• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NARRACION I PIKËLLUESHËM PËR FATIN E KEQ NE DASHURI DHE EMIGRACIONIN APO MURTAJA E BARDHË PËR SHQIPTARËT

December 19, 2023 by s p

Mhill Velaj/

Tema e emigracionit, dëbimeve, masakrave, e zhberjes se krahinave është një Sagë që nuk mbaron kurrë per shqiptaret sepse tragjik ishte edhe fati I tyre për keto 2000 vjet histori.

Shikuar nѱ prizmin e narracionit të këtij romani dhe planit ideo artistik që në fillim mund të themi se subjekti letrar i Age Gjokaj – Ivezaj është shumë i qëlluar njekohesisht trondites, sfidues dhe faktografik për fatin tragjik të shqiptareve me theks të veçant shqiptareve të pjesës tjetër të etnisë – pra atyre të Malësisë së Madhe. Drama familjare dhe kolektive fillon që në faqët e para të rrëfimit romanor sikur do të na pasqyroj realitetin tragjik të një familjeje e cila në breza që e sakrifikuar për lirinë e kombit.

Narratorja thekson se: ,, Babai i tij Pjetri ishte pushkatuar, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore nga regjimi komunist, ndërsa gjyshi, Gjoka, ishte vrarë në luftë nga malaziasit, në mbrojtjen e Shkodrës. Leka ishte i vetmi trashëgimtar i familjes, ai kishte mbetur jetim, akoma pa i mbushur dy vjet, u rrit vetëm me ledhatimet dhe kujdesin e nënës, babain nuk e mbante mend fare ‘’.

Është ejeta e vuajtur e shqiptareve e përshkruar në këtë roman, bazuar në kanunin e Lekës dhe gjakimit për mbijetesë. Është kumti i përbuzjës së shqiptarit nga ana e pushtetit të Malit te Zi dhe kulmit të mllefit për të emigruar në SHBA. Njeriu malësor paraqitet si i huaji në Atdheun e tij në këtë roman andaj edhe drama që i shoqeron personazhet në këtë roman është një Odisediade pikëllimi, zhgenjimesh e mbijetese.

Personazhet si ajo e Hanës, Prenes, Mrika, Gjeka, Pashkja, Kola, e Lizës etj që e mbajnë gjallë dhe dinamik rrefimin romanor personifikojnë mjerim ekonomik të jetës së Malësoreve që vuajne deri në zgripin ekzistencial si në kuptimin ekonomik poashtu edhe ate politik sepse masat e represaljet etnike ndaj shqiptareve ishin të medha.

Emigracioni i Lekës për në Itali shkaku i këtyre shkaqeve të lartëcekura është një tabllo e mbijetesës së individit në kërkim të lirisë por pas një vuajtje e sakrifice të pa shoq.

Në këtë roman nuk lihen pa u theksuar edhe fenomenet tradicionale anti feministe shkaku i traditave rigjide dhe botëkuptimeve fisnore dhe të Kanunit. .

Fuqia narrative e e Age Gjokaj – Ivezaj ka një shtrirje shumë dimensionale duke u nisur nga jeta familjare, fisnore, krahinore e deri të ballafaqimet me ekzistenciale ekonomike e shoqerore ku individi i gjendur në mes të dilemes të heqi dore nga e kaluara atdheu e familja detyrohet ta shkëpus të kaluarën e tij nga shkaqe e rrethana demoniake të presionit politik.

Ngjarja zhvillohet në gjysmen e shekullit të kaluar pra pas Luftës së Dytë botërore, ku regjimi Jugosllav kishte intensifikuar masa drastike ndaj etnisë shqiptare gjegjësisht malësorëve të Malesisë së Madhe.

Është saga e fëmijerisë e përshkruar në këtë roman dhe vuajtjet e një nëne fisnike e cila lufton me kodet zakonore, ekonominë, perplasjet e ëndrrën për ta ndertuar një jetë të re në rrethana krejtësisht të pa favorshme për mentalitetin e kohës.

Janë mozaiqe letrare e faktike të rrëfyera bukur për tragjiken familjare dhe dilemes se partnereve të cilët të gjendur në mes dashurisë, krizës e mbijetesës vendosin të ndahen jo nga deshira por nga drama që iu kishte afruar atyre.

Vorbulla e mërgimit i kishte perlarë Lekën dhe Gjekën të cilët pas shumë veshtiresishë kishin arritur në portin detar. Anija ishte gati të nisej drejt Italisë. Ata bashk me mallin e plaget e tyre po mirrnin edhe një copë kujtesë por barrë shpirterore iu kishte bërë edhe sherbetoret e UDB –së

Jeta në kampet Italiane për dy protagonistet ishte pak me ndryshe sepse gjersa gjindeshin në Podgoricë ata kishin përjetuar vetëm dhunë, përbuzje e diskriminim.

Në këtë kaos jetesor figura e Ramizit na del pozitive i cili kishte arsyen e shendoshë dhe kërkonte me ngulm që ti sherbenin vendëlindjes.

Akt dramatik emocional paraqet Prena, Mrika dhe Hana të cilat futën në anije ku nga aty do emigronin në Amerike. Hana qante në heshtje. Mrika e gjorë i fshinte lotët me mëngë shpreht e reflekton autorja Ivezaj.

Udhëtimi pertej Atlantikut do bëhej nga aeroporti “Fiumaicino Leonardo Da Vinçi,” për ta përqafuar me pas botën e re.

Gjatë këtij rrëfimi aq tronditës romanor si protagonist na del edhe Shaqiri me të cilin ishin njohur në kamp derisa qendronin në Itali.

Jeta e re në botën e re ( USA ) do fillonte me peripeci tregon narratorja e këtij romani por mbi të gjitha ngadhënjen ideali I punës, përkushtimi , qëllimi I mirë dhe këmbëngulja e protagonisteve. .

Në krahun tjetër të botës Hana shkonte në shkollë në Hot të malësisë duke thurur endrra për jetën e kthimin e të atit. . Familja mbijetonte në të dy brigjet. Ajo gjakonte shkollimin, emancipimin dhe daljen nga rrethi vicioz. Me një fjalë I pelqente dritë e diturisë larguar nga zerat e keq e miop që nuk e kuptonin madheshtinë e endrrën E femres.

Nuk ka asgjë më të rëndë në jetë për pleqërinë sesa vetmia thekson narratorja e romanit duke reflektuar në kohë e hapesirë për sagën familjare të protagonisteve.

Në këtë vorbull ideshë e perplasje të mentaliteteve nuk mungojnë as polemikat, fiksionet e tendencat për refuzim për tu shkolluar por mbi të gjitha ngadhenjen vizioni se ,, femra shqiptare duhej të shkollohej ‘’ dhe të bëhej zot i fatit të saj .

Në këtë litar kohe të mentaliteteve të ngurtësuara zhvillohet drama familjare për emancipim, thyerje tabushë e për tu shkolluar apo për ti qendruar besnik traditës kanunore dhe pasojave e mentalitetit të pushtuesve.

Vajza e etur për emancipim po luftonte me mullinjtë e eres dhe kokat e trazuara e të ngurtësuara të prindërve dhe rrethit se ku jetonte ngre kumtin rrefimtarja Age Ivezaj.

Familjaret e saj edhepse të emigruar në shtetin me të integruar të botës prap se prap kishin mbetur peng të traditës dhe ideve rigjide që vendnumerojnë në kohë e hapesirë.

Ketij shtegu iluminizmi e emancipimi iu kishin bashkangjitur edhe shoqet e saj Katrinën dhe Marijen, keshtuqe akujt e paragjykimeve kishin filluar të shkriheshin.

Netet e dimrit me borë dhe monotonia nuk ishin asgjë për protagonisten e romanit në raport me mungesen e indiferencën e prindit të saj. Po perplaseshin dy mentalitete e shumë fate njerezore perbrënda një drame më shumë akter e pak maska.

Perbrenda dashurisë Tabu në Malësi dhe gjakimit për emancipim heronjtë e rrëfimit romanit mbesin në luftë të përhershme. Vajza e bukur ka luftë me fisin sepse në traditën e Malesisë duhej ruajtur vija e gjakut dhe lulet e bukura mund të mbinin vetëm në bjeshkën tjetër.

Ky roman i Age Gjokaj – Ivezaj ka elemente edhe etnopsikologjike sepse aty rrefehen e shperfaqen shumë zakone tribale, egoizmi e indiferentizmi mashkullor në raport me familjen, kriza ekonomike, refuzimet e mohimet në dashuri, mbetjet ideologjike dhe sakrificën e gruas malesore shperndarë në shumë fronte të jetës.

Hoti, Gruda, Këlmendi, Shkreli, Kastrati, Trieshi dhe Koja, mbesin të gjalla gjatë rrëfimit të këtij romani. Aty është tharmi i memorizimit të romanit dhe autores.

NË PJESËN E ROMANIT ,, FILLIMET NË NJU JORK ‘’ pershkruhen 4 vite të kaluara në qytetin shumë milionesh, krejt ndryshe nga Malesia e madhe dhe për një familje të ndarë në dysh emocionalisht dhe fizikisht mes gjakimit për ta ruajtur traditen dhe emigrimit pa adresë.

Ketu na del në pah edhe familja Gjoni që kishte shtatë djem e katër vajza.

Jeta në Nju Jork rikapitullon edhe një pjesë interesante të jetës së përsonazhëve të përshkruara në këtë roman ku pronari na del me prejardhje Arbereshe, ku kishte punësuar shumë shqiptarë nga, Malësia e Madhe, Shqipëria, Kosova, Struga, Dibra, Shkupi, Prizreni, Ulqini, Plava, Gucia, etj, që kishin arrtr në Nju Jork.

Figura e Tomait na del si një njohës i mirë i historisë shqiptare që kishte ndërvepruar për qeshtjen shqiptare deri në Kongresin Amerikan I ndihmuar edhe nga Gjoni, Leka, Gjeka mësuesi Kolë dhe një plejadë e shqiptareve nga Lugina e Preshevës dhe viseve të Maqedonisë. Pra është një mozaik shqiptar I ndërveprimit shqiptar i përshkruar në këtë roman sa psikologjik e etnik poaq edhe trondites sa i perket fatit të personazheve.

Lekën e tundonin endrrat e kqija për babain dhe kërkon të kthehet në Malësi për ta vizituar, por një ditë tragjike peson lendime të rënda trupore gjersa po punonte në katin e katërt.

Koha në rehabilitim e tij nuk ja kishte zbehur deshiren për ta vizituar Malesinë e Madhe. Malli prinderor shuhej disi permes letërkëmbimit në mes të Lekës dhe se bijës duke e gjakuar endrrën që të takoheshin prap në vendlindje.

Raporti i mirë me Markun ia kishte ndezur idenë që vajzën ( Hanën ) e tij që gjindej në Malësi ta fejonte pikërisht me këtë djalë të formuar.

Ëndrra e Lekës për ta takuar familjen shuhet nga vdekja e tij. I zoti i shtëpisë të vdekur kurse tri zana po e prisnin plot pikëllim.

Pjesa e tretë e romanit ,, JETA NË HOT ‘’ perveq dramës së shumëfisht familjare dhe një kohe të gjatë plot mall e tensione në qender të rrëfimit romanor na shfaqet një situatë e histori e re : ,, Dashuria në mes Nikës e Hanës rritej dita ditës fshehurazi, pa ia thënë njëri tjetrit dhe pa i treguar askujt’’ por sfidë e madhe ishte martesa në mes të një fisi, pra fisit Hot.

Ky roman është rrëfim i tronditjeve të mëdha që endezohen here rreth mergimit e here rreth vuajtjes, dashurisë, pesimit, vdekjes, e shpresës. Shuarja edhe e Lizës dhe varrosja e saj pran Lekës tregon gjëmën e madhe të fatit njerëzor. Roman dramë për jetën dramatike të shqiptarëve të lidhur keq nga traditat e huaja varfëria, emigrimi diskriminimi e shkurtpamësia njerëzore. Etja në dashuri ka petkun e tragjikës në këtë roman sepse shumë mendime të erreta e mundin dy zemra të rinjësh.

Pjesa e fundit e romanit ,, VIZITA E GJONIT NË HOT TË MALËSISË ‘’ shton edhe me tepër gamen e tragjikës dhe dramës familjare sepse tani ata kanë ardhur ta fejojnë djalin me Hanën dhe të rregullojnë dokumentacionin e nevojshëm për ta marrë Hanën në Amerikë.

Në këtë Odisediadë e kaos sfidash traditash e dramash psikologjike me rastin e refuzimit të fejesës së vajzës me Gjonin dhe vendimit së saj për te mbetur gjithmonë peng i kulmit të shtepisë na zhyt në dimensione edhe me të thella të psikologjisë shqiptare dhe traditave të tyre te ngurta por edhe fisnike.

Refuzimi i Gjonit nga ana e vajzës atij do ti sillte ankth e humbje shprese, kurse pleqeria do I’ia shkaktonte humbjen familjares se saj Prenen. Vajza që kishte filluar jetën duke u marr me art e kulturë po e perjetonte vetminë e madhe dhe aromen e varrit. Një dhimbje e madhe po e shterngonte vajzën në gjoks. Ajo vdiq në praninë e fqinjeve pa asnjë familjar afër. Familja iu kishte shuar. Vdiq në duart e NIkës – dashurisë së pare dhe të fundit në jetën e saj.

Hanën e varrosën pranë prindërve të saj, Lekës dhe Prenës.

Nika në pleqëri mbeti i vetmuar pa dy të dashurat e tij; Hanën dhe nënën, Tereze.

Dhe krejtë në fund mund të konstatojmë se mjeshtria rrefimore e Age Gjokaj, është një mozaik mbresëlenës në letërsi për fatin njerëzor dhe dashurinë që nuk shuhet kurrë… edhe pertej varrit e kujtesës që dhemb deri në kufinjtë e shpirtit…

(Reflektim për romanin “Kush na Mallkoi” të Age Gjokaj – Ivezaj).

Filed Under: LETERSI

Përurohet romani “Kush na mallkoi?!” me autore Age Ivezaj

December 18, 2023 by s p

Arjeta Ferlushkaj Kotrri

17 dhjetor, 2023/

Sot, më datën 17 dhjetor 2023, në ambientet e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale NY, në orën 14:00 u bë përurimi i librit “Kush na mallkoi?!”, me autore Age Gjokaj Ivezaj.

Organizatorë të këtij aktiviteti ishin Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Federata Pan-Shqiptare “Vatra”, shoqata “Malësia” dhe Fondi Humanitar “Trieshi”.

Fjalën e hapjes e mbajti kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, z. Mëhill Velaj, i cili, mbasi përshëndeti të pranishmit dhe përmendi organizatorët, u shpreh se “Age Ivezaj po vazhdon rrugëtimin pas Fran Camaj, Anton Berishaj, Lulash Palushaj, Anton Gojcaj, Nikolle Berishaj, etj.”

Më pas, z. Velaj ftoi sekretarin e “Vatrës”, dr. Pashko Camaj për të bërë përshëndetjen e rastit. Z. Camaj i përshëndeti të pranishmit në emrin e “Vatrës”, i përgëzoi organizatorët për bashkëpunimin mes tyre dhe u shpreh se “misioni i “Vatrës” është pikërisht përurimi i fjalës shqip, mbështetja për shkrimin e shqipes sepse shkrimi është ai që mbetet”. Duke qenë se autorja është pjesë e komunitetit të shqitarëve nga Mali i Zi, ashtu sikurse z. Camaj, ai shtoi se pasi shumë kanë shkruar për ne, është koha që ne të shkruajmë për veten tonë, për historinë tonë por edhe per brezin e ardhshëm. Ai u shpreh së ka shumë rëndësi qe ne të gjithë së bashku të bëjmë diçka që të lëmë gjurmë për brezat e ardhshëm dhe sipas tij, autorja, duke dokumentuar jetën e shqiptarevë të Malit të Zi, ajo na tregon se ku i kemi rrënjët dhe se ku duam të shkojmë.

E përshëndeti gjithashtu aktivitetin kryetari i shoqatës “Malësia”, z. Shaqir Gjokaj, i cili shprehu respektin në emrin personal por edhe në emrin e shoqatës “Malësia” për autoren, znj. Age Ivezaj. Duke përmendur titullinn e romanit “Kush na mallkoi?!”, z. Gjokaj u shpreh se “ka shekuj që ne kemi mallkuar veten tonë dhe me keqardhje them se nuk kemi ditur të ecim përpara sëbashku po shpesh jemi përçarë”. Ai e mbylli fjalën e tij duke shprehur mbështetjen për autoren Ivezaj jo vetëm për këtë botim por edhe per veprat e saj në të ardhmen.

Kryetari i Fondit Humanitar “Trieshi”, z. Kolë Cacaj e përshëndeti këtë përurim duke thëne se është kënaqësi që zonja Ivezaj i shtohet shkrimtarëve që shkruajnë për Malësinë dhe se duke ardhur nga një familje intelektuale malësore, zonja Ivezaj vetëm sa e ka nisur rrugëtimin e saj në fushë të krijimtarisë letrare.

Pas përshëndetjeve të rastit, z. Velaj ftoi panelistët e këtij përurimi që të jepnin përshtypjet e tyre për romanin “Kush na mallkoi?!” të autores Age Ivezaj.

Studiuesi dhe shkrimtari dr. Bexhet Asani, pasi përgezoi qëllimin fisnik të të bërit bashkë të shoqatave për një përuruim libri, ai u propozoi atyre që të bëhen bashkë sërish e të bëjnë të mundur që ky libër, të bëhet nje film që i dedikohet malësorëve e Malësisë sepse e ka një bazë të shëndoshë për atë qëllim. Ai iu la të pranishmëve një porosi: “Mos e çoni dëm këtë vepër!” Z. Asani lexoi para auditorit recensionin e titulluar “Saga e mërgimtarëve shqiptarë në një roman”, ku kishte analizuar romanin ne planin formal e përmbajtësor, duke u përqëndruar më së shumti në temën e mërgimit.

Shkrimtari nga Malësia, z. Fran Camaj foli fillimisht si ish-mësues i znj. Ivezaj, duke e kujtuar atë si një vajzë të zgjuar dhe të përkushtuar dhe u shpreh se mbante mend edhe bankën ku ajo rrinte zakonisht. Sa i takon romanit, z. Camaj u shpreh se: “Kush na mallkoi?!” është një roman social me titull mjaft intrigues që të nxit ta lexosh dhe ndahet ne disa kapituj (…) Autorja trajton në këtë roman dy tema sa historike aq edhe aktuale në të gjithë truallin shqiptar: mërgimi nga trojet etnike si dhe pozita e femrës shqiptare, në këtë rast asaj malësore.”

Studiuesja e letërsisë, znj. Arjeta Ferlushkaj Kotrri u shpreh se: “Në roman dallohen tre linja kryesore përmes të cilave autorja dëshiron të përcjellë mesazhet e saja: 1. Brenga vetjake, largimi i saj nga Malësia për në SHBA. 2. Lartësimi i figurës së gruas malësore, e cila në çdo rol të saj del një heroinë e vërtetë. 3. Emancipimi i shoqërisë në Malësi: të ecet përpara por duke ruajtur vlerat e traditës. Kemi të bëjmë me letërsi qëllimore sepse primare për autoren është përcjellja e mesazhit tek lexuesi dhe jo teksti në vetvete.”

Shkrimtari Mëhill Velaj ne recensionin e tij të titulluar “Reflektim për romanin “Kush na mallkoi?!” të Age Ivezaj” u shpreh se tema e emigracionit është e vjetër tek shqiptarët dhe shoqërohet me një fat tragjik, sidomos tek shqiptarët e Malësisë. Më pas, z. Velaj foli rreth narracionit dhe personazheve të romanit duke i mëshuar faktit historik dhe impaktit tek ditët e sotme.

Mbas përfundimit të fjalës së panelistëve, fjalën e rastit e mori autorja Age Ivezaj, e cila falendëroi të gjithë të pranishmit për prezencën e tyre, organizatorët që morën përsipër përurimin e romanit të saj të parë si dhe shkrimtarë e studiues që dhanë opinionet e tyre për romanin “Kush na mallkoi?!”. Zonja Ivezaj u shpreh se ndihej e privilegjuar që po nderohej krijimtaria e saj letrare në të cilën trajtohet një temë që vërtet ka shumë dhimbje por ishte pikërisht dëshira e saj që të pasqyronte atë realitet ashtu siç ishte. Autorja rezervoi për në fund një falenderim të ngrohtë për familjen e saj, për gjithë mbështetjen që ka marrë prej tyre në çdo hap të sajin.

E përshëndetën aktivitetin edhe vëllai i znj. Ivezaj, z. Gjon Gjokaj si dhe famulltari i Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj.

Aktiviteti u mbyll nga z. Mehill Velaj dhe të gjithë pjesëmarrësit patën mundësi të merrnin kopje të romanit me nënshkrimin e autores Age Ivezaj. Familja Ivezaj shtroi një cocktail për të gjithë të pranishmit.

Filed Under: LETERSI

Poezi e individualizimit të temave universale

December 16, 2023 by s p

Prof.as.dr. Arben Prendi/

Vëllimi poetik “Shtegtim vargjesh” është libri i parë me poezi i autores Loreta Schilock. Përveçse poete, autorja është përkthyese nga gjuha gjermane dhe shqipe, docente në Universitetin e Shtutgartit. Siç shprehet autori i parathënies së librit prof. Besim Rexhaj, leximi i lirikave të poetes Loreta Schilock është një udhëtim poetik nëpër shtigjet e një bote të veçantë, të ndryshme dhe origjinale nga ajo që rëndom hasim gjatë leximit të poezisë, e cila tash e sa kohë, duke ju falë modës e trendeve, jo rrallë tradhton vetveten e uniformizohet deri në skematizëm.

Do të shtoj se, poezitë e këtij vëllimi janë kryesisht lirikë intime, moderne në kuptimin e mënyrës se si ajo e vështron dhe e përjeton vetveten, “unin” saj njerëzor. Kjo lirikë është mbështetur në gjendjet shpirtërore të poetes, të cilat, përkthehen në imazhe poetike, por edhe në domethënie kuptimore, ngjyra dhe tinguj.

Gjuha poetike e saj synon komunikativitetin përmes qartësisë së domethënieve kuptimore, fjalorit poetik, të kapshëm prej lexuesit. Madje ajo është një lirikë që kërkon bashkëpunimin e lexuesit të saj. Gjejmë aty temat universale të lirikës, si: dashuria, vetmia, trishtimi, gëzimet dhe zhgënjimet e jetës së përditshme, deri tek familja, atdheu, poezia si art etj., mirëpo këto tema universale, poetja i individualizon me thjeshtësi dhe duke folur me vete…Nga vargu në varg poetja është njëfarësoj si Liza në botën e çudirave, por që udhëton brenda vetes. Atë e mrekullon dhe e çudit bota e unit të saj. Loreta është një poete e ndjeshme, delikate në skicimin e imazheve poetike. Madje në një tekst ajo e cilëson veten si “poezi pa titull” që pret pikërisht titullin nga i dashuri, duke krijuar një lojë poetike ku rezulton se i dashuri i saj është lexuesi i nënkuptuar, ose të paktën i dashuri i saj është lexues dhe shijues i poezisë:

“Pa titull

… Më rrëmbe në krah e më lexo:

Se jam shkruar për ty,

Kam mbetur pa titull…

Sepse titullin e pres nga ti.” (f.39)

A është i dashuri si lexues apo lexuesi si i dashur?! Mund të jenë të dyja!

Marrëdhëniet themelore në krejt vëllimin poetik “Shtegtim vargjesh” janë ato mes të dashurit dhe të dashurës. E dashura shkruan për të dashurin, për dashurinë, sepse ai e bën të dashurën e tij të ndihet si në fillim të krijimit të botës (Adami-Eva).

“A do të isha e dashur

po të mos t’më ledhatonte dashuria jote.” (f.48)

I dashuri duhet ta lexojë të dashurën siç lexohet një poezi, madje ta lexojë kaq me kujdes, përkujdesje e dashuri, përkushtim, sepse ai duhet t’i vendosë poezisë edhe titullin e duhur…

Lirika moderne, siç thuhet shpesh, është gati e papërkthyeshme dhe madje, për dallim nga lirika tradicionale, edhe e pakomentueshme deri në fund. Edhe lirikat këtij vëllimi, secilit lexues do t’i flasin ndryshe.

Mbi vëllimin “Shtegtim vargjesh” të autores Loreta Shchilock, Onufri 20223.

Filed Under: LETERSI

Përballë një të vërtete vrastare!

December 15, 2023 by s p

Nga Bejdo Malo/

Asgjë më shumë. Tabloja e 2023, njësoj si tabloja e plazhit në finalen e Romanit të Mirela Kaninit Për pakë Dashuri.

“Një Afrikë” e vogël, në juglindje të Evropës. Si tek ferri Dantes, si tek fati Romës me perandor Neronin, si tek fati i rënies së Kostandinopojës që e treguan se mbreti Kostandin kishte vdekur pas 444 ditësh. Lexon një roman me ngjarje të vendosura 33 vjet më parë dhe të duket se po ndodhin në çast. Një tablo si guernika e Pikasos. Autorja e librit Mirela Kanini Për pak Dashuri, e fillon me ikjen biblike të 1990 të Marianës dhe Marios nga sytë këmbët. Fati Marianës është fati i vendit të saj. Jetime ajo jetim vendi saj. Jetime jeta e saj. Në 1453, me mijëra niseshin nizamë në katër anët e një perandorie obskurantiste, në 1990, me mijera ikin nga sytë këmbët në një perandori shumë moderne që quhet Evropë, dhe prej 10 vjetësh së fundmi ikin nga sytë këmbët. Me mijëra janë sa miliona sepse kjo Afrikë përbëhet vetëm nga tre milionë. Mariana e Mirela Kaninit është si ato gratë irlandeze kur burrat e tyre i mobilizoi mbreti Xhejms i Anglisë për të mundur Napolonin në Vaterlo. Ato shkuan me gjithë fëmijë dhe me tërë takëmet e shtëpisë në vijën e frontit që tu shërbenin burrave dhe ata të mos kishin arrësye të ktheheshin pas. Të humbisnin ose të fitonin përjetësisht. E çuditshme. Çfar parashikuese. Të mahnit se çfarë ndjesi ka kjo grua e quajtur Mirela Kanini. Ashtu siç ikin personazhet e saj në 1990, ashtu po ikin dhe sot. Madje më dhimshëm. Me gomone jo në detin e ngrohtë Adriatik por në detin e acartë Balltik. “Po ftohe dhe freskoje pak mëndjen moj shkrimtare. Pse na i thua të vërtetat lakuriqe. Ku e gjete atë Marjanë(1,5 milionë Marijana dhe atë Mario e Bujar(1,5 milionë Mario e Bujarë). E para jetime të dytët një ëngjëll dhe një trafikant. Po fiks në 2023, jemi si në 1990. Po ajo tablo, atëhere me zhele të uritur dhe pa një lekë në xhep dhe me fat të paditur, tani të veshur për të mos u ftohur dhe do lekë në xhep. Madje në 2023, më e tmershme ikin çifte të reja me fëmijë në gji. Atje nga cepi i Ilinoisit në tokën e shenjtë e shikon realitetin tonë me syrin e Cikllopit, me syrin e Alienëve të Lashtësisë. Realitetin tonë të dhimbshëm e ke bërë sa sureal për 750 milion evropjanë dhe 350 milion SHBA-ista aq real dhe të vërtetë për të gjithë shqiptarët në tërë rruzullin. Na i ke zbuluar plagët e vërteta. Siç është lindur dhe rritur Marjana në ferr ashtu kanë lindur dhe janë rritur të gjithë ata nga 1945-1990. Tërë elita e Shqipërisë, si në Purgatorin e Dantes ishte. Ti moj zonja Mirelë as më shumë e as më pak, ke ringjallur Dikensin tek romani Jetë e zymtë, por me realitetin shqiptar. Asgjë nuk janë udhtimet biblike të shpërbërjes së Perandosrisë Çin, të Perandrisë egjyptiane të Mark Antonit, të shpërbërjes së Trojës. Ku ka udhëtim më biblik se sa i Marianës në moshën më të bukur e rritur në ferrin jetimore shqiptare drejt Gjermanisë. Sa kufinj kalon. Një zot e di. Fati saj në dorë të rastësisë. Ajo mbrrin si mbrrinë 1,5 milion në 1990, në katër anët e botës. Ca vdiqën rrugës janë pa varr, ca mbrritën dhe kur filluan të dërgonin lekë për prindërit e tyre që rritën fëmijë nipër e mbesa eridhi 2013. Drama filloi. Të gjithë ata të rinj që ishin rritur me remitancat e ju emigrantëve Mirela Kanini i kishin ruajtur ca nënë jastek dhe kanë dhjetë vjet që i përdorin si Marjana jote për të ikur njësoj si ajo. Të lumtë. Ke guxuar të na i thuash të vërtetat si ndërtuesit e piramidës së Keopsit. Ja ndërtuan për së gjalli. Sja treguan se ku do ta vendosnin vetëm i thanë. Mos u bëj merak vdis në rrugëtim dhe beteja lufte pa sens, në piramidë të kemi bërë dy dritare një nga yllësia Orioni dhe një nga Ylli Polar. Atje do jetosh. Do i takosh vetëm disa minuta në kohën e solsticeve po ska gjë. Kështu është dhe dashuria jote. Gjithçka moj Mirela na e fillon me atë udhëtim që fundin e ka në qytetin Sonthofen të Gjermanisë një vend të vogël me sipërfaqe fiks sa e 9 piramidave të Gizës dhe e përfundon në Plazh i vetmuar dhe i virgjër, një grup të rinjsh turistë aventurierë me idetë e hipive të vitit 1972 nëpër tenda kampimi, një zjarr gati i shuar. Po pastaj? Pastaj shpërthen ti Mirelë. Tërë boshti i romanit vërtitet rreth Aleksiadës si boshtet rrotulluese të tempujve budistë në Tibet. Drama arrin kulmin dhe gjerat bëhen si i Makbethit të Shekspirit kur njërës nga vajzat e grupit i shfaqet nëpër terr një grua me fustan të përgjakur. Askush nuk di asgjë për të, përveç udhërrëfyesit të turistëve që di gjithçka. Çe ke moj zonjë këtë libër Tronditës, mistik njerëzor dhe provokativ. A e di moj zonjë në çfar situate ndodhemi ne. Ja një shembull. Buali i Përmetit ka 23 vjet që nuk bën një dasmë. Malshovistët e Malëshovës së Përmetit po shkulin varret e stërgjyshërve dhe po i sjellin në varrezat Këlcyrës se po përsëritet fati. Në 1990 fshati Borockë u shua fare se pasi ikën gjysma e njerzve nëpër Evropë mbuluan gjarpërinjtë. Në 2023, në Sheperin e Andon Zako Çajupit kanë mbetur 12 pleq. Fshati në tre vjetët e fundit ka bërë vetëm tre dreka vdekje. Kjo është tabloja e tablos tënde finale në atë plazh të zi. Një libër që ja vlen të lexohet. Një libër që qëndron gjatë me ty. Një libër që trondit….

Filed Under: LETERSI

FATI I FEMRËS SHQIPTARE NË SHOQËRINË E TRANZICIONIT

December 14, 2023 by s p

Prof.as.dr. Arben Prendi/

Mbi romanin “Dielli më perëndon në Lindje” të autores Eralda Baze

Tema e tranzicionit

Romani “Dielli më perëndon në Lindje” mund të konsiderohet një roman lirik për fatin e të resë në shoqërinë shqiptare të tranzicionit. Në qendër të romanit është fati i dy vajzave të reja, të diplomuara si përkthyese. Viola dhe Era janë dy vajza të diplomuara që përpiqen të mbijetojnë në kryeqytetin shqiptar të tranzicionit si përkthyese në një shtëpi botuese . Viola është nga Shkodra, Era nga një qytet jugor.

Romani ka në fokus mënyrën se si shoqëria e tranzicionit i sheh këto vajza si objekte për shfrytëzim, ato paguhen pak, trajtohen keq, dhe janë viktima të ngacmimeve seksuale, të joshjes për një vend pune, me qëllim shfrytëzimi. Ato jetojnë në një apartament me qera që mezi e përballojnë me pagat e tyre të varfra. Për të mbijetuar ose bien viktima të mjedisit ose mashtrohen prej tij. “Për të dalë nga kjo gjendje ka dy formula të thjeshta: ose të paketojmë rrobat dhe dështimet tona brenda valixheve e të kthehemi nga kemi ardhur, ose të zëmë ndonjë dashnor të pasur”. Pastaj diku tjetër shtohet edhe lotaria amerikane si mundësi për të lënë përfundimisht vendin me nder. Këto janë jo rrallë alternativat me të cilat përballen shumë vajza të reja e gra të ardhura nga periferia në kryeqytet, për të mbijetuar. Madje jo vetëm ato, por edhe këngëtare, artiste të reja të talentuara apo të patalentuara, që të etura për famë e luks janë gati të bëjnë gjithçka, të shesin trupin dhe dinjitetin e tyre për një makinë, apartament apo rroba më të shtrenjta, apo qoftë edhe për t’u fotografuar me një kostum banjoje në një pishinë në Dubai, nën shoqërinë e sheikëve të pasur dhe perversë.

Viola tenton të vetëvritet kur mbetet pa punë dhe pasi mbijeton i kërkohen favore seksuale për t’u punësuar nga Valter Bina, një gazetar i njohur me pushtet në qarqet qeveritare. Pasi gjen në këtë mënyrë një punë për vete, ajo mendon ta ndihmojë edhe shoqen e saj Erën përmes këtij personi pervers duke shfrytëzuar përvojën e saj, por siç del më pas, miku i saj i kërkon Erës të njëjtën gjë: favore të seksuale në këmbim të një pune të pagueshme mirë. Era nuk e pranon një gjë të tillë, madje e neverit atë. Duke shfrytëzuar lidhjen që Era ka me Miladin, egjiptiano-arabin, gazetari pervers Valter Bina për t’u hakmarrë bën publike lidhjen e dikurshme të saj me Klajdin dhe në këtë kuadër trillon historinë e rreme duke e paraqitur si lidhje me një agjent arab. Në fund të romanit edhe motra binjake e Erës, përfundon në urgjencë e rrahur nga bashkëshorti i saj.

Pra, janë mbitheksuar në këtë roman disa tipare karakteristike të shoqërisë shqiptare të tranzicionit, si: shfrytëzimi dhe keqpagesa e punës intelektuale; kërkimi i favoreve seksuale nga gratë e vajzat e reja në këmbim të një vendi pune në administratën publike apo private; apo kundrejt përfitimit në para; dhuna në forma të ndryshme ndaj tyre, dhunë psikologjike deri edhe dhunë fizike. Autorja i ka vëzhguar me mprehtësi këto dukuri të shëmtuara të një shoqërie në zhvillim, ku trashëgohen disa sjellje anadollake, me mungesa të theksuara të vlerave etike e morale. Ky mentalitet është i pranishëm edhe në Kajro, ku Miladi rrihet me disa burra arabë për të mbrojtur Erën, apo e shpëton nga linçimi i turmës, që nuk e pranon një femër bionde të pambuluar në rrugët e Kajros.

Puna intelektuale në shoqërinë e tranzicionit nënçmohet, ndërsa femra konsiderohet si ornament i meshkujve me poste qeveritare apo politike; apo edhe atyre që kanë vënë pasuri përrallore në mënyra të ndryshme. Autorja ka ndërthurur këtu dramën individuale të këtyre vajzave, dhe të shumë të tjerave si ato, me dramën sociale, me dramën e një shoqërie që edhe pse mbas shumë vitesh përpjekjesh për të ndërtuar një sistem të vlerave demokratike gjendet në një pikë krize dhe boshllëku vlerash.

Viola mashtrohet disa herë, madje për të gjetur një punë ajo i jepet një gazetari të njohur i cili kërkon të bëjë të njëjtën gjë edhe me Erën. Ato janë vajza të brishta në një mjedis të ashpër, shfrytëzues dhe paragjykues. Përmes tyre është ndërtuar fati i sa e sa vajzave të reja që i drejtohen kryeqytetit me shpresën për një jetë më të mirë dhe përfundojnë duke bërë gjithçka për të mbijetuar, edhe duke shkelur mbi dinjitetin e tyre. Për të gjetur një vend pune, për ca para më shumë apo në raste të tjera për pak luks. “…të vetmet gra shqiptare të padhunuara rezultojmë ne beqaret e shkuara në moshë dhe një grusht spitullaqesh që rrojnë brenda unazës së vogël. Ndërsa jashtë këtij rrethi… vetëm “nëna Shqipëri” ndoshta…. Femrat shpesh janë viktima të keqtrajtimit në punë, në rrugë, në familje. Era dhe Viola paguhen keq dhe shfrytëzohen madje edhe bezdisen seksualisht nga njerëz të pushtetshëm të politikës dhe medias.

Në roman përshkruhet me detaje të jetuarit në Tiranën e viteve dymijë e njëmbëdhjetë, në Tiranën e tranzicionit me tollovinë e saj, pisllëkun e Lanës, me grataçielat që ndalojnë edhe dritën e diellit, pastaj me politikanët demagogë dhe seksistë; që nuk lë vend për të rejat e brishta, për më tepër të diplomuara dhe me kulturë, që duan të jetojnë me dinjitet dhe me një punë të ndershme. Tirana i gëlltit vajzat dhe gratë e reja që ëndërrojnë një të ardhme më dinjitoze, në mizerjen e saj të pashpresë, duke u marrë edhe të vetmen gjë që kanë, dinjitetin.

Peripecitë e personazheve për të ndërtuar një jetë me dinjitet në kryeqytet sjellin skena të jetës së shoqërisë shqiptare të tranzicionit dhe përshkrimi i tyre përbën një nga veçoritë e romanit. Këto përshkrime ndihmojnë në krijimin e “iluzionit” artistik të realitetit dhe përbëjnë një nga pikat e forta të romanit, si në këtë shembull: “Vetëdija e të qenurit popull i vogël në numër na ka bërë historikisht të bindur, të përulur, të kënaqur me pak. I kemi nxjerrë kthetrat vetëm për mbijetesë, përtej kësaj asgjë. Standard jetese, të drejta njeriu, liri fjale, mendimi, na kanë tingëlluar gjithmonë si legjenda urbane të importuara nga Evropa vitet e fundit bashkë me barcaletat për biondet. Rinia jonë, e lyer, e ngjyer deri në thua, është shumë më e ndjeshme ndaj këtyre të fundit në fakt. Ehh, shpesh herë e vras mendjen se si mund të katandiseshin aventurat e Lizës nëse Lewis Karrol do të ishte fqinji im dhe, që të dy bashkë, për shkak të katit të ulët e ballkonit të gjerë, do të pastronim përditë plehrat që na hedhin ata sipër; pastaj, për të shfryrë ca, mund të përplasësh derën e jashtme dhe të turresh drejt barit poshtë pallatit, ku më shpesh ndizen sherre të zhurmshme sesa ekspresi i i kafesë; për t’ia mbathur që aty mund t’i hipësh një autobusi urban, por hap sytë mirë mos të të vjedhin çantën, ndërsa po të marrësh taksi, përveçse do të të kushtojë katërmbëdhjetë herë më shumë, do të përballesh me fytyrat e uritura të lypësve të vegjël që, sipas rastit, herë i puthin xhamat e makinës e herë bëjnë sikur i pastrojnë”. Në libraritë eTiranës të shndërruara në kafene gjen plot njerëz që tymosin në sallën e kafenesë dhe asnjë në sallën e leximit, madje edhe libraret nuk e njohin emrin e shkrimtares franceze Simonë de Bovuar: “Ndërsa salla e librave në katin e nëndheshëm ishte e pastër, e qetë, e zbrazur, fiks ashtu siç i ka hije një kombi që ka nisur të zbehet i sëmurë nga puthja helmuese e analfabetizmit funksional. Dhe Steven Johnson ka paturpësinë të thotë se nëpër kafene kanë lindur idetë e mëdha! Madje vetë Iluminizmi anglez na qenka zhvilluar falë futjes së kafes dhe çajit në jetën e tyre. Këtu tek ne, përveç himnit kombëtar “Ky vend s’bëhet”, nuk dëgjohet asnjë gëk tjetër të dalë nga goja e këtyre njerëzve të topitur, që sa më shumë kafe pinë aq më të përgjumur duken…”.

Madje në roman janë prekur me guxim disa tema të nxehta të lidhura posaçërisht me tranzicionin dhe gati tabu në letërsinë e këtyre viteve si: tema fetare, kulturore e politike; krishterimi/islami; Perëndimi/ Lindja; abuzimi me pushtetin; kriza morale dhe shpirtërore e shoqërisë shqiptare; dhuna ndaj femrave, deri tek ndërhyrjet politike dhe fetare të shteteve të tjera në Shqipëri; gjendja e medias e cila fabrikon sipas interesave të politikës apo të atyre që kontrollojnë atë, lajme të rreme dhe mashtrime që cënojnë jetën e individëve në mënyrë të paripariparueshme

Personazhi kryesor, Era vjen nga një lidhje e dështuar me Klajdin, një funksionar i lartë i një ministrie/ burrë i martuar; dhe detyrohet të abortojë për ta kaluar pjesën tjetër të jetës me pengun e këtij veprimi. Ai, duke qenë funksionar i lartë në Ministrinë e Kulturës, është i përfshirë në një aferë të fshehtë me mbulesë kulturore por që në fakt ka si qëllim ndërtimin e sa më shumë xhamive në Shqipëri dhe sigurisht për këtë shërbim ai përfiton fonde të majme. Personazhi shigjeton kështu marrëdhëniet vëllazërore me Turqinë gjatë viteve të fundit pas të cilave qëndrojnë interesa politike më afatgjata. Era nuk nguron të hyjë në reflektime të natyrës fetare dhe politike kur shprehet lidhur përfshirjen e politikës në çështje fetare. Ajo shpreh nevojën për komunikime me kulturat tjera, por pa humbur identitetin kombëtar dhe kulturor përballë ndërhyrjeve nga kulturat e tjera në realitetin politik dhe kulturor të viteve të fundit: “Këta nuk janë të parët as të fundit që po tundin flamurin e islamit politik në rajonin tonë. […] E ke parasysh shprehjen “Streha e fundit e maskarenjve është nacionalizmi”?Unë do të shtoja “…edhe feja”. Të përziesh fenë me politikën, të manipulosh besimin e një populli, për t’i qëndruar mbi shpinë sa më gjatë, është kriminale, katastrofë e garantuar”.

Siç shihet synimet e autores nuk janë thjeshtë për të trilluar një romancë apo një histori rozë për lexuesin, por për të sjellë në vëmendje probleme të mprehta për shoqërinë e tranzicionit, njëri nga të cilët është edhe ai i humbjes së identitetit kulturor si nënçmim i identitetit kombëtar, por edhe si ndërhyrje e planifikuar e kulturave të tjera më të mëdha dhe më agresive; apo roli i medias në këtë shoqëri. Era qesendis me këtë rast një prirje të kinemasë, por edhe letërsisë sonë për ta paraqitur popullin shqiptar si popull tejet të prapambetur, ekzotik, për të zgjuar kureshtjen e publikut të huaj duke trajtuar disa tema skematike si gjakmarrja, burrneshat, prostitucioni, bandat shqiptare apo mjerimi i skajshëm i zonave të caktuara të vendit.

Tema e marrëdhënieve mes kulturave të ndryshme

Në fokus të romanit vendoset shumë shpejt, përmes udhëtimit dhe qëndrimit disaditor me pushime, të Erës në Kajro, në Egjipt, një pranëvënie dhe një marrëdhënie mes kulturave; kryesisht asaj evropiane perëndimore me atë orientale lindore të përfaqësuar nga qyteti i Kajros. Krijimi i idilit ndërmjet vajzës shqiptare Era dhe Miladit/Asmaranit, mashkullit arab të krishterë, sikur i shërben kësaj domosdoje për një këmbim mes këtyre kulturave, këmbim madje që nuk mbetet vetëm në rrafshin e kulturave të përgjithshme, por zbret deri në nivelin e komunikimeve intime ndërmjet individëve që janë pjesë e këtyre kulturave.

Era është shqiptare, por në sytë e një egjiptiani një vajzë bionde dhe e bukur si ajo që vjen nga një vend që gjeografikisht është pjesë e Evropës, ajo është simboli i evropianes, aq më tepër që është edhe njohëse e disa gjuhëve të huaja. Ndërsa në vështrimin e parë të saj është frika dhe paragjykimi evropian për arabët dhe islamikët si terroristë me bomba që mund të shpërthejnë nga çasti në çast. Në avion, një grua shtatzanë e mbuluar me niqab dhe e shoqëruar nga bashkëshorti, janë të dyshimtë dhe bëhen akoma më shumë të tillë pas një zënke që kanë me personelin e avionit, që në fakt është thjeshtë një bisedë në gjuhën arabe: “Në sfond shpërthejnë papritmas dy zëra burrash që zihen në gjuhën më të pakuptueshme e njëkohësisht më muzikale, më eterike, më zanore që kam dëgjuar ndonjëherë. “Era, mblidh mendjen, në bord ka mbirë nga hiçi edhe një arab tjetër! Nga mënyra se si bërtasin, me siguri po zihen për çastin kur do shtypin atë dreq butoni, të asaj dreq bombe, që ajo dreq femre mban mbi atë dreq barku, ndërsa ti ke nge të mahnitesh pas bukurisë së gjuhës së tyre?!”. Ndërsa anasjelltas është paragjykimi arab/oriental për Evropën e degjeneruar dhe të lirshme. Një bionde evropiane e pambuluar në mes të Kajros shihet me çudi dhe me urrejtje, madje ndiqet me ofendime nga pas: “Pleqtë do të tundnin në ajër bastunët e tyre duke të sharë me ato dhëmbët e rëna; plakat do të gërvishtnin faqet në shenjë turpi; vajzat do të shikonin me zili; djemtë do mbanin radhën për të fotografuar me celularë […] Vetëm, aman, andej nga Tahriri mos kalo! Me siguri do ta merrnin si shenjë për një revolucion të dytë”. Përtej paragjykimeve të ndërsjellta vajza shqiptare gjen një vatër familjare të ngrohtë tek miku i saj egjiptian Miladi, ngrohtësi që i ngjan me familjen e saj. Pra, në nivelin individual njerëz të kulturave të ndryshme e gjejnë rrugën e komunikimit dhe ndërveprimit njerëzor përkundër ideologjive, feve apo paragjykimeve që ushqehen në sfera politike apo shtetërore. Arabi është binjak dhe dystaban, vajza shqiptare është binjake dhe dystabane. Njerëzit janë kudo të njëjtit, me ndjenjat e tyre, me cenet, apo me individualitetin e tyre. Arabi dashurohet me shqiptaren në shikimin e parë dhe në mënyrë të mrekullishme. Të dy janë binjakë dhe dystabanë, të dy kanë ndjenja. Antropologjikisht njerëzit pavarësisht, nga ngjyra, besimi, raca, bindjet politike, zona gjeografike ku banojnë, seksi etj. kanë shumë të përbashkëta. Ata pasi janë ndarë nga gjysmat e tyre biologjike, kërkojnë gjysmën që u mungon. Ata janë në fakt binjakët e njerëzimit. Kulturat e oksidentit është binjake me kulturën e Orientit, njeriu i Perendimit është binjak me njeriun e Orientit. Intuitivisht apo qëllimisht këta personazhe bashkojnë Lindjen me Perëndimin. I duhet botës së sotme ky bashkim, kjo dashuri, qoftë edhe në një vepër letrare. Arabi këtë e kupton që në takimin e parë, ndërsa shqiptarja evropiane e kupton me kalimin e kohës: “You’re my soul mate/but/ You just don’t know it yet” (Ti je shpirti im binjak, por thjesht nuk e di akoma…). “Unë, 30 vjeçarja e zhgënjyer në dashuri, e frustuar në punë, e tërhequr qëllimisht larg familjarëve për të fshehur prej tyre dështimet e mia; që po më shkon rinia duke komentuar me një tjetër fatkeqe si vetja, libra filozofësh, ateistësh, feministesh, po kuptoj këtu, mes këtyre të huaj, se çfarë më paskësh munguar vërtetë:”. Megjithëse kjo rezulton e pamundur sepse një shpërthim bombe në katedralen e koptëve në Kajro ndër të tjerë vret edhe Miladin, të dashurin e Erës, është një ëndërr e bukur që bashkon Perëndimin dhe Lindjen.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 72
  • 73
  • 74
  • 75
  • 76
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Shqiptarët dhe parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe përgjegjësia evropiane
  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT