• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“ALBANIAN BOOKFEST” SI KONTRIBUT KOMBËTAR I FEDERATËS VATRA NË MBËSHTETJE E PROMOVIM TË KULTURËS E LETËRSISË KOMBËTARE NË MËRGATËN E AMERIKËS

November 11, 2025 by s p

Sokol Paja

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me shoqatat kryesore patriotiko-kulturore, shkollat shqipe dhe klubet e studentëve shqiptarë  në New York, New Jersey, Philadelphia etj organizon për herë të parë një festë madhështore të librit shqip në New York. Një ngjarje kulturore dhe atdhetare me synim themelimin e një tradite të vyer që rrit, promovon dhe bashkon shqiptarët e mërgatës rreth dijes, librit e kulturës.

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra fton shtëpi botuese, autorë, grup autorësh, shkrimtarë dhe krijues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Evropa, Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që ti bashkohen festivalit të librit shqip që do të zhvillohet në New York nga datat 28 – 30 nëntor 2025. Ky festival libri është një ngjarje kulturore që promovon letërsinë, kulturën dhe identitetin kombëtar shqiptar në diasporën e Amerikës e më gjerë.

Për herë të parë libri shqip i të gjitha gjinive e prej të gjitha trevave do bëhet bashkë në New York për të shënuar ngjarjen më të rëndësishme kulturore për shqiptarët e Amerikës nën udhëheqjen e Vatrës. Komisioni i organizimit i përbërë nga profesionistët Dr. Pashko Camaj, Dr. Paulin Marku, Sokol Paja e me mbështetjen e organizatave në organizim i bëjnë komunitetit një shërbim të çmuar kulturor dhe atdhetar.

Roli i promovimit të librit shqip në Amerikë për herë të parë në këto përmasa interkontinentale prej Vatrës do të sjellë një impakt të fuqishëm në promovimin e kulturës kombëtare, gjuhës shqipe dhe ndërtimit të një ure komunikimi sa shpirtërore por edhe kulturore mes shqiptarëve të mërguar dhe trojeve etnike. Federata Vatra e gazeta Dielli e kanë pasur si qëllim në vetvete përgjatë gjithë historisë së veprimtarisë së tyre ruajtjen e identitetit kombëtar ku libri shqip i rrezikuar nga zhvillimet teknologjike dhe emigrimi masiv, sot më shumë se kurrë kërkon kujdes dhe impenjim në ruajtjen, zhvllimin e promovimin e tij. Libri shqip do të jetë e vetmja garanci në të ardhmen për ruajtjen e identitetit gjuhësor te shqiptarët e mërguar anembanë botës.

Libri shqip është mjeti më i fuqishëm identitar shqiptar për të ruajtur kujtesën historike, gjuhën, traditat dhe zakonet e një populli të shpërnarë në të gjitha kontinentet. Nëpërmjet librit shqip, brezat e rinj ruajnë të gjallë lidhjen shpirtërore me atdheun dhe mësojnë për historinë e lavdishme, rrënjët e gjenezën kombëtare të shqiptarëve. Libri bashkon, libri përfaqëson, libri mbron gjuhën, libri është ambasador kulturor dhe markë identitare e kombit në raport me kulturat dhe kombet e tjera. Trashëgimia e përbashkët kulturore e gjuhësore ka qenë në qendër të veprimtarive të Federatës Vatra e cila me mbështetjen e shkollave shqipe kudo në botë dhe me promovimin e dhjetëra librave të Selinë Qëndrore të Vatrës, e ka shëndërruar Federatën në promotoren më të fuqishme të kulturës dhe historisë kombëtare në mërgatën e Amerikës dhe jo vetëm. Libri shqip është drita dhe shpirti i një kombi.

Letërsia e të gjitha zhanreve e gjinive, historia, folklori dhe botimet e ndryshme shkencore, publicistike dhe enciklopedike kanë një rol specifik në formimin e vetëdijes kombëtare dhe morale te një shoqërie, shteti dhe kombi. Media, letërsia, historia dhe narrativa kombëtare ka pësuar një deformim të tmerrshëm në kohën e komunizmit dhe sot, promovimi i letërsisë së re është një hap i madh drejtë një çlirimi kombëtar prej ideologjisë komunistë e manipulimit të të vërtetave prej ideologjisë staliniste që poshtëroi kombin tonë për 50 vjet. “Një komb pa libra është si një trup pa shpirt” do ta përcaktonte i madhi Faik Konica. Autorët shqiptarë dhe libri shqip janë një mundësi fenomenale për të afruar dhe publikun amerikan e më gjerë me vlera e letërsisë shqiptare dhe autorët bashkëkohorë shqiptarë që për hir të vërtetës kanë lënë gjurmë të fuqishme në letërsisë bashkëkohore europiane.

Promovimet e përkthimet e librave të autorëve shqiptarë në Amerikë, Europë e kudo ku ka shqiptarë, është një promovim i identitetit kombëtar, punë e cila kërkon jo vetëm mbështetjen e vëmëndjen e institucioneve shtetërore shqiptare, por patriotët dhe organizatat e shoqatat që veprojnë në mërgatë duhet ta kenë librin shqip dhe gjuhën shqipe motiv të veprimtarisë së tyre kryesore. Duke qenë se ka një shtim të emrigrimit masiv të shqiptarëve nga Shqipëria e Kosova kryesisht prej keqqeverisjes, nevojave dhe sfidave të emigranteve të rinj duhet tu përshtatet edhe promovimi kulturor dhe identitar kombëtar. “Libri është ura që lidh të kaluarën me të ardhmen” do të thoshte aktori i madh Aleksandër Moisiu. Një letërsi e mirë forcon imazhin  e kombit tonë në arenën ndërkombëtare. Libri është një formë e posaçme e diplomacisë kulturore ku shtete dhe kombe e zhvillojnë së tepërmi.

Libri shqip shërben si arkiv shpirtëror e material ku ruhet trashëgimia e historisë e shpirti kombëtar. Libri shqip është trashëgimi dhe jetëgjatësi, dëshmi e pavdeksisë së kombit shqiptar.

Filed Under: Opinion

Artistet Linda Lupi dhe Anila Hetoja vizituan Vatrën

November 10, 2025 by s p

Sokol Paja/

Artistet Linda Lupi dhe Anila Hetoja vizituan Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra”. Ato u pritën nga editori i Diellit dhe këshilltari për art kulturë në Vatër z.Nazim Salihu “Noli Tv”. Në fjalën e mirëseardhjes editori u shpjegoi historinë e Federatës Vatra, të gazetës Dielli, historinë dhe përpjekjet e emigracionit shqiptar në Amerikë në dobi të çështjes kombëtare. Editori shpalosi veprimtarinë patriotike, kulturore e atdhetare të Vatrës nën udhëheqjen e kryetarit Dr. Elmi Berisha, Kryesisë e Këshillit të Vatrës në dobi të interesit kombëtar dhe komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Z.Nazim Salihu u shpjegoi artistëve organizimet kulturore dhe promovimet e kulturës kombëtare që Vatra si institucion lider atdhetar i zhvillon në komunitetin shqiptar në Amerikë.

Piktorja Linda Lupi vlerësoi Vatrën si qendër shqiptarie për shqiptarët e Amerikës, rrëfeu emocionet e ekspozitës “E kuqja” në shtëpinë e kryebashkiakut të New York-ut Eric Adams, domëthënien artistike dhe rëndësinë historike të pikturës së heronjve të kombit Gjergj Kastriotit, Osmail Qemalit, Isa Boletinit e Adem Jasharit, kënaqësinë e takimit me bashkatdhetarët e suksesshëm shqiptarë në New York, rëndësinë e promovimit të artit dhe kulturës shqiptare ndërkombëtarisht, rrugëtimin e saj artistik dhe bashkëbisedimin e ngrohtë me Eric Adams si promovues dhe mbështetës i artit e komunitetit shqiptar në New York. Artistja Anila Hetoja përveç rrugëtimit artistik e krijues theksoi rëndësinë që ka arti shqiptar në promovim të kulturës kombëtare.

Kush janë artistet Linda Lupi dhe Anila Hetoja:

Linda Lupi është një artiste vizuale dhe moderatore me karrierë të gjerë në art, media dhe akademi. Ajo ka përfunduar studimet në Liceun Artistik “Naim Frashëri” në Vlorë, më pas në Universitetin e Torinos (DAMS – Disiplina e Artit, Muzikës dhe Spektaklit) dhe në Universitetin e Arteve në Tiranë në degën Pikturë/Multimedia. Studimet e mëtejshme në Master Shkencor për Komunikim dhe Marrëdhënie Publike Politike në Universitetin Europian të Tiranës kanë pasuruar më tej formimin e saj profesional.

Ka qenë asistente pedagoge në Universitetin e Arteve dhe aktualisht është pedagoge në Universitetin New York të Tiranës, duke kontribuar në formimin e brezit të ri artistik.

Në media, është e njohur si autore dhe moderatore e programeve kulturore “Art Cult” në Euronews Albania dhe “E Bukura Je Ti” në radio, ku ka sjellë mbi 100 intervista frymëzuese me personalitete nga fusha të ndryshme. Aktualisht moderon emisionin “Ora e Tiranës” në Top News. Si artiste, Linda Lupi ka marrë pjesë në ekspozita dhe simpoziume kombëtare e ndërkombëtare në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Itali, Turqi, Egjipt dhe Rusi, duke fituar çmime dhe vlerësime për veprat e saj konceptuale.

Anila Hetoja është artiste shqiptare e diplomuar në Ekonomi-Financë në Tiranë dhe ka përfunduar studimet në Interior Design në RCC Yorkville University në Toronto, Kanada, duke ndërthurur ndjeshmërinë krijuese me formimin akademik shumëdisiplinor.

Karriera e saj përfshin një sërë ekspozitash personale dhe pjesëmarrje në aktivitete ndërkombëtare në Gjermani, Egjipt, Kosovë, Maqedoni dhe Bullgari, ku ka bashkëpunuar me artistë të njohur nga mbarë bota. Ekspozita e saj e parë, “LOVE” (Tiranë, 2016), shënoi fillimin e një rruge të suksesshme që u pasua me koleksionet “Motivet Tradicionale” (2017) dhe “Natyrë” (2019), vepra që mishërojnë harmoninë, jetën dhe lidhjen e fortë me mjedisin natyror.

E njohur për stilin e saj origjinal dhe për teknikën krijuese “Work with Cups”, Hetoja eksperimenton me ngjyra të gjalla dhe materiale të riciklueshme, duke krijuar kompozime plot energji, simbolikë dhe shpirt artistik. Deri më sot, ajo numëron 8 ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në një sërë simpoziumesh ndërkombëtare, ku ka përfaqësuar me dinjitet artin shqiptar.

Sot, Anila Hetoja është një emër që mishëron fuqinë, pasionin dhe kreativitetin e gruas moderne shqiptare , një artiste që, përmes origjinalitetit të saj, i jep jetë bukurisë, harmonisë dhe identitetit kulturor.

Filed Under: Opinion

Liza Laska, artistja që nuk kërkoi estetikë, por ngjethje…

November 8, 2025 by s p

Aleksandër Çipa/

Liza Laska është një artiste që e ka shumëfishuar jetëgjatësinë e emrit të vet, përmes artit vetiak në skenë dhe kinematografi. Së bashku me Albert Verinë, sivëllain e saj skenik e artistik në Vlorë, përbëjnë modulin e lartë të një kuote artistësh që kanë bërë dhe rrojnë artistikisht në diferencë me të tjerë…Kjo zonjë vlonjate e artit skenik shqiptar është shëmbëllim i mbartjes së asaj që mund të thuhet në frymën e Bernard Shawt: Liza Laska nuk luan gra që duhen gjykuar, por qenie njerëzore që duhen kuptuar…

Karakteret e saj janë skulptura në mendje.

Në interpretimet e saj gjenden zonja e nëna me një botë të vetëdijshme që shpikin veten. Ajo nuk mbeti aktorja e roleve që shkruan të tjerët, por u moshua si artistja që çdo rol, si akt emancipimi artistik, e krijoi përmes syve të vet. Në rolet e kinemasë sonë, Liza Laska mbeti një energji e dalë prej saj për ta ndjerë dhe mbartur të tjerët, pra publiku. Me shikimin dhe heshtjen skenike, arriti më shumë se me dialogët. (Dhe kjo është një hise e autenticitetit prej artisteje që mishëroi në krijimtari, ose më saktë, në jetën e artit të vet.) Ajo nuk kërkoi kurrë deklamativisht të pëlqehet, por të trondiste. Sikundër e thotë Margaret Atwood: kjo është mënyra më e ndershme për të qenë e pavdekshme në skenë…

Ishte në klasin e përhershëm, të skulpturimit në mendje të publikut, të karaktereve të veta me aftësinë dhe cilësitë prej Nëne arti. Sikundër mund ta thoshte Artaud: “Trupi i saj në skenë nuk kërkoi estetikë, por ngjethje — ajo lozi me dritën dhe errësirën e shpirtit njerëzor.” Karakteret e Liza Laskës krijoheshin në çdo rol për çdo premierë. Inteligjencën e mishëronte dhe e mvishte tek seicili prej roleve, madje edhe duke e lënë si identitet shikimi në ato role të cilat përbëjnë galerinë e saj të aktrimit, 22 në filma dhe mbi 100, në skena teatrore…

Nëna në “Shtigje lufte”, Mara tek “Dimri i fundit”, pastruesja tek “ Lulëkuqe mbi mur”, Evgjenia në “ Në prag të lirisë”, hallë Sofia tek “Gurët e shtëpisë sime”, etj, etj, janë imazhe dhe karaktere që sintetizojnë një cikël karakteresh sa distante aq edhe shtuese të njera-tjetrës. Si në talentin e një letërsie të madhe, aktorja jonë nuk ka shkruar karakteret labërore të nënave dhe motrave, por ka krijuar imazhet e plota imponuese, ka lënë pazhbëshmërisht asosacionet dhe perceptimin e gjithëhershëm për to. U desh kjo foto bashkëshoqëruese e këtij teksti, të më tërhiqte në gravitetin e një in memoriam, për këtë mike të shenjtë të vatrës sime familjare, për këtë artiste imponuese të Vlorës, për këtë talente të hijshme të interpretimit dhe verbit skenik e filmik në botën shqiptare.

Artiste Liza Laska, …

sa shumë udhëtim jetues ke, mes nesh dhe pas nesh!!!!

Vlorë, nëntor 2025

Filed Under: Opinion

Musine Kokalari – një yllësi- studim i Uran Butkës për jetën, veprimtarinë dhe veprën e Musine Kokalarit

November 7, 2025 by s p

Instituti “Lumo Skendo”/

Qysh në vitin 1992, si një brengë e mëparshme pamundësie, hulumtova nëpër arkiva dokumentet, ditaret, shënimet e veprat e Musine Kokalarit dhe shkrova esenë “Mesazhi i Musine Kokalarit”, të cilën e kumtova më 16 shkurt 1993 në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Ishte një gjë krejt e papritur dhe e panjohur për deputetët. Mandej e botova në përmbledhjen me studime “Ringjallje”, 1996. Meqenëse kjo sprovë ishte rishtare, punova në vazhdimësi dhe thuajse në çdo përvjetor të ditëlindjes së saj, për ta ringjallur këtë figurë të jashtëzakonshme të letrave shqipe, por të kryqëzuar e thuajse të harruar, duke gjetur çdo herë diçka të re në jetën dhe veprën e saj, ende të pazbuluar.

Deri sa arrita në shkrimin dhe botimin e veprës “Musine Kokalari një yllësi”që po e përurojmë sot. Musineja është një figurë shumëdimensionale: shëmbëlltyra e bukurise femërore dhe shpirtërore, mishërimi i muzës së lindur, shkrimtarja e parë shqiptare, eseiste, publiciste, kritike, antropologe, folkloriste, mëtuese e fjalës së lirë dhe e demokracisë perëndimore, luftëtare e lirisë dhe të drejtave njerëzore, veçanrtisht i femrës shqiptare, politikane, themeluese e partisë socialdemokrate shqiptare me program drejtësi shoqërore dhe liri politike, qëndrestare e pashoqe në gjyqin komunist, torturat në burgjet dhe internimet e paligjshme të regjimit për 38 vjet me radhë, e pathyer nga trysnia e pashembullt e Sigurimir të shtetit, kurajoze në përballimin e sëmundjes së rëndë dhe trajtimit çnjerëzor te mjekëve të oborrit enverist, në fund, martirizimi i saj dhe përjetësia, të gjitha këto dritësime njerëzore e hyjnore përbëjnë tashmë një yllësi, që është ngitur dhe shndrit në qiell për njerëzimin. Pandaj e titullova studimin tim “Musine Kokalari një Yllësi”.

Natyrisht nuk do të flas për librin tim, do të citoj për ju vetëm disa mendime të zgjedhura të Musinesë nga ky botim:

“Në odën time të vogël, përballë kam vënë fotografinë e iluministit të shquar, Samiut, të poetit Naim, të patriotit Sotir Kolea, të punëtorit të gjuhës shqipe e të lëvizjes Kombëtare, Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, të mendimtarit Naum Veqilharxhi, të të nderuarit De Rada dhe të të urtit Aleksandër Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm, jetoj me njerëz të nderuar, të ditur e demokratë, që kanë punuar për vendin, për mëmëdhenë gjersa mbyllën sytë. Unë jam nxënësja e tyre”

“A nuk është kjo arsyeja që veprat individuale janë më të mira se ato të masave? Atëherë arrita në përfundimin vetëmevete që synimi më i mirë dhe më i madh është që të bëhemi të aftë për veten, kështu mund të ndihmojmë sinqerisht njerëzimin”

“Megjithatë, nuk ndihesha vetëm, sepse nuk isha me të tjerë, isha me veten, e kuptuar nga vetja ime, duke u gjendur në botën vetjake, në botën individuale. Flisja lirshëm dhe haptas me zemrën time, në një bashkëbisedim të thellë, në një monolog të ëmbël. Dhe ja tek jam e lirë dhe e kënaqur. Ne e kërkojmë lirinë jashtë nesh dhe në fakt ajo gjendet brenda nesh”

“Njerëzit që nuk më pranojnë i çmoj po aq sa ata që më pranojnë. Të dy palët më bëjnë një të mirë, se me përpjekjet e tyre do të kuptoj kur shkruaj mirë dhe çfarë më mungon, duke pasur parasysh që çdo vepër ka pjesën negative që i jep vlerë asaj pozitives. Mendimet e kundërta hapin udhën e kritikës që ka një vlerë të madhe. Në Shqipëri, siç e dini dhe vetë, rrallë mund të gjejmë një kritikë, e cila të jetë analitike edhe pa paramendim. Letërsisë s’onë që sot po bie poshtë ose po humbet dal-nga-dal i mungon kritika letrare, nga shkaku se nuk ka patur as frymë as kundërshtim mendimesh”.

“Respekti për Lumo Skëndon është i pakufishëm. Dekalogu i Ballit Kombëtar ishte demokratik”

“Mbas Mbledhjes së Mukjes kam marrë pjesë në “Ballin Kombëtar” si socialdemokrate dhe kam qenë përgjegjëse e gazetës “Zëri i Lirisë”, në të cilën kam botuar artikuj ku flitet për çështjen e Kosovës në bazë të Kartës së Atlantikut”

“Partia social-Demokrate ka për qëllim kryesor tësigurojë drejtësi shoqërore dhe dhe liri politike. Liria politike konsiston në në sigurimin e të drejtës së çdo shtetasi që të ketë lirinë e mendimit, të fjalës, të shtypit, të inisiativës private dhe tëvotës”.

“E vërteta që është gjithnjë pak e pëlqyeshme, bën mirë, si ilaç: shëron. Nëse nuk të pasuron, të bën të lirë dhe prandaj është e çmuar, e pakrahasueshme me çdo gjë tjetër”“Dashuria nuk është tjetër veç një ndjenjë që jeton në vetvete e që ushqehet nga vetja, prandaj është vetjake. Kur thyhet, thyhet pa mllef. Ndoshta është momenti më bukur i dashurisë. Nëse dashuria është e bukur, siç thonë, më e bukur është akoma liria e shpirtit”

“U thyen prangat e rrobërisë për të lindur jeta e re, ku gruaja të mos jetë robinjë, por shoqe e jetës, të jetë përgjegjëse për vehten e saj dhe të marrë pjesë në të gjitha ngjarjet e kohës, kërkon të dijë se ku rron e përse rron në jetë për të drejtën që ka, si pjesë e pandarë e saj”

Musine Kokalari, ishte atdhetare dhe antifashiste.

Një polemikë e saj me pushtuesit italianë:

– Ne kemi një mision historik: të qytetërojmë Shqipërinë.

– Ne nuk ju kemi thirrur. Ju erdhët me armë. Ne ju pritëm me armë. Na pushtuat.

– Ne do ta civilizojmë vendin, – thanë ata.

– As këtë s’jua kemi kërkuar, të na civilizoni me anën e pushtimit. Ne të rinjtë po mësojmë dhe po ne do ta civilizojmë vendin tonë, që ju e pushtuat.

– Jeni prapa botës.

– Kjo nuk është një arsye që pushtimin ta quajmë shpëtim.”

Një përballje tjetër politike e Musinesë me Nexhmije Hoxhën, anëtare e partisë fashiste, e kini të plotë në libër polemikën, por për mundese kohe nuk po e citoj, po lexoj vetë këte dokument arkivor … (dokumenti)

“Më gjeti çlirimi me pasigurinë e rrojtjes. Filloi tragjedia e individit demokrat, nënë diktaturën e proletariatit. Kështu u mbyll epoka e Rilindjes dhe tendenca demokratike nga pozita humaniste që mbron popullin e thjeshtë, njeriun e punës për të shpëtuar nga skllavëria fizike dhe shpirtërore dhe dinjitetin njerëzor. Hyri dhuna dhe gjakderdhja për të shfarosur demokraten dhe gëzimi mizor për gjakderdhje, me forcë e me mospërfillje”

“Komunizmi dhe fashizmi s’kanë ndryshim midis tyre, përderisa vrasin njeriun”

“Po ju do të më dënoni jo se kam bërë faj, po se ju komunistët nuk lejoni parti tjetër dhe gjeni sebep e thoni se doni të përmbysni pushtetin. Unë s’jam fajtore, s’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ti fitove në zgjedhje, mirë po unë në burg nuk duhet të jem. Ti më arrestove e thua se jam fajtore. Atë s’e pranoj”.

“Unë s’i kam kurrkujt borxh dhe askujt s’i kam kërkuar as ndihmë e as lehtësi, as jam ankuar, kur ata që të kanë në dorë, të varrosin për së gjalli 38 vjet me radhë pa të drejtë”

“Komunistët më varrosën për së gjalli, vetëm e vetëm se nuk u kërkova falje në gjyq për aktivitetin tim. Dhe pse do kërkoja falje? Unë s’isha komuniste, isha demokrate dhe e shikoja demokracinë si nxënëse e Rilindjes, si dualitet politik.. U dënova jo për faj. Por me mua donin të dënonin Rilindjen, vdekjen politike të saj

“Unë nuk kam nevojë të jem komuniste që të dua vendin tim. E dua vendin tim edhe pse nuk jam komuniste. Unë e dua përparimin e tij. Ju mburremi se keni fituar luftën, dhe tani ju jeni fituesi qe doni të shuani ata që ju i quani kundërshtarë politikë. Unë mendoj ndryshe nga ju, por unë e dua vendin tim. Ju jeni duke më ndëshkuar për idealet e mia

“Asnjë letër për falje s’ka dërguar që nga viti 1946, preferoi burgun si armike e Partisë dhe tani po vdes e vetme. U mundova ta zhduk, po nuk është e thjeshtë ta zhdukësh një njeri si ajo”- Enver Hoxha

“Shkrimtarëve tanë u kufizohet liria e shkrimit, e pasqyrimit të realitetit dhe këta e dinë se po të shkruajnë atë që është, pa i bërë lustrime, Partia i godet. Kështu edhe shkrimtarët janë mësuar të shkruajnë gjëra të paqena, duke nxjerrë në pah gjoja drejtësinë e shtetit, gjoja lirinë e njerëzve, kur në fakt kjo në Shqipëri nuk ekziston fare, siç thuhet e lustrohet” Musineja veçon dhe vlerëson pozitivisht Ismail Kadarenë, Bilal Xhaferrin, Zija Çelën e ndonjë shkrimtar tjetër.

“Ç’fat tragjik! Më doli dhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pasur pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime. Vetëm të mos më humbasin dorëshkrimet. Tjetër gjë s’dua”

Musineja ishte dhe mbeti vetvetja në çdo çast të jetës: e vetme e nisi udhën e shkollimit, e vetme atë të shkrimtarisë, e vetme atë të dashurisë, e vetme atë të politikës, e vetme atë të qëndresës, e vetme edhe atë të vdekjes, e vetme atë të përjetësisë. Dhe u shndrrua në një Yllësi.

Veprën Musinesë e kanë vlerësuar mjaft autorë te shquar, të huaj dhe shqiptarë, që i kam vendosur ne kopertinen e botimit. Disa vargje lapidare të bashkëthemeluesit të Partisë Socialdemokrate, nacionalistit, shkrimtarit dhe filozofit të mërguar, prof. Isuf Luzaj.

“Odiseja jote pa shembull të përngjashme:

Hëm Vashë, hëm Muzë, hëm Heroinë beteje,

Çudite dhe trimat e asaj kohe rebele…

Vjollcë nënë borë, nën dritën e hënës,

Të rrëmbeu vdekja veç me puthjen e nënës…”

Faleminderit

KUMTESAT

Fjala për Prof.DR. Persida Asllani nga Universiteti i Tiranës

Fjala për Prof.Dr. Dhurata Shehri nga Universiteti i Tiranes

Fjala per Prof. Dr Meliza Krasniqi nga Instituti Albanologjik Prishtinë

PERSHENDETJET

Pershendetja e parë shkon për Karolina Kokalari Halimi, personazhja më e dashur e kokalarëve për Musinenë dhe për mua. Znj Karolina u përpoq gjithë jetën e saj ringalljen e jetës dhe veprës së pavdekshme të Musinesë . Ajo shpirtërisht është ketu mes nesh, por fizikisht nuk erdhi dot per arsye moshe.

Përshëndet Elinda, Kokalari, mbesa e martirit Vesim Kokalari qe u pushkatua nga terroristet komunistë, Më 12 nëntor 1944, vëllai i Musinesë. Dua te përmend me mirënjohje Hektor Kokalarin, atin e Lindës, i cili ishte i pari hulumtoi dhe botoi prozat e para te Musine Kokalatit “T’isha një lule”.

Përshëndet Arba Kokalari/ Euro deputete e Suedisë për herë të dytë në Parlamentin Evropian, mbesa e Hamit Kokalatit, vëllai i Musinesë, i futur në listat e pushkatimit dhe vajza e Bardhyl Kokalarit. Eshtë kënaqësi e krenari që e kemi mes nesh.

Përshëndet Enit Kaduku Kokalari, mbesa e martirit Mumtaz Kokalari,vëllai i Musinesë, pushkatuar nga terroristët komunistë me 12 nëntor 1944.

Filed Under: Opinion

𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞̈𝐫𝐢𝐚 𝐦𝐞𝐫𝐢𝐭𝐨𝐧 𝐭𝐞̈ 𝐚𝐧𝐞̈𝐭𝐚𝐫𝐞̈𝐬𝐨𝐡𝐞𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐁𝐄, 𝐣𝐨 𝐧𝐞𝐬𝐞̈𝐫 𝐩𝐨𝐫 𝐬𝐨𝐭

November 5, 2025 by s p

Nga Dr. Bledar Kurti/

91% e shqiptarëve mbështesin anëtarësimin në BE, numri më i lartë jo vetëm nga të gjithë kandidatët, por edhe nga shumë prej vetë vendeve të BE-së të cilat shënojnë një përqindje të ulët sentimenti evropian.

Shqipëria e meriton plotësisht vendin e saj në Bashkimin Evropian, jo vetëm si një aspiratë politike, por si një kthim natyral në familjen ku historikisht ka përkitur. Shqipëria ka qenë, është e do mbetet evropiane, jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht, me mendje, zemër dhe aspirata.

Në shekuj, shqiptarët kanë qenë pjesë aktive e zhvillimeve evropiane, duke ruajtur vlera si liria, mikpritja, bashkëjetesa fetare dhe respekti për tjetrin, këto janë pikërisht themelet e vetë projektit evropian.

Që nga lashtësia, toka shqiptare ka qenë pjesë e qytetërimit evropian, nga rrënjët ilire e deri te trashëgimia romake e bizantine që formësuan identitetin tonë kulturor.

Në Rilindjen Kombëtare, intelektualët tanë e panë të ardhmen e Shqipërisë si një komb modern, të orientuar drejt Perëndimit, me një vizion për një shoqëri të arsimuar, demokratike e të barabartë me kombet e tjera evropiane.

Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti kishte mision e vokacion evropian e ishte mbrojtës i qytetërimit e besimit evropian.

Nga kjo tokë lindi Nëna Zemërmadhe e botës, Nënë Tereza, që i shpalosi kombeve zemrën e vërtetë e të rrallë të shqiptarëve.

Shqipëria ka qenë, është e do të mbetet shembulli më unik në botë për bashkëjetesën dhe harmoninë fetare. Kjo është një vlerë e çmuar që na nderon ndërkombëtarisht.

Një prej qyteteve tona, Kukësi, u shpall kandidat për Çmimin Nobel për paqen, duke hyrë në histori si qyteti i parë në botë kandidat për këtë çmim.

Shqiptarët janë popull liberator. Historia e dëshmon se kurrë nuk kemi pushtuar por vetëm kemi mbrojtur vlerat dhe identitetin tonë.

Gjuha shqipe vazhdon e flitet ashtu siç lindi përpara mijëra vitesh.

Rezistenca e popullit shqiptar është epokale. Edhe pas gjysmë shekulli nën diktaturën më të ashpër në kontinent ne u rimëkëmbëm, e brenda tri dekadave nga një vend emigrator jemi vend mikpritës për të huaj nga e mbarë bota që tashmë punojnë e jetojnë këtu.

Një popull i vogël në numër por me shumë e shumë personalitete që po transformojnë botën në të gjitha fushat anëembanë globit.

Anëtarësimi në Bashkimin Evropian nuk është vetëm një qëllim politik, e as nuk duhet të jetë një proces burokratik, është e drejtë e paralindur, rikthim në rrugën tonë natyrore historike, kulturore e shpirtërore.

Shqipëria është evropiane në rrënjë, në shpirt dhe në aspiratë.

Çdo shtetas i kësaj toke është krenar që është shqiptar, sepse kjo tokë është evropiane dhe ka lindur shpirtra evropianë.

Shqipëria duhet të anëtarësohet në BE që shqiptarët të marrin trashëgiminë e merituar dhe Evropa të gëzojë, e do gëzojë më shumë se ne, që mozaiku madhështor i kontinentit tonë më në fund u plotësua me gurin e çmuar që i kish munguar.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 863
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHBA dhe arkitektura e re e paqes globale: Diplomacia strategjike dhe ndërtimi i rendit të ri ndërkombëtar në epokën e demokracive të avancuara
  • Isa Boletini, Rënia si Akt Themelues i Ndërgjegjes Kombëtare dhe Alarm i Përhershëm i Historisë Shqiptare
  • Kongresi i Lushnjës dhe periudha përgatitore për Luftën e Vlorës 1920
  • GJON MILI DHE EKSPOZITA MЁ E MADHE FOTOGRAFIKE BOTЁRORE E TЁ GJITHA KOHRAVE
  • Rezoluta-6411,nga SHBA-ja, do të jetëson ndaljen e diskriminimit dhe  zgjidh drejt çështjen e Krahinës Shqiptare
  • IBRAHIM RUGOVA: BURRËSHTETASI QË E SFIDOI DHUNËN ME QYTETËRIM 
  • Mbi romanin “Brenga” të Dr. Pashko R. Camaj
  • Presheva Valley Discrimination Assessment Act Advances
  • Riza Lushta (22 JANAR 1916 – 6 shkurt 1997)
  • Krimet e grekëve ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Luftën Italo-Greke (tetor 1940 – prill 1941)
  • Masakra e Reçakut në dritën e Aktakuzës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë
  • FATI I URAVE PREJ GURI MBI LUMIN SHKUMBIN
  • Skënderbeu, Alfonsi V dhe Venediku: në dritën e Athanas Gegajt
  • Abaz Kupi si udhëheqës ushtarak i çështjeve kombëtare
  • “Lule e fshatit tim” – Poezi nga Liziana Kiçaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT