• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MBRESA T’NGROHTA LETRARE NGA VJENA E AUSTRISË ME RASTIN E 17-SHKURTIT

February 23, 2024 by s p

Nga Besim Xhelili, Vjenë, Austri/

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu”, Vjenë, në bashkëpunim me ambasadën e Republikës së Kosovës në Austri dhe me rastin e 17 shkurtit, ditës së pavarësisë së Republikës së Kosovës, organizuan një pasdite letrare-kulturore, ku artdashësve dhe dashamirëve të librit iu ofrua një program i pasur dhe i larmishëm kulturor.

Në hapësirat e ambasadës së Kosovës në Vjenë, të premten e 16 shkurtit 2024, në praninë e një numri të madh bashkatdhetarësh, u mbajt një orë letrare dhe përurim librash. Ky program i ndarë në tri pika, ku në pjesën e parë u bë përurimi i veprave të disa autorëve, në pjesën e dytë disa autorë të pranishëm lexuan poezi të ndryshme nga opusi i tyre krijues dhe në pjesën e tretë, e ftuara e nderit znj. Alketa Gashi-Fazliu, shkrimtare dhe gazetare në RTK (Radiotelevizionin e Kosovës), prezantoi trilogjinë e saj “Ato gdhendin dhimbjen”, një libër në të cilin përfshihen rrëfimet e 15 nënave, bijtë e të cilave ranë dëshmorë në luftën e fundit në Kosovë, mbushi pritshmërinë e të ftuarve, të cilët u kthyen në shtëpitë e tyre me mbresa të ngrohta dhe fytyra të buzëqeshura. Me praninë e saj e pasuroi këtë aktivitet Dr. Manjolla Zaçellari nga Universiteti i Durrësit, e cila prezantoi kumtesën e saj “Kadareja dhe proza e tij”, me theks të veçantë mbi vizionin dhe angazhimin e tij për pavarësinë e Kosovës.

Në emër të LSHKSHA “Aleksandër Moisiu” të pranishmit i përshëndeti shkrimtari Anton Marku, i cili në fjalën e tij e falënderoi ambasadën e Kosovës për mikpritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme karshi krijuesve shqiptarë në Austri dhe të pranishmëve ua uroi 17 Shkurtin, Ditën e Pavarësisë së Kosovës. Kaltrina Ademi-Oruqi, këshilltare e ambasadës, i falënderoi të pranishmit duke iu uruar mirëseardhje dhe gjitha të mirat për festën. Ajo tha se gjithnjë është një kënaqësi bashkëpunimi me krijuesit. Nga ambasada e Shqipërisë në Austri përshëndeti Artan Canaj, zv. Ambasador. Ai tha se ndjehet tepër i gëzuar që një ëndërr siç ishte Kosova e lirë u bë realitet.

Pas përshëndetjeve u bë përurimi i vëllimit poetik “Pranverë e thyer”, i autores Kimete Krasniqi Prebreza dhe autori Gjergj Jozef Kola paraqiti një shkëputje nga romani i tij “Diaspora e shqipeve”. Më pas me poezitë e tyre u paraqitën autorët Gabriela Mujaj, Violeta Allmuça, Angjelina Marku dhe Zaim Toska. Me tinguj të bukur në violonçel e shoqëroi këtë aktivitet znj. Marigona Komani. Për mbarëvajtjen dhe udhëheqjen e këtij organizimi kulturor u kujdes si gjithmonë me shumë shije drejtuese znj. Kaltrina Durmishi.

Filed Under: LETERSI

KU ISHE TI, “HERO”?

February 22, 2024 by s p

Dr. Durim Çaça/

Lexim i “Lufta ime për Kosovën”, publicistikë nga Rexhep Shahu.

Askush nuk jeton me të tashmen e menjëhershme. Që të gjithë ne i lidhim gjërat, detajet e përditshmërisë, ngjarjet, me funksionin bashkues, përngjitës të kujtesës, asaj personale e kolektive, -mit i lashtë qoftë, apo histori e re. Ndaj, në prozën jofiksionale theksohet, së pari, emocioni dhe tingëllimi i ligjërimit dhe, më tej, intelekti dhe thirrja për meditim, reflektim e veprim shoqëror moraliteti.
Kështu, vepra që po kundrojmë, gjithë një gazetari impulsive dhe publicistikë luftarake, herë shkulmuese e vrundulluese, si një trumpetë beteje në heroiken e përgjakshme, herë idhnake, e sertë, e ashpër ndaj cinizmit të manipulatorëve pseudopatriotë, me një energjizëm dhe dinamizëm hovi, vrulli dhe ajthi shkulmërak.
Një dëshmi e gjallë e Rexhep Shahut, një vërtetësi e kthjellët, e drejtpërdrejtë për ngjarjen epokale të shqiptarëve të fundshekullit XX, -siç qe lufta dhe çlirimi i Kosovës prej okupimit shekullor shovinist serb.

***
Nëpër faqet e kësaj vepre të retorikës tronditëse të faktit, sillen në kujtesë përmasat e barbarisë shpellare të shkjeve në Europën e kohës moderne, (vrasja e 15 mijë njerëzve të pafajshëm civilë në Kosovë, mes të cilëve, 1700 fëmijë, përdhunimi i 20 mijë vajzave dhe grave shqiptare, zhdukja e 5 mijë shqiptarëve të tjerë të pafajshëm, eshtrat e të cilëve nuk janë gjetur edhe sot, pas një çerek shekulli, për të patur një varr të vet, shkatërrimi dhe rrënimi i 1100 qendra të banimit, me djegien e mbi 20 mijë shtëpive, shkollave, bizneseve, punishteve, qendrave kulturore dhe, mes kësaj statistike ngjethëse, shpërfaqet epopeja e UÇK-së, kësaj fuqie të re vitale të kombit shqiptar, së cilës, Rexhep Shahu i ngre një memorial lavdie, me këtë kumt të tij të kësaj poetike të publicistikës së heroikes.
Autori i shquar, në këtë kujtesë madhështore, projekton, në sfond të një reflektimi kritik tronditës të pseudopatriotizmit të kafeneve të Tiranës, me një nerv të sertë sarkastik, tek i shfaq këta satrapë “atdhetarë”, përmes vetë arrivizmit të paskrupullt të tyre: “Mbajeni vetë atë rreckë (për flamurin kombëtar), ne na duhen dojçmarka”, apo kur, të ulur në poltronet e hotel “Rogner”-it, gjejnë “gabimet” e UÇK-së dhe skicojnë “strategji lufte” e “taktika sulmesh” “fitimtare” mbi paketat e cigareve, me gotat e xhinit përpara), apo të Prishtinës, të matrapazëve dhe “heroizmit legjendar” të sharkive, – frymëzimin e zjarrtë idealist të mijëra të rinjve atdhetarë që lanë Gjermaninë, Zvicrën, Anglinë dhe erdhën të bëheshin luftëtarë të UÇK-së, me ëndrrën e madhe të shpirtit kombëtar, të lirisë së Kosovës sonë martire nga genocidi shekullor serb.
Çdo veprimtar synon tërësinë dhe vlera e çdo arritjeje duhet kërkuar tek ajo, pra tek ajo që krejt qenia, tërësore dhe e pandashme e njeriut të gjejë shprehje. Dhe Rexhep Shahu me “Lufta ime për Kosovën”, më shumë se kronikën e një gazetari në vijën e parë të luftës, për ngjarjen e madhe shqiptare të kohës së re me jehonë botërore, jep një projeksion të thellë e të dhembshëm refleksioni ku, nga njëra anë është populli i thjeshtë, në të dyja anët e kufirit dhe më gjerë, që strehon, ushqen, ndihmon luftëtarët e lirisë, oficerët e Shqipërisë që përgatitin ushtarakisht, me sakrificat e tyre, grupet e djemve dhe vajzave për njësitë e ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe, nga ana tjetër, merkantilizmi, (pazarllëku) dhe populizmi i politikës institucionale të Shqipërisë si dhe sharlatanizmi i paskrupullt i një pjese të mediave të saj, për përfitimet e veta, nga konflikti i përgjakshëm i kombit, me fuqinë armiqësore sllave si dhe dramën e luftës së fshehtë civile, me vrasjet e para politike, mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK), të djathtë, të Rugovës dhe Lëvizjes për Pavarësi të Kosovës (LPK), të majtë, dhe ushtrive të tyre përkatëse FARK të qeverisë së B. Bukoshit në egzil dhe UÇK, – të krahut tjetër politik, për marrjen e pushtetit pas luftës, (njëlloj si lufta civile e komunistëve në Shqipëri, me vrasjet politike brenda Frontit çlirimtar, “pa dallim feje, krahine dhe ideje” të lëvizjes antifashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore, për marrjen e pushtetit, pas luftës), rrjedhojë e së cilës është dhe gjykimi sot në Hagë, i drejtuesve të kësaj të fundit. Gjykim që nuk e zhvlerëson kurrë lavdinë dhe madhështinë e heroizmit popullor të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për të cilën, autori i jep diskursit të vet tonalitetin e ligjërimit të lartë të një hymni e ode panegjirike:
“UÇK është krenaria e epërme e kombit shqiptar, është nderi e dinjiteti i tij, është fitorja më e ndritshme në historinë shqiptare moderne.. Ajo nuk është asnjë emër i përveçëm, asnjë dëshmor apo hero. UÇK që nxorri Adem Jasharin, kryeheroin e shqiptarëve të kohës së re…UÇK është armata e të gjithë të rënëve për liri. Është shpirti shqiptar.”
Një galeri e larmishme dhe e jashtëzakonshme personazhesh dhe individualitetesh (dhënë me veçantitë e tyre të dallueshme e të individualizuara njerëzore), institucionalë dhe njerëzish të thjeshtë popullorë, (që veprojnë në brezin kufitar Kukës- Has- Tropojë, me qendër qytetin e Kukësit), protagonistësh, veprimtarësh, luftëtarësh, refugjatësh të luftës, kontrabandistësh armësh, spiunësh, falsifikatorësh, mashtruesish, gazetarësh të agjencive më të mëdha të botës, oficerësh ushtarakë të Shqipërisë që stërvitin njësite luftarake të rinjsh atdhetarësh idealistësh shqiptarë që vijnë nga shumë shtete, sigurisht dhe nga Shqipëria dhe, në anën tjetër, përtej kufirit, masakrat e serbëve që vijojnë me egërsi mbi popullsinë e pafajshme, pas çdo humbjeje, në përballjet me UÇK-në. Dhe, të plagosur lufte, gra të përdhunuara, fëmijë jetimë, të moshuar që iu ka ngrirë loti në sy, prej plojës dhe shuajes së familjeve të tyre, që vijnë çdo ditë në Kukës dhe në rrethinat përreth, (gjysëm milioni shqiptarë refugjatë të dëbuar nga shtëpitë e tyre vetëm në këtë qytet), jehojnë nëpër faqet e kësaj dëshmie qindrafaqeshe, me një realizëm të dhembshëm, kritik e demaskues ndaj demagogëve e, njëherësh, dëshmi dinjitoze e heroike.
“Digjeshin, shpërnguleshin, burgoseshin, vriteshin shqiptarët në Kosovë vit për vit e dekadë për dekadë e “zotat” tanë këndej veç lehnin… Me ruajt gardhin e gjysmës së tyre. Këtu ishte Enveri dhe ushtria e hekurt shqiptare e derdhur cep më cep të kësaj çerek Shqipërie, që i vriste shqiptarët po të hynin në Shqipëri, ose i burgoste, ose i zhdukte, ose i nbante pengje…Dhe shqiptarët bënin burg dhe vdisnin pse donin Shqipërinë e cila nuk donte që ta donin shqiptarët”.
Kështu, përmes një vargu intervistash të drejtpërdrejta të autorit, gazetar i luftës, në Radion e Kukësit, shndërruar tashmë në Radion e Kosovës, (që drejtohej në atë kohë nga poeti dhe publicisti, Izet Duraku), me përfaqësues, funksionarë, veprimtarë të çështjes kombëtare, ushtarë entuziastë të UÇK-së edhe pse me plagë të shumta në trup, në spitalet e Shqipërisë, refugjatë të dëshpëruar lufte dhe me shpresë, shpërfaqet, kjo dhembje krenare, kjo atmosferë dramatike dhe e jashtëzakonshme (dhe në arenën botërore), Lufta e Kosovës, 1998-1999.
Dhe kalon para nesh kjo epikë, që nga fjala e mençur e Zekerja Canës; te faktet e gazetarit amerikan të “Uashington Post”, Filip Smukin, për mizoritë e masakrat serbe edhe ndaj grave e fëmijëve në Likoshanë, Çirez, Prekaz dhe në zona të tjera të Drenicës; te duart e këputura të Korab Mulës nga minat serbe, në brendësi të territorit të Shqipërisë, në një hapësirë prej 1400 hektarë, prej të cilëve vdiqën rreth 60 njerëz dhe mbetën invalidë të përjetshëm, pa sy, krahë, apo këmbë afro 280 persona të tjerë; te heroi Sali Çekaj, për vlerën e qëndresës, si ajo e popullit të Tropojës, që priti 15 mijë njerëz lufte, duke strehuar dhe ushqyer çdo familje, nga 20 deri 50 vetë, pa bërtitje e mburrje “patriotike” dhe në intervistën e tij në këtë trevë, më 1998, para rënies heroike, më 1999, (zërin e regjistruar të të cilit e ndërprenë pas 4 minutash të kësaqj interviste, në një tubim përkujtimor, për heroin në fjalë, më 2001, se të gjallët, -vijon më tej, Shahu, – do të tregojnë për bëmat e tyre heroike, duke stërpikur me do fjalë dhe të rënët, që duhet të heshtin e të dëgjojnë të gjallët për trimëritë e veta; gazetari i Rojter-it, Kurt Shork, që shkon me guxim në Koshare tek UÇK;
Amik Kasaruho, autoriteti i gjallë moral i shqiptarëve; ambasadori i OSBE-së, në Bajram Curri, Dan Everts, që i kërkon shtypit, këndej e andej kufirit, të luftojë panikun dhe lajmet e pavërteta se, me përhapjen e tyre, bota nuk do të jetë më e mirë; tragjedia e Pashtrikut, me 41 të vrarë, ushtarë të UÇK-së, më 14 dhjetor, 1998; zëvendësambasadori i Gjermanisë, Peter Blumayer, që shprehet se Shqipëria do të bashkohet, edhe po të ketë një kufi në mes; mjeku amerikan Uillard Noes dhe kolegu i tij, mjeku kanadez Roxher Like, në Kukës, në vitin 1999, gjatë krizës së Kosovës; historia e të fejuarve, Sofisë, nga Kukësi dhe Nuredinit, nga Prizreni, të cilët, pas mbylljes së kufijve, më 1948, mes Shqipërisë e Jugosllavisë, pritën 7 vjet që të bënin martesën, por kufijtë nuk u hapën dhe ata krijuan familjet e veta në qytetet e tyre dhe, vetëm pas më shumë se 50 vjetësh, me eksodin e refugjatëve të luftës, Nuredini vjen në Kukës, i moshuar, mbi të ’70-at dhe takon Sofinë, dhe ajo tashmë në pleqërinë e vet dhe qanë gjatë në heshtje me njëri-tjetrin; (siç duket, romani i famshëm i Markes-it, “Dashuri në kohën e kolerës”, nuk ngjan krejt trillim dhe fikshën), ku, në këtë rast, prej “kolerës” komuniste që izoloi e ndau njerëzit (dhe të vdekurit), të gjallët dhe varret, për dhjetëra vjet.
Eruan Deuer, përfaqësues i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, kryeministri i kohës, Majko, që deklaron se refugjatët janë vëllezërit tanë; ushtria shqiptare, Divizioni i Kukësit, pa topa, pa tanke, pa ushtarë, vetëm me një tank që mezi ndizet dhe topat luftarakë të shkatërruar më 1997, përballë Serbisë të armatosur gjer në dhëmbë; vrasja në kufi e Din Kolecit, nga fshati Kishaj dhe serbët që nuk japin kufomën, duke lënë mortin çelë në familjen e tij; poeti Din Mehmeti, refugjat lufte në Kukës, që ndihet as në qiell, as në tokë; profesori i folkloristikës në Prizren, ushtar i UÇK-së, Sabaudin Ceno, që thotë se rreziku i përhershëm i intelektualëve, është heshtja e tyre; Musë Rexha, përfaqësuesi i Republikës së Kosovës në Tropojë; Andrey Harver, shefi i Komisariatit të Lartë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara, në qershor, 1998, që shprehet se në Tropojë po ndodh një mrekulli shqiptare;
veprimtari Skënder Zogaj që flet me optimizëm për stërvitjen luftarake të 260 luftëtarëve të rinj nga Kosova, në vitet 1993-1994, në Labinot të Elbasanit; Naser Kuka, veprimtari i shquar i Kosovës; Rugert Neudeck, presidenti i organizatës gjermane “Kap Anamur” që thotë se miku i mirë njihet në ditë të vështirë; Bill Foxton, nga Anglia, shefi i zyrës së OCSE-së në Tropojë; Daniel Enders, shefi i UNCHR-së që vë në dukje faktin se Kukësi është një përjashtim në historinë e krizave humanitare të botës;
Aleksandra Moreli, shefe e UNCHR-së në Kukës, dhjetor, 1998, me shqetësimin e saj për grabitës dhe plaçkitës të autokolonave të ndihmave humanitare në Tropojë; Elez Biberaj, përgjegjës i seksionit shqiptar në radion “Zëri i Amerikës” që thekson se shqiptarët gjenden para sfidave të mëdha të së ardhmes së tyre; ardhja fshehtas e ambasadorit bullgar në Shkup, Risto Nikovski, në Kukës dhe në fshatra të Gorës, për të zbuluar “talebanët” e Shqipërisë; falsifikimet dhe lufta e frikës me veteranë të rremë dhe me brigata false të UÇK-së, që paskan qenë në Cahan të Hasit, manipulatorët që blinin uniforma UÇK-je në Kukës dhe bënin foto në verandat e vilave të tyre, si “luftëtarë” të ushtrisë heroike çlirimtare ( por “askush nuk e bën dot strehë e çerdhe të tij UÇK-në”) e që shkruajnë “kujtime” false të “trimërive” të tyre, pa qenë asnjë ditë në luftë, prej manipulatorësh e “herojsh” të rremë, etj., etj.
“Ku ishe ti, “shqiptar”? Pyet kështu krahu i një fëmije trevjeçar që kova e pusit e nxjerr nga thellësia e tij. (Trupi i foshnjes është shpërbërë). Pyet kështu varri i këtij krahu e i copave të tjera të këtij trupi njomëzak…Ku ishe ti,“hero”? – pyet gruaja burrin që e la atë me tufën e fëmijëve në shtëpi dhe vetë sikur doli “në mal”…Erdhën serbët, therën fëmijët dhe atë e përdhunuan…Burri nuk u gjend pranë për ta shpëtuar apo për të marrë të paktën hak…Se një pjesë e burrave u ndodhën në Perëndim për punë, një pjesë doli në mal, në radhët e UÇK-së…Ku ishe, bir?,- pyet plaku, që s’deshi e as mundi të vraponte për të ikur, po u vra në derën e kullës së tij, duke bërë qëndresë, për të paguar veten…A mos ike, bir, për të shpëtuar lëkurën tënde? Ku ishe, vëlla?,- pyet motra e përdhunuar nga ushtarët e çetnikët, motra e vrarë, trupi i bukur i së cilës është kalbur në breg të Drinit të Bardhë? Ku ishit ju, prizrenalinj, kur u dogj Tususi? Ku ishit ju, prishtanalij, kur digjej Qyqavica? Apo kur kalleshin në flakë fshatrat e Drenicës? Ku ishe ti. “fatosh?”. Ku ishe ti, Adam?, Ku ishe ti,“kreshnik”? Ku ishit ju, të gjallët?- , thërrasin të vdekurit, të rënët…”
Kështu, Shahu kap ritmin e historisë, përmes ngjarjes së madhe dhe fazës së veprimit, duke e interpretuar atë, duke artikuluar emocionet që janë të lidhura me të dhe duke përdorur një lloj strukture verbale për ta veçuar dhe drejtuar në kahun e vet, rrjedhën e pasqyrimit të historisë relevante (thelbësore e të rëndësishme).
Kalojnë para nesh (përmes kwsaj publicistike reportazhesh të një emotiviteti të thekshëm të detajeve prekëse), portrete njerëzish fisnikë si, Valdet Ziba, nga Suhareka, që vjen çdo vit në Tiranë për homazhe në varrin e e ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, vrarë në Shqipëri, Ahmet Krasniqi; Arafat Abazaj, biznesmen në Prizren që i bën dhuratë vendit, ku qe refugjat lufte, ndërtimin e shkollës së re fillore, të kopshtit dhe ambulancës së re, në Bardhoc të Kukësit; Avdulla Tafili që nuk jargavitet pas lavdisë së UÇK-së, si luftëtar i shquar i saj që di e mundet t’i përgjigjet pyetjes: Ku ishe ti, kur i duheshe Atdheut? – Në luftë, për lirinë e Kosovës! Ahmet Asllanaj nga Gjinoci i Suharekës që blinte armë në Morinë dhe Bicaj dhe nuk ua jepte pagesën në marka tregtarëve të armëve, pa iu marrë firmat atyre. Dhe episodi i trishtë që rrëfen se si në shkollën “Migjeni” në Gjinovc, që serbët e shkatërruan, duke harruar foton e Rugovës në mur, ndërkohë që shqiptarët pas luftimit, vodhën çka kishin lënë pa shkatërruar serbët dhe hodhën foton e Rugovës në plehëra. Bedri Koleci, nga Kishaj, që varrosi në arën e vet ushtaren e panjohur të UÇK-së.
Bujar Muçmata, oficeri i Shqipërisë që stërviti ushtarë të UÇK-së në Kalimash të Kukësit; 20 të vrarët e familjes Jashari dhe daja Osman Geci që luftoi e u vra për mbesat e nipat e vet. Ilir Konushevski, luftëtari që pyeti se si është e mundur që armët, (pushkët, granatat) blihen me nga 3 dollarë në Shqipëri dhe shiten me nga 6 dollarë për copë në Kosovë. Dhe që trafikantët e armëve e vranë në maj të vitit 1998. Shkëlzen Kurpali i Hasit që çminoi vetë në oborrin dhe kopshtet e tij, 220 mina serbe, etj. Dhe, së fundi, intervista e fuqishme e autorit dhënë në ATV të Kosovës: “Shqiptarët e Kosovës janë lokomotiva e Shqipërisë!” dhe emocioni i tij i madh kur lexoi për herë të parë tekstin e betimit të UÇK-së në mikrofonin e Radio Kukësit dhe të Radio Tiranës.
E gjithë kjo vepër e shquar e publicistikës sonë të sotme, në një pamje tjetër, lartëson me një entusiazëm ngazëllor, herojtë e thjeshtë popullorë të qëndresës, rezistencës e të vrullit në flakët e betejave, (“Në Prekaz u thye ushtria serbe me armatim të rëndë, mars, 1998, dhe neve filloi të na drejtohej kurrizi nga pesha e harrimit, e tjetërsimit, e kotësisë, nga pesha e fitoreve hiperbolike në telat e çiftelisë e sharkisë”), në sfond të demaskimit e diskreditimit, (me një guxim të epërm, edhe pse kërcënohej me jetë), të demagogëve, falsifikatorëve, spiunëve e renegatëve edhe në Shqipëri, të paguar prej Serbisë.
Lufta e UÇK-së për Kosovën dhe “lufta” e Rexhep Shahut për Kosovën, (këtij “ushtari” dhe “luftëtari” të UÇK-së në “llogoren” e tij të mikrofonit radiofonik), bashkohen në një pikë: në vërtetësinë heroike të kësaj lufte dhe në pasqyrimin e kësaj të vërtete. Autori lufton për Kosovën me të vërtetën e tij të pastër, të kthjellët, pa bizhdilet e spekulimeve, mashtrimeve, përgojimeve rreth saj, që janë po aq të turpshme sa dhe cilësimet e armikut për të si “ organizatë terroriste”, kur UÇK-ja ishte fuqia e humanizmit, (kurrë nuk bëri masakër mbi popullsinë civile serbe), ndërsa terroristët ishin paramilitarët dhe ushtria serbe, me tanket e topat e tyre obuzë që bombardonin mbi gratë dhe fëmijët në shtëpinë e vet. “UÇK nuk ka nevojë për mbrojtjen e askujt, – shprehet autori,- nuk guxon askush t’i dalë kundër, përballë, ta sulmojë, ta fyejë, ta poshtërojë…”
Sepse Shahu e pa UÇK-në drejtpërdrejt me sytë e vet, me dashurinë, dhembjen e besimin e vet, në fuqinë e saj, në plagët e saj, në madhështinë e saj humane, në lavdinë e saj popullore e kombëtare, si shpresë, si guxim, si përballje me mizorinë e çnjerëzoren…
UÇK-në që faktorizoi çështjen dhe luftën e Kosovës, (ku morën pjesë 30 shtete, nga njëra anë NATO, Shqipëria dhe në anën tjetër, Serbia, me tensionin mes superfuqive, Amerikës dhe Kinës e Rusisë), në arenën ndërkombëtare, që e ktheu atë në ngjarjen më dramatike të planetit të fundshekullit XX, (“luftë që ndriçoi mbi ndryshimet e botës, tek futi për herë të parë, në shkakun e një lufte, humanizmin”, siç shkruante gazetari amerikan, Tomas Friedman, më 10 korrik, 1999, në “Nju Jork Tajms”, në artikullin e tij, “A ishte Kosova, Lufta e Tretë Botërore?”), duke detyruar fuqitë e mëdha të politikës së sotme, të kthejnë sytë nga fati i saj dhe të kujtohen për padrejtësitë e tyre shekullore ndaj një kombi…

***
“Lufta ime për Kosovën”, (një vepër referenciale, për cilindo që do t’i drejtohet kësaj ngjarjeje epokale të historisë së re kombëtare e që mund të çmohet dhe si një vepër jetësore e autorit, e reflektimeve për argumentin, për rreth 20 vjet, si “një kujtesë e dinjitet, për të mos na shëmtuar harrimi” -siç shprehet ai në qëllimin e saj dhe që sjell në vëmendje dhe devizën e çmuar të Klinton-it, presidentit të SHBA të kohës e çlirimtarit të madh të shqiptarëve: “Ne bëmë luftën, -me të keqen, ju bëni paqen, -me njëri-tjetrin”), projektohet si poetikë e fuqi e faktit, si një epikë e re historike dokumentare veprimtarësh, protagonistësh, luftëtarësh të një kohe dramatike dhe ekzistenciale për fatet shqiptare dhe përpjekjesh vetmohuese “deri kur të lidhen damarët e Atdheut”.
Ku kuptimi i lartë është rrjedha që bashkon lumin e gjuhës me lumin e kuptimit të shfaqur. Si e tillë, dëshmuese e dorës së parë, narrativë fakt-ionale, e shkruar prej një reporteri lufte të vijës së parë, ku bëhet në një, poeti i një ajthi të epërm, me luftëtarin fisnik të së vërtetës, ajo krijon një emocion të thellë dhe madhështim shpirtërimi, si të një letërsie epopeje…

Filed Under: LETERSI

SIMBOLOGJI

February 22, 2024 by s p

Zija Vukaj/

Gjarpri

Kafshë simbolike e konsideruar në mënyrë shumë kontradiktore. Në shumë kultura të lashta simbolizon botën e ferrit dhe mbretërinë e të vdekurve, siç duket për shkak të zakonit për të jetuar në vende të fshehta dhe në vrimat e tokës, por ndoshta edhe për aftësinë e përtëritjes falë ndërrimit të lëkurës. Gjarpri ecën duke qenë pa këmbë, del nga veza si zogu e në shumë raste kafshimi i tij i helmet mund të jetë vdekjeprurës. Kuptimi simbolik i kësaj kafshe lidh idetë e jetës e të vdekjes në mënyrë kaq të veçantë, sa mund të thuhet se nuk ekziston kulturë që ta ketë anashkaluar gjarprin. Në bibël ai paraqitet qoftë si mishërim i armikur, për shembull në episodin e parajsës, qoftë si modeli i Shpëtimtarit të kryqëzuar, si në tregimin e “gjarprit të bronzët”, që Moisiu ngul në shkretëtirë. Në dëm të magjistarëve egjiptianë, edhe shkopi i Aronit shndërrohet në një gjarpër. Për gjermanët e Veriut, gjarpri, që me dredhat e tij rrethon Tokën (Jörmungandr, gjarpri Midgard), është simboli i Oqeanit që rrethon tokat e dala në sipërfaqe, në analogji me ekuivalentin e vet egjiptian Apophisin e përbindshëm, që kërcënon barkën e perëndisë Diell. Në “Physiologus”, tekst i lashtësisë së vonë e parakristian, gjejmë një simbolizëm të çuditshëm: në një çast të parë ky tekst merret me “ripërtëritjen” e gjarprit gjatë ndërrimit të lëkurës (thuhet se edhe njeriu duhet ta heqë “plakjen e botës” dhe, i përtëritur, të aspirojë për përjetësi, por pastaj tregon se gjarpri, para se të pijë në burim, e lë helmin në shpellën e tij, me qëllim që ta mbajë ujin të pastër (në mënyrë analoge, njeriu që mbërrin pushimin e përjetshëm, duhet ta braktisë helmin e mëkateve të tij.) Pastaj thuhet që gjarpri kafshon vetëm personat e veshur dhe, madje, ikën nga lakuriqësia; për këtë arsye, njeriu duhet ta heqë “gjethen e fikut të lakmisë”, që paraqet veshjen e njeriut të vjetër dhe “të paraqitet lakuriq para mëkatit”, me qëllim që shpirtigu të mos e sulmojë. Në fund thuhet se gjarpri, kur është i kërcënuar mbron vetëm kokën, duke sakrifikuar pjesët e tjera të trupit. Kështu, njeriu duhet të mbrojë vetëm kokën e vet, që është Krishti dhe të mos e fshehë trupin e tij, por ta flijojë siç bëjnë martirët.

Në mënyrë të veçantë, i pasur me implikime simbolike është gjarpri që kafshon bishtin, greqisht “Uroboros”, simbol në formën e tij rrethore, i kthimit të përjetshëm ose në përgjithësi, i përjetësisë. Ai zhvillon një funksion në ikonografinë alkimike, sepse simbolizon procedimin rrethor të disa proceseve (për shembull, atë që përsëritet shumë herë, të avullimit, kondensimit e pastaj sërish të avullimit) aty ku stadi i “sublimimit” tregohej shpesh nga imazhi i krahëve. Në planin e simbologjisë mbizotërojnë kuptimet negative, për shembull rrezikshmëria e kafshimit të tij të helmët; për këtë shkak, kafshëve që mbahen si shkatërrues të gjarpërinjve (shqiponja, lejleku, skifteri), u atribuohej gjithmonë një vlerësim simbolik pozitiv.

Megjithatë, në konceptimet mitike më të lashta mund të vihet re edhe një funksion misterioz pozitiv i gjarprit: duke qenë në lidhje me tokën dhe me botën e skëterrës, ai mundet, për shembull, si gjarpër shtëpie, të paraqesë bekimin e shpirtit të të parëve (gjarpërinjtë e kurorëzuar, të ushqyer me qumësht, janë të rëndësishëm në shumë legjenda popullore); ose edhe besimet në shërimin dhe në rilindjen (bolla e Eskulapit, i shenjtëruar i zotit të mjekësisë) i vishet një rol i rëndësishëm; shkopi i Markut. Ureo, apo kobra në pozicion sulmi, në Egjiptin e lashtë ishte personifikimi i kurorës së faraonit; pështynte helmin kundër armiqve të perandorit dhe qarkonte diskun e diellit dhe të hyjnive diellore.

Në qytetërimet parakolumbiane të Amerikës Qendrore gjarpri (në gjuhën acteke; ‘coatl’) paraqiste shenjën e pestë ditore të kalendarit. Vlera e parashikimit për të gjithë ata që kanë lindur nën këtë shenjë është kryesisht negative, nga momenti që mendohet për gjarprin si për një qenie shterpë dhe pa një shtëpi. Për këtë, edhe personat subjekt i kësaj shenje, tregtarë ambulantë e luftëtarë, janë shtyrë të enden pa një qëndrim të ngulur. Ndërsa Quetzalcoatl, një figurë hyjnore veshur me pendë të gjelbra zogu Quetzal, ka një domethënie të thellë fetare, aq sa bashkon në vetvete, duke i dhënë formë një sistemi të vet të vërtetë dualistik, cilësitë simbolike të zogut e të gjarprit, pra duke lidhur qiell e tokë. Emri që Majat i jepnin kësaj figure ishte Kukulkan. Ndër të tjera, polariteti zog/ gjarpër, është i pranishëm edhe në stemën e qytetit të Meksikos (në gjuhën acteke: Tenochtitlán), ku shihet një shqiponjë e hipur mbi një kaktus me një gjarpër mes kthetrave. Kjo paraqitje ka një kuptimi të madh në të gjithë botën nga pak, sepse simbolizon unitetin e të kundërtave (M. Lȕrker 1983, Bibla 14).

Në krijimet në prozë, të cilave Gëte u jep titullin “Përrallë” gjarpri simbolizon përhapjen e njerëzimit autentik. Megjithatë, në traditë mbizotëron frika e gjarprit, që sipas interpretimit psikoanalitik rikthen frikën e një “simboli të organit mashkullor” dhe në paraqitjet e lashta të bazilikës e të dragoit ishte e pranishme në mënyrë akoma mitike. Në sistemet ekzoterik me origjinë aziatike, gjarpri Kundalini, i lidhur me shtyllën kurrizore, është simboli i energjisë jetësore që duhet zgjuar përmes meditimit.

Në simbolizmin e lashtë indian janë shumë të rëndësishme “nagas”, krijesa gjysmëhyjnore, që “mbrojnë thasaret e tokës”. Shpesh statujat paraqesin këta demonë pozitivë ogurmirë me dukje njerëzore, me trup gjarpri, duke survejuar dyert e tempujve. Përkundrazi, sipas mitit të “Garudas, zogu i diellit me pupla të kuqe, që na sjell në mendje grifonin, gjarpërinjtë e helmuar shqyheshin e vriteshin me sqep. E megjithatë pranë lopës dhe shimpanzesë, gjarpri ishte një nga kafshët e admirueshme, ndoshta për shndërrimin e tij (simbol i jetës që rigjenerohet) dhe për afërsinë me elementët jetësorë të ujit (fertilitetin). Mbi gjarprin e botës është vendosur perëndia Vishnu; zota e titanë u mbështollën rreth malit të botës, Meru, trupit të gjarprit Vasuki dhe duke bërë kështu mundën të ngjietshin në detin e parë të qumështit të shndërruar në gjalpë. Perëndesha e kobrave Manasa qeverisi tokën gjatë periudhave kur Vishnu flinte. Disa krijesa në formë gjarprinjsh u bënë edhe personifikime simbolike të forcës e të aspekteve të tjera të hyjnive. Në Kinë gjarpri (shê) është simboli i pestë i zodiakut dhe është mbajtur dinak por edhe i rrezikshëm. Sipas traditës popullore, personat me “gjuhë të bigëzuar”; apo false, do të jenë pajisur me një zemër gjarpri. Por mendoheshin si gjarprinj edhe lumenjtë me rrjedhje të shtrembër dhe në përralla e legjenda gjejmë shpesh gjarprinj që shprehin njohjen e tyre duke dhënë edhe perla. Të kesh lëkurën e një gjarpri do të thoshte një shenjë pasurie; edhe në Kinë u mvishet një domethënie seksuale ëndrrava me gjarprinj: trupi i gjarprit nënkupton organin mashkullor dhe koka e tij trekëndëshe pubisin femëror. Sipas astrologjisë kineze gjarpri është “planeti i vitit” në 1989, në 2000 dhe kështu me radhë në çdo 12 vjet.

Në kulturat e Afrikës jug- lindore, siç tregojnë pikturat e lashta shkëmbore, gjarprinjtë boa personifikonin shiun dhe ujin në përgjithësi dhe, në këtë kuptim, ata shfaqen shpesh- edhe në mitet- si kafshë fantastike të pajisura me brirë. Vizatimet shkëmbore të Afrikës lindore duket sikur japin edhe idenë e gjarprit si mishërim i sipërfaqes tokësore me kodra dhe lartësi shkëmbore (shkëmbinjtë e tokës me dredha vertikale).

Në shintoizmin (fenë kombëtare) japonez ka një funksion të veçantë një mit i përqenduar mbi kokën e gjarprit, gjë që na kujton legjendën greke të Herkulit që lufton kundër Hidras me nëntë kokë. Duke qëndruar te ky mit japonez, perëndia e furtunave Susanoo, kishte vrarë, pas një luftimi të rreptë, boan me tetë kokë Yamata- no- orochi, me shpatën e shenjtë që gjeti në bishtin e boas, liroi më pas princeshën Inada- hi- me, burgosur nga përbindëshi dhe në fund u martua me të. Siç shihet, është një lloj version i Lindjes së largët i legjendave të Perseut apo të shën Gjergjit. Edhe në Japoni era e stuhisë është para së gjithash diçka shkatërruese (besohet se shkatërron fushat e shenjta të orizit, të përgatitura nga vetë perëndesha e Diellit Amaterasu), megjithatë përmban edhe një mjet purifikimi. Kjo shpjegon motivin pse Susanoo mund të merrte rolin e vrasjes së gjarprinjve.

Në legjendat hebraike të mesjetës, gjarpri i pemës së parajsës, që e kandisi Evën në mosbindje, mban emrin e Samaelit (në mënyrë analoge të Luciferrit, zotit të ferrit). Këtij gjarpri iu veshën mendimet e mëposhme: “Po t’i flas burrit, ai s’do më dëgjojë, sepse është e vështirë me përkulë qëllimet e një burri. Prandaj më mirë është t’i flas gruas, që ka bindje më të dobëta. E di se ajo do të më dëgjojë, sepse gruaja dëgjon gjithkënd.”

Në interpretimin simbolik të psikologjisë së thellësisë, gjarpri është, si çdo reptil tjetër, një simbol shtazor që zë fill në prehistorinë e tokës dhe në zanafillat e historisë njerëzore.

Siç pohon Ernst Aeppli (1943- Bibl. 2), gjarpri jeton në një sferë të mistershme të natyrës (…) (është) imazh i veçantë i forcave primitive. Nga çdo eksperiencë psikologjike që të merret ai paraqet në mënyrë të dukshme simbolike energjinë psikike. Kushdo që në ëndërr ka të bëjë me gjarprin, ndeshet me forcat që dergjen në thellësi të shpirtit dhe janë të huaja për Unin, forca kaq atavike, të thuash, sa kafsha, e pranishme mbi Tokë nga netët e kohërave”.

Gjithsesi, gjarpri merr kryesisht një kuptim negative: thuhet, në fakt “dinak e fals si gjarpër”, “ajo femër është një gjarpër i vërtetë” apo “të përdridhesh si gjarpër” etj. Në skulpturën e mesjetës një grua e zhveshur me dy gjarprinj në gjoks paraqet ushqyesen e veseve të fëlligështisë e të epshit, ndërsa shprehja tashmë e njohur e lashtësisë “të mbash gjarprin në gji”, shpreh inkurajimin e pavullnetshëm të pesonave të pabesë.

Filed Under: LETERSI

Havzi Nela, zani kushtrues i një shpirti ngadhënjimtar, poeti i këngës kryengritëse

February 20, 2024 by s p

Nga Albert Vataj/

Në ndërmendjen e përvjetorit të lindjes së poetit, tuj kumtu mirënjohje për krejtçfarë ai e shkroi me gjak mbrojti me kalvar, ngucemi tash me rijetu copëza të atij mundimi të pashoq hekash dhe lëngimesh që gjaset me i gatu vetëm havani i terrtë i kobit të kuq. I vetmi krim që ky za kushtrues kishte ba, dhe për të cilën ai shkoi në litar 10 gushtin e vitit 1988, ishte vullnesa për me ia kushtu veten mish e shpirt shërbesës së fjalës së lirë, kumtit krijues, me të cilin ai këndoi dhe u ndesh me një prej bishave më të zezonta.

I pamposhturi i kushtrimit të lirisë, i kumtit ngadhnjyes të poetit, i zanit të paepur të një shpirti që s’diti të jepej, ishte ai, Havzi Nela. Varra e mbrame e bishës në agoni. Zemra e thyeme e një shtati të drobitun. Zani gjëmues i një shpirti ngjadhnjimtar. Poeti që luftoi komunizmin me penë dhe guxim. Ishte ndër ata intelektualë, që parapriu një lufte, përleshjesh të shpirtshme me fjalë dhe vargje, të cilën besonin idealistët dhe prej së cilës komunizmi druhej më shumë se djalli nga temjani. Ai ishte poet po kaq sa mësues, besonte te idealet njëjt sa te liria dhe nuk mund të kuptosh këtë epje vetëflijuese pa atë lartësim dhe fisnikërim shenjtërimi që ai mëkoi deri në natën kobzezë të litarit. Ai u ngjit në trekëmbëshin e vdekjes si në kryqin e përjetësisë së Hyut, për të qenë ndër martirët e dritës dhe dijes, poezisë dhe gjëmimit të shpirtit.

Më 20 shkurt të vitit 1934 një e qarë fëmije do të këndellte një tjetërqysh kreaturë jetësimi në qiellin e rrëzuar mbi pullazet e majeve në Kollovozin të Kukësit. Një shkulm flakadani do të gjëmonte në oxhakun e asaj votre, tuj ysht një të shtënë lumnie që theri përmes terrin e asaj nate kumtimi dlirësie. Rrokullima e viteve do të derdhej në shtatin e një shuguruesi, si një dritë që lëshohet nadjve tuj përla me jetësim tançka rrok pamja. Një kapërthim përjetimi të stuhishëm do t’i kridhej në hov kësaj zemre flakatare. E në të mbramë të trishtë do ta kishte t’fikumen e frymës. Nata kobzezë e 10 gushtit të motit 1988 e thuri me mraz mantelin e trishtimit, që do të lëshohej mbi qytetin verior, si një qefin morti bashmë me terrin e qorruem. Në yje i’u shndërrue grahmat e fundit atij shpirti ngadhnjyes. Me dritën që lindtte s’kish mbetun kurrçka gjallnuese në të, veç kurmit hekakeq të martirit, që derdhej në plisin e përpushun lëngimesh në trekëndësh. Në kup të qiellit kuja i’a lëshoi në atë zgjim tragjik të atij qyteti që strukej nën peshën e heshtjes. Sy e zemra u qorrën në këtë manifestim frike dhe paniku që mbillte kjo varrë mesjetare që rrëmihte të shkumen, të tashmen e të gjithmonshmen e vetëdijes së njerzisë, kësoane e gjithsekund. Në atë prehje trishtane që kalli tmerr shtati i shterrun hekash i poetit që tuj ken “armik i popullit dhe partisë” ishte bzamja ma kushtrues që ajo ndërkohje kishte mujt me e lëshu potershëm. Klithmë, e cili theri si dhimbë shgjetare atëditë e sot. Kësohere dritëlëshuesi i dijes e kumtuesi i kremtes së lirisë, kish da mendjen me ik, jo si më heret “zemërplasun” por zëkallun e oshëtues në ndërkohje.

As tokë nuk i dhan në pushimin e pasosun, Havzi Nelës. Deri në njat cak kishte mujt me mbërri makabriteti i lëshuem në duar të zellshme gjakatarësh, mbi të cilët nderej i friguem ajo bishë e plagosun. E derdhën mish e kocka, poetin në vrimën e një shtylle, mes ferrave. Me gurë dhe mrryl e mbuluen atë grumbull të mbetun prej së gjalli. Pa varr e lanë, pa kuja, pa lot e degdisën në tjetër botë. Kaq mundi me gadit zelli i përbinshëm i një regjimi. Vetëm kaq, me diftu, i’a behu mendja djallzore e dora e gjakut të prishun.

Lirinë kishte krejtçka Havzi Nela në të gjallë e në amshim pati si armë, të cilën nuk e lëshoj prej dore kurrnji dekik. Poezinë kishte pishtar e nuk ndali së lëshumi tmerr dhe dritë gjithkah kamba e tij shkeli e zemra e tij kalli. Përkundër asnjë godi nuk mësoi të hesht ai zë gjëmimtar. Qeli, pranga, tortura, e farkëtuan atë shpirt lirie, atë shkrepëtim që ndrit udhën shtegtarit atëditë e sot.

Havzi Nela, do të mbamendet si shembulli më vetanak i mizorisë së kuqe në agoni, është dëshmia më ngjethëse që ka lënë diktatura atëhershme. Si djalli nga temjani u përndoq ky korife i mendimit të lirë, kjo pëshpërimë gjëmimtare e ngulmit për të dëshmuar në një kohë të mraztë vitalitetin e një vullnese të dlirë.

Golgota e mundimeve të këtij Prometeu të dijes u dogj më flakën e dritës që kalli vargjet e tij të zëshme liberatore. Fatkobi i poetit tek ai nuk preku ndonjëherë ngjashmëri të tjetera, të njimendta në atëhohje. Tehu i gjakimit të së keqes duke e shpuar tejpërtej ndër rrufe përgjimesh kobzeza, ishte derdhur mbi të pamëshirshëm dhe nuk iu shkoq deri në të mbramë të frymës në konop. Përdnjekja e kalli këtë zë liri e në flakët e ferrit të kuq me të cilat u ndesh dhëmb për dhëmb. Si Ante qëndroi ai mbi zemëratën e shtërzishme të motmotit. Nëpër shkulmet e këtij marazi ai mrujti apogjeun e shpirtit. Krejtçfarë është thënë për këtë shpirt rebel, dhe ka bërë me pasion të shenjtë ky ngulm lirie është një vullnesë e dlirë, një shëmbëllim që ngucat. Përkundër tançka ka ndërzy atë bishë të përbinshme komuniste, nuk e ka tut, nuk e ka ndal, nuk e ka step atë yrysh tokësor, më u ndesh me forcat më të errta të Hadit komunist. Ai qëndroi në kambë, në të gjallë e në të vdekun. Mundimet e këtij shpirti sakrificash, e këtij kushtrimi të zëshëm të lirisë, nuk kanë shoq.

Kush ishte ky gjëmim

Havzi Nela lindi më 20 shkurt 1934 në fshatin Kollovoz të rrethit të Kukësit. Ndoshta fëmijëria e tij e asaj ndërkohje s’do të kishte shumë më tepër gjana për të kumtu, ngase ai i tha me za e me vepëri në të gjallët e tij. Të themeltë e kish në vete shpirtin e kryengritjes, vullnesën e jetësimit deri në të mbrame të frymës që kishte. Tuj met jetim qysh në moshën 9-vjeçare, atij i’u lëshu në shpinën e njomë torba e randë e shtegtarit. U kalit në mundime dhe heka ky kurm që gjaku e shndrroi në pishtar.

Individi i kolektivizuar më shumë se një absurd që shakadahej në batakun e reales surreale, ishte për Havzi Nelën një ngadhnjim kryerendës, një domosdo për të reaguar që në krye të herës. Rebelimi kundër së keqes ishte gjaku dhe mishi që veshi, jetësoi ky bir nane.

Golgota e dijenxënies dhe e mësuesit

Edhe vetë kalvari i dijenxënies është jo më pak rrëfimtar i kacafytjes që kalli mbi këtë kurm drite paradoksi i asokohshëm. Ai mbaroi shkollën fillore dhe të mesme, ndërsa jetojnë në varfëri ekstreme. Krejt rrëfimtaria e tij jetësore është një rrugëtim nëpër natë nën qiellin e gërmushin vetëtimash. Zgjaton lëngueshëm ai kortezh i të gjallëve të mësuesit dhe poetit, individit që ngiste nëpër teh të rrezikut me kap fillin e dritimit të perëndishëm, të njeriut me ëndrra qiejsh të kjart.

Duke kqyr turraz nëpër faqet e të shkumes mundena me kumtu se Havzi Nela gurëthemelin e dijes e hodhi në qytetin e Shkodrës, prejku u dëbua si element destruktiv. Pas do vitesh i jepet mësuesisë në shkollën fillore të Planit të Bardhë, një fshat në rrethin e Matit. As këtu nuk i zan kambët dhe këti ngulmi zjarmtar. Te e vona ai i kthehet sërish Shkodrës me i përmbyll studimet, kësohere me korrespondencë. Kruma, Lojmja, Shishtaveci, Topojan janë këto toponimet e dijedhënies së poetit. Përgjatë gjithë këtij rrugëtimi dritëlëshues, një pal sy ferri do të qepeshin përmbas, ngado. Golgota e mundimeve do të lëshonte britmën. Ai nis të marrjet hera-herash në paraburgim.

Kalvari i martirit

Dhe vjen dekiku i përballjes dhëmb për dhëmb. “Shko dallëndyshe” të Filip Shiroka, bahet “Lamtumira zemërplasun” e Havzi Nelës dhe bashkëshortes së tij, Lavdie. Ai arratiset për me sos në Kosovë, më 26 prill 1967. Një gërmushje ndjellakeqe e pret me “pushkë për faqe”. Ndalohet dhe merret në pyetje në një hotel në Prizren. Më 6 maj të po atij viti burrë e grua këmbehen në Morinë me shqiptarë të Kosovës, të cilët i dorëzohen UDB-së famëkeqe nga pala shqiptare.

Kalvari i trishtë nëpër të cilën rendi ky liberator, zgjaton që nga Elbasani, Vlora, Spaçi, Burreli, Ballshi, Qafë Bari. Nëpër zgafellat më makabre të diktaturës i kaploi 20 vitet e jetës së tij. Nëpër tmerrin më të mraztë e gërmëzoi gjithkohjen e kushtrimit të tij, poeti martir. Tinëz e thuri qiellin shkrepimtar të poetit, Havzi Nela në qeli. Në fletushka nëpër terrin e frikës dhë përgjimit e ngriti varg pas vargu e metaforë pas metaforë zjarmin e lirikës.

Havzi Nela, dhe kjo ndërmendje në përvjetorin e lindjes, behin kushtrues në të tashmen e një demokracie që hiqet zvarrë si një shtazë e plagume. Edhe të rrokte të gjallët e tij, të mraztë do ta kishte poeti paqen nën peshën e të pamundunes, që mruhet në maxhën e zhgënjimit. Të trishtë do ta ndjente të tashmën e zorshme të vlerave të përmbysta, kurmi i lënguem i atij shtati që sfidoi me qëndresën në kalvarët e terratisë. Rrno ndër ne Havzi Nela, në trajtën e një kujtese ngjethëse, një dlirësie shuguruese, një gjithëkohje kushtruese, rrno me dëshmu me mbamendjen tande të ngjyme në gjak lirie.

Filed Under: LETERSI

Këngët folklorike nga treva Krajë-Shestan

February 6, 2024 by s p

Hamid Alaj/

Populli i trevës së Krajës dhe asaj të Shestanit, si në të gjitha fushat e jetës së vet, edhe në art ka treguar talent dhe aftësi krijuese. Vlerat artistike që ka krijuar ky popull ndër shekuj në përgjithësi janë të shumëllojshme, ku ndërmjet tyre gjejmë edhe shumë këngë, valle, tregime popullore, lojra popullore, gjëza, proverba etj., e që në literaturën shkencore njihen me emrin folklor. Pra folklori është një pjesë e rëndësishme e krijimtarisë artistike të popullit që e krijon atë, të çfarëdo krahine, rethi apo treve qoftë ai. Prandaj ato mësohen nga shumë kush dhe ngjallin kënaqësi kudo: në punë, në shtëpi, në shkollë, në rrugë, në ndeja, në pushime etj., gjë që bën që populli i kësaj treve ta dojë artin folklorik.

Këngët folklorike nga treva Krajë – Shestan janë mjaft të vjetra dhe këndohen prej kohësh në këtë trevë. Janë të vjetra aqë sa vetë lashtësia e kësaj treve etnike shqiptare. Ato janë të shumta dhe të pasura nga vetë lloji i këngës. Si nga pikpamja ritmike po ashtu edhe nga pikpamja melodike, këngët folklorike nga treva Krajë – Shestan , paraqiten shumë të larmishme. Ato shquhen për nga bukuria, për nga madhështia si dhe për nga roli i tyre që kanë. Ato zënë një vend të rëndësishëm në përgjithësi, në kulturën e kesaj treve, por edhe më gjërë, si në tërësinë e kulturës sonë kombëtare. Populli i kësaj treve, këto këngë i këndon në variante të ndryshme, dhe dallojnë për nga ritmi i këndimit nga lloji i vetë këngës.

Populli i kësaj treve i ka çmuar shumë këngët e dashurisë dhe u ka dhënë një rëndësi të veçantë duke i pagëzuar me llojë-llojë fjalesh si: “moj e mira”, “moj e bukura”, “këngë dashurie”, “këngë jaranishte”, “këngë çobanash”, “këngë ashike”, etj. etj., që le të kuptohet se çdo emërim e ka kuptimin e vet simbolik.

Unë si bir i lindur dhe i rritur në këtë trevë dëshiroj të vë në dukje se gjatë punës sime mjaft serioze, por as pa mundime dhe me një kujdes të posaçëm, pa marr parasysh kohëzgjatjen e grumbullimit të këtyre këngëve, hasa në disa vështirësi të ndryshme, kur informatorët, pra treguesit e këngës, ndryshonin brendin e këngës, ndoshta nga harresa e saj apo nga frika se mos të preket dikush, sidomos tek këngët e dashurisë, të cilat pengesa, jo rallë më dukeshin të pakapërcyeshme. Mirëpo, duke e parë këtë pengesë, me aqë sa unë kam vërejtur gjatë grumbullimit të këtyre këngëve, mendoj se brendia e këngës fletë vetë. Megjithatë, këngët e botuara në këtë punim janë këngë të traditës gojore, të mbledhura kryesisht në terren nga subjekte të ndryshme, këngë të cilat mund të ndërrojnë ritmin e të kënduarit gjatë interpretimit të tyre, por kjo nuk do të thotë se është aqë me rëndësi sepse nuk mund ta ndryshojnë thelbin e tyre të burimsisë.

Kam besim se vetë lexuesi do të jetë i kënaqur me këtë material të grumbulluar në këtë punim aq me vlerë për ruajtjen e këngës folklorike të trevës së Krajës dhe të Shestanit. Gjthashtu kam besim se lexuesi do të më kuptojë nëse në këtë libër, apo koleksionim të këtyre këngëve, nuk kam arritur që t’i grumbulloj të gjitha këngët që i përkasin trevës në fjalë. Arsyet janë të shumta. Lexuesi duhet të jetë në dijeni se njiherit kjo çka u grumbullua në këtë punim, lindi si dëshirë e imja ndaj trevës sonë me qëllim të ruajtjes së vlerave kulturore të trevës.

Atëherë le të jetë një fillim i mbarë që në të ardhmen, dikush të vazhdojë në këtë rrugë të nisur, për të plotësuar këtë tempull, nëse më lejohet ta quaj kështu, të shenjtë e të bukur, të quajtur “KËNGËT FOLKLORIKE NGA TREVA KRAJË – SHESTAN”, për të mbajtur gjallë e për të vazhduar me dinjitet folklorin e pasur të kësaj treve.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 64
  • 65
  • 66
  • 67
  • 68
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT