• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

GJITHË DITA NË DALLAS…AH, RRUGA, KU U VRA PRESIDENTI…

January 29, 2024 by s p

Në aeroportin e Dallasit, jashtë na priste një diell plot dritë dhe ngrohtësi, që sikur e shtonte dhe pritja z. Adil Besiri, burrit nga Kërçova që na mori me makinën e tij të bardhë e të madhe për të na çuar në restorantin e tij dhe pastaj të na shëtiste nëpër qytet…

– Dua të shoh rrugën ku vranë Presidentin Kenedi, – thashë unë me një padurim të dhimbshëm, por i mbledhur kohë më parë.

Dhe aty shkuam. Pikërisht te vendi ku kishte ndodhur atentati i shekullit, i hatashëm, mu në rrugë kishin vënë

shenjat, 4 ikse të mëdha: XX XX, 2 ku nisi dhe 2 ku mbaroi ai tmerr dhe ende mister. Ndalëm t’i shihnim ashtu të verdha si dëshpërimi, si gjarpërinj, sikur të kishin shkruar Shekullin XX, si kryqe.

– Ja, dhe taraca nga u qëllua, – po na tregonte Adili. Një re aty sipër m’u duk si fantazma e atentatorit. Në katin sipër ishte dhe muzeu, s’e di a ishte hapur, po s’doja ta shikoja, mjaftonte ajo ndjesi e rëndë si me plumbat pezull në ajër si zogj të ngrirë… Njerëz nga trotuari, fotografonin ikset e çoroditura në rrugë: XX XX, pashë dhe fytyra të nemitura, por tashmë e gjitha kjo ishte histori. Po unë doja një kryq tjetër në muzg, një kishë, të bëja kryq, të lutesha… u lidha me Edēn time, fola nē celular edhe me video. Ajo s’mundi tē vinte, punẽt… por ēshtẽ gjithmonē me mua…

Rrota makinash i kalonin përsipêr atij kryqit në rrugë si gjithkund, zakonshëm, si harrimi, si pamëshirshmëria, asnjë makinë s’prishej befas aty, s’plaste asnjë gomë… mbase ndonjë zemër…si imja…

Edhe rrotat e makinës tonë kaluan aty me shpejtësi. Ura të mëdha dhe perëndim dielli si flakë… Qiellgërvishtëse të kaltra si qielli. Po kërkonim skulpturën e Syrit, t’i shpëtonim syrit të keq. Dritnajë. S’kishte më kryqe rrugëve. As president tẽ vrarẽ… Njerëz të lirë. Ishte mbrëmja e po kësaj date, kur unë u lirova… dikur… larg… nga burgu… 28 janar… kurrë nuk do të mund ta besoja atëhere, madje dhe mund të dukej çmenduri nēse do tē nē thoshin se në një datë të tillë do të ndodhte të vije në një qytet të madh në SHBA, në Dallas, do të shikoje vendin ku u vra Presidenti Xhon Kenedi, ngjarje që do të më trondiste në fëmijëri dhe mua, kurse të nesërmen e kësaj date, – e ç’rëndësi do të kishte viti, – do të përurohej romani im “Këpuca e aktorit”, këtu, te ky qytet, mes shqiptaro-amerikanēve. Kështu po bisedonim gjatë darkës me miqtë, me Taipin, me Xhabirin, Jani telefonoi se do të vinte më vonë, me vëllain e Taipit, Adilin e mirẽ, të zotin e restorantit, kaq të bukur, i tēri qelqnajē e me ndriçime të ëndërrta, me muzikë italiane. Do të vinin dhe Zonja e Adilit, edhe djali, Albani, të përplasnin gotat e verës me ne, “gëzuar!”, por do të largoheshin shpejt, ishin në krye të punëve dhe dihet sa shumë punë ka restoranti në mbrëmje.

Koha ikën, sidomos ajo e brendshmja, ngjan me atë shishen e verës mbi banak, të rrëzuar, që derdhte verë të kuq si gjak, po ajo ishte vepër arti dhe vera e derdhur ishte xham si kohë e ngrirë.

Çfarë hëne ishte jashtë, kur shkuam për në hotel, – i shkruajta prapē Edēs time, “Natēn e mirē” – një hënë aq e madhe nga ato që nuk harrohet, prani prej ari, hënë vërtet amerikane… jo, jo, je ti, ti…

Visar Zhiti

Filed Under: LETERSI

VATRA JU FTON NË PROMOVIMIN E VEPRËS SË SHKRIMTARES SABIJE DERVISHI VESELI

January 26, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” fton shkrimtarët, artistët, median dhe komunitetin shqiptar në promovimin e veprës së shkrimtares Sabije Dervishi Veseli.

Promovimi zhvillohet nesër ditën e shtunë më 27 Janar 2024 në ora 11Am në Selinë Qendrore të Federatës Vatra me adresë: 2437 Southern Blvd, Bronx, NY 10458.

Ekspertë të letërsisë shqipe, gjuhësisë, letërsisë moderne e përkthimit do të nderojnë me kumtesa e tyre këtë ditë të rëndësishme kulturore për Vatrën dhe komunitetin tonë.

Ju mirëpresim të gjithëve.

Filed Under: LETERSI

“Lindja, fëmijëria dhe rinia e klonit Nikolaus Bonadei”

January 25, 2024 by s p

FATMIR MAMO*/

Romani i ri i shkrimtarit Sh. S. Noé karakterizohet nga vazhdimësia për të sjellë tek lexuesit momentet e shpërbërjes së regjimeve komuniste, dhunës dhe persekutimeve të intelektualëve. Në këtë roman Noé, me stilin dhe talentin e tij, përshkruan momentet e para të rrëzimit të regjimit komunist në Bashkimin Sovjetik, kaosin por edhe dëshirën e një populli për ndryshim. Nën petkun e një shkencëtari, dhe me provokimin për të kryer një eksperiment klonimi, ai mjaft bukur tërheq lexuesin në këtë aventurë të mrekullueshme. Në brendësi të romanit lexojmë përshkrimin e një jete tashmë të integrimit midis dy kombësive, kulturave dhe mënyrave të jetesës, peripecitë dhe persekutimet për klonimin e atij lideri që hodhi hapat e para dhe krijoi komunizmin, që solli vetëm vuajtje dhe vdekje në pothuajse gjysmën e Evropës dhe e kushtëzoi për dekada. Në faqet e këtij romani shkrimtari përshkruan mjeshtërisht jetesën dhe integrimin, lindjen dhe vazhdimësinë e familjeve me dy kombësi, që tashmë eshtë një realitet. Ai nuk lë pa theksuar edhe paralelizmin midis regjimeve komuniste, sikur edhe ai në Shqipëri, ku persekuetuesit kishin ndërruar vetëm ngjyrat dhe emrin e partisë, vazhdonin të jetonin në të njëjtin ambient, me ato privilegje, duke përndjekur në një mënyrë të re ish-të përsekutuarit.

Leximi i romanit të Noé-së për mua ishte një eksperiencë emocionuese. Autori, në rreshtat e fundit te romanit, shkruan në mënyrë ngjethëse: Të pavetëdijshëm për transformimin që kishin pësuar, të gjithë shtynin vitet pa e kuptuar se nga një ditë në tjetrën ishin bërë alter ego-ja apo edhe kloni i vetvetes, ose më keq: kavie ekperimentesh në laboratorin e pamëshirshëm të kohës, të paaftë për të ndryshuar historinë e fatit së tyre. Murtaja e Kuqe e shekullit të njëzetë – më e keqe se ajo e vitit 1347 – ishte dobësuar, por nuk kishte vdekur. Ajo pandemi makabre vazhdonte ende të mbillte vdekje dhe shkatërrim, duke katandisur disidencën deri në atë pikë sa të dukej sikur nuk kish ekzituar kurrë.

Ashtu si banorët e tij, edhe Berati atje poshtë dukej si një hije e vetvetes, me natyrën e tij rebele të shndërruar në disfatizëm, në pritje të përhershme të një të Dërguari të Ri prej Qiellit që mund ta printe drejt ringjalljes jetën e tij mijëravjeçare”.

Incoscienti di quello che erano diventati, tutti tiravano a campare senza capire che da un giorno all’altro erano diventati forse l’alter ego, forse il clone di se stessi, passati come cavie nello spietato laboratorio del tempo, incapaci di cambiare il corso della loro storia.

La Peste Rossa del ventesimo secolo – peggiore di quella del 1347 – si era indebolita, ma non era morta. Quella macabra pandemia continuava ancora a seminare morte e distruzione, debellando la dissidenza fino a farlo sembrare inesistente.

Come i suoi abitanti, anche Berat laggiù sembrava l’ombra di se stessa, con la sua indole ribelle convertito in disfattismo, in attesa perenne di un nuovo Messia che potesse guidare verso il risorgimento la sua vita millenaria.

Të pavetëdijshëm për transformimin që kishin pësuar, të gjithë shtynin vitet pa e kuptuar se nga një ditë në tjetrën ishin bërë alter ego-ja apo edhe kloni i vetvetes, ose më keq: kavie ekperimentesh në laboratorin e pamëshirshëm të kohës, të paaftë për të ndryshuar historinë e fatit së tyre.

Murtaja e Kuqe e shekullit të njëzetë – më e keqe se ajo e vitit 1347 – ishte dobësuar, por nuk kishte vdekur. Ajo pandemi makabre vazhdonte ende të mbillte vdekje dhe shkatërrim, duke katandisur disidencën derinë atë pikë sa të dukej sikur nuk kish ekzituar kurrë.

Ashtu si banorët e tij, edhe Berati atje poshtë dukej si një hije e vetvetes, me natyrën e tij rebele të shndërruar në disfatizëm, në pritje të përhershme të një të Dërguari të Ri prej Qiellit që mund ta printe drejt ringjalljes jetën e tij mijëravjeçare.

*Rreth romanit te Shpend Sollaku Noé-së: “Lindja, fëmijëria dhe rinia e klonit Nikolaus Bonadei”. (“ Nascita, infanzia e gioventù del clone Nicolaus Bunadei”).

Filed Under: LETERSI

RREZE NGA DRITA E KOLOSIT MARTIN CAMAJ

January 24, 2024 by s p

KOSTA NAKE/

MES VARGJEVE KU NDIHET MUNGESA E ATDHEUT NATYRA SI SEND DHE SI SHPIRT

(Vepra 4, Onufri 2010, vëllimi poetik “Njeriu më vete dhe me të tjerë”)

Duke lexuar vëllimin poetik të Camajt, gjëja e parë që mund të kujtosh është kontrata e propozuar prej Faik Konicës për ta shpallur gegërishten si gjuhë të poezisë. Ky dialekt ka një lakonizëm karakteristik të fjalës dhe fjalisë që i jep një peshë më të madhe mendimit dhe një tingëllim më të bukur ligjërimit. Vëllimi është fryt i frymëzimit nga përditshmëria që zbulon një shpirt të ndjeshëm ndaj njeriut dhe një sy të vëmendshëm ndaj natyrës. Më erdhi e veçantë poezia “Larg atyne që flasin si unë” (f.105) jo vetëm se sjell një gjendje të veçantë shpirtërore të poetit, por edhe shpjegon edhe disa peizazhe të vëllimit që duket se nuk janë të atdheut.

“Jam larg atyne që flasin si unë/ sa hana që bie prej rrezje në rreze/e pi qumësht n’vedra lanun jashtë/ për me vu maze./ Hutini i shkambit n’agim/ dhe guri n’ujë përpijnë tingullin/ e kuvendit të keq: n’agim/ njeriu bekon diellin si unë.”

Kësaj po i bashkëngjit edhe poezinë “Ime amë”, (f.54) që thotë gjithçka vetëm në dy vargje, dramën e madhe të ndarjes së detyruar nga familja:

“Je barrë e vrame/në parzmin tim.”

Edhe poezia “Nji poeti të sotëm”, (f.67) mund t’i gjejmë një rrembë autobiografike tek deklarimi:

“Zemra/ndonëse nën shtatë lëkura/akull.” 

Autori do të fokusohet sërish te poeti në një rrafsh më të gjerë te poezia “Zgjimi i poetit,” (f.96), por këtë duke parë te mjedisi si brumë i produktit të tij letrar:

“Ulet balli e prek zemrën e lules/ e çelet nji botë e tanë/ para tamthave të kunoruem mbi nji letër/resh të ngjyeme në diell./…Poeti tret në pusin e pafund/ të ngjyrave si grunë e si diell.” 

Duke qenë shumë afër studios së poetit, mund të ndalojmë pakëz te “Nji libër në pergamenë”, (f.90) dhe vlerësimin e madh për altarin e mendimit të materializuar në letër:

“Në mjedis shndriste tempulli/ i librit n’pergamenë – biblioteka/ me fekse idesh madhështore/ në ballin e gjanë të shekullit.” 

Ndër poezitë që vendosin në qendër njeriun mund të veçoj “Nata e koncertit”, f.39, për përjetimin e artistit gjatë ekzekutimit të veprës muzikore:

“Gjindja vrapon kah dritaret e tingullit/…dirigjenti s’pau tjetër pos tingujsh/ të ndezun brenda nji rrotulle terri.” 

Poezinë “Akrobatja”, (f.43) për artin e interpretimit dhe pikën e vështrimit:

“Akrobatja në fillin e penit/ u kapet reve përpjetë me fletë dragoni/nën sjetull/

e me thembra ari të kulluet.” 

Poezinë “Çka i duhej Uliksit Iraka pa grue?” (f.49) me një qasje të re ndaj temës së antikitetit, një raport i njeriut me atdheun që kalon përmes një lidhjeje të fuqishme shpirtërore, dashurisë, prej ku ngjizet dhe mbahet në këmbë familja.

“Uliksi e Itaka pa grue – dy krena binjoke dhie/ me një bri të thyem: punë e pakryeme.” 

Poezinë “Fragment”, (f.71) për detajet e saj tronditëse: qiellin e atdheut, kripën e varfërisë, mjeshtërinë e punimit të gurit për mbijetesë:

“Niset për gurbet punëtori/ me nji copë qielli në krah/ e krypë deti në kutia pishe/ Në dorë mban nji bahe/ e gur lumejsh në gojë/ në vend të bukës.” 

Poezinë “Lutje për foshnjën në gjumë”, (f.80) me vargje kulmues të dashurisë dhe kujdesit për fëmijën:

“Ti që nuk fle,/mos e le pllumbin me fluturue/përtej murit të dritës/larg kurmthit që fle.” 

*

Vendin kryesor në këtë vëllim poetik e zë natyra me gjallesat e saj. Sytë që ndrisin si dy pika uji dhe kënga që pikon në terr:

“Këndon qokthi ndër rreze:/sytë, dy pika uji, ndrisin dhe kanga/ pikon në luginë, në terr./…Kqyre këtë tingull që ra/ e plasi në gurë.” (Mospërfillje, f.41)

Një peizazh mahnitës me një mungesë lisash që të bën të mendosh mungesën e vendlindjes:

“Në mjesditë u shkoq pylli,/ mollza e faqes, e ra në lumë./ Ra dielli e ndriti dhenë e ri,/ rrajë të shkyeme, lisa të përçamë/ e sosjen në vetëdijen time./ …vend i brishtë, ku t’i fshehim sytë/ në ballin tënd pa lisa?” (Mal i rrëxuem, f.47)

Një bukuri që nuk do të perceptohej si e tillë pa bashkëjetesën me bukurinë femërore, një paralelizëm i varur mbi dy krahë krahasimesh:

“U plasarit reja si rrëshiq/ e kullon ujë ndër flokët e grues,/ parzmit e deri në vithe:/ dhimba shkrihet si bora e re/ e i kërkon shtatin dheut.” (Nji ditë vape, f.81)

Ja dhe një tjetër përqasje:

“Nata verore e bukur sa ti/ përgdhel hijen e ballit,/ sjellë kah deti pa dritë.” (Hylleshë e natës verore, f.93)

Sërish një paralelizëm magjepsës mes hijes së gështenjës dhe pllakave të varrit:

“Hija e gështejës ia mbulon vorrin/ ma e randë n’mendim/ se rrasa e shkambit mbi të.” (Hija e gështejës, f.87)

Përjetimi fëminor i dimrit vjen me një shi metaforash që soset te breshëri i grimcave të borës që duken si pjalm:

“Dimni tinzar i vodhi skitë/ e shket brijave me to flutrim/ mbi lisa me orë/ pa ra nji herë mbi borë./ Fejtë e akullit pëlsasin/ nën brijtë e dimnit tue ra/ mbi shtroje n’mëngjes/ e dielli zhytet si gurë n’ujë/ mes breshnizës t’ pjalmit. (Andrra e fëmijës ndër ski, f.89)

Hëna që nuk mund të mungojë në poezië e poetëve, këtu vjen me një personifikim të goditur:

“Hana/mbasi të ketë prendue gjithkund/ ndalet pakëz në dritare/ e kuvend me njerëz të frikës/ prej syni të keq.” (Katund i lanun mbas dore, f.92)

Tonin e trishtë që përshkon vëllimin nuk mund të mos e mbyllim po kështu:

“Gardhi i rrëzuem mbi shteg/ e qafa malesh përreth/ të mbylluna me dhambë ujqish/ në jerm.” (Kallnori apo vetmia, f.107)

RRATHËT BASHKËQENDRORË TË RIPËS

(romani “Rrathë”)

Në vepër fjala “rrathë” përdoret në dy rrafshe kuptimorë, në kuptimin e drejtpërdrejtë fizik si përftim natyror dhe në kuptimin e figurativ dhe simbolik.

Rrafshi më i plotë në kuptimin e parë: “Tue i kundrue mirë e mirë zbuloi se rrathët e dheut, si rrathët e landëve natyrore në përgjithësi, nuk ishin të përsosun… Novelisti i ndiqte me sy për të diktue nëse hijet e avullta të rrathëve tue u imtësue përmbanin shtresa të ndryshme: si rrathë ylberi u thye para tij hija… Mbylli sytë dhe nisi të ndërtonte në përftyrim rrathë të përsosun ngjyrë zjarmi, ylberë mbas ylberësh, breza-breza prej dheut deri në qiell.” (f.146)

Ky përdorim shërben vetëm si paradhomë për të na çuar në thelbin e romanit. Bardhi Pira, ose Përgjegjësi, “…zente një vend të zgjedhun mbrenda sistemit me gjithë ata rrathë që lëviznin aq vrullshëm sa me t’i vra sytë veçse tue i vërejtë. Mbrenda në sistem ai kishte një mori shembrash që do të banin çmos ta shihnin tue fluturue si meteor në qiell të shkëputun nga sistemi, por kur e vërenin se me çfarë zotësie akrobati e mase këcente prej rrethi në rreth mbrendapërbrenda sistemit, nga çdo anë i buzëqeshnin me adhurim.” (f.40-41)

“Merre me mend kuvendin në ndejet e rrathëve të naltë të atyne që sundojnë. Në rrathët e naltë janë të shtrënguem të ulen ballë për ballë në kuvend njerëz me prejardhje punëtorë, fshatarë, bile edhe borgjezë…”(f.93)

Siç duket nga citimet, rrathët këu janë sinonime të klasave dhe shtresave të shoqërisë që nuk përcaktohet me terma politikë, por nënkuptohet se jemi pas çlirimit dhe ka ndodhur një ndryshim i madh që shprehet artistikisht me antitezën parafjalore “andej dhe këndej malit.”

Katundi Ripë me tri pjesët e tij kthehet në simbol të një prone që duhet vënë nën kontroll dhe të merret në zotërim. Në se e tjetërsojmë në një syprinë ujore, mbi të hidhen gurë të madhësive të ndryshme që formojnë rrathët e ndikimit të tyre mbi psikologjinë e malësorëve. 

Guri i parë i madh që pritet të hidhet, është dërgimi i traktorëve në bashkësinë e saj bujqësore që nuk është thjesht ndryshimi i teknikave të lërimit e mbjelljes së kulturave. “Zhurma e traktorëve të parë jo vetëm duhet të zgjojë nga gjumi shekullor njerinë e Ripës, por lypset që ta trandë atë, ta shkundë që të bien prej tij të gjitha frytet e kalbëta të kalesës, doket dhe zakonet e vjetra e besimet tytëse çdo rigate.” (f.87)

Drenashi, një nga karakteret e veprës, çon gishtin prej ballkonit e gërthet kërcnueshëm: “S’ka zot që e ndal mekanizimin e vendit! Rrota e historisë nuk kthen mbrapa edhe sikur të çohen të gjithë fetarët e shtrigat e dheut me ganecat e tyne bisht përmbas!” (f.315)

Lufta e klasave dhe qasjet e kundërta ndaj besimit kanë depërtuar edhe brenda familjes siç ndodh mes Bardhit dhe Drenashit, i pari pjesëmarrës në luftë dhe tani drejtues i një gazetë lokale është në luftë të heshtur kundër atyre që nuk e pranojnë sistemin e ri politik; tjetri zgjidhet kryetari i një sekti fetar që mblidhet dhe funksionon ilegalisht. Bardhi dyshon për sabotim te gjithkush dhe në gjithçka, madje edhe për të vëllain thotë “Secili prej nesh duhet ma parë të spastrojë rrugën para derës së vet.” (f.310) 

Guri i dytë që hidhet drejt syprinës së Ripës është Baci 70-vjeçar, ndryshe Fokloristi, i cili e fal vilën e vet në bregdet për ta kthyer në muze dhe shkon në Ripë për të vazhduar punën shumëvjeçare për mbledhjen e folklorit dhe mbrojtjen e traditës. Vrasja e tij shënon tretjen e rrathëve të kulturës popullore.

Guri i tretë që mendohet se do të bëjë rrathë është Cubi, apo Hija, apo ilegali që shkon të gjejë strehë në Ripë pasi ndaj tij është lëshuar në ndjekje struktura shtetërore. Rreziku prej tij jo vetëm që mbetet hipotetik, por i hidhet një tis misteri si lajm i rremë. Takimi i tij rastësor me Agonin që natën e dytë të shërbimit tregon edhe natyrën e vërtetë të njeriut që është kundërshtar pikëpamjesh dhe jo vrasës.

Guri i katërt është Agoni, i quajtur edhe Novelisti, punonjës i Fletores së qytetit që dërgohet për të bërë reportazhin për mbërritjen e traktorëve në Ripë, njëkohësisht të zbulojë qëndrimin e banorëve ndaj ilegalit. Duke qenë me profesion agronom, Agoni kthehet në njeri të dobishëm për katundin, por duke mos e kryer detyrën e zbuluesit operativ, i komunikohet lirimi nga detyra e gazetarit, gjë që e bën njeri të lirë: “Do t’i ngjitem brijave deri këtu, në kufijtë e dy botnavet dhe do të lëshoj kushtrimin që ta marrin vesh të gjithë se due me jetue në të dy faqet e malit, këndej e andej, si mbas andës… Problemi kryesor asht përmbytja në detin e pakënaqësisë me veten tonë e me tjerë, me rrethin kular në qafë me të marrë frymën.” (f.415)

Agoni rritet si karakteri kryesor i veprës dhe pas kalvarit të vuajtjeve atij i rezervohet një fund i lumtur: takohet me Sosen që dikur e quajti Blegë dhe donte ta merrte me vete “nga faqja tjetër e malit”, mëson se nga akti i dhunshëm ka një djalë me të i cili u bë regjisor duke e çuar përpara udhën artistike të babait të panjohur.

Një gur i pestë që përfton rrathë është Markoci, i quajtur Shkrimtari, i cili bëhet zëdhënës i autorit kur thotë: “Mbas pjekjes së disa kushteve të caktueme, gjaja e re hyn në katund natën si vjedhës, jo ashtu bujshëm si makinat bujqësore.” (f.375) Shkrimtari e thyen atë kujdesin në rrëfimin e gjërave kur zbulon qasjen e popullit ndaj pushtetit: “…qëndrojnë përpara një njeriu të vramë, ilegal, po thonë, dy policë, sikurse i quen populli, dy bythëzez dhe dy nëpunës të komunës, edhe ata dy korrozez.” (f.404)

Rrethi i fundit përfaqësohet nga regjisori i ri që shfaqet para Agonit së bashku me nënën Sose, 20 vjet pasi ka filluar ndryshimi në katundin shqiptar që përveç traktorit i ka bërë njerëzit të flasin me gjuhën e gazetave. Autori parasheh ndryshimin. Dorëshkrimi i Agonit kthehet në pjesë teatrale për fëmijët dhe mirëpritet. Regjisori përdor fjalë të huaja në komunikim si punojmë në “team” dhe kukullat punohen prej shembujve “ex vero,” çka nënkupton një hapje ndaj botës. 

NJË CIKLËL POETIK TJETËRLLOJ

(Vepra 6, Onufri 2010, “BUELLI”)

Në alfabetin fenikas shkronja A lexohet alef dhe do të thotë buall. Edhe forma e kokës së buallit, e stilizuar, i ngjan shkronjës A. Kjo shkronjë lidhet edhe me njeriun e parë të Zotit sepse Adamit i fillon emri po me këtë shkronjë.

E kisha ndeshur mbiemrin Mekshi në Pishkash të Librazhdit, por duhej të lexoja Camajn që të zbuloja se mekshi qenka bebja i buallicës. Sakaq kthehem në vendlindje, sepse im gjysh mbarështonte byej dhe buallica dhe çdo vit bënte kurban një buall njëvjeçar në vendin e shenjtë të Inonishtit. Nuk e di në se kjo kishte lidhje thjesht me bektashinjtë, apo shkonte edhe më thellë në kohë me vetofrimin e buallit si ushqim për njerëzit. Nga Devolli hidhem në Shkodër ku poeti kërkon origjinën e malësorëve të Veriut te bualli që gdhend gurin, bashkë me poetin i bien me not lumit të kohës që rezonon me lumenjtë e antikitetit. Fillon e formësohet një legjendë që niset nga thesari mitologjik i vlerësuar si kafsha më e shenjtë në tokë. Këtu fillon e flatron poezia. Poeti ka bërë këtë zgjedhje, jo vetëm se e gjen atë edhe si emër mali në rrafshin lokal, por edhe te simbolika e buallit si manifestim i dëshirave tona, si element i tokës si planet, simbol i trimërisë mirësisë, forces dhe respektit.

Kau dhe bualli ishin një fis pastaj u ndanë: kau mori kodrat, bualli ujërat.

  Mekshi mundet me qenë djalë fis/gurgdhendës ose/ shoku i atij që i bie lumit m’not/për dritë të hanës/ e s’i shtrydhet kamba gjak/ tue ecë shtatë male zdathë/dhe mbasi të pushojë shiu/ylberi me dorë të vet i ven/shtatë ngjyra mbi krye. (f.62)

Pastaj vjen çasti i shpalosjes së forcës që shkon plotësisht me elementët legjendarë dhe që në kushte natyrore është sa për dy qe së bashku:

Si e lidhën me krye për lis/ buelli priti e priti/ kur ku po i bie tuni spatës në ballë./ Dy burra i shtinë dy shtylla/ ndër kambë/ dhe i treti i lidhi herdhet për drugë./Vetima e marsit i plasi ndër sy,/ këputi leqe, rrxoi lisin,/theu shtylla, vrau njerëz e iku. (f.65)

Fundi i legjendës:

Plasi vetima në Malin e Thatë…/Buellin tim e mori bri më bri/kokrra e zjarmit nën mriz./Erdhi era tym lëkure të djegun/ e shkrum ashti ndër gur/ dhe askush s’e hangri mishin/ e vramë rrufeje në Qytetin e Ri/ e askund. (f.79)

Filed Under: LETERSI

A ka dramaturgji shqipe?

January 23, 2024 by s p

Behar GJOKA/

Rastësia e solli që këto ditë të shijoja komedinë “Vdiq mbreti-rroftë mbreti” vënë në skenë nga teatri kombëtar, të autorit Ferdinand Hysi, nga të paktët autor që vijon ta lëvroi dramatikën e shqipes. Rastësitë dhe kënaqësitë paska raste që përputhen dhe ndërkaq të vënë në mendime, mbi fatin e dramaturgjisë shqipe. Komedia Vdiq mbreti-rroftë mbreti, vënë nga teatri kombëtar, për lojën e bukur të aktorëve, për skenat dhe mizaskenat regjizoriale, por edhe për ndërfutjen, në masën e duhur, të tipareve të teatrit muzikor, dhe të lëvizjeve koreografike, vjen me kualitet. Them kështu, nga emocionet e forta që provova, si dhe nga efekti çlirues, që krijoi shfaqja në sallën e tetarit. Regjizorja, aktorët, skenografia, duhen përgëzuar jo vetëm që kthyen kokën nga dramatika shqipe, por edhe për një shfaqje cilësore, në tërësinë e marrëdhënieve artistike.

Në lidhje me dramatugjinë shqipe, jemi në një situatë të debatueshme, ka teatër shqip në Tiranë, Prishtinë, Shkup, apo në disa qytet të Shqipërisë dhe të Kosovës etj. Megjithatë, në secilin prej këtyre teatrove, më tepër vihen drama të autorëve të huaj. Nuk është e keqja e madhe te vënia në skenë e dramatarugjisë botërore, që dihet se ka suksesin brenda, gati të garantuar, ndonëse jo gjithherët realizohen si shfaqje. Problemi qëndron në anën tjetër të medaljes, në fatin e dramaturgjisë shqipe, ajo që është, me nivelin e dëshmuar në tekste, mbetet në hije, pra e pajetësuar në skenë. Duke mos u vënë në skenë, pra duke munguar në sprovën unike me teatërdashësit, dramatika e shqipes, fiket dhe zhduket nga skena. Debatit të kahershëm, të zhvilluar në mes regjisoreve dhe aktorëve, në jo pak raste, në mungesë të autorëve, të eksperimenteve të leximit të teksteve të shkruara në gjuhën shqipe, që duhet zhvilluar, nuk ia kemi dalë, që të kemi një ekulibër në mes teatrit shqip dhe dramturgjisë shqipe.

Jemi në fillim të fillimit, sepse mbizotëron mendimi se nuk ka dramaturgji shqipe, aq sa nevojitet, dhe mbi të gjitha me nivel të ngritur estetik, prandaj me sa duket, do të mbahet në këmbë teatri shqip, me vepra të huaj. Arti dhe letërsia, pra edhe drama nuk kanë atdhe, por farktimi i dramaturgjisë, pavarësisht gjuhës, hapësirës, kohës së shkrimit, ngjet në skenë, aty ku njerëzia, prek realitetin e përditshëm, ndonëse të përthyer në konvencat artistike, si dhe shijon makthet dhe arritjet. Debati për praninë e dramaturgjisë shqipe, duket se më tepër i ka mbetur ora, te një pargjykim i studimeve letrare, të moteve të realizmit socialist, se dramaturgjia është më e prapambetur se gjinitë e tjera. Kjo rethanë dhe qasje, e mangët dhe e ngushtuar, ndërkaq ndërpreu zhvillimin organik të letërsisë, pra edhe të dramaturgjisë, të veprës së Santorit, Gramenos, Çajupit, Nolit, e sidomos të Haxhiademit etj. Edhe dramaturgjinë, ashtu si letërsinë dhe mendimin verifikues, e futën në shtjellat e dobisë së sistemit, të nevojës për të propaganduar, fitorjet në humbje të monizmit, dhe shumëçka u vu në shërbesë të ideologjisë së kohës. Baza e nisjes së debatit, përmbi mungesën e dramaturgjisë, e vendosur në pargjaykimin se mungon, së është më e prapambetur, krahasuar me gjinitë dhe zhanret e tjera, kam drojë se ndikoi për të mos parë veprën e gjerë dramatike të Kasëm Trebeshinës, veprën e larmisë dramatike të Teki Dervishit, tekstet e përveçëm të Anton Pashkut, Beqir Musliut, Martin Camajt, tekste e ndaluara të Minush Jeros e Kujtim Spahivolit. Pra, pa dalë prej rrathëve të paragjykimit, të optikës verifikuese, si e prapambetur, nuk ka shanse që debati për dramaturgjinë të jetë real dhe dobiprurës, për shpluhurosur tekste e shkruara, si dhe për të krijuar një atmosferë tjetër, të marrëdhënies organike, të dramaturgjisë me teatrin shqip.

Pyetjes së shtruar në krye, sa a ka dramaturgji shqipe, do të duhej që t’i përgjigjeshim me argumentin e leximit të teksteve, e rrëmimit nëpër dorëshkrime, e një përpjekje që teatri, i problemeve të njeriut shqiptar, pavarësisht se ku jeton, të jetë pjesë e udhëtimit drejtë qytetërimit, ku teatri, komedia, drama, jo sho, që synon marrjen e vëmendjes dhe të kohës, e jo ndikimin për të shijuar katarsën. Shfaqja e komedisë “Vdiq mbreti-rroftë mbreti”, e parë si tekst, pra si pjesë e dramaturgjisë shqipe, ku zbulojmë ligjërimin e poezisë dhe të dialogut identifikues, më tërhoiq. Po kaq, realizimi i disa karaktereve që të mbeten në mendje, si pjesë e marrëzisë ku endemi, si peng i kohës që kalon, pa të sotme dhe të nesërme, veprimet dhe situatat dinamike, japin shpresë dhe një mundësi për të hetuar dhe shijuar, praninë e dramaturgjisë shqipe.

Njeriu i kohëve moderne, ka nevojë për shumë gjëra, por koha nuk i mjafton për ta shijuar dhe zbuluar botën, aq me tepër për të lexuar libra. Dramatrugjia, komedia, drama apo tragjedia, ka dy rrethana mbijetese, të jetësohet në skenë, që nuk të merr shumë kohë, për të përthithur vlerat e endura, dhe të ndikojë në procesin e përjetimit të katarsës, që ruan marrëdhëniet me humane dhe me civilizmin. Komedia Vdiq mbreti-rroftë mbreti, të merr disa momente, duke të dhuruar kënaqësi, por vetiu ndikon për të menduar që edhe nëse nuk ka dramaturgji shqipe, tepër e diskuteshme, të nxiten politikat kulturore për ta vitalizuar atë, si pjesë e jetë së njeriut, si paqyra ku kundrohesh në pak kohë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 66
  • 67
  • 68
  • 69
  • 70
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT