku Marlin. Është peshku që ai e ka kapur lehtësisht në rini. Por gjërat nuk janë më si më parë për Santiagon, pasi as mosha e as mjetet që ka në dorë nuk janë në favorin e tij. Në tri ditë beteje ai flet me triumfin e tij, e vlerëson që ka qenë një peshk i fortë, por që tashmë atij do t’i duhet ta çojë në breg, pasi nuk vlen vetëm fakti që e ka në rrjetën e tij. Por nuk është e thjeshtë. Më së pari duhet të luftojë me peshkaqenin e madh Mako, të cilën Santiago, pas një beteje rraskapitëse e vret me fuzhnjën e tij.

Por kjo fitore me peshkaqenin Mako është edhe nisja e humbjes së gjithçkaje që ka kapur, pasi gjurmët e gjakut që ka lënë në betejën me Marlinin bëjnë që peshkaqenë të tjerë t’i afrohen dhe të gllabërojnë pothuajse tërë trupin e pajetë të Marlinit. Në fund Marlini përfundon thjesht në një skelet i përbërë kryesisht nga shtylla kurrizore, bishti dhe koka e tij. Kur Santiago e nxjerr në breg ai peshk i përket historisë, kuriozitetit, betejës, por jo vetë atij, e aq më pak Manolinit, për të cilin Santiago u nis t’i tregonte se ishte i zoti, se nuk ishte dorëzuar.

I trishtuar nga ky fund me peshkun që e kish kërkuar me aq ngulm, Santiago kthehet në shtëpi, shtrihet mbi shtratin e tij dhe bie në një gjumë të thellë.

Janë të shumtë ata që e lexojnë trishtimin e Santiagos si pasojë e një beteje të gabuar me krenarinë, e një beteje të nisur në kohën e gabuar, pa mjetet e duhura dhe i vetëm. Dhe beteja e tij për të shkuar në thellësi, i vetëm, i braktisur nga të gjithë, duke besuar se dikur kishte qenë i zoti në këtë betejë, është lexuar si një rrëfim për hapat që ne shpesh nisim atëherë kur nuk mundemi, kur koha mund të na nxjerrë në breg me një skelet, që i ka shërbyer vetëm peshkaqenëve, por jo atij që nisi betejën.

Edhe pse gjithçka nis si një betejë për dinjitetin e Santiagos, duket se humbja vjen nga ajo që ai nuk ka llogaritur- nuk është më i fuqishëm për një peshk të tillë, nuk fiton dot me varkën që ka, dhe për më tepër, është i braktisur në këtë betejë.

Çmimi “Nobel” për këtë vepër është ndoshta pikërisht për t’i kujtuar kujtdo prej nesh se disa beteja kanë kohën e vet. Askujt prej nesh nuk i duhet skeleti i një peshku që ka ushqyer vetëm peshkaqenët. Dhe i gjithë rrëfimi, që bart kujtime e dilema shpirtërore, duke sikur na fton të mendojmë dhe besojmë se për udhëtimet që duhet të bëjmë në jetët tona, për betejat tona, do na duhet të kuptojmë kohën tonë.

Në betejat tona, pa dyshim që Krenaria është e rëndësishme, por ajo nuk vlen kur përdoret për të na çuar me këmbëngulje drejt humbjes. Aq më pak na duhet që krenaria dhe dinjiteti ynë të kthehet në pengesë edhe për jetët e të tjerëve.

Kjo betejë kthehet në një trishtim më të madh sidomos kur përdoret në politikë, pasi ata që i hyjnë këtij “peshkimi” rrezikojmë që dëshirën e madhe për fitore ta kthejmë në një skelet që nuk i duhet askujt, përveç peshkaqenëve…!

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 63
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT