• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani flet sot në Këshillin e Sigurimit të OKB-së

April 22, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani do flasë sot në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në selinë qendrore në Nju Jork. Në mbledhjen e sotme do paraqitet raporti gjashtëmujor i Përfaqësueses së Posaçme të Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore António Guterres, Drejtuesja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.

Zyra e Presidencës së Kosovës ka njoftuar se në fjalën e saj kreu i shtetit do të flasë për arritjet dhe reformat, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit në Kosovë, duke pasur si pikë kyçe “nevojën për drejtësi ndaj krimeve të kryera nga serbët në Kosovë”.

Fjala e Presidentes Osmani në Këshillin e Sigurimit do të shoqërohet nga rrëfimet e katër të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Pak ditë më parë në OKB u paraqit projekt-rezoluta për ta shpallur 11 korrikun “Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Kujtesës së Gjenocidit në Srebenicë 1995.” Teksti, i formuluar ngjashëm me rezolutën e miratuar dhjetë vjet më parë kundër gjenocidit në Ruanda, është propozuar nga Misioni i Republikës së Ruandës dhe i Gjermanisë. Vendet anëtare që e kanë mbështetur janë Shtetet e Bashkuara, Shqipëria, Holanda, Finlanda, Franca, Italia, Irlanda dhe Sllovenia.

Për të arritur deri tek njohja e gjenocidit nga ana e OKB-së duhet të ngjizen tri komponentë: ligjet ndërkombëtare, aleancat politike dhe procesi hetimor. Rezoluta pritet të votohet nga 193 vendet anëtare në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në datën 2 maj, një numër më i zëshëm se procedura votuese me 15 anëtarët permanentë të Këshillit të Sigurimit. Përfaqësuesit serb kanë protestuar si për projekt-rezolutën ashtu edhe për anën procedurale sepse në të kaluarën njohja e gjenocidit në Bosnje është penguar ngaqë Rusia ka vendosur veton.

Ekspertët ndërkombëtarë thonë se miratimi i kësaj projekt-rezolute i jep fund mohimit të gjenocidit në Bosnjë si edhe mundëson ecjen përpara.

Filed Under: Mergata

Takime vëllazërore me shqiptarët e Kroacisë

April 20, 2024 by s p

Kryetari i Nderit i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, njëherit dhe Anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës me seli në Tiranë, Dr. h. c. Lazim Destani dhe Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë, juristi i mirënjohur nga Zvicra, z. Nazmi Jakurti, ndodhen për një vizitë triditëshe në Kryeqytetin e Kroacisë, Zagreb.

Dje dhe sot ata kanë zhvilluar takime të shumta me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Kroaci.

Fillimisht ata vizituan Qendrën e Unionit të Shqiptarëve të Kroacisë dhe selinë e Lidhjes Shqiptare në Botë, ku u pritën nga Nënkryetari i Unionit z. Agim Gjidoda dhe nga Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë për Kroaci, z. Sahit Tashevci dhe Nënkryetari z. Rrok Lekaj. Në takim ishin të pranishëm edhe dy Ambasadorët shqiptarë, Shkëlqesia e Tij z. Riza Poda, Ambasador i Shqipërisë në Zagreb dhe Shkëlqesia e Tij z. Milaim Fetai, Ambasador i Maqedonisë së Veriut në Zagreb si dhe disa afaristë të suksesshëm shqiptarë të Kroacisë.

Z. Destani dhe z. Jakurti i bënë një vizitë në shtëpinë e tij, patriotit të madh, z. Simon Kuzhnini, themelues dhe tani Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë.

Në mbrëmje, Kryetari i Lidhjes Shqiptare në Botë për Kroaci, z. Sahit Tashevci shtroi darkë për të pranishmit.

Në ditën e dytë, z. Lazim Destani dhe z. Nazmi Jakurti u pritën në takime të ndara në tri Ambasadat tona në Zagreb, në Ambasadën e Shqipërisë nga Sh.T. Ambasadori Riza Poda, në Ambasadën e Kosovës, nga Sh.T. Ambasadori Martin Berishaj dhe në Ambasadën e Maqedonisë së Veriut, nga Sh.T. Ambasadori Milaim Fetai.

Pastaj ata vizituan Qendrën Informative dhe Kulturore të Maqedonisë së Veriut në Zagreb, për ta parë ekspozitën e piktorit tonë të mirënjohur nga Gostivari Prof. Reshat Ameti.

Në vazhdim mysafirët takuan shumë personalitete të shquara shqiptare të Kroacisë nga fusha e biznesit, kulturës dhe shkencës.

Sot, në ditën e tretë janë paraparë edhe shumë takime me individë dhe përfaqësues shoqatash të ndryshme shqiptare në Kroaci.

Filed Under: Mergata

KUSH SI VOTOI NË ASAMBLENË PARLAMENTARE LIDHUR ME PRANIMIN E KOSOVËS NË KËSHILLIN E EVROPËS

April 17, 2024 by s p

Prof.Xhelal Zejneli/

Kandidaturën për t’u bërë anëtare e AP të KE-së Kosova e ka paraqitur para dy vjetëve. Kërkesa u pranua në seancën e mbajtur në prill të viti 2023.   

*   *   *

Më 16 prill të vitit 2024, rreth orës 20, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në Strasburg, me 131 vota “për”, i dha dritë të gjelbër anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë. Të pranishëm në votim ishin 171 anëtarë të AP të KE-së.

Para se të shkohej në votim, delegatët i hodhën poshtë amendamentet e delegacionit serb me të cilat kërkohej që vendimi për pranimin e Kosovës të shtyhej, ndërsa formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë kusht për anëtarësimin e Kosovës. 

 Kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës votuan 29 vetë të vendeve të poshtëshënuara:    

  Tetë përfaqësues të Spanjës votuan kundër raportit të raportueses Dora Bakojani (Dora Bakoyannis, 1954- ) e cila rekomandoi dritë të gjelbër për Kosovën. 

Kundër Kosovës ishin: katër përfaqësues nga Hungaria, dy përfaqësues nga Qiproja, një greke dhe një gjerman. Kundër Kosovës votuan edhe dy përfaqësues nga Franca dhe një italian. 

Kundër anëtarësimit të Kosovës ishin edhe shtatë anëtarët e delegacionit të Serbisë,  Maja Vukiqeviq nga Mali i Zi si dhe Snjezhana Novakoviq dhe Branisllav Borenoviq nga Bosnja dhe Hercegovina. Një përfaqësues tjetër i Malit të Zi votoi në favor të Kosovës.    

  Me fjalë të tjera, me 131 vota “për” dhe me 29 vota “kundër”, Këshilli i Evropës mori vendim për miratimin e raportit të Dora Bakojanit për pranimin e Kosovës në organizatën e sipërthënë. 

Të përmbajtur ishin 11 delegatë: një malazias, gjashtë italianë, tre të Moldavisë dhe një gjerman.  

Përkundër faktit se Athina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, katër përfaqësues të Greqisë, midis të cilëve edhe Dora Bakojani, votuan për pranimin e Kosovës. 

Rumunët nuk erdhën në votim, me përjashtim të delegatit Julian Bullai, i cili e mbështeti Kosovën. Nuk votuan as aremenët. Të dy shtetet – Rumania dhe Armenia – nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Rekomandimin për pranimin e Kosovës, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do t’ia dërgojë Komitetit të Ministrave të Punëve të Jashtme, i cili e merr vendimin përfundimtar, pikërisht me shumicën prej dy të tretave të ministrave apo të ambasadorëve që i përfaqësojnë dhe që janë të pranishëm në çastin e votimit.

Mbledhja e Komitetit të Ministrave që ka 46 anëtarë duhet të mbahet në Strasburg, prej datës 16 deri më 17 maj të vitit në vazhdim.  

*   *   *

Shefja e delegacionit serb në AP të KE-së Bilana Pantiq Pila lëvdon disa “kolegë” nga Italia dhe nga Hungaria të cilët nëpërmjet amendamenteve paskan manifestuar qëndrim ndryshe nga ai i shumicës.    

Delegatja e Partisë Demokratike Popullore Maja Vukiqeviq, e cila njëherazi është edhe shefe e delegacionit të Malit të Zi, deklaroi gjatë debatit se ajo nuk do ta mbështesë pranimin e Kosovës në AP të KE-së, edhe pse, siç tha, në delegacionin malazez do të ketë edhe vota për pranimin e Kosovës.  

Kundër pranimit të Kosovës u prononcua edhe Branisllav Borenoviqi nga Bosnja dhe Hercegovina. 

      Deputeti i grupit të liberalëve dhe demokratëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës Iulian Bulai vlerësoi se Kosova është e gatshme për t’u anëtarësuar në KE. 

  Aleksej Gonçarenko nga Ukraina vlerësoi se Kosova meriton të pranohet në Asamblenë Parlamentare të KE-së, duke shtuar se “bota e lirë duhet të bashkohet”.  

Për pranimin e Kosovës në AP të KE-së u angazhua edhe Alen Milon nga Franca.  

*   *   *

Në Asamblenë Parlamentare të KE-së folën gjithsej 59 përfaqësues shtetesh  Prej tyre, gjashtë serbë. Anëtarë të delegacionit të Kosovës në AP të KE-së janë deputetët: Enis Kervan, Arben Gashi dhe Saranda Bogujevci. Katër përfaqësues të Shqipëria ishin: Blerina Gjylameti, Lulzim Basha, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj. Një prej përfaqësuesve të delegacionit të Maqedonisë së Veriut ishte deputetja Arta Bilalli Zendeli.   

Paraprakisht, në emër të grupeve politike folën Iulian Bulai nga Rumania, Aleksis Cipras (Alexis Tsipras) nga Greqia, Frank Shvabe (Frank Schwabe) nga Gjermania, Ingjerd Schie Schou nga Norvegjia dhe Zolt Nemeth nga Hungaria.    

   Gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, i hodhi poshtë të gjitha amendamentet e propozuara nga delegacioni serb si dhe nga disa deputetë italianë, përfshi edhe  amendamentin e një deputeti hungarez që kusht për anëtarësimin e Kosovës në KE të jetë themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.     

Më 15 prill 2024, në Komitetin për Çështje Ligjore dhe për të Drejta të Njeriut pranë Këshillit të Evropës u votua njëzëri pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim. Pas një dite, d.m.th. më 16.04.2024, Asambleja Parlamentare e mori në shqyrtim raportin që rekomandonte anëtarësimin e saj.  

Hapa drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës Kosova bëri më 27 mars të vitit në vazhdim. Me këtë rast, Serbia dhe dy vende të tjera votuan kundër. Megjithëkëtë, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KE-së e miratoi raportin për Kosovën të raportueses Dora Bakojani (Dora Bakoyannis), e cila vlerësoi se ajo i ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.       

*   *   *

Pas miratimit të propozimit nga Asambleja Parlamentare e KE-së për pranimin e Kosovës, u prononcua edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq, duke thënë: “Sot është një ditë turpi në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”. 

Shënim: Dora Bakojani (Theodora “Dora” Bakoynnis, mbiemri i vajzërisë Mitsotakis) ka lindur më 6 maj 1954. Është më e madhja prej katër fëmijëve të ish-kryeministrit Konstantin Micotakis (Konstantinos Mitsotakis, 1918-2017). Dora është shkolluar në Athinë, në Paris dhe në Universitetin e Munihut. Flet anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Ka qenë kryebashkiake e Athinës dhe ministre e Punëve të Jashtme.     

 Xhelal Zejneli

Filed Under: Mergata

Themeluesi, Lidershipi i Ismail Qemalit

April 13, 2024 by s p

Prof. Asoc. Dr. Monika Hasani/

Libri “Themeluesi, Lidershipi i Ismail Qemalit” vjen në 110 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë në një këndvështrim krejt të veçantë të autorit Evarist Beqiri, për figurën e Ismail Qemalit jo vetëm si themelues i shtetit shqiptar, por duke e trajtuar këtë figurë nën prizmin e lidershipit.
Hipoteza kryesore mbi të cilin ndërtohet libri është se shqiptarët e njohim pak ose aspak lidershipin e Ismail Qemalit, teksa pyetja kryesore kërkimore është: Çfarë nuk dimë ne shqiptarët për figurën e lidershipit Ismail Qemali?
Për të vërtetuar hipotezën autori është mbështetur në një literaturë të gjerë e të pasur me studiues shqiptarë këtej e andej kufirit, studiues të huaj, burime arkivore duke shfrytëzuar variante shkrimore origjinale, si dhe në multimedian.
Gjuha e përdorur është e kuptueshme për të gjitha shtresat, si rrjedhim ka qasje që lexuesi të jetë i gjerë.
Si talent i fushës, veçanërisht i lidershipit, Evaristi sjell të vërteta historike të zhveshura nga paragjykimet duke ndihmuar të ardhmen.
Për studiuesin Ismail Qemali nuk është thjesht plaku i moçëm që ngriti flamurin në Vlorë, por është produkt i një jete të tërë me kontribute të çmuara në shërbim të çështjes kombëtare.
Në kujtesën e tij gjenetike janë sakrificat e familjes Vlora ndër shekuj. “Fryma shqiptare me të cilën ai ishte mbrujtur qysh në vegjëli do ta shoqëronte atë kudo në botë ku ai shërbeu” (E. Beqiri, fq 220).
Cilat janë disa prej elementeve që shenjojnë lidershipin e tij, të zbërthyera në libër.

Ndërtimi i marrëdhënieve njerëzore të mbushura me energji pozitive është faktor vendimtar në suksesin e liderit. Element të cilin Ismail Qemali e zotëronte më së miri. Kishte në zemër dashurinë për vendin.

Heroi, modeli nga i cili ai frymëzohet është Gjergj Kastriot Skënderbeu, Kalorësi i Krishtërimit, duke qartësuar kështu vizionin e tij të ëndrrës europiane. Nuk është rastësi, por mjeshtëri e tij politike dhe diplomatike përkimi i datave. 28 Nëntor 1912, si nëntor i dytë, krijoi shtetin e pavarur shqiptar.
Autori heq paralele mes Skënderbeut që ndali hovin e ushtrive osmane dhe Ismail Qemali që tregoi se trojet shqiptare nuk janë një “Turqi e dytë” në Ballkan, por janë pjesë e pandashme e kontinentit europian.

Komunikimi me anë të simboleve kombëtare.
“Flamuri, himni kombëtar dhe gjuha shqipe”:
Formimi i alfabetit dhe çështja e gjuhës shqipe ishte një nga çështjet të cilës i kushtonte vëmendje të posaçme.
Së bashku me Hoxha Tasimin, Pashko Vasën, Kostandin Kristoforidhin, Jani Vreton në vitin 1864 ndërtuan themelet e punës për hartimin e alfabetin me shkronja latine, sepse për ta humbaja e gjuhës isht humbje e kombit. Si rrjedhojë në vitin 1913 në dokumentet e Qeverisë së Vlorës, shqipja ishte e vetmja gjuhë zyrtare e shtetit shqiptar. “Duke treguar kujdes e dashuri për gjuhën e kombit tregon qartë shiprtin e tij të lideshipit madhështor”.
Sot modeli i tij i të adhuruarit dhe lëvrimit të shqipes duhet të shërbejë si një pikë e fortë mbështetëse për të përballuar problemet që shqipja ka sot në kontekstin e globalizimit.

Strategjia e komunikimit.
Ismail Qemali zotëronte artin e komunikimit dhe aftësinë për të bërë për vete njerëz të shtresave të ndryshme. Ndiqte politikën e dyerve të hapura, d.m.th lehtësisht i kontaktueshëm nga njerëzit e thjeshtë. Nuk pati kurrë shenja arrogance, vlerë kjo e ardhur edhe nga dera e madhe e Vloravje.

Fleksibël dhe elastik në të njëjtën kohë.
Nuk dorëzohej pa realizuar deri në fund objektivat e tij. “Ismail Qemali përpara çdo gjëje mendonte Shqipërinë”.
Jemi të etur për modelin e lidershipit të Ismail Qemalit për të forcuar demokracinë, për politikanë që udhëheqin nga ideale të larta me karakter të fortë dhe zemër të madhe.
Përfundime
Duke iu kthyer edhe njëherë hipotezës se shqiptarët e njohin pak ose aspak figurën e Ismail Qemalit, duke lexuar librin kuptohet se kjo hipotezë vërtetohet plotësisht. I ftoj të gjithë të lexojnë dhe do të mësojnë më shumë për veprën dhe për këtë figurë, për këtë figurë shumëdimensionale …….
Me aftësinë për të lënë mënjanë për hir të së mirë së përgjithshme Ismail Qemali i parapriu kohës dhe jep dorëheqjen, tipar i lidershipit.
Interesante ishte letra që i dërgon Aqif Pashës ku shkruhet se: “Shqipërinë e shpëtuam, i bindëm mbretëritë se Shqipëria siguron ekuilibrin ballkanik, por nuk ka mbetur një çështje që na shqetëson: ne nuk e durojmë njëri-tjetrin dhe çdo gjë që bëjmë mirë apo keq has në vështirësi dhe sjell pasoja”.
Konstatime të tilla për fat të keq verifikohen lehtësisht në jetën tonë shoqërore, politike.
Gjeniu i Ismail Qemali ia doli që në kontekstin e politikës së jashtme të hidhte poshtë propagandën e ligë të fqinjëve se shqiptarët nuk bëjnë dot shtet, pasi janë racë inferiore.

Filed Under: Mergata

Për një Bajram të vërtetë

April 10, 2024 by s p

Reflektime, mësime dhe thirrje për një jetë më të mire

Imam Gazmend AGA

Qendra Kulturore Shqiptaro Amerikane “Struga”, Riverdale, NJ

Albanian American Cultural Center “Struga”, Riverdale, NJ

Muaji i ramazanit mbetet një muaj reflektimi. Reflektimi i vetëdijesimit për lidhjen që duhet të kemi me Krijuesin, reflektimi i vetëdijes se Zoti është mbikqyrës i çdo sjelljeje tonës, relfektimi se duhet të thyejmë zinxhirët e materiales dhe lartësimit shpirtëror, i largimit nga kafshërorja dhe të njësuarit me rngjëlloren. Ky ishte muaji i reflektimit se duhet të jemi më të vetëdijshëm se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për Zotin, veten tonë dhe mbarë njerëzimin.

Ramazani është muaj i sakrificës, i bamirësisë, i solidaritetit me ata persona dhe familje që kanë njëmijë e një halle në këtë botë. I solidaritetit me ata njerëz që kanë nevojë për përkushtim dhe vëmendje, por që rrethanat i kanë braktisur në një cep të harresës sonë shoqërore.

Ramazani mbetet muaji i vëllazërisë, i ribashkimit te zemrave, i faljes se njeri tjetrit, I lenies Menjane te merive. Ramazani na mesoi te behemi njerez me te mire, me te delire, me te dhimbsur, me te dashur, me solidare, me fales, me te perkushtuar; na mesoi me shume vleren dhe vleresimin e te mirave , si dhe vuajtjen a atyre qe nuk i kane keto te mira.

Per nje muaj, ramazani sherbeu si nje purifikues i ndjenjave dhe mendimeve tona. Purifikim ky, qe ka nevoje te vijoje edhe per njembedhjete muajt e tjere te vitit. Ramazani na mesoi te jemi njerez me te mire, prinder me te Mire, femije me te mire, bashkeshorte me te mire, vellezer e motra me te mire, shoke me te mire, fqinj me te mire, qytetare me te mire. Ramazani na mesoi se me pak perkushtim, te gjithe mund te jemi rober te denje te Zotit e qytetare te denje per shoqerine; le te vijojme te jemi te tille pergjithmone.

Ramazani vazhdon; edhe sot, neser e ne vazhdim duhet te vazhdojme perpjekjen per te jetesuar keto vlera.

BESIMI

Le të mos harrojme fuqinë dhe mirësinë e madhe të besimit.

Duke qene besimtare Allahu ju ka dhene nje vlere te jashtezakonshme; Allahu thote, nese besoni jeni me te lartet. Prandaj duhet te mbusheni me ndjenjen e mirenjohjes dhe falenderimit per statusin ku na ka vendosur Zoti si besimtare..

SHPRESA

Ushqeni shprese dhe besim te meshira e Zotit sepse ai vepron me ju ashtu sikurse ju e njihni ate. Prandaj ta dini se Zoti eshte i dashur, eshte mbikqyres eshte perkrahes ne cdo frymemarrje ne cdo levizje, ne cdo moment.

Mos e humb shpresen, sado gjynahe të kesh, dera e mëshirës për ty do të mbetet e hapur dhe rruga e shpresës gjithmonë e shtruar. Ajo që kërkohet prej teje është vullneti dhe këmbëngulja për të ndryshuar.

Thotë Allahu;

”Dhe mëshira ime ka përfshirë gjithçka.”

Ky është ajeti me shpresedhenes ne Kuran;

”Thuaj: “O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti.” (Zumer: 53)

VEPRAT E MIRA

Besimi kërkon praktikë, kërkon aksion, kërkon jetë. Besimi e shtyn besimtarin në adhurim dhe vepra të mira. Në krye të veprave të mira vjen relata me njerëzit; e kreu I kreut është respekti dhe përkujdesja për prindërit.

PRINDËRIT

Iu bej thirrje femijeve, te rinjve qe tu dine vleren prinderve, sepse Allahu e zbret meshiren pikerisht per nevojen qe kane prinderit; nese i braktisim prinderit Allahu e nderpret meshiren..

Nje nga 7 gjynahet e medha eshte mosbindja ndaj prinderve, Ne fakt dhembshuria e dashuria duhet te ekzistoje per te gjithe njerezit, edhe per kafshet. Nje person qe nuk tregon dhembshuri ndaj njerezve, qe nuk e dizenjon jeten e tij sipas boshtit te dhembshurise e meshires, nuk mund te tregoje dhembshuri edhe ndaj prinderve te vet.

Thotë Zoti në Kuran;

24. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!”

Jeta është e shkurtër dhe kalimtare. Ne kaq pak vite ne punojme per te fituar pafundesine. Sipas asaj duhet punuar, e nje nga veprat qe na afron me shume me xhennetin eshte respekti e dashuria ndaj prinderve.

Thotë njeriu model, krenaria e njerëzimit, njeriu me I sjellshëm, më I ndjeshëm, më I dashur, Ai që nuk theu njëherë një zemër njeriu, Muhamedi a.s.;

“Çdo gjynah, Zoti mund ta kalojë për jetën tjetër, ndërsa keqtrajtimin e prindit Zoti e dënon në këtë jetë para jetës tjetër”. Hadith

JETA BASHKËSHORTORE

Familja nuk eshte fabrike per prodhim femijesh, Persosmeria e nje kombi nis nga foleja familjare, anetaret e te cileve punojne per kete qellim. Suksesi në folenë familjare është etapa e parë e suksesit në jetën e përgjithshme. Dhe kjo etapë është e varur nga një martesë e shëndoshë.

Bashkimin legal nën emërtimin “kurorë”, mes një mashkulli dhe femre, feja e pranon si themelin, shtyllën, fundamentin e një kombi të mire

“Më i miri prej jush është ai që sillet më mirë me familjen e tij, ndërsa unë sillem më mirë me familjen time” hadith

Nuk ka superioritet te burrit ndaj gruas … sepse ato jane dy individë që plotesojne njeri tjetrin qe sikurse kane detyrime ndaj njeri tjetrit kane dhe te drejta te barabarta ndaj njeri tjetrit. Prandaj femra duhet trajtuar me respekt e dashuri. Cdo gje tjeter nuk eshte prej fese por prej dogma e dhe zakoneve te keqija. Feja islame i ka dhene prioritet te vecante femres per shkak te delikateses dhe mungeses se dhenies te vendit qe meriton ne kohet e sotme. Nuk mund të jetë besimtar I mirë ai që dhunon femrën, bashkëshorten dhe nënën e fëmijëve të tij.

EDUKIMI I FEMIJEVE

Ju bej thirrje muslimaneve ti shkollojne femijet dhe ti edukojne duke mos i lene kurre ne meshire te fatit te fanatizmave, veseve dhe problemeve sociale.

“Kush dëshiron mirëqenie në këtë botë, le të mësojë; kush dëshiron paqë në botën tjetër, edhe ai le të mësojë; kush dëshiron të dy botat, le të merret me

shkencë.”

Muhammedi a. s. ka qenë luftëtar i madh kundër padijes. Për vete ka pohuar se do ta konsideronte të pabekuar atë ditë në të cilën asgjë nuk do të mësonte të re.

RELATA ME FQINJIN DHE NEVOJTARIN

Te jetojme duke e ndare lumturine me njëri tjetrin dhe do gezojme me shme siguri dhe e shijojme me shume lumturine. I bëj thirrje te gjithe te pasurve ta ndajne buken me fqinjin dhe të varfërin se do ta gezojne e sdo varferohen kurrë.

“… e çkado që t’u jepni të tjerëve nga pasuria, ajo do t’u kompensohet në mënyrë të plotë duke mos u dëmtuar ju”. (El-Bekare: 272).

Ose ajetin:

“Kush bën mirë, ai e ka për vete, e kush bën keq, ai vepron kundër vetes, e Zoti yt nuk bën padrejtë ndaj robërve”. (Fussilet: 46).

“Kush ia largon besimtarit një brengë nga brengat e kësaj bote, All-llahu ia lehtëson një brengë nga brengat e Ditës së Kijametit. All-llahu është në ndihmë të robit, përderisa robi është në ndihmë të vëllaut të vet”.

Kurse Pejgamberi s.a.v.s.thotë: “Ai që nuk bëhet i mëshirshëm ndaj njerëzve, nuk do ta mëshirojë Allahu”.

BESIMTARI DUHET TE JETË AKTIV NË SHOQËRI

Te jene aktive ne shoqeri duke kontribuar, duke ndihmuar qe nga ceshtjet te perbashketa te ceshtjeve te ambientit e deri te ceshtjet sociale sepse aty ku ka musliman aty duhet të ketë solidarizim, përkrahje dhe përpjekje dhe ky është musliman i vertete.

Muslimani duhet te kete perpjekjen maksimale … Te mos kete zili te pasurit dhe te mos synojne pasurimin me rruge te shkurtra qe jane te paligjshme dhe skane kenaqesine e Zotit por te punojne me vendosmeri dhe perkushtim..

Këto janë disa nga veprat që do na bënin të kuptonim Bajramin e vërtetë;

BAJRAMI

Bajrami i vertete per ne eshte te jetojme sipas kuranit dhe sipas tradites profetike, larg veseve dhe gjynaheve duke bere cdo lloj perpjekje ne kete drejtim dhe Ramazani ishte mundesi e arte per ta frenuar veten ndaj te keqijave.

Profeti thote se nuk mund te hyni ne xhenet pa besuar e nuk mund te besoni pa dashur njeri tjetrin. Por kjo kerkon mund vendosmeri kerkon vazhdueshmeri me syun e nijetit per te kontribuar.

Muhammedi a.s. ka thënë: “Në ditën e Bajramit, engjëjt ndalen para dyerve dhe thërrasin: “O muslimanë! Shpejtoni te Zoti Fisnik, i cili ju siguron begati dhe ju shpërblen me të mira. Ishit të urdhëruar të faleni (luteni) natën, u falët; ishit të urdhëruar të agjëroni ditën, agjëruat dhe iu nënshtruat Zotit tuaj, pra merrni

shpërblimet tuaja!”

Sot është dita e faljes, e paqes. Sot nuk është ditë dëfrimi e pushimi, por reflektimi falenderimi dhe thirrje e fuqishme për të vazhduar relatat e mira me të afërmit dhe njerëzit në përgjithësi. Nuk mund të flasim për bajram të vërtetë nëse I kthehemi të keqes me të keqe, idhnimit me idhnim, thashethemit me thashethem.

Allahu xh.sh. në Kur’an thotë: “E kush fal e bën pajtim, shpërblimi i tij është tek Allahu. Vërtet Ai nuk i do zullumqarët”. (Esh-Shura, 40).

Gjithashtu Allahu xh.sh në Kur’an thotë: “Nuk është e barabartë e mira dhe e keqja. Andaj (të keqen) ktheje në mënyrën më të mirë, se atëherë ai, me të cilin kishit njëfarë armiqësie, do të bëhet mik i afërt. Mirëpo, këtë nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që janë të durueshëm, dhe nuk mund ta arrijë kush, pos atyre që kanë virtyt të lartë”. (Fussilet, 34-35).

Thotë Allahu xh.sh. në Kur’an: “Le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që Allahu t’u falë ju? Allahu falë dhe mëshiron shumë”. (En-Nur, 22).

Gjatë faljes një thirrës thërret: “Zoti i juaj ju fali dhe kthehuni drejtë në vendbanimet tuaja sepse kjo është dita e shpërblimit”.

Që Bajrami të ketë kuptim e të mund ta shijojmë atë, ne si besimtarë duhet të reflektojmë mbi përgjegjësitë tona, të trokasim në derën e pendesës, të flakim nga shpirti ynë urrejtjen, xhelozinë, smirën, armiqësinë, të triumfojmë mbi dëshirat e egos dhe me sjelljet dhe veprat tona të fitojmë mëshirën dhe faljen.

Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju t’ia vini veshin. 19/90

O Zot i Mëshirës dhe Faljes, forcoji zemrat tona në fe. Mbushi zemrat me besim. Udhëzona ne, familjet tona, shoqërinë tonë! O i Dashur, dhurues i dashurisë, furnizoji zemrat tona me dashuri e mëshirë! Pastroji zemrat tona nga urrejtja, smira, xhelozia, armiqësia dhe çdo e keqe. O Zot, dhuroi vendit tonë paqe, begati e mirësi dhe mbroje nga çdo rrezik e fatkeqësi…

O Zot, dhuroji botës paqe e qetësi.

GËZUAR BAJRAMIN, ZOTI E BEKOFTË DHE BEGATOFTË VENDIN TONË TË MREKULLUESHËM, SHQIPËRINË.

Filed Under: Mergata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 17
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • …
  • 105
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KOSOVA DHE PAVARËSIA E SAJ NË KËNGËT E ARIF VLADIT
  • Masakra e Tivarit – Një e vërtetë e shtypur për shumë kohë
  • Pasqyrimi në filateli i mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë gjatë L2B
  • MASAKRA E TIVARIT, 1945: HESHTJA ZYRTARE QË VAZHDON TË VRASË
  • DR.ATHANAS GEGAJ, EDITORI I “DIELLIT” NË OPTIKËN E DOKUMENTEVE ARKIVORE TË VATRËS (1963-1971)
  • Kujtojmë në ditën e lindjes patriotin e shquar Kostandin Çekrezi, figurë e rëndësishme e historisë dhe publicistikës shqiptare
  • Vasil Rakaj, malësori që ngjizi me shkëmb, metal, dru, baltë dhe shpirt, altarin e përjetësisë
  • “Ajo që pashë në Raçak më ndryshoi jetën”, ambasadori Walker rrëfen në Boston çfarë ndodhi në Kosovë
  • VATRA Boston dhe Kisha “Holy Trinity” promovuan librin “Saint Paul in Dyrrach” të profesor Thanas Gjikës
  • A KA PASUR LIBRA SHQIP PARA PUSHTIMIT OSMAN?
  • NGA FUSHA E SPORTIT TE ARKITEKTURA E SHTETIT
  • Pasqyrimi i gjendjes në Kosovë në fund të viteve ’80 sipas dokumenteve të Arkivit të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë
  • Fondacioni “Kalo” ringjall Luzatin e hershëm në Tepelenë
  • SALIH ZOGIANI – ERUDITI QË SHNDËRROI ANEKDOTËN NË THESAR TË KOMBIT
  • 115-VJET NGA KRYENGRITJA E MALËSISË SË MADHE: NGA PUSHKA TE SHTETI

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT