• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Narrativiteti i Naum Priftit në favor të hapësirave të reja komunikuese

March 23, 2024 by s p

Prof. Ermira Alija/

Tema ime mori shkas nga gjurma që kishte lënë tek unë perceptimi i dikurshëm i tregimit “Njeriu që ndiqte kuajt” dhe filmit “Pylli i lirisë”; tekst shumë i njohur dhe film shumë i shikuar në atë kohë. Qoftë kur kam lexuar tregimin, qoftë kur kam parë filmin, kam ndier një skarco (rrëshqitje bosh) brenda vetes dhe nuk e kam kuptuar mirë marrëdhënien e zgjeruar të personazheve me kafshët dhe natyrën. Ishte një hapësirë që më ka lënë gjurmë, ndoshta në pritje të një emërtimi a komunikimi të mëtejshëm … gjë që, siç kam mësuar më vonë, e bën letërsia e mirë. Nga ana tjetër, në këtë lidhje, më ka tërhequr vëmendjen edhe raporti i narrativitetit të të njëjtit subjekt nga letërsia dhe kinematografia, gjë që ka ndodhur me disa vepra të Naum Priftit, por ku do të veçoja për arsye të raportit me natyrën, tregimin e filmin vizatimor “Pika e ujit”. Interesi për këtë përballje ka mbetur gjerësisht edhe sot e gjithë ditën. Por në kuadrin e asaj që parashtruam më sipër, kjo çështje për mua shtronte edhe një pyetje: A kishte ndonjë lidhje ky raport me skarcon që ndieja dikur?

Mendoj se një nga faktorët që e dallon një shkrimtar, është fokusi ndaj objektit të vet të shkrimit. Vetë shkrimtari, Naum Prifti, në një intervistë të 2010-ës, kur iu bë pyetja: “Cila është sfida për të shkruar?” iu përgjigj se është … shtyrja e vetvetishme … për të shprehur ndjenjat e tua[1]…

Mendoj se çdo shkrimtar i vërtetë, në periudha diktaturash më tepër, por jo vetëm, përkundrazi gjithmonë, sfidën e madhe e ka me ruajtjen e vetvetishmërisë apo ngasjes (siç e quan Bogdani), si nevojë e brendshme për të dalë prej përmbajtjeve të formalizuara. Kur Carl G. Jung flet për kërcënimin e individit në shoqërinë bashkëkohore, thotë se: Masa e shtyp edhe aftësinë e mundshme të secilit veçmas për të shikuar dhe menduar realisht, ajo i tërheq në mënyrë imponuese drejt tiranisë doktrinare dhe autoritare.[2]

Një rrëfimtar është i detyruar të fokusohet diku. Fokusi është tregues i parë për shkrimtarin.

Tek “Pika e ujit” Naum Prifti ka vendosur një vajzë në një pikë uji, duke projektuar jetën e njeriut mbi jetën e molekulës (botës inorganike). Kurse tek “Njeriu që ndiqte kuajt” ka projektuar jetën e një qenieje shoqërore mbi raportin me natyrën:

… Ata që ishin në gjendje të mirë … shkonin në kafene, uleshin nëpër tryeza,…Vlashit s’i mbushej mendja të ulej në atë vend. I kërkonin me të vërtetë një diçka të rëndë që s’mund ta bënte.

Fokusi i rrëfimit të Naum Priftit është shumë i gjerë. Tek “Pika e ujit” ai lëviz horizontalisht nga shpella në përrua, në lumë, kalon urën, qytetin e shkon deri thellë në det…, kurse vertikalisht nga errësira e shpellës së malit në thellësitë e ujrave të detit dhe pastaj mbi re e … rikthehet… thuajse si  cikël jete. Edhe tek “Njeriu që ndiqte kuajt” hapësira perceptive është përsëri e gjerë dhe jo e zakonshme për njerëzit. Është si një ripozicionim i njeriut në natyrë. Ruajtja nga sugjestioni masiv e epidemia psikike, ruajtja nga masivizimi individit, ruajtja e individit si unikal, si talent irracional janë karakteristika të këtij krijimi.

Vlashi (personazhi kryesor) zhvendoset pjesërisht nga marrëdhëniet shoqërore: ai edhe … kur qëllonte që e pyesnin, në kish hasur filan njeri, përgjigjej kurdoherë me një farë dyshimi, pa qenë i sigurt: “Sikur e pashë…” – thotë shkrimtari duke vazhduar të japë detaje të kësaj marrëdhënieje minimaliste me jetën shoqërore:

–       Ke para? – e pyeti tregtari…

–       Ku i gjeta unë paratë? – ngriti supet Vlashi, sikur të ishte habitur nga kjo pyetje.

Një pjesë e kritikës është munduar ta ndriçojë këtë zhvendosje të personazhit me personin real nga është frymëzuar Naum Prifti. Por përtej kësaj, Fromm mendonte se … Vetë fokusi i perceptimit shpreh në mënyrë indirekte pulsimet e njeriut[3]. Duke e parë letërsinë si përthyerje në psikë të një realiteti, vëmë re se Naum Prifti paraqet nga afër veprimet e personazhit kryesor, Vlashit dhe në momente të caktuara duket se bëhet një me psikologjinë e tij: Zgjedhja e formës së përshkrimit, fjalët e autorit rrëfyes dhe mënyra si shkrihen me fjalët e personazhit, tregojnë shumë.

Ka pasur përsëri në kritikë mendime, të cilat raportin e Vlashit me kalin e argumentojnë si raport superior të njeriut në raport me kafshët. Janë mendime që nuk mund të refuzohen, por përsëri do të donim të shkonim më tej:

Pavarësisht se tregimi në pikëpamje strukturore ka argument shtytës kapjen e kalit, ai në tërësinë e vet është si një hymn për mrekullinë e natyrës me gjithçka ka. Vlashi duket si personazhi që jeton një marrëdhënie harmonike me të, ndryshe nga njerëzit e tjerë që … rrufisnin kafenë me zhurmë dhe hapnin biseda të kota e të pambaruara …

Përshkrimet e raportit të Vlashit me natyrën dhe kafshët janë si gjurmë të mbetura të gjuhës së përgjithshme të komunikimit të të gjitha qenieve: … Prapa, me hapa të shpejtë e të vegjël, e ndiqte shoku i tij, Arapi, një qen me qime krejt të zeza e me veshë të varur.

…Arapi e shikoi Vlashin në sy, duke u munduar të kuptonte qëllimet e të zotit. Ai tundte bishtin pa pushim dhe priste urdhër.

–       Prit, prit, – i foli Vlashi qenit, – akoma s’e kemi gjetur atë që kërkojmë.”

–       Mos ki frikë, o bir, mos ki frikë, – u mundua ta qetësonte Vlashi, duke i shkuar dorën mbi kurriz. Kali ndjeu ledhatimin e dorës dhe u tulat i nënshtruar…

Vlashi u ul pranë tij dhe i foli:

–       Tani e kemi hak të çlodhemi, se u këputëm. Këtë që pësova sot nga ti, s’e kam pësuar nga asnjë kalë tjetër…Tani do të rrimë pak këtu…dhe do të shkojmë në fshat, se na presin. Kam edhe gruan sëmurë…

Nëse frika e kafshëve vjen si rrjedhojë e zhvendosjes së tyre nga habitati natyror, Fromm shkruan se, kur një simbol është jashtë nesh, është po ai që simbolizon diçka brenda nesh[4]. Ky lloj konceptimi, mendojmë se nuk është thjesht dalje nga recetat e kohës, por nënkupton një marrëdhënie te thellë shumështresore të shkrimtarit me jetën, gjë që jep mundësi për interpretim shumëdimensional.

Fakti që Naum Prifti konvencionalizon në mënyrë të tillë, jo vetëm tek personazhet që përmendëm, por edhe te krijime të tjera, si: “Stika”, “Krehër për peshqit”, “Çesma e floririt” etj., është një tregues i intuitës së autorit që don ta konfirmojë qenien njerëzore prej një thellësie konceptuale… Nga ana tjetër, kjo tregon thelbin e fiction-it të Naum Priftit që i rri krejt mirë letërsisë së tij që nuk vë kufij me letërsinë për fëmijë.

Ndërkohë që Naum Prifti shkruante “Njeriu që ndiqte kuajt”, Konrad Lorenc (Laureat i çmimit Nobel në vitin 1973), një prej themeluesve të etologjisë, në autobiografinë e tij citonte se: “Dëshira për të mbajtur një kafshë buron nga lidhja e gjatë me natyrën. Kjo lidhje është analoge me ato funksione të njeriut, si emocionet e dashurisë, shoqërisë së pastër dhe ndershmërisë[5]”. Ndërkohë që vazhdonte se: “Konkurrenca midis qenieve njerëzore shkatërron me brutalitet të ftohtë dhe djallëzor… Nën presionin e kësaj furie konkuruese, ne jo vetëm kemi harruar atë që është e dobishme për njerëzimin në tërësi, por edhe atë që është e mirë dhe e dobishme për individin.  

Frojdi flet për artin që ndihmon për të kapërcyer barrierat që lindin midis çdo Uni të veçantë dhe të tjerëve[6]. Ne mendojmë se këtë Naum Prifti si shkrimtar, e realizon duke ndërtuar një raport dinamik jolinear mes kohës absolute dhe aktualitetit, nëpërmjet pamjeve të plota, të cilat bëhen ide për shkrimin e skenarëve ose bëhen vetë skenarë.

Në karakteristikat për skenarin Béla Balázs shkruan: …Në film, siç e kemi thënë disa herë – gjithçka që shihet e dëgjohet projektohet në imazh në të njëjtin rrafsh së bashku me njeriun dhe formohet një material figurativ homogjen[7]… Kurse Wegner thotë se …të gjitha fakultetet që merren me studimin e kinematografisë në universitetet amerikane e kanë zanafillën tek fakultetet që janë të përkushtuara studimit të fjalës;… Pa dyshim, fjala e shkruar është e menduar gjithnjë të jetë më shumë se një mjet komunikimi[8]…

Nuk e di nëse ka botime të skenarëve ndër vite, por një krahasim i këtyre tregimeve dhe skenarëve përkatës do t’i bënte nder letërsisë dhe diskutimit mbi ndërdisiplinaritetin e arteve.

Vetë Naum Prifti rrëfen se: …Tani, pas shumë e shumë viteve, mendoj se kam qenë tregimtar i lindur, edhe pse kam shkruajtur në disa gjini.  …Shpesh dashamirët më quanin Çehovi shqiptar dhe kjo natyrisht më përkëdhelte sedrën, po ndërkohë e ndieja se kahjet tona ndryshonin. Çehovi vinte buzën në gaz e tallej me çdo gjë të shëmtuar të jetës ruse, ndërsa unë përpiqesha  të zbuloja anët  pozitive …

Nëse lidhim fjalët e shkrimtarit me përmbajtjen e përgjithshme të tregimit, ne kuptojmë se rikthimi tek natyra nuk është rastësi, por një përpjekje e shkrimtarit për të zbuluar thellë tek ajo të mirën dhe të bukurën e humbur nga njerëzit, gjë që tingëllon aq aktuale edhe sot:

…Po natyra bujare sikur kish dashur t’i shpërblente banorët me diçka tjetër dhe në vend të tokës me vlagë, u kish falur një pyll të dendur… Sado që ai ishte një pyll i mahnitshëm, me kurorat e vgjerit dhe të artinjave si çadra, që merrnin nën mbrojtje pemët e tjera më të vogla, bukuria e tij as që përmendej fare, sepse s’i hynte askujt në punë…

Kurse Mieke Bal thotë se … rrëfimet e vogla janë të vetmet që kanë rëndësi… unë nuk mendoj se ato i kanë zëvendësuar narrativat e mëdha … përkundrazi mendoj se kanë qenë gjithmonë … të strehuara … siҁ strehohet një kulturë e shtypur nga një e lulëzuar, për të lehtësuar komunikimin e ideve[9].  

 Është e vërtetë që, siç thoshte Naum Prifti, letërsia e mirë e ka jetën më të gjatë se të autorit, ashtu siç jemi të bindur sot se letërsia e Naum Priftit do të jetojë aq gjatë sa kërkimi i tij i thellë në shpirtin e jetën njerëzore.


[1] https://www.gazetatema.net/kulture/in-memoriam-naum-prifti-mjeshter-i-rrefimit-dhe-i-dialogut-i394697

[2] Carl G. Jung, Psikologjia analitike, Sh. B. “Fan Noli”, Tiranë, 2006, fq 86

[3] https://www.ifefromm.it/rivista/2014-xx/1/interpretazione/12.pdf

[4]https://www.ifefromm.it/rivista/2014-xx/1/interpretazione/12.pdf

[5] https://veterineret.com/per-dashamiresit-dhe-pronaret/2652-2/

[6] Sigmund Freud, Psikanaliza e artit dhe e letërsisë, Dituria, 2000, fq 26

[7] Béla Balázs, Filmkultura, Albin, Tiranë 2008, fq 258

[8] Hart Wegner, Lamtumirë fjalë, botimet ideart, Tiranë 2006, fq 67

[9] Revista Simbol, nr 5, Tr-Pr-Shk, 2015; pjesë nga intervista e Mieke Bal, f. 14 – 22

Filed Under: LETERSI

Shkrimtari Naum Prifti – zëri shqiptar në diasporë

March 19, 2024 by s p

Nga Eleni Karamitri/

Krijimtaria e shkrimtarit Naum Prifti, përmbajtur idesë së globalizimit në letërsi, vjen e integruar me kohën, novatore, pjesë e modernitetit letrar në letërsine shqipe. Në të shkrihen mjeshtërisht tradita me modernen, realja me fantazinë ku mendimet arrijnë shpesh në përsihatje filozofike. Si një nga shkrimtarët shqiptaro-amerikanë me ndikim në diasporë, Naum Prifti u bë zëri intelektual shqiptar që i dha shumë letërsisë shqipe bashkëkohore dhe letërsisë së diasporës shqiptaro-amerikane. Figurë shumë dimensionale, protagonist i kulturës shqiptare, Naum Prifti u rezistoi me dinjitet viteve të tranzicionit duke ruajtur personalitetin e tij. Prirja natyrale dhe puna e palodhur, e bënë njeri të shquar. Studiuesi Robert Elsie, e cilëson shkrimtarin Naum Prifti ne Historinë e letërsisë shqiptare(1997) ndër autorët kryesorë të letërsisë bashkëkohore shqipe, duke veçur tek vepra e tij, ndër të tjera, thellësinë e mesazheve artistike, skicimin e mprehtë të karaktereve, shkallën e lartë të humanitetit. Naum Prifti erdhi në letërsinë shqipe kur ajo ishte në kërkim të zërave të rinj duke u bërë denjësisht pjesë jetike e pandarë, në trupin e kësaj letërsie. Harmonik me veten dhe me të tjerët, ky autor dallon për këtë cilësi të admirueshme të karakterit të tij. Ndryshe nga letërsia deskriptive e skematike, në intimitetin e tij artistik, ndjen frymën lirike dhe vërtetësinë e ngjarjeve. Qytetërues në mesazhet që transmeton është bashkudhëtar me të gjitha moshat. Me stilin e kursyer nga tepëria e lodhshme e fjalëve dhe përshkrimeve, Naum Prifti është tipik në cilësimin mjeshtër i rrëfimit, kur me pak thuhet shumë. Kritika letrare të ndalet në faktin që në gjininë e prozës së shkurtër dhe letërsisë për fëmijë, kemi të bëjmë me një model shkolle letrare të kultivuar nga ky autor, pararendës i brezit të ri të krijuesve që i solli letërsisë ndryshime të spikatura e dimensione të reja. Gjatë krijimtarisë së tij ka mbi 100 tituj veprash të botuara në gjini të ndryshme po në një nga intervistat, autori pohon se gjinia më e preferuar e tij është tregimi. Në të vërtetë, letërsisë nuk ia jep vlerën gjinia, po lirizmi dhe realizmi. Gjëja më e vështirë në krijimin letrar është ruajtja e ritmit të brendshëm, ekuilibri që nuk duket po ndihet dhe që nuk mësohet, është intuitiv. Kur e pyetën Rafaelon, piktorin e famshëm italian, se nga e nxirrte atë bukuri aq të bindshme të “Madonne-ve” të veta? përgjigjja ishte: Da una certa idea,1) pra prej nji ideje të përftuar nëpër intuitë të një shpirti bujar, mendje të kthjelltë, depërtuese (intuitive), me nji fantazi e gjallëri të posaçme. Eshtë pikërisht veçantia sensuale e të menduarit dhe të shprehurit, me të cilat shkrimtari Naum Prifti ndërthur mendimin e ndjenjën në forma filozofike dhe artistike si vlera të idealeve të kombit dhe si pjesë e kulturës shqiptaro-amerikane. Me njohuritë në fushën e mjekësisë diagnostikoi psikologjinë shqiptare, shpirtin njerëzor dhe e lartësoi atë duke i dhënë frymë pa bujë, me ndjeshmëri e shpresë për ta jetuar jetën edhe kur është e vështirë. I vlerësuar me Penën e Artë, kujtohet me fuqinë e magjishme të penës profesionale letrare e publicistike.

Në vitin 1991 për shkrimtarin Naum Prifti fillon jeta në emigracion, në gjirin e shqiptarëve të Amerikës. Lëvizja gjeografike ndikoi për mirë në jetën dhe krijimtarinë e shkrimtarit. Ndihej me se fundi i lire. U ambientua shpejt por me vete mori mallin dhe nostalgjinë. Përgjigjja ishte: Unë kudo që shkoj jam një copë Shqipëri.2) Me natyrën e tij të qetë e modeste deri në madhështi, me dhuntinë për të parë çdo gjë me syrin e artistit, ai vijoi pa u lodhur punën krijuese duke u bërë pjesë aktive e Komunitetit Shqiptar në Amerikë dhe diasporë. Në emigracionin e largët , ku mënyra e jetesës ndryshon nga Shqipëria, kërkohet përkushtim për të mbajtur gjallë jetën kulturore dhe punën e filluar nga patriotë me emër në Amerikë. Jo kushdo i ka shkuar deri në fund kësaj rruge. Në vitet 1996 dhe 1997, kujtojmë ndër botimet në Amerikë, librat Shekulli 21, mendime dhe opinione dhe Kombi, rrugët e bashkimit kombëtar. Të dy këto botime prestigjoze janë dëshmi e punës prej vizionari të shkrimtarit Naum Prifti për të ardhmen e kombit. Ato vijnë si përpjekje objektive e zhvillimit të shoqërisë shqiptare në shtrirje kohore përqendruar në zgjidhjen e çështjes kombëtare. Duke ngacmuar mendimin intelektual dhe duke e vënë në lëvizje këtë forcë mendore, Shekulli 21 dhe Kombi vlejnë si projekte madhore drejt ardhmërisë. Diktatura e la një jetë të ndarë familjen Prifti në dy kontinente. Larg syve e pranë zemrave jetuan vëllezërit Prifti për dekada të tëra. Kontributi i tyre për çështjet shqiptare nuk u ndal dhe është sot vlerë e shtuar në arkivat historike e letrare shqiptare e të huaja. Koha e solli që ky vlerësim i merituar, t’u japë mundësinë të jenë pjesë aktive në organizatën Panshqiptare Vatra dhe në gazetën Dielli. Peter Prifti, shkrimtar, studiues e veprimtar politik, një nga personalitet e shquara të kulturës shqiptaro-amerikane në diasporë, dishepulli i devotshëm dhe nxënësi i fundit i drejtpërdrejtë i Fan Nolit, në vitet 1958-1959, ishte Sekretar i Vatrës dhe redaktor i gazetës Dielli. Në vitin 1995, shkrimtari, studiuesi, përkthyesi, personalitet i kulturës shqiptare, Naum Prifti, zgjidhet Sekretar i Shoqatës Panshqiptare Vatra, detyrë që e mbajti për 15 vjet duke kontribuar aktivisht në gazetën Dielli e Illyria me shkrime letrare, historike e shoqërore. Zë i veçantë intelektuali, Naum Prifti, njihet si bashkëthemelues i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë (The Albanian- American Writer) 2001 dhe anëtar i përkushtuar i saj deri në fund të jetës. Me statusin e kryetarit dhe anëtarit të devotshëm, dalloi për eruducionin e tij si intelektual e si shkrimtar në eventet kulturore që zhvillonte në New York dhe kudo në Amerikë kjo shoqatë (ShShShA).

Naum Prifti e Peter Prifti, janë zëra të fuqishëm, përfaqësues dinjitoze e të përhershëm të botës shqiptare, që me shkrimet, studimet, ligjeratat dhe opinionet e tyre, kanë ndjekur rrugën e Vatranëve të hershëm duke bërë që vlerat identitare të kombit tonë, të njihen në rrethet shkencore, diplomantike e kulturore në Shqipëri, Amerikë e në gjithë diasporën. Këto janë parathënie e titujve që do t’i shoqëronin në këtë jetë dhe përtej saj, si pasuri e trashëgim për brezat që vijnë pas. Atdheu duhet të jetë më i ndjeshëm ndaj ikonave të tilla të kulturës e historisë, që diaspora shqiptare nuk i harron por i çmon e i cilëson si Nder i Kombit.3) Me ecurinë dhe bashkëkohësinë e krijimtarisë së tij, Naum Prifti njihet sot një prej shkrimtarëve me emër që i përket epokës së historisë moderne intelektualisht dhe artistikisht.

Referenca

1) Zemra shqiptare, Kulture, 27.09. 2010

2)Gazeta Tema, In Memoriam: Naum Prifti, 17 qershor 2023.

3) Simpozium i Federates Pan Shqiptare Vatra, Illyria , New York, 16-18 nentor 2010,

In Memoriam: Ne kujtim te Profesor Peter Priftit.

Filed Under: LETERSI

Receptimi në dy kohë i një autori të letërsisë për fëmijë

March 18, 2024 by s p

Evalda PACI

Departamenti i Studimeve Letrare

Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë/

Një grumbull shtëpish të ngjeshura në kurriz a në brinjë të njëra-tjetrës, me çati të përbashkët, ca rrugica lakadredhëse të shtruara me kalldrëm, rrethuar me avlli e mure sa po të ecje krahëhapur, mollëzat e gishtërinjve takonin faqet e gurëve. Përbrenda s’kishte asnjë lëmë tokë të lirë, as pemishte, madje as kopshte. Ky qe fshati.

Mjafton një fragment i tillë që të rizgjohet natyrshëm një ndjesi e shumë viteve më parë, kur shfletimi në seri i skicave e tregimeve të përmbushte me një sërë imazhesh e përfytyrimesh rreth një habitati që autori i letërsisë për fëmijë Naum Prifti e kishte përndarë në sa përshkrime e rrëfime të disa dimensioneve. Si autor i prozës së shkurtër, Naum Prifti ka transmetuar në gjallërinë përkatëse përvoja të një veçanësie të rrallë, të rezervuar nga vetë përjetimet e tij, të risjella në vite në botime e ribotime, fakt që ka pasuruar së tepërmi bibliotekën e letërsisë për fëmijë e të rinj. Këtyre veçorive do t’u kushtohet gjerësisht dhe veprimtaria e ditës së sotme, e organizuar pikërisht në nderim të një shkrimtari që reflektonte dhe dimensionet e publicistit, eseistit, autorit e kritikut të letërsisë e të dramaturgjisë.

Një autor që i kushtohet letërsisë për fëmijë bëhet natyrshëm transmetuesi i një bote të veçantë për lexues të një moshe gjithashtu të veçantë, të pajisur e të karakterizuar nga një kureshtje e natyrshme, gjithnjë me pikëpyetjet rreth çështjesh themelore që më tej do të përkthehen në të tjera sfida e dëshira për të ditur më shumë e më qartë.

Për një brez si imi (lindur në fillim të viteve ‘70), mund të thuhet me plot gojën që letërsia për fëmijë ka qenë një dritare a një horizont që ofronte perspektiva disangjyrëshe, por që dhe shtonte kërshërinë mbi ç’duhet të kishte përtej rrëfimeve e elementeve të botëve që autori për fëmijë ndërmerrte të përshkruante. Vite më parë, një letërsi e tillë kishte mbi vete një mision kompleks edukimi, që vështirë se mund ta zëvendësojë një teknologji e tërë që me gjasë përshpejton hapat e brendësimit të një sërë nocionesh për botën e të rriturve, për dijen mbi natyrën, për përafrimin me marrëdhëniet ndërnjerëzore. Në këtë aspekt, letërsia për fëmijë në gjuhën shqipe ofron një panoramë të gjerë në pikëpamje autorësh dhe tematikash, e pikërisht në këtë vështrim, Naum Prifti i jep kësaj të fundit një domethënie të mirëfilltë për qasjet dhe konsekuencën në titujt e përzgjedhur. Një autor i tillë ka dhënë nga vetja në çdo krijim me të cilin ka ndërtuar profilin prej shkrimtari, duke reflektuar hollësi dhe elemente të një bote që e përjetuar në një shpirt fëminor e më tej rinor, paraqitet po aq tërheqëse për lexuesit e kohës së vet, të etur për të mësuar jo vetëm për ngjarje tipike në rrugëtimin jetësor të tij, por dhe për një sërë përveçimesh që gjuha autoriale i sjell me bujari dhe në masën e duhur, duke pasuruar kësisoj vetë krijimtarinë e vet me misionin e ruajtësit të pasurisë gjuhësore, leksikore e letrare të cilën ai duket se e njihte natyrshëm. Përkujdesja për gjuhën dhe për vënien në vendin e duhur të fjalëve të rralla i përngjan merakut të një nikoqireje që në përditshmërinë e mirëmbajtjes së asaj çka i është besuar, vendos në mjedisin e vet orendi dhe zbukurime të shijes së vet, por duke prekur njëkohësisht dhe ndjesitë e të tjerëve. Gjuha do të jetë në të vërtetë një medium që autorit i shërben për të sjellë më afër profile njerëzore, ngjyra të stinëve që ai vetë i jeton me një ndjeshmëri të rrallë, elemente të një përditshmërie të dashur e të shkallëzuar ndër vite, asnjëherë të lënë pas dore në kujtesën e tij të fortë.

Emri i Naum Priftit, i pajisur si me dhuntinë e artit të të shkruarit, si me një kulturë që e brendëson që në fazat më të hershme të formimit të tij është pjesë e natyrshme e një historiku të përvijimit të letërsisë për fëmijë në gjuhën shqipe, me fillesa që në skica më mëhershme në letërsinë e Rilindjes, por dhe me qasje të reja në çdo periudhë të zhvillimit të kulturës letrare dhe të kultivimit të leximit në gjuhën amtare. Një fakt të tillë e gjejmë të dëshmuar që në sprovat më të hershme me të cilat ai afirmohet si shkrimtar, por dhe në dekada në të cilat letërsia për fëmijë ishte dhe një mjet edukimi me vështrim nga fakte historike e personalitete të historisë së vendit tonë.

Profilin e një heroi që e gjeje të vizatuar në tregime e rrëfime kryesisht sintetike sigurisht do ta gjeje në më se një autor të kohës, por do ta preferoje pa dyshim ta rilexoje në legjendat e shkruara mjeshtërisht nga Naum Prifti; gjithashtu, frymën bukolike të një natyre që nuk do ta njihje domosdoshmërisht nga afër në kohën kur e lexoje të përshkruar, do ta gjeje sërish në tregimet e të njëjtit autor. Prifti receptohet mirëfilli si një autor që ofron për lexim përjetimet e një fëminie të mbushur me copëza kujtimesh, por dhe me mbresa që duket sikur vetë roli i shkrimtarit po i jep mundësi të shkruajë e të shprehet në një kohë të mëvonë, por asnjëherë të vonuar për atë vetë.

Sot, në një kohë tjetër, kur kohës së leximit i hyjnë në hak dhe hapësira për të tjera pajisje e mjete që nuk arrijnë të të përafrojnë në të njëjtën mënyrë me librin, provon t’i rikthehesh ndjesisë së leximit të rehatshëm të tregimeve të tilla, që të bëjnë të përshkosh udhëtime imagjinare në përjetimet e kujtimet e një autori si Naum Prifti, që ka falur bujarisht për lexuesit e tij pjesëza kulture që përkthehen në momente rikrijimi letrar, por dhe në ndërtime që shumë prej nesh i kanë mësuar pikërisht prej tregimeve të tij, të pasura në elemente të natyrës e të ndikimit të saj në jetën e shumë personazheve të tij. Mjaft personazhe paraqiten të maturuara në personalitetin e vet, duke shërbyer si gurë miliarë në një rrugëtim që hap pas hapi autorin e projekton në disa dimensione, në më të shumtën e rasteve në një raport të qartë me natyrën dhe çdo të mirë që buron prej saj.

Autori ka gjetur hapësirë për t’u dhënë vend analizave karakteriale që lidhen me personazhe të dashura për të, por që në të njëjtën kohë janë dhe frymëzuese të tregimeve të tij, të ekspozuara ndaj vëmendjes fëminore, por dhe ndaj kureshtjes së çdo lexuesi që gjen në këto të fundit përshkrime, emërtime që burojnë nga një botë genuine, për të cilën Prifti pikërisht në krijimtarinë kushtuar fëmijëve gjeti mundësinë për t’i reflektuar e bërë konkrete, më tej për t’i bërë të jenë të ngulitura në një kujtesë që dhe sot po provohet plotësisht se ka mbetur e tillë.

Në tregimet që janë të lidhura me moshën fëminore, por dhe me përjetime tipike për kohën në të cilën ai ka jetuar lexuesi evidenton karaktere, por dhe ngjarje e rrethana të cilat janë shtysë që ai të shtjellojë rrëfime jo përherë të gjata, por reflektuese momentesh të cilat kanë një veçanësi të vetëkuptueshme. Autori ka përzgjedhur portrete personash që lidhen me mësimdhënien, mëmësinë, prindërimin, shoqërinë e fëmijërisë, personazhe që ndikojnë në formimin individual të tij për një sërë arsyesh e për të cilat ai duket qartë se ka detaje mjaft domethënëse për t’i profilizuar. Të tilla hapësira, që janë bërë objekt i një narracioni me prirje natyrshmërie e frymëzimi tipik janë përmbushur dhe me një gjuhë të kujdesuar, në shumë raste të pasuruar me përveçime që përbëjnë një tjetër aspekt për t’u kushtuar vëmendje e kërshëri teksteve në prozë të tij. Gjuha shqipe, elementet e njohjes kulturore të vetë autorit gjejnë një hapësirë të pamatë paradigmatike në të tilla rrëfime, tregime e skica, duke u paraqitur në vështrimin tonë po aq të pastra dhe të vyera dhe në ditët tona. Lexuesi sigurisht del i pasuruar në emocione dhe në edukim tekstor e gjuhësor nga të tilla krijime, por në ditët e sotme një dimension i tillë merr shumëfish rëndësi e vlerësim, aq më tepër kur një rol të tillë dhe kritika jonë letrare mbi letërsinë për fëmijë e të rinj ua ka njohur këtë të fundit pikërisht autorëve të kësaj shkrimtarie.

Në vështrimet e tij kalojnë dhe personazhe historike, që në krijimet e autorëve të tjerë (edhe të krijimeve në prozë për letërsinë për fëmijë) rimerren, por në një tjetër perspektivë shkrimtarie. Në të vërtetë, këtyre personazheve Prifti u ka rezervuar më tepër se një perspektivë, duke i vënë në disa dimensione rrëfimtarie, siç mund të vërehet dhe në rrëfimet që të emërtuara si legjenda, lidhen me Gjergj Kastriotin-Skënderbeun, që vjen herë në përmasa thellësisht njerëzore, herë në ato të një madhështie më se të pritshme për heroin tonë kombëtar, i ndërmendur për armët që përdorte e për përballjen në kontekste jashtë reales në luftime e beteja të përgjakshme. Tiparet dhe përjetimet njerëzore ndërthuren me aspekte të përfytyrimit legjendar, duke qëndruar më së miri në profilin e Gjergj Kastriotit, i projektuar sa në situata të jashtëzakonshme, aq në momente që e paraqesin të prekshëm për lexuesin e kohës. “Legjenda e rrëfime për Skënderbeun” dalë nga një ent tipik editorial siç ishte shtëpia botuese “Naim Frashëri” kanë parë dritën e botimit e të ribotimit, por vetë momenti i përurimit të tyre në kuadër të bibliotekës së nxënësit në fund të viteve ‘70 të shekullit të kaluar është dëshmi e një misioni edukues që pena mjeshtërore e autorit tonë e kryen më së miri, duke i bërë të tilla krijime të tij të lexueshme e të rilexueshme nga moshat shkollore.

Në përjetimet e mia për një autor si Naum Prifti, vetë ndërtimet që ai ka sjellë në brendinë e krijimeve të tij kanë qenë një medium për ta lexuar e rilexuar e në këtë pikëpamje, rishpreh bindjen që sërish do ta kisha po aq për zemër dhe në një kohë tjetër, të njëjtin autor e të njëjtat tregime.

Në javët e fundit, në prirjen për t’iu kthyer kujtesës së mëhershme për krijimtarinë e autorit Naum Prifti, kemi marrë dijeni dhe për sistemimin e vëllimeve të tij ndër vite në bibliotekat tona, përfshirë bibliotekën e Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë (pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë), por dhe biblioteka universitare, të cilat janë dëshmi e një fondi të çmuar botimesh në krijimtarinë për fëmijë të Naum Priftit. Një prani e tillë, e mundësuar nga ruajtja e kujdesshme dhe e përgjegjshme e ekzemplarëve të rrallë, bashkë me tekste shkollore të një rëndësie të veçantë për edukimin e të njëjtave gjenerata e për të cilat bashkautorësia e Naum Priftit vlerësohet si meritë e përveçme nga njohësit e biobibliografisë së tij mbetet një shtysë për realizimin e afërt t ekspozitave ad hoc, në të cilat dhe paraqitja në rend kronologjik e tematik e realizimeve të tij risjell në kujtesë një perkurs jetësor të karakterizuar nga dashuria për librin, kulturën, leximin dhe edukimin.

Filed Under: LETERSI

VLERËSIME PËR STUDIMIN E ILIR IKONOMIT FAN NOLI – APOSTULLI

March 16, 2024 by s p

Thanas Gjika/

Botimi i studimit biografik “Fan Noli, vëllimi i parë Apostulli” UET PRESS, 430 faqe, përbën një ngjarje të shënuar në fushën e stimeve shqiptare. Për figura madhore si ajo e Theofan Stilian Nolit, që dha ndihmesën e vet origjinale në shumë fusha të kulturës, shkencës, letërsisë dhe artit shqiptar dhe më gjerë, është shkruar e do të shkruhet gjithnjë e më shumë. Sa më i ndërgjegjshëm dhe i kualifikuar të bëhet mendimi shkencor shqiptar, aq më shumë do merret me studimin e figurave të tilla poliedrike.

Në fund të vitit 2005, pas një pune mbi 20-vjeçare, studiuesi dhe shkrimtari Nasho Jorgaqi, hodhi në qakullim librin “Jeta e Fan S. Nolit” OMBRA GVG në dy vëllime me 550 dhe 612 faqe. Kjo ishte një vepër dokumentare me karakter shkencor e letrar, shkruar me një gjuhë tërheqëse. Për herë të parë u renditën ngjarjet më të rëndësishme të jetës së Fan Nolit. U duk sikur u tha cdo gjë për jetën dhe meritat e Nolit. Studiues të mirënjohur si Arben Puto, Dhimitër Shuqteriqi etj e vlerësuan atë si nje vepër shteruese. Mirëpo në tetor të v itit 2023 studiuesi skurpuloz Ilir Ikonomi hodhi në qarkullim vëllimin e parë të veprës së tij FAN NOLI – APOSTULLI, UET PRESS 430 faqe, ku shpalosen për jetën e Nolit deri në vitin 1920 të dhëna të shumta të papërmendura më parë prej asnjë studiuesi.

Ilir ikonomi është një studiues i guximshëm dhe kërkues i palodhshëm. Ai ka ardhur në shkencë nga fusha e gazetarisë, ku themeli i shkrimeve ka të bëjë me zbulimin e së vërtetës, larg letrarizimeve dhe fantazisë krijuese. Me të tilla aftësi, studiuesi Ikonomi bëri kërkime të reja në arkiva amerikane dhe shqiptare, voli me kujdes koleksionin e pasur të gazetës “Dielli” dhe pa pasur nevojë të vizitonte vendet ku kishte lindur e ishte endur Fan Noli në rininë e tij, iu fut punës dhe realizoi me sukses synimin e tij.

Ky vëllim i parë trajton jetën, përpjekjet e Nolit të ri në vitet 1906-1920, pra nga ardhja në Amerikë deri tek nisja e dytë për në atdhe në korrik 1920. Përmes digresionesh autori tregon edhe shumë momente të rëndësishme të jetës së Nolit duke pasur si busull synimin për ta bërë sa më të kapshëm karakterin e Nolit si veprimtar guximmadh dhe i përkushtuar ndaj çështjes kombëtar shqiptare, natyrisht pa e himnizuar, por duke mbajtur qendrim objektiv, jo rallë edhe kritik ndaj vetë heroit.

Jepen me himtësira takimet dhe bashkëpunimet e Nolit me atdhetarë të thjeshtë e të shquar shqiptarë dhe personalitete amerikanë deri tek Presidenti W. Willson, Kryepeshkopi Rus . Të gjithë ai i bën për vete me oratorinë dhe qartësinë e mendimeve të tij. Sotir Peci dhe Faik Konica ishin të parët që e vlerësuan si njeri të penës dhe mendimtar të guximshëm. Peci e quajti “i fortë si luan” dhe e përshëndeti dorëzimin e Nolit prift me fjalët: “Peshkop Platoni nuk po dorëzon thjesht një proft, por një apostull”.

Faik Konica, mendja më e mprehtë e kohës i vlerësoi shumë shpejt intelektin dhe talentin e Nolit: “mendjehapur, i zoti të bisedojë një çështje, i letruar, njohës i gjuhë çç çççç çç ççç ççve romane dhe skandinave, At Noli nga kultura, nga mendësia, dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishëtarët e Përlindjes Italiane”.

Vlerësime dinjitoze dhanë për Nolin e ri dhe veprimtarë të tjerë që kishin mbaruar shkolla të larta europiane ose amerikane si Kristo Dako, Kristo Floqi, Kosta Çekrezi, etj. Dhe bashkëpunuan ngushtë me të. Po kështu dhe hierarku i Kishës Ortodokse Ruse, Kryepeshkop Platoni e pas tij Peshkop Aleksandri, gazetarë amerikanë, etj.

Lidhur me qëndrimin ndaj besimeve fetare, Noli vetëm duke njohur mentalitetin fetar të emigrantëve shqiptarë myslimanë të Amerikës ariti gjatë vitit 1909 të kuptonte se ishte e pamundur që shqiptarët myslimanë të ndërronin besimin e tyre fetar, si kërkonin F. Konica për t’u pagëzuar në katolikë dhe K. Dako për t’u konvertuar në Protestantë. Noli nguli këmbë se nuk duhej t’i kërkohej pjesës më të madhe të popullit shqiptar të ndërronte besimin fetar, por duhej që klerikët shqiptarë të të tri besimeve fetare, myslimanë, ortodoksë e katolikë, të merrnin formim patriotik dhe krahas mësimeve fetare t’u predikonin besimtarëve të njëjtat ide patriotike.

Gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, si shumë atdhetarë të tjerë edhe Noli e kishte të qartë se “E vetmja shpresë për Shqipërinë ishte Amerika”, por ai pati guximin ta takonte dhe t’i kërkonte Presidentit W. Willson që ta përkrahte të drejtën e popullit shqiptar në Konferencën e Paqes.

Ky djalosh kishte besim tek forcat e brendshme të popullit shqiptar, të popullit që kishte nxjerrë nga gjiri i vet Kostandinin e Madh, Shën Jeronimin dhe Gjergj Kastriotin – Skënderbeun. Ai shpalli se bashkimi i shqiptarëve ishte burimi që mund t’u siguronte forcën e nevojshme për të realizuar qëllimin kombëtar. “Po të jemi të bashkuar, armiqtë nuk do të guxojnë të futin hundët në punët tona”, sqaronte ai që më 1917, kur Shqipëria ishte kthyer në shesh luftrash midis ushtërive ndërluftuese dhe fqinjët synonin që mbas luftës të ricpotonin trojet shqiptare.

Mirëpo edhe pse të gjithë atdhetarët shqiptarë, si ata me shkolla të larta dhe ata me me më pak shkollë, e donin atdheun dhe përpiqeshin për të lirinë e tij, përsëri egoizmi dhe mentaliteti bajraktar, i nxiste herë pas here të grindeshin midis tyre. Jo një herë Ikonomi ka vënë në dukje se si Fan Noli, Sotir Paci, Faik Konica, Kristo Floqi, Kristo Dako, Kosta Çekrezi, Mihal Grameno, Bahri Omari, Sevasti e Parashqevi Qiriazi, Kol Tromara, etj krijonin mosmarrëeshje midis tyre për gjëra jo aq thelbësore. Këtë dobësi të popullit tonë e vuri në dukje Kristo Dakua që sapo shkoi në Amerikë, por dhe ai nuk e përmbajti dot veten dhe shpesh herë u përzie e u bë shkaktar grindjesh.

Nga kjo e metë ne shqiptarët vuajtëm gjatë shekujve, vuajtëm edhe gjatë kohës kur u aktivizuar Fan Noli në lëvizjen kombëtare, vuajmë edhe sot, kur kjo dobësi kuptohet nga të gjithë. Shpesh herë ende na kërcen delli i ballit dhe nuk përmbahemi, sepse duam te vlerësohet mendimi ynë e jo mendimi ndryshe.

Studiuesi Ikonomi e ka shprehur qendrimin e vet kritik ndaj shfaqjeve egoiste të Nolit dhe shokëve të tij, por në dy vëllimet e ardhëshme mendoj t’i forcojë dhe zgjerojë analizat kritike ndaj Nolit dhe veprimtarëve të tjerë, për të kthjelluar mentalitetin tonë.

Filed Under: LETERSI

MARSI I PËRHERSHËM I BURRIT ME MBIEMËR KRUJËN…

March 15, 2024 by s p

Nga Visar Zhiti/

SHQIPTARËT JANË MË SHUMË SE SHQIPËRIA

Shqiptarët e fortë, ata të mirët, bujarët, me një madhështi të brendshme, por që u shfaqet, mjafton një dramë, një pabesi e tjetrit, një mort, një dasmë, sidomos një valëvitje flamuri mbi një pirg a llogore, janë më të fortë se Shqipëria vetë dhe atë mirësi prej tyre e ka vendi, bujarinë proverbiale dhe atë madhështi tradicionale, e adhuruar nga të huajt, udhëtarë, pelegrinë, pushtues, poetë… Bajroni tha se shqiptarët kanë virtyte, por ah, t’i kishin më të arrira.

Shqiptarët janë më shumë se Shqipëria dhe duket se u ka munguar vetëm arritja… – kam menduar shpesh, natyrisht që kemi Shqipëri, aq sa është, gjusmë, kemi dhe Republikë të pavarur të Kosovës, por më trishton pa masë bjerrja, ajo shprishje që i erdhi racës shqiptare nga vetvetja ose pothuajse…

Dekadat e diktaturës komuniste dhe për pasojë dhe postdiktatura sollën më dëm në prishjen e racës se shekujt e pushtimit, e kam fjalën për virtytet njerëzore, aq sa më duket se pushtet ka patur më shumë e keqja.

QË MENDOVA ASHTU?

…shkak ishte dhe Mustafa Merlika – Kruja, ka datëndjen sot, në mes të marsit të trimërisë siç e quan kënga e popullit, teksa prilli i dashurisë duket se veç vonon. Ai është personalitet me rëndësi i librit shqip, është historian, kur s’kishte dhe aq të tillë, gjuhëtar në nivel shkencëtari, kur s’kishte dhe aq të tillë, përkthyes, të mbijetesës, mjeshtëror në të shkruar, pra dhe stilist, zgjodhi emrin letrar Shpend Bardhi, i qartë në mendime, i guximshëm, di të shquajë vlerat e kundërshtarit dhe meritat e armikut.

Po ai dinte historinë e kombit të tij ashtu si të familjes së tij, bëri Shqipëri bashkë me ata që e bënë, është një nga burrat e Pavarësisë së nëntorit 1912, ndërsa kur bëhej “Pavarësia e Dytë, Kongresi i Lushnjës në janar të 1920, nuk ishte në sallën historike, por maleve, organizonte qendresën antiserbe në Dibër dhe Lumë, do të ishte për një “Shqipëri romane” – nëse mund ta themi kështu gjatë Luftës II Botërore dhe në vitin 1941, nën pushtimin fashist, në sopatat e Liktorit, ai do të ishte kryeministër – kolaboracionist si arritje e nacionalizmit, sa ç’mund të arrihej në pushtim.

Dhe pikërisht për këtë fitimtarët e mbas Luftë II Botërore, adhurues më shumë te prangave se të librit, do ta përndiqnin, duke dashur vrasjen e tij, duke e mbuluar me harrim emrin dhe veprën madhore.

Po ai tashmë është vetë pjesë e historisë.

* * *

Dua ta kujtoj sërish. Në librin tim, “Kartela të Realizmit të dënuar” është dhe

KARTELA

Mustafa Merlika-Kruja,

(1887 – 1958)

…Do të ikte.

Kryeministër i Shqipërisë, i diplomuar për shkencat politike jashtë vendit, bashkëpunëtor i Ismail Qemalit dhe Luigj Gurakuqit në Shpalljen e Pavarësisë, që pëveç punëve si patriot dhe historian, shquhet dhe si gjuhëtar i klasit të parë dhe la në dorëshkrim një Fjalor prej 2.400 faqesh, me 30.000 fjalë shqip.

Kjo lëndë madhore mbeti në kthetrat e fitimtarëve dhe ata e dinë ç’bënë me të, si e shqyen, e përvetësuan, e dogjën.

Libra të tjerë të Mustafa Merlika-Krujës janë: “Anthologji Historike”, “Letërkëmbim 1947-1958”, “Kujtime vogjlije e rinije”, “Aleksandr’ i Madh” dhe “Vëzhgime Iliro-shqiptare”, punime shkencore origjinale, si dhe përkthime prej tij të veprave themelore që lidhen me ilirët dhe pasardhësit e tyre, shqiptarët, një ndihmesë e vyer dhe me rëndësi.

PO Ç’KA THËNË BABAI I GAZETARISË MODERNE ITALIANE,

IDRO MONTANELI.

Gazetari i famshëm italian Indro Montaneli, autori i një libri trallisës për Shqipërinë, ja ç’do të shkruante për qeverinë e Mustafa Krujës në “Corriere della sera”: “Ministrat shqiptarë… të gjithë vishen thjesht, janë pak të ashpër, por të përgatitur mirë teorikisht. E kaluara e tyre është njëlloj: kanë vuajtur për vendin e tyre. Idetë e tyre janë të lidhura me disa dogma themelore: njësía territoriale e Shqipërisë, autonomia e brendshme, mbrojtja e racës dhe e pasurisë kulturore, bashkëpunimi me Italinë mbi bazën e të drejtave dhe të detyrimeve të përbashkëta. Janë të ndershëm e të varfër. Janë njerëz të veprimit e jo të burokracisë”.

Dhe për vetë kryeministrin: “Suksesi e nderimet nuk kanë mundur ta shndërrojnë natyrën dhe sjelljen e jashtme të këtij burri… (që) nuk i jep rëndësi vetes me poza e me fjalë të mëdha. Vazhdon të flasë me maturi e… thotë të vërtetën… Jeta e tij ngjan me atë të Mazzini-t e programi i tij është ky: dua një Shqipëri të bashkuar në kufijtë e saj natyrorë.”

Kryeministri Kruja dhe qeveria e tij do të ishin dhe mbrojtës të pashoq të hebrenjve, që përndiqeshin kudo. Jo vetëm që nuk do t’i dorëzonin te pushtuesi nazi-fashist, por do të vinin të tjerë nga të mundnin dhe Shqipëria do të ishte vendi që do të kishte hebrenj më shumë pasi mbaroi lufta, sesa kur nisi.

Dhe pikërisht do të iknin si çifuti në shkretëtirë, personalitete të tjera të vendit, intelektualë…

VAZHDIM I DËNIMIT,

KARTELË TJETËR

Eugjen Merlika

…që ka gjysh Mustafa Merlika – Krujën, e rëndë kjo për në burg, kryeministrin e dënuar, kaq duhej, se nuk i kujtonin më që ai ishte patrioti, albanalogu dhe gjuhëtari i shkëlqyer, i ikur nga regjimi, patjetër që familja e mbetur “në mëshirë të të pamëshirshmëve”, do të përfundonte internimeve e do të kërcënoheshin me burg.

Eugjenin e kisha parë kur vinte me biçikletë nga balta e internimeve në Lushnjë, isha gjimnazist, por do të na bashkonte burgu i Spaçi. Pastaj dhe Italia, ku ai mërgoi dhe unë punoja në ambasadë në Romë. Në burg i kërkoja fjalë italisht, tani shkëmbenim nga librat tanë,

Pasi botoi përmbledhjen me poezi “Muzg”, Eugjeni do të botonte memuaristikë dhe artikuj të shumtë në gazeta, vëzhgime politike, kritika letrare, ese, që do t’i përmblidhte në libra të ndryshëm, ndër më të fundit “Elegji për brezin tim” dhe pastaj do t’i hynte një pune të madhe, akademike, që duhej ta bënin akademitë, përgatiti gjithë Veprën e Mustafa Krujës, studime, histori, gjuhësi, polemika, letërkëmbim, etj, e cila, duke dalë në këto vite, plotësoi një vend bosh në studimet shqiptare, me një vlerë të rëndësishme kombëtare.

[…]

Kur i bënë atentat Luigj Gurakuqit në Bari në rrugën që mban emrin e tij, bashkë me të ra dhe një kukull, e kishte marrë t’ia çonte një vogëlusheje… që do të bëhej nëna e Eugjenit.

E lindur në Romë, Elena Gjika kreu studimet për letërsi me rezultate të shkëlqyera në Universitetin e Napolit dhe mes zgjedhjes për të mbetur pedagoge në Itali apo të shkonte në Shqipëri, parapëlqeu këtë të dytën, shkoi pas të shoqit, inxhinier Petritit, diplomuar në Francë, i biri i Mustafa Krujës.

Elena, e talentuar në gjuhësi, do të bashkëpunonte me vjehrrin për Fjalorin e madh të Shqipes. i shoqi merrej me ndërtimet në Shqipëri, por atë e arrestojnë dy vjet pas mbarimit të Luftës, se bënte pjesë në ata që donin të krijonin një parti liberale opozitare. E dënojnë me 15 vjet burg.

Eugjenin 6 vjeçar me nënën dhe gjyshen i dërgojnë në kampin-aushvic të Tepelenës Që fëmijë provoi qelitë. Pasi mbyllet, i çojnë në internim në Lushnjë, fshatrave. Po prisnin që Eugjenin të mbushte moshën për burg. Dhe e arrestojnë në vitin 1980, e dënojnë pa bërë gjë fare me 8 vjet burg…

Kështu deri sa bie Muri…

Nga Zonja Elena kanë mbetur dy sprova, një e shkruar për studentët në Itali, për personalitetin e të riut, dhe tjetra për dhunën në internim në Tepelenë, ku nëpërkëmbej edhe jetesa si qenie, por ja, që çuditërisht, një herë u arrit të kremtohej një Krishtlindje, megjithëse të ndaluara, me një prift të internuar dhe korin ilegal të të internuarave. Ishte liturgjia e ëndrrës.

Vuajtjet dhe dënimet bënë që të humbte vepra e saj, të mos shkruhej dot. U rikthye atje ku kishte lindur, në Itali, ku dhe mbylli sytë afër Romës në vitin e dytë të mijëvjeçarit të ri, por kërkoi të prehej në vendin, ku u lodh aq shumë, në Shqipëri. Emri i saj ndrit përzishëm në varrezën familjare në Krujë, ku ka dhe një shesh tani me emrin: Mustafa Kruja.

Vepra “Merlika-Kruja” përmbledh kohë të tre brezave, kohë të përjetësisë së Shqipërisë.

DY LIBRAT E DIJETARIT:

I kam ndër duar dy librat më të fundit të tij si festë e datëlindjes. Vepra të kujtesës kolektive dhe të mbijetesës, “Lashtësi shqiptare” – 2021 dhe “Historij’ e vonë” – 2023, botimet “Berk”, emërtimi i së cilës më emocionon: “një formë gjuhësore arkaike e shqipes, që shenjon librin, gjurmët tashmë të humbura…” në mesjetën shqiptare dhe të rishfaqura po në atë mesjetë, më saktë me rilindjen e vonuar. I shkon shumë dhe misionit të Mustafa Merlika – Krujës.

“Lashtësi shqiptare” përmbledh shkrime historike dhe përkthime të tij, të përgatitura nga nipi, Eugjeni, me një parathënie nga arkivisti Sokol Çunga, studiues dhe kritik letrar, përkthyes dhe ai, ku thotë se “ky është një tekst i historisë së Shqipërisë… por në të njëjtën kohë është dhe histori e vetë autorit të tij.”

Tematikë enciklopedike, që nga parahistoria, legjendat, pellazgët, epoka ilirjane, helenët, thrakët, maqedonët, Aleksandri i Madh, Pirro, Roma, kryqtarët, Bullgaria e Dytë, Beteja e Fushë Kosovës, Arbëreshët, Histori e Skënderbeut, etj…

Libri tjetër, “Historij’ e vonë”, me “Kapituj të randsishëm të historisë së shtetit shqiptar”, ka po atë enciklopedizëm, por kombëtar, nis me Gjomarkajt, Ali Tepelena, Lidhja e Prizrenit, revolucioni Xhon-Turk, kryengritjet, 1912, Kosova dhe Vlora, Toptani, Bajram Curri, Kongresi i Durrësit, Konferenca e Parisit, Fan S. Noli, Luigj Gurakuqi, etj, Balli Kombëtar, Konferenca e Mukjes… Konferenca e Parisit… çfarë i duhet shkollës shqipe dhe deri “Pse Enver Hoxha asht në krye”… “në skenën tragjike të revolucionit komunist shqiptar”.

Botimi është përgatitur nga Anna Shkreli, me parathënie nga Eugjen Merlika, të cilën e titullon “Rilindasi i brezit të fundit”.

Barra i ka rënë atij, prurësit dhe përkujdesësit të gjithë Veprës së Mustafa Merlika – Krujës, një ish i burgosur politik, ai i bën të gjitha, madje me paratë e tij nga dëmshpërblimi i mangët i burgut. Si bashkëvuajtës me mua, më dërgoi dhe dy botimet e fundit këtu, jo shumë larg nga vendi, ku gjyshi i tij si i mërguar politik mbylli sytë përgjithmonë, në Niagara Falls, në një dimër në SHBA.

Bashkohemi me atë që shkruan shkrimtari themeltar Ernest Koliqi: “Veprat e Mustafa Krujës mbesin dëshmimi i shkëlqyeshëm i kontributit që ai i solli naltësimit moral e kulturor të botës shqiptare.”

Botimi i tyre duhej të ishte detyre dhe punë e akademive dhe katedrave të historisë, gjuhësisë dhe albanologjisë, e Lidhjes së Shkrimtarëve si për një akademik dhe historian të shquar, gjuhëtar, albanalog dhe stilist të shqipes, e Ministrive të Kulturës për një autoritet të kulturës, e Kryeministrisë për një kryeministër.

Mustafa Merlika – Kruja tashmë është një institucion. Nëse Shqipëria nuk do të dijë që përvojën dhe arritjet e tij ashtu si dhe humbjet t’i bëjë pjesë të përvojës, arritjeve dhe humbjeve të saj, do të dëmtojë kështu historinë dhe kujtesën e popullit, por dhe kritikën e ardhmërisë.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 69
  • 70
  • 71
  • 72
  • 73
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku
  • REPUBLIKA E BARAZISË PARA LIGJIT
  • BLLACA SI INFRASTRUKTURË HISTORIKE E DHUNËS DHE NYJE E KUJTESËS KOLEKTIVE
  • Kur gjuha sfidohet në auditore – cenimi i së drejtës kushtetuese në emër të provimit të jurisprudencës
  • LAHUTA E MALËSISË, ZËRI QË NUK SHUHET: SI MBAN GJALLË IDENTITETIN SHQIPTAR NË SHEKULLIN E XXI
  • DIMENSIONET ETNOKULTURORE DHE NARRATIVE NË ROMANIN “SHTJELLË FATESH”
  • Mbreti Zog I, themeluesi i shtetit të parë modern shqiptar, burrshtetas, politikan dhe diplomat i rralle e shumë dimensional
  • 𝗔𝗹𝗯𝗮𝗻𝗶𝗮𝗻 𝗡𝗶𝗴𝗵𝘁 @ 𝗬𝗮𝗻𝗸𝗲𝗲 𝗦𝘁𝗮𝗱𝗶𝘂𝗺
  • 27 Vjetori i Betejës së Koshares – Një epokë lavdie, sakrifice dhe bashkimi kombëtar
  • Historia e Krizës së Kosovës 1999-2000 përmes Zarfave Postare
  • Ali Dino – deputeti i Çamërisë dhe artisti i shquar
  • “Rikoshete e fatit” dhe “Nusja e Topiajve”, botimet më të reja nga shkrimtarja Raimonda Moisiu -Sade

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT